Pas 3 vitesh mungesë rikthehen turistët japonezë në Muzeun e Krujës

Muaji mars ka shënuar një rritje të numrit të turistëve të huaj në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës.

Në këtë fillimjave Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e kanë vizituar një grup turistësh nga Japonia, të cilët janë njohur me historinë dhe traditat shqiptare.

“Pas 3 vitesh mungese për shkak të pandemisë në këtë muze janë rikthyer grupet e organizuara me turistë japonezë në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë”, tha për ATSH-në drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik, Mehdi Hafizi.

Hafizi theksoi se “vetëm në 3 javët e para të marsit ky muze është vizituar nga rreth 2000 turistë. Gjatë marsit është shtuar numri i turistëve me grupe të organizuara  si amerikanë, italianë, spanjollë, gjermanë, etj”.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim./atsh/ KultPlus.com

Rrëfimi i kolonelit holandez që mori pjesë në bombardimet e 24 marsit 1999 (VIDEO)

Koloneli Peter Tankink, pilot i Forcave Ajrore Mbretërore Holandeze, në natën e 24 marsit 1999, fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, kishte marrë urdhër që të fluturonte me avionët e parë bombardues mbi qiellin e Kosovës.

Si pilot i trajnuar mirë në avionin e tij F-16, detyra e tij ishte që, së bashku me tre avionë të tjerë gjuajtës, t’iu ofronte mbrojtje ajrore dyzet avionëve të tjerë bombardues, për të goditur caqet e para mbi Kosovë.

Papritmas, tre MiG-29 serbë ngrihen në ajër.

Ambasadori i Kosovës në Hagë, Lirim Greiçevci, në rrjetin e tij social Facebook pati publikuar rrëfimin e veçantë të këtij piloti hero holandez, se si kishte luftuar mbi qiellin e Kosovës, për lirinë e Kosovës.

Kjo video është realizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Holandës. / KultPlus.com

97 vite nga lindja e Dario Fo, dramaturgu fitues i çmimit Nobel

Ai ishte bufoni më i madh i epokës bashkohore, me sytë e mëdhenj dhe zërin e tij, atë përzierje fjalësh dhe tingujsh, që jehon përgjithmonë në veshët e pasardhësve.

Nëse dikush mendon për Dario Fo (lindur më 24 mars 1926), mendja i vete pashmangshmërisht tek grammeloti i tij, ai grumbull tingujsh, të huazuar nga gjuhë të ndryshme, rezultat i marrëzive dhe palaçollëqeve (gjeste zhurmuese me buzë), ajo furi gjuhësore dhe satirike që trondiste gjithçka (së pari shastisi pushtetin, kundër të cilit shakaxhiu u godit i paepur dhe gojëndyrë). Një shpikje që i dha çmimin “Nobel” në vitin 1997, me motivacionin e mëposhtëm: “duke ndjekur traditën e shakave mesjetare, ai u tall me pushtetin duke i kthyer dinjitetin të nënshtruarve”.

Dario Fo ishte krenar për nderimin e Akademikëve të Suedisë, të cilët me atë motivim treguan se e kuptonin misionin e tij, më mirë akoma misionin e tyre, të tijin dhe të Franka Rames. Ai u shpreh menjëherë: ai çmim nuk ishte vetëm i tiji, por ishte edhe i Frankës, Frankës së tij, partneres së tij, këshilltares së tij, gruas së tij, bashkautores së shumë dramave, engjëllit të tij, gruas që pas vdekjes do t’i shfaqej në ëndërr çdo natë, si për të hedhur poshtë ateizmin e tij.

Dario Fo dhe Franka Rame e kryen së bashku misionin e tyre: të tallen me pushtetin, të lëkundnin moralin, të tregonin forcën shpërthyese të asaj që i shpëton të zakonshmes, të asaj që i shpëton sanksionimit. Ishin vitet gjashtëdhjetë kur ata filluan të vënë në skenë teatrin e tyre të absurdit, duke e epuar atë në një dimension komik, me konotacione të forta klounistike. Dimensioni i absurdit (të trashëguar nga Jarry) shprehej që në tituj (“Kryeengjëjt nuk kërcejnë pupthi”, “Kush vjedh një këmbë, ka fat në dashuri”,  “Zonja duhet dëbuar”, “Fajin e ka gjithmonë djalli” ), ndërsa aktrimi dhe skenari ishin të orientuar drejt satirës dhe kritikës sociale.  Suksesi i madh erdhi me “Zotëria qesharak”  në ‘69, kur Fo, në vazhdën e shakave dhe tregimeve, luajti me materiale fetare, duke treguar, të shenjta dhe profane, histori të papëve pompozë dhe fshatarëve harbutë. Pikërisht atëherë satira u shfaq me gjithë fuqinë e saj subversive, duke ngjallur pakënaqësinë e Italisë Demokristiane dhe Papale, të cilat e dëbuan çiftin Fo-Rame nga qendra e vëmendjes televizive dhe nga i gjithë qarku i teatrove bardh e zi. Më pas, erdhën vitet e protestës, me masakrën e “Piazza Fontana” dhe strategjinë e tensionit.

Teatri i Fosë iu drejtua lajmeve dhe gazetës.

Satira drejtohej drejt një objektivi të ri: nga tallja e hipokrizisë fetare, kaloi në sulm kundër politikës, institucioneve, shërbimeve sekrete. Lindi pjesa “Vdekja aksidentale e një anarkisti” (për vdekjen e Pinelit); “Rrëmbimi i fanfanit”; “Nuk paguaj, nuk paguaj”, “Kush është?” etj. Grammelot dhe satirë: me këto armë, të rafinuara ndër vite, e ndërtoi Dario Fo teatrin e tij, duke e zgjedhur atë si vendin suprem për misionin etik, civil dhe politik. Një mision që nuk pësoi kurrë disfatë, edhe pas vdekjes së Franka Rame (e cila u nda nga jeta më 29 maj 2013).

Deri në fund Dario Fo punoi, shkroi libra, pikturoi (duke rizbuluar profesionin e tij të parë, pasi kishte ndjekur liceun artistik dhe Akademinë Brera). Në ditët e fundit, ai vuri në skenë tekstin e tij më të dashur, “Zotëria qesharak”. Dhe kjo, përkundër mendimit të mjekëve, pavarësisht insuficiencës respiratore dhe pavarësisht se i mungonte fryma në atë përmbytje përrallore që e bëri unik dhe të papërsëritshëm. / KultPlus.com

100 vjet nga lindja e Gjon Shllakut, përkthyesit të shquar të klasikëve helenë, latinë, francezë

Gjon Shllaku (Shkodër, 24 mars 1923 – 16 gusht 2003) ka qenë seminarist dhe më tej u shqua si përkthyes i klasikëve helenë, latinë, francezë.

Jeta

Leu djali i dytë i Prelë Shllakut dhe Pinës së Hilë Temalit, mes Lecit dhe Luigjit. Gjyshi i tij kishte rënë nga fundi i shek. XIX prej Logut të Gegajve të Shllakut në Shkodër, i ati kishte qenë blegtor në toka të marruna me qira. I ati i vdes qysh kur Gjoni ishte 1 vjeç, si rrjedhim duke mos e njohur të atin. Rritet jetim tek daja Ndoc Hilë Temali.

Tri klasët e para të fillores i kreu në kolegjën françeskane, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”. Nga 24 shtatori 1935 deri 9 dhjetor 1945 studioi në Seminarin Papnuer të Jezuitve duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë[1]?, studjoi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinishte, si gjuha e klerit që ishte. Nuk jepej gjuhë tjetër ndërkohë. Si student lexoi klasikët e antikitetit helen Sofokliun, Eskilin dhe Euripidin[2]. Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus.

Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte në 23 vjeç. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si antar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe në batat e Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkop Visarion Xhuvani, me të cilin thelloi njohuritë në greqishten e vjetër[1] , prej të cilës përktheu pjesë nga Bibla – Apostujt dhe Shenjtorët. Pati hasur edhe në një antologji të veprës së Homerit, të cilën e përktheu. Në burg nxuri greqishten e re, spanjishten dhe anglishten[2]. Pas daljes nga burgu më 1957[3] ka punuar te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim[4]. Pas rënjes së regjimit gëzoi njohjen e duhur të mundit, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat.
Përkthime dhe leksikografi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një ndër mjeshtrat e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit.[1] 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit[5]. Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”[6]. Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën[7].

Veprat

Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuara. Pas 47 vitesh i vëllai, regjizori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20 dt. 20 nëntor 1999[8].

Mirënjohje

Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti Sali Berisha. Në prill të 2003 i akordohet nga Pres.residenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh”[9] dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”[1]. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i “Penës së Artë” të dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001. Fitues i ”Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë[10].

Çështje diskutimi

Në një intervistë Gj. Shllaku përcjell se qe 16 vjeç kur hyri në Seminar[2], ka gjasë që data e lindjes në këtë artikull të bashkëndajë të njëjtin tipar josaktësie me raste të tjera në ato kohëra si p.sh. rasti i datëlindjes së Zef Pllumit. /KultPlus.com

Pse medoemos duhet pasur tradhtarë në vendet tona

Mungesa e themelit/shtetit në tri shkallë

Pjesa I

Ballsor Hoxha

A mos ndoshta është aq e qartë sot, sa që duhet të fillojmë të pyetemi, pse është duke ndodhur e njëjta gjë, si në Serbi si në Kosovë, shpallja tradhtar e secilit lider në secilin hap të krijimit (dhe jo të ndërtimit) të një marrëveshjeje të dyanshme?

Liderët e Vetë-Vendosjes kanë bërë një transparencë të jashtëzakonshme, për aq sa është në interesin e tyre, në të interpretuarit e Dialogut; Marrëveshjes, dhe aq më shumë të kyçit të tradhtisë/shpëtimit të vendeve tona, Serbi dhe Kosovë, nga rreziku që i kanoset që nga kohët e para. Por, në anën tjetër, tërë ajo që është mekanizëm interpretimi i të tjerëve, prej opozitës politike dhe deri tek mediat, kanë marrë argument për tradhti ashiqare, e qoftë edhe plojë e liderëve të VV.

Në këtë përpjekje që liderët e VV të japin ‘kronikën e një ecurie të paralajmëruar’, ishte, si shembull këtu, edhe intervista e Glauk Konjufcës më 22. 03 në një nga mediet e Kosovës. Por, për ta marrë shembull këtu, dhe për ta theksuar tragjedinë, kjo intervistë ishte aq shpirtngushtë, dhe aq e varfër, duke qenë vetëm reagim, dhe me këtë ngushtim i qarkut të sjelljes sonë politike deri në ngërç, në tërë hapësirën kosovare, sa që Konjufca vazhdimisht izolohej në këtë reagim, të varfër.

Në të vërtetë, liderët e VV, po sikur të gjithë liderët paraprak të Kosovës, kanë marrë hapin e hapjes së plagëve dhe aq më shumë të minave të Dialogut, Kosovë – Serbi, apo që ndryshe do të mund të quheshin Pajtimi (Reconciliation – term i ndërtimit të paqes) ndërmjet dy palëve armike.

Kjo është aq e qartë në theksin e gjuhës së folur të liderëve të VV, dhe aq më shumë në ndryshimin e diskursit të tyre. Dhe saktësisht në intervistën e Glauk Konjufcës dhënë në datën e cekur.

P. Sh. Ajo që e shkakton tërë kraterin për shkak të Dialogut, dhe me këtë të hapjes dhe pajtimit të plagëve, pra Asociacioni, Zajednica, Zajebnica, apo vetë-menaxhimi, doemos duhet të shihet në dy arkiva (prej nga edhe vjen diskursi) të politikës:

– atë globale, ku Serbia shërben si tunel, apo konduit i Rusisë, e deri në Asociacionin, Zajednicën, Zajebnicën e deri tek Vetë – menaxhimi;

– atë lokale si – Reconciliation – (pjesë e ndërtimit të paqes, pra Pajtimi) ndërmjet dy fqinjëve fizik, dhe, Qendër e orientimit tonë politik.

Derisa Konjufca, dhe VV, e kanë ndryshuar diskursin (shprehje që rrallë kush nga politika jonë e di se ç’është megjithëse përdoret më shpesh se çdo gjë tjetër) për hir të perspektivës globale, gjë që në çdo rast është në favor të Qendrës sonë – Shtetit tonë, duke qenë në interes global për ndërprerjen e luftës së Rusisë me Perëndimin përmes kalimeve, tuneleve që vijnë e shkojnë nga Serbia, ne megjithatë secilën herë, në secilin hapë dhe në secilën ecuri të ‘paralajmëruar’ – qoftë të kaluar dhe qoftë të tashme – përmbytemi dhe mbytemi në zonën e politikës sonë. Gjë që ka mundësi t’i ndodhë edhe VV në këtë hap./ KultPlus.com

Letra e një gruaje të moshuar e mbyllur në një shtëpi pleqsh

 

Unë jam 82 vjeçe, kam 4 fëmijë, 11 nipër e mbesa, 2 stërnipër dhe një dhomë 12 metra katrorë.

Unë nuk kam më një shtëpi ose gjërat e mia të dashura, por kam dikë që më rregullon dhomën, më përgatit ushqimin dhe më rregullon shtratin, më kontrollon presionin e gjakut, zemrën dhe më peshon.

Më mungon e qeshura e nipërve të mi, nuk më lejohet më t’i shoh teksa rriten, përqafohen dhe luftojnë. Disa prej tyre vijnë të më shohin çdo 15 ditë; disa çdo tre ose katër muaj; të tjerë, kurrë.

Unë nuk bëj dot më nuggets ose vezë të mbushura, role viçi të grirë ose qepje kryq. Kam ende hobi për të bërë dhe sudoku më argëton pak”.

Unë nuk jam vetëm, por ajo që më jepet është e pamjaftueshme të më rikthejë çfarë më bën të ndihem e mbushur me prani dhe e gjallë.

“Nuk e di sa do të më mbetet ende jetë, por duhet të mësohem me këtë vetmi, me këtë ikje që më trishton dhe më zbraz shpirtërisht.

Bëj terapi profesioni dhe ndihmoj kur të mundem ata që janë më keq se unë, edhe nëse nuk dua të lidhem shumë: zhduken shumë shpesh në skutën e vetmimit tim.

Thonë se jeta zgjatet dhe zgjatet. Pse? Kur jam vetëm mund të shikoj fotot e familjes sime dhe disa kujtime që kam sjellë nga shtëpia. Dhe kjo është gjithçka që kam.

Shpresoj që gjeneratat e ardhshme ta kuptojnë se familja është ndërtuar për të pasur një të nesërme së bashku (me fëmijë) dhe ti shpërblejmë prindërit tanë me kohën që na dhanë për të na rritur. / Përgatiti: Albert Vataj / KultPlus.com

Elder Hands

Shfaqja “Dhoma e ditës” nga regjisori Butrint Pasha, vjen premierë në teatrin “Dodona”

Shfaqja ‘’Dhoma e ditës’’ e cila po vjen premierë në teatrin “Dodona”, është një dramë-romantike e shkruar nga Richard Kalinoski dhe me regjisor Butrint Pashën i cili e ka vendosur skenikisht në formatin kamertal sipas asocimit me vetë titullin e shfaqjes, përcjell KultPlus.

Ngjarja flet për jetën e një regjisoreje të teatrit, Sandrës, që jetësohet nga Vjosë Tasholli dhe raportit të saj me nënën e saj të moshuar Abin, tetëdhjetë e pesë vjeçare, rol që luhet nga aktorja, Kumrije Hoxha. Konceptualisht shfaqja flet për procesin e shkëputjes së fëmijës nga nëna, nevojën për ndryshime në jetë, barrierat e shkëputjes nga familja e ngushtë dhe fatin e të moshuarve. Kjo shfaqje vë në pah dy pyetje substanciale për jetën e çdo njeriu, se sa iu detyrohemi prindërve dhe sa kanë të drejtë prindërit të përcaktojnë jetën e fëmijëve të tyre?

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Kumrije Hoxha, Vjosë Tasholli, Ermal Sadiku, Arta Lahu, Molikë Maxhuni.

Për kompozimin e muzikës origjinale të shfaqjes që do të performohet në skenë, ka punuar Adhurim Grezda, ndërsa për kostumet dhe skenën ka punuar Alma Krasniqi.

“Dhoma e ditës” është premierë absolute botërore, pasi që ky tekst inskenohet për herë të parë prej kohës që është shkruar në vitin 2019. Kjo është vepra e dytë e Richard Kalinoskit që inskenohet në Kosovë, pas ‘’Bisha në hënë’’, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në vitin 2019, që si rrjedhojë, ka sjellur edhe bashkëpunimin e dytë në mes të regjisorit Butrint Pasha dhe autorit.

Vlen të theksohet se ky tekst do të botohet tashmë edhe në gjuhën shqipe, pasi që ditë më parë është përzgjedhur në kontestin e përkthimeve dhe publikimeve ‘’EURODRAM 2023’’ si projekt nga përkthyesi i tekstit, Brezar Xërxa.

Shfaqja është produksion i ‘’Delja e Zezë’’ në bashkëpunim me teatrin e qytetit ‘’Dodona’’, si projekt i mbështetur nga Komuna e Prishtinës.

Shfaqja do të vij si premierë në Teatrin e qytetit ‘’Dodona”, me datën 29 Mars 2023, si dhe repriza e parë që do të jepet më datën 30 Mars, me fillim prej orës 19:30. / KultPlus.com

Romani i shkruar në Debrecen nominohet për një çmim evropian

Për nominimin e romanit “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” të Ag Apollonit, kanë raportuar edhe mediat hungareze, meqë ky roman është shkruar gjatë një rezidence letrare të autorit në Debrecen të Hungarisë

Magyar Evelin

Debrecen. 24 mars 2023. – Me Ag Apollonin folëm verën e kaluar gjatë qëndrimit të tij këtu: ai kishte shumë shpresa për romanin e tij të ri, i cili tani është duke bërë jehonë.

Ag Apolloni ishte pjesë e Programit të Rezidencës së Shkrimtarëve në Hungari në vitin 2022, ku kaloi ditët e tij të verës në Debrecen. Gjatë këtij qëndrimi, portali Dehir bëri një intervistë të këndshme me shkrimtarin shqiptar. Gjatë javëve që kaloi këtu, në një shtëpi në rrugën Zöldfa, ai shkroi një libër me titull “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”. Ky roman u nominua për Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsi, siç njofton një artikull në debrecenliterature.hu.

Verën e kaluar, autori foli me portalin Dehir për qëndrimin e tij këtu: “koha e kaluar në Debrecen më frymëzon, më pëlqen të endem rrugëve: disa elemente të qytetit shfaqen në romanin tim”. Romani i shkurtër (drafti i parë kishte rreth 140 faqe) është një version i Kësulëkuqes dhe Ujkut, në të cilin luajti rol edhe lufta e Kosovës e përjetuar nga Apolloni, si dhe pasojat e përdhunimit të grave gjatë asaj kohe.

Shkrimtari shqiptar nga Kosova aplikoi për bursë në Agjencinë Kulturore Petőfi pasi një mik i kishte folur mirë për periudhën e tij krijuese në Pecs. Autori, i njohur si dramaturg dhe gazetar, mbërriti në qytet më 15 korrik dhe u kthye në vendin e tij më 10 gusht. Pasi u kthye në shtëpi, përkthimi i intervistës sonë me autorin u botua edhe në portalet në gjuhën shqipe.

(Intervistën për portalin Dehir, dhënë vitin e kaluar, mund ta lexoni më poshtë)

Ag Apolloni në Debrecen po e shkruan një përrallë për të rritur

Shkrimtari shqiptar, i cili po shkruan romanin e tij të ri në qytetin tonë, është magjepsur nga Debreceni. Ai këtu po e shkruan një përrallë për të rritur

Debrecen. – 7 gusht 2022. Shkrimtari erdhi në takimin tonë të mëngjesit në Nagytemplom me syze dielli dhe me humor të mirë. Ag Apolloni nga Rezidenca e Shkrimtarëve në Debrecen erdhi në bisedë nga një shtëpi borgjeze në rrugën Zöldfa. Edhe pse gjuha hungareze është shumë e vështirë për të, ai shqipton emrin e rrugës me mjeshtëri dhe kuptueshmëri, pastaj kthehet te Nagyerdő dhe artistët që kanë punuar në qytet: kuptohet se autori shqiptar, me të cilin folëm në anglisht, njeh mirë kulturën hungareze.

Shkrimtari shqiptar-kosovar aplikoi për bursë në Agjencinë Kulturore Petőfi pasi një mik i foli fjalë të mira për periudhën e tij krijuese në Pecs. Autori, i njohur si dramaturg dhe gazetar, mbërriti në qytet më 15 korrik. Për gati një muaj, ai u mbush me përvoja të shkëlqyera, duke krijuar, dhe duke u zhytur në kulturë dhe argëtim, të gjitha këto i përshtateshin kohës së tij.

– Më pëlqen të endem nëpër qytet: kam qenë më parë te statuja e Petőfit dhe më janë rikthyer shumë kujtime të vjetra. Kur isha fëmijë, lexova librin me poezi të poetit në bibliotekën e qytetit dhe kurrë s’i harrova vargjet: “Për dashuri e jap jetën,/ për liri e flijoj dashurinë,” – e kujton shkrimtari poetin tonë në qendrën e qytetit duke pirë një kafe. Apollonit i lanë përshtypje jo vetëm poezitë e poetit, por edhe rrugëtimet e tij jetësore: autori poston rregullisht për këtë dhe ditët e tij në Debrecen në faqen e tij në Facebook.

Apolloni e njeh veprën e Imre Kertész dhe Attila József, por gjithashtu i pëlqen romani “Dera” i Magda Szabo-s: ai vizitoi statujën e shkrimtares në sheshin kryesor dhe shtëpinë përkujtimore të ngritur për nder të saj, por vizitoi edhe statujat e Lőrinc Szabó dhe Endre Ady, si dhe Kopshtin Memorial, ndër të tjera. Shkrimtarit dashamirës të natyrës i pëlqen të bëjë foto dhe me kënaqësi m’i tregon fotot në tarracën e kafenesë.

Shkrimtari ka vizituar edhe performancën e “Flautit magjik” dhe i ka lënë përshtypje opera e njohur. Krijuesi, i cili është gjithashtu me përvojë teatrore, ka shijuar edhe atmosferën e Lojërave Festive në Debrecen: javën e kaluar ai pa kryeveprën e Mozart-it, “Flauti magjik”, në zemër të Pyllit të Madh.

Apollonit i bëri përshtypje performanca në gjuhën hungareze me titra në anglisht, duke vlerësuar pamjen, tingullin dhe aktorët.

– Koha e kaluar në Debrecen ka një efekt frymëzues tek unë: disa elemente të qytetit shfaqen në romanin tim të ardhshëm – zbuloi shkrimtari, i cili aktualisht po shkruan një përrallë postmoderne të destinuar për të rritur. Romani i shkurtër, rreth 140 faqe deri tani, do të jetë një version i “Kësulëkuqes”, në të cilin luan rol edhe lufta e Kosovës e përjetuar nga Apolloni, si dhe dhuna ndaj grave gjatë luftës. Autori ka ecur mirë me veprën e tij gjatë javëve të kaluara këtu. Sipas planeve, vëllimi i tij i ri do të botohet në fillim të vjeshtës.

Megjithëse veprat e tij nuk janë botuar ende në gjuhën hungareze, shpresojmë që ky roman i shkurtër të lexohet edhe në hungarisht. Iniciativa do të ishte emocionuese qoftë edhe për shkak të elementeve nga Debreceni, mendoj unë, ndërsa e aprovon edhe Apolloni.

Krahas letërsisë hungareze, shkrimtari ka shijuar edhe gatimet vendase: të preferuar e ka gullashin hungarez, por gjithashtu ka shijuar edhe birrat. Ia sugjerova edhe “kürtőskalács” dhe “lángos” të cilat tha se patjetër do t’i provojë.

Apolloni tregoi se ka në plan të vizitojë Budapestin para se të kthehet në shtëpi: kryeqyteti është një kujtim fëmijërie për të, ai kujtoi se si ishte të kalonte lumin e madh kur ishte fëmijë duke ikur ilegalisht për në Gjermani me familjen e tij. Ai gjithashtu nuk e konsideron të pamundur që në të ardhmen të kthehet në vendin tonë, pasi i ka lënë shumë përshtypje atmosfera vendase./ KultPlus.com

Presidentja: Epopeja e Dukagjinit, një nga ngjarjet më heroike të luftës së UÇK-së për lirinë e vendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Epopenë e Dukagjinit.

Presidentja Osmani ka thënë se Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit.

Në vijim gjeni të plotë deklaratën e Presidentes Osmani:

Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit.

Më 24 mars 1998 forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë sulmuan Gllogjanin, teksa familja Haradinaj me qëndresën heroike tregoi se liria ishte e panegociueshme.

Dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj në këtë ditë ranë në altarin e lirisë, ndaj sot e përherë i kujtojmë me respekt, sikurse edhe të gjithë ata që luftuan dhe që përmbushën ëndrrën e brezave për shtet.

Epopeja u zhvillua në të njëjtën ditë kur nisën bombardimet e NATO-s kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndaj ajo paraqet fillet e lirisë, vulën e së cilës ia dhanë veprimet ushtarake të Aleancës veri-Atlantike.

Respekt dhe kujtim i përhershëm për të gjithë luftëtarët e UÇK-së dhe të gjithë miqtë tanë që mbështetën luftën tonë për liri dhe shtetndërtim! / KultPlus.com

Lahuta në UNESCO, komuniteti i bartësve propozon masat mbrojtëse

Grupi i ekspertëve, komuniteti i rapsodëve dhe bartësve të mjeshtërisë së bërjes së lahutës, ardhur nga Malësia e Madhe, Tropoja, Puka, Lezha e Mirdita, u mblodhën në Shkodër, në një takim në kuadër të përgatitjes së nominimit të dosjes së Lahutës në UNESCO.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila publikoi në rrjetet sociale foto nga ky takim.

Ministrja bëri të ditur se, kjo nismë është ndërmarrë nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (The_AADF).

Margariti tha se, “mbështetja e lahutarëve me qëllim përcjelljen e dijebërjes së këtij instrumenti, transmetimin e traditës së të kënduarit me lahutë tek brezat e rinj, plotësimin e një harte të arealit ku ruhet lahuta tradicionale ishin disa nga masat mbrojtëse të propozuara nga komuniteti i bartësve”./ atsh / KultPlus.com

Ndodh mrekullia në Itali, realizohet operacioni që i solli shikimin një të verbri

Një operacion i jashtëzakonshëm që u krye në spitalin Molinette në Torino të Italisë, arriti t’i rikthente pjesërisht shikimin një pacienti 83-vjeçar, i cili vuante nga verbëria totale për shkak të dy patologjive të tjera nga të cilat vuante.

Mjekët arritën të realizonin një autotransplant korneal gjë që bëri të mundur rindërtimin e një syri me shikim nga dy të verbër, një ndërhyrje kjo që konsiderohet si e para e këtij lloji në botë.

I moshuari kishte humbur shikimin në syrin e majtë prej 30 vitesh për shkak të verbërisë së pakthyeshme të retinës dhe në 10 vitet e fundit kishte humbje të dritës dhe në syrin e djathtë për shkak të një sëmundje të rrallë.

“Kur u zgjova dhe fillova të shikoja gishtërinjtë dhe dorën sime, ishte sikur të kisha lindur sërish”, tha burri pas operacionit. Tashmë dy javë pas operacionit, ai mund të dallojë objektet dhe fytyrat me syrin e djathtë dhe të lëvizë i pavarur. / a2cnn / KultPlus.com

Haki Misini, zëri i muzikës rok që u vra pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për bombardimet e NATO-s

Haki Misini mbetet një nga zërat më të mirë të muzikës rok në vitet e 70’ta në Kosovë. Të gjithë e besuan që zëri i tij do të vazhdojë të dëgjohej edhe për shumë vite, për atë e ndalën forcat serbe ku tash e 24 vite më parë edhe e vranë, shkruan KultPlus.

Haki Misini u vra vetëm pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për bombardimet e NATOS-s dhe kjo ishte dhimbja më e madhe.

Misini atë kohë vepronte në grupin MAK, ku gjithashtu një tjetër anëtar i grupit, Mehmet Tupella u vra gjatë luftës duke bërë kështu që zëri i këtij grupi tashmë të dëgjohet vetëm përmes këngëve të tyre që kanë mbetur pjesë e historisë së muzikës kosovare.

Thuhet që gjëja e fundit që Haki Misini mori nga shtëpia e tij prej nga ku e nxorën forcat serbe, janë cigaret me të cilat do të largohet për të mos u kthyer më i gjallë pranë familjes.
Trupi i tij e i disa personave të tjerë u gjetën në vitin 2005 në Suhodoll të Mitrovicës, dhe pas kësaj eshtrat e tij prehen në varrezat e tokës së Kosovës.

“Moj e mira te pojata”, “Tri gota”, “Në syrin tënd pash një lot” , “Idila verore”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, janë këngët që edhe sot vazhdojnë të dëgjohen e interpretohen nga artistë të ndryshëm.

Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend. /KultPlus.com

24 vjet nga vrasja e Bajram Kelmendit dhe dy djemve të tij

Sot u mbushën 24 vjet nga vrasja e avokatit të shquar shqiptar Bajram Kelmendi dhe dy djemve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit.

Kujtojmë se atëkohë avokati Kelmendi së bashku me dy djemtë e tij ishin marrë me dhunë nga forcat serbe me datën 24 mars, pikërisht në ditën që NATO-ja edhe filloi bombardimet e para në Kosovë ndaj caqeve serbe.

Bashkëshortja e avokatit Bajrami dhe nëna e dy djemve të saj, Kastriotit dhe Kushtrimit, Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, lajmin për vendndodhjen e kufomave të familjarëve të saj e kishte marrë më 26 mars.

Kufomat ishin gjendur afër një distributori gazi në rrugën Prishtinë – Fushë-Kosovë.

Kujtojmë se Kelmendi si avokat kishte proceduar një dosje për krimet e regjimit të Milosheviqit në Kosovë, të cilën do ta dorëzonte në Hagë.

Bajram Kelmendi ishte edhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut. / KultPlus.com

Bombat e NATO-s dhe fundi i pushtimit serb në Kosovë

Përkujtesë historike: 24 mars 1999

Jusuf Buxhovi

Fushata ushtarake ajrore e NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore jugosllave në Kosovë dhe Serbi nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, paraqet një ngjarje gjeostrategjike të përmasave botërore. Jo vetëm pse parandaloi soldateskën e Millosheviqit që çështjes së Kosovës t’i japë zgjidhje ushtarake në përputhje me projektin e pastrimit etnik të saj me mjetet e luftës, por edhe për atë se Aleanca Veriatlanike e drejtuar nga administrata amerikane, në pesëdhjetëvjetorin e saj, ndryshoi edhe karakterin, nga faktori i sigurisë veriatlantike, që kishte gjatë bipolaritetit blokist, tek krijuesja e paqes.

Veprimi ultima ratio i NATO-s, ndonëse theu edhe rendin e deriatëhershëm botëror të sovranitetit shtetëror, u bë me pretekste humanitare në përputhje me pikën shtatë të kartës së OKB-së, me të cilën parashihet ndërhyrja humanitare në rastet kur shteti përdor mjetet ushtarake kundër pakicave ose grupeve etnike. Vendet perëndimore në krye me SHBA-të ia dolën që në nëntor të vitit 1998, pas masakrave të forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Drenicë, gjatë marsit, me ç’rast u masakruan familje të tëra (të Delijajve, Jasharëve e të tjera) si dhe ofensivës së verës dhe vjeshtës ndaj grupeve të UÇK-së në gjithë vendin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të nxjerrin një rezolutë (1153) ku bëhet fjalë për krizën humanitare që kërcënonte popullatën e Kosovës, veçmas zhvendosjen e mbi 200 mijë vetave që u ishin shkatërruar shtëpitë dhe pronat. Kjo, megjithatë, nuk e ndaloi regjimin e Beogradit, që përkundër marrëveshjeve me OSBE-në, OKB-në dhe NATO-n, për ndërprerjen e luftimeve dhe kthimin e të zhvendosurve, duke siguruar kushie për to, të vazhdojë misionin për pastrimin etnik të Kosovës me anën e provokimeve luftarake, siç ishin masakra e Raçakut në janar të vitit 1999 si dhe krimet tjera në Rugovë të Hasit dhe pjesë të tjera të pambrojtura, ku përherë pretekste gjendeshin te ”provokimet” e njësive të UÇK-së, ndonëse në nëntor të vitit 1998, Millosheviqi kishte shpallur fitoren ndaj “terroristëve shqiptarë”.

Sjellja e tillë e Millosheviqi, në shkurt të vitit 1999, i detyroi vendet perëndimore në krye me SHBA-të, që luftën e deriatëhershme diplomatike ndaj Beogradit ta kthejnë në diplomaci të luftës. Kjo u pasqyrua më së miri me thirrjen e Konferencës ndërkombëtare të Rambujesë nga 6 shkurti deri më 18 mars, me ç’rast, delegacionit të shqiptarëve të përbërë nga përfaqësuesit e LDK-së, UÇK-së, LBD-së dhe dy përfaqësuesve të pavarur si dhe delegacionit të Serbisë,iu ofrua një pako kushtesh ultimative për ndërprerjen e luftimeve dhe krijimin e rrethanave të paqes, të cilat. Ato, në formë e një letre zotuese, u pranuan nga shqiptarët, por u refuzua nga Millsheviqi, me çka u krijua casus belli për fushatën ushtarake 78 ditësh, që përfundoi me marrëveshjen e Kumanovës midis gjeneralëve të NATO-s dhe Armatës Jugosllave për tërheqjen e forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja ushtarake e Kumanovës e 10 qershorit ia hapi rrugën rezolutës 1244 të KS të OKB-së të 12 qershorit, me të cilën Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar nën përgjegjësinë e misionit të KFOR-it dhe të UNMIK-ut. Misioni zgjati deri më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë.

Natyrisht se 24 marsi i vitit 1999, si ngjarje që pas fushatës njëmbëdhjetë javësh ajrore të NATO-s i dha fund pushtimit 87 vjeçar serbo-jugosllav të Kosovës, nuk duhet parë të shkëputur nga zhvillimet shoqërore politike që përcollën fatin e Kosovës dhe të pjesëve të tjera të etnisë shqiptare të shkëputura dhunshëm nga trungu i saj me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, atyre të Konferencës së Paqes të Parisit të vitit 1920, Konferencës së Jaltës dhe veçmas ato që solli përfundim i Luftës së Dytë botërore, pas intermexos së shkurtër të “bashkimit” të pjesshëm (1941-1944). Meqë ato vazhdimisht pasqyruan kundërshtimin pushtimit serbo-jugosllav me kryengritje, luftë kaçake dhe forma të tjera të rezistencës popullore paçka se u përcollën me shtypje dhe terror të egër policor dhe ushtarak. Natyrisht se përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar dhe përkatësi botës perëndimore nuk u shuan as atëherë, kur pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, ideologjia komuniste si dhe bashkëpunimi internacionalist shqiptaro-jugosllav në frontin e përbashkët antifashist në rrethanat e vëllazërim-bashkimit midis Tiranës dhe Beogradit, Kosovës ia riktheu pushtimin serb bashkë me metodat e njohura antikombëtare (terrorin shtetëror ndaj “kundërrevolucionarëve” dhe “kuislingëve”, kolonizimin e serbëve të përcjellë me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi) si dhe metodat tjera të dhunës shtetërore, që vazhduan deri në vitin 1966. Në këto rrethana, në Kosovë pati lëvizje ilegale të mbështetura mbi koneceptin e iredentizmit ideologjik. Kapitulli i iredentizmit ideologjik, megjithatë mori fund, ku në perudhën postbrioniane, pas disfatës së unitarizmit serb, dolën në pah përpjekjet për barazi. Në demonstratat e vitit 1968, ato patën për moto kërkesën për Republikën e Kosovës, me ç’rast, u hap kapitulli i luftës për zgjerimin e identitetit kulturor, arsimor dhe zhvillimit ekonomik mbi bazat institucionale. Fryt i tyre ishte themelimi i Universiteti të Kosovës, Akademisë së Shkencave dhe Arteve, zgjërimi i veprimtarisë botuese, asaj hulumtuese-shkencore si dhe krijimi i institucioneve të tjera kombëtare. Këto kërkesa për pikënisje kishin shkëputjen nga Serbia nëpërmes lidhjes me federatën jugosllave, siç do të arrihet me kushtetutën e vitit 1974. Kërkesa legale për barazi në federatë nga klasa intelektuale dhe ato të grupeve ilegale, që vepruan vazhdimisht me platformën e çlirimit dhe të bashkimit qoftë edhe me anën e irredentizmit ideologjika të bazuara mbi të drejtën e vetëvendosjes së popujve, u bënë kompatabile dhe u vunë në binarët e njëjtë politik, çastin që Beogradi, më 23 mars 1989, me anën e një puçi kundër kushtetutës federative, rrënoi me dhunë autonominë e Kosovës.

Me themelin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989, lëvizja e rezistencës institucionale-paqësore (me shtetin paralel), në vitin 1997, me daljen në skenë të UÇK-së nga shtrati i guerilë së Kosovës si pjesë e konceptit të vetëmbrojtjes, vuri në veprim diplomacinë e luftës. Pra, angazhimi dhe mundi i shumë gjeneratave për barazi dhe liri, ku nuk u kursye edhe gjaku, e mbi të gjitha përcaktimi që çlirimi nga Beogradi të bëhet me ndihmën e Perëndimit (SHBA-ve dhe NATO-s), këtij procesi historik ia siguruan suksesin, që solli edhe shtetin e Kosovës – të arriturën më të madhe të këtij shekulli. / KultPlus.com

Distria fantastike, kualifikohet në finale dhe i siguron Kosovës medalje

Distria Krasniqi ka arritur me sukses në finale të Grand Slamit të Tbilisit.

Xhudistja kosovare triumfoi në gjysmëfinale ndaj gjermanes Mascha Ballhaus, shkruan Gazeta Express.

Gjatë tërë ditës, Krasniqi tregoi formë fantastike, duke i arritur tri fitore.

Në finale, Krasniqi do të përballet me xhudisten nga Uzbekistani, Diyora Keldiyorova. / KultPlus.com

Fjalimi i Bill Clinton për vrasjet në Kosovë pak para bombardimeve të NATO-s (VIDEO)

Në një fjalim më 24 mars të vitit 1999, Clintoni tha se brutaliteti serb ndaj kosovarëve nuk po ndalej, transmeton KultPlus.

“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha ai.

Ai shpjegoi për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë, gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.

“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre…kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, shton Clinton.  

Këtë video e ka publikuar sot edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila ka falënderuar Shtetet e Bashkuar të Amerikës për këtë ndërhyrje.

“24 vite që kur bota demokratike ndaloi shfarosjen e popullit tonë. Faleminderit përjetësisht”, shkruan Osmani. / KultPlus.com

Shfaqja “Antigonat” nga Erson Zymberi vjen premierë në Teatrin “Hadi Shehu”

Shfaqja “Antigonat” me regji të Erson Zymberit po vjen premierë në Pallatin e kulturës – Galeria e qytetit, në Gjakovë si një lexim i ri, ndoshta edhe arbitrar, i një rrëfimi mirë të njohur, të dëgjuar e parë shpesh edhe në skenë, përcjell KultPlus.

“Në një shkrirje të qëllimshme të dy dramave (të Sofokliut dhe Jean Anouilh), ne kemi krijuar një lëndë skenike të re, më të dendur, e të cilën e kemi plotësuar e qëndisur “me pak dhimbje të freskët – sa për të dëshmuar sërish e sërish, se fatet njerëzore përsëriten, ashtu siç përsëriten edhe dramat e tragjeditë njerëzore. Por mbi të gjitha, me këtë shfaqje, ne duam të tërheqim vëmendjen tek patriarkati, jo më vetëm si shtypës dhe si pengues i prosperitetit e zhvillimit shoqëror, por edhe si formë e shtypjes së njërës prej ndjenjave më sublime: domosdoshmërisë së njeriut për të kujtuar e për të mbajtur mend”, thuhet në njoftim.

‘Antigonat’ janë nënat, gratë e motrat tona të cilat me kurajo e vendosmëri e sfidojnë harresën, e sfidojnë arrogancën dhe përbuzjen shoqërore. Ato janë gra në zemrat e cilave gjenden muzetë e dhimbjes më të madhe njerëzore. Kur mbamendja jonë mund ta harroj pamjen e tmerrit, të mizorive, të dhimbjes e trishtimit, atë do të mund ta gjejmë sërish në sytë e zemrat e këtyre grave.

Shfaqja vjen premierë me datën 27 mars, e që ngjizë dy data, dy ditë, dy kujtime, njërën atë të ditës botërore të teatrit dhe tjetrën, ditën e zezë e të kobshme të familjes Qerkezi, ku zonjës Ferdonije Qerkezi, më 27 mars 1999, i është marrë burri dhe katër djemtë e saj. Të dy këto data, të cilat njashtu si dy maskat e teatrit shpalosin dhimbjen njerëzore dhe misionin e teatrit si platformë e medium i gjallë, i drejtpërdrejtë e i vërtetë, na bëjnë ndërtues’ e përgjegjës artistik dhe jo vetëm.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Vlora Dervishi, Bujar Ahmeti, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Myrvete Kurtishi, Edmond Hafizademi, Arbies Komoni, Altina Kusari.

Pas premierës së 27 marsit në Pallatin e kulturës – Galeria e qytetit, “Antigonat” pason edhe me dy premiera të tjera më datë 28 dhe 29 mars duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Emocionet e 24 viteve më parë, bombardimet e NATO-s përmes fotografive

Data 24 mars shënon sot 24-të vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Bombardimet zgjatën nga 24 marsi 1999 deri më 10 qershor 1999.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë bombardimeve u vranë rreth 528 civilë, u shkatërruan ndërtesa private, biznese private, ura, baraka dhe lokacione ushtarake. Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATO-s, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995.

Sipas Human Rights Watch, 60 për qind e rreth 528 të vrarëve ishin nga Kosova, derisa Serbia doli me numra se bëhej fjalë deri në 5700 të vrarë. Tre gazetarë kinezë u vranë në bombardimin e Ambasadës Kineze në Beograd.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Fillimi i bombardimeve të NATO-s në Kosovë ishte lajmi më i mirë që qytetarët e këtij vendi morën në atë kohë kur shpresa për liri po ju shuhej. Përmes këtyre fotografive shihet gëzimi i tyre dhe shpresa e rikthyer. / KultPlus.com

Zbulohet një specie e re orkide në Japoni, petalet e saj janë prej ‘qelqi’

Ndonjëherë speciet e reja të luleve fshihen aty ku shkencëtarët më së paku presin t’i shohin ato, në parqe, kopshte dhe madje edhe në ballkone.

Studiuesit në Japoni identifikuan kohët e fundit një specie të re orkideje, me lulet e saj rozë dhe të bardhë aq delikate dhe të brishta sa duken sikur të ishin prej qelqi.

Lulja e përshkruar është e ngjashme me një specieje orkide e cila është e zakonshme në Japoni. Zbulimi është një kujtesë e rëndësishme se speciet e panjohura shpesh jetojnë nën hundët tona, raportuan shkencëtarët të premten në Journal of Plant Research.

“Diversiteti i jashtëzakonshëm i familjes së orkideve, Orchidaceae, është vërtet befasues dhe zbulimet e reja si kjo Spiranthes përforcojnë urgjencën për të studiuar dhe mbrojtur këto xhevahire botanike,” i tha CNN në një email Justin Kondrat, hortikulturist kryesor për Koleksionin e Orkideve Smithsonian Gardens.

Orkide Spiranthes, quhen ndryshe “kacurrelet e zonjave” për ngjashmërinë e tyre me flokët me onde. Spirantet kanë një kërcell qendror, rreth të cilit rriten një spirale ngjitëse me lule të vogla në formë zile, të cilat mund të jenë të bardha, rozë, vjollcë ose të verdhë.

Ka rreth 50 lloje të Spiranthes që gjenden në Euroazi, Australi dhe Amerikë, zakonisht në rajone të buta ose tropikale, dhe këto lule janë të njohura në Japoni për qindra vjet, sipas studimit.

Popullatat me lule u zbuluan në prefekturën e Tokios pranë ishullit Hachijo, duke frymëzuar emrin e species Spiranthes hachijoensis. Para këtij zbulimi, tre lloje të orkideve Spiranthes u gjetën në Japoni: S. australis, S. sinensis dhe S. hongkongensis, dhe vetëm S. australis mendohej se rritej në kontinentin japonez.

Megjithatë, gjatë një sondazhi në Japoninë kontinentale mbi një dekadë më parë, autori kryesor i studimit Kenji Suetsugu, një profesor në Divizionin e Biodiversitetit, Ekologjisë dhe Speciacionit të Universitetit Kobe, gjeti diçka të pazakontë: lulet që supozohet të jenë S. australis, por me kërcell të lëmuar, S. australis zakonisht ka kërcell me gjemba.

Popullatat pa gjemba gjithashtu lulëzuan rreth një muaj më herët se zakonisht S. australis, një tjetër tregues që këto orkide mashtruese mund të mos jenë S. australis, tha Suetsugu për CNN në një email.

“Kjo na bëri të hetojmë më tej,” tha Suetsugu.

Nga viti 2012 deri në vitin 2022, ai dhe kolegët e tij kërkuan për orkide me kërcell të lëmuar dhe analizuan tiparet fizike të bimëve, gjenetikën dhe mjetet e riprodhimit. Për shkak se speciet e Spiranthes shpesh mbivendosen gjeografikisht dhe mund të duken njësoj, “është e rëndësishme të kemi një kuptim gjithëpërfshirës të shpërndarjes dhe ekologjisë së specieve të lidhura për të dalluar tiparet unike të një specie të re,” tha ai.

Ngjyrat e lulëzimit të S. hachijoensis ndryshonin “nga vjollca-rozë në të bardhë”, me petale me gjatësi rreth 3 deri në 4 milimetra, raportuan studiuesit.

S. hachijoensis kishte lule më të vogla me baza më të gjera dhe petale qendrore më të drejta se speciet e tjera Spiranthes; i mungonte gjithashtu një strukturë për vetëpllenim. Morfologjikisht, ishte një afrimitet me S. hongkongensis dhe S. nivea, por dallimet e vogla fizike dhe analizat gjenetike konfirmuan se ishte unike. Përveç popullsisë së Tokios, autorët e studimit gjetën S. hachijoensis në distriktin Kanto dhe në rrethet Kyushu, Shikoku dhe Chubu.

“Ne ishim të emocionuar që kemi identifikuar një specie të re të Spiranthes,” tha Suetsugu. “Spiranthes është orkideja më e njohur në Japoni dhe prej shekujsh të gjithë e duan”, tha ai, duke shtuar se lulja përmendet në antologjinë më të vjetër të poezisë japoneze që daton në vitin 759.

Identifikimi i specieve të reja bimore në Japoni është një ngjarje e pazakontë, me florën e vendit të dokumentuar dhe studiuar gjerësisht. Ky zbulim ka të ngjarë të ngjall interes për lulen, e cila është shumë më e rrallë se S. australis, shtoi ai.

“Ky zbulim i specieve të reja të fshehura në zona të zakonshme nënvizon domosdoshmërinë e eksplorimit të vazhdueshëm, madje edhe në mjedise në dukje të jashtëzakonshme!” tha Suetsugu përmes emailit. Ai gjithashtu thekson nevojën e vazhdueshme për kërkime taksonomike dhe gjenetike për të vlerësuar me saktësi diversitetin e specieve.

Bukuria e brishtë e “kacurreleve të zonjave” të sapogjetura është një shenjë dalluese e orkideve, por po ashtu është edhe cenueshmëria. Në mbarë botën njihen rreth 28,000 lloje orkidesh. Megjithatë, humbja e habitatit ka rrezikuar shumë specie dhe popullariteti i luleve nuk do t’i shpëtojë ato nëse nuk mbrohen.

“Orkidetë kanë lidhje të ndërthurura ngushtë brenda kaq shumë ekosistemeve, si dhe aspekte të ndryshme të shkencës dhe kulturës,” tha Kondrat. “Njerëzit nuk mund të mos magjepsen nga format dhe ngjyrat e tyre të shumta. Është kjo përgjigje emocionale që shpresojmë që inkurajon dhe frymëzon njerëzit të ndërmarrin veprime për t’i mbrojtur ata.” / Syri.net / KultPlus.com

Forcat serbe i hapën varrezat civile në Hajvali, për t’i fshehur mes tyre të vrarët e luftës së fundit

Forcat serbe morën vendim, që t’i fshehin disa nga gjurmët e krimeve të luftës në Kosovë (1998/99) duke hapur varrezat e viteve 1989-90. Plani iu dështoi pasi banori i vetëm që kishte mbetur në Hajvali e pa gjithë situatën.

Serbet hapën varret civile në Hajvali dhe brenda tyre i varrosën civilët e vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Por, plani i tyre për t’i fshehur gjurmët e krimit, nuk pati sukses.

Kjo pasi të gjithë ngjarjen nga dritarja, e pa Sejdi Demolli, tanimë i ndjerë.

I biri i tij, Hysniu, thotë se babai i tij, ishte njeriu i vetëm që kishte mbetur në lagje atë ditë.

“I kanë pru serbët, me ata kamionët, tamiqa, baba i ka pa prej dritares, kur i kanë varros”, tha ai për Tëvë1.

Demolli thotë se pasi serbët u larguan, babai i tij i bëri me shenjë varret ku ata punuan.

“Ata i kanë varros thotë shumë cekët, baba u dal i ka varros që mos mi ngrënë qentë”, tha Hysni Demolli, banor i Hajvalisë.

Pas përfundimit të luftës, Sejdi Demolli i tregoi autoriteteve të Kosovës, për ngjarjen që e kishte parë.

Ndërsa në hapjen e këtyre varreve, mori pjesë edhe Hysen Ahmeti.

94-vjeçari thotë se në mesin e të zhvarrosurve ishte edhe një femër.

“Do ishin deformuar fort, ndërsa trupi i një djalit ishte fort i ruajtur, sikur me u varros shumë kohë pas të tjerëve”, deklaroi Hysen Ahmeti, banor i Hajvalisë.

Në identifikimin e trupave, mori pjesë edhe mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Ky thotë se këtu u identifikuan trupat e 8 personave të vrarë në luftën e fundit.

Ndërsa ky nuk është rasti i vetëm në Kosovë, ku shteti serb u mundua t’i fsheh krimet e luftës.

“Në Kosovë kemi pas raste të ndryshme, ku janë varros në vende të ndryshme dhe është rrafshuar vendi, pastaj janë hedhur mbeturina për ta maskuar vendin, pastaj e kemi rastin tek varrezat e myslimanëve në Zveçan, ku nga lufta e deri me tani mbi 70 persona janë tërhequr”, tha Gërxhaliu.

Vendimi për fshehjen e trupave të kosovarëve të vrarë, doli nga një mbledhje e ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq, me kabinetin e tij. / KultPlus.com

Distria, Nora dhe Erza garojnë sot në Grand Slamin e Tbilisit

Ekipi prej 5 xhudisteve nga Kosova do të paraqitet në Grand Slam Tbilisi të Gjeorgjisë.

Atje do të marrin pjesë këto xhudiste: Distria Krasniqi (-52 kg), Erza Muminoviq (-52 kg), Nora Gjakova (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg), Loriana Kuka (-78kg).

Në këtë Grand Slam garojnë 5 kontinente, 61 shtete, 429 garues, 221 meshkuj dhe 198 femra.

Distria, Erza dhe Nora ndeshen sot, Laura ndeshet nesër, kurse Loriana pasnesër.

Bashkë me garueset tona kanë udhëtuar edhe trajnerët Majlinda Kelmendi dhe Fatos Tabaku.

Ndeshjet fillojnë nesër nga ora 06:30. / KultPlus.com

24 vite nga bombardimet e NATO-s kundër Serbisë

Sot mbushen 24 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike. / KultPlus.com

24 vjet nga dita kur u dogj Çarshia e vjetër e Gjakovës

Sot bëhen 24 vjet nga mbrëmja e llahtarshme e 24 marsit të vitit 1999, të cilën qytetarët e Gjakovës, e mbajnë mend si natën më të gjatë dhe më të tmerrshme të shfrenimit të pushtetit serb ndaj popullsisë civile në shenjë hakmarrjeje për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Atë natë u ndez flakë e tërë Çarshia e vjetër e Gjakovës si dhe u vranë në mënyrën më mizore dhjetëra civilë të pafajshëm. Bashkë me bombardimet, për 78 ditë me radhë, si në gjithë Kosovën edhe në Gjakovë vazhduan vrasjet, dhunimet, djegiet dhe dëbimet masive të popullsisë shqiptare.

Në Çarshinë e vjetër të Gjakovës, që prej themelimit, ushtroheshin dhjetëra zeje të ndryshme, duke filluar nga armëtarët, argjendarët, kazangjinjtë, lëkurëpunuesit , rrobaqepësit, zhgunaxhinjt, qëndistarët, zdrukthëtarët, kazazët, qeleshepunuesit, gërçakxhinjtë, saraçët, opingaxhinjtë, cergaxhinjtë e çibukxhinjtë.

Ekspertët kanë vlerësuar se Çarshia e Madhe, siç njihet ndryshe, paraqet njërin nga komplekset monumentale më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Ajo ishte një qendër e rëndësishme pazari, zanatit, por edhe një kompleks i madh kulturor, historik e fetar në mbarë vendin.

Shtrija e saj nga veriu në jug arrin në 1000 m., ndërsa sipërfaqja e gjithmbarshme e saj është 34.000 metra katrorë. Ajo ishte vatër e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe kulturor të rajonit të Gjakovës. Në të u zhvilluan të gjitha zejet e mundshme.

Më 1999 u dogj me të gjitha përmendoret kulturore historike në të, por u rindërtua pas luftës falë ndihmës së organizatave ndërkombëtare. / KultPlus.com

Sadri Ahmeti, poeti që nuk i përngjau kurrë askujt

Në poezinë e Sadri Ahmetit të bën përshtypje realizimi dhe thellimi në dramën e jetës njerëzore, përpjekja për të mos i ngjarë askujt tjetër, veç vetes. Poezia e tij e ndjerë dhe e ngrohtë, përsërit vetë jetën, një oshtimë e fuqishme e vetë asaj.

Fantazia e poetit, nuk fluturonte nëpër qiejt e trëndafilta të ëndërrimeve romantike e të zbrazëta, madje nuk mbyllej as në guaskën e egocentrizmit për t’u bërë jehonë e dhimbjeve dhe e gëzimeve të qenies së tij të vetmuar.

Veten Sadriu e vështronte gjithnjë të lidhur me hallka të pazgjidhshme, me fatin e mijëra njerëzve të tjerë, që vërtiteshin nën të njëjtën kube të qiellit ballkanik e që përjetonin çdo ditë fatin e hidhur, që banorëve të këtij gadishulli të lashtë, ua gatoi historia e tyre gjithë luftëra e përpjekje mbinjerëzore për liri, demokraci e diplomaci, si dhe intrigat e Fuqive të Mëdha, të cilat deshën që Ballkani të ishte gjithmonë një mollë sherri, një fuçi baroti në bri të Evropës.

Më fort se kudo, kjo trysni satanike për ta gjymtuar njeriun e për të thyer karakterin e shpirtin e kombit, u ndie nëpër rrathët e ferrit të diktaturës, nëpër burgjet dhe nëpër kampet e përqendrimit. Golio Otoku, ku ndiheshin thikat e dhëmbët kërcënonjëse prej përbindëshi të UDB-së, serbomadhe, ishte pjella më e shëmtuar e shtypjes dhe e poshtërimit njerëzor.

Për çudi, me të përngjasonte mjaft tepër Makronisi grek dhe Spaçi i mijëra viktimave të mjera shqiptare. Ngjet kjo poemë e Sadri Ahmetit me përmbajtjen që na zbulojnë poezia dhe poemat e Ricosit, të Vretakosit dhe të N. Hikmetit. Është po i njëjti realitet i dhimbshëm dhe i llahtarshëm, po e njëjta lëndë jetësore dhe po i njëjti brumë njerëzish, që jetuan këtë ferr të llahtarshëm.

Kujtojmë vetë, ndjejmë frymëmarrjen e një poeti tjetër, që na shfaqet me diçka të veten, jo vetëm në temperament dhe botë të brendshme, por edhe në strukturën e poezisë që na shkruan. Ndihet nëpër këtë poezi shpërthimi i gjakut arbër, më rebeli e më i fismi nga çdo lloj gjaku tjetër, ajo mençuri e filozofi, që në popullin tonë përpunoi jeta e kohërat që jetoi.

Nga fizionomia, poezia e Sadri Ahmetit, është aq brenda frymës së poezisë shqiptare, sa edhe moderne e krejtësisht e tij. Shkrihen nëpër fijezat e nënshtresat folklorike përfitimi nga studimi i poetëve më të dashur për të, ndikimi i De Radës dhe i Mjedës, i Migjenit dhe i Esat Mekulit, por edhe i Ricosit e i Kërlezhës. Sadri Ahmeti nuk pati kohën e mjaftueshme për t’u marrë krejtësisht me poezi, jeta e tij kaloi nëpër mundimet e burgjeve dhe të internimeve, në luftën e përditshme për të fituar bukën e gojës, larg sallave të bibliotekave e të një jete komforte. Poezia e tij përjetoi fatin që përjetoi një popull i tërë dhe ndoshta kjo e afroi më pranë me realitetin tonë dhe e ndihmoi për të mos rënë në kurthin e një poezie thjesht personale dhe egocentrike.

Poeti tregon: “Në vitin1963, kur ndodhesha me punë në Berat, kam shkruar poemën për Golio Otokun, ku u torturuan në mënyrë çnjerëzore dhjetëra mijëra njerëz të pesëmbëdhjetë kombësive. Ata që kishin ngritur këtë kamp të tmerrshëm, donin të përtërinin kampet famëkëqija të nazizmit, ashtu siç u përpoqën dhe në tërë format e politikës me gjithë sloganet e lustrën që mundoheshin t’i jepnin fasadës së jashtme. Njerëzit që vuajtën dhe lënguan në Golio Otok, unë i kam parë me sy, që kur isha çunak, në trevat e vendlindjes sime.

Ata ishin kufoma të gjalla memece, që mund t’i shihje në çdo fshat e qytet të Jugosllavisë. Endeshin si të topitur e zemërvrarë nëpër rrugë dhe mua më dukej, se përmes syve e fytyrës së tyre lexoja si nëpër faqet e një gazete tërë jetën e tyre të pashkruar. U mësova t’i lexoja këto sy e këto fytyra. Përfytyrimi i tyre më ndiqte kudo, zgjuar dhe në gjumë. Në Shqipëri, ku erdha më gëzim, se kisha shpëtuar nga thonjtë e ferrit titist, përjetova me dhimbje pothuaj të njëjtin realitet.

Më vonë, m’u desh të vuaja dhe nëpër galeritë dhe qelitë e ftohta e të tmerrshme të Spaçit. Të tëra këto, më shtynë të shkruaja këtë poemë. Ishte një jetë e tërë, që kërkonte të futej nëpër faqet e vargjet e saj dhe mua m’u desh të vrisja mendjen, se në ç’forma e në çfarë struktura vargëzimi duhej derdhur e gjithë kjo lëndë e bollshme e dhimbshme dhe tragjike, që e përjetoja me vite thellë vetes, e cila s’më linte as edhe një çast të qetë”.

Forma kompozicionale e poemës, që do më pëlqej ta quaj “Dielli nuk lind nga Golio Otoku”, pasi më duket si titull më poetik e më intrigues, ka lindur vetvetiu nën trysninë e vazhdueshme të lëndës jetësore, për të gjetur shtratin, se ku do të derdhej e plotë dhe dramatike, me një ngarkesë të bollshme përshtypjesh e njohje të shumta psikologjie njerëzish, që jetuan këtë ferr të llahtarshëm. Forma e saj është krejtësisht e veçantë. Ajo të kujton më fort strukturën e një romani modern, sesa të një poeme sintezë.

Autorit s’i ka pëlqyer të përmbahej vetëm në kumtimin e një ideje thelbësore, por është munduar të na japë të gjallë gjithë atë tmerr e ato drama të dhimbshme, që ditët luanin për çdo grimcë të kohës nëpër muret e shkëmbinjtë e thiktë e të thatë gëlqeror të Golio Otokut. Nga struktura kompozicionale poema i përgjigjet një mozaiku, por pjesët e këtij mozaiku plotësojnë njëra-tjetrën. Ndeshim nëpër këtë mozaik edhe përshkrime mjedisi e peizazhi, edhe monologë të brendshëm e personazhe të skicuar me mjeshtri e thellësi psikologjike. Lënda jetësore është derdhur me maturi e kursim.

Skëterrës s’iu mbush mendja se ia kish arritur qëllimit.

Ishte dashuria e thellë për jetën, për njerëzit që i prisnin përtej mureve me tela gjembash e kulla vrojtimi, ishte malli për nënat që i prisnin të ktheheshin, malli për motrat e për vajzën e zemrës, ishte besimi e përkushtimi ndaj një ëndrre fisnike e një ideali të madh, ajo forcë që i mbante gjallë këta njerëz të torturuar e të munduar në mënyrat më çnjerëzore. Këtë të vërtetë, poeti na e pohon nëpërmes mjaft faktesh bindëse, atë e gjejmë të shprehur në mënyrë simbolike dhe tek “Kënga e ringjalljes”:

Dikush i ka dhënë nënës besën

Dhe po vdiq i varrosur në gropë kolektive,

Do të ringjallet duke e çliruar

Nga ata që e mbulojnë,

Duke shtyrë shumë këmbë e duar,

Duke këputur pastaj telat me gjemba

E duke vrapuar me shpejtësinë e erës,

Drejt motrave që e presin,

Dhe të pashpresa si qyqet baresin.

Poema na skalit me mjeshtri një varg njerëzish, portreti i tyre na mbetet në mëndje, në saje të tipizimit të karaktereve e të intensitetit të ndjenjës e të mendimit filozofik. Ajo na befason me pasurinë e imazheve e me krijimin e skenave aq realiste e të gjalla, me ndërthurjen e dramës, që zotëron nëpër të gjitha faqet e saj, me tonalitetet lirike e epike.

Herë-herë ritmi i vargut gjallërohet dhe merr intonacionet e rapsodive popullore, vargu i nënshtrohet një ritmike më rigoroze e rimave të rregullta. Kjo veçanti krijon një përthyerje në strukturën e saj, përthyerje që lehtëson frymëmarrjen dhe u jep zhdërvjelltësi monologëve e fragmenteve mozaikale.

Gjuha me të cilën është shkruar, është gjuha e njësuar letrare, por, në të, ndihet në mënyrë tepër të dukshme gjallëria e ngjyrave që ka fituar poezia nga shfrytëzimi në mënyrë krijuese i shtresave të fjalorit aq të pasur verior, si dhe të ndikimeve të sintaksës poetike të gurrës folklorike të vendlindjes, të krahinave të Plavës e të Gucisë.

Poeti Sadri Ahmeti pas viteve 1990 botoi “Një e qeshur harbon nëpër errësirë”, “Masakra e Tivarit”, “Ajsbergu i preludit të katastrofës”, “Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok”, “Tek lahem në dritën e hënës” etj. Është vlerësuar me çmimin “Onufri” në vitin 1994 nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ministria e Kulturës. /konica.al/ KultPlus.com