Përfundon projekti për restaurimin e Kazermës së Vjetër “Ish Internati” në Prizren

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se ka përfunduar projekti i restaurimit të ndërtesës së Kazermës se Vjetër “Ish Internati” në Prizren, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, MKRS ka bërë të ditur se ditëve në vijim do të iniciohet procedura për zbatim.

“Edhe një hap shumë i rëndësishëm drejt ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë sonë kulturore.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka përfunduar projektin e restaurimit të ndërtesës së Kazermës së vjetër “Ish Internati” dhe në vijim do të inicojmë procedurën për zbatim të tij”, thuhet në shkrimin e MKRS./KultPlus.com

Kryeministri Kurti takohet me Komandantin e KFOR-it: Shtimi i trupave të koncentrohet në kufi me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Ozkan Ultutas, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Qeverisë,  Kurti theksoi që është i interesuar për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt me Komandatin e KFOR-it.

“Temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë. Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.

“Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.Kryeministri Kurti po ashtu theksoi nevojën që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës, prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes.”, përfundon njoftimi./21Media/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Detyrë e jona është që çdo grua dhe vajzë të ndjehet e fuqizuar

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është detyrë e institucioneve shtetërore dhe shoqërisë që çdo vajzë e grua të ndjehet e fuqizuar dhe e mbështetur për të ndjekur pasionin e saj. Një mesazh të tillë e para e shtetit e dha gjatë adresimit të saj në ceremoninë diplomimit të 20 studenteve kosovare në “Global Engineer Girls of Kosovo”.

“I gëzohem përherë ngjarjeve të tilla, të cilat në qendër kanë gratë dhe vajzat e reja si dhe sukseset e tyre të pandalshme. Programet si ‘Global Engineer Girls’ janë iniciativa të shkëlqyeshme që mbështesin gratë dhe vajzat të cilat kanë vendosur të ndjekin karrierën e tyre në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës dhje njëkohësisht ndihmojnë në forcimin e partneritetit me institucionet tona arsimore që ofrojnë këto programe për të rejat dhe të rinjtë tanë”, ka theksuar presidentja Osmani.

E para e Republikës ka thënë se është e domosdoshme që të punohet ende në zvogëlimin e hendekut gjinor në perspektivën e punësimit në vendin tonë. Ajo ka thënë se është e rëndësishme të kuptohet që kur ka gjithëpërfshirje dhe barazi,  çdo sfidë dhe  çdo problem tejkalohet më shpejt dhe më mirë.

“Këto vajza të reja janë më të vërtet shembulli më i mirë i potencialit të rinisë sonë të jashtëzakonshme, sukseset e të cilave nuk njohin kufij. Detyra jonë si shtet dhe si shoqëri është që  çdo grua dhe vajzë të ndjehet e fuqizuar dhe e mbështetur për të ndjekur pasionin e tyre, pa marrë parasysh fushën dhe rrugëtimin që kanë zgjedhur. Është detyrë e jona që  çdo vajzë pa frikë dhe pa hezitim mund të thotë se unë dua, unë mundem dhe unë do t’ia arrij. Prandaj, le të jemi një vend që nuk e sheh të ardhmen e barabartë vetëm si një destinacion, por  si mision të shenjtë. Një mision ku  çdo grua dhe çdo vajzë ka një vend të garantuar në rrugën drejt suksesit dhe të ardhmen e vendit tonë. Në këtë ditë të veçantë dhe kaq të rëndësishme për secilën prej jush ju përgëzoj për suksesin dhe uroj shumë që të vazhdoni t’i frymëzoni brezat e ardhshëm të inxhiniereve dhe shkencëtareve tona”, ka shtuar presidentja Osmani.

Global Engineer Girls (GEG) është program për mundësi arsimimi dhe karriere në Kosovë, Turqi, Maqedoni Veriore dhe Kuvajt./rtk/KultPlus.com

Mësuesja e quajti një mendjeprishur, të sëmurë mendor, nëna e quajti gjeni, lexojeni këtë rrëfim për të kuptuar fuqinë e fjalës

Tomas Edison* u kthye një ditë nga shkolla me një letër në dorë. “Nënë këtë letër ma ka dhënë mësuesja. Më tha të mos e hap por të ta jap vetëm ty ta lexosh”

Me sytë e përlotur nëna e tij filloi t’ia lexonte të birit me zë të lartë:
“Biri yt është një gjeni, dhe kjo shkollë është shumë e vogël për të. Ne nuk kemi mjaft mësues të mirë për ta trajnuar, prandaj ju lutemi që ta mësoni vetë në shtëpi”.

Shumë vite më vonë, nëna e tij vdiq dhe Tomas Edisoni ishte bërë një nga shpikësit më të mëdhenj të kohës. Ndërsa kërkonte në sendet dhe letrat e të ëmës, në një cep të sirtarit të tavolinës së saj të punës, gjeti një letër të mbështjellë. Në të shkruhej: “Zonjë, biri yt është një mendje prishur (i sëmurë mendor). Ne nuk e lejojmë të kthehet më në këtë shkollë!”

Edisoni qau për orë të tëra dhe pastaj shkroi në ditarin e tij: “Tomas Alva Edison ishte një fëmijë mendje prishur, i cili me ndihmën e një nëne heroinë u kthye në gjeniun e shekullit”

Fjalët e një nëne kanë fuqi të paimagjinueshme. Ato burojnë nga një zemër që e sheh fëmijën e saj me sy ndryshe. Të tjerët mund ta shohin fëmijën tonë si më pak të talentuar, pa vlerë, pa asgjë të vecantë që mund të kontriubojnë për këtë shoqëri. Ajo që ka rëndësi është si i shohim ne si nëna fëmijët tanë. Cfarë shikojmë ne tek ata: potencialin brenda tyre apo portretin e pashpresë që të tjerët mund të na paraqesin për ta.

Le të bëjmë një pakt me veten për të mos u dorëzuar, por për t’i dhënë krahë potencialit të fëmijëve tanë ashtu si nëna e Tomas Edisonit. Le të flasim fjalë bekimi dhe jo mallkimi mbi fëmijët tanë, le t’u themi: t’i mundesh, në vend që ti nuk di të bësh asgjë. Le t’i themi ti vlen, në vend që t’i tregojmë se shoku apo shoqja e klasës janë më të mirë, më të aftë, më të zgjuar se ata. Le t’u flasim fjalë jete dhe shprese, sepse kështu bën Perëndia me ne.

*Tomas Edison shpiku llampen inkadeshente, sistemin energjitik, telegrafin, mikrofonin etj. Ai i dha hov revolucionit industrial./KultPlus.com

Janjeva, një destinacion turistik në zhvillim e sipër

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po qëndron e përkushtuar për të ruajtur dhe për të ringjallur trashëgiminë jomateriale të Janjevës dhe për të mbështetur fuqizimin socio-ekonomik të banorëve të saj përmes iniciativave të rrënjosura thellë në trashëgiminë e saj të pasur dhe të prekshme, duke e vendosur Janjevën në hartën e destinacioneve turistike që duhen vizituar, përcjell KultPlus.

Si pjesë e aktivitetit “Hartëzimi i turizmit rural në Janjevë” i zbatuar nga OJQ EC Ma Ndryshe dhe i mbështetur nga projekti i zbatuar nga UNDP Kosovo “Trashёgimia Kulturore si Nxitёse e Ringjalljes Ekonomike tё Janjevës”, financuar nga MKRS dhe European Union in Kosovo, ka përfunduar hulumtimi në terren për identifikimin dhe hartografimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Janjevës.

“Falënderojmë pesë pjesëmarrësit e jashtëzakonshëm që morën pjesë në programin e trajnimit të Guidave Turistike, të cilët po fitojnë përvojë në punë dhe po luajnë një rol kryesor në transformimin e Janjevës në një destinacion për vizitorët”, thuhet në njoftim nga MKRS.

Informacionet e mbledhura do të integrohen në një webfaqe, duke ofruar njohuri të vlefshme në vendet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore që Janjeva ofron për vizitorët. / KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar, në 9 muaj, më shumë se 71 mijë vizitorë

Muzeu Historik Kombëtar, institucioni më i rëndësishëm muzeor në vend, publikoi shifrat e vizitueshmërisë së 9 muajve të fundit.

Vizitorët e Muzeut Historik Kombëtar në 9 muaj, për periudhën janar-shtator 2023, llogaritet të kenë arritur në 71328 persona. Kjo shifër është shumë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur vizitorët ishin vetëm 38776 persona. Krahasuar me 2022, rritja është me 84% më shumë vizitorë.

Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte, etj. Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit./atsh/KultPlus.com

152 vite më parë vdiq filozofi dhe inxhinieri Charles Babbage

Sot janë bërë 152 vite nga vdekja e filozofit, inxhinierit, Charles Babbage, shkruan KultPlus.

I lindur më 26 dhjetor 1791 Babbage, ishte një matematicien, filozof, shpikës dhe inxhinier mekanik anglez që më së miri njihet nga hedhja e idesë së konceptit të një kompjuteri të programueshëm. Ai konsiderohet si “Babai i Kompjuterit”.

Atij i jepet merita si shpikësi i të parit kompjuter mekanik, motori i ndryshimit, që më pas çoi në dizajne më të ndërlikuara me kalimin e kohës. Puna e tij në një sërë fushash që i dhanë atij emrin si ndër më të zotët matematicienë të shekullit të tij.

Pjesë nga punët e Babbage gjenden në Muzeun e Shkencave në Londër (London Science Museum). Në vitin 1991 u ndërtua një nga motorrët diferencialë duke u bazuar në planet dhe skicat origjinale të Babbage.

Ai ishte një nga katër fëmijët e Benjamin Babbage dhe Betsy Plumleigh Teape. Rreth moshës tetë vjeç, Babbage u dërgua në një shkollë të vendit në Alphington pranë Exeter për t’u rikuperuar nga një ethe kërcënuese për jetën. Për një kohë të shkurtër ai ndoqi Shkollën Gramatikore King Edward VI në Totnes, por shëndeti i tij e detyroi atë të kthehej te tutorët privatë për një kohë./KultPlus.com

92 vite nga vdekja e shpikësit të llampës elektrike Tomas Edison

Sot janë bërë 92 vite nga vdekja e shpikësit të llampës elektrike, Tomas Edison.

Thomas Alva Edison i lindur më 11 shkurt 1847 ishte një shpikës amerikan, shkencëtar dhe biznesmen i cili ka zhvilluar shumë pajisje që ndikuan në jetë në të gjithë botën, duke përfshirë gramofononin, kamerën e filmit, dhe llampën elektrike.

I quajtur “Magjistari i Menlo Park” (tani Edison, New Jersey), nga një raporter i një gazete, ai ishte një nga shpikësit e parë që ka zbatuar parimet e prodhimit në masë dhe punën e madhe të përbashkët në procesin e shpikjes, dhe për këtë arsye është kredituar shpesh me krijimin e laboratorit të parë të hulumtimit industrial.

Edison është konsideruar si shpikësi i tretë më pjellor në histori, duke mbajtur 1.093 patenta të SHBA në emrin e tij, si dhe shumë patentave në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani. Ai është kredituar me shpikje të shumta që kanë kontribuar në komunikim masiv dhe, në veçanti, telekomunikacion.

Këto përfshinin stock ticker, një regjistrues vote mekanik, bateri për makinë elektrike, energji elektrike, muzikë të regjistruar dhe filma. Puna e tij e përparuara në këto fusha ishte rezultat i karrierës së tij të hershme si një operator telegrafi. Edison i dha rrugë konceptit dhe zbatimit të energjisë elektrike dhe shpërndarjes në shtëpi, biznese, dhe fabrikat – një zhvillim i rëndësishëm në industrializimin e botës moderne. Stacioni i tij i parë i prodhimit të energjisë elektrike ishte në Manhattan Island, New York./KultPlus.com

Nuk kishte as televizor: Historia e dhimbshme deri në poshtrim e aktorit të madh Sandër Prosi

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur e aktorit Sandër Prosi, i konsideruar si një nga kolosët më të mëdhenj të skenës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Ai që në rininë e tij, përveç punës që bënte në klinikën stomatologjike të vëllait të tij ku shkonte shpesh për ta ndihmuar, kishte prirje e pasion për muzikën dhe luante bukur në kitarë, violinë, apo këndonte bukur në korin e Kishës Orthodokse në Tiranë, bashkë me shokun e tij të ngushtë, Prokop Mima.

Familja Prosi

Sandër Prosi u lind në 6 janar të vitit 1920 në Shkodër, ku nëna e tij, Aspasia, kishte shkuar për të qëndruar për pak kohë në familjen e saj. Sandri ishte fëmija i fundit i Jovan Prosit, nga tre djem dhe tre vajza që kishte ajo familje e vjetër tiranase me origjinë vllehe dhe kur lindi Sandri, familja e tij banonte në një shtëpi të vjetër në rrugën e “Barrikadave”.

Jovan Prosi, u kujdes që t’u jepte fëmijëve një arsimim sa më të mirë. Kështu Kleanthi, vëllai i madh i Sandrit, u diplomua për stomatologji dhe pas diplomimit ai hapi një klinikë private diku afër “Pazarit të Ri” në Tiranë.

Pas Kleanthit, po në të njëjtin profesion studio edhe i vëllai tjetër, Aristidhi, por ai nuk pati fatin të jetonte gjatë dhe vdiq në Tiranë në moshën 30 vjeçare, pasi ishte kuruar në një nga klinikat e Zvicrës. Vdekjen e Aristidhit, familja e përjetoi dyfish pasi të gjithë ata mbaheshin me të ardhurat e klinikës së Kleanthit dhe Arstidhit.

Kur Sandri ishte në vitin e fundit të gjimnazit të shtetit në Tiranë, shpesh herë shkonte tek klinika dhe punonte, duke zëvëndësuar vëllain e madh, i cili shkonte në Bukuresht për të takuar të afërmit e familjes së tyre.

Pasioni i tij, muzika – Ndonëse fëmijët e Jovan Prosit ishin të dhënë të gjithë pas profesionit të stomatologut, Sandri i vogël bënte dallim nga ata, pasi që kur ishte në bangat e shkollës fillore, shfaqi prirje për muzikën. Këtë pasion i’a ushqeu dhe babai i tij, i cili merrte leksione violine nga mjeshtri i madh, Ludovik Naraçi.

Sandri studioi disa vite edhe instrumentat e fizarmonikës dhe kitares, madje aty nga fundi i viteve ‘30, ai mori vëndin e parë në një konkurs violine të organizuar nga Ministria e Arsimit e Kulturës së asaj kohe. Përveç muzikës, ai ishte i dhënë shumë edhe mbas kinematografisë botërore dhe asokohe ai mbildhte foto të ndryshme revistash të filmave italianë duke i koleksionuar ato.

Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1938, Sandri mundi të përfitojë një bursë nga qeveria e Zogut, për të studiuar për stomatologji në një nga universitetet e Vjenës. Në kryeqytetin austriak, ai studio për dy vite, dhe më pas atij i’u ndërpre bursa pas pushtimit italian të Shqipërisë.

Si pasojë e kësaj ai u detyrua që të kthehej në Tiranë, ku herë pas here ndihmonte të vëllanë, Kleanthin në klinikën dentare. Më pas ai shkoi në Bari të Italisë, ku disa nga miqtë e tij anti-fashistë që ishin të internuar aty, i thanë që të mos rikthehej në Tiranë, pasi aty kishte shpërthyer lufta. “Unë nuk i dëgjova këshillat e miqve të mi, pasi kisha dobësi për nënën time Aspasinë”, kujtonte Sandri lidhur me kthimin e tij në atdhe.

Prosi e Mima në 1943-in te “Vilhelm Tel”

Në vitet 1942-43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës, të cilët kishin jo më shumë se 3-4 vite që ishin larguar nga shkolla. Kjo premierë pati një sukses të padiskutueshëm dhe për këtë patën një meritë të madhe Prosi dhe Mima.

Kjo shfaqje do të shënonte edhe fillimin e karrierës së tyre si aktorë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Gjatë viteve të pushtimit të vëndit, 1939-’44, Sandër Prosi nuk u përfshi në asnjë nga forcat politike të asaj kohe, por sipas disa dëshmive, në fund të vitit 1944, ai figuronte në listat e komunistëve për t’u arrestuar, si ish-pjestar i formacioneve të rinisë së organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar.

Madje sipas disa dëshmive, si p.sh. ajo e bërë publikisht nga Xhemal Alimehmeti, ish-eksponent rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar, diku aty nga fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit 1944, Sandër Prosi me gjithë shokun e tij i ngushtë Prokop Mima, u arrestuan nga një njësit partizan dhe u dërguan në malin e Dajtit në afërsi të fshatit Priskë, ku partizanët i kishin improvizuar disa godina të vjetra si burg dhe mbanin aty shumë nga të arrestuarit e atyre ditëve.

Aty nga mesi i muajit dhjetor, të gjitha të arrestuarit që ishin aty i zbritën në Tiranë dhe i “sistemuan” në dy burgjet që sapo ishin vënë në funksion, por Sandri me Prokop Mimën mundën të liroheshin, pasi përveç pjesmarrjes së tyre në pjesën “Vilhelm Tel” të organizuar nga rina e Ballit Kombëtar, nga hetimet nuk rezultoi që ata të kishin pasur aktivitet në rradhët e asaj organizate nacionaliste.

Por kjo ngjarje dhe akuza si “ish-pjestar i Rinisë së Ballit Kombëtar”, do ta ndiqte Sandrin dhe mikun e tij të ngushtë, Prokop Mimën, edhe për shumë vite, pasi ata kishte filluar punë si aktor në Teatrin Popullor. Në Teatrin Popullor – Pas mbarimit të Luf tës aty nga fillimi i viti 1945, Sandri së bashku me mikun e tij Prokop Mimën, u afruan në korin e Filarmonisë së Shtetit, pasi më parë kishin dhënë “prova”, duke kënduar në korin e Kishës Orthodokse. Në korin e Filarmonsië, Sandri qëndroi deri në fundin e vitit 1947, kur u thirr për të luajtur si aktor në Teatrin Popullor.

Në atë kohë u ofruan pranë atij teatri edhe aktorët Mihal Popi, Besim Levonja, Loro Kovaçi, Prokop Mima, etj. Sandri u aktivizua që në pjesët e para të vëna në skenë nga regjizori Pandi Stillu, ashtu dhe nga rusi Kriçkov.

Lidhur me rolet e tij në Teatrin Popullor, Rikard Ljarja, një nga aktorët e mëdhenj të kinematografisë shqiptare, kujtonte: “Ndonëse për vetë moshën unë nuk kam pasur nderin që të luaj së bashku me Sandrin, përveç dy-tre roleve në kinematografi, di të them se ai ka qënë një njeri i jashtëzakonshëm. Roli i tij më i spikatur ka qënë ai i Horatios tek “Hamleti”.

Them kështu, pasi ai ishte një rol i një njeriu të mirë si në dramë ashtu dhe në filma, është tepër e vështirë që të realziosh role si ai i Horatios, mikut të ngushtë të Hamletit. Megjithatë loja e Sandrit tek Horatio, ishte virtuoze, gjë që e bëri të shkëlqejë atë me gjithë madhështinë e tij. Sandri kishte dhunti interpretuese tek rolet në filma, të cilat fillonin që nga portreti, fiziku i tij, deri tek gjestikulacionet.

Ai diti të dallojë shumë mirë filmin nga teatri, të cilat janë dy gjëra krejt të ndryshme, por ai e gjeti veten më së miri në film”, përfundon Ljarja për kolegun e tij. Sipas dëshmive të Rikard Ljarjes, por dhe kolegëve të tjerë të tij, përveç punës së madhe që ai bënte me rolet në studiot e teatrit, Sandri atë gjë e vazhdonte për orë të tëra, edhe në shtëpinë e tij. Lidhur me këtë, djali i tij i madh, Aristidhi kujton:

”Babai punonte shumë në shtëpi me rolet e tija të Teatrit. Kështu më kujtohet aty nga mesi i viteve ‘60-të, ai ka punuar për afro katër vite për rolin e Otellos. Aq shumë ishte i dhënë pas atij roli, saqë edhe unë që isha i vogël, arrita t’i mësoja përmëndësh, pothuaj pjesën më të madhe të monologjeve të asaj drame. Po kështu edhe kur dilnim në xhiro në shëtitoren e Tiranës, ai shpesh përshpëriste me vete rolet e tija. Në çdo kohë ai e kishte mëndjen vetëm tek rolet”, kujton i biri, Aristidhi.

Në filmat e parë

Pas shumë roleve në dramat e pjesët e tjera që u vunë në skenën e Teatrit Popullor, me krijimin e Kinostudjos “Shqipëria e Re”, kur filluan që të realizoheshin filmat e parë shqiptarë, Sandër Prosi ishte një nga aktorët që u aktivizua me role kryesore në ato filma. Kështu Sandri, mori pjesë në filmin “Furtuna” që ishte një bashkëprodhim shqiptaro-rus, e më pas në filmin “Vitet e para” në rolin e një inxhinieri që punonte për tharjen e asaj kënete.

Pas këtyre filmave me të cilat filloi kinematografia shqiptare, Sandër Prosi vazhdoi të interpretojë një galeri rolesh, ku ndër më kryesoret janë: oficer i Sigurimt të Shtetit te ”Detyrë e Posaçme”, italiani te ”Oshëtimë në Bregdet”, doktor Borova te “I teti në bronx”, Kapedani i bigës, te “Horizonte të hapura”, komunisti te “Debatiku”, babai i Zanës te “Plagë të vjetra”, si dhe role të tjera kryesore te “Mëngjeze Lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Udha e Shkronjave”, “Shtigje Lufte”, “Fije që priten”, “Përballimi”, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i Dytë”, “Dora e ngrohtë” etj.

Nga roli i drejtorit të shkollës te filmi “Debatik” që ishte roli i tij i parë në kinematografi, e deri tek ai i fundit te filmi ”Pranverë e Hidhur” në vitin 1985, që Sandri nuk arriti ta përfundojë, ai shënon 29 role nga më të arrirët të kinematografisë shqiptare, të cilat kanë hyrë në fondin e artë të filmit shqiptar. Po kështu përveç këtyre, nga viti 1947 e deri në vitet e fundit të karrierrës së tij artistike, Sandër Prosi luajti edhe mbi 100 role në teatrin shqiptar.

Si jetoi Sandër Prosi? Ndonëse Sandër Prosi pati një ngritje të shpejtë si aktor duke u bërë një nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare, ai bënte një jetë krejt të thjeshtë. Ai së bashku me familjen e tij, nga bashkëshortja Filomena dhe dy djemtë Aristidhi e Adriani (të dy muzikantë) deri në vitin 1976, kanë banuar në një shtëpi të vjetër tiranase, e cila kishte vetëm një dhomë e një guzhinë, te rruga e “Barrikadave”.

Në vitin 1976, shteti u detyrua që t’i jepte një apartament më të zgjeruar aktorit të madh Sandër Prosi. Në atë shtëpi, Sandri përgatiti pjesën më të madhe të roleve të tija, ku spikati ai i Otellos, për të cilin i’u desh katër vite punë.

Prosi nuk e kishte kurrë zakon të ankohej për kushtet në të cilat banonte dhe punonte. Ndonëse ishte një nga më të famshmit e kinematografisë shqiptare, nuk kishte televizor në shtëpinë e tij dhe shumë nga filmat e kohës ishte i detyruar që të shkonte për t’i parë tek i vëllai Kleanthi.

Siç tregojnë kolegët dhe familjarët e tij, Sandër Prosi ishte i mbyllur në vetvete. Lidhur me këtë djali i tij Aristidhi kujton: ”Babai bënte një jetë të rregullt familjare. Ai nuk pinte alkol, ndonëse frekuentonte zakonisht barin e “Vollgës” dhe atë të katit të tretë në Pallatin e Kulturës, që ishin dhe dy nga lokalet ku ai shkonte zakonisht me kolegët e tij artist, (nga miqtë më të afërt kishte Prokop Mimën e Naim Frashërin) dhe pinte rreth shtatë-tetë kafe në ditë, të cilat i shoqëronte me tre paketa cigaresh”.

Pasionet e Sandrit

Ashtu si gjithë njerëzit e tjerë dhe Sandër Prosi në jetë, kishte hobet e pasionet e tija. Lidhur me këtë, i biri Aristidhi, kujton:”Im atë që nga rinia e tij, kishte një pasion për zogjtë, gardelinat dhe kanerinat.

Ai i mbante ato nëpër kafaze në shtëpi dhe kujdesej shumë për to. Një herë kur në teatër ju desh një kanarinë, ai mori një nga ato të shtëpisë dhe u bë shumë keq kur atë ia hëngri macja, ngaqë dikush nga kolegët e tij i kishte lënë derën e kafazit të hapur.

Po kështu babai nuk i’u nda kurrë muzikës, pasionit të parë të tij. Ai mbante në shtëpi një numër të madh disqesh gramafoni me muzikë klasike dhe operistike, ku më shpesh kishte dëshirë të dëgjonte simfoninë pastorale të katërt të Bethovenit.

Një pasion të madh kishte dhe për librat, ndonëse për vetë natyrën e punës së tij, nuk kishte shumë kohë të lexonte. Përsa i përket kinematografisë botërore, im atë kishte idhull, aktorin e madh francez Zhan Gaben, ndonëse nuk mbante foto të tija në shtëpi, për vetë rrethanat e asaj kohe. Sa herë kishte shfaqe, na merrte me vete e pas mbarrimit të saj, ne e prisnim aty përpara ish monumentit të Stalinit.

Babai nuk e kishte kurrë për zakon që të shante njeri, e aq më pak kolegët e tij. Aktori i madh Sulejman Pitarka thonte shpesh: “Unë nuk kam lënë njeri në teatër pa bërë fjalë, por me të vetmin që nuk u fjalosa kurrë, ishte Sandër Prosi dhe kjo jo për meritën time”. / KultPlus.com

DPA përkujton atdhetarin Gjerasim Qiriazi

Më 18 tetor të vitit 1858, lindi në Manastir atdhetari Gjerasim Qiriazi.

Rilindasi dhe shkrimtari Qiriazi, ishte themeluesi i Kishës Ungjillore të Korçës dhe i shoqërisë “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë”. Së bashku me të motrën, Sevastinë, përgatiti në vitin 1892 projektin për hapjen e Shkollës së Vajzave dhe të Shkollës të së Dielës në Korçë. Në nëntor të po atij viti, botoi numrin e parë të gazetës së shoqërisë që themeloi “Letra e Vëllazërisë”.

Shkroi në gjininë e vjershës dhe të këngës. Për shkak të angazhimit të tij, më 17 janar 1893, u bë objektiv i një atentati të pasuksesshëm. Ndërroi jetë më 2 janar të viti 1894 në moshën 35 vjeçare. Në vitin 1987, Qiriazit iu dha titulli “Mësues i Popullit”, ndërsa në vitin 1992, iu akordua titulli “Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton “formulën” që udhëhoqi Qiriazin në veprimtarinë e tij kushtuar fesë dhe atdheut: “Miq për Perëndinë, Dritë për popullin, Uratë për mëmëdhenë”./atsh/KultPlus.com

Bombardimi i spitalit në Gaza, reagon Osmani: Jetët e pafajshme duhet të mbrohen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas situatës në Gaza, ku u bombardua një spital.

Osmani në platformën “X” ka shkruar se jetët e pafajshme duhet të mbrohen.

“Është shkatërruese të shohësh pasojat në jetëra të njerëzve me qindra viktima civile pas bombardimit të një spitali në Gaza, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Jetët e pafajshme duhet të mbrohen. Fatkeqësisht, janë civilët ata që vuajnë më shumë në çdo konflikt”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com

Nga sot hyrja në Koloseum vetëm me biletë personale

Nga data 18 tetor hyrja në Koloseum do të lejohet vetëm me një biletë personale, sipas te perditshmes italiane “La Repubblica”.

Ministri italian i Kulturës, Gennaro Sangiuliano njoftoi se nga e mërkura bileta do të mbajë emrin dhe mbiemrin e personit që dëshiron të vizitojë parkun arkeologjik.

Sipas ministrit do të dizenjohet një biletë e re përveç asaj ekzistuese dhe numri i biletave të shitura në vend do të dyfishohet.

“Objektivi është luftimi i fenomenit të reklamimit dhe praktikave të tjera spekulative për biletat e hyrjes në parkun arkeologjik”, tha Sangiuliano.

Për këtë arsye, bileta personale do të blihet në faqen zyrtare të Parkut arkeologjik të Koloseumit, përmes call center-ave dhe biletave fizike, ndërsa 25% prej tyre do t’u ndahet operatorëve turistikë./Balkanweb/KultPlus.com

“Il Giornale”: Zbuloni Shqipërinë, Tokën e Shqiponjave, mes kështjellave dhe vendeve arkeologjike

Pas bumit të verës, zbulimi dhe zhvillimi i Shqipërisë nuk ndalet. Nuk është vetëm vija bregdetare prej 400 kilometrash kryesisht përgjatë detit Jon në jug të vendit, që tërhoqi një numër të lartë turistësh, përfshirë italianët, midis korrikut dhe gushtit, të cilët kërkonin pushime me çmime të përballueshme, por “Toka e Shqiponjave” ka shumë karta të tjera për të luajtur, shkruan në një artikull gazetarja Camilla Golzi Saporiti në të përditshmen italiane “Il Giornale”.

Qytetet, fshatrat, kështjellat, vendet arkeologjike dhe muzetë plotësojnë tablonë dhe e bëjnë Shqipërinë një nga destinacionet turistike më interesante evropiane dhe globale të momentit. “The Times” dhe “The Guardian” kanë shkruar për këtë.

NGA REGJIMI NË PËRMIRËSIMIN EKONOMIK DHE TURISTIK

Shqipëria përjetoi një periudhë të errët, nga viti 1976 deri në 1991, në të cilën u izolua dhe u bë pjesë e një nga diktaturave më të egra komuniste, duke u keqtrajtuar gjithmonë nga vendet fqinje të Ballkanit dhe shpesh me mosbesim nga komuniteti ndërkombëtar.

Vitet e fundit ajo ka arritur të ngrejë kokën dhe të nisë rrugën e hapjes dhe zhvillimit, si një demokraci e plotë.

Me një rritje të parashikuar të PBB-së prej +2,2% në 2023 dhe +3,4% në 2024 dhe një nivel shërbimesh dhe akomodimesh që po rritet gradualisht, Shqipëria e sotme sillet rreth Tiranës, ku duhet të kalosh detyrimisht.

TIRANA NË EVOLUCION

Tirana ka një milion banorë (paga mesatare e të cilëve është 500 euro në muaj) dhe është në evolucion të plotë.

Interesante për t’u vizituar është Sheshi Skënderbej.

Zemra e kryeqytetit, e rinovuar në vitin 2017, është një drejtkëndësh 24 mijë m2 me një mozaik gurësh natyrorë të ardhur nga të gjitha trojet historike shqiptare.

Plotësisht i pedonalizuar, alternon stolat dhe sipërfaqet e gjelbra, falë të cilave në vitin 2018 mori çmimin “Evropian për Hapësirën Publike Urbane”.

Në qendër ndodhet monumenti i kalorësisë prej bronzi i Skënderbeut, heroi kombëtar, ndërsa ndërtesat kryesore historike të qytetit kanë pamje nga zona përreth, përkatësisht, Xhamia e Et’Hem Beut, Opera, Pallati i Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar.

Për të admiruar sheshin në tërësinë e tij, idealja është të ngjiteni në majën e Kullës së Sahatit.

Nuk duhet humbur Pazari i Ri, i cilësuar si një nga tregjet më të bukura në Evropë falë strukturës së tij prej çeliku dhe xhami.

DURRËSI

Nga Tirana mund të lëvizni drejt Durrësit. Hoteli me pesë yje i inauguruar në maj 2023, gëzon një plazh të madh me pamje nga Adriatiku, pyllin me pisha, restorante dhe menu “à la carte” dhe SPA.

Ndër pikat e forta të hotelit, është pozicioni strategjik për të eksploruar pjesën më tipike të Shqipërisë qendrore-veriore, e përbërë nga brigje të pandotura, me shkëmbinj dhe plazhe ranore si Kepi i Rodonit, ku gërshetohet e shkuara me të tashmen, mes kështjellave mesjetare, manastireve dhe zonave arkeologjike.

Kryeqyteti i parë Kruja, ruan mbetjet, fatkeqësisht të pakta, të kështjellës antike, Muzeut Kombëtar kushtuar Skënderbeut dhe një fshat si pazari i stilit osman.

Një tjetër kështjellë, shumë më mirë e ruajtur, ndodhet në Berat, në qytetin e dritareve dhe muzeut ikonografik Onufri.

Jo kështjellë, por tempull dhe odeon në Apolloni, një vend arkeologjik që daton në 588 para Krishtit. / atsh / KultPlus.com

‘E mërkura në jazz’ sjell në TKOB Konservatorin e Potenza-s

Festivali i jazz-it kthehet këtë të mërkurë me kuintetin e përbërë nga studentë të Konservatorit të Potenza-s, “Carlo Gesualdo”, të cilët do të sjellin një repertor të pasur me traditën afrikano-amerikane.

Në koncert do të interpretojnë: Claudia Nigro në vokal, Alessandro Di Stasi në kitarë, Antonello Liccione në piano, Carlo Giuseppe Armiento në bas elektrik dhe Francesco De Mito në bateri.

Përgjatë dy muajve, e mërkura në Teatrin e Operas dhe Baletit do të kthehet në një traditë të muzikës jazz, me një repertor të veçantë kushtuar të gjithë adhuruesve të kësaj muzike.

Ky vjen si një bashkëpunim i frytshëm mes Teatrit të Operës dhe Baletit e Konservatorit “Gesualdo da Venosa”, Potenza, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Ambasada Italiane, Instituti Italian i Kulturës, Qendra “Gjenerata e Re” dhe Abi Bank.

Koncerti i kësaj të mërkure titullohet “Ideal Standards”./atsh/KultPlus.com

Ministrja franceze e Kulturës viziton Tiranën, marrëveshje në fushën e kinematografisë

Për herë të parë një ministre Kulture e Republikës së Francës viziton Shqipërinë. Ministrja Rima Abdul-Malak u prit nga homologia e saj, Elva Margariti dhe në qendër të bisedimeve ishte forcimi i marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve, duke u ndalur veçanërisht në fushën e arkeologjisë, në rrjedhën e raporteve historike dhe bashkëpunimeve frytdhënëse, që me Leon Rayn, për të vijuar me Pierre Cabane dhe ekipe të tjera që kanë zhvilluar ekspedita gërmimi dhe studimi në Shqipëri.

Si një nga fushat ku bashkëpunimet dypalëshe po njohin një rritje të vazhdueshme është edhe baleti, duke marrë si shembull Festivalin Ndërkombëtar të Dancit Bashkëkohor, i cili në edicionin e tij të dytë dëshmoi që ka potencial për t’u zgjeruar edhe me të tjerë bashkëpunëtorë ndërkombëtarë, duke shtuar jo vetëm shfaqjet, por duke u kthyer në një shkollë të vërtetë, ku të japin masterclasse mjeshtërit e baletit.

Ministret janë ndalur pak më gjatë te kinematografia, një fushë tek e cila shihet shumë potencial zhvillimi.

“Ky është edhe qëllimi i marrëveshjes dypalëshe që lidhim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë të Francës, që do të ofrojë asistencë për hartimin e Ligjit për Kinematografinë, mundësi trajnimi për kineastët e rinj, për të shkuar drejt bashkëprodhimit”, u shpreh ministrja Margariti.

Së bashku edhe me koreografin Angjelin Preljocaj, ministret vizituan Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku asistuan edhe gjatë provave të trupës sonë të baletit nën drejtimin e koreografit Benard Azizaj; vizituan Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” dhe zhvilluan një takim me kineastë, ku së bashku me presidentin e CNC Boutonnat iu përgjigjën pyetjeve të të pranishmëve rreth bashkëpunimeve të ardhshme mes Francës dhe Shqipërisë në fushën e kinematografisë, duke përfshirë edhe marrëveshjen dhe ndryshimet në ligj. /KultPlus.com

Sa ju kam dashur

Poezi nga Aleksandër Pushkin

Sa ju kam dashur! Ndofta dashuria
Nuk është shuar krejt në shpirtin tim!
Po s’dua që prej dhembjeve të mia,
Të ngryseni sërish në dëshpërim.

I heshtur e pa shpresë u përvëlova
Me ndrojtje, xhelozi e mall për ju
Po kaq me dlirësi ju dashurova,
Sa, zot! Ju dashte tjeter kush keshtu!./KultPlus.com

Niveli i ujit në lumin e Amazonës ka arritur pikën më të ulët

Niveli i ujit në portin e madh të lumit të Amazonës në Brazil ka arritur pikën më të ulët në të paktën 121 vjet, pasi një thatësirë historike përmbys jetën e qindra mijëra njerëzve dhe dëmton ekosistemin e xhunglës.

Tharja e shpejtë e degëve të lumit të fuqishëm Amazon ka lënë varkat të bllokuara, duke ndërprerë furnizimin me ushqim dhe ujë për fshatrat e largëta të xhunglës, ndërsa temperaturat e larta të ujit dyshohet se kanë vrarë më shumë se 100 delfinë lumenjsh të rrezikuar.

Porti në Manaus, qyteti më i populluar i rajonit i vendosur aty ku lumi Negro takohet me lumin Amazon, regjistroi një nivel uji prej 13.59 metrash (44.6ft) të hënën, sipas faqes së tij të internetit. Ky është niveli më i ulët që nga fillimi i rekordeve në vitin 1902, duke kaluar një nivel më të ulët të të gjitha kohërave në vitin 2010. Disa zona të Amazonës kanë parë nivelet më të ulëta të shiut nga korriku deri në shtator që nga viti 1980, sipas qendrës së alarmit të katastrofave të qeverisë braziliane Cemaden.

Ministria e shkencës e Brazilit fajëson thatësirën për fillimin e këtij viti të fenomenit klimatik El Niño, i cili po nxit modele ekstreme të motit globalisht. Në një deklaratë në fillim të këtij muaji, ministria tha se priste që thatësira të zgjasë të paktën deri në dhjetor, kur efektet e El Niño parashikohen të arrijnë kulmin. Thatësira ka prekur 481,000 njerëz që nga e hëna, sipas agjencisë së mbrojtjes civile në shtetin e Amazonas, ku ndodhet Manaus./ KultPlus.com

Elsa Lila nuk dorëzohet, edhe këtë vit pjesë e garës në RTSH

Në një spektakël muzikor që ndër vite ka emocionuar publikun shqiptar, ikona e muzikës shqiptare, Elsa Lila, është gati të kthehet në skenën e madhe të Festivalit të Këngës në RTSH, shkruan KultPlus.

Me një karrierë të suksesshme dhe një pasurie muzikore që ka frymëzuar shumë, Elsa nuk dorëzohet, edhe këtë vit do të përballet me konkurrencën e këtij festivali, festival që fituesin e dërgon në garën e madhe të Eurovision.

 Elsa Lila mori famën e madhe pikërisht në skenën e këtij festivali, ajo fitoi zemrat e publikut në vitin 1996 kur edhe fitoi vendin e parë në këtë garë me këngën “Pyes lotin”. Ajo u nderua me çmimin e publikut shqiptar, i cili u votua përmes televizorit, dhe me këtë fitore, ajo u bë një yll i ri në skenën muzikore shqiptare. Për fat të mirë, suksesi i saj nuk ishte një shpërblim i rastësishëm.

Në vitin 1997, Elsa Lila ripërsëriti garën në Festivalin e Këngës në RTSH dhe triumfoi përsëri me këngën “Larg urrejtjes”.

Viti 2022 e riktheu pas kaq shumë vitesh Elsa Lilën në skenën e RTSH-së me këngën ”Evita”. Dashuria e madhe që ajo mori nga publiku, si duket e ka inspiruar Elsën që edhe këtë vit të bëhet pjesë e festivalit.

Duke pas parasysh eksperiencën e saj muzikore, publiku mezi pret të shoh një tjetër performancë të jashtëzakonshme nga ajo.

Kujtojmë që sot është publikuar lista e plotë e këngëtarëve që do të jenë pjesë e Festivalit të RTSH-së.

Më poshtë është lista e këngëtarëve që do të jenë pjesë e edicionit të 62.

Besa Krasniqi – Esenciale

Eldis Arnjeti – Një kujtim

Elsa Lila – Mars

Erina dhe The Elementals – Jetën n’Skaj

Jasmina Hako – Ti

Jehona Ponari – Evol

Olimpia Smajlaj – Asaj

Sergio Hajdini – Uragan

Shpat Deda – S’mund të fitoj pa ty

Tri Gjoci – Në ëndërr

Martina Serreqi – Vetëm ty

Big Basta dhe Vesa Luma – Mbinatyrale

Festina Mejzini – Melos

Mal Retkoceri – Çmendur

Michela Paluca – Për veten

Santino De Bartolo – Dua të rri me ty

Stivi Ushe – Askush si ty

Kleansa Susaj – Pikturë

Kejsi Tola – Vallëzoj me Dritën

Kastro Zizo – 2073

Andi Tanko – Herë pas here

Anduel Kovaci – Nane’

Arsi Bako – Zgjohu

Besa Kokëdhima – Zemrën n’dorë

Bledi Kaso – Çdo gjë mbaroi

Melodajn Mancaku – Nuk jemi ne

Olsi Ballta – Unë

Troy Band – Horizonti i ëndrrave

Samanta Karavello – N’majë

Luan Durmishi – Përsëritja

Sardi Struga – Boshatisur./ KultPlus.com

Zbulohet një përbërje e rrallë në “Mona Lizën” e Da Vinçit

Leonardo da Vinci ishte një piktor, shpikës dhe anatomist, të cilat janë vetëm disa nga talentet e tij – dhe tani, mes këtyre talenteve mund të shtoni edhe ‘kimist inovativ’. Rezulton se artisti mjeshtër ishte më eksperimental me “Mona Lizën” e tij të njohur sesa mendohej – dhe ka të ngjarë të ishte krijuesi i një teknike të parë në veprat e krijuara një shekull më vonë, sugjeron një studim i ri.

Duke përdorur difraksionin me rreze X dhe spektroskopinë infra të kuqe, një ekip shkencëtarësh në Francë dhe Britani ka zbuluar një përbërje të rrallë minerale që është përdorur në pikturën ikonike. Sipas studimit të botuar së fundmi në Journal of the American Chemical Society, zbulimi ofron një pikëpamje të re se si u pikturua vepra nga fillimi i viteve 1500.

Së bashku me pigmentin e bardhë të plumbit dhe vajin, përbërësi – i njohur si “plumbonacrite” – u gjet në shtresën bazë të bojës. Një studim i publikuar në vitin 2019 e kishte identifikuar mineralin në disa vepra të shekullit të 17-të nga Rembrandt, por studiuesit nuk e kishin hasur në vepra nga Rilindja Italiane deri në analizën e re të pikturës së Leonardo da Vincit.

“Plumbonacrite” formohet kur oksidet e plumbit bashkohen me vajin. Përzierja e këtyre dy substancave është një teknikë që artistët e mëvonshëm si Rembrandt e përdorën për të ndihmuar në tharjen e bojës, sipas studimit.

Zbulimi i përbërjes së rrallë në “Mona Lisa” sugjeroi se Leonardo mund të kishte qenë pararendësi origjinal i kësaj qasjeje, tha Gilles Wallez, një autor i studimit të fundit dhe një profesor në Universitetin e Sorbonës në Paris, i cili gjithashtu ishte bashkautor në raportin e vitit 2019.

“Mona Lisa”, si shumë piktura të tjera të shekullit të 16-të, u krijua në një panel druri që kërkonte një shtresë të trashë bazë, tha Wallez. Studiuesit besojnë se Leonardo kishte bërë përzierjen e tij të pluhurit të oksidit të plumbit me vaj liri për të prodhuar shtresën e trashë të bojës që nevojitej për shtresën e parë, duke krijuar pa e ditur përbërjen e rrallë.

Në ditët e sotme, studiuesit nuk lejohen të marrin mostra nga kryevepra, e cila ndodhet në Muzeun e Luvrit në Paris dhe është e mbrojtur pas xhamit, tha Wallez. Megjithatë, shkencëtarët ishin në gjendje të analizonin bojën duke përdorur një makinë të teknologjisë së lartë të quajtur “sinkrotron” e cila i lejoi ekipit të studionte përbërjen e grimcave në një nivel molekular.

“Këto mostra kanë një vlerë shumë të lartë kulturore,” tha Wallez. / KultPlus.com

Krasniqi dhe Fazliu të parat në botë

Sot është publikuar ranglista e freskuar botërore e xhudos, shkruan KultPlus.

Trajneri Driton Kuka ka njoftuar për këtë përmes një postimi në “Facebook”.

“Sot Ranglista Botërore e Xhudos …
Kosova në dy kategori numër 1!
Disi 52 kg
Laura 63 kg
Kaq prej xhudos për sonte!
Laura për herë të parë mban numrin 1 në Ranglistën Botërore”, shkruan ai.

Suksesi madhështor i Distria Krasniqit po vazhdon, ndërsa suksese të mëdha ka arritur edhe Laura Fazliu. /KultPlus.com

Albion Rrahmani e kryen me sukses operimin e kyçit të këmbës

Futbollisti nga Kosova, Albion Rrahmani, pësoi frakturë në kyçin e këmbës së djathtë dhe i është nënshtruar me sukses operimit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi, Rrahmani njoftoi se operimi ka shkuar me sukses, derisa falënderoi Federatën e Futbollit të Kosovës dhe stafin mjekësor që treguan gatishmëri të lart veprimi në mënyrë profesionale.

Postimi i plotë:

“Të dashur miq, dje me sukses përfundova operimin nga lëndimi i pësuar në ndeshjen e fundit me kombetarën Federata e Futbollit e Kosovës – Football Federation of Kosova🇽🇰.
Dua të ju falenderoj të gjithë juve për mesazhet e shumta dhe përkrahjen që keni treguar për mua dhe familjen time në këto ditët e fundit, falenderoj jashtëzakonisht shume stafin mjeksor të kombetarës së Kosovës që të cilët nga momenti i lëndimit treguan gatishmëri të lart veprimi në mënyrë profesionale, poashtu dua ta falenderoj përzemërsisht ekipin tim @fcrapid1923oficial 🇱🇻të cilët nga momenti i parë ishin afër meje dhe më ofruan dhe janë duke më ofruar shërbimet më të mira të mundshme mjeksore dhe çdo gjë tjetër që kam nevoj.
Faza e rikuperimit për mua fillon nga tani dhe ju premtoj që do të rikthehem më i fort duke luftuar për gjëra të mëdha së bashku me përkrahjen e juaj.
Faleminderit.”, shkroi Rrahmani në rrjetin e tij social “Facebook”.

Rrahmani po kalon një stinor të jashtëzakonshëm në klubin “Rapid” në Ligën e Rumanisë, pas transferimit nga FC Ballkani. /KultPlus.com

Smajli i lumtur për shfaqjen “The European Show”: Një eksperiencë e jashtëzakonshme

Uranik Emini

Shfaqja “The Best European Show” pati premierën e saj në Poloni më 13 Tetor, në qytetin Opole, ku njihet edhe si qyteti revolucionar i fundit i teatrit, Jerzy Grotowki, shkruan KultPlus.

Në këtë produksion Teatri Kombëtar i Kosovës është i përfshirë si ko-produksion së bashku me Teatro Due – Parma, Teatri Kombëtar Slloven – Nova Gorica, Teatr Opole dhe Teatru Malta.

Aktori nga Kosova, Armend Smajli tha për KultPlus se kjo ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për të.

“Eksperiencë e jashtëzakonshme. Koproduksion i madhe dhe i rrallë. Nuk është lehtë të mblidhen me shumë se një muaj artistë nga 9 shtete dhe të krijojnë një shfaqje. Unë jam jashtëzakonisht i lumtur për gjithë këtë rrugëtim dhe me rezultatin e shfaqjes sonë”, thotë ai.

Shfaqja në fjalë, trajton problemet me të cilat sot ballafaqohet Evropa përmes një jurie teatrore e cila mblidhet të zgjedh shfaqjen më të mirë evropiane.

Smajli gjithashtu tregon se ky është njëri ndër rolet më komplekse që ka luajtur.

“Ky është një ndër rolet më komplekse që kam luajtur dhe jam i lumtur me punën. I lumtur që pata rastin të ndaj skenën me gjithë ata artistë nga shumë vende dhe teatre prestigjioze”, shprehet ai.

Ndërkaq, aktorja tjetër nga Kosova, poashtu pjesëmarrëse në këtë shfaqje, Maylinda Kosumovic, shfaqi dashuri të madhe për gjithë ekipin përmes rrjeteve sociale.

“Shumë dashuri për këtë grup njerëzish të jashtëzakonshëm. Tash koha të shkojmë në Itali”, shkroi ajo.

Aktorët e tjerë të cilët marrin pjesë në këtë shfaqje janë: Davide Gagliardini, Ana Facchini, Gianni Selvaggi, Philip Leone Ganado, Felix Römer, Weronika Kozakowska, Blazej Stencel, Ibrahim Koma dhe Paola de Crescenzo.

Shfaqja do ta ketë premierën edhe në Kosovë vitin tjetër, mirëpo fillimisht do të udhëtojë në Itali, Maltë, Slloveni dhe më 25 Prill do të jetë edhe në Kosovë.

📅Opole – Poloni: 13 tetor 2023
📅Parma – Itali: 21 tetor 2023
📅Valeta – Maltë: 9 shkurt 2024
📅Nova Gorica – Slloveni: 16 prill 2024
📅Prishtinë – Kosovë: 25 prill 2024 /KultPlus.com

Shkrimtari Ag Apolloni pjesë e Panairit më të madh të Librit në botë në Frankfurt

Më 18 tetor do të hapet panairi më i madh i librit në botë, “Panairi i Librit në Frankfurt”, shkruan KultPlus.

Në këtë ngjarje madhështore, do të marrë pjesë edhe shkrimtari nga Kosova, Ag Apolloni.

Ky i fundit do të jetë i pranishëm atje më datë 20-22 tetor, me ç’rast do të përurohet edhe krijimtaria e tij.

Panairi i Librit në Frankfurt është panairi më i madh tregtar në botë për librat, bazuar në numrin e kompanive botuese të përfaqësuara. Konsiderohet si panairi më i rëndësishëm i librit në botë.

Panairi do të fillojë nesër dhe do të zgjasë deri më 22 tetor. /KultPlus.com

Busti i Nexhmije Pagarushës përurohet të shtunën në Pagarushë

Nexhmije Pagarusha, e njohur si “Bilbili i Kosovës” do të jetësohet në një skulpturë të veçantë në vendlindjen e saj, në fshatin Pagarushë në Malishevë, për këtë ngjarje të veçantë, KultPlus ju pati lajmëruar para disa ditësh.

Ndërsa sot, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka njoftuar zyrtarisht se në fundjavë do të përurohet busti i këngëtares legjendare, Nexhmije Pagarushës.

“Mbretëreshës së muzikës dhe kulturës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, këtë të shtunë, do i përurojmë një Bust meritor, në hyrje të vendlindjes së saj, Pagarushës, fshatin që shumë e deshi dhe ku trupi i saj pushon që nga 7 shkurti i vitit 2020”, ka shkruar Kastrati.

Tutje, Kastrati është shprehur se jetësimi i kësaj vepre të madhe po bëhet edhe falë kontributit të jashtëzakonshëm të banorëve të fshatit Pagarushë, miqve e dashamirëve të familjes së madhe Pagarusha, nga të gjitha trevat shqiptare, dhe për këtë, qeverisja komunale u është mirënjohës thellësisht.

“Ju ftoj që të shtunën, të gjithë bashkë të bëheni pjesë e aktiviteteve tona sipas kësaj agjende, dhe ta nderojmë ashtu siç e meriton “Bilbili i këngës shqipe”, e madhja Nexhmije Pagarusha”, shprehet tutje në njoftim Kastrati. / KultPlus.com