Osmani: Ashtu siç diti Rugova të ndërtojë miq e aleatë, ashtu do t’i ruajmë ato në rrugën tonë përpara

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nderuar lartë jetën dhe veprën e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në 17 vjetorin e vdekjes.Osmani thotë se Rugova iu dha zë të gjitha kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Sot në këtë përvjetor të shkuarjes në amshim të atit themeltar të Republikës së Kosovës, presidentit historik, Ibrahim Rugova, e përkujtojmë me mall njeriun i cili i dha zë kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”.

“Natyrisht se është trashëgimia që ai la pas që na shërben si dritë udhërrëfyese në përpjekjet tona të pandalura për shtetin tonë dhe shtetin që u ndërtua me aq shumë mund e sakrificë të shumë burrave e grave të Kosovës”.

Osmani, mes tjerash, tha se ashtu siç Rugova ndërtoi miq e aleatë që e mbështetën Kosovën në ditët më të errëta ashtu do të vazhdojnë t’i ruajn këto aleanca në rrugën përpara të vendit.

“Ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtojë miq e aleatë që e mbështetën Kosovën në ditët më të errëta e të rënda ashtu do i ruajmë këto aleanca në rrugën tonë përpara përderisa Kosova vazhdon të përballet me sfida. I përjetshëm është kujtimi për të , trashëgimia e tij do të rrojë përherë edhe në brezat e ardhshëm”, tha presidentja Osmani.

Osmani e Kurti nderojnë ish-presidentin Rugova

Me rastin e 17 vjetorit të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së tij, nën përkujdesjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, sot u organizua ceremonia e vendosjes së kurorave.

Në homazhe mori pjesë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti.  

Të pranishëm ishin edhe liderë institucionalë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, ndër ta edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Ish-presidenti Ibahim Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006./ KultPlus.com

Dhjetë kërkesat urgjente që Ibrahim Rugova ia kishte bërë Perëndimit në vitin 1993 (Dokument)

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 1993 ia kishte bërë dhjetë kërkesa urgjente shteteve perëndimore për ta zgjidhur problemin e Kosovës, që në atë kohë ishte futur në një krizë të thellë politike.

Një dokument i bërë viral tashmë, Rugova kishte përmendur se Kosova është në krizë për shkak të disa arsyeve, ku ka përmendur se tensione janë rritur për shkak të 30 mijë ushtarë serbë dhe 25 mijë policë patrullojnë në Kosovë.

Si arsye që e thellon krizën, Rugova ka listuar edhe faktin se serbët lokalë janë të armatosur. Pastaj, thotë se forcat paramilitare të Arkanit ia mësyjnë fshatrave shqiptarë për të bërë punë të pista.

Ndër të tjera thuhet se pasi Millosheviqi “kreu” punën e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë, do të drejtohet kah Kosova.

Rrjedhimisht, Rugova përmes 10 kërkesave urgjente u tregoi shteteve të perëndimit se çfarë duhet bërë.

Vendosjen e një numri të konsiderueshëm forcash të OKB-së dhe NATO-s në Kosovë.

Vendosjen e Kosovës nën protektoratin e OKB-së.

Vendosjen e misioneve të jashtme (ndërkombëtare) në Kosovë.

Rritjen e zonës “të mos fluturohet” përmbi Kosovë.

Të ndalet pastrimi etnik nga Serbia në Kosovë.

Të çarmatosen strukturat paramilitare serbe, të vendoset artileria e rëndë nën kontrollin ndërkombëtar.

Të rihapet aeroporti i Prishtinës për fluturimin e ndihmave humanitare.

Të ndalet kolonizimi i Kosovës nga Serbia.

Të lejohet që lirshëm Kuvendi dhe përfaqësuesit e popullit të mbajnë mbledhje.

Të përjashtohet Kosova nga sanksionet ndërkombëtare që i janë vendosur Serbisë dhe Malit të Zi.

Pesë vjet më vonë në Kosovë krisi lufta. Faktori ndërkombëtar luajti rol kyç në çlirimin e Kosovës, bashkë me UÇK-në si organizatë ushtarake e lindur nga populli kryengritës.

Pas qershorit të vitit 1999, Kosova u shpall zonë e administruar nga OKB-ja deri më 2008, kur edhe u shpall Pavarësia e Kosovës./ KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Përqafimit

Sot është Dita Ndërkombëtare e Përqafimit dhe lirisht përqafoni të gjithë ata që doni dhe zbukurojani kështu ditën. Ky kontakt i ngrohtë njerëzor ka një faktor shumë pozitiv psikik dhe fizik.

Edhe pas një dite shumë të vështirë, përqafimi me siguri se do të iu ndihmojë. Ditën ndërkombëtare të përqafimit e shpalli më 1986 Kevin Zaborney, të cilin sot e quajnë edhe si ambasador i përqafimit.

Është provuar se përqafimet ndikojnë pozitivisht në shëndetin tuaj. Pra, mos hezitoni dhe përqafoni të dashurit tuaj çdo ditë. / KultPlus.com

Kongresi i Lushnjës, 103 vjet më parë u ndalua copëtimi i Shqipërisë

103 vjet më parë, më 21 janar 1920 u shkrua një nga faqet më të rëndësishme të historisë shqiptare, u mblodh Kongresi i Lushnjës, i cili ndaloi copëtimin e Shqipërisë nga tentativat e fqinjëve për të ndarë Shqipërinë e për të zgjeruar territoret e tyre. Ishte pikërisht kjo ngjarje që ndaloi anarkinë në vend, e hodhi themelet e shtetit shqiptar e krijimit të institucioneve.


Në këtë përvjetor u përkujtua nderi, përkushtimi dhe vizioni i patriotëve shqiptarë, që përkundër egoizmit të tyre dhe konformimit me orekset e fqinjëve zgjodhën krijimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar, shkruan KultPlus.com


Sot kjo ngjarje dhe mesazhi që na vjen nga një brez patriotësh që e krijuan dhe ruajtën këtë vend është më i gjallë se kurrë. Në veri kemi tentativat për të krijuar Jugosllavinë e Re, ndërsa në jug kemi ende një ligj lufte që nuk është hequr ende nga fqinji jugor, e për të cilin nuk dëgjojmë më asnjë fjalë nga qeveritarët tanë, të cilët deri dje përbetoheshin se do arrinin të hiqnin ligjin e luftës me fqinjët. E vetmja gjë që mungon sot është vetëdija e një klase politike, që të kuptojë se ky vend do duhet të jetojë e të ekzistojë edhe pas 100 vitesh të tjerë, ashtu siç na e lanë dikur etërit themelues të kombit.
Sot kemi vetëm një rrugë, të heqim kufijtë e egoizmit dhe të rinisim një rrugë të re të zhvillimit dhe prosperitetit, duke u bashkuar më së pari të gjithë shqiptarët bashkë, kudo ku ata jetojnë, e të zhdukim abuzimin, varfërinë e të ringjallim shpresën tek shqiptarët.

Mësimet e Kongresit të Lushnjës duhet të jenë një drejtim real për gjithë klasën politike, kudo ku shqiptarët jetojnë sot. /KultPlus.com

Ibrahim Rugova si lider vizionar, fener shprese për të ardhmen e Kosovës

Ibrahim Rugova, politikan i shquar kosovar dhe lider i pavarësisë, vdiq më 21 janar 2006, shkruan KultPlus.

Rugova ishte një figurë kyçe për kombin shqiptar në Kosovë gjatë fundit të shekullit të 20-të dhe rezistenca e tij paqësore ndaj sundimit jugosllav ndihmoi në hapjen e rrugës për pavarësinë eventuale të rajonit.

Ai u zgjodh President i Republikës së Kosovës në vitin 2002 dhe shërbeu deri në vdekjen e tij në vitin 2006.

Stili i udhëheqjes së Rugovës karakterizohej nga përkushtimi i tij ndaj jodhunës dhe theksi i tij në arsim dhe kulturë si mjete për arritjen e pavarësisë. Ai ishte një mbrojtës i fortë i gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe përpjekjet e tij ndihmuan në krijimin e një ndjenje të fortë të identitetit kombëtar te shqiptarët e Kosovës.

Pavarësisht qasjes së tij paqësore, Rugova u përball me rezistencë të konsiderueshme nga qeveria jugosllave, e cila e shtypi lëvizjen e tij dhe e arrestoi disa herë.

Megjithatë, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e tij ndihmuan përfundimisht në pavarësinë përfundimtare të Kosovës në vitin 2008.

Trashëgimia e Rugovës jeton në Kosovë, ku ai kujtohet si hero dhe simbol i luftës së vendit për liri. Rezistenca e tij paqësore dhe theksi mbi arsimin dhe kulturën vazhdojnë të frymëzojnë gjeneratat e ardhshme të kosovarëve.

Vdekja e Ibrahim Rugovës shënoi një humbje të madhe për politikën kosovare, lufta dhe përkushtimi i tij paqësor drejt pavarësisë së Kosovës do të mbahet mend gjithmonë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e vendit.

Puna dhe trashëgimia e tij do të jenë gjithmonë burim frymëzimi për popullin e Kosovës. /KultPlus.com

“Ruaju nga ata që u ke bërë mirë”

Duam apo nuk duam thëniet turke kanë gjithnjë një “shije” të tjetërllojtë ndërsa i lexojmë sepse jemi në gjendje që të përceptojmë ngjashmëritë kulturore tek vërtetësia dhe mprehtësia e mençurisë së tyre popullore.

Kemi mbledhur një grusht me diamantë të ndritshëm nga thesari i mençurisë turke dhe vendosëm t’i ndajmë për kënaqësinë e lexuesve tanë.

Ai që fle me gjarpërin nuk bën të ankohet se e ka kafshuar.

Ai që njërit i përkulet, tjetri ia tregon prapashpinën.

Ai që s’ka fëmijë, ka një dhembje, kurse ai që ka fëmijë ka njëmijë dhembje.

Ajo që s’bëhet në ditën e vet nuk bëhet as për një vit.

Babai i dhuroi fëmijës së vet një vresht të tërë kurse ai s’i dhuroi atij as një kalavesh rrush.

Duhet sakrifikuar mjekra për të ruajtur kokën.

Edhe për t’u kruar njeriut i nevojiten thonjtë.

Edhe po dite njëmijë gjëra, pyet atë që di qoftë edhe një gjë të vetme.

E vogël është miza por barkun ta prish.

I mençuri nuk flet për atë që di, ndërsa budallai nuk di se çfarë thotë.

Kadiu është i shurdhër, myftiu është i verbër; për veten kujdesu vetë.

Kur ecën me shkop kërkon ndihmë nga vdekja.

Kush është ngrënë nga gjarpri, i trembet edhe litarit të përdredhur.

Mat dyzetë herë e prit një herë.

Me lëvdime gomari nuk do të bëhet kalë.

Mos merr borxh te pasaniku, as mos u bëj dorëzanë për të varfrin.

Mos shko përpara të mençurit, as prapa të marrit.

Mos u bë borxhli i të pasurit, as kreditor i të varfrit.

Nëse armiku yt është një milingonë, ti konsideroje si elefant.

Nuk hapet pusi me gjilpërë.

Para se të dashurosh, mëso të ecësh nëpër dëborë pa lënë gjurmë.

Po të preku djalli, nuk të shqitet më.

Po u mboll “në qoftë se” e “kur” do të rritet “asgjë”.

Puna më e zakonshme për të dashuruarit është heshtja.

Ruaju nga ata që u ke bërë mirë.

Si je? Mirë jam me shëndet. A je i pasur? Borxhili nuk jam. A ke brenga? Fëmijë nuk kam. A ke armiq? Farefis nuk kam.

Sëmundja vjen kaluar, por ikën me kembë e fuke çaluar.

Shpata ka një teh të mprehtë, gjuha ka njëqind.

Te mulliri duhen dy gurë, për miqësinë dy zemra.

Të dashurohesh, do të thotë të duash një njeri më shumë se veten.

Të dëgjosh një gënjeshtër është më e vështirë se ta thuash. / KultPlus.com

Sikur s’jetoj në vendin tim

Dritëro Agolli

Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim
Po në një vend të huaj dhe të largët
Në një qytet me buba dhe me minj
Mes mureve të rrjepur dhe të lagët.
Çuditem pse kështu më duket shpesh

Kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska flluska ma bën jetën
Më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm

Helmohemi çdo çast me njëri tjetrin
s’e di nga vjen ky helm se s’kam ç’të them
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin

Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet
Pastaj do tundet toka në termet
Dhe Djalli i Madh do qesh e do zgërdheshët

I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetëra njerëz
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërrvish
më bën të qaj si nxënës prapa derës. /KultPlus.com

Botuesit kërkojnë mbështetje për letrat shqip në tregun evropian dhe botëror

Rijetëzimi i bibliotekave apo dhe përmirësimi i ligjit të librit ishin disa çështjet, që u shqyrtuan në Qendrën Kombëtare të Librit të Leximit në një takim me botues dhe librarë.

Duke prekur vështirësitë e biznesit të librit botuesit ngritën shqetësimin e mungesës së bibliotekave. Pasurimit të atyre vendore dhe bibliotekave të rretheve.

Nga ana tjetër u diskutuan dhe zgjidhet e ngërçeve të tjera si mbështetje e letrave shqipe në tregun evropiann dhe ato botërore. Përkthimi në gjuhët evropiane etj. /TopChannel /KultPlus.com

Presidentja Osmani ka vizituar disa komuna të prekura nga vërshimet

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet intensive, ka vizituar komunat: Klinë, Skënderaj dhe Mitrovicë. 

Në takim me kryetarët: Zenun Elezaj, Fadil Nura dhe Bedri Hamza, Presidentja Osmani ka theksuar se që nga mbrëmë ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet e sigurisë dhe në këtë kontekst ka vlerësuar angazhimin e strukturave komunale dhe institucioneve emergjente për të ndihmuar qytetarët dhe për t’i minimizuar dëmet në ekonomi familjare. 

Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet qendrore do të angazhohen maksimalisht për t’i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet.

Presidentja Osmani ka vizituar biznese dhe ekonomi familjare, të cilat kanë pësuar nga vërshimet. Në këtë frymë, Presidentja ka kërkuar nga strukturat e sigurisë dhe të emergjencave, të angazhohen maksimalisht për t`u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për t`i zvogëluar pasojat e krijuara nga kjo situatë e jashtëzakonshme.

“Falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, autoritetet komunale dhe të gjithë ata, të cilët ndodhen në terren në zonat më të rrezikuara, në gatishmëri të plotë për t`u ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë”, është shprehur Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani në të tri komunat ka ofruar mbështetjen institucionale dhe ka potencuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut, ndaj nevojitet angazhim dhe solidaritet i të gjithëve në një situatë të tillë. /KultPlus.com

Kompania mëmë e Google, Alphabet, do të shkurtojë 12 mijë vende pune

Kompania mëmë e Google, Alphabet, do të shkurtojë 12,000 vende pune, në reduktimet më të fundit të stafit për të goditur industrinë e teknologjisë, transmeton KultPlus.

CEO i Google dhe Alphabet, Sundar Pichai, tha se ai mori “përgjegjësinë e plotë” për shkurtimet, në një email të brendshëm.

Shkurtimet do të prekin 6% të fuqisë punëtore të Alphabet në mbarë botën, në ekipe duke përfshirë rekrutimin dhe inxhinierinë.

Kjo vjen disa ditë pasi Microsoft njoftoi se 10,000 vende pune do të humbasin, dhe disa javë pasi Amazon njoftoi për18,000 shkurtime të vendeve të punës.

Zoti Pichai falënderoi stafin për punën e madhe në rolet e tyre, duke shtuar se “kontributet e tyre kanë qenë të paçmueshme”.

Ai shkroi: “Ndërsa ky tranzicion nuk do të jetë i lehtë, ne do të mbështesim punonjësit ndërsa ata kërkojnë mundësinë e tyre të ardhshme.

“Deri atëherë, ju lutemi kujdesuni mirë për veten tuaj ndërsa përthithni këtë lajm të vështirë. Si pjesë e kësaj, nëse sapo po filloni ditën tuaj të punës, ju lutemi mos ngurroni të punoni nga shtëpia sot.”

Sipas një paraqitjeje të fundit në Companies House, Google ka më shumë se 5,500 staf në Mbretërinë e Bashkuar, por është e paqartë se sa prej tyre do të preken nga shkurtimet. /KultPlus.com

‘Ti je e bukur sa mëngjeset, sa agimet’

Poezi nga Nazim Hikmet Ran
Shqipëroi: Alban Tartari

Menyja e dashurisë
Ti je e bukur sa mëngjeset – sa agimet,
Ti je si netët e verës së vendit tim
Kur kalorësi i së vërtetës të trokasë në portë
Mos më harro,
Aaah! Trëndafili im i fshehtë

Ti je e bukur dhe e vështirë
Duhet të çelësh në vaktësinë e poezive të mia
Këtu po ta jap puthjen që i kemi borxh jetës
Ti je e bukur sa vendi im
Dhe kështu qëndro…/KultPlus.com

Nazim Hikmet Ran: Një zë për të shtypurit

Nazim Hikmet Ran, i lindur në vitin 1902 në Selanik, Perandoria Osmane (tani Selanik, Greqi) ishte një poet, dramaturg dhe romancier turk, shkruan KultPlus.

Ai konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë turke dhe vepra e tij është përkthyer në më shumë se 50 gjuhë.

Poezia e Hikmetit është e njohur për temat e saj socialiste dhe humaniste, si dhe fokusin e saj në betejat dhe përvojat e klasës punëtore. Ai ishte një kritik i zëshëm i Perandorisë Osmane dhe më vonë, Republikës së Turqisë, dhe vepra e tij shpesh trajtonte tema të lirisë, barazisë dhe drejtësisë sociale.

Bindjet politike të Hikmetit çuan në arrestimin dhe burgosjen e tij në disa raste, duke përfshirë qëndrimin në një burg në ishullin Imrali, ku ai shkroi disa nga veprat e tij më të famshme. Gjithashtu ai u internua nga Turqia për shumë vite dhe jetoi në Bashkimin Sovjetik, ku vazhdoi të shkruante dhe të botonte.

Përveç poezisë së tij, Hikmeti ishte gjithashtu një dramaturg dhe romancier i njohur.

Dramat e tij, si “Epika e Sheik Bedrettin” dhe “Radio-Opera” u shfaqën gjerësisht në Turqi dhe jashtë saj, ndërsa romanet e tij, duke përfshirë “Peizazhe njerëzore nga vendi im” dhe “Gjyqi i njëzet e një në Moskë” trajtojnë temat e shtypjes politike dhe gjendjen njerëzore.

Vepra e Hikmetit ka pasur një ndikim të thellë në letërsinë turke dhe ai konsiderohet gjerësisht si një nga poetët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Vepra e tij vazhdon të lexohet dhe studiohet në Turqi dhe në mbarë botën, dhe ai konsiderohet simbol i lirisë dhe rezistencës në kulturën turke.

Nazim Hikmet vdiq në Moskë më 3 qershor 1963, por trashëgimia e tij vazhdon, poezitë dhe dramat e tij janë ende të interpretuara dhe librat e tij ende lexohen gjerësisht. /KultPlus.com

Kurti përkujton Shaban Shalën: Mësuesi që jetën e tij e jetoi aq intensivisht, mes aktivitetesh patriotike dhe burgosjesh politike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot mësuesin dhe patriotin Shaban Shala në 60-vjetorin e vdekjes, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurtit:

“Unë për ty kam me punuemun,
Se ti vendi jemi je;
Unë gjithmonë kam me t’kujtuemunë
Ty çdo çast o i jemi atdhe.”

Këto vargje janë shkruar nga Shaban Shala, më 26 shtator 1956 në fshatin Letanc të Podujevës, ku ai kishte lindur më 16 shkurt 1933. E shkruar në një gegnishte të folmës së krahinës së Llapit, titulli i kësaj poezie, “I betumi për Atdhe”, mund të lexohet edhe si një titull vetëprofetik i autorit për fatin e tij, por edhe si emërtues i figurës së tij postmortum. Sepse Shaban Shala vërtetë ishte “I betumi për Atdhe”!

Në moshë fare të re, Shaban Shala iu bashkua Organizatës Revolucionare Nacional-Demokratike për Bashkimin e Trojeve Shqiptare. Pasi kishte kryer Shkollën Normale në Prishtinë, Shaban Shala punoi si mësues në fshatrat Lupç i Epërm, Popovë, Murgull, Pollatë, Dabishec dhe Tugjec. I vetëdijshëm që për shkak të veprimtarisë së tij politike rrezikonte të arrestohej, më 1952, duke dashur të kalonte kufirin e Jugosllavisë për të dalur në Austri, Shaban Shala u arrestua në rrethin e Mariborit në Slloveni, bashkë me Shaban Zhijeqin, Ibrahim Demollin dhe Nuhi Gashin. Ai u dënua me një vit burgim në burgun e Prishtinës, në një proces gjyqësor bashkë me Xhafer Mehmetin, Fetah Batatinën, Nuhi Gashin, Jusuf Ismailin, Ibrahim Demollin, Sabit Kapitin, Shaban Zhijeqin dhe Hamit Zhitinë. Siç kanë rrëfyer të burgosurit e tjerë, gardianët e torturonin Shabanin duke e mbyllur në sënduk, duke e mbajtur të lidhur 24 orë të shtrirë mbi një dërrasë me gozhda, duke i futur gjilpëra mes thonjëve, duke i lëshuar hekur të skuqur në zjarr mbi shuplakë të dorës dhe duke i futur minj të mëdhenj në qeli. Pas lirimit nga burgu, për t’u kuruar nga pasojat e torturave në burg, Shaban Shalës iu desh të shtrihej në spitalin e Nishit dhe Beogradit.

Më 28 shkurt 1956, Shaban Shala u burgos për herë të dytë, tani në burgun e Gjilanit, pasi u arrestua bashkë me Ali Pecin nga Mitrovica dhe Emrush Lluçkun nga Përlepnica e Gjilanit. Pa ndonjë provë reale për akuzë, Shaban Shala u lirua nga gjykata e Gjilanit katër muaj më vonë, më 16 qershor 1956. Më 28 nëntor 1960 dhe 1961, bashkë me shokët e organizatës dhe me gruan e tij Sadijen, Shabani qepi flamuj me shqiponjë dykrerëshe mbi beze të kuqe dhe i vendosi në publik, ndonëse atë kohë ishte i ndaluar përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar.

Më 27 shtator 1962, Shaban Shala u arrestua përsëri dhe u burgos për herë të tretë, kësaj here në burgun e Prishtinës. Ai u dënua me 2 vite burgim, por gjatë katër muajve pasues, Shaban Shala u torturua jashtëzakonisht shumë, sa që më 20 janar 1963, duke mos pranuar të fliste përkundër mundimeve dhe malltretimeve, ai vdiq nga torturat. Natën e 20 janarit 1963, një e burgosur politike në një qeli tjetër të burgut të Prishtinës, Hyrije Hana nga Gjakova, kujton se si kur gardianët e morën dhunshëm Shaban Shalën duke e lidhur dhe zvarritur, ai thërriste me zë të lartë: “Rroftë Shqipëria, poshtë tradhtarët e kombit, poshtë klika e Titos”.

Sot bëhen 60 vite nga vrasja e Shaban Shalës nga autoritetet serbe më 20 janar 1963. Ky mësues patriot dhe ky aktivist i burgosur politik, ishte viktimë e politikave diktatoriale dhe shoviniste të zbatuara nga UDB-ja dhe zyrtarët e Serbisë, që ushtronin dhunë mbi shqiptarët në Kosovë. Në popull, Shaban Shala do të njihej si Shabani i flamurit, mësuesi i flijuar për gjuhën shqipe, simbolet kombëtare dhe për liri.

Lavdi Shaban Shalës, mësuesit që jetën e tij e jetoi aq intensivisht, mes aktivitetesh patriotike dhe burgosjesh politike, duke e shtruar rrugën e gjatë të çlirimit të Kosovës./ KultPlus.com

Mërgimtari kthehet në vendin e lindjes dhe shpëton një monument kulture

“Bonusi i Rijetësimit” është një nga projektet madhore të qeverisë, prej të cilit deri më tani kanë përfituar 40 aplikantë, pronat e të cilëve po u nënshtrohen restaurimit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau sot në rrjetet sociale historinë e një emigranti nga Gjirokastra, i cili është përfitues i këtij bonusi, falë të cilit ka shndërruar në bujtinë një godinë tejet të amortizuar.

“Pas vitesh në emigracion, Mariglen Ligu u kthye në vendin e lindjes dhe investoi në sektorin e turizmit. Me mbështetjen e Bonusi i Rijetësimit, ia arriti të shpëtojë një ndërtesë, monument kulture, kategoria II, në Gjirokastër, duke e shndërruar në një bujtinë”, shkruan Margariti.

Bonusi i Rijetësimit nuk mbron vetëm trashëgiminë tonë kulturore e historike, por mbështet mbi të gjitha familjet dhe u vjen në ndihmë qytetarëve duke u ofruar përmes restaurimit të banesave kushte më të mira jetese në shtëpitë e tyre.

Ky projekt do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2023, me një fond shtesë prej 50% të atij aktual.

Skiatorja Lara Colturi shpallet kampione bote në garën e Skive Alpine

 Skiatorja Lara Colturi u shpall kampione bote në garën e Skive Alpine, kategoria Super G, në Kampionatin Botëror të skive për moshat në Kampionatin Botëror për të Rinj që po zhvillohet në St. Anton am Arlberg të Austrisë, njoftoi sot Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

Ajo shënoi kohën 1:01.64 duke lënë pas zviceranen Grob dhe italianen Calaba, duke triumfuar midis 37 konkurrenteve.

Kjo është medalja e parë që Lara Colturi merr si përfaqësuese e Shqipërisë.

Ndërsa ditën e djeshme Lara Colturi fitoi medaljen e artë në disiplinën e Downhill për moshat nën 18 vjeç.

Lara Colturi do të garoje edhe në kategorinë Gjigant të Skive Alpine, në datë 21 Janar dhe më pas do t’i drejtohet Kronplatzit për ndalesën e radhës në Kupën e Botës, bëri të ditur Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH). /atsh /KultPlus.com

Ministrja Nagavci: Nxënësit e prekur nga vërshimet do njoftohen nëse do të mbahet mësimi të hënën

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se si departament janë duke e përcjellë situatën e krijuar pas stuhive në disa rajone, ku nxënësit në rajonet e prekura do të njoftohen me kohë nëse mësimi do të mbahet të hënën.

“Për shkak të reshjeve të mëdha në vendin tonë, të cilat kanë sjellë vërshime në disa komuna, është pamundësuar mbajtja e procesit mësimor në disa shkolla. Zyrtarët e MAShTI, të premten, kanë qëndruar në disa shkolla për të parë nga afër gjendjen e krijuar për shkak të reshjeve, si dhe dëmet e shkaktuara në objekte shkollore”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci ka njoftuar se janë në kontakt me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, për t’u informuar në detaje për çdo zhvillim në komunën e tyre.

Disa shkolla në Podujevë, Viti, Mitrovicë, Skënderaj, Pejë, Istog, Klinë dhe Zubin Potok sot nuk e kanë zhvilluar procesin mësimor ose e kanë kryer në kushte të vështira, për shkak të reshjeve të shiut, të cilat dje kanë shkaktuar vërshime. /KultPlus.com

Shfaqja “Inspektor Limi” do të shfaqet në Londër

Me regji të Florent Mehmetit, skenar të Lirak Çelajt, shfaqja “Inspektor Limi” do të shfaqet në Londër më 17 dhe 18 shkurt, shkruan KultPlus.

Inspektori më i famshem i Shërbimit Sekret të Kosoves (SHRBMTSKRTKSV), Lirim Berisha, dërgohet në misionin e tij më t’rrezikshmin, dhe me gjasa misionin e tij të fundit. A do t’jet ai i suksesshëm ta gjej kriminilein e vërtet ne mesin e banorëve të kafenes apo ai veq do t’pihet e bahet rrotë.

Në shfaqje luajnë aktorët e njohur sikurse: Adrian Morina, Nëntor Fetiu, Kushtrim Sheremeti, Kastriot Grajqevci, Daniela Markaj dhe Lirak Çelaj

Detajet e shfaqjeve si dhe rezervimit të biletave mund t’i gjeni duke klikuar KËTU. Për rezervimet e hershme përfitoni zbritje duke përdorur kodin BILBILI20 gjatë blerjes.

Teatri “Oda” është shtëpia e kësaj shfaqje, në të cilën ka pasur disa repriza. /KultPlus.com

Sa ju kam dashur

Poezi nga Aleksander Pushkin

Sa ju kam dashur! Ndofta dashuria
Nuk është shuar krejt në shpirtin tim!
Po s’dua që prej dhembjeve të mia
Të ngryseni sërish në dëshperim.

I heshtur e pa shpresë u përvelova
Me ndrojtje, xhelozi e mall për ju
Po kaq me dliresi ju dashurova,
Sa, zot!ju dashtë tjetër kush kështu!/KultPlus.com

Taika Waititi: Rita Ora ndalon dhe u flet shqiptarëve kudo që i sheh

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka më shumë se një vit që është martuar me regjisorin e famshëm hollivudian, Taika Waititi.

Çifti ishin nikoqirë të mbrëmjes së madhe të ndarjes së çmimeve, MTV Europe Music Awards 2022, në nëntor të vitit të kaluar.

E teksa qëndruar për disa ditë në Dyseldorf ku edhe po mbahej eventi, dyshja realizuan një dokumentar me “Vogue”, duke treguar se si është të kalosh 24 orë me ta.

Mes shumë aktiviteteve që zhvillojnë gjatë ditës, regjisori Taika i ra në sy se si Rita ndalon rrugës dhe përshëndetet me shqiptarët e diasporës.

“Çfarë ndodhi atje jashtë? Ne thjeshtë ishim duke ecur rrugës dhe rastësisht çdonjëri ishte duke folur shqip. Çfarë dreqin ishte kjo?, pyet Taika bashkëshorten e tij.

“Pra në thelb, ka kaq shumë shqiptarë çdo kund dhe…ata janë më të mirët. Ne kujdesemi për njëri-tjetrin. Pra, natyrisht ata ishin pronarët e picerisë. Ne thjesht ndaluam dhe ata na thanë: ‘Ejani për një pica tek ne’”, përgjigjet Rita.

Ndërkohë, pasi kishin shijuar picat në restorantin shqiptar në Dyseldorf, regjisori zelandez pati një këshillë për të gjithë ata që duan të hyjnë në një lidhje me një shqiptar/e.

“Rita gjeti të gjithë shqiptarët. Shqiptarët dinë se ku ta gjejnë njëri-tjetrin. Nëse do të martoheni me një shqiptar, ju më mirë mësoni shqip”, tha Waititi.

Rita përndryshe ka paralajmëruar rikthimin në muzikë me një album të ri këtë vit, kënga e parë e të cilit “You Only Love Me” do të publikohet më 27 janar. /Telegrafi /KultPlus.com

Princi Harry vendos rekord, shet 3.2 milionë kopje të librit të tij në një javë

Libri i Princit Harry “Spare” është bërë kryefjala botërore dhe tashmë ka shitur mbi 3.2 milionë kopje në mbarë botën. Në fakt, shitjet u bënë vetëm një javë pas publikimit të tij.

Ka shumë të ngjarë që libri i Princit Harry të zërë një vend në listën e kujtimeve më të shitura të të gjitha kohërave.

Penguin Random House ka bërë të ditur se kujtimet e Princit Harry, të cilat u bënë qendra e mediave në mbarë botën, janë shitur 1.6 milionë kopje vetëm në SHBA.

Ky është një numër i krahasueshëm me shitjet e javës së parë për librat e suksesshëm si “A Promised Land” e ish-Presidentit Barack Obama dhe “Becoming” e Michelle Obama, i cili ka shitur më shumë se 17 milionë kopje që nga publikimi i tij në 2018.

Botuesi britanik njoftoi se libri shiti 400,000 kopje në Mbretërinë e Bashkuar në të gjitha formatet, letër, e-libër dhe audio, në ditën e parë të publikimit.

Shitjet totale të shpallura për autobiografinë e shumëpërfolur përfshijnë botime të shtypura, audio dhe dixhitale në tregjet kryesore anglishtfolëse: SHBA, MB, Kanada dhe Australi.

Libri është botuar në 15 gjuhë të tjera dhe priten edhe 10 gjuhë të tjera./ KultPlus.com

Netflix shton 7 milionë abonentë të rinj në tremujorin e fundit të 2022

Netflix njoftoi rezultatet financiare për tremujorin e fundit të vitit 2022, duke zbuluar një rritje të abonentëve të rinj, por duke mos arritur fitimet e parashikuara.

Në veçanti, platforma e abonimit shtoi 7.66 milionë abonentë të rinj në tremujorin e katërt të 2022, ndërkohë që sipas vlerësimeve të saj, pritej rreth 4.5 milionë abonentë të rinj. Kështu, Netflix mbylli vitin 2022 me një total prej 230.75 milionë abonentë në mbarë botën , duke mposhtur objektivin prej 227.59 milionë abonentësh

Kjo do të thotë, u vu re një rritje vjetore prej 4% në totalin e abonentëve, ku abonimet me pagesë u rritën, sipas Variety , me 910,000 në SHBA dhe Kanada, me 3.2 milionë në të gjithë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, me 1.76 milionë në Amerikën Latine dhe me 1.8 milionë në rajonin e Azi-Paqësorit.

Ky tremujor shënon 10 vjet që kur Netflix tronditi industrinë duke lancuar serialin dramatik të David Fincher House of Cards.

Një dekadë më vonë se sa ishte planifikuar fillimisht dhe pas shkallëzimit të suksesit, ne kemi hyrë në fazën më sfiduese të zhvillimit tonë,” shkroi Netflix në një letër drejtuar aksionerëve.

Të ardhurat tremujore arritën në 7.85 miliardë dollarë, pikërisht atë që parashikonin analistët, deri në 1.9% nga viti në vit. Por ndërsa të ardhurat u rritën 1.9% nga viti në vit, fitimet e kompanisë për tremujorin e katërt ishin shumë më poshtë se parashikimi i vetë Netflix prej 36 cent për aksion.

Kompania ia atribuoi këtë një “humbje të parealizuar prej 462 milionë dollarësh si rezultat i nënçmimit të dollarit amerikan ndaj euros në tremujorin e katërt të 12-të”./abcnews.al/ KultPlus.com

ReMusica së shpejti me koncert në Belgjikë

ReMusica Vocal Ensemble së shpejti me koncert në FLAGEY, Bruksel, Belgjikë, në kuadër të Festivalit “La Semaine du Son” 2023.

“Vitrail Albanese’ Koncerti i Ansamblit vokal ReMusica do të mbahet me datën 5 Shkurt 2023, në Bruksel, Belgjikë në një ndër sallat kryesore në Bruksel, në Flagey . Koncerti i Ansamblit Vokal ReMusica do t’jetë në natën përmbyllëse të Festivalit La Semaine du Son – De Ëeek van de Klank  2023./ KultPlus.com

Konferencë shkencore për Skraparin në Akademinë e Shkencave

Është mbajtur në Akademinë e Shkencave, konferenca shkencore “Veçori të Luftës Antifashiste në krahinën e Skraparit (1942-1944)”.

Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi iu uroi të pranishmëve mirëseardhjen si dhe falenderoi kryetarin e bashkisë së Skraparit  Adriatik Mema për vullnetin e shprehur për ta organizuar bashkërisht këtë konferencë dhe për kujdesin e tij personal për mbarëvajtjen e saj.

“Në historinë e qëndresës antifashiste dhe të luftës çlirimtare të popullit të Skraparit mund të shihen të gjitha fazat e pamjet e antifashizmit në Shqipëri, prej krijimit të çetave të para vullnetare e deri tek betejat e vërteta me ushtritë pushtuese si ajo e Tendës së Qypit; që prej trimërive vetjake deri tek brigadat e organizuara si Brigada VII”, tha Gjinushi.

Për vetë pozicionin gjeografik dhe mbrojtjen e sigurinë që i ka dhënë natyra, Skrapari ishte gjatë luftës strehë dhe rezidencë e shtabeve të formacioneve kryesore antifashiste dhe joantifashiste që u krijuan në shkallë rajonale e kombëtare, e vendkomandave të tyre dhe e spitaleve partizane dhe njëherësh edhe e misioneve ushtarake të huaja.

“Është detyra e historianëve së pari, të konsolidojnë të vërtetën historike mbi rolin e pozicionin e Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë luftës së dytë botërore”, u shpreh Gjinushi në fjalën e hapjes.

Në konferencë u paraqit dhe kumtesa e Paskal Milos, “Roli dhe vendi i Skraparit gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri” si dhe “Marrëveshja e Beratit shtator-tetor 1943 në dritën e dokumenteve arkivore gjermane” nga Marenglen Kasmi./ atsh/ KultPlus.com