“Disa dinakë e zgjedhin gruan jo aq të zgjuar me shpresë se do ta komandojnë dhe gjithmonë gabohen”

Më e shenjta, ajo për të cilën jeta ia vlen njëqindfish, familja.

Nuk kishte sesi të vononte kaq shumë pa sjellë disa mençuri të përzgjedhur për vlerat dhe rëndësinë e familjes, pjesëtarëve, ekuilibrave dhe dinamikave ndërmjet burrit dhe gruas.

Thënie të zgjedhura:

Disa dinakë e zgjedhin gruan jo aq të zgjuar me shpresë se do ta komandojnë dhe gjithmonë gabohen.

Martesa duhet të jetë një edukim i pafund i dyanshëm.

Martesa përfaqëson në vetvete një tip marrëdhëniesh midis burrit e gruas, ku pavarësia e palëve është e njëllojtë, varësia e përbashkët, detyrimet e dyanshme.

Martesa është shkencë, por askush nuk e studion.

Martesa lidh për jetë dy krijesa që nuk e njohin njëri-tjetrin.

Jeta bashkëshortore është në luftë të vazhdueshme me një përbindësh të llahtarshme: me të mësuarit.

Dashuria, si macja, lind e verbër, dhe martesa është si gjilpëra për heqjen e perdes së syrit në një dorë mjeshtri.

Martesa është dashuri juridike morale. Ky përcaktim përjashton nga kjo e fundit gjithçka kalimtare, tekanjoze dhe subjektive.

Ai që martohet për pasuri, shet lirinë e tij.

Martesa sjell vërtet mjaft telashe, por beqaria ama nuk sjell asnjë gëzim.

Si zogu dhe foleja.

Martesa siguron vazhdimësinë e domosdoshme të fisit njerëzor.

Askush nuk detyrohet të martohet, por cilido duhet detyruar t’i nënshtrohet ligjeve të martesës, në qoftë se lidh martesë.

Cilido që bën ndërmend të martohet duhet të bëhet gjyqtar i synimit të tij dhe të këshillohet vetëm me vetveten.

Të martohesh nuk është aspak e vështirë, e vështirë është të jesh i martuar.

Për plakun që kërkon të martohet, përligjja më bindëse është se i duhet dado.

Atje ku ka martesë pa dashuri, do të ketë edhe dashuri pa martesë.

Lidhja martesore është shkalla e parë e shoqërisë njerëzore.

Martesa vjen pas dashurisë, siç vjen tymi pas flakës.

Familja është shoqëria në miniaturë, nga mirëqenia e së cilës varet siguria e gjithë shoqërisë së madhe njerëzore.

Gruaja është shpëtimi ose vdekja e familjes.

Gruaja që e përqesh të shoqin, nuk e dashuron më atë.

Familja gjithmonë do të mbetet themel i shoqërisë.

Zgjedhja e gruas dhe blerja e shpatës nuk i duhet besuar tjetrit.

Është e mirë ajo shtëpi, ku janë të mirë banorët.

Kush është në shtëpi tigër, jashtë saj zakonisht është dele.

Kujt i ka takuar një dhëndër i mirë ka fituar një djalë, kujt i ka takuar një dhëndër i keq ka humbur vajzën.

Familja e mirë është ajo në të cilën burri dhe gruaja ditën harrojnë që janë dashnorë dhe natën që janë bashkëshortë.

Për gruan është më mirë një shigjetë në brinjë, se sa një burrë plak përbrinjë.

Bashkëshortët e mirë kanë dy shpirtra, por një vullnet.

Të vjen plasja ku gruaja di të bëjë punë shtëpie, por nuk do, ama ca më keq kur nuk di, por do.

Shtëpia nuk mund të quhet banesë e njeriut përderisa në të të mos ketë ushqim dhe zjarr jo vetëm për trupin, por edhe për mendjen. / KultPlus.com

BE lançon paketën e inovacionit të inteligjencës artificiale

Komisioni Evropian ka nisur një paketë masash për të mbështetur startup-et evropiane dhe SME-të në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale të besueshme (IA) që respekton vlerat dhe rregullat e BE-së.

Kjo pason marrëveshjen politike të arritur në dhjetor mbi Aktin e IA-së së BE-së, ligji i parë gjithëpërfshirës në botë për Inteligjencën Artificiale, i cili do të mbështesë zhvillimin, vendosjen dhe marrjen e inteligjencës artificiale të besueshme në BE.

Paketa përfshin një propozim për të ofruar akses të privilegjuar për startup-et e IA-së dhe komunitetin më të gjerë të inovacionit te kompjuterët super të fuqishëm.

Ai përmban një ndryshim të Rregullores EuroHPC për të ngritur Fabrikat e IA-së, një shtyllë e re për aktivitetet e ndërmarrjeve të përbashkëta të superkompjuterëve të BE-së.

Gjithashtu, është vendosur që të krijohet një Zyrë për IA-në brenda komisionit, e cila do të sigurojë zhvillimin dhe koordinimin e politikës së IA-së në nivel evropian, si dhe do të mbikëqyrë zbatimin e Aktit të ardhshëm të UA-së.

Me mbështetjen financiare të Komisionit, kjo paketë do të gjenerojë një investim shtesë të përgjithshëm publik dhe privat prej rreth 4 miliardë euro deri në vitin 2027.

Komisioni po krijon gjithashtu dy Konsorciume Evropiane të Infrastrukturës Dixhitale me një numër shtetesh anëtare./atsh / KultPlus.com

Kriza e çmimeve nxit protestat e fermerëve në të gjithë Evropën

Prej javësh tashmë, fermerët në të gjithë Evropën kanë dalë në rrugë për të shfryrë zemërimin dhe shqetësimin e tyre lidhur me krizën e çmimeve të produkteve bujqësore, çka ndikon në jetesën e tyre.

Pas protestave të së mërkurës jashtë Parlamentit Evropian në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen hapi një dialog strategjik me ta.

Fermerët e Evropës po kryejnë trazira dhe zemërimi i tyre po rritet.

Zemërimi ka çuar në bllokime rrugësh dhe ”parada” me traktorë në javët e fundit, me fermerët që kanë zhvilluar  protestat në rrugët e Francës, Gjermanisë, Lituanisë, Polonisë dhe Rumanisë dhe Holandës.

Ndërsa fermerët kanë protestuar mbi shqetësimet për sfidat në rritje, duke përfshirë motin ekstrem, gripin e shpendëve dhe rritjen e kostove të karburantit.

Një burim tjetër pakënaqësie është ajo që fermerët e quajnë rregullim të tepruar, madje edhe në nivel evropian.

Më pas është fluksi i produkteve bujqësore ukrainase në Bashkimin Evropian pas heqjes së detyrimeve doganore në vitin 2022.

Komisioni Evropian së shpejti do të duhet të thotë nëse ka ndërmend të rinovojë përjashtimin doganor, i cili skadon në qershor.

Çështja bujqësore është e rëndësishme, në dritën e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor dhe sondazheve që tregojnë një valë nacionalistësh të ekstremit të djathtë dhe të zjarrtë për çështjet bujqësore.

”Fermerët janë një një zonë shumë e rëndësishme elektorale”, theksoi eurodeputeti Pedro Marques.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke kërkuar të zbusë zemërimin, nisi një format të ri dialogu strategjik që bashkon fermerët, organizatat mjedisore dhe industrinë për të zhvilluar zgjidhje për problemet bujqësore të Evropës.

Sipas kreut të Komisionit, të gjithë janë dakord që sfidat janë në rritje.

Ndër çështjet kryesore janë tema të tilla si kriza e çmimeve, të ardhurat e fermerëve, qëndrueshmëria, inovacioni teknologjik dhe konkurrenca.

Gjithashtu pjesë e axhendës janë shqetësimet se kalimi në një ekonomi të gjelbër mund të shkaktojë dëme të mëtejshme për fermerët.

Dialogu në nivel BE synon të arrijë një vizion të përbashkët deri në mesin e vitit 2024 dhe ta paraqesë atë në Komisionin.

Nisma, e konfirmuar vetëm në fund të javës së kaluar, u premtua nga von der Leyen në shtator, duke bërë thirrje për “më pak polarizim” dhe duke siguruar që ”bujqësia dhe mbrojtja e mjedisit të mund të ecin krah për krah”./ atsh / KultPlus.com

Ministrja Gërvalla në Andorrë, merr mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ndodhet për vizitë zyrtare në Andorra, ku u takua me homologen e saj, Imma Tor.

Gërvalla i kërkoi homologes së saj mbështetjen e Andorrës për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Jemi në nivelin e dytë të procesit dhe jemi të kënaqur që kemi mbështetjen e shumicës së vendeve evropiane, përveç Spanjës”, tha Gërvalla, shkruan Altaveu, transmeton Klankosova.

Ndërsa, Tor tha se Kosova e ka “mbështetjen tonë të plotë për këtë anëtarësim”, teksa bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Gjatë këtij takimi u fol edhe për mundësinë që të rinjtë e Kosovës të shkojnë në Andorrë për qëndrime pune, propozim ky i Gërvallës që gjatë takimit e ka gjetur mbështetjen e homologes së saj androane.

“Është një çështje që duhet ta shqyrtojmë si në fushën ligjore e po ashtu edhe në atë të emigracionit. Andorra ka nevojë për fuqi punëtore në periudha specifike dhe mund të jenë qëndrime të shkurtra të studentëve që vijnë në vend për të bërë praktikë në institucione”, tha Tor.

Gërvalla gjatë ditës është takuar edhe me kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot, dhe me ministren e Kulturës dhe Sportit, Monica Bonell. / KultPlus.com

7 Këshilla nga Erik Erikson: Fëmijët nuk duhet të mashtrohen nga lëvdata boshe

Erik Erikson punoi si mësues. Megjithatë, pasi u takua me Anna Frojdin, ai filloi studimet në Institutin Analitik në Vjenë, i specializuar në psikoanalizën e fëmijëve.

Një nga veprat e tij të mëdha ishte teoria e zhvillimit psikosocial e cila bazohej në fazat e zhvillimit.

Edhe pse në këtë artikull nuk do të thellohemi në këtë, do të zbulojmë disa fraza të Erik Erikson që meritojnë të njihen.

Studimet që kreu Erik Erikson ishin shumë të rëndësishme dhe frazat që ai na la janë një pasqyrim i pasionit të tij për punën e tij si mësues dhe psikanalist për fëmijë, si dhe mënyrën se si ai mendonte.

Frika që trashëgohet

“Fëmijët e shëndetshëm nuk do të kenë frikë nga jeta nëse prindërit dhe gjyshërit e tyre kanë integritet të mjaftueshëm për të mos iu frikësuar vdekjes.”

Kjo është e para nga frazat e famshme të Erik Erikson i referohet një aspekti shumë të rëndësishëm: frikës. Ashtu si modeli edukativ që zgjedhin prindërit do të ketë një ndikim pozitiv ose negativ tek fëmijët e tyre, e njëjta gjë ndodh me ato frikëra që ata mund të kenë dhe që në mënyrë të pashmangshme do të perceptojnë të vegjlit.

Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të përballesh me frikën tënde në vend që të “përpiqesh ta mbulosh” dhe, më e keqja, ta mbjellësh atë te fëmijët tuaj, të cilët do ta marrin atë si të tyren atëherë kur aftësia e tyre për t’i menaxhuar ato është shumë më pakët se e jona si të rritur.

Pranoni fitoret dhe humbjet tuaja

“Fëmija bëhet i rritur jo kur kupton se ka të drejtë të ketë të drejtë, por kur kupton se ka të drejtë të ketë edhe gabim.”

Kjo frazë pasqyron një mësim të madh që Erik Erikson përpiqet të na përcjellë: të dish të humbësh dhe të dish të fitosh. Ndërsa rritemi, kuptojmë se si, kur kemi sukses, njerëzit rreth nesh na lavdërojnë, por kur dështojmë, disa na kthejnë shpinën ose edhe na thonë: “të thashë…”.

Kjo ndodh me shumë fëmijë kur ata nuk janë në gjendje të kalojnë një lëndë pa ndihmë, për shembull, ose kur sporti i preferuar i prindërve nuk po shkon fare mirë. Të gjykojmë veten në një mënyrë pozitive dhe me njëfarë dashamirësie është një nga aftësitë që na bën ne të rriturit më të qëndrueshëm.

Përgjegjësia e prindërve

“Duhet shumë kohë për t’i edukuar fëmijët tanë që të jenë të mirë; duhet t’i rritësh, dhe kjo do të thotë të bësh gjëra me ta: të pyesësh, të tregosh, të hetosh, të eksperimentosh përmes përvojës, fjalëve të tua, mënyrës tënde për t’i bashkuar ato. Ju duhet t’i mësoni se ku qëndrojnë kooordinatat tuaja morale dhe të siguroheni që fëmijët tuaj të mësojnë nga ju, të kuptojnë pse-në dhe së shpejti, ata do të qëndrojnë së bashku me ju.”

Fraza e tretë e Erik Erikson trajton një çështje themelore të prindërimit: përgjegjësinë që prindërit kanë kur edukojnë fëmijët e tyre. Edukimi kërkon vëmendje, të jesh aty, të luash dhe të kesh eksperienca me ta.

Nëse mungojmë prindër, fëmijët tanë nuk do të mësojnë prej nesh dhe nuk do të mund të kërkojmë asgjë prej tyre. Nëse nuk i bëjmë gjërat me ta dhe nuk kemi përvoja, ata nuk do të arrijnë të përvetësojnë atë që presim. Fjalët janë të kota nëse nuk shoqërohen me veprime. Fëmijët kanë nevojë për prindërit e tyre si figura aktuale.

Të gjitha gjërat kanë të njëjtin përfundim: ato ndryshojnë.

“Kur ecni në rrugën e zhvillimin tuaj, sjellja juaj afektohet si rrjedhojë”.

Ne nuk ndalojmë së rrituri, sepse çdo fazë e jetës është një sfidë. Në shumë raste, pa mbaruar së shijuari fëmijërinë, adoleshenca vjen papritur për të na detyruar të ndryshojmë. Kjo reflektohet në mënyrën tonë të sjelljes dhe, gjithashtu, në mënyrën se si po ndërtojmë “unin” tonë, kush jemi në të vërtetë.

Edhe pse kemi frikë nga ndryshimet, në realitet ato po na lejojnë të rritemi. Përveç kësaj, nuk mund të bëjmë asgjë për to, sepse përvojat po na shënjojnë dhe ne po ndryshojmë falë tyre. E gjithë kjo na pasuron.

Komplimentet boshe që bjerrin karakterin

“Fëmijët nuk mund të mashtrohen nga lëvdata boshe apo duke i nxitur me dijeninë se do t’i merrni në mbrojtje. Ata mund të duhet të pranojnë të përforcojnë artificialisht vetëvlerësimin e tyre në vend të diçkaje më të mirë, por ajo që unë e quaj identiteti i tyre egoist në rritje, fiton forcë të vërtetë vetëm nga njohja e sinqertë dhe konsistente e arritjeve reale – domethënë, arritjes që ka kuptim në kulturën e tyre.”

Kjo e pesta e citimeve të famshme të Erik Erikson flet për lëvdata boshe. Ato “shumë të mira” që thuhen pothuajse në çdo rrethanë dhe që, për shkak të shpeshtësisë së tyre, përfundojnë duke humbur të gjithë vlerën e tyre. Problemi me këtë lloj lavdërimi është se fëmijët mund të bëjnë gjithçka për ta marrë atë lavdërim, vetëm për hir të lavdërimit, duke minimizuar motivimin e vërtetë: e bërjes së gjërave siç duhet.

Liria e të rinjve

“Adoleshentët kanë nevojë për liri për të zgjedhur, por jo aq shumë liri sa që në fund, ata të mos mund të zgjedhin.”

Ky citim i Erik Erikson është shumë përndritës. Epo, megjithëse është e vërtetë që kufijtë dhe disa caqe janë të nevojshme, është gjithashtu e nevojshme që më i riu të ketë lirinë e zgjedhjes.

Erik Erikson po flet për një ekuilibër mes kufirit dhe lirisë. Epo, çdo gjë e tepërt është negative dhe liria e tepërt mund t’i bëjë adoleshentët të mos dinë se çfarë është të zgjedhin, diçka që është jetike.

Ndjenja e identitetit

“Në xhunglën sociale të ekzistencës njerëzore, nuk ka kuptim të jesh gjallë pa një ndjenjë identiteti.”

Në këtë nga fjalitë e fundit të Erik Eriksonit përmendet identiteti i ndërtuar që kur jemi të vegjël. Pasiguria, në këtë kuptim, formon atë ndjenjën e të qenit i humbur që të gjithë e kemi përjetuar dikur. Për shembull, sipas psikologut Miguel Molla, të rinjtë me dyshime të thella për identitetin e tyre janë më të prekshëm ose më të prirur për të rënë në këtë kurth.

Erik Erikson vazhdoi të shkruante dhe të hulumtonte edhe pas daljes në pension. Pasioni që ndjente për atë që bëri e çoi deri në atë pikë, diçka që pasqyrohet në secilën prej fjalive që kemi mbledhur për lexuesit tanë sot. Të gjithë ata na mësojnë diçka që, ndoshta, nuk e dinim apo e kishim harruar. / KultPlus.com

“1 shtator 1939”

Poezia u botua së pari në numrin e The New Republic, të datës 18 tetor 1939 në Nju Jork dhe pastaj është përfshirë në përmbledhjen e Auden “Another time” (Njëherë tjetër), 1940. Kritikët kanë theksuar se autori mbështetet në modelin e strofave të poezisë “Easter 1916” (Pashkët 1916) të W.B. Yeats. e cila evokon Luftën I Botërore.

Përktheu: Kujtim Morina

Kjo poezi është shkruar për fillimin e Luftës II Botërore që shënohet më 1 shtator 1939, me pushtimin e Polonisë nga Gjermania.

I ulur në një nga baret
e Rrugës Pesëdhjetë e Dy
I pasigurtë dhe i frikësuar
Ndërsa shpresat e pritshme shuhen,
Të një dekade të ulët dhe të pandershme
Valë zemërimi dhe frike
qarkullojnë mbi vende të kthjellëta
dhe të errësuara të globit
duke pushtuar jetët tona private;
kundërmimi i paemër i vdekjes
shkel mbi natën e shtatorit.

Dijet e sakta mund të nxjerrin
në dritë të gjithë keqbërjen
nga Luteri deri në ditët tona
çfarë e ka bërë një popull të çmendet,
gjej çfarë ndodhi në Linz
Një megaloman i shndërruar
Në një zot psikopat.
Unë dhe publiku e dimë
Ashtu si edhe fëmijët e shkollës
Atyre që ju është bërë e keqja
Me të keq do të ta kthejnë.

Tukiditi i mërguar e dinte
Ç’do të thotë një fjalim populist
për demokracinë
Dhe çfarë bëjnë diktatorët.
Gjepurat e vjetra që flasin
Për një varr apatik,
I gjithi i analizuar në librin e tij.
Iluminizmi i hedhur tutje,
zakonet që krijon dhimbja,
keqqeverisja dhe brenga
duhet t’i vuajmë të gjitha përsëri.

Në këtë vend asnjanës
Ku grataçelat e verbëra përdorin
Të gjithë lartësinë për të shpallur
Forcën e Njeriut Kolektiv
Secila gjuhë derdh shfajësimin
e saj të ethshëm, të kotë
Po kush mund të jetojë gjatë
në një ëndërr euforike
Nga pasqyra ata sodisin
Fytyrën e imperializmit
dhe të së keqes së botës.

Fytyrat e njerëzve në bar
Kapen në ditët e tyre të zakonshme
Dritat kurrë nuk duhet të fiken
Dhe muzika kurrë të mos pushojë.
Të gjitha zakonet synojnë
Ta bëjnë këtë gjendje të duket
Sikur asgjë s’ka ndryshuar.
Që të mos shohim ku jemi
Të humbur në një pyll të fanitur
Fëmijët që kanë frikë kur vjen nata,
që s’kanë qenë kurrë të lumtur apo të mirë.

Plehrat militantë, më dredharakët,
Personat e Rëndësishëm gërthasin
Nuk është aq e pastër sa dëshira jonë
Çfarë shkroi Njinsky i acaruar
për Diaghilev,
është e vërtetë për zemrën normale.
Sepse gabimi i mbrujtur në kockë
i çdo gruaje dhe çdo burri
Digjet për atë që s’mund ta ketë,
Jo për dashurinë universale
Por vetëm për t’u dashur vetë.

Nga errësira konservatore
Në jetën e moralshme
Kalimtarët e ngjeshur përsërisin
zotimin e tyre të mëngjesit
“Do të jem i sinqertë me gruan
Do të përqendrohem më shumë në punë”
Dhe guvernatorët e pakrahë të provincave zgjohen
Për të rifilluar lojën e tyre të detyrueshme;
Kush mund t’i lirojë ata tani;
Kush mund t’i kuptojë të shurdhërit
Kush mund të flasë me memecët?

E gjitha çfarë kam është një zë
Për të zhbërë gënjeshtrën e palosur
Gënjeshtrën romantike në trurin
E një njeriu të ndjeshëm në rrugë
Dhe gënjeshtrën e Autoritetit
Ndërtesat e të cilit prekin qiellin
Nuk ka ekzistuar diçka e tillë si Shteti
Dhe askush nuk ekziston më vete.
Uria nuk të jep zgjedhje
Për qytetarët apo policinë
Duhet të duam njëri-tjetrin ose të vdesim.

I pambrojtur në këtë natë
Bota jonë në gënjeshtra të trullosura,
Megjithatë, shquhen gjithandej
Pikëla drite ironike,
Vetëtijnë kurdo që të Drejtit
Shkëmbejnë mesazhe
A mundem unë, i krijuar si ata
Nga Erosi dhe pluhuri
I dërmuar nga i njëjti
Mohim dhe dëshpërim
Të tregoj një flakë afirmuese. /ExLibris/ KultPlus.com

Nesër promovohet revista e parë kulturore e Prishtinës

Nesër, ditë e shtunë, do të bëhet promovimi i revistës së parë kulturore institucionale në Prishtinë e titulluar “Prishtinart”, përcjell KultPlus.

Kjo magazinë kulturore është një botim i shtypur prej 200 faqesh e cila sjellë në dritë pasurinë dhe diversitetin e botës kulturore të qytetit tonë.

Në faqet e kësaj reviste, do të gjeni artikuj, intervista me ikonat e Prishtinës dhe recensione të ngjeshura me pasion dhe njohuri, të shkruara nga disa prej mendjeve më të ndritura në fushën tonë kulturore.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur se përmes kësaj reviste, ju do të mësoni shumëçka për Prishtinën.

“Në revistën kulturore të Kryeqytetit, do të mësoni shumëçka për Prishtinën tonë.

Kjo magazinë do të shpërndahet në institucionet publike, aeroport dhe po ashtu agjenci fluturimesh.

Falënderoj përzemërisht, drejtoreshën e kulturës, Arta Balaj, për gjithë angazhimin e saj në krijimin e revistës të cilën e ka bërë me përkushtim dhe shumë dashuri”, ka shkruar kryetari Përparim Rama. / KultPlus.com

Me këngë për Nënën Terezë, Ukraina merr pjesë në Eurovision 2024 (VIDEO)

Këngëtaret ukrainase Jerry Heil dhe Alyona Alyona do të përfaqësojnë këtë vit Ukraininën në Eurovision 2024. 

Është e vecantë se këto këngëtare në këtë festival të muzikës do të prezantohen me këngë që i kanë dedikuar Nënës Terezë dhe Marisë, nënës së Krishtit, këngë që edhe titullohet “Teresa & Maria”.

KultPlus ju sjell këtë këngë nëpërmjet videos. / KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar në prag të rikonstruksionit rrënjësor

Pas 43 vjetësh nga krijimi, Muzeu Historik Kombëtar do t’i nënshtrohet rikonstruksionit dhe rikonceptimit muzeal.

Do të jetë një operacion i jashtëzakonshëm, i udhëhequr nga “Casanova & Hernandez Architects”, Hollandë, mbështetur në analizën e një skuadre profesionistësh të shkencave albanologjike.

Në një postim online MHK bën me dije se, interesi i madh i publikut vendas dhe të huaj, që është çdo vit në rritje, solli nevojën për investimin më madhor për vitin 2024. Investimi mbështetet nga fondet e Bashkimit Europian dhe buxheti i shtetit e pritet të sjellë një ndryshim rrënjësor në qasjen e publikut te historia dhe elementet thelbësore të identitetit tonë kombëtar.

Vizitorët e Muzeut Historik Kombëtar për vitin 2023 arritën në 99796 persona. Kjo shifër ishte 80% më e lartë, në krahasim me vitin 2022, vit kur u regjistruan 55306 vizitorë gjithsej.­/ atsh / KultPlus.com

Si asnjëherë më parë, Spanja nderon me çmim prestigjioz sopranon Ermonela Jaho

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho është vlerësuar nga një juri prestigjioze e Spanjës, e cila është vlerësuar me çmimin për artisten më të mirë të huaj që ka kontribuar për operën e Spanjës përgjatë vitit 2022/23, çmim që për herë të parë ndanë Opera e Spanjës për një artist të huaj, shkruan KultPlus.

Jaho është vlerësuar për interpretimin e rolit në operën “Suor Angelica” nga “Il Trittico” të Puccinit.   

Juria e këtij edicioni për ndarjen e çmimeve kombëtare të lirikës është përbërë nga kritikë dhe gazetarë prestigjiozë të muzikës të cilët janë aktiv brenda dhe jashtë Spanjës kurse ceremonia e ndarjes së çmimeve do të bëhet më 22 tetor të këtij viti nëpërmjet një mbrëmje gala në Teatro de la Zarzuela në Madrid.

Çmime për ata që kontribuuan në promovimin e operës spanjolle janë ndarë për disa kategori duke nisë prej regjisë e deri edhe te pjesa teknike, por Ermonela Jaho është artistja e vetme e huaj që po vlerësohet për kontributin e saj për operën spanjolle. / KultPlus.com

Winterthur: Ansambli “Trojet”, koncert festiv kushtuar pavarësisë së Kosovës

Ansamblet e këngëve dhe valleve burimore të shqiptarëve në Zvicër për vite me radhë ruajnë vlera kulturore e kombëtare. Ansambli “Trojet” është tregues i atdhedashurisë për vendin e tyre të lindjes.

Shqiptarët zviceranë po e jetojnë dhe kultivojnë kulturën e mirëfilltë në Zvicër.

Ansambli “Trojet” për vite me radhë ka luajtur rol të rëndësishëm për mbajtjen e kulturës shqiptare në Zvicër, si një promovues i kulturës së mirëfilltë shqiptare në Zvicër.

Mësohet se më 17 shkurt, ansambli “Trojet” do të organizojë një koncert artstik festiv në adresen “Zentrum-Töss – Zürcherstrasse 131, 8406 Winterthur Zürich, Schweiz, shkruan albinfo.ch.

Njoftimi i plotë

Ju ftojmë të gjithë të jeni pjesë e këtij ngjarje të veçantë! Ansambli Trojet është krenar që mund të përshëndesë audiencën e gjerë dhe të shpërndajë mesazhin e dashurisë për kulturën dhe muzikën shqiptare. Të gjithë jeni të mirëseardhur në koncertin tonë të dedikuar pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2024.

Ju lutemi të ndani këtë ftesë me miqtë, familjarët, dhe të gjithë ata që dëshironi të merrni pjesë në këtë mbrëmje të jashtëzakonshme.

Përgatituni për një mbrëmje të mrekullueshme të muzikës dhe kulturës shqiptare bashkë me Ansamblin Trojet. Ju presim me padurim më 17 Shkurt 2024. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/events/24960797833504508/?ref=newsfeed

Mund të jetë një imazh i teksti që thotë "ANSAMBLI „TROJET" ORGANIZON KONCERT ARTISTIK-FESTIV KUSHTUAR PAVARESISE SẼ KOSOVES TROJET" AAN LNES WINTERTHUR RTHUR 2013 បដសង 17.02.2024 E SHTUNE 19:00 HYRJA FALAS HOTEL ZENTRUM TÃSS ZÜRCHERSTRASSE 106, 8406 WINTERTHUR INFORMACIONE: +41 78 663 40 40 +41 4289"

“Lasgush Poradeci në 125-vjetorin e lindjes”, veprimtari kulturore kushtuar poetit të jashtëzakonshëm

Në 125-vjetorin e lindjes së poetit Lasgush Poradeci, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Ambasada Austriake në Tiranë, zhvilluan nje veprimtari kulturore kushtuar poetit të jashtëzakonshëm.

Gjatë veprimtarisë u prezantua edicioni special i revistës së njohur letrare “Lichtungen” të Landit të Styria-s, e cila i kushtohet poetit Poradeci. Në revistën dygjuhëshe (gjermanisht dhe shqip) poezitë e Lasgush Poradecit mund të lexohen për herë të parë edhe në gjermanisht, krahas teksteve të autorëve bashkëkohorë shqiptarë dhe austriakë.

Në kuadër të këtij aktiviteti u çel edhe ekspozita e titulluar “Lasgush Poradeci në 125-vjetorin e lindjes”.

Në këtë veprimtari morrën pjesë nëndrejtoresha e së BKSH-së, dr. Etleva Domi, Ambasadorit të Austrisë në Tiranë, Christian Steiner, drejtuesja e Bibliotekës së Landit të Graz-it, Katharina Kocher-Lichem, artistja vizuale, Lori Lako, publikuesja e revistës “Lichtungen”, Andrea Stift-Laube, albanologut Robert Pichler, si dhe përkthyes, botues, studiues e studentë./ atsh / KultPlus.com

“Gjithçkaje ia dimë çmimin, asgjëje vlerën”

facebook sharing button

KultPlus jua sjell disa thënie me shumë vlerë nga njerëz të famshëm.

1. Depresioni është si një grua me të zeza. Nëse shfaqet, mos e dëbo. Ftoje brenda, ofroi një karrike, trajtoje si mysafire dhe dëgjo atë që dëshiron të thotë –Carl Jungu

2. Nëse mjeti juaji i vetëm është çekiçi, keni tendencën ta shihni çdo problem si një gozhdë –Abraham Mazlou

3. Është më e thjeshtë të luftosh për një parim, sesa të jetosh sipas tij –Alfred Adler

4. Unë nuk jam ajo që më ka ndodhur, unë jam ajo që kam zgjedhur të bëhem –Carl Jungu

5. Të jesh praktik në politikë, do të thotë të injorosh faktet – Henri Bruk Adams

6. Kush mendon shumë që të bëjë të mira, nuk gjen kohë të jetë i mirë për vete – Rabindranath Tagore

7. Barra më e rëndë për një fëmijë janë jetët e pajetuara të prindërve –Carl Gustav Jung

8. Nëse mendoni se edukimi është i shtrenjtë, prisni të shikoni sesa kushton injoranca – Barack Obama  

9. Nëse doni të jetoni një jetë të lumtur, lidheni atë me një synim, dhe jo me njerëz apo objekte – Albert Ajnshtajn

10. Ju duhet të jeni vetë ndryshimi, që dëshironi të shihni në botë – Mahatma Gandi

11. Gjithçkaje ia dimë çmimin, asgjëje vlerën – Friedrich Nietzsche

12. Vetëm kur e braktisni dikë, bëheni plotësisht të hipnotizuar nga gjithçka që sillet rreth tij. Ky është paradoksi i dashurisë – Erich Maria Remarque

13. Duhet të njohësh shpirtin e njeriut, që të mund t`i admirosh fytyrën – Victor Hugo

14. Ata që nuk bëjnë asgjë, zakonisht janë të parët që kritikojnë për çdo gjë- Charles Spurgeon

15. Mos u mbaj fort pas dikujt që po ikën, përndryshe nuk do të takosh atë që po vjen –Carl Gustav Jung

16. Ti dhe vetëm ti mund t’i ndryshosh situatat e tua. Mos fajëso asgjë dhe asnjë për to –Leonardo Dicaprio

17. Të çuditshëm jemi ne njerëzit, harrojmë sa të mëdhenj jemi kur dashurojmë e sa të vegjël kur urrejmë- Azem Shkreli

18. Po nuk foli i marri, nuk dallohet dot nga i urti –Sami Frashëri

19. Kam tri gjëra për t’ju mësuar: thjeshtësi, durim, dhembshuri. Këto janë tre thesaret më të mëdha – Lao Tzu

20. Gjithçka në lidhje me njerëzit e tjerë që nuk na kënaq, na ndihmon që të njohim dhe kuptojmë më mirë veten tonë  –Carl Jungu. / KultPlus.com

“iNews”: Shqipëria mes vendeve më të lira evropiane për t’u vizituar në vend të Barcelonës

Duke parë Detin Mesdhe, me arkitekturën dhe kuzhinën e paharrueshme, është e qartë pse kryeqyteti i Katalonjës, Barcelona është kaq popullor, shkruan Sarah Holt në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “iNews”.

Mbipopullimi në destinacionet më popullore ka kufizuar qiratë afatshkurtra, frenuar numrin e udhëtarëve ditorë dhe rritur taksën turistike.

Në të vërtetë, Barcelona është shumë e shtrenjtë për t’u vizituar. Akomodimi për pushime dhe çmimet e restoranteve janë më të larta se disa qytete të tjera spanjolle.

Për udhëtarët që kërkojnë diell, plazhe dhe një kulturë të veçantë, ekzistojnë shumë qytete të tjera bregdetare evropiane të cilat mund t’i merrni në konsideratë për pushime këtë vit.

“iNews” e ka renditur Sarandën në mesin e 15 qyteteve më të lira dhe më të qeta bregdetare evropiane për t’u vizituar në vend të Barcelonës.

Sarandë, Shqipëri

Ju mund të shëtisni në bulevardin “Hasan Tahsini” buzë detit deri në Manastirin e 40 Shenjtorëve (hyrja 1,65 paund) dhe të kapni autobusin për në plazhin e Ksamilit, i njohur si “Maldivet e Evropës”.

Ksamili kryeson listën e vendeve më të bukura të Rivierës Shqiptare, i cili arrihet më së miri me traget nga Korfuzi.

Forcimi i paundit kundrejt lekut shqiptar do të thotë se ngrënia jashtë në Sarandë është e përballueshme.

Një racion peshku i freskët në një restorant buzë detit kushton më pak se 12 paund.

Ndërkohë, një apartament me një dhomë gjumi kushton mesatarisht 43 paund për një natë. / atsh / KultPlus.com

Autoriteti i Mediave Audiovizive në Shqipëri, ndërmerr nismën që synon të frenojë përdorimin e fjalëve të huaja në media

Nisur nga fenomeni shumë i përhapur, i përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja, jo vetëm në përditshmëri, por edhe në media, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka njoftuar një nismë që synon të ndihmojë në frenimin e këtij fenomeni.

Nga 1 janar ekipet e monitorimit dhe shqyrtimit të përmbajtjeve në AMA ka nisur mbikëqyrjen e përdorimit të fjalëve të huaja nga radiot dhe televizionet.

Nisma e titulluar “fol shqip” pasqyrohet në publikimet e kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi dhe web-in zyrtar të institucionit, në formën e gjetjeve të çdo jave, pas monitorimit të përmbajteve të transmetuara në radio dhe televizione, shoqëruar me alternativat në shqip të fjalëve të huaja të përdorura, shkruan Top Channel.

“Në këtë mënyrë AMA ka hapur kështu çështjen e respektimit të standardit të shqipes së folur dhe të shkruar nga redaksitë audiovizive.  Mediat në tërësi, por dhe ajo audiovizive në veçanti, kanë rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e vlerave të gjuhës shqipe, por dhe në pasurimin e saj, duke shmangur ngarkesa të panevojshme të fjalëve dhe shprehjeve të huaja. Fenomeni i sjelljes jo korrekte të disa drejtuesve të programeve audiovizive, të cilët lehtësisht zëvendësojnë fjalorin shqip me fjalë të huaja në formulimet e pyetjeve, në komentet apo ndërhyrjet që bëjnë gjatë transmetimit të programeve, është kthyer në një fenomen shqetësues. Efekti është jo vetëm te deformimi i shqipes por edhe te krijimi i situatave të paqarta, të pakuptueshme nga ndjekësit. Gjithashtu kjo krijon një efekt zinxhir, tek të ftuarit dhe deri në publik, duke krijuar modele që në fund rezultojnë në dëmtues të gjuhës shqipe”-thuhet në reagimin e AMA-s.

Me qëllimin për ta frenuar këtë fenomen, kryetarja e AMA-s ka njoftuar se monitorimi i përdorimit të fjalëve të huaja në radio dhe televizione do të kryhet herë pas here dhe rezultatet do të publikohen në mënyrë që punonjësit e medias të ndërgjegjësohen për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe. / KultPlus.com

Gjendet pas 100 vjetësh një pikturë e Gustav Klimtit, vlera kap shifrën e mbi 54 milionë dollarë

Një pikturë e artistit austriak Gustav Klimt, që është besuar se ka humbur që 100 vjet, është gjetur në Vjenë. Portreti i Fraulein Lieserit, dikur ka qenë në pronësi të një familjeje hebreje në Austri, dhe është parë për herë të fundit në publik, më 1925.

Fati i saj më pas ka qenë i paqartë, mirëpo familja e pronarëve aktualë e ka pasur pikturën prej viteve ’60. Shtëpia e ankandeve im Kinsky, ka thënë se vlera e pikturës është mbi 54 milionë dollarë.

“Një pikturë kaq e rrallë, me rëndësi të madhe artistike, nuk ka është gjetur në tregun e artit në Evropën Qendrore për dekada”, ka thënë im Kinsky, përmes një deklarate.

Portreti do të vendoset në ankand më 24 prill, në emër të pronarëve, dhe pasardhësve ligjorë të familjes Lieser.

Diçka e tillë është e bazuar në Parimet e Uashingtonit, një marrëveshje ndërkombëtare për kthim të artit të plaçkitur prej nazistëve, te pasardhësit e njerëzve prej të cilëve janë marrë veprat.

Para ankandit, pikturat do të prezantohen në disa lokacione ndërkombëtare, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Zvicrën, Gjermaninë dhe Hong Kongun.

Portreti ka qenë dikur pronë e familjes Lieser, atëbotë industrialistë të pasur hebrenj në Vjenë.

Një avokat u kanë thënë mediave austriake se deri në tani nuk janë gjetur dëshmi që kjo vepër është plaçkitur, apo vjedhur, para apo gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Veprat e Klimtit janë shitur për shuma të mëdha parash në të kaluarën.

Vepra tjetër e tij, Gruaja me Flladitëse, është shitur për 85.3 milionë dollarë në qershor, duke e bërë atë veprën më të vlefshme të artit që është shitur në ndonjë ankand në Evropë./REL / KultPlus.com

“Hapat”, ekspozita e artistes Dea Tili në FAB

Galeria FAB inauguroi ekspozitën personale të artistes Dea Tili, “Hapat”. Ekspozita me kurator Ermir Hoxhën, do të mikpresë publikun artdashës deri më datën 2 shkurt.

“Në ekspozitën e artistes së re, Dea Tili, procesi i krijimit vjen dhe një herë përballë nesh në vetë të parë. Me thjeshtësinë lirike të një habitati modest, të vërtetë në përqasjen ndaj subjektit, aq sa dhe kërkimin e një metafore estetike, Dea i afrohet sipërfaqes piktorike me një mision personal, që të pikturojë aktin dhe hapësirën ku ai ngjizet, njëkohësisht, pa një vijë ndarëse mes tyre”, shkruan Ermir Hoxha për ekspozitën “Hapat”.

Në pikturat e Deas shfaqen subjektet, mes atelieve të shkollës, vendit të punës, studiove të artistëve, shfaqen të rrëmujshëm sa edhe të pistë cepat e kavaletave, kompensatat e tavalocave, podiumet, shishet dhe skulpturat e natyrave të qeta. I gjithë ky kaos, i rregullt vetëm në optikën e atyre që e jetojnë përditë atë, për Dean, duket më shumë se një subjekt. Ai është një destinacion i panegociueshëm.

Në “Hapat” e Deas, dominon habitati, vendi i krijimit mbipopulluar nga subjektet rrethanore. Ato janë personazhi i saj kryesor, objekti dhe subjekti me të cilin identifikohet më shumë se me çdo gjë tjetër./ atsh / KultPlus.com

’Kur dole n’çardak, faqen për merak’ (VIDEO)

Elina Duni është një nga zërat më unik që ka i gjithë spektri artistik shqiptar, me të cilin po i mban gjallë këngët e vjetra qytetare, shkruan KultPlus.

“Bukuroshja lales”, është vetëm njëra nga këngët që ka kënduar Duni me interpretimet tashmë të njohura të saj.

Intepretimet skenike të Elia Dunit janë krejtësisht të thjeshta, por një thjeshtësi artistike në të gjitha dimensionet. Këmbëzbathur e plotë emocione, mund të përshkruhet shkurt performanca e saj.

KultPlus, këtu ka sjellur tekstin si dhe videon e kësaj kënge.

Kur dole ne lom
Beli nji pellom x2

Bukuroshja e lales
Synin si bajam x2

Kur dole n’çardak
Faqen per marak x2

Bukuroshja e lales
Dukesh si zamak x2

Kur dole ne der
Belin me qemer x2

Bukuroshja e lales
Ndrite si fener x2

Kur dole n’oborr
Ftyren bardh si bor x2

Bukuroshja e lales
Eja t’vejm kunor x2./KultPlus.com

TKK mban punëtorinë me fokus në ‘dënimi që Don Kishoti i bën barutit’

Teatri Kombëtar i Kosovës ka mbajtur një punëtori katër-ditore me 40 pjesëmarrës të moshave të ndryshme, përcjell KultPlus.

Puna në këtë punëtori është fokusuar te dënimi që Don Kishoti i bën “barutit”.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të Teatrit Kombëtar të Kosovës:

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës është mbajtur punëtoria katërditore me 40 pjesëmarrës të moshave të ndryshme.

Partnerët tanë nga Teatro delle Albe, Ravena Itali, përfaqësuar nga aktorja italiane Ermanna Montanari, regjisori Marco Martinelli dhe Alessandro Argnnani, janë ftuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës për të ndarë përvojën e tyre teatrore dhe për të përgatitur një grup që do të marrë pjesë në fazen e dytë të “Don Kishoti” që do të realizohet në Festivalin e Ravenës në qershorin e këtij viti.

Puna është fokusuar te dënimi që Don Kishoti i bën “barutit”. Është punuar me mjaft kujdes nga Marco, Ermanna dhe Alessandro Argnnani me këngë, lëvizje skenike, zëra dhe ëndrra.

Për realizimin e këtij projekti falenderojmë Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Drejtorinë për Arsim në Komunën e Prishtinës për partneritetin dhe përkushtimin./KultPlus.com

Mbretëria e Bashkuar do t’i kthejë ‘xhevahiret e kurorës’ së grabitur Ganës

Mbretëria e Bashkuar po dërgon disa nga “xhevahiret e kurorës” të Ganës në shtëpi, 150 vjet pasi i grabiti ato nga oborri i mbretit Asante.

BBC arriti të zbulojë se një tub ari është në mesin e 32 artikujve që kthehen sipas marrëveshjeve të huasë afatgjate, transmeton Klankosova.tv.

Muzeu Victoria & Albert (V&A) po jep hua 17 pjesë dhe 15 janë nga Muzeu Britanik.

Kryenegociatori i Ganës tha se shpresonte për “një ndjenjë të re bashkëpunimi kulturor” pas brezash zemërimi./KultPlus.com

Të veproj, unë vij


Poezi nga Henri Michaux sjellë në shqip nga Mirela Petalli.

Po hap derën brenda teje, po hyj
Të veproj, unë vij
Jam këtu
Të t’mbroj
Ti nuk je më e braktisur
Ti nuk je më në vështirësi
Litarët e tyre janë zgjidhur, sikletet e tua kalojnë
Makthi që të la te drobitur s’është më
Unë po të mbaj me shpatullat e mia
Me mua ti hedh
Hapin e parë në shkallën e pafundme
Që të transporton
Që të ngre lart
Qe të përmbush

Unë të paqtoj
Po shpërhap pëlhura paqeje mbi ty
Po përkund fëmijën e ëndrrës tënde
Buroj
Buroj nga gjethet e çara rrathë imazhesh përqark gruas së frikësuar
Buroj nga dëbora e zbehtësisë së saj
Buroj nga frymëmarrja e saj…dhe zjarri ndizet sërish./ KultPlus.com

E ndërtuar 100 vjet më parë dhe në një lartësi prej 2760 metrash, kjo është shtëpia më e izoluar në botë

Në momentet kur stresi dhe përgjegjësitë e përditshme janë të ngutshme, shumë mendojnë se do të ishte mirë të kalonin në një vend të qetë, larg zhurmës, njerëzve dhe trafikut.

Shumë e bëjnë këtë: shtëpitë në pyje dhe male nuk janë të rralla dhe janë perfekte për një jetë të izoluar. Megjithatë, njëra shtëpi është më e izoluar se të tjerat. Buffa di Perrero konsiderohet si shtëpia më e izoluar në botë. Ndodhet në një lartësi prej 2760 metrash, e gdhendur në shkëmb dhe e vetmja rrugë për të shkuar tek ajo është një shkëmb i thepisur dhe i rrezikshëm.

Shtëpia e pazakontë ndodhet në Itali, në malin Cristalo, mbi destinacionin e famshëm të skive Cortina d’Ampezzo. Ajo u ndërtua më shumë se njëqind vjet më parë, gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe mori emrin e kolonelit alpin Carl Buffa di Perero, i cili vdiq në atë luftë. Ajo ka mure me tulla, një çati të ngritur, katër dritare, një tavolinë dhe karrige. Sa i përket pajisjeve, ishte një mister prej dekadash se si materialet dhe pajisjet e ndërtimit u sollën në terrenin e vështirë të atëhershëm.

Besohet se është ndërtuar nga ushtarët italianë, për të pasur strehë gjatë betejave kundër Austro-Hungarisë në terrenin e vështirë malor. Buffa di Perrero përdorej për pushim, por edhe për ruajtjen e gjërave. Mendohet se aksesi i vetëm i mundshëm në kohën e ndërtimit ishte nëpërmjet një shkalle litari ose një shteg të rrezikshëm deri në shkëmbinj. Sot ka një rrugë moderne të ndërtuar në shkëmb, e cila është konsiderohet si “shumë e vështirë” dhe nuk ka ekzistuar në kohën e ndërtimit./KultPlus.com

MKRS lanson nesër në Podujevë programin shtetëror ‘Sport në Shkolla’

Nesër duke filluar nga ora 9:00, në shkollën “Xheladin Rekaliu” në Podujevë, do të mbahet ceremonia e lansimit të programit shtetëror “Sport në Shkolla”.

Në lansimin e programit shtetëror “Sport në Shkolla” do të marrë pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, Kryetari i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Ardian Telaku.

Programi “Sport në Shkolla” është zhvilluar dhe do të realizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës dhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit. Programi synon të ndërtojë një brez të ri, aktiv dhe të shëndetshëm në Republikën e Kosovës, duke investuar në shëndetin dhe edukimin e të rinjve përmes sporteve të ndryshme në arsimin parauniversitar./KultPlus.com

Thom Yorke kompozon muzikën për filmin ‘Confidenza’

Thom Yorke ka kompozuar muzikën për filmin e ri Confidenza.

Vokalisti dhe kitaristi i Radiohead dhe The Smile e ka bërë muzikën origjinale të filmit të regjisorit italian, Daniele Luchetti, bazuar në librin e Domenico Starnones.

Në këtë film luajnë Elio Germano, Vittoria Puccini, Isabella Ferrari.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ylli anglez përmes një postimi në Twitter./KultPlus.com