Londra, Parisi, Roma, Madridi, Vjena, Kopenhaga, janë ndër destinacionet më të njohura evropiane për udhëtarët që vijnë nga brenda dhe jashtë Evropës.
Megjithatë, fakti që këto janë destinacione që priren të bëhen të mbingarkuara me turistë, u ka dhënë atyre disa karakteristika shumë negative.
Turmat në të gjitha pikat e tyre të interesit dhe çmimet e rritura të shërbimeve që ofrojnë tani po veprojnë si një faktor frenues.
Udhëtarët e mundshëm që zgjedhin Europën e kanë kthyer interesin drejt destinacioneve “sekondare”, ose më saktë, kryeqyteteve europiane që deri më tani nuk kanë luajtur një rol kryesor në lojën turistike.
Edhe pse më pak të frekuentuara, ato kanë karakter, atraksione, muze dhe veçori interesante që na frymëzojnë të organizojmë udhëtimin tonë të radhës, duke braktisur vendet kozmopolite.
1. Ljubljana, kryeqyteti i Sllovenisë na çon në një përrallë
Pallatet e Vjenës mund të duken të dala nga një përrallë, por Lubjana mund të jetë një mjedis po aq interesant dhe përrallor.
Shumë besojnë se ky destinacion i bukur është… alternativa e Zvicrës, me çmime shumë më të përballueshme për të gjithë. Lubjana është gjithashtu ideale për ata që kërkojnë pak paqe, gjelbërim, arkitekturë dhe histori të Evropës Qendrore. Qyteti i vjetër është i mahnitshëm, me rrugë me kalldrëm dhe të ngushta piktoreske, ndërtesa të bukura mesjetare, dyqane suveniresh dhe njerëz që shijojnë momentin. Pika më karakteristike dhe e bukur arkitekturore e qendrës së Lubjanës është Ura e Trefishtë që ngrihet mbi ujërat e lumit Ljubljana, i cili përshkon qytetin.
2. Bratislava, kryeqyteti i Sllovakisë ka stilin e vet
Bratislava është një frymë larg kufirit të vendit me Austrinë dhe karakterizohet nga e njëjta atmosferë interesante e Evropës Qendrore.
E ndërtuar në brigjet e Danubit, ajo ka një kështjellë që mund të kishte dalë nga një film i Disney-t, ndërsa rrugët e saj me kalldrëm dhe sheshet e vogla kuriozojnë vizitorët.
Duhet të kemi parasysh se Bratislava është një vend me një traditë të fortë në artet pamore, teatër dhe muzikë, me Orkestrën e famshme Filarmonike Sllovake që luan në ngjarjet kulturore të qytetit. Kalaja e famshme është Kalaja e Pressburgut, e cila ia vlen të vizitohet pasi konsiderohet si simboli i Bratislavës, ndërsa Porta e Shën Mikaelit, Muzeu i Bratislavës në Qytetin e Vjetër dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor Danubiana Meulensteen gjithashtu ia vlen të vizitohen.
3. Talini, në veriun mesjetar udhëtojmë në një atmosferë tjetër
Vështirë se do ta mendonim Estoninë si një destinacion vitet e fundit. E megjithatë, Talini , kryeqyteti i Estonisë, është një qytet shumë interesant, me anën e tij mesjetare që tërheq vizitorë nga e gjithë bota.
Kishat gotike, kullat dhe shtëpitë mbresëlënëse, krijojnë një mjedis të marrë nga përrallat e vjetra dhe historitë komplekse që kemi mësuar si fëmijë. Nga ana tjetër, në qytetin modern jeta rrjedh me ritmin e botës, me shpejtësi, ngjarje e veprime që i kanë zili të gjitha metropolet kozmopolite.
4. Vilnius, qyteti që magjeps udhëtarët
Vilnius është ende një destinacion jopopullor, i cili nuk është zgjedhja e parë e askujt, por mund të na magjepsë me origjinalitetin e tij.
Kryeqyteti i Lituanisë ka qytetin më të vjetër mesjetar të mbijetuar, që është cilësuar edhe si “Jerusalemi i Veriut”, për shkak të komunitetit të madh dhe aktiv hebre. Qyteti është i gjelbër, plot me parqe të mrekullueshme dhe një qendër të bukur historike, me shtëpi të lyera me ngjyra lajkatare.
Dy lumenjtë që përshkojnë atë, rrugët me kalldrëm dhe madje edhe kroçerat e organizuara në qytet e bëjnë çdo vizitë një eksperiencë unike.
5. Bukureshti, përsëri në Ballkan për turne
Në anën tjetër të Ballkanit nga Greqia, Bukureshti ende tërheq interes për atmosferën e tij të veçantë.
Rrugët piktoreske të qytetit të vjetër me ndërtesat e tij madhështore dhe monumentet mbresëlënëse, mbetjet e regjimit komunist, sheshet e mëdha dhe bulevardet e hareshëm si dhe parqet e gjelbëruara, nxjerrin në pah përvojën e udhëtimit në një eksperiencë unike.
Përtej qytetit të vjetër, Harku i Triumfit dhe Palatul Parlamentului, ndërtesa më e madhe publike në Evropë, janë të domosdoshme për t’u parë nga të gjithë vizitorët./shqip/ KultPlus.com
26 February 2021, UAE, Dubai: Panoramic view of the main entrance to the famous multinational exhibition complex Global Village with crowds of tourist and visitors
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas vrasjes së policit të Kosovës në veri të vendit. Rama ka thënë se një tragjedi e tillë është kambana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e eskalimit të krizës në veri në një konflikt të armatosur.
“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”, ka shkruar Rama.
Ai ka bërë thirrje faktorit ndërkomëbtar që të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në treyzën e dialogut.
Kryeministri shqiptar ka thënë se duhet thirret një konferencë e jashtëzakonshme e paqes, nën mbikëqyrjen e BE-së dhe SHBA-në, dhe njëkohësisht të merren masa të jashtëzakonshme me KFOR-in për të moslejuar eskalimin e mëtejshëm të situatës.
“Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit.
Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com
Mediat botërore kanë raportuar për ngjarjen tragjike në veri të vendit, ku mbet i vrarë një polic dhe një tjetër u plagos nga arma e zjarrit. Gjithashtu u lëndua edhe një tjetër pjesëtar i policisë.
Një polic ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një zonë të Kosovës afër Serbisë, raporton BBC.
Tensionet janë rritur në Kosovë, pas përleshjeve të dhunshme pas zgjedhjeve të diskutueshme lokale në maj, vijon raportimi.
Bisedimet politike të ndërmjetësuara nga BE, të dizajnuara për të stabilizuar situatën, kanë ngecur, raporton BBC.
Serbia nuk e ka komentuar incidentin.
Edhe Reuters raporton se nuk ka asnjë reagim për incidentin nga zyrtarët serbë.
Reuters raporton se bisedimet mes Kosovës e Serbisë ngecën javën e kaluar. / KultPlus.com
Poetja Dije Demiri Frangu së fundmi është shpërblyer me çmimin “Agim Ramadani” për poezinë ‘Njerëzit edhe janë të çmendur’, në “Takimet e Dom Mikel Tarabuluzit” në Stubëll, shkruan KultPlus.
Më poshtë gjeni poezinë fituese:
Njerëzit lexojnë Spinozën shetisin parqeve me Enkidun Tallen me vdekjen e Sokratit mureve antike ngulin sytë Si të dashurave mërzinë amforave të lashta ju fshijnë pluhurin Dashurohen në kokën e trupin e Afërditës të Herës i bëjnë dashnore Në muskujt e hedhësve të shtizave dashurohen E në ëndërr shohin statujen e Zeusit Të gjithë e mendojnë veten aktorë të Bylisit Leni krejt më mirë besoni se Janë të krisur në zemër i duan mëkatet i hymnizojnë Shumë vdesin të marrë e të evidentuar si të padijshëm Anipse i dinë gurutë i këndojnë lirikat popullore të dashnisë Provojnë ta shtrydhin frikën ta ndrydhin ankthin Tërë jetën me gurin e shpresës nën gjuhë jetojnë Këndojnë urata udhëtimeve të gjata e vdesin të padijshëm Të mashtruar si fëmijët e kopshteve të cemtë mbesin S’ i përcjellin fluturimet e zogjve vdesin pa u bërë valë deti besoni janë edhe budallenj, vrasin mushkonja minj fëmijë vrasin gra me gjoksa t ‘bukur si koka e Lybotenit, këmbëdrejta si lisat e Sharrit Njerëzit janë të çuditshëm askush s’ ju bie n ‘fije janë edhe budallenj O sa budallenj të dashur janë disa nga ta / KultPlus.com
Një softuer i ri i inteligjencës artificiale është në gjendje të kuptojë se çfarë i thonë pulat njëra-tjetrës, sipas ”The Sun”.
Studiuesit në Japoni kanë testuar inteligjencën artificiale edhe për këtë fenomen.
”Në këtë studim novator, ne paraqesim një qasje të re për komunikimin ndërspecial duke u fokusuar në kuptimin e vokalizimit të pulave”, thanë ata.
”Duke shfrytëzuar modelet e avancuara matematikore të inteligjencës artificiale, ne kemi zhvilluar një sistem të aftë për të interpretuar gjendje të ndryshme emocionale te pulat, duke përfshirë urinë, frikën, zemërimin, kënaqësinë, eksitimin dhe shqetësimin”, shkruajnë studiuesit.
Profesori i Universitetit të Tokios, Adrian David Cheok udhëhoqi kërkimin.
Ai përfshinte dëgjimin e ndryshimit të modeleve vokale te pulat.
Softueri i IA u përdor për të kuptuar dhe dalluar këto modele.
Janë analizuar regjistrime nga 80 pula.
Një ekip prej tetë psikologë kafshësh dhe kirurgësh veterinarë u përdor më pas për të përcaktuar gjendjen mendore të pulave bazuar në zhurmat që bënin.
Thuhej se ata ishin në gjendje ta bënin këtë ishte një saktësi e lartë.
Cheok tha në një deklaratë se ky “është një hap i madh për shkencën”!.
“Dhe ky është vetëm fillimi. Shpresojmë të jemi në gjendje t’i përshtatim këto teknika me kafshët e tjera dhe të hedhim bazat për inteligjencë të jashtëzakonshme në industri të ndryshme të lidhura me kafshët”, tha ai.
Ai shpjegoi se të kuptuarit e kafshëve mund të na ndihmojë të krijojmë një botë më të mirë për to.
Studiuesit vunë re kufizimet e mundshme të studimit.
Ata mendojnë se procesi mund të mos jetë lehtësisht i transferueshëm tek racat e tjera dhe se kërkohet më shumë kërkime në këtë fushë. / KultPlus.com
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka publikuar fotot nga skulptura kontemporane e realizuar nga artisti Adi Dule dhe që është vendosur në një prej shesheve në kryeqytet.
“Sa bukur të shohësh artin të lulëzojë në çdo cep të Tiranës. Skulptura kontemporane, realizuar nga artisti Adi Dule, është bizhuja më e re e sheshit “Bukureshti”. Fantastike! Një super bravo për Adin”, shkruan Veliaj. / KultPlus.com
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar për vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Veri, duke thënë se dënojnë ashpër sulmet e orkestruara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës.
Ambasadori Hovenier ka thënë se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e ligjit në Kosovë.
Ai ka thënë se autorët duhet të sillen para drejtësisë dhe ka shprehur ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës.
“Dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të sillen para drejtësisë. I shpreh ngushëllimet në emër të Shteteve të Bashkuara familjes për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës të vrarë në krye të detyrës”, thuhet në reagim. / KultPlus.com
Shkrimtar, këngëtar, aktor dhe regjisor shqiptar, Muharrem Qena, lindi në 25 Qershor të vitit 1934 në Mitrovicë.
Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist. Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930 në një familje që kontribuoj shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Ai shkriu talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Shpërblimet e shumta lokale e ndërkombëtare e radhisin në krijuesin më të mirënjohur kosovar. Me ”Ervehenë” e autorit Ahmet Qirezi(1932), e cila mori 5 shpërblime kryesore në Festivalin e Steries – Novi Sad (1967), ngriti skenën teatrore të Kosovës në piedestal. Regjisor i shumë dramave, e filmave dokumentarë e televizivë. Muharremi ishte nismëtar i punës së teatrove në Prizren, Gjakovë, dhe Gjilan. Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese në frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan dhe u falën kënaqësi shumë brezave.
Muharrem Qena vdiq më 24 shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe mëse 200 shfaqje teatrale. / KultPlus.com
Sot shënohen plot 23 vjet nga vdekja e piktorit të njohur, Adem Kastrati.
Kastrati, u lind në vitin 1933 në fshatin Karaçevë të Dardanës së Kosovës, në një familje të madhe bujare, me veprimtari patriotike dhe arsimdashëse.
Ishte e njohur familja e tij nga babai në këtë anë, por edhe nga ana e nënës së tij të Dajkocit (daja i tij, ishte disidenti politik e atdhetari Metush Krasniqi). Piktori e pedagogu i artit figurativ, krijuesi letrar, mbledhësi, shënuesi dhe publikuesi i thesarit popullor, analisti i marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe euro-botërore. Ai i takon gjeneratës së parë të piktorëve pas Luftës së dytë botërore. Kohërat e stuhishme në të cilat është rritur, pjekur dhe formuar si piktor, sigurisht që do të lënë një gjurmë të madhe te veprimtaria e tij.
Emri i tij zë një vend meritor mes artistëve figurative të cilët kanë jetuar dhe krijuar vepra në Jugosllavi. Kastrati është një prej doajenëve mes piktorëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut , shteti ku ka jetuar dhe krijuar për më tepër se dyzet vjet.
Adem Kastrati (mbi)jetoi periudha të qeta, paqësore dhe progresive, por jo rrallë u ndesh edhe me situata te ndërlikuara e të turbullta kohore, të përcjella me ngjarje, trazira dhe okupime gjatë jetës së tij. Dhe në një moment gjendja kulmoi me luftën e përgjakshme që populli shqiptar në Kosovë e përjetoi në fundshekullin XX. Katër herë ndërroi shtetësinë, duke u bërë shtetasi i Mbretërisë së Jugosllavisë, Mbretërisë Shqiptare, Jugosllavisë komuniste dhe në fund fare i Republikës së Maqedonisë. Megjithatë, biografia e tij jetësore, më mirë do të pasqyrohej nëpërmjet përshkrimit të sekuencave dhe rrëfimeve në lidhje me biografinë, prejardhjen dhe rrugëtimin e shkollimit të tij.
Edhe në bisedat konfidenciale dhe pikturat e tij kishte bindjen se familja është bërthamë e një shoqërie të rehatshme, ndaj edhe ndjeshëm e artistikisht i pikturonte pamjet kur nëna ishte e përkushtuar me mish e me shpirt për fëmijën, shtëpinë e familjen, sofër, familje e skena të tjera. Temat të cilat i përpunon në veprat e tij më së shumti lidhen me njeriun e zakonshëm. Një theks të veçantë i jep nënës, të cilën e paraqet si rojtare të shtëpisë. Nëna, gruaja, është ajo e cila i jep kuptim jetës, kërkon, por edhe jep ëmbëlsi, dashuri, mirësi. Meshkujt janë gjithmonë seriozë, kur punojnë, qëndrojnë ulur, lëvizin. Kjo është tradita e tyre. Folklori i pasur është padyshim prezent në krijimtarinë e tij, gjë me të cilën do të mbetet përgjithmonë i dalluar në veprat e tij dhe gjë të cilën ai e thekson akoma më tepër me anë të teknikës së tij specifike, të pazakontë dhe të vetme të dheut shumëngjyrësh. Preokupimet e tija pikturore ndjehen edhe gjatë përshkrimit të fshatit, tokës dhe banorëve të tij. Shohim si bujku e lëvron arën me që e paramendë, duke e dërguar të shesë në treg mallin e vjelur dhe me ato mjete financiare të blejë sende të domosdoshme për shtëpinë e familjen. Pikturon edhe pamje të drejtëpërdrejta nga tregu.
Kafshët shtëpiake e të buta i ka si motive në pikturat e tij, si ajo kur bariu me kopenë e dhenve mbart në krahëror edhe librin “Lahuta e Malcis”, kaprojt në pyll duke vrapuar. Kafshët ishin mjet pune e transporti dhe të luftërave sportive të barinjve e fshatarëve. Adem Kastrati spikatës si mbledhës, shënues dhe botues i folklorit e etnografisë si bashkëpunëtor i devotshëm i Instituti Albanologjik i Prishtinës, por edhe skicues e pikturues i imazheve nga loja e filxhanave ose kapuçave, këngëve e valleve të grave dhe të burrave të Anamoravës dhe Karadakut e arealit etnografik mbarë shqiptar. Dashamirët e kureshtarët e kësaj fushe i kënaqi edhe me pikturat për dasmat me krushq nëpër borë. Në pikturat e tij Adem Kastrati sajon njerëz-burra të ashpër e tejet të vëmendshëm në valle e punë dhe njerëz-gra tejet lirike në valle e këngë dhe shumë besnike e të sinqerta në punët e shtëpisë e të familjes. Krijimet artistike të Adem Kastratit shpesh u edhe kronikave socio-histoike, që përmes mjeshtërisë së ngjyrosjes dhe ekspresivitetit artistik, shquhen me objektivitet e impresione, si janë piktura që tregon pamje nga turma e mbledhur në stacionin hekurudhor të Shkupit dhe që presin të shpërngulen në Turqi nga sundimi i gjenocidal i Rankoviçit ndaj shqiptarëve. Treni është sinonim i ndarjes edhe i të dashuruarve, ajo që shpreh varfërinë e skajshme dhe lypsarinë e nënës me kalamajt e saj. Adem Kastrati nuk ishte vetëm piktor me famë botërore, por edhe analist i historik e diplomatik i marrëdhënieve shqiptaro-sllave e evrobotërore, autor i dhjetëra dramave e tregimeve, artikujve publicistikë, që shumicën e tyre i nënshkruante me R. Kosova e pseudonime të tjerë. Kjo figurë poliedrike e pikturës dhe letrave shqipe dy vjet para se të vdiste si amanet një miku e ish-nxënësi të tij ia la në besim tufën shkrimeve autobiografike e qasëse, me kusht që ato të botohen pas vdekjes së tij, dëshirë që iu realizua në vitin 2009.
Gjatë ekspozitave të tija individuale dhje kolektive nëpër galeritë botërore kritika artistike theksonte origjinalitetin e stilit dhe teknikës së tij, mjeshtërinë ekspresive, dinamizmin emocional dhe porosinë utilitare të krijimeve. Vlera e pikturave dhe e mendimit të tij shkencor është e pavdekshme dhe frymëzuese dhe sot e kësaj dite është e paarritshme në artin shqiptar të këtushëm, embleme kulturore e joheve e brezave krijues. Vdiq në Shkup, më 24 shtator të vitit 2000 nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme.
Talentin e tij, Adem Kastrati e ka manifestuar qysh si i vogël duke e shprehur atë nëpërmjet modelimit dhe vizatimit mbi pllakat prej baltës shumëngjyrëshe të vendlindjes së tij. Por, talentin e njëmendtë ai e ka shfaqur në bankat e shkollës fillore duke treguar interes ndaj lëndëve artistike: poezisë, muzikës, por kuptohet që më shumë ai është dalluar si vizatues i talentuar. Në lidhje me kontaktet e tij të para me artin figurativ, Kastrati flet për vizatimet e tij të para me laps, për çka mësuesi, Mehmet Turani, e ka lëvduar gjithmonë para nxënësve. Pastaj e përkujton edhe një moment tjetër që ndërlidhet me talentin e tij, kur ai si nxënës i shkollës fillore e kishte vizatuar me laps portretin e gjyshit të tij. Gjyshi i kënaqur me vizatimin e nipit të tij i kishte premtuar Adem Kastratit se “do ta bënte inxhinier”. Ashtu si gjithë moshatarët e tjerë të vendlindjes së tij, edhe Adem Kastrati fëmijërinë e ka kaluar me punët e shtëpisë, sidomos duke ruajtur bagëtinë. Kuptohet, para se gjithash ishte puna, por një fëmijë nuk privohej dot as edhe nga loja e tij. Përveç lojërave të ndryshme tradicionale që i luanin fëmijët, mjaft e preferuar për ata ka qenë, sidomos, loja me baltë që përroi i fshatit Karaçeva e kishte me bollëk. “Me baltën me ngjyra të llojllojshme bënim figura të njeriut, kafshëve, shtazëve dhe shpezëve të ndryshme, por më shpesh unë modeloja pëllumbin duke fluturuar. Nga ajo baltë bëja pllaka mbi të cilat skicoja figura të ndryshme”, përkujton Kastrati. Dhe kështu, dalëngadalë, piktorin e përvetësonte bota e vizatimit dhe modelimit me baltë, dhe dita ditës bëhej e qartë që ai kishte ardhmëri në fushën e artit. Por, si gjithmonë, Kastratit i dilte ndonjë pengesë që ia prishte sdopak ëndrrën e tij. Si rrjedhojë piktori kujton një përjetim jo edhe gjithaq të këndshëm nga koha e rinisë shkollore. Lëndën e vizatimit në Normalen e Gjakovës e ka dhënë mësuesja, Lirie Tanefi, e cila asnjëherë nuk i ka shënuar Kastratit notë më të lartë. Edhe pse vetë piktori pohon se asokohe nuk ka ditur as për perspektivën e as për dritë – hijen, por as edhe për fshehtësitë e tjera të mjeshtërisë së vizatimit e pikturimit, por atë notë e shënuar në lëndën e vizatimit nga mësuesja, Tanefi, ai gjithmonë e ka përjetuar si tendencioz dhe padrejtësi ndaj tij. “Ajo nuk besonte se unë i bëja vetë vizatimet. Mësuesja ime nuk ishte e kënaqur pasi që mendonte se gjoja e kisha kopjuar një punim të piktorit, Gjorgje Andrejeviq – Kun”, ka deklaruar piktori në shtypin e kohës.
Pikturat e Kastratit, e mbështetur në traditën e mimetizmit realist, paraqet sekuenca të drejtpërdrejta të figurës së njeriut dhe të botës animaliste, rëndom në përputhshmëri me ngjashmëritë dhe iluzionet pamore të tyre. Duke u nisur nga konteksti i misionit institucional të pikturës, Kastrati, mundësitë e kësaj gjinie figurative i përdor si një praktikë sociale të shkëmbimit dhe interpretimit të vlerave të imazhit, që vijnë si shfaqje reale ose si konstruksione vizuale. Pikturat e tij, si një sistem kompleks prezantues, nëpërmjet një diskursi të ndjeshëm-emergjent vë në lëvizje praktikat e prodhimit, paraqitjes, pranimit, konsumimit dhe interpretimit të sipërfaqeve dydimensionale në funksion të përfaqësimit vizual të botës reale apo imagjinare. Nëpërmjet tematikës së begatshme dhe motiveve të shumëllojshme vjen në shprehje edhe koloriti i pasur i përshtatur me idenë dhe konceptin estetik – figurativ, si dhe jetësohen karakteristikat e specifikave artistike e stilistike në krijimtarinë e tij. Koloriti në pikturat e shumta, me kalimin e kohës, përsoset dhe arrin pjekurinë e plotë, bëhet më i kërkuar, më i ngjeshur, pse jo edhe më intensiv dhe më me shkëlqim. Realizimet figurative nëpërmjet këtij koloriti arrijnë premisat metaforike, me transponime të sakta simbolike, të përshkruara kryesisht nga tërësitë (bi)kromatike dhe polikromatike. Shtresimet e koloritit, në kuptimin e sendërtimit të konceptit artistik, që shquhen edhe për kah rëndësia vizuale dhe ndjeshmëria estetike, piktori në mënyrë origjinale kryesisht i zbërthen nëpërmjet gërshetimit të figuracionit nëpër enterierë dhe eksterierë. Përdorimi i vijave të gërryera në pikturë shfaqet si një element i vazhdueshëm i cili e begaton teksturën të cilën piktori e shfrytëzon duke i vënë ato në një koherencë me elemente tjera figurative, të cilat bashkërisht e pasurojnë dhe e konsolidojnë gjuhën figurative, kurse pikturën e tij e bëjnë më kuptimplote. Janë antologjike pikturat e tij të punuara me këtë teknikë, si: “Vizatuesit e vegjël”, “Katundi im në mjegull”, “Në dimër”, “Në mulli”, “Fshati im”, “Çajtorja”, “Magja”, “Bariu”, “Lypësja”, “Nëna me fëmijën”, “Duke i dhënë gji fëmijës”, “Gratë duke u larë”, “Mikpritja”, “Darka”, “Dasmorët”, “Duke çuar drekën”, “Nga Historia”, temat e tij të fundit janë të ndërlidhur me tragjedinë e kombit shqiptar të ndodhur në luftën e Kosovës 1998-1999, ndërsa pikturat e tij të punuara me motive legjendash popullore janë: “Ura e shenjtë”, “Motra me nëntë vëllezër”, “Krushqit e ngurosur”.
Nuk ekziston pothuajse motiv nga ikonografia tradicionale figurative që nuk haset në krijimtarinë e piktorit, Adem Kastrati. Ashtu siç ka shfrytëzuar një larmi temash të llojllojshme, ai ngjashëm veproi edhe me materializimin e atyre temave nëpërmjet motiveve të caktuara, të cilët pothuajse janë të pranishme në tërë krijimtarinë e tij. Motivet paraqesin format pamore të përmbajtjeve tematike. Shumicën e motiveve e ka pikturuar sipas modeleve të ikonografisë tradicionale figurative, duke filluar që nga peizazhi, enterieri, portreti, autoportreti, akti, natyra e qetë, animalizmi, arkitektura, karikatura, etj, duke lënë kështu një opus të pasur veprash me vlera estetike, por edhe me domethënie pamore dokumentare. Në veprat e Adem Kastratit dominojnë motivet e familjes, të cilat me një ndjeshmëri të rrallë i inkorporon në paraqitjen e fshatit, tokës, kafshëve e sidomos te kujdesi i nënës ndaj fëmijëve. Përmes motiveve autoktone të lidhura me fshatin dhe vendlindjen ai shpaloi momente të mbushura me çështje ekzistenciale. Në veçanti trajton “fshataren”, këtë qënie sipas tij “të drejtpërdrejtë”, që i jep kuptim jetës e që për piktorin ishte gjithmonë e njëjtë: si kur lëviz, si kur punon, si kur këndon ninulla për fëmijën e saj në djep. Gratë në motivet e tij janë me tipare karakteristike me sy të mëdhenjë e me plot rrëfim e ëndrra brenda tyre, që për piktorin ishin pasqyra të shpirtit. Ndërkaq burrat duken të rëndë, sepse, sipas piktorit këtë e kanë traditë. Ata janë të rëndë edhe kur ecin, edhe kur ulen këmbëkryq, edhe kur punojnë, edhe kur vallëzojnë në dasma, që për piktorin ishin bukuria fizike e tyre.
Krijimtaria e Adem Kastratit, është shumë e pasur artistikisht, shumë e gjerë numerikisht dhe akoma më e shpërndarë gjeografikisht. Zhvillimin e saj e ka përcjellë një dinamikë tejet intensive, duke përjetuar ngritje të vazhdueshme artistike. Dhe ajo që duhet veçuar, ka të bëjë me faktin se, krijimtaria e tij në masë të madhe është shprehur nëpërmjet dy gjinive figurative: pikturës dhe vizatimit. Duke qenë një artist tejet aktiv dhe shumë produktiv, kërkues dhe novator, përmes veprave tij ai u bë projektues vizual i të kaluarës, por edhe dëshmitar i ngjarjeve të mëdha të historisë më të re kombëtare shqiptare. Krijimtaria e tij e ngriti atë në një protagonist i cili nuk mbeti pa u vërejtur nga publiku dhe sidomos nga syri i kritikës. Për të krijuar një pasqyrë më të qartë për zhvillimin e krijimtarisë së tij, do ta trajtojmë më hollësisht teknikën dhe teknologjinë e vizatimit dhe pikturës, efektet e koloritit, si dhe pasqyrimin e zhvillimit të krijimtarisë artistike të tij nëpër disa faza. Adem Kastrati punoi në mënyrë permanente dhe me një fanatizëm e vullnet të pashoq. Një jetë të tërë e shpenzoi në kërkim formash e teknikash të reja, synoi prore individualitetin e tij si krijues dhe arriti që si rrallë ndonjë tjetër të jetë i veçantë.
Duke u nisur nga rrethanat e krijuara ky numër asnjëherë nuk do të dihet saktësisht. Kuptohet, që një numër i konsiderueshëm i veprave padyshim që akoma ruhet në fondin e familjes së tij. Familja e Adem Kastratit për një numër prej tyre ka dijeni se ku ndodhën. Por, pjesa tjetër, pothuajse më shumë se gjysma e veprave të krijimtarisë së tij, nëpërmjet shitjes apo dhurimit, janë shpërndarë në të katër anët e botës. Ndonëse autori është përpjekur të mbajë një evidencë për veprat e tij, megjithatë, e ka pasur të pamundur që t’i evidentojë të gjitha. Piktori ka shkruar se qindra piktura të tij ndodhen në adresa të ndryshme nëpër botë. Shumë vepra sot janë pronë e galerive dhe institucioneve, e koleksionistëve dhe e personaliteteve të ndryshme, e miqve dhe e adhuruesve të artit të tij. “Ja një kështu është fati i piktorit. Njëherë rropatet me idenë, pastaj me punën rreth realizimit të pikturës, që më vonë ajo pikturë të merr udhën, kurse tek autori të mbeten vetëm adresat, por jo edhe paratë! Sepse ato para të gjitha treten, të gjitha shpenzohen për sigurimin e materialeve për të punuar, për të organizuar ndonjë ekspozite të re, rreth botimit të ndonjë katalogu. Është mjaft shtrenjtë, kurse unë gjithçka bëj vetë…” është shprehur, Adem Kastrati. Sipas një shënimi tjetër nga notesi i piktorit mësohet se numri më i madh i veprave të tij është shpërndarë nga Dubrovniku, nga ku shumë piktura kanë përfunduar nëpër vende të ndryshme të botës. Sipas evidencës që ka lënë Adem Kastrati, mund të llogaritet se fondi i përgjithshëm i tij, numëron rreth 830 vepra artistike. Sa mund të merret e saktë kjo shifër është për t’u diskutuar, por është e vërtetë se ka rreth edhe 300 vepra të pa ekspozuara, ku bëjnë pjesë piktura dhe vizatime që ruhen në fondin familjar. Këtu duhet llogaritur edhe një numër të konsiderueshëm të pikturave të realizuara në teknikën e dheut dhe vajit në pëlhurë të pa vendosura në blind – kornizë, të cilat janë dëmtuar aty kah fillimi i viteve të 80 – ta nga plasja e një gypi të kanalizimit në podrumin e banesës së familjes Kastrati. Po aty, dhe sipas një evidence të tij, mësohet se: në Francë ndodhen mbi 50 piktura, mbi 30 vepra janë në SHBA, 27 në Gjermani, 20 në Itali, 8 në Belgjikë, 6 në Suedi, 4 në Shqipëri, 5 në Danimarkë, 2 në Skoci, 3 në Finlandë, 1 në Brazil dhe 1 në Australi. / KultPlus.com
Dje pasdite nisi edicioni XXI i TIFF – Tirana International Film Festival.
Në tapetin e kuq parakaluan kineastë të ftuar e vendas, aktorë, artdashës e personalitete të artit e kulturës në vend. Në ceremoninë hapëse të TIFF ishte e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti si edhe kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Ky edicion i 21-të do të ketë shfaqje filmash, të ftuar, masterclasse dhe padyshim edhe një garë, që do të nxjerrë një fitues që udhëton për “Oscar”, në kategorinë e filmit të shkurtër.
“Një javë që s’duhet humbur, nga Kinema “Millenium”, te Kinema “Agimi”, Liceu Artistik e Piramida, ku do të shfaqen 192 filma të gjatë e të shkurtër”, shkroi ministrja Margariti në rrjetet sociale.
Edicioni i 21-të i Tirana International Film Festival do të mbahet nga 23 shtator deri në 29 shtator. Pas kokteilit, në kinema Millennium u mbajt fjala hapëse nga drejtuesi dhe themeluesi i këtij festivali, Agron Domi. Më pas u transmetua premiera e filmit “Kaymak” të regjisorit Milcho Manchevski, i cili gjendet personalisht në Tiranë.
Prej këtij festivali filmi, nga më jetëgjatët në vend, përzgjidhen edhe filma të cilët kualifikohen për të garuar në Oscar dhe European Film Awards.
Prej 192 filmave në garë, 158 janë filma të shkurtër, 34 filma të metrazhit të gjatë dhe 10 skenarë. Të gjithë filmat e përzgjedhur janë premiera kombëtare, por janë edhe shumë premiera botërore, ndërkombëtare, europiane dhe rajonale./atsh/ KultPlus.com
Zyra e Presidencës ka reaguar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Veri, ku u vra një polic dhe një tjetër u plagos.
Osmani ka thënë se ky sulm është i planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe.
“Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.”
Ajo ka thënë se këto sulme e dëshmojnë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia.
“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po e destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.”
Osmani ka thënë se sulmet kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ajo ka deklaruar se pret që aleatët ta dënojnë “agresionin e hapur të Serbisë ndaj Kosovës” dhe “ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës.”
Presidentja ka shprehu ngushëllim familjes së policit të vrarë dhe ka thënë se autorët nuk do të mund t’i ikin drejtësisë.
“Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë. Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”.
Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në Neë York, dhe qysh sot do të niset për në Kosovë./ KultPlus.com
Sa të vërteta përballon një mëndje, sa të vërteta guxon te thote ajo? Për mua kjo është bërë gjithnjë e më tepër masa e vërtetë e vlerave njerëzore. Gabimi, besimi në një ideal nuk është verbim, gabimi është paburrëri. Çdo ide, çdo hap përpara drejt njohjes rrjedh nga guximi, nga rreptësia ndaj vetvetes, nga pastërtia ndaj saj, kumton Fridrih Niçe. Nëpër këtë synaps kalon gjithçka që përshkruan simbolikën e këtij gjeniu, kësaj shkrepëtime drite të fillimshekullit.
Masa me e sigurt e çdo force ështe qëndresa që ajo mposht. Kështu, veprimi fillimisht përmbysës, pastaj rindërtues i Zigmund Frojdit kuptohet me të vërtetë vetëm po të përfytyrojmë moralin e një periudhe të mëhershme dhe të tashmes kur merr zë guximi i një mjeku që do të shkundte nga themelet jo vetëm pikpamjet e deriatëhershme për psikoanalizën por do të shtangte gjithë botkuptimin akademik që strukej pas panevojës për ta njohur njeriun me atë çfarë ai është.
“Instinktet nuk lejohen t’i shtypësh, dhe është e kotë të supozosh se kur i shtyp, ata ikin e zhduken përgjithmonë. E shumta, mund t’i ndrydhësh, duke i kaluar nga vetëdija në pavetëdije.
Por duke iu nënshtruar kësaj shmangieje të rrezikshme, ata grumbullohen në thellësi të shpirtit dhe, duke fermentuar vazhdimisht, krijojnë shqetësime nervore, çrregullime dhe sëmundje.
Forca e instinkteve të epshit, të damkosura nga morali, përbëjnë një pjesë të pashkatërrueshme të qenies njerëzore që rilind në çdo embrion, se ky element nuk mund të shmanget kurrë, por në disa raste arrin të zbutet veprimi i tij duke kaluar në vetëdije.
Instinktet mund t’i disiplinojë vetëm ai që i njeh, demonët mund t’i zbusë vetëm ai që i nxjerr nga honi i tyre i errët në dritë dhe i sheh në fytyrë. E rëndësishme nuk është t’i mbytësh në heshtje të fshehtat më të mistershme të njeriut, por t’i detyrojë ata të flasin.”
… dhe ai Zigmund Frojd (6 maj 1856 – 23 shtator 1939) mjeku, neurologu udhe pionieri i psikanalizës, i vetëm kundër të gjithëve, i’a arriti kësaj sfide, e çliroi njeriu nga robëria e kahershme për t’i dhënë lirinë e themeltë si shpërblim.
Idetë e Frojdit për shumë vite vazhuan të trajtoheshin si blasfemi. Ai kishte nxjerrë nga terri një ushtri të pamatë ligësie që fshihej brenda “homo sapiens”. Ai çliroi njeriun nga alogjizmi trashanik sipas së cilës, kur një gjë e fsheh, ajo nuk ekziston. Sipas tij vetëm duke u parë sy më sy me demonin që të mban të nënshtruar mund t’ia dalësh të fitosh vetveten.
***
Në vitin 1923 Zigmund Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë dhe për këtë shkak ai bëri me dhjetera operacione që në fillimet e para të sëmundjes në Austri. Pak pasi ai mbërriti në Angli, dhimbjet u rritën aq shumë saqë ndikuan që te kërkonte nga mjeku i tij aplikimin e një doze morfine vdekjeprurëse. Më 23 shtator të vitit 1939 ai shpëtoi nga dhimbjet dhe vuajtja që zgjatonte me agoninë e një fati pa shpresë, duke u shuar.
Ai është në gjithçka i përkorë, edhe në guximin për të ngritur zërin, dhe në kushtrimin që lëshon përbindshëm në kllapinë ku dergjet vetëdija e kohës.
Ai ishte i vetmi që mundi të depërtonte më thellë se askush tjetër më parë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e njeriut. Nuk qe aspak e lehtë udha që do të merrte ky Odise i shpërfaqjes së fatit dhe fatalitetit, ku padija e kishte kyçur njeriun, këtë krijesë sa prepotente aq dhe inferiore.
Kaluar mbi një energji të pashtershme angazhimi vetëmohues, ai do të rrëmonte zhguallin e trashë ku njeriu strukej e të nxirrte që andej, ta ç’burgoste prej misterit dhe bestytnishë, frikës për të hyrë brenda vetes dhe ndjellakeqes për ta nxjerrë prej skutave të errëta e për ta shpaluar faqe dritet. Si asnjëherë më parë, si të vetmen shtangie që bota do ta kundronte gojëhapur dhe anatemuese, ai guxoi dhe triumfoi. E denoncoi njeriu e nënvetëdijes dhe vetëdijes, para vetvetes. E shfletoi atë si një libër të dënuar të mbetej i mbyllur. E tregoi me gisht. E përzuri me shqelma nga skutat ku kishte shekuj që strukej. I dha dritë që i duhej për të parë dhe të vërtetën e tronditëse për të ardhur në vete.
Mendimet ushqehen po aq me përgënjeshtrime sa me vërtetime, një vepër ekziston jo më pak nga urrejtja sesa nga dashuria që zgjon. I vetmi triumf vendimtar i një ideje, i vetmi gjithashtu që jemi të gatshëm edhe ta adhurojmë, është shkrirja e saj në jetë. Sepse asgjë, në kohën tonë të një drejtësie të pasigurt, nuk e rindez dhe aq besimin në epërsinë e mendjes sesa shembulli i gjallë i njeriut të vetëm që ka gjithnjë guxim të thotë të vërtetën për ta përhapur në tërë gjithësinë.
Ai ishte Zigmund Frojd. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com
Ti e di se si është kjo: nëse unë vështroj në hënën e kristaltë, në degën e kuqe të vjeshtës të ngadaltë në dritaren time, nëse unë prek pranë zjarrit hirin e imët ose trupin e rrudhosur të drurit, gjithçka më sjell tek ty, sikur gjithçka që ekziston, aromat, dritat, metalet, të ishin anije të vogla që lundrojnë drejt atyre ishujve të tu që më presin mua.
E pra tani, nëse pak e nga pak ti ndal të më duash, unë do të të ndal të të dua pak e nga pak.
Nëse papritmas ti më harron ti do të ndalësh të më kërkosh sepse unë do të të kisha harruar tashmë.
Nëse e mendon gjatë dhe marrëzisht, erën e flamujve që kalon përmes jetës time, dhe ti vendos të më lësh mua në bregun e zemrës ku i kam rrënjët e mia, mos harro se atë ditë. se atë orë, unë do të ngre krahët e mi për fluturim dhe rrënjët e mia do të çrrënjosen në kërkim të një toke të re.
Por nëse çdo ditë dhe, çdo orë, ti e ndjen se je fati im dhe unë jam fati yt, me buzëqeshjen që s’të shqitet, nëse çdo ditë një lule ngjitet në buzët e tua duke më kërkuar, ah dashuria ime, ah vetja ime, tek unë është kthyer rishtaz zjarri, tek unë asgjë s’është fikur dhe as harruar, dashuria ime ushqehet prej tëndes dashuri, e dashur, dhe deri sa ti të jetosh do të jetë në krahët e tu shtrënguar e lidhur pazgjidhshëm me të mijtë/ KultPlus.com
Të premten mbrëma në teatrin “Adriana” në Ferizaj, në mesin e qindra bashkëqytetarëve u mbajt koncert memorial kushtuar kompozitorit ferizajas, Vinçenc Gjini.
Kjo mbrëmje e veçantë koncertale, ku u shpalosën disa nga veprat më të zgjedhura të kompozitorit Vinçenc Gjini, u organizua nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës, Agim Aliu.
Gjersa në skenën e teatrit “Adriana” këto vepra u interpretuan nga Kori dhe Orkestra e qytetit si dhe nga solistët Venera Imeri, Rrezarta Ramadani, Urim Salihu, Okteti i Qytetit, në piano Fjorda Veizaj nga Tirana, nën dirigjimin e profesoreshës, Lindita Isufi./KlanKosova/KultPlus.com
Ajo që ka mbetur pas nga Frojdi, i cili ishte baba i filizofisë janë studimet e tij në këtë fushë shkencore, veprat si dhe thëniet e famshme.
Frojdi doli i pari me idenë se mendja është e ndarë në tri pjesë: Id, Ego dhe Superego.
Sipas Frojdit, Uni ose Ego është vija e parë e mbrojtjes së vetes nga tjetri, duke u përpjekur të balancojë dy ekstremet, Id dhe Superego.
Idetë e tij radikale mbi mendjen e njeriut transformuan psikologjinë dhe mbeten kontradiktore edhe në ditët e sotme.
KultPlus ju sjell thënie nga Sigmund Frojdi:
Qytetërimi zuri fill kur një person i zemëruar hodhi fjalën në vend të gurit.
Sa i guximshëm bëhet njeriu, kur është i sigurtë se e duan.
Një qytetërim që lë një numër kaq të madh të pjesëtarëve të tij të pakënaqur dhe i çon ata në revoltë nuk e ka merituar dhe nuk e meriton të ekzistojë.
Njeriu nuk ia arrin t’i eleminojë komplekset e tij, por pajtohet me to: ato ligjërisht e drejtojnë veprimtarinë dhe sjelljen e tij në botë.
Të jesh tërësisht i ndershëm me veten është një ushtrim i mirë.
Fëmijët janë krejtësisht egoistë; ata i ndiejnë nevojat e tyre intensivisht dhe përpiqen mizorisht që t’i kënaqin.
Ëndrrat janë shpesh më të thella kur ato duken më të çmendura.
Nëse dikush ka qenë i përkëdheluri i padiskutueshëm i nënës së tij ai ushqen gjatë jetës një ndjenjë triumfuese, besimin në sukses, i cili jo rrallë sjell me vete suksesin.
Iluzionet na mbisundojnë ne, sepse ato na kursejnë në dhimbje dhe na lejojnë të shijojmë kënaqësinë në vend të saj. Prandaj ato duhet t’i pranojmë pa ankime kur ato nganjëherë përplasen me realitetin përballë të cilit shndërrohen në thërrime.
Njerëzit janë më moralë se sa mendojnë dhe shumë më tepër imoralë se sa përfytyrojnë.
Sa kemi përparuar. Në Mesjetë do të më kishin djegur në turrën e druve. Tani ata mjaftohen të djegin librat e mi.
Kur njerëzit më kritikojnë, unë e di se si të mbroj veten. Por unë jam i pafuqishëm përballë lëvdatave.
Një pjesë e madhe e asaj që është e vërtetë brenda nesh nuk kuptohet; dhe ajo që kuptohet, nuk është e vërtetë. / KultPlus.com
Në kinematë amerikane u lansua filmi i ri “Expendables 4”. Në të me rol sërish paraqitet aktori tani 77 vjeçar, Sillvester Stallone. Në lidhje me këtë film për AP ka folur regjisori i tij Scot Waugh.
Regjisori i filmit të katërt “Expendables” ka një histori të gjatë me yllin e filmit Sillvester Stallone.
Regjisori Scott Waugh iu bashkua ekipit realizues të këtij filmi katër javë para xhirtimeve të tij. Ai ka treguar se me Stallonen ka punuar kur ai ishte në fillim të karrierës së tij.
Waugh ka thënë se me Stallonen apo siç e quajnë Sllaj, ka punuar edhe para shumë kohësh. Kur u vendos për projektin filmik Hidden Strike, në të me role u paraqitën Jackie Chan dhe Sllaj.
Waugh ka thënë se gjithmonë ka qenë fans i Sllaj. Kështu, kur agjenti i tij e ka thirrur për tu bërë pjesë e këtij projekti, menjëherë ka pranuar. Më pas Sllaj u rrëzua, por se në vend të tij ka angazhuar Xhon Sinën. Xheki e Gjon përshtateshin mire me njëri-tjetrin, dhe filmi ka dalë shumë i mirë. Një ditë u fol për projektin filmik The Expendables, që regjisori i caktuar i tij kishte vendosur të mos e vazhdonte punën në të, dhe se kishin katër javë deri në xhirime. Vog ka treguar se ka pranuar një thirrje ku i është kërkuar që të bënte regjinë e tij, se Sllaj dhe të tjerët ishin të pajtimit që ai të bënte regjinë e tij, dhe kështu edhe ndodhi.
Regjisori Waugh për Sllaj ka thënë se atij nuk i kujtohet që me të ka bashkëpunuar në filmin ‘The Specialist’, në Majami. Ai ka luajtur rol në të. Waugh ka thënë se skena e tij ishte kur Sllaj e hedh atë nga dritarja, por se Sllaj-it nuk i kujtohet kjo. Waugh ka thënë se kur të rrijë me Sllaj më gjatë, do t’i tregojë për këtë skenë.
Në filmin Expendables 4, veç Stallones me role paraqiten edhe: Jason Statham, “50 Cent”, Megan Fox e disa aktorë të tjerë.
Regjisori Waugh ka thënë se me Sllaj ka bërë biseda interesante, se me të ka folur edhe rreth këtij filmi, të cilin secili mund ta vlerësojë si shumë serioz. Edhe Sllaj sipas fansave të tij është serioz, por në fakt ai është njeri i sofistikuar.
Waugh ka thënë se filmi The Expendables 4 ka skena aksion, të dhunshme, por që janë të realizuara në atë mënyrë që të duken interesante.
Filmi “Expend4bles” në kinematë amerikane u caktua për shfaqje nga data 22 shtator 2023./21Media/KultPlus.com
Turistët vendas e të huaj vijojnë të gjallërojnë kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës edhe gjatë muajit shtator.
Qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.
Ramona nga Holanda tha se “vitin e kaluar ndoqa një program televiziv holandez për Shqipërinë ne u frymëzuam që të vijmë këtu. Kemi qenë në kala edhe në pazar. Është një qytet shumë i bukur, mot i këndshëm dhe njerëz miqësorë, jemi ndjerë të mirëpritur kudo”.
“Ashtu si tha bashkëshortja ime është një qytet shumë i bukur, njerëz mikpritës nuk do ta kisha problem të kthehesha sërish në Gjirokastër”, tha bashkëshorti i Ramonës.
Një tjetër turiste u shpreh se “vij nga Venezia. Është hera e parë në Shqipëri. Kemi vizituar Vlorën, Sarandën, Butrintin, por mund të them që Gjirokastra për mua është qyteti më i bukur që kam parë”.
“Tani do të shkojmë më kështjellë dhe pastaj do të vizitojmë shtëpitë karakteristike të stilit otoman. Ne do të vizitojmë gjithashtu edhe Muzeun Etnografik. Gjirokastra është një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë sepse është në mbrojtjen e UNESCO. Është një qytet historik, i bukur që duhet vizituar”, tha një turist italian.
Magda nga Austria tha se “do të qëndrojmë vetëm për një natë në Gjirokastër. Morëm shumë ushqime për t’i provuar”.
Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.
Që prej janarit deri në fund të gushtit mbi 200 mijë turistë vendas dhe të huaj kanë vizituar Gjirokastrën dhe rrethinat, duke regjistruar ndër shifrat më të larta në vite. Ky sezon veror e ka evidentuar Gjirokastrën si një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe më gjerë./atsh/KultPlus.com
Në një ceremoni të 15 shtatorit në Muzeun e Qarkut San Bernardino (SBCM) në Redlands, Kaliforni, zyrtarët ua kthyen autoriteteve meksikane 1294 artefakte parakolumbiane.
Ngjarja ishte caktuar të përkonte me Ditën e Pavarësisë së Meksikës (16 shtator) dhe fillimin e muajit të trashëgimisë hispanike në ShBA (15 shtator-15 tetor), shkruan TAN, transmeton Klan Kosova.
Kjo iniciativë u drejtua nga ministria meksikane e punëve të jashtme dhe kulturës nën kujdesin e Institutit Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë (INAH), bordit të mbikëqyrësve të qarkut San Bernardino dhe drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SBCM, David Myers dhe Tamara Serrao. -Leiva, përkatësisht.
Koleksioni përfshin sende rituale dhe të përditshme, statuja, instrumente frymore, gjerdan, këmbanat prej qeramike dhe bakri, mbetje varrimi dhe maja shigjetash.
Artefaktet iu kthyen Itzel de Leon Villard, konsullit meksikan në San Bernardino, në një ceremoni zyrtare./KlanKosova/KultPlus.com
Shumë prej nesh janë rritur me këngën e Rexhës dhe sa herë e ka dëgjuar këtë këngë të Qamilit të Vogël, ka ndier edhe dhembje për atë ngjarje që besohet se ka ndodhur para 140 vitesh, kur djali jetim, natën e dhëndërisë, gjendet i vdekur në ahur.
Sipas rapsodit Demir Krasniqi, kjo ngjarje ka ndodhur disa vite para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në afërsi të Medvegjës, ku për qëllime trashëgimie Rexhën jetim e ka vrarë mixha i tij.
Gjithmonë është menduar se Rexhën e kishte mbytur kali, madje shpeshherë edhe është ironizuar me rastin, duke thënë se Rexhën e ka mbytur pela. Por, duket se e vërteta është ndryshe dhe jo ajo që kemi besuar të gjithë ne. Demir Krasniqi pretendon se e di versionin origjinal të këngës së njohur të Rexhës, ku sqarohet gjithë ngjarja, që, sipas tij, ka ndodhur në fshatin Stubëll, afër Medvegjës, rrethi i Jabllanicës.
Rexhës i kishte vdekur babai kur ai ishte dyvjeçar. Nëna e tij, sipas traditave dhe zakoneve të vjetra, me qëllim që të mos lërë djalin jetim, kishte pranuar të martohej për kunatin, i cili u kujdes për ta rritur Rexhën. Pastaj e fejoi dhe vendosi që ta martojë me dasmë dhe krushqi, sipas zakoneve dhe traditave shqiptare të rrethit.
Ditën e dasmës së Rexhës, xhaxhait të tij, emri i të cilit nuk përmendet në këngë, i kishte hipur në kokë një mërzi e madhe, ngase e dinte se Rexha, pasi të martohej do të ndahej prej tij dhe do t’ia merrte gjysmën e pasurisë, që do t`i takonte si trashëgimi nga babai.
Kjo vesvese e shtyri atë që ta vrasë Rexhën në ditën e dasmës së tij. Ai e mashtron Rexhën dhe e çon tek stalla e kuajve të dasmorëve, gjoja për t’i ushqyer ata dhe atje e vret tinëzisht, duke e lënë të vdekur në grazhd të kalit. Dasmorëve ua dha haberin duke u thënë se njëri prej kuajve e kishte qëlluar Rexhën me shqelm dhe e kishte lënë të vdekur në vend.
Nëna e Rexhës ishte kthyer nuse për kunatin
Dasmorëve nuk u kishte shkuar mendja se këtë krim mizor mund ta ketë bërë xhaxhai i Rexhës. Ata i besuan fjalëve të axhës së Rexhës. Demir Krasniqi thotë se ngjarjen e kishte dëgjuar nga Qamili i Vogël. Të vërtetën e vdekjes së Rexhës e kishte treguar vetë nëna e tij, disa vite më vonë, pasi asaj i kishte vdekur burri i dytë, që ishte axha i Rexhës.
Pra, vrasësi i vërtetë i Rexhës ishte axha i tij e jo kali, siç është kënduar kënga plot një shekull e disa dekada. Sipas Krasniqit, këtë këngë e kishte sjellë në Gjakovë familja e këngëtarit Qamili i Vogël, që ishin shpërngulur pikërisht nga fshati Stubëll i Medvegjës. Qamil Muhaxheri ishte i pari që e këndoi këtë këngë në Radio-Prishtinë. Kënga është përhapur shumë shpejt nëpër të gjitha trevat dhe krahinat shqiptare, ku këndohet edhe në ditët e sotme, por është e ndërtuar mbi një rrëfim të pavërtetë, duke krijuar edhe versione që shkojnë deri në banalitet.
Krasniqi e ka përpunuar dhe përshtatur për këngë origjinalin e kësaj ngjarjeje dhe për herë të parë e ka incizuar në audio kasetë më 25 korrik 2012. Ai pretendon se kjo është e vërteta e vdekjes së Rexhës dhe ky version nuk është kundërshtuar ende nga rapsodët dhe muzikologët. /gazetametro.net/ KultPlus.com
Sot, në 84 vjetorin e vdekjes kujtojmë babain e psikoanalizës, Sigmund Frojd, shkruan KultPlus.
Ai ka lindur më 6 maj të vitit 1856 në Freiberg, një qytet në Mähren (Çekia e sotme). Ishte mjek, neurolog austriak dhe pionier i psikoanalizës.
Familja e tij i takonte kulturës hebraike në ketë qytet dhe ky ishte një nga 130 judenj në një qytet të banuar nga 4500 banorë. Frojdi filloi universitetin në moshën 17 vjeçare, por nuk u promovua si mjek pas provimeve derisa i plotësoi 25 vjet. Por kur u promovua, ai u punësua menjëherë në spitalin e Vjenës. Në vitin 1903 Frojdin e takojmë si profesor, pas 17 vitesh përvoje pune në profesion (koha normale ishte tetë vjet), ndërsa në vitin 1886 u martua dhe kishte gjithsejt gjashtë fëmijë.
Puna e parë e Frojdit në teorinë e psikoanalizës ishte ”Studie über Hysterie” të cilën e shkroi së bashku me kolegun e tij të punës Joseph Breuer (Jozef Brojer). Ky libër u botua në vitin 1895, pra nëntë vite, pas hapjes së klinikës së tij private. Libri i parë të cilin ai e shkroi vetë ishte ”Traumdeutung” – “Ëndërrshpjegim” që doli në qarkullim në vitin 1899.
Në fillim më 1902 një grup studjuesish u interesua aq shumë rreth këtij libri saqë filluan të takohen me Freudin çdo javë në shtëpinë e tij për të diskutuar idenë e librit të ëndrrave dhe shkrimet e tjera në të.
Frojdi shkroi edhe një sasi të madhe librash dhe artikujsh mbi psikoanalizën në fillim të vitit 1900. Në këtë kohë, ai ishte 40 vjeç, që zakonisht mendohej si një moshë produktive në bazat shoqërore.
Në vitin 1908 u formua shoqata e psikoanalistëve, ku në fakt, shumë studiues të jashtëm udhëtonin shpesh në Vjenë për të studjuar tek Frojdi dhe për ketë edhe mori edhe shumë urime dhe premtime dhe komplimente.
Në vitin 1909 Frojdi u bë mjek nderi në Clark University në Amerikë dhe po në të njëjtin vit u mbajt edhe kongresi i parë mbi psikoanalizën në Salzburg të Austrisë. Frojdi u propozua edhe për marrjen e çmimit Nobel, por edhe pse zbuloi shumë, kontribuoi shumë dhe dha teori të rëndesishme, ai nuk e mori kurrë ketë çmim.
E bija e tij Anna Freud filloi që të shkojë së bashku me të nëpër seminare të ndryshme dhe e zëvendësonte edhe atë nganjëherë. Anna e cila shkoi për analiza tek babai i saj dhe e studijoi psikoanalizen tek ai, ishte edhe si sekretare e tij, infermiere por edhe si kolege më e besuara e tij.
Përforcimi i nazistëve në Gjermani dhe përndjekja e judenjve krijoi një pasiguri tek Frojdi. Në një bashkëpunim të hershëm në lidhje me një libër Woodrow Wilson (kryetar i Amerikës) Frojdi e njihte ambasadorin amerikan në Francë William Bullin dhe kishte marrëdhënje të mira me të. Ky e ndihmoi Frojdin që të dalë në Angli për shkak të pasigurisë së tij në Gjermani, e gjithë kjo ndodhi në vitin 1938, kur ai kaloi në Angli.
Në vitin 1923 Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë dhe për këtë shkak ai bëri me dhjetëra operacione që në fillimet e para të sëmundjes në Austri. Pak pasi mbërritjes së tij në Angli, dhimbjet e tij u rritën aq shumë saqë ndikuan që te kërkonte nga mjeku i tij, aplikimin e një doze morfine vdekjeprurëse më 23 shtator të vitit 1939./KultPlus.com
Poeti italo/arbëresh nga Kalabria, Pierfranko Bruni, është shpallur fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit Jubilar të 27-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.
Ky çmim iu dha poetit italo/arbëresh me motivaconin se “Pierfranco Bruni është një personalitet shumëdimensional. Përveçse studiues në fushë të arkeologjisë dhe drejtor në Ministrinë e Trashëgimisë Kulturore të Italisë, ai është mjaft i njohur për lexuesin italian e më gjerë si poet, kritik letrar dhe eseist.”
Ky është vendim u mor nga juaria në përbërje me studjuesit e letërsisë, Ymer Çiraku (kryetar), Vebi Bexheti dhe Ndue Ukaj (anëtarë).
Më 2004, Drejtoria e Festivalit poetin Pierfranko Bruni e ka shpallur Anëtar Nderi të Festivalit.
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 19 – 21 tetor 2023, në qytetin e Tetovës dhe në Kosovë.
Më herët, me këtë çmim letrar janë lauruar emra të njohur të letërsisë, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë), Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), George Wallace (SHBA), Visar Zhiti (Shqipëri), Fiona Sampson (Angli), Kama Kamanda (Kongo), Kristoffer Leandoer (Suedi) etj.
Përndryshe poeti Pierfranko Bruni ka botuar disa përmbledhje me poezi. Kontributi i tij është i vlerësuar edhe në një sërë studimesh mbi letërsinë italiane, europiane dhe mesdhetare të shekullit të njëzetë, ku shquajnë shkrimet për autorë të shquar të përmasave botërore si Pirandelo, Kuazimodo, D`Annunzio, Ungareti e Pavese.
“Veçmas poezia e tij, përmes sistemit të pasur figurativ dhe ideor, mbart një vlagë të fuqishme humanizmi dhe besimi të palëkundur në vlerat egzistenciale të njerëzimit. Ai beson se edhe në natën më të thellë, duhet gjetur një yll i vogël, që do të ndriçojë udhëtimin e njeriut. Kredo e tij si shkrimtar përmblidhet në sentencën aq kuptimplotë se të shkruash, në fakt, është të jetosh brenda fjalës. Pra, misioni i shkrimtarit është që ai të identifikohet e mishërohet me gjithëshka – në veprën e tij. Si të thuash, të ketë pra një besëlidhje të pandashme në raportin shkrimtar e vepër, ku të mbizotërojë veç sinqeriteti dhe e vërteta pa kushte.
Pra, tek ky poet, prozator dhe eseist letrar, është tipar i dukshëm qasja estetike nëpër një rrjet të dendur referencash filozofike, çka u sjell këtyre krijimeve një dimension mjaft sintetizues e universal”, thuhet në komunikatë.
Më tej në motivimin e Jurisë u tha se, “Si një krijues i lindur në mjediset kalabreze të Italisë së Jugut, janë të pranishme në këtë poezi edhe disa motive me kujtesën për Teutën ilire, apo me shpendin simbolik të shqiponjës. Sipas pikëvështrimit të tij, legjenda është një mister, që jeton tek e vërteta, prandaj edhe i drejtohet pa mëdyshje mbretëreshës së lavdisë ilire, kur sheh aq ngjajshmërisht: “sytë e tu me ngjyrën e grave të Shkodrës”.
Në vlerësimet që i janë bërë kësaj krijimtarie, dy janë segmentet themelore që karakterizojnë rrugëtimin e tij letrar: kujtesa dhe nostalgjia. Pra, poetika e veprës së tij, endet dhe merr vlera në këto hapësira letrare dhe estetike”.
Drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, tha se këtë vit janë ftuar 20 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Porto Riko, Itali, Palestinë, Zvicër Francë, Meksikë, Korea e Jugut, Irak, Belgjikë, Kroaci, Greqi etj., dhe poetë të shumtë nga e gjitha hapsira shqiptare dhe daspora. Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kudër të tij, do të mbahet disa orë letrare, do të promovohen libra të Sh.b.”Ditët e Naimit”, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike, etj./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Hissein Brahim Taha.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të OIC-ja, veçanërisht për Rezolutën vjetore të inicuar nga OIC-ja, e cila bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate.
Në këtë frymë, Presidentja shfaqi shpresën që shtetet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt.
Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Taha përsëritën përkushtimin e tyre për nxitjen e marrëdhënieve më të fuqishme e produktive ndërmjet Kosovës dhe OIC-së.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka potencial të konsiderueshëm të pashfrytëzuar për investime të huaja në sektorë të ndryshëm. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e eksplorimit të fushave të mundshme për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të OIC-së, me fokus të veçantë në tregti dhe investime.
Në takim, Presidentja Osmani i bëri ftesë Sekretarit të Përgjithshëm Taha që në të ardhmen e afërt të vizitojë Kosovën për t`i shqyrtuar më tej mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë./KultPlus.com
103 vite më parë lindi aktorja e madhe shqiptare e teatrit dhe filmit, Marie Logoreci, shkruan KultPlus. Marie Logoreci ka lindur në Shkodër më 23 shtator 1920 dhe ishte pionere e kinematografisë shqiptare, e cila për meritat e saj u dekorua me titujt Nderi i Kombit dhe Artiste e Popullit.
Për herë të parë në film, luajti tek “Skënderbeu”, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj”, dhe me pas në filmin e parë shqiptar “Tana” etj. Me interpretimin e saj në skenë e ekran, ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të Nënës Shqiptare.
Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndoje në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit.
Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë “Tartufi” të Molierit. Filmi i parë ku mori pjesë ishte bashkëpunimi sovjeto-shqiptar “Skënderbeu”.
Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin, i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena, ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi, (shef i buxhetit të shtetit në atë kohë). Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit), një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos.
Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.
Rruga e saj skenike kaloi me përpjekje, por me kënaqësinë e përmbushjes së pasionit dhe suksesit. Por kjo rrugë u pengua nga vështirësitë familjare, nga vdekja e të shoqit Kolës dhe detyrimet që e vetme t’i plotësonte gjithçka të birit.
Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te “Çështja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, “Lokja” te Toka jonë, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te Hamleti, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”‘, Mara te “Përkolgjinajt”, plaka te “Çatia e të gjithëve”, nëna te Cuca e maleve, Gjela te “Përmbytja e madhe”, etj.
Marie Logoreci vdiq në Tiranë, nga një atak kardiak më 19 qershor 1988./KultPlus.com
Sot janë bërë 114 vite nga lindja e kompozitorit, dirigjentit dhe etnomuzikologut shqiptar, Lorenc Antoni, shkruan KultPlus. Ai ka lindur në Shkup, më 23 shtator 1909 në një familje katolike dhe është kushëri i Shën Nënë Terezës (Gonxhe Bojaxhiut).
Që nga fëmijëria është aktivizuar në ansamble të ndryshme muzikore të shqiptarëve. Ka studiuar privatisht muzikë në Shkup dhe Beograd. Pas shkollimit në Fakultetin Filozofik të Shkupit kthehet në Ferizaj, dhe më pas ngre të parën shkollë të ulët dhe të mesme muzikë “Josip Sllavenski” në Prizren më 1948.
Po në këto vite drejton si dirigjent edhe korin e shkollës muzikore, atë të shoqërisë kulturore artistike “Agimi” si dhe orkestrën simfonike të qytetit të Prizrenit. Pas këtyre viteve vazhdon të merret intensivisht me kompozime, dirigjime të veprave, veprimtari pedagogjike etj.
Në fushën e studimit të folklorit, Lorenc Antoni vlerësohet se i pari mblodhi dhe botoi shtatë vëllime të muzikës popullore shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Moravës Jugore të shoqëruar me analiza etnomuzikologjike mbi gjithë këtë lëndë që është transkiptuar po prej tij.
Ka kompozuar edhe muzikë, ndër to dallohen kompozimet vokale. L. Antoni konsiderohet edhe si kompozitori i brezit të parë të kompozitorëve të Kosovës. Sipas Prof. Engjëll Berishës, në përgjithësi veprat e Lorenc Antonit bazohen në idiomën muzikore popullore shqiptare. Veçojmë këtu “Kanga e Rexhës” e cila respektohet dhe dëgjohet edhe në ditët e sotme . Gjithashtu ai bëri përpjekje për hapjen e shkollës së parë të muzikës më 1948 në Kosovë
Ai vdiq në Prishtinë, më 21 tetor të vitit 1991/KultPlus.com