“The Voice Kids” konfirmon fillimin e spektaklit (VIDEO)

Në këtë edicion, trajnerë të fëmijëve janë artistët: Miriam Cani,Aleksandër Gjoka, Eneda Tarifa dhe Renis Gjoka. Poashtu, ky show tashmë ka lansuar edhe videon, shkruan KultPlus.

Nga muaji janar, në ekranin e televizionit do të rikthehet ‘The Voice Kids’, shkruan KultPlus. Spektakli do të moderohet nga Ledion Liço, imazhi i të cilit tashmë është bërë pjesë e pandashme e këtij spektakli. Ai rikthehet për të shtatin vit radhazi për të moderuar spektaklin e talenteve.

Në këtë edicion, trajnerë të fëmijëve janë artistët: Miriam Cani,Aleksandër Gjoka, Eneda Tarifa dhe Renis Gjoka. Poashtu, ky show tashmë ka lansuar edhe videon./KultPlus.com

Kështu duket Muzeu i Luvrit në Abu Dhabi (FOTO)

Sot është bërë inaugurimi i Muzeut të Luvrit në Abu Dhabi, ku ishte në hapje edhe presidenti i Francës Emmanuel Macron, shkruan KultPlus.


Ky objekt që është përuruar, dhjetë vite pas marrëveshjes mes Emirateve të Bashkuara të Arabisë dhe Francës, vlerësohet të jetë një ndër objeketet më interesante në botë.


Për të parë më shumë këtë objekt, KultPlus ju sjellë disa fotografi që tashmë janë publikuar nga ky Muze./KultPlus.com

Louvre Abu Dhabi
Renderings: Copyright Ateliers Jean Nouvel


Presidenti i Francës në Abu Dhabi, në hapjen e Muzeut të Luvrit në këtë vend (FOTO)

Sonte është hapë Muzeu i Luvrit në Abu Dhabi, ku ka marë pjesë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shkruajnë mediet e huaja, përcjellë KultPlus.

Ky muze që ka kushtuar gjysmë miliardi dollarë, është rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes mes Emirateve të Bashkuara të Arabisë dhe Francës, dhjetë vite më parë. Louvre Abu Dhabi do të hapet për publikun më 11 nëntor./KultPlus.com

Britney Spears shet pikturën për 10 mijë dollarë, të ardhurat shkojnë për viktimat e Las Vegas (FOTO)

Këngëtarja 35-vjeçare, Britney Spears ka përdorur bojërat e ujit për të punuar një pikturë lulesh, të cilën më pas e kishte shitur për 10,000 dollarë në një ankand të hënën, shkruan New York Daily News, përcjellë KultPlus.

Te gjitha të ardhurat nga ankandi shkuan në VegasCares. “Jam shumë krenar ta quaj Vegasin shtëpinë time të dytë dhe unë jam shumë e kënaqur që po marr pjesë në këtë shfaqje të Cares Vegas”, tha Spears në një video-mesazh gjatë një koncerti atë natë.

“Lule në pikturën time përfaqësojnë një fillim të ri, dhe është në atë frymë që ne të ecim përpara. Të gjitha të ardhurat që do të fitohen do të shkojnë në fondin memorial Vegas Cares Memorial. Unë e vlerësoj mirësinë dhe bujarinë tuaj – ju dua Vegas “, ka thënë Spears./ KultPlus.com

Rupi Kaur, poetja e rrjeteve sociale që e ndjekin 1. 8 milion njerëz

Poezitë e saj të shkurtra dhe të ilustruara janë shumë të përhapura kudo, e që po ashtu e kanë nxitur edhe më shumë shitjen e librave të poezisë, shkruan The Economist, përcjellë KultPlus.

Rupi Kaur një poete 24 vjeçare që arriti të bëj emër në Instagram, duke plasuar vargjet e saj të shkurtra në sferën reaktive të mediave sociale. Ajo u bë e famshme kur në vitin 2015 postoi një foto të saj të shtrirë në shtrat në fletët e ngjyrosura me gjak menstrual. Postimi i saj ishte fshirë, ndërsa ajo menjëherë u kthye për të goditur përsëri. “Unë nuk do të kërkoj falje për ushqimin e egos dhe krenarinë e një shoqërie mizogjiniste që do ta ketë trupin tim në të brendshme, por nuk e cilëson në rregull me një rrjedhje të vogël”, kishte shkruar më pas ajo në Facebook dhe Tumblr. Më pas ajo mori një varg me shumë kritika dhe kërcënime me vdekje dhe kështu ajo edhe fitoi një numër të madh ndjekësish. Numri i sotëm i ndjekësve të saj është 1.8 milion.

Suksesi i Kaur është i i jashtëzakonshëm , por është gjithashtu një reflektim i kohërave. Poezia është në mes të Rilindjes dhe po nxitet nga një tufë e “Instapoeteve” të rinj, të cilët në mënyrë dixhitale, po shfaqin aftësinë e tyre për ta paketuar punën e tyre në postime koncize që mund të përhapen shpejtë. Taylor Knott Gregson, një ndër poetet më të shitur, krenohet me pothuajse 600,000 ndjekës në Instagram, ku ai vendos vargjet e tij të shkruara në copa letre ose të shtypura nga një makinë shkrimi. R.M. Drake ka arritur një famë të njejtë, sikur poetja Kaur, ndërsa në mesin e ndjekësve të tij hyjnë edhe Ludacris, Nicki Minaj dhe klanin Kardashian.

Mediat sociale kanë qenë një mjet i fuqishëm për Rupi Kaur, por ato nuk përcaktojnë poezinë e saj. Audiencat dhe fansat që e kanë ndihmuar atë për të arritur këtë sukses janë aktive edhe përtej internetit, dhe përkushtimi i tyre është dëshmuar edhe në shitjen fizike të librit. Vitin e kaluar, shitjet e poezive në Britani tejkaluan 10 milionë funta (13.3 milion dollarë) për herë të parë që kur ka filluar regjistrimi i të dhënave, dhe është pikërisht poetja Kaur që ka ndihmuar në nxitjen e kësaj rritjeje, përcjellë KultPlus.

Në vitin 2014, ajo vendosi të publikojë “Milk and Honey”, librin e saj të parë, megjithëse u paralajmërua se kjo do ta largonte atë nga qarqet letrare tradicionale. Por Kaur nuk mendonte se shkrimi i saj mund t’i përshtatej këtyre qarqeve. “Kur të shkoj në seksionin e poezisë në librari, atje nuk besoj që do të jetë një libër si” Milk and Honey “në mesin e veprave të Shekspirit,” thotë ajo. “E dija që doja të jepja 100% të kreativitetit mbi këtë libër. E dija se si duhet të duket kopërtina. E dija titullin. E dija ndarjen brenda librit”, ka thënë ajo .

Kaur pagoi koston e tij, ndërsa vetëm disa muaj më vonë, librin e mori një shtëpi botuese për ta vënë në qarkullim. Derisa kaluan disa muaj sa ky libër qëndroi në listën e librave më të mirë të New York Times dhe u shitën mbi 2 milion kopje, më shumë se të gjitha librat e tjerë të poezisë së kombinuar.
Poezia e Kaur është mundësuar nga diçka që është shumë më e qëndrueshme. “Një gjë që shumica e lexuesve ma thonë “keni qenë në gjendje përshkruani ndjenjat që kam mbajtur brenda vetës për shumë kohë dhe thjesht nuk mundja të gjeja fjalët për t’i përshkruar”, thotë ajo. Megjithëse, disa e kanë kritikuar punën e saj si punë e formuluar dobët, Kaur është pa dyshim e pajisur me aftësinë e poetes për të artikuluar emocione që publiku përpiqet t’i gjej. Kjo, më së miri e shpjegon edhe popullaritetin e saj të lartë./ KultPlus.com

MEPJ: Shqipëria rizgjidhet në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s


Shqipëria është rizgjedhur në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO dhe një gjë të tillë e ka konfirmuar, ministri i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtne, Ditmir Bushati, shkruan KultPlus.

“Shqiperia rizgjidhet në këshillin ekzekutiv të UNESCO-s. Në këtë mënyrë ne vijojmë si anëtar të Këshillit Ekzekutiv për periudhën 2017-2021, Shqiperia do të vijojë të japë kontributin e saj në fushën e arsimit, shkencës, komunikimit, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, shpirtërore dhe natyrore”, ka thënë ai./KultPlus.com

“Vetëdija -dikur dhe sot”, ekspozita personale e Shqipe Kamberit (FOTO)

Artistja kosovare Shqipe Kamberi është në përfundim e sipër të prezantimit të ekspozitës personale “Vetëdija- dikur dhe sot”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të prezantohet para audiencës më 14 nëntor, në ora 19:00, kurse kuratorja e ekspozitës, Penesta Dika ka vlerësuar se artistja Shqipe Kamberi paraqet në ekspozitën “Vetedija – dikur dhe sot” nga njëra anë portrete femrash që karakterizohen përmes përdorimit të veshjeve tradicionale në mënyrë simbolike dhe nga ana tjetër paraqitet torzo femre në pelhurë

“Derisa torzoja na shfaqet të jetë e veshur lehte, thekson bukurinë e trupit të femres, sensualitetin dhe seksibilitetin, ose edhe mburrjen e të qenit femër, portretet janë të paraqitura të veshura dhe me sy te mbyllur, pa emocione dhe te zhytura ne nje botë pa kthim.

Doket dhe zakonet sipas kanunit, përkatësisht trajtimi i femres sipas tyre në një jete bashkëshortore vihet në kontekst me vetëdijen e femres sot, apo me faktin se si do të duhej të jetë në ditën e sotme”, ka vleresuar Dika për këtë ekspozitë që është paralajmëruar se do të jetë e hapur në Muzeun e Kosovës deri më 28 nëntor./KultPlus.com

Lansohet kënga e re e Flaka Krelanit në bashkëpunim me Panchon

Këngëtarja Flaka Krelani ka lansuar këngën e re të cilën e ka bërë në bashkëpunim me reperin shqiptar, Pancho.

Kënga e re e tyre quhet “DEF Star”, ndërsa beatin e këngës e ka bërë “Xhimi on de beat”, e tekstin nga vetë këngëtarët, shkruan koha.net.

Videoklipin e ka punuar maXimus.

Ansambli “Shota” vjen me koncert festiv, i dedikohet 20 vjetorit të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Gili Hoxhaj

Në korridorin e objektit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe valleve “Shota” dëgjohej kënga dhe tingujt e daulles, që tregonin se ky ansambël më shumë përkushtim dhe punë intensive ka filluar përgatitjet për të sjellë një program festiv në kuadër 28 Nëntorit, ditës së Flamurit, shkruan KultPlus.

Premiera e këtij koncerti do të shfaqet më 26 nëntor në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Drejtori i këtij Ansambli Shefqet Gjocaj tregoi për KultPlus se ky koncert përveçse vije për të shënuar Ditën e Flamurit, ka edhe një dedikim tjetër dhe si i tillë do të shfaqet edhe në qytete të tjera të Kosovës.
“Ky koncert i dedikohet edhe 20 vjetorit të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjes së komandantit Adem Jasharit, dhe si i tillë do të shfaqet edhe në qendra të tjera të Kosovës. Ansambli planifikon një koncert në Gjakovë me 24 nëntor, në Skenderaj me datën 27 nëntor dhe më 28 Nëntor në Gjilan. Gjilani në këtë vit do të jetë kryeqendër shqiptare e shënimit të ditës së Flamurit, ku do të jenë të ftuar autoritet më të larta shtetërore të Kosovës, Shqipërisë, shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës, pasi që më këtë rast do të bëhet edhe zbulimi i përmendores së heroit të kombit Idriz Seferi.

Gjocaj njoftoi se ky do të jetë një program i formatit të madh ku përveç valleve do të ketë edhe këngë korale dhe solistike, mirëpo celula apo bërthama e programit do të ndërtohet për rreth këngës “Heu Drenicë, heu trungu i lisit”. Në koncertin e datës 26 nëntor që do të mbahet në Prishtinë, Gjocaj tregoi se do të jetë i ftuar edhe grupi polifonik “Bilbili” nga Vlora. Gjithashtu drejtori i ansamblit “Shota” tregoi për KultPlus se Ansambli do të merr pjesë edhe në një program që organizohet nga zyra e Kryeministrit të Kosovës, me rastin ndarjes së e çmimit “Hasan Prishtina”.

“Ne kemi edhe një aktivitet tjetër që do mbahet në patronatin e kryeministrit të Kosovës që do të mbahet në Sheshin 21, me datën 25 nëntor , me rastin e ndarjes së çmimit “Hasan Prishtina”, që do t’i ndahet publicistit, gazetarit dhe veprimtarit nga Shqipëria, Marin Mema. Sipas Gjocajt, në kuadër të këtyre organizimeve është ende opsionale që më datën 23 të mbahet një koncert në Prizren ose në Mitrovicë, por mbetet të merret vendimi nga autoritetet lokale, mirëpo ende nuk ka ndonjë vendim për shkak të zgjedhjeve lokale.

“Procesi i zgjedhjeve lokale na ka vështirësuar organizimin në disa qendra, sepse e kemi pasur të vështirë të kontaktojmë me autoritetet lokale të këtyre qyteteve për shkak të angazhimit të tyre në zgjedhjet lokale”, përfundoi Gjocaj./KultPlus.com

Elton John nderohet për punën e tij bamirëse

Fondacioni i Harvardit për marrëdhënie racore dhe ndërkulturore, i ka dhënë fituesit të shpërblimit Grammy, Elton John, një mirënjohje shumë të vlefshme për punën e tij humanitare në luftën kundër sidës dhe virusit HIV. John pranoi shpërblimin humanitar Peter J. Gomes gjatë një ceremonie, që cila u mbajt në Cambridge, përcjell albinfo.ch.

Këngëtari shumë i njohur, i cili themeloi fondacionin “Elton John AIDS” në vitin 1992, e kremtoi 25-vjetorin e ekzistimit të tij të martën nëntor në Nju Jork.

Në uebfaqen e fondacionit shkruan se deri më tash janë mbledhur më shumë se 385 milionë dollarë për luftën kundër AIDS-it.

Në mesin e fituesve në të shkuarën ishin Malala Yousafzai Ban Ki Moon, aktori Earl Jones, Tommy Hilfiger e të tjerë./KultPlus.com

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta pret alpinisten shqiptare Uta Ibrahimin

Ilir Meta ka pritur sot në takim alpinisten shqiptare Uta Ibrahimi, e cila brenda këtij viti është ngjitur në majën e Everestit dhe atij të Nepalit, shkruan KultPlus.

Për këtë pritje ka njoftuar vetë Uta Ibrahimi e cila ka treguar se brenda këtij takimi kanë folë edhe për promovimin e maleve shqiptare.

“Sot, bashk me Xhimi Begeja pata nderin dhe kënaqësinë me e taku Presidentin e Shqipërisë zt. Ilir Meta me të cilin diskutuam shumë gjëra, nga promovimi i maleve shqiptare e deri tek majat e botës dhe projektet e ardhshme ’14 Çatitë e Botës’.

Presidenti asht dashamirës i natyrës dhe ecjeve nëpër natyrë dhe na ka premtuar se do të bëjmë ngjitje së bashku me Shoqata Dajti Alpino Turistikdhe shba PASHTRIKU. Faliminderit që na nderove. Respekti i juaj ndaj nesh, na jep vullnet dhe motiv për të vazhduar më tutje prezantimin e popullit shqiptar nëpër majet e botës, ka shkruar Uta Ibrahimi./KultPlus.com

Lansohet traileri i filmit “The Post” i regjisorit të famshëm Steven Spielberg (VIDEO)

“The Post”, është filmi i radhës së regjisorit Steven Spielberg, i cili ka tërheqë një paralele në mes medieve dhe Qeverisë amerikane, shkruan KultPlus.

Në këtë film luajnë me rolet e tyre Meryl Streep e Tom Hanks, dhe ky film po pritet me vëmendje të madhe nga mediet dhe kritikët e filmit. Ndërkohë, ky film sapo ka publikuar trailierin zyrtar./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=CENhmnuK4DM

Aktori shqiptar në videoklipin e këngëtarit të famshëm kolumbian J Balvin (FOTO/VIDEO)

Këngëtari i famshëm kolumbian J Balvin që ka sjellë hite të mëdha verore, së fundi është duke punuar në prezantimin e këngës më të re në bashkëpunim me këngëtaren e suksesshme braziliane Annita, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht në videoklipin e kësaj kënge është përfshirë edhe aktori shqiptar Marko Caka, i cili për këtë projekt ka konfirmuar për KultPlus.

KultPlus merr vesh që përzgjedhja e dy këngëtareve dhe e regjisorit Bruno ka qenë që aktori shqiptar Marko Caka të jetë pjesë e këtij videoklipi, ku aktori me lansimin e kësaj kënge do të shihet në krah të dy këngëtareve në skenat e nxehta dhe në lojërat e fatit të kazinos, skena që thuhet të ngjasojnë me historinë e Toni Montanës, ku mania për paranë shtyn të bësh gjithçka.

Sipas Cakes është privilegj i madh te jesh lider kryesor në videoklipin e dy këngëtarëve më të suksesshëm latin dhe me famë botërore, Anita dhe J Balvin.

“Madje me këtë të fundit kishim shumë biseda në lidhje me Shqipërinë dhe e njihte shumë mirë vendin tonë dhe ka shumë respekt për shqiptaret”, ka thënë Caka për KultPlus, i cili shpjegoi se ai ka treguar edhe për dëshirën e tij për një koncert në Shqipëri, duke potencuar edhe turin që do të mbajë në Evropë, dhe nëse do të ftohej nga Shqipëria, ai me kënaqësi do të jetë i pranishëm edhe në Tiranë.

“Akoma ndjehem i surprizuar me rolin, sepse produksioni brazilian ka pritshmëri të madhe me këtë këngë, për shkak të popullaritetit të këngëtarëve ata presin deri në tre miliard views”, ka thënë Caka, i cili ka thënë se në këtë videoklip ka marë pjesë bashkë me aktorë e modele të njohuar nga e gjithë bota./KultPlus.com

Propozimi i Kosovës për Oscar – ‘T’padashtun’ është shfaqur në LA Screenings

Filmi ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli është shfaqur në LA Screenings me datë 3 nëntor nën ombrellën e European Film Promotion (EFP), e cila çdo vit fokusohet në shfaqjen dhe promovimin e filmave evropian të propozuar për Akademinë Oscar, shkruan KultPlus.

Ky film do të shfaqet edhe sot në Chapman University ku do të jetë prezent edhe regjisori Edon Rizvanolli. ‘T’padashtun’ është dramë e cila merret me pasojat dhe traumat e shkaktuara nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton ngjarjen e një adoleshenti i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën. Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.

Nga 92 filmave që garojnë për kategorinë ‘Filmi më i mirë i huaj’, 28 prej tyre do të shfaqen në kuadër të LA Screening të organizuar nga European Film Promotion. Prej këtij numri rekord të propozimeve, vetëm 9 nga 92 do të kalojnë në rrethin e ngushtë dhe në fund të janarit 2018 do të publikohen 5 filmat që do të nominohen për këtë kategori.

European Film Promotion është e mbështetur nga Creative Europe – Media Program e Bashkimit Evropian dhe nga organizatat anëtare të EFP-së, ku bënë pjesë edhe QKK-ja./KultPlus.com

Historianët e Shoqatës “Ali Hadri”: Përmendorja në Gjilan është ngritur për forcimin e vëllazërim bashkimit të të gjithë popujve të Jugosllavisë

“Luftëtari i plagosur mbanë në dorë një fëmijë”, është simbolika e përmendores në qendër të qytetit të Gjilanit, e ngritur më 16 nëntor 1963 me rastin e 19 vjetorit të “çlirimit” të Gjilanit dhe 20 vjetorit të formimit të Batalioneve të Kosovës në “Serbinë Jugore”. Pra, kjo përmendore përfaqëson “dëshmorët” e rënë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe është ngritur me motive të një politike të re të forcimit të vëllazërimit e bashkimit të të gjithë popujve të Jugosllavisë dhe atyre të Gjilanit e rrethinës në veçanti.

Të shtunën e 16 nëntorit të vitit 1963 në qytetin e Gjilanit, nën kujdesin e organeve të atëhershme qeverisëse dhe drejtuesve politikë të Kosovës, në një miting të madh dhe nën shoqërimin e flamujve jugosllavë, në sheshin “Marshali Tito” në Gjilan, kishin marrë pjesë: Raja Nedelkoviq, kryetar i shoqatave të Lidhjes së Luftëtarëve të Serbisë, Dushan Mugosha, sekretar i Komitetit Krahinor të LKS, Stanoje Aksiqi, kryetar i Kuvendit të “Krahinës së Kosovës e Metohisë”, Xhavit Nimani, kryetar i Lidhjes Socialiste, Ali Shukrija, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të “Krahinës”, Iliaz Kurteshi, sekretar organizativ i Komitetit Krahinor të LKS, Xhevdet Hamza, kryetar i shoqatave të Lidhjes së Luftëtarëve të “Krahinës” etj.

Në këtë miting kishin marrë fjalën Stanoje Aksiqi, Bajram Selimi, sekretar i Komitetit Komunal të LK, ndërsa Kërsto Filipoviqi-Grofi e kishte bërë inaugurimin e përmendores. Në këtë “eveniment” kishte folur edhe Halil Fejzullahu, luftëtar i kësaj treve. Pjesëmarrës ishin masa të gjera popullore, luftëtarë e punëtorë. Në mesin e 65 luftëtarëve ishin edhe Milloje Stojilkoviqi, Gligorije Llaziqi, Milivoje Markoviqi, Senta Iliqi, Hilmi Haziri, Rezak Shala etj.

Me këtë rast u veçua rëndësia e 650 “luftëtarëve e dëshmorëve” të rënë për “çlirimin” e Gjilanit e rrethinës, Bujanocit, Preshevës, “Serbisë së Jugut”, Kosovës e Podujevës. “Të gjithë dëshmorët e kësaj ane – martirë të Revolucionit – për ngadhënjimin e tij, sot më 16 nëntor… thuajse u përtërinë. U ringjallën. Përmendorja e tyre në sheshin “Marshali Tito” u tha ditën e inaugurimit të kësaj përmendoreje. Këtë përmendore e kishte skalitur skulptori nga Beogradi, Ante Gërzhentiq. Në këtë përmendore u hodhën kurora lulesh, ndërsa pamja e saj llogaritej se e “stolisi qytetin”.
Prej këtij tubimi i ishte dërguar letër përshëndetëse sekretarit të përgjithshëm të LKJ dhe kryetarit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, J. B. Titos. Ndërkohë pas përfundimit të inaugurimit të saj ishin organizuar programe të shumta kulturore, artistike dhe sportive.
Si e tillë, kjo përmendore nuk përfaqëson të vërtetën historike të popullit shqiptar në Gjilan e rrethinë, sepse 16 nëntori i vitit 1944 në Gjilan, për shqiptarët nuk konsiderohet si ditë çlirimi, por si ditë ripushtimi, e përcjellur me vrasje e masakra ndaj popullit shqiptar. Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan./KultPlus.com

Homazh prozatorit Kasëm Trebeshina, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me ekspozitë “Kasëm Trebeshina (1926-2017)

Në homazh e nderim kushtuar prozatorit Kasëm Trebeshina, i cili u nda nga jeta në moshën 91- vjeçare, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli ekspozitën “Kasëm Trebeshina (1926-2017)”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë përmbledh krijimtarinë e botuar të Kasëm Trebeshinës si prozator, dramaturg, poet, eseist, etj., dhe vjen si një vëmendje e veçantë kushtuar këtij personaliteti të botës së letrave shqipe.

Kasëm Trebeshina botoi për herë të parë në vitin 1953 dramën historike “Kruja e çliruar” dhe më pas në vitin 1961 poemën “Artani dhe Minja ose hijet e fundit e maleve”, dy vepra këto të cilat ruhen në fondin e BKSH. Krahas tyre janë ekspozuar edhe veprat e tjera të shkrimtarit, të cilat janë botuar pas gati 40 vjetësh nga vepra e parë, si “Legjenda e asaj që iku” (1992) “Qezari niset për luftë” (1993), “Rruga e Golgotës: një përrallë dimri” (1993), “Mekami : melodi turke” (1994), “Lirika dhe satira : shfletim i paqëllimtë kujtimesh” (1994), “Historia e atyre që s’janë : komedi tragjike” (1995), “Endrra dhe hije” (1996), “Hijet e shekujve” (1996), “Nata para apokalipsit : triptik” (1999), “Ku bie Iliria?” (2000), “Kënga shqiptare – 5 vëllime” (2001) dhe “Më përtej kohërave” (2004)./KultPlus.com

Dua Lipa ndjekë stilin e Madonna-s (FOTO)

Këngëtarja e njohur Dua Lipa e cila po shënon sukses të madh në botën e muzikës, si duket po ndjekë stilin e këngëtares së madhe Madonna, shkruan KultPlus.

Madonna e cila ka tundë skenat në tërë botën, përgjatë performancave të saj, ajo gjithnjë është komentuar edhe për dukjen e saj.

Dhe një inspirim nga veshjet e Madonna-s, duket ta ketë marë edhe Dua Lipa, pasi që, përgjatë një performance, shihet të ketë veshur një korset që është i stilit të Madonna-s.

Korseti i Madonna-s, të cilin e ka përdorë përgjatë turit të saj botëror në vitet e 90-ta, mbetet si veshja më e përfolur e këngëtares Madonna, veshje që janë përfshirë edhe në muzeume. Kurse Dua Lipa me këtë veshje është parë në performancën e “Later… with Jools Holland” ./KultPlus.com

Pianistja Ardita Statovci me tur të koncerteve nëpër Evropë

Tri koncerte në Maltë, një në Austri, një në Zvicër dhe i fundit në Gjermani, tashmë janë në agjendën e pianistes kosovare Ardita Statovci, e cila do të paraqitet prej 17 nëntorit deri më 5 dhjetor të këtij viti, shkruan KultPlus.

Ardita Statovci ka shpjeguar për KultPlus edhe për veprat me të cilat do të prezantohet në këto koncerte, dhe sipas saj, në Maltë do të paraqitet me veprat e Satie, Steve Reich, John Cage, sipas të cilës, në këto koncerte ajo do të performojë edhe solo, por edhe me kolegë maltezë. Ndërsa, sa i përket koncerteve në Gjermani, Austri e Zvicër ajo ka thënë se do të prezantohet me veprat e Beethoven, Gershëin, Müllenbach, Wagner-Debussy dhe Saint-Saens.

“Ndjehem e nderuar të jem e ftuar nga festivale e teatro të njohura. Koncerti që di të mbahet në Gjermani, është vendosë në Teatrin e Kempten, i cili është edhe monument i mbrojtur kulturor dhe në histori përmendet që nga viti 1392”, ka shpjeguar Statovci.

Ajo poashtu ka potencuar edhe paraqitjen e saj në Kitzbuhel të Austrisë, e cila ka thënë se në Festivalin “Tiroler Festspiele”, ftohen artistë të përzgjedhur nga qytete të ndryshme.
“Turnetë janë intensiv, kërkojnë shumë disiplinë, pasion dhe kondicion fizik e mendor, sidomos kur repertori dallon nga vendi në vend, siç do të jetë për mua tani. Kënaqësi e madhe është veçantia e publikut, pasi në çdo vend, energjia e përcjellë nga audienca e bën secilën eksperiencë dhe secilin qytet unik”, ka thënë Statovci për fund./KultPlus.com

Armët e mjeshtërve shqiptarë ekspozohen në Tiranë, të punuara në filigran e të praruara në ar (FOTO)

Kjo ekspozitë u organizua në kuadër të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ekspozita përmban 47 objekte: 21 kobure, 8 pushkë, 10 vezme, 2 harbi dhe 6 jataganë.

Ekspozita “Armë të mjeshtërve shqiptarë” , është hapur në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus dhe kjo ekspozitë do të jetë e hapur për vizitorët deri më 13 nëntor.

Kjo ekspozitë u organizua në kuadër të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ekspozita përmban 47 objekte: 21 kobure, 8 pushkë, 10 vezme, 2 harbi dhe 6 jataganë.

Armët ilustrohen edhe me fotografi, me anën e të cilave pasqyrohet puna artistike e armëtarëve shqiptarë. Zbukurimet e armëve janë bërë me teknikën e filigranit. Kjo vërteton se shqiptarët ishin mjeshtër në punimin dhe zbukurimin e armëve. Armët e tyre ishin të punuara me argjend, por edhe të lara me ar. Në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar janë ekspozuar pushkë, kobure, vezme, harbi dhe jataganë./ KultPlus.com

Dritë e synit

Poezi të Erenestina Halili nga libri “Bibulz”

Dritë e synit

T’randoi ai qerpik,
pa mujtë m’e hapë, me m’thanë :
– Nanë, erdh Ora!
Nuk e dveta Zotin tem:
– Pse?! Pse?! Pse?!
Se nân qerpik m’the:
– Nanë, mos dvet…!
Unë iu binda fjal’s tande,
Zotit tand e temit…!
Kajherë, dritë e synit tem,
mall po kam me t’pâ,
me t’rrokë,
me ta puthë at sy qerpikgjatë,
terr si mbramja e të hânës…
Paj, dert mos ki!
Njatij tandit e temit,
njaty nelt,
nuk mundem m’i mbajtë m‘ni!
N’lutje t’mban nâna n’gjí…

Toke

E tokim godën për orët tona,
tόke me nânën!
E tokim për fjalët netëve të vona,
tόke me nânën!
E tokim për numrat shkue pa ârdhë,
tόke me nânën!
Për rininë qi t’qendisi ballin,
tόke me nânën!
Për gazin tand qi m’shuen mallin,
tόke me nânën!
Për jetët si ti, qi qiellin bâjnë belì,
tόke me nânën!
Për nanat, qi lodin e pijnë si Ú,
tόke me nânën!
Për na qi jena n’qiell e frymojmë njetu,
tόke, bir me nânën!
T’kam gjetë dhimtë,
mâ e mira dhimtë!
T’pritsha e t’paça!
Dashni e mbitë…

Du me t’pâsë ngát

Du me t’rrokë gërmën e fundit,
du me t’dhânë brymën e synit,
du me t’pâsë ngát.
Du me t’qafë tjetrin ngat unit,
du t’mâtë kâmbët e shpirtit,
du mos me t’pâsë larg.
Du me t’mârrë heshtën e plâgës,
du m’ju gjegjë dvetjes së natës,
du me t’pâsë ngát.
Du me m’dhânë zgjimin e ândrrës,
du me kenë nânë prej Nânës,
me t’pâsë, mâ ngát se ngát.
Du me t’pâsë ngát, du me t’pâsë ngát,
du me t’pasë forcë, du me t’pâsë bindje,
du me t’pâsë n’bark.

Tempull

Grue,
mos e len tempullin tand t’shembet,
mos i len kolonat t’rrëzohen n’dhè,
grue,
pa tempullin tand, nuk ka qiell e tokë,
pa tandin tempull, s’ka me pâsë as ne.
Grue,
ti je lira e mâ t’çmueshmes melodi,
je ti bërtháma, qi tretet me rrit pemë,
grue,
kuqlimin e gjakut tand ia fal prandìmit,
lulëkuqën farë, m’e rritë n’ditë g’zimit.
Grue,
gjâ mâ t’hijeshme s’ka kqyrë njaj sy,
je bulëza, fryma, buka, shenjtnia n’ty.
Grue!
Tempulli i kohnave, bâmun dy!

Andante

Ikjet janë tela t’viol’s,
zâulta, t’mbyllta
rr’rrshqasin n’shpatull katër herë,
n’ t’ katërtin tel…
Ikjet janë violë n’katër tela,
t’ambla si puthja n’faqen Sol,
t’pazhurmta si tingull n’odë,
si dora e motrës n’shpatull,
e butë,
e âmbël,
si motër.
Zâulta,
t’mbyllta,
rr’shqasin n’shpatull…
Ikjet janë Sol, violë…
Ikjet janë fill viole,
prej gjorgut t’Kostandinit,
janë frymorë druni,
t’zbardhun telash n’jele trungut,
t’buta,
t’âmbla,
t’rrshqasin n’shpatull…
Ikjet janë Sol, violë,
janë Do maxhor ikjet, violë…
Ikjet, janë kadencë
tuj pritë violën,
t’butën,
t’âmblën,
t’pshtetunën n’shpatull
violë…/KultPlus.com

Një bibël njerëzore në gegnisht

Thuhet se fara e grurit duhet vdesë për t’u rilindur. Në një konceptim të tillë vjen libri poetik Bibulz i Erenestina Halilit, një vëllim poetik prej 160 faqesh, i gjithi i mbështetur në filozofinë e librave të shenjtë, Biblës, paraqitur në tre cikle të mëdha: Ati, Biri, Shpirti.

Ky libër prezanton një sistem gjuhësor të cilit autorja i rri besnike, është gegnishtja e saj, ajo e vjetra, më e vjetra e folur dhe e shkruar, kërkime kulturore, mistike e filozofike mbi qenien dhe raportin e saj me Krijuesin, leksikografi të pasur të botës kishtare, liturgjike, por edhe asaj të së përditshmes, rastësores, mbi të gjitha njerëzores.

Për Erenestinën, duket se vdekja nuk ekziston, ajo konsiderohet porta me të përtejshmen, të përkryerën, të përhershmen. Duket se autorja e thur e rithur termin poesis, në gjuhën e shpirtit të saj dhe kumton hapësirën ku ajo mëton të dekodohet gjuha e ashku i saj poetik dhe dëshirën për ta jetuar jetën përmes ringjalljes.

Vetë titulli i vëllimit, Bibulz, e dëshmon këtë ndërkomunikim: bulëza e Biblës, ose mund të konotojë edhe binomin (bi) – dy bulëza të sistemit të saj ontologjik e eskatologjik, mbi të cilin ka ndërtuar sistemin e saj të rrëfimit poetik.

Autorëfimi i saj poetik, i artikuluar përmes figuracionit të lartë e stilemave të zgjedhura, herë – herë idiomatike, të degdisin në portat e parajsës, në gurin e kandit, në dritaret gotike të Katedraleve, në dheun e ftohtë, në obojën e trishtë, në andanten e jetës, në ikjet e ardhjet të motiveve, ideve, përjetimeve, deri në ndalesën e hapave të tangos.

Era nuk përlotet, as përulet sa shihet në varg, ajo gjen simbolin, metaforën, nëntekstin, kodifikimet e forta, duke të detyruar të lexosh ngadalë, siç lexohet Bibla, një bibël njerëzore në gegnisht. Diskursi i saj transfiguron datat kalendarike jetësore me ato qiellore, duke përcaktuar e mandej duke orientuar auditorin e ideve drejt modelit tjetër, jo atij të konsumit modern, drejt shenjave estetike, me idenë se jo gjithçka është ashtu siç duket, e gjithçka ndërtohet mbi një plan.

Libri nis me dëshmi dhe përfundon në kurbë ngjitëse mbi bindjen e saj, se tha të vërtetën, se gjeti të vërtetën, se e vërteta është e pandryshueshme. Këtë e transmeton edhe përmes shenjave, koncepteve, figurave, shkallëve e pentagrameve muzikore, të cilat i shtojnë koloritin dhe erudicionin vëllimit poetik.

Libri vjen nga shtëpia botuese “ Faik Konica”, Prishtinë. Era iu ngjit malit, si burri që cakit në malin e poezisë së saj, prej nga bindemi se prej fundit rrahë ma i forti tuj cakitë, bash si në vargun e thënë nga ajo.
A. G.

Pesë librat më të mirë të të gjitha kohërave

Thonë se libër të keq nuk ka, por ka libër që nuk iu pëlqen juve personalisht.

Ndonëse kjo mund të jetë e vërtetë, ekspertët dhe adhuruesit e mëdhenj të librave, kanë arritur ta krijojnë një listë me pesë librat më të mirë të të gjitha kohërave, transmeton Telegrafi.
Këta libra janë të zhanreve të ndryshëm dhe të shkruar në epoka të ndryshme.

Më poshtë, gjeni listën me këta pesë libra të cilët konsiderohen si më të mirët që kanë ekzistuar:

“Anna Karenina” nga Leo Tolstoy

Anna Karenina e tregon aferën e dashurisë së ndaluar mes Anës rebele dhe të ndjeshme me oficerin e pashëm Vrosnky. Tragjedia fillon të ndodh kur Anna e refuzon martesën e saj pa pasion dhe duhet t’i durojë hipokrizitë e shoqërisë.

“Madame Bovary” nga Gustave Flaubert

Madame Bovary është novela debutuese e shkrimtarit francez Gustave Flaubert, e publikuar më 1856. Personazhi i këtij libër bën jetë të “sthurur” në mënyrë që t’i ikë banaliteteve dhe boshllëkut të jetës krahinore.

“War and Peace” nga Leo Tolstoy

Lufta dhe Paqja e Leo Tolstoy-t i përshkruan në detaje ngjarjet që kishin shpirë në pushtimin e Rusisë nga Napoleoni, dhe ndikimin që epoka Napoleonike e kishte pasur në shoqërinë cariste.

“The Great Gatsby” nga F. Scott Fitzgerald

Novela e përshkruan një epokë që vet Fitzgeraldi e kishte emëruar “Epoka e Jazz-it”. Libri kryesisht merret me milionerin e ri dhe misterioz Jay Gatsby dhe pasionin e tij donkishotesk dhe obsesionin për të bukurën Daisy Buchanan.

“Lolita” nga Vladimir Nabokov

Libri njihet ndërkombëtarisht për stilin inovativ dhe temën tabu të cilën e shtjellon: protagonisti, Humbert Humbert, obsesionohet seksualisht pas 12 vjeçares të quajtur Dolores Haze.

Kryeministri Rama i dërgon letër vajzës nga Tropoja

LETËR NJË VAJZE NGA TROPOJA
E dashur vajzë nga Tropoja,
mora prej jush nga zyra ime e shtypit një letër të hapur në media (pa emër) të cilën ju e nisni kështu:
“Po ju drejtohem me një letër të hapur ju, kryeministër i vendit! Po ju drejtohem, me shpresën se nga ju do marr një përgjigje edhe pse e di që ajo përgjigje nuk do vijë, ndoshta kurrë”!
Nuk po ju pyes ku e dini ju që përgjigja ime nuk do t’Ju vijë, me siguri keni arsyet tuaja për ta thënë këtë me kaq forcë. Por dua ta mësoni, ndoshta për habinë tuaj më të madhe, se unë i’u përgjigjem të gjitha letrave që më vijnë.

Mbase s’do të keni më ndonjëherë frymëzimin a nevojën të më drejtoheni, po nëse do t’ju duhet të më shkruani, jo vetëm mua po edhe çdo anëtari të qeverisë, mjafton ta bëni këtë përmes platformës online shqiperiaqeduam.al dhe përgjigja nuk do të vonojë fare t’ju vijë! Për këtë herë, meqë ma keni dërguar letrën tuaj si ato shishet në det qëmoti, kështu po jua kthej dhe përgjigjen, me shpresën se shishja ime do t’u mbërrijë përmes detit të mediave online nëse nuk jeni pjesë e rrjetit këtu.
I kam ndarë të dyja në pjesë, edhe tuajën edhe timen, për lehtësinë e lexuesve që mund të mos e kenë lexuar tuajën e kësisoj mund të mos e ndiqnin dot timen.

“Sot po bie ndesh me të gjitha parimet e mia, me të gjithë ata kufinjtë që i kam vendosur vetes përgjatë këtyre viteve, sot po shemb gjithë ato kulte me të cilat jam rritur, dhe po i përgjerohem dikujt, po i lutem dikujt, në këtë rast ju. Zotëri! Të ju pyes diçka?

Keni dëgjuar ndonjëherë për nje vend alpin, të vogël të quajtur Tropojë?”, vijon letra juaj.
Natyrisht që ju e dini që unë kam dëgjuar për Tropojën dhe e kuptoj pozimin vetëviktimizues të pyetjes suaj, sinqerisht. Por më vjen mirë t’ju them me këtë rast se jo vetëm kam dëgjuar, po edhe e kam vizituar Tropojën, këtu e thuajse 30 vjet më parë si student i arteve, për një praktikë njëmujore, gjatë së cilës jam përpjekur t’ia pikturoj mrekullitë e kam pasur fatin të njihem me disa njerëz mbresëlënës, si edhe të dëgjoj për dervishin e famshëm të Luzhës. Pastaj, vite më vonë, jeta politike më solli përsëri në atë zonë që më pikëlloi me shëmbëlltyrën e papikturueshme të zymtisë prej paslufte që e kishte pllakosur dhe vënë përfund. Dhe së fundmi më risolli detyra si kryeministër, për të ndjekur projektet e Rilindjes Urbane që u financuan nga qeveria ime, duke çelur një kapitull të ri, shumë më të gjatë se sa faqja e çelur me ato projekte, të cilat sipas meje kanë sjellë ca dritë kundër zymtisë së trashëguar me vite të tëra… Apo ju nuk mendoni kështu ndoshta? Nuk e di, po kur e vizitova herën e fundit, gjatë fushatës elektorale, ndjeva përsëri dëshirën për ta pikturuar, mes rrezes së dritës së rikthyer në zemrën e Bajram Currit dhe zymtisë që ende mbretëron mbi ngrehinat në brendësi të trupit të qytetit, në pritje të investimeve të tjera për më shumë dritë.

Më pyesni pastaj, “Po ç’ju lidh ju ose mua me Valbonën?!”, dhe vijoni, “S’ma do mendja të mos keni qënë të paktën një herë në Valbonën alpine, ose të paktën një herë të mos jetë hapur një bisedë mes miqsh ku është përmendur emri i saj, ose, ose në takime zyrtare dhe konferenca ndërkombëtare kur u keni treguar të tjerëve për bukuritë e vendit tonë, s’ma merr mendja që s’e keni përmendur dhe Valbonën. Pastaj kur keni bërë mbledhje dhe keni diskutuar për buxhet, për fonde, për statistika, për turistë, besoj e keni dëgjuar dhe këtu emrin e Valbonës, kur ju kanë thënë që është rritur numri i turistëve në Shqipëri dhe një ndër vendet më të vizituara ka qënë Valbona”.

E vërtetë në fakt, kam qenë në Valbonën alpine dhe jam larë në ujin akull qelibar të asaj rrjedhe përrallore, asokohe kur ju tregova se e vizitova për herë të parë Tropojën. Edhe kur shumë më vonë kam diskutuar për buxhet e për fonde, e kam pasur parasysh Valbonën dhe kam kërkuar të financohet rruga e re e saj. E cila pat nisur nën qeverinë e mëparshme, po si të tëra rrugët e këtij vendi pat mbetur edhe ajo rrugëve, ndërkohë që tanimë është prej kohësh e përfunduar, në shërbim të banorëve dhe turistëve. Këta të fundit parashoh se do të shtohen, për çdo vit e më shumë, edhe falë këtyre e të tjera investimeve që do të bëjmë me patjetër për Tropojën (jo vetëm në qytet). Prandaj edhe po përpiqem të nxis investitorë për të ndërtuar hotele të klasit të parë në atë zonë të bekuar nga Zoti e të harruar nga robi për çerekshekulli liri-demokraci!

Këtu mbaron edhe pjesa që i përket pozimit vetëviktimizues të parashtresës suaj dhe më pas ju ekspozoni motivin e saj, “Dje ndodhi diçka që nuk duhej të ndodhte, ose ndoshta ishte e kushtëzuar që të ndodhte në mënyrë që unë t’u shkruaja ju. Dje morën një vendim zotëri, e dëgjuat?”.
Besoj e keni fjalën për vendimin e gjykatës lidhur me dy HEC-et që po ndërtohen në Valbonë apo jo?
“Dje vendosën “përfundimisht” ta shuanin Valbonën dhe lumin e saj. Nuk dua të them përfundimisht, prandaj dhe po e vendos në thonjëza, sepse nuk dua dhe as nuk do e besoj që nuk do ta dëgjoj më këngën e atij lumi. Ju, keni në dorë timonin apo jo?”.

Timoni që unë kam në dorë nuk drejton gjykatat, e dashur vajzë nga Tropoja! Sepse gjykatat janë një pushtet tjetër, i pavarur siç i përcakton kushtetuta dhe i korruptuar siç i përcakton populli; opinion që unë e ndaj plotësisht. Timoni që unë kam në dorë drejton thjesht dhe vetëm shumicën qeverisëse. E cila po ju mësoj nëse s’e dini apo nëse e keni harruar, ka ndërmarrë me kurajo e vendosmëri reformën në drejtësi dhe ka mundësuar Vetingun, të vetmet gjëra që mund të bënte pas çerekshekulli kalbëzim të drejtësisë, një shumicë qeverisëse e përgjegjshme për rolin e saj, në shërbim të drejtësisë që duan e që meritojnë njerëzit e këtij vendi. Por ju mbase e ligështuar prej vendimit të gjykatës, nuk doni ta dëgjoni këtë arsyetim, sepse përndryshe nuk do të ma kërkonit mua që me timonin tim të kthej nga rruga makinën e gjykatës!
“Prandaj bëni diçka se timoni po ju ikën nga duart! Bëni diçka ju lutem që të mos jeni as ju as ne humbës!” vazhdoni ju.
Në fakt unë e kam bërë detyrën time, domethënë gjithçka që mund të bëja, për një projekt që të miratuar më parë nga dikush që fjalën Tropojë e ka dëgjuar shumë dekada para meje dhe Valbonën e ka shijuar mijëra e mijëra herë më shumë se sa unë. Në projektin e miratuar prej tij nuk ishin dy, sa janë sot, po katër HEC-e dhe plus një varg të tjerësh me radhë, bash 13 HEC-e(!) përgjatë Valbonës! Dhe këta katër, që kishin kry punë me shtetin me të gjitha letrat, ishte qeveria ime që i frenoi për t’i rishikuar, duke i reduktuar në dy në numër dhe transformuar në formë e përmbajtje; ndërkohe që vargut të 9 të tjerave nuk u janë dhënë letrat e fundit që u mungonin.

Do të më vinte keq nëse do ta merrnit këtë shpjegim si fajësim të atij që i’a bëri peshqesh Tropojës e Valbonës këtë zhvillim të paarsyeshëm, sepse në fakt çka dua të bëj është vetëm t’ju tregoj se e kam bërë gjithçka ka qenë e mundur me timonin tim, që dy HEC-et e dala nga rishikimi të bëheshin miqësore me mjedisin. Dhe më besoni, janë shumë më të pranueshme se ç’ishin, edhe pse unë ato leje s’do t’i kisha dhënë kurrë (por as nuk i anulloja dot, sepse janë dhënë nga qeveria shqiptare e kjo, ligjërisht do të mjaftonte që në rast anullimi, HEC-et të bëheshin prapëseprapë – jo 2 po 13 – edhe shteti të merrte penalitet financiar, për mohimin po nga qeveria shqiptare të një të drejte të dhënë më parë).
“Po ju lutem, po ju përgjërohem ashtu siç nuk i jam lutur as përgjëruar askujt më përpara! Po ju lutem të vini dorën në zemër, po ju lutem me lot në sy! Po ju përgjërohem sepse vetëm ju mund të bëni diçka ! Ju lutem zotëri! Mos i lini të na e shkatërrojnë Valbonën! Do jem në pritje të një përgjigje nga ju, një përgjigje që uroj të vijë para se të jetë shumë vonë…”, përfundon letra juaj.

Përgjigjja ime siç e shihni erdhi shumë shpejt, edhe pse jo ashtu siç do ta donit ju përmbajtjen e saj! Sepse timoni që unë kam, nuk është çudibërës dhe makina që unë drejtoj as nuk i neutralizon dot të gjitha minat e vëna në të shkuarën në rrugën tonë, as nuk hyn dot në korsinë e pavarur të makinës së pushtetit gjyqësor. Të cilën vetëm zbatimi i reformës në drejtësi dhe Vetingut, mund ta çojë për skrap që, pastaj të futet në atë korsi një makinë e re me shoferë që nuk grabisin pasagjerët e tyre.
Por sidoqoftë, në mbyllje, për aq sa mund të vlejë kjo që po ju them, mos u ligështoni më shumë se sa ç’duhet, sepse Valbona nuk do të shkatërrohet nga ndërtimi i atyre dy HEC-eve! Thjesht nuk do të jetë më virgjëresha që ishte, por jini e bindur, do të mbetet një shtojzovalle e mrekullueshme me dy nishane të pakuptueshëm në trupin e saj./KultPlus.com

Filma të animuar nga Kosova dhe shtetet e Vishegradit në Hungari, Sllovaki, Poloni dhe Kosovë

Si pjesë e projektit të Anibar “Kultivimi i kulturës së animacioneve midis Ballkanit Perëndimor dhe Grupit të Vishegradit” i cili u zbatua para dhe gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar me mbështetjen financiare të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, do të vazhdojë gjatë muajve në vazhdim me shfaqjen e një programi të përbashkët të filmave të animuar në të gjitha vendet partnere: Kosovë, Hungari, Sllovaki, dhe Poloni.

Ky program është kuruar me qëllim të prezantimit të filmave të animuar të prodhuar nga të gjitha vendet partnere, dhe do të shfaqet në secilin nga këto vende. Kjo ngjarje do të organizohet për të forcuar dhe për të zgjeruar bashkëpunimin midis vendeve partnere në fushën e animacionit, dhe me qëllim të promovimit të filmave dhe filmbërësve të rinjë nga këto vende.

Në muajin nëntor shfaqja e filmave do të fillojë në Hungari duke vazhduar në Slovaki, në muajin dhjetor programi shfaqet në Kosovë, dhe në muajin janar programi shfaqet në Poloni. Shfaqja e parë mbahet me 14 nëntor në Budapest në Universitetin Metropolitan të Budapestit në ora 16:00./KultPlus.com