Të botuar para Luftës së Dytë Botërore, 80 libra i dhurohen bibliotekës së Korçës nga Biblioteka Kombëtare

Një fond prej 80 librash, kryesisht në fushën e albanologjisë të botuar para Luftës së Dytë Botërore, i janë dhuruar bibliotekës së Korçës nga Biblioteka Kombëtare.

Botimi më i hershëm është nja fjalor nga Kostandin Kristoforidhi i cili daton në vitin 1904 ndërsa nuk mungojnë as botime të tjera origjinale një pjesë prej të cilave të prodhuara në shtëpitë botuese të Korçës në atë kohë të cilat kanë rëndësi të veçantë jo vetëm për studiuesit por edhe lexuesit.

Ajo që mbetet problematike në bibliotekat e rretheve është nga njëra anë pamjaftueshmëria e librave për lexuesit, që vjen si pasojë e mungesës së fondeve dhe nga ana tjetër mungesa e interesit për librin. Por, sipas drejtorit të bibliotekës kombëtare Piro Misha në qytetet ku infrastruktura e tyre është përmirësuar ka më shumë mundësi për ta mbajtur lexuesin afër dhe janë bashkitë ato që duhet të risin fondet për pasurimin e tyre.

Biblioteka e Korçës llogarit 2500 lexues, një shifër që është rritur krahasuar me disa vite më parë, kur kishte vetëm 1000 lexues./Top Channel/ KultPlus.com

Kush e tradhëtoi Ana Frankun, vajzën hebreje simbol të Holokaustit

”Përshëndetje. Hebrenjtë fshihen në fund të rrugës Prinsengracht 263 në Amsterdam. Nga e di ti?” “E di”. “Dhe kush je ti?” “Askush”. Ishte kjo përmbajtja e bisedës ”tradhtare” ndaj Ana Frankut, e vrarë në mars 1945, shkruan focus.it.

Kjo mund të ketë qenë biseda telefonike e 4 gushtit 1944 që “dënoi” Ana Frankun, e cila është kthyer në simbol të persekutimit antisemit.

Le të zbulojmë se si u kryen hetimet për të vërtetuar se kush e tradhtoi Anën, përmes artikullit “Të tradhtuar!” nga Anita Rubini, marrë nga arkivat e Focus Storia.

Informacioni arriti në zyrën e Julius Dettmann, një oficer eses gjerman, i cili dërgoi menjëherë një ekip për të kontrolluar shtëpinë.

Pas një rafti librash është hyrja e strehës ku Otto Frank, gruaja e tij Edith dhe dy vajzat e tyre Anna dhe Margot, tre anëtarë të familjes Val Pels dhe dentisti Fritz Pfeffer kishin jetuar për dy vjet.

Ata u arrestuan të gjithë dhe u dërguan në kampin tranzit Westbord dhe më pas u transferuan në Aushvic.

Sot ai “askush” nuk mund të kishte emër.

Sipas dy gazetarëve flamandë, Jeroen de Bruyn dhe Joop Van Wijk, ishte vërtet Nelly Voskuijl, një nga motrat e Elizabeth një daktilografiste e punësuar nga Otto.

Nelly filloi vullnetarisht të bashkëpunonte me Gestapon pas pushtimit gjerman deri në atë denoncim mizor./KultPlus.com

Elon Musk bëhet njeriu më i ndjekur në Twitter

Shefi i Twitter, Elon Musk tani ka llogarinë me më shumë ndjekës në platformën e njohur të rrjeteve sociale, duke rrëzuar nga froni ish-presidentin e SHBA-së, Barack Obama.

Llogaria e biznesmenit miliarder aktualisht ndiqet nga 133.08 milionë përdorues të Twitter, krahasuar me 133.04 milionë për ish-presidentin e Shtëpisë së Bardhë.

Brenda disa muajsh nga shprehja e interesit për blerjen e Twitter, Elon Musk fitoi më shumë se 50 milionë ndjekës të rinj.

Në shkurt, faqja e internetit Platformer raportoi se Musk u kishte bërë presion zhvilluesve të Twitter për të promovuar përhapjen e mesazheve të tij në platformë. Natyrisht, dëshira e tij u realizua, pasi falë korrigjimeve të filtrit, postimet e Elon Musk u bënë virale, tha botimi.

Elon Musk dhe Barack Obama ndiqen nga pas nga këngëtari Justin Bieber (113 milionë ndjekës), Katy Perry dhe Rihanna me rreth 108 milionë ndjekës secila, sipas të dhënave nga uebsajti i specializuar Social Blade.

Twitter ka njoftuar se certifikimi blu do të hiqet më 1 prill nga përdoruesit që nuk janë regjistruar për shërbimin e ri të abonimit Twitter Blue. Në një memo të brendshme për punonjësit e platformës, Elon Musk tha javën e kaluar se vlera e vlerësuar e Twitter është 20 miliardë dollarë, gati gjysma e asaj që pagoi në tetor (44 milionë dollarë). /abcnews.al/ KultPlus.com

Një brez i tërë fëmijësh e shohin ‘Friends’ si ofendues, thotë Jennifer Aniston

Aktorja Jennifer Aniston ka thënë se një gjeneratë e tërë fëmijësh tani i duket ofendues seriali ‘Friends’.

Aktorja që bëri emër në sitcom-in e suksesshëm të viteve ’90 tha se puna në komedi është bërë gjithnjë e më e vështirë, pasi humoristët tani “nuk lejohen të tallen me jetën”.

“Ka një brez të tërë njerëzish, fëmijë, të cilët tani po kthehen në episodet e Friends dhe i konsiderojnë ato fyese”, tha Aniston.

“Kishte gjëra që nuk ishin kurrë të qëllimshme dhe të tjera… mirë, duhet ta kishim menduar… por nuk mendoj se kishte një ndjeshmëri si tani”.

Një komedi për jetën e gjashtë të rinjve nju-jorkezë, tre burra dhe tre gra, ‘Friends’ u shfaq në NBC midis viteve 1994 dhe 2004. Seriali i bëri aktorët tejet të famshëm dhe mbetet jashtëzakonisht i shikuar.

“Tani është pak e ndërlikuar sepse duhet të jesh shumë i kujdesshëm, gjë që e bën vërtet të vështirë për humoristët, sepse bukuria e komedisë është se ne tallemi me veten, tallemi me jetën”, u shpreh aktorja.

“Në të kaluarën mund të bëje shaka me një fanatik dhe të qeshësh – kjo ishte histerike. Dhe bëhej fjalë për edukimin e njerëzve se sa qesharak ishin njerëzit. Dhe tani nuk na lejohet ta bëjmë këtë”.

Aniston nuk është e vetme në mesin e komedianëve apo aktorëve komikë që sugjeron se progresivizmi dhe ndjeshmëria janë bërë pengesa për krijimtarinë. Komedianë, përfshirë Chris Rock dhe Dave Chappelle, së fundmi kanë thirrur për “kultura të zgjimit”. Nga ana tjetër, të dy janë kritikuar për shaka fyese dhe për grupe që sfidojnë “zgjimin”.

Disa shikues kanë kritikuar ‘Friends’ për mungesë diversiteti. Të gjithë personazhet kryesore janë të bardhë dhe në shfaqje rrallë paraqiteshin njerëz me ngjyrë. Të tjerë kanë vërejtur shaka që tani shihen si homofobike ose transfobike. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Balada e dashurisë së vonë

Poezi e shkruar nga Dulce Maria Loynaz.

Dashuri që vjen aq vonë,
më sill të paktën prehje :
ti dashuri e vonuar, nga ç’udhë
endacake vjen tek vetmia ime ?
Dashuri që më ke kërkuar pa të kërkuar,
nuk di kush vlen më shumë :
fjala që do të më thuash
apo ajo që unë s’e them dot…
Dashuri… Nuk ke ftohtë ti ? Jam Hëna :
Kam vdekjen e bardhë dhe të vërtetën
e largët… Mos m’i jep trëndafilat e tu të freskët ;
jam shumë e ngrysur për trëndafila. Më jep detin…
Dashuri që vjen aq vonë, ti s’më ke parë
dje kur këndoja në fushën me grurë…
Dashuri e heshtjes dhe lodhjes sime
Të paktën sot, mos më bëj të qaj./ KultPlus.com

Nxënësit njihen me punëtoritë e mozaikut dhe historinë

Nxënësit e shkollave “Bedrie Bebeziqi” dhe “Jusuf Puka” u bënë pjesë në punëtoritë e mozaikut.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila u shpreh se, “të rritesh duke njohur trashëgiminë është një hap i sigurtë drejt së ardhmes”.

Kjo pjesëmarrje në këto punëtori u organizua nën kujdesin e projektit “Zhvillimi i Trashëgimisë së Durrësit me Bazë Kulturën Kreative”, zbatuar nga “Udhetimi i Lirë – Liberi di Viaggiare”, mbështetur përmes Programit të Granteve të EU4Culture.

Nxënësit përjetuan një eksperiencë të bukur mes mjeshtërve të mozaikut dhe historisë që fshihet pas tij.

Ekipi i UNOPS-it së bashku me skuadrën e restaurimit po punojnë për restaurimin e mozaikut në fasadën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, një projekt madhor i mundësuar falë programit “EU4Culture”.

EU4Culture është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të hartuar nga Bashkimi Evropian për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira.

Programi EU4Culture synon të ndihmojë në përmirësimin dhe nxitjen e tërheqjes ndaj këtyre siteve./atsh/ KultPlus.com

Meghan Markle do të nderohet me çmimin ‘Gracie’ për podcastin e saj ‘Archetypes’

Dukesha e Sussex-it, Meghan Markle, do të nderohet me çmimin Gracie për podkastin e saj ‘Archetypes’, i cili debutoi vitin e kaluar.

Çmimet Gracie jepen nga Fondacioni Aleanca e Grave në Media, një organizatë bamirëse që mbështet rolin e grave në media. Meghan Markle u emërua prezantuesja më e mirë gjatë 12 episodeve të podcast-it.

“Faleminderit Fondacionit Aleanca për Gratë në Media për këtë nder të rëndësishëm. Ky është një sukses që e ndaj me ekipin që qëndron pas “Archetypes”, shumica prej tyre janë gra dhe të ftuarit frymëzues që më shoqëronin çdo javë“, tha Dukesha në një deklaratë në faqen e internetit të Fondacionit Archewell./KultPlus.com

Tri motrat Brontë

Me sa duket, familja Brontë i detyrohet shumë Jorkshirit dhe Hauorthit. Veçanërisht tri motrat Brontë: Sharlotë (Charlotte), Emili (Emily) dhe Anë (Anne), emrat e të cilave lidhen menjëherë me peizazhin e lagësht e të vrazhdë të lëndinave angleze.

A ju thonë gjë malet dhe gëmushat e shqopishtave?

A nuk thërresin titujt e romaneve më të famshëm të epokës viktoriane?

Po, sigurisht që po, por edhe jeta e përditshme dhe mbresat e tri vajzave të reja, tri motrave të bashkuara nga pasioni i përbashkët. Në të vërtetë, fshati që i mikpriti që fëmijë, Hauorthi, me kalimin e viteve u shndërrua në vend pelegrinazhi, po kështu edhe shtëpia e familjes dhe kisha ku punonte i ati, një reverend. Se ç’ndikim ka pasur peizazhi që shoqëroi rrugëtimin e jetës së tyre të shkurtër dhe natyra e vendit në krijimtarinë e tyre, është një pyetje që mund të marrë lehtësisht përgjigje. Ndikimi ka qenë i madh dhe, pavarësisht disa udhëtimeve dhe periudhave jashtë vendit, ato i kanë qëndruar gjithmonë besnike. nga ana tjetër, një fakt edhe më magjepsës ka të bëjë me artin që i bashkon. Secila prej tyre shprehet vetëm me fjalë dhe njëkohësisht njëra me tjetrën. Në fakt, në 1847, ato kanë gati 3 romanet e tyre kryesore: “Xhejn Er”, “Maja të stuhishme” dhe “Anjezë Grej” – njëherazi. Botimi, në harmoni të përsosur, ishte një fakt që i kishte ndodhur tashmë treshes, vetëm dy vjet më parë. Kishin vendosur të botonin poezitë e tyre, të cilat i kishin shkruar në fshehtësi të plotë dhe tejet personale. Përballë heshtjes së Emilisë, Sharlotë pranon një kompromis. Koleksioni mund të shohë dritën, por vetëm me një pseudonim.

Shkrimi me pseudonim: e përbashkëta artistike e motrave Brontë

Zgjedhja e emrit, nuk është e rastësishme. Secila supozon një emër, që nuk lë të nënkuptojë aspak atë realen, përveç shkronjës së parë: Sharlotë zgjedh “Currer” , Emili dhe Anë, bëhen “Ellis” dhe “Acton”. Të gjitha me mbiemrin Bell – “këmbanë” në anglisht, për të na sjellë ndërmend një poetikë të caktuar. Me pseudonimi qëllimisht bishtnuese për sa i përket gjinisë, pasi nuk specifikojnë nëse janë autorë apo autore dhe pikërisht për këtë pasiguri funksionojnë aq mirë. Botimi bëhet në një vëllim të vetëm, edhe për shkak të temave të përbashkëta: marrëdhëniet e njeriut me natyrën ose me hyjninë, trazimet e dashurisë dhe lavdërimi i lirisë. Marrëveshja mes tre Brontëve është evidente në disa përshkrime të peizazhit dhe në mbresat më shpirtërore. Shpesh dashuria bëhet vuajtje, nuk u kthehet në këmbim ose tradhtohet. Sa herë kërkojnë ngushëllim, tashmë në shtëpi – si Anjeza te poezia “Ngushëllim” –  në agimin e parë të ditës – si Sharlotë te “Mëngjesi”. Edhe Emili i bashkohet korit melankolik, duke gjetur strehë në livadhet e njohura.

“Do të shkoj atje ku do të më çojë natyra: / Nuk dua të zgjedh tjetër udhërrëfyes: / ku kopetë gri kullosin midis grigjave; / ku era fryn e tërbuar mbi mal”. (E. Brontë).

Natyra është e gjallë dhe manifestohet në praninë e tyre, por evokimi i hapësirave të shqopishtës dhe shkëlqimit të hënës, nuk ngjallin gjithmonë ndjenja mirëqenieje ose përkatësie. Ndonjëherë tek Emilia, vargjet e së cilës janë më komplekset, shpirti i njeriut është i stuhishëm dhe po ashtu edhe natyra, e cila lidhet me të në harmonizim. Pamjet e stuhisë dhe erës, që trondit lumenjtë dhe pyjet përsëriten shpeshherë. Përkundrazi, Zoti mund të shfaqet indiferent ndaj kërkesave, të cilat bëhen të kota dhe të pashprehshme.

Marrëdhënia midis motrave dhe natyra e Jorkshirit

Emili Brontë përqafon kontrastet: dashurinë dhe urrejtjen, jetën dhe vdekjen, realen dhe imagjinare, i deshifron dhe e pohon praninë e tyre në çdo formë jetike. Në vend të kësaj, poezia e Sharlotë dhe Anë Brontë, ka luhatje të dobëta. E lëshojnë veten në keqardhje dashurie dhe lutje melankolike, herë-herë shtrijnë dorën drejt lirisë dhe refuzojnë hallkat e burgosjes, të gjitha me një dozë më të vogël tensioni.

“Do të doja të bredhërija lirshëm,/ një dehje po ma pushton mendjen/ me mendimin për të shkuar larg/ në botët fantastike-gëzim i çuditshëm /që nuk duron dot të jetë i burgosur/erë më të lehtë perëndimore”. (Sh. Brontë) .

Karriera e tyre si poetesha është mjaft e shkurtër, ashtu si ekzistenca e tyre. Na lënë pak rreshta dhe preferojnë të shprehen me prozë. Megjithatë, në paraqitjet e përshtypjeve të tyre romantike, ato sjellin elemente dhe tema që do të kthehen edhe në romane, shumë më të famshme se poezitë. Si pasojë, njohja e këtij aspekti të letërsisë së motrave Brontë mund të jetë e dobishme si në fushën artistike, ashtu edhe në atë njerëzore, për një qasje në njohjen e gjendjes së tyre shpirtërore.

Virxhinia Ulf, në një shkrim publikuar në “The Guardian” më 1904, nuk e ka të vështirë t’i përcaktojë “sentimentale” udhëtimet në Jorkshir dhe shtëpinë-muze të tri shkrimtareve. Në rrëfim, ajo përmend vendet që ka vizituar dhe për secilin përjeton një emocion të ndryshëm, thuajse kaq të fortë. Edhe tek ajo, Hauorth provokon njëherazi ëmbëlsi dhe zymtësi, drithërimë dhe frikë. Edhe Ulf rijeton stuhitë e jetës së shkurtër, të motrave Brontë në Jorkshir./Konica.al/ KultPlus.com

Si do të transformohet Kosova pas partneritetit mes Arizona State University dhe UNI – Universum International College

Në një lëvizje që padyshim se do të sjell revolucion në fushën e edukimit në Kosovë, Kolegji Universum,tashmë i njohur si UNI – Universum International College, ka njoftuar se do të krijojë partneritet strategjik me Arizona State University – ASU. Arizona State University, e themeluar në vitin 1885 dhe me rreth 150,000 studentë aktiv, është Universiteti më inovativ dhe universiteti publik më i mirë në SHBA.

 Me anë të këtij partneriteti, UNI – Universum International College bëhet ‘Powered by Arizona State University’. Por, çfarë do të thotë kjo për Kosovën? Cilat janë përfitimet e shtetit tonë?

Fillimisht, studentët e UNI, përveç që do të kenë qasje në kurrikulën moderne amerikane dhe në sistemin arsimor amerikan, do të pajisen edhe me diplomë të dyfishtë.

Kosova, duke qenë një shtet që vazhdimisht ka nevojë për inovacion dhe ndërmarrësi, si dy shtylla të një shteti modern dhe që aspiron të ketë rritje dhe stabilitet, do të përfitojë shumë, sepse tashmë kuadrot që do të përgatiten në UNI, rrjedhimisht në Kosovë, do të jenë kuadro që do të dalin dhe fuqizohen nga ASU, që është universiteti që inovacionin dhe ndërmarrësinë i ka shtyllat kryesore me të cilat mburret si institucion i edukimit të lartë.

Qasja që studentët dhe stafi akademik i UNI do të kenë në resurset e teknologjisë më të fundit në inovacion e ndërmarrësi të ASU-së, do të sjellin një kulturë të re të inovacionit dhe ndërmarrësisë, që do të jetë shumë e rëndësishmë për të ardhmen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Studentët kosovarë, për herë të parë në jetën e tyre do të kenë qasje në universitetin më inovativ në SHBA, nga Kosova, duke hapur kështu rrugë dhe horizonte të reja që më parë nuk kanë qenë as të ëndërruara. E ardhmja e Kosovës është padyshim e ndritur dhe ky partneritet vetëm se do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në rritjen dhe prosperitetin e vendit tonë.

Sektori i edukimit është një nga faktorët kyç në zhvillimin ekonomik dhe ky partneritet do të ndihmojë Kosovën që të pozicionohet si lider i inovacionit dhe ndërmarrësisë në rajon.

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni UNI – n në facebook & instagram./ KultPlus.com

‘Qe, ndoshta edhe ajo rrin si unë e humbun’

Anton Pashku: Poema simfonike, 1958

Qe, ndoshta edhe ajo rrin si unë e humbun
ne shkretinën e paanë të vetmis.
Rrin dhe rrënkon e flet me gjuhën e heshtjes…
Nji barkë u nis prej limanit, atëherë kur deti ishte
plot valë.
Stuhi! Stuhi…

N’at barkë lundronte nji zemër, zemër …
Stuhi…Barka hepohet, barka anohet…
Barka dhe vala…
Ej, oj…Zemra mbi barkë…
Stuhi…

Vala mbi barkë e zemër…
Oj…Zemra u fundos…
Ej, mbi det nji deshirë…
Ah…Valet e muerën… / KultPlus.com

Diamanti rozë ‘ultra i rrallë’ mund të shitet në ankand për më shumë se 35 milionë dollarë

Një diamant rozë me “ngjyrë dhe shkëlqim të veçantë” pritet të shitet mbi 35 milionë dollarë kur të dalë në shitje në Nju Jork, njoftoi të mërkurën shtëpia e ankandeve Sotheby’s.

Diamanti peshon 10,57 karat dhe quhet The Eternal Pink. Guri i çmuar “ultra i rrallë” do të dalë në ankand këtë qershor, katër vjet pasi firma afrikano-jugore De Beers e zbuloi atë në një nga minierat e saj në Botsvana.

Zyrtarisht i klasifikuar si “rozë e purpurt” në ngjyrë, ai është diamanti më i vlefshëm që është shfaqur ndonjëherë në ankand, sipas Sotheby’s. Kreu i bizhuterive të shtëpisë së ankandeve për Amerikën, Quig Burning, tha në një deklaratë se guri “po i bashkohej radhëve të diamantëve më të rëndësishëm në histori”.

Çmimi i diamanteve përcaktohet kryesisht nga ajo që ekspertët e gjeologjisë i quajnë katër “Cs”: karat, prerje, ngjyra dhe qartësi. Për klasifikimin e fundit, guri është klasifikuar si “pa të meta”, që do të thotë se çdo defekt është i dukshëm vetëm me zmadhim të afërt. Ndërkohë, ngjyra e saj është cilësuar “fantazi e gjallë”, shkalla më e lartë e ngjyrës intensive e arritur nga vetëm 4% e diamanteve rozë.

“Kjo ngjyrë është nuanca më e bukur dhe më e përqendruar e trëndafilit në diamante që kam parë ndonjëherë ose ka dalë ndonjëherë në treg,” tha Burning, duke shtuar “prania e pamasë dhe rrallësia e madhe e rozës së përjetshme e bëjnë atë të krahasueshme me kryeveprat më të fundit të artit. Ky është një diamant shumë më i rrallë se një Magritte ose një Warhol.”

Diamantet rozë janë rritur në vlerë vitet e fundit. Kjo është pjesërisht për shkak të një rënie të furnizimit të shkaktuar nga mbyllja e minierës Argyle të Australisë në vitin 2020, e cila më parë prodhonte shumicën e diamanteve rozë në botë. Sipas një indeksi të përpiluar nga brokerimi Australian Diamond Portfolio, çmimi mesatar i gurëve me ngjyrë u rrit me 30% vetëm në 12 muajt para qershorit 2021.

Eternal Pink u pre nga një diamant i përafërt, i zbuluar në vitin 2019, prej 23.87 karat, peshonte dy herë më shumë se ky diamant. Firmës Diacore iu deshën gjashtë muaj për ta transformuar gurin në formën e tij aktuale.

Më pak se 3% e diamanteve të paraqitura në Institutin Gemologjik të Amerikës (GIA) janë me ngjyrë, me ato rozë ndër më të rrallët, tha Sotheby’s. Në deklaratën për shtyp të shtëpisë së ankandeve, nënkryetari ekzekutiv i GIA-s, Tom Moses e quajti Eternal Pink një “shembull mahnitës”, duke shtuar se “linjat e tij të rafinuara të kombinuara me intensitetin e ngjyrës së tij i japin pamje si një nga perlat më të jashtëzakonshme në botë. ”

Guri do të zbulohet në Hong Kong të shtunën. Më pas do të ekspozohet në disa qytete, duke përfshirë Dubai, Singapor dhe Gjenevë, përpara se të niset për në Nju Jork për shitjen e qershorit.

Rekordi i ankandit për një diamant rozë ose një diamant të lëmuar të çdo ngjyre aktualisht mbahet nga një gur 59.6 karatësh që u shit për 71.2 milionë dollarë në Sotheby’s Hong Kong në 2017. Diamanti rozë u ble nga Hong Kongu Chow Tai Fook bizhuteri dhe u riemërua “CTF Pink Star”.

Një diamant rozë 11.15 karat i quajtur “Williamson Pink Star” ndërkohë mban rekordin për çmimin më të lartë të ankandit për karat, pasi u shit për 453.2 milionë dollarë Hong Kong (58 milionë dollarë) vitin e kaluar. /KultPlus.com

Clint Eastwood do të realizojë filmin e fundit në karrierën e tij

Clint Eastwood vendosi të realizojë film të ri me Warner Bros.

Ky aktor, i cili njëherësh është edhe regjisor e skenarist, tashmë ka realizuar 50 filma për më shumë se 5 dekada karrierë. Por duket se do të realizojë edhe një, e që do të jetë i fundit në karrierën e tij.

Sipas faqes së internetit DiscussingFilm, Eastwood ka filluar me regjinë e filmit të tij të fundit. Ky film do të prodhohet si pjesë e Warner Bros, ku Istvud ka zhvilluar projektet e tija për shumë vite.

Sa i përket detaleve për këtë film, flitet se ai është triller dhe titullohet Juror #2. Tregimi fokusohet tek një jurist, rreth gjykimit të tij për vrasje, i cili kupton se mund të jetë vrasësi dhe lufton me dilemën se a do të futet në burg, apo do të manipulojë me gjyqin që të ikë nga ky krim.

Megjithatë edhe pse për këtë film thuhet se do të jetë i fundit në karrierën e Eastwood, kurrë s’i dihet. Eastwood nuk ka thënë personalisht se më nuk do të realizojë filma pas këtij. Por me gjasë se ai së shpejti do të mbushë 93 vjet, dhe tashmë është angazhuar për më shumë se pesë dekada në karrigën e regjisorit, dhe ka mundësi që edhe të dalë në pension.

Detaje të tjera rreth projektit të tij të ri nuk janë bërë të ditura.

Me fjalë të tjera, Juror #2 do të jetë filmi i 40-të të cilit Eastwood do t’ia bëjë regjinë. Ai ka bërë edhe skenarin e tij.

Eastwood gjatë karrierës së tij të deritanishme është shpërblyer me një radhë çmimesh. Ai u nderua me çmimet Oskar në kategoritë për Regjinë më të mirë dhe Filmin më të mirë, për Unforgiven dhe Million Dollar Baby. Eastwood po ashtu u nominua për Oskar për filmat si Mystic River dhe Letters From Iwo Jima si dhe filmin “Changeling”, ku luan Angelina Jolie./21Media/KultPlus.com

168 vjet nga vdekja e shkrimtares së shquar, Charlotte Brontë

Charlotte Brontë ka qenë noveliste dhe poete angleze, e njohur në mbarë botën, shkruan KultPlus.

Romani i saj më i njohur është “Xhejn Er”, të cilin ajo e botoi nën emrin artistik Currer Bell.

Një jetime e vuajtur ngrihet në rangun e një heroine, e cila, guximtare, e çiltër dhe krenare, na tregon se si integriteti i një shpirti të dëlirë nuk komprometohet përballë asnjë tundimi, as atij që premton lumturinë. Libri, i kritikuar nga bashkëkohësit si një roman që përmbante nxitje revolucionare, të pamoralshme dhe antifetare, “Xhejn Er”, është sot një nga veprat më të kremtuara të të gjitha kohërave. I ekranizuar më shumë se çdo klasik i shekullit XIX, “Xhejn Er” solli një revolucion në artin e rrëfimit.

Falë tij, autorja Charlotte Brontë konsiderohet si “një nga historianet e para të ndërgjegjes individuale” dhe pararendësja letrare e shkrimtarëve si Joyce-i dhe Proust-i.

Kjo është historia e një jetimeje të zgjuar dhe plot temperament, megjithëse trupvogël e

shëmtaraqe. E abuzuar dhe e braktisur nga të afërmit e saj, heroina jonë lufton e patundur për një jetë të pavarur e dinjitoze. Xhejni do të kërkojë lumturinë me ngulmin e një shpirti rebel, por pa pranuar kurrë të bëjë kompromis me moralin e saj. Rrëfimi i apasionuar rrotullohet rreth historisë së dashurisë së Xhejn Erit me punëdhënësin e saj, zotin Roçester, një aristokrat arrogant dhe hijerëndë.

Romani përshëndeste një figurë heroike të panjohur më parë; një figurë e cila, falë integritetit virtuoz, intelektit të mprehtë dhe këmbënguljes së palodhur, arrinte të çante përmes barrierave të klasave sociale për të fituar një pozicion të barabartë me njeriun që dashuronte. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz e duan Xhejn Erin: ata mund të identifikohen me të. Ajo nuk është e bukur, shtatlartë apo e hijshme. Ajo është një vajzë fare e rëndomtë, nga ato që nuk bien në sy. E megjithatë, ajo gjen lumturinë romantike. Është një përrallë për të pasigurtët, për të gjithë njerëzit e zakontë. I lavdëruar nga William Makepeace Thackeray si “kryevepra e një gjeniu të madh”, romani “Xhejn Er” konsiderohet ende sot, më shumë se një shekull më vonë, një nga veprat më të hijshme të letërsisë angleze. /KultPlus.com

Këtë javë shfaqen skulptura që janë aq të vogla, sa janë të dukshme vetëm me mikroskop

Një seri veprash artistike mikroskopike, aq të vogla sa futen në vrimën e një gjilpëre, do të shfaqen në MB këtë fundjavë.

Nga e shtuna deri në tetor, Wollaton Hall në qytetin e Nottingham, Anglia veriore, do të presë një ekspozitë falas “Kryeveprat në miniaturë” me 20 skulptura nga artisti i njohur Willard Wigan.

Kryeveprat e vogla të ekspozuara përfshijnë një përshkrim të Jezusit dhe 12 apostujve gjatë skenës biblike të “Darkës së Fundit”, skulpturat e Uilliam Shekspirit dhe Albert Ajnshtajnit dhe personazheve imagjinar Pinocchio dhe Robin Hood, si dhe një rikrijim të holandezëve të famshëm. piktura e artistit Johannes Vermeer “Girl With A Pearl Earring”.

Katër vepra arti të papara kurrë që do të shfaqen do të jenë pjesë e koleksionit të artistit “Disappearing World”, i cili synon të pasqyrojë biodiversitetin në rrezik dhe të promovojë ruajtjen.

“Ne po e lidhim artin me një mesazh të gjërave të vogla që kanë rëndësi në një botë që po zhduket,” tha menaxheri i Wigan, John Bowden për CNN të mërkurën.
“Ne dëshirojmë që njerëzit të vijnë dhe të shohin ekspozitën dhe të marrin një mesazh, duke kuptuar se gjërat më të vogla në jetë mund të kenë ndikimin më të madh. Puna e Willard është vepra më e vogël e artit që dikush do të shohë ndonjëherë dhe që do të ketë ndikimin më të madh në ato”, shtoi ai, duke deklaruar se shpreson që ekspozita të formojë një komunitet dhe lëvizje për të “krijuar ndryshime brenda një bote biodiversiteti”.

Një qerpik për një penel
Për të bërë art mikroskopik, Wigan fillimisht duhet të bëjë mjete tepër të vogla. Këto priren të bëhen nga hala të mprehta të akupunkturës dhe copa diamanti të thyera në copa mikroskopike, tha artisti për CNN të mërkurën.

Më pas ai i pikturon skulpturat e tij me një qerpik dhe duhet të punojë midis secilës prej rrahjeve të zemrës së tij, sepse, nën mikroskop, një rrahje zemre bën që gishtat të lëvizin dhe një gabim mund të marrë pak kohë për t’u korrigjuar.

Procesi është “i mundimshëm”, sipas Wigan, i cili tha se duhet të kujdeset për dietën e tij, të pijë shumë ujë dhe ta mbajë trupin në gjendje të mirë sepse “ju duhet të stërvitni shkathtësinë tuaj. Ju po stërvitni mendjen, trupin dhe shpirti për të qëndruar i qetë.”

Artisti mund të punojë në katër ose pesë skulptura në të njëjtën kohë, duke punuar 16 orë në ditë deri në pesë javë.

“Në fakt nuk më pëlqen t’i bëj ato. Thjesht kënaqem kur i mbaroj sepse më stresojnë,” shtoi Wigan. “Por sapo të bëhen, lavdia është kur njerëzit e tjerë e shohin atë. Kur sheh njerëz me mosbesim në fytyrën e tyre, duke mos qenë në gjendje të shpjegojnë atë që po shohin, kjo më jep shumë kënaqësi.”

Arti si një “sistem mbrojtës”
Wigan, puna e të cilit dikur i ishte dhuruar mbretëreshës Elizabeth II, ka autizëm dhe disleksi dhe tha se ai ishte “nënvlerësuar” dhe “përçmuar”, ndërsa mësuesi i tij në shkollë i tha atij se nuk do të arrinte asgjë.
Ai tha se përvojat e tij të jetës kanë qenë një forcë shtytëse për artin e tij: “Është si një sistem mbrojtës të thuash “jo, vetëm sepse dikush ka një ndryshim në të mësuar, kjo nuk do të thotë të thuash se nuk ka asgjë për të ofruar”. “

Mikroartisti dhe ekipi i tij po e marrin “Disappearing World” në shkollat në Nottingham përmes një programi informues për të përhapur më tej mesazhin se “janë gjërat e vogla që ne të gjithë mund të bëjmë, që nëse i bëjmë ato së bashku, do të kemi ndryshime të mëdha”, tha. Bowden.
“Unë e kam përdorur punën time si një zë që flet për mua dhe flet për botën dhe flet për planetin gjithashtu”, shtoi Wigan.

Në një datë të mëvonshme, Wigan planifikon të ekspozojë 14 deve që ai i skaliti dhe i vendosi në një sy të vetëm gjilpëre.
Skulptura e parë e punuar me dorë e artistit që thyen rekord, e cila është bërë në vitin 2013 dhe do të shfaqet në ekspozitë, është e një motoçiklete Wigan e bërë nga ari 24 karatësh dhe e vendosur në një qime të zbrazura nga qafa e tij, sipas faqes së tij të internetit. .
Ai theu rekordin e tij në vitin 2017 me një skulpturë të një embrioni njerëzor që e bëri nga një fibër nga tapeti i tij dhe e vendosi në një fije floku të zbrazur. Është 0,07822 milimetra (pak më shumë se 0,003 inç) e gjatë dhe 0,05388 milimetra (pak më shumë se 0,002 inç) e gjerë, sipas Rekordeve Botërore Guinness./cnn/KultPlus.com

‘Mbi klasiken’ – Jorge Luis Borges

Jorge Luis Borges

Shumë pak disiplina kanë interes më të madh se etimologjia; kjo i detyrohet shndërrimeve të paparashikueshme të kuptimit të vjetëruar të fjalëve në rrjedhë kohore. Kjo mund të na dërgojë në paradoks duke patur shndërrime të tilla: zanafilla e fjalës mund t’i shërbejë sqarimit të një koncepti aspak ose shumë pak. Duke e ditur këtë punë më së miri, në latinisht, quhej gurëz ajo çka përdorej më herët prej pitagorasve përpara shpikjes së numrave, gjë që na mohoi përdorimin e fshehtësisë së algjebrës: duke e ditur se hipokriti ishte aktor, dhe njeri-maskë, pra; jo mjet i vlefshëm për studim etik. Paralelisht, për të mbërritur në shpjegimin e asaj çka kuptojmë sot me klasike, do të ishte e kotë të thuhej që ky mbiemër rrjedh prej latinishtes Classis, flotë, që do të marrë më pas kuptimin e rregullit. (Kujtojmë në vijim, ndërtimin analogjik të ship-shape).

Po cili është pra libri klasik? Po shfletoj mëtash përkufizimet e Elliot, Arnold dhe të Saint-Beuve, pa dyshime të arsyeshme dhe të qarta (të ndritshme), dhe do isha i lumtur me qenë dakord me këta autorë të shkëlqyer, por nuk do të konsultohem. Jam më shumë se gjashtëdhjetë vjeç; në moshën time, rastësitë dhe risitë kanë më pak rëndësi sesa ai që i beson vërtet. Do të kufizohem pra në deklarimin e asaj çka mendoj mbi këtë pikë.

Shtysa ime e parë qe një Histori e letërsisë kineze (1901) e Herbert Alien Giles. Në kapitullin e tij të dytë lexova një prej pesë teksteve kanonikë të botimit të Konfucit, që është Libri i tjetërsimit ose I King, i përbërë prej gjashtëdhjetekatër hekzagramesh, ku ai e shfrytëzon mundësinë e tjetërsimeve në gjashtë njësi ose në gjithë vargjet. Një prej shqyrtimeve për shembull, konsiston në dy vargje njëri pas tjetrit, marrë shkas dhe prej një tresheje të tërë, vertikalisht e modeluar. Një perandor i lashtë e pat zbuluar nën zhguallin e një breshke të shenjtë. Leibniz besonte se shihte në hekzagrame një sistem binar të numërimit; mandej, një filozofi enigmatike; mandej, si Wilhem-i, një mjet në përcaktimin e së ardhmes, qyshse gjashtëdhjetekatër figurat përkonin me gjashtëdhjetekatër fazat e ndonjë sekti apo procesi; mandej një fjalor të dofarë tribuje; mandej një kalendar. Mbaj mend se Xul-Solar e rikonstruktoi këtë tekst me shkopinj dhe fosfor. Për të huajt, Libri i Tjetërsimit krijon përshypjen e një lloj kinezerie; por mijëra gjenerata njerëzish të ngritur intelektualisht e kanë rilexuar me devotshmëri dhe ende vazhdojnë ta lexojnë. Konfuci u tha dishepujve se nëse fati do t’i jepte edhe një shekull jetë, gjysmën e tij do t’ia kushtonte studimit dhe komentimit ose mjerimit.

Qëllimisht zgjodha një shembull të skajshëm, sesi leximi na fton për një veprim besimi. Po i kthehem pra tezës time. Klasik, është libri ku një komb apo një grup kombesh (ase rrjedha kohore) kanë vendosur për ta lexuar nëse gjithçka ka qenë e qëllimtë në faqet e tij, fatale, e thellë si kozmosi dhe aftësia e interpretimeve pa fund. Siç edhe dihet, këto vendime variojnë. Për gjermanët dhe austriakët Fausti është njeri gjenial; për të tjerët, një prej formave më të famshme të mërzisë, libri i dytë i Parajsës së Miltonit apo vepra e Rabelaisës. Libra si ai i Jobit, Komedia Hyjnore, Makbethi (po ashtu edhe disa prej sagave të Veriut) premtojnë një përjetësi të pashtershme, por asgjë nuk dihet për të ardhmen, përveç se ndryshon prej të tashmes. Një preferencë mund të jetë mjaft mirë një supersticion.

Nuk e kam dhuntinë e ikonoklasit. Prej viteve tridhjetë besoja, duke u bazuar nën ndikimin e Macedonio Fernandezit, se bukuria është privilegj i pak autorëve; tashmë e di se ajo është e zakonshme dhe po na i merr sytë në faqet e rastësishme të mediokritetit apo në një dialog në rrugë. Kështu pra, padija ime për letrat malajziane apo hungareze është e plotë, por jam i sigurt nëse koha ka për ta sjellë rastin e studimit të tyre, kam për të gjetur gjithë ushqimin që kërkon shpirti. Pavarësisht pengesave gjuhësore që ndërhyjnë në politikë apo gjeografi. Burns është klasik në Skoci; jugut të Tuidit i intereson më pak Dunbar apo Stivenson. Lavdia e një poeti varet nga eksitimi apo apatia e gjeneratave të njerëzve anonimë që sjellin tregues në vetminë e bibliotekave të tyre.

Emocionet që përfton letërsia ndoshta janë të pashtershme, por kuptimi duhet të ndryshojë në mënyrë konstante, së paku në një trajtë të lehtë, pa e humbur fuqinë. Ato janë mbartur për tu njohur me lexuesin. Ndaj, rreziku i afrimit të këtyre veprave klasike ekziston dhe do të ekzistojë në përjetësi.

Cilido e humbet besimin për artin dhe për artificet e tij. Unë që po heq dorë nga dyshimi për kohëzgjatjen e përjetshme të Volterit ose të Shekspirit, besoj (fill këtë mbrëmje të një prej ditëve të fundit të vitit 1965) për Schopenhauer-in dhe Berkeley-n.

Klasik nuk është një libër (anipse po e përsëris) që ka detyrimisht këtë apo atë meritë; është një libër që gjeneratat njerëzore nxiten për arsye të ndryshme për ta lexuar me padurim prej fillimit në fund me një besnikëri misterioze.

Përktheu: Antonio Çikollari/Palipamsest/KultPlus.com

134 vjet nga hapja e Kullës së Eiffel-it, kuriozitete interesante

Kulla e Eiffel-it, njihet si një objekt ikonë në mbarë botën, që poashtu është edhe monumenti i cili mban rekordin e vizitorëve me pagesë. Ajo është e ndërtuar në kryeqytetin francez, Paris, dhe është ideuar nga inxhinieri dhe projektuesi Gustav Eiffel, shkruan KultPlus.com

Ndonëse Kulla Eiffel u kritikua nga artistët dhe intelektualët e kohës për dizajnin e saj, ajo është shëndrruar në një ikonë kulturore të Francës dhe një nga monumentet më të bukura dhe më të njohura në botë.

Kulla bën pjesë në trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe vizitohet nga rreth 6.91 milionë njerëz në vit.

Ajo ka përmasa gjigande, me 330 metra lartësi, baza e së cilës është 125 metra katrorë në katër anët.

Kulla peshon 10 000 ton, dhe në kohë me erë zhvendoset në maje afërsisht 6-7 cm.

U deshën pesë muaj për të ndërtuar bazamentin dhe 21 muaj për të ndërtuar konstruksionin metalik të kullës. 121 punëtorë të rregullt morën pjesë për ndërtimin e kullës, kurse 100 të tjerë punonin në parafabrikimin e pjesëve matike në tokë./KultPlus.com

Restaurohet shtëpia e Ryshyt Këpuskës në Gjakovë (FOTO)

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar fotografi nga shtëpia e restauruar e Ryshyt Këpuskës, e cila i takon aseteve të trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.

Kjo shtëpi konsiderohet të jetë një nga shtëpitë më të vjetra të qytetit të Gjakovës, me rëndësi të veçantë arkitekturore për qytetin.

‘Një nga shtëpitë më të vjetra në Gjakovë pas punimeve nga profesionistët ka marrë pamje të re. Shtëpia e Ryshyt Këpuskës në rrugën e Çabratit përfaqëson vlera unike të trashëgimisë kulturore si dhe ka rëndësi të veçantë arkitekturore për qytetin.’, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

‘Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka…’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Mëmëdhe quhet toka
ku më ka rënë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes./KultPlus.com

Të shtunën hapet ‘Gara e 3-të e Kompozitorëve të Ballkanit’

Gara e Kompozitorëve të Ballkanit do të hap edicionin e 3-të, të shtunën, me programin e koncerteve, edicion që do të hapet nga Daniela la Luz dhe Natyra Elezi, nën organizimin e DAM Festival (Kosovë) dhe NEC (Zvicër), shkruan KultPlus.

Daniela dhe Natyra janë dy muzikante me prejardhje krejtësisht të ndryshme, në lidhje me edukimin e tyre muzikor. Bashkimi i improvizimit të lirë dhe kompozimit në kohë reale si përbërës kryesorë, e më pas kombinimi i tyre me shkrirjen e elektronikës eksperimentale, xhazit, klasikes, minimales, meditueses dhe ndikimit të folklorit dallon stilin dhe repertorin e dy muzikanteve. Si dy gra “queer” me prejardhje të ndryshme kulturore, qëllimi i tyre është të krijojnë një hapësirë të sigurt të ndërgjegjësimit ndaj të sotmes. Duke përdorur muzikën si një mjet të fuqishëm transformues, ato duan të thyejnë barrierat sociale dhe frymëzojnë dialogimin.

Gara e Kompozitorëve të Ballkanit do të prezantojë programin e edicionit të 3-të deri më 7 prill në Prishtinë, kur edhe do të shpallet fituesi i “Rrëqebullit të Argjendtë” nga juria ndërkombëtare në përbërje prej Antoine Françoise (Zvcër), Susanne Peters (Gjermani) dhe Gregory Charette (holandë/SHBA).

Koncerti do të mbahet në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë prej orës 20:00.

/KultPlus.com

Profesori Krasniqi e kujton Toron si piktor dhe shok të mirë, tregon për bisedën e fundit që patën

Të enjten vdiq në moshën 56-vjeçare karikaturisti dhe piktori Mentor Ejupi, i njohur si Toro.

Ai la pas vetes familjen dhe një bagazh të madh të veprave të artit pamor që përfshijnë karikaturën, dizajnin grafik, portretin, aktin, artin konceptual, instalacionin dhe abstraksionin.

Një pjesë të madhe të karrierës artistike të tij ai e zhvilloi në Prishtinë, qytetin ku u lind dhe shkollua. Pjesën tjetër të jetës ai e vazhdoi në Hamburg të Gjermanisë ku edhe u bë protagonist i disa ekspozitave personale dhe kolektive.

Në kujtesën kolektive, Toro njihet si artist i cili kaloi nëpër të gjitha këto forma për t’u kompletuar si një artist bashkëkohor, shkruan Klankosova.tv.

Kolegu i tij, profesori i artit Faik Krasniqi e kujton atë se një piktor spiritual dhe shok të mirë.

Në një prononcim për Klankosova.tv, Krasniqi tregon për bisedën e fundit që e ka pasur me tani të ndjerin.

“Toro ka qenë karikaturist, disenjator grafik dhe piktor. Nga fundi i viteve të ’80-ta ai është marrë me pikturë dhe ka jetuar në Gjermani për një kohë të gjatë, ku ka nisur të merret edhe me instilacione”.

“E kam pasur mik dhe koleg sepse gjatë viteve të ’90-ta, ai është marrë edhe me dizajn grafik. Ai ka qenë tip mjaft spiritual, i gjallë dhe me humor tërë kohën. Mbi të gjitha, ai ka qenë një shok i mirë”, tha Krasniqi.

Tutje, ai tregon edhe për gjendjen shëndetësore që Toro e ka pasur para dy muajsh kur ka biseduar me të përmes telefonit.

“Unë e kam ditur që është keq më shëndet sepse fotografinë që e kam postuar në llogarinë time në Facebook është para dy muajsh kur kam folur online me të prej Gjermanisë. Andaj, e publikova atë fotografi kur mora vesh për vdekjen e tij – thash ta lajmëroj opinion”.

“Nga biseda e fundit, në tavolinë kishte disa vizatime poshtë e lartë – tha se nuk po mund të shkojë të punojë në atelie për shkak të problemeve shëndetësore. Gjatë kohës sa kemi biseduar, në shtëpi ka qenë në tavolinë i ulur duke vizatuar diçka”, u shpreh profesori i artit Faik Krasniqi.

Krasniqi tregon se pas asaj bisede është munduar ta kontaktojë sërish pas një muaji, por i njëjti nuk është lajmëruar më.

Edhe pse jetonte në një vend të zhvilluar ku arti ka perspektivë më të madhe, ai asnjëherë nuk mundi t’i harrojë rrugët ku i qiti hapat e parë të karrierës së tij – Prishtinën.Ekspozita “Find Something You Love and Let It Kill You” në Paper Gallery

Andaj, edhe ekspozitën e tij të fundit e ka hapur pikërisht në vendlindje. Në dhjetor të vitit 2022, “Paper Gallery” u bë nikoqire e ekspozitës së tij të titulluar “Find Something You Love and Let It Kill You”.

Në nderim të jetës dhe veprës së piktorit Mentor Ejupi – Toro, komuniteti shqiptar në Hamburg organizon akademi përkujtimore. Tubimi përkujtimor mbahet më 31 mars 2023, në ora 17:00 në atelienë TORO – Kanzlerstraße 6 – 21079 Hamburg/Harburg.

Varrimi bëhet të dielën më datë 2 prill 2023, në orën 13:00 te varrezat e fshatit Sekiraçë në Komunën e Podujevës. Ndërsa e pamja mbahet më datë 03 dhe 04 prill 2023, nga ora 09:00 deri në orën 17:00 në “Grand Hotel” në Prishtinë./klankosova/KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës sonte performon në qytetin e Gjakovës

Sonte institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, do të performojë në qytetin e Gjakovës vepra nga kompozitorët Brahms, Weber dhe Dvorakv, shkruan KultPlus.

Në rolin e solistit do të paraqitet klarinetisti Ardit Ibrahimi, përderisa koncerti do të dirigjohet nga Lirjona Sylejmani.

Koncerti do të organizohet në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi në ora 20:00./KultPlus.com

‘Sytë për ty i kam të njomë’ nga Nexhmije Pagarusha

Nexhmije Pagarusha është një këngëtare shqiptare e cila me zërin e saj të mahnitshëm dhe përgatitjen e saj profesionale, cilësohet si Diva e muzikës shqiptare,shkruan KultPlus.

‘Baresha’ është kënga që e njohin pothuajse të gjithë, e cila konsiderohet edhe si kënga më e dalluar e Pagarushës, të cilën e kompozoi bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, si dhe pati koncerte në disa shtete duke përfshirë edhe Shqipërinë, Bullgarinë, Sarajevën etj.

Ajo lindi në fshatin Pagarushë të Komunës së Malishevës më 7 maj 1933 dhe vdiç më 7 shkurt të vitit 2020.

Disa nga këngët e saj më të famshme janë:

“Ani mori nuse”

“Mora testin”

“Kur më shkon si zog n’hava”

“Kur më del në derë”

‘’Ke selvitë”

“Ç’u ngrit lulja në mëngjes”

“Çil njat zemër plot kujtime”

“Dallëndyshe”

“Një lule”

“Zambaku i Prizrenit”

KultPlus ju sjell një interpretim të Pgarushës me këngën ‘Sytë për ty i kam të njomë’:

Çeku nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e stadiumit në Hogosht, dhe rinovimin e stadiumit të Malishevës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrualla Çeku, ka nënshkruar marrëveshje për ndërtim dhe rinovim të stadiumeve në Hogosht dhe Malishevë, shkruan KultPlus.

Këto marrëveshje sipas ministrit Çeku janë nënshkruar pasi arritja e rezultateve të dëshiruara në sport, shkon krahas me përmirësimin e infrastrukturës sportive.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Ministrisë së Rinisë Kulturës dhe Sportit në facebook:

Angazhim maksimal për sportin

Arritja e rezultateve të dëshiruara në sport shkon krahas me përmirësimin e infrastrukturës sportive. Për pëmbushjen e këtij synimi, dje janë nënshkruar dy marrëveshje.

Në mes të ministrit Hajrullah Çeku dhe Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, u nënshkrua marrëveshja përmes të cilës MKRS mbështetë ndërtimin e stadiumit në fshatin Hogosht, projekt i cili parashihet të përfundoj në vitin 2025.

Marrëveshja e dytë iebashkëpunimit u lidh me Kryetarin e Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ku parashihet mbështetje financiare për punime në stadiumin e qytetit “Liman Gegaj”, investim që do të bëhet gjatë vitit 2023 dhe 2024./KultPlus.com

Posta e Kosovës e nderon artistin Ymer Shaqiri

Filatelia e Postës së Kosvës, sot ka vënë në qarkullim postar pullën me të cilën prezanohet puna e artistit Ymer Shaqiri, shkruan KultPlus.

Filatelia e Postës së Kosovës, përmes motiveve të pesë pullave postare, të cilat nga sot vihen në qarkullim postar, prezanton veprat e përzgjedhura të artistit, piktorit dhe grafistit të njohur të artit bashkëkohor, Ymer Shaqiri.

Ymer Shaqiri u lind më 1 tetor 1955, në Sveçlë, në jug të Podujevës. Akademinë e Arteve e kreu në Prishtinë në vitin 1981, nën drejtimin e Fatmir Krypës, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Akademinë e Arteve në Beograd më 1984, ku edhe mori titullin akademik.

Origjinaliteti në shprehjen e veçantë që karakterizon grafikën e autorit për nga stili dhe teknika paraqet një kulturë të lashtë. Detajet e kompozuara me kujdes dhe mjeshtëria në objektet e preferuara të artistit si porta, dyer, dritare me gozhda të ndryshkura, janë mesazhe të fuqishme që interpretojnë lashtësinë, vuajtjet dhe realitetin e vendit tonë.

Ka jetuar dhe punuar në Gjermani dhe Kosovë. Ai u nda nga jeta më 11 gusht 2021, duke lënë pas një punë kolosale si punëtor i palodhur që ishte.

Punimet e tij mund të gjenden në shumë koleksione, galeri dhe muze të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ishte pjesëmarrës në bienale dhe trienale në Slloveni, Japoni, SHBA, Francë dhe vende të ndryshme, dhe nga sot, përmes shërbimit postar të Postës së Kosovës, punimet e tij do të ekspozohen në mbarë botën duke na bërë jashtëzakonisht krenarë./KultPlus.com