Kënga e Rexhës: Ai nuk u mbytë nga kali, historia është krejt tjetër (VIDEO)

Shumë prej nesh janë rritur me këngën e Rexhës dhe sa herë e ka dëgjuar këtë këngë të Qamilit të Vogël, ka ndier edhe dhembje për atë ngjarje që besohet se ka ndodhur para 140 vitesh, kur djali jetim, natën e dhëndërisë, gjendet i vdekur në ahur.

Sipas rapsodit Demir Krasniqi, kjo ngjarje ka ndodhur disa vite para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në afërsi të Medvegjës, ku për qëllime trashëgimie Rexhën jetim e ka vrarë mixha i tij.

Gjithmonë është menduar se Rexhën e kishte mbytur kali, madje shpeshherë edhe është ironizuar me rastin, duke thënë se Rexhën e ka mbytur pela. Por, duket se e vërteta është ndryshe dhe jo ajo që kemi besuar të gjithë ne. Demir Krasniqi pretendon se e di versionin origjinal të këngës së njohur të Rexhës, ku sqarohet gjithë ngjarja, që, sipas tij, ka ndodhur në fshatin Stubëll, afër Medvegjës, rrethi i Jabllanicës.

Rexhës i kishte vdekur babai kur ai ishte dyvjeçar. Nëna e tij, sipas traditave dhe zakoneve të vjetra, me qëllim që të mos lërë djalin jetim, kishte pranuar të martohej për kunatin, i cili u kujdes për ta rritur Rexhën. Pastaj e fejoi dhe vendosi që ta martojë me dasmë dhe krushqi, sipas zakoneve dhe traditave shqiptare të rrethit.

Ditën e dasmës së Rexhës, xhaxhait të tij, emri i të cilit nuk përmendet në këngë, i kishte hipur në kokë një mërzi e madhe, ngase e dinte se Rexha, pasi të martohej do të ndahej prej tij dhe do t’ia merrte gjysmën e pasurisë, që do t`i takonte si trashëgimi nga babai.

Kjo vesvese e shtyri atë që ta vrasë Rexhën në ditën e dasmës së tij. Ai e mashtron Rexhën dhe e çon tek stalla e kuajve të dasmorëve, gjoja për t’i ushqyer ata dhe atje e vret tinëzisht, duke e lënë të vdekur në grazhd të kalit. Dasmorëve ua dha haberin duke u thënë se njëri prej kuajve e kishte qëlluar Rexhën me shqelm dhe e kishte lënë të vdekur në vend.

Nëna e Rexhës ishte kthyer nuse për kunatin

Dasmorëve nuk u kishte shkuar mendja se këtë krim mizor mund ta ketë bërë xhaxhai i Rexhës. Ata i besuan fjalëve të axhës së Rexhës. Demir Krasniqi thotë se ngjarjen e kishte dëgjuar nga Qamili i Vogël. Të vërtetën e vdekjes së Rexhës e kishte treguar vetë nëna e tij, disa vite më vonë, pasi asaj i kishte vdekur burri i dytë, që ishte axha i Rexhës.

Pra, vrasësi i vërtetë i Rexhës ishte axha i tij e jo kali, siç është kënduar kënga plot një shekull e disa dekada. Sipas Krasniqit, këtë këngë e kishte sjellë në Gjakovë familja e këngëtarit Qamili i Vogël, që ishin shpërngulur pikërisht nga fshati Stubëll i Medvegjës. Qamil Muhaxheri ishte i pari që e këndoi këtë këngë në Radio-Prishtinë. Kënga është përhapur shumë shpejt nëpër të gjitha trevat dhe krahinat shqiptare, ku këndohet edhe në ditët e sotme, por është e ndërtuar mbi një rrëfim të pavërtetë, duke krijuar edhe versione që shkojnë deri në banalitet.

Krasniqi e ka përpunuar dhe përshtatur për këngë origjinalin e kësaj ngjarjeje dhe për herë të parë e ka incizuar në audio kasetë më 25 korrik 2012. Ai pretendon se kjo është e vërteta e vdekjes së Rexhës dhe ky version nuk është kundërshtuar ende nga rapsodët dhe muzikologët. /gazetametro.net/ KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha këndonte ‘Këngën e Rexhës’

“Kënga e Rexhës” është këngë epike e kënduar nga e madhja Nexhmije Pagarusha.

Ngjarja tragjike, ka ndodhë në fshatin Stubëll , afër Medvegjës – rrethi i Jabllanicës .

Rexha, kur i kishte vetëm dy vjet jetë, i kishte vdekur babai i tij dhe e kishte lënë jetimë nën përkujdesjen e nënës, e cila si nuse e re, ngeli e vejë pa më të dashurin e saj.

Sipas traditave dhe zakoneve të vjetra, Nëna e Rexhës me qëllim që ta ruaj djalin që të mos mbetet jetimë pa baba dhe pa nënë, kishte pranua që të martohej për kunatin e saj, përkatësisht mixhën e Rexhës.

Mixha i Rexhës, ishte kujdesur për ta rritur nipin e vet – Rexhën, deri sa u bë për martesë. Pastaj edhe e fejoi dhe vendosi që ta martojë Rexhën me dasmë dhe krushqi , sipas zakoneve dhe traditave tona.

Ditën e Dasmës së martesës së Rexhës, xhaxhait të tij, emri i të cilit nuk përmendet në këngë, i kishte hipë në kokë një mërzi e madhe, nga se mendonte se tash po sa të martohet Rexha, do të ndahet prej tij dhe do t’ia merrte gjysmën e pasurisë së patundshme, e cila edhe me ligj do t’i takonte nga trashëgimia e babait të tij të ndjerë!

Për këtë qëllim ai e mashtroi Rexhën dhe e qoi tek stalla e kuajve të dasmorëve, gjoja për t’iu qitur ushqim kuajve dhe atje e vrau tinëzisht mu në grazhd të kalit./ KultPlus.com