Më 17 shkurt, kosovarët mund të vizitojnë Parisin

Ambasada e Republikës së Kosovës në Francë dhe Ambasada e Francës në Kosovë, e organizojnë ngjarjen me qëllimin për t’i afruar banorët e dy kryeqyteteve në një ditë kaq të shënuar për kosovarët, në shenjë mirënjohjeje po ashtu për Francën, vend i cili ka kontribuar bujarisht në çlirimin dhe rindërtimin e Kosovës dhe që e njohu shtetin e ri të nesërmen e shpalljes së pavarësisë.

Nëse keni kureshtje për Parisin, më 17 shkurt është dita për një «vizitë virtuale» !
Dy pano LED të përmasave të mëdha, do t’ju ofrojnë mundësinë të shihni e përshëndesni kalimtarët e rastit, apo të lini takim virtual me miq e familjarë, të cilët jetojnë në Francë.

Kjo ngjarje do të zhvillohet më 17 shkurt, nga ora 11:00 deri më 16:30, para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve./KultPlus.com

Sihana Badivuku do të prezantohet në “Rassegna Internazionale di Musica da Camera” në Milano të Italisë

Violinistja shqiptare Sihana Badivuku është pjesë e edicionit të trembëdhjetë të “Rassegna Internazionale di Musica da Camera” që mbahet në Milano të Italisë, shkruan KultPlus.

Duke pas një shtrirje të prezantimeve prej tetorit të vitit të shkuar e që do të mbyllet në gusht të këtij viti, violinistja shqiptare do të prezantohet në muajin shkurt.

KultPlus mëson se Sihana Badivuku do të prezantohet më 16 shkurt, ku do të prezantohet edhe orekstra e Milanos./KultPlus.com

GKK sjellë ekspozitën “Vizatimi sot”, për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës do të hap ekspozitën me titull “Vizatimi sot”, shkruan KultPlus.

Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë Adem Rusinovci, Agim Salihu, Alije Vokshi, Artan Balaj, Artan Hajrullahu, Burim Canolli, Esat Valla, Fjoruntina Sylejmani, Hysni Krasniqi, Jeton Muja, Leunora Salihu, Mehmet Behluli, Musa Prelvukaj, Nebih Muriqi, Orhan Kurtolli, Rexhep Ferri, Shpend Qeriqi, Shyqri Gjurkaj, Veli Blakçori dhe Vlora Hajrullahu.

Ceremonia e hapjes do të bëhet në Galerinë Kombëtare të Kosovës të enjten, më 15 Shkurt 2018 në orën 19:00./KultPlus.com

Duke e krijuar vetveten

Ragip SYLAJ

Ke ardhur këtu nga një pikë (çuditje)
Me paralajmërim por pa trokitje
Je rrahur nga dallgët je pjekur nga dielli
Ke kaluar humnera që i ka nënqielli
Ke hapëruar mbi frikën e mbi dhembjen
Duke gjakuar të drejtën
Duke urryer të shtrembëtën
Duke ushqyer virtytin si dënim të vetes
Duke ëndërruar përsosmërinë
Duke i dhënë ujë etjes

Në rrugë në shtigje fati
Kërkove Pemën e Jetës
N’ecjet depresive s’e pive ujin e Letës
Të tundoi e pambërrishmja
Si kërkimtar e lakmues bukurish
Të sprovoi e pa sprovueshmja
Në leqe hyjnish
Pastaj ia the këngës pa zë
Në heshtjen e thellë sa deti
Si aed antik e me gjëmë poeti

Më vonë një tronditje
Nën këmbë ta lëkundi Dheun
Ti që kishe luajtur Sizifin
E kishe imituar Anteun
Para se të vdirreshe
Mësove ta vlerësosh jetën
Dhe si alkimist shestove
Ta rikrijosh vetveten

Bëj të kumbojë muzika e sferave
Në skaj të kësaj bote
Dhe mundëso të gjelbërojë
Brenda teje shkretëtira jote
Ndaj rritu nga fillimi
Me të lartin synim
Ta shpëtosh vetveten
Dhe botën Amin!/KultPlus.com

Eliza Hoxha prezantohet me ekspozitë, solli katër momente historike të Kosovës

Përmes nëntëmbedhjetë fotografive, Eliza ka bërë bashkë katër periudha të rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë.

Gili Hoxhaj

Këto ditë qyteti i Prishtinës vetëm se ka filluar të mbushet me zbukurime e logo që po sjellin një atmosferë festive për dhjetë vite pavarësi. Po me këtë rast, artistja Eliza Hoxha, në mesin e shumë mysafirëve e artdashësve sonte prezantoi ekspozitën personale ‘’Midis ëndrrës dhe realitetit’’, shkruan KultPlus.

Por këto rrugë që sonte mbajnë logon e dhjetëvjetorit të pavarësisë, fotografitë e Elizës i tregonin në në një frymë krejtësisht tjetër, në frymën e protestave, e përpjekjeve të pareshtuara për të mbrojtur gjuhën, kulturën dhe vendin. Fotografitë e saj janë një rrugëtim në vitet e 90’ta, atëherë kur duhej guxim edhe për të ëndërruar për lirinë. Në fillim të katalogut të saj shkruhej se vitet e 90’ta janë përjashtim, protestë, dhunë, vdekje, dhimbje, mungesë, pamundësi, mjegull, përpjekje, paralelizëm, mobilizim, solidarizim, ëndërr, dëshirë, vullnet, mision, qëllim. Këto përkufizime të autores ndeshen më së miri në fotografitë që ajo i kishte sjellë nga ajo periudhë. Përmes tyre, cildo që i sheh, e kujton të kaluaren e fatin e njerëzve të këtij shteti.

Përmes nëntëmbedhjetë fotografive, Eliza ka bërë bashkë katër periudha të rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë. Eliza përmes këtyre fotografive i sjellë secilit përpa syve kujtimet e rrugës së gjatë nëpër të cilën ata kanë ecur. Fillimisht fotografitë e saj shpalosin vitet e 90’ta, për të kaluar te koha e të qenit refugjat, nga fytyrat e përhumbura të fëmijëve në një kamp refugjatësh në Maqedoni, ajo kalon tek fytyrat e buzëqeshura të fëmijëve në ditët e clirimit, e dhembjen e reflekton në shtëpitë e djegura e trupave të parë të gjetur të personave të zhdukur gjatë luftës. Ndërsa periudha e fundit që ajo e prek është pikërisht tek momentet e pavarësisë së Kosovës.

Me himnin shtetëror të Kosovës nisi hapja edhe e kësaj ekspozite, për t’u shoqëruar më pas me këngët e vet këngëtares. Kjo ekspozitë u hap me fjalët e Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaci, i cili tha se ndihet i kënaqëur që është pjesë e ekspozitës së Elizës, e cila që në titull arrin ta identifikoj ëndrrën e të gjithëve.

‘’Vet titulli i ekspozitës së Elizës është dicka që identifikohet me të gjithë neve, që identifikohet me Kosovën, pra është dicka që e kemi ëndërruar gjithmonë dhe është moment historik me e pa ëndrrën e realizuar dhe ta bëjmë realizimin e kësaj ëndrre sa më të mirë për të gjithë ne’’, tha Arifaj.
‘’Eliza është shembull tipik i asaj që ne shpesh e permendim në art, themi se ‘’Arti ëshë një pasqyrë e shoqërisë në të cilën jetojmë ndërsa artisti është zëdhenës shpirtëror i asaj shoqërie’’, kjo është një ekspozitë me koncept të vecantë, për shkak se i ka rrenjët para shumë viteve’’, kështu u shpreh skulptori dhe artisti, Luan Mulliqi, i cili e cilësoi Elizën si një artiste e vecantë, me intelekt të madh krijues. Ai po ashtu e cilësoi si hap tejet të rëndësishëm guximin e saj për tu ballafaquar me shumë tema, projektet e saj për njerëzit e zhdukur, për gratë e dhunuara dhe projektin e saj me këngën ‘’Himni im’’, të cilin e quan si ndërprerje e një ëndrre të menduar me flamurin kombëtar që vazhdohet me një ëndërr tjetër, si sakrificë për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Eliza tashmë e dëshmuar në shumë fusha të artit, si në muzikë , ashtu në shkrime e artin pamor, ajo ka prekur ëndrrat dhe realitetin e këtij shteti. Pranë derës së Galerisë së Ministrisë, ku edhe u hap kjo ekspozitë, qëndronin një grup ushtarësh të KFOR-it, të tillë ushtarë kishte edhe në fotografitë e Elizës të shkrepura dy dedaka më parë. Derisa në fotografitë e saj të mëhershme në shumicen e fotografive të protestave, duart e protestuesve janë të zëna me fotografi të flamurit të Shqipërisë, ajo derisa në këtë ekspozitë e sjellë periudhen e katërt, atë të pavarësisë, aty edhe i bashkon të dy flamujt, atë të Kosovës, dhe atë të Shqipërisë.

‘’Kosova e vuan një gjë shumë të rëndësishme që është perjashtimi sepse ne akoma s’jemi mësuar ta kuptojmë tjetrin pavarësisht bindjeve dhe perceptimeve të tjera që mund t’i ketë, të identitetit tjetër dhe grupacioneve të tjera që u përkasin. Këtë sfidë e shoh jo vetëm prej kur Kosova është shtet por është më e theksuar tashmë që nga puna e flamurit se a je kosovar apo shqiptar e deri te rrefimet më banale që shpesh i dëgjojmë edhe në sferen publike’’, u shpreh Eliza në hapjen e kësaj ekspozite.

Eliza pati edhe një mesazh lidhur me kremtimin e jubileut të parë të dhjetëvjetorit të Kosovës. Ajo tha se sot është absurd të dëgjohet se nuk kemi arsye për të festuar, pasi që kemi festuar edhe kur kemi qenë në gjendje shumë më të vështirë, kur nuk na është lejuar as të flasim e të këndojmë në gjuhën tonë.

‘’Rreth kremtimit të Pavarësisë së Kosovës, kam dëgjuar shumë që thonë se nuk kemi nevojë të festojmë dhe s’kemi arsye që të festojmë pasi që kemi shumë probleme, po është e vertetë, por unë mendoj që ne kemi festuar gjithmonë, edhe në momentet kur kemi qenë edhe më keq’’, u shpreh Eliza Hoxha në ekspozitën e saj.

‘’Kosovës i mungon dashuria për vendin, nuk ka rëndësi flamuri, nuk ka rëndësi as himni, nuk kanë rëndësi fare këto tjerat derisa ne nuk i japim dashuri vendit tonë, e nëse i japim dashni, cdo petk ka kuptim, pastaj, qoftë flamuri i ri apo flamuri kombëtar që e kemi me veti’’, tha krejt në fund Eliza Hoxha, që fotografitë i cilësoi si një reflektim i ëndrrave të brezit të saj, e përpjekjeve të shumë njerëzve që më nuk janë.

Edhe pas shumë sukseseve që ka lënë pas, këtë vit Eliza Hoxha do ta përfaqësoj pavilionin e Kosovës në Bienalen e Venedikut për arkitekturë. Kjo ekspozitë e cila u organizua nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaci, do të qëndroj e hapur përgjatë ditëve festive në Galerinë e Ministrisë. /KultPlus.com


Ilir Muharremi promovon dy libra

Në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës, të hënën, artisti Ilir Muharremi do të promovojë dy vepra: “Psycho”, romani i fundit i këtij autori, i zhanrit triler që rrëfen për erotizmin, ankthin, trishtimin, dëshpërimin, psikopatinë, kanibalizmin, vullgaritetin… Ndërsa, libri i dytë është “Moskuptimet”, që rrëfen për religjionin, vdekjen e Zotit, historinë e artit, artin skenik, dramaturgjinë, letërsinë absurde… Libri është ndarë në pesë kapituj, ndër të cilat rrëfehet edhe për letërsinë: kuptimin e romanit, përse shkruajmë, letërsia dhe historia.

E veçanta e këtij libri është se kjo lëndë ka jetën dhe momentalen, derisa e ardhmja dhe e kaluara trajtohen si shpresë e shuar.

Për librat e Muharremit do të flasin profesoresha Vjollca Dibra si dhe kritiku letrar Mahir Morina. Pas prezantimit të kumtesave do të organizohet edhe një debat në lidhje me të dyja veprat. “Për mua është një nder i veçantë të promovoj dy vepra, veçanërisht romanin e fundit i cili u prit shumë mirë nga lexuesit”, tha Muharremi duke shtuar se “Të dy librat kanë një vlerë të veçantë, njëri është shkencor e tjetri roman vulgar sidomos aty ku flitet për erotikën.

Ky promovim organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës Zenun Elezaj. Promovimi fillon në orën 14:00./KultPlus.com

“Let’s dance”, një strehë ku rritet dashuria për baletin

Dashurinë e tyre për baletin, mësuesja Vjollca Llugiqi mundohet t’ua trasoj në çdo lëvizje e çdo formë tjetër. Ato pak nga pak çdo ditë përgatiten për shfaqjen e madhe që do të prezantohet këtë qershor, në teatrin “Dodona”.

Gili Hoxhaj

Sira është vetëm një nga shumë balerinat e vogla që mezi presin që të vijnë dy herë në javë në studion e baletit “Let’s dance”. Pasqyra që është e vendosur në njërën pjesë të kësaj studio, bën që ajo e shumë të tjera të afrohen drejt saj e ta shikojnë veten.

Sira, e cila është vetëm gjashtë vjecare shtrin dorën drejt pasqyrës, e drejton trupin duke treguar tashmë pozicionin e një balerine të vogël.
Entuziazmin e përkushtimin e njëjtë në këtë orë baleti e ndajnë edhe të gjitha vajzat e tjera që mundohen ta nuhasin çdo detaj të lëvizjeve të duarve e trupit të mësueses, Vjollca Llugiqi. Pasi që ato arrijnë në pozicionin e saj, sytë i hedhin drejt pasqyrës, e me plot buzëqeshje shohin veten. Dashurinë e tyre për baletin, mësuesja Vjollca Llugiqi mundohet t’ua trasoj në çdo lëvizje e çdo formë tjetër. Ato pak nga pak çdo ditë përgatiten për shfaqjen e madhe që do të prezantohet këtë qershor, në teatrin “Dodona”.

Kjo ballo e diplomës do të jetë një shfaqje klasike e cila do t’u përshtatet grupmoshave të ndryshme, varësisht nga niveli i të gjitha balerinave. Përmes kësaj shfaqje Vjollca Llugiqi, do ta shtjelloj jetën e vajzave në konvikt dhe ndërveprimin e tyre gjatë kohës së banimit.

Yllka Krasniqi: Baleti për mua është qetësim shpirtëror

Lëvizjet e Yllka Krasniqit qoftë edhe në ushtrimet e kësaj studio, tregojnë për mësimet që asaj i janë rrënjosur nga kjo studio baleti. Duket sikur baleti është mishëruar në çdo lëvizje të saj. Ajo thotë që çdo mëngjes para se të niset për në shkollë, në mendje e ka orën e baletit.

Yllka, e cila është trembëdhjetë vjeçare, kurse tashmë që pesë vite është pjesë e mësimeve të balerinës Vjollca Llugiqit. Ajo thotë se kontaktin e parë me baletin e kishte pasur gjatë shfaqjeve të baletit në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Lëvizjet e balerinëve të tjerë e të mësueses së saj në skenë, ia kishin ngjallur fort dëshirën që edhe ajo një ditë të bëhej njëra nga ata. Përkundër dëshirës, përballja me provat e para të baletit për Yllkën kishin qenë tejet sfiduese e të vështira sa që ajo kishte menduar që të mos vazhdoj tutje, por me kohën e gjithë kjo ndryshoi. Ajo thotë se mësuesja dashurinë që e ka për baletin, e ka edhe ndaj nxënësve të saj, e kjo i bën këto orë shumë më aktaktive.

“Kur kam ardhur fillimisht, lëvizjet e para mu duken shumë të vështira sa që mendoja mos ta vazhdoj më baletin, por pas disa kohësh fillova që ta ndjeja me shpirt. Unë këtu vij që ta ndjej baletin, i cili për mua është qetësim shpirtëror. Nëse dëgjoj ndonjë muzikë, mua menjëherë më lind ideja që të vallëzoj balet, ndërsa sa herë që e shoh mësuesen time në skenë gjithnjë e më shumë më ngjallet dashuria për baletin”, është shprehur balerina e re Yllka Krasniqi.


Derës së kësaj studio i drejtohen vajza të grupmoshave të ndryshme, kurse ne mesin e tyre është vetëm një djalë. Këtu fëmijët mësojnë gjithçka mbi baletin klasik e atë modern, ndërsa udhëheqësja e kësaj studio, Vjollca Llugiqi thotë se ushtrimet i fokuson më shumë tek baleti klasik, pasi që është baza e të gjitha vallëzimeve. Brenda kësaj studio që gjendet në sheshin 21, vijojnë mësimet për balet tri grupmosha, fëmijë që nga mosha katër e deri në moshën katërmbëdhjetë vjeçare, që është grupi i fillestarëve që e praktikojnë baletin klasik, kurse grupi tjetër nga mosha shtatë deri në dhjetë vjeçare dhe grupi i të rriturave nga mosha dhjetë deri në moshën katërmbëdhjetë vjeçare që praktikojnë edhe baletin modern.

Në balet, përtej talentit, nevojitet dashuria dhe puna

“Unë gjithmonë e them, baleti nuk do të thotë patjetër të jesh ekstra i talentuar, gjithmonë është dëshira dhe puna, unë kur e shoh vullnetin e fëmijëve edhe nëse nuk janë të talentuar, kur e shoh se me çfarë mundi mundohen të shtrengohen, dhe me u zgjat, e në anën tjetër kur prindërit thonë se punojnë vazhdimisht në shtëpi, të japin atë përshtypjen se kanë vullnetin që të punojnë”, shprehet balerina dhe udhëheqësja e kësaj shkolle Vjollca Llugiqi. Përkundër që ka fëmijë që me vullnetin për punë arrijnë nivelin e duhur në balet, ajo thotë se kësaj studio iu drejtohen edhe fëmijët që janë shumë të talentuar po që u mungon dëshira dhe vullneti për baletin, pa të cilat baleti nuk mund të ecën asnjë hap përpara.

“Fatkeqësisht, disa janë shumë të talentuar por u mungon dëshira, në momentin që nuk e kanë dëshirën, unë gjithmonë u tregoj prindërve që mos të mundohen, ndoshta me kalimin e kohës mund të ndryshoj, por nëse nuk e dëshiron këtë punë, baleti pa dëshirë nuk behët. Është art që kërkon shumë, nuk kërkon vetëm vallëzim por kërkohet edhe mimika, pra përmes baletit duhet të tregohet një ngjarje, pa tekst”, thotë balerina Llugiqi, ajo tutje tha se përveç përparësive të aktivitetit fizik përmes baletit fëmijët mësojnë shumë më tepër për shkak se ky art ngërthen në vete një tersi të elementeve artistike, ata këtu mësojnë muzikën, mësojnë ta dëgjojnë muzikën jashtëzakonisht mirë, mësojnë ta përdorim mimikën, e aktrimin.

“Baleti është një art që momentin kur e fillon, është vështirë që të shkëputesh” kështu e përshkruan Vjollca Llugiqi dashurinë e nxënësve të saj që janë rritur duke qenë pjesë e mësimeve të saj. Disa nga to që tashmë kanë kaluar në grupin e balerinave më të rritura, përmes punës së vazhdueshme me mësuesen, tashmë vetëm kanë arritur të avancohen në këtë drejtim. Në një intervistë për KultPlus, Vjollca Llugiqi tregoi se duke u bazuar në punën me këto balerina, ajo sheh në punën e tyre potencialin e mjaftueshem që ato të mund t’i realizojnë ambiciet e tyre që në edhe në të ardhmen të jenë balerina profesionale.

Në mungesë të një shkolle për balet, balerina Vjollca Llugiqi thotë që edhe pse orët janë të pamjaftueshme ajo mundohet që t’ua mësoj gjërat në thelb. Vjollca tregoi për KultPlus se përveç anës praktike, mundohet t’ua plotësoj edhe anën teorike me shënimet që i përkthen nga gjuha frënge.
“Unë mundohem jashtëzakonisht shumë që t’u jap edhe teori, t’ju jap edhe shënime që të mos kenë njohuri vetëm praktikën, që të dinë edhe për domethënien e ushtrimeve për çka po punojnë dhe me cilët muskuj punohen”, tregoi Vjolla Llugiqi.

Sado që këto orë janë të pakta, ajo thotë se janë të vlefshme pasi që shumica e balerinave këto ushtrime i vazhdojnë edhe në shtëpi dhe kjo vërehet nga rezultati që ato sjellin gjatë ushtrimeve në studio. Përveç punë së përbashkët në studio, këta fëmijë e ndjekin punën e mësueses edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Vjollca Llugiqi thotë së fëmijët i fton gjithnjë që të vijnë shfaqje në teatër, për shkak se kështu mund ta shohin të ardhmen e tyre se ku mund të arrijnë dhe çfarë lëvizjes tjera mund të bëjnë.“Gjithmonë më pyesin për lëvizjet në shfaqje, në mënyrë që t’i mësojnë edhe ata”, thotë Vjollca, e cila shton se ky interesim i vazhdueshëm e bën që të ndihet shumë e kënaqur./ KultPlus.com

Muzika artistike shqiptare përfaqësohet në Vjenë me kuartetin harkor të kompozitorit Valton Beqiri

E inicuar në njërin nga kryeqytetet europiane, Vjenë, organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit për Integrime Europiane të Ministrisë së Punëvë të jashtme të Austrisë, në kuadër të Javës se kulturës austriake dhe asaj shqiptare, u mbajt koncerti i titulluar “Classical Music from Albania”. Qëllimi kryesor i këtij manifestimi ishte rizbulimi i të përbashkëtave kulturore të dy vendeve mike në kuadër të muzikës artistike e cila sot mbetet përfaqësuesja më e mirë e identitetit kulturor.

Njëri nga dy kompozitorët e vetëm shqiptarë të prezantuar me anë të krijimtarisë në këtë natë koncertale ishte kompozitori i mirënjohur Valton Beqiri, si dhe kompozitori Gjon Simoni. Që të dy u prezantuan me kuartetet e tyre harkore të interpretuara nga (ansambli) kuarteti harkor i Radio Televizionit Shqiptar. Në vazhdën e manifestimeve kulturore në Europë e më gjërë, muzika artistike shqiptare pikërisht me anë të krijimtarisë së kompozitorëve të saj, në këtë rast të kompozitorit Valton Beqiri, evidenton edhe një herë nivelin e lartë profesional e kulturor që mbart ajo në vete.
Kjo nuk është ndër veprat e para apo të rralla të Beqirit e cila gjen prezantimin e saj në ndonjë shtet europian, por është nga veprat e radhës e cila po reprezenton muzikën shqiptare në botë.
E rëndësishme të cilësohet është se në këtë koncert u interpretuan edhe kuartete të kompozitorit të njohur botëror Dmitry Shostakovich.

Muzika artistike shqiptare edhe pse ende në rrethana jo të volitshme sa i përket kultivimit të saj, sot më shumë së kurrë po gjen prezantim jashtë kufinjëve të shtetit shqiptar, si motivim për punë të mëtutjesh/KultPlus.com

O’Connell: Inspektorët e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore të rekrutohen pa favore e ndërhyrje

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka konsideruar themelimin e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore të vonuar por gjithashtu edhe një hap të rëndësishëm, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Ai është shprehur se Mbretëria e Bashkuar gjithmonë e ka konsideruar të rëndësishëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
“Mbretëria e Bashkuar gjithmonë e ka parë si shumë të rëndësishme që Kosova të ketë mbrojtje të fortë për trashëgiminë e saj të pasur dhe të larmishme kulturore. Këto mbrojtje janë të rëndësishme, si për komunitetet e Kosovës, ashtu edhe për anëtarësimin e saj në UNESCO”, është shprehu ai duke shtuar tutje se themelimi i një Inspektorati për Trashëgiminë Kulturore është i vonuar për 12 vjet, por një hap pozitiv për Kosovën.

Duke e theksuar përsëri rëndësinë që ka ky vendim për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ai ka bërë thirrje që inspektoret të rekrutohen pa favore dhe pa ndërhyrje.

“Ndërtimi i institucioneve të tilla është i rëndësishëm jo vetëm për punën e tyre jetike, por gjithashtu u ndihmon miqve të Kosovës që të argumentojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Është shumë e rëndësishme tani që inspektorët të rekrutohen në bazë të meritës dhe kualifikimit, si dhe që ata të kryejnë punën e tyre jetike pa frikë, pa favore dhe pa ndërhyrje”, ka përfunduar ai.

Berat Hadri, Labërie Dakaj dhe Pajtim Zogaj janë inspektorët e parë të cilët janë zgjedhur nga Ministria e Kulturës për të qenë pjesë e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Ministri Kujtim Gashi i cili edhe prezantoi inspektorët para medieve disa ditë më parë i konsideroi ata gardianë të trashëgimisë kulturore duke theksuar se mendon se janë pikërisht inspektorët e trashëgimisë kulturore ata të cilët mund të mbrojnë trashëgiminë e vendit./KultPlus.com

Filmi me 13 nominime për Oscar, akuzohet për plagjiaturë

Regjisori francez i ka dërguar një e-mail regjisorit meksikan, pasi që e ka parë filmin e tij të fundit “The Shape of Water” i cili është i preferuar për Oscar. Ai e ka akuzuar atë për plagjiaturë nga filmat “Delicatessen” dhe “Amelie Poulain”, përcjellë KultPlus.

I akuzuar për plagjiaturë të shfaqjes “Let me Hear you Whisper”, shkruar në vitin 1969 nga Paul Zindel, dhe së është inspiruar nga filmi i shkurtër “The Space Between Us”, nga Marc S. Nollkaemper, Guillermo del Toro tashmë po akuzohet nga Jean-Pierre Jeunet. Regjisori francez e ka akuzuar atë për filmin e tij të fundit “The Shape of Water”, ka shkruar lefigaro.fr.

“Më paralajmëruan para se të shoh filmin, të gjithë me treguan për historinë e Amelie Poulain…Mirëpo aty vërehet veçanërisht Delicatessen”, është shpreh ai. Regjisori ka treguar se e ka nisur një e-mail pasi që ka gjetur ngjashmëri të mëdha në mes të filmit “The Shape of Water” dhe filmit të tij të parë “Delicatessen”.

“I kam thënë atij. Ju keni shumë imagjinatë dhe talent. Përse të shkoni dhe të shfrytëzoni idetë e të tjerëve? Kurse ai më është përgjigjur se ne ja kemi borxh të gjitha Terry Gilliam. Sipas tij ai nuk ka vjedhur asgjë nga askush, por është Terry Gilliam ai i cili ka pasur ndikim të ne të gjithë”, ka shpjeguar ai duke shtuar se nuk do e akuzojë ligjërisht për plagjiaturë por se tashmë është e qartë se ai e ka menduar Delicatessen gjersa e ka realizuar filmin.

“Tani e kam të qartë se çfarë duhet të bëjë që të jem i suksesshëm: Më duhet të vjedh nga vjedhjet e Guillermo del Toro”, ka përfunduar ai, gjersa regjisori meksikanë akoma nuk ka reaguar.
Filmi “The Shape of Water” është nominuar në shtatë kategori në Golden Globe dhe është i preferuari në Oscar me 13-të nominime duke përfshirë edhe skenari më i mirë origjinal. Filmi, një legjendë polimorfe tregon një romancë fantastike në mes të luftës së ftohtë. Një shtëpiake e heshtur, duke punuar në një laborator ultra-sekret shkencor, e she jetën e saj duke ndryshuar kur takon një përbindësh të detit, gjysmë-njeri dhe gjysmë-peshk, të kapur nga amerikanët.

Kurse pretendimet për plagjiaturë ndaj Guillermo el Toro po e dëmtojnë atë. Këto polemika mund të ndikojnë në mos fitoren e tij më 4 mars në Oscar. Madje mund ta bëjnë që të humbas disa tituj duke përfshirë edhe çmimin prestigjioz për regjisorin më të mirë. /KultPlus.com

Letra e Kamysë drejtuar të dashurës së tij

– ”Ti gjaku im”, – i shkruante Kamy të dashurës Kazares,
dhe ajo i përgjigjej:
– “Pres mrekullinë të më rishfaqë praninë tënde”
– ”Ti je ajo që do të doja më shumë se jeta dhe qielli”,
– ”Atëherë po të dërgoj diejt e zemrës…”
Letra të zverdhura nga koha
që sot enden e shtegtojnë në mijra udhë të botës,
fjalë si prushi në sytë e tu, të mi,
i kthej letrat ti shoh për nga qielli
dhe fjalët më shkojnë tutje si mizëri harabelësh,
i kthej për nga dielli
dhe lexoj se Kazares po digjet nga një zjarr,
shkoj dhe i lexoj buzë detit
dhe dallga ma mbulon fytyrën plot shkumë,
pastaj siluetat e tyre shkojnë, vijnë,
është vonë, duan të flenë,
të mbyllin portat dhe të kërleshen
në shtratin ende të kuq,
dy dashnorë prej mishi e gjaku
dy dashnorë prej zjarri e pluhuri
që ngrihet lart në mugëtirën e agut.
Letra me aromë dielli që tunden në erë
si shami të kuqe, të bardha, të zeza,
sa shumë shami për këtë dashuri,
mesazhe për kohën që nderet e ndalon
në cep të buzëve,
në ijet e kolme që përvëlojnë nga dëshira,
ku prushet më së fundi rreshken, shuhen,
mesazhe për vetminë e madhe
që ditën e ktheu përfundimisht në natë
që dritën e ktheu në errësirë
nobelisti kërkonte zjarrin e Prometeut
ta çonte gjer në skajet e botës,
ah, ky «Njeri i revoltuar»
ku shkon kështu me dashurinë dhe vdekjen mbi kurriz?…
Atëherë dritarja mbyllet,
shpendi shtegtar ndoshta s’do të kthehet më,
Kazares lëshohet mbi shtrat në letargjinë e gjatë
pa mundur të jetë lehonë,
pa mundur të dehet dhe njëherë e të klithë
për të dashurin që i shkroi ”Po vij…”
dhe që nuk i erdhi kurrë…
ah, ky «Njeri i revoltuar»
ku shkon kështu me dashurinë dhe vdekjen mbi kurriz?…

Luan Rama

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës mbulohet me flamur

Ndërtesa e Qeverisë sot ka marrë një pamje shumë të bukur. Përgjatë saj është lëshuar flamuri shtetëror i Kosovës duke i dhënë ndërtesës një pamje mjaftë të bukur, shkruan KultPlus.

Gjithë kjo është realizuar në kuadër të 10-të vjetorit të Pavarësisë. Kurse zbukurimet kanë filluar edhe në pjesë të tjera të qytetit në Prishtinë por edhe qytete të tjera në shënim të kësaj ditë të rëndësishme./KulPlus.com

Alfred Mirashi Milot : Nuk duhen më çelsa, tashmë duam një botë të hapur

Artisti shqiptar që braktisi Shqipërinë bashkë me mijëra të tjerë shqiptarë nëpërmjet anijes së famshme që shkonte për Itali, tashmë është shndërruar në një artist mjaftë identifikues, pasi që, vepra e tij “Çelsi” simbolizon hapjen e portave, të kufijve dhe të çdo pengese tjetër që mund ti shfaqet njerzimit. Mediet italiane këtë vit kanë pas nën llupë veprën e këtij artisti, pasi që një skulpturë e tillë është e vendosur në njërin nga qytetet e Italisë, vend që i hapi portën pikërisht Alfred Mirashit. Por ky artist ka vendosë që mbi supe të tij ta bartë një qytet të tërë të Shqipërisë, pasi që emrin e qytetit të tij Milot, tashmë e ka shndërruar në emrin e tij artistik. Në një intervistë për KultPlus, Miloti ka treguar se si këtë vepër akoma nuk e ka prezantuar në Shqipëri.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju njiheni për goditjen tuaj nëpërmjet veprave, sikurse është skulptura e “Çelsit” skulpturë që u përcoll nga mediet më prestigjioze të Italisë, na tregoni më shumë për çelësin?
Alfred Mirashi Milot:
Kur pritet mirë nga mediet italiane një vepër arti kështu monumentale , për artistin është diçka magjike , sepse duket sikur të shpërblehet mundi dhe djersa e shumë viteve për të arritur diçka në jetë, është për tu habitur, sepse një gjë e tillë ndoshta është hera e parë që në Itali bën kaq shumë bujë , nëpër tv, radio e gazeta. Duhet të jemi të sinqertë dhe të themi se kjo skulpturë “ Çelësi i Cervinares”, u mirëprit edhe nga mediat në Shqipëri. Mesazhi i madh që jep kjo vepër është pothuajse aktual, problemi i komunikimit kontemporan, internacional.

KultPlus: Pse pikërisht Çelësi nëpërmjet veprave tua artistike?
Alfred Mirashi Milot:
Mendoj që çdo artist e ka ëndërr në jetë që të njihet me stilin e vet personal, brenda çdo dite të lind pyetja se çfarë mund të bëj diçka personale që të ngelet në historinë e artit, dhe lindi ideja origjinale e Çelësit , një “objekt i përdorur kudo në bote” që unë e bej te papërdorur, sepse nuk duhen më çelësa, tashmë duam një botë të hapur.

KultPlus: Ju jeni një ndër dhjetëra mijëra udhëtarët që vërshuan anijen e famshme prej Durrësit në Itali, ku edhe u larguat prej Shqipërisë,dhe tashti, çelësin po ua dhuroni vetë italianëve, ka një ndërlidhje kjo me të shkuarën tuaj prej një refugjati?
Alfred Mirashi Milot:
Viti 1991 për shumë bashkatdhetarët e mi ishte një vit që populli ynë se harron kurrë , se si u larguam nga atdheu ynë, një histori ku është folur shumë dhe e dinë pothuajse të gjithë, unë ja dhurova këtij qyteti Cervinares , sepse ata me mirëpriten, në mënyrë te shkëlqyer, dhe mbas 26 vitesh erdhi dhe momenti im që t’ua shpërbleja me një vepër arti monumental, ku ajo sot është vendosur në hyrje te qytezës, dhe që i tregon botes një mesazh fantastik, mikpritjen e mënyrën për tu integruar në jetën e përditshme.

KultPlus: Megjithatë, refugjatë nga të katër anët e botës, të rrëqethë kur dëgjon për refugjatët?
Alfred Mirashi Milot:
Bota sot është në krizë te tmerrshme në shume vende të botes, sepse ka humbur komunikimi, pastaj burokracia, indiferenca mbizotërojnë shoqërinë e sotme kudo, por duhet te kemi kurajë te ndihmojmë njeri-tjetrin , sepse kështu bëhemi më të dashur dhe krijohet një shoqëri e vërtetë ku besoj që është e vetmja rrugë e botes së ardhshme.

KultPlus: Mirëpo, edhe përkundër faktit që zgjodhët të braktisni Shqipërinë, ju emrin e vendlindjes suaj e bartni kudo, pasi që emri artistik i juaji është Milot, emër që vjen nga vendlindja e juaj, si tingëllon të të thërrasin në emrin e një qyteti?
Alfred Mirashi Milot:
Është një sfidë e imja personale që të mposht paragjykimet që kishim përpara disa viteve kundrejt shqiptarëve në Evropë dhe Itali, ku unë asnjëherë se kam venë në dyshim nga vij, dhe kur dëgjoj emrin Milot, te paktën sot me karrierën time artistike është me shume se një emër ARTI.


KultPlus: Flasim më konkretisht për Çelësin, kur filloi rrugëtimin dhe në sa vende deri më tashti është prezantuar kjo skulpturë e juaja?
Alfred Mirashi Milot:
Në pikture çelësi në telajot e mia është ekspozuar në shumë vende të botes, pra mund të them se është ekspozuar pothuajse kudo, në Evropë , SHBA e Kinë, ndërsa si skulpturë tani për tani në Itali. Ekspozimin e saj e fillova në Venecia ku me ftoi kritiku Paolo de Grandis në Open 14, pastaj në Pietrasanta ku me ftoi Kryetari i komunës- Massimo Mallegni, në komunën e Lizzawllo , afër Lecce (më ftoi) kritiku profesori Massimo Guastella në evenimentin “Arti e të drejtat e njeriut” kurse tani skulptura më e madhe e imja, që është gati 20 metra, ndodhet në Çervinara , Avelino.

KultPlus: A është prezantuar ndonjëherë në Tiranë?
Alfred Mirashi Milot:
Jo në të ardhmen nuk dihet,shpresojmë.

KultPlus: Po në Kosovë?
Alfred Mirashi Milot:
Jo, shpresojmë në të ardhmen.

KultPlus: Do të vazhdoni po me mesazhin e çelësit, apo keni ndonjë projekt tjetër për të ardhmen?
Alfred Mirashi Milot:
Sapo kam filluar, do ta mbush boten me çelësa të papërdorshëm në mënyrë që ky mesazh të kuptohet nga të gjithë, sepse çdo njeri duhet te realizoje ëndrrat e tij që ka. Në të ardhmen kam shume projekte pasi që më kanë ftuar në shumë qytete e muze të botës.
KultPlus: Për fund, në çfarë pike të krijimtarisë gjejmë Alfred Milot Mirashi ?
Alfred Mirashi Milot: Atë që kam ëndërruar pothuajse e kam arritur te jetoj me art por gjëja më e bukur dhe me çelësa te papërdorshëm./KultPlus.com

Spektakli më i madh në botë

Gjatë shkurtit karnavalet janë qendra e vëmendjes e të gjithë njerëzve, por karnavalet e kontinentit amerikan tërheqin patjetër më shumë se cilat do, sidomos ato të Rio de Zhaneros.

Duhen edhe pak ditë që Sambódromo Marqués de Sapucaí të shkëlqejë me ngjyra, muzikë, karroca, kostume dhe mbi të gjitha me alegrinë në 9 shkurt. Festa fillon të pulsojë qysh kur hyn periudha e karnavaleve, por tani është tamam momenti kur ndihen emocionet. Njerëz nga e gjithë bota i drejtohen Rios për të shfrytëzuar një spektakël unik në Brazil. Nëse arrin në kohë ju rekomandojmë të merrni me qira një makinë për të vizituar mrekullitë e qytetit. Dita e parë është dita e ceremonisë së shumëpritur, ditë ku kurorëzohet Mbreti Momo dhe këtë çmim e jep kryetari i komunës që gjithashtu i jep edhe çelësin e qytetit. Pas kësaj ceremonie vjen sfilata nga grupe të shkollave të ndryshme të, shkruan klan kosova.

Në ditën e dytë festa nuk pushon, vazhdojnë përsëri shkollat dhe mund të thuhet se kjo ditë është dita e vërtetë kur fillon spektakli që ka larmi grupesh për të gjitha shijet. Që nga animimet e shumta deri tek festat private, të gjithë kanë nga një vend për të ndjekur ritmin në qytetin e mrekullueshëm të Rios.Ngjarja kryesore do të organizohet brenda Sambódromo-s që ka 13 sektorë të ndryshëm për pjesëmarrësit.

Në ditën e tretë sfilata i kalon shkollës së Sambës që garanton një ditë me të gjithë përbërësit tipikë brazilianë. Kjo ditë dhe dita e katërt janë më emocionueset dhe më befasueset. Shkolla e grupit Special përmbyt rrugët e Sambódromo-s me një sfilatë plot ngjyra dhe bukuri që tërheqin vëmendjen në të gjitha shqisat përmes imponimit të karrocave, ngjyrave, kostumeve, shkathtësisë së balerinave, spektaklet e ngjyrave që e shndërrojnë gjithë këtë veprimtari në një vepër arti.

Në ditën e pestë është sfilata e fëmijëve, shkruan bota.al. Karnavalet e Rios mbyllen të shtunën që këtë vit bie në 17 shkurt, kur merret vesh rezultati final, cila është samba më e mirë e vitit dhe kampionët e grupit Special sfilojnë për të mbyllur këtë veprimtari. Është momenti për t’u kthyer në shtëpi me një shije të mirë të lënë nga një ngjarje e paharrueshme dhe për fillimin e përgatitjeve për vitin pasardhës.

Del në ankand një “Mona Liza” afrikane

Një “Mona Liza afrikane” ikona e vërtetë kombëtare në Nigeri, e konsideruar si e zhdukur, do të shitet në ankand pasi u rigjet në një apartament në Londër.

Ky portret i princeshës Ife Adetutu Ademiluyi, ashtuquajtur “Tutu”, pikturuar në vitin 1974 nga artisti nigerian, Ben Enwonwu do të shitet në ankand më 28 shkurt nga shtëpia e ankandeve ”Bonhams”, një shitje që do të transmetohet drejtpërdrejt në Lagos për t’u mundësuar blerësve potencialë të interesohen.

“E konsideroj si Mona Lizan afrikane”, theksoi romancieri nigerian, Ben Okri, laureat i Booker Prize për këtë portret që nuk ishte parë më që prej ekspozimit për herë të fundit në vitin 1975.

Që prej 40 vitesh, kjo është një pikturë legjendare, të gjithë flasin për të, pyesin ku është Tutu?”, theksoi shkrimtari.“Artisti nuk ka shfaqur thjesht vajzën e re, ai ka shfaqur të gjithë traditën. Kjo është një simbol i shpresës dhe rigjenerimit në Nigeri, simboli i Feniksit të rilindur nga hiri”, shtoi Ben Okri i cili theksoi se kishte kaluar disa orë duke e parë atë dhe duke kompensuar kohën e humbur.Ben Enwonwu ka pikturuar tre versione të Tutusë, por tre tablo ishin zhdukur deri sa një prej tyre ishte rigjetur nga Giles Peppiatt, drejtor i artit modern afrikan tek ”Bonhams”

Yll Rugova: Hamami i Madh i Prishtinës do të rifunksionalizohet

Drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova ka vizituar sot Hamamin e Madh të Prishtinës, së bashku me restaurues nga Turqia dhe me përfaqësues nga TIKA, shkruan KultPlus.

Drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova ka treguar se ky objekt do të rifunksionalizohet pasi që tashmë janë zhbllokuar proceset që e kanë bërë të pamundur këtë proces më parë.

“Jam shumë i lumtur që pas shumë vjetësh neglizhencë, ky objekt i shekullit të 15-të do të rifunksionalizohet dhe konzervohet me praktikat më të mira profesionale. Falë angazhimeve të komunës dhe akterëve tjerë, më në fund janë zhbllokuar proceset që e kanë mbajtur këtë objekt në këtë gjendje”, është shprehu ai, duke theksuar se ai personalisht do e përcjell nga afër këtë projekt, në mënyrë që si institucion të mund të ofrojmë transparencë për të gjithë hapat e këtij procesi.
Ky hamam dikur ishte bërthamë e qytetit të vjetër, pjesë themelore e kompleksit të Xhamisë së Madhe që veç dedikimit, shërbente edhe si vendtakim shoqëror për meshkujt dhe femra. Kurse është mbyllur që 48-të vite.

Ky kompleks qyteti, kujtohet me shumë nostalgji si qendër sanitare-higjienike. Përbëhej nga kubetë, 15 sosh, që ishin burim I dritës, pastaj nga pishinat, nga shatërvani dhe holet e tjera. Në këtë hamam zhvilloheshin shumë ceremoni, si përgatitja e vajzave për nusëri./KultPlus.com

Rita Ora: Ne jemi shqiptarë, kështu që nuk pranojmë broçkulla

Përpara se këngët e Rita Orës të dëgjoheshin në radio, ikona angleze e popit po performonte dhe po punonte në lokalin e babait të saj në Londër “The Queens Arms”, shkruan Forbes, përcjellë KultPlus.

“Gjaku, djersa dhe lotët e mi ishin në bar”, kujton Rita, kohën kur ishte në moshën 14 vjeçare. “Nuk pija alkool … Unë vetëm shkoja në shkollë dhe pastaj kthehesha, dhe reagimi i babit tim ishte si të thuash, “ngrihu dhe këndo”.

Tashmë, Rita Ora e njohur për hitet e saj, të tilla si “I Will Never Let You Down”and “How We Do (Party)” dhe albumi i saj i dytë që është caktuar për të dalë këtë vit. Por ajo nuk i ka harruar rrënjët e saj. Tani 27 vjeçarja thotë se koha që ajo kaloi duke punuar në lokalin e babait të saj, me familjen e saj, i mësoi shtatë mësimet e saj të rëndësishme që e kanë ndihmuar atë të ketë sukses në industrinë e muzikës. Lexoni, tregimin në të cilin Rita Ora zbulon se si jeta në bar i dha asaj një arsimim të veçantë.

1. Është në rregull të fillosh nga asgjë
“Babai im filloi një biznes nga e para,” thotë Ora. “Duke menduar për këtë tani, e di se ishte diçka e vështirë për të marrë këmbët e tyre nga toka”. Ashtu si skena e lokalit, as biznesi i muzikës nuk është i lehtë – dhe shpesh është e gjitha ose asgjë. “Momentin që filloni të merreni me të, ose duhet të zhyteni krejtësisht në të ose të dorëzoheni” ka thënë Rita Ora.
2. Nuk ka ndonjë orar fiks
“Nuk është ashtu, është ora 19:00 dhe ti duhet të shkosh në shtrat. Nuk mund ta bësh këtë. Ju shkoni në shtrat kur shkoni në shtrat, “thotë Ora, e lokalit të mbrëmjes që thotë se është e njëjta si të jesh performuese. “Ju duhet të liroheni nga gjithçka, të punoni, të bëni një shfaqje gjatë natës, të hipni në një aeroplan dhe të ktheheni përsëri në tokë. Ju duhet të përgatiteni psiqikisht”, thotë Rita.
3. Të buzëqeshni dhe të jeni sa më energjike është e domosdoshme
“Të gjithë njerëzit që i takoni, ju nuk i keni takuar kurrë më parë,” thotë Ora. E njëjta gjë vlen edhe për performanca, prandaj është e domosdoshme që të kemi një qëndrim optimist. “Mund të ndiheni e lodhur. Është shumë e vështirë që ta jepni më të mirën nga vetja e juaj, kur ju nuk keni atë energji brenda jush”.
4. Pengesat të bëjnë më të fortë
Këtu Rita Ora ka treguar për sfidat e nënës së saj, dhe përpjekjet e saj për të diplomuar për psikiatri në Britaninë e Madhe, ku ajo nuk dinte asnjë fjalë të gjuhës angleze. “Ajo kishte kancer të gjirit, mësoi anglisht, dhe ajo u diplomua të gjitha në të njëjtën kohë – ndërsa na rriti neve”, ka thënë Rita.
5. Durimi është çelësi
“Është një skenë shumë e ngadalshme me bar”, thotë Ora. “Jam shumë mirë me Ed Sheeran. Ai më tha një ditë se do të merrte 20, ndonjëherë nuk do të merrte asgjë. Ju thjesht nuk ndiheni sikur jeni duke ecur përpara, por jeni në një mënyrë të çuditshme. Nuk ka asnjë mënyrë për të dalë nga kjo, në thelb, ju vetëm me të vërtetë duhet të kalojnë nëpër sh * t për të marrë në ari. ”
6. Mbajini qëndrimet tua
“Mos u hidhëroni nëse dikush flet gjëra të këqija për ty, sepse ato janë njerëz të pavlerë. Dhe në qoftë se ata nuk janë të tillë, vetëm u thoni atyre ta mbyllin gojën. “thotë Ora për të mbrojtur veten. “E bëra këtë që kur isha 15 vjeçare”.
7. Mos i merrni mbeturinat nga të tjerët
“Ishin njerëzit e qytetit ata që vinin çdo ditë për të marrë pije, birra dhe për t’u talluar në lokal, por mua më pëlqente që të rritesha në një lokal. Nuk ishte kurrë e mërzitshme “, thotë Ora. Gjithmonë ka pasur raste kur vinin njerëz të rendomë të cilet babai im i hidhte jashtë. Ne jemi shqiptar kështu që nuk pranojmë broçkulla”. /KultPlus.com

ëndërr e përditshme

Poezi nga Emin Emini

oktapod e kisha pushtuar
të voglin të dashurin të pafajshmin
të vetmin atdhe
që më lanë
Iphone 4s

kryeneç nëpër giruset e trurit të tij
sërfoja
i vetmuar në mesin e gjithë njerëzve të globit

fluturoja me pendla të kaltra zogu
çilja guacka në pafundin e detit
fluturave të fundbarkut trishtimin ua korrja
shpresën shprazja zbrazëtirave të kozmosit

kjo i bjen se piqja qiqra në hell
*
diku pashë të shkruhej
kund tjetër të dëgjoj
herë hapur herë tinëz
për

1 të drejtën e gishtit të sustës së bombës atomike
2 misterin e përbotshëm të vezullimës verbuese të qimës më të
gjatë të pubisit të marilyn monroe
3 fëmijën që flinte në asfalt pranë nënës së vizatuar me shkumës
4 proteinat çudibërëse të jargës së kërmillit në luftën estetike
kundër mplakjes
5 therjen humane të qengjit lazdrak të shën gjergjit
6 trajnimin e transgjinorëve për të ofruar shërbimet me
kriptovalutën bitcoin
7 gjyqin kundër shoshës së ozonit dhe CO2 për ngritjen e
temperaturës së bythëve njerëzore

për shtatë e shtatë mijë e shtatë mrekullitë e botës përtejmoderne
pra
të shekullit XXI

ti
ishe në askund e në askohë
*
dikur
hapa kutinë e moçme
në kapakun e saj picërrontë sytë e ngrirë
buzëqeshja mëkatshëm e bukur
gdhendur me kthetra
me mjaltë pelini lyer

dhëmbë është e vërteta
dhëmbë

paskëtaj
erë iu bëra flamurit të saj
e paturpësisht dënesa në heshtje
e e qava

plagët e këmbëve të prera
ia mëkova me petale pranvere e melhem merimange
*
pip qe shpirti
torzo mbeti
*
ike
*
nuk të fajësoj
grackë të kishte vënë nata e zezë
e terrtë nëpër errësirë
ktheve shpinën
tinëz mëngjesit
*
gjinkallat e dimrit në kishë
thurën himnin e acarit
në stinën e epikës
lirisë sate ia vranë diellin

pasi i shpërthyen me gjilpëra antibiotikësh stërkalat e dritës
qiellit tënd të murrmë
në natën e lirikës
ia varën kryeveprën e tyre
atë
artistikën
skulpturën e diellit

ti kishe qafë
prandaj nuk ishe e gënjeshtërt
prandaj dhe
nuk të prisja të ktheheshe

tashmë ti
moti në atë mot të zi
ishe kthyer në personazhin e perëndimit të së dieles
me surrat saharaje
*
të hënën e ditës me hënë
hapat e tu
shkelën barin e yrtit tim
kambana e trinës së gjoksit
ra në numrin 044 201 707

ç’dreqin do
kushdo qofsh
në këtë pakohë

u përhëna

shembe gardhin
mes teje e meje

ti
erdhe
e ekrantë
për të parën herë
as e bukur as e shëmtuar

nga sytë e gjelbër
shkarkove hejbet e mallit

shkilnim nëpër gaca

në shuplakë të dorës kishe dhëmbët e bardhë
qelq të tejukshëm

mollën e kuqe
që sall një herë
dikur
mëkatshëm e kishe kafshuar
ta dhashë

ta fala
*
kanatat e qiellit u çelën
avulli i hukamës sate
ujëvarë derdhej në xhamin e dritares

alo oo ooo
*
s’qe kush tjetër
veçse ato të zakonshmet të përditshmet
ato
ëndrrat e mia kurvat e mia
*
i mbylla perdet e atdheut tim
bip bip bip./KultPlus.com

Teuta Krasniqi solli hapat e shtetit të izoluar në dritën e shpresës (FOTO)

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë solli premierën e parë për këtë vit. Hapat dhe lëvizjet e balerinës Teuta Krasniqi, për dymbëdhjetë vite kanë ecur brenda skenës për t’u bërë përfaqësim i mesazheve të koreografeve vendas e të huaj. Kurse nga mbrëmë, emri i saj përfaqëson koreografen e parë grua që realizon një shfaqje të plotë. Fuqinë artistike me të cilën balerina Teuta Krasniqi është prezantuar në rreth dyzet premiera, duket sikur e kishte bartur në secilin hap të trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.

Gili Hoxhaj
Fotografitë: Valerie Plesch

Dritat e skenës së Teatrit Kombëtar ishin tejet të zbehta, por përpjekjet e hapave edhe në këtë dritë ishin tejet të shpejtë e intensiv. Tërë kjo, për të sjellë izolimin e këtij vendi, me përpjekjet e njerëzve për të gjetur veten diku. Publiku, në të shumtën e rasteve e shijoi lojën e krejt trupës brenda skenës. Interaktiviteti i tyre me muret që u qëndrojnë prapa, e bëjnë këtë lojë edhe më sfiduese. Herë të vendosur prapa, e herë para tyre ata gjejnë përsëri vendin e tyre në skenë. Përveç mureve, që nënkuptonin lëvizjen e tyre jashtë këtij vendi, mesazhi i lojës së balerinëve shkonte përtej kësaj. Ishin muret e padukshme, ata që më së shumti i torturonin lëvizjet e tyre që ishin tejet të kufizuara. Për ta sjellë këtë përmes trupit të tyre, hapat e tyre herë niseshin para, e herë tërhiqeshin prapa, duke u kufizuar në të njëjtën hapësirë.

Kjo performancë me koreografi të Teuta Krasniqit, jo vetëm që dha një mesazh të qartë por nxorri edhe mjaft emocione nga publiku, kur ajo ngjitet në skenë për t’u rreshtuar në mesin e kolegëve të saj. Duartrokitjet e fuqishme ishin aprovimi më i fortë që Teuta Krasniqi vetëm se duhet të vazhdoj t’i sjellë performanca të tilla publikut prishtinas. Vet Teuta Krasniqi thotë se finalizimin e punës së saj në skenë, sonte e ka percjellur me emocione tejet të fuqishme, ndërsa shtoi se tërë kjo punë nuk do të ishte e realizueshme pa bashkëpunimin e kolegëve të saj, me të cilët ajo ka ndarë për 12 vite skenën e njëjtë.

“Tërë kohën kam pasur rrahje të forta të zemrës, aq shumë kam pasur emocione sa që nuk kam fjalë as t’i përshkruaj. Është një përgjegjësi shumë e madhe që po filloj si koreografe e para dhe për temën që e prek kjo shfaqje, është një temë aktuale dhe shumë sfiduese”, ka thënë Teuta Krasniqi për KultPlus.
Muzika vinte e bëhej tejet depërtuese, dhe së bashku me çdo hap dukej sikur godiste në një pjesë të rrugëtimi të një dekade pavarësi. Dëshpërimi i trajtave të ndryshme manifestohej në çdo vallëzim e lojë të balerinëve. Është një personazh që në mesin e lojës shfaqet me të zeza, e Teuta Krasniqi e kishte emërtuar si “Padrejtësi”, përmes të cilit kishte identifikuar faktorin kyç që injoron përpjekjet e mllefin e të tjerëve. Madje në një moment, ai ecën pranë trupave që kanë prekur tokën, derisa ata zgjohen e të bashkuar largojnë muret.

“Përmes personit të veshur me të zeza, kam dashur ta paraqes një faktor i cili ka ndikuar dhe ndikon në këto mure, kështu deri vonë nuk dihet kush është padrejtësia në mes, sepse gjithmonë është dikush në mesin tonë dhe në vendin tonë sepse nuk mundet me qenë jashtë. Ne në fund i kemi larguar të gjitha këto padrejtësi dhe jemi munduar që këtë ta shndërrojmë në një person të mirë dhe si dikush që punon me neve dhe na ndihmon neve t’i thejmë këto mure”, tregoi Teuta për KultPlus.

Muret e larguara, bëhen pjesë e një dere prej nga vjen një dritë, drejt së cilës largohen të gjithë. “Ne vazhdojmë tutje me shpresë”, ky është mesazhi i fundit që nxjerrë tërë kjo performance. Teuta Krasniqi tha për KultPlus se kjo dritë në fund të tunelit nënkupton shpresën, jetesën tonë të vazhdueshme në përballjen me muret, që përpiqemi t’i rrezojmë. “Shpresoj që dikush do të bëjë diçka për t’i thyer ato mure”, u shpreh Teuta.

Pavarësisht asaj që derës së hapur nuk i reziston askush, ajo thotë se kjo derë është derë e shpresës për të ikur dhe për t’u kthyer për t’i dhënë shumë më shumë këtij vendit. Ajo tutje tha për KultPlsu se vet jetesa në një vend të bllokuar, mund të jetë një nxitje për njerëzit për t’u larguar nga ky vend, ndërsa tha se liberalizimi i vizave nuk do të jetë arsye për njerëzit që ta lëshojnë vendin por do të jetë arsye që njerëzit të shkojnë jashtë vendit, të punojnë dhe të kenë hapësirë që të kthehen në vendin e tyre.

“Nëse të rinjtë që tani kanë shkuar jashtë, kthehen përsëri në këtë vend, ata përsëri do të ndihen të izoluar dhe kjo është arsyeja që i bën ata të mos kthehen këtu”, tha mes të tjerash balerina Teuta Krasniqi.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj tha e ky është një moment sa emocional,aq edhe prekës pasi që si trupë e baletit, kanë kaluar në shumë sfida për të arritur në këtë nivel që është sot, që një balerinë shumë e mirë sonte arriti ta përgatitë një shfaqje që po përcillet me shumë lavdata nga të tjerët. Drejtori Brahimaj tha se Teuta sonte ka arritur të sjellë një shfaqje me një koncept dhe të gjitha që i duhen një shfaqje të baletit modern, duke gërshetuar edhe një temë prekëse brenda saj. Megjithatë, drejtori i BKK-së tha se Teuta edhe pse dëshmoi që është e mirë si koreografe, ajo nuk do duhet të ndalet asnjëherë edhe në rolin e balerinës, pasi që, sipas tij, ajo është e shkëlqyer.

Aulona Nuhiu, e cila kishte një rol kyç në këtë shfaqje, tha se kjo shfaqje do të mbahet mend për shumë gjatë nga trupa e baletit. Ajo tha për KultPlus se kënaqësinë e dyfishtë ja sjellë puna me Teutën dhe fakti që nga Trupa e BKK-së po del edhe një koreografe. “Këto ditë të punës më Teutën kanë qenë të mrekullueshme dhe besoj që kemi sjellë një shfaqje mjaft e mirë me një mesazh mjaft të qartë”, tha balerina Aulonë Nuhiu.

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, krejt në fund solli ngjyrat festive me bluzat e dhjetëvjetorit të pavarësisë #Kosova10. Të gjithë ata që duan ta shohin këtë shfaqje, repriza e parë është sonte duke filluar prej orës 20:00./KultPlus.com


Prishtina ka filluar të zbukurohet për 10-të vjetorin e Pavarësisë

Komuna e Prishtinës ka filluar që të rregulloj sheshet në qendër të Prishtinës për të shënuar 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Në shesh veç po vërehen ngjyrat kaltër, e verdhë dhe ajo e bardha, sikurse që shihet numri dhjetë, që shënon edhe dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

Po ashtu në shesh është duke u punuar edhe në vendosjen e dy skenave të cilat do të shfrytëzohen për realizimin e aktiviteteve të ndryshme të cilat janë paraparë që të mbahen për këtë ditë. Disa nga aktivitetet e organizuara nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës tashme janë bërë të ditur gjersa pritet që të publikohet edhe kalendari i plotë kulturor për këtë 10-të vjetorë të Pavarësisë së Kosovës./KultPlus.com

Kjo është gjendja e shtatores së Fehmi Aganit

Dëmtimet të cilat i ka pësuar shtatorja e Fehmi Aganit, e cila gjendet në Kampusin Universitar, përballë Fakultetit Filologjik, po i vërejnë edhe kalimtarët e rastit. Edhe më parë për këtë shtatore është raportuar mbi gjendjen e saj, si mungesa e pllakës së emrit pastaj dëmtimin e pllakave përreth shtatores si dhe hedhjen e mbeturinave, përcjell KulPlus.

Janë pikërisht qytetarët të cilët kanë përcjellë fotografi të kësaj shtatore në një gjendje jo të mirë, fotografi këto që i kanë përcjellë nëpër medie. “Në prag të jubileut të pavarësisë, berllogu, shkatërrimi dhe harresa kanë mbuluar memorialin që do të duhej të nderohej. Një prej strategëve më të merituar për këtë pavarësi. Ne e kemi lënë atë në harresë, duke e bërë pasqyrë të turpit për atë qe i kemi bërë shtetit për këto 10 vjet”, është shprehur gazetari Arben Ahmeti duke ndarë shqetësimin e qytetarëve.

Për gjendjen e shtatores për media më parë pati biseduar edhe skulptori i kësaj shtatoreje Luan Mullliqi i cili ishte brengosur më shumë për hapësirën përreth saj me pllaka të thyera e mbeturina.
“Nuk jam i kënaqur me mirëmbajtjen e kësaj shtatoreje ashtu si shumë shtatoreve tjera. Ajo çfarë mua më pengon më shumë është hapësira përreth, ajo duhet të mirëmbahet”, ishte shprehur Mulliqi për shtatoren, përgjegjës për mirëmbajtjen e të cilës është Universiteti i Prishtinës.

Fehmi Agani u lind në vitin 1932, studioi për filozofi, ishte profesor dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ishte redaktor në gazetën “Rilindja” dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai u vra nga forcat serbe në afërsi të Lipjanit më 6 maj 1999, pas përpjekjeve për të dalë nga Kosova në Maqedoni./KultPlus.com

Diskutohet për Kompleksin memorial “Adem Jashari”

Sot mbahet mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë mbledhje diskutohet gjendja e kompleksit memorial “Adem Jashari” dhe nisma legjislative për Projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Për të diskutuar për gjendjen e kompleksit i ftuar drejtori është drejtori i AMKMK-së./KultPlus.com

Ilire Zajmi në Kroaci me “Një tren për Bllacë”

Libri “Një tren për Bllacë” i autores Ilire Zajmi, libër tashmë i përkthyer edhe në gjuhën kroate do të promovohet në Zagreb të Kroacisë, shkruan KultPlus.

Ky libër do të promovohet në kuadër të kremtes së dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Libri promovohet nga Bashkësia Shqiptare e qytetit të Zagrebit dhe Biblioteka Qendrore Shqiptare e Kroacisë, me mbështetjen e deputetes shqiptare në Parlamentin kroat, Ermina Lekaj Prlaskaj. “Një tren për Bllacë”, do të promovohet të shtunën, në ora 12:00./KultPlus.com