Koncerti recital i Bujar Qamilit, qindra qytetarë dhe turistë në shesh

Bujar Qamili, artisti i njohur shkodran, Nderi i Kombit, dhuroi emocione të forta në një natë magjike për publikun e tij të zemrës, në koncertin recital të mbajtur mbrëmjen e djeshme në sheshin para bashkisë Shkodër.

Nën moton “Qejfi bahet me shkodranë”, qindra qytetarë dhe turistë krijuan një atmosferë unike, duke kthyer këtë ngjarje në një festë të paharrueshme për Shkodrën.

Koncerti zgjati për disa orë dhe solli në skenë emra të njohur të muzikës shqiptare si Artiola Toska, Shkëlzen Jetishi dhe Mateus Frroku, të cilët u pritën me duartrokitje të gjata nga një publik që nuk ndaloi së kënduari.

Në përfundim të koncertit, Bujar Qamili, falënderoi publikun shkodran për dashurinë dhe energjinë e jashtëzakonshme që i dhuroi gjatë gjithë mbrëmjes.

Edhe këngëtarët e ftuar e cilësuan pjesëmarrjen në këtë koncert si një privilegj të veçantë, për të ndarë skenën me një emër të madh të muzikës shqiptare.

Kjo mbrëmje muzikore e organizuar nga Bashkia dëshmoi se Shkodra është jo vetëm qyteti i artit dhe kulturës, por edhe i mikpritjes dhe festës./atsh/ KulPlus.com

Gonxhja në Panairin e Librit Shqip në Preshevë: Së shpejti konkretizojmë marrëveshje bashkëpunimi

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja mori pjesë në Panairin e parë të Librit Shqip në Preshevë.

“Privilegj e kënaqësi, nder e krenari të jesh në Preshevë si ministër i Qeverisë shqiptare, me porosinë e veçantë dhe vëmendjen e Kryeministrit Edi Rama, në tokën ku kultura shqiptare jetohet me kaq dashuri e përkushtim, çka na frymëzon e na motivon të jemi edhe më pranë e të bëjmë edhe më shumë për sfidat që na bashkojnë”, u shpreh ministri Gonxhja.

Ai falënderoi kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe gjithë komunitetin e Luginës së Preshevës për mikpritjen e ngrohtë në Panairin e parë të Librit Shqip në Preshevë.

Gonxhja bëri të ditur se së shpejti, MEKI do të lidhë një marrëveshje bashkëpunimi enkas për Preshevën, që do të mundësojë projekte e programe shkëmbimi profesionale, ture e eksperienca krijuese, mbështetje teknike e promovim traditash, arti, kulture e trashëgimie./ atsh/ KultPlus.com

Seanca e 36-të: Nesër përpjekja e radhës drejt konstituimit

Të hënën në orën 11:00 mblidhet sërish Kuvendi i Kosovës me të njëjtën arsye –konsituimin.

Nesër regjistrohet tentative e 36-të ku deputetët e zgjedhur do të tentojnë ta funksionalizojnë parlamentin, njofton Klankosova.tv.

Seanca e 35-të që u zhvillua të shtunën, dështoi me të njëjtën arsye, mosvotimi i komisionit të fshehtë për votimin e kreut të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e betuar e AAK-së, Time Kadrirjaj tha të shtunën pas dështimit të seancës se moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës po bëhet qëllimshëm nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kumbaro: Aplikacioni TEA e çon turizmin përtej kufijve, përdorues nga 126 shtete

Kalendari turistik i eventeve verore edhe këtë vit vjen i harmonizuar në aplikacionin TEA (Tourism Events of Albania).

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi sot të gjithë të interesuarit ta instalojnë këtë aplikacion, për të mos humbur asnjë nga aktivitetet turistike që zhvillohen në vend.

Kumbaro vlerësoi se TEA është aplikacioni shqiptar që e çon turizmin përtej kufijve, ndërsa vuri në dukje se përdoruesit e këtij aplikacioni vijnë nga 126 shtete të botës.

“TEA udhëton kudo ku ka dëshirë për të zbuluar Shqipërinë, prandaj përdoruesit e saj vijnë nga 126 shtete të botës, sepse Shqipëria nuk është vetëm një destinacion, por një ndjesi që e merr me vete kudo”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Aplikacioni TEA këtë sezon veror ofron një përvojë të përmirësuar dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë bukuritë natyrore dhe kulturore të vendit.

Versioni më i fundit i TEA-s, Guidës Digjitale 360° për turizmin në Shqipëri, përmban: informacion të detajuar mbi plazhet publike dhe private përgjatë të gjithë vijës bregdetare shqiptare; Imazhe, përshkrime dhe koordinata të sakta për secilin destinacion bregdetar; Mundësi raportimi të shkeljeve apo problematikave, duke e kthyer aplikacionin në një mjet bashkëpunues mes turistëve dhe institucioneve; Evente kulturore, sportive dhe tradite, për të promovuar dimensionin shumëplanësh të turizmit në Shqipëri; Shërbime utilitare, që ndihmojnë turistët në planifikimin dhe orientimin gjatë udhëtimit të tyre në Shqipëri.

TEA nuk është thjesht një aplikacion informativ. Ai përfaqëson një filozofi të re të zhvillimit të turizmit, të bazuar në teknologji, transparencë dhe përfshirje qytetare. Përdoruesit tashmë kanë një burim të besueshëm në telefonin e tyre, që jo vetëm i orienton drejt përvojave më të mira, por edhe i fuqizon për të ndikuar pozitivisht në përmirësimin e shërbimeve.

Duke ndërtuar ura midis trashëgimisë natyrore, kulturës dhe teknologjisë, Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion inteligjent dhe mikpritës në hartën e turizmit ndërkombëtar./atsh/ KultPlus.com

Nis Festivali Ndërkombëtar i Muzikës dhe Valleve, 400 artistë nga Evropa në Durrës

Amfiteatri Antik i Durrësit është kthyer në një skenë ndërkombëtare të kulturës dhe traditave popullore.

Mbrëmjen e së enjtes nisi Festivali Ndërkombëtar i Muzikës dhe Valleve, ku rreth 400 artistë nga vende të ndryshme të Evropës pritet të sjellin muzikën, vallet dhe kostumet tradicionale të vendeve të tyre, si dhe një atmosferë të bukur në qytet.

“Ky festival e ka nisur rrugëtimin në Durrës që nga viti 2016. Çdo vit kemi më shumë pjesëmarrës që sjellin kulturën e tyre dhe njohin atë shqiptare. Sivjet kemi vendosur të sjellim edhe një edicion tjetër në Sarandë, në muajin tetor”, tha Zoran Strezovski, organizator i festivalit.

Në natën e parë të festivalit u ngjitën në skenë grupet nga Polonia, Bullgaria, Lituania, Rumania dhe Shqipëria.

“Jemi nga Polonia, përfaqësohemi me dy grupe. Është hera e dytë që vijmë këtu dhe na pëlqen shumë atmosfera”, artist nga Polonia.

Ky festival është tashmë një ngjarje e përvitshme që ka zënë vend të rëndësishëm në kalendarin kulturor të qytetit dhe synon të vazhdojë edhe gjatë verës, duke e kthyer Durrësin në një pikë takimi të kulturave botërore./euronews.al/ KultPlus.com

Muzikantët e famshëm me probleme dëgjimi, nga Ludwig van Beethoven deri tek Phil Collins, Eric Clapton

Nga Albert Vataj

Muzika mund të jetë vajtuese, e qetë, agresive, por mbi të gjitha ajo duhet dëgjuar me zë të lartë. Mendoni për koncertin më të mirë që ju keni marrë pjesë ndonjëherë. Muzika është melodioze dhe të bën për vete, por kur ktheheni në shtëpi, ju vëreni zukatje në veshë nga tingujt e fortë të melodisë. Tani, imagjinoni muzikantët, që veshët e tyre kanë më shumë ekspozim, shumë më të shpeshtë me tingujt. Rasti më i veçantë i kësaj liste është ai Ludwig van Beethoven. Viti 1802 është një vit shumë i vështirë për të pasi e dashura e tij Xhulieta Guiciardi të cilës i kishte kushtua “Sonata nën Dritën e Hënës” e lë dhe bashkë me të edhe dëgjimi i tij, i cili kishte filluar t’i shfaqë probleme që prej vitit 1796. Trishtimi i tij ishte aq i madh sa që kompozon “Testamenti i Hailingestatit” dhe ua dërgon dy vëllezërve të tij me lutjen që të lexohet dhe të kryhet pas vdekjes së tij. Fillon duke thënë: “O njerëz që më konsideroni dhe më gjykoni te ligë dhe gjysmënjeriu sa shumë padrejtësi më bëni. Zemra ime që kur isha fëmijë ishte e dhënë pas Mirësisë. Ndihesha gati të realizoja gjëra të mëdha. Por mendoni se këtu dhe gjashtë vite më ka goditur një fatkeqësi e pakorrigjueshme… Kisha vendosur të jepja një fund. Vetëm arti më përmbajti. Më dukej e pamundur të braktisja botën pa përfunduar çfarë isha destinuar të japë”. Megjithatë, këta muzikantë kanë arritur të krijojnë muzikë që do ta kujtoni për tërë jetën.

Neil Young


Neil Young (lindur më 12 nëntor, 1945), është një kantautor kanadez, i cili është konsideruar si një nga muzikantët më me influencë të gjeneratës së tij. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e muzikës dhe zë një vend të veçantë në muzeun e “The Rock and Roll Hall of Fame and Museum”, që ndodhet në Ohio, USA. Në këtë muze shpaloset historia e disa artistëve, producentëve më me influencë që kanë kontribuar në industrinë e muzikës dhe veçanërisht të zhanrit të muzikës Rock and Roll. Young ka qenë nderuar nga muzeu “Hall of Fame” si solo artist në vitin 1995 dhe si anëtari i bandës “Buffalo Springfiled”, grup amerikan i muzikës rok. Këngët më të bukura janë baladat “Heart of Gold” dhe kryevepra e “hard rock” është “Cowgirl in the Sand”, e cila ka pasur një kritikë të suksesshme dhe popullaritet të pabesueshëm. Nëpërmjet të gjithave, ai ka vuajtur nga “tinnitus” – “zukatje në veshë”, shqetësim i përbashkët për muzikantët e muzikës rok and roll, e cila konsiston në një tringëllimë të vazhdueshëm në vesh. Young ka krijuar mbi 30 albume unike.

Ozzy Osbourne

John Michael “Ozzy” Osbourne (lindur më 3 dhjetor, 1948) është një kantautor anglez, karriera e të cilit shtrihet më shumë se 40 vjet. Osbourne konsiderohet si një nga pionierët e parë të bandës “Black Sabbath” të muzikës “heavy metal” dhe mbetet një nga muzikantët më të suksesshëm i të gjitha kohërave. Gjithashtu, ai është edhe organizuesi i “Ozzfest”, festival që zhvillohet çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila mirëpret grupe të ndryshme të muzikës “heavy metal”. Pavarësisht nga sukseset e tij, Osbourne vuan nga humbja e dëgjimit.
Në dhjetor të vitit 2010, Osburne shiti më shumë se 100 milionë disqe në të gjithë botën. Po në vitin 2010, fitoi “Literary Achievement”, çmim i dhënë nga Sony Pictures Studio, Kaliforni.

Phil Collins

Philip David “Phil” Collins (lindur më 30 janar të vitit 1951) është një kantautor, pianist, aktor. Këngëtari britanik u bë i famshëm si si vokalist dhe baterist me grupin e rrokut “Genesis”. Këngët e tij kanë qenë në vendet e para të hitparedeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe në periudhën midis 1978 dhe 1994. Mbas dyzet vitesh suksesi, muzikanti legjendar ka bërë të ditur se ai po vuan nga një sërë problemesh me shëndetin vitet e fundit. Dëgjimi i tij është dëmtuar nga të luajturit live dhe ka pasur shqetësime me shtyllën kurrizore, gjë e cila bën të pamundur uljen e tij sërish në bateri.

George Martin

George Martin (3 janar, 1926) është një producent, kompozitor dhe muzikant anglez. Shpesh herë ai është referuar si “the Fifth Beatle” – “Bitellësi i Pestë”, titull që i është vënë falë punës së tij si producent i albumeve origjinale të grupit të famshëm “The Beatles”. Gjithashtu, ai është konsideruar si një nga producentët më të mëdhenj i të gjitha kohërave, ku 30 herë radhazi ka qenë në krye të hitparedit anglez dhe 23 herë në hitparedin amerikan. Martin ka kompozuar edhe kolonat zanore të filmave “Yellow Submarine” 1968, dhe “Live and Let Die” 1973. Ai ka marrë shumë çmime nderi ndër to më i fundit është “Doctor of Music” nderuar nga Universiteti i Oxford-it më 29 qershor të këtij viti. Si Collin ai është i detyruar të tërhiqet nga muzika për shkak se dëgjimi i tij është i dëmtuar.

will.i.am


William James Admas, Jr (15 mars, 1975), njohur më shumë si will.i.am është kënge autor, aktor, producent dhe raper amerikan. Ai u bë më shumë i njohur si themeluesi i grupit të muzikës pop dhe hip hop “The Black Eyed Peas” së bashku me këngëtaren e muzikës pop apl.de.ap dhe “Taboo”, më vonë njohur si këngëtarja Fergie. will.i.am ka realizuar disa albume të suksesshme si “Monkey Business and Elephunk” 2003. Si producent muzike ai ka bashkëpunuar me artistë të njohur të muzikës si Britney Spears, U2, Rihanna, Justin Timberlake, Juanes dhe shumë të tjerë. Çmimi i fundit ka qenë në 2010 si “Best Pop Performance by a duo or Group” me këngën “I Gotta Feeling”. Sipas will.i.am, çdo heshtje është e ndërprerë nga një tingëllim i dhimbshëm, e cila e frymëzon atë për të krijuar muzikë në të gjitha orët e ditës.

Brian Wilson


Brian Douglas Wilson (lindur më 20 qershor, 1942) është një muzikant amerikan, i famshëm si kantautori i grupit “The Beach Boys”.
Wilson si shumë të tjerë muzikantë ka pasur probleme me dëgjimin. Bob Dylan një tjetër muzikant i famshëm ka thënë për shqetësimin e Wilson-it: “ Jezus, shiko atë vesh. Ai duhet t’ia dhurojë atë Smithsonian”. Smithsonian USA, është kompleksi më i gjerë kërkimor në botë ku përfshihen 19 muze, 9 qendra kërkimore dhe është binjakëzuar me më shumë se 140 muze në botë. Edhe pse me shumë probleme shëndetësore, ai orkestroi një nga albumet më të shkëlqyer i të gjitha kohërave “Pet Sounds”, 1966. Përveç çmimeve të tjera marra gjatë karrierës së tij, më 20 maj 2011, Wilson u nderua me çmimin “George and Ira Gershwin Award” nga Universiteti i Kalifornisë në Los Angelo-s.

Jeff Beck


Geoffrey Arnold “Jeff” Beck (lindur më 24 qershor, 1944) është një kitarist anglez. Karriera e tij filloi duke lozur me “The Yardbirds”, grup muzikor roku formuar në vitet ’60. Në të njëjtin grup kanë qenë edhe kitaristi i shquar Eric Clapton dhe Jimmy Page. Gjithashtu, Beck formoi edhe dy grupe të tjera muzikore “The Jeff Beck Group” dhe “Beck, Bogert&Appice”. Ai është renditur i 14 në listën e “Rolling Stone” (revistë muzikore amerikane) si një nga kitaristët më me influencë të muzikës rok. Kanali amerikan MSNBC e ka cilësuar si “kitaristi i kitaristëve”. Shumica e këngëve të tij janë instrumentale. Stili muzikor i këngëve të tij janë jazz fusion, blues-rok dhe heavy metal. Në 4 Prill, 2009 ai u fut në “Rock and Roll Hall of Fame of Museum” si anëtari i grupit “The Yardbirds” në vitin 1992 dhe si solo artist në vitin 2009.

Eric Clapton


Eric Patrick Clapton ( lindur më 30 mars, 1945) është një kitarist, këngëtar dhe kompozitor anglez. Kitaristi legjendar ka qenë pjesëtar i grupeve rok “Cream” dhe “The Yardbirds”, në këtë grup ka qenë edhe Jeff Beck. Karriera e tij njihet më shumë si solist. Stili i muzikës që ai loz është blues dhe rok. Vitin që shkoi, nxori një album “antik”, ku përzgjodhi rreth 20 këngë të shkruara mes viteve ’30 dhe ’50. Clapton thekson se ky album është si një lloj autobiografie. Në këto këngë të zgjedhura ka bluz dhe xhaz. Këngët e tij të famshëm janë “Layla”, “Wonderful Tonight”, “My Father’s Eyes”, ” Rock’ N ‘Roll Heart” ,”Crossroads”, “White Room” etj.

Pete Townshend


Peter Denis Blandford “Pete” Townshend (lindur më 19 maj, 1945), është një kitarist roku, vokalist, kantautor dhe është i njohur si kitaristi i grupit rok “The Who”. Karriera e tij në këtë grup vazhdoi për më shumë se 40 vjet, dhe ky grup është konsideruar si një nga grupet më me influencë në vitet ‘60 dhe ’70 dhe sipas Eddi Vedder (muzikant amerikan), ndoshta grupi më i suksesshëm që këndon live. Këngët më të suksesshëm janë “My Generation”, “Won’t Get Fooled Again” dhe “Pinball Wizard.
Muzika me volum të lartë, pajisjet piroteknike kanë shkaktuar efekte të mëdha negative për humbjen e dëgjimit të muzikantit të famshëm. Pavarësisht nga kjo vështirësi, ai, si çdo anëtar tjetër i kësaj liste, vazhdon të luajë nëpër koncerte ekstravagante live.

Ludwig van Beethoven


Ludwig van Beethoven, lindi më 16 dhjetor, 1770 në Bon, Gjermani dhe vdiq më 26 mars të vitit 1827 në Vjenë, Austri. Beethoven ka qenë një kompozitor dhe pianist midis periudhave të Klasicizmit dhe Romantizmit në artin e muzikës perëndimore. Ai do të mbetet një nga kompozitorët më të shquar i të gjithë kompozitorëve i të gjitha kohërave. Aty nga viti 1800 filloi të humbiste dëgjimin. Ai vuajti nga dëmtime të brendshme që i ja vështirësuan atij dëgjimin e muzikës. Mendohet se njëri nga shkaktarët ishte uji i ftohtë, në të cilin ai e vendoste kokën për të mos e zërë gjumi gjatë punës. Edhe humbja e dëgjimit të tij mbetet mister, muzika e tij do të jetojë përgjithmonë, dëgjuar dhe pëlqyer nga gjeneratat e reja./ KultPlus.com

‘Muzika është gjuha e shkruar e emocionit’

Thënie nga Leon Tolstoi

  1. Ne humbëm, sepse i thamë vetes që humbëm.
  2. Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur.
  3. Nëse do të jesh i lumtur, ji i lumtur.
  4. E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi.
  5. Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.
  6. Ji i keq, por të paktën mos ji gënjeshtar, mashtrues!
  7. Unë mendoj se, nëse është e vërtetë që ka po aq mendje sa ka edhe koka, atëherë ka po aq lloje dashurie, sa ka edhe zemra.
  8. Pa e ditur se cfarë jam dhe përse jam këtu, jeta është e pamundur.
  9. Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë.
  10. Respekti u shpik për të zënë vendin bosh, aty ku duhej të ishte dashuria.
  11. Të gjithë mendojnë për të ndryshuar botën, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten.
  12. Mund të dimë vetëm që nuk dimë asgjë. Dhe kjo është shkalla më e lartë e urtësisë njerëzore.
  13. Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit.
  14. A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien?
  15. Të gjithë familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën, secila familje e palumtur është e tillë në mënyrën e vet.
  16. Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje.
  17. Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vogla.
  18. Kur e do dikë, ti e do ashtu si është, jo si do të doje ti të ishte.
  19. Muzika është gjuha e shkruar e emocionit.
  20. Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë.
  21. Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato.
  22. E vërteta, ashtu si floriri, duhet ruajtur jo nga madhësia e saj, por duke hequr prej saj të gjithë ato që nuk janë flori.
  23. Mërzia: Dëshira për të patur dëshira.
  24. E gjithë dhuna konsiston në disa njerëz që detyrojnë të tjerët, nën kërcënimin e vuajtjes apo vdekjes, për të bërë atë që ata nuk duan ta bëjnë.
  25. Të gjitha atoq ë kuptoj, i kuptoj prej dashurisë. 

Mbahet koncerti me këngë pogradecare ‘Serenata mbi liqen’

Pogradeci është prej atyre qyteteve që brenda tij ruan thesare të shumta të trashëgimisë kultuore. Krahas lirikave Lasgushjane, qyteti ka ditur të ruajë dhe përçojë me fanatizëm dhjetra këngë qytetare pogradecare të cilat në kohë dhe vite të ndryshme kanë qenë pjesë e pandarë e gëzimeve dhe organizimeve festive.

Për të vendosur në pah vlerat e këtij repertori u zhvillua një koncert me këngë pogradecare. Jovan Shuke themelues i grupit “Nostalgjia”,  i cili të gjithë hisotrikun e tij 25 vjeçar e ka me këngë qytetare ka mbi 40 vite që e këndon serenatën pogradecare. Ai sot ndihet i emocionuar që të rinjtë po e trashëgojnë këtë muzikë.

Për organizatorët ky format ka për qëllim jo vetëm argëtimin por edhe ruajtjen e promovimin e këngës qytetare pogradecare, e cila për hir të së vërtetës ka mungesa të theksuara për regjistrimin dhe arkivimin e saj.

Eni Guçi është një vajzë e re korçare e cila guxon të këndojë edhe këngën pogradecare, për shkak të lidhjes mes dy qyteteve ajo e ka të vështirë ti ndajë, ndërsa pohon se ndihet e vlerësuar që këndon mes më të vjetërve.

Mbrëmja ‘Serenatë mbi liqen’ mblodhi me qindra qytetarë dhe turistë në Odeon të cilët shijuan muzikën që ta ndjen edhe shpirti, serenatën./euronews.al/ KultPlus.com

76 vjetori i lindjes së Meryl Streep, ikonë e kinematografisë

Aktorja e famshme Meryl Streep, e cila tashmë konsiderohet një ikonë në kinematografinë amerikane, sot feston 76 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

Një fakt shumë interesant dhe që vlen të ceket rreth kësaj aktoreje, është se Streep ka qenë e nominuar mbi 20-të herë për Oscar, duke e bërë atë që të thyej një rekord ndër aktorë.

Streep bëri debutimin e saj të skenës në Trelawny of the Wells në vitin 1975. Në vitin 1976 ajo mori një nominim të çmimit Tony për aktoren më të mirë në 27 Wagons Full of Cotton. Në 1977, ajo bëri debutimin e saj të ekranit në filmin televiziv The Season Deadliest, dhe gjithashtu bëri debutimin e saj të filmit në Julia.

Në vitin 1978, ajo fitoi një Çmimin Emmy për rolin e saj në holokaustin mini-seri dhe mori nominimin e saj të parë të Akademisë për Deer Hunter. Streep vazhdoi të fitonte Aktoren më të mirë mbështetëse për Kramer vs Kramer (1979) dhe Aktorja më e mirë për zgjedhjen e Sophie (1982) dhe The Iron Lady(2011).

Sot KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Streep:

Liria e vërtetë është të kuptojmë se jemi NE që zgjedhim, se kujt i lejojmë të ketë fuqi mbi ne.

Momenti kur nis të vrasësh mendjen se çfarë mendojnë të tjerët, është momenti kur pushon së qëni vetja.

Dhuntia e madhe e qenieve njerëzore është se ne kemi fuqinë e dhembshurisë.

Këshilla ime: mos harxhoni kohë duke vrarë mendjen për lëkurën apo peshën tuaj.

Formula e lumturisë dhe suksesit është që thjesht të jesh vetvetja: në mënyrën më të gjallërishme që mundesh.

I shohim figurat publike si përbindësha apo si perëndi. Por e vërteta është se të gjithë rrëzohen.

Ajo që të bën të ndryshme apo të çuditshme, ajo është forca jote.

Besoj se të gjithë kanë tre jetë: një jetë publike, një jetë private dhe një jetë sekrete.

Duhet të përqafosh plakjen. Jeta është e çmuar dhe kur ke humbur shumë njerëz, e kupton se çdo ditë është një dhuratë.

Të gjithë bëjmë gabimin që mendojmë se, pamja e jashtme na bën të denjë për t’u dashur.

Nuk ka pse të jesh e famshme. Mjafton të bësh që nëna dhe babai të jenë krenarë për ty. / KultPlus.com

Rama: Peizazhi i rrugës bregdetare të Qeparosë, një perlë e Rivierës Shqiptare

Pasi kalon gjirin e Porto Palermos, fshati Qeparo, 13 kilometra në jug të Himarës, është kthyer vitet e fundit në një ndër destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj.

Për këdo që zgjedh të pushojë në bregdetin e jugut, infrastruktura lidhëse e fshatrave përgjatë Rivierës siguron jo vetëm lehtësi në lëvizje, por edhe pamje spektakolare mes blusë së kristaltë të Jonit dhe kodrave të gjelbëruara.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga peizazhi i rrugës bregdetare të Qeparosë, një perlë e Rivierës Shqiptare.

Qeparoi konsiderohet nga fshatrat më të vjetër të bregdetit shqiptar dhe ofron dëshmi të jetës dhe kulturës së banorëve vendas, ndër shekuj.

I ndarë midis një fshati të lashtë në majë kodre dhe një vendbanimi më të ri buzë plazhit, Qeparoi ofron destinacionin më të mirë turistik për vizitorët.

Fshati i sipërm ruan shtëpi tradicionale prej guri dhe ullishte, ku familjet kanë jetuar për breza me radhë. Qendra historike e këtij fshati përfshin disa monumente kulture të shpallura, mes tyre banesa tradicionale dhe objekte fetare.

Ndërsa pjesa e poshtme ofron akses në plazh me shëtitoren e re që kalon në të gjithë vijën bregdetare, që i ka dhënë Qeparoit tiparet e një fshati tipik turistik mesdhetar, ku janë ruajtur karakteristikat dhe traditat e zonës./atsh/ KultPlus.com

Helena e Trojës

Poezi nga Faik Konica

N Trojë, nga maja e një kulle të lartë
Helena e bardhë zgjat kryet dhe përgjon
posht nënë murët luftën që lufton
Menella syzi me Parin flokartë;

Shikon buzëqeshur e me ballë të qartë
Zjarrin që ka ndezur vetë dhe ëndrron,
E stolisur si ditën që hipi në fron.
Kur vajti nus’e re nga Amykla në Spartë.

Dhe në shesh Menella me Parin të tërbuar
Goditin me sulm për të mundur e për të vdekur
Gjëmojnë duke uar zërin në qiell.

Gjaku u ka hyrë faqe e duar
Kordhë më kordhë, hekuri me hekur
Perpiqen, tingëllojnë, shkëlqejnë në diell./ KultPlus.com

‘Më duket sikur jam në qiell midis Perëndive, nëse pranë teje rri’

Poezi nga Sappho


Më duket sikur jam në qiell
Midis Perëndive,
nëse pranë teje rri,
dhe shikoj buzëqeshjen tënde të bukur,
e ndjej
fjalët e bukura dhe këngën dashurore!
Mua zemra
Dirthërueshëm në kraharor më hidhet:
zëri më vdes,
ndërkoh që unë të kundroj,
gjuha ime ngjitet në qiellëz
shuhet buzëqeshja.
Gjarpëron flaka
Brenda gjakut tim,
kallem:
një bubullimë e panjohur më kumbon
në veshët, dhe ëndërroj:
më pushton tejetej
një hije tronditëse.
Dhe më mbulon të tërën
Djersa e ftohtë akull,
dhe fytyra zbehet si bari që rritet,
dridhem e fërgëlloj e rrënqethem,
e nemitem
e ngurosur.

Përktheu: Elida Buçpapaj / KultPlus.com

Shpirti i nji qyteti me shi

Poezi nga Rozafa Shpuza


Mirë se t’gjeta qyteti jem,
me pellgje përmbytun prej ngutit të biçikletave,
strehë t’qindisuna me hej malli,
gjethnaja t’bame zhubël
si teshat e dashnorëve ndër oda hotelesh,
hapa të stërpikun me sekrete rrugicash,
çadra që flirtojnë me ritëm shtrëngatash,
gështenja që gërsasin mbi ethe zgarash
e frymë stërgjyshash t’ngujuem ndër korniza.
Mirë se t’gjeta qyteti jem…
M’gjegjet veç nji bubullimë
që shkapetë dritaret e harrueme çilë,
teksa zigzagu i vetimës arrnon retë e shkyeme.
S’ka vransinë që ia shuen etjen qytetit tem,
anipse shinat s’prajnë tue ia njomë
buzët zhuritun mallit.
Litarë shinash e përkundin prajshëm
e qyteti miklohet si mica afër votrës…
Por askush s’vëren avullin e mbas-shiut
kur ngutet me rrokë gjokset e tjegullave
ku përplasin krahët pëllumbat,
që nisen saora me shpuplue dashni t’bame qullë,
bashkë me mirazhe andrrash
përqafun me tym oxhakësh vetmitarë.

Nata ka me shprazë prore shi
e refreni i qytetit ka me nisë sparit… / KultPlus.com

Arbëreshja Lilli Riolo rikthehet në Muzeun e Krujës: Këtu ndjej historinë dhe rrënjët e mia

Lilli Riolo, arbëreshe nga Piana degli Albanesi, Hora e Arbëreshëvet, rikthehet për të disatën herë në Muzeun Gjergj Kastrioti në Krujë, për të prekur rrënjët e saj.

Muzeu Historik dhe Etnografik, Krujë ndau në rrjete sociale një videomesazh të saj, ku tregon se Muzeu i Krujës është vendi që i fal emocione të veçanta përmes historisë që promovon.

“Unë çdo herë që vi në Shqipëri, vizitoj Muzeun Historik dhe Etnografik, të  Krujës. Është vendi që më emicionin më shumë se çdo gjë, sepse flet për historinë tonë, flet për Gjergj Kastriotin”, thotë ajo. Lilli tregon se ka ardhur për ta vizituar për herë te parë Muzeun me 1995, ku sapo ishte hapur. “ Ne erdhëm me një kurs për mësimin e gjuhes shqipe ndësa sot jam me një miken time italiane dhe ështe kënaqësi të flasim shqip për Shqipërinë dhe historine tonë” tha ajo.

Muzeu i rigjallëruar përmban rreth 1000 artefakte dhe u ofron vizitorëve një përvojë unike mësimore të fokusuar në etnografinë dhe kulturën shqiptare. Kjo arrihet përmes tregimeve inovative dhe ekraneve multimediale, përvojave të realitetit virtual dhe të shtuar, projeksioneve dhe udhëzuesve audio dhe një muri ndërveprues.

Një nga pikat kryesore të muzeut është një dhomë virtuale e zhveshjes, e cila u lejon vizitorëve të bëjnë selfie ndërsa (virtualisht) veshin veshje tradicionale që datojnë nga shekulli i 18-të./ KultPlus.com

Bylisi, krenaria ilire mbi Vjosë, po shndërrohet në qendër zhvillimi dhe edukimi

Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale ndau sot pamje dhe një mesazh për Parkun Arkeologjik të Bylisit, të cilin e cilëson si një pasuri të rrallë të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një nga qytetet më të ruajtura të Ilirisë.

“Bylis – Krenaria ilire mbi Vjosë”, shkruan Rama, duke e përshkruar si një qytet të lashtë të ndërtuar mbi një kodër që mbikëqyr luginën e Vjosës, me mure monumentale të shekullit IV para erës sonë, një teatër mbresëlënës, mozaikë të rrallë dhe pesë bazilika paleokristiane.

Kryeministri nënvizon se falë Planit të Menaxhimit 2024–2029, në kuadër të programit IPA “BE për zhvillimin ekonomik – drejtuar nga turizmi”, të zbatuar nga AICS, Bylisi dhe qyteti antik i Klosit po shndërrohen në qendra të reja zhvillimi, edukimi dhe bashkëpunimi.

Sipas postimit, projekti përfshin: restaurim profesional dhe mbrojtje të qëndrueshme; përmirësim të infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët; mbështetje për komunitetin në fushën e turizmit dhe artizanatit; programe edukative për brezat e rinj.

Rama thekson se ky është një bashkëpunim mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, AICS, Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Institutit të Arkeologjisë, me qëllim kthimin e trashëgimisë kulturore në një motor të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të krenarisë kombëtare./ KultPlus.com

‘Imja je prej qindra motesh’

Poezi nga Pedro Salinas


“[XII]
S’më duhet kohë
të di sesi je:
të njihesh me dikë është xixëllimë.
E kush mund të t’njohë
aty ku ti hesht, a në
fjalë me të cilat hesht?
Ai që ti mëton në at’jetë
që rron, s’di gjë rreth teje
veç nënkuptimeve, shkaqeve
të rreme pas të cilave fshihesh.
Dhe të t’ndjeki së prapthi
në bëmat e tua, të kaluara,
të mbledhë veprim a gëzim,
mote dhe emra, do të qe
si të t’humbiste. Une jo.
Të njoha në shtrëngatë.
Të njoha, të beftë,
n’atë çarje mizore
mugëtire dhe drite,
atje ku përshfaqet thelli
q’ikën ditës dhe natës.
Të pashë, më pe, dhe tash,
zhveshur nga keqkuptimi,
nga rrjedha, nga e shkuara,
ti, amazonë mbi shkrepëtimë,
regëtin nga e fundmja
e papritura mbërrimë,
imja je prej qindra motesh,
prej kaq kohësh që të njoh,
sa në dashurinë tënde sytë i mbyll,
dhe bëj përpara pa e humbur,
krejt qorrazi, pa kërkuar gjëkafshë
tek ajo dritë e ngadaltë dhe e bindur
me të cilën shfaqen shkronja
e trajta dhe mbyllen hesape
me besimin se kthjellohet
cila je ti, e padukshmja ime.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Gonxhja në Preshevë: Panairi i Librit, sjell gjuhen shqipe kudo ku ka shqiptare

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ishte në Preshevë, ku zhvilloi një takim me Kryetaren e Komunës, Ardita Sinani, dhe Ambasadorin e Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj, në kuadër të Panairit të Parë të Librit Shqip.

Gonxhja tha se “Panairi i Librit është nje organizim i veçantë për të sjellë gjuhën shqipe kudo ku ka shqiptarë, si një pasuri të madhe të përbashkët”. Ministri solli në vemendje rëndesine per mbrojtjen dhe kultivimin e gjuhes shqipe. “gjuhen shqipe kemi detyrë ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta përcjellim ndër breza”, tha Gonxhja.

Ministri beri te ditur se me shumë kënaqësi ju përgjigj ftesës së Kryetares Sinani për spektaklin “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”, për misionaren e madhe Shqiptare.

“Si Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e konsideroj një nder dhe përgjegjësi të veçantë të jem i pari ministër përgjegjës për kulturën që viziton Preshevën” , u shpreh Gonxhja, teksa tha se eshte një vend ku ndjenja e përkatësisë kombëtare është e gjallë dhe e palëkundur. “Ne Preshev respekti për gjuhën dhe kulturën shqiptare jetohet me dashuri e përkushtim, çka motivon e frymëzon më shumë mbështetje”, tha Gonxhja./ KultPlus.com

Festa e grurit në Apoloni sjell gjithçka si dikur në lëmin e fshatit

Qyteti antik i Apolonisë u kthye këtë fundjavë në epiqendër të festës së grurit, një traditë e bashkisë së Fierit prej disa vitesh.

Në hapësirat e Apolonisë pranë fshatit Pojan, qindra qytetarë, por edhe turistë të huaj u bënë pjesë e kësaj feste bashkë me dhjetëra fermerë, kultivues gruri dhe prodhues buke.

Vajzat e reja të veshura me veshjet tradicionale dhe me kurora gruri në kokë i dhanë më shumë hijeshi kësaj feste. Tingujt e muzikës i shoqëruan të pranishmit teksa  këndonin dhe kërcenin vallet popullore të zonës.

I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi i cili premtoi se tradita do të vijojë.

Fëmijët ishin pjesa më e gëzueshme e festës ndërsa prindërit ishin kujdesur t’i vishnin me veshje tradicionale popullore apo edhe me simbolet e ngjyrat e grurit. Aktivitetet për ta ishin të larmishme ndërsa nuk munguan fotot familjare për ta vendosur këtë ditë në albumin e kujtimeve.

Po aq e bukur dhe ndoshta me shumë nostalgji ishte festa e grurit për komunitetin fierak që jeton jashtë vendit. Të ardhur në vendlindje për pushime, shumë prej tyre u bashkuan me festimet.

Ky aktivitet unik solli në qendër të vëmendjes produktet e freskëta të zonës, traditat bujqësore dhe vlerat kulinare të trashëguara brez pas brezi.

Gjithashtu kjo festë promovon punën e fermerëve dhe pasurinë e produkteve vendase. Pjesë e festimeve ishin edhe panairet me produkte organike, aktivitetet kulturore dhe artistike, të cilat krijuan një atmosferë festive.

Festa e grurit, me një histori gati 50-vjeçare në Myzeqe i solli të gjitha si dikur bukën dhe grurin e ri, lëmin e fshatit dhe mekanikën, këngët dhe vallet, bibën në saç dhe dhallën e ftohtë.

Një banore nga Pojani shprehet se “për festën e grurit myzeqaret kanë krijuar prej vitesh, një nga recetat kulinare më autentike dhe më me shije: bibën në saç. Biba në saç shoqëron gjithë fushatën e korrjes dhe shirjes së grurit. Kjo recetë e trashëguar nga gjyshet dhe nënat tona gatuhet thuajse në çdo familje myzeqare që korr grurë”.

Një tjetër banor tha se “tashmë në zonën tonë kjo festë është kthyer në traditë dhe çdo vit festohet edhe më bukur. Festa sot në Apoloni i shërben jo vetëm promovimit të produkteve vendase, por edhe promovimit të turizmit”.

Një vend të veçantë në “Festën e grurit” zuri edhe parada e autokombajnave, mjeteve korrëse të grurit, me anë të të cilave fermerët e kësaj zone edhe duan të mbajnë gjallë traditën edhe të shtojnë sipërfaqet e tokave të mbjella me grurë.

“Festa e grurit” është një nga festat më të mëdha që organizon bashkia e Fierit në kuadër të promovimit të traditës myzeqare. E zhvilluar në muajin qershor të çdo viti dhe e shoqëruar me ritualet festive të krijuara gjatë shekujve, kjo festë vendore përbën tashmë një tjetër vlerë të shtuar të turizmit kulturor.

Festa e Grurit në Apoloni, fotot: Andrin Hoxha/ KultPlus.com

“Carmina Burana” valëvitet në një spektakël madhështie përmes 350 shpirtrave artistikë të Baletit, Operës dhe Filharmonisë së Kosovës

Era Berisha
Fotografitë: Arben Llapashtica

Mbrëmja e 20 qershorit në Prishtinë u shndërrua në një ngjarje madhështore artistike, ku fuqia e muzikës, vallëzimit dhe emocioneve u bashkuan në skenën e sallës AMC me interpretimin e veprës monumentale “Carmina Burana”. Nën dirigjimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa dhe koreografinë origjinale të Toni Candeloro, ky bashkëpunim ndërinstitucional mes Operës së Kosovës, Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës solli një spektakël të rrallë, ku 350 artistë krijuan një përjetim artistik që kapërceu kufijtë e zakonshëm të skenës shqiptare. Magjia e korit, forca dramatike e orkestrës dhe lëvizjet ekspresive të trupës së baletit u ndërthurën në një harmoni tronditëse, duke e kthyer këtë interpretim të “Carmina Burana”-s në një moment historik për jetën kulturore të Kosovës.

Në këtë shfaqje të jashtëzakonshme të “Carmina Burana”, shkëlqimi i veprës u pasurua nga prania e disa prej emrave më të spikatur të skenës vendore dhe ndërkombëtare. Solistja balerinë Antonella Albano nga Teatro alla Scala i dha trupës një hijeshi dhe teknikë të rrallë, ndërsa balerinët tanë Sead Vuniqi, Fatmir Smani, Behie Murtezi, Leonora Rexhepi, Mërgime Morina, Aulona Nuhiu, Fisnik Smani, Blerta Fanaj, Ensar Lutaj, Isa Gjocaj, Donmir Bilalli, Met Bikliqi, Rigon Krasniqi, Nik Musolli, Ilir Krasniqi, Liridon Mziu, Kreshnik Musolli dhe Muhamet Bikliqi sollën një intensitet fizik dhe emocional që e ngriti performancën në lartësi të reja artistike.

Zërat e fuqishëm dhe të ndjeshëm të Besa Llugiqit (soprano), Federico Buttazzo (tenor) dhe Ivo Yordanov (bariton) prekën thellë publikun, duke u bashkuar me korin dhe orkestrën brilante të Filharmonisë së Kosovës, nën përkujdesjen e dirigjentit asistent Hajrullah Syla. Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, e mbështetur nga koreografja asistente Antonietta Buccolieri erdhi me koreografi në lëvizje të sinkronizuara dhe dramatike, ndërkohë që kori i Operës së Kosovës dhe asistentët dirigjentë Lirjona Sylejmani dhe Adelinë Ndreca – Kolaj sollën një fuqi korale të fuqishme. Fëmijët e korit “Okarina” nën drejtimin e Elikona Hysajt dhe kori i shkollës “Prenk Jakova” me dirigjente asistente Lirjona Sylejmani shtuan një pastërti dhe ndjeshmëri të veçantë në atmosferën madhështore të natës. Ishte një bashkim i rrallë energjish artistike që dëshmoi për fuqinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit kulturor në Kosovë.

“Carmina Burana” erdhi si një eksplozion i jetës në të gjitha ngjyrat e saj — një vepër që shpalos thellësitë e emocioneve njerëzore përmes gjuhës së muzikës, korit dhe ritmit. E ndërtuar mbi poezi mesjetare që përshkruajnë fatin e paparashikueshëm, gëzimet e dashurisë dhe etjen për liri, kjo kantatë e Carl Orff-it përçon një fuqi primitive dhe universale që vazhdon të ngjallë drithërimë. Në zemër të saj rreh rrota e fatit – O Fortuna” – një himn për paqëndrueshmërinë e jetës, që ngrit dhe përplas njeriun mes ekstazës dhe tragjedisë. Thelbi i “Carmina Burana-s është përjetimi i intensitetit të jetës në çdo formë të saj – një thirrje e fuqishme për të jetuar, ndjerë dhe sfiduar fatin, me gjithë pasionin dhe trishtimin që ekzistenca sjell.

Pamja skenike e “Carmina Burana-s në sallën AMC ishte një kompozim vizual po aq mbresëlënës sa vetë muzika. Në qendër të skenës qëndronte orkestra, një trupë e fuqishme instrumentistësh që formonin zemrën ritmike të veprës. Në të dy anët e saj, të vendosur me simetri mbresëlënëse, ishin koristët – një mur zëri që e përforconte emocionin kolektiv të çdo pjese. Sipër tyre, në një skenë të ngritur, zhvillohej një balet i fuqishëm dhe ekspresiv, ku trupa e baletit interpretonte me lëvizje dramatike, të sinkronizuara me tensionin dhe kulmet muzikore. Në ballë, prapa dirigjentit, qëndronin solistët vokalë – sopranoja, tenori dhe baritoni – të cilët përçuan me ndjenjë dhe forcë dramatike tekstet e lashta. I gjithë ambienti ishte një trupë e gjallë, ku muzika, vallëzimi dhe zëri ndërthureshin në një organizim skenik të përkryer, duke e kthyer sallën në një tempull modern të artit të gjallë.

Edhe pse salla ishte tejmbushur me publik – përfshirë ata që qëndruan në këmbë për më shumë se një orë e dhjetë minuta – dhe përkundër vapës së madhe që e mbuloi ambientin me një nxehtësi të rëndë, magjia e Carmina Burana-s nuk u zbeh asnjë çast. Përkundrazi, kjo ndjesi fizike e përbashkët – nxehtësia, djersa, pritja – e bëri përjetimin edhe më të thellë, edhe më njerëzor. Ishte një nga ato momente ku arti tejkalon çdo kufi komoditeti, dhe bukuria e kësaj kantate të jashtëzakonshme u ndje me intensitet në çdo notë, në çdo lëvizje dhe në çdo frymëmarrje të ndarë mes skenës dhe publikut. Një përvojë që nuk harrohet – sepse ndonjëherë, kur sakrifica e trupit bashkohet me pasionin e shpirtit, lind vërtetësia më e rrallë e artit.

Kostumet, të dizajnuara me kujdes artistik nga Toni Candeloro, ishin një element thelbësor që e pasuruan ndjeshëm atmosferën vizuale të Carmina Burana-s. Dominonin fustanet e gjatë blu, të rrjedhshëm dhe elegantë, që lëviznin me një hir të veçantë bashkë me trupat e balerinëve, duke krijuar një ndjesi fluiditeti dhe solemniteti në skenë. Këto ngjyra të thella si qielli i natës sillnin një qetësi vizuale që kontrastonte me vrullin dramatik të muzikës. Ndërkohë, solistja femër u dallua me një fustan të bardhë, të pastër e ndriçues, që përçonte një ndjesi dëlirësie dhe simbolike të pranisë së shpirtit njerëzor përballë fatit. Kostumografia e Candeloro-s nuk ishte vetëm veshje – ishte një zgjedhje e menduar që përforconte temat universale të veprës: pasionin, pafajësinë, dhe pashmangshmërinë e jetës.

“Carmina Burana” është një nga veprat më emocionuese dhe të fuqishme muzikore të shekullit të XX, që përçon me intensitet të jashtëzakonshëm thelbin e fatit dhe pasioneve njerëzore. Muzika e Carl Orff-it shquhet për ritmet e saj pulsuese dhe meloditë e thjeshta, por të fuqishme, që krijojnë një ndjesi të papërsëritshme dramatike. Dukshëm madhështore ishte edhe interpretimi i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, e cila me talentin dhe energjinë e saj solli në jetë emocionet e thella të veprës. Vallëzimi i tyre, i fuqishëm dhe i saktë, duke kaluar nga lëvizjet ekspresive deri te ato më të buta dhe intime, krijonte një kontrast të gjallë me tensionin dhe lirshmërinë e muzikës. Nëpërmjet çdo hapi, çdo pozicioni dhe çdo lëvizjeje, balerinët u shndërruan në një gjuhë pa fjalë, që tregonte histori dhe ndjenja të thella, duke e shtuar kështu një shtresë dramatike dhe vizuale që e bënte përvojën edhe më të plotë dhe magjike.

Në qendër të kësaj eksperience muzikore dhe skenike shkëlqeu sopranoja Besa Llugiqi, e cila me zërin e saj të pasur dhe të fuqishëm përçoi çdo emocion me një ndjeshmëri dhe teknikë të jashtëzakonshme. Ajo solli një prekje njerëzore nëpërmjet tingujve, duke i dhënë jetë fjalëve dhe duke i bërë ato të ndihen në shpirtin e çdo dëgjuesi. Talenti i saj u bashkua në mënyrë perfekte me intensitetin orkestral dhe dramatik, duke krijuar momente kulmore që nuk harrohen lehtë dhe që dëshmojnë për një artiste që di të kapë thelbin e çdo note dhe fraze muzikore.

Orkestra e Filharmonisë dhe Operës së Kosovës në “Carmina Burana” ishte zemra e gjallë që pulsoi me fuqinë e një universi të tërë, ku çdo instrument ishte një yll që ndriçoi në galaktikë tingujsh. Secila frymëmarrje e violinave, secili goditje e timpaneve dhe përqafimi i ngrohtë i instrumenteve të frymës u bashkuan në një poezi të heshtur, që përshkoi ajrin me valë drite dhe hije emocionale. Aty lindi bukuria e vërtetë – në harmoninë e përpiktë të kontrasteve, në fuqinë delikate që ngrihet dhe përplaset si deti, duke na kujtuar se muzika është gjuha më e pastër e shpirtit, e cila flet pa fjalë, por me një thellësi që prek dhe transformon çdo qenie që e dëgjon.

Korët në “Carmina Burana” janë një simfoni zërash që bashkohen për të krijuar një fuqi të jashtëzakonshme kolektive, duke ngjallur me intensitet magjinë e teksteve mesjetare dhe emocionet e tyre të thella. Në harmoninë e tyre të pasur dhe shumëngjyrëshe, zërat shfaqin një përqafim të gjerë ndjenjash — nga përmallimi dhe trishtimi te gëzimi dhe shpresa — duke ndërtuar një peizazh të gjallë që rrit tensionin dramatik dhe e thellon përjetimin artistik. Ata janë zemra korale që pulson në këtë kantatë, duke shndërruar çdo pjesë në një udhëtim shpirtëror dhe duke sjellë fuqinë e bashkimit njerëzor përmes bukurisë së harmonisë dhe fuqisë së zërit të përbashkët.

Realizimi i “Carmina Burana” në Prishtinë përfaqëson një kapitull të ri dhe të jashtëzakonshëm në historinë kulturore të Kosovës, duke dëshmuar se arti i madh nuk njeh kufij dhe se talenti vendor mund të bashkëpunojë me mjeshtër ndërkombëtarë për të krijuar mrekulli skenike. Ky event madhështor, i mbështetur nga përkushtimi i artistëve, profesionistëve dhe institucioneve kulturore, solli në jetë një performancë që jo vetëm sfidoi pritshmëritë, por edhe ngjalli krenari dhe shpresë për të ardhmen artistike të vendit. Duartrokitjet e pandalshme dhe ovacionet në këmbë nga publiku i mbushur plot dëshmuan fuqinë e kësaj përvoje, duke shprehur një emocion të thellë dhe mirënjohje të sinqertë për përkushtimin e jashtëzakonshëm të të gjithë pjesëmarrësve.

Krejt në fund, në një prononcim për KultPlus foli Meriton Ferizi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, i cili u nda i kënaqur me kantatën skenike.

“Pas mbrëmjes së djeshme me kantatën skenike Carmina Burana, ndjej kënaqësi të veçantë për këtë bashkëpunim të fuqishëm mes tri institucioneve tona kombëtare; Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar dhe Filharmonia e Kosovës, ku për herë parë kjo vepër u realizua në formën e tillë skenike me Baletin, për çka e bëri më të kompletuar dhe më madhështore këtë vepër monumentale. Carmina Burana, kërkon fuqi kolektive artistike dhe mbrëmë kjo energji u ndje e plotë në skenë, me solistët, korin masiv të Filharmonisë dhe Operës së bashku me korin e fëmijëve, si dhe trupa e Baletit. Dirigjenti japonez Toshio Yanagisawa, me interpretimin e tij preciz dhe dinamik, krijoi një komunikim të shkëlqyer mes korit, solistëve, baletit dhe orkestrës. Ishte një natë që tregoi potencialin e bashkërendimit institucional dhe nivelin gjithnjë në rritje të skenës sonë operistike e muzikore. Ky sukses është dëshmi e vullnetit tonë të përbashkët për të ndërtuar një standard të lartë artistik në Kosovë.”

Për të treguar më shumë rreth pjesëmarrjes në “Carmina Burana”, për KultPlus foli sopranoja Besa Llugiqi.

“Mendoj se ka qenë një mbrëmje me të vërtetë madhështore. Përveç muzikës së jashtëzakonshme dhe plot jetë të Orff-it, kantata skenike u bë edhe më e veçantë falë trupës së baletit, që me hijeshinë dhe energjinë e tyre e madhëruan këtë spektakël në mënyrë të paharrueshme. Të rrethuar nga kolegë të mrekullueshëm dhe e shoqëruar me muzikë magjike, kjo ishte një përvojë e rrallë që prek zemrën. I falënderoj me gjithë zemër të gjithë ata që punuan me përkushtim dhe shpirt për ta bërë këtë natë kaq të bukur dhe të veçantë — një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesë.”

Në një prononcim për KultPlus foli Sinan Kajtazi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, tha se “Carmina Burana” erdhi si një kulmim i fuqisë artistike me përmasa të jashtëzakonshme.

“Fillimisht dua t’i përgëzoj të gjithë ekipin prej 350 vetash, të cilët mbrëmë na dhuruan emocione të jashtëzakonshme. Ky projekt, në vlerësimin tim, do të mbetet historik për të tri institucionet tona, duke pasur parasysh përmasat e tij, por edhe realizimin mbresëlënës. Jam shumë mirënjohës ndaj menaxhmenteve të Filharmonisë së Kosovës dhe Operës së Kosovës për bashkëpunimin shembullor. Pas bashkëpunimit ne shfaqjen e baletit “Halili dhe Hajria” në 50-vjetorin e Baletit Kombëtar, baletin “Arrëthyesi”, si dhe operën “Goca e Kaçanikut”, edhe “Carmina Burana” erdhi si një kulmim i fuqisë artistike me përmasa të jashtëzakonshme.”

Një nga solistët e Baltetit që shkëlqeu mbrëmë, Sead Vuniqi, për KultPlus potencoi se pjesëmarrja si solist në këtë produksion për të është një ndjesi e papërshkrueshme.

“Bashkëpunimi me maestro Toni Candeloro ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e bukur. E kam njohur Tonin më parë, dhe kemi punuar bashkë edhe në Tiranë, por këtë herë ai qëndroi për më shumë se dy muaj në Kosovë për të punuar intensivisht me të gjitha trupat tona artistike. Toni është një profesionist i rrallë, me pasion dhe përkushtim të admirueshëm. Pjesëmarrja ime si solist në këtë produksion ishte një ndjesi e papërshkrueshme. Të performosh përballë një publiku të mbushur plot, në një skenë të madhe, me një ekip të tillë artistësh – është një nder dhe një përgjegjësi e madhe. Ndihem shumë i lumtur që pata mundësinë të jem pjesë e kësaj vepre, që u prit kaq mirë nga publiku. Jam shumë krenar që, si institucione, po arrijmë të sjellim çdo vit vepra gjithnjë e më të mëdha dhe më domethënëse për artdashësit tanë. Uroj që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe të na sjellë suksese të reja artistike.”

Pas çdo shfaqjeje madhështore qëndron një ekip artistësh dhe profesionistësh të përkushtuar, të cilët janë themeli i suksesit skenik. Në Carmina Burana, roli i korepetitorëve Melos Buza, Alzan Gashi dhe Lekë Salihu ishte thelbësor për përgatitjen muzikore të korit dhe solistëve, duke siguruar një ekzekutim të saktë dhe emocionalisht të ngarkuar. Ndriçimi, i realizuar me mjeshtëri nga Marco Policastro, krijoi atmosfera dramatike dhe të ndjeshme që e shoqëruan çdo moment të veprës, ndërsa zëri u menaxhua me precizitet nga inxhinierët Bojan Ugrinovski dhe Karl Humbug, duke mundësuar që çdo tingull të arrinte qartë dhe fuqishëm tek publiku. Florian Çanga, me projeksionet e tij artistike, shtoi një dimension vizual që i dha skenës thellësi dhe simbolikë, ndërsa dizajni grafik i Faton Hasimja kontribuoi në komunikimin elegant të identitetit të ngjarjes./ KultPlus.com

Provimi i maturës nis me 18,800 nxënës

Sot po mbahet provimi i maturës shtetërore në të gjitha shkollat e mesme të larta në vend. Në këtë proces janë përfshirë mijëra maturantë, ndërsa autoritetet arsimore kanë ndërmarrë masa të shtuara për të garantuar mbarëvajtjen e testimit dhe për të parandaluar çdo formë të keqpërdorimit gjatë provimit, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, Betim Sylejmani, ka bërë të ditur se në këtë shkollë po testohen 142 nxënës nga shkolla të ndryshme të Prishtinës. Ai ka theksuar se përgatitjet janë bërë me kohë dhe se vëmendje e veçantë i është kushtuar ndalimit të përdorimit të telefonave.

“Si çdo vit, edhe në shkollën tonë mbahet testi i maturës ku janë të përfshirë 142 nxënës nga shkollat e ndryshme të Prishtinës. Përgatitjet janë bërë me kohë. Masa kryesore është paralajmërimi që nxënësit nuk kanë të drejtë të përdorin telefona apo të hyjnë me telefona në klasë. Në momentin që i përdorin brenda klasës, janë administruesit ata të cilët ndërmarrin masa, qoftë për largim apo diçka tjetër. Përndryshe, ata të gjithë janë të njoftuar nga shkollat, nga Ministria e Arsimit, drejtoritë komunale të arsimit, sepse zakonisht keqpërdorimet bëhen me telefona. Janë të paralajmëruar që ata mund të pësojnë me dalje nga testi nëse i përdorin telefonat”, deklaroi Sylejmani për Ekonomia Online.

Ai shtoi se një nga masat e reja që nga viti i kaluar është shpërndarja e nxënësve në mënyrë që të shmanget vendosja në një klasë të nxënësve nga i njëjti institucion apo e njëjta paralele.

“Që nga viti i kaluar, në vazhdën e ndryshimeve që i ka bërë MASHT-i rreth rregullimit të mbarëvajtjes më të mirë të testit, është një prej atyre masave që me një klasë prej 15 nxënësve nuk mund të qëllojnë asnjëherë nxënësit e klasës së njëjtë. Do të thotë janë të përfshirë të gjitha shkollat e Prishtinës, janë me një klasë, janë nxënës të ndryshëm – nuk janë nxënës as të shkollës së njëjtë por as të klasës së njëjtë”, tha ai.

MASHTI dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë përsëritur rëndësinë e “ndjekjes së rregullave dhe seriozitetin e provimit të maturës”, i cili konsiderohet një hap kyç për të ardhmen akademike të nxënësve.

MASHTI bën të ditur se provimit do t’i nënshtrohen 18 mijë e 800 maturantë, kurse rezultatet do të bëhen publike më së largu deri më 30 qershor./ KultPlus.com

Gonxhja: Partneritet ndërkufitar për digjitalizimin dhe valorizimin e trashëgimisë filmike

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e cilësoi një hap shumë të rëndësishëm bashkëpunimin për digjitalizimin dhe valorizimin e trashëgimisë filmike.

Gonxhja tha se, ne kuadër të takimeve të programeve europiane INTERREG, delegacioni i lartë i drejtuar nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës zhvilloi një vizitë në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Sipas tij, në fokus të kësaj vizite ishte njohja nga afër me investimet në teknologji të mundësuara nga projekti “RECON”. Gonxhja tha se “ky është një model bashkëpunimi për digjitalizimin dhe valorizimin e trashëgimisë filmike, në kuadër të programit IPA CBC Itali–Shqipëri–Mali i Zi”.

“Një hap konkret për ruajtjen dhe promovimin e memories kulturore përmes partneritetit ndërkufitar”, deklaroi ministri Gonxhja./ KultPlus.com

Barbra Streisand album me duete me Dylan dhe McCartney

Barbra Streisand në duet me Bob Dylan dhe Paul McCartney.

“The Secret Of Life: Partners”, volumi i dytë do të dalë javën e ardhshme, një album i ri me të cilin këngëtarja, aktorja dhe regjisorja legjendare, dy herë fituese e çmimit Oscar, merr stafetën nga “Partners” e vitit 2014, një tjetër seri me yje si John Mayer, Stevie Wonders, Andrea Bocelli dhe Elvis Presley.

Të 11 këngët e shohin 83-vjeçaren, fituese 10 herë e çmimit Grammy, me muzikantë ndërkombëtarë me ndjeshmëri nga më të ndryshmet.

Përveç kolegëve Dylan dhe McCartney, ka zëra më të rinj si Hozier dhe Sam Smith, dhe më pas James Taylor, Sting, Seal dhe Josh Groban, ylli i muzikës country Tim McGraw, zëri islandez i xhazit Laufey dhe një trio e jashtëzakonshme me Mariah Carey dhe Ariana Grande.

“Miq të vjetër, kolegë, artistë të rinj. I admiroj të gjithë”, tha superylli në qendër të kësaj sipërmarrjeje.

Barbra ka qenë protagoniste e shumë dueteve gjatë karrierës së saj të gjatë me artistë nga të gjitha zhanret muzikore.

Ndër të tjerë, me Judy Garland, Neil Diamond, Barry Gibb, Kris Kristofferson, Donna Summer, Bryan Adams, Celine Dion dhe shumë legjenda të tjera.

Nga të gjitha bashkëpunimet e reja, më surprizuesja është me Dylan.

“Ai më dërgonte lule, më shkruante shënime me lapsa me ngjyra të ndryshme duke më kërkuar të këndoja me të. Nuk e kuptoja në atë kohë”, tha Barbra për “The New Yorker”.

Streisand, e cila dy vjet më parë botoi një kujtim monumental me mbi 1 000 faqe, ishte 13 vjeçe kur bëri albumin e saj të parë amator./atsh/ KultPlus.com

Muzeu me gjethe ngjall interes tek turistët anglezë

 Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” vijon të  tërheqë kuriozitetin e turistëve të huaj.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale një video me përshtypjet e një turisti anglez nga vizita e tij në këtë muze.

“Izolimi i vendit gjatë diktaturës bëri që Shqipëria të mbetej e ndarë nga pjesa tjetër e botës. Jack nga Anglia ishullore, del me mbresat më të mira nga ballafaqimi në muze me të shkuarën totalitare, jetën e përditshme, dhe pse Shqipëria ishte dikur për të dhe për shumë të tjerë, një vend pothuajse i panjohur”, shkruan Gonxhja.

Jack tha se “absolutisht interesant aspekti i jetës në Shqipëri për të cilin në Angli dimë fare pak. Por është gjithashtu shokuese njohja se si funksiononte aparati shtetëror”.

“Më vjen shumë mirë që këto janë ruajtur dhe do t’ia tregoni brezave në të ardhmen”, tha Jack.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve u hap më 23 maj 2017. Ai është nga më të veçantët në vendin tonë, që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit, duke qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret, nga viti 1944 – 1991.

E konceptuar në 9 seksione, “Shtëpia me Gjethe” përbëhet nga 31 dhoma të lidhura në koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë./atsh/ KultPlus.com