Çfarë e shtyen njeriun ta publikojë jetën personale në rrjete sociale?

Fillimisht ajo që duhet të sqarojmë është ajo për të cilën duhet vetëdijesohemi. Se për çfarë funksionon Facebook dhe një mori mundësisht të komunikimit, secili nga ne është në dijeni, por fare pak prej nesh e shndërrojnë funksionalitetin e këtyre kapaciteteve në një qasje vullnetmirë të shfrytëzimit bujare që ofron teknologjia. Imagjinojeni se çfarë mizorie, çfarë kaosi dhe kolapsi do të sillnin ndryshimi i destinacionit që kanë secili komponent i ekzistencës, që nga organet tona deri tek mekanizmi i fshehtë i komunikimit dhe ndërveprimit të hapësirës me planetin tokë dhe tërësinë e trupave të tjerë galaktikë.

Fal vlerësimit rigoroz të funksioneve te çdo ndërvepruesi, pjesë e së cilës jemi dhe ne, bota dukshëm, shpërfaq një harmoni perfekt të veprimit dhe ndërveprimit, që nga trilionat e baktereve që drejtojnë funksionimin normal të trupit tonë, deri te reciprociteti i gjallimit të çdo krijese, fal të cilave ndodhin shumë fenomene, dhe rrjedhimisht njeriu ende nuk ka mundur ta rroki plotësisht me njohje.

Në këtë spektakël të komunikimit të së dukshmes dhe pakapshems nga receptorët tanë vetëdijësues dhe njohës, njeriu bën përjashtim, e sotmja vë në evidencë. Ai tregon me këmbënguljen e çdo force që vë në lëvizjes gjërat, se është i destinuar të jetë jo vetëm kundërrrjedhë, por edhe kundërspecie, jo vetëm egoist por edhe sadist, jo vetëm patetike dhe jargavitës deri në poshtërim, por edhe arrogant dhe megaloman… përtej çdo caku. Ndaj kujt? Ndaj vetes, asaj brenda strukturës anatomike, dhe ndaj tërësisë së botëkuptimit dhe ndjimit.

Atëherë, e nisi me pyetje.

– Çfarë ndryshon në jetën e njeriut publikimi në rrjetet sociale i diçkaje personale, foto apo video qoftë ajo?

– Cilat është arsyeja që shtyn atë që të bëjë të njohur, minimalisht miqve të tij/saj, virtual, se çfarë ai/ajo po bën, ku ndodhet dhe me se po merret, për sa kohë që vetëdija nuk e kanalizon këtë qëllim me idenë fikse të informimit apo faktit?

– A janë shtysat; të egoizmit, inateve, mendjemadhësisë, smirës dhe cinizmit, apo narcizmit ato që shtyjnë një person të tregojë, me foto apo me video, me ligjërim fin e grotesk surrogat, se ku ishte për drek, me kë po darkon, kush e shoqëron për kafe, ku po i bën pushimet, etj.?

– Këtë manifestim vetëmburrjeje dhe megalomanie e bëjmë thjeshtë për një kënaqësi vetjake, të cilën dikush dëshiron ta ndaj me dikë tjetër, apo një zemërplasje qëllimligë, deleguar për atë mik apo mike, me të cilin/cilën, jeta nuk është treguar aq bujare dhe dorëlëshuar, aq e begatë dhe shpërblyese, sa t’i japë mundësi të shkojë për fundjavë atje ku dëshiron, apo me pushime atje ku ka ëndërruar, për drekë apo për darkë, për kafe apo për meditim, diku që do të dëshironte?

– A mund të jetë kjo dashakeqësi vetëmburrjeje një instrument persekutimi ndaj atyre miqve jofatlum, apo thjeshtë një nevojë për të rritur kredencialet në sytë e tyre, apo për t’u “hakmarrë” ndaj asaj që nxit ata të jenë gjithmonë aty, ku nuk do të mund të ishte subjekti i rënë pre e “sulmit”?

– Ku ndryshon kjo megalomani, kjo propagandë e mburrjes, nga ai arsenal mjetesh bullizmi, ndaj të cilit kemi shprehur qëndrimin kundërshtues, të paktën sepse kështu kërkohet, apo ky pozicionim na mban në fokus?

– Kjo mendjemadhësi, a është një fyrje dhe denigrim që i bëjmë qëllimkeq miqve dhe të njohurve, jeta e të cilëve është një kalvar mes halleve të familjes dhe sfidës së çdoditshme të luftës për të fituar bukën e gojës?

– Ku ndryshojnë mjetet e torturës psikologjike nga propagandimi i të mundshmes ëndërruese në sytë dhe vëmendjen e atyre fatkeqe, që e vetmja gjë që u mbetet është të shfrejnë me hidhërim, të turfullojnë toksinë, të shajnë e të mallkojnë veten… dhe të ndejnë një lloj neverie për ata, egoja e të cilëve nuk ka mëshirë tu rrëmojë plagën që u dhëmb?

– Pse duhet që kënaqësitë, me të cilat na shpërblen mundësia, dhe çastet tona të lumtura që vjelim në pemën që i kemi shërbyer me përkushtim, domosdo duhet t’i ambalazhojmë me fatin dorështrënguar të një miku apo mikeje?

– Pse duhet që armiqësinë me “miqtë” tanë virtual apo edhe më shumë, të afërmit dhe dashamirët, ta shprehim nëpërmjet atyre momenteve, me të cilat na ledhaton fati?

– A mjaftojnë vallë gjithë këto mundësi vetëmburrjeje për të mbushur atë zbrazëti që ka krijuar brenda nesh ambicia dhe egoja, për të bërë dhe për të përjetuar, jo çfarë na bën të lumtur, por çfarë na bën sadist?

– Edhe nëse mundësia dhe fati ishte aq bujar me ju, a do të ishte më mirë që atë kupë kënaqësie ta rrëkëlleje për dehjen tënde, apo ta derdhje si një enë me acid mbi fytyrën e shushatur apo surratin e shtrembëruar të një miku?

– Pse duhet të jete qëllim në vete, që momentet e gëzimit t’i shndërroni në nxitës së një miqësie urryese, të një afiniteti hipokrit, apo të një lëvdate gërryese?

– Natyra ashtu siç na ka dhënë një numër të pamat mundësish për të ndërtuar brenda vetes një realitet ekuilibrash të përsosur të bashkëveprimit me gjithçka rreth nesh, çfarë është ajo që na shtyn që ne t’i vëmë kazmën këtij perfeksioni?

– A i’a vlen të përpiqemi që në vend që të jemi mirënjohës mundësisë që jeta na shpërblen me kaq shumë ngjyra dhe hare, dritë dhe dëshirim, gaz dhe dashuri, të ushtrojmë atë pushtet “mizor” të vetëkënaqësisë, megalomanisë dhe mburrjes, ndaj kujt, atyre që kemi zgjedhur t’i kemi miq dhe dëshirojmë t’i mbajmë si skllav dhe të nënshtruar të veseve tona të ultë dhe qëllimsive tona dashakeqe?

Pse duhet që jeta jonë virtuale të kërkojë t’i ngjasojë një telenovele, një realiteti fasadë, gjithnjë e më pak interesant, gjithnjë e më shumë refuzues?

Cili nga ne u mburr me punën që bën, dhe tregoi me mburrje djersën e ballit si një medaljon krenarie dhe ngadhënjim misionari?

A nuk është përpjekja jonë për ta paraqitur gjithnjë e më shkëqyese veten në sytë e të tjerëve, një lloj shtirje dhe manipulimi, i ngjashëm me atë që përdor politika për të kamufluar veprën e vet të poshtërsisë dhe plaçkitjes?

Pse duhet të kemi frikë të themi gjithnjë atë që mendojmë dhe të vendosim domosdoshmërisht veten në anën e gabuar, vetëm e vetëm për treguar se ne nuk jemi si gjithë të tjerët?

A kemi menduar ndonjëherë se ana e pasme e çdo medaljoni është e errët dhe do të ishte më shumë se kaq, nëse përpjekja jonë që anën e ndritshëm të saj të jetë sa më shumë e ilustruar me gjëra të paqena dhe trajta ireale?

Nëse miqtë që nuk na njohin kanë një arsye më shumë për të besuar se guaska ku ne strukemi është po kaq madhështore dhe solemne sa dhe masa e qullët prej krimbi që struket në të, a do të jetë munduese pë ne ruajtja e kësaj status quo-je në vetëdijen e atyre, me të cilën ndajmë shumë gjëra, përfshi këtë edhe njohjen?

Frika nga vetja a është më e rrezikshme se sa kërcënimi i asaj për të cilën ne kemi frikë?

Çfarë i potencon ankthet dhe makthet tona më shumë se pasiguria për të bërë atë që duhet, dhe të kemi atë që duam… ajo që tregojmë dhe të tjerët duhet të besojnë, ndoshta?

Pse u dashaka që një grua të ketë frikë të tregojë se i ra bretku me punët e shtëpisë dhe se koha për t’i bërë të gjitha siç duhet ishte e pamjaftueshme, dhe për këtë i kërkon ndjesë miqve të saj virtual se nuk mund t’i ndjekë sa ajo dëshiron?

Një nënë nuk ka pse të përdori fëmijën si një trofe të vetëkënaqësisë së saj, në vend që ta provojë këtë si një fitore e sakrificave dhe mundimeve për të qenë një nënë e mirë?

Asnjëherë nuk është vonë që të kuptojmë rëndësinë që kanë gjërat në jetën tonë dhe për t’i konsiderar ato mekanizma ndihmës për të arritur tek përmirësimi cilësor i përditshmërisë sonë, përfsi këtu edhe komunikimin.

Teknologjia na ka dhënë privilegjin t’i përkasim një bote që ndryshon me rritme marramendëse dhe i gjithë ky spektakël. Të argëtohemi!/Albert Vataj / KultPlus.com

Në Francë botohet libri me 35 autor shqiptarë

Doli nga shtypi dje, versioni fizik dhe elektronik i përmbledhjes me tregime të dashurisë “Nus vers l’independence” , në të cilin libër janë përfshirë 35 shkrimtarë më 35 tregime të dashurisë.

Botimi i kësaj vepre “Nus vers l’independence” ( Lakuriq drejt pavarësisë) , është një akt historik për letërsinë shqiptare, sepse për herë të parë lexuesit francez i prezantohemi më 35 tregime të dashurisë të botuara nga Shtëpia Botuese “Le Harmattan” më renome ndërkombëtare.

“Eshtë një akt historik sepse për herë të parë në letërsinë shqiptare para botës më krijime artistike dalin 35 autorë të te gjitha trevave shqiptare si nga:  Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe diaspora.

Është një akt historik për faktin se libri botohet në djepin e kulturës botërore në Paris, nga një shtëpi botuese e njohur në Evropë”, thuhet në njoftim.

Krijuesit shqiptarë janë shumë pak të njohur në skenën ndërkombëtare të letërsisë, për shkakun se që nga rënja e sistemit monist nuk  është investuar në  përkthimin e letërsisë shqiptare në gjuhë botërore. / KultPlus.com

Albano Carrisi: Zemra ime ndodhet jo vetëm në Itali, por edhe në Shqipëri (VIDEO)

Institucionet e Bashkimit Europian kanë bërë homazhe me rastin e Javës së Europës 2020, përmes aktiviteteve të shumta në internet, duke bërë bashkë nën frymë solidare shumë qytetarë europianë.

Plot 2.7 milion njerëz u arritën përmes platformave të mediave sociale të delegacionit të BE-së. Në mesin e tyre gjendet edhe këngëtari i njohur italian Albano Carrisi, i cili i ka përcjellë një video-mesazh mjaft të veçantë fansave shqiptarë.

Si një puljan, i dërgoj një përqafim të gjithë popullit shqiptar. Në fund të fundit, edhe unë jam i tillë. Kam një pashaportë shqiptare dhe jam një qytetar shqiptar në të gjithë aspektet”, thotë fillimisht Albano.

Kam pasur shumë takime në Shqipëri gjatë gjithë këtyre viteve. Herën e parë që isha në Shqipëri ishte në vitin ’85, së bashku me tim atë. Ishte një udhëtim shumë interesant sepse zgjoi në mua emocione unike dhe të papërsëritshme. Babai gjithmonë më kishte folur për Shqipërinë në një mënyrë të jashtëzakonshme, pavarësisht se kishte shkuar gjatë Luftës Botërore”, vijon këngëtari Italian.

Ai nuk rreshte së foluri për pozitivitetin e popullit shqiptar. Kur më tha para ’85 se dëshironte të shkonte përpara se të vdiste në Shqipëri, u zura me të. Në të vërtetë ishte një zbulim shumë interesant sepse me tregoi gjithë ato fusha që më kishte përmendur gjatë fëmijërisë dhe mbi të gjitha më tha se kurrë nuk kishte vrarë njeri”, tregon Albano.

Mbaj mend po ashtu koncertin e mbajtur në Shqipëri, koncertin e parë të një këngëtari perëndimor në një vend akoma komunist, ndonëse në fund të sundimit. Më kujtohet fare mirë koncerti i 20 shtatorit 1989 në qytetin e Tiranës. Dhe kush mund ta harrojë atë? Për të mos folur për momente të tjera. Pra, mund të them se zemra ime është gjithashtu në vendin tuaj”, përfundon këngëtari në videon e filmuar në kuadër të Javës së Europës. / KultPlus.com

Billy Joel dhe Mariah Carey ndihmojnë në mbledhjen e 115 milionë dollarëve për bamirësi

Një maratonë telefonike e mbajtur të hënën në New York City, arriti t’i mbledhë 115 milionë dollarë të cilat do t’iu dhurohet personave të prekur nga koronavirusi. Kështu kanë bërë të ditur organizatorët e kësaj ngjarjeje.

Me titull “Rise Up New York!”, eventi i përfshiu performancat e yjeve të njohur të muzikës të tillë si: Billy Joel, Mariah Carey, Sting dhe të tjerë, si dhe mblodhi të holla për organizatën bamirëse “Robin Hood” e cila i dedikohet luftës ndaj varfërisë në këtë qytet, transmeton Koha.

Gjatë kësaj maratone telefonike, ylli i muzikës Billy Joel e interpretoi këngën “Miami 2017 (Seen The Lights Go Out On Broadway)”.

Performanca e tij u transmetua në sheshin e zbrazët “Times Square” në New York, që është epiqendra e pandemisë së COVID-19 në Amerikë. Ky qytet i cili i strehon miliona njerëz, ka javë të tëra që është në karantinë.

Edhe diva e muzikës, Mariah Carey, performoi në këtë ngjarje duke e sjellë një interpretim të shkëlqyer të hitit të saj, “Make It Happen”, ndërsa Sting e interpretoi këngën e tij të famshme, “Message in a Bottle”.

Po ashtu gjatë mbrëmjes, u shpërndanë mesazhe të shumta të shpresës dhe fuqisë nga yje të tillë si, Jennifer Lopez dhe Trevor Noah.

Për shkak të përhapjes së shpejtë të koronavirusit në New York City, llogaritet se ky qytet i ka humbur më shumë se një të tretën e 81 mijë jetëve të humbura në tërësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë se 335 mijë njerëz janë prekur me COVID-19 në SHBA, 185 mijë prej së cilëve janë nga New York City. / KultPlus.com

Në Jerusalem zbulohet monedha e rrallë e bronzit e shekullit II

Arkeologët izraelitë kanë zbuluar një monedhë të rrallë bronzi në Jerusalem, që daton nga revolta e shekullit II të hebrenjve të provincës romake të Judeas kundër Perandorisë Romake.

Autoriteti i Antikiteteve në Izrael (IAA) njoftoi se monedha ishte zbuluar pas gërmimeve në një park në rrëzë të malit të Tempullit, Harem al-Sharif.

Vendi i shenjtë i Jerusalemit është nderuar nga hebrenjtë sepse përmban rrënojat e tempullit të tyre biblik dhe nga myslimanët sepse besojnë se profeti i tyre, Muhamed u ngjit në parajsë nga ai mal.

Atje romakët ndërtuan një tempull të perëndisë Jupiter, pasi shkatërruan tempullin hebre në vitin 70 pas Krishtit dhe para se myslimanët të ndërtonin xhaminë al-Aksa dhe Dome.

Revolta hebraike, e udhëhequr nga rabini, Simon Bar Kokhba, shpërtheu rreth gjashtë dekada pas shkatërrimit të tempullit biblik hebre dhe zgjati deri në pesë vjet. / KultPlus.com

Llixhat e Treganit në Elbasan, një tjetër destinacion për të pushuar në Shqipëri


llixhat e Treganit janë një ndër destinacionet turistike të Elbasanit, të cilat tërheqin shumë vizitorë.

Me ftesën për të pushuar në destinacionet vendase, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla promovoi sot llixhat e Treganit, të cilat njihen edhe për efektet e tyre kurative.

“Mirëmëngjes. Ju ftoj të vizitoni Treganin në Elbasan, ujërat termale të së cilës kanë vlera të larta terapeutike ku dhe trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, stomakut, lëkurës. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera për trajtime kozmetike dhe janë shfrytëzuar që nga periudha e lashtë romake”, tha Balla.

Ai u bëri apel shqiptarëve që të pushojnë në Shqipëri dhe të blejnë dhe konsumojnë mallra “Made in Albania”.

Tregani njihet me Llixhat të cilat janë burime të njohura dhe të përdorura që nga koha e periudhës romake. Kjo zonë njihet jo vetëm nga pikëpamja turistike por edhe kurative./ATSH/ KultPlus.com

55 vite martesë, koronavirusi ndan çiftin shqiptar që “mishëroi ëndrrën amerikane”

Një fund i dhimbshëm ishte ai i një gruaje shqiptare, që humbi jetën në SHBA pas problemeve shëndetësore që pati pas infektimit me koronavirus.

72-vjeçarja shqiptare, ishte emigrante në Nju Jork, historinë e së cilës e ka rrëfyer në CNN e bija e saj.

Nagjija Gjidija dhe bashkëshorti u larguan nga Ballkani në vitet 1970 dhe emigruan në Shtetet e Bashkuara, ku vajza e tyre, Liria, thotë se ata “mishëruan ëndrrën amerikane”.

Çifti Gjidija pati 4 fëmijë, ndërsa nëntorin e vitit të kaluar shënuan edhe 55-vjetorin e martesës. Më 1 prill 2020 fatkeqësisht Nagjija humbi jetën nga një arrest kardiak pasi ishte diagnostikuar me koronavirus.

“Ne ishim drita e jetës së saj, siç ishte ajo drita e jetëve tona. Por ajo nuk donte askënd tjetër më shumë se tim atë”, tregon Liria. “Nuk kalonin kurrë asnjë ditë larg njëri-tjetrit”. / KultPlus.com

Dita ndërkombëtare e infermierëve, Rama: Ata na mësuan se hero të bën sakrifica

Mirënjohja e falënderimet për infermierët, këto ditë kanë qenë të pafundme, por nuk mund të mungojnë as në ditën e tyre ndërkombëtare. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të postojë një pikturë, të një fëmije i cili mban në duar “super- heroinën” e re të kohërave moderne, infermieren.  

Përmes këtij shkrimi Rama shprehet se kurrë s’ka qenë kaq ndërkombëtare dita e tyre.

“Mirëmëngjes! Kurrë s’ ka qenë kaq ndërkombëtare dita e tyre! Infermierët që kemi parë me sy të trishtuar, me vragat në fytyrë prej turneve të gjata si luftëtarët e pamposhtur me Covid-19, na mësuan se hero të bën sakrifica. Mirënjohje çdo infermieri në Shqipëri”, shkruan Rama.

Një mesazh falënderimi ka pasur edhe ministrja e Shëndetësisë, Oferta Manastirliu.

“Si ditën e parë të epidemisë, sot e gjithë ditën, infermierët e palodhur të dy spitaleve COVID janë në vijën e parë të betejës me koronavirusin. Kam një falënderim të përzemërt për secilin prej tyre, por edhe për çdo infermier të shërbimit shëndetësor, nga urgjenca kombëtare, në qendrat shëndetësore, poliklinikat e specialiteteve dhe spitalet nga veriu në jug, që shërbejnë me përkushtim çdo ditë të vitit. Infermierët zemra e sistemit tonë shëndetësor”, shkruan Manastirliu. / KultPlus.com

Kitara e Kurt Cobain vlerësohet 1 milion dollarë në ankand

Kitara e përdorur nga Kurt Cobain gjatë regjistrimit të koncertit të famshëm “Unplugged” nga Nirvana, në 1993, do të ofrohet në ankand gjatë një shitje të organizuar më 19 dhe 20 qershor në Los Angeles, me një vlerë fillestare prej një milion dollarësh.

Kitara gjysmë akustike, që do të shitet nga “Julien’s Auctions” është një model i rrallë, D-18E, i bërë nga fabrikuesi amerikan i instrumentave, Martin, në vetëm 302 kopje dhe i përket vitit 1959.

Koncerti “Unplugged”, i regjistruar në Nju Jork më 18 nëntor 1993, korrespondon me kulmin e Nirvana-s, grupi më i shquar i rrokut i viteve ’90.

Performanca skenike u zhvillua më pak se gjashtë muaj para vetëvrasjes, më 5 prill 1994, të Kurt Cobain-it, që vuante nga depresioni dhe varësia nga heroina.

Kitara më e shtrenjtë në histori është një Fender Stratocaster, i quajtur “Black Strat”, i përdorur nga kitaristi i grupit britanik Pink Floyd, David Gilmour./ atsh/ KultPlus.com

Me e dashtë lirinë e Nanës

Shkruan: Sibel Halimi

Tutna me shkru veç për gratë
se s`du asnjiherë me ju hi n`hak
Kurrë njoftë lirinë s`ia kemi
Veç kemi dërdëllitë
e kemi ba nanën
plagë të përvujtun
e kemi shtri për toke
e kemi naltësu në vargje
ia kemi rritë dashninë,
madhështinë
prej rolit s`kemi mujtë me nxjerrë
Kauzën ja kemi kriju, por zanin kurrë digju
Se kjo shoqni ka zanë n`thu
Nanën kauzë politike tu e ba
Liria e saj nuk asht dogma e jote – as e jemja
Është veç ajo, liria e saj

Publikohet videoklipi i “Fall from the sky” nga Arilena Ara (VIDEO)

Tashmë është publikuar edhe videoklipi i këngës “Fall from the sky” kënduar nga Arlilena Ara, shkruan KultPlus.

Me ketë këngë Arliena Ara do ta përfaqësonte Shqipërinë në Eurovizionin 2020.

Kjo këngë është zgjedhur për përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovizionin 2020 pas një gare shumë të ngushtë. / KultPlus.com

https://youtu.be/vXpCWFIY6YE?t=4

Bajrami thotë se testi i maturës do të mbahet në shkolla, përjashton mundësinë e anulimit

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka treguar edhe për formën e mbajtjes së provimit të maturës.

Ajo ka hedhur poshtë mundësinë që i njëjti të anulohet apo të mbahet në distancë.

Sipas saj, anulimi i tij nuk është opsion i MASHTI-t, pasi konsideron se nuk është as në favor të nxënësve.

“Anulimin e testit të maturës nuk e kemi opsion dhe nuk është as në favor të nxënësve sepse do t’iu shkaktojë probleme për regjistrim në fakultet”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se me Komisionin e Maturës është diskutuar për formën e testit të maturës në kushte pandemie.

Sipas saj, është menduar që testi të mos përmbajë më shumë se 100 pyetje dhe të njëjta të jenë në katër lëndë.

Bajrami thotë si kohë e mundshme e mbajtjes së këtij testi është java e parë e korrikut.

“Mendojmë që testi të mos jetë sikurse viteve tjera, në vend se të ketë 200 pyetje do të përmbajë 100 pyetje, do të përmbajë katër lëndë, gjuhë shqipe, matematike, anglisht dhe lëndë zgjedhore. Nuk do të ndahet në dy pjesë por do të mbahet brenda një ditë diku 150 minuta. Koha tentative, ende nuk kemi ndonjë datë të saktë, kemi menduar në javën e parë të muajit korrik. Kemi parë peticionet dhe kemi parë thirrjet por kemi konsultuar ekspertet më të mirë dhe kemi konsideruar që më mirë është të mbahet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mbajtja e testimit në distancë është i pamundur.

“Meqenëse është java e parë e korrikut nxënësit kanë kohë të mjaftueshme të përgatitën. Ka më shumë se një muaj që kemi kërkuar nga hartuesit e testit të maturës dhe pritshmërisë që të mos përfshihen pyetje nga njësitë mësimore që janë zhvilluar në distancë. Testi do të mbahet fizikisht në shkolla”, ka thënë ajo.

Zemra e shokut

Poezi nga Lasgush Poradeci

Të kam shok nga koh’ e vjetër,
Shok prej zemre edhe prej gjaku,
Shok të ri eme besë plaku,
Nuku kam, nuku ke tjetër.

Se ç’do gas e mall të shkretë,
M’i ke thënë emër me emër,
Une i mbylla mun në zemër,
Gjer sa zemra të mos jetë.

Se ti mban në kraharuar,
Shentërinë e një dhurate,
Mban në fund të zemrës sate,
Ç’të kam thënë i llaftaruar.

Ish e bardhë e nuku ishte,
Dredhëri zemra bujare,
Bënte botën ziliqare,
Zemër e bukur shokërishte. / KultPlus.com

Filmi i Kosovës “In Between” fiton çmimin kryesor të filmit të shkurtë në festivalin GoEast në Wiesbaden

Filmi i Kosovës, “In Between” ka arritur ta marrë çmimin e parë të për filmin e shkurtë në festivalin GoEast në Wiesbaden, shkruan KultPlus

Filmi “In Between” është me regji nga Samir Karahoda e me producent Eroll Bilibani.

Kosova ka arritur edhe një sukses tjetër. Filmi “Zana” nga Antoneta Kastrati ka fituar një çmim tjetër për televizonin 3sat.

Lajmin e ka bërë të ditur zv.Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në detyrë, Yll Rugova, përmes një statusi në Facebook, shkruan KultPlus.com

Fragment nga kryevepra “Këshilla për jetën”

“Ashtu sikurse kafsha, e cila në të gjitha rrethanat ku gjendet, qëndron e kufizuar brenda rrethit të vogël që natyra pakthyeshmërisht ka përvijuar rreth qenies së saj, edhe masa e lumturisë së mundshme të njeriut është e përcaktuar a priori nga individualiteti, ndërsa qëndrimi i tij i natyrshëm ndaj kënaqësive të larta, mbetet i përcaktuar një herë e përgjithmonë nga gjerësia e tij shpirtërore.

Nëse dikush është shpirtngushtë, të gjitha përkujdesjet e mundshme, të gjitha përpjekjet që mund të bëhen nga jashtë, gjithë çfarë do të guxojë njeriu dhe fati për të, nuk do të mund ta ndihmojnë kurrë të kapërcejë masën e zakonshme të një kënaqësie ose të një lumturie akoma kafshërore.

Njeriu do të mbetet i lidhur ndaj kënaqësive seksuale, ndaj jetës familjare, ndaj shoqërisë së keqe dhe argëtimeve vulgare. As studimi, megjithë hapsirat e tij, nuk do të mjaftojnë për ta zgjeruar këtë rreth, sepse kënaqësitë më të larta, më të shumëllojshme, më të qëndrueshme janë ato të shpirtit, sado që gënjejmë veten për të kundërtën kur jemi të rinj, ato varen kryesisht nga forca intelektuale.

Nga kjo duket qartë se lumturia jonë varet nga ajo se çka jemi, nga individualiteti ynë. Ndërsa në shumicën e rasteve, vlerësojmë vetëm fatin, për atë çka kemi dhe çfarë paraqesim. Kush është i pasur në brendinë e vet, nuk do të ketë nevojë të kërkojë shumë nga fati, ndërsa torollaku dhe teveqeli do të mbeten të tillë deri në fund.”

– Arthur Schopenhauer, “Këshilla për jetën”

Alexander Dumas: Gratë kurrë nuk janë më të forta se sa pas mposhtjes

“Unë nuk jam krenar por jam i lumtur, dhe lumturia mendoj që vërbon më shumë se krenaria.”

“Të gjitha përgjithësimet janë të rrezikshme, madje edhe ky.”

“Gratë kurrë nuk janë më forta se sa pas mposhtjes.”

“Dashuria e vërtetë, një burrë gjithmonë e bënë më të mirë, pavarësisht se cila grua e inspiron atë.”

“Dashuria është më vetiakja nga të gjitha pasionet.”

“Unë jam i fortë ndaj çdo gjëje, përveç ndaj vdekjes së atyre që i dua. Ai që vdes fiton; ai që i sheh të tjerët duke vdekur humbet.”

“Dashuria e pastër dhe dyshimi nuk mund të rrojnë bashkë; përmes derës që e dyta hyn, e para del.”

“Zoti është plotë mëshirë për të gjithë. Ai fillimisht është një baba para se të bëhet një gjykatës.”

“Zinxhirët e martesës janë aq të rëndë sa që nevojiten dy persona për ti bartuar ata. Ndonjëherë edhe tre.”

“Kurrë mos i besoni një armiku që ju bënë dhurata.”

– Alexandre Dumas

Dua Lipa gjithnjë kishte menduar se të shkruash këngë të lumtura nuk është ‘cool’

Këngëtarja 24-vjeçare me famë botërore, Dua Lipa, e cila aktualisht është në lidhje romantike me modelin, Anwar Hadid, ka treguar së fundmi se me albumin e ri, “Future Nostalgia”, ka zbuluar që gjëja më e mirë për të bërë është të jetë e sinqertë në tekstet e këngëve të saj.

Lipa ka treguar se më në fund e ka kuptuar që prapa teksteve që ajo i shkruan, nuk do të thotë se gjithmonë duhet të preken tema pikëlluese.

E pyetur në një intervistë të fundit se çfarë ka mësuar gjatë realizimit të albumit të saj të dytë muzikor, këngëtarja me prejardhje kosovare ka thënë: “Kam mësuar të mos kem frikë nga ndjenjat e mia. Ky album është shumë më i lumtur se incizimi i parë. Për një kohë të gjatë ndjeja sikur mund të shkruaja vetëm këngë të cilat ishin pikëlluese, apo e kishin një kuptim më trishtë prapa tyre. Mendoja se të shkruash tekste të lumtura të muzikës pop nuk do të ishte shumë ‘cool’. Por, mu desh të larohesha nga ky mentalitet dhe të krijoja diçka që ishte e sinqertë por më bënë të lumtur gjithashtu. Mendoj se largimi nga zona ime e rehatisë dhe fakti se po shkruaja mbi eksperiencat e mia personale, më ka bërë shumë të lumtur.”

Edhe pse Lipa mendon se është e frikshme të shkruash tekste kaq të sinqerta, ajo është mësuar ta konsiderojë sinqeritetin e saj si “fuqi” dhe diçka për të cilën duhet të ndihet krenare.

“Unë shkruaj nga eksperiencat e mia personale dhe nganjëherë është e frikshme t’i ndash ato me publikun e gjerë. Por, kam mësuar se nuk duhet të kesh frikë nga ndjenjat dhe ndarja e emocioneve dhe cenueshmërisë tënde me të tjerët. Kjo gjë nuk më bënë të dobët, por më jep më shumë fuqi,” ka deklaruar tutje Lipa.

Ylli i hitit “New Rules” zakonisht e shkruan një këngë për një ditë, por njëra prej hiteve të albumit “Future Nostalgia” i kishte marrë pak më shumë kohë për ta finalizuar.

“Normalisht unë e shkruaj një këngë për një ditë, por ‘Love Again’ më ka marrë pak më shumë koha për ta përfunduar. Të gjitha këngët tjera të albumit janë shkruar brenda një dite, dhe pastaj kanë marrë kohë për t’u incizuar dhe finalizuar deri në elementin e fundit,” ka shpjeguar këngëtarja në intervistën e saj për revistën “GQ”.

Hapen shkollat në Zvicër – fëmijët të entuziazmuar, prindërit në ankth

Mijëra fëmijë në Zvicër të hënën janë kthyer në shkollë, shumë prej tyre të entuziazmuar për ribashkimin me shokët e klasës pas pothuajse dy muajsh shkaku i koronavirusit, megjithëse disa prindër kishin dyshime, raporton Reuters.

Fëmijët e shkollës së Gjenevës “La Tour” duhej të adaptoheshin me ritualet e reja, me prindërit që i lëshonin në një distancë. Klasat gjysmë të mbushura për të reduktuar grumbullimin dhe tavolinat në një distancë prej 2 metrave, transmeton KOHA.

“Vërtet dua të fillojë shkolla sërish sepse më pëlqen dhe gjithashtu më pëlqen shumë edhe mësuesi”, shprehet Heloise, një gjashtë vjeçar në këtë shkollë. Kurse, Yunyi, 7 vjeçar, gjithashtu tha se është i entuziazmuar, derisa u ankua se ishte mërzitur në shtëpi.

Zvicra raportohet se deri më tani ka 30 mijë të infektuar me Covid-19, derisa ka shënuar 1500 viktima.

Me rënien e numrit të të infektuarve, Berni, është duke filluar fazën e lehtësimit të masave, me shkollat, dyqanet, muzetë dhe restorantet që hapen këtë javë.

Diane Jolidon, nëna e Heloise, është shprehur se ishte e vështirë të ishe edhe prind edhe mësuese në shtëpi, përderisa edhe punonte.

“Ishte mjaft e komplikuar dhe ne jemi të lumtur që ata po kthehen (në shkollë)”, është shprehur ajo.

Por, disa prindër shprehnin dyshimet e tyre dhe ishin të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve të tyre. E disa të tjerë kanë vendosur për mësimin në shtëpi.

Hieianh, nënë e dy fëmijëve, tha se është e frikësuar për flasin e saj që ka probleme me gjakun.

“Sigurisht se do të donim t’i dërgonim fëmijët tanë në shkollë pasi është e tmerrshme të qëndrosh gjithë ditën në shtëpi. Jam shumë konfuze në këto momente”, thotë ajo.

Kurse Linda Bapst, thotë se djali i saj 3-vjeçar, që u kthye në çerdhe ditën e hënë, ishte në ankth sepse kishte për të hyrë në ndërtesë vetëm për herë të parë.

Aktivitetet në kopsht të preferuara për këtë periudhë të pandemisë

Në kohë të këtilla kur duket se e gjithë bota është duke jetuar në pasiguri, është mirë të fillojmë të kthehemi prapa te rrënjët tona.

Meqenëse shumica e njerëzve po qëndrojnë në karantinë, duke punuar nga shtëpia dhe duke jetuar në kushte jo të zakonshme, është mirë që ta shfrytëzojmë këtë kohë të lirë për të investuar në ndërtimin e diçkaje nga fillimi.

Hanna Sarangan, shefe e kuzhinës dhe këshilltare në biznesin e ushqimit, së fundmi ka deklaruar se “rritja e ushqimit në shtëpi është aftësi bazë e mbijetesës”, dhe koha nëpër të cilën po kalojmë aktualisht na e kujton një gjë të tillë, më shumë se kurrë.

Sarangan rekomandon ta shfrytëzojmë kohën në izolim duke filluar ngadalë me mbjelljen e farave të bimëve të ndryshme, të cilat më pasi mund t’i përdorim në gatim.

Nëse kurrë më parë nuk keni mbjellë ushqime, atëherë preferohet të filloni nga ato më bazike.

Shumica e përbërësve të cilët i përdorim në baza ditore, mund të rriten pa pasur nevojë për hapësira të mëdha të kopshtit.

Këto janë disa ushqime të zakonshme të cilat mund t’i mbillni në një gotë ose vazo të vogël me ujë, e të cilat iu ndihmojnë t’i ulni shpenzimet nëpër dyqane.

1. Lakra kineze e njohur si “Bok Choy”

2. Lakra e thjeshtë

3. Karotat

4. Selino

5. Kopra

6. Hudhrat

7. Qepa e gjelbër

8. Preshi

9. Sallata jeshile

10. Borziloku

Tani është koha e përkryer t’i shtrirë kufijtë dhe imagjinatat tona, duke provuar eksperimente të reja dhe duke ndërtuar diçka që na bënë të ndihemi krenarë me veten.

Rritja e dashurisë për kopshtarinë është një veprim që do t’ju ushqejë për një jetë të tërë.

Gjeniu që ishte gjithnjë në kërkim të rinisë

Gjeniu i artit të pakufishëm, Salvador Dali lindi në 11 maj vitin 1904 në Figueras të Katalonjës. Shumë herët shpalosi talentin për të vizatuar, çka bëri të pranohej në Shkollën e Arteve të Bukura në Madrid, prej së cilës u dëbua për rebelim.

Në vitin 1929, gjatë një udhëtimi në Paris, ai u bashkua me grupin surrealist, të drejtuar nga Luis Buñuel, më pas iu kushtua pikturës dhe mori pjesë në ekspozita surrealiste në Francë dhe Shtetet e Bashkuara. Në 1939, Salvador Dali u përjashtua nga grupi surrealist nga udhëheqësi i tij, Andre Breton, pas mosmarrëveshjeve të shumta.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dali dhe gruaja e tij, Gala, u vendosën në Shtetet e Bashkuara, deri në vitin 1948, ku krijimtaria e Dali është veçanërisht e çmuar në të gjitha fushat letrare, kinematografike dhe të pikturës. Në fakt, Salvador Dali është prodhimtar dhe gjatë gjithë jetës së tij do të përpiqet në forma të ndryshme artistike, si letërsia përmes shkrimit të kujtimeve, tablove dhe kostumeve të shfaqjeve, krijimit të bizhuterive…

Temat e preferuara krijuese janë ëndrrat, misticizmin etj. I njohur mbi të gjitha për çuditshmërinë e tij, ai dinte të fliste për të dhe artin e tij anembanë botës, madje duke rrezikuar ta hidhte atë edhe në sfond.

Disa nga pikturat e Salvador Dalisë bazohen në vijën bregdetare të qytetit Cadaques në Spanjën verilindore. Qielli, deti, shkëmbinjtë e Cadaques ishin shumë të dashur për Dalin, sepse aty kalonte kohën gjatë pushimeve me familjen. Madje, një herë u shpreh se ai kishte formësuar personalitetin e tij. Nëse hidhni një vështrim në pikturat e Dali dhe mandej vizitoni Cadaques, patjetër do të ndiheni sikur keni qenë në një nga pikturat e tij. Ishte shumë krijues dhe imagjinar, gjithmonë kërkonte mënyra të reja për të provokuar dhe përtërirë.

Ishte gjithmonë në kërkim të risisë! Një nga shpikjet e famshme të tij ishte “telefon-karavidhe”, absurde, por njerëzit e vlerësonin, pasi shprehej ndryshe nga zakonisht. Një tjetër veçanti e tij ishte “buzë-sofa”, po ashtu logoja e markës “Chupa Chups” u hartua nga Salvador Dali në vitin 1969.

“Surrealizmi, jam unë”, – u shpreh Salvador Dali, kur u prezantua në Nju Jork për të përcaktuar punën e tij. Personazh i çuditshëm, narcisit dhe megalomanit, ai është sigurisht një nga piktorët më të famshëm spanjollë të shekullit të 20-të. Dali pretendonte një teknikë shumë klasike, duke i qëndruar besnik pikturës së vajit për pothuajse të gjithë punën e tij. Krijimtaria e tij është shumë e detajuar, me vizatime përgatitore shumë të kujdesshme dhe një ekzekutim shumë të përpiktë, shpesh e parë me lupë.

Disa vepra të vogla japin dëshmi për një talent të vërtetë miniaturë, si portreti i parë i Galas, portret i Galas me dy kotëleta qengji të balancuara në shpatull etj. Në veprat e Dalisë përvijohen dy linja me tendencë thelbësore, nga njëra anë artisti interesohet gjithmonë e më shumë mbi dukuritë shkencore dhe teorinë e atomit, aq sa zhvillon konceptin e “pikturës atomike”, nga ana tjetër lindin vepra që trajtojnë tema fetare, si “Madona e Port Lligat”.

Dali ishte një piktor gjenial, njëkohësisht një njeri me një ego gjigante. Kishte një dëshirë për vëmendje, sa gjatë një periudhe qëndrimi në Nju Jork, kur shëtiste, mbante me vete një zilkë, të cilën e tringëllinte sa herë vërente se kalimtarët nuk po i kushtonin vëmendje të mjaftueshme. I pëlqente madhështia, të ishte i adhuruar dhe i njohur në mbarë botën, një megaloman i deklaruar, njëherazi një artist i papërsëritshëm me një stil krejtësisht të tijin.

Salvador Dali la pas një galeri prej afro 1500 pikturash, që sot e kësaj dite nxisin debate për nga tematika, stili dhe mesazhi që ato përcjellin. /konica.al/ KultPlus.com

Von der Leyen: Pa gratë nuk funksionon asgjë

Ursula von der Leyen është presidentja e parë femër në historinë e Komisionit Europian.

”Ajo është gjithashtu nënë e shtatë fëmijëve dhe me profesionin mjeke”, shkruan gazeta italiane ”Corriere della Sera”.

Në Gjermani ajo ka qënë ministre e Familjes dhe Punës si dhe ministre e Mbrojtjes.

Kabineti i saj është i përbërë në mënyrë të barabartë nga burra dhe gra. Barazia gjinore është pjesë e pikave të axhendës së saj politike. Por, ndryshimi gjithashtu duhet të fillojë nga ato që ndodhin në një familje.

”Kohët kanë ndryshuar. Ne duhet të përfitojmë nga kjo mundësi e krizës të ndajmë rolet në një mënyrë të re”, theksoi ajo.

Presidentja ka qënë ndër të ftuarat e emisionit ”ExtraMamme”, duke diskutuar mbi temat e marrëdhënieve, punës dhe kujdesit, politikës dhe dhuës, të cilat përfaqësojnë temat kryesore të ndryshimit shoqëror që kalon shoqëria në kohën e Covid 19.

”Gjatë emergjencës së koronavirusit, dy të tretat e fuqisë punëtore ishin gra. Por, edhe në shtëpi ato kanë qënë dominante. Punë të dyfishtë mes punëve të shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët dhe të afërmit. Duhet të mendojmë më shumë për udhëheqjen femërore dhe rolet e grave në zgjedhjet politike kur do të na duhet të ndërtojmë rregullat e një shoqërie të re”, theksoi Von der Leyen. / atsh / KultPlus.com

“Bijat e mija, martesa nuk është mision, ekzistenca juaj, po”

Bijat e mija, jini egoiste të ndyra!
Merrni atë çfarë është e juaja!
Mëmësia nuk është mision.
As martesa, jo.
Ekzistenca juaj, po.
Jini egoiste kur ju kërkojnë të hiqni dorë në emër të familjes.
Mos u ngrini nga tavolina nëse një burrë nuk e ka bërë përpara jush.
Ndani hapësirat e nevojshme për ato që ju pëlqejnë: kinema, teatër, pasionet tuaja.
Jini egoiste kur ju kërkojnë të jeni “gjithçkaja” e tyre. Qofshin ata fëmijët, partnerët apo miqtë.
Mbani diçka për vete. Diçka sekrete. Të mbrojtur e të paarritshëm.
Jini egoiste. Mos ndani çdo gjë. Ka vende që duhet t’ju përkasin vetëm juve në mënyrë ekskluzive, që mund tu riktheheni kur gjërat nuk shkojnë mirë.
Jini aq egoiste sa të jeni të pavarura ekonomikisht.
Një llogari bankare vetëm tuajën, sepse të përziesh paratë me dashurinë bëhet lëmsh puna. Dhe nuk i dihet kurrë.
Jini egoiste kur tjetri ju ofendon sepse nuk jeni kthyer ende në shpi apo pse darka nuk është gati. Durim. Mos e lini pa bërë atë që po bënit. Nëse jeni aty, do të thotë që ajo hapësirë meriton kohën tuaj.
Jini egoiste kur puna, karriera janë të rëndësishme dhe vijnë përpara gjithçkaje. Për burrat kështu është, e dhënë e njohur dhe e pranuar kjo. E pse nuk duhet të jetë edhe për ju?
Jini egoiste. Mos bëni dashuri nëse nuk doni. Mos u shtirni. Jeni të sinqerta.
Kini etje për kënaqësinë, jeni egoiste siç është një burrë.
Mendoni për vete. Përpara se gjithash, për vete. Bijat e mija.
Për trupin tuaj. Për dëshirat tuaja. Për shpirtin tuaj.
Mbrojtja e të drejtave tuaja është një nevojë deri sa të kemi të njëjtën peshë që kanë dhe burrat që keni përkrah.
Të drejta që shkojnë përtej familjes, një fëmijë apo një dashurie.
Ato janë kaq personale dhe ju përkasin vetëm juve dhe askujt tjetër.
E pamundur ti dhunoni, rreziku është mungesa e lumturisë e kamufluar nga lumturia. Sakrifica e kamufluar në dashuri.
Jini aq egoiste të ndyra sa që të shpëtoni.
Dhe s’ka rëndësi se sa do t’ju kritikojnë, do t’ju bëjnë të ndiheni në faj, do t’ju thërrasin tek hapësira e rolit. Mbase tek ai i gruas. Mbase tek ai i nënës.
Por ju, mos dyshoni tek vetja.
Zgjidhni gjithnjë të jeni gruaja që ju dëshironi.
Jini egoiste të ndyra.
Kjo është trashëgimia ime si nënë, për ju! / KultPlus.com

Reagon Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve: Të mbrohen gjurmët e Nënës Terezë

Pas ndryshimeve të bëra në sheshin e Shkupit “Maqedonia”, me ç’rast janë mbuluar gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa me parkun e vendosur para pllakës përkujtimore praktikisht është mbyllur rruga që të vendosen lule edhe te pllaka, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përkatësisht Departamenti për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, shpreh indinjatë dhe habi të thellë për këtë veprim të papërgjegjshëm të Qytetit të Shkupit.

“Në kohën që gjithë bota mburret me emrin dhe veprën e Nënës Terezë dhe ajo është bërë identiteti dhe letërnjoftimi i vendit tonë, të mbulohen gjurmët e shtëpisë së saj dhe të pengohet mundësia e vendosjes së luleve në pllakën përkujtimore nuk ka si lexohet ndryshe, pos si një veprim i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për Qytetin tonë, por edhe për gjithë vendin tonë”, thuhet në komunikatë.

Ata tutje kërkojnë nga Qyteti i Shkupit që sa më shpejt ta korrigjojë këtë lëshim, t’i rikthejë themelet e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa në të mirë të marrëdhënieve të mira ndëretnike, është koha e fundit që teksti në pllakën përkujtimore të bëhet edhe në gjuhën shqipe.

“Me shpresë se nuk do të ketë nevojë për reagime në instanca më të larta vendore dhe ndërkombëtare dhe në forma të tjera”, thotë Skender Asani, drejtor i këtij departamenti. / Koha.mk / KultPlus.com