Magjia e veprave të Gjelosh Gjokajt ka mbërthyer Galerinë e Arteve të Kosovës, u vlerësua si figura kryesore kulturore që lidh Malin e Zi dhe Kosovën

Galeria Kombëtare e Kosovës në mbrëmjen e së mërkurës ishte e mbushur në të gjitha anët.  Hapja e ekspozitës ”Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj” mbushi me figura të njohura oborrin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, e më vonë edhe 2 katet në hapësirat e brendshme. Ekspozita me pikturat e Gjokajt, përjetime të cilat ai i jetësoi në letër, përcjellin gjithçka që atij i ka mbetur në kujtesë, përgjatë më shumë se 50 viteve të karrierës së tij.

Fuqinë e artit, siç e quajtën “Pablo Picasso i Ballkanit”,e ka përdorur për të thelluar ndjenjat e tij dhe për të bërë secilin prej nesh që del para pikturave, të fokusohemi si në një libër, pasi do shumë përqendrim për t’u kuptuar.

Ekspozita që u hap mbrëmë e do qëndrojë e hapur deri më 7 korrik, është dëshmi që artistët kanë fuqinë të jetojnë përgjithmonë, përmes veprave të tyre, e sidomos kur flasim për Gjelosh Gjokaj.

Ambasadori i ShBA-ve Jeffrey Hovenier, ambasadori i Shqipërisë Petrit Malaj, ambasadori i Malit të Zi Bernard Çobaj, zëvendëskryeministri i Malit të Zi Nik Gjeloshaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, janë vetëm disa nga figurat e njohura që ishin prezent në këtë natë, duke përfshirë edhe shumë artistë, politikanë e qytetarë që kishin ardhur për të parë veprat e Gjokajt.

Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 dhe ka vdekur në vitin 2016. Ai është një ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, Gjokaj e ka zhvilluar karrierën edhe në Gjermani dhe Itali. Ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Kosovë si pedagog dhe themelues I shkollës së grafikës dhe si piktor.

Ekspozita “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj”, u hap në nder të 90 vjetorit të lindjes së tij, me 25 veprat nga koleksioni privat i Sead Gjokaj, i cili është edhe familjar i artistit. Secila vepër mbante të shënuar vitin në të cilin është realizuar, duke filluar që nga viti 1961 e deri në vitin 2012.

Në fazat e hershme, ai krijonte piktura dhe grafika me tema dhe tipare narrative si piktura me figura pa identitet që ngjajnë në lodra fëmijësh, por që artisti i paraqet si të “mobilizuar” në falanga totalitare.

Kuratori Shkëlzen Maliqi ka shkruar se imazhet e artit të Gjokajt u referohen kujtesave adoleshente të tija nga Lufta e Dytë Botërore. Në vitet e 80ta, Gjokaj largohet nga imazhi përfaqësues për tu afruar asaj që Merleau Ponty e quante “botë e heshtur pikturale”. Në veprat e viteve të 80ta, ai i shmanget tërësisht qasjes së ”pikturimit” të ideve dhe të porosive, ndaj të cilës kishte qenë besnik për më shumë se tri dekada.

Disa prej pikturave ishin pa titull, por që nuk mungonte informacioni se kur ishin krijuar ato vepra.

“Djali me qengj” në vitin 1983, “Klithja e Van Gokut” në vitin 1989, “Toleranca” në vitin 1989, “Kompozim” në vitin 1992, “Koka” dhe “Adami” ishin disa prej pikturave që kishin të vendosura edhe datën edhe titullin.

Hapja e ekspozitës që ishte e planifikuar të bëhej në orën 19:00, filloi me një fjalim hyrës nga zëvendës drejtoresha e Galerisë, Alisa Gojani-Berisha duke falënderuar të gjithë të pranishimit që ishin politikanë, ambasadorë, artistë, profesorë e akademikë.

Fjalimin e parë nga të ftuarit e mbajti kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili fillimisht u shpreh se beson se është ftuar më shumë si studiues modest i artit dhe jo patjetër si kryetar i Kuvendit dhe se rendi do të ishte të flasin fillimisht artistët dhe profesionistët por agjendat po ndërtohen ndryshe.

Ai ka folur për figurën e Gjelosh Gjokajt, duke treguar se për herë të parë pikturën e tij e ka parë në moshën 19-vjeçare, që ishte piktura “Rrëmbimi i Evropës” e vitit 1980.

“Kam qenë shumë i ri kur e kam parë pikturën e parë të Gjelosh Gjokajt, i kisha diku 19 vjet, ishte piktura ‘Rrëmbimi i Evropës’ e vitit 1980, në akuatintë. Edhe për mua ishte tronditje e madhe duke qenë se kisha hyrë të studioja pak artin botëror dhe i njihja gjigandët e pikturës botërore. Në fillim kjo pikturë m’u duk sikur të ishte e Marc Chagallit, edhe kur e kuptova që është e Gjeloshit thash më vete edhe ne e paskemi Chagallin tonë”, ka thënë Konjufca.

Pas tij, fjalën e ka marrë zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili tha se edhe pse me artistin e madh vijnë nga i njëjti vend, me të për herë të parë janë takuar në Prishtinë, në vitin 2000 si student në Prishtinë.

“Me veprën e Gjeloshit të gjithë krenohemi, por një simbolikë tjetër e cila kur më ftoi ambasadori që të jem sot në Prishtinë në saje të festimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi dhe ditëlindjes së Gjeloshit, pranova me kënaqësi që t’i gërshetojmë ato, sepse pikërisht në këtë mënyrë mendoj se gërshetojmë shumë vlera që kemi të përbashkëta të dyja shtetet, dhe të përçojmë bashkëpunimin e mirë që ka Mali i Zi me Kosovën dhe që do të vazhdojë ta ketë”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kuratori Shkëlzen Maliqi u shpreh se ka një borxh ndaj artistit Gjokaj, pasi ai vinte shpesh në Prishtinë dhe i kishte kërkuar t’ia bënte monografinë e parë por që nuk ka arritur. Ai u shpreh se i kishte mbetur merak dhe më vonë familjari i artistit dhe koleksionisti Sead Gjokaj e kishte kontaktuar për të folur për këto vepra.

Kurse në fund, ambasadori i Malit të Zi, Bernard Çobaj, foli në gjuhen angleze për hir të ambasadorëve të shteteve të huaja që ishin prezent, duke u shprehur se Gjelosh Gjokaj është figura kryesore kulturore që e lidh Malin e Zi me Kosovën.

“Gjelosh Gjokaj i njohur si maestro është figura kryesore kulturore që lidh Malin e Zi dhe Kosovën, është quajtur dhe Picasso i Ballkanit, dhe ekspozita do ta tregojë së përse”, ka thënë Bernard Çobaj, ambasador i Malit të Zi në Kosovë.

“Me këtë ne po shënojmë ditëlindjen e artistit dhe përvjetorin e pavarësisë së Malit të Zi. Në Mal të Zi ne kemi shprehjen ‘I përjetshëm qoftë Mali i Zi’, unë do të shtoja e përjetshme qoftë miqësia e Malit të Zi me Kosovën”, ka thënë ai. 

Kurse, profesoresha e pikturës, Zake Prelvukaj, pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, tha për KultPlus se Gjelosh Gjokaj e ka pasur një ekspozitë këtu edhe më herët në vitet e 2000-ta, por ajo që është më e mira është se këtë herë është hap ekspozita për nder të 90 vjetorit të tij të lindjes.

“Jemi përpjekë ta bëjmë një ekspozitë të mirë, ma e mira ishte që për 90 vjetorin e tij. Ne e kemi bërë një bashkim me Ambasadorin e Malit të zi, me koleksionistin Suad Gjokaj që është koleksionisti më i madh i veprave të Gjelosh Gjokaj dhe na i ka sjellë të gjitha veprat. Sonte po shihet që Gjeloshi po komunikon me ne përmes veprave, edhe pse nuk është sonte me ne, dhe ai e ka bërë një mënyrë arti që do të lexohet gjithmonë ndryshe, që është një formulë matematike e artit”, u shpreh ajo për KultPlus.

Ekspozita do të rri e hapur deri më 7 korrik të këtij viti./KultPlus.com

25 vite nga zhdukja e Ukshin Hotit

Sot janë bërë plot 25 vite nga zhdukja e veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, profesorit dhe intelektualit Ukshin Hoti, shkruan KultPlus.

Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara, është zhdukur Ukshin Hoti.

Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.

Kujtojmë që Ukshin Hoti për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviçit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.

Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur. / KultPlus.com

Luan Durmishi së shpejti do të lansojë videoklipin e këngës “Përsëritja”, gati për tregun ndërkombëtar

Luan Durmishi së shpejti do të publikojë videoklipin e këngës “Përsëritja”, këngë me të cilën ishte pjesë e Festivalit të RTSH-së, shkruan KultPlus.

Përpos videoklipit, KultPlus mëson se Luan Durmishi është duke u përgatitur fuqishëm për skenën ndërkombëtare, skenë që po e synon me një staf profesional artistik.

“Përsëritja” është këngë e Luan Drmishit nga albumi “Uniformë”, për të cilin ende nukë shtë konfirmuar se kur do të lansohet për publikun.

Ndërkohë, kënga “Përsëritja” është një ndër këngët që po dëgjohet suksesshëm në platformën e muzikës Spotify. Poashtu kjo këngë bashkë me Spotify është lansuar edhe në 170 platforma të tjera muzikore, në shumë prej tyre edhe në toplista. / KultPlus.com

Pianistja Lule Elezi me koncert recital në Poloni: Koncerti im recital në mjediset ku frymoi Shopeni do mbetet i paharruar

Pianistja e njohur Lule Elezi paraqitjen e radhës në nivel ndërkombëtar e shënoi në Qendrën Evropiane për Art dhe Kulturë në Sanniki të Polonisë, e cila përpos koncertit recital  në piano, po në të njëjtën mbrëmje ka përcjellë në piano edhe aktoren e mirënjohur polake Paulina Holtz, shkruan KultPlus.

Për këtë paraqitje pianistike ka njoftuar vet pianistja Elezi, e cila këtë paraqitje e përshkruan si një mbrëmje të mrekullueshme.

Më poshtë po e sjellim të plotë njoftimin e pianistes Elezi.

Ishte një privilegj dhe kënaqësi e jashtëzakonshme që përpara një audience të mrekullueshme e frymëzuese të mbaja koncert recital në Qendrën Evropiane për Art dhe Kulturë në Sanniki, Poloni, e cila mban emrin e kompozitorit më romantik të botës së muzikës Frédéric Chopin, i njohur si “ Poeti i pianos”.

Ishte një përjetim magjik, një nder dhe mundësi e rrallë për çdo artist, të luaja vepra të Shopenit pikërisht në Pallatin Aristokrat Mbretëror në të cilin në vitin 1828 Shopeni kaloi pushimet verore duke kompozuar veprat Rondo në C-dur dhe Trio në G- mol.

Mbrëmja u bë edhe më e veçantë kur pas Koncertit tim recital shoqërova në piano aktoren e mirënjohur polake Paulina Holtz Paulina Holtz – praca&pasja🌹, një nga personalitetet artistike më të dashur dhe admiruar në Poloni e më gjërë ,teksa ajo recitoi poezi të periudhës së romantizmit nga poetë Ballkanik, të kushtuara dashurisë.

“ Unë do të krijoj një botë të re për vehten time” tha Shopeni, e në fakt, me muzikën e tij ai krijoi një botë të re për të gjithë botën e për të gjithë brezat e ardhshëm.

Kjo është magjia e muzikës e sidomos e Shopenit, ndaj edhe Koncerti im recital në mjediset ku frymoi dhe krijoi Shopeni do mbetet i paharruar!

Për organizimin e këtij eventi falenderoj përzemërsisht zonjat e nderuara, Aleksandra Głowacka dhe Jola Róg🌹🌹./ KultPlus.com

Artisti shqiptar Adem Dalipi vendos shallin me shqiponjë në diplomimin e tij në Amerikë

Adem Dalipi, me prejardhje shqiptare por që ka lindur e është rritur në Shtetet e Bashkuara të  Amerikës dhe që ka mahnitur me talentin e tij në muzikë, së fundmi ka diplomuar në Northern Illionis. Gjatë ceremonisë së diplomimit,  Dalipi ka vendosur shallin me shqiponjë, duke treguar me krenari se është shqiptar.

Në fotografitë e publikuara në rrjete sociale, ai ka treguar se gjatë ceremonisë ka qenë i shoqëruar nga familjarët e tij, duke i falënderuar që e kanë mbështetur që nga dita e parë.

Gjithashtu, ai ka treguar se ka diplomuar një vit më herët, mirëpo përgjatë kësaj kohe, ai ka krijuar kujtimet më të mira, për të cilat është mirënjohës gjithmonë.

Prindërit e tij kanë lindur në Maqedoni, në Kërçovë dhe më pas janë transferuar në ShBA, dhe më pas kanë lindur djalin e tyre, Adem Dalipi.

I lindur dhe i rritur në Amerikë, Dalipi kishte deklaruar më parë për KultPlus se gjërat nuk ishin të lehta për të dhe për familjen e tij në ShBA.

“Unë kam lindur në Amerikë më 2003 dhe jam rritur aty. Prindërit më merrnin bashkë me vëllain dhe ktheheshim verës në shtëpi për ta vizituar familjen dhe për të mësuar më shumë rreth fshatit dhe kulturës sonë. Në Amerikë pata shumë keqkuptime për shkak të emrit, por sidoqoftë sfondi im kulturor ishte i ndryshëm sepse ne angazhoheshim në komunitetin shqiptar që na rrethonte”, ishte shprehur ai.

Por, talenti i tij për muzikë ra në sytë e profesorit qysh në klasë të tretë, kështu ai paralajmëroi nënën e tij që djali kishte “vesh për muzikë”. Kjo i ndihmi Ademit për të nisur rrugëtimin e tij, fillimisht duke mësuar kitarë e më pas nis të këndojë dhe të mësojë instrumente të tjera.

“Kam shkruar muzikën time qysh kur isha 11-vjeç. Prindërit e mi nuk qenë marrë me muzikë, prandaj ishte pak e vështirë për mua. Ata filluan të shohin seriozitetin tim dhe kështu nisën të më mbështesin. Së bashku gjetëm mundësi për të krijuar lidhje me njerëzit në industri.”, kishte treguar Ademi.

Një ndër mundësitë më të mira që i ka ardhur në duar, si një djalë i ri në këtë fushë, është edhe ftesa për audicion në “American Idol”. Ishte vera e vitit 2018, kur sapo kishte mbaruar disa incizime në Toronto të Kanadasë dhe një producent nga “American Idol” e ftoi në audicion. Atë kohë ishte vetëm 15-vjeç, dhe kishte fatin të merrte tiketën e artë nga një juri e përbërë nga këngëtarët e famshëm si: Lionel Richie, Katy Perry dhe Luke Bryan.

“Pas kësaj unë kam shkuar edhe në “Javën e Hollivudit”. Kjo shfaqje më dha besim të madh që unë do të jem artist serioz në të ardhmen, dhe kjo do të më ndihmojë për lidhje të reja me industritë muzikore”, kishte treguar tutje ai./KultPlus

Përkujtohet atdhetari dhe publicisti i shquar, Milto Sotir Gurra

Më 16 maj të vitit 1884 lindi shkrimtari dhe gazetari i spikatur në shtypin e emigracionit shqiptar gjatë rizgjimit kombëtar, Milto Sotir Gurra.

Gurra publikoi në shumë gazeta dhe revista, sikurse ishin: “Atdheu”, “Shkëndija”, “Zekthi”, “Zëri i Popullit”, “Mituria”, “Vatra a Rinisë”, “Dielli”, “Kombi”, “Bashkimi i Kombit”, “Shqypeja e Shqypenis” etj. Në shkrimet e tij me tematika të larmishme, do të pasqyronte betejën e rizgjimit kombëtar me nota romantike.

Duke ditur problematikat që Shqipëria po përjetonte në ato vite, Gurra krijoi një kredo sipas së cilës zgjimi kombëtar do të vinte vetëm nëpërmjet kulturës. Kështu, në sprovat e tij letraro-publicistike do të ngrinte pyetje mbi fatin kulturor të shqiptarëve dhe mbi dilema të papërfillshme për kohën, si p.sh. tentativa për krijimin e një opere shqiptare apo mbi zhvillimin e letërsisë.

Milto Sotir Gurra nga Marjani i Oparit, gjithashtu përktheu mjaft shkrimtarë të mëdhenj botërorë. Vitet më krijuese të jetës i kaloi jashtë vendit: në fillim në Odesë, buzë Detit të Zi, kurse më pas në Amerikë, Stamboll, Sofje dhe Konstancë. Ai bashkëpunoi aktivisht me shumë organe shtypi kombëtare e letrare në mërgim shpesh me pseudonimet Nomadhi, Gjon Zeza. Një përmbledhje me njëzet e dy nga këto tregime u botua me titullin Plagët e kurbetit, Tiranë 1938.

Ai ka vdekur në Tiranë në vitin 1972./atsh/KultPlus.com

Qeveria po përgatit draftstatut për Asociacionin, do ta dërgojë në Kushtetuese deri në fund të majit

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas votës prej 82 % të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në favor të këtij anëtarësimi, në kuadër të zotimeve të marra nga tre krerët e shtetit, sot në mëngjes i kam dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës.

Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat.

Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin.

Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte.

Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE./ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Dritës

Dita Ndërkombëtare e Dritës festohet çdo vit më 16 maj, në përvjetorin e funksionimit të parë të suksesshëm të lazerit, në vitin 1960 nga fizikani dhe inxhinieri, Theodore Maiman. Kjo ditë është një thirrje për të forcuar bashkëpunimin shkencor dhe për të shfrytëzuar potencialin e tij për të nxitur paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Sipas UNESCO-s, Dita Ndërkombëtare e Dritës thekson rolin që luan drita në shkencë, kulturë dhe art, arsim dhe zhvillim të qëndrueshëm dhe në fusha të ndryshme si mjekësia, komunikimi dhe energjia.

Studimi i dritës ka çuar në burime alternative premtuese të energjisë, përparime mjekësore që shpëtojnë jetë përmes teknologjisë dhe trajtimet diagnostikuese, internetin me shpejtësi të dritës dhe shumë zbulime të tjera që kanë revolucionarizuar shoqërinë dhe kanë formësuar të kuptuarit tonë për universin.

Këto teknologji u zhvilluan përmes shekujsh kërkimesh mbi vetitë e dritës, duke filluar me veprën kryesore të Ibn Al-Haytham, Kitab al-Manazir, “Libri i Optikës”, botuar në 1015 dhe duke përfshirë punën e Ajnshtajnit në fillim të shekullit të 20-të, e cila ndryshoi mënyrën se si mendojmë për kohën dhe dritën.

Pa dritë, planeti ynë do të ishte vetëm një vend i ftohtë dhe djerrë. Në të vërtetë, ku ka dritë, shpesh ka jetë me bollëk. Megjithatë, drita përfaqëson edhe më shumë për njerëzimin. Drita shkon dorë për dore me dijen; është një lente përmes së cilës mund të shihet dhe të kuptohet bota./atsh/KultPlus.com

“The Independent”: Shqipëria – destinacioni i ri mesdhetar i mrekullueshëm

Shqipëria mund të jetë destinacioni tjetër mesdhetar i mrekullueshëm, tha shefi i kompanisë më të madhe të pushimeve në Evropë TUI.

“Është një vend i mrekullueshëm”, tha Sebastian Ebel, shefi ekzekutiv i Tui, për “The Independent”.

“Unë jam një adhurues i Shqipërisë dhe mendoj se duhet dhe mund të bëjmë më shumë. Është në axhendën tonë. Mendoj se perspektiva është e madhe dhe nuk do të habitesha nëse fillojmë një program të rëndësishëm atje”, tha ai.

Ebel tha se 10 vjet më parë, kur ai iu bashkua bordit ekzekutiv të Tui, ai kishte propozuar mundësinë për të përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve më të mira per pushime.

Aktualisht, i vetmi aktivitet i Tui në Shqipëri është fluturimi dy herë në javë nga dega belge e kompanisë nga Brukseli në kryeqytet, Tiranë.

Linjat ajrore buxhetore tani kanë një program masiv nga Britania e Madhe. “Ryanair” dhe “Wizz Air” kanë secili nga tre fluturime ditore për në Tiranë nga qendrat e tyre në Londër, përkatësisht Stansted dhe Luton.

“Ryanair” gjithashtu fluturon nga Birminghami, Bristoli, Mançesteri dhe Edinburgu për në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza të kryeqytetit.

Marlene dhe Bernard Kayley, nga Preston, sapo janë kthyer nga një udhëtim në Shqipëri, të cilët kaluan pesë ditë të mrekullueshme.

Ata e ndanë kohën mes kryeqytetit dhe resortit kryesor, Durrësit.

Në këtë të fundit, Marlene tha: “Hoteli ynë, “Vila One Beach” ishte pranë një plazhi të bukur dhe të pastër. Shefi i shkëlqyer i hotelit na ofronte çdo natë kuzhinë tradicionale shqiptare. Ne do të kthehemi sërish në Shqipëri”.

“Ne synojmë një turizëm të nivelit të lartë në Shqipëri”, tha në dhjetor, ministrja e Turizmit të vendit, Mirela Kumbaro për “The Independent”.

Nga të gjitha vendet e Evropës Lindore, Shqipëria përjetoi periudhën më të gjatë dhe më shtypëse nën regjimin komunist në pjesën e fundit të shekullit të XX.

Pothuajse asnjë turist nuk u lejua të vizitonte vendin gjatë diktaturës 40-vjeçare të Enver Hoxhës.

Por, një kompani e vogël në atë kohë, “Regent Holidays”, filloi të sillte vizitorë nga Britania e Madhe në vitet 1970.

Ish-drejtori Neil Taylor kujton: “Gjatë viteve 1970 dhe 1980 ne dërgonim rreth 12 grupe në vit atje”.

“Shumëllojshmëria e klientelës ishte thirrja më e madhe. Ne, ndoshta në mënyrë tendencioze, reklamuam në “Daily Telegraph” dhe në “Morning Star” për t’u siguruar që njerëzit që normalisht nuk do t’i kishin kushtuar gjithë ditën njëri-tjetrit, papritur duhej të silleshin së bashku në grup për 10 ditë”, tha Taylor.

“Grupi përfshinte të pasur, me një ndjenjë të paqartë se çfarë ishte komunizmi; akademikë që mbanin shënim çdo fjalë që thuhej dhe që blinin çdo botim në anglisht; revolucionarë të egër të vendosur për të gjetur parajsën në Shqipëri”, shtoi ai./atsh/KultPlus.com

Sot shënohet Dita Botërore e Familjeve

Sot është shënuar Dita Botërore e Familjeve. Në një kohë kur popullsia në rang botëror ka arritur 8 miliardët, Kombet e Bashkuara shohin me vëmendje ndryshimin demografik i cili është një nga megatrendet më të rëndësishme që ndikon në botën tonë dhe në jetën e mirëqenien e familjeve në mbarë botën.

Tendencat demografike ndikohen kryesisht nga fertiliteti dhe vdekshmëria. Një numër më i ulët i lindjeve sjell përfitime për familjet pasi ato janë më të afta të investojnë në shëndetin dhe arsimin e fëmijëve të tyre, gjë që pasohet nga ulja e varfërisë dhe zhvillimi më i mirë socio-ekonomik.

Hulumtimet tregojnë se ulja e fertilitetit gjithashtu rrit pjesëmarrjen e grave në punë. Por ana tjeter e medaljes është se familjet sa vjen e bëhen më të vogla në numër, duke pasur më pak gjasa të përballen me kujdesin dhe detyrimet e tjera shtëpiake. Në kohë papunësie ose sëmundjeje, familjet kanë më pak anëtarë për t’u mbështetur. Për më tepër, nivelet e ulëta të lindshmërisë mund të dëmtojnë forcat e punës dhe strukturat sociale duke shkaktuar reagime drastike me pasoja të vështira për t’u parashikuar për çështje që shkojnë nga sigurimi social deri te barazia gjinore.

Kështu që Dita Botërore e Familjeve këtë vit vjen për të rritur ndërgjegjësimin për ndikimin e tendencave demografike në familje. / atsh / KultPlus.com

Kitara e Eric Clapton del në ankand muajin e ardhshëm, ja sa është çmimi fillestar

Një kitarë e vjetër me të cilën Eric Clapton luajti gjatë kompozimit të baladës së tij të famshme “Wonderful Tonight” do të ofrohet në ankand muajin e ardhshëm me një çmim fillestar prej 500,000 dollarë.

Në njoftimin e shtëpisë së ankandit thuhet se kitara do të ofrohet me dëmtime karakteristike nga cigaret që Clapton vendosi mes telave në qafën e kitarës, transmeton Reuters.

“Ai e përdori atë kitarë për të kompozuar disa këngë, duke përfshirë një hit të vitit 1977 për modelen Patty Boyd. Sipas “thashethemeve”, Clapton shkroi këngën “Wonderful Tonight” ndërsa ishte duke pritur që Patty Boyd të bëhej gati për një festë,” tha shtëpia e ankandeve në një deklaratë të Bonhams.

Kitara akustike Martin 000-28 e vitit 1974 ka gjithashtu një ngjitës në anë që lexon “Ajo është e dashuruar me një burrë Rodeo”, një referencë për hitin e yllit të muzikës country Don Williams.


Clapton e shiti kitarën në një ankand bamirësie në 1999 dhe më 12 qershor ajo do të ofrohet sërish në ankandin “Rock, Pop & Film” në shtëpinë e ankandit Bonhams në Londër, me një vlerësim fillestar prej 300,000 deri në 400,000£./tema/KultPlus.com

Platformë digjitale për historinë e Prishtinës

Historia qindravjeçare e Prishtinës tash e tutje do të mund të njihet edhe përmes platformës digjitale “Prishtina në histori”.

E krijuar nga “Trembelat”, kjo platformë prezanton qindra dokumente origjinale për Prishtinën, që nga shekulli i 13-të.

Përmes një komunikate për media, “Trembelat” kanë bërë të ditur se platforma digjitale (qerthulli) “Prishtina në histori” përmbledh një grumbull digjital të teksteve, hartave, gravurave, fotografive dhe punimeve rreth historisë së qytetit të Prishtinës që kapin kohën prej fundit të shekullit 13-të deri në vitet e para të shekullit XX.

Në Arkivin e Prishtinës, pjesë e Komunës së Prishtinës, rishtazi janë sjellë rreth 38,598 dokumente osmane, të cilat dokumentojnë historinë e Prishtinës prej shekullit të 15-të deri në shekullin 20-të, shumica prej tyre, siç thuhet në komunikatë janë krejt të pastudiuara dhe të panjohura për publikun.

Në anën tjetër, po sipas komunikatës, shumë studime të cilat janë bërë bazuar në arkivat e Romës, Venedikut dhe Dubrovnikut mbesin në sirtarë të bibliotekave dhe njihen vetëm prej një grupi të vogël specialistësh.

“Këto të dhëna, por dhe të tjera që kanë të bëjnë me të kaluarën e Prishtinë, nga arkiva, biblioteka e koleksione janë mbledhur dhe do të vazhdojnë të mblidhen në fazat e tjera të këtij projekti (Prishtina në histori)”. thuhet në komunikatën e ‘Trembelave”.

Po sipas komunikatës, në mesin e materialeve të botuara janë edhe rreth 100 dokumente origjinale të përkthyera, si shtesë për tekstet e shkruara enkas, e artikuj të rëndësishëm nga e kaluara që meritojnë të lexohen më gjerësisht, pjesa më e madhe e tyre, sic thuhet më tej në komunikatë, janë botuar në këtë fazë fillestare.

“Formati i kësaj platforme, që ka për synim të mbledhë dhe bëjë të qasshme për publikun e gjerë burime dhe njohuri rreth historisë së qytetit (dhe rajonit) të Prishtinës, është pak i pazakontë. Nuk është revistë shkencore online, as nuk është faqe e promovimit të turizmit të qytetit, qysh zakonisht zhvillohen për qytete të ndryshme. Platforma mund të ketë ndonjë ngjashmëri me formatin e muzeve online, që janë zhvilluar dekadat e fundit, por megjithatë nuk mund të konsiderohet e tillë,”- citohet të ketë thënë në editorialin e kësaj platforme, redaktori i saj, Yll Rugova.

Platforma është iniciativë e “Trembelave” me siglën botuese “Varg” e mbështetur financiarisht nga Komuna e Prishtinës, në partneritet të ngushtë edhe me Arkivin e Prishtinës, të cilët edhe kanë mundësuar qasjen në dokumentet nga arkivat osmane, që në vitin 2018 janë sjellë në kopje digjitale te ky arkiv./zëri/KultPlus.com

Mbërrin filmi biografik i Trump

Festivali i Filmit në Kanë i këtij viti filloi dje, me ngjarjet jashtë ekranit që ka të ngjarë të jenë po aq dramatike sa historitë në përzgjedhjen e premierave të filmave të mbushur me yje.

Filmat e shumëpritur përfshijnë projektin e vetëfinancuar të regjisorit Francis Ford Coppola, Megalopolis, ndërsa të pranishmit patën një paraqitje të shkurtër të Sebastian Stan si një Donald Trump i ri në The Apprentice.

Filmat më të mëdhenj të dy javëve do të përfshijnë gjithashtu pjesën më të fundit të ekskluzivitetit

të Mad Max të George Miller.

Por ka zëra se një sërë aktorësh dhe kineastësh mund të akuzohen publikisht për abuzim seksual; ekziston një kërcënim për grevë nga punonjësit e festivalit; dhe një drejtor iranian mori pjesë disa ditë pasi u largua nga vendi i tij pasi mori një dënim me burg.

Këtu janë disa gjëra që duhet t’i kushtoni vëmendje ndërsa Kana hapi tapetin e saj të kuq.

Nëse mendonit se hobet tuaja ishin të shtrenjta, kurseni një mendim për regjisorin veteran Francis Ford Coppola, i cili ka shpenzuar 120 milion dollarë (95 milion £) duke bërë Megalopolis.

Duke luajtur Adam Driver si një arkitekt që rindërton një qytet të goditur nga tragjedia, Laurence Fishburne dhe Dustin Hoffman gjithashtu shfaqen në këtë festival.

Nëse keni menduar se Kana mund të mos ketë lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, atëherë keni gabuar. Kjo për shkak se historia e rrugës e një Donald Trumpi të ri në politikë është dokumentuar në filmin The Apprentice. Regjisori Ali Abbasi ka debutuar me Sebastian Stan si një Trump të ri dhe Maria Bakalova si gruan e tij të parë, Ivana. Kritikët kanë shprehur gjithashtu interesin e tyre për të parë qëndrimin e yllit të “Succession”, Jeremy Strong ndaj mentorit të Trump, Roy Cohn./tema/KultPlus.com

“Ura me tri harqe”, projekt i universiteteve të Artit të Tiranës, Prishtinës e Tetovës

“Ura me tri harqe”, është një projekt i përbashkët kulturor i tre institucioneve të arsimit të lartë të hapësirës mbarëshqiptare, Universitetit të Arteve në Tiranë, Fakultetit të Arteve të Universitetit “Hasan Prishtina” dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës dhe zhvillohet në formë rotacioni midis Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës.

Ky projekt ka lindur në vitin 2000, pas Luftës së Kosovës. Këtë vit është edicioni XIV dhe zhvillohet në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Aktiviteti do të zhvillohet më 16 dhe 17 maj. Pjesëmarrësit, në ditën e parë të projektit do të përshëndeten nga rektori i UART, prof. Kastriot Çaushi, dekani i Fakultetit të Arteve të Prishtinës, prof. dr. Hazir Haziri dhe dekani i Fakultetit të Arteve të Tetovës, prof. dr. Senad Abduli.

Në galerinë FAB do të çelet nesër ekspozita e artit figurativ me punë të përzgjedhura nga studentët e Tiranës, Prishtinës e Tetovës ndërsa më pas do të vihet në skenë një shfaqje teatrale e UART.

Me gjithë ndonjë ndërprerje që ka patur ndër vite, ky projekt shumë rëndësishëm, është rikthyer sërish si domosdoshmëri bashkëpunimi mes tre institucioneve dhe krijon një mundësi më shumë për shkëmbimin e ideve dhe ndërveprimin praktik, jo vetëm të studentëve, por edhe të pedagogëve dhe pse jo edhe të publikut dhe prej vitesh, ballafaqon artistët e rinj në arte pamore, në arte skenike, film dhe muzikë./atsh/KultPlus.com

Kujtohet ‘Artisti i Merituar’ Shpëtim Shëmili

Sot kujtohet në ditën e lindjes aktori Shpëtim Shëmili, “Artist i Merituar”.

Ai lindi në Tiranë më 15 maj 1941 nga një familje intelektuale elbasanase. Pasi përfundoi shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, fillimisht u emërua mësues në qytetin e Cërrikut, e më vonë në fshatin Shtërmen.

Por Shpëtimi ishte një talent i lindur për aktor. Në vitin 1960 fitoi një konkurs dhe menjëherë u pranua në Institutin e Lartë të Arteve në degën e “Dramaturgjisë”. Studimet i përfundoi me rezultate shumë të mira.

Katër vjet më vonë, në vitin 1964 ai emërohet aktor në teatrin “Skampa”. Në këtë institucion punoi deri në vitin 1994, kohë kur u nda nga jeta. Vitet e fundit të jetës ai ishte edhe titullar i këtij institucioni.

Gjatë karrierës 30-vjeçare ai gdhendi në skenë e film nivelin më të lartë artistik e interpretativ. Shëmili ka fiksuar në arkivën e artit shqiptar figura të shquara të dramaturgjisë kombëtare e botërore.

Në teatër ai realizoi mbi 40 role të zhanret e dramës dhe komedisë si Vagabondin tek “Njeriu që pa vdekjen”, Selimin tek “Familja e Peshkatarit”, Don Ëngjëllin tek “Shembja e Idhujve”, Gjyshin tek Ëngjëjt e Skëterrës”, Haraç Hildens tek “Nepërka” etj.

Në kinematografi ai luajti 12 role, mes të cilave më të famshme e të njohura për publikun shqiptar janë ai i Robert Çamçakëzit te “Horizonte të Hapura”, i sinjor Valetës te “Gjeneral Gramafoni”, i merceologut Sami tek “Ëndërr për një karrige”, i oficerit gjerman te “Këshilltarët”, i arkeologut te “Dëshmorët e Monumenteve”, i Vurkos te “Pas vdekjes”, etj.

Ai ka shkruar dramat “Fundi i një intrige”, “Zemër e shqetësuar”, “Telashet e një ndeshjeje”, komedinë me tre akte “Ah kjo traktoristja” etj. Veç këtyre ai shkroi komedi muzikore, gazmore, pjesë për fëmijë për teatrin e kukullave.

Shpëtim Shëmili shpalosi një kulturë të përkryer skenike, letrare dhe artistike. Ai zotëronte tri gjuhë të huaja: italishten, frëngjishten dhe rusishten.

Me rolet dhe talentin e tij Shpëtim Shëmili krijoi karaktere dhe formoi individualitetin që e bënë atë aq të dashur në rrafshin kombëtar.

Personalitete nga vendi dhe bota kanë vlerësuar artin e tij. Viktor Eftimiu e cilësoi atë si “aktor të një spektri të gjerë që mund të matet me aktorë të mëdhenj përtej kufijve shqiptarë”.

U nda nga jeta para kohe nga një goditje cerebrale në vitin 1994, në moshën 53-vjeçare. Ishte pikërisht mosha kur Shpëtim Shmili mund t’i kishte dhënë akoma më shumë skenës dhe artit shqiptar.

Shpëtim Shmili ka pasur një jetë të gjatë artistike e mbushur me çmime, urdhra, medalje të ndryshme. Në vitin 1982, pas 17 vjet pune në skenën e teatrit “Skampa”, nderohet me medaljen “Naim Frashëri”. Ndërsa në vitin 1990 merr urdhrin “Naim Frashëri”, si dhe me disa çmime në aktivitetet e konkurrimit kombëtar të teatrove. Është nderuar edhe me medaljen e 45 vjetorit të Çlirimit dhe në vitin 1992 me titullin “Artist i Merituar”, me motivacionin “Për krijimin me nivel të lartë artistik të roleve e figurave në teatër e kinematografi”. Në 14 shtator 1999, në përkujtim të 5-vjetorit të vdekjes së tij, Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Qytetit Elbasan i dha titullin “Qytetar Nderi i Elbasanit”./atsh/ KultPlus.com

‘Madama Butterfly’ rikthehet pas një dekade në TKOB

Kryevepra e Puccini-t, “Madama Butterfly”, rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit, pas më shumë se një dekade, si një produksion i ri i “Festival Puccini di Torre di Lago”, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës.

TKOB bëri të ditur se opera do të ketë një koncept të veçantë regjisorial, nga Manu Lalli, me në qendër natyrën e gruas, që vdes nga mungesa e kujdesit, vëmendjes dhe dashurisë.

Libreti i shkruar nga Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa, trajton probleme shoqërore të rëndësishme, të cilat demaskojnë moralin e shoqërisë.

Geisha e bukur 15-vjeçare i qëndron besnike togerit amerikan Pinkerton dhe shpreson se ai do të kthehet në krahët e saj. Ndonëse kanë kaluar tre vjet nga ikja e tij, Butterfly tashmë nënë e një djali, fryt i martesës me Pinkerton, refuzon të nisë një jetë të re dhe ta harrojë të dashurin e zemrës. Ky i fundit, i martuar me një grua amerikane, kthehet në Nagasaki që të marrë të birin 3-vjeçar. E zhgënjyer dhe e dëshpëruar, Butterfly ia dorëzon djalin atij dhe vret veten.

“Madama Butterfly” vjen në TKOB në datat 26, 27, 28, 30 maj dhe 1 qershor. Por ndërkohë në TKOB po zhvillohen provat regjisoriale. Solistët e TKOB-së, së bashku me sopranon italiane Anna Pirozzi, e cila do të interpretojë rolin e Butterfly, po punojnë me regjisoren e famshme Manu Lalli dhe as/regjisoren Ada Gurra./atsh/ KultPlus.com

Bota është një vend i bukur

Lawrence Ferlinghetti.
Përkthyer nga Fadil Bajraj.

Bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
po s’të prishi punë lumturia
të mos jetë gjithmonë
bash burim kënaqësie
po s’të prishi punë ta shijosh ferrin
herë pas here
bash atëherë kur çdo gjë të shkon për qejfi
ngase bile as në parajsë
nuk këndojnë
gjithë kohën e lume

Bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
po s’të prishi punë që do njerëz vdesin
vazhdimisht
apo ndoshta vdesin urie
për një farë kohe
që nuk është bash aq keq
nëse nuk jeni ju

Oh bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
nëse fort s’ta ndien për
disa tru trumcakësh
që gjenden në pozita të larta
apo për një a dy bomba
që eksplodojnë herë pas here
në fytyrat tuaja të përmbysura
apo padrejtësi të tjera të tilla
si shoqëria jonë e famshme
që është pre
e njerëzve të saj të shquar
dhe njerëzve të saj të zhdukjes
dhe e priftërinjve të saj
dhe e policëve të tjerë

dhe e segregacioneve të saj të ndryshme
dhe e hulumtimeve kongresiane
dhe e kapsllëqeve të tjera
që trupi ynë i trentë
mund t’i trashëgojë

Vërtet bota është vendi më i mirë
për shumë gjëra të tilla siç është
skena zbavitëse
skena e dashurisë
skena e trishtueshme
këndimi i këngëve të dëshpërimit dhe pasja e inspirimit
endja andej-këtej
shikimi në çdo gjë
marrja erë luleve
qirja e statujave
dhe bile të menduarit
dhe puthja e njerëzve
lindja e foshnjeve dhe veshja e pantollonave
heqja e kapelës
dhe vallëzimi
notimi në lumenj
shkuarja në pikniqe
në mes të verës
dhe në përgjithësi
‘të jetosh sipas qejfit’
Po
ama bash në atë çast
vjen varrtari
buzagaz./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti udhëton për në Mal të Zi, merr pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, sonte Kurti do të marrë pjesë në darkën e liderëve të shtruar nga Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, ndërkaq nesër do të jetë folës në panelin e diskutimit “Situata aktuale dhe planet e së ardhmes – Plani i ri i rritjes”.

“Ky samit gjatë të cilit liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, po mbahet në Kotor të Malit të Zi nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, thuhet tutje në komunikatë.

Java Franceze e Kulturës, për herë të parë në Tiranë shfaqja ujore ‘Fous de Bassin’/ Veliaj: Falas për publikun

Për herë të parë në Tiranë do të zhvillohet Java Kulturore e Francës. Nga data 13 deri më 19 maj,  do të ketë aktivitete të larmishme si koncerte, ekspozita, shfaqje, kulinari, lojëra apo shfaqje cirku.

E veçanta e Javës Kulturore të Francës është patjetër edhe shfaqja ujore dhe piroteknike “Fous de Bassin” e cila vjen në datat 15 dhe 16 maj nga Ilotopie, trupa e mirënjohur e teatrit bashkëkohor në Francë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj fton qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj shfaqje magjike, ku 15 artistë do të performojnë në ujë, në Liqenin Artificial të Tiranës dhe gjithçka do të jetë falas për publikun.

Shfaqja nis në orën 20:00 dhe për 50 minuta, qytetarët do të ketë mundësinë të shijojnë muzikë origjinale, kostume dhe dekorime mbresëlënëse, të pa realizuar ndonjëherë në vendin tonë.

“Fous de Bassin” e cila organizohet nga kompania teatrore Ilotopie, më herët është shfaqur në të gjithë botën, nga Londra, Çikago, Sidnei, Buenos Aires, Singapor, Marseja, Lioni, Portugalia, Kolumbia, Venezuela, Maroku, Belgjika, Venecia apo Roma./topchanel/ KultPlus.com

Saran Suebsantiwongse dhe Alberta Troni performojnë sonte në ‘Chopin Piano Fest’

Sonte, në koncertin e dytë të festivalit të muzikës klasike  “Chopin Piano Fest” do të performonjë artistët Saran Suebsantiwongse- Bariton dhe Alberta Troni- Piano.

Saran Suebsantiwongse është bariton tajlandez, i cili është shkolluar në Shkollën e Muzikës në Manhattan dhe në Kolegjin Mbretëror të Muzikës. Alberta Troni është pianiste nga Kosova, vlerësimet e së cilës përfshijnë çmime prestigjioze nga gara të ndryshme nëpër Evropë.

Koncerti nis në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, në Prishtinë.

‘Ardhja e Karlit II në Hagë’ – vepër e veçantë e Johann Baptiste (15 maj 1660)

Piktura e realizuar nga Johann Baptiste Bouttats

Kjo pikturë interpreton ngjarjet që çuan në Restaurimin e Charles II. Ai tregon procesin e zbarkimit nga Charles II kur ai mbërriti në Hagë për t’u përshëndetur nga oborrtarët në plan të parë në të djathtë të figurës. Charles më pas u nis për në Angli në Scheveningen në ‘Naseby’, të cilin e riemëroi ‘Royal Charles’. Shtëpitë rreshtojnë figurën në të majtë, me kullat e Roterdamit të dukshme në distancë. Porti në të djathtë përfshin anijen nga e cila ai zbriti dhe një anije shfaqet duke gjuajtur një përshëndetje.Lexo Edhe:

Ka një linjë të karrocave dhe kalorësve të montuar, dhe përparimi në qytet u drejtua nga ushtarë të montuar. Ushtarët rreshtojnë gjithashtu rrugën në të djathtë, dhe disa shfaqen duke gjuajtur një përshëndetje. Njerëzit e zakonshëm në turmë janë përfshirë gjithashtu dhe në plan të parë në të djathtë një mjelëse ka derdhur kovë e saj.

Ajo këshillon disa djem, por nuk sheh të tjerët pas përgatitjes për të hequr pjesën tjetër të zgjedhës së saj. Qentë që ngrihen në plan të parë djathtas theksojnë se ky është një rast festimi./Liberale.al/ KultPlus.com

Përkujtohet piktori Guri Madhi në 103-vjetorin e lindjes

Më 15 maj të vitit 1923 lindi Guri Madhi, një prej artistëve më të rëndësishëm në historinë e artit shqiptar (1921 – 1988).

Piktori Guri Madhi është nga më të rëndësishmit e realizmit socialist. I përket brezit të piktorëve shqiptarë që në vitet ’60–’80, trajtuan temat kompozicionale historike duke ndërtuar karaktere dhe tipare fizionomike të shqiptarëve të kësaj periudhe.

103-vjetorin e lindjes së Artistit të Popullit, Guri Madhi e kujtoi sot përmes një postimi, ministri Blendi Gonxhja, i cili shkroi në rrjetet sociale se, Guri Madhi një nga piktorët më të mëdhenj shqiptarë, ishte ndër themeluesit e Universitetit të Arteve me mbi 400 vepra, në 33 vjet krijimtari.

Guri Madhi lindi në qytetin e Korçës ndërsa studimet e larta i kreu në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Pas studimeve u kthye në atdhe për të dhënë kontributin e tij. Gjithë jetën ia kushtoi krijimtarisë, e cila jo pak herë kapërceu kufijtë e realizmit socialist, duke sjellë edhe përjashtimin nga Partia e Punës. Por arti i Guri Madhit i mbijetoi sfidave dhe u flet ende brezave, edhe tashmë që autori nuk është më.

Galeria e Artit në Korçë mban emrin e tij./atsh/ KultPlus.com

Hapet qerthulli në rrjet për historinë e Prishtinës: rreth 100 dokumente origjinale në botim e sipër

Është çelur për publikun faqja digjitale ‘Prishtina në histori’ për një vështrim të parë. Është fjala për një grumbull digjital të teksteve, hartave, gravurave, fotografive dhe punimeve rreth historisë së qytetit të Prishtinës që kapin kohën prej fundit të shekullit 13 deri në vitete e para të shekullit 20.

Në Arkivin e Prishtinës, pjesë e Komunës së Prishtinës, rishtazi janë sjellë rreth 38,598 dokumente osmane, të cilat dokumentojnë historinë e Prishtinës prej shekullit të 15 deri në shekullin 20. Shumica prej tyre janë krejt të pastudiuara dhe të panjohura për publikun. Në anën tjetër, shumë studime, të cilat janë bërë bazuar në arkivat e Romës, Venedikut dhe Dubrovnikut mbesin në sirtarë të bibliotekave dhe njihen vetëm prej një grupi të vogël specialistësh.

Këto të dhëna, por dhe të tjera që kanë të bëjnë me të kaluarën e Prishtinë, nga arkiva, biblioteka e koleksione janë mbledhur dhe do të vazhdojnë të mblidhen në fazat e tjera të këtij projekti. Në mesin e materialeve të botuara janë edhe rreth 100 dokumente origjinale të përkthyera, si shtesë për tekstet e shkruara enkas, e artikuj të rëndësishëm nga e kaluara që meritojnë të lexohen më gjerësisht. Pjesa më e madhe e tyre janë botuar në këtë fazë fillestare.

“Formati i kësaj platforme, që ka për synim të mbledhë dhe bëjë të çasshme për publikun e gjerë burime dhe njohuri rreth historisë së qytetit (dhe rajonit) të Prishtinës, është pak i pazakontë. Nuk është revistë shkencore online, as nuk është faqe e promovimit të turizmit të qytetit, qysh zakonisht zhvillohen për qytete të ndryshme. Platforma mund të ketë ndonjë ngjashmëri me formatin e muzeve online, që janë zhvilluar dekadat e fundit, por megjithatë nuk mund të konsiderohet e tillë,” thotë në editorialin e platformës redaktori i saj, Yll Rugova.

Platforma është iniciativë e Trembelave me siglën botuese Varg nën mbështetjen e veçantë nga fondet e Komunës së Prishtinës, në partneritet të ngushtë edhe me Arkivin e Prishtinës. Janë këta të fundit që kanë bërë të qasshëm dokumentet nga arkivat osmane që në vitin 2018 janë sjellë në kopje digjitale te ky arkiv.

Vegëza e qerthullit: www.prishtinanehistori.org

Prishtina në Historiwww.prishtinanehistori.org

Kënga fituese e Eurovision vjen në shqip (VIDEO)

KODI (NEMO: THE CODE)

[Hyrje]
Uoah-oh-oh


[Strofa 1]

Mirësevini n’shfaqje,
le ta dinë të gjithë
mjaft kam luajtur,
do t’çlirohem nga zingjirët

Më mirë shtrëngohuni,
do ta mbush edhe një gotë
Kjo është bohemia ime,
pra pije, miku im

[Para-refreni]

Uh
Uh

Ky tregim është e vërteta ime

[Refreni]

Unë, unë shkova n’ferr e u ktheva
Për ta gjetur veten n’rrugën e duhur
E theva kodin, uoah-oh-oh
Sikur amonitet
Thjesht i dhashë ca kohë
Tash e gjeta parajsën
E theva kodin, uoah-oh-oh

[Strofa 2]

Ja t’jua tregoj një përrallë për jetën
Për të mirën dhe të keqen,
më mirë mbahuni fort

Kush vendos se ç’është e gabuar,
e ç’është e drejtë?
Gjithçka është e ekuilibruar,
gjithçka është e lehtë

Më sillen kaq shumë gjëra nëpër mendje
Kam qenë zgjuar gjithë natën
Jam kaq i ngazëllyer,
jam kaq entuziast
Është më e madhe se unë,
bo bëhem kaq i shastisur

[Para-kori]

(Oh) Më leni t’i shijoj uljet e ngritjet
(Oh) Më leni ta ndjej atë frikë djegëse
(Oh) Ky tregim është e vërteta ime

[Refreni]

Unë, unë shkova n’ferr e u ktheva
Për ta gjetur veten n’rrugën e duhur
E theva kodin, uoah-oh-oh
Sikur amonitet
Thjesht i dhashë ca kohë
Tash e gjeta parajsën
E theva kodin, uoah-oh-oh

[Ura]

Diku midis O-ve dhe 1-shave
Aty e gjeta mbretërinë time që erdhi
Zemra ime rreh si… —
Diku midis O-ve dhe 1-shave
Aty e gjeta mbretërinë time që erdhi
Zemra ime rreh si daulle

[Vokalizimi]

[Refreni]

Unë, unë shkova n’ferr e u ktheva
Për ta gjetur veten n’rrugën e duhur
E theva kodin, uoah-oh-oh
Sikur amonitet
Thjesht i dhashë ca kohë
Tash e gjeta parajsën
E theva kodin, uoah-oh-oh, uoah-oh-oh

(E përktheu: Ridvan Bunjaku)/ KultPlus.com