Pa territoret shqiptare, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia dhe Serbia do ishin vetëm “shprehje gjeografike”

Shkruan: Spartak Ngjela

Ku është nisur të shkojë Shqipëria dhe çfarë po bën korrupsioni shtetëror shqiptar sot për të shpëtuar kokën dhe paratë?

Shqipëria është nisur të shkojë drejt një progresi perëndimor; kurse korrupsioni është bashkuar që ta ndalojë. Dhe sërish, si gjithmonë, edhe sot i është drejtuar fqinjëve që kanë pushtuar territore të tëra shqiptare, për ta ndihmuar që të krijojë pështjellim destabilizues në Shqipëri.

l.
Janë katër shtete që, pa territoret shqiptare, do të ishin sot vetëm “shprehje gjeografike”: Mali i Zi, Maqedonia, Greqia dhe madje edhe vetë Serbia.
Të katër këta shtete kanë njëqind e pesëdhjetë vjet që ëndërrojnë shkatërrimin dhe shuarjen e Shqipërisë, sidomos pas pavarësisë së saj, sepse mbijetesa e tyre mund të ndodhte në Ballkanin Perëndimor vetëm pas shfarosjes së shqiptarëve.

Këta sllavë dhe grekë, e dinë miopinë europiane, dhe i kanë quajtur shqiptarët “turq që duhen shfarosur”; dhe shumë kanë vrarë me këtë devizë; por Shqipërisë i morën të keqen. Ku ka turq në Shqipëri mor injorantë e maskarenj njëherësh!

Dhe duhet ta themi hapur se një ndihmë të madhe në këtë shpresë të kotë që kanë pasur, “strategëve” të tyre kryeministra, ua kanë dhënë gjithmonë vetë krerët e blerë të Shqipërisë; bëma këto që tani dihen mirë nga shqiptarët.
Blejini! Këlthiste në Beograd kryeministri i Serbisë Pashiç; dhe gjithë të tjerët pas tij, duke përfshirë edhe Milosheviçin.

Po kjo po ndodh edhe sot.
Ja, Shqipëria është nisur drejt Perëndimit kurse korrupsioni kryeministror shqiptar, i ri dhe i vjetër, është hedhur në sulm që ta ndalojë: njëlloj si qëmoti.

Shihni se çfarë po ndodh realisht.
Berisha me taborin e tij; kërkon të ndezë një kryengritje si trazirë të brendshme; që të dëbojë nga Shqipëria prezencën amerikane, njëlloj si Haxhi Qamili dhe Esat Toptani në vitin 1914, kur zbuan nga Shqipëria Princ Vidin.
Kjo kërkon të jetë edhe revolta e 27 janarit. Me të cilën shqiptarët po qeshin.
13
Kurse kryeministri Rama inaguron varrezat e trupave pushtuese greke të Metaksait, diktatorit antishqiptar grek, që drejtonte trupat e tij në territorin shqiptar me theksin që: Synimi i tyre nuk duhej të ishte lufta me italianët, “por çlirimi i Vorioepirit”: “Atje duhet të çlironi Vorio-Epirin”- iu drejtohej trupave të tij, rreth 140 000, gjenerali grek Aleksandro Palagos. Ndërsa në Korçë vendosën minoritarët grekë të drejtonin bashkinë e Korçës, dhe nuk lejuan të festohej dita e pavarësisë, 28 nëntori, në vitin 1940. Por korçarët iu vunë pushkën; edhe gjirokastritët edhe e gjithë labëria po ashtu. Ata kishin harruar se në atë trevë që ata donin ta pushtonin si tokë grekë, jetonin ata që kishin sjellë në Shqipëri nacionalizmin modern shqiptar.

Po i di Rama këto?
Nëse nuk i di, pse është marrë dhe po merret me politikë ky pellë që nuk di asgjë! Por në fakt ky, nuk se njeh politikën, por ushqen oreksin e reaksionit grek, që, bashkë, të ndalojnë Reformën Shqiptare për Drejtësi, dhe rrugën e Shqipërisë drejt bashkimit kombëtar e drejt Perëndimit.

lll
Ja, kjo është ndërmarrja e tyre sot për të ndaluar progresin e aleancës shqiptaro-amerikane në ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. E pra, njëlloj si Haxhi Qamili me Esat Pashë Toptani në vitin 1914 kundër Princ Vidit.
Saliu, me shpresën e agjenturës serbë dhe ruse në Shqipëri, dhe Rama me joshjen e politikës reaksionare greke, kërkojnë të sjellin trazira antiametikane në Shqipëri.

Po politika amerikane pasive është?
Jo, përkundrazi, ajo është shumë aktive, dhe e ka gjëndjen në dorë. Prandaj shqiptarët janë të qetë.

Para katër ditësh, ishte ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, që i paralajmëroi rreptë krerët e opozitës duke iu thënë se: “Departamenti i Shtetit Amerikan, ju bën me dije se – nëse do të silleni me protestën tuaj të 27 janarit si në atë të dhjetorit; ne si Amerikë do t’iu godasim shumë rëndë “.
Ku e gjen që ta kalojnë masën e të shpëtojnë një herë e mirë shqiptarët nga këta vjedhës që duan të shkatërrojnë Shqipërinë për të shpëtuar paratë e tyre të vjedha!

Janë të humbur. Tani ka rënë gongu i sinjalizimit të fundit të tyre. Shqipëria është në progres perëndimor dhe brenda ombrellës mbrojtëse të Uashingtonit.

Ramush Haradinaj: Shqiptarët e kanë dhënë provimin si popull, duke iu dalur në ndihmë hebrenjve

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj ka kujtuar hebrenjtë, në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, shkruan KultPlus.

“Si në çdo vend të botës edhe në Kosovë, në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit kujtohet tragjedia e Luftës së Dytë Botërore, dhembjet e mëdha njerëzore dhe fati i hebrenjve viktimë të asaj lufte. Me kujtimin e tragjedive të së kaluarës dërgojmë porosi, që të gjithë jemi vigjilentë, që asnjëherë mos t’i përsëriten njerëzimit ngjarje të tilla.

Shqiptarët asokohe e kanë dhënë provimin si popull, duke iu dalur në ndihmë hebrenjve. Si Kosovë me ndjeshmëri i kujtojmë dhembjet që sjellë lufta, sepse i kemi ende të freskëta plagët e tragjedisë sonë.
Respekt për të gjitha jetërat, që në mënyrë të padrejtë janë marrë në tragjeditë e të kaluarës!”, ka shkruar Haradinaj./KultPlus.com

Fotografi e rrallë nga hapja e Universitetit të Prishtinës (FOTO)

Hapja e Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për gjithë popullin shqiptar, ndërsa sot numëron një numër të madh studentësh, ne po ju sjellim një fotografi nga ceremonia e hapjes së këtij institucioni, shkruan KultPlus.

Albana Mehmeti ka publikuar një fotografi nga dita e hapjes së këtij universiteti në vitin 1970, ku shihen një numër i konsiderueshëm profesorësh e studentësh të rreshtuar para shkallëve të këtij objekti.

“Viti 1970, me rastin e hapjes së Universitetit të Prishtinës dhe bashkëpunimit me profesorët mysafirë nga Tirana”, ka shkruar Albana Mehmeti. Ajo tutje ka shpjeguar së në këtë fotografi janë të pranishëm profesorët Kolë Popa dhe Kosta Koci bashkë me profesorët vendas profesorët Nexhat Daci dhe Rexhep B. Mehmeti, (me studentët e departamentit të Kimisë. /KultPlus.com

Arben Zharku pjesë e jurisë në festivalin e Rotterdamit

Drejtori i QKK-së, Arben Zharku do të jetë pjesë e jurisë së festivalit ndërkombëtar të filmit të Rotterdamit, në programin e industrisë të CineMart, ku edhe do të ndahet çmimi i Eurimages.

Çmimi për Zhvillimin e Bashkëpunimit Eurimages është një çmim vjetor prej 20,000 €, që i ipet një prej projekteve të përzgjedhura, që është ose do të jetë një bashkëprodhim evropian. Këtë vit rreth 16 projekte filmike kanë aplikuar për çmimin Eurimages dhe përveq drejtorit të QKK-së, pjesë e jurisë është edhe Dorien van de Pas dhe Rachel Ellis.

Tregu ndërkombëtar i bashkëprodhimit, CineMart, ka krijuar këtë platformë për t’u ofruar filmbërësve mundësinë e prezentimit të ideve e tyre në industrinë e filmit ndërkombëtar dhe për të gjetur lidhjet e duhura për financim. Ky treg do të ndaj edhe tri çmime tjera siç janë: ARTE International Prize, Wouter Barendrecht Award dhe Filmmore Post Production Award./KultPlus.com

Fotografia e Kroni Krasniqit zë vend në faqet e “The Sun Magazine”

Fotografia e shkrepur në Liqenin e Batllavës nga fotografi i ri Kroni Krasniqi është publikuar së fundmi në revistën e njohur amerikane “The Sun Magazine”, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Kjo fotografi e pozicionuar në tokën e thatë të Liqenit të Batllavës pasqyron kohën krizës për ujë. Buzë liqenit shihet barka e cila tashmë në mungesë të ujit ka mbetur në tokën e thatë. Kroni Krasniqi, edhe pse i ri në moshë, lidhja e tij me fotografinë është shumë e hershme, madje ai thotë se këtë pasion e ka trashëguar nga familjarët e tij, të cilët përgjatë viteve e kanë ndarë një dashuri të veçantë për fotografinë. Kroni është rritur me këtë pasion për të ngrirë bukuritë e natyrës përmes një fotografie të vetme. Ai si fëmijë i rritur në fshat, edhe si i fëmijë ka poseduar një aparat të vogël me të cilin ka shkrepur pamje të cilat e tërhiqnin. Natyra, gjelbërimi, kafshët e fshatit të tij kishin qenë objektivi kryesor i aparatit të tij të vogël. Kroni tregoi për KultPlus, rrugëtimin e fotografisë së tij deri tek revista “The Sun Magazine”.

“Kam komunikuar me revistën, e kam dërguar fotografinë, e cila më pas është pranuar nga juria. Dhe tash në Janar 2018, kanë vendosur ta publikojnë, duke ia bashkëngjitë një tregim të bukur fiktiv të shkruar nga Brenda Peynado”, tregoi Kroni.

Depërtimi i fotografisë së tij përtej kontinentit, atij i ka dhënë mjaft motiv për ta vazhduar zhvilimin e mëtutjeshëm të këtij pasioni të veçantë.

“Për mua është ndjenjë e mirë që jam pjesë e një reviste me emër në Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Kjo me jep motiv për të vazhduar dhe shpresoj qe secili prej nesh që e duam fotografinë të kemi mundësi me e tregu pasionin tonë, kudo qoftë edhe në revistat tona edhe në portalet tona, e pse jo edhe jashtë kufijve”, është shprehur Kroni në një intervistë për KultPlus.


Kroni pasionin për fotografinë fillon e e merr më seriozisht që nga viti 2013, kur ai edhe fillon të interesohet me më përkushtim për funksionimin e aparatit, e anët konceptuale të fotografisë, për të cilën thotë se ende vazhdon të mësoj. Ai thotë se fillimisht preferencat e tij shtriheshin tek peisazhet, bukuritë e pamjeve që të mahnitin, shkrepja e pamjeve të tilla e prekin thellë reagimin e tij artistik. Ai thotë se së fundmi dëshira e tij kryesore është që fotografia e tij të përçoj një mesazh për të gjithë ata që e shohin. Kroni krejt në fund është shprehur se qëllimi i tij është që përmes kontekstit e mesazhit të fotografisë të ndikoj pozitivisht në shoqëri./ KultPlus.com

Fati i një gruaje në skenën e Teatrit të Gjilanit, përmes shfaqjes “Portreti i Pakryer”

Publiku i etur për shfaqje edhe mbrëmë e ka mbushur sallën e Teatrit të Qyteti të Gjilanit, ku në skenë është vënë Monodrama “Portreti i Pakryer”, me autor Besim Rexhaj, me regji të regjisores Elmaze Nura, e me aktrimin e Aurita Agushit. Këtë shfaqje, në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, e solli Teatri Dodona, ndërsa në ekipin realizues ishin edhe Memli Kelmendi – muzika, Agnes Nokshiqi – koreografia, Majlinda Kelmendi skenografia e Samka Ferri – kostumet, derisa për ndriçim ishte përkujdesur Skënder Latifi.

Kjo monodramë zhvillohet në vitet 90-ta të shekullit të kaluar, ku aktorja Aurita Agushi na sjellë personazhin e një gruaje, fatin e saj, përpëlitjen me vetveten, por edhe me të tjerët, për të shpërthyer dufin e revoltës që ka përbrenda vetes. Ajo ishte viktimë e kurtheve të jetës dhe e kurtheve të familjes së saj, të babait, i cili në vitet e 90’ta ishte pjesë e sistemin politik.

Po ashtu, ajo me vite përpiqet ta ruaj dashurinë për njeriun e jetës, një i burgosur politik, por që letra e lamtumirës nga ai, e sjellë atë në një situatë kritike, në një situatë psikologjikisht të rëndë.

Megjithatë ajo përpiqet t’i ngjallë vetës shpresë, duke u përpjekur që të jetë vetvetja, duke u përballë me konfliktet e brendshme e të jashtme, me vetveten e me të tjerët, duke luftuar me zërat brenda vetes që e pushtojnë…, por që në fund tretet brenda errësirës së skenës, derisa në sfond alarmi nxjerrë edhe tragjiken e kësaj shfaqje…

Si rëndom, në debatin pas shfaqjes u dëgjuan edhe përshtypjet e para të publikut dhe kritikëve, me këtë rast, kritiku nga Shqipëria, Mio Gjini, tha se po gëzohet që edhe nata e katërt e këtij Festivali dhe ne, në vazhdimësi po shohim se niveli i shfaqjeve po vije duke u rritur, e me këtë edhe emocionet për të mirë.

Ai vlerësoi dramaturgun Besim Rexhaj, duke thënë se teksti i kësaj shfaqje ishte me karakter meditative e psikologjik, që e ka favorizuar regjinë dhe aktorin.

Gjini ka vlerësuar lartë edhe lojën e aktores Aurita Agushi, për të cilën tha se është profesioniste e vërtetë, ka nur skenik dhe veçoi artikulimin e saj të bukur të fjalës shqipe.

Në lojën e saj ai tha se kishte në vazhdimësi rritje të emocioneve duke na sjell në skenë fatin e një gruaje që përpëlitej me vetveten, por edhe me të tjerët, për të shpërthyer dufin e revoltës që kishte përbrenda vetes.

E, Avni Rudaku, tha se shfaqja ishte e mundimshme dhe e tejkaluar për kohën si e shohim sot teatrin, ndërsa dramaturgu Agron Gërguri vuri theksin e kritikës së tij në tekstin që për të ishte eseistikë, duke shtuar se tekste të tilla ngulfatin aktorin në skenë.

Ai vlerësoi aktoren Aurita Agushi si një profesioniste, por se tha se kishte momente monotone përgjatë shfaqjes dhe se do të donte nga regjisura që shfaqja të kishte thellësinë e saj, me theks të veçantë dramatikën, sepse shfaqja pati vobekësi në këtë drejtim.

Edhe Naim Shaqiri, Qëndrim Kqiku e ndonjë folës tjetër, vlerësuan si tërësi shfaqjen duke i vlerësuar pozitivisht që të tria kompetentet, tekstin, regjinë dhe aktrimin, ndërsa nga paneli, kritiku Ylber Nuredini vlerësoi se teksti për këtë shfaqje ishte psikologjik, i vështirë për tu vënë në skenë, por ka përgëzuar regjisoren Elmaze Nura, për elementet skenike dhe gjetjet regjisoriale, por edhe për gjetjen e duhur të aktores për t’ia besuar këtë rol.

Kurse, ai që si gjithnjë e thotë fjalën e tij i fundit, Josif Papagjoni, kritik nga Shqipëria, i cili ndau mendimin se teksti ishte një ligjërim i bukur letrar, por se do të donte që fjala të mos ishte, siç u shpreh ai, “shumë e krehur”, por të kishte veprim, për t’i dhënë fuqi shfaqjes.

Ai, ndër tjerash, tha se do të donte të shihte në këtë monodramë dialog brenda psikikës së personazhit, të punohej më shumë në pikëpamje regjisoriale dhe aktoreske, të mos kishte një ton aktrimi nga fillimi deri në fund, por do të donte që shfaqja të kishte brenda saj disa “goditje” që do ta rrëmbenin publikun.

Papagjoni vlerësoi dramaturgun dhe regjisoren që kanë potencë për të ofruar për publikun shfaqje të mira, ndërsa tha se i pëlqeu fakti që shfaqja pati në veten e saj pastërti në tekst, regji, e që nuk pati tepri, zhurma të panevojshme e mbivendosje, dhe edhe te aktorja vlerësoi pastërtinë e shqiptimit të fjalës, nga ana e saj…

Përndryshe, në natën e fundit të Festivalit “Talia e Flakës’, do të jepet shfaqja “Në dorë të fatit…”, nga Teatri “Petro Marko” – Vlorë, me autor Ledian Gjeçi e regji të Arben Kumbaro, ndërsa pas shfaqjes, juria do t’i bëjë publike edhe fituesit e çmimeve dhe do të bëhet mbyllja e Festivalit “Talia e Flakës”, për t’i lënë vend aktiviteteve tjera të parapara në kuadër të Manifestimit Kulturor “Flaka e Janarit 2018” që do të vazhdojnë deri më 31 janar./KultPlus.com

Arilena Ara rrëmben çmimin e madh në Paris (VIDEO)

Edicioni i 41-të i “The Best Aëards” është mbajtur në Paris dhe krahas emrave të mëdhenj të fushave të ndryshme të artit, ishte një vend special edhe për këngëtaren shqiptare.

Arilena ka rrëmbyer çmimin “The Best Aëards” për kategorinë e muzikës si “Këngëtarja fenomen e vitit” duke vulosur kështu, për të disatën herë, suksesin e një viti të artë.

Për muzikën, këtë vit, ishte përfaqësuese Arilena Ara, e cila, me hitin e saj “Nëntori”, por edhe me këngët e albumit të ri, ka marrë vëmendjen e të gjithë botës./KultPlus.com


TKK miraton pesë shfaqje për këtë vit, vendosë vetëm për tre regjisorë

Këshilli Drejtues i TKK-së ka miratuar pesë tekste për shfaqje që do të jenë në repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në bazë të vendimit që ka siguruar KultPlus, mësohet se Këshillit Drejtues i janë propozuar 10 tekste, por që kanë kaluar vetëm pesë sosh.

Burbuqe Berisha, kryetare e Këshillit Drejtues të TKK-së ka thënë për KultPlus se tekstet që do të inskenohen këtë vit janë: ‘Kaligula’ nga Albert Kamy, “Destur” nga Musa Ramadani, ‘Karnavalet e Korçës’ nga Spiro Comora, një tekst i Çehovit, ‘Kopshti i Qershive'” dhe “Skënderbeu ose Dashuria dhe Liria” nga Thomas Ëhincop.

Mirëpo, jo për të gjitha shfaqjet është vendosur se cilët regjisorë do ti punojnë. Burbuqe Berisha ka thënë se deri më tashti vendimi është marë vetëm për tre shfaqje dhe tre regjisorë, kurse për dy shfaqje të tjera do të vendoset më vonë se nga cilët regjisorë do të punohen.
Regjisorët që do tëpunojnë shfaqjet janë: Ilir Bokshi, Zana Krasniqi dhe Kushtrim Koliqi./KultPlus.com

Myshketa: Tinka Kurti do të jetë pjesë e shfaqjes operistike “Carmen”

Shfaqja operistike “Carmen”, që do të ngjitet me premierë në Tiranë, me regji të Gëzim Myshketës, ka të përfshirë edhe aktoren e madhe shqiptare Tinka Kurti, shkruan KultPlus.

Mirëpo,pas disa problemeve shëndetësore të aktores Kurti, e cila tashmë është e shtrirë edhe në spital, kjo shfaqje gjithsesi do të ketë të përfshirë aktoren në këtë premierë, pikërisht më 30 janar.

Regjizori i veprës Gëzim Myshketa ka thënë për KultPlus se roli i aktores së madhe që në krye të herës ka qënë i konceptuar në disa extracte audio dhe video tashmë të realizuara.

“Kjo ide ishte e tillë, sepse pata menduar të realizoj një version për të mos ta munduar çdo natë të shfaqjeve artisten e madhe”, ka thënë ai, duke potencuar se gjëja më e rëndësishme mbetet rehabilitimi i plotë i shëndetit të artistes me të cilën është në kontakt të vazdueshëm nëpërmjet vizitave dhe telefonatave te përditshme.

“Dëshiroj të falenderoj ekipin e mrekullueshëm të spitalit Amerikan dhe doktor Adrian Jorgji në veçanti për dedikimin e veçantë si dhe shpresoj dhe uroj që Tinkën Kombëtare ta kemi në sallë në ditën e premierës”, ka thënë ai.

I pyetur për vijimin e provave, Myshketa shprehet se po bëhet një punë gjigante e drejtuar nga Zana Çela dhe bashkëpunëtorët e saj të cilët i falenderon pa masë.

“Carmen” vjen me regji të baritonit të njohur shqiptar Gëzim Myshketa e nën dirigjimin e Ricardo Casero. Kjo operë që vjen premierë më 30 janar, sjellë në skenë aktoren Tinka Kurti, pastaj i ftuari special, koreografi me famë ndërkombëtare Gheorghe Iancu, të ftuar special janë edhe balerinët: Anbeta Toromani dhe Alesandro Macario ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha. /KultPlus.com

Bashkia e Tiranës kërkon apartamentet e Kadaresë e Agollit për ti shndërruar në Muze

Bashkia e Tiranës do të blejë dy apartamentet ku kanë jetuar shkrimtarët e njohur Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli për ti kthyer në shtëpi muze. Projektvendimi është përgatitur nga administrata e Bashkisë dhe pritet të kalojë për miratim në mbledhjen e parashikuar për në 31 Janar.

“Shtëpitë e tyre janë në fakt dy apartamente respektivisht në katin e tretë dhe të katërt të një pallati në Rrugën e Dibrës. Ky pallat u ndërtua pranë mapos në Rrugën e Dibrës nga arkitekti Maks Velo në vitin 1972. Ndërtesa u vu në qendër të akuzave të kohës dhe regjimit të atëhershëm duke u quajtur moderniste dhe kubiste”, thuhet në relacionin e projektvendimit.

Sakaq, kthimi në muze i apartamenteve është një ide joshëse për familjet e shkrimtarëve, po aq sa e vështirë. Është shumë e vështirë për ta, të ndahen me kujtimet e një jetë të tërë, mes atyre mureve.

E pyetur nga “GSh”, Sadije Agolli, bashkëshortja e Dritëro Agollit, tha në linjë telefonike se “e kam shumë të vështirë të ndahem prej shtëpisë. Nuk e di a do mundem. Kam një jetë këtu dhe nuk e nëse kam fuqi të iki prej saj”./KultPlus.com

Shkëlqimi i këngës së Shpresës

(Kultura e interpretimit artistik)
Gjuha e saj ka një theks melodik që karakterizohet me një ngritje dhe ulje të pahetueshme të zërit që të bën për vete. Znj. Shpresë, ka një repertor të zgjedhur e të pasur muzikor, i cili dallon nga të tjerët. Këngëtarja e nderuar, vepron si pjesëtare e një shoqërie të emancipuar tradicionalisht të edukuar prej kohësh. Ajo qëmoti e ka tejkaluar fazën embrionale dhe është shndërruar në një profesioniste më zë të shkolluar që tashmë reflekton rreze të veçanta në fushën e të kënduarit me një vokal artistik.

Shkruan: Remzi Limani

Kur mendojmë për fjalët e ngrohta të këngës së bukur shqipe, muzikën e lehtë që rrjedhë si kroi i kulluar me interpretimin e zërit të ëmbël, të dashur, të shtruar, të butë e të pjekur – atëherë patjetër do të na kujtohet kënga dhe zëri i artistës sonë të mirënjohur, Shpresa Gashi, e cila, me përkushtim e shpirt nostalgjik, nxjerr një zë me të gjitha ngjyrat e timbrit shqip. Kënga e saj i shpirtëzon të tjerët, u jep jetë dhe e vënë në lëvizje shpirtgjerësinë e adhuruesve të saj. Pra, kënga e saj vë në veprim dhe ringjallë ndjenjat dhe dëshirën për të luftuar jetën…

Zëri i saj, prirë nga një dhunti unike, posedon një tonalitet të veçantë melodik, ngase e karakterizon personalitetin artistik. Interpretimi i saj është i pëlqyer dhe i këndshëm, me tinguj harmonishëm të lidhur, të cilët të rrethojnë dhe të rrembejnë me dashuri e lurtim, të kënaqin në shpirt bashkë me imazhin e saj. Mënyra e të kënduarit dhe interpretimi i këngës së lehtë që shkëlqen në mes traditës dhe modernes, ka një vijë melodike e të ëmbël, për veshin dhe për zemrën e trazuar – gjithmonë qetëson dhembjen shpirtërore, zbut hidhërimin e monotonisë së kohës dhe jep ngushëllimin e duhur…Dhe, siç thot, Hegeli: “Muzika është art i zemrës dhe, si tillë, ajo i drejtohet drejtpërdrejt zemrës”.

Gjuha e saj ka një theks melodik që karakterizohet me një ngritje dhe ulje të pahetueshme të zërit që të bën për vete. Artistja jonë. Shpresa Gashi, ka një repertor të zgjedhur e të pasur muzikor që dallon nga të tjerët. Këngëtarja e nderuar, vepron si pjesëtare e një shoqërie të emancipuar tradicionalisht të edukuar prej kohësh. Ajo qëmoti e ka tejkaluar fazën embrionale dhe është shndërruar në një profesioniste më zë të shkolluar e cila me vite të tëra ndrit në skenën e këngës shqipe me të cilën edhe sot reflekton rreze të veçanta në fushën e të kënduarit me një vokal artistik. Tek ajo, herë-herë, vërehet një shprehtësi dalluese e fjalëve të dalura nda teksti i këngës dhe të interpretimit që i japin një pasqyrim e rrjedhë refleksi e cila lëvizë vlerën dhe rëndësinë e fjalës së bukur shqipe, emocionalisht të lidhur me një ndjeshmëri të lartë artistike të shprehjes poetike. Shpresa, ka një veti natyrore, një dhunti e aftësi për të bërë çudira dalluese, në formë e krijim, në fushën e artit që ngushtësisht lidhet me karakterin e saj të një talenti të lindur, i cili shpërthen në kohën e duhur… Shpresa Gashi, tanimë e stolisur me shumë mirënjohje të merituara për kontributin e saj në fushën e interpretimit, pa dyshim ia doli të bëhet emër dhe figurë e veçantë, shumë e lakmueshme në profesionin e vet – gjithmonë këndshëm të befasuar nga zëri, nga kënga dhe nga interpretimi i saj me një origjinalitet burimor të cilin e kultivoi me kujdesin e veçantë dhe respektin e duhur për këngën dhe traditën.

Nëse arti dhe kultura flasin për të kaluarën dhe të sotshmen tonë, atëherë kënga e saj ka një zhvillim dialektik artistik në mbështetje të një bazamenti vlerash të përditshmërisë sonë të pasur, sepse kënga e lehtë vazhdimisht lartësohet në shkallë kombëtare me një evoluim artistikisht shqip. Shpresa Gashi, pra, në vazhdimësi, e ruan, e zhvillon dhe e pasuron trashëgiminë tonë artistike. Muzika dhe kënga e saj, me një përputhje të plotë, korrespondojnë njëzëshëm me njëra – tjetrën të bashkuara e të ndërthurura bashkë dhe në mënyrë koherente, ndërtojnë kulturën e një fryme të re të interpretimit artistik me ngjyrime lirike që puqen e shkrihen në një tërësi harmonike. Kënga e saj, për shumë raste përjetohet me emocione të këndshme, krejtësisht të veçanta nga artistët tjerë të këtij lëmi…
Në këtë kuptim, artistja jonë e nderuar, ka një përcaktim gjenealogjik ngase rrjedh nga një familje e vjetër qytetare në të cilën është kultivuar dhe trashëguar dashuria për muzikën dhe artin në pëgjithësi. Gjyshja e Shpresës, Nicë Gashi, shkëlqyeshëm ka luajtur në intstrumentet harkore. E ëma, Gjina Nduelleshi – Gashi, ishte këngëtare, kurse tezja, Jozefina, po ashtu kushërira e parë e qujtur Gonxhe, ishte soprane e njohur që kishte bërë emër në trojet kosovare, ndërsa babai i saj – Kristë Gashi, e kishte pasion jetësor mjeshtërinë e fotografisë. Prandaj, Shpresa Gashi – nuk hyri rastësisht në botën e artit muzikor – ajo vazhdon të jetë degë e lidhjes së një trungu familjar me traditë artistike e trashëgimi kulturore.

Shpresa Gashi (1950) u lind në Pejë. Aty mbaroi shkollimin fillestar, ndërsa Shkollën e Mesme të Muzikës e kreu në Prizren. Pas shkollës së mesme, një kohë punoi mësuese e muzikës në qytetin e lindjes. Në vitin 1970, fillon studimet në Akademinë e Muzikës në Zagreb, ku edhe mbaroi shkallën e parë të studimeve në Degën e Teorisë së Muzikës. Më pastaj, transferohet në RTP, në cilësinë e bashkëpunëtores të muzikës seriose, si ilustratore dhe drejtuese e emisioneve muzikore. Vitin e tretë të studimeve, i mbaroi në Akademinë e Muzikës në Shkup, kurse studimet përfundimtare, me sukses të lakmueshëm, i mbaroi në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës, më 1974. Ajo këndoi në shumë festivale të hapësirës shqiptare dhe jashtë saj, në vendet ballkanike, në Evropë, SHBA dhe në Australi. Gjatë karrierës në profesionin e saj, ka realizuar 60 incizime, shumë prej të cilave, falë zërit të një sopranoje lirike, është vlerësuar me çmime të ndryshme. Shpresa, është edhe kantautore e tetë këngëve të tjera. Ajo ka edhe disa këngë në duet me Bashkim Paçukun, Xhelal Bakraçin dhe me të birin e saj – Edmondin.

E tërë kjo është vetëm një pjesë e disa karakteristikave më kryesore për veprimtarinë e begatë të kësaj artisteje të merituar./KultPlus.com

Studimi i parë kinez mbi veprën e Kadaresë do të prezantohet edhe në Tiranë

Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, të premten, në ora 17:00, do të mbahet seminari “Përthyerje Antropologjike” me temë “Vetja dhe Tjetri”, shkruan KultPlus.

Në këtë seminar do të prezantohet edhe albanologia Prof. Dr. Ke Jing, e cila do të mbajë ligjëratën “Katër të Tjerët në veprën e Ismail Kadaresë: një studim mbi identitetin kombëtar shqiptar”. Fjala e Prof. Dr. Ke Jing do të mbahet në shqip. /KultPlus.com

Nicolas Cage: I urrej rrjetet sociale

A ka ndonjë që vazhdon ti pëlqejë rrjetet sociale? Ish presidenti i Facebook, Sean Parker shprehu shqetësimin për trurin e fëmijëve nga mediat sociale.

Dhe administratori i Apple, Tim Cook, tha se nuk do e lejonte nipin e tij të qëndronte pranë tyre.
Por tashmë Facebook ka një kundërshtar edhe më të fortë, dhe ai është Nicolas Cage.
Aktori mjaft i njohur shpreh ndjesitë e tij ndaj rrjetit social, në Sundance Film Festival në Park City, Utah, shkruan koha.net.

“I urrej rrjetet sociale. Jam nga një kohë tjetër. Më vjen të ulëras. Nuk kam as Twitter, as Facebook apo Instagram”, e nis Cage. Ai është partizan i kohës së vjetër. “Unë dua të mbaj çdo gjë të epokës së artë, aurën misterioze sepse nuk dua të jem pjesë e atij klubi”, ka thënë ai./KultPlus.com

Ermal Meta publikon trailerin e këngës për Sanremo 2018

Kantautori shqiptar Ermal Meta, i cili për të tretën herë radhazi do të jetë pjesë e Sanremo 2018, publikoi sot trajlerin e këngës që do të prezantohet në festivalin më të madh të muzikës italiane.

Kënga, që është një duet me këngëtarin e njohur italian Fabrizio Moro dhe titullohet ”Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë), sjell një tematikë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist.

“Kënga jonë është një rebelim i njerëzimit ndaj frikës së terrorizmit”, kanë deklaruar dy këngëtarët. Kantautori shqiptar e publikoi trajlerin e këngës në faqen e tij në rrjetin social Facebook.

Sanremo 2018 do të zhvillohet prej datës 6 deri më 10 shkurt në teatrin Ariston të qytetit të Sanremos e do të drejtohet nga një emër i rëndësishëm i muzikës italiane, nga këngëtari Claudio Baglioni. Në kategorinë big do të garojnë 20 këngëtarë të njohur italianë.

Ermal Meta në vitin 2015 u prezantua në Sanremo në seksionin e të rinjve me këngën “Odio le favoel” (Urrej përrallat) ku u klasifikua në vend të tretë, ndërsa më vitin 2016 garoi në kategorinë big me këngën “Vietato di morire” (E ndaluar të vdesësh) duke fituar çmimin e kritikës “Mia Martini”./KultPlus.com

Ndalohet kënga “Albanian” në Mal të Zi, vjen reagimi i reperëve

Kënga “Albanian” nga Etnon, Lyrical Son dhe Dj Blunt ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare. E publikuar vite më parë kjo këngë vazhdon të dëgjohet nga të gjitha gjeneratat.

Mirëpo, duket se kjo këngë 13 vjet pas publikimit po përbën ‘rrezik’ për dikë. Agjencia për Mediat Elektronike e Malit të Zi u ka shqiptuar vërejtje televizioneve “Boin” dhe “Teuta” për shkak të transmetimit të spoteve muzikore të dy këngëve shqipe me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit. Siç konsiderohet se përmbajtja programore përbën rrezik për rendin kushtetues në Mal të Zi, shkruan gazeta express.

Njëra nga këngët ishte “Albanian” e Etnon, Lyrical Son dhe Dj Blunt të cilët kanë reaguar përmes rrjeteve sociale. “Pas shumë paralajmërimeve si duket shteti i Malit të Zi e paska urdhëruar ndalimin e transmetimit te këngës Albanian”- ka shkruar Genc Prevlukaj, teksa Lyrical Son ka thënë se “#Albanian, ju s’mund të ndaloni”./KultPlus.com

10 milionë shikime në videon promovuese të Shqipërisë (FOTO/VIDEO)

Ditë më parë është lansuar videoja promovuese e Shqipërisë, e cila ishte shpërndarë fillimisht nga ministri i Turizmit në Shqipëri, Blendi Klosi, shkruan KultPlus.

Por si duket kjo video mori dhenë, pasi që brenda disa ditëve, ky projekt është parë nga dhjetë milionë njerëz, dhe edhe më tej vazhdon të shpërndahet. Vetë ministri Klosi është shprehur të jetë i lumtur për këtë promovim.

“10 milionë shikime për videon promovuese të Shqipërisë në postimet e blogerave shqiptarë në mbarë botën. Edhe vetëm 1 mijë nga 10 milionë shikues të vijnë në vendin tonë do të kemi bërë ndryshimin. Bashkohu edhe ti me jehonën e Shqipërisë turistike!

Jehojeeee!”, ka shkruar Klosi./ KultPlus.com

Klosi në Beograd: Shqipëria dhe Serbia me ofertë të përbashkët turistike

Rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të paraqitet me një ofertë të përbashkët turistike, veçanërisht për vendet e largëta, të kontinenteve përtej Europës. Kjo u dakordësua në takimin mes ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit serb, Rasim Ljajiç, në kuadër të vizitës zyrtare që ministri Klosi zhvilloi në Beograd, shkruan 24 ore.

Në takimin midis ministrit shqiptar të turizmit dhe atij serb, u ra dakord që palët të nënshkruajnë një marrëveshje mbi bashkëpunimin në fushën e turizmit, e cila do të jetë baza për paraqitjen e përbashkët në tregjet e treta. Dy homologët diskutuan edhe për mbajtjen e një takimi në Tiranë të ministrave përgjegjës për turizmin në pranverë, për një sezon turistik më të pasur.

Diskutimi i ofertës së përbashkët turistike me ministrin serb, vjen pas takimeve të veçanta, me të njëjtën tematikë, që ministri Blendi Klosi ka patur me homologët e vendeve të tjera në rajon, Kosovë, Maqedoni, Kroaci e Mali i Zi. Duhet nenvizuar se gjate vitit të fundit është rritur prania a e turistëve nga serbia në brigjet detare të vendit tonë./KultPlus.com

Merita Halilit, çmimi “Queen of Albanian Music” (VIDEO)

Këngëtares shqiptare i është dhënë titulli “Queen of Albanian Music”, shkruan KultPlus.

Këtë çmim i’a ka ndatë AAWO, Albanian American Women’s Organization në New York, dhe sipas organizatorëve, ceremonia e ndarjes së këtij çmimi do të mbahet më 3 mars të këtij viti.

Merita Halili është e njohur për zërin e saj të vecantë sikurse edhe për kontributin e saj në Amerikë. Ajo tash e sa kohë është promovuese e muzikës shqipe, pasi që bashkë me bashkëshortin e saj janë duke mbajtur një shkollë të muzikës, ku shumë amerikanë dhe jo vetëm, janë duke u njohur për së afërmi me muzikën e pastër shqipe./KultPlus.com

Meryl Streep, aktorja e rekordeve në Oscars (VIDEO)

“The Post”, është filmi ku ka luajtur me regji të Steven Spielberg, dhe pikërisht roli i Meryl Streep në këtë film ka bërë që të nominohet për çmimin Oscar, shkruan KultPlus.

Por këtë emocion për këtë çmim prestigjioz, aktorja e njohur botërore është duke e shijuar për të 21-tën herë, dhe gjithë këto nominime përgjatë karrierës së saj po e bëjnë që kjo grua ti thyej rekordet vetvetes, pasi që asnjë aktor tjetër nuk është nominuar kaq shumë herë. Streep ka lindur më 22 qershor të vitit 1949. Ajo ka fituar tri çmime Oscar./KultPlus.com

Shoqet e ngushta, Rita Ora e Bebe Rexha

Këngëtaret shqiptare me famë botërore, Rita Ora e Bebe Rexha janë takuar të martën mbrëma në New York. Dy këngëtaret kanë publikuar fotografinë e njëjtë nga takimi dhe e kanë quajtur njëra tjetrën shoqe të ngushta.

Në fotografinë e publikuar në Instagram dy yjet shihen duke u puthur, shkruan koha.net
Muaj më parë Rita në një intervistë kishte paralajmëruar bashkëpunim me Rexhën në një këngë të re./KultPlus.com

“Vallja e Rugovës” në mes të Gjermanisë (VIDEO)

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”, pat shkëlqyer me performancën e tyre në Berlin, në vitin 2011, shkruan KultPlus.

Ata u patën prezantuar me “Vallen e Rugovës”, në Stadiumin e Berlinit, të cilët ishin pjesë e ceremonisë në shënimin e 30-të vjetorit të “Anniversary of the Art of Living”./KultPlus.com


Me def e me harmonikë, studentët amerikanë këndojnë shqip (VIDEO)

Këngëtarja e njohur shqiptare Merita Halili dhe bashkëshorti i saj Raif Hyseni tash e sa vite praktikojnë mësimin e këngëve shqipe edhe për të huajt, ku këtë shkollë e ndjekin edhe shumë amerikanë, shkruan KultPlus.

Në një video të postuar së fundi shihen studentët amerikanë duke ndjekur këtë kurs, të cilët edhe kanë shprehur dashurinë e tyre për muzikën shqipe, gjithnjë duke potencuar se është shumë e veçantë.
Nën përcjelljen e Raif Hysenit me harmonikë dhe të Merita Halilit me def, studentët amerikanë shihen duke kënduar këngë të njohura shqipe. Për më shumë mund ta ndiqni videon. Videon e ka postuar Rex Myftari. /KultPlus.com


“Kosovatrans” për orientimin e timonit të një Kosove në tranzicion

Teatri i Podujevës “Avdush Hasani”, mbrëmë u ngjit në skenën e Teatrit të “Dodona” me shfaqjen teatrore “KosovaTrans” të autorit Naser Shatrolli, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj
Fotografitë: Blend Cakolli

Flamuri, një burrë flokë lëshuar me hijen e një komandanti erdhi mbrëmë në lojën e aktorit Ismet Azemi. Dikur e quanin Tarzan dhe mbi kokë mbante kapelën e komandantit të luftës, e sot mban kapelën e një punëtori të ndërtimtarisë. Edhe në rrobat e tij të një punëtori, ai ende në veshjen e tij mban simbolikën e asaj çfarë e karakterizoi kontributin e tij, në një dekadë më parë. Lavdia që e gëzonte dikur nga kolegët, sot i është kthyer në përbuzje e injorim, ai madje e ndjente dëshirën e tyre për ta parë atë prapa grilave. Aty edhe pret që dikur të vijnë ta marrin.

Arafati, i cili vjen përmes lojës së aktorit Faris Berisha, mban në duar një top basketbolli, e me hapa të ngadaltë ngjitet për të ndjekur punën e Flamurit. I rritur në mërgim, i biri i një gazetari të “Rilindjes”, raportimi i të cilit prekte edhe Palestinën, e vetmja trashëgimi e pikëpamjeve të babait është emri që ai e mban, e për të cilin nuk ndan asnjë ndjenjë te veçantë. Patriotizmi i babait si mërgimtar, e i këtij njeriu përballë i duket tejet patetik. Për Arafatin i cili është rritur në Zvicër është e pazakontë ta shoh Flamurin, teksa punon edhe në këtë ditë të diele. Ai vjen e gjen këtë vend plot përmendore, e fotografi heronjsh në figurën e të cilëve shpesh ngrit dyshime.

A luftuat për të uzurpuar prona apo për të çliruar prona? pyet i riu heroin e gjallë?, i cili tashmë po ndërton një hotel të cilin thotë se do t’ua lë fëmijëve, ndërsa në shtëpinë e tij nuk numëron asnjë anëtarë të familjes. A jeni heronj siç dukeni në fotografi apo tinëzi fotoshopi?, është pyetja tjetër e cila duket sikur e tund qenien e komandantit, i cili nxjerrë ofshamë të lehtë për t’i treguar këtij të riu rreziqet që ai ka ndjekur për të parë këtë ditë. Derisa komandanti nxjerrë të pestën pije të birrës për ta pirë pa asnjë ndalesë, i riu i ofron realitetin e jetës moderne të cilën e jeton në Zvicër, në një kulm me djalin, ish-gruan, e burrin e ish-gruas i cili ishte një izraelit. Ky realitet i largët e i trishtë, komandantit shpesh ia ngrys vetullat.

Dramaturgu Naser Shatrolli tregoi për KultPlus se kjo shfaqje artikulon një metaforë të një Kosove në tranzicion, e cila dëshmon se kush është ai i vërteti që duhet ta ketë timonin e Kosovatransit në të ardhmen e afërt dhe të largët.

“Kjo shfaqje tregon se ky është destinacioni i Kosovës në të ardhmen, se a do të ngelet vetëm në një rreth vicioz i cili sillet në rrota dhe nuk po mund të qëndronte në bazamentin e tij”, tha Shatrolli, i cili shtoi se për ta plotësuar këtë, ai ka dashur që shfaqja të ketë një skenografi në funksion të veprimit të aktorëve. Ai tha se përmes kësaj ideje është përpjekur që të prek dy segmente të luftës së Kosovës, duke e paraqitur përmes njërit personazh Flamurit, luftën e brendshme të Kosovës, ndërsa përmes personazhit të Farisit simbolikën e përpjekjeve globale për një liri të vërtetë, ndërsa përmes këtij personazhi autori ndërthur edhe korrelacionin me ndodhitë e botës arabe. Shatrolli tha për KultPlus se ndihet i kënaqur me lojën brilante të aktorëve.

“Janë të dy shumë të ndryshëm por të ngjizur dhe të mishëruar shumë për njëri- tjetrin dhe sikur njëri vjen dhe e çliron tjetrin nga prangat e brendshme që i ka në shpirt, për të vazhduar tutje ngritjen e asaj ndërtese. Çelësat e asaj ngrehine aktori i gjuan në popull që të mbetet në duart e shoqërisë”, është shprehur Shatrolli, i cili shtoi se kjo shfaqje e ka bazamentin dhe çelësin e Kosovës të cilin ne kërkojmë në supet e këtyre dy aktorëve.

Në lojën e aktorit Ismet Azemi vërehej ndjenja dhe përkushtimi në personazhin e komandantit të harruar. Ai i tha se ky rol i dha gjithçka të mirë dhe njerëzore. “Rolin e komandantit e desha shumë, shumë më dhimbti derisa e luajta atë botë, shumë më bëri krenar, shumë më kënaqi, më dha gjithçka të mirë, gjithçka njerëzore, edhe dhembjen ma dha njerëzore”, tha përplot emocion aktori Ismet Azemi, derisa tregoi për KultPlus, përjetimet që i kishte dhënë përjetësimi i këtij roli në skenë.

Aktori Azemi shpjegoi tutje se për ta sjellë deri në këtë pikë rolin e komandantit, është dashur angazhim dhe informacion për ta ndërtuar të tillë këtë personazh. “Nuk ka qenë lehtë për ta sjellë në këtë shfaqje shpirtin e komandantit të rrethanave në të cilat jemi ne. Drama ka pasur një material të mirë dhe koncepti regjisorial na ka bërë ndërtues dhe kreativ për të sjellë rolet tona këtu ku i patë sonte. Kemi qenë bashkëpunëtor jashtëzakonisht të mirë, e kemi ndërtuar këtë lojë saktë në kërkesat tona artistike për të sjellë mesazhin e kësaj shfaqje”, tha aktori Azemi.

Po ashtu, ekipi i kësaj shfaqje përbehet edhe nga Ermal Gërdovci- asistent, Drinor Zymberi- kompozitor, Flutura Dedinja- kostumografe, Zeni Ballazhi- skenograf, Robert Nuha- koreografi, Ekrem Xhaka ka bërë dekorimin e përgjithshëm të shfaqjes, ndërsa ndriçimi i shfaqjes u bë nga Albert Gashi dhe Skender Latifi. Kosovatransi vazhdon destinacionin drejt Flakës së Janarit, ku sot do të shfaqet në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës” në Gjilan. /KultPlus.com

Me këtë video çdokush mund të përjetojë Shqipërinë (VIDEO)

Video promovuese është sjellë nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi po bën namin me klikime që nga dita e djeshme, dhe po vazhdon të shihet dhe shpërndahet akoma, shkruan KultPlus.

Video projekti ka përfshirë pamje të mrekullueshme të vendeve turistike të Shqipërisë, duke përfshirë detin, malet, kështjellat dhe pika tjera turistike.

Jehoje edhe ti, në profilin tënd!
Me këtë video çdokush mund të përjetojë Shqipërinë e Alpeve, Adriatikut, Jonit, kështjellave, veshjeve karakteristike, vendeve të paeksploruara, njerëzve mikpritës, ashtu si një revistë prestigjoze europiane, e përshkuan: “Njerëz të etur për të ndarë dashurinë e vendit të tyre dhe gjithmonë të gatshëm për të ardhur në ndihmë”
Shqipëria meriton vëmendje! Turistët meritojnë Shqipërinë, ka shkruar Klosi në facebook duke shpërndarë këtë video. /KultPlus.com