Nata e parë e festivalit folklorik në Gjirokastër, interpretuan grupet e Kukësit, Beratit dhe Maqedonisë së Veriut

Festivali Folklorik Kombëtar ka sjellë në Gjirokastër ritme dhe ngjyra që kanë mbushur gjithë qytetin dhe rrethinat.

Grupet folklorike të qarkut të Kukësit dhe Beratit si dhe Ansambli Shtetëror Shqiptar i Maqedonisë së Veriut sollën emocione të rralla në natën e parë të eventit.

Artistët popullorë kanë përcjellë copëza të rralla të trashëgimisë kombëtare, materiale burimore, tinguj të instrumentave si fyejt, lahuta, çiftelia si dhe valle qindra vjeçare të traditës, elementë autentikë të kostumeve si ai i Rrajcës, Beratit e Skraparit. Grupet debutuese u paraqitën me artistë të të gjitha moshave e për herë të parë spikaste numri i madh i të rinjve. Megjithatë shumë prej pjesëmarrësve mendojnë se procesi që i parapriu përgatitjes për festivalin ka qenë i shkurtër dhe i pamjaftueshëm. Grupet kanë pasur pak kohë për prova ndërsa edhe kriteret e selektimit kanë qenë shumë të ndryshme nga festivalet e mëparshëm.

Festivali Folklorik Kombëtar do të vijojë sot në mbrëmje me debutimet e qarqeve të Lezhës dhe Vlorës si dhe grupin përfaqësues të shqiptarëve të Malit të Zi. Në orët e vona të mbrëmjes çdo natë do të sjellë ritme të tjera të muzikës qytetare, asaj të lehtë, rokut dhe bandave të njohura nga disa vende fqinjë. Skena e eventit po ndahet mes kalasë dhe zonës historike ndërsa festa është duke përfshirë gjithë qytetin.

Festivali do të zgjasë 8 ditë dhe pritet të evidentojë aspekte të harrura të trashëgimisë kulturore. Për herë të parë nuk do të ketë konkurrim por një komision ekspertësh të etnografisë, folkut, trashëgimisë kulturore dhe muzikologë që do të vlerësojnë prurjet më origjinale si dhe kalimin e elementëve të traditës nga brezi në brez./Top Channel/KultPlus.com

Bijë

Poezi nga Velimir Chlebnikov
Përktheu Faslli Haliti

Vajzë! Nëse sytë e tu janë të lodhur për t’u zmadhuar,
nëse të pëlqen të më thërrasësh “vëlla”,
unë, syzjarrti, betohem
për të mbajtur lart lulen e jetës tënde.
Shiko, unë jam i tillë, rashë nga një re
shumë keq, më bartën
sepse isha ndryshe,
jo gjithmonë i përzemërt,
jo i dashur kudo.
Nëse ti dëshiron, do të jemi vëlla e motër,
pasi tashmë jemi në një tokë të lirë të njerëzive të lirë,
ne i bëjmë vetë ligjet, ligjet nuk duhet të na trembin,
dhe plazmojmë argjilin e veprimeve.
E di, je e bukur, lule e kaltërsisë,
dhe unë befas jam mirë,
nëse flisni për Soçin
dhe sytë e butë hapen.
Unë, që kam dashur gjatë,
papritmas kam besuar përherë
se është e kotë që një druvar të çajë
atë që ishte e paracaktuar…
Shumë fjalë të tepërta do të shmangim ne.
Thjeshtësisht do të shërbej për ty,
si një prift kapelan me kresht të gjatë:
për të pirë rrëketë e kaltra të pastërtisë
dhe nuk do të kemi frikë nga disa emra të tmerrshëm./ KultPlus.com

‘Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës’

Thënie nga ikona e muzikës pop, Michael Jackson

“Përpara se të më gjykosh, përpiqu fort të më duash”.

“Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh”.

“Unë mund ta pranoj dështimin. Secili nga ne dështon në diçka përgjatë jetës së vet, por unë nuk mund ta pranoj dot të mos e provoj sërish”.

“Gjithmonë beso tek vetja. Pavarësisht nëse të tjerët rreth teje po tregohen negativë, apo po të përçojnë energji negative, mos i merr parasysh mendimet e tyre, sepse ti do të bëhesh, ashtu siç ti beson se do të bëhesh”.

“T’i japësh dikujt një pjesë të zemrës tënde, është shumë herë më me vlerë se t’i japësh gjithë pasurinë e botës”.

“Nëse ti nuk beson tek vetja jote, asgjë e mirë nuk do të të ndodhë në jetë. Nëse ti nuk beson tek vetja, kush tjetër do të të besojë ty?”

“Le të ëndërrojmë për një të nesërme ku do të dashurojmë me shpirt, dhe do ta njohim dashurinë si të vërtetën e vetme që buron nga zemra për çdo krijesë”.

“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët”.

“Dikush dikur tha “Shpirti është ai që ka rëndësi””.

“Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës”

– Michael Jakson./ KultPlus.com

Katër parimet e një shkrimtari sipas George Orwell

Njihet si shkrimtari me potencial profeti i romanit distopik “1984”, apo alegorinë te “Ferma e kafshëve”. Përveçse autor i këtyre romaneve dhe disa librave tjerë të rëndësishëm, ishte para së gjithash një eseist. Me qindra ese të tij të shkruara përgjatë dekadave prekin një larmishmëri të madhe temash, nga letërsia te politika dhe filozofia. Në njërën prej këtyre eseve, “Pse shkruaj”, jep katër arsye të mundshme.

EGOIZËM I PASTËR: Një nga arsyet pse dikush fillon të shkruajë mund të jetë dëshira për t’u dukur i mençur, për të qenë temë diskutimi mes të tjerëve, për t’u kujtuar pas vdekjes, për të sfiduar ata fëmijët popullorë që të injoronin kur ti ishe fëmijë. Është mashtrim të pretendosh se ky nuk është një motivim për të shkruar, e madje është një motivim i fortë. Shkrimtarët e kanë këtë karakteristikë të përbashkët me shkencëtarët, artistët, politikanët, avokatët, ushtarët, biznesmenët e suksesshëm – me pak fjalë, me bërthamën e njerëzimit. Pjesa dërmuese e qenieve njerëzore nuk janë shumë egoistë. Pasi arrijnë në moshën tridhjetë vjeç, shumica braktisin ndjenjën e të qenit individualë – dhe jetojnë kryesisht për të tjerët. Por ka një pakicë të vogël me dhunti, njerëz që me paramendim janë të vendosur të jetojnë jetën e vet si qëllim në vetvete dhe shkrimtarët janë në këtë kategori. Shkrimtarët seriozë, më duhet të them, janë në tërësi më vanitozë dhe e shohin veten si qendra e botës më shumë se sa gazetarët, megjithëse janë më pak të interesuar për para.

ENTUZIAZËM ESTETIK: Perceptimi i bukurisë në botën e jashtme, ose në anën tjetër, te fjalët dhe radhitja e duhur e fjalëve. Kënaqësia në impaktin e një tingulli mbi një tjetër, në fortësinë e prozës së mirë apo në ritmin e një tregimi të mirë. Dëshira për të ndarë një eksperiencë që dikush ndjen se është e çmuar dhe nuk duhet të humbet. Motivi estetik është shumë i dobët mes shumë shkrimtarëve, por dhe një pamfletist apo shkrimtar librash shkollor do të ketë fjalë apo fraza të parapëlqyera të cilat e joshin atë për arsye jo-utilitare; ose ai mund të ndjehet më mirë mbi tipografinë, mbi gjerësinë e anëve, etj. Çdo libër përtej nivelit të një udhërrëfyesi hekurudhash nuk mund të jetë pa të menduar estetik.

IMPULS HISTORIK: Dëshira për të parë gjërat siç janë dhe për të gjetur faktet e vërteta e për t’i ruajtur ato për përdorim nga brezat pasardhës.

QËLLIM POLITIK: Përdorimi i fjalës ‘politike’ në kuptimin më të gjerë të mundshëm. Dëshira për ta shtyrë botën në një drejtim të caktuar, për të ndryshuar idetë e njerëzve të tjerë mbi llojin e shoqërisë që ata duhet të kërkojnë të kenë. Edhe këtu, nuk mund të ekzistojë një libër i pastër i pandikuar apo i paanshëm politikisht. Mendimi se arti nuk duhet të ketë të bëjë fare me politikën është në vetvete një mendim politik. / Hejza / KultPlus.com

Margariti: Këngë, valle e kostume popullore nga Shqipëria e diaspora, në 8 netët e Festivalit në Gjirokastër

Pas 8 vitesh pritjeje, u hap mbrëmjen e së shtunës edicioni XI i Festivalit Folklorik Kombëtar, në Gjirokastër.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau foto të natës së parë të këtij festivali, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga familja e tij.

“Mes një emocioni të jashtëzakonshëm, një atmosfere të ngrohtë e mikpritëse si di vetëm Gjirokastra e gjirokastritët, nën një kurorë dritash, krijuar prej kilometra fijesh në nder të artizanëve tanë, nën prezencën e Kryeministrit të vendit Edi Rama, përfaqësues të trupave diplomatike, qindra të ftuarve dhe një publiku dashamirës, hapëm edicionin XI të Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër”, u shpreh Margariti.

Ajo bëri të ditur se potpuria më e bukur e këngëve të djepit, të dasmave e gëzimeve, vallet e ritet, parada e kostumeve popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë e diaspora do të na shoqërojnë përgjatë 8 netëve!

“Çdo natë është një festë, nga skena e kalasë te Sheshi i Çerçizit e çdo kalldrëm i Gjirokastrës! Le të festojmë të gjithë së bashku bukurinë e shpirtit shqiptar!”, tha Margariti më tej./KultPlus.com

‘Guns N’ Roses’ triumfon në Glastonbury

 ”Guns N’ Roses” bënë dje në mbrëmje një performancë debutuese triumfuese në Glastonbury, ndërkohë që Lana Del Rey, që hapi koncertin filloi me vonesë për shkak të ndërprerjes së rrymës elektrike.

Këngëtarja amerikane u detyrua të udhëheqë fansat në një performancë të këngës së saj të fundit “Video Games”, pasi mikrofonit iu ndërpre energjia elektrike.

Del Rey u kërkoi falje fansave duke i kërkuar që ta ndihmonin të këndonte këngën dhe më pas të zbriste për t’i takuar dhe për t’i përshëndetur.

Ajo ishte ngjitur në skenë me 30 minuta vonesë duke i lënë fansat të shqetësuar, që filluan të thërritnin “Duam Lanën!”.

Del Rey u përfshi nga një vështirësi e dukshme teknike gjatë performancës së saj, gjë që e detyroi atë të rifillonte këngën e saj “White Mustang” dhe më vonë ajo nuk performoi “Venice Bitch”.

Në skenë, ”Guns N’ Roses” kënduan mbi dy orë, përfshirë këngët “Live And Let Die”, “Knocking On Heaven’s Door”, “Sweet Child O’ Mine” dhe “November Rain”.

Ndërkohë, Rick Astley, i veshur me një kostum ngjyrë trëndafili të errët, këndoi këngën e tij hit të viteve 1980 “Together Forever”./KultPlus.com

Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 87-të

Akademiku i njohur shqiptar Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 87-të. Ai ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj te Kelmendit, Malit të Zi, shkruan KultPlus.

Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci.Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, Beograd ku në vitin 1971 mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981.

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, Gjilani Çmimin letrar- Beqir Musliu, më 22 qershor 2012 ia dorëzoi akademikut Rexhep Qosja . Ai është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”. Qosja është anëtarë i rregullt i ASHA të Kosovës./ KultPlus.com

Zbulohet një tempull 4000-vjeçar në Holandë

Arkeologët zbuluan një tempull 4.000-vjeçar në Holandë.

Qyteza Tiel publikoi një deklaratë të premten duke thënë se shenjtërorja u zbulua në pjesën qendrore të vendit dhe kishte një kalendar diellor.

Arkeologia e bashkisë, Ilse Schuuring, ka thënë se punimet kanë marrë gjashtë vjet për t’u përfunduar.

Mostra e rindërtimit e zbuluar në shtyp të mërkurën dëshmon se tempulli ka qenë një ndërtim spektakolar gjatë kohës së tij. Në deklaratë shtohet se tempulli antik ka disa tuma dheu dhe ndodhet në pronën industriale Medel.

Arkeologët kanë gjetur eshtrat e 80 personave të djegur dhe të varrosur brenda tempullit. Siç thuhet, tempulli i lashtë ishte një vend për festime, rituale dhe vende varrimi për 800 vjet.

Një nga kodrat e tempullit është përdorur si kalendar diellor për të përcaktuar kohën e vitit.

Lidhje me Mesopotaminë

Një rruazë e qelqit, e cila konsiderohet se ka ardhur nga Mesopotamia, është një nga pjesët më interesante të gjetura në zonën e zbulimit dhe konsiderohet si më e vjetra që gjendet në Holandë. Zbulimi tregon se popullsitë që jetonte në Medel ishte në kontakt me njerëzit që jetonin 5.000 kilometra larg.

Një raport i detajuar shkencor do të publikohet pasi të përfundojë hulumtimi i plotë në vjeshtë. /KultPlus.com

14 vjet nga vdekja e Michael Jackson, ikonës së muzikës pop

Michael Joseph Jackson, lindi më 29 gusht 1958 në Gary, Indiana.

Ai ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, valltar amerikan.

I pagëzuar si Mbreti i Popit, apo siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, King of Pop, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Kontributet e Jackson në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë një figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.

Michael Joseph Jackson vdiq më 25 qershor 2009 në Los Anxhelos, Kaliforni./ KultPlus.com

Vdes aktori amerikan Frederick Forrest

Frederick Forrest është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare.

Ai ishte i njohur për rolet e tij në filmat e famshëm të viteve 1970, duke përfshirë “Apocalypse Now!”, “The Conversation” të Francis F. Coppola, “Missouri Runaways” të Arthur Penn, si dhe “The Rose” nga Mark Rydell.

Për filmin “The Rose” është nominuar për çmimin Oscar në kategorinë e aktorit dytësor.

Forrest lindi në dhjetor 1936 në Teksas. Ëndrra e tij e fëmijërisë ishte të bëhej aktor, por nervozizmi nuk e ndihmoi të kalonte asnjë audicion.

Sidoqoftë, ai më pas ndoqi Universitetin Kristian të Teksasit, duke marrë kështu role të vogla në aktrim. Më pas u specializua në studimet për radio dhe televizion.

Rolet e tij më të suksesshme ishin në filmat e Coppola-s dhe më konkretisht në “Apocalypse Now” dhe “One Day One Love”.

Pavarësisht fillimit të tij të fortë, megjithatë, në Hollywood, karriera e tij nuk ishte e barabartë. Ai nuk mori kurrë një rol kryesor dhe mbeti në atë dytësor, si ai i neonazistit në “Ditën speciale” të Joel Schumacher. Roli i tij i fundit ishte në All the King’s Men (2006)./KultPlus.com

Tri fragmente nga kryeveprat e George Orwell

George Orwell, pa dyshim se do të mbahet në mend për  kryeveprat e tij si “1984” dhe “Ferma e kafshëve”, pa lënë anash autobiografinë “Rruga për në skelën Uigan”.

Dhe këto janë tri thënie nga librat më të njohur të tij, të përzgjedhur nga Libraria Buzuku.

“Jetojmë në një botë ku kurrkush nuk është i lirë, ku vështirë të ketë ndokënd që të jetë i sigurt, ku nuk është aspak e mundur të jesh i ndershëm dhe të mbetesh gjallë.” (Rruga për në skelën Uigan)

“Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen: kush kontrollon të tashmen, kontrollon edhe të shkuarën.” (1984)

“Të gjitha kafshët janë të barabarta por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.” (Ferma e kafshëve)./ KultPlus.com

‘Gruas time Janinës, me të cilën jetuam mes lumturisë e fatkeqësisë’

CZESŁAW MIŁOSZ – DUKE I DHËNË LAMTUMIRËN SIME SHOQEJE, JANINËS
Përktheu Romeo Çollaku

Vajtojcat ia kthenin motrën e tyre zjarrit.
Dhe zjarri, njëlloj si ai që soditnim së toku.
Ajo dhe unë, martuar kaq vite.
Bashkuar me besën për të keq e për të mirë, zjarri
Në oxhakë dimrit, kampeve, qyteteve që digjen,
Themelor, i kulluar, prej zanafillës së planetit Tokë,
Ia zhvishte lumin gri të flokëve,
I rrëmbente gojë e gushë, e gëlltiste, zjarri.
Ai që në gjuhën njerëzore shpreh dashurinë.
S’doja t’ia dija për gjuhë. As për fjalët e lutjes.
E kisha dashur, pa ditur cila qe në të vërtetë.
E kisha bërë të vuante, teksa gjurmoja vegime.
E kisha tradhtuar me të tjera, veç asaj duke i qëndruar besnik.
Jetuam mes një lumturie e fatkeqësie të paanë,
Mes ndarjesh, arratish që s’kanë të rrëfyer. Dhe tanimë ky hi.
Dhe deti rreh bregun teksa çapitem shëtitores së shkretë.
Dhe deti rreh bregun. Dhe përvoja e gjithësishme.
Si mund të mbrohesh prej hiçit? Cila forcë
Mund ta ruajë atë që ish dikur, nëse kujtesa këputet?
Se pak gjëra më vijnë në mend. Kaq pak gjëra më vijnë në mend.
Vërtet, rijetimi i kujtesës do të ishte Gjyqi i Fundmë,
Që Mëshira jonë ndoshta e shtyn nga dita në ditë.
Zjarr, çlirim prej rëndesës. Molla s’rrëzohet përdhe,
Mali tundet nga vendi. Përtej perdes së zjarrit,
Një qengj që rri në livadhin e trajtave të pabjerrshme.
Shpirtrat në Purgator përzhiten. Herakliti i marrë
Sheh flakën tek përpin themelet e botës.
A besoj në ringjalljen e trupit? Jo prej këtij hiri.
Thërras, përgjërohem: shpërbëhuni, elementë!
Rilindni në tjetrën, që ardhtë, Mbretëri!
Përtej zjarrit tokësor ndërthuruni edhe një herë! / KultPlus.com

Kanadaja do të kërkojë nga Google dhe Meta të paguajnë mediat për lajmet e tyre

Senati i Kanadasë miratoi të enjten një projekt-ligj që do t’u kërkojë Google-s dhe Meta-s të paguajnë mediat për përmbajtjen e lajmeve që ata ndajnë ose ripërdorin në platformat e tyre.

Projektligji, i cili do të bëhet ligj, u miratua në mes të një përplasjeje midis qeverisë së kryeministrit Justin Trudeau dhe gjigantëve të teknologjisë Silicon Valley.

Senati miratoi projektligjin i cili kërkon nga gjigantët e teknologjisë Meta dhe Google që të paguajnë mediat për lajmet që ato postojnë në platformat e tyre.

Ndërkohë Meta në një deklaratë tha se do të zbatojnë ligjin në fjalë. Projektligji do të bëhet ligj pas miratimit mbretëror dhe do të hyjë në fuqi brenda 6 muajve./ballkanweb/KultPlus.com

Nis sot festivali folklorik, Rama ndan pamje nga atmosfera në Gjirokastër (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga qafa e pazarit në Gjirokastër, ku mbrëmjen e kësaj të shtune do të çelet Festivali Folklorik Kombëtar i qytetit të gurtë.

“Tani nga Gjirokastra, që mikpret plot miq e turistë në sokake, dhe gati për të filluar pas pak Festivalin Folklorik Kombëtar”,- nënvizon Kryeministri Edi Rama.

Festivali Folklorik Kombëtar 2023, nis sot në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, në një skenë të hapur për të gjithë. Kryeministri Edi Rama edhe më herët ndau një video me pamje nga skena e këtij festivali, ku do të ngjiten 1 200 artistë, ndërsa hyrja është falas.

Për më shumë se një javë, Gjirokastra do të jetë qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat për të mirëpritur çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar. Në Gjirokastrën e bukur dhe turistike, artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë do të performojnë përgjatë 8 netëve në këtë qytet.

Risia e këtij festivali do të jetë numri i madh i të rinjve që do të interpretojnë.  Në festivalin Folklorik të Gjirokastrës do të marrin pjesën dhe grupe muzikore nga 12 qarqet e vendit.

Ansambli Folklorik “Tirana” do të përfaqësojë Tiranën dhe Gjirokastrën në Festivalin Folklorik Kombëtar, që zhvillohet në qytetin e gurtë nga 24 qershori deri në 1 korrik. Ky ansambël, pjesë e Qendrës Kulturore Tirana – Teatri Metropol, ka në repertorin e tij  valle të trevave të ndryshme të Shqipërisë, nga Shqipëria e Mesme, e Jugut dhe valle veriu./atsh/KultPlus.com

Fragment nga libri “Jeta ime”,Charlie Chaplin

Fragment nga Charlie Chaplin

Gjatë këtyre shëtitjeve nuk më kujtoheshin asnjëherë ato që më thoshte ajo. Isha krejt i ekzaltuar, i bindur se një forcë mistike na ishte afruar dhe se bashkimi ynë ishte rezultat i një afiniteti të paracaktuar. Kisha tre mëngjese që e njihja; tre mëngjese të shkurtra, përpara të cilave pjesa tjetër e ditës nuk ekzistonte deri në mëngjesin pasardhës. Por, mëngjesin e katërt qëndrimi i saj ndryshoi. Ajo më priti ftohtë, pa entuziazëm dhe nuk pranoi të ma kapte dorën. Unë e qortova për këtë gjë dhe e akuzova me shaka se nuk më donte. Më tha – në fund të fundit, unë jam pesëmbëdhjetë vjeç dhe ju nuk jeni veçse katër vjet më i madh se unë. Unë nuk desha ta kuptoja domethënien e kësaj vërejtjeje. Por, nuk mund të mos e vija re mënyrën me të cilën papritur po më largonte. Vështronte drejt përpara, duke ecur me një hap elegant prej gjimnazisteje, me duart të futura në xhepat e bluzës marinare.

– Me fjalë të tjera, ju nuk më doni me të vërtetë – i thashë. Nuk e di – ma ktheu ajo. Unë mbeta i hutuar. – Në qoftë se nuk e dini, atëherë nuk më doni. Në vend të përgjigjes, ajo vazhdoi të ecte pa thënë asgjë. E shikoni çfarë profeti jam – zura të flisja unë me një ton të lehtë. – Ju kisha thënë se do të pendohesha që u njoha me ju. Provova ta merrja në pyetje për të zbuluar ndjenjat e saj të vërteta në lidhje me mua, por të gjitha pyetjeve ajo iu përgjigj njëlloj: – Nuk e di.

Doni të martoheni me mua? – I thashë më në fund për ta zënë ngushtë. – Unë jam tepër e re. Mirë atëherë, sikur të ishit e detyruar të martoheshit, do të më merrnit mua, apo ndonjë tjetër? Por, ajo nuk donte të angazhohej dhe përsëriste pa pushim të njëjtat fjalë: – Nuk e di… unë ju dua… por… – Por nuk më doni – i thashë unë tërë ankth. Ajo mbeti në heshtje.

Ishte një mëngjes i vrerët, rrugët kishin një pamje të përhime dhe të shëmtuar. E keqja është se kam lejuar t’i çoj gjërat shumë larg – thashë me një zë të ngjirur. Kishim arritur në hyrje të metrosë. “Mendoj se do të bënim mirë të ndaheshim dhe të mos takoheshim më kurrë” – shtova duke pritur se si do të reagonte ajo. Mbeti e ngrysur. – Lamtumirë – u përgjigj ajo. – Më vjen shumë keq.

Kjo ndjesë qe si një goditje që po më jepte në zemër. Kur ajo u zhduk në metro provova një ndjenjë zbrazësie të padurueshme. Ç’kisha bërë? Mos isha treguar tepër brutal? Nuk duhej ta kisha trembur. Isha sjellë si një hajvan i fryrë dhe kisha krijuar një situatë të tillë që tani nuk mund të takohesha më me Hetin pa u bërë qesharak. Ç’duhej të bëja? Më mbetej vetëm të vuaja.

– Charlie Chaplin“Jeta ime”/KultPlus.com

‘Nëse ne kërkojmë për të shtrenjtit tanë qetësi, lutja nuk shkon kot’

Poezi nga Novalis

Nëse në orët e vuajtjes

Nëse në orët e vuajtjes së ankthshme

vërshon në zemrën tonë të zrazët,

nëse na bren në intimitet ngashërimi

dhe në ngushticën e së keqes nuk ka rrugëdalje;

mendojmë për të dashurit tonë të shtrenjtë

si dhimbja dhe trishtimi i kapit,

nga retë është ndërprerë shikimi ynë

tek ne një rreze shprese nuk arrin.

Oh, atëherë Zoti mirësisht priret

drejt nesh, arrin dashuria e tij te ne;

në bregun tjetër zemërdridhur dihatim,

engjelli yt, që kupën e jetës së re,

na e sjell, vjen pranë nesh,

na del përballë e na jep forcë;

nëse ne kërkojmë për të shtrenjtit tanë

qetësi, lutja nuk shkon kot.

Shqipëroi: Elida Bucpapaj / KultPlus.com

Aristoteli: Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit

Aristoteli është i fundit nga filozofët e mëdhenj të antikitetit dhe konsiderohet si biologu i parë.

Ai themeloi shkencën e logjikës, shtroi terrenin për metodën shkencore dhe shkroi rreth shumë subjekteve.

Aristoteli ishte gjithashtu mentori i Aleksandrit të Madh për disa kohë. Ai ka pasur influencë të madhe në mendimin e Tomas Akuinit dhe për rrjedhojë mbetet një ndër influencat kryesore në edukimin dhe teologjinë katolike.

Aristoteli, një nga mendjet më të ndritura dhe më të thella të të gjitha kohëve, shkroi mbi shumë probleme dhe nga më të ndryshmet.

Me përjashtim të matematikës, lëroi të gjitha fushat e dijes, si politika, shkencat e natyrës, artin etj.

Rreth 120 veprat e tij formojnë një lloj enciklopedie, ku përfshihen njohuri nga të gjitha fushat e diturisë. Në të gjitha veprat e Aristotelit të bie në sy dashuria për të mirën dhe të vërtetën. Megjithëse e adhuronte dhe e nderonte shumë mësuesin e tij, filozofin Platon, në mjaft pikëpamje filozofike dhe estetike nuk ishte në një mendje me të. Në një nga veprat e tij thotë se midis miqve dhe së vërtetës është gjë e shenjë të duash më shumë të vërtetën.

Aristoteli, besonte se gjithçka ndodh për një arsye, gjithmonë. Dhe se çdo eksperiencë në jetën tënde, vjen për të të formuar dhe për të të sjellë në versionin tënd më të mirë. E vetmja gjë që e pengon këtë, është të kesh zgjuarsinë për ta parë.

50 thëniet më të bukura të Aristotelit

1- Është e vështirë që të ndodhë diçka pa një arsye apo pa një parim.

2- Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.

3- Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

4- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

5- Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.

6- Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.

7-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.

8- Një qytet i madh nuk duhet ngatërruar me një qytet të populluar.

9-Miku i vërtetë është një shpirt në dy trupa.

10- Të gjitha veprimet njerëzore kanë një ose më shumë prej këtyre shkaqeve: fati, natyra, detyrimi, zakoni, arsyeja, pasioni, dëshira.

11- Në më të mirën e tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; po të mos ishin ligji dhe drejtësia ai do të ishte kafsha më e keqe.

12- Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.

13- Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë.

14- Familja është shoqata e krijuar nga natyra për të siguruar nevojat e njeriut.

15- Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton.

16- Mirë është që në jetë ashtu si në gosti, të mos dalësh as i etur as i dehur.

17- Të këqijtë binden prej frikës, të mirët prej dashurisë

18- Droja është një stoli për të rinjtë, por një turp për të moçmit.

19- Trimëria është cilësia e parë njerëzore, sepse ajo është cilësia që i garanton të gjitha cilësitë e tjera.

20 -Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

21- Shkollimi është parapërgatitja më e mirë për pleqërinë.

22- Ashtu si sytë e lakuriqëve janë të verbuar nga drita, për të njëjtën arsye edhe shpirtrat tanë janë të verbër përballë gjërave të cilat shihen më qartë se gjithçka.

23- Sikurse një dallëndyshe e vetme nuk sjell pranverë, sikurse si një ditë e vetme nuk sjell pranverë; ashtu një ditë, një kohë e shkurtër nuk e bën njeriun të bekuar e të lumtur.

24- Sikurse ne i duam sa të vërtetën aq edhe miqtë tanë, nderi na thotë që të parën ta respektojmë të vërtetën.

25- Lumturia varet nga ne.

26- Ai që ka shumë miq, nuk ka asnjë.

27- Ai që do të ishte një sundimtar i mirë, duhet së pari të ketë qenë i sunduar.

28- Ai që është i paaftë të jetojë në shoqëri, ose ai që nuk ka nevojë ngaqë i mjafton vetvetja, duhet të jetë ose një bishë, ose një perëndi.

29- Homeri i ka mësuar të gjithë poetët e tjerë artin e të treguarit të gënjeshtrave me zotësi.

640px-Aristotle_Altemps_Inv8575

30- Shpresa është një ëndërr që nuk fle.

31- E quaj më të zotin atë që i tejkalon dëshirat e tij se atë që i pushton armiqtë e tij; sepse fitorja më e vështirë është ndaj vetvetes.

32- Për të hartuar një fjalim njeriu duhet t’i studiojë tri pika: së pari, mjetet e arritjes së bindjes; së dyti, gjuha; së treti, organizimi i përshtatshëm i pjesëve të ndryshme të fjalimit.

33- Nga nëntë raste në dhjetë, gruaja shfaq më shumë dashuri sesa ndjen.

34- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

35- Është shenja e një mendje të ditur të jetë e aftë që ta mirëpresë një mendim pa u pajtuar me të.

36- Njeriu nga natyra është një kafshë politike.

37- Njerëzit veprojnë më shumë për shkak të frikës se për shkak të respektit.

38- Fatkeqësia i tregon ata që nuk janë miq të vërtetë.

39- Shumë njerëz parapëlqejnë të japin më shumë dashuri se të marrin.

40- Nënat janë më të dashura se etërit për fëmijët e tyre, sepse ato janë më të sigurta se ata janë të tyret.

41- Natyra nuk bën asgjë kot.

42- Asnjë shpirt i shkëlqyer nuk është i përjashtuar nga përzierja me çmendurinë. Nuk ka ekzistuar kurrë një gjeni i madh pa njëfarë çmendurie.

43- Bukuria vetjake është rekomandimi më i madh se çdo letër reference.

44- Qëllimi i të mençurve është jo për të sjellë kënaqësi, por për të shmangur dhimbjen.

45- I ditur ndryshon nga i padituri sa i gjalli nga i vdekuri.

46 – Rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por frutet janë të ëmbla.

47- Sekreti i humorit është befasia.

48- Shpirti nuk mendon kurrë pa një përfytyrim.

49- Ato që i di, bëji. Ato që nuk e kupton, mësoji.

50- Ne bëjmë luftë që të jetojmë në paqe./RTK/KultPlus.com

Ernesto Sabato: Shprehjet nga të cilat ti, shkrimtar i ri, duhet të ikësh si nga murtaja

Nga Ernesto Sabato

Gëzimi mbretëronte në fytyrën e tij, dhimbja ishte e pikturuar në fytyrën e tij, skuqja ngjyroste faqet e tij, goja e tij ishte e këndshme, merrte frymë me ndershmëri. Pishtari i mosmarrëveshjes, zëri i nderit, hidra e anarkisë, Dielli i Progresit, fusha e hamendjeve, arsenali i ligjeve, peshorja e drejtësisë, agu i lirive, errësira e injorancës, shpata e Ligjit, tirania e pasioneve, Babilonia moderne, një Kullë e vërtetë Babeli, Albioni i pabesë, Ariu mos-kovit, xha Sami.

Të dyfishoni ngazëllimin tuaj, ta hapni zemrën, të ndjeni një lëmsh në fyt, t’i mbani flokët lidhur majë kokës, të aspironi me magjepsje, të ndillni përzemërsi, të mbillni pemë. Nëna natyrë, mbreti i yjeve, ylli i mbretit, hëna e argjendtë, petalet e kadifenjta, ngjyra e gjallë, kopshti i stolisur. Konflikti luftarak, karroca e Marsit, pozicioni i ri ndërkombëtar. Një eseist fin, një poet fin, një shpirt kulmor. / KultPlus.com

Veç për ty i dashur qaj, pse s’vjen ma s’di çka të baj (VIDEO)

Elina Duni është një nga zërat më unik që ka i gjithë spektri artistik shqiptar, me të cilin po i mban gjallë këngët e vjetra qytetare, shkruan KultPlus.com

“Sytë për ty i kam të njomë”, është vetëm njëra nga këngët e Nexhmije Pagarushës që ka kënduar Duni me interpretimet tashmë të njohura të saj.

Intepretimet skenike të Elia Dunit janë krejtësisht të thjeshta, por një thjeshtësi artistike në të gjitha dimensionet. Këmbëzbathur e plotë emocione, mund të përshkruhet shkurt performanca e saj.

KultPlus, këtu ka sjellur tekstin si dhe videon e kësaj kënge.

Kët natë të leht gjumi smë merr
Vetëm hana m’bën shoqni
Veç për ty i dashur qaj
pse s’vjen ma s’di çka të baj

ëmmm… ëmmm…
Smë lan lotët djal me t’shikju
Eja xhanin me ma qetësu

Dal n’dritare me ndëgju
Zanin tand a mos ta ndij
Era e lehtë me flokët e mia lun
Tuj shpresue se po vjen

ëmmm… ëmmm…
Smë lan lotët djal me t’shikju
Eja xhanin me ma qetsu

Sytë për ty i kam të njomë
Si s’dien dhimbje hiç për mu
E ty Hën t’lus me më ndihmu
Ta gjej djalin që e du

ëmmm… ëmmm…
Smë lan lotët djal me t’shikju
Eja xhanin me ma qetsu…/KultPlus.com

Për mëmëdhenë

Poezi nga Mihal Grameno

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
Vraponi burra, se s’ka me pritë.
Të vdesim sot me besa-besë
Pranë flamurit të kuq q’u ngrit.

Pranë flamurit, pranë flamurit
Me shpatë zhveshur shqipëtarisht,
Për dhen’ e babës edhe të burrit
Kemi me vdekur sot burrërisht.

E Drini plak me oshëtima
Mbi Shqipërinë valet po derdh;
Tosk’ edhe Gegë si vetëtima
Armikut bini, se dita erdh.

Ejani burra malit përpjetë
Duke u betuar vdekj’a liri.
Se s’ka më ëmbël në këtë jetë,
kur vdes shqiptari për Shqipëri! /KultPlus.com

Jepet premiera ‘la sylphide’ në Teatrin Faruk Begolli

Dje, në teatrin ‘Faruk Begolli’ u dha premierë një prej veprave më të njohura të baletit klasik, ‘la sylphide’, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila për herë të parë u dha në vitin 1836, në  Kopenhagen, është njëra prej veprave më të famshme të kompozitorit Hermen, u përketë veprave të cilat janë të vështira për tu realizuar si nga ana teknike ashtu edhe nga e kostumeve dhe e skenorgrafisë.

Behie Murtezi ka thënë se përgatitja për këtë shfaqje ka qenë sfidë në vete, mirëpo me punë kanë arritur t’ia dalin.

“Për kete shfaqje kemi punuar shumë gjatë dhe ka qenë një sfidë e madhe për mua puna me femijët , por ja kemi dal mirë dhe shfaqja u prit shumë mirë nga publiku”, thuhet në njoftimin e Murtezit.

Murtezi  po ashtu ka bërë të ditur se ka shumë kërkesa për repriza dhe se shumë shpejtë do të vijnë me repriza të shfaqjes./KultPlus.com

Artistja Majlinda Kelmendi hap ekspozitën personale në Mal të Zi

Artistja Majlinda Kelmendi ka hapur ekspozitën e saj personale ‘Algoritmi Simbolik’ në Mal të Zi, përcjell KultPlus.

Koncepti “Algoritmi Simbolik” lidhet me fushën e sigurisë së informacionit.

Artistja shpreh lidhjen e algoritmit simetrik me veprat e artit të cilat kanë lloje të ndryshme të kodimit dhe dekodimit.

“Në këtë kontekst, eksploroj koncepte të tilla si sekreti, fshehtësia dhe interpretimet e ndryshme të komunikimit dhe simboleve. Imazhet që përfaqësohen nëpërmjet simboleve, objekteve në ciklin Algoritmi Simbolik kanë qëllim për të shkaktuar refleksion dhe të nxisë diskutimin rreth aspekteve të ndjeshme të privatësisë dhe sigurisë në shoqërinë moderne të dixhitalizuar”, shprehet artistja Kelmendi.

Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe drejtori i Qendrës Kulturore Informative ‘Malësia’ në Tuz, Vasel Berishaj.

“Sonte e keni rastin të njiheni me krijimtarinë e artistes së njohur dhe bashkëkohore, Majlinda Kelmendi. Është e spikatur për punën multimediale, në sfondin e së cilës dominojnë, kryesisht, ndodhitë në sverat sociale, ekonomike, politike dhe historike, si në nivel lokal, ashtu edhe global”, u shpreh Berishaj.

Ekspozita është përkrahur nga MKRS dhe QKI “Malësia” Tuz, Mali i Zi dhe do të qëndrojë e hapur deri me datë 27 qershor./KultPlus.com

Indi, pëllumbat trajnohen të dërgojnë mesazhe

Edhe në botën e sotme të mesazheve të çastit, video thirrjeve, internetit dhe telefonave celularë, policia në shtetin lindor të Indisë, Odisha po ruan një tufë pëllumbash transportues për t’u përdorur në rastet kur fatkeqësitë mund të ndërpresin lidhjet e komunikimit.

Shërbimi shtetëror i pëllumbave që daton nga ditët e sundimit kolonial britanik kur stacionet e policisë përdorën zogjtë për të komunikuar me njëri-tjetrin, punëson më shumë se 100 pëllumba të racës belge Homer. Policia tha se pëllumbat, të cilët mund të fluturojnë me një shpejtësi prej 55 km/h dhe deri 800 km largësi, janë dëshmuar si një mjet shpëtimi të paktën dy herë në katër dekadat e fundit. Ata luajtën një rol jetik pas rënies së linjave të komunikimit në vitin 1999, kur një ciklon i fuqishëm goditi zonat bregdetare, si dhe në vitin 1982, gjatë përmbytjeve shkatërruese në disa pjesë të shtetit. /alsat.mk/KultPlus.com

“Kurrë nuk e dashurojmë dikë konkretisht, dashurojmë veç idenë që kemi formësuar vetvetiu për dikë”

“Kurrë nuk e dashurojmë dikë konkretisht. Dashurojmë veç idenë që kemi formësuar vetvetiu për dikë.
Ky është thjesht një koncept i yni vetjak, domethënë që përmbledhtas, pikërisht vetveten, ne dashurojmë.
Kjo gjë vërtetohet në çdo lloj dashurie.
Në dashurinë seksuale, synojmë kënaqësinë vetjake, që mundësohet përmes një trupi të huaj.
Kurse në dashurinë jo seksuale, synojmë kënaqësinë tonë vetjake, të mundësuar nga idetë tona gjithsesi.
Marrëdhëniet midis një shpirti dhe një shpirti tjetër, që mishërohen përmes disa gjërave tejet të brishta dhe kundërthënëse si fjalët e rëndomta dhe gjestet që ne bëjmë, janë diçka fort e koklavitur.
Në vetë thelbin e aktit të njohjes, jemi çnjohur mirëfilli.
Thonë dy të dashuruarit “Të dua”, dhe gjithçka e thonë dhe e mendojnë në formë të këmbyeshme, teksa secili synon të thotë diçka të ndryshme, një jetë mbase të ndryshme, ndoshta edhe një ngjyrë dhe një aromë të ndryshme, sipas përmbledhjes abstrakte të përshtypjeve që përbëjnë botën shpirtërore”.

Fernando Pessoa – “Livro do Desassossego”. / KultPlus.com