Stephen King zbulon 12 rregulla të arta për shkrimtarët e rinj

Shkrimtari i njohur Stephen King në një intervistë për ”The Atlantic”, ndan disa këshilla ose, siç i quan ai, rregulla, për të gjithë krijuesit e rinj. Shumë prej tyre, më shumë sesa me shkrimin, kanë të bëjnë me ripunimin e tekstit.

  1. Shkruaj për vete, më pas shqetësohu për lexuesit. Në fillim shkruaje historinë sikur po ia tregon vetes tënde. Më pas, gjatë ripunimit, hiq të gjitha pjesët që nuk kanë lidhje me përmbajtjen.
  2. Shmangi ndajfoljet; nuk janë miq të mirë.
  3. Mos u fikso pas gramatikës. Qëllimi i letërsisë nuk është korrektesa gramatikore, është ta mbajë lexuesin të interesuar.
  4. Beso në vete. Jam i bindur se frika është arsyeja e letërsisë së dobët.
  5. Lexo, lexo, lexo. Nëse nuk ke kohë të lexosh, nuk ke kohë të shkruash.
  6. Mos u përpiq të kënaqësh të tjerët. Është e pamundur t’i kënaqësh të gjithë.
  7. Fike televizorin, është gjëja e fundit për të cilën ka nevojë një shkrimtar.
  8. Ka dy sekrete për të qenë i suksesshëm, të paktën për mua: Jam i shëndetshëm dhe i martuar
  9. Qëndroi besnik stilit tënd.
  10. Pusho! Lexoje librin tënd pas 6 javësh. Do të jetë një eksperiencë interesante.
  11. Mos përfshi në tekst pjesët e mërzitshme dhe… vriti personazhet e tu të dashur, gjithmonë.
  12. Shkruaj për të qenë i lumtur. Mos shkruaj për para, për t’u bërë i famshëm, për të bërë miq apo për të zënë të dashur. Letërsia është magjike, ashtu siç është uji për jetën. Uji është falas. Pra, pi!

”Nexhmije Pagarusha” sonte në Mitrovicë – Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj, zbarkon në Qytetin e Minatorëve

Mitrovica do të jetë nikoqire e një mbrëmjeje të veçantë kulturore, kushtuar ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj. Koncerti do të startojë në ora 20:00, në hapësirën e pikës kryesore të Interex në po këtë qytet.

Në mbrëmjen e tretë me radhë të festivalit, që do të mbahet në Mitrovicë, publiku do të ketë rastin të përjetojë magjinë dhe emocionin e këngës shqipe përmes interpretimeve të jashtëzakonshme të artistëve ndërkombëtarë dhe vendas: mezzosopranos së njohur egjiptiane Gala El Hadidi, Edona Reshitajt, Adhurim Grezdës dhe A R B Ë R E S H Ë. Artistët do të shoqërohen nga grupi muzikor “Gent Rushi Group”, duke sjellë një mbrëmje të mbushur me nostalgji.

Nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” kjo mbrëmje në Mitrovicë do të jetë një vijim i homazhit artistik për bilbilin e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, duke bashkuar breza të ndryshëm përreth një trashëgimie të përbashkët kulturore.

Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj do të vazhdojë rrugëtimin e tij artistik me mbrëmje të tjera në Prishtinë:
27 korrik, ora 13:30 |Educating the audience of the future (HyperActive, Prishtina Mall)
28 korrik, ora 20:30|Opera Night (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë);
29 korrik, ora 19:30| New Generation (Universiteti i Arteve, Prishtinë);
30 korrik, ora 20:30| Ensemble Evening (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë);

Festivali do të kulmojë me Gala Mbrëmjen në Sheshin Skënderbeu, më 2 gusht, ora 20:30, ku do të ngjiten në skenë emra të mëdhenj të operës botërore: sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi italian Dario Russo, tenori ynë Rame Lahaj, nën tingujt e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e maestro Roberto Rizzi Brignoli./KK/

Festivali i muzikës elektronike Lumina, Filo: Korça, skenë e ritmit dhe dritës

Korça në verë është një ndjesi e freskët, e qetë, mbushur me aromë lulesh dhe kujtimesh.

Shtëpitë karakteristike, rrugicat me kalldrëm dhe historia që ndihet në çdo hap e bëjnë këtë qytet gjithmonë të veçantë.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, publikoi në rrjetet sociale pamje nga rrugicat karakteristike të “qytetit të serenatave”, me kalldrëmet e pastra, portat e vjetra që ia shtojnë hijeshinë dhe oborret plot lule që rrëfejnë për vëmendjen e korçarëve ndaj së bukurës. Ai e cilësoi Korçën, një qytet i cili përmirësohet çdo ditë, por pa humbur kurrë shpirtin që e bën kaq të dashur.

Pikërisht sot, në Korçë, nis aktiviteti i shumëpritur sidomos prej të rinjve, festivali i muzikës elektronike Lumina.

“Qyteti ynë bëhet skenë e ritmit dhe dritës, aty ku muzika elektronike takohet me natyrën, nën qiellin e hapur të Parkut Rinia”, shkroi Filo duke i rikujtuar korçarëve por edhe vizitorëve të shumtë, këtë ngjarje që do të zhvillohet për dy net rresht 25 dhe 26 korrik dhe ku hyrja do të jetë pa pagesë.

Me festivalin Lumina, Korça bëhet zemra e ritmit, dritës dhe magjisë, duke ftuar të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, për të përjetuar një atmosferë unike dhe për të zbuluar një tjetër dimension të Korçës./atsh/KultPlus.com

‘Fllad Vere’ – Ekspozita e piktorit Mario Shemaj: Figurat janë simbolikë e intimes

Peizazhe verore me sfond detin apo bregdetin me pisha! Figura njerëzore të zhytura në veprime të thjeshta të përditshmërisë: një përqafim, një përkëdhelje, lexim ose thjesht qëndrim në heshtje përballë horizontit e që lëvizin qetësisht nëpër peizazhe që ngjasojnë më shumë me ëndrrat se me realitetin.

Kjo është ajo çfarë ofrojnë pikturat e artistit të ri Mario Shemaj në ekspozitën e parë të çelur prej tij në galerinë e Tiranës.

“Ka filluar për pasion: me peizazhe verore, ku në sfond janë deti e pishat, gradualisht duke i shtuar figura, që krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me natyrën e gati intime. Shumica e figurave janë të kthyera me kurriz, simbolikë intimiteti e një momenti melankolik e nostalgjik.”, – thotë Shemaj për “Report TV”.

Personazhet, njëherësh të njohur e të panjohur, i kthejnë shpinën shikuesit. Jo për t’u larguar por për të ruajtur intimitetin e brishtë të çastit. Kjo mosprezencë e drejtpërdrejtë krijon një hapësirë reflektimi, ku çdo shikues është i ftuar të projektojë përjetimet e veta.

“Nisën para katër vitesh me skica, me vizatime të thjeshta, me peizazhe. Vazhdimisht punoja, bëja dhe punë të tjera, por këto piktura, që ndërtoja në periudhën e verës, më vinin më të gëzueshme.”, – vëren artisti.

Sfondet janë të ndezura, të zhytura në dritë, ku qielli dhe deti shkrihen në një të vetme. Format katrore të telajos sjellin një ndjesi stabiliteti dhe ndaljeje, ndërsa loja delikate e kompozimeve dhe e ngjyrës përçon idenë e një kohe që nuk matet me sekonda, por me ndjenja. Një kohë pa kohë, ku gjithçka qëndron pezull, ashtu si flladi i një vere që nuk mbaron.

“La Traviata”, opera e parë e vënë në skenë në Shqipëri

Më 25 korrik të vitit 1942, opera e mirënjohur e Verdit, “La Traviata”, u vu për herë të parë në kryeqytetin shqiptar.

Operan e Giuseppe Verdi-t e solli kompania artistike italiane “Carro di Tespi Lirico”.

Në vitin 1929 qeveria fashiste e Romës krijoi katër trupa teatrale shëtitëse që morën emërtimin “Carri di Tespi” (“Qerret e Tespit”). “Carro di Tespi Lirico” mbulonte operan dhe këngën lirike, ndërsa tri të tjerat vinin në skenë pjesë teatrale. Synimi i këtyre trupave ishte që të përçonte, deri tek fashat më të izoluara të shoqërisë, teatrin dhe operan lirike.

Me përjashtim të “La Traviata”, trupa Carro di Tespi Lirico dha edhe disa shfaqje të tjera në korrik të 1942. Me gjasë, kjo ishte hera e parë që një opera lirike vihej në skenë në Shqipëri. Skena u vendos në krye të Viale del Impero (sot “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”), në lartësinë ku sot ndodhet Sheshi “Nënë Tereza”./atsh/KultPlus.com

Këngë malli

Zef Serembe

Këngë malli

Më rri e pikur me mua nuk di ç’ke,
O e së humburës parajsë molla më e mirë,
Thuajmë ç’të bëra, i shkreti, që ashtu më le,
Sa jetën po e shkoj pa asnjë hir!

Oh, sa të mjera shkuan ditët kur fare
Nuk i pash’ bebzat të qeshnin në ata sy,
Që zemrën time e bënin aq krenare,
E gjirin ma mbushnin plot me dashuri.

Dhe ballin e stolisur rrezesh dielli
Më te dritarja jote nuk e pashë,
As të bukurën buzë, si lule qielli;
Pothuaj më su duke ti, mori vashë.

Gjin’ ma mbushi malli e zemrën me zjarr,
E trutë seç m’u harbuan në mendime,
Pushim dot nuk gjej e paqe më nuk kam.
Ti, vashë, ma dërmove jetën time.

…………

Po dëgjomë fjalën që zemra të thotë:
“Do thyej prangat që më bënë të shkretë,
shpatën do t’rrëmbej edhe mburojnë time,
në luftë do t’vete si petrit i shpejtë.

E në ardhtë lajmi se vdiqa unë i mjerë,
Thuaj për mua të zin’ një fjal’ me mall.
Do t’shkojnë dimër mbi dimër e pranverë,
Jeta do t’lulëzojë, un s’do jem i gjallë.

…………

Po ti, moj vashë, që të kam dash’ si sytë,
kur të më zgjohesh mëndjekthjellët menatë,
posa mëngjezit hyn dielli në shtëpit,
dërgoma këtë kujtim brenda në shtrat:

“I mjeri, oh! Një ditë ish gjithë hare,
kur rrinte në katund plot me trimëri;
si era shkoj për jetë, si një re,
e tash fle në një vend që unë s’e di…”

………

Kur era të t’pëshpërijë si një herë
Fjalët që për mua do dërgojë malli,
Do t’më ngjajë varri posi pranverë,
Varri do t’më duket i ëmbël si zalli…

Tejkalim i rrezikshëm në Gjilan: Policia njofton autoritetet zvicerane pas gjobës për kundërvajtësin

Të enjten një person i automjetit Audi S6, me targa të Zvicrës (TG), në kundërshtim me Ligjin ka kryer një tejkalim të parregullt përmes trotuarit në anën e djathtë, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik, veçanërisht në zonën e udhëkryqit.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ky veprim është dokumentuar edhe përmes pamjeve (videos) të publikuara nga qytetarët dhe mediat në rrjetet sociale, të cilët kanë xhiruar momentin e tejkalimit.

“Njësiti rajonal i komunikacionit rrugor në Gjilan ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme duke identifikuar vozitësin ndaj të cilit ka shqiptuar gjobë, sipas legjislacionit në fuqi. Duke u bazuar në marrëveshjen ndërmjet Shtetit të Kosovës dhe Shtetit Zviceran, lidhur me bashkëpunimin për trajtimin e kundërvajtjeve të kryera nga shtetasit e secilit shtet në territorin e tjetrit, gjoba e shqiptuar do t’i përcillet autoriteteve përkatëse zvicerane për trajtim të mëtejmë sipas marrëveshjes”, thuhet në njoftim.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë rrugore, fton qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe inkurajon raportimin e sjelljeve të rrezikshme në rrugë në stacionin më të afërm të Policisë./KultPlus.com

Një pasuri kulturore mbi 500 Vjeçare: Zbulohet historia e Bibliotekës së Vatikanit

E themeluar në vitin 1475 me dekretin e Papa Sikstit IV të atëhershëm, kjo bibliotekë, e njohur sot si Biblioteka Apostolike e Vatikanit, përmban vepra të rëndësishme në shumë fusha dhe gjuhë të ndryshme.

Biblioteka Apostolike e Vatikanit, një nga bibliotekat më të vjetra në botë me një histori mbi 500-vjeçare, është një burim i rëndësishëm nga i cili studiuesit mund të përfitojnë me mbi 80.000 dorëshkrime, mbi 300.000 monedha dhe medalje, afërsisht 150.000 vepra vizuale dhe 2 milionë libra të lashtë dhe modernë të shtypur.

E vendosur në Qytetin e Vatikanit, një nga shtetet më të vogla në botë, dhe që strehon mijëra vepra nga shumë kultura, Biblioteka Apostolike e Vatikanit hapi dyert e saj për anëtarët e Shoqatës së Shtypit të Huaj në Romë, e cila përbëhet nga gazetarë që mbulojnë Italinë dhe Vatikanin, përfshirë një korrespondent të Agjencisë Anadolu.

Kur hedhim një vështrim në historinë e Kishës Katolike, shohim se papët bënë përpjekje për të krijuar biblioteka dhe arkiva që nga shekulli i 4-të pas erës sonë e tutje, por deri në shekullin e 13-të, këto arkiva dhe biblioteka ishin shpërndarë . Thuhet se shumë vepra u humbën për shkak të proceseve të tilla si zhvendosja e papatit në qendra të tjera përveç Romës për një kohë të caktuar.

E themeluar në vitin 1475 me dekretin e Papa Sikstit IV të atëhershëm, kjo bibliotekë, e njohur sot si Biblioteka Apostolike e Vatikanit, përmban vepra të rëndësishme në shumë fusha dhe gjuhë të ndryshme, jo vetëm në fe, por edhe në histori, drejtësi, filozofi, shkencë, teologji dhe letërsi.

Biblioteka, me një gjatësi totale raftesh prej 50 kilometrash, përmban një trashëgimi të rëndësishme kulturore që përbëhet nga 80 mijë dorëshkrime, mijëra libra të vjetër, 150 mijë pulla dhe vepra grafike, 150 mijë fotografi, 2 milionë libra të lashtë dhe modernë të shtypur, si dhe më shumë se 300 mijë monedha dhe medaljone./AA/

Kënga e thjeshtë

Din Mehmeti

Kënga e thjeshtë

Ditën e tregut e ndesha shokun tim në tregtizë,
Kur më pa syve të mallur i shpërtheu një dritzë
e fytyra e mrrollur iu mbush me gaz, iu zgra,
si dikur kur shkonim së bashku maleve me gja…

Na harrove – tha – s’të merr malli për ne në breg,
burri s’vdes për së gjalli, pa i gjetur vetes shteg…
E more rrugën e shkollës. Ani, të gjithë jemi krenuar, beso,
që edhe ne kemi shkollar, që fëmijët tanë i mëso’…

Por ti na ktheve shpinën, u ndave prej votrës sonë
e ne një vend në sofër për ty e kemi ruajtur gjithmonë.
Sa herë dasma kemi ba ke qënë i thirrur me na pri’
e sa herë ka vdekë kush vajtorët kanë derdhur lot edhe për ty…

E di: rëndë po të flas. Por, për besë, s’e kam me sherr,
s’e kam me gverr – dashuria e madhe shpirtin ta shtjerr…
A e di kur ti këndoje e unë të përcillja me fyell –
katundin e rritnim në melodi, i jepnim gaz, i jepnim diell?…

Mos e lë pa u ngjitur, dimrit na gjen në shtëpi,
bukë kallamoqe kemi, untë s’të lëmë – këngën me përtëri…

ulur çdo ngarkesë e mbingarkesë në raportet e: miqësisë, shoqërisë, klasave a shtresave, pronave, jetës e vdekjes, kohëve;

fjalë që lodhin akademikët: mrollur, zgra, gverr;

rima të brendshme:
Kur më pa syve të mallur i shpërtheu një dritzë
e fytyra e mrrollur
Na harrove – tha – s’të merr malli për ne në breg,
burri s’vdes për së gjalli,

lojë e këndshme:
unë të përcillja me fyell – (fiell)
katundin e rritnim në melodi, i jepnim gaz, i jepnim diell?…
ke qënë i thirrur me na pri’
e sa herë ka vdekë kush vajtorët kanë derdhur lot edhe për ty… (ti)

Kënga e thjeshtë është aq e thjeshtë sa thuhet por jo aq e thjeshtë sa duket.

Një mbrëmje e paharrueshme në zemër të Tetovës: Festë e pasur kulturore dhe folklorike shqiptare

Në zemër të Tetovës, nën ngjyrat kuqezi, u zhvillua një mbrëmje e veçantë kushtuar trashëgimisë kulturore shqiptare.

Ansamblet kombëtare sollën në skenë disa nga perlat e folklorit, përballë një publiku entuziast që duartrokiti me emocion çdo këngë e valle.

Programi i kuruar me kujdes përçoi frymën e unitetit dhe krenarisë kombëtare, duke bashkuar shqiptarët përtej kufijve në një festë të gjallë me ritme, ngjyra dhe traditë./liberale/

Në prag të të nxehtit të historisë: Temperatura në Kosovë mund të arrijnë 44°C

Masat e nxehta dhe të fuqishme ajrore me origjinë nga Afrika Veriore janë fuqizuar sot më tej, duke ngritur vlerat maksimale deri në 39°C.

Këto masa pritet të intensifikohen edhe më shumë gjatë ditës së premte dhe sidomos të shtunën, kur temperaturat maksimale mund të arrijnë deri në 43 apo 44°C – duke thyer rekordin absolut të temperaturës më të lartë të regjistruar ndonjëherë në Kosovë. Deri më tani, ky rekord mbahet nga vlera prej 42.0°C, e regjistruar më 24 korrik 2007 në Prizren, ndërsa më herët, po ashtu në Prizren, ishte regjistruar 40.8°C më 25 korrik 1987.

Bashkë me fuqizimin e këtyre masave ajrore, pritet të depërtojnë edhe koncentrime të larta të pluhurit saharian në atmosferë, të cilat mund të zbehin dukshmërinë, turbullojnë pamjen e qiellit dhe të ndikojnë negativisht në cilësinë e ajrit.

Gjatë pasdites së së shtunës, si pasojë e paqëndrueshmërisë së lartë në atmosferë, do të ketë zhvillime konvektive të vranësirave, të cilat në zona të caktuara pritet të sjellin rrebeshe të izoluara shiu, shkarkesa rrufesh dhe erëra mjaft të forta, lokalisht me shpejtësi deri në 80 km/h. Në kushte të pranisë së pluhurit saharian, këto reshje mund të marrin formën e reshjeve të baltës (“shi me baltë”), një fenomen i zakonshëm kur uji bie përmes shtresave të ngarkuara me pluhur.

Nga dita e diel, pritet depërtimi gradual i masave më të freskëta nga perëndimi i kontinentit. Si pasojë, temperaturat do të pësojnë ulje prej të paktën 6 deri në 10°C në nivel vendi. Moti do të karakterizohet nga intervale me diell dhe vranësira, ndërsa në disa zona të caktuara priten rrebeshe lokale shiu dhe disa shkarkesa rrufesh.

Në fillim të javës së ardhshme pritet ulje më e theksuar e temperaturave dhe shpeshtim i reshjeve, duke sjellë mot më të freskët dhe më të paqëndrueshëm në gjithë territorin. /MeteoKosova/

Kalaja e Bashtovës, gati të presë vizitorët

Kalaja e Bashtovës është gati të mirëpresë vizitorët, pas përfundimit të punimeve për konservimin dhe restaurimin e saj.

Ky monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore, i ndërtuar në shekullin XV nga venedikasit për të kontrolluar bregdetin dhe tregtinë e drithit, është restauruar përmes një sërë ndërhyrjesh të kujdesshme që synojnë ruajtjen e strukturës, zbulimin e historive të saj të fshehura dhe përshtatjen për një përdorim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Mes shumë ndërhyrjeve të realizuara aty, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, renditi restaurimin e mureve dhe kullave, përmirësimin e aksesit dhe kushteve të sigurisë, kërkimet arkeologjike të detajuara, zhvillimin e një sistemi interpretues me multimedia interactive si dhe ngritjen e një qendre moderne për vizitorët.

Kjo ndërhyrje u realizua në kuadër të programit EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com

Kurti, falënderon bashkatdhetarët në pritjen e përvitshme në Ballkonin e Hapur të Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë një mesazh falënderimi për bashkatdhetarët gjatë pritjes së përvitshme në Ballkonin e Hapur të Qeverisë. Në postimin e tij, ai theksoi se ky është një moment i veçantë për të shprehur mirënjohjen ndaj atyre që kanë kontribuar për zhvillimin dhe afirmimin e Kosovës.

Kurti nënvizoi se bashkatdhetarët janë mbështetje e vazhdueshme për projektet e ndryshme, duke i cilësuar ata si heronj që kanë ngritur zërin në mbrojtje të Kosovës, duke kontribuar në çdo hap të saj. Ai falënderoi ata për përkrahjen dhe kontributin e vazhdueshëm, duke theksuar se ky angazhim është i pazëvendësueshëm për përparimin e vendit, transmeton KultPlus

Pritja vjetore është një mundësi për të forcuar lidhjet dhe për të shprehur mirënjohjen për diasporën kosovare, e cila është një ndër faktorët kryesorë në zhvillimin e Kosovës, përmes mbështetjes dhe ndikimit të saj në nivel ndërkombëtar./KultPlus.com

Rama: Vizitorë nga e gjithë bota në Butrint

Qyteti antik i Butrintit vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh vendas e të huaj edhe gjatë sezonit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga turistët e shumtë që edhe në këto ditë të nxehta korriku zgjedhin të vizitojnë qytetin antik, që ndodhet 20 km larg Sarandës.

“Parku Kombëtar i Butrintit që zgjohet çdo ditë me zërat e vizitorëve që vijnë nga e gjithë bota për të prekur historinë dhe bukurinë”, shkruan Rama krahas pamjeve.

Ky park vijon të jetë një nga atraksionet më të vizituara turistike edhe gjatë këtij viti në Shqipëri. Kombinimi i natyrës dhe historisë mijëra vjeçare ngjall kuriozitetin e turisëve nga vende të ndryshme të botës.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit.

Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit./atsh/

Fahrie Hoti, Heroina e volejbollit shqiptar: 28 vjet nga ndarja e saj nga jeta

Më 25 korrik 1997 u nda nga jeta Fahrie Hoti, një prej figurave më të shquara të volejbollit shqiptar. Mjeshtre e Merituar e Sportit, ajo la një gjurmë të thellë dhe të pashlyeshme në historinë e këtij sporti.

Fahrie Hoti u aktivizua që në moshë fare të re dhe për plot 18 vite luajti me skuadrën e volejbollit të “17 Nëntorit” të Tiranës, duke u bërë një nga ikonat e këtij ekipi dhe e volejbollit kombëtar në përgjithësi. Ajo ishte jo vetëm një lojtare e jashtëzakonshme, por edhe truri i skuadrës, duke i dhënë asaj një profil modern dhe dinamik.

U radhit krah volejbollisteve të mëdha si Ela Tase dhe Mimoza Ibrahimi, duke përfaqësuar denjësisht edhe Kombëtaren shqiptare në arenën ndërkombëtare. Sukseset e shumta të ekipit të “17 Nëntorit” janë të pandara nga emri i saj.

Në nder të kontributit dhe figurës së saj, salla sportive e Klubit Sportiv “Tirana” mban sot me krenari emrin Fahrie Hoti. /KultPlus.com

Rita Ora shkëlqen në Gala-n e Verës në Saint-Tropez

Rita Ora ka tërhequr vëmendjen gjatë pjesëmarrjes së saj në Gala-n e Verës nga Gala One në Saint-Tropez të enjten. Këngëtarja 34-vjeçare shkëlqeu në tapetin e kuq, duke pozuar me shumë elegancë dhe duke u bashkuar me emra të njohur si Jamie Foxx, Frida Aasen, dhe Kelly Rutherford në këtë ngjarje të shkëlqyer.

Rita ishte veshur me një fustan të zi midi, që theksonte trupin e saj të mrekullueshëm, dhe e kombinonte me taka të zeza. Ajo e kompletoi pamjen me taka të zeza dhe një çantë kadifeje, të qëndisur me lule vintage blu, shkruan daily mail

Kjo ngjarje erdhi disa ditë pasi Rita tregoi se si ndihej “e shëmtuar” në vitet e fundit të 20-ve për shkak të faktit se “nuk ishte aq e hollë si njerëzit e tjerë”. Këngëtarja foli për këtë temë në podcast-in “Happy Place” të Fearne Cotton, në bashkëpunim me Dove’s Self Esteem Project, duke ndarë mendimet e saj rreth besimit në trup.

Rita foli hapur për mënyrën se si është ndryshuar marrëdhënia e saj me trupin vitet e fundit dhe shpeshherë ndjente se trupi i saj nuk ishte “atraktiv”. Ajo tha:

“Unë mendoj se për mua, për të dukur në një mënyrë të caktuar filloi të më rëndonte kur isha në fund të 20-ve, ka filluar të më godasë atëherë, sepse qëndroja pa energji, nuk po kujdesesha për trupin tim, po sëmuresha shpesh dhe nuk ndihesha si trupi im të ishte i nxehtë,” shpjegoi Rita.

Ky rrëfim i saj ndihmoi shumë individë të reflektojnë mbi marrëdhënien e tyre me trupin dhe të kuptojnë se besimi në trup është një proces i vazhdueshëm dhe personal./KultPlus.com

Skandali i ”Kiss Cam”, drejtoresha e burimeve njerëzore e “Astronomer” jep dorëheqjen

Drejtoresha e Burimeve Njerëzore të “Astronomer”, Kristin Cabot, ka dhënë dorëheqjen nga pozita e saj pas një incidenti të papritur që ndodhi në një koncert të Coldplay, ku ajo u filmua duke përqafuar ish-CEO-n e kompanisë, Andy Byron. Pamjet u kapën nga kamera e famshme “kiss cam”, e cila transmetoi momentin në ekranin e koncertit, duke shkaktuar një situatë të sikletshme për të dy personat, pasi ata përpiqeshin të fshiheshin pas incidentit.

Dorëheqja e Kristin Cabot vjen menjëherë pas largimit të Andy Byron, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar pasi kompania njoftoi se ai do të pezullohej dhe hetohej për shkak të disa çështjeve të brendshme, transmeton Daily Mail.

Në video, shfaqet Cabot dhe Byron duke përqafuar njëri-tjetrin, përpara se të kuptonin se po transmetoheshin përpara një audience të madhe, duke nxitur një reagim të menjëhershëm nga Chris Martin, vokalisti i Coldplay, i cili komentoi me humor: “Oh, shikoni këta të dy.” Publikumet shpërthyen në të qeshura, ndërsa Martin vazhdoi: “Ose janë në lidhje, ose janë shumë të turpshëm.”

Incidenti shpejt u përhap në rrjetet sociale, duke u bërë objekt i meme-ve dhe ironiave online, duke shkaktuar shumë diskutime dhe komente lidhur me sjelljen e dy figurave të larta të kompanisë. Pas largimit të Byron dhe dorëheqjes së Cabot, ngjarja ka ngritur pyetje për kulturën dhe etikën brenda kompanisë “Astronomer”, ndërkohë që shumë po shikojnë me interes se si do të zhvillohen hetimet dhe çfarë do të ndodhë me të ardhmen e kompanisë./KultPlus.com

Rama publikon reportazhin e BBC: Zbulimi i Linit, vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë

Një nga zbulimet më të jashtëzakonshme arkeologjike ka ndodhur në brigjet e liqenit të Ohrit, në fshatin piktoresk të Linit në Pogradec.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një pjesë nga reportazhi i BBC-së, ku Lini konsiderohet vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë.

“Arkeologët kanë zbuluar atë që besohet të jetë vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë, në brigjet e Liqenit të Ohrit në Shqipëri. Dëshmitë tregojnë se një komunitet i organizuar gjuetarësh dhe bujqish ka jetuar aty deri në 8 000 vjet më parë”, thuhet në një reportazh të fundit të rrjetit mediatik të BBC.

Kryeministri theksoi se grupi i arkeologëve shqiptarë dhe zviceranë të intervistuar thonë se po vijojnë të punojnë çdo ditë mbi këtë zbulim, duke u zhytur në 3 metra thellësi.

“Deri më tani nuk është zbuluar as 1% e asaj që mendohet të ketë qenë pjesë e këtij vendbanimi të hershëm, ku janë gjetur mostra druri, kockash, qeramike dhe materialesh të tjera”, shtoi Rama.

Sipas arkeologëve nga Universiteti i Bernës dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë, jeta në këtë vend daton nga 8000 deri në 4000 vjet p.e.s., duke e bërë Linin vendbanimin palafit më të hershëm të zbuluar ndonjëherë në Europë./KultPlus.com

Kush ishte Rosalind Franklin, shkencëtarja që ndihmoi në zbulimin e ADN-së

Më 25 korrik 1920, lindi Rosalind Franklin, një shkencëtare britanike e cila bëri një kontribut të jashtëzakonshëm në zbulimin e strukturës së ADN-së, por që, për një kohë të gjatë, nuk mori meritat e plota për rolin e saj.

Franklin, e cila ishte një eksperte në përdorimin e difraksionit të rrezeve X, realizoi një fotografi të famshme, e njohur si “Photo 51”, e cila tregon strukturën e dyfishtë të heliksit të ADN-së. Ky imazh ishte thelbësor për James Watson dhe Francis Crick, të cilët përdorën atë për të ndërtuar modelin e tyre të famshëm të ADN-së – një model që ishte çelësi për kuptimin e pasur të gjenetikës dhe biokimisë, shkruan KultPlus

Edhe pse Watson dhe Crick fituan Çmimin Nobel për këtë zbulim në vitin 1962, Rosalind Franklin nuk u përfshi në këtë vlerësim, pavarësisht se kontribuoi në mënyrë thelbësore për të arritur në atë përfundim. Franklin nuk pati mundësinë të shihte rezultatin e punës së saj, pasi ajo vdiq tragjikisht në vitin 1958, në moshën 37 vjeçare, nga një sëmundje e kancerit të vezoreve.

Kontributi i Franklin në shkencë
Rosalind Franklin ishte një nga pionierët në fushën e biokimisë dhe biologjisë molekulare, dhe zbulimi i strukturës së ADN-së është një nga arritjet më të mëdha shkencore të shekullit të 20-të. Përveç punës së saj në ADN, Franklin gjithashtu ka kontribuar në studimin e virusëve dhe strukturave të tjera biologjike, duke përdorur teknika të sofistikuara të difraksionit të rrezeve X.
Përveç punës shkencore, ajo ishte gjithashtu një grua e fuqishme në një fushë të dominuar nga meshkujt, duke e bërë të vështirë për të të merret seriozisht në atë kohë. Rosalind Franklin ishte një nga gratë e para që krijoi një ndikim të madh në një fushë shkencore që shpesh ishte e mbyllur për to, dhe kjo ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm për gratë që do të pasonin.

Njohja e vonuar
Për shumë vite pas vdekjes së saj, Franklin u harua nga shoqëria dhe komuniteti shkencor për kontributin e saj. Pas kritikave dhe kërkesave për njohjen e merituar, më vonë janë bërë përpjekje për të nderuar emrin dhe trashëgiminë e saj. Franklin është përkujtuar si një nga emrat më të rëndësishëm në shkencën e ADN-së dhe është nderuar pas vdekjes me një numër çmimesh dhe memorialesh, si dhe është përmendur në shumë libra dhe filma.

Simbol i grave në shkencë
Sot, Rosalind Franklin njihet si një simbol i grave në shkencë, duke treguar se çdo shkencëtare, pavarësisht pengesave që mund të hasë në karrierën e saj, mund të kontribuoni në mënyrë të jashtëzakonshme në përparimin e njohurive shkencore. Ajo është një nga figura që vazhdon të inspirojë breza të tërë shkencëtarësh dhe shkencëtareve për të sfiduar normat dhe për të kërkuar njohjen e merituar.

Kjo histori tregon se rezultatet e mundshme të shkencës dhe rëndësia e punës kërkimore shpesh mund të jenë shumë më të mëdha se sa të paraqitura dhe se individët që kontribuojnë mund të mbeten të pa njohur për një periudhë të gjatë. Për Franklinin, vonesa e njohjes për rolin e saj është një kujtesë e fuqishme se gratë e shkencës shpesh duhet të luftojnë për të marrë njohjen e merituar.

Duke festuar ditëlindjen e Rosalind Franklin, ne kujtojmë trashëgiminë e saj të jashtëzakonshme dhe e nderojmë atë si një figurë kryesore të shkencës moderne./KultPlus.com

41 vite nga fluturimi historik i Svetlana Savitskaya, gruas së parë që eci në hapësirë

Në vitin 1984, një ngjarje historike ndodhi në historinë e hapësirës. Svetlana Yevgenyevna Savitskaya (rusisht: Светла́на Евге́ньевна Сави́цкая; lindur më 8 gusht 1948) është një ish-aviatore ruse dhe kozmonaute sovjetike që fluturoi në bordin e Soyuz T-7 në 1982, duke u bërë gruaja e dytë në hapësirë. Në misionin e saj Soyuz T-12 të vitit 1984, ajo u bë gruaja e parë që fluturoi dy herë në hapësirë dhe gruaja e parë që kreu një shëtitje në hapësirë.

Me këtë lëvizje, Svetlana Savitskaya, bëri një hap të madh për të gjitha gratë në botë. Sot, 40 vjet më pas, ne po nderojmë këtë moment të veçantë, që simbolizon përpjekjen dhe arritjen e grave në shkencë dhe eksplorim hapësinor.

Më 25 korrik 1984, Savitskaya nisej drejt Stacionit Hapësinor Salyut 7, një moment që e bëri atë pjesë të historisë. Si një nga kosmonautet e kualifikuara të agjencisë së hapësirës sovjetike, ajo kishte një aftësi të rrallë të qëndronte e qetë dhe e përqendruar nën kushtet ekstreme të hapësirës.

Në këtë mision të veçantë, Svetlana Savitskaya ndërtoi një kujtim të papërsëritshëm për të gjitha gratë që kishin ëndrrën për të shkuar përtej horizontit tokësor. Një ikonë e fuqisë dhe guximit, ajo sfidoi paragjykimet dhe provoi se gratë mund të jenë pjesë e shkencës dhe eksplorimit hapësinor në mënyrë të barabartë me burrat.

Ky mision nuk ishte vetëm një hap përpara për gratë në hapësirë, por edhe një hap për njerëzimin në përgjithësi.

Ajo vendosi disa rekorde botërore të FAI-t si pilot.

Jeta e hershme dhe karriera e hershme

Svetlana Savitskaya lindi në një familje të privilegjuar. Babai i saj, Yevgeny Savitsky, ishte një pilot luftarak shumë i dekoruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjë që më vonë e solli atë në pozicionin e Zëvendës Komandantit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Ajrore Sovjetike. Nëna e saj ishte një udhëheqëse e partisë komuniste të Moskës.

Pa dijeninë e prindërve të saj, Savitskaya filloi të hidhej me parashutë në moshën 16-vjeçare. Babai i saj e kuptoi aktivitetin e saj të panjohur jashtëshkollor pas zbulimit të një thike parashute në çantën e shkollës së vajzës së tij.[1] Pas zbulimit të tij, ai e promovoi më tej këtë prirje. Në ditëlindjen e saj të shtatëmbëdhjetë, ajo kishte tashmë 450 kërcime me parashutë. Gjatë vitit të ardhshëm, ajo drejtoi kërcimet rekord të stratosferës nga 13,800 m dhe 14,250 m.[1] Gjatë përvojës së saj të fluturimit, Savitskaya arriti tre kërcime rekord botëror nga stratosfera dhe 15 kërcime rekord botëror nga avionët reaktiv.

Pas diplomimit në vitin 1966, ajo u regjistrua në Institutin e Aviacionit të Moskës (MAI), ku mori edhe mësime fluturimi. Në vitin 1971 ajo u licencua si instruktore fluturimi. Pas diplomimit nga MAI në 1972, ajo u trajnua si pilot test në Shkollën e Pilotëve Test Fedotov, duke u diplomuar në 1976.[1][2] Në maj 1978 ajo shkoi për të punuar për prodhuesin e avionëve Yakovlev, si pilot testues. Në përvojën e saj të fluturimit, ajo u bë gruaja e parë që arriti 2683 km/h në një avion MiG-25. Një grua me përvojë dhe me arsim të lartë në Programin Hapësinor Sovjetik, Savitskaya raportohet se ishte një grua jashtëzakonisht serioze, e papërkulur dhe e çeliktë.[1] Ndërsa ajo dhe Valentina Tereshkova u zgjodhën të dyja për misione në hapësirë për shkak të qëllimeve të propagandës sovjetike, Savitskaya ishte shumë më e trajnuar dhe me përvojë në aeronautikë, ndërsa Tereshkova u zgjodh si një marifet politik.

Ndërmjet viteve 1969 dhe 1977 ajo ishte anëtare e ekipit kombëtar sovjetik për aerobatikë. Në Kampionatin Botëror të Aerobatikës FAI në korrik 1970 në Hullavington, ajo fluturoi me një Yak-18 dhe fitoi kampionatin botëror së bashku me një ekip vetëm gra. Në këtë kampionat të veçantë në Mbretërinë e Bashkuar, një gazetare e shtypit britanik e quajti Savitskaya “Miss Sensation”. Në Kampionatin Botëror të 1972 në Salon-de-Provence ajo u rendit e treta; në vitin 1976 në Kiev me një Yak-50, i pesti.

Në 1979, Savitskaya mori pjesë në procesin e përzgjedhjes për grupin e dytë të kozmonautëve gra. Më 30 qershor 1980, ajo u pranua zyrtarisht në grupin e kozmonautëve. Nga nëntë gratë e përzgjedhura, Savitskaya ishte piloti i vetëm testues. Trajnimi i grupeve u njoftua gjatë misionit hapësinor të oficerit dhe astronautit francez Jean-Loup Chretien. Ajo i dha provimet më 24 shkurt 1982.

Në dhjetor 1981, Savitskaya u përgatit për fluturimin e saj të parë në hapësirë, një fluturim afatshkurtër në stacionin hapësinor Salyut 7. Ajo mbajti pozicionin e kozmonautës kërkimore në këtë mision. Misioni i kësaj ekspedite të dytë vizitore të Salyut 7 ishte të provonte epërsinë sovjetike në Amerikë duke fluturuar një grua tjetër në hapësirë dhe të zëvendësonte anijen kozmike Soyuz T-5 që ekuipazhi do të përdorte për kthimin e tyre me një automjet të ri.

Komandant i këtij misioni ishte Leonid Popov, me fluturimin e tretë; ishte fluturimi i parë i inxhinierit të fluturimit Alexander Serebrov.

Nisja e Soyuz T-7 u bë më 19 gusht 1982. Kjo e bëri Savitskaya gruan e dytë në hapësirë, 19 vjet pas Valentina Tereshkova. Gjatë udhëtimit, Savitskaya pohoi se e kishte lidhur veten për të parandaluar që të transportohej në një ndarje tjetër të anijes për shkak të humbjes së gravitetit. Të tre kozmonautët u ankoruan në stacionin hapësinor të nesërmen, ku u mirëpritën nga Anatoly Berezovoy dhe Valentin Lebedev. Kjo ishte hera e parë që një stacion hapësinor kishte një ekuipazh gjinor të përzier. Savitskaya iu caktua moduli orbital i Soyuz T-7 si një zonë private, por flinte po aq mirë sa njerëzit në stacionin hapësinor. Më 27 gusht 1982, Popov, Savitskaya dhe Serebrov u kthyen në Tokë në Soyuz T-5. Kohëzgjatja totale e misionit ishte 7 ditë, 21 orë dhe 52 minuta.

Në 1995, Savitskaya i dha një intervistë gazetares së Baltimore Sun, Clara Germani. Ajo kujtoi se kishte hasur në seksizëm nga shokët e saj meshkuj të ekuipazhit dhe se me hyrjen në Salyut 7 për herë të parë, Valentin Lebedev i dhuroi asaj një përparëse dhe i tha asaj “të shkojë në punë”. Ajo deklaroi se “kam arritur të krijoj shpejt një marrëdhënie pune, profesionale me ta”. / KultPlus.com

Përkujtohet legjenda e zërit blues: Big Mama Thornton

Më 25 korrik 1984, humbëm një nga zërat më të fuqishëm dhe ndikues të muzikës blues dhe rock ‘n’ roll, Big Mama Thornton. Ajo ka lënë një trashëgimi të paharrueshme, duke bërë histori me këngën e saj “Hound Dog” në vitin 1952, shumë përpara se kjo këngë të bëhej e njohur nga Elvis Presley

Thornton nuk ishte thjesht këngëtare, por gjithashtu një kompozitore dhe një figurë kryesore në skenën muzikore afro-amerikane. Zëri i saj i fuqishëm dhe interpretimet e papërmbajtshme e bënë atë një inspirim për breza të tërë artistësh. Ajo ishte një nga pararendëset e fuqizimit të grave në muzikën moderne dhe ndikimi i saj vazhdon të ndihet edhe sot,shkruan KultPlus.

Big Mama Thornton, me stilin e saj të pazëvendësueshëm dhe theksin e saj të veçantë, ka ndikuar jo vetëm në muzikën blues, por edhe në evoluimin e rock ‘n’ roll-it, duke hapur rrugën për shumë artistë të tjerë që pasuan. Pavarësisht se ngjalli një ndikim të jashtëzakonshëm në muzikë, shpeshherë ajo mbeti jashtë dritës së plotë të famës, por sot njihet si një nga pionierët më të mëdhenj të muzikës amerikane/KultPlus.com

Zbulimi në Liqenin e Ohrit tërheq vëmendjen e BBC-së

BBC i ka kushtuar vëmëndje një zbulimi të rëndësishëm arkeologjik në Shqipëri, që besohet të jetë vendbanimi liqenor më i vjetër në Evropë.

Zbulimi është bërë në brigjet e Liqenit të Ohrit, ku të dhënat sugjerojnë se një komunitet i organizuar gjuetarësh dhe bujqish ka jetuar aty rreth 8,000 vite më parë.

Ekipet e kërkimit nga Zvicra dhe Shqipëria po zbulojnë çdo ditë dëshmi që i përkasin epokës së gurit, ku ky komunitet i lashtë kombinonte aktivitetet e gjuetisë me ato të bujqësisë.

“Është rreth 6 hektarë, dhe deri tani s’kemi bërë as edhe 600 metra katrorë. Pra, kjo është vetëm një vrimë e vogël për të parë brenda të gjithë zonës. Do të thosha që kemi bërë më pak se 1% të gërmimeve”, tha një nga arkeologet në videon e publikuar nga BBC.

Arkeologët po punojnë rreth tre metra nën sipërfaqen e ujit për të rikuperuar me kujdes shtyllat prej druri që dikur mbështesnin shtëpitë mbi liqen.

Krahas tyre, po mblidhen edhe objekte qeramike të gdhendura, eshtra kafshësh dhe vegla prej bakri – dëshmi të një jete të zhvilluar dhe të organizuar në lashtësi, transmeton euronews.

“El Nacional”: Eksploroni Shqipërinë, perlën e Mesdheut!

Nëse dëshironi të udhëtoni dhe zbuloni vende që ende nuk janë prekur nga turizmi masiv, ju rekomandojme destinacionin evropian, Shqipërinë, shkruan Alba Solé Ingla në një artikull të botuar në revistën katalanase “El Nacional.cat”.

Shqipëria është e rrethuar nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Vendi jetoi i izoluar nga bota nën regjimin diktatorial deri në vitet 1990.

Plazhe parajsore

Ky vend ballkanik po fiton titullin si parajsa e panjohur e Mesdheut.

Riviera Shqiptare shtrihet nga veriu në jug të vendit. Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit.

Një nga zonat më të famshme të plazhit në jug të vendit është Ksamili – me rërën e tij të bardhë dhe ujërat e kristalta që magjepsin çdo vizitor.

Shumica e plazheve në Shqipëri janë private, dhe për t’i shijuar ato, duhet të merrni me qira një shezlong dhe një ombrellë dielli. Çmimi zakonisht është midis 5 dhe 8 euro gjatë gjithë ditës; komoditeti ia vlen!

Ksamili ndodhet pranë ishullit grek, Korfuzit dhe është i njohur si për turistët vendas ashtu edhe për ata ndërkombëtarë, veçanërisht nga Italia.

Ksamili është vendi ideal për të eksploruar atraksione të tjera shqiptare, siç është Syri i Kaltër – një atraksion turistik popullor, me ujëra bruz që mund të shihet nga një thellësi mbi 50 metra.

Gjithashtu, ju mund të vizitoni Parkun Natyror të Butrintit, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ecje malore dhe fshatra magjepsës

Nëse jeni adhurues të maleve, janë me fat, sepse Shqipëria veriore është gjithashtu një parajsë për alpinistët.

Shqipëria është një nga vendet më malore në botë, me dy të tretat e territorit të saj të mbuluara nga male. Prandaj, mos e humbisni Thethin.

Ky fshat, i vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare, ju lejon të zbuloni thelbin e vërtetë të banorëve të tij.

Thethi është një fshat i vogël që për vite me radhë mbeti i izoluar – falë vendndodhjes së tij të largët dhe një rruge – praktikisht e pa-aksesueshme për shumicën e turistëve.

Në ditët e sotme, është më e lehtë të shkosh atje, dhe shumë turistë udhëtojnë atje për të bërë ecje malore – nga Valbona në Theth.

Nëse nuk keni dëshirë të bëni shëtitje të gjata, ju rekomandojmë gjithashtu të vizitoni dy qytete mahnitëse, Gjirokastrën dhe Beratin.

Gjirokastra, është një qytet i bukur me një qendër historike – që është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, një kështjellë spektakolare dhe një pazar ku do të humbisni mes dyqaneve të vogla.

Berati, më pak se dy orë larg nga kryeqyteti, Tirana, njihet si “qyteti i një mbi një dritareve”.

I vendosur pranë lumit Osum, Berati është qyteti më i vjetër në Shqipëri dhe shquhet për qendrën e tij historike – të përbërë nga tre lagje të vjetra që ruajnë arkitekturën osmane dhe bizantine në ndërtesa, xhami dhe kisha të shumta.

Gjithashtu, Berati është shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Gastronomia shqiptare

Kuzhina shqiptare është një ndërthurje unike e ndikimeve turke, ballkanike dhe mesdhetare.

Nga mishi dhe peshku i pjekur në skarë me çmime jashtëzakonisht të përballueshme deri te gjirotë greke, kuzhina shqiptare magjeps çdo vizitor.

Pjata më tipike shqiptare, byreku, mund të jetë një nga më të njohurat midis vizitorëve të huaj dhe vendasve./atsh/KultPlus.com