Spanja ka sekuestruar artefakte në ar, me vlerë 60 milionë euro të vjedhura nga Ukraina, me qëllim për tu shitur në Madrid, sipas policisë spanjolle.
Sipas autoriteteve janë sekuestruar 11 artefakte kryesisht bizhuteri duke përfshirë gjerdan, byzylykë dhe vathë të cilat datojnë nga periudha greko-skithiane midis shekujve 8 dhe 4 para Krishtit.
Artikujt u ekspozuan në një muze të Kievit midis viteve 2009-2013 dhe u kontrabanduan nga Ukraina në vitin 2016, tha Policia Kombëtare e Madridit në një deklaratë, pa identifikuar muzeun.
Tre spanjollë dhe dy ukrainas, u arrestuan, pas një hetimi që nisi teksa të dyshuarit u përpoqën të shisnin një nga artefaktet në vitin 2021 në Madrid.
Dyshohet se bashkë me artefaktet, janë vjedhur edhe dokumentet zyrtare që tregonin se artikujt i përkisnin Kishës Ortodokse Ukrainase./abcnews.al/KultPlus.com
Në Akademinë e Shkencave është promovuar libri “Simon Gjoni- Muzika dhe Epoka” kushtuar jetës dhe veprimtarisë së dirigjentit dhe kompozitorit Simon Gjoni. Libri është shkruar nga djali i tij, Andis Gjoni dhe vjen në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së dirigjentit dhe kompozitorit të shquar.
Në këtë event ishin të pranishëm familjarë, kolegë muzikantë, personalitete të artit e shkencës. Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, foli akad. Vaso Tole. Ai tha se festimet e merituara të 100-vjetorit të lindjes së Simon Gjonit përfshijnë disa veprimtari, si koncerti me vepra të zgjedhura me orkestrën simfonike të RTSH-së dhe një kast të njohur këngëtarësh, të drejtuar nga maestro Eno Koço, “Nderi i Kombit”, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ekspozita, si dhe ky promovim i librit “Muzika dhe Epoka”.
Simon Gjoni i përket brezit të krijuesve dhe muzikantëve që bënë historinë e muzikës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai ishte pjesë e brezit të kompozitorëve shkodranë bashkë me Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Gjon Kapidani etj.
Jeta dhe krijimtaria e Simon Gjonit deri më tani nuk ka qenë objekt i ndonjë libri të veçantë e për pasojë, për të e krijimtarinë e tij është folur e shkruar pak edhe pse fama e këngës “Lule borë” e ka shenjuar emrin e tij në disa breza shqiptarësh.
Përveç kompozimit, Simon Gjoni do të mbahet mend edhe si një nga dirigjuesit e parë të Orkestrës Simfonike të Teatrit të Operës dhe Baletit.
Libri per Simon Gjonin, fotot nga Agim Dobi. / KultPlus.com
Sipas njoftimit të presidencës, përveç takimit zyrtar me guvernatoren e Iowas, Kim Reynolds, Osmani do të ketë takim edhe me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Stephen E.Osborn.
Ndër të tjera, Osmani do të zhvillojë vizitë në Camp Dodge, kampin që ka një histori të pasur dhe që përdorët si një strukturë stërvitore për divizionet e ushtrisë amerikane.
Në kuadër të vizitës në SHBA, ajo do të takohet me kryetaret e Des Moines, Norwalk, Fort Dodge, Council Bluffs, Johnston dhe Cedar Fallsit.
“Gjatë vizitës, Presidentja Osmani pritet të ketë një diskutim në Drake University dhe adresim në DMACC. Poashtu, Presidentja Osmani do të jetë folëse kryesore në ngjarjen e udhëhequr nga ambasadori Branstad, President i Fondacionit të World Food Prize, ku pritet ta dorëzoj edhe zyrtarisht çmimin e sivjetëm të World Food Prize”, thuhet në njoftim.
“Në fund të kësaj vizite Presidentja do të ketë takim me mërgatën në ShBA”./KultPlus.com
Dita e Kombeve të Bashkuara, më 24 tetor, shënon përvjetorin e hyrjes në fuqi në vitin 1945, të Kartës së OKB-së. Me ratifikimin e këtij dokumenti themelues nga shumica e nënshkruesve të tij, përfshirë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Kombet e Bashkuara u krijuan zyrtarisht.
“Nuk ka asnjë organizatë tjetër globale me legjitimitetin, fuqinë e mbledhjes dhe ndikimin normativ të Kombeve të Bashkuara. Asnjë organizatë tjetër globale nuk u jep shpresë kaq shumë njerëzve për një botë më të mirë dhe për të bërë të mundur të ardhmen që duam”, shkruhet në faqen zyrtare të OKB-së.
Rrallëherë ka qenë më e madhe se sot, urgjenca që të gjitha vendet të bashkohen dhe të përmbushin premtimin e Kombeve të Bashkuara.
Dita e OKB-së, e festuar çdo vit, ofron mundësinë për të përforcuar axhendën e përbashkët dhe për të riafirmuar qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së që kanë udhëhequr gjatë 78 viteve të fundit./atsh/KultPlus.com
Në qendër të New Yorkut është parë një kamion që shfaq reklama të ndryshme.
Në mesin e shumë reklamave ka zënë vend edhe një pjesë e fotografive që janë realizuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në këtë kamion shihet fotografia e nënës kosovare duke e ushqyer më gji vajzë ne saj derisa ishte pjesë e kolonës që po e lëshonin Kosovën dhe fotografia e një babai që po qante derisa në dorë mbante fotografinë e fëmijës së tij.
Video është shpërndarë nga ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla.
“Faleminderit New York”, ka shkruar Haradianj-Stublla në platformën X. / KultPlus.com
Legjenda e rokut, Robert Plant, e ka performuar këngën “Stairway to Heaven” pas 16 vjetësh.
Ylli britanik e këndoi këngën e paharrueshme të ish-bendit të tij, Led Zeppelin, në një koncert bamirësie në fundjavë.
75-vjecari këndoi të shtunën në një ngjarje në Soho Farmhouse në Costëolds.
Të gjitha fitimet nga ky koncert shkojnë në Trustin për Vetëdijesim mbi Kancerin, një kauzë bamirësie që kërkon të zhvillojë një platformw të re për lehtësimin e informative pë rata që vuajnë nga kjo sëmundje.
Kjo ngjarje është krijuar nga ish-bateristi i bendit Duran Duran, Andy Taylor, i cili vuan nga kjo sëmundje./KlanKosova/KultPlus.com
Kombet e Bashkuara është Organizata Ndërkombëtare më e madhe dhe më e rëndësishme sot në botë, veprimtaria e të cilës daton që nga viti 1945.
Qëllimi kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet kombeve, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e sigurisë dhe e paqes në botë. Ajo është vazhduese e Lidhjes së Kombeve, por me një strukturë, organizim dhe anëtarësi shumë më të gjerë dhe më të plotë.
Iniciatorët te krijimit të saj u bënë fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist, SHBA dhe Britania e Madhe të cilët në pikën e 11 të Kartës së Atlantikut të nënshkruar në 14 gusht 1941 dhe që përmbante principet bazë mbi rendin e ri botëror të ardhshëm, ranë dakord që pas luftës do të krijohej “një sistem i vazhdueshëm i sigurisë së përgjithshme”.
Në Deklaratën e 1 janarit 1942, e nënshkruar nga përfaqësuesit e 26 shteteve të koalicionit anti-fashist dhe anti-nazist u ritheksua nevoja për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme që do t’u siguronte kombeve mundësinë për të jetuar të sigurt brenda kufijve të tyre.
Ideja e krijimit të një organizate të re universale dhe emërtimi “Kombet e Bashkuara”, u rimor në shqyrtim në Konferencën e Ministrave të Punëve të Jashtme të SHBA, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe, që u zhvillua në Moskë me 19 deri 30 tetor të vitit 1943. Në Deklaratën mbi Sigurinë e Përgjithshme që u nënshkrua më pas edhe nga Kina, u formulua për herë të parë vendimi mbi krijimin e Organizatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa parimet, struktura dhe funksionet e organizatës u formuluan në Konferencën e Dumbarton Oaks ( lokalitet afër Uashingtonit), që u zhvillua nga 21 gusht deri me 29 shtator të vitit 1944, në të cilën morën pjesë përfaqësuesit e SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe Kinës. Konferenca përpunoi dokumentin e quajtur “propozime për krijimin e organizatës ndërkombëtare të sigurimit të përgjithshëm”.
Në shkurt 1945 u mbajt Konferenca e Jaltës, në Krime, me pjesëmarrjen e Franklin Ruzvelt, Stalin dhe Churcill. Ajo hodhi bazat politike të të gjitha bisedimeve për paqe pas përfundimit të luftës. Në këtë konferencë u ridiskutua dhe u ra dakord përfundimisht për krijimin e OKB si një organizatë ku mund të bënin pjesë kombe të mëdhenj e të vegjël.
SHBA thirrën Konferencën e San Franciskos, ku do të merrnin pjesë të gjithë shtetet që i kishin shpallur luftë Gjermanisë naziste deri në mars 1944. Konferenca e San Franciskos i zhvilloi punimet e saj nga 25 prilli 1945 deri me 26 qershor të vitit 1945. Ajo pranoi dështimin e Lidhjes së Kombeve për pengimin e Luftës së Dytë Botërore.
Me 26 qershor 1945 u miratua Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila hyri në fuqi me 24 tetor 1945. Kjo datë u shpall si Dita Ndërkombëtare e OKB-së./TCH / KultPlus.com
Në kuadër të projektit “Prishtina Heat Save”, tek 15 mijë konsumatorë janë vendosur pajisjet sezonale për faturimin e shpenzimit të ngrohjes sipas konsumit. Kështu kanë bërë të ditur për Radio Kosovën drejtues të ndërmarrjes “Termokos”. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i vendosin pajisjet në mënyrë që kursimi i energjisë termike të jetë me i madh.
Afër 18 mijë konsumatorë do të pajisjen më njëhesorë për matjen e shpenzimit të energjisë termike për ngrohje, përmes projektit “Prishtina Heat Save”.
Zëdhënësja e kompanisë publike “Termokosi”, Aferdita Uka, tha për Radio Kosovën se kjo është fazë testuese dhe deri më tani rreth 15 mijë konsumatorë janë pajisur më këto pajisje.
Ajo bëri të ditur së deri në fund të muajit janar, të vitit 2024, pritet të përfundojë ky projekt.
Ndërmarrja “Termokos” e ka marrë përsipër që krahas faturimit sipas metrit katror, të bëjë edhe faturimin sipas konsumit. Ne do të vlerësojmë se sa kanë mundësi konsumatorët tanë të bëjnë kursimin e energjisë termike. Kemi planifikuar që afër 17 mijë e 500 njësi të vendosën te konsumatorët. Deri me tani janë vendosur 15 mijë dhe deri në fund të janarit 2024 pritet të përfundojë ky projekt, ka thënë Uka.
Sipas saj, ekziston një hezitim te qytetarët për vendosjen e këtyre pajisjeve. Por, ajo shton se vendosja e tyre do të jetë në të mirën e qytetareve, pasi do ta kenë më lehtë kursimin e energjisë termike.
“Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje te qytetarët që të bëjnë instalimin e këtyre pajisjeve, pasi ato janë në të mirën e tyre. Por, normalisht kemi pasur hezitim nga ana e qytetarëve, sidomos në fillim të këtij projekti. Më vonë kjo situatë është përmirësuar, por ende kemi konsumatorë që hezitojnë t`i instalojnë këto pajisje”, ka shtuar Uka.
Ajo ndër të tjera ka bërë të ditur së kjo fazë testuese do të shoqërohet edhe me një fushatë vetëdijesimi dhe informimi për mënyrat e përdorimit të pajisjeve të instaluara dhe mundësinë e kontrollimit të shpenzimeve të tyre për ngrohje.
Ndërmarrja “Termokos” apelon te të gjithë konsumatorët për bashkëpunim të ngushtë, që duke përcjellë rekomandimet për përdorimin e këtyre pajisjeve, të fillojnë kontrollimin e shpenzimeve për ngrohje. Kjo do të ndihmojë edhe në realizimin e plotë të kësaj faze testuese dhe kalimin nga metoda e faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse në metodën e re sipas konsumit./rtk/KultPlus.com
Ujërat e liqenit të Ohrit kanë fshehur prej vitesh një thesar të madh.
Sipas analizave shkencore, ky është vendbanimi më i vjetër njerëzor në të gjithë Evropën, shkruan në një artikull gazetarja Paola Saija, të botuar në të përditshmen italiane ecoo.it.
I konsideruar si “Perla e Ballkanit” dhe i njohur për ujërat e tij bruz, Liqeni i Ohrit ka marrë statusin zyrtar pas studimeve të kryera prej disa vitesh.
Disa shkencëtarë, të cilët kryen gërmimet për katër vjet, në bashkëpunim me disa arkeologë shqiptarë dhe ekspertë nga Universiteti i Bernës njoftuan zbulimin befasues.
Zbulohet vendbanimi më i vjetër njerëzor në kontinent
Një studim i fundit ka nxjerrë në pah sesi vendbanimi që ndodhet pranë fshatit Lin, në Pogradec, është më i vjetri në Kontinentin e Vjetër.
Ekspertët kanë arritur të konstatojnë se ai është mbi 8000 vjet i vjetër dhe daton 6000 mijë vjet para Krishtit.
Qëllimi i studiuesve tani është të mësojnë informacione të tjera se si ishte jeta e njeriut në epokën neolitike.
Kjo do të çonte në përvetësimin e zbulimeve të reja historike, për këtë arsye shkencëtarët do të thellojnë kërkimet e tyre bazuar në shtëpitë e ndërtuara mbi shtylla.
Tani lindin shumë dyshime dhe janë legjitime, një prej tyre është: sa njerëz priti vendbanimi më i vjetër në Evropë?
Nuk ka një numër të caktuar, por shkencëtarët vlerësojnë një shifër midis 200 dhe 500 banorëve.
Mbetet ende për t’u konfirmuar se si ata ushqeheshin, edhe në këtë rast nuk dihet asgjë saktësisht, por nuk përjashtohet mundësia se ata përdorën bagëtinë për të siguruar ushqim dhe bujqësi.
Por, nevojiten kërkime të mëtejshme për të vërtetuar të gjitha këto me saktësi.
Rruga përpara është shumë e gjatë, do të duhen edhe dy dekada të tjera për të zbuluar dhe mësuar rreth të gjitha mistereve që ende qëndrojnë rreth këtij vendbanimi.
Një zbulim që ndryshon “letrat në tavolinë”
Gjetjet aktualisht ndodhen në Universitetin e Oksfordit dhe tani priten rezultatet e analizave të cilat do të japin të dhëna më të sakta se si kanë jetuar popullatat e kohës 8 mijë vjet më parë.
Megjithatë, një gjë është e sigurt se vendbanimi ishte i fortifikuar, siç tregohet nga dërrasat e panumërta të gozhduara që u gjetën gjatë një zhytjeje në thellësi. /atsh /KultPlus.com
Edicioni i parë i Prishtina Guitar Week ka filluar me shfaqjen e Koncertit Matine, nga Urim Maliqi.
Në ‘Prishtina Guitar Week’ i cili do të mbahet për pesë ditë radhazi do të interpretojnë artistët si Pedro Mateo, Antonio Gashi, Visar Kuçi, Drilon Çoçaj etj.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se natën përmbyllëse të festivalit do të performojë Petrit Çeku, në Kishën Shën Ndou, në Prishtinë.
“Nga sot deri më 27 tetor, mund të shijoni tingujt e bukur të kitarës në edicionin e parë të Prishtina Guitar Week.
Java nisi me shfaqjen e mrekullueshme të Koncertit Matine nga Urim Maliqi. Në natën përmbyllëse, Petrit Çeku do të performojë në Kishën Shën Ndou për të na ofruar një mbrëmje të veçantë muzikore.
Në këtë rrugëtim, do të na shoqërojnë artistë të njohur si Pedro Mateo, Antonio Gashi, Visar Kuçi, Drilon Çoçaj dhe shumë të tjerë.
Ky edicion, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, sjell me vete aktivitete të shumta, si gara, koncerte dhe masterklasa”, ka njoftuar MKRS./KultPlus.com
Por, s’ din Shkjau me mbajtë miqsí! Aman, Zot, kur duel Serdari, Se ç’ kje ndezë Vranina zhari! Aman, Zot, kur mrrîni Pera, Se shum krisi atbotë potera! Por kur rán Shkjét e Vraninës Shum u krisi plumja shpinës! Porsi shé, qi m’ nji natë gjâmet Rritet turr e del prej âmet Tuj ushtue – e tue shkumue, Shkaperderdhet nper zallina, Ashtû u derdh Shkjau te Vranina, N’ valë Shqyptarët krejt tue i pershî. S’ lufton ndryshe e rrebtë kulshetra E me dhâmbë edhè me kthetra, Zjarm e surfull tue flakrue, Kur drangojt t’ a kenë rrethue; Si i qindron sod Shkjaut Shqyptari Per dhé t’ amel, qi i la i Pari: Kâmbë per kâmbë, tuj qitë pá dá, Tue korrë krena neper Shkjá. U janë ndezun flakë breshânat, U kullojn gjak n’ dorë tagânat, E u kullon gjak edhè zêmra, Veç se vendit s’ u lot thêmra. Por ç’ dobí: dielli tue lé Isht’ tue lé m’ at ditë per Shkjé! – I rán ndore Shkjaut t’ terbuem Tridhjetë t’ vrám e dhetë t’ shituem!… O ata t’ lumt, qi dhane jeten, O ata t’ lumt, qi shkrîne veten, Qi per Mbret e vend të t’ Parve, Qi per erz e nderë t’ Shqyptarve Derdhen gjakun tuj luftue, Porsi t’ Parët u pa’n punue! Letë u kjoftë mbí vorr ledina, Butë u kjoshin moti e stina, Aklli, bora e serotina: E dér t’ kndoje n’ mal ndo ‘i Zânë, E dér t’ ketë n’ dét ujë e rânë, Dér sá t’ shndrisin diell e hânë, Ata kurr mos u harrojshin, N’ kângë e n’ valle por u kndojshin/KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për agresionin e Serbisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Ajo ka dalë më një mori kërkesash për OKB-në që duhet të ndërmarrin ndaj Serbisë, në mesin e tyre edhe vendosjen e masave.
“Kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe kërkesa jonë është e qartë. Kosova ka nevojë për garanci substanciale në kuadër të kornizës euroatlantike që të ecim përpara duhet të përqendrohemi që Serbia të frenohet nga sulmet terroriste në Kosovë, dhe hetim e sulmit të fundit terrorist”.
“Për më tepër rritja e sigurisë në kufijtë e Kosovës me Serbinë, miratimi i masave të rrepta ndaj Serbisë siç kërkohet. Një rezolutë do të shënonte zotimin për të ruajtur paqen dhe sigurinë në tërë rajonin dhe në tërë kontinentin e Evropës, kjo do të thoshte se demokracia nuk është e heshtur përballë regjimeve autokratike”, ka thënë Osmani./Klankosova.tv/KultPlus.com
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara po diskutohen raporti për Kosovën.
Temë kryesore e diskutimit është edhe agresioni i Serbisë në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e sulmit terrorist nga një grup i armatosur serb u vra polici Afrim Bunjaku.
Në këtë mbledhje, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.
Në fjalimin e saj, ajo tha se Serbia po përpiqet që agresorin ta shndërrojë në viktimë.
“Sot ajo se çka kemi dëgjuar nga Serbia është zgjatje e përpjekjeve për ta nxitur këtë aktin e agresionit”, tha Osmani.
Ajo theksoi se Serbia ka dashur ta shohë Kosovën sikur Krimenë, por që nuk ia ka arritur qëllimit.
“U zu në befasi për shkak të përkushtimit të policisë së Kosovës. Në ditën e sulmit institucionet e Kosovës kanë mbajtur kontakte me praninë ndërkombëtare ashtu siç ka qenë historikisht. Do të vazhdojmë që të bashkëpunojmë me aleatët tanë që t’i kundërvihemi akteve të tilla dhe që t’i parandalojmë që ato të mos ndodhin më”, tha ajo.
E para e shtetit të Kosovës shtoi se këto grupe terroriste dhe paramilitare janë financuar, trajnuar, armatosur dhe strehuar nga një burim, e që është Serbia./KlanKosova/KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e ka përmendur vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator nga grupi i serbëve që kryen agresion në Banjskë të Zveçanit.
Ajo tha se i ndjeri Afrim Bunjaku e humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës./Klankosova.tv/KultPlus.com
Porsi kanga e zogut t’verës, qi vallzon n’blerim të prillit; porsi i ambli flladi i erës, qi lmon gjit e drandofillit; porsi vala e bregut t’detit, porsi gjâma e rrfès zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare. Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë, porsi gjumi m’nji kërthi, porsi drita plot uzdajë, porsi gazi i pamashtri; edhè ndihet tue kumbue; porsi fleta e Kerubinit, ka’i bien qiellvet tue flutrue n’t’zjarrtat valle t’amëshimit. Pra, mallkue njai bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis’, trashigim, që na la i Pari, trashigim s’ia len ai fmis; edhe atij iu thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja, flet e t’veten e lèn mbas dore. Në gjuhë shqype nanat tona qi prej djepit na kanë thânun, se asht një Zot, qi do ta dona; njatë, qi jetën na ka dhânun; edhe shqyp na thanë se Zoti për shqyptarë Shqypninë e fali, se sa t’enden stina e moti, do ta gzojn kta djalë mbas djali. Shqyp na vete, po pik’ mâ para, n’agim t’jetës kur kemi shkue, tue ndjekë flutra nëpër ara, shqyp mâ s’pari kemi kndue: kemi kndue, po armët besnike, qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet, kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet. Në këtë gjuhë edhe njai Leka, qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni, në këtë gjuhë edhe Kastriota u pat folë njatyne ushtrive, qi sa t’drisë e diellit rrota, kanë me kênë ndera e trimnive. Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini, gegë e toskë, malci e qyteta, gjuhën t’uej kurr mos ta lini, mos ta lini sa t’jetë jeta, por për tê gjithmonë punoni; pse, sa t’mbani gjuhën t’uej, fisi juej, vendi e zakoni kanë me u mbajtë larg kambës s’huej, Nper gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njohtë se ç’fis ju kini, ka me ju njohtë për shqyptarë; trimi n’za, sikurse jini. Prandaj, pra, n’e doni fisin, mali, bregu edhe Malcija prej njaj goje sod t’brohrisim: Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!/KultPlus.com
Gjirokastra gjatë këtij viti ka zgjuar kuriozitetin e një numri të lartë turistësh vendas e të huaj.
Një nga pikat kryesore më të vizituara të qytetit ka qenë Kalaja, e cila pothuajse çdo ditë të vitit gumëzhin nga turistët.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës, Ardis Duka, tha për ATSH-në se “gjatë këtij viti kemi një dyfishim të numrit të vizitorëve nga janari deri tani. Janë rreth 202 mijë vizitorë vendas e të huaj që kanë vizituar Kalanë, e cila vijon të mbetet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga turistët përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në qytetin e gurtë”.
Sipas tij, 70% e vizitorëve janë të huaj dhe 30% janë shtetas shqiptarë.
Duka tha se turistët janë të kombësive të ndryshme, por në vend të parë janë spanjollët.
“Në Kalanë e Gjirokastrës numri më i madh të vizitorëve janë shtetas spanjollë, më pas italianë, francezë dhe nga nacionalitet e gjithë botës”, theksoi Duka.
Duka bëri të ditur se “në Kala turistët vizitojnë edhe Muzeun e Armëve, ku njihen me historinë e qytetit. Ndër monumentet më të vizituara është edhe qyteti antik i Antigonesë, në të cilin kanë filluar edhe gërmimet në bashkëpunim me Universitetin e Maceratës në Itali. Ky qytet antik është ndër më të vizituarit në rang vendi”.
Ai shtoi se “gjetjet arkeologjike në Antigone të shekullit të II dhe të III para erës sonë kanë shtuar interesin e vizitorëve”.
“Ndërkohë që Kalaja e Libohovës është vizituar nga 600 vizitorë vetëm në gusht”, shtoi Duka.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.
Kalaja e Gjirokastrës është një monument me vlera të rralla historike dhe ndërtimore. Ajo është një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.
Ky sezon veror e ka evidentuar Gjirokastrën si një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe më gjerë./atsh/KultPlus.com
Deputetja britanike Alicia Kearns, e ka zhvilluar një vizitë treditore në Kosovë.
Gjatë vizitës ajo e ka vizituar edhe familjen e heroit Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë agresionit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit.
Kearns tha se Bunjaku ka shpëtuar jetë njerëzish më 24 shtator.
“Profesionalizimi dhe përkushtimi i tyre ndaj të gjitha komuniteteve ishte i dukshëm. U nderova edhe nga familja e Afrim Bunjakut, policit të vrarë nga terroristët më 24 shtator. Familja e Bunjakut më ftoi me mirësi në shtëpinë e saj, që të ofroja ngushëllimet e mia. Fjalët e mia kurrë nuk mund të largojnë dhembjen e tyre, por Afrimi shpëtoi jetë atë ditë dhe desha ta tregoja respektin tim”, tha Kearns.
Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë theksoi se armët e gjetura gjatë aksionit në veri ishin ushtarake dhe nga Serbia.
“U jam mirënjohëse Policisë së Kosovës dhe ministrit të Brendshëm që më informuan në detaje për sulmin terrorist të 24 shtatorit, përfshirë planifikimin e tij. Armët që gjetën ishin serbe, të shkallës ushtarake dhe shumë moderne”, tha ajo.
Ishte vet deputetja britanike e cila muaj para se të ndodhte sulmi terrorist në Kosovë, kishte paralajmëruar se serbët po fshihnin armë në Kisha Ortodokse dhe Manastire dhe ato po barteshin përmes autoambulancave./klankosova/KultPlus.com
Bashkia e Lezhës organizoi sot për të tretin vit radhazi Konkursin letrar mbarëkombëtar “At Gjergj Fishta”, në nder të 152-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, personalitete të fushës së artit dhe letërsisë, akademikë dhe të ftuar të tjerë të linjës.
Konkursi kishte në konkurrim 44 vepra në tri gjini: prozë (roman), vëllim poetik si dhe vepër studimore.
Juria e përbërë nga Mark Simoni, Diana Çuli e prof. Alfred Çapaliku vlerësuan me çmime disa nga veprat letrare më të spikatura, ndër të cilat:
Me çmimin “At Gjergj Fishta” për romanin më të mirë u vlerësua shkrimtari Primo Shllaku, me romanin “Pesha e padurueshme e pafajësisë”.
Me çmimin “At Gjergj Fishta” për vëllimin poetik më të mirë u vlerësua poetja Vlora Ademi me librin “Katërdhetë e pak”.
Me çmimin At Gjergj Fishta për librin studimor më të mirë u vlerësua shkrimtari Gjon Marku me veprën “Gazullorët. Traditë në Rilindjen Evropiane”.
U vlerësuan me “Çmim karriere” për kontributin e tyre në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe, shkrimtari e studiuesi i mirënjohur nga Kosova Sabri Hamiti, si dhe shkrimtari i njohur Agim Isaku.
U vlerësuan me “Çmim karriere” (post mortum) për kontributin e tyre në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe dy shkrimtarët lezhjanë Ndue Gaspri dhe Daniel Gazulli./atsh/KultPlus.com
Ç’ma ke ballin-o me lule- Është këngë dasme që këndohet kur hyn nusja në shtëpinë e dhëndrit:
Ç’ma ke ballin-o me lule Moj Bardhule, Lulet-o jepi hua Ballin-o nëma mua, Lulet o jepja Ylberit Ballinëmua të mjerit. Ç’mi ke faqet-o me lule Moj Bardhule, Lulet-o jepi hua Faqet- o nëmi mua Lulet-o falja Ylberit Faqet-o mua të mjerit* Merri lulet po i do Dhëndër-o, Nuk t’i jap u** faqet-o Jo mor jo**/KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përfunduar vizitën disaditore në rajonin arbëresh të Kalabrisë.
Në një intervistë për RTSH, Begaj shprehu falenderime për mikpritjen ndërsa vlerësoi përpjekjet e arbëreshëve në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Për Begajn komuniteti arbëresh duhet ti përkasë vendit tonë dhe anasjelltas, pasi sipas tij kjo do të cojë në zhillim ekonomik në fusha me interes të ndërsjelltë.
“Për çdo individë kur bën këto takime dhe ndjen emocione të forta nga njerëz që kanë ikur prej shekujsh nga vendet e tyre por trashëgojnë gjuhën, kulturën, vallen e këndojnë shqip, patjetër të jep shumë emocion. Një komunitet arbëresh që i përket rrënjës tonë është mirë t’i përkasë vendit tonë, po ashtu edhe shqiptarët të jenë pjesë e rajonit arbëresh. Kjo do të çojë në zhvillim ekonomik në fusha në interes të ndërsjelltë, fusha që ne do të kemi interes t’i zhvillojmë”, u shpreh Begaj./rtk/KultPlus.com
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës janë duke u trajnuar në Qendrën Nacionale të Xhudos në qytetin e Pejës, për avancimin e teknikave të xhudos dhe vetëmbrojtjes, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit trajnimet e pjesëtarëve të FSK-së në këtë qendër i ka quajtur hap të rëndësishëm në zhvillimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të FSK-së.
“Në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”, në Qendrën Nacionale të Xhudos në qytetin e Pejës, po mbahet trajnimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) për xhudo, në avancimin e teknikave të xhudos dhe vetëmbrojtje.
Ky program është një hap i rëndësishëm në zhvillimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të FSK-së përmes njohurive dhe shkathtësive të fituara nga sporti i xhudos”, thuhet në shkrimin e MKRS në facebook./KultPlus.com
Krerë të institucioneve publike, partive politike, ambasadorë, përfaqësues të ndërkombëtarëve e delegacione nga e mbarë bota po marrin pjesë në shënimin e përvjetorit të 14-të të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, kryetarja e kësaj gjykate, Gresa Caka Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese foli për punën e bërë gjatë kësaj periudhe, deri sa nuk la pa përmendur as kritikat e sulmet verbale që kanë marrë ndër vite.
” Sot simbolikisht shënojmë 14 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë, simbol i një rendi të pavarur kushtetues është ndeshur me interpretimin dhe mbrojtjen e kësaj kushtetuese. 14 vite më parë gjenerata e parë mori përgjegjësinë për të interpretuar një kushtetutë të një shteti të posa themeluar. Ndërveprimi mes pushteteve krijon edhe tension mes tyre, ky tension reflekton faktin se demokracia në Republikën e Kosovës funksionon. Mungesa e tensionit nënkupton që nuk po ruhet ekuilibri i duhur kushtetues. Ky tension jo rrallëherë është manifestuar edhe në sulme ndaj gjykatës. Kushtetuta është edhe përkushtimi kolektiv i të gjitha autoriteteve për një shtet të së drejtës. Gjykata do t’i qëndrojë besnike parimeve”, shtoi ajo.
Ndërkaq, të pranishmëve përmes një video-adresimi, iu drejtua edhe para e shtetit, Vjosa Osmani-Sadriu.
“Republika e Kosovës është shtet i përkushtuar ndaj demokracisë e sundimit të ligjit. Këto janë dhe duhet të jenë kryefjala e punës së secilit institucion të vendit tonë. Si presidente, puna ime udhëhiqet nga kjo kushtetutë. Rol tejet të rëndësishëm kanë gjykatat tona që pritet të punojnë mbi parimet e barazisë e drejtësisë. Jam e lumtur që në ditët në vijim Kosova do të jetë nikoqire e diskutimeve me gjykatat e shteteve tjera. Jam e bindur se përvojat e shkëmbyera të shteteve tjera do të jenë udhërrëfyes i drejtë për Kosovën në adresimin e shumë sfidave”, shtoi presidentja./rtk/KultPlus.com
Festa e Verërave dhe Gështenjës e ngrohu fundjavën në qytetin e Pogradecit. Kjo festë ishte një arsye më shumë për të tërhequr drejt këtij qyteti një numër të madh vizitorësh megjithëse stina e ngrohtë ka përfunduar.
“Festa e Verërave dhe Gështenjës 2023, mblodhi në sheshin e qytetit miq të Pogradecit dhe bashkëqytetarët, përgjatë dy netëve të bukura, me verë buti, gështenja të pjekura dhe muzikë fantastike. Në tre dekada Pogradeci dhe pogradecarët tregojnë se dinë të festojnë por edhe të nxjerrin prodhime artizanale cilësore”, shkroi online kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli.
Ai falenderoi këdo që ju bashkua festës: qytetarë, vizitorë dhe turistë, në këtë edicion të 29-të të festës. Në përfundim janë ndarë edhe çmime për verën, poezinë për verën si dhe për pikturën më të mirë dedikuar verës:
Në një intervistë të fundit me “The Guardian”, producentja e “007”, Barbara Broccoli zbuloi se drejtuesit “as nuk kanë filluar” të hartojnë kapitullin tjetër të ekskluzivitetit afatgjatë, i cili përfshin modernizimin e serisë.
Ajo shtoi se ka një “rrugë të gjatë përpara” se personazhi i James Bond të “rishpiket për kapitullin tjetër” dhe potencoi se ekipi ishte i vetëdijshëm se mishërimi i ardhshëm i 007 do të duhet të pasqyrojë se si ka ndryshuar bota në 20 vjet që kur Daniel Craig mori rolin.
Një numër aktorësh janë përfolur si pasardhësi i Craig, duke përfshirë Aaron Taylor Johnson, Regé-Jean Page dhe Damson Idris.
Broccoli ka qëndruar ngushtë me pasardhësin e tij dhe ka lavdëruar atë që Craig i solli personazhit.
“Daniel na dha aftësinë për të minuar jetën emocionale të personazhit dhe gjithashtu bota ishte gati për të”, tha Broccoli, duke shtuar se ajo dëshironte, me Craig, të “përqendroheshin në atë se si do të dukej një hero i shekullit të 21-të”.
Franshiza e Bond iu shit Amazonës si pjesë e katalogut MGM në vitin 2021, por mes thashethemeve se do të kishte spin-off TV Bond, Broccoli theksoi se çdo dalje e ardhshme për Bond do të mbetej në ekranin e madh, raporton Euronews, transmeton Klankosova.tv.
Mund të kalojë pak kohë derisa një film i ri i Bond-it të shfaqet në kinema, por audienca mund të transmetojë serinë e Amazon 007: “Road to a Million” muajin e ardhshëm. Do të jetë shfaqja e parë e markës James Bond në TV pa shkrim. Mikpritur nga ylli i Succession, Brian Cox, kjo seri globale aventureske do të ndjekë nëntë palë konkurrentësh, duke u përballur me sfida fizike dhe psikologjike në vende të frymëzuara nga Bond, duke konkurruar për të fituar një çmim prej 1.1 milion euro.
E pyetur nëse ata po planifikojnë spin-off të tjerë të James Bond, Broccoli tha: “Fokusi ynë është të bëjmë filma artistikë. Kur nisim një film të Bond-it, na merr vëmendjen e plotë për tre ose katër vjet, kështu që ky është fokusi ynë”./Klankosova.tv./KultPlus.com