“HistMag”: Berati një ndër perlat e Shqipërisë

Berati, një qytet muze është një perlë e Shqipërisë dhe një nga qytetet më të vjetra të vendit i quajtur “Toka e Shqiponjave”, shkruan Magdalena Mikrut-Majeranek në një artikull të botuar në të përditshmen polake “HistMag”.

Ai u themelua në antikitet dhe në vitin 2008 qendra historike u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Berati u emërtua qytet muze. Gjithashtu, ai quhet “qyteti i një mijë dritareve” dhe ky term i referohet lagjes së Mangalemit.

Është një perlë shqiptare që ndryshon dukshëm nga resortet e njohura bregdetare.

Turistët që pushojnë në Vlorë, Sarandë apo Ksamil u ofrohet shumë më tepër paqe, intimitet dhe pamje të bukura këtu.

Berati dhe Gjirokastra renditen si shembuj të rrallë të karakterit arkitekturor tipik të periudhës osmane.

I vendosur në Shqipërinë e Mesme, Berati ka përjetuar bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore gjatë shekujve.

Një nga pikat karakteristike të qytetit është kalaja.

Ju ftojmë t’i hidhni një sy kështjellës, e cila ndodhet në majë të një kodre shkëmbore me pamje nga Mangalemi.

Ajo ka 24 kulla dhe katër porta që të çojnë drejt saj.

Shumica e ndërtesave datojnë nga shekulli i 13-të, por ndërtesat e para të ngritura në këtë zonë datojnë në gjysmën e dytë të shekullit të IV para Krishtit.

Kërkimet arkeologjike kanë treguar se kalaja është rindërtuar shumë herë.

Kjo pronë është ende e banuar. Vlen të theksohet se këtu mund të merrni edhe një dhomë hoteli me qira dhe të shijoni lokalet, si dhe të blini punime artizanale dhe suvenire të ndryshme.

Brenda mureve të kështjellës ka shumë hotele dhe restorante atmosferike.

Pas mesnatës, kalaja bëhet edhe më intriguese. Ndriçimi ju inkurajon të endeni nëpër rrugët e ngushta.

Kalaja ka pamje të qartë nga qyteti. Është interesante se si kishat bizantine ashtu edhe xhamitë osmane ndodhen brenda mureve.

Turistët mund të shohin ndërtesat e kishës së Virgjëreshës së Bekuar, kishës së Shën Teodorit të shekullit të 16-të, kishës së Trinisë së Shenjtë, si dhe rrënojat e Xhamisë së Kuqe të shekullit të 15-të dhe Xhamisë së Bardhë të shekullit të 16-të.

Nga kodra e kalasë ka një pamje panoramike të luginës së lumit Osum, Goricës dhe pjesës së re të qytetit./Atsh/KultPlus.com

‘Mbasdite ora katër, ishim ndarë…’

Poezi nga Konstadinos Kavafis

Dielli i mbasdites

Këtë dhomë, sa mirë e njoh.
Tani, ësht’ dhënë me qira tok me atë ngjitur
për zyra tregtare. E gjithë shtëpia kthyer
në zyra ndërmjetësimi, e tregtimi, e Shoqëri.

Ah kjo dhomë, sa e njohur më është.

Pranë derës këtu ishte ndenjësja,
e përballë një sixhade turke;
pranë, rafti me dy vazo të verdha.
Në të djathtë… jo, karshi, një dollap me pasqyrë.
Në mes tryeza e punës;
dhe tre ulëse të mëdha kashte.
Ndanë dritares ishte shtrati
ku jemi dashuruar sa e sa herë.

Ndokund ende do jenë të gjorat gjëra.

Ndanë dritares ishte shtrati;
dielli i mbasdites e zinte deri në mes.

…Mbasdite ora katër, ishim ndarë
veç për një javë… Mjerisht,
ajo javë u bë përjetësi.

Përktheu: Edon QesariKultPlus.com

“Radio Eska”: Shqipëria, xhevahiri turistik mesdhetar, për pushime edhe në shtator

Pushime të lira në shtator! Ne kemi zbuluar disa vende ku moti është ende me diell dhe pamjet janë magjepsëse, edhe pas sezonit!

Shqipëria është një vend që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet. Dy destinacionet më të njohura në vend janë Ksamili dhe Saranda, shkruan Mikołaj Ciesinski në një artikull të botuar në radiostacionin polak “Radio Eska”.

Midis gjashtë vendeve të lira për të kaluar pushimet buzë detit është renditur edhe Shqipëria e karakterizuar nga moti i ngrohtë dhe pasuri të mëdha natyrore.

Disa fjalë për Shqipërinë

I ndodhur në detin Jon, vendi ballkanik ka përjetuar shumë ngjarje të zymta.

Gjithsesi, kjo nuk e pengoi Shqipërinë të ecë përpara dhe t’i bashkohet grupit të nderuar të vendeve turistike të jashtëzakonshme në Detin Mesdhe.

Aktualisht, në Shqipëri mund të përmendim dy destinacionet më të njohura të pushimeve – Ksamili dhe Saranda, të cilat vazhdimisht konkurrojnë me njëra-tjetrin për të tërhequr gjithnjë e më shumë turistë.

Ujërat bruz, plazhet me rërë dhe moti pothuajse i ngrohtë gjatë gjithë kohës? A tingëllon kjo si parajsë?

Po flasim për Ksamilin, një xhevahir turistik mesdhetar, i cili në vitin 2023 u përzgjodh nga britanikja “The Guardian” si një nga destinacionet turistike më të bukura dhe më të lira.

Personat e interesuar për të vizituar Ksamilin mund të pushojnë pranë ujit të kristaltë, të shijojnë gamën e gjerë të sporteve ujore ose të vizitojnë Syrin e Kaltër, i cili të magjeps me ujin e tij blu.

Plazhi karakterizohet nga uji mrekullisht i pastër, deti blu dhe pamja mahnitëse.

Saranda – perfekte për pushime në Shqipëri

Kryeqyteti jozyrtar i rivierës shqiptare është një qytet plot jetë!

Nëse kërkoni argëtim në mbrëmje dhe një qytet historik, duhet të shkoni me patjetër në Sarandë!

Si një nga destinacionet më interesante në 2023, Saranda u ofron vizitorëve një gamë të plotë aktivitetesh si udhëtimi nëpër ishujt e shumtë përreth ose vizita në zonën unike arkeologjike të Butrintit.

Pushime në Shqipëri – destinacione të tjera

Përveç Ksamilit apo Sarandës vizitorët mund të marrin në konsideratë edhe Durrësin e bukur, Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, apo Shkodrën.

Nuk mund të harrojmë gjithashtu Alpet Shqiptare, si dhe luginat e bukura piktoreske që shtrihen mes tyre!

Ksamili apo Saranda? Çfarë të zgjidhni për pushimet 2023?

Gjithçka varet nëse jemi në kërkim të paqes dhe qetësisë, apo ndoshta preferoni një pushim më argëtues.

Nëse doni të pushoni, të shtriheni në plazh dhe të relaksoheni, atëherë Ksamili është një opsion shumë më i mirë.

Nga ana tjetër, nëse kërkoni shumë argëtim dhe atraksione, atëherë Saranda është destinacioni i duhur.

Pushimet 2023 në Shqipëri – a ia vlen?

Shqipëria me diell dhe bukuri natyrore është një destinacion interesant që duhet të keni me patjetër në listën tuaj të udhëtimeve!

Plazhet e bukura, riviera e mrekullueshme dhe historia e pasur e këtij vendi, padyshim qe mund të diversifikojnë pushimet tuaja në Shqipëri.

Për një javë pushime gjithëpërfshirëse në shtator, kostoja për një person arrin 450-550 euro./atsh/ KultPlus.com

Kroçiera “Nautica” sërish në Durrës brenda muajit

648 turistë amerikanë, anglezë, kanadezë, australianë, etj., mbërritën mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit me kroçierën “Nautica”.

Anija turistike ka qëndruar mëngjesin e sotëm në kalatën portuale nr.5 dhe ka sjellë në vendin tonë turistë nga 18 vende të ndryshme të botës mes të cilëve edhe nga kontinente të largëta si Australia, Amerika e Veriut, Zelanda e Re.

Nuk mungonin vizitorët edhe nga vendet e BE-së si Gjermani, Belgjikë, Holandë, Poloni etj.

Shumë nga turistët po vizitojnë sitet turistike dhe ato të trashëgimisë kulturore të qytetit bregdetar dhe zonave përreth në Krujë dhe Tiranë. / KultPlus.com

Shirat e dendur shuajnë “zjarrin” e festivalit Burning Man

Të paktën një person ka humbur jetën si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që përfshinë shkretëtirën e Nevada-s, ku po zhvillohej festivali “Burning Man”.

Mediat në vend raportojnë se si pasojë e shirave pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në festival kanë mbetur të bllokuar në shkretëtirë.

Me nisjen e reshjeve, në shkretëtirë u krijua një baltë që shkon deri në gju. Pjesëmarrësve u është bërë thirrje që të “sigurojnë kokën” dhe të ruajnë ushqim, ujë dhe karburant pasi autoritetet e kanë të pamundur që të futen në vendin ku mbahej festivali.

Në zonën e largët në Nevada-n veriperëndimore ra një sasi shiu sa për 2 apo tre muaj, deri në 2 cm, në vetëm 24 orë mes të premtes dhe të shtunës në mëngjes.

Reshjet e dendura të shiut ranë në tokat e thata të shkretëtirës, duke krijuar një baltë të trashë argjile për të cilën frekuentuesit thonë se është shumë e vështirë për të ecur në këmbë ose me biçikletë.

Ndërkohë, autoritetet kanë njoftuar se reshjet e shiut pritet të vijojnë edhe për ditët në vijim. Sa i përket viktimës, rrethanat e vdekjes nuk dihen ende. Policia po heton rastin. / KultPlus.com

10 vjetori ngërthen në vëmendje figurat ikonike të RTP-së, Prelvukaj: KultPlus është një muze virtual e praktik

Era Berisha
Fotografitë: Nok Selmani

“Shuni se lajmet”, titullohet ekspozita që mbrëmë ka frymuar për herë të parë, krejt ëmbëlsisht në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery. Kuruar deri në detajet më të imëta nga drejtoresha e KultPlus-it, Ardianë Pajaziti, ekspozita na çon prapa në kohën e lajmeve të Radio Televizionit të Prishtinës, një periudhë kjo që ka shërbyer si shtyllë e vetme, prej ku janë informuar qytetarët tanë, me vite të tëra. Nëpërmjet kësaj ekspozite, është shënuar njëkohësisht edhe përvjetori i dhjetë i themelimit të gazetës së parë për art dhe kulturë, KultPlus.  

Tashmë ka kaluar një dekadë, por puna, përkushtimi, e mbi të gjitha dashuria për shkrimin, informimin dhe krijimin e një vendi në të cilin lexuesi ndjehet i sigurtë, ka bërë që këto plotë dhjetë vite, të jenë fole e dashamirëve të artit. Këtë më së miri e dëshmoi mbrëmë edhe ceremonia që mblodhi afër vetes një numër të lartë të komunitetit artistik e jo vetëm. Ata nëpërmjet ekspozitës, përjetuan një rikthim në një kohë ku fytyrat e folësve ikonikë si: Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu, kanë qenë indikatorë në formimin e një mediumi si RTP, shkruan KultPlus. 

Këto figura të shquara, me një pasion të paparë në vete, kanë krijuar një rrugëtim të cilin zor se e harrojmë dot, e prej të cilit janë krijuar qindra kujtime thellë brenda kujtesës së popullit. Nostalgjia, si emocion që rrëqeth deri në asht, ka qenë ajo vija kryesore nëpër të cilën kanë ecur mbrëmë trupat e të pranishmëve. Gjithsej 18 fotografi të vendosura nëpër muret e KultPlus Caffe Gallery, kanë shfaqur fytyrat e personave që kanë prezantuar lajmet, çdo herë, fiks në orën 19:30. Vëzhgimi i fotografive bardh e zi, të ngjallte emocione të llojllojshme. Laramania e tyre të dërgonte direkt tek kohët kur dëgjimi i lajmeve nuk ka qenë edhe gjëja më e bukur e mundshme, por tejet e domosdoshme për secilën familje. 

Kurimi i “Shuni se lajmet” nga Ardianë Pajaziti, e cila vjen për herë të parë në rolin e kuratores, ka qenë tejet unik. Duke shkuar në çdo shtëpi të këtyre personazheve të RTP-së, duke mbledhur çdo fotografi, shpesh edhe të turbullta, për të vazhduar me qartësimin dhe rikthimin e shkëlqimit brenda fotografive, e deri tek një pozicionim i këndshëm i kornizave në mure, është thjeshtë për t’u mahnitur. Në rolin e kuratores, Pajaziti ka çelur një kuti kujtimesh për qytetarët, që asnjëherë nuk ka qenë e mbyllur shpirtërisht për ta.

Përveç hapjes së ekspozitës, u festua edhe ceremonia e një rrugëtimi prej dhjetë vjetëve të KultPlus-it, një rrugëtim ky që ka pasur sfida dhe suksese, një rrugëtim i përkushtuar për të promovuar artin dhe kulturën brenda dhe jashtë Kosovës. Gazeta e parë për art dhe kulturë, KultPlus vazhdon të mbetet një dritare e hapur e fjalës së lirë, një shtëpi e korrektësisë dhe strehë për zhvillimin e kreativitetit individual. 

Nën moderimin e gazetarit e poetit, Arbër Selmani, njashtu si lajmet e kohëve të hershme, nisën edhe disa fjalime fiks në orën 19:30. 

“Unë kam punuar në KultPlus, për gjashtë vite shumë të mira të jetës time. Nëpër këto vite, e kam zhvilluar veten si gazetar, por gjithmonë me ndihmën e shoqes dhe koleges time, Ardianë Pajaziti, e cila na ka mbledhur sonte të gjithëve, këtu. Ju falënderoj secilin që keni gjetë kohën me ardhë, që keni lënë angazhimet anash dhe jeni bashkuar në këtë ekspozitë që lidhet shumë mirë me atë se çfarë bëhet në KultPlus, për këto dhjetë vite”, thotë Selmani. 

Sipas tij, kjo gazetë është përkujdesur që gjithmonë krahas lajmeve të momentit, realitetit, të mos i lë në në harresë as ato figura që ndoshta historia pakëz i ka lënë anash. 

“Jetojmë në një kohë komplet ndryshe prej kohës që paraqitet në këto fotografi”, thotë ai. 

Ndërsa, për këtë mision fisnik të sajin dhe shënimin e 10 vjetorit të gazetës të krijuar nga ajo vetë, kuratorja e ekspozitës, Ardianë Pajaziti është shprehur tejet e lumtur. 

“Faleminderit për prezencën e juaj këtu sonte, sepse ky moment është shumë i rëndësishëm jo vetëm për mua, por edhe për krejt ekipin e KultPlus-it. Unë dua t’i falënderoj edhe të gjithë gazetarët e tjerë që kanë punuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre në formësimin e KultPlus-it. Kam menduar që mjaftueshëm jam gazetare por ky vend më ka rritur tejet shumë profesionalisht, duke pasur parasysh që kam hasur në lajme të ndjeshme, në një komunitet shumë të ndjeshëm, siç është arti dhe kultura. Andaj, sa ka përfituar lexuesi, aq ka përfituar edhe ekipi jonë dhe unë së bashku me ta, për plot 10 vite, duke e sjellë KultPlus-in aty ku është sot”, thotë ajo. 

Sipas saj, kjo është hera e parë që i ka dhënë të drejtë vetes për të marrur titullin e kuratores e për të jetësuar ekspozitën “Shuni se lajmet”. 

“Unë këtu po shoh njerëz që e dinë shumë mirë shprehjen ‘Shuni se lajmet’, sepse aq e rëndësishme ka qenë ajo periudha e kohës 19:30. Realizimi i ekspozitës ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua, gjithmonë duke e falënderuar familjen e Drita Gërmizajt, që ka qenë realisht një shtysë për pikënisjen e kësaj ekspozite. Drita nuk është në mesin tonë, por kam dashur që fillimisht aty të sigurohem për mbledhjen e këtyre fotografive të vjetra. Së pari, fotografitë janë marrë në një format ‘hardcopy’, pastaj fotografi Hazir Reka ka qenë një ndihmë e madhe për mua, pasi që më ka ndihmuar për t’i qartësuar këto fotografi e për t’i sjellë në nivelin që po i shihni sot”, përfundon Pajaziti.  

I pranishëm në “Shuni se lajmet”, ka qenë edhe prezantuesi i njohur i lajmeve, Mustafë Muçaj, i cili me zërin e tij plot zhurmë e tejet të njohur për veshin e dëgjuesve, ka thënë se tashmë me shumë dëshirë, i lexon lajmet që shfaqen për sukseset e Kosovës, përkundër atyre që ai vetë është dashur t’i lexonte në kohën e RTP-së. 

“46 vjet kam qenë mu në atë karrigen aty në fotgrafi, asnjëherë nuk kam lëviz. Kam pasur oferta të ndryshme punësimi, mirëpo kam mbetur besnik i fjalës dhe njeri i popullit. I kam kalu të mirat e të këqijat me gjithë spektatorët. Përpara, e kemi pasur vetëm një televizion, vetëm një dritare informimi, që niste në orën 19:30, dhe unë i kujtoj shumë mirë krejt këto fotografi e personazhe. Televizioni i Prishtinës dikur dhe ai sot, janë gur themeli i fryteve që ne sot i gëzojmë. Në kohën time, kam luftuar për çdo gjë që ka qenë kundër Kosovës, andaj sot me shumë dëshirë i lexoj lajmet e sukseseve të shtetit tonë”, ka thënë Muçaj. 

Në një prononcim për KultPlus, piktorja Zake Prelvukaj ka thënë se kjo gazetë vazhdon të jetë një muze virtual e praktik. 

“KultPlus është një medium që asnjëherë nuk len që kujtesa të zbehet. Ekspozita ishte mjaft atraktive dhe më se e dëshiruar nga artdashësit, qytetarët e njerëzit intelektualë. Ne jemi rritë me ata persona që kanë prezantuar lajmet qendrore, por atëherë ata kanë pasur një pa-përpunim natyral dhe nuk ka qenë teknologjia që është sot. Kanë pasur thjeshtë, një puro talent për prezantim, andaj kanë krijuar një arkiv të rëndësishme të bazave të para. KultPlus, në anën tjetër është rikthyer me një angazhim publik, mendor dhe një hulumtim të ri të periudhave kohore. Asnjëherë nuk është dorëzuar, edhe pse me ngritjet e uljet e veta. Çdo herë ka prezantuar njohuri të rëndësishme, qoftë nga e kaluara, e tashmja apo e ardhmja. Hulumtimi në terren është i fuqishëm dhe i uroj jetë të gjatë KultPlus-it, sepse puna e tyre është e domosdoshme për rrethin në të cilin jetojmë. KultPlus-i është një muze virtual e praktik”, thotë ajo.

Po ashtu, poetja Sibel Halimi është shprehur se KultPlus-i është një dritare krijuese që i ka qëndruar besnike të gjithë atyre që duan të kontribuojnë në art. 

“”Shuni se lajmet” është frazeologjia e kujtesës sonë individuale në rëndesën e ngjarjeve të vështira që i kaluam si shoqëri. Ekspozita me portretet e folësve ikonikë të RTP, na kthyen në të kaluarën ku fati ynë varej në atë çfarë na prezantonin në lajmet qendrore Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu. Poashtu, kënaqësi që së bashku kremtuam edhe një dekadë pune e angazhimi të portalit ‘KultPlus’. Për plot 10 vite, ‘KultPlus’ u bë dritarja jonë krijuese që na qëndroi besnike të gjithë neve që duam sado pak të kontribuojmë në kulturë dhe art”, ka thënë Halimi.

Në këtë mbrëmje të veçantë, nuk ka munguar as degustimi i rakisë së brendit të njohur “The Vidasus Distillery Nivokaz”, një emër i njohur që synon të përfaqësojë trashëgiminë dhe shijet autentike të kësaj toke. Me sloganin e thjeshtë “Piju shqip”, ka ardhur para nesh një përshëndetje me shije të vërtetë dhe një përjetim autentik.  

Nata nën dritën e hënës ka vazhduar me rikthimin e kujtimeve të bollshme, festimin e arritjeve të ndryshme si dhe muzikë të mirëfilltë shqiptare e të huaj. Kështu, i erdhi fundi një dekade dedikim ndaj artit, kulturës dhe gazetarisë në shërbim të komunitetit tonë, për të nisur me këmbë të mbarë, dekadën e radhës, akoma të panjohur për ne. 

Ky event është mbështetetur nga Komuna e Prishtinës, Stone Castle, Frutomania, The Vidasus Distillery dhe Uji i Alpeve. / KultPlus.com 

Nis Festivali Kombëtar i Komedisë në Korçë

Për të 10-in vit Korça pret Festivalin Kombëtar. Në skenë do të shfaqen 8 shfaqje, 8 trupa që do të sjellin 8 komedi të ndryshme.

Aktiviteti bën bashkë trupa artistike nga të gjitha trevat, përfshirë edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Të parët u ngritën në skenë mikpritësit, teatri Andon Zako Çajupi i Korçës.

Në këtë 10 vjetor të festivalit u hap edhe një ekspozitë. Në fund të aktivitetit do të jepen edhe çmime për performancat më të mira. /Klan News/ KultPlus.com

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu në një fotografi të rrallë

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu në një fotografi të shkrepur në Vjenë, në vitin 1917, shumë kohë para se mes të dyve, të niste armiqësia – shkruan Blendi Fevziu, i cili përcjell këtë shkrepje historike.

“Vjenë, 1917. Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu, në një fotografi të rrallë.

Të dy, më pas do të ishin deputetë, kryeministra dhe deri armiq politikë.

Hasan Prishtina u ndalua nga policia austriake, për atentatin e dështuar ndaj mbretit Zog në Vjenë, ndërsa Zogu u akuzua për vrasjen e Hasan Prishtinës në Selanik. Të dy bashkë, i kanë sot monumentet në qendër të Tiranës”, – shkruan ai. / KultPlus.com

‘S’më lejnë lotët djalë me t’shikju’ (VIDEO)

Elina Duni është një ndër këngëtaret më unike të trojeve shqiptare. Ajo është vajza e shkrimtares Besa Myftiu dhe e regjizorit Spiro Duni.

Për herë të parë ka performuar në moshën 5 vjeçare, dhe në këtë moshë edhe ka filluar studimin e violinës. Dhe prej atëherë ka filluar të hedhë bazat për karrierën e saj mjaft të bujshme.

Ajo kohë pas kohe mban koncerte të ndryshme, të cilët lënë një shije të veçantë për adhuruesit e muzikës.

KultPlus ju sjell tekstin dhe këngën ‘Sytë për ty i kam të njomë’ të interpretuar nga Elina Duni gjatë një koncerti në Prishtinë:

N’kët natë lehtë gjumi s’më merr
vetëm hana m’ban shoqni
Veç për ty i dashtun qaj
Pse s’vjen ma?
S’di ç’ka të baj.

S’më lejnë lotët djalë me t’shikju
Eja eja xhanin me ma qet’su

Sytë për ty i kam të njomë
Si s’ndjen dhimbje hiç për mu?
E ty hanë t’lus me m’dihmu
ta gjejmë djalin që e du./KultPlus.com

Gjatë qershorit kosovarët shpenzuan 58.9 milionë euro në udhëtime, 46% prej tyre në Shqipëri

Gjatë muajit qershor, kosovarët kanë shpenzuar 58.9 milionë në udhëtime jashtë vendit, 18 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë gjatë vitit 2022.

Sipas statistikave të BQK’së, 46 për qind janë shpenzime në Shqipëri.

“Kurse shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë, gjatë muajin qershor kanë arritur vlerën 58.9 milion euro që paraqet rritje prej 18% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, prej të cilave rreth 46% janë shpenzimet në Shqipëri.” / KultPlus.com

Turistët italianë zbulojnë Shqipërinë mes mijëra paragjykimeve të lashta

Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë janë të rrënjosura thellë në historinë e imperializmit dhe kolonializmit italian në Mesdhe.

“Zbulimi i Shqipërisë. Shqiptarët sipas masmedias”, i botuar ne 1995 tregon se si imazhi i shqiptarëve në Itali kushtëzohej fort nga stereotipet, për shkak të mbylljes së vendit në kohën e komunizmit, shkruan në një artikull Fabio Bego të botuar në revistën italiane “Left”.

Vëmendja mediatike që turizmi italian ka pasur në Shqipëri së fundmi zbulon aktualitetin e librit, pasi paragjykimet ndaj shqiptarëve vazhdojnë ende, pavarësisht se regjimi komunist ka mbi 30 vjet që ka marrë fund.

Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë janë të rrënjosura thellë në historinë e imperializmit dhe kolonializmit italian në Mesdhe.

Në fund të shekullit të IX, elitat politike të Italisë synonin të aneksonin territoret shqiptare pranë bregut të Adriatikut që ishin pjesë e Perandorisë Osmane.

Disa diplomatë, studiues dhe gazetarë italianë vizituan rajonin midis shekujve IX-XX.

Udhëtimet e tyre u bënë burimet kryesore të informacionit për shqiptarët dhe përdoren edhe sot si burime historike.

Duke mos njohur as gjuhën dhe as kulturën vendase, përshtypjet e udhëtarëve ishin kontradiktore dhe të kushtëzuara nga paragjykimet

Perëndimorët i shihnin vendet e Ballkanit si një vend kalimi midis Evropës së qytetëruar dhe Lindjes barbare.

Shqiptarët cilësoheshin si një popull i egër dhe me tendencë kriminale që jetonin të ndarë në “fise” dhe që nuk mund të qytetëroheshin pa mbështetjen e Italisë.

Këto argumente u përdorën për të justifikuar aneksimin italian të Shqipërisë së Jugut pas shpërthimit të Luftës së Madhe dhe pushtimit të të gjithë vendit në prill 1939, në prag të konfliktit të ri botëror.

Interesi turistik në Shqipëri lindi kur u fillua të mendohej për territoret “shqiptare” si zotërime të ardhshme italiane.

Udhëtarë si Antonio Baldacci, Arturo Galanti, Pio Biondoli, Vico Mantegazza e shumë të tjerë e treguan Shqipërinë si një destinacion për gjuetarët, adhuruesit e natyrës dhe alpinizmin.

Ata gjithashtu dhanë përshkrime të veshjeve dhe aspekteve fizike të grave dhe burrave, të cilat shërbyen për të nxitur kureshtjen dhe imagjinatën erotike të lexuesve, gjithashtu me funksion eugjenik.

Guidat turistike janë produkt i procesit të zbutjes dhe përfshirjes së mjediseve “të tjera” dhe “ekzotike” në imagjinatën perandorake.

” L’Adriatico orientale da Venezia a Corfù”, botuar nga Giuseppe Marcotti në 1899, nxjerr në pah trashëgiminë arkitekturore dhe kulturore të dominimit romak dhe venecian, të cilat konsideroheshin nga shumë udhëtarë italianë si periudhat e vetme në të cilat trevat shqiptare kishin pasur paqe dhe prosperitet.

I njëjti objektiv u tregua edhe në vepra të tjera më të përpunuara që u botuan në dekadat në vijim si “L’Albania Antica” (1924), nga Luigi Maria Ugolini, financuar nga bordi turistik italian dhe “L’Albania” (1940), botuar nga shoqata italiane turistike.

Opinionet, konceptet dhe kategoritë e origjinës koloniale janë ende të përhapura në shoqërinë bashkëkohore pasi, me përjashtim të studiuesve individualë, një reflektim sistematik mbi efektet afatgjata të kolonializmit nuk është ndërmarrë kurrë.

Përkundrazi, vërejmë se si figurat institucionale vlerësojnë kolonializmin italian duke e konsideruar atë një faktor qytetërimi dhe për rrjedhojë duke përdorur të njëjtat argumente që ishin në modë në periudhën liberale dhe fashiste.

Nuk është e pazakontë të lexosh artikuj dhe libra të kohëve të fundit që i referohen “Albania una e mille” të Indro Montanelli i botuar në vitin 1939, si një burim i besueshëm, pavarësisht se libri është shkruar për të justifikuar aneksimin italian të shtetit fqinj.

Trashëgimia e ideologjisë koloniale kushtëzon edhe politikën aktuale të jashtme italiane, e cila e sheh Shqipërinë dhe Ballkanin si një zonë të zgjerimit ekonomik.

Italia është partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë.

Në Shqipëri ka mbi dy mijë kompani italiane, disa prej të cilave operojnë në sektorë kyç si banka, ndërtimi dhe energjia.

Zyra e Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ka selinë në Tiranë.

Shumica e fondeve në dispozicion të agjencisë shpenzohen për projekte që zhvillohen në Shqipëri.

Ekonomia shqiptare tashmë është e lidhur fort me atë italiane.

Megjithatë, qeveria italiane po u kërkon kompanive të investojnë më shumë në vendin fqinj.

Në përputhje me këto direktiva, ministrja italiane e Turizmit, Daniela Santanché shkoi në Tiranë në fillim të gushtit për të bindur homologen e saj Mirela Kumbaro që t’u japë operatorëve italianë më shumë mundësi biznesi.

Vëmendja aktuale që shtypi italian i ka kushtuar turizmit italian në Shqipëri nuk rrjedh drejtpërdrejt nga marrëdhëniet italo-shqiptare, por nga çështje të tjera.

Fushata mediatike u popullarizua nga “La Repubblica”, e cila e përshkroi Shqipërinë si një “zgjidhjen e duhur” për italianët që nuk mund të përballojnë pushimet vendin e tyre pasi kushtojnë shumë.

Qëllimi i gazetës nuk ishte të lavdëronte Shqipërinë e cila paraqitet si një destinacion me kosto të ulët, por të kritikonte qeverinë dhe në veçanti ministrin Santanché se nuk i kishte vlerësuar vendndodhjet italiane.

Kryeministri Edi Rama ua vodhi të gjithëve pamjen duke publikuar më 8 gusht një foto të anijes shqiptare “Vlora” të ngarkuar me emigrantë që mbërrinin në bregdetin italian në verën e vitit 1991.

Udhëtimi i anijes “Vlora’ është i famshëm për mënyrën se si u trajtuan mijëra persona në bord nga autoritetet italiane.

Emigrantët u sollën brenda stadiumit të vjetër në Bari, ku u lanë në diell për ditë të tëra pa akses adekuat në ujë dhe ushqime.

Ishte një nga faqet e këqija të tranzicionit shqiptar që tregoi papërgatitjen dhe racizmin e institucioneve italiane.

“Trollaggio” ishte e dobishme për Ramën për të tërhequr vëmendjen e gazetave italiane të cilave u jepte intervista të bollshme.

Në “Libero” Edi Rama e quajti Melonin “tigër” të politikës dhe Shqipërinë si “Itali e vogël”.

Duke e barazuar vendin që ai qeveriste me një shtojcë të shtetit fqinj, duke mbështetur kështu planet për zgjerim që mbeten ende në diplomacinë italiane, ishte një mënyrë për të promovuar turizmin për atë pjesë të popullsisë që shfaq me krenari paragjykimet e saj ndaj shqiptarëve.

Kthimi te paragjykimet klasike është mirëpritur nga njerëz të cilët, ashtu si guvernatori Toti, janë ndjerë të indinjuar nga ideja se Shqipëria mund të krahasohet me Italinë, e cila, nga pikëpamja e saj eurocentrike, duket se ka “përqindjen më të lartë të trashëgimisë kulturore në botë“.

Pavarësisht orientimit politik, shtypi kombëtar nuk është gjithëpërfshirës dhe nuk përfaqëson pjesë të mëdha të shoqërisë bashkëkohore.

Duke qenë se rrëfimi i Shqipërisë u është besuar njerëzve që e njohin atë përmes filtrave të ideologjisë koloniale, ai do të rizbulohet ciklikisht përmes dinamikës relacionale dhe kategorive përshkruese të shekullit të IX. / KultPlus.com

Sot nis kthimi i astronautëve nga hapësira

NASA dhe SpaceX po synojnë që më 3 shtator të nisë procesi i kthimit nga hapësira drejt planetit Tokë.

Në njoftimin zyrtar të kompanisë SpaceX, që udhëhiqet nga Elon Musk, është thënë që pas kryerjes së një sërë manovrimesh, raketa Dragon do të rifutet në atmosferën e Tokës, për t’u ulur përfundimisht në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në bordin e raketës janë Stephen Bowen, Woody Hoburg, Rocosmos Andrew Fedyaev dhe Sulltan Alneyadi, që ishin nisur nga Qendra Hapësinore më 2 mars.

I tërë misioni i rikthimit do të përcillet drejtpërdrejt nga ekipet e NASA-s dhe të SpaceX. / KultPlus.com

“SiViaggia”: Në Shqipëri ekziston një qytet muze magjepsës, Gjirokastra

Është një vend ku koha duket se ka ndalur, ku gjithçka është zhytur në një atmosferë sugjestive dhe ndjellëse që të transporton në një peizazh të denjë për historitë më të bukura para gjumit. Gjithashtu, falë asaj kështjelle që dominon zonën dhe që është më e madhja në të gjithë vendin.

Ky vend ndodhet në Shqipëri, një nga destinacionet më të njohura vitet e fundit nga udhëtarët italianë dhe ndërkombëtarë, shkruan në një artikull Sabina Petrazzuolo për të përditshmen italiane “L’agenzia SiViaggia”.

Zona, në fakt, është kthyer në një destinacion të preferuar për pushime verore për peizazhin detar të krijuar nga ujëra të kristalta, plazhe me rërë, limane sekrete dhe shkëmbinj.

Megjithatë, midis qyteteve më të njohura për turizmin fshihet sekreti më i ruajtur i vendit. E kemi fjalën për Gjirokastrën, një qytet muze i shpallur si trashëgimi botërore nga Unesco që do t’ju bëjë të dashuroheni.

Gjirokastra si në përrallë

E ngulitur në malet e jugut të vendit si një thesar i çmuar, Gjirokastra duket se ka dalë nga një përrallë.

Një muze i hapur ku e kaluara jeton dhe mbijeton në të gjitha ato dëshmi të dukshme që e bëjnë qytetin unik në të gjithë vendin.

Trashëgimia e saj është e pamasë, e njohur edhe nga UNESCO, dhe rrugët e saj me kalldrëm janë sugjestionuese, ato që të çojnë drejtpërdrejt në kalanë që dominon në të gjithë qytetin.

Pikërisht rreth kalasë ikonike, e cila është kthyer në simbolin e zonës, shpaloset historia e saj.

Pas ndërtimit së kalasë së Gjirokastrës, kalaja e fortifikuar që mori emrin e saj, u ndërtua rreth mesit të viteve 1300.

Shekuj më vonë, me pushtimin e qytetit nga trupat osmane, u ndërtuan shtëpitë karakteristike që sot dallojnë peizazhin e qytetit.

Shtëpitë me çati guri, të cilat i kanë dhënë Gjirokastrës pseudonimet Qyteti i Gurit dhe Qyteti i Argjendtë, për shkak të reflektimit karakteristik që merr guri i lagësht kur shkëlqen në diell, ngjajnë me fortesa të vogla me pamje nga rrugët me kalldrëm që ndërthuren dhe të çojnë në Pazar, zemra rrahëse e qytetit të vjetër ku kultura turke takohet me kulturën shqiptare dhe e shkuara bashkëjeton në mënyrë perfekte me të tashmen.

Gjithashtu, mund të vizitoni edhe Xhaminë e lagjes, ndërtimi i së cilës daton në vitin 1557.

Qyteti muze që magjeps

Ka shumë gjëra të ndryshme për të bërë dhe parë në këtë xhevahir të vendosur në male.

Megjithatë, mjafton një shëtitje e thjeshtë mes shtëpive dhe rrugëve karakteristike, të zhytura në histori dhe hijeshi për të jetuar një eksperiencë të pabesueshme që duket se ju çon në një dimension tjetër.

Një nga ndalesat thelbësore për këdo që viziton Gjirokastrën është padyshim kështjella e saj, ku e ka zanafillën historia e qytetit.

Kalaja, e cila është më e madhja në të gjithë Shqipërinë, është e hapur për publikun dhe strehon Muzeun e Armëve që nga viti 1970.

Për më tepër, ndërtesa është zgjedhur disa herë ndër vite, si skena e festivalit kombëtar të muzikës popullore.

Nëse hijeshia e shtëpive prej guri nuk ju ka lënë imun, atëherë këshilla është të vizitoni “Shtëpia Zekate”, një nga ndërtesat më të vjetra në qytet si dhe shembulli më i madh i arkitekturës osmane në Gjirokastër.

Pozicioni i privilegjuar i shtëpisë, i vendosur në lagjen Palorto, do t’ju lejojë të shijoni një pamje unike.

Me një shikim të vetëm mund të përqafoni panoramën sugjestive të qytetit.

Një destinacion i padiskutueshëm për dashamirët e letërsisë ndërkombëtare është shtëpia e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare në “Sokakun e të Marrëve”.

Natyrisht, për të mos u humbur është pazari i qytetit, zemra rrahëse e Gjirokastrës e cila do t’ju lejojë të njiheni me traditat dhe kulturën më autentike të zonës. /atsh/ KultPlus.com

Kafeja e mëngjesit

Poezi nga Jasques Prevert

Ai hodhi kafe
Në filxhan
Hodhi qumësht
Në filxhanin e kafesë
I hodhi sheqer
Kafes me qumësht
Me lugën e vogel
E përzjeu
E piu kafen
Dhe vuri filxhanin mbi tavolinë
Pa më folur
Ndezi një cigare
Bëri rrathë
Me atë tym
Shkundi hirin
Në taketuke
Pa më folur
Pa më shikuar
U ngrit
Vuri kapelen në kokë
Veshi xhaketën e shiut
Sepse binte shi
Dhe doli jashtë
Nëpër shi
Pa një fjalë
Pa më shikuar
Dhe unë
Futa kokën
Mes duarve
Dhe qava / KultPlus.com

Jacques PREVERT 1956

18 shkolla nuk e filluan procesin mësimor, shkak renovimet e objekteve

Një ditë më parë nisi viti i ri shkollor në Kosovë, por në 18 shkolla ende nuk ka proces të rregullt mësimor, pasi në objektet e tyre janë duke u kryer renovime.

Në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në kryeqytet, nga korriku i këtij viti, një pjesë e saj është në renovim. Por për shkak të punimeve, drejtoria e shkollës ka modifikuar planin për ndërrimet dhe kohëzgjatjen e orëve.

“I kemi ngjesh ndërrimet, prej 2 ndërrimeve i kemi bërë 3 ndërrime për shkak të përdorimit të vetëm disa klasëve. Por në krahasim me përfitimet e renovimit, sigurisht që kjo pengesë menaxhohet disi dhe nuk kemi lejuar ta zhvendosim fillimin e procesit mësimor”, ka theksuar për RTK-në Supije Zhitija, drejtoreshë e kësaj shkolle.

Renovime ka edhe në shkollën “Pavarësia”. Punimet filluan me vonesë, pasi edhe viti mësimor ka përfunduar më vonë.

“Deri në korrik kemi qenë me obligime, me mësim shtesë e plotësues, e me riprovime, pastaj nuk ka mbetur shumë kohë diku rreth 1 muaj për punime të çfardo natyre. Janë duke u kryer disa punime ende e që janë duke përfunduar, p.sh. renovimi total i disa toaleteve, pastaj do të bëhet edhe ndërrimi i dyerve, por kjo nuk është pengesë për zhvillimin e procesit mësimor. Pra, ka pasur investime të theksuara që e ndihmojnë shumë përmisimin e gjendjes së infrastrukturës në shkollë”, ka theksuar Shefki Rusinovci, drejtor i shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, tha se janë 5 shkolla të Prishtinës në renovim të thellë, ndërsa janë rinovuar 22 të tjera. Por ajo deklaron se renovimet nuk e pengojnë procesin mësimor.

“Ka arsye të ndryshme sepse të gjitha janë në kontrata të ndryshme, p.sh. shkolla “Dardania” është me financim të BE-së dhe renovimi përfshihet që të zgjasë gati deri në një vit, pra po flasim për një renovim shumë të thellë. Në shkollat “Naim Frashëri” dhe “Gjergj Fishta” punimet kanë filluar menjëherë pas përfundimit të mësimit, por që renovimet janë tepër të thella dhe strukturore. Pra, janë shkolla shumë të vjetra në të cilat nuk mund të kryhen renovimet brenda 1 muaj e gjysmë, aq sa kemi pasur në dispozicion. Ndërsa për shkollën “Gjin Gazulli” ka qenë me buxhet të bartjes. Derisa Ministria e Finacave na ka alokuar mjetet nuk kemi mund të fillojmë me projektin. Pra, secila shkollë i ka specifikat e veta dhe ka pasir kontrata e ndryshme”, është shprehur Musmurati.

Mirëpo nga Këshilli i Prindërve të Kosovës thonë se këto punime është dashur të përfundojnë me kohë.

“Sa i përket përmirësimit të infrastrukturës së objekteve shkollore renovimet janë të domosdoshme. Kjo për arsyen që fëmijët të kenë qasje më të lehtë dhe më të mirë në zhvillimin e edukativo arsimor. Por ky proces është dashur të përfundojë moti, pasi ata që pësojnë në këtë proces janë fëmijët”, tha Teuta Emini, nënkryetare e Këshillit të Prindërve të Kosovës.

Ministria e Arsimit njoftoi se procesi edukativo-arsimor nisi të premten në 658 institucione arsimore. Në 18 shkolla mësimi nuk ka filluar, pasi ato janë në renovim, e ku pritet që në shumicën e tyre rinovimi të përfundojë me 4 shtator. Sa u përket librave, Ministria njoftoi se deri më tani për subvencionim kanë pranuar gjithsej 133.500 aplikime, teksa aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator. / KultPlus.com

E bleu për 4 dollarë, piktura del në ankand për shifrën e pabesueshme

Kur një entuziaste e artikujve antikë në Angli bleu një pikturë që dukej se mbante nënshkrimin NC Wyeth në një dyqan në vitin 2017, ajo bëri shaka duke thënë se blerja prej 4 dollarësh mund të ishte në fakt një vepër origjinale.

Por pas pesë vitesh batuta e saj është shndërruar në një të vërtetë. piktura tashmë ka dalë në ankand me një vlerë fillestare prej 250 mijë dollarë  pasi është vërtetuar se është vepër e vërtetë e krijuar artisti dhe patriarku i familjes së piktorëve Ëyeth

Gruaja e bleu pa vetëdije veprën në një dyqan sendesh në Manchester, teksa kërkonte korniza për t’i ripërdorur.

Me një kërkim të shpejtë në internet, pasi mbërriti në shtëpi, ajo nuk mundi të gjente informacion për punimin.

Piktura qëndroi e varur në murin e dhomës së gjumit për disa vite, më vonë përfundoi në një dollap në papafingo. E rizbuloi pikturën majin e kaluar gjatë pastrimit, dhe këtë herë postoi fotografi në një grup të dedikuar sendeve të vjetra të gjetura rastësisht, në rrjetin social në Facebook.

Komentet mbi postimin e shtynë atë të kontaktojë Lauren Leëis, një kuratore e cila ka punuar me piktura nga tre breza të Wyeths.

 “Sigurisht kishte disa gërvishtje të vogla por ishte në gjendje të jashtëzakonshme duke pasur parasysh se askush nga ne nuk kishte asnjë ide për udhëtimin e saj gjatë 80 viteve të fundit’, ka deklaruar ajo.

Piktori Ëyeth shpesh prodhonte kopertina për botuesit e periodikëve dhe romaneve. Piktura që del në shitje këtë shtator është një nga katër që ai përfundoi për një botim të vitit 1939 të librit të Helen Hunt Jackson “Ramona”, Në të, Ëyeth pikturoi personazhin e ri të titullit përballë nënës së saj kujdestare të moshuar, ndërsa mes tyre ndodhet një statujë e një figure fetare.

Rekordi i ankandit për çdo anëtar të familjes Ëyeth u vendos vitin e kaluar kur piktura e Andreë Ëyeth e vitit 1980 “Day Dream” u shit 23.2 milionë dollarë, afro shumë se shtatë herë më shumë se vlerësimi fillestar prej 3 milionë dollarësh./oranews/ KultPlus.com


Eqrem Çabej: Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision, ju do të punoni për formimin e njeriut

Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.

Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejt për mësuesit.

Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut.

Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.

• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur.
• Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet.
• Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën.
• Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.
• Mos jini kategorikë.
• Gjithçka shikojeni me sy kritik.
• Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe.
• Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta
• Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.
• Mos bëni asnjë punë shkel e shko.
• Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.
• Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.
• Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.
• Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja më kryesore…. / KultPlus.com


“Qiella tash bahet si cerep’i zi…”

Poezi nga Esad Mekuli

Lugut t’qiellit fluturojne rete hijeranda
vedrat e territ tue derdhe mbi rruget e plasarituna-
Nata e erret horizontet i mbylli…

Qiella tash bahet si cerep’i zi…
Dhe pikat e para t’shiut
hovshem leshohen mbi rruge e pullaze.

…Diku, nji za i piklluem, si ai i nanes mbi kufomen
e birit t’vetem;
thirrje e prekshme e dikujt, si ofshame,
ne shushurimen e erret t’shiut-
si klithje e femise t’humbun ne furtune…

Bie me rreshek…Shiu end
pej t’panumert…Bie pika si plumbi,
si kazmat e randa t’puntoreve…
-O, si me dashte me shembe cdo gja ne ket
nate t’merrshme!

Kujisin bagllamet e ndryshkuna ne kapaket
e dritareve ku me hov sulmon shiu,
frushkullon ere e furishme…Lebetisin kunorat e pemeve,
ulurojne me za vajtues…
E drita e zbehte dridhet ne dhomezen e erret plot myk,
ku gurbetqaret t’rrasun fishek, nder skuta ku nuk pikon,
andrrojne shtretnit e ngroht, trupat e lodhun me i clodhe…

Era terbueshem uluron mbi pullazet e came t’shtepive,
dridhen trupat e ngrime nen leckat e mbulojes ne
skutat e erreta t’dhomes,
ne vorr per s’gjalli – te denuem per shfarosje…

Ferri i kesaj bote doren ua shtrin t’mjereve
para se me hy ne parajsen e jetes s’amshueme!./KultPlus.com

Histori dashurie dhe horror, 5 filmat më interesantë që vijnë në Netflix në shtator

Krahasuar me muajt e fundit, shtatori në Netflix nuk sjell aq tituj të rinj, por kjo nuk do të thotë se nuk do të keni asgjë për të parë.

Disa filma interesantë janë prezantuar në Festivalin e Filmit në Venecia.

Më poshtë do të gjeni pesë filma të cilët do të mund t’i shikoni në Netflix këtë shtator:

“El Conde”, (15 shtator)

Augusto Pinochet ishte një diktator mizor që sundoi Kilin në vitet 1970. Po sikur të ishte edhe një vampir i vërtetë, që i pëlqente vuajtjet njerëzore? Komedia e re horror e regjisorit Pablo Larrain ndërthur realizmin magjik me atë premisë të papritur.

“El Conde” është një vepër e trillimeve historike revizioniste në të cilën Pinochet është një vampir 250-vjeçar që vazhdon të thithë gjakun e njerëzve, fjalë për fjalë dhe metaforikisht.

Filmi sapo u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia dhe do të jetë i disponueshëm në Netflix nga 15 shtatori.

“Love at first sight”, (15 shtator)

“Dashuri me shikim të parë” tregon historinë e pazakontë të dashurisë së Hedley (Haley Lou Richardson) dhe Oliver (Ben Hardy) të cilët takohen për herë të parë rastësisht në aeroport.

Pasi kaluan fluturimin së bashku dhe ranë në dashuri, secili ende shkon në shtëpi. Megjithatë, të dy janë të vendosur të gjejnë sërish njëri-tjetrin pavarësisht kaosit që u krijon jeta.

“Scout’s Honor: The Secret Files of the Boy Scouts in America”, (6 shtator)

Organizata Boy Scouts of America u themelua në vitin 1908 dhe i lejoi fëmijët të shoqëroheshin duke mësuar aftësi të vlefshme mbijetese.

Megjithatë, do të rezultojë se qindra raste të abuzimit të fëmijëve kanë ndodhur që nga fillimi i saj nën kujdesin e një ideje fisnike dhe se organizata fshehu të gjitha provat për këtë për të ruajtur reputacionin e saj.

Dokumentari i Brian Knappenberger “Scout’s Honor: The Secret Files of the Boy Scouts in America” ​​është vetëm për ata me stomak të fortë dhe përfshin intervista me viktima, sinjalizues dhe ish-punonjës të organizatës.

Është në dispozicion në Netflix nga 6 shtatori.

“A day and an half”, (1 shtator)

Aktori suedezo-libanez Fares Fares, i cili u bë i famshëm në serialet “Çernobil” dhe “Rrota e kohës”, u ul për herë të parë në karrigen e regjisorit dhe filmoi thrillerin “Një ditë e gjysmë” i frymëzuar nga ngjarje të vërteta.

Filmi ndjek Artanin (Alexei Manvelov), një burrë që përpiqet të ribashkohet me vajzën e tij, për të cilën ai merr peng ish-bashkëshorten e tij Luiza (Alma Poysti).

Oficeri i policisë Lucas (Fares Fares) përfshihet në planin e rrezikshëm të Artanit dhe e çon çiftin në një fshat të largët nën kërcënimin e armëve.

Filmi është në dispozicion nga 1 shtatori.

“Happy ending”, (1 shtator)

Edhe pse seksi është një pjesë integrale e jetës, tema mund të jetë tabu, edhe për çiftet. “Happy Ending” ofron një histori emocionuese për dy persona që vendosin të “erëzojnë” jetën e tyre të dashurisë, por me pasoja të papritura.

Filmi, përveç eksplorimit të seksualitetit personal, flet për rëndësinë e ndershmërisë në marrëdhënie dhe është debutimi regjisorial i regjisorit holandez Josje Duk. Ofrohet nga data 1 shtator./euronews/ KultPlus.com


“Forbes” publikon listën e më të pasurve, kush zë vendin e parë

“Forbes” ka publikuar listën e personave më të pasur në botë, të cilët sipas saj gjithashtu kanë një ndikim shumë të madh në ekonomi. Lista që përfshin në total 2640 persona udhëhiqet nga CEO i Teslës, Elon Musk.

Musk është personi më i pasur në botë, një pozicion që ai e mbajti edhe për pjesën më të madhe të vitit 2022.

Më poshtë janë 10 njerëzit më të pasur në botë që nga 1 shtatori 2023, sipas Forbes, të cilët janë të gjithë burra.

Elon Musk – Pasuria: 248,8 miliardë $ -Mosha: 52 vjeç – Burimi: Tesla, SpaceX – Shteti: SHBA

Bernard Arnault – Pasuria: 208 miliardë $ – Mosha: 74 vjeç – Burimi: LVMH – Shteti: Francë

Jeff Bezos – Pasuria: 160,9 miliardë $ – Mosha: 59 vjeç – Burimi: Amazon. Shteti: SHBA

Larry Ellison – Pasuria: 152,3 miliardë $ – Mosha: 79 vjeç – Burimi: Oracle – Shteti: SHBA

Warren Buffett – Pasuria: 121,1 miliardë $ – Mosha: 93 vjeç – Burimi: Berkshire Hathaway – Shteti: SHBA

Bill Gates – Pasuria: 115,1 miliardë $ – Mosha: 67 vjeç – Burimi: Microsoft – Shteti: SHBA

Larry Page – Pasuria: 114,6 miliardë $ – Mosha: 50 vjeç – Burimi: Google – Shteti: SHBA

Sergey Brin – 108,8 miliardë $ – Mosha: 50 vjeç – Burimi: Google – Shteti: SHBA

Mark Zuckerberg – Pasuria: 105,2 miliardë $ – Mosha: 39 vjeç -Burimi: Facebook – Shteti: SHBA

Steve Ballmer – Pasuria: 101 miliardë $ – Mosha: 67 vjeç – Burimi: Microsoft – Shteti: SHBA. / KultPlus.com

‘Lakuriq para teje kam vendosur të jem’

Poezi nga Rita Petro

Këndova këngën tënde turmë,
Më shumë se këngën time,
Se gërmova aty thellë ku ti ke frikë të hysh nga
Manipulatorët.
Këndova në rreshtin e parë,
Por ti më vure para.

Të dua se je e vërtetë,
Je e përlyer, erëdjersë, erëhashash kundërmon,
Je ndjellëse, gojëpisët, e marrë, budallaqe,
Kokëkrisur, zemërplagë, gojështhurur,
Zëfortë, potente, vullkan, e pandalshme…
T’u dhashë ty trup e shpirt,
Po në vend të dashurisë
Më qëllove me baltë, gurë, mutra të tharë
Me gjithçka që të dilte përpara
Se në dorë t’i jepnin manipulatorët,
Dhe, kur u largova prej teje, më deshe prapë,
Se ç’kuptim do kishte jeta jote pa mua,
E imja jo e jo pa ty.

Dhe ja ku më ke,
Lakuriq para teje kam vendosur të jem,
Duke kënduar bukurinë e frikës nga mëkati
Kundër frikës që na mban mbërthyer në vend. / KultPlus.com

Një histori e veçantë dashurie nga Lufta e Dytë Botërore

Andrea Rosheen Finnigan, ishte vetëm tri vjeçe, kur babai i saj, David kishte vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nëna e Rosheen, Maria, shumë rrallë i kishte folur asaj për të atin, por përpara se të vdiste, ajo i kishte lënë të bijës një valixhe me disa letra, të cilat e tregojnë në detaje historinë e dashurisë magjepsëse, midis Davidit dhe Marisë, shkruan DailyMail, përcjell KultPlus.

Në njërën nga letrat, e cila daton që nga 8 maji i vitit 1943, David Francis i shprehë Marias, frustrimin e tij nga qëndrimi i tij në shërbimin e inteligjencës në Afrikë dhe pastaj në Indi gjatë luftës së dytë botërore.

Larg gruas dhe vajzës tashmë për më shumë se një vit, ai në letrat e tij tregonte se dëshira e vetme e oficerit të ri, ishte të shihte edhe njëherë familjen e tij, përpara se me gjasë do të humbiste jetën në atë luftë e cila e kishte lidhur të gjithë.

Vetëm tri javë pas shkroi letrën e fundit, Francis vdiq dhe Rosheen Finnigan humbi babain e saj në moshën tre vjeçare edhe pse ajo nuk e kishte parë atë që kur ishte dy vjeçe. Nga ajo kohë ai u zhduk nga jeta e saj, pasi u zhdukën nga shtëpia fotografitë, shënimet dhe madje edhe gramafoni i lavdishëm i vjetër me lëkurë të cilin ai e quajti ‘Griselda’. Nëna e saj ndonjëherë përmendte se kishte një valixhe me letra të tij. Ajo shumicën e kohës nuk fliste për Francisin, për shkak të burrit të saj të ri, i cili frikësohej se nëse ajo vazhdonte të fliste për të, do të ushqente edhe dashuri për të, edhe pse ai kishte vdekur. Kështu vazhdoi deri në vdekjen e nënës së Rosheen, e cila para se të vdiste ia dorëzoi të bijës valixhen me letra nga i ati i cili kishte vdekur gjatë luftës së dytë botërore.

“Ajo ma dha babain tim më në fund”, tha Roshen, e cila më pas publikoi këto letra, përmes të cilave tregoi një histori shumë të veçantë dashurie, e cila përfshin hollësi të vlefshme me qëndrimet çuditërisht të sinqerta dhe bashkëkohore të Davidit dhe Marisë për çdo gjë, nga seksi në politikë.

Maria ishte e bija e një çifti emigrantëve irlandezë, e cila ishte arsimuar në gjuhën angleze. Por ata ishin të dy të zgjuar, energjikë, artistikë dhe ishin bërë anëtarë të përkushtuar të Partisë Komuniste Britanike, radhët e të cilave u rritën në përgjigje të kërcënimit fashist.
Roshen me anë të këtyre letrave kishte mësuar aq shumë detaje nga jeta e edhe lidhja e prindërve të saj, të cilat ndoshta nuk do t’i mësonte edhe po të jetonin bashkë për një kohë të gjatë.

Sipas letrave të cilat Roshen i ka bërë publike, takimin i tyre i parë ngjanë më atë që shohim vetëm në filma. Ata ishin takuar në një festë të një miku, kur Maria ishte 21 vjeçe dhe Davidi ishte 20 vjeç. Letrat tregojnë detaje nga lidhja e një çifti, bisedat e tyre të thjeshta, bisedat mbi fëmijën e tyre, biseda erotik…, e me anë të së cilave Roshen lidhi dhe krijoi një histori për familjen e saj, të cilat i ndau edhe me publikun më pas.

“Babai im kurrë nuk erdhi në shtëpi, por falë nënës sime dhe letrave që ajo më la mësova gjithçka për të. Babai im ishte i pasionuar, i çmendur, cinik, i kujdesshëm, i padurueshëm , i mrekullueshëm”, ka thënë Roshen e cila për tërë jetën nuk dinte asgjë për të atin dhe menjëherë mësoi gjithçka, më shumë së sa secili mund të dijë për të atin e vet edhe nëse kanë jetuar gjithë jetën bashkë. / KultPlus.com

“Jam rritur dhe mësuar të trajtoj njerëzit pikërisht ashtu si do të doja të trajtohesha unë nga të tjerët”

Nga Keanu Reeves

Jam rritur dhe mësuar që të tregoj respekt.
Jam mësuar që të trokas përpara se të hap një derë.
Të them përshëndetje kur hyj në një dhomë. Të them ‘Të lutem’ dhe ‘Faleminderit’, dhe të kem respekt për më të moshuarit. Nëse u nevojitet, do i lija të tjerët ta merrnin vendin tim. Të them “Po zotëri” dhe “Jo zotëri”, dhe të ndihmoj të tjerët kur u duhem, jo të rri në skaje e të shoh. Të mbaj derën për personin që është prapa meje, të them “më falni” kur nevojitet dhe të dua njerëzit për ata që janë, dhe jo për atë që unë mund të marr prej tyre.
Më e rëndësishmja, jam rritur dhe mësuar të trajtoj njerëzit pikërisht ashtu si do të doja të trajtohesha unë nga të tjerët. Quhet respekt.
KultPlus.com