Një film për jetën e Amy Winehouseit mund të lansohet vitin e ardhshëm

Babai i këngëtares së ndjerë Amy Winehouse, Mitch, e ka bërë të ditur lajmin se një film për jetën e vajzës së tij mund të lansohet vitin e ardhshëm.

69-vjeçari, Mitch Winehouse, ka sugjeruar se projekti në fjalë do ta sjellë një portretizim më të sinqertë të këngëtares, e cila vdiq në vitin 2011, krahasuar me dokumentarin e Asif Kapadias të lansuar në vitin 2015, “Amy”, për të cilin thotë se e kishte portretizuar raportin e tij me të bijën, në mënyrë jo të saktë.

Duke folu për emisionin e Paul Dananit, “The Morning After”, Winehouse tha: “Jemi duke e përgatitur një film të këndshëm, po ashtu një mjuzikëll i Broadwayt do të vijë së shpejti, dhe kështu do të vëmë drejtësi duke e portretizuar bijën time Amy, ashtu siç ishte.”

Mitch po ashtu tregoi se skenari i filmit i cili do të jetë biografik, është në realizim e sipër, transmeton Koha.

Ai tha se do të jetë i përfshirë në çdo aspekt të realizimit të këtij projekti, përfshirë edhe përzgjedhjen e aktores e cila do ta portretizojë vajzën e tij të ndjerë.

“Përzgjedhja e aktorëve do të bëhet me ndihmën time dhe propozimet e producentëve të filmit. Ne do të fokusohemi te ndonjë aktore jo të famshme, teorikisht do të ishte mirë të jetë ndonjë grua çifute nga veriu ose jugu i Londrës, e cila duket dhe tingëllon sikur Amy,” ka shtuar tutje Winehouse.

Dokumentari i regjisorit Asif Kapadia, “Amy”, pas lansimit kishte arritur ta fitojë një shpërblim “Oscar” dhe dy nominime për çmim “BAFTA”, por Mitch Winehouse vazhdimisht e kishte quajtur këtë projekt një “turp”, pasi besonte se e portretizon atë si person lakmitarë. / KultPlus.com

Fotoreportazh: Amerika del ‘jashtë kontrollit’

Katër policë u qëlluan në St. Louis të SHBA natën e shkuar, teksa u mbush java me protesta të dhunshme pas vdekjes së George Floyd.

Ndërkohë një tjetër polic është qëlluar në kokë në Las Vegas, raporton Daily Mail. Skenat që vijnë nga SHBA tregojnë një vend jashtë kontrollit, shkruan gazeta.

Kjo situatë ka bërë që presidenti Donald Trump të paralajmërojë se do dërgojë ushtrinë në rrugë, njësoj si në trazirat e vitit 1992. Mijëra ushtarë do mobilizohen në mbarë vendin për t’i dhënë fund trazirave dhe mungesës së ligjit, tha Trump.

Daily Mail sjell këto foto nga trazirat në SHBA.

Prizrenit po i shtohet edhe muzeu për Nënën Terezë

Prizrenit po i shtohet edhe një muze. Para disa muajve, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me Fondacionin Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij – CHwB Kosova, për funksionalizimin e muzeut të Nënës Terezë, përcjellë KultPlus.

Ky projekt rrjedh nga marrëveshja kryesore “Shtegu kulturor Gjurmëve të Nënës Terezë”, i cili është bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Maqedoni e Veriut në kuadër të alokimeve IPA II 2014 dhe 2015.

Në objektin për muzeun e Nënës Terezë, i cili është ndërtuar në vitin 2010, përveç intervenimeve të detyrueshme në fasada, kulm, dysheme, mure dhe instalimeve të ngrohjes e ventilimit, do të vendoset edhe lifti për t’i mundësuar qasje personave me aftësi të kufizuara.

Komuna ka njoftuar që së shpejti do të bëhet edhe thirrja publike për mbledhjen e artefakteve dhe informatave rreth jetës dhe veprës së Nënës Terezë. / KultPlus.com

Rita Ora, Kylie Jenner, Ava Max, Rihanna dhe Stanaj i bashkohen fushatës “Black Lives Matter” pas vrasjes së Floyd

Vdekja e qytetarit nga Minneapolisi, George Floyd, i cili e humbi jetën pasi një polic i vuri gjurin në fyt për nëntë minuta, gjatë kohës sa po e arrestonte atë në Minnesota, ka bërë bujë të madhe në gjithë botën.

Ngjarja tragjike ndodhi javën e kaluar dhe nga atëherë, polici përgjegjës për vdekjen e afrikano-amerikanit, Derek Chauvin, është pushuar nga puna si dhe është paditur për vrasje të shkallës së dytë.

Veprimi i policëve të përfshirë në këtë ngjarje, cilësohet të ketë motive raciste dhe kështu ka shkaktuar protesta shpesh të dhunshme të cilat po vazhdojnë ende.

Fushatës “Black Lives Matter” i janë bashkuar edhe emrat më të njohur të muzikës në botë. Gjithashtu edhe këngëtarët shqiptarë me famë botërore si: Rita Ora, Ava Max e Stanaj, nuk kanë mundur ta neglizhojnë këtë rast. Përmes postimeve në Instagram ata i janë bashkuar fushatës.

https://www.instagram.com/p/CA7AetwHiQR/

Artistët kanë publikuar fotografi tërësisht të zeza në shenjë solidarizimi me njerëzit me ngjyrë. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CA7BRhBFV2r/
https://www.instagram.com/p/CA7QDV-Dy3D/
https://www.instagram.com/p/CA6_ckAHFvR/

Gratë shqiptare që kanë bërë histori

Ndër vite njerëzit janë frymëzuar nga figura të shumta të grave shqiptare të cilat kanë bërë histori. Guximi, fuqia, mençuria dhe vendosshmëria e tyre shpesh janë bërë inspirim për të tjerët.

Në sot po ju sjellim emrat e disa grave shqiptare që kanë bërë histori dhe vazhdojnë të kujtohen për të bëmat e tyre.

KUSHE MICJA ka hapur shkollën e parë femërore në Shkodër, në 1862.

SEVASTI QIRIAZI ka hapur shkollën në 1881 në Korçë.

PERSEFONI TRENI ishte drejtuesja e parë e një shkolle për vajza, në Pogradec në 1917.

URANI RAMBO hapi shkollën e parë femërore në Gjirokastër në 1920, dhe në 1923 bëri kërkesën në konferencat e grave që meshkuj e femra të shkolloheshin së bashku.

HAJRIJE KRAJA mësuesja e parë në një shkollë shtetërore, në Shkodër në 1920. Kanë thyer tabu dhe të gjitha vajzat që u regjistruan në shkollat e para të hapura nga zonjat e lartpërmendura.

POLIKSENI LUARASI nxënësja e parë e regjistruar në një shkollë djemsh, në Korçë në 7 mars 1887.

PARASHQEVI QIRIAZI ka organizuar shoqatën e parë të gruas, në Korçë në vitin 1909, e së bashku me Sevastinë, kanë botuar të parën revistë për gratë, “Ylli i Mëngjesit” në Boston në 15 janar 1917. Këto motra të famshme hapën dhe të parën shkollë të mesme për femra në Kamëz, Institutin Kiriaz, në vitin 1922.

IKBAL ÇIKA femra e parë gazetare shqiptare dhe e para pronare femër (botuese) e revistës ekonomike-letrare “Java” në 1937.

ELENI QIRICI, femra e parë shqiptare qe aktroi në Holivud,

Natyrisht që kanë thyer tabu të gjitha gratë e vajzat që guxuan të shkruanin e të botonin në shtypin e kohës, si Motrat Qiriazi, Kaliopi Plasari, Afërdita Erbapi, Emine Toptani, Shaqe Çoba, Urani Rumbo, Ikbal Çika, Marigo e Fereniqi Pozio, Musine Kokalari, Selfixhe Broja, Xhemalije Gjylbegu, Luçije Serreqi, Ollga Pëllumbi etj.

(Nga Fjalori Enciklopedik i Gruas Shqiptare” dr. Zenepe Dibra) / Albumi Akordet

George Clooney thotë se racizmi është pandemia e amerikanëve

Aktori i famshëm 59-vjeçar, George Clooney, përmes një eseje të postuar i është adresuar vdekjes së fundit të qytetarit nga Minneapolisi, George Floyd, i cili e humbi jetën pasi një polic i vuri gjurin në fyt për nëntë minuta, gjatë kohës sa po e arrestonte atë në Minnesota.

Ngjarja tragjike ndodhi javën e kaluar dhe nga atëherë, polici përgjegjës për vdekjen e afrikano-amerikanit, Derek Chauvin, është pushuar nga puna si dhe është paditur për vrasje të shkallës së dytë, transmeton Koha.

Veprimi i policëve të përfshirë në këtë ngjarje e cila bëri bujë në mbarë botën, cilësohet të ketë motive raciste dhe kështu ka shkaktuar protesta shpesh të dhunshme të cilat po vazhdojnë ende.

Prandaj, Clooney ka vendosur që përmes shkrimit të tij t’i lavdëroj reagimet e njerëzve ndaj trajtimit sistematik mizorë të afrikano-amerikanëve.

Në esenë e aktorit të postuar në “The Daily Beast”, shkruhej: “Sa herë i kemi parë afrikano-amerikanët në vendin tonë duke u vrarë nga policia? Tamir Rice, Philando Castile, Laquan McDonald, janë vetëm disa prej tyre prandaj nuk ka asnjë dyshim që, George Floyd, është vrarë me vetëdije të plotë. Në videot e postuara në rrjetet sociale ne e pamë atë duke e dhënë frymën e fundit, në duart e katër policëve. Dhe tani po e shohim një reagim tjetër të njerëzve ndaj trajtimit sistematik mizorë të një pjese të madhe të qytetarëve tanë, siç i kemi parë edhe në vitet 1968, 1992 dhe 2014. Ne nuk e dimë kur do të qetësohen këto protesta. Por shpresojmë dhe lutemi që askush tjetër të mos vritet. Gjithashtu jemi të vetëdijshëm që shumë pak gjëra do të ndryshojnë pas tyre.”

Ylli i filmit “Money Monster” bëri thirrje për ndryshime rrënjësore për t’i dhënë fund racizmit dhe paragjykimeve në vend, si dhe e krahasoi këtë situatë të tanishme me pandeminë e fundit të koronavirusit.

“Zemërimi dhe zhgënjimi që po e shohim teksa shpërthen sërish në rrugët e qyteteve amerikane, na e rikujton sa pak jemi rritur dhe zhvilluar si shtet nga mëkati ynë fillestar i skllavërisë. Fakti që nuk po blejmë dhe shesim qenie njerëzore, nuk është simbol nderi për ne. Kemi nevojë urgjente për ndryshim sistematik në zbatimin e ligjit dhe në sistemin e drejtësisë penale… Racizmi është pandemia jonë. Na infekton të gjithëve dhe pas 400 vjetëve, ne ende nuk e kemi gjetur një vaksinë për të,” shtoi tutje aktori.

Clooney gjithashtu e kritikoi presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe u kërkoi qytetarëve të vendit të votojnë në zgjedhjet e ardhshme për dikë që reflekton drejtësi themelore për të gjithë, në mënyrë të barabartë.

Aktori tha se nuk kemi nevojë për liderë të cilët nxisin urrejtje dhe dhunë, prandaj është e rëndësishme që secili amerikan të dalë dhe të votojë në zgjedhjet e muajit nëntor. / KultPlus.com

Zara Larsson e ka paralajmëruar albumin e ri muzikor

Këngëtarja e suksesshme suedeze, Zara Larsson, i ka ngacmuar fansat duke thënë se albumi i saj i shumëpritur që vjen pas incizimit të vitit 2017, “So Good”, do të lansohet së shpejti.

Pop ylli i njohur i muzikës e ka shfrytëzuar rrjetin social Twitter për t’i informuar fansat me të rejat rreth albumit të ardhshëm muzikor, me ç’rast tregoi se do ta lansojë atë shumë shpejtë pasi është në përfundim të fotosesionit për ballinën e tij.

“Lajmi i ri është se tashmë jam duke e realizuar fotosesionin për ballinën e albumit tim. Së shpejti do të jetë në dispozicionin tuaj,” kishte shkruar këngëtarja në mesazhin e saj.

Këngëtarja e hitit “Lush Life”, prej albumit të saj të fundit i ka lansuar edhe disa këngë të mirëpritura nga publiku si: “Ruin My Life”, “Don’t Worry Bout Me”, “Wow”, “All The Time” dhe “Like It Is”, që erdhi në bashkëpunim me dyshen, Tyga dhe Kygo.

Përditësimi rreth muzikës së re të këngëtares vjen pasi, Larsson, zbuloi se vjetëve të fundit i kishte hedhur poshtë disa materiale të cilat ia vlente t’i përmbledhë në një album, transmeton Koha.

22-vjeçarja simpatike po ashtu e pranoi se ka eksperimentuar shumë me këngët e albumit të fundit, deri sa ka vendosur në çfarë drejtimi të përcaktohet për muzikën e saj të re.

Ylli i hitit “Symphony” tha se këngët e reja po tingëllojnë shumë ‘seksi’, si dhe zbuloi që dy prej tyre janë realizuar me artistin britanik MNEK, me të cilin e kishte bashkëshkruar hitin, “Never Forget You”. Pritet të shihet nëse këto projekte do të arrijnë të përfshihen në albumin e ri të Larssonit. / KultPlus.com

Fjalët e fundit të George Floyd-it “fluturojnë” në qiellin e qyteteve amerikane

Fjalët e fundit të afrikano-amerikanit Geoerge Floyd, i cili vdiq në duart e policisë në Minneapolis, janë bërë parullë e fuqishme për protestuesit në Shtetet e Bashkuara.

Përderisa protestat kundër brutalitetit të policisë janë përhapur në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të botës, artisti Jammie Holmes e ka gjetur një mënyrë të re për ta përkujtuar thirrjen e Floyd-it për ndihmë – duke i dërguar ato në qiellin e pesë qyteteve të mëdha.

Gjatë fundjavës, pankartat me fjalët “Të lutem, s’po mund të marr frymë” dhe “Ata do të më vrasin” janë parë duke u tërhequr nga aeroplanët në qiell në Detroit dhe New York. Në tri qytete të tjera, në Los Angeles, Miami dhe Dallas, në pankarta shkruhej “Po më dhemb barku”, “po më dhemb qafa” dhe “gjithçka po dhemb”, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Floyd u shpall i vdekur pak kohë pas arrestimit të hënën e 25 majit. Polici Derek Chauvin është parë duke ia mbajtur gjurin mbi qafë për disa minuta, pavarësisht se afrikano-amerikani thoshte se nuk po mund të marrë frymë. / KultPlus.com

Kush ishte Xhejms Bondi i vërtetë, që frymëzoi personazhin e “Agjentit 007”

Në vitin 2014, lehtësimi i klauzolave të Ligjit britanik të Sekreteve, e lejoi një familje që kishte qenë gjithmonë kureshtare mbi angazhimin e gjyshit gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërorë, që të zbulonte se ai ishte në fakt një agjent sekret në jetën reale.

Një profesion mjaft intrigues, aq më tepër për një njeri të quajtur pikërisht Xhejms Bond. Stefën Filips, nipi i Xhejms Çarls Bond, pati mundësinë që shihte me sytë e tij dokumente dikur të klasifikuara si tepër sekrete, në të cilat ai zbuloi për habinë e tij të madhe, se gjyshi i tij ishte një oficer i shërbimit inteligjent britanik, dhe një anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale (SOE) gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Që në moshë të re, Filips thotë se mban mend që e gjithë familja ishte paralajmëruar nga autoritetet, të mos e pyeste gjyshin e tij mbi shërbimin e kryer në kohën e luftës. Gjithsesi Filips thekson se nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend që gjyshi i tij, Xhejms Bond, të kishte shërbyer në një grupim kaq elitar të shërbimeve britanike të sigurisë.

Xhejms Bond, nga Suonsi i Uellsit Jugor, ishte para luftës një punëtor në një uzinë të përpunimit të metaleve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe 6 vjet pas saj, ai punoi për llogari të shërbimit sekret SOE. Filips gjeti në dosjen e deklasifikuar, kopjen e një njoftimi të nënshkruar nga gjyshi

i tij më 3 qershor 1944, vetëm 3 ditë para zbarkimeve të D-Day në plazhet franceze të Normandisë.

Filips supozon se në atë kohë gjyshi i tij, ishte duke punuar pas linjave të armikut. Edhe më befasues është fakti, që Xhejms Bondi i vërtetë punoi nën urdhrat e Jan Fleming, shumë kohë para se ky i fundit të bëhej shkrimtar, dhe të fitonte famë me persionazhin e tij të mirënjohur tashmë, që mban të njëjtin emër.

Në kohën e luftës, Fleming ishte kreu i Inteligjencës Detare Britanike, dhe kishte për detyrë të ruante të gjitha sekretet. Ai ishte trajnuar si një operativ i SOE, dhe do të ndërmerrte misione të ngjashme me ato të kryera nga Xhejms Bondi i vërtetë.

Një tjetër dokument i deklasifikuar, tregon se në vitin 1942, Jan Fleming mblodhi një ekip operativësh të SOE dhe se midis tyre ndodhej edhe Xhejms Çarls Bond. Fatkeqësisht, detajet e atij operacioni janë ende të klasifikuara.

Jan Fleming pretendonte gjithnjë se personazhi i tij, Xhejms Bond, ishte emëruar sipas një ornitologu amerikan, dhe se ai e kishte zgjedhur atë emër për shkak të thjeshtësisë në shqiptim. Por Filips është i intriguar me të drejtë nga lidhja midis gjyshit të tij dhe Jan Flemingut, shërbimit që ata kryen bashkë gjatë luftës, dhe jetën e super-spiunit në librat e këtij të fundit.

Ai beson se historia me ornitologun amerikan, ishte një taktikë devijuese e përdorur enkas nga Flemingu për të mbrojtur Xhejms Bondin e vërtetë, duke respektuar kësisoj edhe klauzolat tepër të rrepta të Ligjit të Sekreteve Zyrtare.

Ekziston një legjendë familjare, sipas të cilës Xhejms Bond i tha dikur mbesës së tij, Xhenit, se ai ishte në fakt Xhejms Bondi i vërtetë, që shfaqej në libër dhe në filma. Por për këtë gjë nuk është thënë asgjë më shumë, dhe askush nuk dyshoi se në atë rrëfim mund të kishte diçka të vërtetë.

Pasi i shërbeu vendit të tij për 11 vjet, Xhejms Çarls Bond u largua nga ushtria, dhe rinisi sërish punën në uzinën e metaleve. Pasi u tërhoq nga kjo industri, ai u angazhua për disa kohë në disiplinimin e trafikut të automjeteve para shkollave në Laugor, një qytet afër Suonsit.

Filips po kërkon nga cilido që ka shërbyer me gjyshin e tij, që të kontaktojë me të. Ai do të donte të zbulonte më shumë se çfarë ka bërë gjyshi i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithçka që di ai deri më tani janë dokumentet e deklasifikuara, dhe një fotografi e vitit 1937 e një burri shumë të pashëm, me flokë të errët, i veshur me një kostum.

Ajo foto është e gjyshit të tij, por mund të jetë një foto publicitare e Xhejms Bondit tjetër. Xhejms Çarls Bond vdiq në vitin 1995 në moshën 89-vjeçare, pa ia zbuluar kurrë të shkuarën e tij interesante anëtarëve të familjes së tij. Ky zotëri, u betua seriozisht para eprorëve për respektimin e Ligjit të Sekreteve Zyrtare, dhe nuk u rrëfeu asnjëherë të afërmve se në çfarë misionesh kishte marrë pjesë gjatë ose pas luftës, transmeton Bota.al shkrimin e War History Online. / KultPlus.com

140 vjet nga lindja e Parashqevi Qiriazit, veprimtarja që punoi për emancipimin e gruas shqiptare

Më 2 qershor 1880 lindi Parashqevi Qiriazi (1880-1970), veprimtare e Lëvizjes Kombëtare dhe për emancipimin e gruas shqiptare, Mësuese e Popullit.

Parashqevi Qiriazi lindi në qytetin e Manastirit si motra e vogël e Gjerasim, Gjergj dhe Sevasti Qiriazit. Pas mbarimit të studimeve për letërsi në Kolegjin Femëror Amerikan (Womens College) në Stamboll (1904), u kthye në atdhe dhe iu kushtua mësuesisë.

Shërbeu në Shkollën Shqipe të Vashave të Korçës. Mori pjesë si delegate në Kongresin e Manastirit dhe botoi “Abetare për shkollat e para” (Manastir, 1909, 1911). Themeloi të parën Shoqëri të Gruas shqiptare në Korçë (21 janar 1909). Më 1912 vazhdoi disa kurse kualifikimi në Fakultetin e Pedagogjisë të Universitetit të Oberlinit (SHBA) dhe po atë vit hartoi programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. U kthye në atdhe më 1921 dhe u bë një nga themelueset dhe drejtueset kryesore të Insitutit Femëror “Kyrias” në Tiranë e Kamzë (1922-1933).

 Për shkak të qëndrimit të saj antifashist, më 15.10.1943 u internua nga Gestapoja në kampin Anhalt (Banjica). I mbijetoi vdekjes dhe pas mbarimit të luftës u kthye në atdhe. / KultPlus.com

Kryeministri i Rumanisë dënohet me 500 euro, piu duhan dhe nuk mbajti maskë në kabinet

Kryeministri i Rumanisë Ludovik Organ dhe katër ministra janë detyruar të paguajnë dënim pasi nuk respektuan “masat Corona-19”.

Ata, siç shkruan agjencia rumune e lajmeve Mediafaks, u detyruan të paguajnë dënim meqë nuk mbanin maska gjatë festimit të ditëlindjes së kryeministrit në kabinetin e tij, transmeton Koha.net.

Fotoja nga kremtimi i ditëlindjes u shfaq në opinion, për pasojë Orban u detyrua të paguajë 2.500 leja (rreth 500 euro), meqë nuk mbante maskë mbrojtëse, por edhe kishte pirë duhan në kabinetin e tij.

Dënime po me këtë lartësi u detyrua të paguaj edhe shefi i diplomacisë rumune, Bogdan Auresku, i cili po ashtu kishte ndezur cigaren. Ministri i Ekonomisë, Virgil Popesku, dhe ministri i Transportit Lucian Bode morën dënime më të buta, për mosmbajtje të maskës.

Nënkryetari i Qeverisë së Rumanisë’, Ralika Turkan mori dënimin më të ulët, “vetëm” 1000m leja, meqë në këtë festim kishte me vete maskën, por jo aty ku duhej ta mbante, në fakt rreth qafës, transmeton Koha.net. / KultPlus.com

Pas 3 muajsh i mbyllur, rihapet amfiteatri i Koloseut në Romë

Atraksioni më i njohur turistik në Itali, Koloseumi është rihapur këtë të hënë, pas tre muajsh i mbyllur për shkak të pandemisë së Covid-19. Koloseu me mijëra turistë do të mbetet një kujtim tashmë, pasi sipas rregullave të vendosura, vetëm një numër i kufizuar prej 200-300 vetësh do të lejohen brenda.

Një tjetër ndryshim është se vizitat do të bëhen me prenotime, do të ketë kontroll të temperaturës dhe maskat do të jenë të detyrueshme.

“Sot Kolosseumi rihapet, një vend i zemrës dhe shpirtit, një simbol për kulturën, Italinë dhe botën. Ne duam që kjo të jetë një shenjë shprese, paqeje dhe rilindjeje”, tha drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Colosseum, Alfonsina Russo.

Përgjatë vitit 2019, 7.5 milion njerëz e vizituan amfiteatrin, duke e bërë atë një nga monumentet më të vizituara në vend. I ndërtuar nga perandori romak Vespasian, amfiteatri mund të priste deri në 50.000 spektatorë që mund të shihnin përballjet e gladiatorëve, madje edhe ekzekutime. / KultPlus.com

Ndahet nga jeta albanologu Agron Fico, profesori që u mësoi shqip amerikanëve e kinezëve

Albanologu Agron Fico është ndarë nga jeta në moshën 82- vjeçare. Ai ishte studiues i etnokulturës. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë.

Në një mesazh ngushëllimi Akademia e Shkencave jep kontributet dhe vlerat që solli Agron Ficosi albanolog dhe kontribues në gjuhën shqipe.

”Profesori që u mësoi shqip amerikanëve e kinezëve” thotë Akademia e Shkencave teksa thekson se Fico ka kontribuar jo vetëm brenda vendit por shkencërisht edhe kulturën shqiptare jashtë vendit për 6 dekada. Po ashtu ai është vlerësuar edhe disa tituj nderi.

STATUSI NGA AKADEMIA E SHKENCAVE:

#AGRONFICO

Ndërron jetë studiuesi i njohur Agron Fico,
“profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve”

U nda nga jeta në mënyrë të papritur studiuesi i njohur Agron Fico, një prej dijetarëve që ia kushtoi tërë jetën trashëgimit shpirtëror të popullit shqiptar: etnofolklorit, pasurisë gojore, gjuhës së popullit dhe asaj të shkruar, traditave të kulturës popullore, gjenezës së popullit shqiptar.

Komisioni i artit dhe trashëgimisë i Akademisë së Shkencave, në të cilin prof. Agron Fico dha kontribut të vyer deri sa pati frymë, u shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve, gjithë bashkësisë së shkencave shqiptare, me të cilat qe e lidhur jeta e tij që prej mbi gjashtë dekadave. Kjo është një humbje e madhe për të gjithë ata që ia kanë kushtuar pasionet dijeve të identitetit dhe përurimit të vlerave shqiptare në botë.

Studimet e prof. Agron Ficos përbëjnë një pasuri dhe pikë referimi për studiuesit shqiptarë të disa fushave: në gjuhësi, etnokulturë dhe sidomos në epikën heroike legjendare. Personalitet i spikatur i botës shkencore shqiptare, prej disa dekadash, ai ka dhënë shumë në albanologjinë e brendshme dhe të jashtme.

Puna e këtij albanologu dhe studiuesi të palodhur është e lidhur ngushtë për disa dhjetëvjeçarë me disa fusha kërkimi e studimi.

Në punën dhe përpjekjet e palodhura të këtij njeriu me interesa të gjera e të shumanshme veçojmë ndihmesat e tij shkencore jashtë vendit kushtuar kulturës shqiptare, në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për popullin shqiptar organizuar në SHBA, Kinë, Greqi, Rumani e Turqi. Në vitin 2000 ai përfaqësoi vendin tonë në Kongresin VI Botëror për çështje të postkomunizmit në Europë e gjetkë, mbajtur në Finlandë.

Studiuesi Agron Fico është i pari studiues që, pas një pune këmbëngulëse dhe plot pasion, arriti të këshillojë koleksionin e famshëm Parry-Lord që ruhet në bibliotekën e Universitetit të Harvardit, që përmban mbi 60 këngë epike historike dhe legjendare kënduar nga rapsodë bilingë, shqip e serbokroatisht, mbledhur gjatë dy ekspeditave të homerologëve të famshëm amerikanë Milman Parry dhe Albert Lord në Shqipërinë e Veriut dhe në Sanxhak e Novi Pazar.

Veprimtaria studimore dhe ajo universitare janë të pandara në jetën e prof. Agron Ficos. Përveç Universitetit të Tiranës, ai jo vetëm ligjëroi, por dhe bashkëthemeloi katedrën e gjuhës shqipe në Pekin dhe gjysmë shekulli më vonë edhe katedrën e shqipes në Boston. Prandaj ai është quajtur me të drejtë “profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve”.

Për meritat e tij të rralla Agron Fico është nderuar me “Çmimin e Republikës” dhe me mirënjohjen më të lartë universitare të Kinës për arritje akademike. Emri i tij gjendet midis emrave të profesorëve më të shquar universitarë amerikanë në leksikonin “Who’s Who Among American’s Teachers” (bot. 2000). Në dekadat e fundme ai ishte nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve. Ai është nderuar me titullin “doctor honoris causa” prej Universitetit “Eqrem Çabej” dhe ishte qytetar nderi i Gjirokastrës.

Akademia e Shkencave humbi një mik, koleg e bashkëpunëtor të vyer, shkencat shqiptare do ta ndiejnë mungesën e mendjes së tij.

Prehu në paqe, miku ynë Agron Fico!

Disa nga veprat e prof. Agron Ficos:
“Profesor në tre kontinente” (SHBA 2004);
“Diaspora e rilindur” (Tiranë 2006);
“Rilindja e Shqipërisë etnike” (Tiranë 2009);
“Beautiful America” (Tiranë 2014);
“Zbulimi i eposit shqiptar në Harvard” (Tiranë 2016).

Tekste shkollore dhe universitare për të huajt:
“Gjuha shqipe”, metodë për studentët amerikanë;
“Unë flas shqip”, metodë e gjuhës shqipe për të huaj;
“Metodë e gjuhës shqipe”, I-IV, tekst për studentët kinezë;
“Histori e Shqipërisë”, tekst për studentët amerikanë. / KultPlus.com

Këpucëtari rumun krijon këpucët anti-Covid

Distancimi social ka qenë një ndër rregullat kryesore që është kërkuar nga autoritetet shëndetësore në mbarë botën për të parandaluar përhapjen e virusit të ri Covid-19.

Shumë njerëz janë përpjekur të gjejnë zgjidhje për të zbatuar këtë rregullur duke krijuar kapele të çuditshme apo veshje të ndryshme për të mbajtur larg personat e tjerë në distancën e kërkuar nga autoritetet.

Një këpucar rumun ka sjellë risinë e fundit në listën e objekteve të krijuara për ruajtjen e distancimit social. Duke parë se shumë njerëz me dashje ose jo nuk e zbatojnë këtë rregull ai ka prodhuar një lloj të ri këpucësh me zgjatime përpara përtej normales për parandaluar afrimin mes njerëzve duke parandaluar kështu sipas tij përhapjen e koronavirusit.

Këpucari quhet Grigore Lup dhe është nga qyteti i Cluj dhe duhet thënë që krijimi i tij ka një sens logjik, por aspak estetik pasi këpucët fillojnë nga numri 75 dhe janë me të vërtetë të vështira për të ecur.

Bota solidarizohet me protestuesit amerikanë, mbahen protesta në shumë qytete

Mijëra persona në pjesë të ndryshme të botës kanë protestuar kundër vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd për t’u solidarizuar me protestuesit amerikanë.

Në Amsterdam të Holandës, rreth tre mijë persona u mblodhën të hënën në Sheshin “Dam” për të protestuar kundër brutalitetit të policisë dhe pabarazisë racore, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Në Rio de Janeiro të Brazilit, protestuesit u mblodhën të dielën përballë pallatit të guvernatorit për të protestuar në përkrahje të personave me ngjyrë.

Në Paris të Francës, një grup i vogël i protestuesve paqësor, i cili i përfaqësonte organizatat franceze kundër racizmit, u tubuan të hënën afër Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Në Londër të Anglisë, policia ka arrestuar protestues gjatë fundjavës për shkak të shkeljes së masave kufizuese pasi ata marshuan për t’u solidarizuar me protestuesit amerikanë.

Protesta ka pasur ose janë planifikuar edhe në Australi, Gjermani, Irland, Greqi dhe në disa vende të tjera.

Përkrahje për këto protesta kanë ofruar edhe disa liderë botërorë. Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se është e tmerruar nga vdekja e George Floyd-it dhe i mirëpriti protestat paqësore në vendin e saj. / KultPlus.com

Kryqi i Kuq i Kosovës është mirënjohës për mbështetjen e donatorëve gjatë pandemisë Covid-19

Që nga fillimi i pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19, Kryqi i Kuq i Kosovës ka përqendruar të gjitha aktivitetet për të ndihmuar komunitetet në nevojë në tërë Kosovën. Për shkak se mirëqenia e të gjithëve është prioriteti kryesor, Kryqi i Kuq i Kosovës vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me palët e interesuara për të ofruar shërbimet e tyre në mënyrë të sigurt dhe të koordinojë aktivitetet me partnerë në mënyrë që ndihma të arrijë tek të gjithë ata që kanë nevojë.

“Çdo ditë, njerëzit kërkojnë mbështetjen nga Kryqi i Kuq i Kosovës për t’i ndihmuar në zbutjen e vështirësive të tyre. Për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë gjatë kësaj krize të shëndetit publik, Kryqi i Kuq i Kosovës me mbështetjen e partnerëve të ndryshëm ka bërë përkrahjen e familjeve në nevojë me pako ushqimore, higjienike, dhe jo vetëm familjet në nevojë, por edhe institucionet shëndetësore me tenda, qendrat e azil kërkuesve, karantinat e improvizuara, komunitetet dhe grupet e tjera në nevojë. Kryqi i Kuq i Kosovës është mirënjohës për të gjithë stafin dhe mbi 300 vullnetarë që punojnë pa u lodhur për t’u ndihmuar atyre që u shërbejmë. Gjithashtu Falënderim të veçantë për të gjithë mbështetësit, partnerët dhe donatorët të cilët me kontributin e tyre e kanë lehtësuar përmbushjen e misionit të Kryqit të Kuq të Kosovës. Një nga këta donatorë është Coca-Cola Foundation të cilët me kontributin e tyre kanë bërë të mundur që të përkrahen 830 familje me 4,150 anëtar, me pako ushqimore dhe higjienike”- deklaroi Agron Humolli, Sekretar Gjeneral i Kryqit të Kuq të Kosovës.

Coca-Cola System ka qenë një nga përkrahësit dhe partnerët e Kryqit të Kuq të Kosovës gjatë kësaj krize dhe ka ofruar mbështetje me dhurimin e produkteve për vullnetarët e saj

dhe gjithashtu donacion financiar që do të përdoret për të ndihmuar përpjekjet e Kryqit të Kuq të Kosovës gjatë pandemisë Covid-19.

“Coca-Cola System po operon në 28 tregje dhe kudo që ndodhemi ne po mundohemi të jemi një partner i vlefshëm për komunitetin ku jetojmë dhe punojmë. Coca-Cola System është këtu për t’a mbështetur komunitetin e Kosovës, veçanërisht stafin mjekësor dhe vullnetarët, të cilët janë në linjat e para të luftës me Covid-19. Duke dhuruar produktet tona për ta, ne jemi duke u përpjekur t’i bëjmë ditët e tyre pak më të lehta dhe deri më tani kemi dhuruar 43,000l të produkteve tona për punëtorët mjekësorë, vullnetarët dhe qytetarët në nevojë. Për më tepër, ne jemi duke ndihmuar përpjekjet e Kryqit të Kuq të Kosovës përmes një donacioni financiar prej 50,000 USD, i cili do të përdoret për të ndihmuar komunitetet dhe familjet në nevojë nëpër qytete dhe fshatra rreth Kosovës me pako ushqimore dhe higjienike” deklaroi Ilir Cakolli, përfaqësues i Coca-Cola System. / KultPlus.com

11-vjeçari shqiptar bën muzikë në ballkonin e tij në Britani të Madhe, grumbullon 1000 paund për mjekët

Djaloshi 11-vjeçar Thomas Ormond, me origjinë shqiptare, ka organizuar shfaqje muzikore nga ballkoni i shtëpisë së tij në Highgate të Britanisë së Madhe, në shenjë falenderimi për të gjithë mjekët që po luftojnë në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19.

Gazeta britanike “Ham and High” ka shkruar se 11-vjeçari shqiptar  përmes shfaqjeve të tij me violinë, ka arritur të grumbullojë 1000 paund, fonde të cilat do t’u dhurohen mjekëve.

Ai shprehet se ndihet shumë i lumtur ndërsa thekson se do të vazhdojë nismën e tij që të mbledhë para për të gjithë personelin mjekësor gjatë periudhës së izolimit.

Për një gjest kaq human nëna e 11-vjeçarit shqiptar shprehet se  ndihet krenare që djali i saj  po shfrytëzon  kohën dhe talentin e tij për t’u ardhur në ndihmë njerëzve gjatë kësaj krize të pandemisë  Covid-19.

“Ndihem shumë krenare që ai po përdor kohën dhe aftësitë e tij për të bërë diçka në të mirë të njerëzimin”, është shprehur Kim.

Ndërsa për Thomasin mbledhja e fondeve në mënyrën e vetme që ai ka mundësi është e bukur, sepse do të ndihmojnë vërtet shumë njerëzit dhe mjekët që të jenë të sigurt në këto ditë të vështira, prandaj ai ndihet i lumtur për këtë fakt.

Mendova se do të ishte një gjë e bukur të mbledhësh para për NHS.  Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që po e bëj këtë për NHS”, ka thënë ai. / KultPlus.com

QRTK në Prizren ka përgatitur projekt propozimin e Muzeut të Dhunës

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka zbatuar projektin “Hulumtimi dhe dokumentimi i ish-burgut në ndërtesën e QRTK-së Prizren.

Synimi i veçantë i këtij projekti ishte hulumtimi dhe grumbullimi i shumë materialeve, përfshirë dokumente arkivore, fotografi, intervista me dëshmitarë të kohës, ish të burgosurit politik dhe familjarët e tyre, duke dokumentuar dhe faktuar rrëfimet për ish burgun e OZN-ës në Prizren gjatë viteve 1945-65.

Gjatë procesit të punës, ekipi fillimisht është angazhuar në grumbullimin e materialeve të ndryshme arkivore të siguruar nga Agjencia Shtetërore e Kosovës, Arkivi Ndërkomunal i Prizrenit, Shoqata e të burgosurve politik shqiptar – dega në Prizren, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Biblioteka e qytetit të Prizrenit, etj. Pos materialeve arkivore, informata të rëndësishme janë siguruar edhe nga botimet e ndryshme shkencore të cilat janë prezantuar nëpër konferenca të ndryshme në të kaluarën. Gjatë hulumtimit, paralelisht janë realizuar edhe intervista me dëshmitar të kohës, kryesisht të moshës së shtyrë, intervista me të burgosurit, të cilët janë akoma gjallë, intervista me familjarët e të burgosurve politik, intervistë nga historianët, të cilët kanë  rrëfyer për  ngjarjet e periudhës së viteve 1945-1965

Bazuar në të gjitha dëshmitë e dokumentuara, së shpejti do të finalizohet edhe dokumentari televiziv i cili do të paraqet përjetimet dhe dëshmitë rrëqethëse të dënuarve politikë shqiptarë që kishin punuar për çlirimin e Kosovës nga ish Jugosllavia, veçmas ata që kanë kaluar nëpër zyrat e UDB-ës së Prizrenit gjatë kësaj periudhe kohore.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren theksoi se   referuar dokumenteve të shumta arkivore të cilat janë grumbulluar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore është përgatitur propozimi i projektit “muzeu i dhunës”, i cili do të propozohet për zbatim në të ardhmen e afërt nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me funksionalizimin dhe shndërrimin e ndërtesës në hapësirë muzeore, do të shpalosen dhe vizualizohen pamjet e shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte shtypjen e popullit tonë me dekada të tëra,  ka theksuar drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha. / KultPlus.com

Ramë Lahaj kthehet në Kosovë me ide të reja

Drejtoresha e Komunës së Prishtinës, Blerta Basholli është takuar sot me tenorin Ramë Lahaj.

Një tenor që ka performuar në skenat më të mëdha botërore, është kthyer në Kosovë me ide të reja.

Basholli, përmes një statusi në Facebook ka njoftuar që në këtë takim është biseduat që koncerti “Ramë Lahaj & Friends” që u mbajt vitin e kaluar në Sheshin “Skënderbeu” po pretendohet të bëhet tradicional, kjo për arsye që ky koncert është pëlqyer shumë dhe shikueshmëria ka qenë e lart.

“Është shumë interesant dhe i bukur fakti që artistët Kosovarë shkojnë kah të shkojnë, por përsëri kthehen në Kosovë të bëjnë projekte dhe kam përshtypjen se ndjehen shumë më mirë se kudo . Kjo i ofron mundësi edhe audiencës për të parë punën e jashtëzakonshme që ata bëjnë jashtë vendit, por edhe promovon vendin tonë në mënyrën më të bukur të mundshme. E siç e kemi thënë shumë herë, kush mund t’a promovojë më mirë vendin se sa artistët?

Një tenor i talentuar që ka perfomuar në skenat më të mëdha botërore e me artistët më të mëdhenj të operas, Ramë Lahaj përsëri kthehet me ide të reja në Kosovë”, ka shkruar Basholli.

Krejt për fund ajo ka thënë që është kënaqësi që bashkë më Ramën të bëjnë bashkëpunime të reja.

“Kënaqësi gjithmonë me u taku e me bisedu për mundësitë që të bëjmë bashkëpunime të reja, e ato të vjetrat t’i kthejmë në tradicionale me Ramë Lahajn.”

Si duket bashkë me ditët e nxehta të verës do të vijë edhe një koncert nga tenori Ramë Lahaj të cilin padyshim që do ta mirëpresin qytetarët e Kosovës me shumë entuziazëm. / KultPlus.com

Vdes Christo, gjeniu bullgar i artit bashkëkohor

Artisti Christo, i njohur për realizimet e tij të përmasave të mëdha që konsistonin në mbështjelljen e jashtme të monumenteve si Pont-Neuf në Paris dhe Reichstag-un e Berlinit, vdiq sot në moshën 84-vjeçare, njoftuan bashkëpunëtorët e tij.

”Artisti Christo Vladimirov Javacheff, i lindur në Bullgari, vdiq për shkaqe natyrore më 31 maj 2020 në shtëpinë e tij në Nju Jork”, sipas një mesazhi të postuar nga zyra e tij në faqen Facebook.

Ky njeri, me siluetë hollake, me flokë gjysmë të gjatë të bardha, formonte me bashkëshorten e tij një prej çifteve më të mediatizuar të artit kontemporan që ata shënuan me veprat e tyre në vend.

Së bashku me bashkëshorten, Jeanne-Claude Denat, artisti ka qenë një nga protagonistët e vlerësuar, po aq sa i diskutuar, veçanërisht me instalacionet e tij madhështore, që në disa raste ndryshonin përkohësisht peizazhin e qyteteve dhe zonave të përzgjedhura.

Shpikës i një lloji të ri artistik  “mbulimi i hapësirës” Christo kishte realizuar mbështjelljen e Pont-Neuf në Paris (1985) dhe të Reichstag-ut në Berlin (1995).

“Christo e jetoi jetën e tij plotësisht, jo vetëm duke imagjinuar atë që dukej e pamundur, por duke e kuptuar atë. Puna e Christo dhe Jeanne-Claude mblodhi njerëz në përvojat e përbashkëta në të gjithë botën dhe puna e tyre vazhdon në zemrat dhe kujtimet tona”, shkruajnë bashkëpunëtorët e tij në mesazhin e tyre./ atsh/ KultPlus.com

Aprovohen bursa të plota për studime në Belgjikë për studentët kosovar

Kolegji Universum lider i mundësive reale ndërkombëtare për studentë dhe staff për shkëmbim semestral, këtë po e dëshmon fakti se deri tani këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë i janë aprovuar 114 marrëveshje me universitete në 26 shtete të Evropës dhe Turqi. Së fundmi, gamës së bashkëpunimeve i është shtuar edhe projekti tjetër për BURSA ndërkombëtare në Belgjikë.

Studentët e Kolegjit Universum do kenë mundësinë të studiojnë për një semestër në institucionin më të madh të shkencave të aplikuara në “Thomas More University of Applied Science” në Belgjikë.

Të gjithë studentët përfitojnë shkollim falas, kompenzim mujor 850 euro dhe 275 euro kompenzim për shpenzime të transportit.

Kolegji Universum, mbetet lider për mundësitë ndërkombëtarë për studentët! Deri sot 247 studentë të Kolegjit Universum dhe 105 staf akademik dhe administrativ kanë përfituar nga kjo mundësi.

Së shpejti do të shpallet thirrja për aplikim për shkëmbim semestral në këtë universitet me bursë të plotë.

Për informata shtesë kontakto Kolegjin Universum në [email protected], ndiqni faqen në facebook & instagram apo telefononi në +383 44 144 062.

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

Belgium2.jpg
img_7379-01.jpg

“Kot asht m’u krenue me emnin tim, derisa jeni ba pikë e pesë si zogjt e qyqes”


Nga Bajram Mjeku

Gjergj Kastrioti
monolog

Kam me dalë nga gzhoja e bronztë
nji natë të ftoht’ kur as hana nxenë
zap kam me i ba djemtë e Arbnit
katër vilajetet me i shti nën stemë.

N’Fushë t’Kosovës me ju rreshtue
në eskadrone të luftës, në vijë t’parë
Garda e Arbnit ka veç nji shpirt, ka veç
nji kryekomandant, tjerët ushtarë.

Kot asht m’u krenue me emnin tim
derisa n’toka të Arbnit luhet bixhoz
jeni ba pikë e pesë si zogjt e qyqes
në t’gjitha vilajetet jeni mbyllë n’kafaz.

Pa le dielli hingëllima e hamshorit
Gjumin e randë beft’ ka me ua nxjerrë
Pesëqind vjet ishin dimna të gjatë
N’terr të Topkapisë truni ynë ka fjetë.

Në Kosovë, n’djepin e shqiptarisë
vojvodët e heshtun ende janë n’pritë
nën sjetull me kryet e Car Lazarit
natën pa hanë me vrap kanë me ikë.

Kur jeni ngushtë m’thirrni Gjergj
Kur lëvdoheni m’thirrni Skënderbe
Me dy ftyra toka e Arbnit s’mbrohet
Jetohet dhe vdiset për Atme e Fé. / KultPlus.com

Bajram Mjeku

Fillon ndërtimi i shtëpisë në Bubq, financuar nga Bebe Rexha

Pas tërmetit të datës 26 nëntor, këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Bebe Rexha vizitoi fshatin e Bubqit në të cilin premtoi rikontrukturimin e një prej shtëpive të dëmtuara, me paratë e mbledhura në një kohë rekord.

Së fundmi me anë të një postimi në ‘Instagram’ ka qenë Bes Kallaku ai i cili ka zbuluar se puna për rindërtimin e shtëpisë ka nisur.

“Ka nisur ndërtimi i shtëpisë së Musait.

U shemb një shtëpi e larë me lot dhe dhembje prej fatkeqsive dhe me bekimin e zotit po ngrihen themelet e reja mbi guret e buzëqeshjes dhe gëzimit të zemrës. Faleminderit @beberexha bekuar qofsh”, ka shkruar Kallaku krah pamjeve në ‘Instagram’.

Kujtojmë se shumë emra të njohur dhanë kontributin e tyre gjatë tragjedisë së orëve të para të mëngjesit më 26 nëntor, duke ndihmuar të gjithë ata që kanë pasur nevojë. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CA2pPYmnkR8/?utm_source=ig_embed

NASA sjell imazhe jashtë botës sonë

Male të mbuluara plot me dëborë, hapësira qiellore, galaktika, Hëna, Toka dhe Dielli, këto janë disa nga shkrepjet më fantastike të NASA-s.

Foto të cilat tregojnë shumë për të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit.

“Imazh i ditës, por të gjitha fotot janë jashtë kësaj bote”, kështu ka preferuar NASA t’i përshkruajë fotografitë e përzgjedhura. / KultPlus.com

Image