Disenjatorja Merita Harxhi Koci dhuron fustana në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve

Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve- viktimave që kanë pas dhunë në familje është vizituar nga disenjatorja Merita Harxhi Koci, e cila ju ka bërë një befasi për këtë fundvit, shkruan KultPlus.

Duke pas parasysh vuajtjet e këtyre grave, Harxhi Koci ka menduar që tu bëjë këtë festë të Vitit të Ri më të gëzuar e më elegant, e cila ju ka dhuruar fustane elegantë.

Harxhi Koci ka thënë për KultPlus se e kishte menduar se këto gra do ti lumturonte me këto dhurata, por nuk e kishte imagjinuar se do të gëzoheshin kaq shumë.

“Unë mendova se do ti gëzoj ato gra, por më e gëzuar dola unë, sepse u përmbusha kur pash kaq gëzim në fytyrat e tyre”, ka thënë Harxhi Koci.

Harxhi Koci shumë shpesh merr pjesë në iniciativa humane, e cila nëpërmjet punës së saj kreative merr pjesë në organizime të ndryshme humane./ KultPlus.com

Ja si shprehej Fishta për myslimanët shqiptarë

Gjergj Fishta, përveç krijimtarisë letrare shquhej edhe për mbështetjen që jepte për t’i harmonizuar raportet mes feve të shqiptarëve.

“Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqiptarët qenkan Musliman
Atherë… Na Kristianët, do ti shkriejmë kryqet tona dhe do ti bajmë fishek, me mbrojt vllaznitë tanë musliman shqiptarë”, është ky një citat i At Gjergj Fishtës i cili tregon shumë për harmoninë fetare në mes shqiptarëve.

Madje, poeti i madh shqiptar Fishta në çdo festë të besimit mysliman lidhte një varg llambash me ngjyra që nga Kisha e fretërve e deri tek xhamia në piacë.

Kjo tregon se përjetësisht mes krerëve të besimeve fetare në Shqipëri gjithnjë ka ekzistuar një harmoni e mrekullueshme fetare. / KultPlus.com

Interesim i jashtëzakonshëm në ofertën për transferim në Shkollën Finlandeze

Shkolla Finlandeze në Kosovë, së fundmi e pasqyruar në CNN si një nga shkollat më inovative në botë, për herë të parë ka nisur një kampanjë, përmes së cilës iu mundëson nxënësve nga të gjitha shkollat e Kosovës të transferohen në Shkollën Finlandeze me një cmim promovues, dhe në këtë mënyrë, të zhvillohen në sistemin më të mirë të arsimit në botë, atë Finlandez. Kjo kampanjë e cila është aktive vetëm gjatë periudhës 24 Dhjetor – 10 Janar dhe vetëm për një numër të limituar vendesh në disa klasë, ka hasur në interesim të jashtezakonshëm të prindërve dhe nxënësve që dëshirojnë një të ardhme më të mirë, por me kosto të përballueshme. Interesimi sidomos është i dukshëm për klasat parashkollor, 5-6 dhe 9, e cila ju mundëson nxënësve përgatitje më të mirë për ciklin për të hyrë në klasën e parë, në shkollën e mesme të ulët dhe shkollën e mesme të lartë. https://www.youtube.com/watch?v=lwg3yeu5qDQ

Për të përfituar nga kjo kampanjë për transferim në gjysëmvjetor të dytë, të interesuarit mund të aplikojnë për më shumë informata në linkun: https://kosovo.finnish.school/register.html apo duke kontaktuar në 045 2350 650 ose [email protected].

Përmes kësaj kampanje, nxënësit kanë mundësi të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre në gjuhë angleze, matematikë, shkencë dhe arte përmes mësimit të bazuar në projekte dhe praktikë; Zhvillimit të kreativitetit përmes lojrave dhe metodave kreative; Avancimit në shkenca dhe matematikë përmes eksperimenteve praktike dhe zhvillimit të njohurive të avancuara në robotikë dhe kodim.

Sot, modeli arsimor finlandez udhëheq në botë si sistemi më i mirë arsimor për shkak të dallimit nga modelet tradicionale të arsimit dhe aplikimit të teknologjive dhe metodologjive më të avancuara dhe moderne të arsimit. Inspiruar nga sistemi i arsimit finlandez, i cilësuar si “mrekulli e arsimit” nga Banka Botërore, Shkolla Finlandeze aplikon metodat më inovative dhe moderne të mësimdhënies në edukimin e nxënësve dhe rritjen e tyre intelektuale, emocionale, dhe shoqërore./ KultPlus.com

Traileri i ri i ‘The Batman’ shfaq një Robert Pattinson dhe Zow Kravitz shumë të bashkuar

Warner Bros ka publikuar një trailer të ri për adaptimin e saj të ardhshëm të DC “The Batman”, ku interpreton Robert Pattinson si heroin vigjilent dhe Zoë Kravitz si aleaten e tij Selina Kyle, e njohur ndryshe si Catwoman.

Traileri i ri fokusohet në marrëdhënien midis dy personazheve, duke shfaqur sekuenca të Batman-it dhe Catwoman-it që luftojnë njëri-tjetrin, si dhe shkëmbime më të pasionuara dhe të ngurta.

“Ke shumë mace,” i thotë Batman Kyle, duke vizituar apartamentin e antiheroit. “Kam një gjë për endacakët,” përgjigjet ajo, duke mbajtur në dorë atë që duket të jetë një gotë qumësht.

Riddler interpretuar nga Paul Dano gjithashtu merr një rol të spikatur në trailer.Warner Bros po vazhdon ta mbajë disi të fshehur antagonistin në marketingun e “The Batman”, duke u fokusuar më shumë në trupat e vdekur dhe videot e dhëna që ai lë pas vdekjes së tij.

“Unë jam këtu vetëm për të demaskuar të vërtetën për këtë gropë që ne e quajmë qytet,” thotë Riddler.

Pamja e re përmban gjithashtu pamje të Batman duke lundruar në një nëntokë të përmbytur Gotham, shpërthime përgjatë vijës bregdetare të metropolit dhe një sulm në atë që duket të jetë një tubim i fushatës politike. Traileri përfundon me Batman dhe Catwoman që luftojnë kundër një turme burrash të armatosur në një pasarelë industriale./ lapsi.al/ KultPlus.com

Shqipëria kryeson përpjekjet për shpëtimin e refugjatëve afganë

Katër muaj pasi trupat e fundit amerikane u larguan nga Kabuli, Uashingtoni mbetet ende i përhumbur nga tërheqja e tij nga Afganistani si edhe nga fakti që ai e di shumë mirë se krizat që tani po e mbërthejnë atë vend, nuk ka gjasa të mbeten atje, shkruan Vance Serchuk* për gazetën e njohur amerikane “Wall Street Journal”.

Megjithatë, nëse ka një histori shpresëdhënëse për të dalë nga fatkeqësia afgane e këtij viti, ajo mund të jetë në Ballkanin Perëndimor, një rajon që vetëm një gjeneratë më parë përjetoi një largim në masë refugjatësh, por që doli në ballë verën e kaluar si një strehë e papritur për ata që iknin nga talebanët.

Dhe të gjithë këtë e kryesoi Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë. Edhe para rënies së Kabulit, zoti Rama e mori këtë vendim të jashtëzakonshëm për të ofruar strehim të përkohshëm për afganët e rrezikuar, që nuk kishin ku të shkonin.

Që nga fundi i gushtit, më shumë se 2 000 afganë dhe familjet e tyre, përfshirë figura të shquara grash, gazetare dhe aktiviste të shoqërisë civile, janë evakuuar nga organizata joqeveritare të palëve të treta. (Ndër OJQ-të e përfshira është edhe fondacioni ”Për të ardhmen e Afganistanit”, në bordin e të cilit unë shërbej.)

Në vend që ta fshihnin apo ta nënvlerësonin këtë fluks të huajsh, liderët e Shqipërisë i kanë përqafuar ata me krenari kombëtare.

Kur avionët e parë me afganë u ulën në aeroportin e Tiranës këtë verë, kryeministri shqiptar ishte në pistë për t’i përshëndetur ata personalisht.

Për refugjatët e traumatizuar që mbërrinin pa para’ në një tokë të huaj, prania e zotit Rama ishte një gjest i jashtëzakonshëm për të treguar se Shqipëria do t’i trajtonte afganët jo si një barrë për t’u duruar, por si mysafirë të nderuar që meritojnë respekt.

Për këtë arsye zoti Rama ndaloi strehimin e afganëve në kampe dhe në vend të kësaj i akomodoi ata në një kompleks turistik bregdetar.

Veprat e drejtuesve të Shqipërisë kanë qenë në përputhje të plotë me fjalët e tyre. Si në trajtimin mjekësor, shpërndarjen e rrobave dimërore apo organizimin e kurseve të anglishtes, shqiptarët brenda apo jashtë qeverisë kanë qenë partnerë krijues dhe të palodhur në kujdesin për refugjatët afganë.

Kjo ka qenë edhe më mbresëlënëse duke pasur parasysh burimet e kufizuara të Shqipërisë.
Një nga vendet më të vogla dhe më të varfra të Evropës ka qenë ndër më bujarët në përgjigjen ndaj krizës afgane.

”Ajo që kemi bërë nuk duhet të konsiderohet e jashtëzakonshme”, më thotë zoti Rama në një intervistë.

“Si mund të kishim bërë ndryshe?”, pyet ai.

Në shpjegimin e vendimit për të strehuar afganët, zoti Rama dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka evokojnë përvojat e vetë shqiptarëve me luftën dhe shpërnguljet gjatë trazirave ballkanike të viteve 1990.

”Ne e dimë se si është të detyrohesh të largohesh nga shtëpia, nga vendi yt”, thotë zonja Xhaçka.

Ata citojnë gjithashtu heroizmin e kombit të tyre në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.

Shqipëria me shumicë myslimane i dha fund Luftës së Dytë Botërore me një komunitet më të madh hebre se para fillimit të saj.

Megjithatë, cinikët paralajmëruan verën e kaluar se dashamirësia e Shqipërisë do të rezultonte një bumenrang duke provokuar një reagim të brendshëm politik, një kërcënim terrorist apo një vërshim refugjatësh.

Asnjë nga këto frikëra nuk u materializua. Afganët që mbërrijnë në Shqipëri janë pranuar përmes një procesi të kontrolluar me kujdes dhe në një numër të menaxhueshëm. Ata priren të jenë profesionistë të arsimuar me lidhje të ngushta me Perëndimin, thënë ndryshe lloji i njerëzve të terrorizuar nga ekstremistët islamikë, jo të radikalizuar prej tyre. Për këtë arsye, shumica kanë edhe raste të forta për të ikur në SHBA.

Është në interesin e Uashingtonit që Shqipëria të mos penalizohet për performancën e saj në këtë krizë, përpara se të shteren kapacitetet e saj bamirëse.
Administrata Biden duhet të dërgojë personel amerikan për të përpunuar kërkesat e refugjatëve afganë të evakuuar në Shqipëri.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken i tha Kongresit në shtator se kjo do të ndodhte, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Në praktikë, administrata Biden i ka dhënë më shumë prioritet afganëve të dërguar në bazat ushtarake të SHBA-së sesa atyre të evakuuar në vende të treta si Shqipëria.

Por, situata e krijuar në aeroportin e Kabulit verën e kaluar nënkuptonte se ishte shpesh arbitrare nëse dikush përfundonte me një transport të Forcave Ajrore për në Katar apo me një fluturim çarter për në Ballkan.

Gjithashtu arbitrare: Administrata Biden ka lënë të kuptohet se mund t’i trajtojë afganët e sjellë në Shqipëri përpara 31 gushtit ndryshe nga ata që mbërritën më pas. Kjo do të ishte në kundërshtim me premtimet e Shtëpisë së Bardhë verën e kaluar se angazhimi i saj ndaj afganëve të rrezikuar nuk do të zvogëlohej pas tërheqjes ushtarake të SHBA.

Ajo që nevojitet është një zgjidhje e plotë, e udhëhequr nga SHBA, për komunitetin afgan në Shqipëri.

Në një kohë kur shumë amerikanë kanë humbur besimin në aftësinë e tyre për të ndryshuar botën për mirë, lidershipi i Shqipërisë duhet të shërbejë si një udhëzues.

Një çerek shekulli më parë, SHBA mblodhi me sukses demokracitë transatlantike për t’i dhënë fund dhunës gjenocidale që shpërbëu ish-Jugosllavisë.

Tani, Ballkani Perëndimor mund t’i kujtojë një Perëndimi të demoralizuar se si duhet të duket një lidership parimor global dhe pse është ende e nevojshme një gjë e tillë.

(*Vance Serchuk është drejtor ekzekutiv i Institutit Global KKR dhe një bashkëpunëtor në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane)

Grabitja e shtëpisë së Vaçe Zelës, gjenden gjurmë gishtash dhe flokë

Shtëpia e ikonës së muzikës shqiptare, Vaçe Zela, nuk është kursyer nga hajdutët në kryeqytet, të cilët kanë arritur të marrin edhe medaljen e akorduar për të nga Presidenti i Republikës.

Ngjarja dyshohet se mund të ketë ndodhur gjatë fundjavës, por duke qenë se aty nuk jetonte njeri, nuk dihet disa apo ora e saktë. Bastisja është konstatuar nga motra e mbretëreshës së këngës, e cila kujdesej herë pas here për shtëpinë që ndodhet në një pallat pranë “Pazarit të ri”, në Tiranë.

Kur ka tentuar të hapë derën me çelës, ajo ka parë që në fakt ishte e hapur dhe kur është futur brenda ka gjetur gjithçka përmbys. Në këtë moment ka lajmëruar Policinë dhe shërbimet e Komisariatit nr.1 kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, raporton Panorama.

Të paktën deri tani, nga verifikimet e kryera në shtëpi, rezulton se mungon një lap top, ora e bashkëshortit të Veçe Zelës, si dhe një dekoratë. Ekspertët kriminalistë kanë fiksuar disa prova në vendngjarje, gjurmë gishtash dhe një fije floku, që po analizohen në laboratorin e kriminalistikës, për të arritur në ndonjë emër autori të mundshëm.

Ndërsa sa i përket mënyrës se si autorët kanë depërtuar brenda shtëpisë, burimet thonë se dera dyshohet se është hapur me kartë, duke qenë se nuk ishte e mbyllur me çelës.

Burime nga Policia e Tiranës thanë dje ende nuk është arritur të identifikohen autorët që kanë vjedhur shtëpinë e këngëtares Vaçe Zela në Tiranë, e cila është ndarë nga jeta në shkurt të vitit 2014 në Zvicër, ku jetonte me vajzën e saj.

Midis sendeve me vlerë të vjedhura që autorët kanë arritur të marrin është edhe një dekoratë e dhënë për këngëtaren nga Presidenti i Republikës./lapsi.al/ KultPlus.com

Petro Marko: E dua Kosovën gjer në dhimbje

Dashuria për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën. 


Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë. /KultPlus.com

Sonte do të mbahet ceremonia e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa”

Juria profesionale e këtij konkursi e përbërë nga Sali Bashota, kryetar i jurisë dhe Nerimane Kamberi e Arbër Selmani, me shumë përkushtim kanë bërë  vlerësimin e poezive dhe kanë zgjedhur 10 poezitë finalistë të këtij konkursi.

Finalistët e konkursit janë: Agon Rexhepi, Afrim Demiri, Bekim Shala, Gentiana Bajrami Atashi, Flamur Dardeshi, Liridon Mulaj, Nikas Kaca, Redon Elshani, Shazim Mehmeti e Valentina Broja.

Mbrëmja finale dhe poetike e këtij konkursi do të mbahet të enjten, më datë 23 dhjetor, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery. Në këtë mbrëmje do të jenë prezentë  finalistët e konkursit ku edhe do të lexohen poezitë dhe do të shpërblehen tri vendet e para fituese.

Ngjarja është e hapur për të gjithë. ‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë KultPlus, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus. Me këtë mbrëmje do të shënohet edicioni i katërt i konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa”.  / KultPlus.com

Mbrëmje me filma shqip në New York, Mirakaj: “Vatra” do i mbështesë gjithmonë talentët shqiptarë

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA organizoi një natë të magjishme të promovimit të filmit shqiptar në New York. Gazetarë, shkrimtarë, poetë, veprimtarë të shquar në komunitet, mësues, kineastë, studentë u bënë pjesë e një natë të paharruar artistike. Në emër të Vatrës përshëndeti të pranishmit kryetari i Degës së Vatrës Manhattan Agustin Mirakaj i cili ndër të tjera tha: “Urimet më të përzemërta për punën e shkëlqyer. Vatrës duhet ti bashkohet një përfaqësi e re artistësh elitë të fushës së aktrimit. Federata vatra do jetë mbështetëse e pakushtëzuar dhe frymëzuese në art dhe kulturë. Vatra do i mbështesë gjithmonë talentet shqiptare. Dega e Vatra Manhattan Branch falënderon regjisorin, grupin e tij të shkëlqyer për punën dhe devotshmërinë në realizimin e filmave të tyre. Filmi është pjesë e jetës, filmi është pasqyra e të shkuarës dhe historia që mund të tregohet ashtu siç është e vërteta. Filmi ngelet promotori i ëndrrave të pa treguara e shpesh edhe të pa jetuara. Ju uroj dhe përgëzoj për sukseset tuaja” u shpreh ndër të tjera Mirakaj.

Tri sekuencat filmike që u shfaqën në Vatër filluan me dokumentarin mbi Persketutimin e femrës shqiptare në regjimin komunist. Ambasadori i artit shqiptar, mjeshtri i nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, Bujar Alimani shpalosi për të pranishmit punën e shkëlqyer të kineastëve të rinj shqiptarë, vlerësimet e punëve të tyre artistike dhe mbi të gjitha rolin e artit e filmit në shoqëri, dhe vështirësitë e realizimit, mjeshtritë e karaktereve dhe nevojën që shteti e shoqëria të investojë dhe te zhvillojë artin e kulturën. Dëshmitë rrëqethëse të persekucionit, jeta e mundimshme në internim, lufta e klasave, hakmarrja e sistemit monist mbi gratë dhe fëmijët ishin një pikë reflektimi mbi të gjithë të pranishmit mbi dhunën e torturën e regjimit totalitar mbi shoqërinë shqiptare, por mbi të gjitha nevojën për dekomunistizimin dhe shkëputjen përgjithmonë nga diktatura.

Një natë speciale që iu kushtua kineastëve të rinj shqiptarë në New York, Erald Kraja dhe Savina Alimani të cilën shfaqën për publikun dhe komunitetin shqiptar në New York dy filma me metrazh të shkurtër të vlerësuar maksimalisht në Universitet ku ata kanë studiuar. Eraldi dhe Savina janë dy talente shumë premtuese dhe me të ardhme të sigurtë në botën e filmit. Dy studentët shqiptarë të sapodiplomuar në Departamentin e Filmit ne Brooklyn Film College dhe Hunter College në New York, prezantojnë filmat e tyre të diplomës ku në qendër të realizimit artistik janë histori urbane që ndodhin në Metropolin Amerikan, njerëz në kërkim të identitetit dhe konfliktet që burojnë nga botë të ndara dhe mirësia që i superon dhe i zbut këto konflikte në një shoqëri globale.

Ky aktivitet u moderua nën përkujdesjen e veçantë dhe pjesëmarrjen e kineastit të vlerësuar ndërkombëtarisht Bujar Alimani dhe producentin të suksesshëm Damian Pervizi. Aktiviteti ngjalli shumë interes tek të gjithë të pranishmit për fuqinë e mesazheve artistike që dha për publikun, kureshtjen te të pranishmit, mjeshtrinë e realizmit dhe mbi të gjitha krenarinë e “markës” shqiptare të prodhimit të filmit./ KultPlus.com

QKK shpallë fituesit, pesë filma artistik të metrazhit të gjatë

“Bota jonë” me skenar dhe regji të Luana Bajramit i prinë listës së filmave artistik të metrazhit gjatë, e cila në këtë projekt filmik vjen me producentë Valbona Rrahmanin, shkruan KultPlus.

Në këtë listë janë edhe filmat “Gruaja e shtëpisë”, me skenar dhe regji të Fatos Berishës, “Faji” ,e skenar dhe regji të Edon Rizvanollit. “War, games and videorecordings” me skenar të Dhurata Hotit e regji të Birol Urcan dhe “Last exit” ,e skenar dhe regji të Bekim Gurit.

QKK përpos filmave artistik të metrazhit utë gjatë, ka mbështetë edhe filmat në kategorinë me kooproduksion minor, filmat me regjisorë debutues, për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë, atij artistik dhe filma të metrazhit të gjatë dokumentar.

KultPLus ju sjell listën fituese, të cilat janë vlerësuar nga komisioni profesional i QKK-së/ KultPlus.com

https://qkk-rks.com/uploads/files/2021/December/22/Lista_e_projekteve_fituese_20211640211563.pdf?fbclid=IwAR0cHF6Y1SWMSPoKUWEp2hmNqrFMVTuBOSTKKkILqHPVoqTipzY8FL5_gU8

Ditar” i Tajar Zavalani-t,  intelektualit  që veproi për atdheun

Tajar Zavalani është një ndër figurat e mërgatës  shqiptare të cilat dhanë kontribute të mëdha për shtetin shqiptar. Këto kontribute përfshijnë rrafshin atdhetar e politik në një anë, por edhe rrafshin intelektual e letrar në anën tjetër, sidomos me përkthimet e tij, dorëshkrimin në gjuhën angleze “Historija e Shqipnis” e edhe konferencat e ndryshme në të cilat  ka marrë pjesë. Duke pasur një korpus kaq të gjerë të veprimtarisë, figurën e tij mund ta kuptojmë edhe më mirë nëpërmjet shënimeve të tij të ditarit. Nëse neve na shfaqen letra, libra, konferenca, shkrime gazetash, përmes ditarit mund të shohim rrugëtimin sesi janë krijuar ato, që mbetet një rrugëtim jo shumë i lehtë, i cili do t’i ndikojë drejtpërdrejtë në njërën anë në jetën si njeri i rëndomtë kurse në anën tjetër në jetën si një njeri intelektual. Do të bëhet pikërisht jeta intelektuale ajo e cila do t’i sjellë probleme të drejpërdrejta, qoftë kjo edhe në marrëdhënien bashkëshortore. Në “Ditarin” e tij, do të shohim një Shqipëri e cila ndodhet në situatat më të këqija politike, përballë një shoqërie mërgimtare, e cila synon që ta zgjojë atdheun nga kjo gjendje, por që gjithmonë hasin në kundërshti.

Intelektuali dhe jeta

Ditari i Tajar Zavalanit përfshinë një periudhë dyvjeҫare të shkrimit, vitet 1942-1944, duke filluar nga data 12 shkurt 1942 dhe duke përfunduar më 19 prill 1944. Shkrimi i këtij ditari bëhet në një moshë të jetës ku autori ka fituar mjaft përvojë nëpër fushat e tij të punës, në moshën 39 vjeҫare, ku na e bën me dije edhe statusin e tij duke treguar që është i martuar:“Sot e fillova ditarin. Në të 39 stinë viti të jetës s’eme dhe pas 5 vjet martese me Kikin”.

Përveҫ shkrimeve të ditarit mbi jetën personale, libri përmban edhe shkrime të tjera, siҫ janë shënime dhe qëndrime të ndryshme rreth situatave të caktuara, më pastaj kemi edhe letërkëmbime me personalitete të rëndësishme shqiptare, e edhe fotografi të po këtyre personaliteteve, që përmenden në ditarin e Zavalanit.

Dilema: gruaja apo atdheu

Qëndrimet e tij nëpër kohë do të bëhen pjesë e pandashme e jetës, e cila më pastaj  varet pikërisht nga këto situata. Jetën e tij personale dhe jo të një intelektuali mund ta shohim mjaft pak. Në ditar na del një njeri aq i angazhuar në misione, saqë harron që ka një grua dhe një jetë për të jetuar. Vetëm në momente shumë të rralla dhe në momente kur thuajse i bëhet e pashmangshme na del një Tajar i cili merret me bashkëshorten, Selmën, të cilën e thërret Kiki dhe e cila ka për nënë të bijën e Abdyl Frashërit. E shohim që si nga ana e vet, si nga ana e gruas, Zavalani, është një njeri i cili do të punojë për popullin dhe për idealet e popullit. Puna e tij e pandalshme i shkakton gruas së tij presion dhe ky presion më pas shkakton sëmundje. Vetëm në rastet kur ajo sëmuret, në ditar mund ta shohim se ekziston një Kiki njeri, e cila është aty jo vetëm për t’i dhënë mbështetje dhe mendime në situata të caktuara por edhe për t’i bërë me dije shumë shpesh se duke u dhënë pas idealeve kombëtare, Zavalani po e harron jetën, ndonëse  mision të vetëm në jetën e tij ai e konsideron pikërisht atdheun. Në raste shumë të rralla, mund të shohim që Zavalani na ndanë edhe ҫaste intime, nga jeta me Kikin. Gruan e tij mund ta shohim edhe si intelektuale, në momentin kur shkruan artikull për gazetën “Lirija”.

Zavalani arrin deri në atë pikë sa gruan e barazon me idealet për atdheun, duke i marrë si metonimi idealet mund ta shohim që Zavalani e barazon gruan me vetë atdheun dhe në momentin kur ajo sëmuret mbetet mes dy zjarreve, aq sa edhe ndër të tjera shprehet: “Kriza vazhdoi disa ditë. Unë u bëra si i ҫmendur dhe kalova përmes një dileme torturuese: Kiki apo ideali që kam luftuar 20 vjet”.

Midis Kikit dhe idealeve, ai vrapon më shumë pas të dytave, gruaja e tij qëndron për muaj në spital madje arrijnë deri në atë pikë sa e mendojnë edhe ndarjen, por sërish pajtohen. Idealet dhe intelektualja e largojnë Zavalanin nga jeta personale, por e bëjnë një person shumë të rëndësishëm për atdheun në mesin e shumë personave të tjerë.

Intelektuali si kundërshtar  dhe atdheu

Zavalanin e shohim si një njeri që del gjithmonë kundër në momentin që e sheh se po i kanoset e keqja atdheut të tij. Një ndër figurat kryesore të cilën haptazi e kundërshton është figura e mbretit Ahmet Zogu, e cila di të bëhet shumë shpesh pengesë në vendimmarrje të mërgatës, të cilët dëshirojnë të krijojnë të ashtuquajturin “Frontin e përbashkët shqiptar”. Zavalani bën gjithmonë përpjekje të drejtpërdrejta për të krijuar këtë front, pasi është shumë i vetëdijshëm për mënyrën sesi shihet nga komunitetet e tjera Ahmet Zogu. Por është pikërisht Ahmet Zogu dhe njerëzit e tij të cilët gjithmonë do t’i dalin përpara duke penguar në forma të ndryshme, madje duke mbërritur deri në ato pika sa do të ndryshojnë edhe deklaratat dhe projektet e tij, apo nuk do t’i pranojnë ato në qoftë se ky shfaq haptazi mendimet e tij, të cilat në rastet më të shumta janë në kundërshtim me sistemin, të cilin ky e quan edhe regjim.

Pavarësisht se hasë në këto pengesa, Zavalani gjithmonë bën përpjekje, me mundësitë e tij, duke e krijuar kështu edhe një rreth bashkëatdhetarësh të cilët e mbështesnin ideologjinë e tij. Këta mbështetës me patjetër që do të kenë kundërshtarët, të cilët janë mbështetës të ideologjive të Zogut. Kjo fillon nga personalitete të ndryshme, të cilat për ironi të fatit janë edhe udhëheqës të revistave më me zë, nëpërmjet të cilave operojnë shqiptarët, të cilët synimin e kanë mundësinë e një paraqitjeje të shqiptarëve në mënyrën më të mirë para opinionit të huaj. Kjo ju dështon në momentin kur këta hasin në udhëheqës të cilët përpara atdheut i vendosin premisat e tyre vetjake, të cilat zakonisht ju shërbejnë për të pasur raporte të mira me mbretin Zog dhe në këtë mënyrë edhe të ardhura më të mira. Madje ka nga ata që arrijnë deri në atë pikë, sa fajësojnë Zavalanin, që i kishte bindur të bëheshin bashkë. Në një letër që i drejton Milto Nockës thotë: “Hidhërohem shumë kur më thua se unë po të marrkam në qafë duke kërkuar që të bëhesh kundër Zogut”. Ky hidhërim për Zavalanin është i pashpjegueshëm, sepse ai nuk po e lufton në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm Zogun si njeri, por po e lufton hapësirën të cilën e ka ndërtuar Zogu mes tij dhe Amerikës, rrjedhimisht Shqipërisë dhe organizatës Amerikës. Për këtë arsye ia jep një argumentim të tillë edhe shokut të tij: “Unë të bëra një propozim në mënyrë krejt konfidenciale për të mbushur greminën që po krijohet ndërmjet Zogut dhe organizatës së Amerikës”.

Të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë greminë, edhe ata intelektualë janë të cilët e rrethojnë Zavalanin, janë të vetëdijshëm për këtë greminë, por shumë pak prej tyre marrin vendime që të dalin kundër dhe të plotësojnë këtë vend bosh që po e krijon politika.

Kjo greminë thellohet edhe më tepër kur merr përmasa edhe më të mëdha. Tashmë nuk mbetet vetëm greminë ndërmjet amerikanëve dhe shqiptarëve, por bëhet greminë e krijuar në mes të Shqipërisë, në brendësi të saj. Kjo pikëpamje e Zavalanit, mund të vërehet në pjesën e dytë, ku ai na jep disa shënime. Ai vë në kontrast pasuritë dhe resurset natyrore që ka Shqipëria dhe që janë të shumta me gjendjen e saj aktuale, që të ndjellë me raste edhe dhembshuri. Këtë kontrast e fillon qysh nga natyra, ku shprehet: “Kam parë Shqipërinë, një vend i pajisur me fusha legjendare si Myzeqeja, që bënte mjaft bukë për të ushqyernjë milion frymë dhe importonte nga moti në mot me qindra kuintalë misër dhe grurë”.

Kontrastin  e vazhdon me njerëzit të cilët shfrytëzoheshin nga italianët, me njerëzit që burgoseshin pa faj, fëmijë që shkojnë në shkollë pa bukë e deri në demoralizimin e rinisë. Fajtori dhe ai të cilit ia drejton gishtin Zavalani, është pushteti dhe personi i cili është në krye të pushtetit, Ahmet Zogu. Sipas tij ky edhe ishte kulmi i ironisë: “Kulmi i ironisë ishte që të gjitha këto ndodhnin nën një regjim, i cili kishte për sy e faqe të gjitha format e dukshme të një monarkie konstitucionale me parlament, enterpelanca e votëbesimi”.

Ky pushtet në sy të të tjerëve (nga jashtë) përmes intervistave e fjalëve të rrejshme duket shumë në rregull, por nëse shkojmë brenda Shqipërisë, brenda asaj që Zavalani thotë se përkundër të tjerëve unë e kam parë për shkak se kam qenë aty, atëherë e shohim një mjerim të vërtetë. Shqipërisë sipas tij nuk i duhet vetëm një mbret i cili do të bëjë një paraqitje të mirë jashtë për shqiptarët, por i duhet një mbret që do të jetë më të vërtetë aty për interesa të popullit. E vetmja zgjidhje të cilën e jep Zavalani, që Zogun e sheh asgjë më shumë se një njeri ambicioz, pa skrupulla, me mentalitetin e  një despoti oriental, është demokracia. Kjo demokraci sipas tij nuk duhet të jetë një karikaturë por një demokraci e vërtetë.

Këto qëndrime gjithmonë kanë statusin subjektiv, prandaj Zavalani nuk heziton as të përdorë edhe përemrin unë. Ai i shpërfaqë në mënyrën më të mirë idetë e veta, për një Shqipëri pro amerikane, një Shqipëri nën regjimin e askujt por gjithmonë nën shërbimin e vetvetes dhe popullit të saj.

Shumë shpesh Zavalani na njofton edhe me lexime të librave të ndryshëm  që bën, takime me personalitete të njohura. Këto lexime madje shumë shpesh i përdorë për ndonjë ironi të caktuar siҫ bën me toponiminë. Ai shprehet: “Ҫudi kjo puna ime! Në Shqipëri merresha me Tolstoj e Balzak. Këtu, në Londër, po merrem me Shalë e me Shosh”.

Personalitete të ndryshme përballë Zavalanit dhe Shqipërisë

Mërgata funksionon nëpërmjet revistave të ndryshme, e ndër revistat më të rëndësishme nëpërmjet të cilave operojnë shqiptarët në Amerikë, në ditarin e Zavalanit na dalin “Lirija”  dhe “Dielli”.

“Lirija”, mbetet revista ku këta botojnë shkrimet e tyre për një Shqipëri më të mirë, rrjedhimisht për një Shqipëri pa Ahmet Zogun. Ҫekrezi del si njëri ndër personat me të cilët Zavalani ka kontakte më të shumta, duke u parë që edhe përmendet jashtë mase nëpër shkrimet e tij, e edhe kuptojmë që takohen shumë shpesh.

Organizata “Vatra” sipas Zavalanit është një organizatë e cila nuk mund të aprovohet, në momentin kur e bëjnë si kryetar të saj Faik Konicën. Nëse deri më sot jemi mësuar të shohim një profil tjetër të Konicës, atëherë Zavalani na bën një profil nga një këndvështrim krejtësisht personal, duke u bazuar në argumente. Ai nuk e sheh Konicën si njëri  nga liderët e Frontit të përbashkët për këtë arsye: “Prandaj, në qoftë se gjer dje z. Faik Konica aprovonte bashkimin e Shqipërisë me Italinë e Musolinit, ngrente në qiell të mirat që na i pruri 7 prilli, të cilën ne e quajmë një katastrofë kombëtare dhe dënonte me fjalët më revoltuese veprën heroike të atyre që “guxuan” të shtien mbi mbretin Viktor Emanueli, unë nuk shoh sesi po ai njeri mund të jetë sot një nga liderët e Frontit të përbashkët”.

Për këtë arsye nuk e mbështet emërtimin e tij si një nga udhëheqësit e “Vatrës”. Këtë madje arrin të na e jap me një mendim shumë interesant duke thënë që: “Ne shqiptarët nuk i ҫmojmë njerëzit sipas parimeve të tyre politike dhe veprimeve të tyre publike, por shkojmë akoma pas miqësive personale, prestigjit të titujve dhe të drejtave të fituara dikur”.

Një ngjarje mjaft interesante e cila i paraqet intelektualët shqiptar të ndarë në mendimet dhe mbështetjet e tyre, mbetet dita e flamurit, më 28 nëntor. Sotir Martini, është ai i cili dëshiron të mbajë në fjalim në këtë ditë. Zavalani, duke i njohur mjaft mirë vetitë e tij si njeri dhe duke e ditur që Sotir Martini, është ministër i oborrit mbretëror të Ahmet Zogut, kundërshton rreptësisht, për këtë arsye shprehet se problemi nuk qëndron tek përmbajtja e tekstit, por tek personi që do ta lexojë atë. Zvalani dhe Ndoci e bëjnë të mundur që urimi në radio të dal si një urim i thjeshtë vetëm nëpërmjet Kirkpatrickut dhe jo nëpërmjet Sotirit.

Një personalitet tjetër, mjaft i njohur, i cili do të bëhet jo vetëm pjesë e ditarit të Zavalanit, por edhe i letërkëmbimeve të tij është Fan Noli. Nolin, Zavalani, e sheh si një personalitet mjaft të denjë për udhëheqjen e shqiptarëve. Këtë qëndrim të tij madje nuk heziton të ia thotë as haptazi. Në shkrimet e tij na bën me dije për këtë letër që ia drejton Nolit, për të na dhënë më pas edhe vetë letrën, të cilën e fillon në një mënyrë shumë interesante, prej ku mund të shohim që kemi të bëjmë me një intelektual të vërtetë, që e njeh fushën e letërsisë, për të cilën edhe ka studiuar. Letrën e fillon duke thënë se kishte shkuar në bibliotekë dhe pikërisht këtu bën një degëzim interesant, ku lidhë bibliotekën me Nolin dhe letërsinë, e më pas me Shqipërinë. Zavalani e bën një lloj lëvdate për punën që po bën Noli në përkthime:“E studiova me kujdes përkthimin e Dashurisë së fundit me origjinalin dhe mund t’ju them se Rapush Bilbil Gramshi e ka qarë, si thonë andej nga neve”. Duke e vlerësuar lart punën në përkthime, Zavalani dëshiron që t’i bëjë me dije Nolit që po në të njejtën mënyrë do të vlerësohet edhe puna e tij në politikë, prandaj shkruan: “Duke u marrë me këtë vjershë thashë me vete se sikur Rapush Bilbil Gramshi t’i kushtonte politikës aq enerrgji dhe kujdes sa i kushton literaturës, sigurisht që shqiptarët do të ishin sot më të lumturit e njerëzve”.

Zavalani është gjithmonë në kërkim të njerëzve të cilët do t’i sjellnin të mira shqiptarëve dhe Shqipërisë. Për këtë arsye edhe punon, për këtë arsye në ditarin e tij mund të shohim aq shumë dëshirë për ndryshime dhe aq shumë përpjekje për të bërë Frontin i cili do t’i përfaqësonte ata denjësisht. Radio BBC ja bëhet një vend nëpërmjet të cilit Zavalani arrin që ndër të tjera të japë edhe transmetimet e para në gjuhën shqipe, këto transmetime dëshiron t’i bëjë me patjetër nga njerëz intelektual dhe të shquar.

Ditari dhe letrat na mundësojnë që ne të shohim prapaskenat e tërë atyre që janë shfaqur, qoftë në radio BBC, qoftë nëpër revista. Në anën tjetër shohim edhe prapaskenat e politikës shqiptare, rreth të cilin ky e njihte mjaft mirë, aq mirë sa edhe të mund të gjykojë ndërtimin e këtij rrethi, i cili sipas tij, nuk po i sillte të mira të vërteta shqiptrëve. Në ditar shohim një Tajar, i cili për këto dy vjet ҫdo ditë të jetës e ka ditë të punës, duke anashkaluar madje edhe personat më të dashur përballë atdheut, vetëm e vetëm, që të përmbushë idealin dhe qëllimin e tij, që të përparojë shqiptarët. Ky ideal dhe ky qëllim, ndonjëherë i gjenë mbështetje, e ndonjëherë i hasë në kundërshti, për të cilat edhe dëshpërohet. Por kjo i mundëson atij shpërfaqje të pushtetit të Ahmet Zogut, shpërfaqje të asaj që ndryshe dukej por ndryshe ishte. Përmes këtij ditari tejkalohen të gjitha dimensionet, tejkalohet në brendësinë e këtij rrethi i cili siҫ duket ngadalë po prishej. Shqiptarët, dalin edhe këtu si në shumë shkrime të tjera si popull që problemin në radhë të parë e kanë në mesin e tyre. Zavalani kërkon pikërisht zgjidhjen e këtyre problemeve, jo si zgjidhje të ҫfarëdoshme, por zgjidhje duke u bazuar në vepra të mira dhe në njerëz që premtojnë për një Shqipëri të pavarur në kuptimin e plotë të fjalës dhe jo për një Shqipëri e cila do të jetë nën hijen e Italisë apo edhe Greqisë, kundër së cilës edhe mban një fjalim ku ndër të tjera thotë se ҫdo komb duhet të jetë i lirë. Zavalani, punon për këtë Shqipëri të lirë dhe kërkon që të mbështetet në këtë mision.

“Ditari” si libër, na sjellë mjaft elemente interesante, duke bërë një gërshetim mes ditarit, shkrimeve të tjera, letrave e edhe fotografive, ku mund të shohim ndër të tjera fotografi të gazetës “Lirija” e fotografi të personaliteteve të ndryshme me të cilat Zavalani ka kontakte në jetën e tij. Ndër këta personalitete janë: Edith Durham, Kostë Ҫekrezi, Anton Logoreci, Mary Herbert, Faik Konica, Fan Noli, e shumë personalitete të tjera shqiptare, rrafsh i shquar intelektualësh nëpërmjet të cilëve Zavalani kërkon vetëm një gjë: të bëhen të gjithë bashkë për një Shqipëri më të mirë, të lirë dhe demokratike.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën Publicistikë letrare, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Eriola Ҫoҫaj./ KultPlus.com

Tesla: Nëse urrejtja juaj do të mund të shndërrohej në energji elektrike, do të arrinte të ndriçonte të gjithë botën

Nikola Tesla ka qenë një prej mendjeve më të mëdha të shkencës. Kontributi i tij ka qenë shumë i madh në fushën e elektricitetit dhe inxhinierisë. Ndonëse ndërroi jetë në vitin 1943, disa prej shprehjeve të tij kanë vlerë të madhe edhe sot. Ja disa prej tyre.

1.“Në shekullin 21, roboti do të zërë vendin që puna e skllavit zinte në qytetërimin e lashtë”

Me ardhjen e internetit, i cili na ka futur të gjithëve në epokën digjitale, ajo që Nikola Tesla ka thënë shumë vite më parë, nuk është e largët. Ne kemi mbërritur në epokën kur robotët marrin vendet e punës që dikur u përkisnin njerëzve. Robotët kanë ardhur për të qëndruar.

2. “Nuk më bëhet vonë që vodhën idenë time… Më bëhet vonë që nuk kanë një ide të tyren”.

Idetë origjinale përcaktojnë se ku je dhe ku mund të jesh. Shumëkush e nënvlerëson fuqinë e një ideje, por nëse mundesh që edhe ta shpikësh një ide, edhe ta vësh në zbatim, mundesh që ta arrish suksesin në cilëndo karrierë që ti zgjedh.

3. “Nëse urrejtja juaj do të mund të shndërrohej në energji elektrike, do të arrinte të ndriçonte të gjithë botën”

Pasionet apo emocionet mund të ndezin energji të tilla që përmbysin ngjarjet. Eshtë më mirë të jesh në gjendje të kontrollosh emocionet negative, dhe t’i shndërrosh në pozitive. Në vend që të lejoni urrejtjen tuaj të dominojë, përpiquni të fokusoheni për ta shndërruar dashurinë në një ombrellë të gjithçkaje që bëni.

4. “Nga të gjithë gjërat, më shumë më pëlqyen librat”

Thonë se udhëheqësit janë lexues. Me librat, ju mund të lidhni qenien tuaj dhe të lidheni me botën që ju rrethon, intelektualisht. Të gjithë njerëzit e suksesshëm kanë qenë lexues në një pikë. Atëherë, përse nuk e përcaktoni të ardhmen tuaj duke lexuar? Nuk është dembelizëm të jesh lexues. Në fakt mund të jetë përcaktuese për të ardhmen tuaj dhe njeriun që ju do të bëheni.

5. “Të jesh i vetëm, ky është sekreti i inovacionit; të jesh vetëm, kështu lindin idetë”

Nuk ka asgjë të përsosur në të qenit i vetëm. Por kur jeni vetëm, mund të përjetoni atë momentin e “Eurekës”. Kjo gjë bëhet shpesh e mundur kur jeni në gjendje të zhyteni në energjinë tuaj të brendshme. Shumë njerëz nuk e kërkojnë vetminë, por kur lidheni me brendinë tuaj, mund të krijoni shanse.

6. “Ne duam shumë sensacionet e reja, por shumë shpejt bëhemi indiferentë ndaj tyre. Mrekullitë e të djeshmes janë gjërat e zakonshme të të sotmes”

12 vjet më parë, nuk kishte Facebook apo smartphones. Bota nuk ishte aq e ndërlidhur dhe nuk kishte makina elektrike. Duket se ne mësohemi me gjërat, pak kohë pasi shfaqen. Pyetja është gjithmonë: po tani? Njerëzit duan gjithmonë më shumë, gjëra që nuk i kanë parë më parë. Dëshirat e njerëzve janë të pakufishme.

7. “Individi është kalimtar, racat dhe kombet venë e vijnë, por njeriu mbetet”

Ne nuk do të jemi këtu përgjithmonë, por trashëgimia jonë mund të jetojë edhe shumë kohë pasi të kemi ikur. Nuk mund të bësh shumë gjëra pa u lidhur me mjedisin tënd. Fokusohuni tek trashëgimia dhe jo tek thjeshtë ekzistenca. Mendjet e mëdha si Steve Jobs u fokusuan tek trashëgimia dhe jo vetëm tek madhështia individuale. Prekni jetë, dhe kur të keni ikur, historia juaj do të jetë aq origjinale sa të ndikojë tek të tjerët që duan të arrijnë gjëra në jetë.

8. “Virtytet dhe dështimet tona janë të pandashme, si forca dhe materia. Kur ndahen, nuk ka më njeri”

Nuk ka qenie njerëzore të përsosur. Ne formohemi prej pikave tona të forta dhe të dobëta. Nuk ka kuptim të ndash të parat nga të dytat. Ne duhet të jetojmë dhe të kënaqemi me atë që jemi.

9. “Momentet e mëdha lindin prej shanseve të mëdha”

Gjithçka varet se si përgatitesh për shansin dhe si e shfrytëzon kur të vijë. Kur shansi përkon me punën e madhe që ti bën, disa kanë prirjen që këtë ta quajnë fat. Puna e madhe nuk mund të arrijë gjë e vetme – ka nevojë për shansin. Sipas Teslës, prej kësaj lindin momentet e mëdha.

10. “Mund të jetoni e të shihni tmerre të shkaktuar nga njeriu, që sot as nuk i kuptoni dot”

Ky është një lloj parashikimi futurist, duke qenë se shkëlqimi i njerëzve duket se gjithmonë ushqen luftëra dhe shkatërrim. Kjo shprehje është një kujtesë se kapaciteti njerëzor është i pakufi, por mbetet në dorën tonë që ta përdorim për mirë./ KultPlus.com

Blerta Basholli falënderon Dua Lipën: Mirënjohëse, mbretëresha jonë Dua Lipa

Filmi “Zgjoi” po vazhdon të jetë filmi më i komentuar ditëve të fundit, e sidomos tash kur edhe është futë në listën e ngushtë të Oscars, shkruan KultPlus.

Dua Lipa përpos që ka shkuar në premierën e filmit në USA, ajo po e mbështetë këtë film artistik të Kosovës edhe nëpërmjet rrjeteve sociale.

Sërish, pas futjes në listë të ngushtë, Dua Lipa ka reaguar mbi këtë sukses, ku nuk kanë munguar më pas edhe reagimet e figurave të rëndësishme në modë e në film.

E për këtë mbështetje, vetë Blerta Basholli e ka falënderuar Dua Lipën, e cila e ka quajtur mbretëreshë. / KultPlus.com

Hapet ekspozita me fotografitë e ish presidentit Rugova

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës janë ekspozuar fotografi që pasqyrojnë aktivitetet të më shumë se tri dekadave të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku dhe deputetë të tjerë kanë marrë pjesë në hapjen e kësaj ekspozite me fotografi të Adnan Ruhunit.

Ai që nga viti 1991 ka përcjellë të gjitha aktivitetet e LDK-së dhe ish-presidentit Rugova.

Ai tha se synon që edhe në të ardhmen të realizojë ekspozita të tilla me fotografi të shumta.

Ky aktivitet është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës./ KultPlus.com

“Mosmarrëveshja” si shpërfaqje e sfidave të Shqipërisë dhe shqiptarëve

Shkrimtari Ismail Kadare, i lindur në Gjirokastër më 28 janar 1936, është ndër shkrimtarët më të mëdhënj dhe më të njohur bashkëkohor. Kontributi i tij në letërsi është gjithandej pasi ai është prozator, poet, dramaturg, skenarist, madje edhe publicist. Njëra ndër veprat e tij të shumta është edhe “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetvetes”, ku autori trajton shumë çështje e problematika shoqërore, kryesisht shqiptare ose të huaja por që direkt a indirekt lidhen me Shqipërinë dhe shqiptarët. Historia e Shqipërisë, e kaluara dhe e tashmja, në njërën anë trajtohen si rrjedhë e njëra – tjetrës, kurse në anën tjetër ballafaqohen mes vete në këtë vepër të Kadaresë, të cilin autori e ndërton me një stil të hollë dhe me një gjuhë sa të thellë, poaq të qartë, element ky i rrallë në letërsinë tonë shqipe. Kadare, gjithashtu, sjell një version të ri të mendimit shqiptar nëpërmjet kësaj vepre pasi që ai nuk lidhet shumë me traditën letrare dhe me traditën publicistike shqiptare. Pra, autori nuk i ka model publicistët e tjerë pararendës si Konica, Mithat Frashëri, Gjergj Fishta e të tjerë. Por, pavarësisht që Kadare nuk ka ngjashmëri në stil dhe në qasje me ta, përsëri në vepren e tij hasim shumë fenomene që i kanë disa nga pararendësit e tij, sidomos tek Konica me librin e tij “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”.

     Karakteristikë e kësaj vepre është se deri me tani është botuar e ribotuar plot tri herë, ku nga botimi në ribotim ka pasur ndërhyrje dhe ndryshime nga ana e autorit. Por, që të tri variantet e veprës i karakterizon e njëjta veçori: ajo që janë të veçanta si në stil, në qasje, tematikë, por edhe në strukturë, elemente këto që e veçojnë dhe e dallojnë Kadarenë nga paraardhësit e tij letrar.

Struktura

     Libri “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetvetes” ndahet në trembëdhjetë pjesë. Pra, qysh tek numri i pjesëve lexuesi has në një numër simbolik. Në një numër që shihet dhe përceptohet nga populli si numër i pafat, si numër që lidhet më të keqen dhe e sjellë atë. Trembëdhjetë pjesët e veprës mund të qëndrojnë si të veçanta në vepër, por ato përsëri përbashkohen si një tërësi e vetme pasi që kanë edhe një rend kronologjik që e ndjekin rrjedhshëm deri në kohën bashkëkohore.

     Veçantia tjetër e Ismail Kadaresë tek kjo vepër janë edhe referencat, të cilat janë të shumta, të gjata dhe tejet të qarta njëkohësisht. Pra, ato janë thuajse pjesë e veçantë në vetvete, tipar ky krejt i veçantë dhe i pahasur më parë në letërsinë tonë.

Stili

     Kadare veprën e shkruan me një stil dhe qasje krejtësisht ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim më parë. Ai e thyen tradicionalen. Në shikim të parë vepra duket të jetë e shkruar në prozë të mirëfilltë letrare, pasi i ka thuajse të gjitha elementet e saj, veçanërisht elementin e përshkrimit dhe të rrëfimit. Por, këtu Kadare e shkruan prozën eseistike, ku për këtë mund të themi lirisht se ai është ndër të parët dhe me të veçantit në tërë letërsinë shqipe.

     Autori në veprën e tij gërsheton dokumentaritetin me fiksionalen pasi që i gërsheton faktet dhe të njohurat kolektive me përvojat personale, siç është rasti i recitimit të himnit në Rusi dhe strofës problematike ku thuhej se të gjitha kombet do të zhduken e vetëm kombi shqiptar do të rrojë. Këtu kemi ndërlidhjen e strofës si fakt historik e shoqëror dhe ngjarjen personale të autorit lidhur me atë strofë, që e recitoi në mesin e studentëve që kishin kombësi të huaj e që strofa parashikonte pikërisht zhdukjen e tyre. Në këtë rast autori shkruan nga pikëpamja e adoleshentit, e jo nga këndvështrimi i autorit të pjekur siç bën në pjesë të tjera. Kësisoji, mund të pohojmë se, stili i tij është tërësisht i veçantë, që nuk ngjason me asnjë pararendës. Mund të theksojmë se me Faik Konicën autori pajtohet në shumë ide, padyshim shumë më shumë se me autorët e tjerë, por edhe me Konicën dallojnë në stil. Pra, të dy kritikojnë, të dy janë të ashpër, por stili është veçoria e tyre dalluese.

     Element tjetër është, ta themi kushtimisht, përzierja e zhanrit e cila edhe pse s’del tipikisht, përsëri është e pranishme. Përzirja zhanrore paraqitet kur Kadare trajton Shqipërinë Mbretërore të kohës së Ahmet Zogut, pasi aty paraqitet ditari i mbretëreshës Geraldinë. Kjo del edhe më vonë, kur autori thotë se hera e parë dhe e fundit që ai ka mbajtur ditar në baza ditore ka qenë koha e Luftës së Kosovës. Këtu kemi interferime të shkrimit të ditarit, andaj shkrimi publicistik i esesë kalon tek ditari.

Gjuha

     Gjuha e Kadaresë është gjuhë sarkastike, e rrjedhshme dhe tejet e qartë. Qartësinë e hasim qysh në titullin e veprës që është titull shpjegues dhe orientues. Titulli “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetvetes”, tregon se më kë e nga kush po sfidohet Shqipëria. Titulli është shpjegues pasi tregon se Shqipëria mbi të gjitha sfidohet nga vet Shqipëria dhe shqiptarët, dhe pa e kaluar sfidën me veten është e vështirë të kalohen sfida të tjera jashtë. Ndërsa, gjuha sarkastike, shpeshherë e mveshur edhe me ironi, haset nga fillimi e deri në fund, kurse shpërthyese është tek himni, ku autori përmes sarkazmës, çdo fatkeqësi të popullit e lidhë me strofën problematike të himnit.

Mbi ato që autori trajton në vepër

    Autori në të trembëdhjetë pjesët e veprës trajton tematika e probleme të ndryshme, çështje e fenomene të shumta, personalitete të njohura e të panjohura për publikun, ku e thotë mendimin e tij për secilin e çdo gjë pa u ndrojtur dhe pa frikë të keqkuptimit nga lexuesi. Autori tregohet shumë direkt në secilin objekt trajtimi që e ka në vepër. Ai fillon me himnin, ku potencon se në botë ka himn kushtuar shtetit, ka himn kushtuar kombit, ka himn mbretëror, por nuk ka himn kushtuar flamurit si në rastin tonë. Për këtë himni ynë, i cili edhe emërtohet “Himni i Flamurit”, është i veçantë e unik. Përveç himnit në vetvete që i kushtohet flamurit, unikaliteti i tij qëndron edhe në strofën që Kadare quan problematike, që e kishte shkruar Asdreni kohë më parë.

     Kadare në këtë vepër gjykon historinë, politikën, sunduesit, pushtuesit, pushtetët, shqiptare e jo shqiptare, pushtetarët, por edhe letërsinë e veprat letrare: vepra kryesore për Skënderbeun thotë ai është një poemë e Naim Frashërit, që më shumë se vepër e mirëfilltë letrare, ka qenë një vepër misionare e Rilindjes. Pra, ai gjykon, kritikon dhe jep konkluza edhe mbi veprat letrare në veçanti, si tek ky rast.

     Autori shkruan edhe për komunistët shqiptarë, ku ai niset nga formula e famshme e Marksit se komunistët nuk kanë atdhe, dhe mbi bazën e kësaj formule komunistët tanë shkatërruan gjithçka shqiptare: traditën, zakonin, kodet, veshjet, fetë, etj.

     Autori trajton edhe figura të shumta në vepër si Skënderbeu, Nënë Tereza, Kasëm Trebëshina e të tjerë. Skënderbeun e harron komunizmi në fillet e tij, por ai rikujtohet me 17 janar 1918, në pesëqind vjetorin e vdekjes së tij, kur edhe vendoset busti i tij në Tiranë. Atëherë u hoq Stalini dhe erdhi Skënderbeu, më pastaj krahas Skënderbeut vjen Enver Hoxha, e që hipotetikisht është zëvendësues i Skënderbeut në Sheshin e Tiranës, por që populli nuk e lejon këtë. Reagimi i autorit ndaj këtyre fenomeneve dhe personaliteteve nuk është i rastësishëm e as i momentit, ai së pari cakton gjërat që ishin të paprekshme sipas tij në Shqipëri e që më vonë ato sulmohen, siç janë: flamuri, himni, Skënderbeu, rilindasit, etj. Sulmi ndaj tyre është shkak që kjo vepër është shkruar. Kësisoji vepra është pasojë e sulmit ndaj gjërave të paprekshme siç u thotë Kadare. Por, ky nuk është motivi i vetëm i autorit, pasi disa nga këto çështje dhe problematika Kadare i ka trajtuar në esenë e tij, në polemikën e tij të gjatë që e ka pasur me Rexhep Qosjen, ku mospajtimet kryesore ishin me çështjet që lidhen me religjionin dhe historinë. Ajo polemikë mund të jetë motiv tjetër që Kadare shprehu interesim t’i zgjerojë idetë e tij në librin e tij që sot e kemi në dorë. Problemi i identitetit është problemi fundamental i Kadaresë, qoftë në polemikën e tij me Qosjen, qoftë në veprën “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetvetes”.  

     Hapësirë të madhe në vepër zë edhe Perandoria Osmane, ku autori e potencon që gjithçka lidhet me atë periudhë dhe se shumë problematika zanafillën e kanë atje. Autori nuk e ka hall vetëm Shqipërinë. Hall i ka shqiptarët. Si të tillë, ai e trajton edhe Kosovën dhe problemin e saj. Në suaza të problemeve të Kosovës, ai e trajton edhe shovinizmit serb, i cili mbi të gjitha është i bazuar në themelet e gënjeshtrës së shpërndarë si e vërtetë. Shqipëria dhe Kosova për autorin janë shqiptare, por mbi të gjitha Shqipëri natyrale e ndarë detyrimisht nga jashtë. Për këtë arsye autori dy shteteve u vendosi mbiemra: Shqipëria Londineze dhe Kosova Atlantike. Shqipërinë e quan londineze për shkak të konferencës së Londrës, kurse Kosovën e quan atlantike për shkak të ndërhyrjes së Amerikës në luftën e Kosovës me Serbinë.

     Temë tjetër që zë vend në veprën e tij është edhe Lufta e Kosovës e vitit 1999, ku autori thotë se është hera e tij e parë dhe e vetme kur ka mbajtur shënime thuajse në baza ditore. Ai merret me ata që ishin pro e kundër luftës, lexon, trajton dhe godet ose pajtohet me personalitete që shkruanin kolumne në gazeta të njohura jovendore.

Paralelizmat në vepër

     Autori idetë që i shfaq në vepër, shumë nga to, i paralelizon me ide të tjera kundërshtuese. Kësisoji i ballafaqon ato. Përveç ndërhyrjes së vet që nga fillimi, ku me raste pajtohet e me raste i kundërshton ato, kjo për të s’mjafton pasi ai ballafaqon idetë e të tjerëve me idetë tjerëve pa u përfshirë vet. Kushtimisht, autori gjindet në rolin e arbitrit. Përshembull, strofën problematike të Asdrenit e paralelizon me të Migjenit, i cili këtë strofë e quante “Kanga që s’kuptohej”. Në një rast tjetër, pikërisht këtë strofë (pra strofën: Se Zoti vetë e tha me gojë/ Se kombet shuhen përmbi dhe/ Por Shqipëria do të rrojë/ Për të, për të luftojmë ne) e ballafaqon me vargun e Naim Frashërit, ku ai thotë “Të gjitha kombet gëzojnë, ti Shqipëri pse s’gëzon”.

Kontrasti

     Përveç figurash tjera, i pranishëm në tekst është edhe kontrasti, me të cilin autori rrëfen shpeshherë ngjarje të vërtetuara historikisht, por që kur i vë në kontrast atëherë më shumë se interesante e ironike, duken edhe qesharake për lexuesin. Këtë e bën qëllimisht autori, në njërën anë për ta goditur popullin e tij, kurse në anën tjetër që ta bëjë tekstin më tërheqës për lexuesin. Kontrasti në vepër haset në shumë vende, por një rast ku del tipikisht është kur autori trajton Shqipërinë Mbretërore të kohës së Zogut. Atëbotë, Ahmet Zogu po bëhej me djalë, përveç tij, gëzohej edhe populli shqiptar që po bëhej me princ, ndërsa në anën tjetër është lufta që po e kërcenonte Shqipërinë. Këtu del figura e kontrastit, ku topos janë toka dhe qielli. Në të parën kishte gëzim për ardhjen e trashëgimtarit mbretëror, kurse njëkohësisht në të dytën paraqitet ardhja e avionëve ushtarak për ta sulmuar pikërisht atë pjesë toke që kishte gëzim.

Fakti dhe fiksioni

     Vepra e Kadaresë është e tillë, pra e njohur gjerësisht dhe e suksesshme edhe për arsyen se ajo gërsheton faktin dhe fiksionin në vetvete. Fakti është i pranishëm në vepër kur autori bën ndërlidhje me të vërtetat historike, më të njohurat shoqërore, me personalitetet publike e politike. Kurse, fiksioni është aty ku autori e interferon mitin e elemente tjera joreale që shkojnë kah letrarja, të cilat i përvesh me figura stilistike letrare e më gjuhë konotative.

Ballafaqimi dhe përballja

     Kjo vepër ka hapësirë edhe për ballafaqim e përballje. Autori ballafaqon idetë, temat e personalitetet që janë të njohura botërisht për publikun. Kadare këtu vjen me qasje të re pasi vet ai është i pazakonshëm në trajtimin e tyre, pra e thyen atë që është përseritur aq gjatë sa që është shndërruar në zakon. Ai guxon ta thotë mendimin e tij lirshëm. Flet kundër një strofe të himnit duke e ditur lidhjen e popullit me të. Flet kundër një njeriu që nga shumica dërrmuese njihej si disident. Kadare e godet Kasëm Trebëshinën. Këtë e bën duke filluar nga vepra letrare e për të kaluar më pas tek personaliteti i tij. Kadare për veprën “Mekami” thotë se Skënderbeu trajtohet si hajdut kuajsh e agjent i Italisë, kurse vet autori e shpallë veten turk. Për të vazhdon e shkruan, e sulmon aq shumë sa që mendja e lexuesit mund të shkojë se mos ka diçka personale Kadare me Trebeshinën. Por, për këtë nuk mërzitet Kadare. Ai thotë se pas zbritjes së disave në arkiva, ata u tronditën pasi zbuluan se Kasëm Trebeshina ishte pjesë e sistemit, ishte pjesmarrës në gjyqet komuniste, madje sipas Kadaresë, i cili i referohet arkivave, ai del të jetë urdhërdhënës i vrasjeve, madje ai del të jetë edhe vrasës direkt, madje – madje ai del të jetë edhe themelues i Sigurimit të Shtetit. Pra, Kadare sjellë risi me qasjen e tij direkte, e cila i kalon edhe përmasat e Konicës.

     Vepra e Kadaresë është vendpërballje edhe për Orientin e Oksidentin, ku dy topikat e ndryshme bëjnë ballafaqim tipik e specifik në tekst. Kadare këto dy vende, që më shumë se vende përfaqësojnë kultura të ndryshme, i vë në ballafaqim përmes dy përfaqësuesve: Skënderbeut, i cili e përfaqëson Oksidentin, kurse otomanët, të cilët e përfaqësojnë Orientin, kurse vet Kadare e çmon Skënderbeun, i cili sipas tij përveç hero kombëtar shqiptar është edhe hero evropian. Ai në këtë vepër e paraqet idenë se merita që ne jemi sot pjesë e Evropës i takon Skënderbeut, pasi ai e kishte vetëdijen se Shqipëria duhet të jetë pjesë e pashkëputshme e kësaj bashkësie.

Karakteri dhe qëllimi

     Veprat letrare e joletrare kanë karakter të ndryshëm, por jo çdo vepër letrare e joletrare ka qëllim. Madje, në letërsi pyetja “Për çfarë qëllimi është botuar ky libër” është pyetja shumë e rrallë, nëse jo e papërdorshme. Kjo për arsye se veprat letrare janë të liruara nga qëllimi. Madje kur ato kanë qëllim kjo ia zbeh vlerën letrare. Por, këtu përjashtim bëjnë veprat publicistike, sidomos vepra të cilën po e trajtojmë.

     Sa i përket karakterit, vepra ka karakter informues, polemizues e revoltues. Na informon për gjëra të njohura e të panjohura. Autori polemizon me figura e grupe njerëzish të cilët edhe i emërton si mohsa, strehsa, albanologë të rinj e të tjerë. Kadare revoltohet ndaj ideologjive e sistemeve, ndaj personave që e përfaqësojnë vetëm veten e tyre, si dhe atyre që përfaqësojnë më shumë se aq, ndaj fenomeneve e planeve famëkeqe.

     Sa i përket qëllimit, vepra vërehet se është thirrje e thirrja patjetër që bëhet për qëllime të ndryshme. Qëllimi i Kadaresë përmes kësaj vepre është të vë në pah një element: ndëgjegjësimin e shqiptarëve ndaj shtetit, të drejtës, të vërtetës, mendimit të lirë e kështu me radhë. Pra, është një vepër me gradacione kritike e cila bën dekompozimin e shpirtit shqiptar. Kombi ka qenë e është, shteti s’ka qenë – është bërë, por jo siç duhet sipas autorit. Për këtë arsye ai e fillon me Himnin e Flamurit e me Skënderbeun dhe vazhdon deri tek konstituimi i shtetit.

     Pra, vepra “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetvetes”, e cila fillon me këtë titull sugjestiv, përfaqëson një sprovë letrare, siç e potencon edhe Kadare, e cila trajton çështje që lidhen me nocionin, historinë, kulturën dhe gjuhën tonë.                 

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Publicistikë letrare”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Ardit Mehmetaj / KultPlus.com

Ernest Heminguej, misteri i vetëvrasjes së shkrimtarit, njeriut energjik, atij që sfidoi me zemër e me penë

Në orët e para të së dielës së 2 korrikut të vitit 1961, Ernest Heminguej, një nga shkrimtarët më të famshëm të Amerikës së shekullit të kaluar, u ngrit nga shtrati në shtëpinë e tij në Idaho. Ndërkaq, u kujdes që të mos e zgjonte bashkëshorten e tij, Mary. Më pas zbriti në hangarin ku mbante armët e zjarrit me të cilat dilte për gjah, e mbylli derën nga brenda, vuri në ballë pistoletën, shkeli këmbëzën dhe hodhi trutë në erë. Mjekët që erdhën më pas vendosën se ora e saktë e vetëvrasjes ishte ora 7 e mëngjesit. Ata që e panë thonë se Heminguej kishte zgjedhur disa nga veshjet më të mira të garderobës së tij për “rastin solemn”. Gruaja e tij, Mary i tha menjëherë medias se bëhej fjalë për një aksident dhe fatkeqësi dhe se nuk mund të thuhej se bashkëshorti i saj kishte vrarë veten, dhe ky rrëfim doli në faqet e para të medias amerikane.

Por Mary Welsh Heminguej do të duhet që të kalonte disa muaj për të kuptuar se në fakt i shoqi, ndryshe nga sa kishte besuar ajo, kishte vrarë veten dhe do të duheshin edhe 50 vjet të tjera për të bërë bashkë të gjitha pjesët e historisë së kësaj vetëvrasjeje, që fillimisht ishte e pakuptimtë. Si ishte e mundur që një njeri kaq energjik, kaq i mbushur me jetë dhe me fuqi të pashtershme, krejt papritur vendos që t’i japë fund vetes në një mënyrë kaq misterioze dhe mizore? Përse vallë? Biografitë e jetës së tij, që janë të shumta në numër, kanë bërë hamendësime në lidhje me probleme që ai mund të kishte pasur me karrierën, me ndonjë problem që mund t’i kishte dalë gjatë udhëtimeve të shpeshta jashtë vendit, por askush nuk kishte mundur që të arrinte në një konkluzion. Vetëm një psikiatër nga Hustoni i Teksasit arriti që të bënte bashkë disa fakte dhe prova, që më në fund të mund të jepnin një shpjegim. Pas një studimi të gjatë ai i nxori në dritë përfundimet e tij.

Jeta e idealizuar e Heminguejit, ajo që vetë shkrimtari donte që të tjerët të dinin si të vërtetë, është e thjeshtë: ai ishte njeriu perfekt, sinteza perfekte e trurit dhe shpirtit. Ishte gjithmonë një njeri i tërhequr nga misteri i aventurave dhe ndërkaq pinte shumë, ishte shumë energjik dhe pëlqente jetën intensive. Ai ndërkohë ishte edhe shkrimtari më i mirë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sa kohë që ishte gjallë, shkrimtari që i dha jo vetëm vendit të tij, por të gjithë botës një prozë të mrekullueshme, pa ato lajlelulet e shkrimtarëve viktorianë, një prozë të mprehtë, pa ujëra e me shumë përmbajtje dhe finesë. Ai u plagos në frontin italian gjatë Luftës së Parë Botërore, ra në dashuri me një infermiere të bukur, të cilës i kushtoi edhe librin “Lamtumirë armë”. Në vitin 1920 ishte në krye të listës së shkrimtarëve amerikanë dhe artistëve që përqafuan Parisin.

Mes tyre ishte edhe i famshmi Fizxherald. Në vitin 1930 ai shkoi në Spanjë për të luftuar për republikën, kundër Frankos dhe shkroi librin “Për kë bien kambanat?”, në të cilin një amerikan trim dhe hero bie në dashuri me një fshatare guerile me emrin Maria. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai mori pjesë në zbarkimin në Normandi dhe më pas ishte aty edhe ditën kur u çlirua Parisi. Pas lufte ai shkoi të jetonte i qetë me bashkëshorten e tij të katërt në Kubë. Aty peshkonte dhe ndërkohë shkruante kryeveprën e tij “Plaku dhe deti”, me të cilën mori edhe çmimin “Nobel”. Ngado që shkonte pritej si hero, e megjithatë i dha fund ditëve të jetës së tij në një hangar nga një aksident banal. Kjo të paktën është historia zyrtare. Në vitet që pasuan vdekjen e rij, megjithatë, nisën që të dilnin në dritë copëza të jetës së tij të panjohur. Për shembull, disa nga kujtimet e luftës. Hemingueji ishte vetëm 18 vjeç kur shkoi në Luftën e Parë Botërore, por jo si ushtar në betejë.

Ai kishte një problem me syrin e majtë, e megjithatë u plagos në këmbën e majtë dhe u shtrua në spital në Milano me tre pacientë të tjerë ku ndodheshin edhe 18 infermiere. Edhe pse romanca e tij me infermieren me të cilën ra në dashuri nuk u konsumua, Hemingueji ra në dashuri me artin dhe kulturën e Italisë, dhe pinte verë e shpesh kalonte një kohë shumë të bukur. Në Paris, ku ai shijoi idilin e parë me bashkëshorten e tij të parë, Hadley me të cilën solli në jetë djalin John, ai nisi që të bënte emër si shkrimtar, por nga ana tjetër demonstronte edhe ndryshime të mëdha të humorit dhe të temperamentit, duke i lënë shpesh njerëzit që e rrethonin të habitur. Kishte edhe një tendencë, që të kthehej kundër atyre që e ndihmonin më shumë. Në atë kohë braktis Hadlein me të birin dhe lidhet me Pauline Pfeiffer, një vendim për të cilin u pendua dhe u zhyt në një det faji. Me të shkuan në Florida. Aty u fiksua pas lojës me dema, sepse në vetvete i pëlqente gjaku dhe arti i të vrarit.

Në librat e tij, si për shembull në librin “Vdekja pasdite”, Hemingueji shkruan edhe për një lloj filozofie personale në lidhje me vdekjen, por ishte diçka e ngatërruar dhe e vështirë për t’u ndjekur. Kishte, ndërkohë pasion edhe peshkimin, madje peshkimin e rrezikshëm, atë në të cilin vihet koka në rrezik. Pikërisht në këtë periudhë, pra nga viti 1928 deri në vitin 1936, ai i dha vetes imazhin e njeriut muskuloz e të veprimit, të nxirë nga dielli, që pinte pa fund me peshkatarët. Në Spanjë, gjatë Luftës Civile nuk shkoi për të luftuar, siç bëri Xhorxh Oruell, por sepse e kishin dërguar që të raportonte për luftën. Ishte i dërguar i gazetës së Aleancës së Veriut. Një shkak tjetër ishte edhe se e dashura e tij e re, Martha Gellhorn do të shkonte gjithashtu aty. Për shumë kohë ka deklaruar se ai nuk kishte mbajtur anë në lidhje me palët gjatë raportimeve që bënte nga lufta, se kishte qenë i paanshëm dhe tërësisht i drejtë nga këndvështrimi dhe se nuk donte që të shihte Shtetet e Bashkuara të përfshira në një luftë përtej oqeanit. Por kur ishte në Madrid, pavarësisht bombardimeve, ai kaloi kohën më të mirë të jetës së tij duke shijuar net të gjata me vodka dhe haviar në ‘Gaylord Hotel’, zyrat qendrore ruse.

Hemingueji kërkonte që të shfaqej si një njeri luftarak, si një pjesëmarrës aktiv në luftë, ndërkohë që ishte thjesht një diletant me fat, që mund të largohej nga Spanja në çdo kohë që do ta dëshironte. Në lidhje me Madridin e vitit 1936, ai shkroi një dramë me titullin “Kolona e pestë”, në të cilën flitet për Dorotinë, një gazetare femër e cila dashurohet pas Filipit, një spiun të fortë, shumë pijanec, që ishte maskuar si korrespondent lufte. Në këtë pjesë rrëfen shumë pjesë të jetës që ai në të vërtetë i jetoi në atë kohë në Spanjë. Kur Amerika hyri në luftë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1944, Hemingueji shkoi në Britaninë e Madhe me një mision të ashtuquajtur “biznes prioritar”, dhe ndërkohë shkruante edhe artikuj për revistën e forcave ajrore britanike ‘RAF’. Ishte një detyrë e vështirë. Ai prenotoi një dhomë në Dorçester, ku hiqej si një shkrimtar i madh amerikan, fama e të cilit ende nuk kishte mbërritur në Europë, por shumë shpejt do të ndodhte.

Gjatë kësaj kohe merrte pjesë në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha mbrëmjet dhe darkat e organizuara në hotel, duke marrë lart e poshtë komplimente për maçizmin e tij, trupin dhe mjekrën e famshme madje. Kur pësoi një aksident automobilistik, pasi kishte dalë i bërë tapë nga një mbrëmje me pije, Marta Gellhorn do të shkonte menjëherë në Britaninë e Madhe për të parë heroin e saj dhe do të qeshte me të madhe me bëmat e tij aspak heroike. Por Hemingueji, i etur për veprim dhe për një jetë intensive, u nis për në Normandi, në divizionin e gjeneralit Paton. Ai ishte në këtë mision një lloj korrespondenti lufte, që njëherazi pëlqente që të shfaqej edhe si një lloj ushtari apo njeriu luftarak.

Me çlirimin e Parisit, ai kaloi një kohë të mirë duke zbavitur të dashurën e tij të re, Mary Welsh. Është e lehtë që të hedhësh baltë ndaj Heminguejit, sepse nuk do të ishte e vërtetë që t’i mohohej ajo që ka bërë. Ai pëlqente shumë që të ishte i pranishëm në mesin e luftës, në betejën e Bugit, përmes Ardenesë, teksa shihte plumbat që merrnin jetë njerëzish dhe binin përreth tij. Por gjithsesi, mund të thuhet se ajo çka ai bënte nuk mund të quhet trimëri, por një psikozë vetëdramatike që ai kishte. Dhe më pas kur merr në shqyrtim imazhin e Heminguejit si hero arrin që të zbulosh një nënshtresë shumë të hollë vetëshkatërrimi. Zbulon se përgjatë gjysmës së jetës së tij ai është përpjekur që të vetëshkatërrohet.

Pikërisht në momentin kur ishte duke përfunduar veprën e tij “Lamtumirë armë” në vitin 1928, i ati i tij, Clarence, u vetëvra me një plumb në kokë. Dhe ky ishte fillimi i turbullirave të mëdha për shkrimtarin, ishte momenti kur bota nisi që t’i shembej pak nga pak. Një nga provat më të dukshme të kësaj ishin një sërë aksidentesh fizike të çuditshme që ndodhën njëri pas tjetrit, një pjesë e madhe e të cilëve kishte të bënte me përplasje të kokës së tij dhe madje edhe me dëmtime në vende të ndryshme të saj. Njëri prej këtyre incidenteve e la me një të çarë të madhe në kokë të cilën iu desh që ta qepte. Ai tha se ishte një incident që i kishte ndodhur në banjë ndërsa po përpiqej që të dilte nga vaska. Ishte rrëzuar dhe kishte shkaktuar të çarën e madhe. Por ishte një aksident që u pasua edhe nga shumë të tjerë të këtij lloji që nga jashtë të linin përshtypjen se diçka po ndodhte me të. Një tjetër aksident që i shkaktoi gjithashtu dëmtime ishte një përplasje që pësoi me makinë, pasi kishte pasur një zënkë me të dashurën e tij.

Ajo gjithashtu i shkaktoi një të çarë të madhe në kokë, e cila kërkoi shumë kohë që të shërohej. Tre muaj pas këtij aksidenti hipi në një motobarkë dhe bëri një rrugëtim shumë të rrezikshëm për t’iu shmangur zjarrit gjerman ndërsa ishte në Normandi, para zbarkimit historik. Ai si pasojë vuante shumë nga dhimbjet e kokës, nga pagjumësia, kishte shpesh të vjella, shfaqte probleme të mëdha të kujtesës ndërsa fliste, madje kishte raste kur kishte edhe probleme me të folurin. Kur u kthye në Kubë pas luftës u përplas sërish me makinë dhe shkaktoi prapë të çara në kokë. Pesë vjet më pas, ndërsa kishte pirë sërish pësoi aksident, por këtë herë me varkë dhe sigurisht si çdo herë dëmtonte veten. Në njëfarë mënyre ishte duke u përpjekur që të rivalizonte të atin. Por plagosjen më të rëndë e pati në janar të viti 1954. Ai dhe Mary u nisën nga Nairobi i Kenias me një avion të vogël drejt Kongos belge. Në afërsi të ujëvarës Viktoria, ai tentoi që ta ulte avionin dhe pati një ulje shumë problematike në një copë tokë shkëmbore. Për disa kohë askush nuk arriti që të kuptonte nëse ai ishte gjallë, apo kishte vdekur, madje u përhap edhe fjala se ai ishte vrarë për vdekje. Në fakt kishte, pësuar një frakturë në kafkë dhe bëhej fjalë për diçka të rëndë këtë herë. Por në fakt edhe këtë herë Hemingueji kishte qenë me fat. Edhe këtë herë përdori kokën për të dalë nga avioni i shkatërruar duke e goditur derën me kokë dhe duke dalë jashtë së bashku me Mary-n.

Vetëm pak minuta pas kësaj, avioni u përfshi nga flakët dhe u shkatërrua. Këtë rast ai më pas e tregonte gjithmonë si një pragmatizëm prej supermeni, por në fakt ishte rasti që mund t’i kishte marrë me të vërtetë jetën dhe ishte mrekullia e Zotit që e mbajti gjallë. Por dëmet që pati vazhduan që t’i krijonin probleme deri në fund të jetës. Në spital konstatuan se përplasja ia kishte dëmtuar skalpin e kokës në mënyrë të pariparueshme dhe i kishte prekur edhe njërin vesh. Madje, pak nga i ashtuquajturi lëngu cerebral i ishte derdhur në vesh duke e lënë shurdh. Fytyra i kishte pësuar djegie të shkallës së parë për të mos folur për ndrydhjet e gjymtyrëve, apo shembjet e brinjëve, çarjen e mëlçisë dhe shtypjen e veshkave. Si për çudi një rast thuajse i ngjashëm iu përsërit jo fort larg në kohë, por një muaj më pas.

Këtë herë tentoi që të shuante një zjarr të vogël dhe në vend që ta shuante ra në flakë dhe vuajti një djegie të gradës së dytë në këmbë, në shpinë, në buzë dhe në krahun e djathtë. Shija e vazhdueshme dhe kronike që kishte Hemingueji për vetëdëmtim mund të krahasohej vetëm me zellin e tij të madh për të pirë sasi të mëdha alkooli. Janë të shumta dëshmitë dhe dëshmitarët, të cilët e kanë parë të zbrazë shishe të tëra vere dhe konjaku gjatë mbrëmjeve të ndryshme që organizonte me miqtë, apo gjatë eventeve të ndryshme në të cilat merrte pjesë. Kishte raste kur përziente shumë pije njëherazi dhe zelli me të cilin pinte nuk ngjante me një varësi ndaj alkoolit, por me zellin për të dëmtuar dhe goditur veten. Ishte një tjetër dënim fizik që i bënte vetes. Kishte edhe dënime të tjera që i bënte vetes si dalje për peshk në temperatura shumë të ulëta çka i jepte një dhimbje shumë të madhe në veshka. Por problemi i tij me pijen vazhdoi që të përkeqësohej me vdekjen e të atit. Ernest shkoi te një mjek në vitin 1937 duke iu ankuar për dhimbje të forta stomaku. Por ai u diagnostikua në fakt me dëmtim shumë të rëndë të mëlçisë dhe mjeku i tha se nëse do të donte që të jetonte edhe disa vjet duhet që të hiqte dorë menjëherë nga alkooli. Sigurisht që ai e bëri veshin të shurdhër. Shtatë vjet më vonë, në vitin 1944, kur Martha Gellhorn i bëri një vizitë në spital ajo nën shtratin e tij gjeti shishe të tëra likeri të zbrazura nën krevat. Në vitin 1957, doktori i tij Aj Monnier i shkruante: “I dashur Ernest duhet menjëherë që të ndalosh së piri alkool.

Kjo është me rëndësi shumë të madhe”. Por Ernesti si edhe në rastet e tjera nuk e vuri ujin në zjarr. Çfarë ndodhte në të vërtetë me Heminguejin. Përse vallë gjithë ajo sasi alkooli e konsumuar, gjithë ajo dëshirë për të shkuar në vende betejash dhe luftërash, gjithë ato aksidente dhe përplasje të vazhdueshme të kokës? Kë po dëmtonte ai në mënyrë të vazhdueshme dhe shpesh të dëshpëruar? Çfarë donte që të provonte? Disa përgjigje dolën në vitin 2006 përmes një artikulli të gjatë në revistën “Psikiatria Amerikane”. Artikulli titullohej: “Ernest Hemingueji: një autopsi psikologjike e një vetëvrasjeje”. Ishte psikiatri Kristofer Martin ai që kishte lexuar me shumë kujdes të 15 biografitë që ishin bërë për Heminguejin dhe të gjitha shkrimet e tij dhe në përfundim dha një vlerësim për karakterin e vërtetë të shkrimtarit të madh. Edhe pse bëhet fjalë për një ekzaminim dytësor, gjithsesi është i vlefshëm. Mjeku nuk e pati aspak të vështirë që të konstatonte se shkrimtari i madh kishte vuajtur nga çrregullimi bipolar, varësia ndaj alkoolit, plagosja traumatike e trurit dhe me shumë gjasa edhe narcizizmi. Ai pa edhe se në familjen e Heminguejit prindërit e tij, fëmijët e tyre, vetë djali i tij dhe mbesa ishin të gjithë me diagnoza maniako-depresive.

Madje, mbesa e Heminguejit ishte e pesta në familje që kishte tentuar vetëvrasjen. Ishin pikërisht krizat e tij që e bënin Heminguejin shumë prodhimtar dhe gjenial në të shkruar. Megjithatë, sipas mjekut, traumat që kishte pësuar Hemingueji kishin ndodhur në dy episode të fëmijërisë. E ëma e tij shpesh e vishte të birin si një çupë e vogël dhe i thërriste kukull. Ai vazhdimisht e urrente të ëmën dhe mënyrat e saj të kontrollit mbi të dhe shpesh kur u rrit e përmendte në biseda të ndryshme duke iu referuar “kurva”. Por edhe me të atin nuk është se kishte ndonjë marrëdhënie të mirë. Ai e rrihte shumë shpesh të birin pa mëshirë me rripin e mesit. Nga inati që i ziente për brenda ai shkonte në oborr dhe bënte sikur i qëllonte të atit me armë zjarri në kokë. Kur ai vrau veten dhe Hemingueji ishte në moshën 29-vjeçare janë të shumtë ata që besojnë se Hemingueji u ndie fajtor, ngaqë kishte ëndërruar aq shumë që ta vriste. Për të qetësuar veten, ai fajësoi të ëmën për vrasjen e të atit dhe nisi që ta urrente edhe më shumë. Të gjitha këto situata duket se janë shtuar dhe rënduar në fund të jetës dhe ka shumë mundësi që ishin ato që e çuan në përsëritjen e aktit të të atit, në vetëvrasjen fatale që i mbylli jetën më 2 korrik të vitit 1961. /KultPlus.com

Mësuesja e quajti një mendjeprishur, të sëmurë mendor, nëna e quajti gjeni, lexojeni këtë rrëfim për të kuptuar fuqinë e fjalës

Tomas Edison* u kthye një ditë nga shkolla me një letër në dorë. “Nënë këtë letër ma ka dhënë mësuesja. Më tha të mos e hap por të ta jap vetëm ty ta lexosh”

Me sytë e përlotur nëna e tij filloi t’ia lexonte të birit me zë të lartë:
“Biri yt është një gjeni, dhe kjo shkollë është shumë e vogël për të. Ne nuk kemi mjaft mësues të mirë për ta trajnuar, prandaj ju lutemi që ta mësoni vetë në shtëpi”.

Shumë vite më vonë, nëna e tij vdiq dhe Tomas Edisoni ishte bërë një nga shpikësit më të mëdhenj të kohës. Ndërsa kërkonte në sendet dhe letrat e të ëmës, në një cep të sirtarit të tavolinës së saj të punës, gjeti një letër të mbështjellë. Në të shkruhej: “Zonjë, biri yt është një mendje prishur (i sëmurë mendor). Ne nuk e lejojmë të kthehet më në këtë shkollë!”

Edisoni qau për orë të tëra dhe pastaj shkroi në ditarin e tij: “Tomas Alva Edison ishte një fëmijë mendje prishur, i cili me ndihmën e një nëne heroinë u kthye në gjeniun e shekullit”

Fjalët e një nëne kanë fuqi të paimagjinueshme. Ato burojnë nga një zemër që e sheh fëmijën e saj me sy ndryshe. Të tjerët mund ta shohin fëmijën tonë si më pak të talentuar, pa vlerë, pa asgjë të vecantë që mund të kontriubojnë për këtë shoqëri. Ajo që ka rëndësi është si i shohim ne si nëna fëmijët tanë. Cfarë shikojmë ne tek ata: potencialin brenda tyre apo portretin e pashpresë që të tjerët mund të na paraqesin për ta.

Le të bëjmë një pakt me veten për të mos u dorëzuar, por për t’i dhënë krahë potencialit të fëmijëve tanë ashtu si nëna e Tomas Edisonit. Le të flasim fjalë bekimi dhe jo mallkimi mbi fëmijët tanë, le t’u themi: t’i mundesh, në vend që ti nuk di të bësh asgjë. Le t’i themi ti vlen, në vend që t’i tregojmë se shoku apo shoqja e klasës janë më të mirë, më të aftë, më të zgjuar se ata. Le t’u flasim fjalë jete dhe shprese, sepse kështu bën Perëndia me ne.

*Tomas Edison shpiku llampen inkadeshente, sistemin energjitik, telegrafin, mikrofonin etj. Ai i dha hov revolucionit industrial./KultPlus.com

Bill Gates për Omicron: Mund të jemi duke hyrë në pjesën më të keqe të pandemisë

Sipas tij, kjo valë do të zgjasë tre muaj, të paktën në Shtetet e Bashkuara.

“Këto muaj mund të jenë të rëndë, por besoj ende që nëse ndërmarrim hapat e duhur, pandemia mund të përfundojë në vitin 2022”, tha Gates.

Sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins, në SHBA janë regjistruar që nga nisja e pandemisë 51,5 milionë raste, ndërsa 812 069 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi. Në të gjithë botën, numri i rasteve të konfirmuara me virus është mbi 277 milionë, ndërsa 5,377 551 persona kanë humbur jetën nga COVID-19.

“Duhet ta marrim seriozisht, derisa të dimë më shumë për të. Edhe nëse është i rrezikshëm sa gjysma e variantit Delta, do të sjellë valën më të keqe që kemi parë deri tani, për shkak se është shumë infektues”, tha Gates./ KultPlus.com

Dua Lipa mbështeti filmin “Zgjoi”, pronarja e Versace: Kosova ka shumëçka për t’u krenuar

“Mrekulli! Ti duhet të jesh shumë krenare Dua, Kosova ka shumëçka për t’u krenuar”, ka qenë komenti i Donatellës, pronares së Versace, në postimin e këngëtares shqiptare Dua Lipa, e cila po mbështetë filmin “Zgjoi”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, që tashmë është futë në listën e ngushtë për çmimin Oscar, shkruan KultPlus.

Dua Lipa me këtë rast kishte shkruar se është shumë krenare për këtë dhe se kjo është mënyra më e mirë për ta përfunduar këtë vit, postim në të cilin ka shkruar Donatella Versace.

“Zgjoi” bën pjesë në listën e ngushtë të 15 filmave ndërkombëtare për edicionin e 94-të të Çmimit Oscar.

Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.

Yllka Gashi është aktorja kryesore e këtij filmi që ka bërë bujë në të katër anët, duke u shpërblyer me shumë cime prestigjioze, e që tash është në ethet e çmimeve Oscar./ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CXyaOcXsYJe/?utm_source=ig_embed&ig_rid=e9f24a55-7d34-4188-806c-f516d0df7cac

Nëntë fëmijë i keqpërdorte për lëmoshë, arrestohet nga policia

Në orët e mbrëmjes të 21 dhjetorit, gjatë patrullimit në rrugën “Zenel Salihu” në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person të dyshuar për veprën Trafikim me njerëz dhe ka identifikuar nëntë persona kryesisht të mitur ( lëmoshë kërkues).

Pas përfundimit të procedurave policore me vendim të prokurori i arrestuari B.S  është dërguar në mbajtje.

Njoftimi i plotë i policisë:

Arrestohet një person i dyshuar për trafikim me njerëz
Mbrëmë rreth ores 19:30, njësitet policore të stacionit Qendra në Prishtinë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore më rrugën “Zenel Salihu” në Prishtinë, kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën Trafikim me njerëz dhe ka identifikuar nëntë persona kryesisht të mitur ( lëmoshë kërkues).
Aksioni është zhvilluar në një shtëpi të braktisur, në rrugën e sipërshënuar, ku dhe janë sekuestruar:
– një sasi e parave ( mbi 1000 euro)
-dy telefona
-3.40 gr substancë narkotike dhe
– një armë e frohtë (thikë).
Personi i dyshuar:
-B. S mashkull 39 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas përfundimit të procedurave policore me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

https://www.facebook.com/KosovoPolice/posts/4807428979317600

“Kam vendosur të rri me dashurinë, urrejtja është një barrë shumë e madhe për t’u mbajtur”

Thëniet më të bukura të të gjitha kohërave të Martin Luther King.

Jeto Ëndrrën tënde.

Dr. Martin Luther King Jr, një aktivist i fuqishëm dhe frymëzues i të drejtave civile në fillimit të viteve 1960, luajti një rol të madh në mënyrën se si ne e pranojmë dhe trajtojmë njëri-tjetrin – pavarësisht nga raca apo gjinia.

Dr King është i njohur gjerësisht sot si një aktivist amerikan që vazhdimisht dhe në mënyrë efektive mbronte paqen, dashurinë dhe barazinë midis njerëzve. Ai ishte një njeri me besim dhe moral të lartë, që e veçoi atë nga shumë aktivistë të tjerë të kësaj kohe.

Forca shtytëse në pjesën më të madhe të jetës dhe fjalimeve të tij ishte gjithnjë paqja. Metoda e tij e dashurisë dhe pranimit për të gjitha qeniet njerëzore është ajo që e bëri një nga figurat publike të njohura në të gjithë historinë amerikane.

Duke nxitur krijimin e një jete aktive që gati 61 vjet më parë, Dr. King u bë shpejt fytyra dhe drejtuesi i lëvizjes për të drejtat civile. Ai luajti një rol në organizimin e Marshit në Uashington dhe është krijuesi i fjalimit të famshëm “Unë kam një ëndërr” (I have a dream…), i cili tërhoqi një turmë prej gati 250,000 njerëzish.

Përmes fjalimeve të tij dhe shërbimit të tij të palodhshëm për botën, ishte e qartë se në gjuhën e tij kishte fuqi dhe në zemër kishte pasion.

Ndërsa pranvera e vitit 2020 do të shënojë 52 vjet nga vrasja e doktor Martin Luther King Jr., trashëgimia dhe ndikimi i tij mbi një komb ka mbetur i përjetshëm. Këmbëngulja e tij për të përmirësuar veten për të dashuruar në mënyrë të efektshme njëri-tjetrin është arsyeja pse mesazhi i tij nuk mund të vdesë kurrë; sepse është gdhendur në zemrat e shumë njerëzve.

Dhe për të nderuar trashëgiminë e tij, çdo vit, Dr. King festohet në të gjithë vendin. Bëmat e tij të mira reflektohen dhe përdoren si mjete motivimi dhe fjalë inkurajimi.

Këtu do të lexoni 50 thëniet më të mira të MLK që mbështesin mënyrën e tij të fuqishme dhe të nderuar të të jetuarit të jetës.

Ai besonte se të gjithë e meritonin drejtësinë.

Nuk është e mundur të dëshmosh drejtësinë për disa njerëz dhe të mos dëshmosh drejtësinë për të gjithë njerëzit.

Ai besonte të jetonte një jetë të qëllimshme.

Jeto sikurse Jezusi vdiq dje, u ngrit këtë mëngjes dhe do të kthehet nesër.

Ai e dinte që urrejtja është një mashtrim pre e së cilës asnjëri prej nesh nuk duhet të bjerë kurrë.

Mos lejo kurrë që dikush të të ulë aq poshtë sa të detyrohesh ta urresh atë.

Dhe se gjithmonë duhet të flasim për atë në të cilën besojmë.

Vjen një kohë kur heshtja është tradhti.

Ai mësoi se injoranca nuk të bën kurrë të lumtur.

Asgjë në të gjithë botën nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.

Ai besonte te përkujdesja.

Pyetja më e vazhdueshme dhe urgjente e jetës është, çfarë po bëni për të tjerët?

Dashuria është gjithmonë përgjigja.

Errësira nuk mund të dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë atë. Urrejtja nuk mund të dëbojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë atë.

Dhe që ne duhet të jemi më të mirët në çdo gjë që vendosim të bëjmë.

Nëse një njeri punon për të pastruar rrugët, ai duhet t’i pastrojë rrugët ashtu siç pikturoi Michelangelo, ose kompozoi Beethoven, ose siç Shekspiri shkruajti poezi. Ai duhet t’i pastrojë rrugët aq mirë sa të gjithë ushtritë e parajsës dhe të tokës do të ndalen dhe të thonë, ai jetoi si një pastrues i shkëlqyer që e bëri mirë punën e tij. – Martin Luther King Jr.

Duhet të kemi më shumë besim.

Fuqia jonë shkencore e ka tejkaluar fuqinë tonë shpirtërore. Ne ndërtojmë raketa por nuk kemi ditur të ndërtojmë qenie të denja njerëzore.

Kini besim në procesin e gjërave.

Besimi bën hapin e parë edhe kur nuk i shihni të gjitha shkallët.

Jepini të gjitha.

Nëse nuk mund të fluturoni, atëherë vraponi, nëse nuk mund të vraponi, atëherë ecni, nëse nuk mund të ecni, atëherë zvarrituni, por çfarëdo që bëni duhet të vazhdoni përpara.

Ajo që ka më shumë rëndësi është ajo që ke brenda.

Kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb në të cilin ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.

Ai besonte në të bërit gjënë e duhur.

Vjen një kohë kur njeriu duhet të marrë një pozicion që nuk është as i sigurt, as politik, as popullor, por ai duhet ta marrë atë sepse ndërgjegjja e tij i thotë se ka të drejtë.

Dhe se njohuria jonë është fuqi.

Funksioni i edukimit është të mësojë dikë të mendojë intensivisht dhe të mendojë në mënyrë kritike. Inteligjencë plus karakter – ky është qëllimi i edukimit të vërtetë.

Drejtësia duhet të jetë forca më e fortë.

Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo.

Dhe duke folur për njerëzit që duam.

Në fund, ne do të kujtojmë jo fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë.

Ai besonte se nuk mund të humbet vizioni se kush jeni.

Sa më të pasur ne jemi bërë materialisht, aq më të varfër bëhemi moralisht dhe shpirtërisht. Ne jemi mësuar të fluturojmë në ajër si zogj dhe të notojmë në det si peshq, por nuk kemi mësuar artin e thjeshtë të të jetuarit së bashku si vëllezër.

Urrejtja është e paefektshme.

Duke e kthyer urrejtjen me urrejtje e shumëfishon urrejtjen, duke thelluar errësirën nata sonte është pa yje. Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë atë. Urrejtja nuk mund ta largojë urrejtjen, vetëm dashuria mund ta bëjë atë.

Çdo moment është i rëndësishëm.

Koha është gjithmonë e duhura për të bërë atë që është e drejtë.

Mbroni shpirtin tuaj, bëni atë që është e drejtë.

Asnjëherë, mos kini frikë të bëni atë që është e drejtë. Sidomos nëse mirëqenia e një personi ose kafshe është në rrezik. Dënimet e shoqërisë janë të vogla në krahasim me ato që i imponojmë shpirtit kur shikojmë në anën tjetër.

Unë ju them sot, miqtë e mi, që përkundër vështirësive dhe zhgënjimeve të momentit, kam ende një ëndërr.

Larg nga imoraliteti.

Asnjëherë mos harroni se gjithçka bëri Hitleri në Gjermani ishte e ligjshme.

Dashuria është më e lehtë se urrejtja.

Kam vendosur të rri me dashurinë. Urrejtja është një barrë shumë e madhe për t’u mbajtur.

Fol për atë në të cilën beson.

Jetët tona fillojnë të mbarojnë ditën kur ne heshtemi për gjërat që kanë rëndësi.

Është një përgjegjësi e madhe që vjen me pushtetin.

Për të qenë të shkëlqyeshëm, duhet të jeni të gatshëm të talleni, të urreheni dhe ë keqkuptoheni. Qëndroni të fortë.

Dhe kurrë mos e lejoni urrejtjen brenda vetes.

T’i thuash jo dhunës nuk do të thotë vetëm të shmangësh dhunën fizike të jashtme, por edhe dhunën e brendshme të shpirtit, jo vetëm që nuk pranove të qëllosh një njeri, por ti refuzove ta urresh atë.

Guximi është më i madh se frika.

Guximi është fuqia e mendjes për të kapërcyer frikën.

Dhe ligjet janë të rëndësishme.

Mund të jetë e vërtetë që ligji nuk mund ta bëjë një njeri të më dojë mua, por unë mund ta ndaloj atë të mos më linçojë, dhe mendoj se edhe kjo është mjaft e rëndësishme.

Dhe ta gjesh brenda vetes që të duash plotësisht.

Karakteri është mënyra se si i trajtoni ata që nuk mund të bëjnë asgjë për ju.

Ai besonte se ruajtja e paqes është një proces.

Ata që e duan paqen duhet të mësojnë të organizohen po aq efektivisht sa ata që e duan luftën.

Ka fuqi në të nënvlerësuarën.

Pothuajse gjithmonë, pakica krijuese dhe e përkushtuar e ka bërë botën më të mirë.

 Dashuria është hapi i parë.

Për të gjithë konfliktin njerëzor, njeriu duhet të krijojë një metodë që refuzon hakmarrjen dhe agresionin deri në shpagim. Themeli i një metode të tillë është Dashuria.

Të jetosh një jetë të qëllimshme.

Nuk ka asgjë më tragjike sesa të gjesh një individ të zhytur në gjatësinë e jetës, pa marrë asgjë prej saj.

Ai besonte në luftën për një qëllim.

Kur keni të drejtë nuk mund të jeni shumë radikal; kur gaboni nuk mund të jeni shumë konservatorë.

Mendoni për të tjerët.

Çdo njeri duhet të vendosë nëse do të ecë nën dritën e altruizmit krijues apo në errësirën e egoizmit destruktiv.

Më shumë fuqi për ju, dhe më pak për ta.

Injoranca juaj është fuqia e tyre.

Dhe duke bërë gjënë e duhur.

Dikush ka një përgjegjësi morale të mos i bindet ligjeve të padrejta.

Nëse jeni rehatuar, kjo do të thotë se po funksionon.

Një njeri nuk mund të gjykohet kur është aty ku ai qëndron në momente rehatie dhe komoditeti, por ku bën ballë në kohë sfidash dhe polemikash.

Kini pak më shumë besim.

Më përdor, o Zot. Më trego si të kuptoj kush jam unë, kush dua të jem dhe çfarë mund të bëj dhe ta përdor këtë për një qëllim më të madh se unë.

Ne duhet të ecim përpara – së bashku.

Progresi njerëzor nuk është as automatik, as i pashmangshëm … Çdo hap drejt qëllimit të drejtësisë kërkon sakrificë, vuajtje dhe luftë; përpjekje të palodhshme dhe shqetësim pasionant të individëve të përkushtuar.

Me dashuri, gjithçka është e mundur.

Dashuria është forca e vetme e aftë për të shndërruar një armik në një mik.

Shpresa është ajo që na lidh si popull.

Ne duhet të pranojmë zhgënjimin e fundëm, por kurrë nuk duhet të humbasim shpresën e pafundme.

Të gjithë jemi të barabartë.

Mund të kemi ardhur të gjithë me anije të ndryshme, por tani jemi në të njëjtën anije.

​​Bashkimi është e vetmja mënyrë për të gjetur paqen.

Ne duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër, ose të zhdukemi së bashku si idiotë.

Është e rëndësishme të mësojmë nga gabimet tona të së kaluarës.

Ne nuk jemi krijues të historisë. Ne jemi bërë nga historia.

Ne jemi më të mirë.

Unë refuzoj të pranoj mendimin se njerëzimi është i lidhur në një mënyrë aq tragjike me mesnatën pa yje të racizmit dhe luftës, sa e nesërmja e paqes dhe vëllazërimit nuk mund të bëhet kurrë realitet. Unë besoj se e vërteta e paarmatosur dhe dashuria e pakushtëzuar do të kenë fjalën e fundit.

Ngrihuni në këmbë dhe lëreni zërin tuaj të dëgjohet.

Rebelim është gjuha e padëgjuar.

Paqja është e vetmja mënyrë.

Paqja nuk është thjesht një qëllim i largët që ne kërkojmë, por një mjet me të cilin arrijmë atë qëllim. / KultPlus.com

Fjalët e fundit dhe kafja e djegur e Faik Konicës

Për shqiptarin më të veçantë në historinë tonë, edhe vdekja ashtu duhej të ishte. Nuk e prishi rregullin Faik Konica në momentet e fundit të jetës së vet.

Është e shkruar nga studiuesi i njohur i tij, Nasho Jorgaqi, që një ditë më parë se t’i ndahej shpirti nga trupi, Konicës iu dogj kafeja në dhomën e tij. Dhoma iu mbush me tym dhe u deshën ca minuta të mira të vendosej normaliteti.

“Nuk më duket shenjë e mirë kjo”, mësohet t’i ketë thënë Nolit. Por, çudia nuk mbaroi këtu. Hëngri drekë të rëndë, një bërxollë shumë të madhe dhe kur mbaroi tha: “Nuk do ha mish për tri ditë”. Por, në mbrëmje ai vdiq nga një atak në zemër.

Megjithatë, historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu.

Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament, sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe. Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por, Enveri e kishte shpallur armik me kohë Konicën dhe nuk e bëri këtë.

Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995, eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës dhe kjo është përmendur, por për hir të vërtetës, testamenti origjinal i tij nuk është botuar asnjëherë. / KultPlus.com

Shpallen dhjetë finalistët e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa”

Ka disa ditë që ka përfunduar konkurrimi për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’, ku edhe po shënon edicionin e katërt të kësaj gare mbarëkombëtare.

Juria profesionale e këtij konkursi e përbërë nga Sali Bashota, kryetar i jurisë dhe Nerimane Kamberi e Arbër Selmani, me shumë përkushtim kanë bërë  vlerësimin e poezive dhe kanë zgjedhur 10 poezitë finalistë të këtij konkursi.

Finalistët e konkursit janë: Agon Rexhepi, Afrim Demiri, Bekim Shala, Gentiana Bajrami Atashi, Flamur Dardeshi, Liridon Mulaj, Nikas Kaca, Redon Elshani, Shazim Mehmeti e Valentina Broja.

Mbrëmja finale dhe poetike e këtij konkursi do të enjten, më datë 23 dhjetor, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery. Në këtë mbrëmje do të jenë prezentë  finalistët e konkursit ku edhe do të lexohen poezitë dhe do të shpërblehen tri vendet e para fituese.

Ngjarja është e hapur për të gjithë.
‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë KultPlus, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus. / KultPlus.com

Walt Disney, njeriu që na bëri të fluturojmë në botën e fantazisë

Ishte vetëm 22 vjeç kur në vitin 1923 u nis drejt Kalifornisë, me një biletë vajtje-ardhje dhe 40 dollarë në xhep. Ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore,ishte shndërruar në bosin e industrisë më të lulëzuar të filmit në Hollivud. Ai vdiq në Los Anxhelos më 15 dhjetor 1966.

Emri i tij është kthyer tashmë në një legjendë në historinë e kinemasë. Fitues i 26 çmimeve Oskar, dhe i shumë çmimeve të ndryshme ndërkombëtare, Diznej ka emocionuar dhe argëtuar shumë breza spektatorësh, duke arritur një sukses kaq të madh sa që shpesh konsiderohet si shpikësi i filmave vizatimorë.

Në fakt kjo teknikë ekzistonte prej rreth 20 vitesh, por ishte imagjinata dhe vendosmëria e Diznej ajo që e ngriti në majë. Uollter Elias Diznej Xhunior, i katërti nga pesë fëmijë, lindi në Çikago në vitin 1901 në një familje me origjinë modeste. Vitet e fëmijërisë ishin të vështira.

I ati, një burrë shumë autoritar, e detyroi të punonte me orë të tëra në aktivitetet familjare, dhe nuk i kurseu ndëshkimet trupore ndaj tij. I riu e ngushëllonte veten me vizatimin, një nga pasionet e tij më të mëdha; me lojërat që luante bashkë me vëllain e tij pak më të madh Roin; me përrallat e dashura që i lexonte e ëma në mbrëmje; dhe me magjinë e kinemasë të Çarlie Çaplin.

Menjëherë pas studimeve mbi artin midis Kansas Sitit dhe Çikago, Uollti nisi t’i përkushtohej animacionit. Hapat e parë i hodhi në bashkëpunim me mikun e tij Ub Ajuerks. Të dy realizuan disa filma me metrazh të shkurtër. Por kohët ishin të zymta dhe plot vështirësi financiare.

Në këto kushte ai u transferua në Los Anxhelos, duke shpresuar për një fat më të mirë në karrierë. Në fakt i i riu Uollt nisi të ecte shumë shpejt, dhe në vitin 1923 themeloi kompaninë e tij të prodhimit “Disney Brothers Cartoon Studio”, së bashku me vëllain e tij. Atje nisi të punojë krah për krah me një vajzë elegante dhe bukuroshe të quajtur Lilian Baunds:Ai vizatonte, ajo i mbushte me bojë. Por mungesa e talentit artistik, dhe një farë interesi i Uollt ndaj saj, e nxitën atë të ndërronte punë dhe të bëhej sekretarja personale e Diznej, dhe menjëherë më pas bashkëshortja e tij. Ata martuan në vitin 1925, dhe në 1933 patën vajzën e tyre të parë dhe të vetme biologjike, Diana Maria.

Për të festuar lindjen e saj, Uollt njoftoi se në ditën e parë të premierës së çdo filmi të kompanisë së tij, shfaqja do të ishte falas për të gjithë jetimët. Disa vite më vonë ata adoptuan vajzën e tyre të dytë, Sharon Mae. Lili dhe Uollt do të jetonin bashkë deri në vdekjen e tij në vitin 1966.

Në vitin 1927, lindi seriali i lepurit me fat Osvald, një personazh që Ajuerks e shndërroi shpejt në një mi duke ripunuar disa skica. Lilian e pagëzoi me emrin Miki Maus, dhe ishte vetë Diznej, ai që i dha atij personalitet dhe zë. Ishte pikërisht ky personazh emblema e perandorisë Diznej, që bëri debutimin e tij me zë.

Filmi i shkurtër i vitit 1928 u quajt “Avullorja Uilli” dhe u prit me shumë entuziazëm. Një pionier i vërtetë i teknikave të animacionit, Diznej ishte gati të rrezikonte falimentimin në mënyrë që t’i ngrinte prodhimet e tij në një formë të re arti.

Pas futjes së zërit në këto filma, ai eksperimentoi me përdorimin e muzikës dhe ngjyrës, për të përmirësuar atmosferën e filmave të tij të shkurtër, të cilët arritën kulmin e tyre më të suksesshëm në vitin 1933 me “Tre derrkucat e vegjw”. Për Diznej, animacioni ishte mjeti me të cilin tregoheshin histori, të cilat zgjonin një gamë të gjerë emocionesh.

Ishte ky vizion që solli në vitin 1937realizimin e filmit të parë artistik në historinë e animacionit  “Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhat”. Ky film jo vetëm që arkëtoi shumë fitime dhendikoi në zgjerimin e kompanisë (e cila u rrit në mbi 1000 punonjës), por i hapi rrugën prodhimit të shumë klasikëve të tjerë, si “Fantazia” dhe “Pinoku” (që të dyja në vitin 1940), “Dumbo” (1941), Bambi (1942), “Hirushja” (1950), “Liza në Botën e Çudirave” (1951), dhe “Piter Pan” (1953).

Megjithatë, në shumë prej filmave të tij, ndikim fantastik i Diznej merr një dimension më të thellë dhe më të errët. Sipas biografisë së Mark Eliot “Uollt Diznej, princi i errët i Hollivudit, në çdo film artistik pasqyronte aspekte të ndryshme të temës së gjerë të cilën ai e kishte më shumë për zemër:shenjtërinë e familjes.

Nuk është rastësi që tema më e prekur është ajo e braktisjes dhe kërkimit të prindërve të vërtetë nga protagonistët. Kur ishte në moshë të re, pasie pati të pamundur të merrte pjesë në Luftën e Parë Botërore sepse ishte i mitur, Uollti zbuloi mos-ekzistencën e certifikatës së tij të lindjes.

Ai nisi të dyshojë se mos ishte birësuar, aq sa me këtë arsye nisi të justifikonte ndëshkimet që kishte pësuar kur ishte fëmijë. Kjo trashëgimi e nxiti atë ta shihte kompaninë e tij si një familje të madhe, një prirje që i bëri goxha të forta grindjet me punonjësit.

Karakteri i tij despotik, i krijoi jo pak probleme në marrëdhëniet e tij me animatorët. Shumë shpejt raportet u bënë shumë konfliktuale, sidomos kur Uillt nuk donte të njihte kontributin e tyre si krijues. Për më tepër pagat e ulëta, shkarkimet e pajustifikuara nga puna dhe refuzimi i mbledhjes së punonjësve në një sindikatë, i shtuan konfliktet.

Në majin e vitit 1941 punonjësit hynë në një grevë të plotë. Ata mbanin në duart parulla në hyrje të kinemasë, ndërsa iu bashkuan qindra qytetarë që mbanin pankarta me slogane dhe karikatura të personazheve të famshëm të Diznej. Përplasja zgjati dy muaj, derisa autoritetet federale njohën të drejtën e grevistëve për rritjen e pagës, për pushime të paguara, për rikthimin në punë të të shkarkuarve si dhe për ekzistencën e sindikatës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, studiot e Disnej u angazhuan gjithashtu për të prodhuar filma propagandistikë për llogari të qeverisë amerikane. Midis dhjetëra filmave, më i njohuri dhe fitues i Oskarit për filmin më të mirë të shkurtër të animuar është “Fytyra e Fyhrerit”, me protagonist Donald Dauk që përjeton makthin e të jetuarit nën regjimin nazist.

Por angazhimi politik dhe ideologjik i Diznej nuk përfundoi me përfundimin e konfliktit. Tensionet e Luftës së Ftohtë dhe fillimi i “gjuetisë së shtrigave” ndaj komunistëve të dyshuar që goditi edhe Hollivudin në vitet 1950, panë vendosjen e Uollt Diznej në krye të luftës kundër “rrezikut komunist”.

Nën këtë arsye, ai nisi të largojë nga puna disa punonjës që kishin hyrë në grevë vite më parë. Ai dëshmoi në Komitetin kundër Aktiviteteve Anti-amerikane (HUAC), dhe denoncoi infiltrimin e komunistëve në kompaninë e tij. Në vitet e Makaritzmit,ai ishte një informator i FBI-së, që drejtohej nga miku i tij Xh.Edgar Huver. Diznej la gjurmë të pashlyeshme edhe në kinema me filmin “Meri Popins”, i publikuar në vitin 1964, 2 vjet para vdekjes së tij. / Focus – Bota.al/ KultPlus.com