“Ende pres tek Furra e Qerimit, vendi jonë i takimit” (VIDEO)

Furra e Qerimit në Prishtinë dikur ka qenë vendtakim për qytetarët.

Furra e Qerimit, e cila edhe sot funksionon në Prishtinë ndonëse në më pak lokacione dhe më pak e zëshme ndër popull se dikur, dikur ka qenë një vend në formën e një nën-kulture në Kosovë.

Armend Rexhepagiqi, në vitin 1998 ia kushton kësaj Furre të famshme një këngë e cila edhe sot dëgjohet me ëndje.

Refreni “o ende pres tek Furra e Qerimit, vendi jonë i takimit” dëgjohet shpesh në radio por edhe nga dëshira kureshtare e dëgjuesve shqiptarë.
Armendi këtë këngë e ka kënduar për vite me radhë, dhe po ta sillte edhe sot do të dukej sikur këngë e re dhe shumë aktuale.

Furra e Qerimit është njohur gjithmonë si furrë e bukës prej së cilës nuk harrohen lehtë jo vetëm byrekët, por edhe ushqimet tjera. Produktet e bukës gjithmonë janë kërkuar për herë të parë në Furrën e Qerimit, ndërsa fakti që një artist si Armendi e ka inkuadruar këtë furrë në një prej këngëve të tij flet më shumë për rëndësinë e kësaj furre dhe një gjeneratë që është takuar afër kësaj Furre. / KultPlus.com

A ka histori më të dhimbshme se ajo e Hyrie Hanës?

Hyrie Hana do të kalonte një jetë të vështirë për shkak të sëmundjeve që i erdhën viteve të fundit.

Siç shkruan Sanije Gashi në librin “Ecje nëpër kujtesë”, Hyrie Hana – kjo aktore e njohur shqiptare, hoqi shumë në jetë nga UDB-ja serbe por edhe ishte veprimtare e njohur dhe e pashoqe.

Një ndër gratë e para aktore në Kosovë, Hyrie Hana ka një histori të mundimshme në ditarin e jetës së saj, shkruan KultPlus.

Ishte e bija e Gjylies dhe e Shyqyri Hanës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte pjesëtare e Aradhës Partizane Bajram Curri. Pas përfundimit të Luftës do të filloj punën si spikere në Radio Prishtina dhe nga viti 1947 do të inkuadrohet si aktore në Teatrin Profesional të Prishtinës dhe së bashku me Meribane Shalën dhe Katarina Josipin do të jenë ndër aktoret e para në Kosovë. Në Teatrin Profesional të Prishtinës nuk qëndron gjatë sepse ishte motër e “armikut të popullit” Xheladin Hana. Më 1953, me ndihmën e aktorit Shaban Gashi pranohet aktore në Teatrin e Pakicave në Shkup. Aty luajti “E shoqja e Hasan Agës”, “Besa” e Sami Frashërit – Vahiden, tek Koshtana – nënën etj.
Sanije Gashi, një grua së cilës i detyrohemi për një libër ku janë përfshirë gratë më të njohura dhe të suksesshme shqiptare, tregon për Hyrien dhe për të arriturat e të bëmat e saj.

Në vitin 1945 Hyrie Hana nisë punën si spikere në Radio Prizren, ndërsa më pas transferohet edhe në Prishtinë. Dikur martohet me Ali Boletinin, shkon nuse në shtëpinë e Boletinëve.

Më 1961 e burgosur për herë të dytë, e mban dënimin në Pozharevc deri më 1966, si pjesëtare e Organizatës Lëvizja për Liri dhe Bashkim Kombëtar. Për herë të tretë u burgos më 1970, u dënua dhe e vuajti dënimin në burgun e Pejës. Hyrie Hana ishte “një atdhetare tepër e veçantë, e cila gjatë tërë jetës së saj vetëm i dha dhe asgjë nuk i morri Kosovës. Ajo la në dorëshkrim veprën, “Kujtime – Automonografi”, të cilat u botuan pas vdekjes së saj, në Prishtinë, më 2008.

Në dosjet e saj të fryra me lloj – lloj akuzash, që i kishte të hapura në Prishtinë, Beograd, Pozharevc, Pejë e gjetiu s’kishte asnjë provë të vërtetuar, por e mbanin në burgje. Donin ta thyenin, por kishin hasur në person që nuk përkulej para asnjë sprove. Gjatë hetuesisë dhe seancave gjyqësore, ajo kurrë dhe asgjë s’kishte pranuar. Asnjëherë as që ia kishte përmendur emrin. Ky qëndrim i saj i bënte të tërboheshin hetuesit, të cilët donin ta kryqëzonin.

Hyrie Hana mbyll sytë më 2 korrik të vitit 2004, në moshën 75 vjeçare. Këtu, shkruan Sanije Gashi, përfundon “Jeta ime plot mundime”, një jetë e mundimshme e Hyries.

Posta e Kosovës ka hedhur në qarkullim emisionin e ri të pullave postare në kuadër të tematikës “Femra të shquara kosovare, ku pos Xhevë Krasniqit – Lladrovcit e Katarina Josipit është edhe e pathyeshmja Hyrije Hana, – Populli i Kosovës është krenar me kontributin e jashtëzakonshëm të tyre në çështjen kombëtare dhe të artit skenik. – shkruan në komunikatën e Postës së Kosovës duke vazhduar se të tria kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë. / KultPlus.com

Aleksandër Prosi, njeriu që mahniti teatrin shqiptar

Njeriu që i dha drejtim frymës së kohës, me kredo në gjendjen e edukimit të artit nëpërmjet filtrit të së vertetës dhe kënaqësisë. Njeriu që i bëri të gjithë për vete me urtësinë që e karakterizonte; zërin dhe sytë e paqtë.

Aleksandër Prosi, njeriu që i dhuroi i pari teatrit ndërsjelljen gjegjëse të gjëndjeve: planeve logjike dhe monologjeve të brendshme.

Udha për te njeriu është e vështirë, por Sandri e gjeti shtegun për të mbetur i pavdekshëm tek të gjithë vdekatarët. Ai kristalizoi individualitetin e tij të spikatur në mbi 100 role. Gama e gjerë e personazheve të cilat ai jetëzoi kanë mbetur aty; jo vetëm në arkivën e artë të Teatrit Kombëtar, por dhe në sirtarin sekret të kujtesës sonë emocionale.

Në shënimet e tij të fëmijërisë, shkruante: ‘’Më pëlqen të ndjek filmat. I adhuroj! Sidomos ato të Charlie Chaplin. Më pëlqen shumë kinemaja. Ëndërroj të bëhem violinist…’’

Lindur në Shkodër më 1920. Pas mbarimit të gjimnazit në Tiranë nga ku merr dhe pjesë në dramën ‘’Vilhem Teli’’, do të shkonte në Austri për të ndjekur studimet për stomatologji. Por duket se i la në gjysmë, për të përfunduar atë çka donte: Artin.

Ndaj dhe kthehet për të marrë pjesë në konkursin që asokohe mbahej në Teatrin Popullor më 1947 dhe e fiton atë, për të nisur kështu me përgjegjshmëri profesionin e aktorit, kontributi i të cilit përçon dhe sot mesazhe të qarta duke na bërë thirrje mes rikuptimësimesh; edukimin e të bërit dhe të qenët artist. Nga ku në fakt, sot, druaj kjo tokë nuk pjell më…

Të gjithë filmat e tij, i kemi parë. Janë rreth 30, por shumë prej kolegëve dhe artdashësve veçojnë: ‘’Përballimi’’ – 1976, ‘’Udha e Shkronjave’’ -1978, ‘’Gjeneral Gramafoni’’- 1978, ‘’Njeriu me top’’ – 1977, ‘’Nëntori i dytë’’- 1982, ‘’Dora e ngrohtë’’- 1982, me interpretime të një mjeshtërie të lartë njërzore, filmike dhe skenike.

Në teatër ka shkëlqyer në rolin e Otellos. Nuk iu deshën pak, por plot katër vjet për të arritur magjinë e këtij personazhi, duke punuar veçmas me vetveten, për të arritur ndjesitë komplekse të kësaj figure. Shumë teatro në fakt, e trajtojnë si tragjedi të xhelozisë, por Sandri rezulton ndryshe; duke i mëshuar nderit dhe besës, veçori këto që e ndoqën deri në fund të jetës, duke e lënë dënimin e pabesisë për në fund.

Ka interpretuar gjithashtu në “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Fytyra e dytë”, “Hamleti”, “Makbethi”, “Familja e Peshkatarit”, “Epoka para Gjygjit”, “Revizori”, “Xhaxha Vanja”, etj…

Malcolm Turner vjen këtë vit në Festivalin Anibar

Malcolm Turner, udhëheqësi i Festivalit Ndërkombëtar të Animacioni në Melbourne do të jetë prezent në edicionin e tetë të Anibarit, për të prezantuar 2 programe speciale qe ka kuruar për festivalin Anibar.

Malcolm po sjell në Anibar filmin Grendel, Grendel, Grendel nga Alex Stitt, i cili është film i bazuar në romanin me emër të njëjtë. Ai do e prezantojë filmin, dhe më pas do të flasë edhe për regjisorin e filmit, dhe do të shpërndajë edhe te shikuesit 2 kopje të librave të Alex Stitt.

Prezentimi i dytë do të jetë i shkurtër, ku Malcolm do e prezantojë programin e filmave Australian Showcase. Pas prezantimit pasojnë 17 filmat më të mirë e më të fundit të animuar Australianë, të mbledhur në një program dhe të selektuar vetëm për publikun e Anibarit.

Australian Showcase Program me prezantim të M.Turner do të mbahet të Martën më 15 Gusht, prej orës 12:00 në kinemanë Jusuf Gervalla.
Grendel, Grendel, Grendel bashkë me prezantim fillojnë në orën 14:00, të enjten me 17 gusht. / KultPlus.com

Kur arratisja e spikereve shqiptare Izabela dhe Zamira ishte kryetitull i gazetave spanjolle

Nga Armand PLAKA

Ishte një nga aktet më të guximshme të ndërmarra ndonjëherë gjatë periudhës së diktaturës në Shqipëri.

Historinë e tyre ata kanë pasur rast t’a tregojnë edhe vetë me detaje, e madje Ismail Kadare u ka kushtuar atyre edhe një vepër me titull: Spiritus, botuar në vitin 1996.

Bëhet fjalë për arratisjen e bujshme të dy motrave Islami, Izabela dhe Zamira, të cilat sot njihen gjerësisht si gazetaret dhe spikeret e “Zërit të Amerikës”.

Një foto që hasa së fundmi në mediat spanjolle, më bëri shumë përshtypje për vetë faktin se edhe një gazetë nga një vend në dukje jo fort i interesuar për ngjarjet në Shqipëri, kishte zgjedhur t’a vendoste në faqe të parë këtë ngjarje e t’i linte hapësirë primare fotos së “dy grave heroina”.

Kështu thuhet të paktën në diçiturën e fotos me përmasa relativisht të mëdha, ku dy pjesëtaret e familjes Islami, që kishin provuar ndërkaq persekutimin në shkallë madhore të internuara në fshatrat e Lushnjes dhe kishin humbur vëllanë e tyre të vetëm gjatë përpjekjes për t’u arratisur nga Saranda për të mbërritur më pas në brigjet e Korfuzit.

Fotoja është marrë gjatë ditëve të qëndrimit të tyre të përkohshëm në Athinë (para një kioske) dhe shoqërohet edhe më një tekst të shkurtër, ku theksohet fort simbolika dhe mesazhet e atij akti të pashoq heroizimi e sakrifice.

Botimi mban datën 14 gusht 1984 dhe është botuar në të përditshmen “La Vanguardia” të Barcelonës, e cila ishte vërtetë një platformë “leader” përsa i përket shtypit spanjoll. / KultPlus.com

Disa artistë nga Kosova dhe një fotografi e vjetër e një kafeje në Gjakovë (FOTO)

Një pjesë e mirë e tyre sot kanë ndërtuar karrierë në fusha të ndryshme, por dikur kanë nisur nga zeroja dhe në rrethana të ndryshme.

Aktori Kushtrim Hoxha e ka ndarë këtë fotografi nga Gjakova e dikurshme, ku shihet ai me shokët e tij në Take Five Jazz Café, në vitin 1997.

Disa vite më vonë ky vend i njohur në Gjakovë do të digjej shkaku i luftës në Kosovë, ndërsa Kushtrimi tregon se shokët e tij dhe ai kanë kaluar kohë të konsiderueshme në këtë vend.

“Ishte shtëpia jonë e dytë, u rritëm duke punuar aty. Dy vite më pas, në prill të vitit 1999 Take Five morri flakë” tregon artisti.
Pos tij, në fotografi shihet edhe Ilir Bokshi – sot regjisor i njohur, Armond Morina – aktor i njohur, Arben Lleshi, Erzen Vala dhe Qekim Bela.

Sot secili ka vazhduar jetën e tij në forma të ndryshme ndërsa të kthehesh në kohë është gjithmonë e këndshme kur kjo ndodhë me anë të fotografive. / KultPlus.com

Berati prapë në listën e qyteteve më të bukura në Evropë

Kryeministri Edi Rama ka postuar mëngjesin e sotëm në “Facebook”, një shkrim të britanikes Telegraph që e ka renditur Beratin të dytin në listën e 30 qyteteve më të bukura në Europë.

Në shkrim veçohet lagja e vjetër e Beratit, Mangalemi, e cila është një Trashëgimi Botërore e Unesco-s.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë artikull të një prej mediave më të mëdha britanike, që e ka renditur Beratin të dytin në listën e 30 qyteteve më të bukura në Europë duke veçuar se: “Mangalem, lagjia e vjetër e qytetit të Beratit, ndodhet në brigjet e lumit Osum dhe është një Trashëgimi Botërore e Unesco-s. Në kohët mesjetare Berati ishte një qytet kufitar i Perandorisë Bizantine, siç dëshmon dhe kalaja e tij”, shkruan kryeministri Rama në postimin e tij.

Pos Beratit, në listë janë përfshirë edhe Kilkenny në Irlandë, Rovinj në Kroaci, qyteti Soglio në Zvicër dhe qytete tjera nga Qipro, Suedia e Sllovakia. / KultPlus.com

Uta është inspirimi

Shkruan: Driada Matoshi

E dua natyrën. Më shumë se çdo gjë tjetër. E di që edhe ti e do. Ndalu e mendo: sa herë të ka shkuar mendja me ik nga aty ku je, e me humb diku në mal?

“Kishim shku në Gërmi nesër… Jam lodh prej këtij pluhuri… Sa shumë më kish pëlqye me e pasë një kasolle të vogël diku në periferi…!?”, janë shprehjet më të shpeshta që i kam dëgjuar kohëve të fundit, që më kanë shtyrë të mendoj më shumë për t’u larguar nga rutina urbane.

Pse nevoja me u lidh më tepër me natyrën po bëhet çdo ditë e më e madhe? Çka po na mungon? Pse po ndihemi kaq të zbrazët? Dhe, pse jemi zhytur në dembellëk sa përtojmë të dalim nga kjo amulli psikike e fizike?

Prej lodhjes së vazhdueshme e kisha përshtypjen se trupi po më zvogëlohet, sikur po bën përpjekje të futet në thellësi të tokës. S’ke si ndihesh ndryshe kur rutina e ushtrimeve të domosdoshme fizike nuk ekziston fare, kur ushqimin që konsumon nuk është i mirë (plus e ha jo me rregull), gjumi është i parregullt e numri e cigareve e alkoolit në rritje… Qëndrimi i gjatë në karrige, parametrat shqetësuese të papastërtisë së ajrit, ushqimi i kontaminuar, shkëputja totale e marrëdhënieve me natyrën, mungesa e lëvizjeve… janë e përditshmëria jonë!

Lodhja e shpeshtë e humbja e energjisë janë shenjat e para që trupi i jep kur kërkon vëmendje. Kështu të paktën ka ndodhur me mua. Këtë “alarm” e perceptova si shkëndijë për ndryshim. Hapi i parë: e lash cigaren; i dyti: dola në vrapim. Pas tri javësh vërejta se ndihem më mirë. Nuk doja t’i kthehesha më rutinës së vjetër. Lëvizja, ushtrimet fizike, përmirësimi i qarkullimit të gjakut ma kanë kthjell edhe trurin.

Ndryshimet e mira për veten e për rrethin i bën këmbëngulja. E, frymëzim të madh për të vazhduar tutje është Uta Ibrahimi, shoqja ime e fëmijërisë. Ajo më nxiti në ngjitjen time të parë, në majën e Rudokës të vargmaleve të Sharrit. Me neve ishin plot të tjerë, kush më shumë e kush më pak entuziast në ngjitjen e majave.

Në pikë të vapës, ishim në mbi 2,500 metra lartësi. Kur arritëm te liqen i Shumanit, i ngritëm tendat për kamping, joga e vështrim të yjeve e të Hënës me teleskop. Sa më lartë ngjitesha, sa më shumë lodhesha, aq më shumë këndellesha dhe merrja frymë më lehtë.

Në vargmalet e Sharrit has në stanet e barinjve që rrinë aty deri në tetor. Rrugës mund t’i takosh ata, në këmbë apo në kalë, duke pasuruar edhe më shumë panoramën dhe koloritin magjik të Sharrit. Sytë sikur pushojnë, e burimet e freskëta ta flladitin më shumë trupin e shpirtin.

E kisha një libër me vete. Në një kapitull të tij flitej për kohën reale dhe atë imagjinare në letërsi; se si në atë hapësirën kohore imagjinare, që e krijon autori, personazhet kthehen prapa në kohë, vizitojnë të ardhmen apo edhe e injorojnë konceptin kohë; se si vetëm ata mund ta gëzojnë lirinë që njerëzve prej mishi e gjaku u mohohet. Mendova me veti: nëse vërtetë do të zhdukësh për pak lidhjen tënde me kohën, me oraret, me detyrat, me qëllimet, me përgjegjësitë ditore, e me ia dorëzua veten natyrës duke qenë tamam vetja jote… nisu për në mal. Menjëherë. Lë të të ngjajë vetja me Oskarin e Gunter Grassit i cili vendos të mos plaket, ta mund kohën e ta sfidojë vdekjen!

Arsyeja e mos lëvizjes nuk është plakja, por plakja është pasojë e mos lëvizjes. Shembullin më të mirë e kisha në Sharr, mes njerëzve të grupit të ngjitjes. E pyeta njërin sa vjeç është. Ai burrë me dukjen dhe energjinë e një 25-vjeqari, që shumicën e kohës printe në ecje, më ktheu qetë: 52! Takova edhe nga ata që rrugën e bënin më me shumë vështirësi, por që entuziazmi për të arritur deri në majë nuk u mungonte. Të gjithë ne e sfidonim veten dhe relativitetin e kohës në lartësi.

Ndalesat për pushim i shfrytëzonin në maksimum. Uta kujdesej për secilin, jo vetëm me ofrimin e ndihmës me pajisjet, por edhe me fjalë motivuese. Pasi u ngjitëm në mbi dymijë metra lartësi, bota rreth e rrotull nesh u bë e vogël. Nga ana e majtë e horizontit ishte Korabi shkëmbor, Gjallica e Koretniku përball nesh, në veri Pashtriku… Secili nga ne përfitonte nga pamja që na rrethonte, duke u zhytur thellë në meditim e duke u çliruar nga energjitë e dëmshme.

“Me raste shpejtojeni hapin, me qëllim që t’ia ndryshoni ritmin zemrës, për të hapur kanalet e qarkullimit. Kur të keni mundësi, hiqini këpucët dhe mbani kontakt të drejtpërdrejte me tokën, që ta arrini procesin e tokëzimit – proces esencial për të rikuperuar energjitë trupore”, këshillonte Uta.

Një Zot e di se sa kohë ka kaluar që nga tokëzimi im i fundit. Ndoshta 15 vite kam që nuk jam lidhur drejtpërdrejt me tokën e natyrën, me momentin kur bëhesh i vetëdijshëm për potencialin e trupit dhe mendjen dhe për atë se çka ti mund t’u ofrosh të tjerëve.

Duke ecur, duke marrë informacione për jetën e shëndetshme, e duke planifikuaar aktivitete të tjera, e gjetëm vetën në majë të Rudokës. Është ndjesi e fuqishme dhe emocion i veçantë të qëndrosh në lartësi të tillë e ta shohësh të vogël krejt poshtë, si një maketë, Tetovën e shtrirë buzë vargmaleve të Sharrit.

Qytetin e ruanin retë e bardha, që lëviznin me ritëm të ngadaltë e organik, e shndërroheshin si në figura kafshësh. Të gjithave ua ngjisnim nga një emër. Retë pastaj ngadalë e linin të lirë Diellin, që na vinte pranë – më i bukur e më i ngrohtë se kurrë.

Rudoka është e magjishme. Por, akoma me i magjishëm është momenti kur njeriu e kupton se është shndërruar në inspirim për njerëzit e tjerë. Ndihem e realizuar me këtë ndërmarrje. Ndihem mirë që e kisha pranë Utën, që na shtyn t’i kthehemi natyrës, jetës së shëndetshme, ushqimit të mirë, e gjërave bazë për të cilat ka nevojë trupi e mendja jonë.

Uta më inspiroi që të ngjitem në Rudokë. Gjithçka e mirë dhe pozitivë për mua, nisi mu aty. Provojeni edhe ju.

‘Doda-The life and adventures of Franz Baron Nopcsa’ sjellë një rrëfim dashurie të baronit hungarez dhe sekretarit shqiptar

Sarandë Selimi

‘Doda-The life and adventures of Franz Baron Nopcsa’. Krejt kjo nisi nga një fotografi e Bayazid Elmas Dodës dhe Franz Baron Nopcsës, të cilën e gjeti skenaristi dhe regjisori i këtij dokumentari – Visar Vishka. Ajo fotografi e tërhoqi jashtë mase, gjë që e shtyu të nisë hulumtimin rreth këtyre dy personazheve për të nxjerrë vetëm një skenar e më pastaj atë skenar ta bëjë film fiction. Gjërat nuk rrodhën kështu, sepse Visar Vishka, mblodhi aq shumë material saqë mesditën e së enjtës atë material – filmin dokumentar 107 minutësh e shfaqi para audiencës së Festivalit të Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër-DokuFest, pikërisht në ditën e fundit të shfaqjes së filmave të kategorisë kombëtare.

Një rrëfim që asnjëherë nuk të lejon të ikësh. Nisë duke treguar për jetën e shkencëtarit Franz Baron Nopcsa, i cili ishte i apasionuar pas kombit shqiptar, gjë që e bëri të udhëtojë e ta studiojë më shumë këtë komb dhe këtë vend. Një njeri i zgjuar si ai, takoi bashkëudhëtarin e tij, sekretarin dhe dashnorin Bayazid Elmas Dodën, të cilin e mori pas vetes edhe atëherë kur vendosi t’i jap fund jetës së tij. Aventurë pas aventure tregohet përgjatë 107 minutave nga shkencëtarë të tjerë që janë pjesë e këtij dokumentari. Një ndër ta që dinte më së shumëti për jetën e këtyre dy njerëzve ishte edhe Robert Elsie. Ky dokumentar nuk mbaroi vetëm me jetën e dy të dashuruarve që ishin qift homoseksual që nuk e lanë asnjëherë njëri tjetrin vetëm. Aty tregohej pak nga jeta e Ismail Qemailit dhe djalit të tij e pak nga shumëçka që e karakterizonte kombin shqiptarë asokohe -para një shekulli.

Për krejt këtë punë të mahnitshme, Visar Vishka ka punuar përgjatë pesë viteve, e krejt kjo për arsye të buxhetit. Por edhe kjo pritje ishte e mirë, pasi pikërisht për shkak të kësaj, Vishka u bë zbuluesi i varrezave të Dodës dhe Nopcsës.

“Kam punuar rreth pesë vite për këtë projekt. Ishte një krizë në gjithë botën dhe lëshoheshin pak para nga të gjitha fondet, pasi xhirimet ishin jashtë Maqedonisë dhe më duheshin ato. Ishte pak palidhje ta quaj ashtu të dalësh nga filmi dhe të hysh prapë por një gjë e mirë që ishte nga kjo është se zbulova varrezat e tyre. Ka pasur shumë gjëra të reja që patën dalur e edhe montazhi më mori goxha kohë për shkak të materialit, dhe duhej ta gjeja mënyrën si ta tregoj këtë rrëfim sepse duhej të kombinoja shumë gjëra”, pohoi para të pranishmëve dhe para jurisë së filmave të kategorisë kombëtare krijuesi i dokumentarit – Visar Vishka.

Aventurat e Dodës dhe Nopcsës, përfunduan atëherë kur Nopcsa, shkruan një letër ku tregon për vetëvrajsen e tij dhe vrasjen e Dodës. Nopcsa për pak edhe të bëhet Mbret i Shqipërisë, nga një person i thjeshtë vjenez.
“E bëra këtë vrasje, pasi që Doda nuk do të kishte mundur të jetojë pa mua. Do t’i dhimbte shumë”, thuhej në letrën e Nopcsës.

Nopcsa vrau fillimisht Dodën, një shqiptar të ri e të zot, teksa ishte në gjumë e më pastaj edhe veten me një plumb në gojë, plumb ky i cili përveç kafkës së tij shpoi edhe ulësen.
Por thuhej se nuk ishte arsyeja që Nopcsa vrau Dodën, pasi ky i fundit nuk mund të jetojë pa të. Në këtë dokumentar thuhet se Nopcsa vrau Dodën, pasi që Bayazid Elmas Doda e tradhtoi atë me një djalë tjetër. Ishte shkak i xhelozisë.

Jo vetëm jeta e dashurisë së tyre u tregua përmes këtij dokumentari. Edhe shumë zbulime të tyre nëpër vendet shqiptare u paraqitën përmes imazheve që kishte gjetur Vishka.
“Nuk ka qenë asnjëherë ideja që të bëj film, ideja ishte që të bëj hulumtim dhe ta krijoj një skenar për film. Mirëpo në fund kur pashë materialet dhe pashë montazhin e parë 2 orë e gjysmë kishte shumë material dhe ishte fiks për film. Kur e shfaqa premierë të mbyllur mbetën të mahnitur filmbërësit që ishin, duke thënë që ky është film në vete”, u shpreh regjisori Visar Vishka, i cili me këtë film dokumentar është në garën kombëtare të filmave në këtë edicion të DokuFest.

Me këtë film përmbyllet shfaqja e filmave të kategorisë kombëtare në Dokufest, festival ky i cili edhe këtë rrugëtim e ka drejt fundit./ KultPlus.com

“Last man in Aleppo” në Dokufest, paratë e biletave do të shkojnë në ndihmë të Manolja Kabashit

Po vazhdon udhëtimi i 16-të me radhë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest.

“Last man in Aleppo” shfaqet në këtë edicion të DokuFest, së bashku me një mision human.

Të gjitha të hollat e grumbulluara gjatë shfaqjes së filmit do të shkojnë në ndihmë të Manolja Kabashin, e cila vuan nga leukemia.

“Ju ftojmë të bashkoheni në këtë nismë të DokuFest XVI të shtunën, me 12 Gusht në duke filluar nga ora 14:00 në Lumbardh, për të dhënë kontibutin tuaj dhe për të shijuar shfaqjen e filmit fitues të çmimit të madh të Jurisë së “Sundance” për Dokumentarin e vitit 2017”, shkruan në njoftimin e festivalit.

Ndryshe, festivali do të zgjas deri më 12 gusht (e shtunë), ku edhe do të ndahen çmimet kryesore.

“Shpirti shqiptar”, muzika shqipe para 50 milion shikuesve në mbarë botën (VIDEO)

Me datë 1 janar të vitit 2015-të, për herë të parë në koncertin e madh të Vitit të Ri të Filarmonisë së Vjenës erdhën motive shqiptare.

Kjo falë Shkëlzen Dolit, artistit të njohur shqiptar që bën pjesë në këtë formacion dhe që është krenaria të gjithë shqiptarëve. Muzika shqipe u performua nga Filarmonia e Vjenës ndërsa emocioni i shpirtit shqiptar u ndoq nga mbi 50 milion shikues.

90-të shtete të botës patën mundësinë të njoftoheshin me shpirtin shqiptar, me videon “Albanian Soul” ku performon edhe violinist Shkëlzen Doli.

Videoja edhe sot është e famshme në internet dhe u mundëson qytetarëve të botës të njoftohen me muzikën shqipe.
Shkëlzen Doli, në anën tjetër, muajin tjetër vjen në Tiranë me një koncert të madh ku do të rikthehet pas shumë kohësh. / KultPlus.com

Publikohet kënga më e re e Rita Orës (VIDEO)

Është lansuar para disa orëve kënga më e re e Rita Orës.

Rita kësaj here ka bashkëpunuar me DJ e njohur Avicii, për të sjellë Lonely Together. Kënga nuk ka videoklip, për momentin vjen vetëm si audio dhe në pak orë ka marrë rreth 300 mijë shikime në Youtube.

Avicii së fundmi ka realizuar disa këngë të ndryshme që vijnë si bashkëpunime me artistë të njohur ndërkombëtarë. / KultPlus.com

Memorial në kampin e Tepelenës, përkujtohen të ekzekutuarit nga komunizmi

30 gushti, shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Në Shqipëri, rreth 6,000 vetë humbën jetën gjatë komunizmit, ekzekutuar me apo pa gjyq farse, vdekur në burgje apo nga kushtet çnjerëzore, por varret e tyre nuk shënoheshin dhe nuk ju tregoheshin familjareve.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ka vendosur që të promovojë idenë e një memoriali në kampin famëkeq të Tepelenës, ku humbën varret e qindra personave, sidomos fëmijë.

Ky aktivitet do të organizohet me datë 30 Gusht në Tepelenë, dhe AIDSSH fton qytetarë të interesuar, të mbijetuar dhe familjarë të tyre, për të përkujtuar vite vuajtjesh, jetët e humbura, dhe varre ende te pagjetura të qindra fëmijëve, vdekur nga uria e sëmundjet.

Sipas njoftimit, aty do të prezantohet një maket i memorialit, që do të përbëhet nga “Pylli i Fëmijëve”, rindërtimi i një prej barakave sipas modelit të vizatuar nga i mbijetuari Leke Pervizi, si dhe ide të tjera plotësuese.

Maketi është projektuar nga Gjon Radovani, familjar i një prej të mbijetuarve si dhe arkitekt me eksperiencë ndërkombëtare. Grupi i punës së AIDSSH kryesohet nga Simon Mirakaj, i mbijetuar i këtij kampi. / KultPlus.com

Mos e ngucni Kadarenë!

Të paçim, Kadare, për inat të palo-shqiptarëve, të cilët, fatkeqësisht, nuk janë pak!

Jemi “akomoduar” tmerrsisht në sharje, linçime dhe përçmime. Deviza jonë shumë e rekomanduar: «Shaj, shaj dhe shaj sa të mundesh. Kujdes kë po shan, sepse duhet shkuar për “qejf “ trendeve dhe shenjave të hapura që faktorit shqiptar mos t`i kthehet vendi i merituar në historinë evropiane.
Ne ishim aty, por “shqiptarët, bashkatdhetarët e mi, e kishin humbur Evropën në dy raste tragjike, në shek e 15-të, sikur edhe të tjerët në Ballkan, që ranë ndër okupimin ottoman; dhe së dyti, pas luftës së dytë botërore në kthetrat e komunizmit” – sigurisht që po. Por: “Anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditës, si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha. – Fan Noli”

Vagabondët e kombit, duke i gjuajtur vlerat, ligjet e vazhdimësisë dhe obligimet e tij ndaj vetvetes, mundohen të jetojnë jetën e tyre me përcaktimet e tyre dhe kështu është vazhdimisht në grindje me rregullat që na i imponon e vërteta. Të gjitha këto e çojnë në rrugën e kundërshtimit dhe merr pamjen dhe sjelljen e anarkistit dhe na del si një bredhës (endacak, vagabond) intelektual… me bredhje shkrimesh dhe futjen një terren mendor të cilin (nuk) e njohin. Humbje, dhe, më vonë, ikje nga vetvetja.

Nëse Skënderbeun e “përgatitim” për historinë serbe, me Kadarenë duam diçka tjetër më të rëndë.
Diplomati Shaban Murati shumë haptas e thotë: “E majta (e Shqipërisë fxh) ishte në Komitetin Qendror, e djathta na erdhi nga Komiteti qendror”. Rreziku i “patriotëve” të rinj të “demokracisë” shqiptare është shumë i madh, sepse po flasin ata që (ndoshta) janë “Udhëzime” të Katovicës (xh ).

Ç`keni, or miq, me Kadarenë?
“Ilir Demalia kërkon të shesë ngjarjet e ambasadave, duket, i ka kthyer në biznes. Ambasadat ishin një skenar me regji Ramiz Alinë, në role kryesore Berishën, në role të tjera të rëndësishme të gjithë liderët e djathtë, në role sekondare, janë “arnautët” që kapën megafonat, mes demonstruesve, apo dhe në VOA dhe Deutsche Welle, të cilat u bënë njësh me RTSH-në. Në radion gjermane programi për shqiptarët bëhej nga nipi i Eleni Madint, ish-veterane e luftës dhe drejtuese e institucioneve politike, drejtore në fabrikë, etj. Fola për hallën, se nuk ia njoh të atin. Mjafton sot të lexojmë tek intervista që Ilva Tare i bën ambasadorit të parë amerikan Christophor Hill, ndër të tjera, ai shprehet: “Ishte e vështirë për Ramiz Alinë se ne do ta ndihmonim, që po ata njerëz që qeverisën në diktaturë, do të qeverisnin dhe demokracinë”. Pra ky vend u kthye në një skenë teatri dhe ne bëjmë mirë të merremi me çështje me te rëndësishme se mesazhi që na sjell Demalia, “heroi”i ambasadave, që konsumonte minutashin e VOA-s me fjalime boshe dhe pa asnjë nivel. Tashmë duket se Perestrojka është në aktin e fundit dhe duket se kërkon të zhdukë dhe çdo gjurme nga demonstrimi i ligësisë së tyre në diktaturë. Kadare ka përshkruar me vërtetësi këtë marrëdhënie, si një dëshmi me autentike të asaj kohe. Kjo është dhe arsyeja se përse hapen tema të tilla denigruese të figurës së autorit, që janë fundja fare të parëndësishme- shkruan një mik i imi.

Miku tjetër shprehet: “ Lëreni rehat Kadarenë, mos i lehni si qeni diellit! Vepra e tij ka vulosur përjetësinë e tij! Mos u beni qesharakë! Bravo miku I’m, kështu është, se këta që lehin janë të obliguar të hapin tema të tilla denigruese të figurës se autorit, që janë fundja fare të parëndësishme”.

Miku tjetër i të vërtetës shkruan: “Është interesante se si në postime të tjera, nga njerëz të tjerë, gjithmonë mbi Kadarenë, shihet kjo dëshirë e zjarrtë e turmës për linçim. Aq më tepër që ky perversitet ka si iniciatorë njerëz që nuk kanë lexuar një faqe nga vepra e tij, dhe për më shumë, i gjithi ky “sulm moral” ndërmerret në vendin me drejtësinë me imorale në botë, apo perceptimin popullor apo individual më të mbrapshtë mbi drejtësinë.. Radha atëherë përballë viktimës, si edhe sot, ishte e gjatë – vetëm për t’u ulur në bankën e akuzuesit dhe ne karrigen e gjykatësit, kurrkush nuk bëhej palë me të dobëtin apo avokati i tij. Hipokrizia e këtij populli shkon me tej.

Dhe në fund të ditës kjo turmë e kompleksuar dhe e mbytur në të përmjerrat dhe ligështinë e kësaj hipokrizie orientale e ka një fajtor: Ismail Kadarenë». Sa bukur e shkruar!

« Ju, Zotëri, jeni i tokës së shqipeve! Ju i lëvizni shekujt duke e shkruar DAULLET E SHIUT, dhe e shihni Gjergj Kastriotin, i quajtur Skënderbe, princin e Shqipërisë dhe të Epirit, në fikjen morale dhe ushtarake të dy sulltanëve »-thoshte për Kadarenë M. ALAIN PLANTEY (Président de l’Institut, Président de l’Académie).
« Ju, Zotëri, e keni treguar se sa e fuqishme është etika dhe politika nga mesazhi letrar, i cili pushon në guximin dhe talentin tuaj. Vendi juaj është në mesin tonë » – u tha atë mbrëmje. Pra, vendi i Shqipërisë dhe i Kadaresë është në Evropë.

Sharjet ndaj Kadaresë bëhen nga vagabondët intelektualë, duke kundërshtuar të definohen apo të identifikohen, ata i ndërrojnë qëndrimet sipas baticave dhe zbaticave të rrethanave, duke e pranuar një nevojë të imponuar me arsyetimet në emër të taktikave dhe strategjive të mbikohës.

Kjo praktikë e denigrimit të figurave të larta shqiptare, sa gënjeshtare aq edhe e rrezikshme, është një shprehje e përtacisë së intelektualit dhe mangësi e imagjinacionit për pasojat.

Krimbaçët na i mbushin mediat e të gjitha llojeve dhe të gjitha krahinave shqiptare se duhet menduar ndryshe për Kadarenë. Dhe përse ndryshe? Sepse ashtu e do “bossi” i fshehur diku dhe i cili e gërryen vazhdimisht ndërgjegjen dhe vetëdijen tonë, ashtu dhe ashtu të paformuar si duhet.

Rita Ora dominon veshjen më të mirë në VARIETY (FOTO)

Rita Ora ka shkëlqyer me veshjen e saj në një organizim të VARIETY.

Ajo është dalluar nga të tjerët me satenin e përdorur në gardërobë, një veshje gati gati në stil pizhamesh relaksuese.

Rita së fundmi ka paralajmëruar dy bashkëpunime të fuqishme, njëri prej tyre me Charlie XCX.

Tregimet e refugjatëve dhe racizmi modern u shpalosën në ekranin e DokuFest

Sarandë Selimi
‘Sans le Kosovo’, ‘Ethnophobia’, ‘The Remigrant’ dhe ‘ATA’ ishin katër filmat e mbrëmjes së gjashtë të edicionit të 16-të të DokuFest, i cili nisi të premten me 4 gusht. Ky festival i njohur si më i madhi në rajon, po vazhdon çdo ditë të sjellë premiera rajonale e botërore përmes programeve të tij të ndryshme. Filmat që u shfaqën të mërkurën mbrëma, i takojnë kategorisë kombëtare, me dy regjisorë nga Shqipëria e dy nga Kosova. Duartrokitje e audiencës që ishin në një numër shumë të madh nuk munguan ndërsa erdhën shumë tema interesante duke nisur nga rrëfimi personal e deri tek trillimi që duket gjithmonë bukur në pamje vizuale.

Dea Gjinovci sjellë rrëfimin e babait të saj përmes ‘Sans le Kosovo’
Ajo udhëtoi me të atin i cili ishte larguar në moshën 19 vjeç nga shtëpia e tij për në mërgim, duke mos u kthyer as atëherë kur më të dashurit e tij kishin ‘nevojë’ për të. Familja e tij u vra në luftën e fundit në Kosovë e krejt çka ai gjeti kur u kthye ishin vetëm varret e tyre. Përmes dhembjes së shpirtit, Dea Gjinovci solli babain e saj në ekranin e madh të Doku Plato.
“Është e rëndësishme ta shfaqi këtë film këtu sepse është eksperiencë intime, po ashtu edhe për distancën. Aq shumë njerëz e kanë braktisur Kosovën për arsye të ndryshme dhe unë doja ta eksploroja atë kohë dhe gjeneratën tjetër që janë larguar nga Kosova, të cilët po mundohen të rindërtojnë ato lidhje”, pohoi Dea, e cila e pati më të lehtë komunikimin me audiencën në gjuhën angleze.
Ajo vazhdoi tutje të tregonte se ka qenë shumë e rëndësishme për të ta tregojë historinë e babait të saj, sepse edhe pasi që e kishte lënë Kosovën, ai edhe më tutje ka qenë i dashuruar në të.
“Ka edhe aq shumë dhimbje e vuajtje që e kanë detyruar të dalë në azil, për shkak të asaj çfarë kishte ndodhur në vend. Prandaj ky film ka për qëllim që t’i rindërtojë ato lidhje. Kam lindur në Gjenevë, por jam shpërngulur në Londër në moshën 15 vjeçare. Mendoj se nuk është e njëjtë të migrosh tani, në krahasim se si ishte para 40 vitesh. Në atë kohë nuk ka pasur telefonë për të kontaktuar me familjen është dashur të dërgojë letra”, u shpreh regjisorja Gjinovci.



‘Ethnophobia’ përmes filmit të animuar

Gjëra të krijuara nga plastelina, në një film të animuar 14 minutësh i morrën fiks katër vite punë regjisorit Joan Zhonga. Racizmi ishte ajo çka e karakterizoi këtë film, i cili shumë qartë tregon një anë e cila është ende shumë aktuale tek të gjithë njerëzit në botë. Joan Zhonga, përveç që trajton një temë shumë serioze me anë të filmit të animuar, ky projekt i tij në Kino Plato u përcoll edhe me buzëqeshje nga audienca, pasi që, ‘personazhet’ e krijuara nga Zhonga ishin shumë karakteristik e me plot ngjyra gjersa një stuhi bie mbi ta dhe i bën gjithë të njëjtë.

Nga ajo kohë të gjithë e shohin se janë të njëjtë, vetëm ngjyrat i dallojnë.
“Rëndësi ka që është një film shqiptar. Edhe ju e kuptoni së sa kohë ka marrë, pra janë 2 vite xhirim, dhe gati 4 vite për përfundim, pra 4 vite për 14 minuta. Titulli është ‘Ethnophobia’, zgjodha një fjalë ndërkombëtare që kuptohet edhe në shqip. Atë që doja të thoja është se racizmi në 20 vitet e fundit është bërë një plagë për gjithë botën, dhe problem i madh që krijohet te kjo është se shohim te tjetri gjërat që na ndajnë e jo ato që na bashkojnë. Doja të kapja këtë temë dhe nuk ishte aq e thjeshtë që në këtë teknikë të shtjelloja këtë temë”, u shpreh regjisori Joan Zhonga, i cili përmes tre ngjyrave bazë të pikturës gjeti çelësin e zhvillimit të filmit.

‘The Remigrant’ solli për herë të parë Astrit Alihajdarin në rolin e regjisorit
Erdhi premierë botërore mbrëmë në DokuFest. Edhe kasta e aktorëve ishin aty, gjë që e madhështoi edhe më shumë këtë premierë. Astrit Alihajdari i cili deri mbrëmë në audiencën shqipfolëse është njohur si aktor, erdhi si regjisor i një filmi 18 minutësh duke shpalosur temën e migrimit. Një familje kthehet nga Diaspora me fëmiun e tyre të vetëm – Besnikun (Florist Bajgora).
Ky film solli në rolet e tjera Leze Qenën, Ilire Vincën dhe Veton Osmanin. ‘The Remigrant’, flet për shumë tema në të njëjtën kohë. Migrimi, harmonia në familje, edukimi i fëmijëve.
“Nuk është rrëfim direkt personal por mund të themi që pak më prek dhe mua. Ma merr mendja që nuk ka familje në Kosovë që nuk ballafaqohet me këtë temë. Është ndryshe kur shkon diku jashë nëse vendosë vullnetarisht, e ndryshe kur je i detyruar. Ka qenë mundësi e mirë që ti trajtoj edhe temat e tjera që i pamë dhe po e shoh që nuk është e lehtë të bëhet film por jam munduar që t’i fus të gjitha ato që më preokupojnë”, theksoi Alihajdari .
Ky është filmi i parë ku Alihajdari vjen si skenarist dhe regjisor.

‘ATA’ sjellë jetën e Adit dhe Sonit, barinjë të vegjël
Flmi i Emiljo Leka, film 27 minutësh solli jetën e dy fëmijëve të vegjël, njëri 12 vjeç e tjetri 9 vjeç. Soni merrte tinëzisht cigare nga i ati për t’ia dërguar Adit, që ky i fundit t’i tregonte atij se çfarë është kompjuteri, Ipadi e teknologjitë tjera që fëmijët sot i kanë. Ata dy nuk i kishin. Shihnin një gjuetar teksta gjuante lepuj dhe ëndërronin të bëheshin si ai. Tregimi nuk përfundon këtu. Gjuetari vret babain e Sonit pa qëllim, gjersa ai thurte tokën deri aty ku prekte pjesën e babait të Adit.
Emiljo Leka nuk qe i pranishëm mbrëmjen e së mërkurës që të flasë më shumë për filmin, por padyshim që edhe ky film u duartrokit shumë nga publiku, sidomos loja e dy fëmijëve të vegjël.

Aktori Ilir Tafa, këtë vit në dy filma në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Aktori shqiptar Ilir Tafa po vazhdon me sukseset e tij në kinematografi.

Prej kohësh jashtë Kosovës, Tafa do të jetë këtë vit i pranishëm në Festivalin prestigjioz të Filmit në Sarajevë me lojën e tij aktoriale në dy projekte.
Krahas Vanesa Glodos, Tafa vjen në filmin “Invisible” me regji nga Amra Mehiq, koproduksion mes Bosnjës dhe Hungarisë.

Filmi fokusohet në lojën e aktorit Tafa, i cili i dëshpëruar me jetën ndërmerr diçka që ndryshon rrjedhën e gjërave.

Në anën tjetër, vetë aktori ka treguar se projekti i dytë ku ai luan e i cili do të shfaqet në Sarajevë është “Zhaba” nga regjisori Elmir Jukic, shkruan KultPlus.

“Filmi ‘Invisible’ i regjisores Amra Mehic do të shfaqet me datën 12.08.2017, dhe ”Zhaba”i regjisorit Elmir Jukic me datën 14.08.2017” ka treguar vetë aktori në rrjetin social Facebook.
Festivali i Filmit në Sarajevë këtë vit hapet me 11 gusht, nesër mbrëma, e zgjatë deri me 18 gusht.
Tafa është aktor tanimë i dëshmuar sidomos në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.

Çmimi i “Aktorit më të mirë”, iu nda nga Festivali i Filmit në Gjilan, para disa vitesh. / KultPlus.com

Velipoja, plazhi i veriut ku relaksohen rreth 70 mijë pushues (FOTO)

Velipoja është një qendër turistike mjaft e këndshme, me peisazh të larmishëm dhe me det të pastër. Pushuesit janë kryesisht nga zona e Shkodrës dhe rrethinat e saj, por ka edhe nga rrethet e tjera të vendit.

Por, pushuesit me te shumte ne plazhin e Velipojës jane qytetarë nga Kosova që janë të përvitshëm në këtë plazh.
Investimet dhe shërbimi cilësor kanë bërë që në bregdetin e Velipojës të jene rreth 70 mijë pushues ditorë, kryesish në fundjavë.

Edhe infrastruktura rrugore që lidh veriun e vendit me këtë plazh ka ndikuar pozitivisht.

Pushues nga Kosova shfrytëzojnë edhe linjën e trageteve përmes Komanit për të mbërritur e pushuar në këtë plazh.

Velipoja u ofron pushuesve mundësinë për të kaluar pushime në një vijë bregdetare me ujë të pastër dhe me rërë të imët, por jo vetëm kaq, pasi plazhi është i pasur me vlera unike natyrore si, ranishtja e madhe me gjatësi 14 km rërë të imët dhe të pastër, qe quhet nga banorët “râna e dermanit” për vetitë e saja kuruese. Plazhi ripërtërihet çdo vit nga baticat dhe zbaticat.

Rëra e bregut dhe të gjithë ranishtes ka përqindjen më të lartë të jodit në bregdetin shqiptar.

Plazhi rrethohet nga pylli me drurë të lartë pishe e drurë të tjerë halorë e fletore, me shkurre përherë të blerta, lugina plot me bimësi ujore, duna etj.

Fshati bregdetar, ranishtja e madhe dhe qendra turistike, shtrihen në jugperëndim të Shkodrës dhe relievi është gati tërësisht fushor.

Velipoja po kthehet në një qendër të rëndësishme të turizmit shqiptar. / KultPlus.com

Me dashtë nuk asht me pasë

Poezi e shkruar nga Eli Krasniqi. Eli është socio-antropologe, shkrimtare dhe aktiviste.

Me dashtë nuk asht me pasë
Mjafton me e ditë që dy copa qielli
Shohin, vështrojnë dhimbën njerzore,
Durojnë, falen, privohen, falin
As nuk flasin për netët e (sh)qetësisë
Veç zemrën jashtë e gdhendin e gurin brenda
e mekojnë.
Me dashtë asht mos me u shfaqë, veç me heshtë
Zvarrë zvarrë netve si bubrreci në tokën e zezë,
pa hetueshem lindjen e diellit me ndjekë,
për me i pa dy copa kaltrie që vështrojnë,
që reshin, qeshin, vransohen.
Me dashtë asht veç me ndje, nji prani n’ajr
Kur gjithçka përreth n’kristale drite e shndërron.

Heroina shqiptare Ganimete Tërbeshi, e guximshmja kundër fashizmit

Një gjakovare e cila luftoi fashistët, Ganimete Tërbeshi është kryefjala e medieve serbe në nëntor të vitit 1973.

Kur në Jabuka zbulohet memoriali i heroinave, mes tyre është edhe Tërbeshi. E rritur në një familje në Gjakovë, vëllai i saj vritet nga italianët në vitin 1943. Këtu ajo betohet se do të luftojë kundër fashistëve deri në frymën e fundit.

Në shtëpinë e saj në Gjakovë ishte një nga selitë më serioze të partizanëve.

Mediet serbe në vitin 1973 shkruajnë se si Ganimete Tërbeshi arrestohet në Pejë në vitin 1944, më pas transferohet në Prishtinë. Një shkrim në Yugopapir me titullin “Heronjtë e rinj të Jugosllavisë” e tregon edhe jetën e Ganimetes. Ajo është në mesin e heronjve tjerë si Lepa Radiq, Zlata Malakovska e Vera Miscevic.

“Le ta di mirë armiku se po përzihet me shqiptarët” ishte një prej thënieve të saj, Ganimetes e cila nuk e tradhtoi asnjëherë gjakun e saj. Ajo ishte vetëm 17-të vjeçare kur humbi jetën. / KultPlus.com

Lord Bajroni: Shqiptarët ngjasojnë me malësorët e Skocisë

Lord Bajroni thotë se nuk ka penë apo penel që mund të japë bukurinë viseve të saj, në mund të shtojmë se nuk ka as penë as penel që mund të japë përkushtimin heroik të banorëve të saj në luftën që kanë zhvilluar këto kohët e fundit, më shumë nga të gjithë të tjerët, për çlirimin e Greqisë.

Ngjasojnë pa dyshim me malësorët e Skocisë, veshjet, pamja, doket janë të njëjta. Malet e Shqipërisë do të kishin qenë tërësisht ato të Kaledonisë nëse klima do të kish qënë më pak jugore.

Marko Boçaris- shëmbëlltyrë e denjë e Odiseut, por më i qytetëruar nga ai. Ja portreti që jep Pukëvili: “Melpomeni” i kish dhënë aftësinë e zërit dhe të kitharës, për të kënduar kohën kur tek ruante kopetë e të atit polemark brigjeve të Selezit u detyrua të braktisë vendin e pushtuar nga Ali Pasha, për t’u strehuar nën flamujt francezë, nën hijen e të cilëve fitoi urtësi dhe vlerë.

Me shtatin e zakontë të suliotëve, afërsisht pesë këmbë të lartë, lehtësia e tij ishte e tillë sa krahasohej me vetë puhinë.

Askush nuk barazohej me të në mundje apo hedhje disku; dhe kur sytë e tij të kaltër ndizeshin kur floknaja e tij e gjatë i valëvitej supeve, kur balli i tij, rruar sipas zakonit të lashtë, pasqyronte rrezet e diellit, kish tek ai diçka aq të jashtëzakontë, sa mund ta merrje për pasues të atyreve pellazgëve e bij të Faetonit, që qytetëruan Epirin.

Ishte 4 nëntori 1822, në dalje të diellit: dallohej që nga Misolongji dhe Anatoliko zjarri i batalionit të pavdekshëm, që gjer në drekë zu të venitet. Dy orë më pas, ai u rindez edhe më me forcë, derisa ra në mënyrë të ndjeshme gjer në darkë.

Me t’u shfaqur yjet e para, u dalluan për së largu flakët e vendpërqëndrimeve armike nëpër fushë. Nata ish e qetë dhe në pesë të mëngjesit Mark Boçari hyri në Misolongji, pasuar nga 22 suljotë. Ajka e trimave të tij kish mbijetuar.

Duke përfituar nga qëndresa heroike, kryetari i qeverisë Mavrokotdato kish bërë furnizim të mirë në Misolongji dhe dërguar me barka në Peleponez pleqtë, gratë dhe fëmijët.

Marko Boçari donte të siguronte në të njëjtën mënyrë të shoqen dhe fëmijët, por Kriseja, gruaja nuk bindej për ta braktisur: i lutej sa të këpuste shpirtin, i binte para këmbëve bashkë me krijesat e tyre të ndrojtura, duke e quajtur “fisniku im”, kurse ata “babai ynë”. Marko Boçari i bekoi në emër të Perëndisë së luftërave.

I shoqëroi më pas gjer në port, ndoqi me vështrim gjer në fund anijen, me krahët nderur në drejtim të gruas. Mjerisht! Po e linte për herë të fundit”.

Vdiq pak kohë më pas, gjatë një beteje zhvilluar natën kundër turqve, dhe vdekja e tij ishte po aq e shenjtë sa dhe jeta që jetoi.

Sot ditëlindja e Whitney Houston, këto janë performancat e saj më të mira (VIDEO)

Whitney Houston do të ishte sot 54 vjeçare po të mos ndërronte jetë para disa vitesh.

Sot në shtete të ndryshme është festuar ditëlindja e një prej këngëtareve më të mira të të gjitha kohërave. Houston, e lindur në New Jersey, ndërroi jetë në vitin 2012-të dhe kjo si pasojë edhe e përdorimit të substancave narkotike në një pjesë të mirë të jetës së saj.

https://www.youtube.com/watch?v=0rdcFMGlTjY

E provuar edhe si aktore, ajo ishte një ikonë e muzikës pop në botë. Gjatë karrierës së saj ajo shiti mbi 50 milion kopje të albumeve të saj ndërsa në moshën 22 vjeçare ajo veç u fut në vendin e parë në listën e këngëtareve më të dëgjuara në Amerikë.

Sonte, derisa e kujtojmë yllin me këngët e së cilës jemi rritur, po sjellim disa performanca të saj ndër vite që ende rrëqethin kur i shohim. / KultPlus.com

Kënga shqipe “Dada do ta shes” këndohet në radion e njohur në Kanada

Këngëtarja shqiptare Mimoza H ka kënduar sot në një emision në radio këngën e njohur shqipe “Dada do ta shes”.

Mimoza H e ka sjellë këngën për radion e njohur kanadeze CIBIL në frekuencat 101.5 FM në bashkëpunim me BRIGA – artiste që jeton në Kanada.

Atifete Jahjaga në Dokufest: E ardhmja është vajzë (FOTO)

Ish Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, sot ka qëndruar në Festivalin e Filmit – DokuFest, i cili ka disa ditë që po mbahet në Prizren dhe i ka dhënë qytetit si gjithmonë një tjetër frymë.

“Sonte ne Dokufest, në këtë ngjarje kulturore që sjellë fansat e kinematografisë nga e gjithë bota në Prizren. Këtë herë në mbështetje të fuqishme për porosinë “E ardhmja është vajzë”.” ka shkruar Atifete Jahjaga në rrjetin social Facebook dhe ka postuar fotografitë nga vizita e saj në Dokufest. / KultPlus.com