Fati i gruas nuk është anonim

Poezi nga Sibel Halimi

Ne jemi vazhdimësia e braktisjes
Strehuar në njërën prej çative
Këndet fshehin shikimet
Divanet pagjumësitë e dashurive të pa jetuara
Nën shkallë
Botën marrim në gji
E të nesërmen ecim tutje mbi kalldrëmet e historisë
Me qafën mbuluar në shall valëvitur si vetë liria
Presim lindjen e njërës
Pasnesër varrosim bardhësinë
E mbase e harrojmë veten
Në fjalën e pathënë
Fati i gruas nuk është anonim

Kur Zogu falënderonte Ataturkun për telegramin e ngushëllimit me rastin e ndarjes nga jeta të nënës së tij

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Nëntor 2022

“Istanbul” ka botuar, të hënën e 2 dhjetorit 1934, në ballinë, telegramin e falenderimit të mbretit Zog drejtuar askohe Mustafa Kemal Ataturkut me rastin e ndarjes nga jeta të nënës së tij Sadije (25 nëntor 1934), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shkëmbim telegramesh

Në përgjigje të telegramit që Presidenti i Republikës i kishte dërguar me rastin e vdekjes së nënës së tij, Mbreti Zogu i Shqipërisë sapo i ka dërguar Gazit këtë shkresë :

Shkëlqesia e Tij Kemal Ataturku

President i Republikës turke

Ankara

Shumë i prekur nga ana e Shkëlqesisë suaj në marrjen pjesë në zinë time të madhe, ju kërkoj të pranoni falënderimet e mia më të sinqerta.

Zogu./ KultPlus.com

“1 piano, 2 zonja, 4 duar” vjen magjishëm në natën e parafundit të “Kosova KamerFest”

Dyshja në piano, Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli-Dehiri sonte në natën e parafundit të “Kosova KamerFest” ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve të cilët kanë vëzhguar me vëmendje interpretimin e tyre. Me vepra të njohura të kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë, dyshja ka krijuar një mbrëmje magjike ku krejt lehtazi është deshifruar dhuntia dhe dashuria e tyre për këtë art, shkruan KultPlus.

Salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës tash e disa net ka mirëpritur muzikën klasike në forma të ndryshme. Por, ajo që nuk ka ndërruar asnjëherë, është dukja e këtij vendi. Me lule shumëngjyrëshe në skenë dhe këtë herë me një prapavijë të bardha, ka qenë pianoja e zezë ajo që ka marrë vëmendjen e publikut kur koncerti gjeti nisjen fiks në orën 20:11.

Njashtu si veshja e tyre vezulluese, edhe fytyrat e tyre vezullonin nga pasioni për të interpretuar para një publiku që me qetësi absolute ia kthen respektin. Ndërsa, ndriçimi po ashtu ishte në një nivel ku dukshëm mund të shohësh gishtërinjtë e dyshes, që herë-herë, varësisht veprës, ndërronin pozicionet e tyre nga e djathta në të majtë.

Sonte, çelësat e pianos kanë dalë përtej imagjinatës së njeriut. Ato janë pushtuar me një energji të jashtëzakonshme nga pianistja Syzana Jakupi dhe pianistja tjetër, Alba Muçolli-Dehiri. Të dyja pianistet kanë dhënë hijshëm një program të larmishëm, me ç’rast vijat melodike kanë hyrë në secilin njeri prezent. Qenë veprat e kompozitorëve si: Robert Schumann, Franz Peter Schubert, Rauf Dhomi, Gabriel Urbain Fauré, Antonín Leopold Dvořák dhe Aram Ilyich Khachaturian, ato të cilat i dhanë shumë kësaj nate. Secila melodi kishte një rrallësi të paparashikueshme.

“Skena balloje, op.109”, “Rondo D.608”, “Panorama”, “Dolly Suite op.56”, “Valle simfonike, op.72, op.46, no.7” dhe “Vals nga maskerad”, ishin veprat që erdhën me një frymë të famshme por që është pikërisht kjo që ka bërë që publiku të përhumbej akoma më shumë në ato. Dyshja shqiptare padyshim që ka dhënë më të mirën e mundshme, dhe kjo dallohej në secilën herë që duartrokitjet e zjarrta zinin vend pas çdo vepre të performuar.

Përgjatë gjithsej një ore, ajo që u dallua më së shumti ka qenë lëvizjet trupore në përputhje me gishtërinjtë e dyshes. Të dyja pianistet kanë qenë trupa të dytë përkrah pianos në skenë. Ndërsa, vetëm një piano e katër duar kanë rrëmbyer zemrat e të pranishmëve. Vepër pas vepre, buzëqeshjet vetëm sa shtoheshin mes të pranishmëve, dhe e gjitha kjo nga interpretimet precize të dyshesh në piano.

Kështu krejt në fund, nuk kanë munguar as duartrokitjet, brohoritjet, buqetat me lule me rastin e përmbyllës së këtij koncerti. “1 piano, 2 zonja, 4 duar” qe emërtimi i këtij koncerti që la mbresa të mëdha dhe një dëshirë të pashtershme për të qenë pjesë e një organizmi të tillë kulturor, artistik e klasik.

Ndërsa, në skenë për një fjalë rasti pas këtij koncerti, doli pianistja Alba Muçolli-Dehiri në emër të sajën dhe pianistes Syzana Jakupi.

“Faleminderit të gjithëve për prezencën tuaj, dhe që keni gjetur kohë për të ardhur sonte këtu. Njëkohësisht, në emër timin dhe koleges time, do të doja ta shfrytëzoja rastin për të falënderuar për këtë organizim, drejtoreshën e festivalit, Sihana Badivuku. Po shpresoj që do të shihemi edhe në organizime të tjera të radhës. Faleminderit shumë përsëri”, ka thënë Muçolli-Dehiri.

Kujtojmë që koncerti i fundit në kuadër të “Kosova Kamerfest” vjen me datë 1 dhjetor nën emërtimin “Zërat Polarë”, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Shitet për 820 mijë euro portreti i mbretëreshës Elizabeth II punuar nga Warhol

Në shitjen e mbrëmjes së djeshme të vjeshtës në shtëpinë e ankandeve Heffel të Torontos, aksioni i drejtpërdrejtë dhe ai online sollën rezultate të forta për portretin e Mbretëreshës Elizabeth II të punuar nga artisti amerikan Andy Warhol.

Ky punim mori 853 mijë dollarë, kështu duke thyer rekordin global të ankandit për një printim të botuar nga artisti Warhol, transmeton Klan Kosova.

Printimi blu i mbretëreshës së ndjerë është një nga katër versionet te cilat e paraqet Elizabeth II në serinë e tij të vitit 1985 Reigning Queens.

Ky portret i veçantë ishte nga edicioni mbretëror ultra i rrallë, i zbukuruar me pluhur diamanti dhe mbante një vlerësim të ulët prej 373 mijë dollarësh.

Ankandi nisi me 400 mijë dollarë, ngeci për pak kohë përpara se ofertuesit ta rrisnin ofertën./KultPlus.com

‘Udha drejt Pavarësisë’, konferencë shkencore në Muzeun Historik

Muzeu Historik Kombëtar, në kuadër të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, organizoi sot konferencën shkencore “Udha drejt Pavarësisë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha se në Muzeun Historik Kombëtar është ekspozuar pena e nënshkrimit të aktit të pavarësisë së Shqipërisë, e cila është përdorur nga delegatët në Kuvendin e Vlorës të datës 28 nëntor 1912 për nënshkrimin e aktit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Koçi theksoi se, ajo është një objekt i veçantë historik. Ndonëse është një objekt i vogël ajo ka një rëndësi mjaft të madhe për historinë e shqiptarëve. Pena ndodhet pranë Deklaratës së Pavarësisë, si simbol i përfundimit të etapës së rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe hapjes së një etape të re në historinë e shqiptarëve, siç është ajo e përpjekjeve për ndërtimin e shtetit kombëtar shqiptar.

“Në Muzeun e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë janë ekspozuar rreth 30-40 objekte origjinale, ndër të cilat mund të përmendim karrigen ku është ulur Ismail Qemali, kallamari me shqiponjën e bronztë që ka përdorur për të ngjyer penën. Po ashtu, në muze është ekspozuar fermani, sipas të cilit sulltani emëronte Ismail Qemalin në poste të larta, fotografi të Ismail Qemalit, kutia e duhanit e Isa Boletinit etj.”, tha ai.

Në konferencë u mbajtën këto kumtesa:

– Prof. dr. Ksenofon Krisafi, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

“Shqipëria – krijesë e diplomacisë së Fuqive të Mëdha apo produkt i Rilindjes Kombëtare Shqiptare?”

– Prof. dr. Paskal Milo, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

“Qëndrimi i SHBA-së ndaj pavarësisë së Shqipërisë”

– Prof. dr. Ylber Sela, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës Shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut

“Firmëtarët nga Struga”

– Prof. dr. Shyqyri Hysi, Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër

“Prefektura e Gjirokastrës dhe Pavarësia. Firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë”

– Prof. ass. dr. Ledia Dushku, Akademia e Studimeve Albanologjike

“Shqipëria u bë, por duhen bërë edhe shqiptarët. Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe procesi i deosmanizimit”

– Dr. Elteva Domi, Bilioteka Kombëtare e Shqipërisë

“Jehona e Pavarësisë në shtypin e kohës”

– Akademik Beqir Meta, Akademia e Studimeve Albanologjike

“Rrugëtimi i shtetformimit shqiptar (1920-1939)”

– Akademik Vasil Tole, Akademia e Shkencave e Shqipërisë

“Ismail Qemali bekuesi i simboleve tona kombëtare: Himni Kombëtar dhe flamuri”

– Akademik Maringlen Verli, Akademia e Shkencave e Shqipërisë

“Rrugëtimi i Kosovës drejt pavarësisë (1913-1999)”

– Dr. Dorian Koçi, Muzeu Historik Kombëtar

“Pasqyrimi i shpalljes së pavarësisë në muzetë shqiptare”

– Prof. ass. dr. Esmeralda Kolaneci, Universiteti i Tiranës

“Statusi politik dhe kufijtë e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës”

Në përfundim të konferencës shkencore drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha se lektorët pjesëmarrës në këtë konferencë janë figurat më të rëndësishme të kësaj fushe studimore dhe me anë të kumtesave të tyre padyshim që kanë sjellë prurje dhe fakte të reja./atsh/KultPlus.com

 ‘Nuk raportova’ bën bashkë aktorë nga vendet e Ballkanit, japin mesazhin e fuqishëm kundër dhunës ndaj gruas

Flonja Haxhaj

Histori të vërteta të grave të abuzuara, disa që në moshë të vogël e disa nga partnerët e bashkëshortët e tyre, u bënë bashkë dhe u transmetuan për publikun mbrëmë në Prishtinë përmes shfaqjes ‘Nuk raportova’,  për të përcjellë mesazhin e fuqishëm kundër dhunës ndaj gruas, fenomen ky që po arrin shifra alarmante sidomos në vendet e Ballkanit, përcjell KultPlus.

Shfaqja që erdhi për publikun në ‘Defy Them’, solli mesazhin e fuqishëm dhe erdhi në formën më emocionuese nga performanca e aktoreve, pikërisht një ditë para Ditës Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Gruas.

‘Nuk raportova’, e cila bëri bashkë aktorë nga vendet e Ballkanit, pëfshirë këtu edhe Kosovën e Shqipërinë, dha mesazhin se dhuna dhe femicidi, nuk kanë komb e nacionalitet, ajo është e njëjtë në çdo vend.

Kjo shfaqje, përveç mesazhit të fuqishëm, solli edhe performancën e shkëlqyer të aktoreve, ku nuk mungoi edhe përçimi i mesazhit përmes këngës e vallëzimit.

Regjisorja Selena Ristić – Vitomirović tha për KultPlus se kjo shfaqje e ka zanafillën në dhjetor të vitit 2021, ku brenda 48 orëve, 17 mijë gra kanë ndarë përvojat e tyre të rasteve të dhunës dhe të gjitha historitë janë të vërteta. E ky projekt më pas është mbështetur nga Reconstruction Women’s Fund.

“Misioni ynë është t’i përfshijmë vajzat prej të gjitha shteteve të Ballkanit që ta transmetojnë mesazhin që dhuna s’ka komb. Femicid është krim nuk është tragjedi”, u shpreh Ristić – Vitomirović  e cila mes tjerash shtoi se Serbia është vendi i parë në rajon me rastet më të larta të dhunës ndaj gruas, por sipas saj Kosova nuk ka shumë krime të raportuara, sepse akoma konsiderohen tema tabu.

Detaji që po ashtu tërhoqi vëmendje të madhe ishin edhe këpucët e aktoreve, e që ishin të gjitha në ngjyrë të kuqe. Regjisorja tha për KultPlus se kjo nuk është një rastësi por është mesazhi që transmetohet çdo 25 nëntor e këpucët e kuqe simbolizojnë gjakun e grave të abuzuara.

Ndërkaq, aktorja Ellma Eminaj, u shpreh qëllimi i këtij projekti është vetëdijësimi në eliminimin e dhunës ndaj grave dhe për të treguar se ky problem është i njëjtë në të gjithë Ballkanin.

 “Skenari është i bazuar në ngjarje të vërteta  të grave që i kanë nda historitë e tyre në Twitter, në fushatën ‘Nuk raportova’ dhe për këtë arsye shfaqja e ka emrin ‘Nuk raportova’ dhe për ne është shumë emocionalisht e vështirë dhe e prekshme të performojmë në këtë shfaqje sepse rastet janë shumë të rënda”, deklaroi Eminaj për KultPlus.

Shfaqja ‘Nuk raportova’ premierën e kishte në Prizren, për të vazhduar edhe në Tiranë, Beograd, Zajecar dhe Pula. E pas shfaqjes së djeshme në Prishtinë, ‘Nuk raportova’ pritet të udhëtojë edhe në Novi Pazar e Sarajevë./ KultPlus.com

Amber Heard, personi më i kërkuar në Google për vitin 2022

Dalëngadalë po i themi lamtumirë një viti dhe ka ardhur koha të shohim se cilët ishin personazhet e famshëm që ishin të parët në kërkimet tona në Google për vitin 2022.

Një sondazh që analizoi tendencat e kërkimit të Google për vitin 2022 dhe zbuloi 150 të famshëm që angazhuan më shumë publikun. Sipas “New York Post”, e famshmja që ishte e para në kërkimet në Google ishte Amber Heard. Arsyeja? Rasti i saj i divorcit me Johnny Depp.

Në mënyrë tipike, Heard regjistroi 5.6 milionë kërkime në muaj vetëm në Amerikë. Më pas në listë është Johnny Depp me 5.5 milionë kërkime në muaj. Kjo histori e veçantë vodhi interesin e përdoruesve pasi zbulimet ndoqën njëra-tjetrën dhe shfajësimi i aktorit e bëri atë edhe më të dashur për botën.

Në vendin e tretë ishin disa të famshëm, si Kim Kardashian, Elon Musk, Tom Brady, Pete Davidson. Ndërsa ne të gjithë do të kishim pritur që Mbretëresha Elizabeth me vdekjen e saj të ishte ndoshta në vendin e parë, ajo u kthye dhe doli e treta me 4.3 milionë kërkime.

Vdekja e Mbretëreshës Elizabeth, natyrisht, në shtator 2022 krijoi shumë interes për jetën dhe funeralin e saj, ndërsa ndarja e Tom Brady nga Gisele dhe vendimi i tij për t’u rikthyer në gjykata pushtoi përdoruesit e Google.

Elon Musk dhe CEO i diskutueshëm i Twitter, u rendit i shtati në listë, duke mbledhur 3.19 milionë kërkime në Google në muaj në SHBA. Pushtimi i Twitter-it dhe rikthimi i ish-presidentit Donald Trump në platformë zgjuan interesin e publikut dhe e vendosën atë në dhjetëshen e kërkimeve.

Gjithashtu, Will Smith u rendit i teti në listë me 3.15 milionë kërkime mujore. Arsyet dihen pasi shuplaka ndaj Chris Rock-ut në 94-të e çmimeve Oscar do të jetë një moment i paharrueshëm për shumëkënd./abcnews.al/ KultPlus.com

Firmëtari i Pavarësisë Dhimitër Berati, i persekutuar nga diktatura

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi firmëtarin e Pavarësisë, Dhimitër Berati, i cili u mohua dhe u persekutua nga diktatura komuniste.

Dhimitër Berati lindi në Korçë më 15 tetor 1886. Studimet i kreu në Universitetin e Bukureshtit në degën e Shkencave Politike dhe Drejtësisë. Ishte ndër themeluesit e klubit patriotik “Dituria” në Korçë, në vitin 1908.

Pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit për arsimin në Shqipëri. Dhimitër Berati ka qenë gjithashtu një personalitet i rëndësishëm i kolonisë shqiptare në Rumani. Ishte kjo koloni e cila mirëpriti Ismail Qemalin në rrugëtimin e tij për pavarësinë. Si delegat i kolonisë së Bukureshtit, Dhimitër Berati merr pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe është një ndër firmëtarët e Aktit të Shpalljes së Pavarësisë. Gjatë kësaj periudhe, drejton organin e  shtypit të qeverisë së Vlorës, “Përlindja e Shqypnis”.

Dhimitër Berati ka kontribute të rëndësishme në konsolidimin e shtetit shqiptar. Në vitet 20-30’, ai ka shërbyer si diplomat në Paris, Sofje, Romë. Gjithashtu, ka mbajtur pozicione të larta në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por edhe si ministër i Ekonomisë. Gjatë pushtimit, ai ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Është caktuar si ministër i Kulturës në qeverinë e Mustafa Krujës.

Me rënien e qeverisë Mitrovica gjatë pushtimit nazist të Shqipërisë, nën kërcënimin e regjimit komunist, Dhimitër Berati largohet nga vendi për t’u mos u kthyer më kurrë. Vendoset në Romë, aty ku bashkëpunon me Ernest Koliqin në revistën “Shejzat”, derisa ndërron jetë më 8 shtator 1970./atsh/ KultPlus.com

Amna Mahmoud, kush është gruaja që ndërtoi shkollën e parë për vajza në Katar

Në Katarin e shekullit të 19-të, ngritja e sistemit ‘kuttab’ shënoi fillimin e mësimit të përbashkët për burrat për gratë, megjithatë, arsimi ishte i kufizuar në mësimin e Kuranit në shtëpi.

Në vitin 1938, Amna Mahmoud Al-Jaydah, e konsideruar si mësuesja e parë femër e Katarit, filloi të inicojë ndryshime të mëdha në këtë sistem.

Kur qeveria e Katarit themeloi Shkollën për Djemtë Khalid Bin El Ëalid në vitin 1951, një grua e quajtur Amna Mahmoud Al-Jaidah i kërkoi qeverisë të hapte një shkollë tjetër për vajza, shkruan abcnews.al.

Kërkesa e saj u refuzua për shkak të kundërshtimit të fortë të shoqërisë së Katarit ndaj idesë që vajzat të mësojnë të lexojnë dhe të shkruajnë. Amna vizitoi shtëpitë gjatë gjithë ditës për të bindur vendasit që t’i dërgonin vajzat e tyre në shkollë.

Pavarësisht reagimit të ashpër, Amna Mahmoud krijoi shkollën e saj të improvizuar brenda shtëpisë së saj për të edukuar vajzat që do të ndiqnin.

Në vitin 1953 qeveria e Katarit njohu zyrtarisht shkollën e Amna Mahmoud, duke e bërë atë mësuesen e parë të Katarit në shkollën e parë të vajzave të Katarit./KultPlus.com

BKK kremton 78 vjetorin e saj dhe një vit tjetër të suksesshëm përmes katër faktorëve vendimtarë

Uranik Emini

Kur bëhet fjalë për t’u dhënë njerëzve material të besueshëm, bibliotekat janë thelbësore. Ato mbështesin dhe stimulojnë marrjen e informacionit përmes të mësuarit. Ka shumë libra që mund të lexojnë dhe të zgjerojnë njohuritë e tyre. Për më tepër, shumëllojshmëria është aq e gjerë sa shumica e njerëzve gjejnë atë që kërkojnë dhe një vend që zakonisht ngjall kujtime të këndshme është biblioteka. Ndërkaq, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka shënuar sot 78-vjetorin e themelimit, duke shënuar një vit të veçantë dhe me shumë përmirësime në fushën e bibliotekave të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës ka vazhduar që të dhurojë përkrahje të madhe për BKK-në, derisa veprimtarinë e sotme e bëjnë të veçantë katër faktorë kyç.

Duke filluar nga akti i nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet BBK-së dhe organizatës “FLOSK”, që ofron bashkëpunim për dixhitalizimin e fondeve të BKK-së. Më pas, duke shënuar edhe ditën kombëtare të vetëdijesimit të bibliotekave që vjen prej programit Erasmus+, veprimtari që organizohet bashkë që nga viti 2017 mes Bibliotekës dhe Universitetit të Prishtinës.

Në këtë ditë, gjithashtu është bërë edhe akti nismëtar i pranimit të kodit të librave të ndërmarrjes botuese “Rilindja” në BKK nga drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Si çështje e fundit është përfshirë edhe dhënia e mirënjohjeve për njerëzit që kontribuuan në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtar të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajrakut e mori fjalën, duke treguar rrugëtimin e BKK-së ndër vite dhe përpjekjet e tyre për të përmirësuar këtë fushë.

“Sot ne po kremtojmë 78 vjetorin e themelimit të Bibliotekës në një kremtim dhe aktivitet të veçantë së bashku me MKRS-në dhe Rektoratin e UP-së. Biblioteka ka një datë që është e njohur si datë e themelimit të saj, pikërisht nëntori i vitit 1944 kur nis punën në Prizren me një koleksion të vogël të librave dhe më pas vijon të bëjë jetën e saj duke u rritur e zhvilluar gjatë 78 vjetëve të historisë, në një fond bibliotekar që tashmë ka  biblioteka dhe këto koleksione që po pasurohen e që janë pjesë e trashëgimisë 78 vjeçare është dashur shumë punë e kujdes i të gjitha gjeneratave. Ne po mundohemi të bëjmë atë që është në mandatin e BKK-së, që është i gjerë dhe që është përfshirës në fushën e zhvillimit bibliotekar, mbledhjes dhe ruajtjes së trashëgimisë nder shkrimore, të shtypur, botuese dhe asaj gojore në ngritjen e cilësisë së shërbimeve”, thotë ai.

Tutje, Gajraku gjithashtu shton se gjatë këtij viti BKK-ja është pasuruar me 2439 tituj të rinj.

“Në kuadër të punës praktike dhe zhvillimit të koleksionit, biblioteka gjatë këtij viti përmes politikave të blerjes, ekzemplarëve të detyrueshëm dhe dhuratës është pasuruar me 2439 tituj apo 8381 ekzemplarë. BKK ka pasuruar gjatë këtij viti 9 biblioteka shkollore me 1518 tituj”.

Mes tjerash, gjatë fjalimit të tij drejtori i BKK-së, njoftoi se do të verifikohen të gjitha dëmet që janë bërë kësaj biblioteke në ekzemplarët e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Me vendim të qeverisë së Kosovës, për dokumentimin dhe vlerësimin e dëmeve të trashëgimisë kulturore të shkaktuara nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit, BKK e cila gjatë viteve 90-ta ka pasur humbje të mëdha të fondit të saj është duke e verifikuar të  gjitha librat fizikë të reporterit dhe do të nxjerrë statistika dhe koleksione. Verifikimit do t’i nënshtrohen të gjitha librat dhe së shpejti do të kemi një raport të detajuar me të gjitha dëmet që janë shkaktuar”, thotë drejtori, duke përshëndetur të pranishmit dhe duke i uruar 78 vjetorin.

Për një fjalë rasti u ftua edhe Feim Hoxha, zëvendësues i Sekretariatit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Kam kënaqësinë sot në përvjetorin e kësaj sot në këtë përvjetor të Bibliotekës që në emër të Ministrit Hajrulla Çeku të ju përshëndes dhe të ju them se asnjëherë nuk ka qenë më i madh përkushtimit për të ndihmuar bibliotekat e në këtë rast në mënyrë të veçantë BKK-në. Kjo datë është përkushtimi për të krijuar bashkë dhe për të ri konfirmuar rolin e Bibliotekave në vendin tonë, të ndërtuar mbi themelet që nga vitet 1944. Në mbështetjen që ajo merr në përmbushjen e misionit të saj, si institucioni bibliotekar qendror në Kosovë dhe si qendër e inovacionit bibliotekar në nivel kombëtar”.

Hoxha thotë se biblioteka, apo përkatësisht informacioni është një faktor vendimtar në zhvillimin kombëtar të vendit.

”Derisa vazhdon të mbizotëron pikëpamja se bibliotekat janë jo më tepër se depozitarë e librit të së kaluarës, duhet të thuhet zëshëm për rolin thelbësor të bibliotekës si institucion arsimor, edukativ e kulturor. Biblioteka, përkatësisht informacion është një faktor vendimtar në zhvillimin kombëtar. Në shekullin e XIX, institucionet udhëheqëse duhet ta njohin këtë faktor dhe të ndihmojnë në ofrimin e kushteve të duhura për zhvillim të mëtejshëm”.

Ai gjithashtu tregon se BKK së shpejti do të rinovohet, derisa tanimë janë në fazën e hartimit të projektit për renovim.

“Qeveria e Kosovës, ashtu siç edhe ka përkrahur shumë projekte për bibliotekën e kulturën në përgjithësi, do të vazhdojë që të përkrahë zhvillimin e bibliotekave. Tanimë jemi në fazën e vlerësimit të ofertave për hartimin projektit të renovimit të tërësishëm të objektit të BKK-së, i cili do t’i paraprijë pastaj fazës së renovimit. Ne konsiderojmë se me renovimin e tërësishëm të BKK-së, do të krijohen kushtet adekuate për stafin e bibliotekës dhe gjithashtu do të kemi një ambient adekuat në standarde ndërkombëtare për ruajtjen e materialeve bibliotekare”, tha ai.

Qerim Qerimi në fjalimin e tij të parë si rektor i Universitetit të Prishtinës, u shpreh i lumtur që biblioteka vazhdon të jetë burim ekzistencial i dijës.

“Jam i privilegjuar që kam mundësinë që t’ju drejtohem në një ditë kaq emblematike për librin siç është Dita e Bibliotekës dhe njëkohësisht dita kombëtare e vetëdijesimit për bibliotekave në Kosovë. Këto dy ngjarje të çmueshme për institucionin e librit. Dita e sotme paraqet fjalimin tim të parë në cilësinë e rektorit të UP-së dhe nuk do të mund të gjeja një moment më të mirë për një fjalë të parë zyrtare se sa një ditë sikurse që është kjo. Biblioteka është burim ekzistencial i dijës, kjo mbetet e vlefshme edhe në kohën kur biblioteka po transformohet në drejtime të ndryshme, sidomos në terma digjitale”.

Qerimi thotë se biblioteka mbetet vend i pazëvendësueshëm për studentët dhe studiuesit e Kosovës.

“Sigurisht ajo nuk është vetëm një institucion ku takohen njerëzit, por është kulturë dhe kujdestare e rëndësishme kombëtare, institucionale etj. Biblioteka mbetet vend i pazëvendësueshëm për studentët dhe studiuesit tanë. Vetëdijesimi për rëndësinë e bibliotekës duhet të vazhdojë të rritet. Universiteti i Prishtinës për të gjashtin vit me radhë po e promovon ngritjen e vetëdijes për bibliotekat në Kosovë. Jemi duke punuar së bashku me partnerët tanë nga vende të ndryshme që të rrisim cilësinë e shërbimeve në bibliotekat universitare duke synuar modernizimin e tyre përmes zhvillimit të personelit dhe reformimit të shërbimeve që ofrohen”.

Rektori bëri thirrje që të mbrohet prona intelektuale (dokumentet, librat dhe të gjitha koleksionet që janë trashëguar) dhe t’i përdorin ato në mënyrat që lartësojnë vlerën e kërkimit dhe cilësinë e mësimit. “Nëse nuk të pëlqen të lexosh, ti nuk e ke gjetur librin e duhur”, prandaj mos ndaloni së kërkuari atë. Ju dëshiroj suksese të përzemërta në realizimin e aspiratave tuaja, sidomos ato që lidhen me librin”, përfundoi ai.

Arben Limani në cilësinë e Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, njoftoi më tepër rreth aktit nismëtar të fondit të librave të Ndërmarrjes Botuese “Rilindja” në BKK.

“Nuk është e zakonshme që drejtori i t’i drejtohet ndonjë evenimenti të tillë por jam shumë i lumtur që në rastin e shënimit të Ditës së Bibliotekës të ju njoftoj se bordi i drejtorëve të AKP-së si administratorë të ndërmarrjes shoqërore të shtëpisë botuese “Rilindja” pas kërkesës së BKK-së dhe me qëllim të kontributit në përmirësimin e gjendjes së bibliotekave të Kosovës të dhurojë një fond të caktuar, konkretisht rreth 430 pako të librave shkollorë. E gjithë kjo për t’iu dalë në ndihmë sado pak në pasurimin e fondit të librave dhe shtimin e koleksionit të BKK-së, si dhe duke ditur se ajo do t’i vë në funksion të mirëfillta në përmirësimin e bibliotekave në Kosovë në përgjithësi. Uroj që ky kontribut të ndikojë në lexuesit e vegjël, shpresoj që të në ardhmen të kemi bashkëpunime të tilla.  

Pas përfundimit të dhënies së mirënjohjeve, në Hollin e Ekspozitës është hapur ekspozita “Percjeptimi për shqiptarët në artin e karikaturës” (periodiku britanik dhe amerikan gjatë fundshekullit të XIX dhe fillimshekullit të XX) të kuruar nga Sean Pessin, derisa kjo është dhuruar nga endra për Studime të Shqiptare në Londër. /KultPlus.com

Një natë

– Poezi nga Migjeni

Grue a hyjneshë, e mbështjellun n’errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të ma përpijë,
vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-jo -jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës
Grue a hyjneshë m’erdhi nga gjin’ i errsinës…
Që! frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saj,
Syt e zez e të mdhaj
me hamnoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrveshtjes).
Dhe njëmend! At natë vallzuen ndjesit ejona
më një valle dëfryese, pa marrun frymë…/KultPlus.com

Kremtohet 100-vjetori i shkollës së themeluar nga patriotët Qiriazi-Dako

Kolegji “Qiriazi”, pasardhës i Institutit Femëror “Qiriazi”, i themeluar në Kodër-Kamzë në vitin 1922, ka kremtuar 100-vjetorin, me një ceremoni ku kanë qenë të ftuar autoritete vendore dhe të huaja, si zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Albana Tole, prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, rektorë universitetesh e deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Shkolla Shqipe e Vashave, në Korçë ishte një shkollë për vajza që u hap më 23 tetor 1891 dhe që vuri themelet e Institutit të ringritur në 1922-shin, në Kodër-Kamzë.

Me hapjen e konviktit në vitin 1900, u krijua mundësia që shumë vajza nga krahina të tjera të studionin aty.

Themeluesit e këtij institucioni janë Sevasti Qiriazi dhe Kristo Dako, patriotë, rilindas dhe ikona të arsimit tonë kombëtar.

Në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të Kolegjit Universitar Qiriazi, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka prezantuar një ekspozitë mbi angazhimin e Sevasti dhe Parashqevi Qiriazit në drejtim të zhvillimit të arsimit.

Të pranishmit, në këtë event kanë mundur të takohen edhe me pasardhësit e motrave Qiriazi, Robert dhe Rozi Dako.

Edit Durham, pas vizitës në Korçë në vitin 1903, shkruante për Shkollën e Vashave se pas mbylljes së shkollës mashkullore të Korçës, mbeti e vetmja shkollë në Shqipërinë Jugore, ku mund të mësohej shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Edhe pse frekuentimi i asaj shkolle sillte rrezikun që vajzat dhe prindërit të persekutoheshin nga autoritetet turke, klasat ishin gjithmonë plot. Vajzat krishtere dhe myslimane mësonin të shkruanin dhe të lexonin në shqip dhe i mësonin edhe vëllezërve të tyre.

”Shkolla e Vashave ishte kaq moderne sa që më dukej se isha kthyer papritur në Europë”, shkruante Durham. /atsh / KultPlus.com

Isa Boletini në dokumentet arkivore dhe shtypin gjermanofon

Në qytetin e Vlorës është hapur ekspozita “Isa Boletini në dokumentet arkivore dhe shtypin gjermanofon”. Kjo ekspozitë vjen në kuadër të festimeve me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës bashkëpunoi me bashkinë e Vlorës, për çeljen e kësaj ekspozite në Galerinë e Arteve Vlorë.

Fjalën e hapjes e mbajti drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, kryetari i Bashkisë së Vlorës  Dritan Leli dhe drejtori i Galerisë së Arteve në Vlorë, Skënder Spahiu.

Të pranishëm në ekspozitë ishin edhe Roland Zisi, rektor i Universitetit “Ismail Qemali”, pedagogë, studentë të këtij universiteti, grupi polifonik i Mallakastrës dhe qytetarë të Vlorës.

“Për Isa Boletinin, një nga njerëzit që bashkë me Ismail Qemalin sollën lirinë, Bedri Zyberaj ekspozoi sot në Vlorë dokumentet arkivore që ruheshin në Vjenë, për të na njohur me ca pjesë të historisë që nuk i dinim e që na kanë dhënë gëzimin e lirisë, sot e 110 vjet”, është shprehur kryebashkiaku i Vlorës.

Materialet e ekspozitës “Isa Boletini në dokumentet arkivore dhe shtypin gjermanofon”, e përgatitur nga AShAK, mbulojnë harkun kohor të ngjarjeve që fillojnë me vitin 1905 dhe përfundojnë më 1916.

Materialet e përzgjedhura janë me prejardhje arkivore dhe prej medieve të shkruara. Në ekspozitë paraqiten dokumente, raporte dhe artikuj të ndryshëm të gazetave të kohës, të cilat ruheshin në Arkivin e Vjenës dhe të Bonit, e të cilat Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, tashme i ka në thesarin e vet, pasi i ka siguruar në sajë të bashkëpunimit të ngushtë që ka me dy arkivat e lartpërmendura. /atsh / KultPlus.com

Rita Ora në pullat postare të Kosovës

Këngëtarja jonë me famë botërore, Rita Ora, është bërë pjesë e thesarit të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës, përcjell KultPlus.

Pulla me imazhin e saj do të lëshohet në qarkullim postare të shtunën, më 26 nëntor, në një ditë të veçantë për artisten e madhe shqiptare dhe britanike, pikërisht në ditëlindjen e saj.

Për më shumë se dhjetë vite në majat më të larta të skenës muzikore dhe artistike ndërkombëtare, ajo shfrytëzoi çdo rast që përmes famës së vet të promovojë vendin e saj të lindjes, Kosovën, si dhe tërë kombin shqiptar.

Ajo ishte frymëzimi i parë për të rinj e të reja që të ndjekin dhe t’i bëjnë realitet ëndrrat e tyre edhe përtej kufijve të trojeve shqiptare.

Me rastin e lansimit të kësaj pulle postare, Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, ka shprehur mirënjohje për Rita Orën.

“Është një nder për Posten e Kosovës të nderoj Rita Orën. Ajo na ka dhuruar aq shumë momente të bukura dhe krenari të pafund me këngë, performancë dhe koncerte madhështore. Kjo pullë e bukur le të jetë edhe si dhuratë simbolike e Kosovës për këngëtaren tonë, në këtë ditë të veçantë për të, për kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe kombin tonë “, ka thënë kryeshefja Kadiu.

Gjatë karrierës së saj të bujshme, Rita Ora u shpërblye dhe nderua me çmime prestigjioze në arenën ndërkombëtare si dhe në Kosovë dhe në Shqipëri.

Ajo e bart me meritë titullin Ambasadore Nderi e shtetit të Kosovës që nga viti 2015. Me diplomacinë e saj kulturore vazhdon të kontribuoj për imazhin e të gjithë shqiptarëve.

Filatelia e Postës së Kosovës ka nderuar dhe promovuar për mbi njëzet vite personalitete të shquara të kulturës sonë e këtë do ta bëj edhe në të ardhmen. / KultPlus.com

Kadare shpallet “Qytetar Nderi” në Tetovë: Nuk e kam lehtë të flas para lexuesve të botës iliro-shqiptare

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare sot në Tetovë është shpallur qytetar nderi i qytetit. Kadare tha se momente të tilla janë të rralla për shkrimtarët, që të flitet para lexuesve të botës iliro-shqiptare.

“Duhet të më besoni se nuk e kam lehtë të flas para jush, jo se nuk di të flas fjalë nga më të ndërlikuarat që mund të gjenden në botë sepse kam atë mjeshtëri, mjeshtërinë e fjalës por sepse qaste të tilla janë shumë të rralla në jetën e një shkrimtari, të jetë para lexuesve të një prej qyteteve të pafundme të botës iliro-shqiptare”, tha mes tjerash Kadare, përcjell TV21.

Kadare shprehu falënderimet e tij ndaj të pranishmëve ndërsa tha se ngjarje të tilla pasurojnë edhe të ardhmen, që ju përket brezave të ri.

“Unë kur dëgjoj fjalët e bukura tuaja për atë çfarë kam shkruar, harroj çdo mundim që kam përjetuar, sepse shkrimtari ka mundime të mëdha kur shkruan, por nuk ka vlerësim më të madh për të sesa mbledhje të tilla kur njerëzit presin të dëgjojnë nga goja e tij diçka edhe më tepër për atë që kanë lexuar nga dora e tij. Ju falënderoj jashtëzakonisht”, pohoi mes tjerash Kadare. / KultPlus.com

Rama: Porti i ri i Durrësit, motor ekonomik për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se porti i ri i Durrësit do të jetë motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama përshëndeti votimin e marrëveshjes nga Kuvendi me 74 vota pro dhe 35 vota kundër.

“Me kënaqësinë e hapjes me votën e mbrëmshme PRO të rrugës për ndërtimin e Portit Turistik, që do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë”, tha Rama.

Në fjalën e tij në Kuvend, Rama theksoi se Porti Turistik i Durrësit është investimi më i madh i huaj në historinë e vendit, i cili do ta kthejë Durrësin në një portë të bukur të Mesdheut turistik dhe do t’i japë Shqipërisë një hov të madh drejt majës së vendit kampion të turizmit në Ballkan.

Kryeministri tha se ai do të jetë një motor ekonomik që do të sjellë një vlerë prej 8 miliardë euro në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Rama u shpreh se shteti nuk fal asnjë taksë në rastin e ndërtimit të Portit Turistik të Durrësit, por përfiton 1.069 miliardë euro nga taksat.

Sipas tij, “për herë të parë në histori shteti është edhe ortak me një investitor të huaj, i cili investon të paktën 2.1 miliardë”.

Kuvendi i Shqipërisë votoi mbrëmjen e djeshme me 74 vota pro dhe 35 vota marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”. / atsh / KultPlus.com

Firma e Charles Darwin del në ankand për 1 milion £

Një letër e nënshkruar nga Charles Darwin, duke mbrojtur teorinë e tij të evolucionit, del në shitje sot në Nju Jork.

Artikulli ka të ngjarë të arrijë mbi një milion paund – një çmim rekord botëror për një dorëshkrim të Darvinit.

Ai e kishte prodhuar dokumentin që të mund të kopjohej në atë që, në 1865, ishte një revistë e famshme.

Darvini nuk e bëri zakon të arkivonte dokumentet e tij dhe kaq pak materiale origjinale mbijetuan.

Në shumicën e rasteve shkruhej gjithmonë vetëm me shkurtesën “C Darwin” ose “Ch Darwin”.

Është shumë e rrallë që emri i tij, “Charles Darwin”, të shkruhej i plotë nga ai.

Por Prof John van Wyhe, i cili kuron koleksionin shkencor të njohur si Darwin Online, thotë se është tepër i veçantë për shkak të asaj që njeriu i madh kishte zgjedhur të vendoste në faqe së bashku me nënshkrimin e tij.

“Ai përfshin një pasazh që shfaqet në edicionin e tretë të “Për origjinën e specieve”, shpjegoi pedagogu i lartë në Universitetin Kombëtar të Singaporit.

“Është një pasazh me të vërtetë i preferuar, sepse ai po përpiqet të theksojë që njerëzit mund ta shohin teorinë e tij të pabesueshme dhe të çuditshme, por ata thanë të njëjtën gjë për Njutonin dhe gravitetin, dhe askush nuk dyshoi më për ekzistencën e gravitetit.

“E njëjta gjë do të ishte e vërtetë përfundimisht me evolucionin dhe përzgjedhjen natyrore”, tha profesori për BBC News.

Dokumenti është prodhuar për The Autoographic Mirror. / KultPlus.com

“Poçari” – himni për dashurinë e atdheut që rrëqeth çdo zemër

Poezi nga Dritero Agolli

Poçari

Vajta në Stamboll të bëj pazar,
për kujtim të ble një vazo balte:
– Paqe dhe selam, usta poçar,
Vazon më të mirë po e pate
Paqe dhe selam, usta poçar!

Vazoja nga dora shkau e ra
Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m’u hap dyqani turk si gropë,
Më erdhi rrotull deti Marmara.

Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,
Për çudi poçari nuk u ligsht!

Mos u çmend ky turk, ky musliman?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjeter mori në dyqan
Dhe më tha: ” Më shaj, për besë, prapë!”
Poçe tjetër mori në dyqan.

Psheretiu si unë: ” Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar!”

Ikën nga dyqani burra e gra,
Unë e një poçar e tjetër s’kishte,
Vazot frynte deti Marmara,
Vazove poçari shqip u fliste,
Vazot mbushte deti Marmara. /KultPlus.com

Fatos Arapi dhe një memorial poetik për Holokaustin

Nga: Alisa Velaj

Në tetorin e vitit 2013, përmbledhja me poezi të zgjedhura “Më jepni një emër” e poetit Fatos Arapi, botohej në gjuhën polake nga shtëpia botuese “Komograf” në Varshavë. Poezitë u përkthyen nga Mazllum Saneja dhe Eva Smietanska, ndërsa libri u shoqërua me një parathënie të Andrzej Zaniewskit, poet, prozator dhe kritik shumë i njohur në Poloni e përtej saj. Përveç faktit kuptimplotë se ky vëllim i tij në polonisht përbën një njohje të poezisë sonë elitare në një tjetër gjuhë evropiane; përtej rastësisë fatlume se vjen i botuar në tetor, muaj të cilit poeti i këndoi si rrallëkush në poezinë shqipe dhe në të cilin biri i Akrokerauneve nisi fluturimin e tij qiellor; ky vëllim me poezi, përmban një nga studimet më të përkora dhe të thella që i është bërë ndonjëherë poetikës arapiane nga kritika e huaj dhe ajo shqiptare. Në parathënien e librit, me titullin intrigues “Emra të shkëmbinjve që shkëlqejnë në gji”, Zaniewski e vë theksin në shumë aspekte të krijimtarisë së poetit shqiptar, por ne do të ndalemi në dy prej tyre: së pari, në përfundimin se: “… nga poezitë e Fatos Arapit aq shumë kam mësuar për Shqipërinë dhe shqiptarët” dhe së dyti (por, jo nga rëndësia) në përcaktimin shterues se: “… dy forca, dy vektorë të qartë etikë vigjiluakan mbi djaloshin nga Deti Jon, duke e shpënë atë në thellësirat e fatit. Kjo një energji e pashtershme e jetës dhe një nevojë e pamposhtur e lirisë”.

Që të mësosh nga një poet apo shkrimtar i përkthyer në një gjuhë të caktuar, për fatin e kombit të tij, është padyshim privilegj, jo vetëm i talentit të përveçëm poetik (truall letrar ku shumë janë të thirrurit dhe fare pak të zgjedhurit), por edhe një mision i shenjtë shpirtëror për ta mbartur atdheun kudo me vete, si Atlasi qiellin e tij. Është padyshim kjo lloj mbartjeje e atdheut dhe nevoja e pamposhtur e lirisë, një ndër shumë arsyet që do ta kenë shpënë kolegun tjetër ballkanas të Fatosit tonë, pikërisht poetin dhe studiuesin maqedonas Anté Popovski, që të arrijë në gjykimin se: “Poezia e Fatos Arapit është vertikalja estetike dhe morale e poezisë bashkëkohore shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX”. Vertikalja morale e poezisë së Arapit, vjen me faktin se poeti nuk i këndoi vetëm lirisë dhe jolirisë së atdheut të tij në epoka të ndryshme, por se nocionin liri ai e pa në shumë dimensione, ku njëra prej tyre ishte liria e popujve. Gjatë krijimtarisë së shtrirë në gjashtë dekada, poeti eci dorë për dore me tragjeditë e shumë popujve, u këndoi himne lirie tiranive të qytetërimeve të lashta dhe atyre moderne. Qe si një lloj ushtari i rrëzuar në fushën e betejave të pakohshme për liri, ku hordhitë e çmendura të bijve të errësirës ngjishnin hapat e tyre të komanduar prej frymës së ndotur të tiranëve.

o unë vij e mbledh rrënojat.
dhe me duar të dhimbjes sime
asgjësimin
ngre në këmbë.
Mu në zemër të njeriut
ngrita shtatoren e dhimbjes. (Exegi monumentum)

Poeti i ngre një shtatore dhimbje edhe holokaustit nazist në vende të ndryshme të Evropës. Pjesa dërrmuese e poezive për tragjedinë e popullit hebre dhe popujve të tjerë janë përfshirë në përmbledhjen poetike në gjuhën polake. Janë poezi të mrekullueshme si nga ana estetike, ashtu dhe nga intensiteti i pikëllimës pa cak e zanafillë përpara rrënojave të humanizmit njerëzor. Përmendim poezitë “Dahau” dhe “Dedikim në ditarin e Ana Frankut” në vëllimin “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Më duhet të takoj Robert Desno-n” në vëllimin “Më duhet një gjysmë ëndrre” (1999), “Përse të shkosh në Mat’hausen?” në vëllimin “Shëtitje pa veten” (2005) etj. Shohim se dy poezitë e para vijnë të botuara gjatë viteve të diktaturës, ndërsa dy të tjerat në kohën e pluralizmit politik në Shqipëri.

Nga të dhënat historike, mësojmë se Dahau ishte i pari kamp përqendrimi i hapur nga udhëheqja naziste në mars të vitit 1933 dhe shërbeu si model për ndërtimin kampeve të tjera të përqendrimit në Gjermani. Sipas të dhënave të kampit, puna në Dahau ishte aq rraskapitëse, sa viktimat e para humbën jetën tragjikisht në tri javët e para, ndërsa deri në përfundimin e luftës, aty gjetën vdekjen rreth 32 000 të burgosur. Kampi i Dahaut është pra i pari varr masiv i holokaustit hebre të kohëve moderne. E keqja e parë, që do të mbillte të tjerë varre apo varri mëmë. Prandaj dhe Arapi e përfytyron Dahaun si një varr shëtitës.

Nga dita në ditë,
nga viti në vit. Varr që ecën
udhëton, Dahau. (Dahau)

Çfarë e pikëllon poetin tonë përtej ndodhisë së tmerrshme? Padyshim se e keqja që ka zënë rrënjë dhe papritmas nuk vjen në përfytyrimin e një varri të ngulitur në një tokë, por si një varr shtegtar që mund të shfaqet papritur në horizontet e një tjetër populli. Ecën e udhëton njeriu, por jo varri i tij. Një varr udhëtar papritur do të ngjallet dikur diku dhe do të gëlltisë të tjerë njerëz. Një varr udhëtar tregon se apeli për humanizëm nuk ka nevojë vetëm për fjalë, por për veprime që e çrrënjosin të keqen me themel. A nuk u shfaq ky varr shëtitës në Ukrainën e sotme, ku mijëra jetë të pafajshme u gllabëruan prej ditës në ditë? Poezitë që Arapi i thur holokaustit hebre marrin vlerë edhe për holokaustet e tjerë që kemi përpara syve. A nuk tingëllon poezia “Dedikim në ditarin e Ana Frankut” si një vaj për një vajzë të vogël ukrainase nëse do ta hiqnim emrin e Anës dhe do ta zëvendësonim me emrat Alona, Antonina, Maryna, Mikhaila? Tek emri i Anës fundosen gjithë tragjeditë njerëzore, të kohëve të shkuara dhe të kohëve të tashme, të kohëve të lashta dhe të kohëve moderne. Edhe poeti shqiptar që i shkruan këto vargje ka gjithashtu një varr ende të pazbuluar në makthet dhe në shpirtin e tij: varrin e të vëllait, Vllasit, kujtimi i të cilit dhe i mijëra të vrarëve të tjerë, i të zhdukurve pa nam e nishan apo i të burgosurve politikë në burgjet e atdheut, e bën që ta ndiejë dhimbjen e popullit hebre, njësoj si dhimbjen e tij. Ndaj flet për varre të gjalla që enden në kujtesën e njeriut si fantazma ndjellakeqe.

Ka një emër të thjeshtë gjer në dhimbje …
E merr në duar, e kundron … e së largu
ndjen se si tek ty gjithë tragjeditë njerëzore
fundosen e kridhen …
Një emër njeriu – Ana Franku (Dedikim në ditarin e Ana Frankut).

Në qytetin e dashurisë, në Paris, Arapi nuk mundet ta gjejë dot udhën për te dashuria e tij, pa iu përfalur së pari Robert Desnos. Robert Desnos (1900-1945) është poet i shquar surrealist francez. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Desnos ishte anëtar i Rrjetit Francez të Rezistencës dhe botonte shkrime me pseudonime të ndryshme, derisa ra në sy të Gestapos dhe u arrestua më 22 shkurt 1944. Vuajti dënimin në kampet gjermane të përqendrimit në Aushvic, Buchenwald dhe në fund në Terezín, ku edhe vdiq nga ethet e tifos një muaj pas çlirimit të kampit. U shua në Malá pevnost, pjesë e brendshme e Terezínit, e cila përdorej vetëm për të burgosurit politikë. Si mundet dikush të mos humbasë një Paris të tërë, një dashuri të tërë në Paris, nëse i shmanget takimit me poetin profet të Lirisë dhe dashurisë? Si mundet Arapi të jetë i lirë për të shijuar Parisin dhe dashurinë, nëse më parë nuk bekohet prej këngëtarit të dritës Robert Desno, i cili u përpoq për një Paris pa pranga tiranie, për një qytet pa hije vdekjeje nëpër shpirtrat e njerëzve. Prandaj shpirti i poetit shqiptar është i paqetë në qytetin e dritave, i paplotë derisa ende s’ka takuar Prometeun e Lirisë.

Më duhet të takoj Robert Desno-n, në Paris.
Ai është i vdekur, as unë s’jam i gjallë.

Ai është hije, as unë s’jam i vërtetë.

Tani më duhet prej territ tim,
të krijoj e ta ndez diellin.
Dhe me diellin tim në dorë,
të hyj në jetën e Saj. (Më duhet të takoj Robert Desnon)

Ky takim i një poeti të gjallë e rrugëhumbur në kryeqytetin e dashurisë (Sepse i humba të gjitha rrugët), me një poet të vdekur, kryqëzuar e torturuar nga tiranët e lirive, që deri në çastet e mbrame të jetës e mbrojti me guxim të paepur të dashurën e vet, shndërrohet në alegorinë e lirisë së trashëguar nga një brez në tjetrin, nga një popull në tjetrin. Liria si kusht ekzistence, liria si mirënjohje ndaj shpirtrave të ndritur të heronjve që dhanë jetën për të. Liria si testament drite nga ati te bijtë. Robert Desno është poeti at i dritës. Arapi është biri poet i po kësaj drite. Me shkëndijën e diellit të Desnos, poeti shqiptar do të ndezë diellin e territ të tij të dashurisë. Për të qenë i gjallë, për të qenë i vërtetë dhe pikërisht kjo e vërtetë do ta bëjë të lirë në kërkimin e tij në qytetin e dritave.

Poezia “Përse të shkosh në Mat’hausen” trajton çështjen e holokaustit shqiptar nën pushtimin nazist. Holokausti në Shqipëri përbëhej nga vrasje, dëbime dhe krime kundër njerëzimit përkushtuar hebrenjve, sllavëve, romëve dhe minoriteteve tjera në Shqipërinë e Madhe nga gjermanët, italianët dhe forcat bashkëpunëtore shqiptare në kohën kur shteti ishte nën pushtim italian dhe gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kampi i Mauthausen-it ishte një kamp përqendrimi nazist i vendosur pranë fshatrave të Mauthausen-it dhe Gusen-it në Austri. Ky kamp quhej “mulliri i kockave”, pasi Hitleri e shfrytëzonte për të dërguar aty drejt vdekjes armiqtë e tij më të përbetuar politikë. Në mesnatën e 15 marsit 1943, krahas shumë të arrestuarve në vendlindjen e poetit do të ishte dhe mësuesja e Fatosit, zonjushë Zina.

Përse, përse sot në Mat’hausen?
Por, çështja është, se Zonjushë Zina, pret atje …
Dhe nga pllaka e gurtë
tani zgjatet një dorë:
një trëndafil, kësaj here, jo i kuq, –
i verdhë … (Përse të shkosh në Mat’hausen?)

Poezia mban si datë krijimi 1 qershorin 2004 dhe është shkruar në Vjenë, plot 61 vjet pas arrestimit të mësueses së poetit. Vetë Fatosi ishte 10 vjeç kur nisi lufta më 1939 dhe në vitin 1943, në moshën 14-vjeçare doli partizan, ndërkohë që ishte aktivizuar dhe më parë me lëvizjen çlirimtare. Në mars të vitit 1943, kur mësuesja e tij do të ishte në rrugëtimin drejt kampit shfarosës të përqendrimit, nxënësi i saj luftonte për lirinë e atdheut si partizan. Po ky nxënës, tashmë poet dhe një burrë i thinjur 75-vjeçar ndodhet para Memorialit të Holokaustit shqiptar në Mat’hausen. Trëndafilat e kuq të dashurisë për mësuesen, dhuruar dikur nga kopshtari, i vijnë në kujtesë si trëndafila të verdhë e të zbehtë vdekje. Poezia ka një dramacitet shumë të ngjeshur, sidomos përmes përsëritjes së pyetjes kuptimplote: “Përse, përse sot në Mat’hausen?”. Ajo nuk është pyetje që uni lirik ia drejton vetes, por një pyetje që ia bën lexuesit. Vetëm duke mos e harruar të kaluarën dhe tiraninë e së djeshmes, do të dimë t’i ndërtojmë më mirë udhët e Lirisë. Duke shkuar sot dhe përherë sot në vendet e krimit, përforcohet kujtesa për të mos harruar të keqen. Arapi bën apel, sepse “njeriu s’harron”. Harresa është varr i hapur, ndërsa kujtesa është etje për Jetë dhe Liri! / Epoka e Re/ KultPlus.com

“Unë / Ty, Dashuri në Paketë”, ndaj gjërat e tua me fëmijët e moshës tënde në Ukrainë

Nën moton, ‘të ndash’ është të duash’, MUTE Foundation, Komuna e  Prishtinës dhe Ministria e Mbrojtjes, FSK\BCU, sjell për herë të pestë “Unë / Ty, Dashuri në Paketë”, përcjell KultPlus.

“Pas një pauze dy vjeçare pandemike kthehemi serish me një motiv më të madh’ e me sublimë, nën moton ‘te ndash’ është të duash’. Të gjitha Institucionet Parashkollore – IP dhe shkollat fillore të mesme të ulta – ShFMU , të kryeqytetit sivjet do të përgatisin dhurata për fëmijët e Ukrainës”, thuhet në njoftim.

Për katër vjet fëmijët e Prishtinës (2016-2019) kanë dhuruar më se 22 mijë dhurata, ndërkohë që kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në projekt më se 44 mijë fëmijë.

Është koha që fëmijët tanë, të cilët kanë pranuar dhurata para një kohe jo shumë të largët, nga miqtë e vegjël britanez, gjerman, Italian etj, atëherë kur ata kishin dale nga një “kohë” aspak miqësore, tani të njëjtën gjë ta bëjnë për fëmijët e Ukrainës, sepse fëmijët e Kosovës e din më së miri se çka do të thotë ‘unë\ty dashuri në paketë’, duke uruar njëkohësisht që asnjë fëmijë në botë të mos gjindet më në situata si të Kosovës e as si të Ukrainës, por të dhurojmë për fëmijë që jetojnë në paqe duke ju dhënë edhe pak dashuri në paketë.

“Ne përmes iniciativës “unë\ty, dashuri në paketë”, do të dhurojmë dashuri, kjo botë jo edhe aq e bukur për fëmijët, ka nevojë për më shumë dashuri. Une\ty, dashuri në paketë, dëshiron të ndërtojë lidhje dashurie, korelacione miqësie, që zgjasin pafundësisht mes fëmijëve”, thuhet tutje në njoftim.

Fëmijët lidhen nëpërmjet dashurisë, miqësisë, ata nuk shohin ngjyra, nuk dallojnë emra, ata ndjejnë në mënyrën më të sinqertë vetëm dashurinë, e asgjë tjetër, edhe kur japin edhe kur marrin,  pikërisht këtë e ofron unë\ty, dashuri në paketë!

Më poshtë gjeni linkun, se si të përgatitni një dhuratë! Që të jetë sa më homogjene dhe më unike njëkohësisht! / KultPlus.com

109 vjetori i lindjes së mjeshtrit të madh, Petro Marko

Petro Marko ishte arsimtar, publicist, gazetar, interbrigadist e shkrimtar shqiptar. Ai ka lindur në Dhërmi më 25 nëntor 1913 dhe ka vdekur në Tiranë më 27 dhjetor 1991, ku edhe është varrosur sipas amanetit pa ceremoni.

Marko ka lindur në fshatin Dhërmi të Bregut nga prindërit Marko e Zoica, u rrit nga gjyshja Mama Mille. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros. Por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët.

Me të kryer filloren në fshatin e lindje më 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, njëri prej të cilëve i prezantoi me “Manifestin” e Marksit.

Pasi kreu shkollën i takon të sillet gjatë nëpër Tiranën e asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, derisa takon një ditë Hilë Mosin, asokohe Ministër Arsimi, i cili e caktoi mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me s htypin e majtë, nëpërmjet gazetave greke, të cilat ia jipte Asim Vokshi. Nga një ngatërresë që pati, u gjet preteksti se Petrua i jepte nxënësve literaturë komuniste (akuzë e pavërtetë).

U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për n’Athinë, ku kishte të vëllan Dhimitrin (Mimon), që ishte larguar që fëmijë nga Bregu. Atje hyn në fakultetin e letërsisë, ku i takoi të kishte fërkime me rektorin, i cili ia njehte për turp që Petroja si himarjot të ishte mësues i shqipes. Gjë për të cilën Petroja ia ktheu “turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!…”, replikë që i shkaktoi përjashtimin, transmeton kp. Nëpërmjet punëdhënësit të të vëllas krijohet mundësia të hyjë në një shkollë joshtetërore, në fakultetin ekonomiko-politik. Shqyrton mundësinë të shkojë në Bashkimin Sovjetik, ku në atë kohë i shte dhe Sejfulla Maleshova, Ali Kelmendi e Tajar Zavalani, por bie poshtë si mundësi.

Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beut – verë 1935. Planifikohet Kryengritja e Fieri, e cila dështon që në zanafillë e Riza Cerova vritet nga trupat e Hamit Matjanit, dhe ata që ngelën ikën nga Vlora për në Korfuz. Kthehet në nëntor pasi Branko Merxhani e Ismet Toto e thërrasin me rastin e hapjes së një gazete (“Koha e Re”) si organ i qeverisë. Gazeta mbyllet pas një artikulli bombastik mbi punëtorët e Kuçovës; që Ethem Toto, asokohe ministër i brendshëm e pau si reaksionar e komunist. Shëtiti nga një gazetë në tjetrën (“Illyria”, etj.), dhe më 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 2-të; e internojnë në Porto Palermo (2 javë) e pastaj në Llogara, lirohet me interesimin te Merxhanit e I. Totos. Bashkëpunon në “Përpjekja shqiptare” e B. Merxhanit, të cilën Brankoja kishte me nijet t’ia vinte për antipod “Hyllit të Dritës”. Por largohet pasi Merxhani shkroi artikullin Pse nuk jam marksist i detyruar nga censura e kohës. Pasi në një gazetë tjetër del haptas me idetë e tij pro proletariatit, i hyn si halë në sy Musa Jukës, i cili për ta pajtuar i propozon postin e zv/prefektit në Himarë. Petro i jep fjalën se do e pranojë pasi të shkojë në Athinë e të japë ca provime, duke tejparë pas këtij propozimi.

Takohet me Migjenin para se të niset (1937), dhe me të mbërrirë në Athinë merr anijen për në Marsejë; anija i ra përreth Mesdheut (Izmir, Xhafa, Aleksandri, Tripoli). Mbërrin në Marsejë, dhe gjen në Paris Llazar Fundon e Ali Kelmendin. Merr direktivat nga një “shok” serb që mbante si nofkë “Robert”. Dhe caktohet kryetari i grupit prej 113 vetësh që u nis për në Albacete ku ishte qendra e Brigada ve Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingëay, Pablo Neruda, etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuar nga Ndihma e Kuqe Internacionale i veshur me petkun dhe karizmën e interbrigadistit u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble.

Hyn në Itali nga fundi i ’39. Pas 1 mijë e ca ditësh kthehet në atdhe sepse Kominterni kishte porositë t’i çonte legalisht ose jo, të gjithë komunistët në vendet e tyre. Kthehet në Dhërmi dhe mendon pajtimin hasmërive me fshatrat e Dukatit. Në Vlorë nis e harton trakte, shqip e italisht, kundra fashizmit. E burgosin në Vlorë, në Tiranë (maj 1940)… mbas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Pas çlirimit te jugut t’Italisë nga fo rcat aleate anglo-amerikane çan burgun së bashku me të burgosur të tjerë dhe kalon në zonat e çliruara Italiane. Më 1944 arrestohet nga gjermanët nga të cilët shpëton në sajë të mësuesit të gjimnazit, E. Koliqit. dhe po atë vit kthehet në Shqipëri.

Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44 kthehet ne Shqipëri duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 Shqiptarëve tjerë në kohen kur shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi. Gjendet në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur Shkodra bastiset nga trupat serbe. Tek “Retë dhe gurët” citon N.Spirun që i thoshte se Shqipëria kishte material të mjaftueshëm jo vetëm për të dhe për kushedi sa vjet,- bollëk ky që bënë të mundur tregtarët shqiptarë nën okupacionin italian e pastaj gjerman, ngaqë pushtuesit kishin nevojë për material. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947, nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, (shkruan se Hysni Kapo e shpëton nga pushkatimi) lirohet më 15 maj 1950. 1957 mësues në teknikumin “8 Nëntori”. 1973 i hiqet e drejta për botim. Më 1975 i fusin në burg të birin, Jamarbërin. Romani “Çuka e shtegtarit” – 1980 si direktivë për autokritikë nga Partia; por s’ia pranuan e nuk u botua. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë asokohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi. 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Vepra

Filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra qysh në kohët e shkollës në Vlorë. Ministri i Arsimit Mosi do i thoshte Të shkruesh vjersha. Vjersha asht shprehja ma njerëzore e mendimit dhe e zemrës. Shkruan “Një natë e dy agime”, poemat “Nase labi”, “Horizonti në kuletë”, “Parada e të uriturve”, romanet “Kodashi”, “Rrugëve të luftës”; “Nisja pa mbarim”, “Bija e kapitenit”… gjatë kohës kur ishte në Itali. Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie. Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet “Hasta la vista” (1959) dhe “Qyteti i fundit” (1960), ku rrug a e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet ’70 ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”. Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese por përkundrazi, për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet ’40, ’50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.

Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepr a qëndronin superiore edhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.

Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara. Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë ta botonte. / KultPlus.com

Sibel Halimi: Dita e vetëdijesimit kundër dhunës nisi me mëngjes të trishtë

Nga sot fillon “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, fushata ndërkombëtare vjetore që fillon më 25 nëntor në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe zgjat deri më 10 Dhjetor.

Gjatë këtyre ditëve, në çdo cep të botës bëhet thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, por në Prishtinë sot ndodhë e kundërta. Pikërisht në këtë ditë ka ndodhur një rast i rëndë ku një grua është privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj.

Për këtë rast ka reaguar edhe sociologia Sibel Halimi e cila është shprehur që kjo ditë do të duhej të shërbejë si një përkujtues i radhës për shoqërinë për të arritur barazi gjinore, por në fakt sot në Prishtinë ka ndodhur e kundërta.

Ky është reagimi i plotë i Halimit:

Dita e vetëdijesimit kundër dhunës ndaj grave nisi me mëngjes të trishtë

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila do të duhej të shërbejë si një përkujtues i radhës për atë se edhe sa shumë duhet të bëjmë si shoqëri për të arritur barazinë gjinore; pikërisht sot, në Prishtinë, vritet një grua në familjen e saj.

Në një vend ku gratë dhe vajzat shihen si objekte, në shërbim, të disiplinuara dhe të kontrolluara nga burrat; në një kohë kur rastet e dhunës, dhunimit dhe privimit nga jeta të grave, janë bërë rëndomtësi e përditshmëri, nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur gjysma e popullatës shtypet dhe diskriminohet. Të gjithë duhet të vetëdijesohemi për rëndësinë e gjuhës që shprehim, për qëndrimet tona karshi grave dhe vajzave, ngase pa eliminimin e patriarkalizimit të përbrendësuar nuk mund t’i ndryshojmë veprimet! / KultPlus.com