Nderohet me “Nobel” shkrimtari austriak që përkrahte hapur idenë e Sllobodan Millosheviçit

Shkruan: Bujar Meholli

Sot, Akademia Suedeze i ndau çmimin “Nobel” shkrimtarit austriak Peter Handke, i cili njihet si njeri kontrovers me qëndrime të hapura antishqiptare.

Ky shkrimtar madje erdhi edhe në Kosovë dhe i ndihmoi me të holla serbët që jetojnë në Kosovë, e po ashtu përkrahu haptas idenë për spastrimin e shqiptarëve.

Handke mori pjesë në varrimin e njërit prej udhëheqësve më famëkeq në botë Sllobodan Millosheviç.

Ishte viti 2006 kur Sllobodan Millosheviçi ndërroi jetë, dhe në funeralin e tij laureati i sotëm i “Nobelit” për letërsi, i mallëngjyer u shpreh: “Afër Jugosllavisë, afër Serbisë, afër Millosheviçit”.

Siç dihet, Milloshevici, u akuzua për gjenocid dhe krime të tjera, e për këtë u gjykua derisa vdiq.

Shtrohet pyetja, kush është fituesi i sotëm Peter Handke?

Ai konsiderohet si një shkrimtar i shquar, me stil të veçantë prozaik, por krahas saj Handke njihet në mbarë botën për mbrojtjen e vazhdueshme për kriminelin serb. Kjo edhe e bën shkrimtar që shkakton shumë polemika.

Për Handken, gjithë ajo çfarë ka bërë Millosheviçi ka qenë “për ta mbrojtur popullin e tij”, këto i tha në funeralin e serbit, në Beograd, para një turme të madhe të nacionalistëve radikalë serbë.

Opinioni u befasua sot kur Akademia Suedeze ndau një çmim prestigjioz siç është “Nobeli” për arritjen në fushën e letrave – pikërisht këtij autori kontrovers, i cili në të shumtën e rasteve njihet më shumë për përkrahjen e vazhdueshme që i bëri Millosheviçit sesa për krijimtarinë letrare.

Tani, ç’po ndodh realisht me Akadaminë Suedeze?

Edhe ashtu në vitin e kaluar ajo u desh që ta ndalë dhënien e çmimit për shkak të disa aferave brenda saj, këtë vit ajo i ndau dy çmime njërin prej të cilëve shkrimtarit austriak.

Me t’u ndarë çmimi i dytë për vitin 2019, shpërthyen reagimet anekënd. Siç duket komiteti i “Nobelit” po i merr vendimet në bazë të politikave të caktuara.

Kohë më parë, saktësisht në vitin 1961 Akademia Suedeze pat marrë vendim skandaloz dhe i pati ndarë një çmim “Nobel” shkrimtarit serb Ivo Andriç, i njohur botërisht si antishqiptarë dhe hartues i elaboratit me përmbajtje raciste, ku kërkonte ndarjen e Shqipërisë.

Siç duket, në vitet e ardhshme vlera e këtij çmimi do të bjerë vazhdimisht, sepse derisa vite më parë laureoheshin shkrimtarë të mirëfilltë si Xhejms Xhojs, Samuel Beket, Tomas Man, Herman Hese, Zhan-Pol Sartri e të tjerë – të laureohen shkrimtarë që përkrahin haptas ide fashiste si Handke, është gjithçka veçse jo vlerësim i artit.

Është ofendim për letërsinë! /KultPlus.com

Bujar Meholli

“Vous étiez là” kompozimi i parë i Erza Muqollit lansohet në Francë (VIDEO)

Këngëtarja e suksesshme shqiptare ka prezantuar këngën e saj më të re, por kjo këngë është premierë edhe për faktin se ajo po sfidohet edhe në cilësinë e kompozitores, shkruan KultPlus.

Kënga “Vous étiez là” është kënga e parë e Erza Muqollit e cila ka edhe vulën e kompozimit nga vetë ajo, kurse kënga është me tekst të Vianney.  

Por edhe në këtë këngë, Erza Muqolli ka futë fjalë shqipe, pasi që kjo këngë mbyllet me këto fjalë “Mos harro kurrë të gjithë ata që të dhanë dorën, kur ti mësoje hapat e parë. Kurrë mos harro nga vjen, për ju të gjithë qe jeni me mua tash, mos harroni që gjithmonë do jem me ju, gjithmonë do jem me ju”.

Kjo këngë e lansuar në kanale të ndryshme është pjesë nga koncerti i Erza Muqollit që do të lansohet nëpër të gjithë rrjetin e kinemave të Francës, koncert që do ti paraprijë albumit të saj të parë.

Erza Muqolli në albumin e saj të parë ka edhe një këngë hyrëse në gjuhën shqipe që e ka titulluar “Fillim”.

Kjo këngëtare e famshme shqiptare deri më tash ka të shitura mbi 2 milionë kopje të albumit të mëhershëm, ku ishte pjesë e një grupi të fëmijëve, kurse me ketë album po prezantohet solo.

Erza Muqolli njihet edhe për anën humane, e cila nga koncertet nëpër vende frankofone dhe vende të tjera ka dhuruar për fëmijët në nevojë rreth 2 milionë euro./KultPlus.com

Shqipëri, të qofsha falë, të kam mëmë e më ke djalë

Shqiperi, O Jetegjate

Naim Frashëri

Shqipëri, o jetëgjatë,
ty të kemi mëmë e atë
dhe për ty do të luftojmë
gjersa të të trashëgojmë.
Për ty të gjithë, ditë dhe natë,
mendohemi gjerë e gjatë,
ti kurrë s’prishesh, s’shkretohesh,
as drobitesh, as rrëgjohesh,
më ke gjithë bukuritë
e tëtëra mirësitë,
ke fusha me lule shumë.
lumenj të mëdhenj pa gjumë,
male të lart’ e të veshura,
buzën e detit të qeshur,
Mëje dritëz në dritë
me të gjitha mirësitë.
……………………………..
Shqipëri, të qofsha falë,
të kam mëmë e më ke djalë. /KultPlus.com

Hapet Panairi i Librit në AAB

Nga sot deri më 12 tetor 2019, Kolegji AAB do të jetë nikoqir i rreth 50 shtëpive botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Franca, etj. në kuadër të edicionit të dytë të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019.

Në ceremoninë hapëse të këtij edicioni, Prorektori për Kërkim Shkencor në Kolegjin AAB, prof.dr. Hasan Saliu tha se Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2019, ka për qëllim që në mjediset universitare të bëjë bashkë botuesit dhe lexuesin: “Ne këtu në AAB kemi një qytet të tërë lexuesish, rreth 20 mijë sish që janë studentë e staf akademik”.

Saliu theksoi se pavarësisht asaj se libri fizik (ai në letër) po konkurrohet gjithnjë nga ai elektronik, megjithatë ne nuk e shohim si kërcënim por si palë bashkëvepruese. “Kolegji AAB si institucioni arsimor më i dixhitalizuar në rajon, vazhdon të organizojë ngjarje të këtilla të ekspozimit masiv të formatit tradicional të librit”, tha Saliu.

Tradita e organizimit të Panairit të Librit u vlerësua shumë edhe nga drejtoresha e Drejtorisë se Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli, e cila tha se kjo ngjarje është e rëndësishme sepse kthen vëmendjen te bibliotekat dhe te leximi, që është lanë anash dhe kjo na kujton se sa e rëndësishme është t’ i kthehemi librit për zhvillimin tonë mendor, psikologjik, emocional e kreativ.

“Kultura dhe arsimi janë dy shtylla shumë të rëndësishme për zhvillimin e një shoqërie, andaj organizimi i një panairi të librit në një ambient universitar është një gërshetim shumë i mirë është një aktivitet shumë i nevojshëm dhe i mirëseardhur”, tha Basholli.

Në emër të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, foli sekretari i shoqatës, z.Arbër Rrahmani.

“Një organizim i këtillë është për të mirën e shëndetit të librit. Çdo organizim aty ku janë botuesit, aty ku janë studentët është në të mirën e shoqërisë sonë. Libri ka nevojë të jetë sa më afër lexuesit” tha Rrahmani, i cili falënderoi Kolegjin AAB dhe të gjithë botuesit që marrin pjesë, dhe të gjithë ata që tregojnë interesim të shtuar për librin në përgjithësi.

Ceremonia solemne e hapjes së Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, u përcoll edhe me një program artistik nga pianistja Elizabetë Qarri dhe sopranoja Arta Jashari.

Panairi do të jetë i hapur çdo ditë deri më 12 tetor, nga ora 08.00-18.00. Krahas ekspozimit dhe shitjes së librave me çmime speciale për studentë, në kuadër të programit të këtij edicioni do të bëhet edhe promovimi i dhjetëra titujve të rinj.

Kolegji AAB për të gjithë dashamirët e librit, ka siguruar edhe transport falas nga qyteti deri në kampus dhe anasjelltas./KultPlus.com

Petro Marko: Ideali i kolltukut, i ngulur në shpirtin e çdo “katundari”

Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjitha dëshirat tona. Këtë e bëjmë se aq na e pret mendja, të tillë lindëm, atë rrugë na treguan edhe gjurmat e rrojtjes në kurrizin e popullit, e po e vazhdojmë si trashëgim. S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk.

Nga t’ia mbajmë? (shkruar në vitin 1936) Petro Marko

Nga t’ia mbajmë? Kudo dyert janë të mbyllura! Vetëm një është shtegu… T’i derdhemi që të gjithë kërmës së arkës së shtetit! Që të gjithë t’i vërsulemi kolltukut? Të bëhet çdo njeri që di shkrim e këndim nëpunës? Me pak fjalë, deri kur do të vazhdojmë rrugën që na shpie drejt rrënimit të plotë jetik? Nuk sheh një të ri, një të moçëm, katundar a qytetar, që të mos i jetë ngulur në shpirt e në zemër ideali i kolltukut, dëshira e zjarrtë për nëpunësi!

Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjitha dëshirat tona. Këtë e bëjmë se aq na e pret mendja, të tillë lindëm, atë rrugë na treguan edhe gjurmat e rrojtjes në kurrizin e popullit, e po e vazhdojmë si trashëgim. S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk.

Kështu rron mirë për vete e kështu do të na ndihmojë edhe neve! S’ka shqiptar që nuk e mendon këtë. Dhe ka të drejtë se, e përsërisim, që vetëm ai shteg ka mbetur i hapët. Shtigjet e tjera, përveç mërgimit, që u mbyll edhe ai, nuk janë hapur fare dhe siç duket kurrë s’kanë për tu hapur, se jemi mësuar të rrojmë si shushunjat në kurrizin epopullit, jemi mësuar ta shkojmë jetën të përulur tek njëri e tek tjetri, të shesim ç’ka kemi e nuk kemi, të bëhemi skllevërit e të fuqishmëve, të bëhemi servila, deri sa të marrim një nëpunësi.

E pastaj? Pastaj t’i shtrohemi çdo përuljeje e çdo mënxyre, dredhie, në daç spiunazhit, në daç shpifjeve e të tjera poshtërsive, vetëm e vetëm për ta mbajtur atë të shkretë nëpunësi, atë kolltuk të qetë që na verbon e na bën të humbasim çdo ndjenjë e mbi të gjitha të humbasim karakterin tonë. Dhe kështu ne shpëtuam. Ne shpëtuam! Do të rrojmë mirë, do të mundohemi të ngrehim pallate dhe salltanete si patronët tanë e më së fundi do të arrijmë të bëhemi armiqtë e popullit. Se kështu është…

Arti i Shuk Oranit në Tribeca të Nju Jorkut

Vetëm pak kohë më parë “Wall Street Journal” shkruante për një skenë të re të artit bashkëkohor në Lower Manhattan. Nëse para 40 viteve SoHo ishte “Hot Spot”-i i ri artistik, tash po paraqiten gjithnjë më shumë iniciativa të tilla në Tribeca.

Kështu, për fillimin e kohës verore atje po hapet ekspozita “Equinox”, në 7 Franklin Place, e kuratuar nga Shane Townley, Cathy Condon dhe Alekjandro Don nga “New York Art Foundation”. Në këtë ekspozitë prezantohen vepra të zgjedhura  të artistëve multimedialë, në mesin e të cilëve dhe Shuk Orani, Evan Sebastian Lagache, Alou Dia, Kevin Champeny, Patti Samper dhe Katerina Ganchak.

Këta artistë, në pozicionet e tyre eksperimentojnë me koncepte dhe tema që lidhen me rilindjen dhe ripërtëritjen, duke drejtuar me këtë rast vëmendjen nga potenciali i artit, që t`u shërbejë njerëzve në ciklet e tyre të ndryshme jetësore, si burim relaksues dhe rigjenerues.

Hapja e ekspozitës bëhet më datë 4 prill në ora 18:00, ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më datë më 29 prill 2019, nga e hëna deri të dielën, nga ora 12:00 deri në orën 17:00, në New York Art, 7 Franklin Place, New York, NY 10013. /KultPlus.com

Reagim mbi librin e Gjuhës Shqipe të klasës së dytë: Kamila me syze dhe është e gjatë vetëm një pëllëmbë

Lexo përshkrimet që u bëhen dy fëmijëve, është udhëzimi në librin e Gjuhës Shqipe të klasës së dytë, dhe është dhënë një përshkrim për dy nxënës, që fëmijët më pas duhet të vizatojnë atë që kanë lexuar, shkruan KultPlus.

Në këtë pjesë të rrëfimit bie në sy që flitet për një vajzë të vogël e që bartë syze, por përpos syzeve ajo është e gjatë vetëm një pëllëmbë.

Ky përshkrim i vajzës që në këtë libër vjen me emrin Kamila ka zgjuar reagime në rrjetet sociale, të cilët kanë shprehur shqetësimin se si do të ndihen vajzat e vogla që bartin syze, e të cilat duhet ta zbërthejnë këtë detyrë.

Shumë prindër këtë pjesë të librit të Gjuhës Shqipe të klasës së dyte e kanë vlerësuar si skandaloze. KultPus ju sjell më poshtë këtë pjesë nga ky libër./KultPlus.com

“Ani moj Kosovë, oh moj bukuroshe”

Kënga e njohur “Ani moj Kosovë, oj moj bukuroshe” është një ndër këngët më të njohura popullore që është kënduar nga shumë këngëtarë, shkruan KultPlus.

Brenda këtij teksti sjellim versionin e kësaj kënge të interpretuar nga Shkurte Fejza, ndërkohë, kjo këngë është bërë hit edhe me interpretimin e Ramush Haradinajt.

Ani moj Kosovë, oh moj bukuroshe,
O rreth me rreth edhe qoshe me qoshe,
Ani rreth me rreth edhe qoshe me qoshe.

Ani t’gjitha t’mirat, oh moj m’i ke ti e
O moj Kosovë, o moj bukurie
Ani moj Kosovë, o moj bukurie.

Ani një ma të miren o ma ke prej ari, o këtu gjithmonë o ka jetu shqiptari,
Ani këtu gjithmonë o ka jetu shqiptari.

Ani këtu gjithmonë o ka jetu shqiptari, o brez pas brezi, edhe djal pas djali,
Ani brez pas brezi edhe djal pas djali.

Ani brez pas brezi, oh e kohë pas kohe,
O kurrë Kosovë, jo s’të lshojmë prej dore,
Ani kurrë Kosovë jo s’të lshojmë prej dore.

Ani sot këngëtari o me çifteli e, o do t’këndon moj Kosovë per ty e,
Ani do t’këndon moj Kosovë per ty e./KultPlus.com

Ka po shkon moj zanë (VIDEO)

KultPlus ju sjell intepretimin e këngës “Ka po shkon moj zanë” nga Shaqir Cërvadiku dhe Violeta Kukaj. Përpos videos, KultPlus ju sjell edhe tekstin e kësaj kënge.

Ai kah po shkon moj Zanë
Nakun mos m’je dhanë
Jam e re bre djalo
As ndermend s’e kam

He hej as ndermend s’e kam

Ai s’je e re moj Zanë
Ke mbush njizet vjet
Po thot nana djalo
Prit edhe naj vjet

He hej prit edhe naj vjet

Ai kah po shkon moj Zanë
Me qerpik te zi
Jam e re bre djalo
Matem me flori

He hej matem me flori./KultPlus.com

Ermonela Jaho me koncert në Tiranë, mbështetë kauzën “Fjongo Rozë”

Ermonela Jaho është emëruar ambasadore e kampanjës “Fjongo Rozë”, kampanjë kjo për mbështetjen e grave në luftë me kancerin e gjirit, dhe pikërisht kjo kampanjë, sopranon e madhe Jaho do ta sjell në Tiranë, shkruan KultPlus.

Koncerti do të mbahet më 22 tetor në Tiranë, dhe organizatorët kanë bërë të ditur se për këtë koncert, do të njoftohet më gjerësisht në ditët në vijim. Në këtë koncert do të prezantohen edhe :Vikena Kamenica, Elda Laro, Paola Jaho.

Më pas është bërë e ditur se organizator i këtij koncerti është YWCA of Albania shënon vitin e 11 në nismat për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit. Ne si organizatë dhe partnerët mbështetës jemi të angazhuar në informimin dhe mbështetjen e vajzave dhe grave në parandalimin dhe identifikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Këto nisma janë simbolika të punës sonë, të mesazheve të forcës e guximit, që i shprehim në marshimet e përvitshme, diskutimet e vazhdueshme dhe ndarjes së historive personale.
Ne jemi këtu! Ne jemi më të fortë së bashku! Ne jemi më të fortë kur kauzën tonë e mbështet ambasadorja jonë, sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho e cila do zhvillojë koncertin e bamirësisë dedikuar Fjongos Rozë.
Le të mposhtim frikën, turpin, stigmatizimin! Le të mposhtim dhe të parandalojmë! Le të krijojmë një tetor me ngjyra! Ti mund të kontribuosh! Edhe ti! Të gjithë ne! Vishuni me rozë, vendosni fjongon dhe bëhuni këtë muaj bashkëudhëtarë të YWCA of Albania në aktivitetet e planifikuara. Për ndërgjegjësimin! Për parandalimin! Për jetën, kauza e fjongos rozë!/KultPlus.com



“Kusari” nga Abdulaziz Al- Mahmud

Përktheu: Ejup Ramadani

Botues: Buzuku, Prishtinë, 2019

Recension nga Fahredin Shehu

Pakkush kishte mundur të pres nga një njeri i trajnuar në inxhinieri nga Clarkson University dhe gazetar që të krijoj beletristikë, përkatësisht roman që do të bëhet bestseller i të gjitha kohërave, i botuar nga një autor nga Katari. Abdul Aziz Al Mahmoud ka punuar edhe si redaktor përgjegjës për mediumin më të fuqishëm në Lindjen e mesme, Al Jazeera. Pas suksesit të jashtëzakonshëm si autor i këtij romani që sot po promovohet edhe ne gjuhën shqipe ai ka udhehequr edhe punëtori për shkrim kreativ, më saktësisht për shkrimin e romanit. Në Intervistën e tij të dhënë për Time of Doha, intervistuar nga Jessica Davey Quantick autori thotë:

“Mendoj se është më lehtë t’i mësosh njerëzit që të bëhen dentist se sa të jenë shkrimtarë, qëllimi im ishte që të jap udhëzim se si të flasësh për njerëzit, si të përshkruash vendet, si të kalosh nga përshkrimi në dialog si ta tërheqësh vëmendjen se si të shtosh informacion në secilin kapitull me qëllim që njerëzit të jenë të tërhequr në lexim, se si ta bësh me reale etj…”[1]

Falë përkthyesit Prof. Ejup Ramadani dhe Botuesit më të njohur për ne, Buzuku, romani Kusari nga Abdul Aziz Al Mahmoud, i ofrohet edhe lexuesit shqiptar si një dritare për ta parë dhe kuptuar më mirë një pjesë të gjeografisë së globit, e cila pothuaj asnjëherë nuk ishte pa ndikime të jashtme dhe pa trazira.

Ideja që të shkruhet një roman për një kusar dhe një periudhë plotë trazira në shekullit XIX, e shtyu autorin që të hulumtoj në dokumentat arkivore të Anglisë koloniale, pas interesimit të tij për historinë  dhe situatave politike në Gjirin persik dhe gjetjen e dorëshkrimeve të vjetra dhe librit nga shekulli XIX,  “Ishulli i piratëve”, në bibliotekën e Lincolnshire të Mbretërisë së Bashkuar e cyti që me urgjencë të filloj të hulumtoj historinë e Gjirit persik dhe e tërë puna e shkrimit të romanit Kusari i mori plotë 11 muaj.

Në atë territor dhe atë kohë puqeshin interesat e ndryshme tregëtare të Perandorisë Angleze, betejat për dominim përzërja e Portugezve, më pas edhe e Holandëzëve, tregëtia me Indinë dhe Kinën, betejat mes fuqive lokale për dominim në Gjirin Persik dhe Pirateria e ndërsjellë në vecanti pirati legjendar nga ajo zonë i njohur si Erhame ibn Xhabir e bëjnë romanin shumë interesant.

Anglia dërgon një ushtarak me origjinë aristokratike që të shkatërroj kusarinë dhe në të njejtën kohë aktivizoj Persianet the Omanin në luftën kundër Vahabizmit Saudik, i cili po gllabëronte fshat më fshat në këtë mënyrë duke e rritur ndikimin e vet, nderkaq Kusari legjendar Erhame Bin Xhabir kishte agjendën e vet, e luftonte kushëririn e vetë dhe e hedh pamëshirshëm Bishrin, të birin e tij në det sepse e preu në besë të jatin për shkak të një shjpate tepër të cmuar nga sundimtari Anglez i Indisë e që duhej t’i dorëzohej Ibrahim Pashës si dhuratë në mënyrë që të bindej në luftën kundër Vahabive.

Po ashtu edhe sfida e të birit të Kusarit, Bishrit për t’u martuar me Selvën dhe ndalesa për arritjen e sajë, një dashuri e ndaluar, nga ana e të jatit tek lexuesi shkakton melankoli, por njëkohësisht zbulon zakonin e Erhames, Kusarit dhe vendimet e tij të prera, si në rastin se asnjëherë nuk theu marrveshjet dhe asnjëhere nuk sulmoi anije me flamurin anglez.

Interesim dhe kërshëri të madhe te unë zgjoi një kapitull, kapitulli 38, i cili flet për Mehmed Ali pashën sundimtarin dhe themeluesin e Egjiptit modern si dhe delegimi i të birit të tij Ibrahim Pasha për t’i luftuar Vahabitët në territorin e Nexhdit, në Sujdhesën e Arabisë. Ibrahim Pasha kishte kalorës Shqiptarë, Arnaut (të cilët e kishin edhe slloganin qe nuk guxojnë të kthehen si humbës (këtu autori artikulon trimërinë e shqiptareve dhe njëkohësisht si autor serioz nuk tregon anshmëri për asnjë pale, por thjeshtë e shkruan një roman, i cili lexohet me lehtësi dhe me një realizëm të shquar e bindës pavarësisht se romani është fiksion epik, historik. Si dhe personazhet janë karaktere reale, gjë që, e bën romanin më interesant për ata, të cilët duan të kuptojnë pjesë nga historia faktike, për interesat e perandorisë angleze dhe zhvillimi rapid i ndikimit në jetën e njerëzve në Gji.

Editorët e Festivalit të Librit në Edinburg shkruajnë: njëra nga fuqitë e mëdha të  Al-Mahmoud si autor qëndron në aftësinë e tij që të artikuloj ndeshjen e kulturave me të njejtën simpati për të dyja palët[2].

Në roman është vështir të vecohet një protagonist, kush hero e kush patriot, sepse mbi të gjithat dominon lufta për pushtet, namë dhe pasuri. Ngritja e fuqisë Vahabiste në Arabine Saudike dhe jeta e njerëzve në një shoqëri të ndarë.

 Kapërcimi i lehtë dhe mjeshtror nga naracioni në dialog duke përshkruar skena dhe detaje realiste lexuesin e lën të mësoj për jetën, traditën, betejat, tregëtinë, dominimin, zakonet, luftën për pushtet etj.

Një roman i këtillë lehtë me një skenar të bukur mund të shndrrohet edhe në film në mënyrë që edhe vizualisht të komunikojë me audiencën.

Përgëzoj autorin dhe ne vecanti përkthyesin dhe botuesin dhe të gjithë ata që kontribuan që ky libër të komunikoj edhe Shqip.

 

Flutura Açka: Nuk mund t’ia lemë Shqipërinë horrave

Shkrimtarja Flutura Açka shprehet se gjëja që e trishton më shumë është dëshira e shqiptarëve për tu larguar nga vendi.

E ftuar në emisionin “Tempora” në RTV Ora, tha se duhet një reflektim i thellë se përse po ndodh ky fenomen.

Ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve për të mos ia lënë Shqipërinë horrave.

Sonila Meço: Cila është dhimbja e Fluturës grua në këtë vend?

Flutura Açka: Të mendosh se kanë ikur 300 mijë dhe çdo ditë bëjnë valixhet gati, ku do shkojnë këta njerëz? Kush i pret këta njerëz? Nuk është më e bukur edhe ajo botë, ka koncesione të mëdha edhe ajo botë. Nuk është bulevard, kërkon sakrifica të jashtëzakonshme të kalosh kufirin. Kjo është gjëja që më trishton më shumë, që këta njerëz duan vetëm të ikin. Është kthyer Shqipëria në gogol. Nuk duhet të ishte kështu. Kush i çoi? Na duhet reflektim i thellë, përse ndodh?

Sonila Meço: Dëshirën për tu bërë më mirë e kemi të gjithë. Problemi është që në gjithë këtë diskutim që bëmë e dashur Flutura rrekem ta gjej të drejtën dhe se gjej dot

Flutura Açka: Ka vetëm një gjë, ne nuk mund t’ja lënë Shqipërinë horrave. Absolutisht. Çdo familje duhet të mendojë që do vijë një moment, po të ikim të gjithë kujt do t’i mbesë Shqipëria. Do thuash gjithsecili për vete. Jo, nuk mendohet kështu. Duhet të mendohet edhe për nesër. Dhe ata të viteve ’30 kanë menduar kështu siç mendoj unë tani/Faktor.al

Brilant Milazimi me ekspozitë në LambdaLambdaLambda

Në ekspozitën e tij të parë në LambdaLambdaLambda, Brilant Milazimi do të shfaqë një seri të fundit të pikturave , në teknikën e vajit.

Në të gjitha veprat e tij, në paralajmërimin për këtë ekspozitë thuhet se ne gjejmë vigjilencën e kujtesës: imazhe që nuk kanë detaje të mjaftueshme për t’i përcaktuar plotësisht ato, megjithatë janë të njohura disi për ne. Kjo i jep një sens mistik pikturave të Milazimit në kuptimin që ato shfaqin diçka që mungon në një imazh, ose diçka që nuk duhet të jetë aty.

Ekspozita do të hapet sonte në ora 19:00 në LambdaLambdaLambda./KultPlus.com

Hartave t’grisura

Vlora Ademi

Si velë anijesh
udhëtuar erërave të
çmendura,
përplas ballin
në stuhi detrash
që përmbysin ëndrra
si sirena t’etura
për avantura
marinarësh,
histori mbetur
n’thellësi oqeanesh
për brigje t’pashkelura
nga këmbë e kusarëve,
që himn kanë
grabitjen
përmbush shpirtin
n’gjah,
për të peshuar arkat
e t’bëmave
si epitet lavdie
dhe ngatërrojnë
drejtim busullash
hartave t’grisura
nga prekje çengeli,
se ndryshe nuk dijnë
t’lundrojnë
me simfoninë e valëve
hartave të yjësive./KultPlus.com

Peticion: Të kërkohen eshtrat e Mark Shllakut

Prej ditësh opinioni publik është tronditur nga letra që mësuesi 32 vjeçar  Mark Shllaku, pjesëtar i një celule social demokrate i dërgoi të shoqes Angje dhe fëmijëve, në prag të ekzekutimit me vdekje.

“E dashtuna Angje!
Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mendjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë… banu e fortë.

E dashtuna Angje!
Të lutem me mu interesue për eshtrat e të mos më harrojsh për kurdoherë. Me m’i marrë eshtrat e me mi çu në një vorr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.
Hallall të gjithëve dhe ty të parës. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm.
Marku.”

“Letra e Mark Shllakut drejtuar bashkëshortes, pak orë para pushkatimit na bën krenar dhe me turp në të njëjtën kohë. Nuk është vetëm dënimi i pakuptimtë dhe kriminal por është dhe fakti që sot ende amaneti i tij për një varrim njerëzor nuk eështë vënë në vend.

Marku, sipas dëshmitarëve okulare, është varrosur në Zall të Kirit, Shkodër, ku besohet se ndodhen dhe trupa të tjerë viktima të komunzimit. Kërkimi i varreve të humbura është një e drejtë e pamohueshme e Julit Shllaku Dukagjini – e bija e Markut, që ende sot mban brengën e amanetit të papërmbushur.  

Shqipëria ka aderuar në vitin 2017 në Konventën për Mbrojtjen nga Zhdukjet me Forcë dhe është detyrë e institucioneve publike të garantojë fillimin e hetimit për sqarimin e fatit  të të ndjerit Mark Shllaku, gjetjen e identifikimin e eshtrave si dhe kthimin e tyre familjes, për nderimet e fundit. 

I bëjmë thirrje Prokurores së Përgjithshme Marku,  Ministres së Drejtesisë Etilda Gjonaj,  e Prokurorisë së rrethit Shkodër, të hetojnë për vendndodhjen e saktë të Mark Shllakut, të garantojë mostjetërsimin e vendvarrimit deri  gjetjen e plotë të të gjitha mbetjeve humane si dhe identifimimin e tyre me ndihmën e Policisë e Mjekësisë shkencore e Komisionit Ndërkombëtar të Gjetjes së të Zhdukurve.  

Ky rast le të thyejë akullin në mendjet dhe zemrat e zyrtarëve  për ti hapur rrugë një aksioni tërsor për të respektuar të gjithë të zhdukurit e Shqipërisë. 

Firmosja e këtij peticioni na bën më njerēzorē!

*Jeta e Mark  Shllakut dhe beteja e Julit – vajzës së tij për kërkimin dhe gjetjen e eshtrave të tij  u dokumentua për herë të parë nga gazetarja LULI PROGNI në dokumentarin “të zhdukurit” një bashkëpunim i Kujto.al dhe Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit te Shtetit”, thuhet në peticionin që është duke u nënshkruar në change.org /KultPlus.com

A po m’len?

Arjola Zadrima

Ndiej se due me t’i dashtë
bulat e gishtave
ahtin e parë,
vjeshtën e artë,
deri në gjethin që t’ka ra.
Po due me ta çelë brenda buzëve
gonxhen e fjetun,
gjumin due me ta ndukë në gushë,
borën e kërcellit me e shkri në
gjuhë.
E tash që qielli yt përkundet
në djepin e andrrave,
ndiej se due me të dashtë,
ngadalë,
deri në fund.
A po m’len?/KultPlus.com

Viti 1997 është shënjuese dhe përkujtuese, e 1 Tetori i saj i veçantë

Shkruan: Atdhe Hykolli

1997 – Tymi dhe flaka në fillimtetorin

’97 është shënjuese dhe përkujtuese, e 1 Tetori i saj i veçantë, për ata të rinj e të reja dhe për të gjithë popullin.

Atë ditë nga Shtëpia Universitet u nisën të gjithë, i pari i universitetit i cili guximshëm me të rinjtë e të rejat guximtare u nis drejt rrugës shteglirie.

Në kodrën e kujtesës prishtinase, ku atdhetarët ishin pushkatuar e zhdukur nga po i njëjti lloj që mundohet t’ia pengojë ecjen rinisë, ecën rënia guximtare e liridashëse. Tymi nuk e ndal flakën e nuk e shuan zjarrin brenda liridashësve. 

Uniformë kaltërtit e kanë të kotë me fuqinë rinore, dhe ata pengojnë ecjen e tyre por nuk ia dalin të ndalin dhe të shembin idealin e të rinjve e të rejave.

Tymi djeg sytë e dëlirët e largpamës të rinisë studentore, por njëkohësisht ndez zemrat e tyre dhe ua fuqizon bindjen tashmë të fuqizuar se kjo është ecje e lirisë.

Në rrugën e lirisë nuk mungonin studentët e të gjitha fakulteteve, e në ballë të ecjelirisë e krah të parit të Universitetit ishin të përzgjedhurit e rinisë studentore.

Kjo ishte ajo ecja që nisi e cila nuk duhet të ndalet, e cila nuk do të ndalet.

Shënim:

Nuk shënova emra se ecjen e lirisë e përkrahën të gjithë pa veçim./KultPlus.com  

‘Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka’

Poezi nga Ali Asllani

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!/KultPlus.com

Në shitje, këpucë për bebe, t’pambathura

Kur Ernest Hemingway ka qenë i ri është gjendur në shoqërinë e kolegëve shkrimtarë, dhe ka deklaruar se si ai mundet të shkruaj tregim me gjashtë fjalë.

Shkrimtarët e tjerë nuk i kanë besuar dhe kanë vendosur që situatën ta bëjnë edhe më interesante, duke vënë bast me nga 10 dollarë, që është e pamundur.

Ernest Hemingway ka marrë një pecetë nga tavolina dhe ka filluar ti shkruaj gjashtë fjalët.
Nuk ka pasur dëshirë ti lexoj me zë por pecetën ia ka dhënë koleges së parë në krah, dhe ashtu e kanë përcjellë deri te i fundit dhe kanë vërtetuar që gjashtë fjalë janë të mjaftueshme të shkruash një tregim.
Normal, tregimi ka mundur të ketë më shumë fjalë, por ky tregim na lejon neve të kuptojmë, po edhe të mund të shtojmë ndonjë gjë.

NË SHITJE, KËPUCË PËR BEBE, T’PAMBATHURA.
Ernest Hemingway është padyshim një ndër personat më interesant në historinë e njerëzimit.
Se sa i rëndësishëm është Hemingway për njerëzimin e dëshmojnë edhe garat të cilat zhvillohen çdo vit në Florida në qytetin Key West për “kopjen” e tij./KultPlus.com

Drejtoresha e Gjimnazit jep dorëheqje, refuzoi të pranonte nxënës të dobët që ia dërguan pushtetarët

Drejtoresha e Gjimnazit “Frang Bardhi”, Zybejde Gogoli-Latifi, është dorëhequr ditë më parë nga pozita e saj për shkak të presioneve për regjistrim të nxënësve.

Sipas mëson “Jepi zë”, asaj i kishin shkuar listat e gatshme për pranim nga njerëz me influencë në Komunë. Raportohet se, tash ish-drejtoresha, nuk ka pranuar që të regjistrojë nxënës të dobët që ishin në ato lista, dhe për këtë arsye kishte vendosur të dorëhiqet.

Vlen të theksohet se lista që e coi deri në dorëheqje drejtoreshën, ishte përgatitur pas afateve dhe ishte me emra të nxënësve që nuk kishin plotësuar kriteret e konkursit që ishte shpallur disa javë më parë. Sidoqoftë, Gjimnazi i Mitrovicës është i ndikuar politikisht, pasi ka shumë emra të profesorëve që janë futur me atë ndikim politik. /KultPlus.com

Biri im, të kërkoj falje që nuk jam i pavdekshëm

Edmond Tupja

“Ges, ti i ke dhënë një kuptim të ri jetës sime, unë mësova prej teje të kuptoj Tjetrin, të mposht vetveten, egon time, sa herë që kjo është e domosdoshme; mesova të heq dorë nga shumë gjëra në emër të dashurisë që ushqej për ty, të të dua edhe kur ti me godet, edhe kur ti më gërvisht, pra, edhe kur më dënon e ndëshkon me dhunë; mësova të luftoj ndryshe, edhe kur e di që nuk do të fitoj, mësova ta shoh, ta dëgjoj, ta nuhas e ta prek botën me syrin, veshin, hundën e dorën tënde dhe kështu, ta kuptoj duke e filtruar edhe përmes ndërgjegjes se tjetrit, aq më tepër kur tjetri je Ti!

Sigurisht, Ges, unë të kërkoj të falur që nuk kam arritur të t`i plotësoj të gjitha, që nuk po të shkëpus dot nga autizmi, të kërkoj të falur për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tënde, të kërkoj te falur që nuk jam i pavdekshem, por i përkohshëm ashtu si edhe nëna jote, sepse brenga jonë më e tmerrshme është mendimi që një ditë të frikshme, ti do të gjendesh vetëm, pa njeri pranë për t`u kujdesur për ty, për të të dhuruar të paktën një grimë mirëkuptim e dashuri. E di, ti nuk ke as motër e as vëlla, ke vetëm një gjysmë vëlla nga ana ime, por që jeton prej vitesh në Kanada dhe që atje e ka ndërtuar jetën e vet; sot kanë ardhur kohë të tilla që njerëzit vdesin të vetmuar, madje edhe prindër që kanë lindur, rritur e nxjerrë në jetë dy, tre, katër a më shumë fëmijë, sepse, siç thuhet, secili ka fatin e vet.

Po ty, po sivellezerit e simotrat e tua me autizëm, çfarë fati ju pret? Sikur të paktën të kishte institucione për të vetmuarit si ti, si të tjerët që të ngjajnë, në mënyrën që ne, prindërit e tu, prindërit e tyre t`i mbyllnim sytë të qetë deri diku duke menduar se ti, djali ynë, se femijët e tyre me autizëm, nuk do të ndiheni të braktisur, edhe më të vetmuar sesa jeni sot që ne jemi ende gjallë. Ges, unë nuk jam besimtar, megjithatë, një buzëmbrëmje dimri anonim, tek mendoja të tashmen tënde të trishtuar dhe të ardhmen tënde të zymtë, pasi ti më kishe dendur me grushta e flakur përtokë si një thes me kashtë të kalbur, rashë në gjunjë dhe i drejtova dëshpërimisht këtë lutje njerëzore Fatit, Rastësisë, Natyrës apo Zotit, pak rëndesi ka: “ O Ti, i Mistershmi, i Gjithpushtetshmi, i Pashmangshmi! Shëroje Gesin tim të pafajshëm! Nuk të kërkoj, nuk të përgjërohem ta bësh gjeni, apo talent, jo, bëje thjesht normal, a më dëgjon, a më kupton, thjesht N-O-R-M-A-L, si shumica e fëmijëve të kësaj bote, të kësaj jete! Bëje normal që ai të jetë të paktën i zoti i vetes, të arrije të mbijetoje edhe kur të gjendet përfundimisht vetëm pas vdekjes së prindërve te tij. Plotësoma këtë dëshirë dhe jam gati të ta fal jetën time!

Të ta fal jetën time? Kjo do të ishte fare e thjeshtë për mua, madje do te ishte diçka parajsore, sepse TI e di, për mua përtejvdekja, pra, pavdekësia, është zinxhiri i trashëgimtarëve: Gesi njeri normal, i biri ose e bija e Gesit, nipat e mbresat e Gesit e keshtu, nga hallka në hallkë, deri sa të ketë jetë mbi rruzullin tonë tokësor. Atëherë, bëmë që të vuaj tmerrësisht, që të gjitha sëmundjet më të llahtarshme të botës të bien mbi mua- sidë, lebër, Alzheimer, kancer, skizofreni, delirium tremens etj., etj. – njëra me e mynxyrshme se tjetra, dhe unë të jetoj duke vuajtur, duke lënguar, duke u përpëlitur njëkohësisht si në nëntë rrathët e Ferrit te Dantes dhe duke kaluar nga njëra torturë në tjetrën, vetëm e vetëm që Gesi të bëhet normal, a më dëgjon, NORMAL!”.arratistje.al/KultPlus.com

Voto për mu, veç për mu, se shumë të du (VIDEO)

Jemi në kohë të zgjedhjeve dhe tubimet e shumta elektorale janë në të gjitha anët e Kosovës, shkruan KultPlus.

Duke përkuar me kohën e zgjedhjeve, KultPlus sjell për lexuesit këngën e Faraonit G “Kokrra”.

Voto për mu
Vec për mu
Sa shumë të du
x2

Hajde te kutia jem
Qite kokrrën n”emrin tem

Se unë jom ma i forti n”ven
goja jem kurrë nuk flen

Hajde ti nafaka jem
Lumi unë për venin tem

Se une jom ma i miri n”ven
Vota jote mu ma then

O Sa mir mu m”pom vjen
Kur po voton ti emrin tem

O sa mir mu m”pom vjen
kur po votoni emrin tem

Nafakë,nafakë,nafakë
Nafaka jem
Nafakë,nafakë,nafakë
me venin tem
x2

Voto për mu
Sa shum të du
x2

voto për mu
Sa shumë të du
Sa shumë ju du
Voto për mu

Hajde te kutia jem
qite kokrren n”emrin tem

Une jom ma i miri nven
Vota jote mu ma then
Then,then, then, then
then,then,tttthhhheen

Une jom ma i miri n’ven

O sa mirë mu pom vjen
Kur po votoni emrin tem
x2

Nafak,nafak,nafak
Nafaka jem
Nafakë,nafakë,nafakë
Me venin tem
x2./KultPlus.com

Tri gra shqiptare synojnë ulëse në Parlamentin Austriak

Për njërën nga 183 ulëset në Parlamentin e Austrisë synojnë edhe tri kandidate shqiptare. Drita Cacaj dhe Ina Rexhepi nga ÖVP (Partia Popullore e Austrisë) si dhe Serafina Demaku nga partia SPÖ (Partia Socialdemokrate e Austrisë)

Austriakët do t’u drejtohen qendrave të votimit të dielën, me  29 shtator për të vendosur për përbërjen e parlamentit të ri. Në këto zgjedhje të cilat mbahen të parakohshme, të drejtë vote kanë edhe shqiptarët me nënshtetësi austriake e të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e gjithë shqiptarëve që jetojnë në Austri. Për njërën nga 183 ulëset në Parlamentin e Austrisë synojnë edhe tri kandidate shqiptare. Drita Cacaj dhe Ina Rexhepi nga ÖVP (Partia Popullore e Austrisë) si dhe Serafina Demaku nga partia SPÖ (Partia Socialdemokrate e Austrisë).

Drita Cacaj: Nëse nuk dilni në votime, mos u ankoni pastaj!

Kandidatet shqiptare kanë ftuar bashkëkombësit e tyre që të shfrytëzojnë të drejtën dhe të votojnë kandidatët shqiptarë, që për herë të parë të bëhen pjesë e Parlamentit Austriak.

Kandidatja e ÖVP-së Drita Cacaj e cila garon në listën e kandidatëve për Vjenë, ka thënë se ata që nuk dalin në votime nuk duhet pastaj të ankohen. “Shqiptarët në Austri fatkeqësisht janë komuniteti që më së paku dalin në zgjedhje. Ne duhet të jemi të integruar në secilën sferë të jetës në Austri dhe duhet të jemi faktorë edhe në jetën politike të Austrisë. Në rast se ne nuk përkrahim njëri –  tjetrin nuk mund të forcohemi si komunitet. Ne ankohemi tërë kohën kurse nuk jemi në gjendje një ditë të dalim dhe të votojmë për të ndryshuar gjendjen dhe për të kërkuar të drejtat që na takojnë”, ka thënë për albinfo.ch, kandidatja Drita Cacaj e cila theksoi se të gjithë ata që kanë nënshtetësi austriake e kanë për obligim moral dhe ligjor për të votuar.

Zonja Cacaj e cila është aktive prej vitesh në partinë ÖVP në Austri, është shprehur se me zgjedhjen e saj si deputete, ajo do të jetë zë i shqiptarëve në Parlamentin Austriak. “Vota juaj do të jetë përgjegjësi për mua që të ju përfaqësoj në mënyrën më të denjë njerëzore dhe profesionale. Si shqiptarë që jetojmë në Austri duhet të jemi të përfaqësuar dhe të integruar si të gjitha nacionalitetet tjera pa dallim”, ka thënë Drita, e cila ndër prioritet e saj kryesore ka edhe integrimin më të mirë të femrës shqiptare në jetën sociale në Austri.

Serafina Demaku angazhohet për mbrojtjen e klimës dhe transport publik falas

Në anën tjetër, nga radhët e partisë SPÖ, kandidon 23 vjeçarja shqiptare, Serafina Demaku. Ajo është e lindur në Baden të Austrisë, kurse me prejardhje është nga Arbria e Drenicës.

Serafina ka qenë e angazhuar në organizata joqeveritare për çështjen e migracionit. Në vitin 2015 hyn në udhëheqjen e të Rinjve Socialistë të Austrisë, ku deri në maj të vitit 2017, mban edhe pozitën e Sekretares së të Rinjve Socialistë të Austrisë. Ajo kishte kandiduar edhe në zgjedhjet e kaluara nga po e njëjta parti.

Albinfo.ch ka provuar të mearrë edhe një prononcim nga Serafina Demaku, por fatkeqësisht nuk ka arritur ta kontaktojë. Megjithatë, Serafina në faqen e saj në “Facebook” tregon arsyet e kandidimit të saj për deputete.

“Unë kandidoj për zgjedhjet parlamentare 2019 për një politikë që e merr seriozisht mbrojtjen e klimës dhe angazhohet për një transport publik falas. Një politikë që angazhohet për një sistem ekonomik, ku njerëzit dhe mjedisi vlejnë më shumë se paratë dhe përfitimet. Për një politikë që krijon strehim të përballueshëm për të gjithë.

Zgjedhjet parlamentare në Austri janë zgjedhje të parakohshme. Ato u bënë të domosdoshme pas publikimit të skandalit “Ibiza” të liderit djathtist, Heinz Christian Strache, i cili në video incizime dëgjohej teksa u premtonte oligarkëve rusë favore nga paratë e taksapaguesve austriakë, nëse ata e ndihmojnë gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.

Ina Rexhepi: Nëse dëshirojmë ndryshime, atëherë votoni dhe bëhuni pjesë e ndryshimeve

Në listat për deputetë të partisë së kandidatit për kancelar, Sebastian Kurz (ÖVP) gjendet edhe Ina Rexhepi. Ajo është 36 vjeçare, e lindur në Prizren ndërsa së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët jeton në Wels të Austrisë. Bashkë me familjen e saj udhëheqin një kompani të suksesshme të dizajnit. Ina prej shtatë vitesh është anëtare e Partisë Popullore të Austrisë. “Pas relativisht pak kohësh që u bëra pjesë e partisë, u njoha me Sebastian Kurz. Ai më emëroi si ambasadore të integrimit për projektin “Zusammen Österreich” kështu që u bëra më aktive në politikë”, tregon Ina për “albinfo.ch”, për fillimet e aktiviteteve politike në Austri.

Sipas saj, Partia Popullore në Austri është partia që i trajton dhe ju jep mundësi shqiptarëve më së shumti, kjo falë raportëve të mira që tradicionalisht ka kjo parti me shqiptarët e deri te kancelari në ardhje Sebastian Kurz. “Për Partinë Popullore në Austri vlerësohet suksesi dhe jo origjina. ÖVP si prioritete i ka temat si: dixhitalizimi, ndryshimi i Klimës, forcimi i Evropës, pra, janë të gjitha tema që ndikojnë gjithashtu në gjeneratën tonë të ardhshme”.

Ina, kërkon nga shqiptarët që të dalin të votojnë sepse me votën e tyre do të ndryshojë pozitivisht gjendja e tyre. “Secili kërkon një jetë më të mirë për vete, për familjen dhe fëmijët e tij. Nëse dëshirojmë të bëjmë ndryshim, atëherë duhet të votojmë, sepse vetëm duke votuar mund të bëhemi pjesë e ndryshimit”, ka thënë Ina./albinfo.ch

Dua Lipa me dukje të re (FOTO)

Këngëtarja kosovare Dua Lipa e cila po shënon një sukses të madh në botën e muzikës, nuk lë anash edhe dukjen e saj, shkruan KultPlus.

Ajo sapo ka prezantuar fotografi me dukje të re, e cila shihet të ketë ndryshuar modelin e flokëve.

KultPlus ju sjell këto fotografi ku shihet Dua Lipa me një fotosesion mjaft tërheqës./KultPlus.com