Kur Ataturku vallëzonte me nusen shqiptare (FOTO)

Nga Fiqri Shahinllari

I kërkova mikut tim floqar, Ahmet Likës ndonjë dokument që lidhet me Rushan Beun, personalitet i lartë ushtarak dhe mik i afërt i Ataturkut. Ai ka ruajtur me kujdes skrupuloz, disa letra e fotografi interesante. Letra “flet” për dasmën në Stamboll të Myzejenit, vajzës së Rushanit. E ka nisur ta shkruajë Selman Hasa, daja i Rushanit nga Goskova më datën 18/8/1937 dhe e ka përfunduar të nesërmen, ditën e enjte. Ja si tregon Selmani…. “….

3Më 14/8/937, të shtunë u bëmë hazër të gjithë…Vajtmë në skelë të Ysqydarit…duallëm në Istambull…gjene hipmë otomobilrat. Më ora 7 vajtmë në Tokatlijan Hotel që ishte marë me qira për atë natë me 1400 lira turke…sallonet poshtë ishin bashkuar dhe ishte bërë një mejdan i madh sa selishta që kemi neve (dy killë farë)… Kur vajtmë neve, dhëndërri ishte atje me gjith t’ëmën e të vëllezërit. Për Myzejenin ishin bërë hazër tri oda që të nisej nuse. Neve, burrat e shtëpisë ndenjëm në sallonet për të pritur mysafirët. Për të nisur Myzejenin nuse kishin ardhur katër matmazele që më 7 e gjer më 10 të natës…Nga ora 20 e gjysëm allafrënga deri më ora 22 u mbushën sallonet me gra e burra ataturktë ftuar.

Kishte afër 600 shpirt të ftuar. Në mes të tyre ishte edhe çupa e Ataturkut…që e quakëshin Sabiha Gokçen. Më ora 22 erdhi nusja me gjith dhëndërrin…Ata gjezdisnë tërë sallonet pastaj i puthnë dorën Rushan Beut dhe Mynires dhe vjehrrës…Më tej çifti nisi dancin. Pas tyre filluan dancimin gjith të ftuarit…Edhe Rushan beu me Myniren dhe me vjehrrën lojtnë danc. Më ora 23 e gjysëm u hapnë bufetë për të ngrënë e për të pirë. Orkestra përbëhej prej 24 vetash. Tamam në ora 24 telefonuan që do të vinte Ataturku… Ai mezi erdhi në ora një të natës pasi ishte larg Istambullit një saat me automobil. Rushan beu, Mynirja, djemtë, nusja me dhëndërrin e pritën te porta e hotelit. Muzika i binte marshit dhe njerëzia durtrokiste. Sapo zuri vënd në trapezë, Qemal Ataturku. Ai mori në të djathtë të tij Rushan beun…në të mëngjër mori Myzejenin, dhëndërin dhe Myniren e pas saj ca ministra. Pasi ngriti një dolli dhe uroi çiftin, Ataturku dancoi me Myzejenë dhe ja dha Rushan beut i cili pasi bëri danc me çupën e tij e çoi atë te dhëndërri për të vazhduar dancin…Dasma u ndez. Të gjithë zunë të loznin danc. Ataturku u ngrit disa herë e bëri dancim me të tjerët…

1Ataturku ndenji gjer në shtat e gjysëm të sabahut allafrënga pastaj u largua. Sa ishte në dasëm, shumë herë u përqafuan me Rushan beun. Ai foli në dasëm, uroi çiftin e miqtë, por foli edhe për dashurinë dhe miqësinë që paska patur ai për Rushan beun. Edhe Rushan beu iu përgjigj me një fjalim fort të bukur. Njerëzit që shoqëronin Ataturkun ishin ministra, deputetë dhe gjeneralë. Ataturku i dha 1000 lira turke Myzejenit për të blerë ndonjë gjë si dhuratë nga ay… Llafi i shkurtër është ky: Çupa jonë, Myzejeni u martua si një bijë pe mbreti…dhe vajti te një saraj që ka ndënjur bij e mbretit…Shtëpia e Myzejenit duket fare mirë nga neve. Është në majë të Çamllixhesë, më lart nga të tërë viset e Istambullit…Pe shtëpisë së Rushan beut është larg 10 minuta me otomobil, si Goskova me Porodinën. …Si ta këndoni juve këtë letër (të afërmit në Goskovë – F. Sh.) t’ia jepni Myrtezait. Dy ditë le të rrijë ne ata. Pasdaj t’ja u epni edhe Naxhiut. Të rrijë dy ditë në Floq, ta këndojnë mirë edhe ata. Pazdaj ta merrni dhe ta ruani gjer të vij unë… * * * Pasi u përcolla këtë fragment letre të nderuar lexues, po e shikoj me vëmendje fotografinë ku duket në vallëzim Ataturku me Myzejenin, vajzën floqare…Ky njeri, Mustafa Qemal Pasha, frymëzues dhe drejtues i revolucionit turk që rrëzoi sulltanin në nëntor të vitit 1922, president dhe themelues i Turqisë moderne, teformator i madh dhe mik i afërt dhe i sinqertë i shqiptarëve, pikërisht ky që po vallëzon me këtë vajzë nga Floqi i Korçës, pas një viti, më 10 nëntor 1938, në orën 9 të mëngjezit do të vdiste në pallatin Dollmabahçe në moshën 57 vjeçare.

Çlirimi i Adelina Ismailit dhe ‘Dont fuck with Albanians’ nga Jericho (FOTO)

Qyteti satelit

Të privuar nga media dhe informimi secila familje shqiptare kishte blerë një antenë satelitore, duke e kthyer qytetin në një “kopsht të këpurdhave të bardha”. Ju mund të shënonit saktësisht në peizazhin e qytetit se cilat ishin banesat shqiptare. Satelitët “mundësuan për herë të parë të shohim një botë përtej 3 kanaleve televizive serbe”. Njëkohësisht shqiptarët kishin mundësi edhe në programin dy-orësh që Radio-televizionit Shqiptar e siguroi si hapësirë informuese vetëm për ta. “Një herë në javë, kasetat me lajme dhe incizime nga terreni në Kosovë dërgoheshin për Shqipëri për programin 2-orësh”, thekson Dragaj.

Sateliti u ofroi mundësinë shqiptarëve të Kosovës për të parë dhe për tu parë dhe përtej MTV, VIVA, Euronews BBC,e të tjera, ishte videokaseta që u bë zëvendësim për mungesën e programeve kulturore në gjuhën shqipe. Në anën tjetër përtej muzikës rock me të cilën shquhej gjenerata e kohës – rryma të tjera muzikore vinin në shprehje me shumë tema të angazhuara duke adresuar brengën për rrethanat e kohës kur rezistenca paqësore tashmë ishte zbehur dhe në sfond dëgjoheshin zëra për krijimin e UÇK-së. Kujtojmë “Don’t fuck with Albanians” të grupit Jericho Walls, duke u cilësuar si një grup “në këngët e së cilit kulmon mllefi dhe shpërthen njëfarë çlirimi. Këngët e këtij bendi përbëjnë një kronikë fantastike të kohës, një perceptim dhe konceptim të ndryshëm të kontekstit tonë jetësor në të cilin sprovohen të gjitha vlerat e proklamuara politike shqiptare” të atij dhjetëvjetëshi. Për herë të parë një gjeneratë në Kosovë heq dorë nga durimi asketik për ta shpalosur rebelimin e vet”, e rreshtuar drejt ardhmërisë.

A mund ta quajmë rebelim edhe imazhin e çliruar të Adelina Ismailit në të ’90-tat si “një demonstrim i sovranitetit të trupit të zgjuar dhe njëkohësisht një sprovë dhe një provokim shqetësues për ideologjinë dominuese të “moralitetit shqiptar”. Dua të ndalem të kënga e saj “Ushtrinë time do ta bëj – me Ibrahim Rugovën” për simbolikën e fjalëve dhe të imazhit që ajo përçoi. Kujtoj festivalin “Show Fest” në një kohë kur Rugova ndoshta për arsye politike nuk po gjente forcën të pranonte publikisht se UÇK-ja ekzistonte, del një zë gruaje që përçon një mesazh sa të lirshëm aq të koduar, sa rebel e sa të sofistikuar, fundja nëse asgjë tjetër si një nevojë dhe kërkesë e një gjenerate që tashmë durimin dhe pritjen e kishte të harxhuar.

Kënga u përcoll fillimisht me imazh – veshje ushtrie duke simbolizuar rreshtimin dhe përbashkimin drejt lirisë, por përfundoj me zhveshjen e saj nga ato rroba në një imazh çlirimtar e fitimtar të vetës, trupit të saj dhe lirisë individuale e kolektive, jo vetëm si refleks I mesazhit të këngës por edhe më shumë si shpërfaqje e një çlirimi ndërshqiptar që tashmë pavetëdijshëm kishte ndodhur në raporte gjinore, moshore dhe shoqërore në përgjithësi në procesin e lëvizjeve socio-kulturore për pavarësi. Në këto rrethana të ndrydhjeve dhe përplasjeve të mëdha lindi hip-hopi në Kosovë, një skenë që edhe sot e asaj dite është dominante. “Një ditë do të jetë më mirë” kënga e grupit “Ritmi i Rrugës” ishte për shumëkë një këngë optimizmi në ditët gri. Sidoqoftë “për dikë që në atë kohë ishte tinejxher në Prishtinë, kujtimet e viteve të ’90-ta zgjojnë ndjenja të përziera. Dëshpërimi I jetës nën sistemin e aparteidit kundërpeshohet me nostalgjinë për ekspanzimin në kulturën urbane, e cila mbolli farën për atë që sot njihet si skena alternative mjaftë e gjallë dhe produktive e Prishtinës” thotë Maliqi.

Në anën tjetër paralelisht me këto aktivitete shumë djem të rinj ndërprenë studimet e tyre dhe shkuan jashtë Kosovës duke qenë të përndjekur nga Ushtria Jugosllave me idenë se duhet të përfundonin shërbimin ushtarak… sa ironike!!! Disa, filluan ti bashkohen UCK-së nëpër male. Dukej qartë se rezistencës paqësore po I vinte fundi dhe kjo do të shënjohej me demonstratat e studentëve me 1 Tetor ’97. “ Sot për sot” ishte slogani I jetës për shqiptarët, pasi e nesërmja ishte e pasigurt për të gjithë dhe lufta tashmë ishte në derë. “ Në ditët e numëruara dhe me pak domethënie të mesit të Marsit ’99 një kampanjë e një grupi të të rinjve përqafoj qytetin. Slogani i njohur i këpucëve sportive “NIKE” që promovonte shpejtësinë, u mishërua me trupat e NATO-s si thirrje për intervenim më të shpejt. “JUST DO IT” për të mbyllur këtë kapitull të errët të historisë së shqiptarëve të Kosovës përgjatë të ’90-tave.

Eliza HOXHA

Copëz nga punimi “Qyteti Satelit” – mbijetesa shoqërore dhe kulturore e shqiptarëve të Kosovës përgjatë viteve të ’90-ta, prezantuar në kuadër të konferencës “ Lëvizjet shoqerore gjatë socializmit dhe të ’90-tave në Kosovë”, organizuar nga Alter Habitus në Prishtinë . / KultPlus.com

Filmi mbi jetën e Michelangelo Buonarroti do të xhirohet në Firence

Sot ka qenë dita e parë e vazhdimit të xhirimeve për filmin “The Sin. A Vision” i cili do të trajtojë jetën e Mikelangjelos.

Piazza della Signoria në Firence sot ka qenë skenë xhirimi për këtë film, një bashkë-produksion mes Italisë e Rusisë. Regjisor i filmit është Andrei Konchalovsky.

Aktori Roman Alberto Testone po e luan rolin kryesor, të skulptorit e poetit të njohur italian i cili ka lindur në Firence e ka vdekur në Romë të Italisë, shkruan KultPlus.

Filmi më herët është xhiruar edhe në Montepulciano, Carrara, Bagno a Ripoli, Pienza, Monte San Savino, Tarquinia, Caprarola dhe Romë.

Michelangelo në tërësi një artist sa gjenial po aq dhe i trazuar. Emri i tij është i lidhur me një sërë veprash që janë futur në historinë e artit, disa prej të cilave të njohura në gjithë botën si ndër më të rëndësishmet e artit perëndimor: Davidi, Pietà-ja vatikanase, Kupola e Shën Pjetrit si dhe cikli i afreskëve në Cappella Sistina konsiderohen maja të pakapërcyeshme të gjenisë krijuese.

Studimi i veprave të tij formoi gjeneratat pasuese, duke i dhënë jetë një shkolle që bëri art “alla sua maniera” (që do të thotë “sipas mënyrës së tij”) dhe që mori emrin manierizëm. / KultPlus.com

Zbulohet se kush do ta moderojë Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar

Është zbuluar moderatori i edicionit të këtij viti të Festivalit të Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar.

Për të gjashtën herë me radhë, një prej emrave më të njohur të televizionit shqiptar – Adi Krasta, do të jetë një prej moderatorëve të festivalit prestigjioz të muzikës.

Eurovision Albania zbulon se datat e festivalit do të jenë 21,22 dhe 23 dhjetori, e fundit si gjithmonë finalja kur edhe kuptohet fituesi i festivalit.

https://www.youtube.com/watch?v=jKobU7JK6o0

Eurovision Albania mëson se regjia i është besuar regjisorit Pali Kuke ndërsa skenografia e Albi Çifligut pritet të jetë tepër novatore. Ndërsa artistët që duan të jenë konkurrentë, duhet të dorëzojnë materialet e tyre muzikore pranë Radio Tiranës deri në datën 10 nëntor.

Adi Krasta e ka moderuar festivalin edhe në vitin 1997,1999, 2002, 2003 dhe për herë të fundit në vitin 2006.
Fituesi i festivalit do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizionin e vitit tjetër në Portugali. / KultPlus.com

Ministri Gashi priti Kryesuesen e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim Kryesuesen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova.

Në takim u bisedua rreth bashkëpunimit të MKRS-së me Zyrën e BE-së në Kosovë/PSBE, në fushat specifike, që lidhen me kulturën e trashëgiminë kulturore, dhe programin dhe planet e ministrisë për të ardhmen.

Ministri Gashi tha se MKRS-ja është plotësisht e përkushtuar të bashkëpunojë me Zyrën e BE-së në Kosovë/PSBE në dobi të kulturës, trashëgimisë kulturore, rinisë dhe sportit, dhe në avancimin dhe harmonizimin e legjislacionit me standardet e BE-së.

Ministri e informoi shefen e BE-së në Kosovë, Apostolova, se fusha e trashëgimisë do të mbetet ndër prioritetet e ministrisë.

Ndërsa, përfaqësuesja e BE-së, Apostolova e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe e uroi për detyrën. Ajo theksoi se bashkëpunimi i BE-së me MKRS-në do të vazhdojë e veçmas në projektet për kulturë të cilat promovojnë dialogun kulturor mes komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Më tej, Gashi dhe Apostolova u shprehën se bashkëpunimi dhe bashkëbisedimi janë rruga më e mirë për të krijuar mirëbesim ndërmjet komuniteteve në Kosovë duke theksuar se do të punojnë për një gjë të tillë. / KultPlus.com

Istref Begolli, djali kokëfortë i cili udhëton për në Prishtinë (1980)

Me gjithë rolet e tij në teatër, në film, në televizion, me gjithë çmimin Urdhri i Punës nga Presidenti i Republikës – Istref Begolli pati refuzuar në vitet 80-të titullin e Kampionit.

Në një intervistë të mundësuar nga Yugopapir, dhënë në maj të vitit 1980, ai tregon se si me dekada ka marrë trenin nga Prishtina për në Pejë, se si nëna e tij ka qenë kundër dëshirës së tij për tu bërë aktor.

“Me 1 shtator 1949 unë u bëra zyrtarisht aktor. Për dy vite nuk jam dëgjuar me nënën time. Ajo nuk e dinte që Prishtina ekzistonte, unë nuk shkoja në Pejë. Nuk shkoja në Pejë sepse e dija se ajo mund të më bindte të mos bëhesha aktor” tregon Begolli në këtë intervistë të cilën po e sjellim në retrospektivë për të kujtuar karrierën e një aktori të madh si Begolli.

Në vitin 1951, tregon ai, luan rolin e Selimbegut në “Zulumçara”, krahas Melihate Ajetit.

“Ajo erdhi në premierë, dhe kemi qarë të dytë, ndoshta nuk kemi qarë, sepse ajo mendoj se e kuptoi dëshirën time të madhe të bëhesha aktor. Nuk pati kërkim falje, as ndonjë fjalë të madhe” tregon Begolli, shkruan KultPlus.

Në vitet 60-të, ai tregon se do të kthehej disa herë në Beograd, shkaku i nostalgjisë për këtë qytet. Ai kishte luajtur disa role në Beograd, ndërsa tregon se me Akademinë e Arteve në këtë qytet ai u rrit profesionalisht dhe nisi të formohej si aktor.

Rolet e tij vazhdojnë me “Solunski atentatori”, “Do pobede i dalje”, “Lelejska gora” ,”Të ngujuarit”, “Bombasi” dhe role tjera.
Begolli ka ndërruar jetë në vitin 2003. / KultPlus.com

Ju kujtova të gjithave…

Poezi e shkruar nga Koçi Petriti.

Ju kujtova të gjithave juve që them se ju desha
që nga m’ë hershmja
gjer tek e vona,
atë që ish e paputhura,
atë që ish virgjëresha,
atë që ish moll’ e sherrit e pelë e harbimeve tona.

Atë qe flijoi për tre grosh dashurizën e parë
atë që briroi fill pas muajit të mjaltit nën mua
atë që nguroi n’udhëkryq djall a engjëll të marrë
atë që kuptoi që s’e desha, që sapo i thashë “Te dua”

Ja, po më ngjan sikur ngrihi nga heshtja e honeve
të ndryshme, të shumta si ngjyrat, si zogjtë
ju fluturuat mbi prushin epshor të pasioneve
donit të ngroheshit, pendet e bukura dogjtë

Vjen perëndisht edhe ti që të desha së pari
pikëz e artë, flurorja, si rreze e përthyer mbi lotë
të shtrij e të shkoj përmbi buzë sërish si dikur një fill bari
ti nis këndon edhe qan: Dashuria bën xhiro në botë!

Prap unë u desha pa ty
ti prapë u puthe pa mua
erdhën pas teje të tjera, shuan ç’rindizet e digjet
erdhën, po s’hyri askush gjer në pronat e tua
mes njëri tjetrit shkon lumi që ndan e bashkon të dy brigjet

Zbriti dhe suta e Veriut
mbrriti edhe krrilla prej Jugut
unë i pranova të gjitha, të gjitha,të gjitha
toka, grua beronje, palluar prej plugut
qan kur s’ngarkohet me pemë
qesh kur mbulohet me drithra

Ja, ku po vjen dhe m’e vona, mjellma e fundit
mjellma e fundit brymuar nga vjeshta
hirin hënor të flijimit kalimthi ma shkundi
brymën e ikjes pa kthim më brymoi përmbi vjersha

Unë kështu dimëroj gjer në flirtet e vona
herë i rishuar, herë i rindezur, sa mund
jam gati cdonjë ta ridua sikur t’ish vërtet Dezdemona
pastaj ta harroj si një libër qe s’mund ta lexosh gjer në fund.

Manipulimi me pasqyrën triumfon mes punëve tjera në ‘Gjon Mili 2017’ (FOTO)

Arbër Selmani

Një sfond Chroma, apo një pëlhurë e gjelbër që shërben si kromaki dhe mbi të cilën mund të krijohet çdo pamje e mundshme, në fakt edhe me të cilën janë punuar filma të suksesshëm nëpër botë, ka qenë vepra fituese mbrëmë në ekspozitën ‘Çmimi Gjon Mili 2017’.

Dardan Zhegrova, artisti fitues, e ka titulluar punën “E dija se një ditë do të bëhesha kërcimtar”. Siç thotë edhe koncepti i veprës, nuk ka asnjë kontribut personal a përpjekje nga ana e artistit, pos bashkëngjitjes ndaj veprës të stendës muzikore dhe filmave Fuji. Audienca parakalon, dhe momentin humb shumë shpejtë, në veprën e vendosur në katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Kosovës, në formën e skulpturës dhe skenës e cila të jep formën që ajo vetë dëshiron.

“E dija se një ditë do të bëhesha kërcimtar” u shpall mbrëmë unanimisht fituese e këtij edicioni. Zhegrova, një djalë i ri nga Prishtina, la pas 17-të artistë të tjerë që këtë vit erdhën në ekspozitën prestigjioze nën konceptin “Hiperimazhi – Imazhet brenda dhe jashtë ekraneve tona”.

Zhegrova, në emocionin e fitores, thotë se kjo është puna në të cilën ai ndoshta ka dhënë më së paku mund.

“Ideja e punës sime nënkupton faktin që sot asgjë nuk qëndron, me mijëra fotografi shkrepen në sekondë, plus që çdoherë e më shumë kamerën po e kthejmë kah vetja dhe kjo tregon pasqyrën e vetës sonë. Polaroidëve në vepër ia kam bashkangjitur edhe pasqyrën, për të treguar se si secili prej nesh e manipulojmë lehtë realitetin tonë” tregon Zhegrova, shkruan KultPlus.

“Edhe vetë titulli i punës tregon se ti mundesh me e manipulu atë çka je, çka dëshiron me u bo, dhe je dirigjent i vetes dhe i këtij manipulimi. Faleminderit për çmimin dhe shpresoj që artistët në të ardhmen do të përkrahen më shumë. Për mua ishte kënaqësi të ekspozojë në Galerinë Kombëtare të Kosovës” vazhdon Zhegrova për KultPlus.
Punët tjera janë jo më pak të fuqishme. Vajzat e kolektivit HAVEIT janë në dy katet e Galerisë duke shitur fara, mbështjellë me fotografitë e punëve të tyre të mëhershme. Claudia Sola, në katër ekrane të ndara, sjellë kaosin dhe mundësinë e dhënies formë të tij, pa e shkatërruar.

Kushtrim Asllani ka prodhuar një letër tapicerie prej dyshemesë deri në tavan të shtypur me një imazh të përbërë të një babai që i kreh flokët vashës së tij, ndërsa ajo shikon televizorin në murin përballë dhomës. Oskar Schmidt – artist gjerman, në katin e parë sjellë dy fotografi të mëdha, mbi estetikën dhe të bukurën e secilës ditë. Ai e miraton estetikën dhe retorikën e fotografisë së përditshme dhe e përkthen si një deklaratë artistike, ndoshta edhe me anë të buzëve të një vajze.

Kuratori Alfredo Cramerotti, i privilegjuar që i është besuar ky rol në edicionin e 15-të të “Gjon Milit” ka treguar në hapjen të ekspozitës se është punuar shumë që ekspozita të marrë këtë formë.
“Titulli i ekspozitës – “Hiperimazhi”, është një term i sajuar për të treguar se si qarkullojnë fotografitë, se si ne i bëjmë ato të qarkullojnë por edhe se si ato e plotësojnë botën tonë. Sonte, në këtë ekspozitë ku bashkohen artistët ndërkombëtarë e vendorë brenda një koncepti të vetëm, fotografia vjen në formën e zërit, objekteve, performancës, numrit, pra në një formë të zgjeruar dhe në të gjitha aspektet e zhvillimit të saj” tregon kuratori Cramerotti.

Ekspozita në fjalë do të qëndrojë e hapur për 1 muaj.

Zhegrova, artisti fitues i natës, i çmimit prestigjioz që ka vlerën prej 1 mijë eurosh, është artist nga Prishtina i cili me hapa të shpejtë po ngjitet në nivelin e artistëve më të mirë në Kosovë, të gjeneratës së re e të frytshme. Zhegrova javën tjetër do të ekspozojë në Paris, ndërsa kohë më parë bashkë me Lola Sylajn ishte fitues i çmimit “Artistët e së nesërmes”. / KultPlus.com

Një ekspozitë si pikënisje e ‘Kosovo Art Academy’ (FOTO)

“Kosovo Art Academy” është akademia më e re e themeluar nga Akademia prestigjioze e Arteve të Bukura “LABA” me seli në Itali. Me rastin e inaugurimit, nesër do të mbahet ekspozitë nga artistë italianë dhe të Kosovës me titullin “Nën të njëjtin qiell” , shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë artistët ndërkombëtarë dhe vendorë që do të marrin pjesë janë : Roberto Dolzanelli, Filippo Centenari, Armida Gandini, Tommaso De Angelis, Dany Vescovi, Zeni Ballazhi, Rrezeart Galica, Dardan Luta, Afrim Spahiu, dhe Artan Balaj.

Roberto Delzanelli, udhëheqës i Kosovo Art Academy, në një konferencë për media hapjen e kësaj akademie e quajti një moment të rëndësishëm sa i përket takimit të artistëve kosovarë dhe shqiptarë, ku theksoi edhe vështirësitë e Kosovës në identitetin kulturor.

“Kësaj ekspozite kemi dashur t’ia japim titullin “Nën të njëjtin qiell” , me idenë që populli kosovar, italian dhe të gjithë popujt nëse i drejtojmë sytë nga qielli, të gjithë jemi nga ky qiell dhe kjo na ndihmoj t’i kalojmë vështirësitë e njëjta që i kemi në jetë’, ka thënë ai, shkruan KultPlus.

Ndërsa kuratori i ekspozitës , Alberto Mattia Martini thotë se e gjithë ekspozita është krijuar në bazë të titullit dhe se fillimi i kësaj Akademie nënkupton ngritjen në tokë drejt qiellit për të mbjellë një ndjeshmëri artistike.
“Kjo ekspozitë ka për qëllim që të përmbledhë ndryshimet e të gjithë njerëzve, që nuk jemi të gjithë të njëjtë dhe ekspozita përpiqet ta shfaqë këtë dallim i cili është një bukuri në vete. Të gjitha punimet në ekspozitë bazohen në aspektin e natyrës, një natyrë e cila është e pushtuar nga materia dhe nga ngjyra, një natyrë që shndërrohet pastaj në natyrë fotografike. Në ekspozitë do të shihni një natyrë që konsiderohet në një metropol nga vetë njeriu”, është shprehur Alberto Mattia Martini

Drejtori i kësaj akademie, Shaban Bujupi, u shpreh i privilegjuar që po i sjellin këtë shkollë Kosovës. Këtë bashkëpunim me italianët ai e cilësoi risi për artin dhe kulturën kosovare , duke theksuar se Italia i ka dhënë botës artistet më të mëdhenj.

Rrezeart Galica, i cili do të jetë profesor i dizajnit në këtë akademi , ardhjen e kësaj ekspozite e quajti një art më ndryshe dhe që përmes kësaj akademie arti nuk do të mbetet më i kufizuar vetëm brenda Kosovës.

“Po besoj që bashkëpunimi i artistëve shqiptarë dhe Italianë do sjellë diçka të re për publikun kosovar, edhe në ekspozitën që do të hapet nesër. Bashkëpunimi do të vazhdojë edhe me workshope të tjera të përbashkëta , shkëmbimin e eksperiencave dhe do të njohim artin e njëri-tjetrit, se në ç’rrugë po shkon . Kjo akademi është një dritare e re për brezat e rinj dhe një mundësi që artin e tyre ta plasojnë edhe në Evropë” ka thënë Galica. G.H / KultPlus.com

Dalëngadalë.. poezia e fundit e Dritëro Agollit

Mbaruan të gjitha gjërat që kishte shtëpia:
Në oborr u tha në fillim një dardhë,
U shterr dhe pusi i madh tek avllia
Ku kishte koliben qeni i bardhë.
Dhe vdiqën njëri pas tjetrit

Im atë, vëllezërit e tij, së fundi dhe nëna;
Tani kam mbetur veç unë këtu nga të vjetrit
Tek bulevardi zvarris këpucët e ngrëna.
Kështu, më i vjetri nga fisi jam unë
Gëzohem që rroj me miqtë e mi të hershëm të rrallë,
Por ka edhe të tjerë, madje edhe shumë,
Që thonë: “Ende ky gjallë”

Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët,
Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë!
Kur gripi më zë i ngrenë veshët
Dhë bëjnë sikur u vjen keq: “Vërtet i sëmurë”?

Suspendohen Mehmet Behluli dhe Alban Nimani

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema lidhur me incidentin fizik ndodhur dje në Fakultetin e Arteve të Bukura të Universitetit të Prishtinës, mori vendim për largim të përkohshëm nga puna të të dy profesorëve të përfshirë në incident.

“Prof. Asoc. Mehmet Behlulit iu shqiptua masa “largim i përkohshëm nga puna” deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga organi kompetent i punëdhënësit. Ndërkaq, Prof. Asoc. Alban Nimanit, iu shqiptua po ashtu e njëjta masë, por ky i fundit ditën që ndodhi incidenti ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e tij”.

“Vendimi është marrë duke u bazuar në nenin 28 të Statutit të Universitetit të Prishtinës, nenin 73, paragrafin 1.3, nenin 74 dhe 75 të Ligjit të Punës në fuqi, si dhe për shkak të uljes së prestigjit të Universitetin të Prishtinës “Hasan Prishtina”, thuhet në njoftimin e UP-së

Dardan Zhegrova, pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Artit në Paris

Artisti nga Prishtina, Dardan Zhegrova, do të jetë pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Artit Bashkëkohor – FIAC në Paris.

Zhegrova, i cili sonte është njëri prej finalistëve dhe artistëve që do të ekspozojnë në çmimin dhe ekspozitën “Gjon Mili” në kryeqytet, do të jetë pjesë e Panarit në kryeqytetin francez, nga 19 e deri me 22 tetor, në Grand Palais.

Zhegrova do të përfaqësohet nga Galeria Lambdalambdalambda e cila funksionon në Prishtinë.

“Where we meet sometimes at night, bright bright, long talk in white” dhe “Your enthusiasm to tell a story (White)” titullohen punët Zhegrovës të cilat do të ekspozohet krahas artistëve nga mbarë bota, të përfaqësuar në rreth 300 galeri brenda Panairit, shkruan KultPlus.

Galeria në fjalë, pos Zhegrovës, e sjellë në Panair edhe artisten Tatjana Danneberg.

Zhegrova është artist bashkëkohor nga Prishtina i cili viteve të fundit është aktivizuar në mediume artistike të ndryshme, përfshirë videon dhe instalacionin. / KultPlus.com

Petrit Halilaj do të ekspozojë në Paris

Artisti Petrit Halilaj do të jetë një prej artistëve pjesëmarrës në Panairin Ndërkombëtar të Artit Bashkëkohor – FIAC në Paris.

Panairi i cili fillon me 19 e deri me 22 tetor në Paris mirëpret rreth 300 galeri dhe artistët e tyre, në një panair që gjithmonë sjellë risi në botën e artit, shkruan KultPlus.

Halilaj vjen si pjesë e Galerisë CHERTLÜDDE, ndërsa do të prezantohet në Panair me punën e njëjtë me të cilën po prezantohet në Viva Arte Viva në Venedik.

Bëhet fjalë për qilimat nga Kosova dhe punën artistike “Do you realise there is a rainbow even if it’s night!?”. Pos këtij artisti, Galeria në fjalë përfaqësohet në Panair edhe me artistin David Horvitz. / KultPlus.com

Mirush Kabashi rrëfen dramën e jetës së tij (VIDEO)

Aktori Mirush Kabashi ishte i ftuar në emisionin e pasdites “Rudina”, në Tv Klan, ku ka rrëfyer detaje nga jeta e tij dhe nga karriera. I pyetur nga moderatorja ai ka kujtuar edhe fillimet e tij në kinematografi.

Ai tha se 4 vite pasi kishte qenë prezent në aktrim për shkak të diktaturës së asaj kohe është detyruar të punojë në ndërmarrjen e hekurudhave.

Sipas Kabashit shkak ishin problemet biografike pasi babai i tij dhe një dajë kishin mbaruar shkollë amerikane dhe konsideroheshin si spiunë. / KultPlus.com

Amerika dhe Izraeli heqin dorë nga UNESCO

Kryeministri izraelit Benjamin Netenyahu ka vlerësuar vendimin e SHBA-së si “të guximshëm dhe moral”, pasi ata sot morrë vendim të largohen nga UNESCO.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr nga UNESCO shkaku i fushatës kundër Izraelit, transmeton Koha.net.

Vitin e kaluar Izraeli ndërpreu bashkëpunimet me UNESCO-n pasi u miratua një rezolutë e cila nuk bëri asnjë referencë për lidhjet hebraike në Jerusalem.

Meqë Izraeli është përmendur si njëra prej arsyeve, presidenti amerikan kishte kërcënuar më herët me tërheqjen e mundshme shkaku i asaj që e kishte vlerësuar si fushatë kundër vendit.

SHBA-ja ndaloi financimin e UNESCO-s, pasi kjo organizatë e pranoi Palestinën si anëtare qysh në vitin 2011, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra nga Izraeli. / KultPlus.com

Dua Lipa performon këngën e re në ‘Jonathan Ross Show’ (VIDEO)

Sa herë që Dua Lipa këndon drejtpërdrejt, duket sikur asgjë nuk ndryshon prej versionit të incizuar të këngës.

“New Rules”, këngën e saj më të njohur, Dua Lipa e ka performuar këto ditë në emisionin e moderuar nga Jonathan Ross.

https://www.youtube.com/watch?v=nMCLJ7jeEmg&t=111s

Edhe njëherë, Dua ka treguar vokalin e saj por edhe performancën fantastike live, bashkë me valltaret afër saj. / KultPlus.com

Romani i Ismail Kadaresë shndërrohet në shfaqje teatrale në Brazil (VIDEO)

Gjorgj Berisha, personazhi kryesor në librin “Prilli i Thyer” nga Ismail Kadare, ka folur këtë muaj në gjuhën e Brazilit.

Në Shed Arthur Netto, një teatër i artit performues në Brazil, këtë muaj disa herë është reprizuar shfaqja “Armiku” bazuar në tekstin e romanit nga Ismail Kadare.

Shfaqja ka për aktor kryesor Manoel Mesquita Junior ndërsa tregon edhe zhvillimet e Kanunit në një shoqëri shqiptare të viteve 30-të, shkruan KultPlus.

“Është interesante se si, pa e kuptuar fare, shpesh funksionojmë lehtë drejt mosmarrëveshjes. Edhe pse një botë e tërë flet për dashurinë, tolerancën e vëllazërinë, veprimet janë gjithmonë të rregulluara instinktivisht drejt problemeve e mosmarrëveshjeve” tregon aktori kryesor i shfaqjes “Inimigo” – Armiku.

Prilli i thyer është një nga romanet më të shquara të shkrimtarit shqiptar me famë botërore Ismail Kadare. I publikuar së pari në vitin 1980 në përmbledhjen “Gjakftohtësia”, ky libër që për temë ka besën, gjakmarrjen dhe kanunin në krahinat malore të Shqipërisë Veriore, është përkthyer dhe botuar në dhjetëra gjuhë dhe është filmuar disa herë. Personazhi kryesor, Gjorgu, detyrohet të hakmerret për shkak se këtë e kërkon Kanuni i pashkruar që është përdorur me shekuj në vendin ku ai jeton.

Në Brazil ky libër është kthyer edhe në film, dhe mori titullin “Prapa Diellit”. / KultPlus.com

Kësaj nate me hënë të vjeshtës

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-ketu.
Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhen ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë qe duket mes resh.
Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi.

Artistët nga Kosova të cilët nesër duan fitore në ekspozitën ‘Gjon Mili 2017’

Sot është shpallur edhe juria e ekspozitës ‘Gjon Mili 2017’.

Ekspozita e cila do të hapet nesër, të premten, në ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, do të nisë me një çmim për triumfin e këtij viti, artistin apo artisten më të mirë.

Në mesin e artistëve që nesër mbrëma presin të fitojnë çmimin “Gjon Mili” në këtë ekspozitë dhe çmim të fotografisë, janë edhe artistë të ndryshëm shqiptarë.

HAVEIT
Kolektivi artistik HAVEIT ka në bagazhin artistik performancën “Shaving Patriarchy” – një largim i patriarkalitetit me anë të mjekrës në fytyrë, puthjen para Teatrit Kombëtar të Kosovës për të cilën vajzat morën kërcënim me vdekje, pjesëmarrjet në Suedi, Tiranë, Slloveni e Kroaci, dhe nesër mbrëma janë në mesin e konkurrentëve për këtë çmim.


ELIZA HOXHA
Eliza Hoxha, një këngëtare, një fotografe dhe një ligjëruese, ka zgjedhur kësaj radhe ti futet kësaj ekspozite dhe këtij angazhimi artistik. Eliza realizonte dikur një emision televiziv mbi arkitekturën ndërsa ka botuar një libër mbi Prishtinën, dhe lidhjen mes qytetit e arkitekturës. Eliza është aktive në disa ngjarje kulturore gjatë vitit në Kosovë.


BRILANT PIREVA
Artist i cili ka nisur të aktivizohet me punët e ndryshme artistike, Pireva ka jetuar disa vite jashtë Kosovës. Në këtë listë ai është një emër më pak i njohur por që premton dhe ka zënë vendin e tij fuqishëm në këtë ekspozitë. Mbetet të dëshmohet në hapjen e ekspozitës se me çka vjen Pireva në këtë çmim e ekspozitë prestigjioze. Ai ka fituar para disa vitesh një çmim në Festivalin e Filmit – DOKUFEST në Prizren, shkruan KultPlus.


KUSHTRIM ASLLANI
Kushtrimi është një regjisor, që kësaj radhe ka zgjedhur fotografinë për “Gjon Mili”. Ka fituar çmime në Youth Film Fest, në Boston të Amerikës dhe në FerFilmFestival. Për tu përmirësuar më shumë në pjesën estetike dhe vizuale, ai së fundmi ka nisur ta zbulojë pasionin për fotografi. Asllani ka punuar me emrat si Fatos Berisha e Fatlum Haziri.


DARDAN ZHEGROVA
Dardan Zhegrova – një prej fituesve të çmimit “Artistët e së nesërmes”, së bashku me një prej anëtareve të Kolektivit HAVEIT, mbetet konkurrencë e fortë në këtë garë. Dardani së fundmi ka marrë pjesë në panaire të rëndësishme të artit në Evropë, ndërsa e pret një rezidencë e rëndësishme në një kontinent tjetër. Zhegrova para pak ditësh hapi ekspozitën “Rosehip” bashkë me Lola Sylaj, në Prishtinë.


SADI SUDOHOLLI – TADI
Tadi njihet si vajzë kreative dhe një shpirt artistik i dëshmuar me vizatimet dhe skicat e saj. Së fundmi, ajo është një prej dy personazheve kryesore në videoklipin e ri nga Shpat Deda, krahas aktorit Dukagjin Podrimaj. / KultPlus.com

A thue…

Poezi e shkruar nga Lisandri Kola.

A thue u lindëm, lule,
për shpresën e bjerrun
a për qiellin e çamë?
Për shejtën gjithfarësh
e për thika në asht.
Për peshën e fjalës,
për sytë në përçmim,
e për kryqin e dheut.

Edhe zanit në zallë,
qafa i thyhet,
dalun mundit të madh.
S’asht koha e lendinave
e e dredhëzave të fjetuna
gji lisash.

Trumcakë shkrrye asfaltit
e fry të ftohtit.
Koje buke e sqepa bosh.

Por, duert tona,
lidhun dashnie
kësaj ere kanë me ia zanë frymën.
E lendinave kemi me shkue
tue shkelë qesh e qesh.

Bjerrë asht shumëçkaja
(edhe pse këtë fjalë ti s’e don)
por në skajin ma të butë
kemi me zatetë.
Atje ku na kemi me i këndue
të lumtun njeni tjetrit.

HAVEIT, me ‘Shaving Patriarchy’ në Kroaci (VIDEO)

Kolektivi artistik HAVEIT nga Prishtina do të jenë pjesë e një ekspozite në Rjekë të Kroacisë.

Videoja “Shaving Patriarchy”, apo “Tu e rrujt patriarkalitetin”, e cila është realizuar nga HAVEIT në Prishtinë – para shtatores së Skënderbeut, do të jetë pjesë e ekspozitës “ From the Citizens to Their City”, organizuar nga SMOQUA – i pari festival feminist dhe i dedikuar për komunitetin LGBT në Rjekë.

Me datë 13 tetor, “Shaving Patriarchy” do të shfaqet në kafe bar Dnevni boravak, shkruan KultPlus.

Performanca “Sahving Patriarchy” u realizua në nëntor të vitit të kaluar, për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Videoja dhe performanca u realizuan si revoltë ndaj shprehjes publike të sjelljeve patriarkale. Duke e lidhur mjekrën e burrave me nderin, besnikërinë dhe fuqinë, njerëzit besojnë se sa më shumë e gjatë mjekra, aq më i mirë një person, një burrë.

HAVEIT kësisoj po e hiqnin mjekrën, por edhe po e rruanin patriarkalitetin. HAVEIT përbëhet nga Hana Qena, Vesa Qena, Alketa Sylaj dhe Lola Sylaj.

Një ditë para këtyre artisteve, Anna Hoffner do ta hapë ekspozitën “Exhausted Time: Drag in Times of War”. / KultPlus.com

Pesë shkrimtarë që duhet ti lexoni, edhe pse ndoshta s’do ta fitojnë kurrë Nobelin

Ndërkohë që buja e Kazuo Ishiguros nuk është shuar ende, ka autorë që prej kohësh e dinin se emri i tyre nuk do të ishte dhe nuk do të shqiptohet kurrë në Stokholm. Nobeli është çmimi më i rëndësishëm në botë dhe ata kanë gjithçka për ta fituar, e megjithatë…

Borgesi, kandidati i përjetshëm shprehej se mosdhënia e çmimit ishte tashmë një traditë skandinave. Lista e atyre që nuk e kanë fituar kurrë është e gjatë dhe pothuaj të gjithë e dimë.

Mund t’i shtojmë kësaj liste edhe:

Philip Roth. Siç ndodh zakonisht fituesit variojnë nga një vend në tjetrin, nga një kontinent në tjetrin dhe pas Bob Dilanit do të kalojë shumë kohë që çmimi të shkojë në SHBA. Fakti që ia dhanë Dilanit është se ia mohuan Rothit dhe këtë vit nuk ishte as në 20 kandidatët e parë. Roth është 84 vjeç dhe nuk ka publikuar asgjë të re që nga Nemesis 2010. Disa nga librat e tij janë “Pastoral amerikana”, “U martova me një komunist”.

Margaret Atwood. Raportin Roth me Bob Dilan e gjejmë edhe tek Atwood me Alice Munro. Duket se nuk ka shanse që një shkrimtare kanadeze pas Munro-së të jetë fituese që nga 2013. Është çështje gjeografie? Nëse Atwood do të kishte lindur në Argjentinë, Itali, Kinë? Autorja e “Tregimi i pastrueses” është një kandidate dhe ka fituar të gjitha çmimet përfshirë edhe Booker dhe Princi i Asturias, por Nobeli i mohohet.

Haruki Murakami. Nuk ka stilin dhe tematikën e akademikëve suedezë. Po atëherë pse është një nga kandidatët më të fortë? Që nga Kenzaburo Oe në vitin 1984 asnjë japonez se ka fituar këtë çmim. Ishiguro është japonez-anglez, por nuk duheshin lënë mënjanë autorë si Banana Yoshimoto apo Shintaro Ishihara.

Michel Houellebecq. Gjithmonë thuhet se çmimi Nobel u jepej autorëve të majtë në vendet kapitaliste dhe autorëve të djathtë në vendet komuniste. Me rënien e Murit të Berlinit ishin autorët që denonconin dhunën dhe mungesën e të drejtave të njeriut ose që shfaqnin një rebelim ose jo konformizëm, por jo në nivel të Houellebecq-ut, autor i “Platforma dhe nënshtrimi” që përvijon mjaft mirë realitetin aktual në Francë, por që s’do ta marrë kurrë këtë çmim.

Karl Ove Knausgard. Prusti i aktualitetit po shkruan “Romani i madh i shekullit XXI” me pesë volume, me autobiografinë e tij “Lufta ime”, megjithatë është e pamundur t’ia japin këtë çmim me këtë titull. Sidomos pas polemikave që ndodhën me Camilo José Cela, i akuzuar si frankist dhe Günter Grass si një nazist i ri.

‘Kësulat’, drama e dy familjeve shqiptare e serbe vjen të shtunën në Prishtinë

“Kësulat” është filmi i cili vjen këtë të shtunë premierë në Kinemanë ABC duke filluar nga ora 20:00.
Në film pasqyrohet jeta e dy familjeve, shqiptare dhe asaj serbe, të cilat njihen prej kohësh dhe kanë fqinjësi të denjë, në një fshat Kosove. Lufta e vitit 1999 bëhet shkas i ndarjes së tyre.

Ky film vjen nën regjinë e Alan M.Trow, kurse do të shfaqet për një javë rresht në repertorin e rregullt të Kinemasë ABC, çdo ditë në ora 20:00.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, producent Blerim Kaciu tregoi se ky film është realizuar në Kosovë, në komunën e Podujevës, në fshatrat Pollog dhe Dumnicë kurse postproduksioni është bërë në Angli me bashkëpunim mes ekipit shqiptar dhe atij anglez.

Skenaristi Jimi Tihofsi tregoi se zanafilla e projektit daton rreth 14 vite më parë, por projekti nuk ka arritur të realizohet deri tash për shkak të mungesës së fondeve, të cilat ishin refuzuar dy herë nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Para 10 viteve kemi provuar ta bëjmë filmin, në vitin 2002 kam filluar ta shkruaj këtë skenar, për 4 vite e kam shkruar, për 10 vite jemi munduar t’i gjejmë fondet, ndërkohë kur s’kishim çfarë të bëjmë kemi provuar ti ndryshojmë skenat brenda filmit, kështu që e kemi ndryshuar disa herë. Thelbi megjithatë ka mbetur i njëjti”, ka thënë Jim Tihofsi.

Krejt në fund, filmi ka mbetur pa fonde shtetërore dhe si i tillë është realizuar me fonde vetanake.
Në rolet kryesore në këtë film janë: Selman Jusufi, Bislim Muqaj, May-Linda Kosumovic, Ismail Kasumi, Fatime Sefaj, Jimi Tihofsi, Meli Qena, Labinot Lajçi, Furtuna Aliu, Avni Abazi, Besfort Daka, Nuhi Matoshi, shkruan KultPlus.

Aktori Selman Jusufi tregon se si regjisori në këtë film kishte pasur një interesim më shumë sesa për vetë luftën, duke u futur thellë në etnosin shqiptar, në mërzinë, në të bëmat e këqija. Jusufi paraqitet në rolin e komshiut shqiptar, ai në këtë film shfaqet si më i vjetër, personazh i cili gjatë kohës së luftës qëndron i vetëm në shtëpi derisa familja e tij largohet nga Kosova. Në anën tjetër aktori Ismail Kasumi e quajti rolin si një ballafaqim edhe me vetveten. Ai luan rolin e serbit. Të dy të ndodhur në një fatkeqësi tregojnë mbështetje për njëri- tjetrin, duke u mbrojtur nga rreziqet që vinin në të dy anët.

“Prindi më vdes gjatë kohës së luftës por Selmani më ndihmon për ta varrosur. Nuk mund të largohem lehtë nga Kosova, gjatë filmit. E kam komshiun me të cilin gjithmonë ia kemi dalë bashkë, pa rreziqe. E mbrojmë njëri tjetrin nga luftëtarët dhe rrethanat” tregon aktori Ismail Kasumi.

Distribuimi i këtij filmi është bërë në Kosovë dhe ky film do të shfaqet edhe në disa qytete të tjera të Kosovës, nga e hëna në Prizren ndërsa me datë 24 tetor në Mitrovicë. Premiera në Angli vjen me datën 4 nëntor. G.H / KultPlus.com

Ti dhe uji

Poezi e shkruar nga Ali Podrimja

Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd

(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe Femrës)

Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet

Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.