Më 19 qershor 1921, në Korçë u krijua shoqëria e vajzave “Zhvillimi”, që synonte emancipimin dhe intergrimin e grave të reja në jetën e qytetit. Në foto, mbërritja e aeroplanit të parë në Korçë, në vitin 1924. / KultPlus.com

Më 19 qershor 1921, në Korçë u krijua shoqëria e vajzave “Zhvillimi”, që synonte emancipimin dhe intergrimin e grave të reja në jetën e qytetit. Në foto, mbërritja e aeroplanit të parë në Korçë, në vitin 1924. / KultPlus.com
Poezi nga Elizabeth Barrett Browning
Dhe nëse do që të më duash mos me duaj me asgjë tjetër,
veçse me dashuri. Kurrë mos thuaj “E dua për
buzëqeshjen, për vështrimin, për mënyrën
fisnike të të folurit, për idetë e saj
që përkojnë, me të mija të cilat një ditë
më bënë të qetë.”
Këto gjëra,i dashur, mund të ndryshojnë në vetvete ose të ndryshojnë për ty.
Kështu një dashuri mund të zhduket.
Dhe ti mos më duaj gjithashtu me keqardhje
për të fshirë lotët në faqet e mia. Të qarat
mund t’i harrojë kush e pati gjatë komfortin tënd,
e të humbasë, kështu, dashurinë tënde.
Por ti më duaj, vetëm me dashuri të dashurisë,
që rritet në ty, me një dashuri eterne !/ KultPlus.com
Jorge Luis Borges
Më kryqëzojnë dhe dua të jem kryqi dhe gozhdët.
Më zgjatin kupën dhe dua të jem helmi.
Më mashtrojnë dhe dua të jem gënjeshtra.
Më djegin dhe dua të jem ferri.
Dua t’i bëj homazh e të falenderoj cdo grimcë kohe.
Shujta ime është çdo gjë.
Pesha e saktë e universit, poshtërimi, gëzimi.
Dua të përligj atë që plagë më jep.
Pak rëndësi kanë lumturia a fatkeqësia ime.
Unë jam poet.
Përktheu Anton Papleka. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim profesorin e shquar të së drejtës ndërkombëtare dhe ish-kryetarin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, z. Hisashi Owada.
Pas një takimi jashtëzakonisht miqësor me të gjatë vizitës në Japoni, Osmani e cilësoi nder të veçantë pritjen e profesorit Owada në zyrën e saj, duke theksuar se ai përfaqëson një figurë të jashtëzakonshme në fushën e drejtësisë ndërkombëtare dhe një promovues të palodhur të paqes globale.
Në këtë takim, Osmani shprehu mirënjohjen e thellë të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës për rolin historik të profesorit Owada, i cili si kryetar i GJND-së ka drejtuar këtë institucion në një prej momenteve më të rëndësishme për shtetin e Kosovës – dhënien e opinionit këshillëdhënës të datës 22 korrik 2010, ku Gjykata konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Presidentja vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të profesorit Owada jo vetëm për Kosovën, por edhe për zhvillimin dhe avancimin e të drejtës ndërkombëtare dhe përpjekjet për paqe globale.
Me këtë rast, Presidentja Osmani e uroi Profesorin Owada edhe për titullin “Doctor Honoris Causa” të dhënë nga Universiteti i Prishtinës, duke theksuar se institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës do të mbeten përjetësisht mirënjohës për mbështetjen dhe vizionin e tij./KultPlus.com
Musine Kokalari
“T’ isha një lule–lule are, e vogël dhe me erë.
Të çelnja në pranverë
dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.
T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.
Të qëndroja e fshehur, e pa dukur
dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të
rinjëve.
Prej frike,
të larguar prej njerzis do t’më këputnin,
do të dhurohesha te njeri–tjetri
për shënjë kujtimi.”
Musine Kokalari u lind më 10 shkurt të vitit 1917 në Adanë të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941.
Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page.
Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit dhe ashtu e sëmurë u refuzua e u la pa u kuruar nga trupat spitalore. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekjen komuniste i shkaktuan vdekjen në gusht të vitit 1983. Musine Kokalari përfaqëson disidenten e parë shqiptare. Vdiq e vetme dhe u varros vetëm nga varrmihësit. / KultPlus.com
Muzeu i “Dritëro Agolli” në Devoll është projekti më i ri për të cilin ka nisur sot zbatimi në vendlindjen e shkrimtarit të shquar.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole bëri të ditur se ky projekt vjen falë një bashkëfinancimi nga Këshilli i Qarkut Korçë dhe Bashkia Devoll.
Në një ceremoni, ku ishin të pranishëm autoritetet vendore, nisi sot hedhja e themeleve për këtë projekt të shumëpritur.
Ndërtimi i muzeut të Dritëro Agollit po bëhet në fshatin e tij të lindjes, Menkulas dhe sipas autoriteteve vendore “është konceptuar si një muze që i shkon për shtat një kolosi të letërsisë shqipe dhe një devolliu të mirë, atij që e ngriti lart emrin e Devollit dhe të devollinjve kudo”.
Ky muze do të jetë një nga pikat kryesore të turizmit, jo vetëm për bashkinë Devoll, por për të gjithë qarkun e Korçës./atsh/KultPlus.com
Roli i intelektualit në shoqëri paraqet një temë të ndërlikuar. Ne në Kosovë mund të flasim se çfarë ndikimi të madh, kuptimplotë dhe vendimtar kanë pasur intelektualët në Kosovë, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, po dhe më vonë, në periudhën e arsimimit dhe trasimit të rrugës së çlirimit kombëtar, ndonëse në kohë monizmi dhe të persekutimit, duke e bërë këtë për një kauzë dhe qëllim fisnik – të ruajtjes së identitetit dhe emancipimit shpirtëror të kombit dhe kontributit të madh në pasurimin e kulturës kombëtare.
Shkruan: Avni Spahiu
Flasim për periudhën e “intelektualit të angazhuar” – të pjesëmarrjes në proceset shoqërore, në kushte të kufizimeve e ideologjike dhe lirisë së fjalës, si një domosdo që lindte nga zhvillime që kërkonin drejtim për proceset që ndodhnin dhe që do të përcaktonin të nesërmen e tonë. Ky ishte një lajtmotiv për çdo intelektual të mirëfilltë të kohës i rolit të tij angazhues dhe udhërrëfyes në një kohë që ishte e zymtë dhe përplot pasiguri. Mendoj se kjo kohë shënonte një sprovë për intelektualët shqiptarë që ata e kaluan me sukses dhe do të ngelë në histori si shembull i rolit aktiv të intelektualit kundruall kombit dhe vendit të vet…
Një rol ky që sot është më i vogël, për shkak të margjinalizimit të intelektualit dhe zërit të tij në proceset shoqërore, që vjen nga faktorë të shumtë dhe si pasojë e mospërfilljes së tij nga politika, e cila ka dalë në plan të parë të të gjitha angazhimeve. Intelektuali sot është në kërkim të rigjetjes së vendit dhe rolit të tij në shoqëri, në këtë shoqëri që po transformohet në mënyrë marramendëse dhe jo gjithmonë pozitivisht, si kudo në botë, dhe në të cilën intelektuali ndjehet shpesh i zhvendosur. Arsyet e vërteta dhe të shumta për këtë mund të jenë pjesë e një debati më të gjerë në kuadër të realitetit të sotshëm shoqëror në Kosovë, por edhe në përmasa më të gjera mbarëkombëtare.
Në vend të intelektualit të mirëfilltë, druaj të them se kemi një periudhë pseudo-intelektualizmi, të mos them anti-intelektualizmi që lind në situata kur ekzistojnë pasione të forta që nuk mund të përmbushen. Intelektuali ka ende ndikim aty ku nuk përfshihen çështje pasionante, por ndryshimi është se ai vazhdon të funksionojë pa një drejtim, pa një konceptim të qëllimeve për të cilat njerëzit duhet të jetojnë. Respekti për intelektualin dhe “të urtin” është në raport të zhdrejtë me nivelin e inteligjencës së shoqërisë; respekti për intelektualin është reduktuar dhe zëvendësuar me konsideratën për pseudo-intelektualin me pak arsimim, që bën që ai t’i nënshtrohet politikës së ditës apo grishjeve utilitare të interesit vetjak. Pseudo apo anti-intelektuali pozicionohet në fronte retrograde: ai do të ngrihet kundër gjuhës standarde, duke u stisur pas cytjeve fisnore e lokaliste, në vend se të punojë për avancimin dhe pasurimin gjuhësor; ai dëmton kulturën e përgjithshme shqiptare duke u angazhuar nga pozicione të rrethit të tij të ngushtë, në vend se t’i shohë kauzat e përgjithshme në një dioptri më të gjerë civilizuese; ai do të gjejë “falsitete” tek vlerat kombëtare dhe do të ngrihet kundër historisë dhe personaliteteve historike të kombit të vet duke kërkuar të vërteta të tjera që, në fakt, relativizojnë rëndësinë e kombit të vet nëpër faza të ndryshme historike; ai mohon apo hesht për lashtësinë dhe autoktoninë e kombit në vend se të kërkojë argumente dhe fakte shtesë shkencore që vërtetojnë atë; ai angazhohet për kauza të huaja dhe duke kërkuar ndajshtime të identiteteve dytësore ndaj identitetit kombëtar shqiptar, si fetare ashtu dhe fisnore, ai do të luftojë për krijimin e një identiteti të ri tepër të dyshimtë dhe të huaj për t’ia veshur kombit të tij, e të tjera. Lufton për kauza të të tjerëve duke shpenzuar energjinë jo në dobi të kombit të vet dhe për përparimin e tij. Përçmon kombin e vet duke pohuar se fatkeqësitë e pareshtura që kanë përshkuar këtë komb gjatë historisë janë faji i tij, se shqiptari është i prapambetur dhe primitiv dhe se nuk ka dhënë asnjë kontribut kulmor qytetërues apo krijues kulturor e letrar për kulturën e përgjithshme, se kultura shqiptare është e margjinalizuar, e mbyllur dhe e kufizuar dhe jashtë trendëve modernë, se shqiptarët në të vërtetë nuk ndryshojnë dhe se një sindrom mosndryshimi përcjell jetën e shqiptarit në çfarëdo rrethane. Ai nuk kritikon por asgjëson, ai nuk ndërton por shkatërron. Ai hesht kur duhet reaguar dhe reagon kur duhet heshtur. Ai nuk sheh asgjë të mirë në të djeshmen, të sotshmen por edhe në të ardhmen e shqiptarisë dhe kërkon mbështetje në identitete sekondare. Ai i është dorëzuar dhe është bërë mjet i politikës dhe politikanëve, në vend se të mos ketë të bëjë aspak me ta, e shumë atributeve të tjera të përditshme…
Ky tip intelektuali shqiptar sot, për fat të keq, gjendet gjithandej, derisa intelektuali i vërtetë nuk kryen dot punën e vet, si prijatar i proceseve zhvillimore dhe trendëve të bashkëkohësisë që duhet ndjekur. Ai, madje, me një lloj konformiteti, nuk i kundërvihet tipit të parë, atij të pseudo-intelektualit, roli i të cilit sa vjen e shtohet duke u rehatuar në rrethe politike dhe të interesit vetjak, i mbrojtur nga ambienti i tij gjithnjë e më i tëhuajsuar. Andaj, intelektuali i vërtetë sot rri i margjinalizuar, “zemërplasur” dhe pa mundësi të parapengimit të çfarëdo dukurie negative në shoqëri. Atë nuk e përfill askush. Kështu ai paraqitet sot si apatik, ndryshe nga roli i tij iluminues e qytetërues në të kaluarën tonë. Për këtë, ai është po aq fajtor sa dhe ata që e kanë vënë intelektualin në pozitë inferiore.
Mjetet moderne të komunikimit (interneti) kanë zgjeruar gamën e të shprehurit kolektiv por ka barazuar intelektualin me pseudo-intelektualin apo edhe me injorantin, duke siguruar qasje të njëjtë tek të dy. Kjo do të thotë se në vend të një qëndrimi kritik tani kemi një qëndrim skeptik që buron nga mungesa e edukimit adekuat qytetar si burim kryesor që është ushqim i mendjes së shëndoshë dhe racionale. Intelektualët e vërtetë janë të vetëdijshëm se, si gjithë të tjerët, ata kanë pikat e veta të dobëta andaj qëndrojnë mendjehapur, ndonëse kjo vetëdije e tyre mund të kufizojë angazhimin e tyre dhe kështu me mosveprim t’i shkaktojnë dëm shoqërisë. Ndërkohë, mediokriteti është bërë faktor në diskursin tonë kulturor dhe intelektual. Sot mediokriti dhe i padijshmi kalojnë të patrazuar t’u zënë vendin intelektualëve të mirëfilltë dhe vlerave reale…
Por, për një intelektual të mirëfilltë përpjekja për të ndërtuar një botëkuptim të vetin është një përpjekja e përhershme, në kërkim të një identiteti që do ta bëjë atë shquhet përballë botës së tij. Ky identitet duhet të ndërtohet nëse duam të lëmë gjurmë. Me përpjekjet tona vetjake, që burojnë nga brendësia jonë intelektuali duhet të zhvillojë këtë identitet. Dhe, kjo ndodh në tërë botën me intelektualin. Nëse ne nuk qartësojmë veten para miqve tanë, madje edhe para armiqve, nuk do të na marrin seriozisht dhe do të margjinalizohemi. Është vokacion i lindur i një intelektuali që këtë ta bëjë përmes intelektualizimti së mendjes dhe veprimit të tij personal.
Por ka diçka akoma më shumë! Siç thoshte Ajnshtajni: “Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë keq, por për shkak të atyre që shikojnë dhe nuk bëjnë asgjë”. Unë besoj se intelektualët janë veprimtarë të ndryshimit, veçanërisht në ato pjesë të botës ku sjellja e padrejtë dhe e gabuar është bërë normë. Në mënyrat e tyre, intelektualët kudo në botë po japin kontribute efektive për përmirësimin e shoqërisë në mënyra kuptimplota. Nuk do të kishte arsye që kjo të mos ndodhë edhe këtu në këtë moment të zhvillimit tonë shoqëror me intelektualët tanë.
Por, ç’e bën një intelektual të duhur? Para së gjithash, edukimi i mirë tek një intelektual është parakusht për ndikimin e inteligjencës dhe racionalitetit të tij. Një person me aftësi dhe njohuri të larta mban këtë lloj përgjegjësie dhe i detyrohet milieut të vet. Intelektualët duhet të përdorin kapacitetin e tyre për të kontribuar në shmangien e shoqërisë nga rrjedha me ndikim negativ por edhe nga përpjekjet e papërshtatshme aktuale dhe të ardhshme. Pikërisht kjo mungesë vizioni tek intelektualët tanë ka bërë që shoqëria jonë të lëngojë nga lëvizje e kauza të huaja që po e dëmtojnë identitetin shqiptar, që në një kohë afatgjate do të dëmtojnë kohezionin kombëtar.
Vaclav Havel flet për rolin e intelektualit brenda shoqërisë. Ai thotë pikërisht këtë që intelektuali ynë sot nuk bën: “Intelektuali duhet të shqetësojë vazhdimisht, të dëshmojë për mjerimin e botës, të jetë provokues duke qenë i pavarur, të rebelohet kundër të gjitha presioneve dhe manipulimeve të fshehura e të hapura; duhet të jetë dyshuesi kryesor i sistemeve… dhe për këtë arsye, një intelektual nuk mund të përshtatet në asnjë rol që mund t’i paracaktohet … dhe në thelb ai nuk përket askund: ai konsiderohet një ngacmues i bezdisshëm kudo që është.” I lidhur me këtë, pra, shihet edhe roli i intelektualëve që ata duhet të kenë në shoqëri. Në përgjithësi, intelektualët duhet të marrin përsipër një perspektivë reflektuese mbi shoqërinë. Kjo është më se e nevojshme sot tek ne…/KultPlus.com
Kamy ishte shkrimtar dhe filozof francez, njëherit edhe fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1957. Është i njohur për stilin karakteristik të shkrimit dhe me tematikat e veprave të tij. I gjithë opusi letrar i tij bazohet në idenë absurde të egzistencës së njeriut.
Më poshtë KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të tij.
Një shtyp i lirë, natyrisht, mund të jetë i mirë ose i keq, por, në mënyrën më të sigurtë, pa liri shtypi nuk do të jetë gjë tjetër veçse i keq.
Një ndërgjegje fajtore ka nevojë të rrëfehet. Një vepër arti është një rrëfesë.
Një njeri pa etikë është një bishë e humbur në këtë botë.
Ah, miku im, për këdo që është i vetmuar, pa Zot dhe pa mësues, pesha e ditëve është e lemerishme.
Medet, pas njëfarë moshë, çdo njeri është përgjegjës për fytyrën e tij.
Të gjitha bëmat e mëdha dhe mendimet e mëdha kanë një fillim qesharak. Veprat e mëdha shpesh kanë lindur në një qoshe rruge apo në derën rrotulluese të një restoranti.
Të gjitha revolucionet moderne kanë përfunduar në një përforcim të pushtetit të Shtetit.
Intelektuali është dikush mendja e të cilit vështron veten e saj.
Kur bëhet 30 vjeç njeriu duhet ta njohë veten si në pëllëmbë të dorës, të dijë saktësisht të gjitha të metat dhe kualitetet, ta dijë sa larg ai mund të shkojë, të parathotë dështimet e tij – të jetë ai që është. Dhe, mbi të gjitha, t’i pranojë këto gjëra.
Janë të bekuara zemrat që mund të lakohen; ato nuk do të thyhen kurrë.
E çfarë është lumturia përveçse një harmoni e thjeshtë midis një njeriu dhe jetës që ai bën?
Rregulli është që qeveria nuk ka ndërgjegje. Nganjëherë ka një politikë, por asgjë më shumë.
Sharmi është një mënyrë për të marrë përgjigjen po kërkuar një pyetje të qartë.
Mos ju beso miqve kur ata të kërkojnë të jesh i ndershëm me ata. E gjitha ç’duan ata është të mbajnë mendimin e mirë që ata kanë për veten e tyre.
Mos prit gjyqin e fundit – ai ndodh çdo ditë.
Mos ec pas meje; nuk jam prijës. Mos ec para meje ; nuk mund të të ndjek. Ec përkrah meje dhe ji miku im.
Çdo akt rebelimi shpreh nostalgjinë për pafajësinë dhe një thirrje ndaj thelbit të qenies.
Çdo njeri ka nevojë për skllevër si për ajër të pastër. Të sundosh do të thotë të marrësh frymë, apo jo? Madje edh më të paprivilegjuarit duan të marrin frymë. Ata të shkallës më të ulët kanë skllevër gratë ose fëmijët e tyre.
Çdo revolucionar përfundon në shtypës ose në heretik.
Liria nuk është gjë tjetër veçse një shans për të qenë më mirë.
Ai që dëshpërohet nga gjendja njerëzore është burracak, por ai që shpreson për të është budalla.
Si mund të jetë çiltërsia një kusht për miqësi? Shijimi i së vërtetës me çdo kusht është një pasion që nuk shpenzon asgjë.
Sa e rëndë, sa e hidhur është të bëhesh njeri!
Unë di vetëm një detyrë, ajo është të dashuroj.
Në mes të dimrit e kuptova më në fund se brenda meje ishte një verë që nuk çrrënjoset.
Integriteti nuk ka nevojë për ligje.
Është normale të japësh pak nga jeta jote, në mënyrë që të mos e humbësh krejtësisht.
Njeriu është një ide, dhe është një ide e vogël e çmuar sapo ia kthen shpinën dashurisë. Njeriu është krijesa e vetme që nuk pranon të jetë çfarë është. / KultPlus.com
Thënie nga Mark Twain
Kujdes kur të lexoni libra shëndeti. Mund të vdisni për një gabim shtypi.
Unë nuk mora pjesë në funeral, por dërgova një letër të këndshme kur thuhej se e miratova.
Nuk e kam lejuar asnjëherë shkollimin të ndërhyjë me arsimimin.
Njeriu që nuk lexon libra të mirë nuk ka asnjë avantazh ndaj atij që s’mund t’i lexojë.
“Përse rrini heshtur me pamjen e një zarfi pa adresë sipër?”
Problemi me këtë botë nuk është se njerëzit dinë shumë pak, por se dini kaq shumë gjëra që s’qëndrojnë.
Është shumë e lehtë ta lësh duhanin. Unë e kam bërë me qindra herë.
Blini tokë. Askush s’e prodhon më.
Nga të gjitha gjërat që kam humbur, më ka marrë malli më shumë për mendjen.
Vera gjermane dallohet nga uthulla nga etiketa.
Mos u sillni rrotull duke thënë se bota ju detyron jetesën. Bota nuk ju detyron asgjë. Ishte këtu para jush.
Gjithmonë falini armiqtë, asgjë s’i mërzit më shumë.
Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimit./KultPlus.com
Kur performanca “Marrja Zezë” përfundoi në Teatrin “Oda”, Shpejtim Smaqi dhe Sabahete Hasani janë duke pritur te dera e sallës me dy daulle në duar. Janë performuesit e radhës në program. Teksa publiku del, ata futen si pa dashur të vërehen, me qëllim që të ambientohen pak me skenën e teatrit për herën e parë në jetën e tyre. Pak dhe si me droje.
Shkruan: Gili Hoxhaj
Nuk besoj të kenë performuar më parë edhe para një publiku kaq divers, që përbëhet nga njerëz që vijnë nga shtete, besime e sfonde të ndryshme – që e bëjnë aktivizmin e pabarazive gjinore e sociale. Që nuk e kuptojnë gjuhën, por del më vonë që e përqafojnë ritmin e tyre. Dyshja tërë jetën është përpjekur vetëm ta bëjë argëtimin. Mbrëmë ia dolën suksesshëm. “Na kënaqemi vetëm kur ju kënaqeni”, më thotë Shpejtim Smaqi në një bisedë të shkurtër. Elira nga Artpolis është dashur t’i takojë në Gjakovë që t’i bindë të vijnë në festival. Ajo u kujdes për çdo detaj që ata të ndihen rehat. I kishte aranzhuar taksin dhe hotelin, në bazë të marrëveshjes që kishin arritur. Në një tavolinë të zezë kishin të vendosur ujin, e kur publiku i rrethon me ulëse, nisin këngën. Janë këngë që i kam dëgjuar shpesh si fëmijë. Këngë dasmash. Këngë me të cilat janë martuar nëna, gjyshja dhe të afërmit e mi.
Verën e kaluar edhe një shoqe e imja e vëllai im. “Me na bo shyhret”, është krejt çka kërkonin nëpërmjet këngës. Organizatorja e festivalit “FemArt”, Zana Hoxha, doli e para me kolegen e saj, Venera Ismaili. Dhe sikur edhe duart e tyre e performuesve u çliruan, kur salla do të përshkohej nga vallëzimi prej këngës së tyre. E këndonin me emër këdo që dilte në mes dhe kështu gjithçka ngjizej me të qeshura. Nuk ia huqnin emrit kur u pëshpëritej në vesh, përkundër zhurmës. “Duart që Djegin, Zemrat që Çlirojnë” është titulluar mbrëmja e natës së tretë në FemArt, krejt e pazakontë, por si një festë çliruese, ku secili di saktë si të vallëzojë. Edhe artistja Anisa Ismaili iu kthye kësaj nostalgjie dhe e shijoi atë. “Artistët e huaj që ishin prezent, na pyetën si është e mundur që të gjithë ju po dini të vallëzoni?… Eh, tradita nuk harrohet lehtë dhe me shumë dëshirë ne e ruajmë”, thotë aktorja dhe producentja, Anisa Ismaili.
Sipas saj, është e rëndësishme që edhe kjo anë të tregohet në festival.
“Një natë shumë ndryshe në FemArt. Dyshja e elektrizuan skenën e qe besa edhe neve si audiencë. E bukur që edhe kjo pjesë e traditës sonë të tregohet në festival”, theksoi ajo. Duket se nuk mbeti kush pa vallëzuar, qoftë nga ulësja, qoftë në këmbë e valle. Chiara Bosco nga Italia nuk u ndal asnjë moment bashkë me shoqet e saj.
“Ka daulle dhe këngë dhe shumë gra të bukura që kërcejnë në rreth… është si një ritual pagan të cilit i përkas. Thjesht mahnitëse”, më thotë ajo përderisa kënga nuk ndalet.
Kjo i kënaqte performuesit të cilët gjithë buzëqeshje u drejtoheshin atyre që vallëzonin. Sikur mundi po u shpërblehej. Madje morën dhe një ftesë të re për të interpretuar në “EtnoFest”. Shpejtimi me Sabahaten janë miq të mirë dhe anëtarë të një familje. Shpejtimi këtë punë e bën kaherë.
“Prej 13 vjeç ja kam filluar, tash i kam 48. Kam qejf me kon krejt të knaqun”, shprehet tutje Shpejtimi teksa ia shoh djerset ne fytyrë. Thotë se janë të lumtur që janë pjesë vetëm e gëzimeve të njerëzve dhe kjo shpresë lind përditë e re për ta.
“Na jemi veç për të mirë, si të çohem mëngjes, thojmë ‘More Allah t’kish më u martu dikush më shku më këndu, haha…’”, vazhdon për disa kohë të qeshurën ai. Qesh edhe unë. Marr disa komente më vonë për këtë ngjarje që e kisha postuar, disa shumë të mira dhe tek aty dikush që u befasua. Pak rëndësi ka. Kjo ishte një mbrëmje që na çliroi dhe na lidhi me kujtimet. Na bëri t’ia kapim dorën njëri-tjetrit dhe të qeshim më shpirt teksa vallëzojmë. Në asnjë mbrëmje tjetër nuk qeshëm më shumë./KultPlus.com
Poezi e shkruar nga Rumiu.
Në qoftë se nuk di të duash,
Mëso të duash,
Patjetër përpiqu të duash
Çdo gjë që të sheh syri,
Çdo gjë që percepton,
Çdo gjë që mund të imagjinosh
Duaje, duaje,
Të duash mëso
Edhe çdo gjë që dëgjon,
Çdo gjë që ndodhet në këtë univers…
Asgjë të shëmtuar s’ka në këtë botë,
Asgjë, pale sa e rëndomtë të të duket,
Një insekt sa i vogël po as ai
i shëmtuar nuk është,
Një fije bar merre në dorë
Sa e brishtë a nuk e sheh?
Duaj lulet, gurët, retë,
Çdo gjë me formën, ngjyrën, kuptimin e saj,
Duaje, duaje,
Mëso të duash,
Përpiqu të duash,
Bota për dashurinë tënde është krijuar,
Më parë mëso dashurinë,
Shiko një vogëlush,
Sa i mrekullueshëm,
Mendo dhe ata që e sollën atë në jetë,
Sepse kjo botë është krijuar për dashuri,
Duaji njerëzit,
Ata për të mos qenë vetëm
Pranë teje të jenë
Për këtë, vërtetë për këtë,
Janë krijuar,
I gjithë universi
Me zinxhirë të dashurisë është lidhur,
Prandaj edhe ti,
Të japësh dashuri mëso!
Sepse dije, në shpirtin tënd,
Për të gjitha këto paska vend,
Mos harro,
Bota vetë trembet nga njerëzit
Pa dashuri,
Dhe nga frika,
Prej tyre largohet,
Apo më e keqja, ju bëhet armike,
Prej vetes i largon,
Duaje edhe vdekjen,
Mëso ta duash që të dish se ka një Përjetësi…
Dhe nëse të duash mësove,
Edhe të tjerëve duhet t’ua mësosh,
Që me sekretin e mrekullueshëm të kësaj bote,
Njerëzimit t’i shërbesh…/KultPlus.com
Poezi nga Ibrahim Kodra
Një lule
Mos më thuaj që nuk të kam dashur,
o lule e livadhit të virgjër!
Thuamë që është shuar dielli,
thuamë që toka është në flakë,
thuamë që hëna është ngjethur,
thuamë që qielli është në gjëmë,
thuamë që s’ka më agshole,
por mos më thuaj që nuk të kam dashur…/ KultPlus.com
Cirku Kombëtar ofroi një shfaqje plot emocione për publikun e Lezhës, në ambientet e Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri”.
Përmes numrave të akrobacive dhe surprizave të tjera trupa e Cirkut Kombëtar ofroi një mbrëmje të paharrueshme për fëmijët e Lezhës.
Interpretimet e akrobatëve të kësaj trupe sollën mjaft argëtim e të qeshura në sallë.
Një aktivitet i tillë tregoi se arti i cirkut mbetet një formë e gjallë, frymëzuese e argëtimit.
Që prej rihapjes, Pallati i Kulturës në Lezhë ka sjellë një sërë organizimesh, ndërsa aktivitetet nuk do të mungojnë as gjatë sezonit turistik./ KultPlus.com
Poezi nga Albert Kamy
E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.
Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.
Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara. /KultPlus.com
Dua Lipa, ylli shqiptar me famë botërore, po shkëlqen në skenat më të mëdha të globit. Këtë javë, ajo do të performojë në stadiumin legjendar Wembley në Londër, dhe jo një herë, por dy net me radhë, më 20 dhe 21 qershor. Të dy koncertet janë “sold out”, me mbi 160 mijë bileta të shitura brenda minutave, një tjetër rekord në rrugëtimin e saj triumfues.
E gjitha kjo është pjesë e turneut të saj të ri “Radical Optimism”, që po përshkruhet si një shpërthim energjie, muzike dhe bashkëpunimesh me emra të mëdhenj të industrisë, përfshirë edhe fitues të çmimeve Grammy që pritet të jenë mysafirë surprizë në skenë.
Në Londër është hapur edhe një pop-up shop ekskluziv i Dua Lipës, ku fansat mund të blejnë produkte të personalizuara, të bëjnë foto e madje të provojnë pijet e saj të preferuara.
Pas Wembley-t, Dua do të ndalet në Anfield në Liverpool më 25 dhe 27 qershor, dhe më pas në Dublin në stadiumin Aviva. Por ajo që na bën zemrën të rrahë më fort është se disa javë më vonë. ndalesa e saj e radhës do të jetë PRISHTINA!
Më 1 gusht, Dua kthehet në vendlindjen e saj, për të performuar në festivalin më të madh të muzikës në rajon Sunny Hill Festival, që tashmë është zyrtarisht pjesë e turneut të saj global “Radical Optimism”.
Nga skenat më të mëdha të botës, drejt zemrës së Prishtinës!/KultPlus.com
Dje, më 18 qershor 2025, në orën 19:30, në “Shtëpinë e Poezisë” në rrugën “Ferat Dragaj”, Bregu i Diellit, Prishtinë, është bërë inaugurimi i “Teatrit të Poezisë”, teatri i parë në Ballkan i dedikuar ekskluzivisht performancës së poezisë si formë teatrore. Kjo ngjarje ka shënuar një moment historik për jetën kulturore dhe letrare në Kosovë dhe rajon.
Themelimi i këtij teatri përbën një risi të padiskutueshme në kontekstin kulturor të Evropës Juglindore.
Ndërsa në vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ekzistojnë nisma të njohura si Cambridge Poets’ Theatre apo “Poetry Tent” në Glastonbury Festival, në Ballkan deri më tani nuk ka pasur një institucion të përhershëm të këtij karakteri.
Ky teatër është themeluar nga poeti i njohur kosovar Lulzim Tafa, një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe njeri nder poetet me te njohur dhe me te përkthyer te letërsisë shqipe ne bote, si dhe fitues i shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare.
Në ceremoninë e inaugurimit të Teatrit të Poezisë, krahas figurave të njohura të letërsisë, artit dhe kulturës nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit, mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se ky teatër që po promovohet sot do t’i shtojë Kryeqytetit rëndësinë kulturore, duke e bërë një atraksion dhe mundësi të jashtëzakonshme në nxitjen e diplomacisë kulturore për qytetin e Prishtinës, ngase në këtë skenë, me vargjet e tyre, do të vijnë poetë eminentë nga mbarë bota.
Të pranishmit përjetuan një mbrëmje të pasur me interpretim poetik dhe prezantim të këtij koncepti të ri artistik, i cili për herë të parë i jep poezisë një skenë të përhershme dhe të dedikuar.
Teatri i Poezisë tashmë është pozicionuar si një pikë e re kulturore e Prishtinës dhe Kosovës, duke u shtuar atraksioneve që e bëjnë kryeqytetin një destinacion gjithnjë e më tërheqës për artdashësit vendorë dhe të huaj.
I krijuar për të promovuar poezinë në formën e saj më të mirë dhe më të ndjeshme, ky teatër përfaqëson një ndërthurje bashkëkohore mes fjalës së shkruar dhe artit të performimit, duke hapur një epokë të re për interpretimin poetik në hapësirën shqiptare dhe ballkanike./ KultPlus.com
“Qëllimi i vetëm i ekzistencës njerëzore,” shkroi Carl Jung në fletoret e tij , “është të ndezësh një dritë në errësirën e qenies së thjeshtë”. Në një univers pa qëllim në kuptimin njerëzor, në të cilin ne jemi vetëm një aksident kozmik. Errësira e qenies së thjeshtë mund të na pushtojë lehtësisht, dhe megjithatë ne vazhdojmë të godasim ndeshjen e kuptimit. “Sado e madhe të jetë errësira,” kumtoi Stanley Kubrick në një intervistë të vitit 1968 , “ne duhet të japim dritën tonë.”
Mënyra se si ne e sigurojmë atë dritë është ajo që eksploron psikiatri i madh ekzistencial, Irvin D. Yalom (lindur më 13 qershor 1931) në një pjesë të librit klasik të vitit 1989 plotësisht ndriçues, Ekzekutuesi i dashurisë dhe tregime të tjera të psikoterapisë, Yalom ka bërë për psikoterapi atë që ka bërë Oliver Sacks për neurologjinë, duke përdorur studimet e rasteve si një trampolinë tregimi, për të menduar disa nga pyetjet më të mëdha dhe më të përhershme njerëzore. Përmes tregimeve të dhjetë pacientëve, ai shqyrton se cilat janë katër aspektet kryesore të psikoterapisë; pashmangshmëria e vdekjes, liria për të formësuar qëllimin themelor të ekzistencës, vetmia jonë përfundimtare dhe mungesa e ndonjë, vlerësimi apo kuptimi i dukshëm për jetën.
E fundit nga katër, të cilën Yalom e konsideron si dilemën ekzistenciale njerëzore të “një qenie që kërkon kuptimin dhe sigurinë në një univers që nuk ka asnjërën”, është edhe më e pakapshme dhe më pjellore, sepse të ngulitura në të janë tre të tjerat. Ai shkruan:
Nëse vdekja është e pashmangshme, nëse të gjitha arritjet tona, në të vërtetë i gjithë sistemi ynë diellor, një ditë do të shndërrohet në gërmadha, nëse bota është e kushtëzuar (domethënë, gjithçka mund të ishte ndryshe), nëse qeniet njerëzore duhet të ndërtojnë botën dhe dizajni njerëzor brenda asaj gjithçka, atëherë çfarë kuptimi të qëndrueshëm mund të ketë jeta? … Ne jemi krijesa që kërkojnë kuptim. Biologjikisht, sistemet tona nervore janë të organizuara në atë mënyrë që truri i grumbullon automatikisht stimujt që vijnë në konfigurime. Kuptimi siguron gjithashtu një ndjenjë zotërimi: duke u ndjerë të pafuqishëm dhe të hutuar përballë ngjarjeve të rastësishme, të pamodeluara, ne kërkojmë t’i renditim ato dhe, duke e bërë këtë, të fitojmë një ndjenjë kontrolli mbi to. Edhe më e rëndësishmja, kuptimi lind vlerat dhe, për rrjedhojë, një kod sjelljeje. Pra përgjigja e pyetjet (Pse jetoj?) jep një përgjigje për pyetjet se si (Si jetoj?).
Në të vërtetë, e gjithë historia e njerëzimit për të menduar se si të jetojë është e rrënjosur në këtë çështje të kuptimit. E megjithatë Yalom argumenton se ne mund të kërkojmë kuptimin vetëm në mënyrë indirekte. Në një ndjenjë që të kujton Virginia Woolfin për paradoksin e të shkruarit për shpirtin, ai pohon:
Kërkimi i kuptimit, ashtu si kërkimi i kënaqësisë, duhet të kryhet në mënyrë të pjerrët. Kuptimi rrjedh nga aktiviteti kuptimplotë: sa më shumë ta ndjekim qëllimisht, aq më pak ka gjasa që ta gjejmë atë; Pyetjet racionale që mund të parashtrohen rreth kuptimit do të zgjasin gjithmonë më shumë se përgjigjet. Në terapi, si në jetë, kuptimi është një nënprodukt i angazhimit dhe predispozitës, dhe pikërisht këtu duhet t’i drejtojnë terapistët përpjekjet e tyre, jo se angazhimi jep përgjigjen racionale për pyetjet e kuptimit, por bën që këto pyetje të mos kenë rëndësi.
Si në terapi ashtu edhe në jetë, ky shkëlqim anësor i kuptimit kërkon kultivimin e një niveli rehatie me pasiguri dhe pyetjen e vazhdueshme të asaj që Hannah Arendt i quajti në mënyrë kaq të paharrueshme “pyetjet pa përgjigje” që na bëjnë njerëz; më pas kërkon që, për të parafrazuar fjalët e pavdekshme të Rilke , ne t’i jetojmë ato pyetje. Yalom shkruan:
Aftësia për të toleruar pasigurinë është një parakusht… Tundimi i fuqishëm për të arritur sigurinë përmes përqafimit të një shkolle ideologjike dhe një sistemi të ngushtë terapeutik është i pabesë: një besim i tillë mund të bllokojë takimin e pasigurt dhe spontan të nevojshëm për terapi efektive.
[…]
Më duhet të supozoj se të dish është më mirë se të mos dish, të bësh sipërmarrje sesa të mos bësh sipërmarrje; dhe ajo magji dhe iluzion, sado i pasur, sado tërheqës, në fund të fundit dobësojnë shpirtin njerëzor.
Si t’i shpërndani ato iluzione dhe të forconi shpirtin njerëzor përmes pasigurisë kuptimplote, është ajo që Yalom eksploron në pjesën e mbetur të Ekzekutuesit të Dashurisë krejtësisht zbuluese. Plotësojeni këtë pikë të veçantë qendrore me Parker Palmer se si të dalloni qëllimin tuaj, Viktor Frankl për kërkimin njerëzor për kuptimin dhe Hannah Arendt për ndryshimin thelbësor midis së vërtetës dhe kuptimit.
Përgatiti: Albert Vataj/ KultPlus.com
Leqet e Hotit në Shkodër, ofrojnë një pamje spektakolare të natyrës ndërthurur me gjarpërimet e rrugës së re drejt Alpeve, që ftojnë të vizitosh Tamarën, Lëpushën e Vermoshin, në një udhëtim të paharrueshëm.
Kryeministri Edi Rama, ndau pamje nga Leqet e Hotit, rruga spektakolare drejt skajit më verior të vendit.
“Leqet e Hotit, kalimi malor spektakolar në veri të Shqipërisë, Shkodër”, shkroi Rama.
Leqet e Hotit ndodhen në një lartësi prej 730 metrash mbi nivelin e detit, nëpër të cilën kalon rruga e Malësisë së Madhe për në Vermosh, në Malësinë e Kelmendit.
Rruga, e cila është projektuar me gjarpërime të shumta në luginën e Cemit për 500 metra në anën verilindore, është e veshur me pyll ahu, kurse në jugperëndim bashkohet me fushën e Rapshës.
Ajo lidh fushën karstike të Hanit të Hotit (Bajzë-Kushe) me luginën e Cemit dhe ndan majën e Mështjerrës (1447m) në juglindje me të Bukovikut (1232 m) në veriperëndim./atsh/ KultPlus.com
“Kujtesa e Mesdheut – Nga antikiteti në kohët moderne” titullohet ekspozita e çelur në në kuadër të shpalljes së Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025.
Në ekspozitën e hapur në ambientet e Bibliotekës Kombëtare ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha, kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, nëndrejtorja Majlinda Toçi, diplomatë, studiues, historianë e personalitete të fushave të interesit.
Të pranishmit patën mundësinë të shijonin nga afër materialet e ekspozuara, të gjitha pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se “kjo ekspozitë është një udhëtim mbresëlënës nëpër fondin e pasur të Bibliotekës Kombëtare, ku u sollën në vëmendje mbi 700 vepra të rralla nga shekulli XIV deri në XIX – libra, dorëshkrime, harta e gravura”.
“Kjo ekspozitë, me ndarjen e saj tematike të kujdesshme dhe thellësinë kulturore që ofron, është një kontribut i vyer në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë dokumentare. Një ftesë për të reflektuar mbi vendin e Shqipërisë në historinë e Mesdheut dhe për të rigjetur lidhjet tona me Lindjen, Perëndimin dhe vetveten”, tha Gonxhja.
Ekspozita, e cila vendos në qendër të saj gjithë ngjyrat dhe diversitetin e gjerë kulturor, fetar, shoqëror e politik të Mesdheut, shfaq për publikun e gjerë libra, dorëshkrime, harta e gravura mes viteve 1300-1900.
Përmes një ndarjeje tematike të qartë, ekspozita përfshin autorë klasikë, trashëgimi bizantine, botime veneciane dhe vepra që pasqyrojnë marrëdhëniet kulturore të Mesdheut me Lindjen.
Ministri e vlerësoi këtë nismë si një kontribut konkret në ruajtjen, promovimin dhe interpretimin e trashëgimisë sonë dokumentare, si dhe një mundësi për të nxitur interesin publik ndaj historisë dhe rolit të Shqipërisë në këtë hapësirë të gjerë kulturore.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 18 korrik, çdo ditë, në oraret 09:00-20:00./ KultPlus.com
Nesër në Galeria17 do të bëhet hapja e ekspozitës “Artists of the Day After Tomorrow-Recording Transition (200202024)”, kuruar nga Miran Mohar dhe Fitore Isufi Shukriu. Kjo ekspozitë përmbledh Çmimin “Artistët e së Nesërmës” nga viti 2002 deri në ditët e sotme.
Fokusi i kësaj ekspozite është në atë, se si mund të ndërtohet dhe zhvillohet sistemi i artit. Pas çdo ndryshimi ose revolucioni pozitiv shoqëror, dita më e rëndësishme është ajo që vjen më pas, kur puna e përditshme e zakonshme duhet të kryhet larg vëzhgimit të publikut dhe medias.
Kjo ekspozitë vjen në kuadër të temës Arkivimi i Tranzicionit, që ëshë prej katër temave që Galeria 17 trajton brenda programit vjetor.
Datat e Ekspozitës dhe aktiviteteve përcjellëse:
20/06/2025 – 05/09/2025
Artists of the Day after Tomorrow
Kurator Miran Mohar dhe Fitore Isufi Shukriu
Arkivimi i Tranzicionit IV
Cikli i ekspozitave të Arkivimi i Tranzicionit (2022–2025) në Galeria 17 shënon përfundimin e një faze të rëndësishme të procesit të hulumtimit, dokumentimit dhe arkivimit të historisë së arteve pamore në Kosovë. Ky program ka përfshirë rivizitimin e ngjarjeve të mbi 25 vjeteve të ekspozitave dhe veprave artistike që kanë ndikuar në zhvillimin e skenës artistike vendore. Në kohën kur po e realizojmë këtë ekspozitë, Kosova përpiqet të lërë pas tranzicionin e gjatë dhe të vështirë që e ka shoqëruar vendin për dekada me radhë, duke punuar vazhdimisht për një fillim të ri të orientuar drejt progresit dhe afirmimit të kulturës. Në këtë kohë, Kosova po përjeton një zgjim kolektiv, ku të gjithë jemi dëshmitarë të nismave të vyera të institucioneve të artit dhe kulturës, qofshin ato të pavarura apo institucionale, të gjitha janë të angazhuara drejt vetnjohjes dhe vethistorizimit. Duket sikur artit dhe kulturës i ka ardhur koha të vlerësohen për historinë e vet, pa u skajuar, sikur rëndom ndodh nga ngjarjet e ndryshme poliktike e sociale në vend. Historikisht, arti në Kosovë është perceptuar si i dorës së dytë, i influencuar nga sfidat socio-politike. Megjithatë, hapja dhe lëvizja drejt të rejës dhe progresit ka treguar një gadishmëri kolektive për të sfiduar status quo-në dhe për të ndërtuar një rrugë të re për artin në vend. Nisma për organizimin e Çmimit për Artistë të Rinj – Artisët e së Nesërmës, në Galerinë Kombëtare në vitin 2002, është vetëm një dëshmi më shumë e përkushtimit dhe vullnetit të përgjithshëm për të sjellë ndryshime.
Ndërsa pranojmë natyrën e përkohshmërisë së këtij çmimi, synojmë të analizojmë trashëgiminë e tij të përhershme – të hedhim dritë mbi rrugëtimin e artit bashkëkohor në Kosovë – duke vlerësuar këtë iniciativë dhe të tjera të ngjajshme, si dhe artistët dhe veprat që kanë ndryshuar thellësisht mënyrën se si shikohet, krijohet dhe pranohet arti pamor në vend. Prodhimi artistik gjatë gjithë këtij kapitulli ka luajtur një rol vendimtar në formësimin dhe pasqyrimin e peizazhit kulturor në zhvillim të Kosovës.
Kjo ekspozitë bashkon materiale arkivore, deklarata artistësh, të dhëna mbi rrugëtimin e çmimit dhe libra të artistëve, duke ndërtuar një narrativë që feston të kaluarën dhe e dokumenton atë, edukon të sotmen si dhe guxon të imagjinon të ardhmen.
Artists of the Day after Tomorrow
Recording transition (2002-2024)
Kjo ekspozitë përmbledh Çmimin “Artistët e së Nesërmes” nga viti 2002 deri në ditët e sotme. Në vend që të fokusohet tek veprat ose artistët/et fitues/e, ajo vë në fokus ndikimin e këtij çmimi në zhvillimin e sistemit të artit në Kosovë. Pa dyshim, ky çmim, përveç iniciativave të tjera të rëndësishme (Exit dhe themelimi i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë), ka kontribuar shumë në faktin se interesi për artin bashkëkohor si nga artistët ashtu edhe nga publiku, në Kosovë është rritur. Që në fillim, komisioni i vlerësimit përfshinte përfaqësues/e nga skena e artit në Kosovë dhe bota ndërkombëtare e artit. Kjo do të thoshte që kriteret për dhënien e çmimit nuk bazoheshin në kornizën e zakonshme e të errët kombëtare, tipike për vendet e dalura nga shpërbërja e Jugosllavisë. Çmimi “Artistët e së Nesërmes” është pjesë e programit “Young Visual Artists Award”, një rrjet ndërkombëtar i çmimeve që vepron në Evropën Lindore, Qendrore dhe Jugore që nga viti 1990, me Kosovën duke u bashkuar në vitin 2002. Me kalimin e viteve, ky çmim u bë një pikë e ndritshme në zhvillimin e sistemit të artit në të gjitha këto vende të reja. Interesante, iniciativa erdhi nga “jashtë”, që do të thotë se institucionet e artit nga ish-Jugosllavia nuk kishin mjaftueshëm vetëdije, njohuri dhe burime financiare për të prodhuar vetë një çmim të tillë. Përtej rëndësisë së tij si një ngjarje artistike, çmimi “Artistët e së Nesërmes”, i mbajtur nga viti 2002 deri në 2014, pavarësisht se u organizua nga një institucion publik, u bë një zë i fuqishëm në avancimin e kulturës së pavarur. Që nga viti 2016, çmimi organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, si një institucion i pavarur dhe i besueshëm, i përkushtuar në vazhdimësinë e tij.
Gjatë procesit të realizimit të ekspozitës, pothuajse të gjithë fituesit/et janë takuar personalisht ose virtualisht. Bisedat me ta kishin për qëllim të kuptonin se si marrja e këtij çmimi dhe kalimi i kohës në Nju Jork – një qytet ku lindi arti bashkëkohor (falë Alfred Barr dhe MoMA-së), dhe ku sistemi i artit është shumë i zhvilluar – ka ndikuar tek ata.
Të kesh një vështrim të brendshëm dhe të jashtëm të skenës së artit bashkëkohor në Kosovë, siç ofrohej nga juria ndërkombëtare, ishte e rëndësishme. Në një kohë kur artistët e Kosovës pothuajse ishin të shkëputur plotësisht nga bota e jashtme, këta ekspertë të huaj të artit erdhën në vend dhe u dhanë atyre informacione të dorës së parë reth artit bashkëkohor. Ata gjithashtu përhapën lajme pozitive për cilësinë dhe vitalitetin e skenës së artit në Kosovë. I njejti proces u përdor për të zgjedhur përfaqësuesit/et për paviljonin kombëtar në Bienalen e Venedikut. Juria profesionale e ekspertëve të artit pa dyshim ndihmoi në sigurimin e cilësisë së lartë të projekteve dhe veprave si në bienalet e artit ashtu edhe në ato të arkitekturës.
Tani, artistët e Kosovës marrin pjesë rregullisht në ekspozita ndërkombëtare të mëdha, siç është Bienalja e Venedikut, dhe kanë marrë pjesë gjithashtu në Documenta në Kassel. Megjithatë, Manifesta erdhi në Kosovë vullnetarisht, duke njohur vitalitetin dhe cilësinë e skenës së artit vendor. Prizreni tashmë po organizon një bienale të re të artit bashkëkohor. Në institut i ri i Artit Bashkëkohor është hapur gjithashtu në Pejë. Një fondacion tjetër aktiv po kontribuon në gjallërinë e skenës së artit në Prishtinë, dhe po krijohen organizata dhe iniciativa të reja. Ekspozita “Artists of the Day after Tomorrow” po mbahet në një galeri që është zgjeruar nga një fondacion. Për më tepër, iniciativa të rëndësishme po zhvillohen aktualisht nga institucionet publike, siç është themelimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë.
Që skena e artit të funskionojë dhe të zhvillohet, është thelbësore që sistemi i artit të punojë në mënyrë efektive me institucionet kombëtare, artistët dhe iniciativat private. Kjo përfshin krijimin e një sistemi cilësor arsimor për të gjitha profesionet e artit, si dhe prodhimin e organizuar të ekspozitave dhe teorisë
së artit. Gjithsesi, grantet duhet të jenë gjithashtu të disponueshme për artistët dhe profesionistët e tjerë të artit dhe veprat e artit duhet të blihen rregullisht për koleksionet publike dhe private. Pa një ekonomi arti funksionale, skena e artit nuk mund të shpresojë për sukses afatgjatë.
Fokusi i kësaj ekspozite është në atë, se si mund të ndërtohet dhe zhvillohet sistemi i artit. Pas çdo ndryshimi ose revolucioni pozitiv shoqëror, dita më e rëndësishme është ajo që vjen më pas, kur puna e përditshme e zakonshme duhet të kryhet larg vëzhgimit të publikut dhe medias.
Tahar Alemdar (2002), Jakup Ferri (2003), Kadër Muzaqi (2005), Fitore Isufi – Koja (2006), Fatmir Mustafa – Karllo (2007), Bekim Gllogu (2008), Miranda Thaqi (2009), Loreta Ukshini (2010), Astrit Ismaili (2011), Majlinda Hoxha (2012), Artan Hajrullahu (2013), Doruntina Kastrati (2014), Arbërore Sylaj & Dardan Zhegrova (2016), Meriton Maloku (2017), Qëndresa Deda (2018), Somer Şpat (2019), Brilant Milazimi (2020), Enxhi Mehmeti (2021), Agrina Vllasaliu (2022), Renea Begolli (2023), Mimoza Sahiti (2024).
Në vitet 2002-2014, Çmimi Artistët e së Nesërmës është organizuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës, Qendra për Art Bashkëkohor, e mbështetur nga Fondacioni Soros – KFOS dhe Zyra amerikane në Prishtinë.
Nga viti 2016, Çmimi Artistët e së Nesërmës organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë dhe Residency Unlimited në Nju Jork, e mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding (TMU) në Nju Jork./ KultPlus.com
Ambasada e Republikës së Shqipërisë më 23 qershor organizon një ekspozitë, ku piktori Skender Strica do të prezantojë punimet e tij në ekspozitën “Horizonte mbarëshqiptare”.
Ekspozita do të hapet në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, dhe ceremonia do të mbahet në ora 19:00./ KultPlus.com
Një transmetim i drejtpërdrejtë ka kapur momentin kur një raketë SpaceX Starship shpërtheu në një top zjarri gjigant ndërsa po përgatitej për një fluturim testues.
Incidenti ndodhi të mërkurën në mbrëmje rreth orës 23:00 në Qendrën e Testimit Massey në Teksas, raporton BBC.
Në një komunikatë, kompania tha se nuk u shkaktuan lëndime. Ata thanë se nuk kishte rreziqe për komunitetet përreth dhe iu kërkuan njerëzve të mos i afroheshin zonës.
Qendra Multimedia ka njoftuar se këtë vit do të jetë marr pjesë festivalit LIFE me shfaqjen “Të negocosh paqen”, e cila do të prezantohet në Teatro Out Off më 20 dhe 21 qershor nga ora 19:30.
Këto prezantime në Milano vijnë pas një varg prezantimesh të suksesshme të shfaqjes “Të negocosh paqen” në qytete të ndryshme evropiane, përfshirë Hamburg, Munster, Leipzig, Zagreb, Oslo, Pragë, Cividale del Friuli, Firence etj.
“Këtë here, po rikthehemi në Itali në një festival që feston teatrin bashkëkohor që frymëzohet nga ngjarje të kohës sonë dhe duke i marrë ato për pikënisje, u çel udhë debateve shoqërore kohërisht relevante”, thuhet në njoftim.
Festivali LIFE i organizuar nga Zona K në Milano të Italisë propozon një teatër që vëzhgon dhe interpreton të tashmen, merr të dhëna reale dhe i rikthen ato në shfaqje teatrore. Marrëdhënia me realitetin bëhet objekt dhe mjet i një hulumtimi që përzien narrativat dhe gjuhët, rishqyrton konceptin e dhe riformulon kriteret e përjetimit dhe të përvetësimit të hapësirës duke hapur lidhje të drejtpërdrejta me sociologjinë, urbanistikën, statistikën, historinë, ekonominë dhe teknologjinë.
E frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” dhe nga romani i Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, komedia NEGOTIATING PEACE ballafaqon publikun me sfidat, frikën dhe shpresën që e shoqërojnë përpjekjet për arritjen e paqes. Në mënyrë satirike dhe politike, shfaqja prek negociatat e paqes pas luftërave të mëdha, përfshirë rastin e Kosovës, Ukrainës, Lindjes së Mesme, Irlandës së Veriut, etj.
E shkruar nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Nezirajt, shfaqja është prodhuar nga Qendra Multimedia nga Prishtina, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas (Itali); Festivalin euro-scene Leipzig (Gjermani); Teatrot e Qytetit Pragë (Çeki); R.A.A.A.M (Estoni); Mittelfest (Itali); Kontakt (Bosnjë dhe Hercegovinë); Black Box Teater (Norvegji) dhe My Balkans (SHBA/Serbi).
Pjesë e edicionit të vitit 2025 të Festivalit LIFE i cili ka nisur më 7 maj dhe do të zgjasë deri më 21 qershor kanë qenë edhe shumë shfaqje nga vende të ndryshme të botës përfshirë Spanjën, Gjermaninë, Holandën, Italinë, Francën, Zvicrën, Belgjikën, Palestinën, Mbretërinë e Bashkuar, Libanin e Bjellorusinë./ KultPlus.com