‘Ktheva të të shoh, që ta vras harrimin’

Poezi nga Rrahman Dedaj

Ktheva të të shoh
Që ta vras harrimin
Me një fjalë

Mos me pyet
Ku isha njëqind vjet

Jeta na qenka matematikë e thjeshtë
Asnjë e panjohur
Asnjë e njohur krejt
Asnjë plus
Asnjë minus
Baraz me zero

Desha të të shoh
Dhe ta kujtojmë
Tërë të pavdekurën

T`u shtrydhim fjalëve heshtjen
E t`i thërrasim
Me emra të thjeshtë
Miqtë e vjetër

Krejt cka nuk plaku koha
Mbetet e vejë
Ujet që nuk e pimë
Nuk e pranoi burimi

Ma jep dorën
Dhe mos me pyet
Ku isha njëqind vjet
Se jeta na qenka
Matematikë e thjeshtë

Në të c`do gjë
është e kuptueshme
Si e vërteta – ose
Lotari e pakuptim
Që fsheh numrin e Fatit./ KultPlus.com

Me koncert të Ramë Lahajt, Ulqini hap sezonin turistik

Tenori i mirënjohur kosovar, Ramë Lahaj, të premten do ta mbajë koncert në Ulqin të Malit të Zi.

Kështu ka bërë të ditur “Ul-Info”, duke shtuar se përmes këtij koncerti do të hapet edhe sezoni kryesor turistik.

“Fillimin e sezonit kryesor turistik në Ulqin do ta shënojë koncerti spektakular i cili do të mbahet në Molen e Madhe, poshtë mureve të Kalasë shekullore. Ylli i kësaj mbrëmje do të jetë tenori i njohur Ramë Lahaj nga Kosova i cili gjatë karrierës së tij ka interpretuar në skenat më të njohura botërore dhe si i tillë është shpërblyer me një sërë mirënjohjesh të çmuara”, shkruan ky portal.

Organizatorë të kësaj ngjarje të rëndësishëm janë Komuna e Ulqinit, Organizata Turistike, Qendra për Kulturë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit e Malit të Zi./klankosova/KultPlus.com

Sezoni turistik dhe destinacionet e qarkut të Korçës

Komiteti Rajonal i Zhvillimit të Turizmit u mblodh sot në Drilon të Pogradecit, ku aktualisht janë duke u zbatuar tre projekte madhore, si “Rehabilitimi e Parkut Ujor Drilon – Tushemisht”, “Shëtitorja e Tushemishtit”, “ByPass i Tushemishtit”, me një vlerë 15.5 milionë dollarë.

Gjatë takimit u bë një vlerësim për bashkëpunimin institucional si dhe u diskutuan detyrat që dalin për këtë sezon turistik.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole në fjalën e tij kërkoi nga përfaqësuesit institucionalë zbatimin e detyrave që dalin nga Urdhri i Kryeministrit për ngritjen e Taskforcës Ndërinstitucionale të Sezonit Turistik Veror 2023 si dhe më shumë punë për promovimin e destinacioneve turistike, produkteve dhe diversifikimin e ofertës turistike.

“Qarku i Korçës gjatë harkut kohor të 4 viteve të kaluara, ka përfituar mbështetje me investime të qeverisë që shkojnë rreth 100 milionë dollarë për gjashtë bashkitë, ku vlen për t’u përmendur edhe ndihma për agrobizneset nëpërmjet programit të IPARD, me kontribut të kombinuar të qeverisë dhe BE-së. Këtu përfshihen jo vetëm bujtinat, por edhe ndihma për fermerët, duke nxitur prodhime që kanë “brand” qarkun tonë e duke diversifikuar ofertën në agroturizëm”, theksoi Jole.

Prefekti Jole u shpreh se “aktualisht, në të gjithë qarkun e Korçës operojnë 225 struktura akomoduese (hotele dhe bujtina) me 5270 shtretër”.

“Sigurisht, ky kapacitet duhet të jetë akoma më i madh në të ardhmen për të mundësuar arritjen e objektivit afatmesëm që qarkun tonë ta vizitojnë më shumë se 1 milion turistë vendas e të huaj në harkun e një viti, e cila do të mund të bëhet realitet vetëm falë një oferte të integruar për zhvillimin e turizmit brenda rajonit, që ngelet sfida e re e të gjithë aktorëve institucionalë, operatorëve turistikë dhe bizneseve në fushën e turizmit”, theksoi Jole.

Ai shtoi se sezoni turistik sapo ka filluar dhe qarku i Koçës duhet të jetë mikpritës për shumë vizitorë e turistë nga vendi dhe gjithë bota.

Korça është tashmë e vizituar në çdo stinë, Pogradeci është i lidhur më së shumti me turizmin veror, ndërkohë që interesi i vizitorëve po orientohet edhe drejt natyrës e klimës malore të Kolonjës, Maliqit, Pustecit, por edhe Devollit./atsh/KultPlus.com

Thëniet më të bukura të John Lennon

Bota e humbi John Lennon që në 1980-ën, por muzika dhe poezia e tij jetojnë ende në zemrat tona. Fjalët e tij për dashurinë, jetën, dhe paqen që dekada më parë i la për ne, tingëllojnë ende kuptimplota dhe na nxisin drejt një versioni më të mirë të vetes dhe të së ardhmes tonë.

Ne duam t’u kujtojmë ndjekësve tanë për këtë muzikant gjenial dhe ëndërrimtar madhështor thëniet më të fuqishme të tij:

“Jetojmë në një botë ku duhet të strukemi që të bëjmë dashuri, ndërkohë që dhuna praktikohet ditën për diell.”

“Kur shkoja në shkollë, ata më pyesnin çfarë dëshiroja të bëhesh kur të rritesha. Unë shkrujta “i lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën, dhe unë u thashë se ju s’keni kuptuar jetën.”

“Duke qenë i ndershëm nuk ke për të pasur shokë të shumtë, por gjithmonë do të kesh shokët e saktë.”

“Nuk ka rëndësi kë dashuroni, ku dashuroni, pse dashuroni, kur dhe si dashuri, rëndësi ka që dashuroni.”

“Nëse të gjithë do ta dëshironin paqen aq as dëshirojnë një set të ri televiziv, atëherë paqja do mbretëronte.”

“Të përpiqesh t’u pëlqesh të gjithëve është e pamundur – nëse e bën, do përfundosh në një midis ku asnjërit s’i pëlqen. Duhet të marrësh vendimin për atë që mendon se është më e mira për ty, dhe bëjë atë.”

“Si zakonisht, qëndron një grua madhështore, prapa çdo idioti.”

“Vetëm duke provuar rrobat e të tjerëve e kuptojmë përmasën tonë.”

“Kur bën diçka fisnike dhe të bukur e askush nuk e vëren, mos u trishto. Për diellin, çdo mëngjes është i bukur, edhe pse audienca fle gjumë ende.”

“Gjithçka do të shkojë në vendin e vet në fund. Nëse gjërat nuk janë në vendin e tyre, atëherë s’ka ardhur fundi.”

“Një ëndërr që e ëndërron i vetëm, është vetëm një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërrojmë së bashku, është realitet.”

“Paqja nuk është diçka për të cilën ne lutemi dhe urojmë; është diçka që bëhet, diçka që je, dhe diçka që jepet.”/KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar, tradita që përcillet brez pas brezi

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës po ndiqet nga një numër i madh spektatorësh. Rrugët e qytetit të gurtë gjallojnë nga zhurmat e vizitorëve por edhe të turistëve të huaj. Nata e tretë e edicionit të 11-të të FFK ngjiti në skenën e Kalasë së Gjirokastrës artistët popullorë të Qarkut Dibër, Tiranë dhe grupe folklorike nga Kosova. E veçantë dhe me elegancë imponuese erdhi trupa folklorike e Asamblit nga Kosova, ku valle dhe performime koreografike të vajzave dhe burrave krijuan emocion të veçantë. Këngët dhe vallet e sjella nga artistët e Kosovës shënuan një kuotë të lartë estetike si interpretuese ashtu edhe në paraqitjen e kostumografisë.

Artistët sollën këngë lirike dashurie, rite dasmash, valle dyshe, këngë epike lufte, kostume shekullore, që u kane lënë të parët e tyre dhe që po përcillen brez pas brezi.

Në natën e katërt të festivalit pritet të ngjiten në skenë grupet e qarkut të Durrësit, Korçës, Saz’Iso Band dhe Andi Kongo Band./atsh/KultPlus.com

Zbulohet një mumje 3 000-vjeçare

Arkeologët kanë zbuluar një mumje burri, të ruajtur mirë brenda një varri prej guri, gjatë gërmimeve në distriktin Rimac të Limas, kryeqytetit të Perusë.

Mumja ishte e mbështjellë në një tufë materialesh varrimi, të përbërë nga pambuk me origjinë vendase, shoqëruar me sende të ndryshme si gjerdan, misër dhe fara.

Këto artefakte vlerësohen të jenë mbi 3 000 vjet të vjetra.

Zbulimi u bë gjatë punimeve të rikuperimit dhe ruajtjes që po kryhen në zonën arkeologjike “Huaca La Florida” nga bashkia e distriktit Rimac në bashkëpunim me Universitetin Kombëtar San Marcos.

Arkeologët kanë marrë leje nga Ministria e Kulturës e Perusë për të vazhduar gërmimet e tyre dhe për të eksploruar më tej vendin historik, i cili njihet si një Trashëgimi Kulturore Botërore./ atsh / KultPlus.com

LIMA, PERU – DECEMBER 07: A view of pre-Incan “Mummy of Cajamarquilla” is seen as the University of San Marcos presents to the world in Lima, Peru on December 07 , 2021. The “Mummy of Cajamarquilla”, presumed to be between 800 and 1200 years old, found by archaeologists from San Marcos inside a burial chamber of about three meters long and a depth of 1.40 meters in the Cajamarquilla archaeological site, east of Lima. (Photo by Klebher Vasquez/Anadolu Agency via Getty Images)

Sot, Dita e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla e të Mesme

Kombet e Bashkuara e kanë shpallur 27 qershorin si Ditën e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla e të Mesme.

Goditje dhe kriza të shumta kanë tronditur mjedisin global të punës për sipërmarrësit dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM). Për më tepër, konfliktet, varësia nga mallrat, tensionet gjeopolitike dhe pandemitë nxisin paqëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike, duke i bërë këto ndërmarrje jashtëzakonisht të cënueshme ndaj rritjes së inflacionit dhe ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit.

Ndërmarrjet më të rrezikuara janë ato në pronësi të grave dhe të rinjve që shpesh gjenden në rrezik të goditjeve të jashtme.

NMVM-të përbëjnë 90% të bizneseve, 60 deri në 70% të punësimit dhe 50% të PBB-së në mbarë botën. Si shtylla kurrizore e shoqërive kudo, ato kontribuojnë në ekonomitë lokale dhe kombëtare dhe në ruajtjen e mjeteve të jetesës, veçanërisht në mesin e të varfërve që punojnë, grave, të rinjve dhe grupeve në situata të cënueshme.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara caktoi 27 qershorin si “Dita e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme” për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin e jashtëzakonshëm të tyre në arritjen e Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm./ atsh / KultPlus.com

Mbledhje komemorative për Arsim Fehmiu, Çeku: Kontributi i tij për vendin dhe kombin do të kujtohet gjithmonë

Një nga personalitetet që kontribuoi shumë në fushën e sportit përgjatë gjithë jetës së tij, profesori i ndjerë Arsim Fehmiu u kujtua sot në mbledhjen komemorative organizuar për nder të tij.

Në ceremoninë lamtumirëse që u mbajt në Kino Armata morën pjesë Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, familjarë, pjesëtarë të komunitetit të sportit dhe miq e bashkëpunëtorë të të ndjerit.

Para të pranishmëve foli Ministri Çeku, i cili tha që ikja e profesor Fehmiut nga kjo botë ka lënë boshllëk të madh në shoqërinë tonë e në komunitetin e sportit në veçanti, ndërsa theksoi që kontributi i tij për vendin dhe kombin do të kujtohet gjithmonë, duke folur gjithashtu për përkushtimin që kishte ai për edukimin e gjeneratave të tëra në sport.

Ndërsa pedagodu sportiv, Jakup Kasapolli, ndau me të pranishmit disa nga bisedat që kishte së fundi me mikun e tij të ndjerë. Foli për pasionin që kishte profesor Fehmiu për sportin dhe angazhimin e punën e tij në zhvillim të kësaj fushe deri në fund të jetës.

Fjalën po ashtu e mori profesori i sportit, Malsor Gjonbalaj i cili tha që profesor Fehmiu do të mbetet shembull për gjenerata të tëra.

Ndërsa në emër të familjes, djali i të ndjerit, Agon Fehmiu, falënderoi të pranishmit për respektin dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni lamtumirëse ndërsa tregoi për ditët e fundit të jetës së profesorit, vullnetin për të shtyer përpara nisma të shumta në fushën e sportit. / KultPlus.com

Lista e plotë e fituesve në ndarjen e çmimeve BET 2023

Edicioni i 2023 i Çmimeve BET u zhvillua të dielën në mbrëmje në Teatrin Microsoft në Los Anxhelos. Mbrëmja festoi 50-vjetorin e hip-hop-it dhe shfaqi një performancë nderimi për të ndjerën Tina Turner.

Latto dhe Coco Jones ishin ndër fituesit e shpallur gjatë transmetimit. Një listë e plotë e të nominuarve vijon, me fituesit e shënuar me shkronja të zeza.

Albumi i Vitit

“Anyways, Life’s Great” – GloRilla

“Breezy” – Chris Brown

“God Did” – DJ Khaled

“Her Loss” – Drake & 21 Savage

“Mr. Morale & The Big Steppers”- Kendrick Lamar

“Renaissance” – Beyoncé 

“SOS” – Sza 

Best Female R&B/Pop Artist

Ari Lennox

Beyoncé

Coco Jones

H.E.R.

Lizzo

Sza 

Tems

Best Male R&B/Pop Artist

Blxst

Brent Faiyaz

Burna Boy

Chris Brown 

Drake

The Weeknd

Usher

Best Group

City Girls

Drake & 21 Savage

Dvsn

Flo

Maverick City Music & Kirk Franklin

Quavo & Takeoff

Wanmor

Best Collaboration

“Big Energy” (remix) – Latto & Mariah Carey feat. DJ Khaled

“Boy’s A Liar Pt. 2” – Pinkpantheress & Ice Spice

“Call Me Every Day” – Chris Brown feat. Wizkid

“Can’t Stop Won’t Stop”- King Combs feat. Kodak Black

“Creepin’” – Metro Boomin, The Weeknd & 21 Savage

“F.N.F. (Let’s Go)” – Hitkidd & GloRilla

“Tomorrow 2” – GloRilla & Cardi B

“Wait For U” – Future feat. Drake & Tems

Best Female Hip Hop Artist

Cardi B

Coi Leray

GloRilla

Ice Spice

Latto 

Megan Thee Stallion

Nicki Minaj

Best Male Hip Hop Artist

21 Savage

Drake

Future

J. Cole

Jack Harlow

Kendrick Lamar 

Lil Baby

Video of the Year

“We (Warm Embrace)” – Chris Brown

“2 Million Up” – Peezy, Jeezy & Real Boston Richey feat. Rob49

“About Damn Time” – Lizzo

“Bad Habit” – Steve Lacy

“First Class” – Jack Harlow

“Kill Bill” – Sza 

“Tomorrow 2” – GloRilla & Cardi B

Dr. Bobby Jones Best Gospel/Inspirational Award

“Bless Me” – Maverick City Music & Kirk Franklin

“Finished (Live)” – Tamela Mann

“I’ve Got Joy” – Cece Winans

“Kingdom” – Maverick City Music & Kirk Franklin feat. Naomi Raine & Chandler Moore

“New” – Tye Tribbett

“One Moment From Glory” – Yolanda Adams

“The Better Benediction (Pt.2)” – PJ Morton feat. Lisa Knowles-Smith, Le’Andria Johnson, Keke Wyatt, Kierra Sheard & Tasha Cobbs Leonard

Viewer’s Choice Award

“About Damn Time” – Lizzo

“Break My Soul” – Beyoncé 

“First Class” – Jack Harlow

“Jimmy Cooks” – Drake feat. 21 Savage

“Kill Bill” – Sza

“Last Last” – Burna Boy

“Super Freaky Girl” – Nicki Minaj

“Wait For U” – Future feat. Drake & Tems

Best Movie

“Black Panther: Wakanda Forever” 

“Creed 3”

“Emancipation”

“Nope”

“The Woman King”

“Till”

“Whitney Houston: I Wanna Dance with Somebody”

Best Actor

Amin Joseph

Brian Tyree Henry

Damson Idris

Daniel Kaluuya

Demetrius ‘Lil Meech’ Flenory Jr.

Donald Glover

Michael B. Jordan

Best Actres

Angela Bassett 

Coco Jones

Janelle James

Janelle Monáe

Keke Palmer

Viola Davis

Zendaya

YoungStars Award

Akira Akbar

Alaya High

Demi Singleton

Genesis Denise

Marsai Martin

Thaddeus J. Mixson

Young Dylan

Sportistja e Vitit

Alexis Morris

Allyson Felix

Angel Reese 

Candace Parker

Naomi Osaka

Serena Williams

Sha’Carri Richardson

Sportisti i Vitit

Aaron Judge

Bubba Wallace

Gervonta Davis

Jalen Hurts

LeBron James

Patrick Mahomes

Stephen Curry. / KultPlus.com

Ministrja Haxhiu mblodhi Grupin Ndërministror Kundër Dhunës në Familje

Sot, me ftesë të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është mbledhur Grupi Ndërministror Kundër Dhunës në Familje ku është diskutuar mbi përgjigjen institucionale dhe mos përgjigjen e disa nga institucioneve përgjegjëse të përmendura në rekomandimet e Institucionit të Avokatit të Popullit për rastin e 11 vjeçarës.

Po ashtu, u prezantua dakordimi i arritur për formën e raportimit të Strategjisë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022-2026, si dhe procesi për vendosjen e sistemit për mbikëqyrjen e hallkave elektronike për dhunuesit.

Në mbledhjen e kaluar të GNKDHF, me datë 7 prill, ministrja Haxhiu ka prezantuar gjetjet e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe rekomandimet e dalura nga ky raport për secilin institucion. Pas këtij takimi, të njëjtat janë dërguar edhe me shkresë zyrtare tek institucionet relevante.

Gjatë takimit të sotëm, ndër të tjera u diskutua për përgjigjet e institucioneve si dhe mos përgjigjet e disa prej tyre. Ministrja Haxhiu ka vlerësuar se është shqetësuese që Këshilli Prokuroial i Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, nuk kanë kthyer përgjigje rreth rastit në fjalë, kjo sidomos kur bëhet fjalë për rastin e viktimave të dhunimeve seksuale fëmijë.

Për trajtimin e rastit të vajzës 11 vjeçare, Ministrja ka shprehur shqetësimin e saj për mos koordinimin institucional dhe mos veprimin e duhur në këtë drejtim. Andaj, Grupi Koordinues u dakordua për një takim urgjent të personave përgjegjës që të adresohet saktësisht dhe detajisht secili veprim dhe mosveprim i tyre.

Tutje, nga pranimi i planeve të veprimit dhe dokumenteve të tjera relevantë për rastin në fjalë, Ministria e Drejtësisë ka shprehur shqetësimin e saj për trajtimin dhe plotësimin shabllon të të gjitha dokumenteve në rastet që trajtohen dhe në takim u njoftua se ky format i dokumenteve nuk është përditësuar asnjëherë që nga viti 2003.

Ministrja dhe grupi janë dakorduar që menjëherë të adresohet kjo çështje dhe të fillohet puna në krijimin e formave dhe dokumenteve relevante në përputhje me zhvillimet shoqërore sepse nuk ka kuptim që për 20 vite të mos përditësohen format.

Grupi Ndërministror vlerësoi organizimin e punëtorisë gjithditore nga Ministria e Drejtësisë, pasi që nga e njëjta është arritur që të krijohet standardi i raportimit të institucioneve në zbatimin e plotë të aktiviteteve që dalin nga Strategjia Kombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022-2026.

Ministrja Haxhiu ka njoftuar Grupin se Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar buxhetin për blerjen e hallkave elektronike dhe tashmë Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar procedurat për pajisjen me hallka elektronike.

Duhet të theksohet se Ligji për Mbikëqyrje Elektronike ka hyrë në fuqi me 1 korrik 2015 dhe asnjëherë nuk ka filluar të implementohet. Mbikëqyrja elektronike do të kontribuojë në parandalimin e dhunës apo vrasjeve duke lehtësuar monitorimin e lëvizjes së dhunuesëve. / KultPlus.com

Vdes aktori i “Titanic”, Lew Palter

Lew Palter, i cili ka luajtur në filmin “Titanic”, ka vdekur në moshën 94-vjeçare.

Palter ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri dhe vdiq të dielën në Los Angeles.

Ai është i njohur më së shumti për paraqitjen në filmin e James Cameron të vitit 1997 si njeriu që shtriu gruan e tij në shtrat, ndërsa anija u fundos në një skenë vërtet rrëqethëse.

Foto: Straus Historical Society

Është një xhirim që zgjat vetëm për sekonda, por ende mbahet mend si një nga momentet më zemërthyese të filmit.

Karakteri i tij bazohej në një person real, pasi Isidor Straus dhe gruaja e tij vdiqën vërtet në bordin e anijes.

Foto: Instagram

Për më tepër, ai punoi si profesor në Shkollën e Teatrit CalArts.

Ai mësoi studentë që do të vazhdonin të arrinin famë globale, duke përfshirë të nominuarit për “Oscar”: Don Cheadle dhe Ed Harris, dhe të nominuarën për “Emmy”, Cecily Strong.

Foto: Instagram

Përmes karrierës së tij të gjatë dhe të larmishme, Palter drejtoi gjithashtu një sërë shfaqjesh jashtë Broadway.

Ylli i “Steagle” ka lënë pas vajzën e tij, Catherine Read Palter, të cilën e ndau me gruan e tij, aktoren Nancy Vawter. / KultPlus.com

Foto: Reuters

Për emrin e së dashurës sakrifikoi Koloseumin

Ministri i Kulturës i Italisë bëri thirrje për identifikimin dhe dënimin e një burri, i cili u filmua duke gdhendur emrat e tij dhe të fejuarës së tij në Koloseum, sipas CNN.

Gennaro Sangiuliano shkroi të hënën në Twitter se ”unë e konsideroj shumë serioze, të padenjë dhe shenjë të një pafytyrësie të madhe që një turist prish një nga vendet më të famshme në botë, një trashëgimi historike si Koloseumi, për të gdhendur emrin e së fejuarës së tij”.

”Shpresoj se kushdo që e ka kryer këtë akt do të identifikohet dhe dënohet sipas ligjeve tona”, vazhdoi ai.

Tweet-i i ministrit përfshinte një imazh të paqartë të turistit si dhe një video që shfaqte atë duke përdorur çelësa për të gdhendur shkronja në një nga muret e amfiteatrit gati 2 000-vjeçar.

Mbishkrimi shkruante “Ivan+Haley 23″, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.

”Incidenti i supozuar ndodhi të premten dhe policia u alarmua nga videot e shfaqura në median sociale”, raportoi ANSA.

”Nëse dënohet për një krim, ai mund të përballet me një gjobë prej të paktën 15 000 eurosh ose deri në pesë vjet burg”, tha ajo.

Një incident i ngjashëm ndodhi në vitin 2020, kur një turist irlandez u akuzua për vandalizimin e Koloseumit, pasi stafi i sigurisë e pa atë duke gdhendur inicialet e tij në strukturën e lashtë dhe e raportoi atë në polici./ atsh / KultPlus.com

Instagrami lanson përditësimin e madh për të mos e përdorur gjatë natës

Kur të rinjtë po hasin në telashe për të fjetur, “shpëtimin” po e gjejnë te telefoni dhe rrjetet sociale. Bëhet fjalë kryesisht për Instagramin. Por ditët kur i zë mëngjesi duke shikuar ende në Instagram, mund ta kenë përjetuar fundin me përditësimin e ri të Instagramit.

Meta, që është pronare e Instagramit dhe Facebookut, ka lansuar dy vegëza për t’i paralajmëruar të rinjtë që të menaxhojnë kohën e tyre nëpër aplikacione.

Meta, që është pronare e Instagramit dhe Facebookut, ka lansuar dy vegëza për t’i paralajmëruar të rinjtë që të menaxhojnë kohën e tyre nëpër aplikacione.

“Këto përditësime janë menduar t’u ndihmojnë të rinjve të ndihen më në kontroll të përjetimeve të tyre online dhe t’u ndihmojë prindërve t’i përkrahin adoleshentët e tyre”, ka thënë Meta.

Veçoria e parë është njoftimi i adoleshentëve se kanë kaluar “kohë të gjatë në Facebook”.

“Adoleshentët do të njoftohen kur t’i kalojnë 20 minuta në Facebook, duke u rekomanduar të largohen nga aplikacioni e të caktojnë kufizime ditore të kalimit të kohës në to”, ka shpjeguar kompania.

Ndërsa në Instagram, atyre “do t’u dridhet ekrani” nëse aplikacioni vëren se po rrinë shumë gjatë natës.

Veçoria vjen pak kohë pas lansimit të “Quiet Mode” në Instagram – veçori që inkurajon përdoruesit të caktojnë kufizime me miqtë dhe ndjekësit e tyre. Ky modalitet hesht njoftimet dhe dërgon auto-përgjigje në mesazhe.

Veçoritë pritet të jenë gati në gjithë botën së shpejti. / KultPlus.com

60-vjetori i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

Viti 2023 shënoi 60-vjetorin e romanit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, librit që i dha famë botërore shkrimtarit Ismail Kadare, duke shitur mbi 6 milionë kopje.

Shtëpia “Studio Kadare” Tiranë dhe Muzeu “Kadare” Gjirokastër, organizuan me rastin e këtij përvjetori, një takim letrar në shtëpinë e shkrimtarit Kadare, të kthyer në muze. Ishte një takim frymëzues me plot të pathëna mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u botua në vitin 1963, në Tiranë. Një vit më herët, Kadare e kishte botuar edhe në formën e një tregimi, të cilin e përpunoi dhe e solli në formën që njihet sot.

Vepra është përkthyer në shumë gjuhë të botës, duke i dhënë shkrimtarit njohje në arenën ndërkombëtare. Gazeta nga më prestigjiozet kanë bërë recensione për të, por “Le Monde” e Parisit e ka futur në listën e 100 librave më të mirë të shekullit XX.

Vepra ka frymëzuar edhe disa regjisorë, të cilët kanë realizuar filma artistikë bazuar mbi romanin më të famshëm të Kadaresë./ atsh / KultPlus.com

Media franceze për Piramidën: Qendër e teknologjisë si në Paris dhe Berlin

Transformimi i Piramidës në qendrën më të madhe teknologjike në rajon ka tërhequr vëmendjen e medieve botërore. Media e njohur franceze “21 Minutes” i ka kushtuar një artikull Piramidës së Tiranës.

“Vepra që dikur i kushtohej një diktatori komunist sot është gati për t’u rikthyer në një qendër të teknologjisë ku të rinjtë do të kenë mundësinë për të krijuar të ardhmen e tyre”, shkruan “21 Minutes”.

Media franceze shprehet se “Piramida shërbeu si vendndodhje e zyrave të NATO-s, si ambient për ambasadën e SHBA, por gjithashtu shërbeu si lokal, klub nate, studio televizive”.

Duke bërë një kronologji të ngjarjeve që ndodhen më tutje, në artikull thuhet se pasi dështoi projekti për ta kthyer objektin në teatër, ajo u la e braktisur dhe në harresë për shumë vite ndërkohë që sot ajo është e rinovuar, gati për të zhvilluar kurse të teknologjisë.

Programi i edukimit digjital që ka për qëllim të aftësojë të rinjtë në këtë fushë, krahasohet me ato të qyteteve si Parisi apo Belini.

“Ky program i edukimit digjital ekziston tashmë në qytete si Parisi apo Berlini. Në Tiranë, ai ka si qëllim të aftësojë të rinjtë në fushën digjitale”, shkruan “21 Minutes”.

Drejtoresha e TUMO Tirana, Shqipe Berisha shprehet për median franceze se njohuritë që të rinjtë do të përfitojnë në këtë qendër do t’u shërbejnë atyre për të ardhmen.

“Të gjithë njohuritë që të rinjtë do të përfitojnë këtu, do u vlejnë atyre tani, por kryesisht do u shërbejnë në të ardhmen, çfarëdo lloj profesioni ata do të zgjedhin të ushtrojnë në të ardhmen”, tha Berisha për median franceze.

Projekti ambicioz për rijetësimin e ka transformuar si kurrë më parë Piramidën në një stoli për kryeqytetin me perspektivën e një prej pikave më të vizituara në të ardhmen për të gjithë turistët që vijnë në Shqipëri. Transformimi i Piramidës në Tiranë vlerësohet si një nga 12 projektet më të mira arkitekturore në botë./ atsh / KultPlus.com

Restaurohet shtatorja e Shën Mëhillit, vepër e Kolë Idromenos

Shtatorja e Shën Mehillit, me autor Kolë Idromenon rikthehet e restauruar prej DRTK Shkodër, në Katedralen e Shkodrës. Kjo shtatore është një vepër tejet e veçantë në aspektin e vlerave unikale fetare, kulturore e shoqërore.

Ndërhyrjet konservuese dhe restaurimi, kanë bërë të mundur nxjerrjen në dritë të kësaj vepre të artit nga faza e degradimit, duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësi si pjesë e fondit të pasur të trashëgimisë kulturore të Kolë Idromenos.

Shën Mikeli, ose siç njihet në vendin tonë si Shën Mhilli, është një ndër kryeengjëjt e krishtërimit.

Në interpretimin biblik ai njihet si gjeneral i ushtrisë së Zotit dhe engjëlli që dëboi, Luçiferin, një engjëll mëkatar. Që në shek. IV kisha nisi ta njohë si një engjëll të shërimit, dhe pastaj me kalimin e kohës si një mbrojtës kundër forcave të së keqes. Ai vjen i interpretuar gjithmonë në skenat biblike me një peshore ose me një shpatë në dorë duke vrarë djallin. / KultPlus.com

Drejtori i animacionit të serialit të animuara “South Park”, ndër më të njohurit në botë, po vjen në Anibar

Eric “Butters” Stough, drejtori i animacionit të një nga serialeve të animuara më të njohura në botë, “South Park”, po vjen në Anibar.

“South Park” ka marrë vlerësime pozitive nga kritikët dhe është përfshirë në listat e botimeve të ndryshme të shfaqjeve më të mëdha televizive. “South Park” ka fituar çmime të shumta, duke përfshirë pesë çmime Primetime Emmy dhe një çmim Peabody. Në vitin 1999 u realizua edhe filmi “South Park: Bigger, Longer & Uncut”, i cili pati shumë sukses, duke fituar një nominim për çmimin Oscar. Në vitin 2013, TV Guide e renditi “South Park” si serialin e dhjetë më të mirë televiziv të të gjitha kohërave.

Eric Stough do t’i bashkëngjitet edicionit të 14-të të festivalit të filmit të animuar Anibar, me një prezantim fantastik rreth fakteve më interesante dhe punës së tij në “South Park”. Ky prezantim është i hapur për të gjithë, pra mos e humbisni mundësinë për të mësuar gjithçka rreth “South Park” dhe për të takuar një nga animatorët më të suksesshëm në botë, Eric Stough.

Ky event ju pret në qytetin e Pejës nga 17 deri më 23 korrik.

Eric Stough Biografia

Eric Stough është regjisor dhe producent i animacionit për shfaqjen e animuar hit të Comedy Central “South Park”. Seriali i animuar ka përfunduar njëzet e pesë sezone, dhe për Eric Stough seriali i ka sjellur pesë çmime Emmy të fituara si dhe çmimin e lakmuar Peabody. Ai përfundoi kolegjin në Universitetin e Kolorados me krijuesit Trey Parker dhe Matt Stone. Stough filloi karrierën e tij duke punuar për Denver’s Celluloid Studios duke punuar si asistent regjisor në reklama kombëtare.

Ai ishte regjisori i animacionit për “South Park: Bigger, Longer & Uncut” dhe ka punuar me Trey Parker dhe Matt Stone në “Orgazmo, Team America: World Police” dhe hitin e Broadway-t “The Book of Mormon”. Ai prodhoi dhe drejtoi animacion për të dy lojërat e konsolës së South Park, “The Stick of Truth” (publikuar nga Ubisoft në 2014) dhe “The Fractured But Whole” (publikuar nga Ubisoft në 2017). Për momentin, ai po punon në sezonin e 26-të të South Park, duke përfshirë dy edicione speciale për Paramount+, restorantin e ri të Matt dhe Trey, Casa Bonita, si dhe një lojë të re konsole. / KultPlus.com

79-vjetori i masakrave ndaj popullsisë Çame


Çamëria përbën grupin e katërt të krahinave etnografike, që formojnë Toskërinë, e cila sot në territorin grek korrespondon me prefekturën e Thesprotisë. Në kohërat antike thesprotët, së bashku me fiset Molose e Kaone përbënin fiset kryesore të Epirit.

Çamëria shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, nga lumi i Pavllës e deri në gjirin e Prevezës, ku bëjnë pjesë rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margëlliçit, të Paramithisë, të Pargës e të Prevezës. Çamëria zë një sipërfaqe prej 4 000 km katrorë, me një vijë bregdetare prej 107-108 km. Ajo ka një popullsi prej më shumë se 75. 000 frymësh, e cila është tërësisht shqiptare.

Trojet shqiptare të Çamërisë u zaptuan nga Greqia gjatë Luftërave Ballkanike dhe u aneksuan nga Konferenca e Ambasadorëve me vendimin e 11 gushtit të vitit 1913. Vija përfundimtare e kufirit u vendos në Traktatin e Firences, më 17 dhjetor 1913. Traktati i Lozanës i vitit 1923 iu dha shkas qarqeve drejtuese të Athinës, që të dëbojnë me dhunë çamët nga trojet e tyre.

Masakrat ndaj popullsisë çame nisi më 27 qershor të vitit l944, nën udhëheqjen e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva. Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë në rajonin e Paramithisë. Forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë. Popullsia e Parathimisë u kap në befasi. Numri i civilëve të vrarë ka qenë: në Filat l286, në Gumenicë l92, në Pargë 620 dhe gjatë periudhës 27 qershor 1944 deri në mars 1945, u vranë 2771 civilë.

Si pasojë e këtij gjenocidi, rreth 25.000 e pjesës së popullsisë myslimane së Çamërisë, u shpërngulën dhe u vendosën në qytetet shqiptare. Gjatë shpërnguljes së tyre e ikjes së tyre drejt Shqipërisë, rreth 2400 njerëz kanë humbur jetën gjatë rrugës, për shkak të mungesës së ushqimit dhe vuajtjeve . Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 30 qershor 1994 e shpalli 27 qershorin si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Shumë pjesëtarë të komunitetit çam, më 27 qershor të çdo viti, përkujtojnë në Qafë-Botë të afërmit e tyre që u masakruan nga shteti grek gjatë viteve 1913-1944. / KultPlus.com

Lumi i Shalës fluks vizitorësh, rreth 12 mijë vetëm në qershor

Lumi i Shalës, në liqenin e Komanit po tërheq çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, për shkak të bukurisë që natyra i ka falur kësaj zone.

I cilësuar nga mediet e huaja si një “parajsë e vogël”, ky lum është padyshim destinacioni më i preferuar sidomos nga të rinjtë.

Emanuel Pjetri, guidë turistike në Pukë, tha për ATSH-në se ” nga 1 qershori e deri tani mund të ketë pasur afërsisht 12 000 vizitorë. Në ditë ky lum është vizituar nga 400 -500 persona në ditë, ndërsa fundjavat normalisht ka pasur një numër më të lartë”.
Sipas tij, për të vizituar lumin e Shalës udhëtimi me varkë nga Komani zgjat 1 orë e 20 minuta.

“Turistët shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës, ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij”, theksoi Pjetri.

Pjetri tregon se vizitorët në udhëtimin e tyre vizitojnë kanionin te lumi i Shalës, ujëvarën e Qerretit të Vilës, Shpellën e Kaurrit (murgjëve) etj.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve Shqiptare dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi Shalës dallohet me ujin e tij të veçantë ngjyrë blu e thellë.

Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin./ atsh / KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore



Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka udhëtuar për në Podgoricë, Mal të Zi, për të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Në këtë Samit, Presidentja Osmani do t’i bashkohet krerëve të 13 shteteve për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për përshpejtimin e perspektivës evropiane të rajonit, garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe promovimit të bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm. / KultPlus.com

106 vite nga lindja e kompozitorit Prenk Jakova

Prenk Jakova (Shkodër, 27 qershor 1917 – 16 shtator 1969) ka qenë arsimtar, muzikant, kompozitor dhe autori i operës së parë shqiptare titulluar Mrika. Këngët e tij “Syrin tek qershia” dhe “Margjelo” janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumëkush i identifikon si këngë popullore shkodrane.

Prenk Jakova u lind më 1917 në një familje qytetare me prejardhje nga Gjakova, i biri i Kolës së Dedë Jakovës. Gjyshi i tij, Deda, qe i dhënë pas muzikës dhe i binte klarinetës në Kolegjin Saverian.

Jakova ndoqi shkollën fillore në vitet 1924-1929 dhe më pas vijoi në liceun Illyricum në qytetin e lindjes, ku ndër të tjerë i dha mësim edhe Át Martin Gjoka. Gjatë shkollimit të mesëm, kaloi nga liceu në gjimnazin e përgjithshëm të Shkodrës, të cilin e kreu më 1935.

Gjatë shkollës qe anëtar i bandës së shkollë dhe me nxitjen e të atit nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia. Më tej banda e shkollës u shndërrua në bandën e qytetit dhe Jakova qe klarinetisti i saj.

Gjatë kësaj periudhe Jakova nisi të shkruante motive muzikore mbështetur në motivet e këngëve popullore të mirënjohura, ndër të cilat “Delja rudë”, “Hajredini”, “Besa e një trimi” dhe “Shkoj e vi flutrim si zogu”.

Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Opera e dytë e Prenk Jakovës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika”.

Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë.
Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.

Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun.

Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës.

Më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë.

Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat.

Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat. / KultPlus.com

Në të ardhmen, inteligjenca artificiale do të parashikojë se cilat këngë do të jenë më të njohurat

Më shumë se 24 mijë këngë të reja publikohen çdo ditë në botë. Por vetëm katër për qind parashikohen të jenë hit. Në studimin e ri , një grup shkencëtarësh nga Amerika hetuan se si njerëzit vendosin se cila këngë do t’i pëlqejë, pra cila do të jetë më e pëlqyera në një periudhë të caktuar dhe rezultatet i befasuan, shkruan ” Science blog”.

Ata përdorën algoritme për të analizuar reagimet trupore të dëgjuesve ndaj muzikës dhe zbuluan se ata mund të parashikonin me 97 për qind saktësi se cilat këngë do të donin shumica e njerëzve.

“Duke aplikuar mësimin e makinerive në të dhënat neurofiziologjike, ne mund të identifikonim pothuajse në mënyrë të përsosur këngët hit.” Është mjaft e mahnitshme që aktiviteti nervor i 33 njerëzve mund të parashikojë nëse miliona të tjerë do të dëgjojnë këngë të reja. “Asgjë afër kësaj saktësie nuk është demonstruar ndonjëherë.” “tha Paul Zack, profesor në Universitetin Claremont dhe autor i studimit

Në studim, pjesëmarrësit u pajisën me sensorë dhe dëgjuan 24 këngë duke dhënë komente mbi preferencat e tyre. Duke gjurmuar ndryshimet në trurin e subjekteve, algoritmet matën emocionet e tyre dhe sa me vëmendje e dëgjonin melodinë e ofruar. Shkencëtarët kanë vënë re se nënndërgjegjja e të anketuarve parashikon më mirë se cilën këngë u pëlqen sesa komentet e tyre të vetëdijshme.

Me këtë studim, shkencëtarët shpjegojnë rëndësinë e këtyre gjetjeve, duke deklaruar se shërbimet e transmetimit të muzikës do të jenë në gjendje të identifikojnë më lehtë dhe me efikasitet këngët e reja që ka të ngjarë të jenë hite për listat e luajtjes së përdoruesve, duke e bërë punën e tyre më të lehtë dhe magjepsur dëgjuesit.

Kjo do të mundësojë përvoja argëtuese të përshtatura në popullatën e përgjithshme, bazuar në neurofiziologjinë e individëve. Në vend që njerëzit të mbingarkoheshin me opsione të panumërta, atyre mund t’u paraqiteshin vetëm disa zgjedhje, duke e bërë më të lehtë për ta zgjedhjen e muzikës që do t’u pëlqente.

Edhe pse shkencëtarët arritën rezultate pothuajse perfekte të parashikimit, ata pranuan se kishte disa kufizime, duke qenë se përdorej një numër relativisht i vogël këngësh./alsatm/KultPlus.com

‘Dhurojua të tjerëve dritën që nuk e ke’

Poezi nga Alessandro Manzoni

Dhurojua të tjerëve

Kujdesu per dhimbjet e tua,
per kerkesat e atyre qe te jane prane!

Dhurojua te tjereve driten qe nuk ke,
forcen qe nuk zoteron,
shpresen qe ndjen te luhatet ne ty,
besimin qe te mungon.
Ndriçoji nga erresire jote.
Pasuroji me varferine tende.

Dhuro nje buzeqeshje
kur ke deshire te qash.
Prodho hare
me stuhine qe ke Brenda.
“Ja, ate qe s’kam ta dhuroj”.
Kjo eshte parajsa jote.

Do te vesh re qe gezimi,
pak nga pak do depertoje ne ty,
do pushtoje qenien tende,
do behet vertet i yti ne masen
ne te cilen, do ua kesh dhuruar te tjereve./KultPlus.com

Dilema e Charels Darwinit: Të martohem apo të mos martohem?!

Shkencëtari i njohur anglez nuk mund të rrinte pa gruan që e rrëmbeu me një vështrim. Ja çfarë i shkruan ai më 2 janar 1839 Emma Wedgwood.

“Nuk mund ta shpreh se sa e shijova vizitën në Maer, sepse ndjeva qetësinë e jetës sime të ardhshme. Sa shumë shpresoj se do të jesh aq e lumtur sa unë di! Po frikësohem sa herë që mendoj pjesë e ç’familje ke qenë. Po mendoja sot në mëngjes se si ndodhi që unë, një njeri kaq i dhënë pas të folurit dhe rrallëherë në humor jo të mirë, e mbështeta nocionin tim mbi lumturinë, te qetësia dhe vetmia.

Por besoj se shpjegimi është shumë i thjeshtë. Gjatë pesë viteve të udhëtimit tim (dhe, mund të shtoj, edhe këtu dy të fundit), që për nga mënyra aktive me të cilën u jetuan, mund të thuhet se janë fillimi i jetës sime të vërtetë, gjithë kënaqësia ime rridhte nga ajo çka kalonte në mendjen time, ndërsa admiroja pamjet duke udhëtuar përgjatë shkretëtirave të egra, ose pyjeve të lavdishme.

Të kërkoj ndjesë për kaq shumë egoizëm! Ta shpreh ty, sepse mendoj se do të më japësh formë më njerëzore dhe së shpejti do të më mësosh se ekziston një lumturi më e madhe se krijimi i teorive dhe mbledhja e fakteve në heshtje dhe vetmi” .

Charels Darwin është një ndër shkencëtarët e njohur .Ai argumentoi se të gritha speciet e jetës kanë prejardhje të përbashkët dhe propozoi teorinë shkencore se evolucioni është një proces.

Kur, në vitin 1836 Charles-i i kthye në shtëpi nga udhëtimi i tij pesëvjeçar rreth botës, që përfshiu udhëtimin në ishujt Galapagos, kishte filluar tashmë ta shihte jetën dhe krijimin në një mënyrë të re. E ndërsa i bënte komplimente Emma WedgWood-it, kushërirës së tij, ai vendosi të martohej me të.

Charles-i shkarraviti mendime të shpërndara mbi karrierën dhe perspektivën në dy copa letrash, një me shtyllë “Të martohem” dhe një të titulluar “Të mos martohem”. Avantazhet përfshinin “shoqëri e vazhdueshme dhe një mikeshë në pleqëri…, sidoqoftë më mirë se qeni”, përkundër pikave si “Më pak para për libra” dhe “Humbje e tmerrshme kohe”.

Ata u martuan në 29 janar 1839. Charles-i dhe Emma patën 10 fëmijë bashkë. Tre prej fëmijëve vdiqën. Vdekja e vajzës së tyre, Annie, sigurish u hapi plagë në zemra. Ajo humbje mund t’i kishte ndarë përgjithmonë.

Por humbja forcoi besimin e Emmës dhe, nga ana tjetër, mbylli derën e besimit te Zoti për Charles-in. Megjithatë, ata luftuan për martesën e tyre. Ditën që vdiq Annie, Emma i shkroi Charles-it: “Duhet të kujtosh që je thesari im kryesor (dhe ke qenë gjithmonë)”.

Charles-i dhe Emma jetuan të martuar për 43 vjet. Emma, e cila më parë nuk kishte qenë fare e interesuar për shkencën, këtë herë ju bashkua bashkëshortit. Në fund, secili prej tyre pranoi dhe, me sa duket vërtetë kuptoi, çfarë besonte tjetri. Charels Darwin vdiq më 19 prill 1882 dhe u varros në Westminster, pranë Isaac Newton. /filozofia.al/ KultPlus.com