Kori Siparantum do të përfaqësojë Kosovën në festivalin prestigjioz ‘UNIVERSITAS CANTAT’ në Poloni

Kori Siparantum do të përfaqësojë kulturën shqiptare në festivalin e njohur “UNIVERSITAS CANTAT”, i cili do të mbahet në qytetin e Poznań, Poloni, nga 15 deri më 18 Maj 2024. 

“Kjo është një mundësi e rëndësishme për ne për të shpalosur trashëgiminë tonë kulturore në një ngjarje kaq prestigjioze. Poznań është një qendër e rëndësishme për artin koral në Poloni, dhe auditori kryesor i festivalit, Salla e Universitetit Adam Mickiewicz, ofron një ambient të veçantë për performancat korale, me një akustikë të jashtëzakonshme”, u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i Korit Siparantum. 

Programi ynë fillon me një koncert në Cultural Centre në Pobiedziska më 15 Maj, në orën 19:00, ku do të prezantojmë kompozitorë shqiptarë dhe trashëgiminë tonë muzikore.  Në program do të interpretohen vepra të kompozitorëve tonë të shquar; Llapacaj, Antoni, Mulliqi, Dhomi, Menxhiqi, Jashari, Kelmendi etj.

Në ditën e dytë, më 16 Maj, koncerti do të mbahet në AMU Concert Hall. Kori Siparantum do të ngjitet në skenë me kore të tjera pjesëmarrëse që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Në këtë program kori do të paraqitet me vepra të muzikës kontemporane. Në koncertin final të gala-s, Kori Siparantum dhe koret e tjera pjesëmarrëse do të shfaqen në AMU Concert Hall për të interpretuar veprën “INCANTATIO”, nën drejtimin e Anna Duczmal-Mróz, bashkë me Amadeus Chamber Orchestra of Polish Radio./KultPlus.com

Ministria e Kulturës hap përsëri konkurs për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka shpallur përsëri konkursin për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

I njëjti konkurs ishte hapur edhe një muaj më parë mirëpo kishte dështuar pasi asnjëri nga shtatë kandidatët e testuar, nuk kishin arritur të merrin 50 pikë, në mesin e tyre as ish-drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, as ushtruesja e detyrës së drejtorit, Bukurije Haliti.

Në konkursin e mëparshëm 13 kandidatë kishin aplikuar për këtë pozitë, ku 10 prej tyre ishin kualifikuar për fazën e radhës, shtatë kishin hyrë në testin me shkrim, por asnjëri nuk e kishte kaluar testin.

Blerina Rogova-Gaxha, Bukurije Haliti, Defrim Gashi, Fazli Gajraku, Gjon Berisha, Murteza Osdautaj, Qazim Azizi, Samir Sallahu, Shefqet Gjocaj, Shukrije Rama kanë qenë dhjetë kandidatët të cilët, sipas “njoftimit për verifikim paraprak” të datës 21 mars, i kishin “plotësuar kriteret e konkursit për të vazhduar më tej”.

Akif Shkreta, Flamur Maloku dhe Ismail Gagica ishin refuzuar. Konkursi ka qenë i hapur një muaj, nga 9 shkurti deri më 9 mars. Defrim Gashi, Murteza Osdautaj dhe Samir Sallahu nuk kanë marrë pjesë në test.

“Konkursi është anuluar sepse asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur pikët”, kishte thënë kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, drejtori i Bibliotekës Universitare dhe drejtori i Bibliotekës Komunale duhet të ketë së paku diplomë universitare. Mandati i drejtorit është katërvjeçar (4) me mundësi të rizgjedhjes, shkruhet në nenin 11 të Ligjit./KultPlus.com

Marramendëse, kjo është pasuria e Dua Lipës

Tashmë dihet se Dua Lipa është këngëtare dhe kompozitore me origjinë shqiptare, e cila ka pushtuar botën me muzikën e saj. Ajo u bë e njohur në vitin 2017 me albumin e saj dhe me hitet si “New Rules” dhe “IDGAF”. Që atëherë, ajo ka fituar çmime si Grammy dhe Brits, dhe madje ka zënë një vend në listën e 100 njerëzve më me ndikim të revistës Time, përcjell albinfo.ch.

Lipa filloi të postonte këngë në YouTube si adoleshente. Ajo nënshkroi me Warner Music Group në 2015 dhe publikoi këngën e saj debutuese “New Love”. Më pas publikoi albumin e saj debutues me titull “Dua Lipa” në vitin 2017. Albumi krijoi këngë hit si “Be the One”, “IDGAF” dhe “New Rules”.

“New Rules” u bë një nga këngët më të transmetuara nga një artiste femër në Spotify. Ajo fitoi dy çmime Brit për Artiste Solo Britanike dhe British Breakthrough Act.

Sipas ‘networth‘, pasuria e Duas vlerësohet me rreth 35 milionë dollarë!/albinfo.ch/ KultPlus.com

Themeluesi i “Facebook”, Mark Zuckerberg, feston sot 40-vjetorin e lindjes

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg, sot feston ditëlindjen e 40-të, shkruan KultPlus.

Mark Elliot Zuckerberg ka lindur më 14 maj,1984. Ai është një sipërmarrës amerikan i teknologjisë dhe filantropist.

Lindur në White Plains (New York), Zuckerberg ndoqi studimet në Harvard. Ai nisi të themelojë Facebook-un nga dhoma e tij e konviktit më 4 shkurt të vitit 2004 me shokët e dhomes Eduardo Saverin, Andrew McCollum, Dustin Moskovitz dhe Chris Hughes.

Fillimisht i nisur për të zgjedhur kampuset universitare, websajti u përhap shpejt duke arritur një miliard përdorues në 2012-ën. Zuckerberg e çoi kompaninë në bursë në maj të 2012 me shumicën e aksioneve.

Të ardhurat e tij neto vlerësohen të kenë qenë 55 miliardë dollarë, deri në 30 nëntor 2018, duke rënë gjatë vitit të fundit bashkë me aksionet e Facebook-ut në tërësi. Në 2007-ën, në moshën 23 vjeçare ai u bë miliarderi më i ri i vetërealizuar.

Në dhjetor 2016, Zuckerberg ishte në vendin e 10-të të listës së personave më të fuqishëm në botë nga revista Forbes.

Zuckerberg e braktisi shkollën në vitin e dytë në mënyrë që të mbaronte projektin e tij. Në janar të 2014, ai do kujtonte:

“Më kujtohet atëherë një ose dy ditë pasi fillova Facebook, po haja pica me shokët dhe po mendoja Dikush duhet të krijoj një shërbim të tillë për botën. Por kurrë nuk mendoja se do ishim ne ata që do e bënim një gjë të tillë.Ne ishim më të predispozuar për ta realizuar.”

Në 28 Maj 2017, Zuckerberg mori një diplomë honorare nga Harvard.

Historiku i krijimit të facebook:

Në 4 Shkurt 2004, Zuckerberg hodhi në Internet Facebook, foto nga dhoma e tij e konvinktit në Harvard. Një inspirim për krijimin e Facebook mund të ketë ardhur që nga Philips Exeter Academy,shkolla para-universitare ku Zuckerberg kishte diplomuar në vitin 2002. Aty shkolla kishte publikime  “Libri me Foto”,të cilin studentët e quanin si “The Facebook”. Foto të tilla ishin një pjesë e rëndësishme e eksperiencave sociale në shumë shkolla private. Me anë të tyre,studentët mund të shënonin detaje si viti i mbarimit, shokët dhe numrat e telefonit.

Kur nisi Facebook, Zuckerberg mendoi se do ishte thjeshtë ” një gjë Harvardi”, derisa vendosi që ta përhapte edhe nëpër shkolla të tjera, duke u ndihmuar nga shoku i dhomës Dustin Moskovitz. Ata filluan me universitet Columbia University,New York, University, Standford, Dartmouth, Cornell.

Më pas Zuckerberg, Moskovitz dhe disa shok u transferuan në Palo Alto, Kaliforni, në Silicon Valley ku morën me qera një shtëpi të vogël që shërbente si zyrë. Gjatë verës, Zuckerberg u takua me Peter Thiel, i cili investoi në kompani. Ata morën zyrën e tyre të parë diku nga mesi i 2004-ës. Sipas Zuckerberg-ut, grupi planifikonte të kthehej në Harvard, por përfundimisht vendosën të qëndronin në Kaliforni. Ata kishin refuzuar oferta nga korporatat kryesore për të blerë kompaninë. Në një intervistë të 2007-ës, Zuckerberg shpjegoj arsyen: “Nuk ishte për sasinë e parave. Për mua dhe kolegët e mi, gjeja më e rëndësishme ishte të krijonim fluks informacioni të hapur për njerëzit. Të pasurit e korporatave të mediave që zotëroheshin nga konglomeratët nuk ishte një ide tërheqse për mua.”

Ai i ritheksoi këto qëllime edhe në 2010-ën në gazetën Wired: “Gjëja që me të vërtet më intersonte ishte misioni,të bërit një botë të hapur. Në 21 Korrik 2010, Zuckerberg deklaroi se kompania kishte arritur kuotën e 500 milion përdoruesve.I pyetur nëse kompania mund të gjeneronte më shumë të ardhura nga reklamat si pasojë e rritjes galopante,ai shpjegoj:

“Them se po…nese shikon se sa faqet tona klikohen krahasuar me faqet e zakonshme.Kjo është gjeja më e thjeshtë që mund të bënim.Por nuk jemi për të tilla gjëra.Ne bëjmë para mjaftueshëm.Dua të them se po e menaxhojmë mirë dhe se po rritemi aq sa duam.”

Revista Vanity Fair e emëroi Zuckerberg si numrin 1 në listën e 2010-ës të 100 njerëzve më me influencë të epokës së informacionit. Zuckerberg ishte në vendin 23-të në po të njëjtën listë të një viti më parë (2009). Në 2010-ën, Zuckerberg u zgjodh në vendin e 16-të në sondazhin vjetor të ew Statesman si një ndër 50 personat më me infuencë në botë./KultPlus.com

Më 14 maj 1450 ka filluar Rrethimi i Parë i Krujës nga ushtria osmane

Rrethimi i parë i Krujës ka ndodhur në vitin 1450, kur një ushtri Osmane prej rreth 100.000 trupash janë caktuar që të rrethojnë Krujën në Shqipëri.

 Lidhja e Lezhës, e udhëhequr nga Skënderbeu, pësoi moral të ulët pas humbjes të Svetigradit dhe të Beratit në vitet 1448-1450. Megjithatë, thirrjet e Skënderbeut dhe mbështetja e klerit, të cilët pohuan se kishin vizione të engjëjve dhe fitores, i motivoi shqiptarët për të mbrojtur kryeqytetin e Lidhjes, Krujën, me çdo kusht.

Pasi la një garnizon mbrojtës prej 4,000 burrash nën togerin e tij të besueshëm Vrana Konti (i njohur edhe si Kont Urani), Skënderbeu i bastisi kampet osmane rreth Krujës dhe sulmoi karvanët e furnizimit të ushtrisë së Sulltan Muradit II. Deri në shtator, kampi otoman u shndërrua në një rrëmujë ndërsa morali u fundos dhe sëmundja u përhap.

Ushtria osmane pranoi që kalaja e Krujës nuk do të binte me forcë të armëve, hoqi rrethimin dhe morri rrugën e saj drejt Edirnes. Shumë shpejt pas kësaj, në dimrin e vitit 1450-51, Muradi vdiq dhe u pasua nga djali i tij, Mehmed II. / KultPlus.com

25 vite nga masakra në Qyshk

Sot mbushen 25 vite nga Masakra e Qyshkut, në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë dhe masakruar barbarisht 44 burra.

Masakra e 14 majit 1999 ishte vetëm njëra nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.

Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete – kanë vrarë të paktën 44 civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur.

Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se 400 civilë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Danimarkës ku do të marrë pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci.

Në Samit, Presidentja Osmani do të ketë fjalim kryesor dhe diskutim mbi përpjekjet e Kosovës për mbrojtjen dhe forcimin e demokracisë, si dhe për rëndësinë e integrimit të vendit tonë dhe të vendeve tjera aspiruese në institucionet euroatlantike në dritë të zhvillimeve gjeopolitike.

Përgjatë vizitës në Mbretërinë e Danimarkës, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë shtetëror.

Po ashtu, Presidentja Osmani do ta takojë edhe mërgatën shqiptare në këtë shtet./KultPlus.com

84 vite nga vdekja e Emma Goldman, aktivistes së njohur të feminizmit

Emma Goldman lindi më 27 qershor të vitit 1869 dhe vdiq më 14 maj të vitit 1940. Goldman ishte një anarkiste e njohur për aktivizmin e saj politik, me shkrime dhe fjalime, shkruan KultPlus.

Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofisë politike anarkiste në Amerikën e Veriut dhe Evropë në gjysmën e parë të shekullit të 20. Lindur në Kovno, Perandoria Ruse (sot Kaunas, Lituani), Goldman emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1885.

E tërhequr nga anarkizmi pas aferës Haymarket, Goldman u bë një shkrimtare dhe një lektore e njohur në filozofinë anarkiste, të drejtat e grave, dhe çështjet sociale, duke tërhequr mijëra turma. /KultPlus.com

“Euronews”: Lugina e Thethit, vendi i përsosur për t’u çlodhur

Destinacionet në të gjithë Evropën po luftojnë kundër turizmit masiv. Nuk është për t’u habitur që shumë vizitorë po kërkojnë alternativa më pak të njohura larg turmave, shkruan Rebecca Ann Hughes në një artikull të botuar në “Euronews Travel”.

Ndoshta nuk do të mund të shihni monumentet ikonike apo të hani në restorante madhështore, por do të gjeni hapësirë, paqe, çmime më të ulëta dhe shumë surpriza.

Më poshtë vijojnë vendet më të mira për t’u shpëtuar turmave të turistëve.

Përdoruesit e “Reddit” kanë sugjeruar katër destinacionet e përballueshme në Evropë për të vizituar në 2024 që përfshijnë:

Shqipëri – Lugina e Thethit

Ishujt grekë – Ikaria

Angli – North Devon

Republika Çeke – Brno

Shqipëri: Bëni një shëtitje në Luginën e Thethit

Vija bregdetare e Shqipërisë ka fituar popullaritet si një nga destinacionet më të lira krahasuar me Kroacinë. Vargmalet e saj në veri mbeten relativisht nën radar.

Në të ashtuquajturat “Bjeshkët e Nemuna” ndodhen shtigje të shumta që të çojnë nëpër formacione shkëmbore të larta, pyje të mbushura me bimësi dhe fshatra të largëta.

Lugina e Thethit ofron peizazhe mahnitëse, lumenj blu kristal dhe male të mahnitshme.

Ushqimi është i mrekullueshëm, vendasit janë mikpritës dhe ka pak turistë.

Ju rekomandojmë ta vizitoni destinacionin e veçantë përpara se ai të bëhet super popullor./atsh/KultPlus.com

‘Një lulishte me trëndafila’, nga zëri i veçantë i Ismet Bogujevcit (VIDEO)

Sot janë bërë 3 vite pa ikonën e e folklorit shqiptar, Ismet Bogujevcin.

Ismet Bogujevci (9 prill 1952 – 13 maj 2021) konsideohet një ndër figurat më të shquara të muzikës dhe folklorit kombëtar. Në nderim të jetës dhe veprës së tij, KultPlus ju sjell këngën “Një lulishte me trëndafila”:

Nji lulishte me trandafila
Asht parajsa e vërtetë,
ky asht ven, qi knojn’ bilbilat
flak q’mu dogj ashiku i shkretë.

Vetë më the mëre xhanan
n’at lulishte jetën ta çojm
Mos më le në kët zindan
Të gjithë jetën nuk do t’rrojmë.

Maraku asht nji shkendi
Djeg si dielli në qeshor
Kët’ sevda, kush ma din’
Shpirtin tem’ ja jap në dorë.

Të gjitha lulet jane lavdëru
Trandafili asht me famë
Ashiku ç’u përvëlu
ç’u dogj flakë si përvan.

N’Elbasan asht një gur varri
Të zest ashket si se panë
Flakë u dogj Isuf Myzyri
Si Mexhnuni për Lajlanë./KultPlus.com

3 vite pa ikonën e folklorit shqiptar, Ismet Bogujevcin

Ismet Bogujevci është një ndër figurat më të shquara të muzikës dhe folklorit kombëtar, shkruan KultPlus.

Ai ka lindur më 9 prill 1952 në Podujevë. Fillet e karrierës së tij mjaftë të bujshme, ishin në shoqërinë kulturo-artistike ‘Josip Rela’ në Podujevë në vitin 1972 në muzikë dhe aktrim pasi në atë kohë kjo shoqëri kulturo-artistike kishte shtrirje paralele në muzikë dhe në aktivitete teatrore.

Drama ‘Halili dhe Hajria’ ishte ngjarja e parë që i mundësoi Bogujevcit të ngjitet në skenë në rolin e Qatipit. Më vonë ai ka vazhduar aktivitetin e tij artistik edhe në shoqërinë ‘Ramiz Sadiku’ duke pasur paraqitje në Prishtinë dhe në gjithë rajonin ballkanik.

Nga viti 2000, ai ka punuarsi solist në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve ‘Shota’. Kurse nga viti 2012 – 2013 ishte në pozitën e UD Drejtor i Ansamblit.

Disa prej këngëve të tij janë: “Kur ta fala një tufë gërshetë”, “Martesa jonë”, “O moj bukuroshe”, “Ke selvite e namazgjasë”, “Tefik Canga”, “Bajram Curr o Bajram Curr” etj.

Ai vdiq më 13 maj të vitit 2021./ KultPlus.com

Servete Maçi, mësuesja e shkollës së parë femërore në Tiranë

Servete Maçi (1901-1995) mësuese e shkollës së parë femërore në Tiranë dhe e bija e patriotit të palodhur, tiranasit Musa Maçi, një aktivist që kishte pësuar disa here burgime nga xhonturqit.

Servete Maçi e filloi mësimdhënien e gjuhës shqipe qysh në moshën 15 vjeçare. Shtyrë nga i ati, por edhe nga miqtë e të atit, Ibrahim Dalliu dhe Jusuf Elezi, ajo e filloi punën e saj me 35 nxënëse. Sipas kujtimeve të mësueses së parë veterane Servete Maçi (Petrela) të kësaj shkolle dalin këto të dhëna për hapjen e shkollës.

“Një grup patriotesh si Riza Jasa, mësuesi Mahmud Fortuzi erdhën në shtëpinë time (Servetes) dhe biseduan me babain tim. Ata i thane atij se kishin vendosur të hapnin një shkollë femërore shqipe dhe kërkuan që unë të isha mësuesja e pare atje. Unë dija vetëm të shkruaja dhe të lexoja. Babai im pranoi… Isha tepër e re, – shkruan ajo, – vetëm 15 vjeçe dhe kisha frike se a do të isha në gjendje ta përmbushja këtë detyrë për t’i mësuar vajzave gjuhën amtare siç duhej. Por, shokët e babait tim, në mënyrë të veçantë Ibrahim Dalliu, me binden duke me premtuar se do të më ndihmonin sa herë të kisha nevojë”.

Shkolla shqipe që sot quhet shkolla 9-vjeçare “Kongresi i Përmetit” është hapur më 1916 në kohën e pushtimit Austro-Hungarez. Godina ishte prona e Dulle Kanes. Ishte një ndërtese e vjetër e përbërë prej tri dhomash, dy nga të cilat ishin pa tavan. Kushtet e mësimit ishin fare të papërshtatshme, por megjithatë për mësimin e gjuhës shqipe në të shkruar e në të lexuar u përdor libri i abetares i Naim Frashërit.

Shkolla 7-vjeçare “Kongresi i Pёrmetit” (Tiranё). Viti 1955

Mësimi zhvillohej dy herë në ditë me përjashtim të ditës së enjte që zhvillohej vetëm para dite (ditë pazari). Pushimi bëhej ditën e premte. Armiqtë e tërbuar të shkollës shqipe ishin anëtarë të klubit Turk të Tiranës. Ata, duke e fyer, përpiqeshin që ta bënin Serveten të linte detyrën e mësueses, por nuk ia arritën qëllimit. Ajo u quajt “kaurreshe”, pra si një grua që kishte braktisur fenë islame. Të nxitur nga dallkauket xhonturq disa fëmije rrugaçë e qëllonin me gurë, kur ajo vinte në shkollë ose kur kthehej në shtëpi, derisa një ditë arritën ta qëllojnë me gur në shpatullën e majte që i shkaktoi asaj lëngimin në shtrat për pese muaj, por shkolla nuk u mbyll. Shpesh atë e shoqëronte e ëma ose nxënësja e saj Hatixhe Jasa. Vendin e mësueses e zunë ish-nxënëset e saj Hafsa Hasan Haxhimehmeti dhe me pas Alie Myrtezim Kelliçi të cilat bënin mësim sipas udhëzimeve të mësueses Servete Maçi. Me gjithë kushtet e vështira (nxënëset ishin herë të zbathura e herë të pa ngrëna) ato mësonin me shumë dëshire gjuhën shqipe në të shkruar e të lexuar. Ato gjithashtu mësonin edhe shumë këngë patriotike shqiptare. Një rol të madh në hapjen dhe organizimin e arsimit në zonat e pushtuara nga Austro-Hungaria (edhe në Tiranë) ka luajtur Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit në Shkodër dhe Drejtori i Përgjithshëm në atë kohë ishte Luigj Gurakuqi.

Në 1917 në Tirane u hap një kurs pedagogjik. Në shkollën femërore erdhi mësuesja e kualifikuar Zenepe Reçi. Gjatë vitit 1920, nën qeverinë e Sulejman Delvines u bënë disa reforma. Sipas dokumentacioneve arkivale të Ministrisë së Arsimit të shtetit të ri shqiptar, data 29 gusht 1920 thuhet se, në Tiranë krahas shkollave të tjera, shkolla femërore në rrugën e Dibrës do të kishte tre klasa me mësuese: Zenepe Reçi, Sailia (mbiemri nuk mund të lexohet), Alie Kelliçi dhe Hafsa Hasani.”

Marrë prej librit “Kujtime për shkollën e parë (laike) shqipe për vajza në Tiranë” (Dorëshkrim) nga Servete Maçi, faqe 33 si dhe nga libri “Historia e Tiranës” i Kristo Frashërit./ KultPlus.com

Java Franceze e Kulturës, veprat e skulptorit të njohur francez Richard Orlinski ekspozohen te Piramida

Magjia e Javëve Kulturore Ndërkombëtare vjen sot në kryeqytet me hapjen e Javës së Kulturës Franceze. Në mjediset e Piramidës në kryeqytet u çel ekspozita me veprat e skulptorit të mirënjohur francez, Richard Orlinski.

Të pranishëm në hapjen e saj ishin edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorja franceze, Catherine Suard.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se këto nisma janë një urë e rëndësishme në bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Ky ka qenë një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Francën. Përveç javës simbolike të Kulturës, i gjithë viti ka qenë një vit francez. Edhe kryeministri dje, u kthye nga Athina pas një vizite të jashtëzakonshme dhe shumë entuziaste dhe ndoshta që do të mbahet mend në histori shumë gjatë me diasporën atje, ne gjithashtu sapo u kthyem nga Venecia, ku patëm binjakëzimin e Tiranës me Venecian, kryeqytetin e artit, bienales, dhe shumë aktiviteteve të tjera. Java e Kulturës Franceze do të ketë përqendrimin më të madh të aktiviteteve, por ne do të kemi edhe mbjelljen e disa nismave të reja, që do të jenë urë mes Shqipërisë dhe Francës në afatgjatë”, theksoi Veliaj.

Ndërkaq, në mbrëmje te Piramida do të përurohet edhe Kubi Francez.

“Sot pasdite hapim Kubin Francez dhe mezi pres vijimin e Javëve të tjera të Kulturës. Këtë javë hapim kinemanë “Maks Velo”, për t’i dhënë vëmendje jo vetëm qendrës së Tiranës, por edhe periferisë, ashtu siç ndodh me Marubin në Kinostudio, ashtu siç po ndodh tani me qendrën tonë dixhitale, te kinema Agimi. Jam gjithmonë besimtar i faktit se fjalët e sherret i merr era, kurse në finale njerëzit do të thonë: puna, puna, puna”, theksoi Veliaj.

Ambasadorja Catherine Suard i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj dhe Bashkisë së Tiranës për gatishëmrinë e treguar për të çuar përpara këto projekte.

“Është artisti bashkëkohor më i shitur në botë dhe është hera e parë që veprat e tij ekspozohen në Tiranë. Mendimi im personal është se këto vepra nuk mund të kishin gjetur një “kuti” më të mirë stolish, kaq me ngjyra, kaq bashkëkohore popullore e të hapur, sa Piramida e Tiranës. Dua të falenderoj kryetarin e Bashkisë dhe Bashkinë e Tiranës, që e mbështet kaq shumë këtë projekt, që besoi tek ne dhe kontribuoi kaq shumë në realizimin e kësaj ekspozite”, tha Suard.

Aktivitetet e Javëve Kulturore Ndërkombëtare do të vijojë nga data 13-19 maj me Francën. Koncerte, ekspozitat, shfaqje, kulinari, lojëra, shfaqje cirku dhe argëtimi pa fund, do të na shoqëroje përgjatë gjithë këtyre ditëve./atsh/KultPlus.com

40 thënie nga Platoni për të qenë të lumtur

I lindur në një familje të shquar dhe të pasur në Athinë, Platoni ia ka kushtuar jetën e tij një qëllimi: të ndihmojë njerëzit të arrijnë atë gjendje që ai e quajti: Eudaimonia. Kjo fjalë greke, pothuajse do të thotë ‘lumturi’, por është me të vërtetë më pranë ‘përmbushjes’.

Idetë e Platonit mbeten thellësisht provokative dhe tërheqëse. Ajo që i bashkon është ambicia dhe idealizmi i tyre. Ai donte që filozofia të ishte një mjet për të na ndihmuar të ndryshojmë botën. Një shembull që mund të vazhdojë të frymëzojë.

Çfarë propozon Platoni për t’i bërë njerëzit më të përmbushur?

Mendoni më shumë

Platoni propozoi që jetët tona shkojnë shpesh herë keq, sepse ne pothuajse kurrë nuk i japim vetes kohë për të menduar me kujdes dhe të logjikojmë mjaftueshëm për planet tona. Kështu përfundojmë duke përqafuar vlerat e gabuara, karrierën e gabuar dhe marrëdhëniet e gabuara. Platoni donte të sillte rregull dhe qartësi në mendjet tona.

Frojdi kishte qejf ta pohonte, në fakt ishte Platoni ishte shpikësi i terapisë, duke këmbëngulur se ne mësojmë t’ia nënshtrojmë të gjitha mendimet dhe ndjenjat arsyes tonë. Ai është përpjekur të shkruajë në mënyrë edhe të përsëritur, por thelbi i filozofisë përmblidhet në komandën: “Njih vetveten”.

Dashuro me më shumë mençuri

Platoni është një nga teoricienët e mëdhenj të marrëdhënieve. Libri i tij, Simpoziumi, është një përpjekje për të shpjeguar se çfarë është dashuria në të vërtetë dashuria.

Rëndësia e bukurisë

Askush para Platonit se kishte bërë pyetjen kyçe: Pse i pëlqejmë ne gjërat e bukura? Ai gjeti një arsye interesante: ne shohim tek ato një pjesë të “mirësisë”.

40 thënie nga Platoni për të qenë të lumtur.

1- Kurajoja është të dish se çfarë mos të kesh frikë.

2 – Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.

3- Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë.

4 – Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin.

5 – Vëmendja ndaj shëndetit është pengesa më e madhe në jetë.

6 – Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash.

7- Mund ta falim një fëmijë që është i frikësuar nga errësira, tragjedi e vërtetë është kur të rriturit kanë frikë nga drita

8- Studimi më fisnik ndër të gjitha është studimi i njeriut dhe jetës që duhet të jetojë.

9- Tregohu i mirë, sepse kushdo që takon, po përballet me një betejë të vështirë.

10- Injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave.

11- Nevoja është nëna e të gjitha shpikjeve.

12- Kurrë mos e dekurajo dikë që bën përparime të vazhdueshme,sado të ngadalshme qofshin.

13- Fillimi është pjesa më e rëndësishme e çdo pune.

14- I mençuri flet se ka diçka për të thënë, budallai sa për të thënë diçka çfarëdo.

15- Ekzistojnë 3 kategori njerëzish: Ata që janë të dashuruar me Dijen; të dashuruarit me nderin dhe të dashuruarit me përfitimin.

16- Sjellja njerëzore rrjedh si pasojë e 3 shkaqeve: Dëshira, Emocionet ose Dija.

17- Që një njeri të arrijë të zotërojë vetveten është nga fitoret më fisnike dhe më parësore.

18- Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur me pak.

19- Opinioni është shkalla mes injorancës dhe dijes.

20- Një hero lind mes qindrave; një i mençur mund të gjendet mes mijrave, por një njeri i vetërealizuar mund të mos gjendet as mes qindra mijëra njerëzve.

21- Ata që janë të aftë të shohin përtej hijeve dhe gënjeshtrave të kulturave të tyre, nuk do kuptohen kurrë nga masat e jo më të besohen nga to.

22- Ajo që quajmë mësim është thjesht një proces rikujtimi.

23- Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, ndërsa njerëzit e këqinj do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet.

24- Një vendim i mirë është bazuar në njohuritë dhe jo në numrat.

25- Të gjithë njerëzit janë nga natyra të barabartë, janë bërë nga e njëjta baltë, nga i njëjti Punëtor; dhe megjithatë ne mashtrojmë veten, ndaj Perëndisë janë të shtrenjtë si fshatari i varfër, si princi.

26- Gjithë ari i cili është nën apo mbi tokë nuk është i mjaftueshëm për ta dhënë në këmbim të Virtytit.

27- Dhe çfarë, Sokrat, është ushqimi i shpirtit? Vërtet, thashë unë, dituria është ushqim i shpirtit.

28- Çdo njeri mund t’i bëjë dëm fare lehtë, por jo çdo njeri mund t’i bëjë mirë tjetrit.

29- Sikurse ndërtuesit thonë, gurët më të mëdhenj nuk qëndrojnë mirë pa më të vegjlit.

30- Në prekjen e dashurisë gjithkush bëhet poet.

31- Më mirë diçka e vogël e bërë mirë, se një e madhe e pa përkryer.

32- Dinaku nuk është tjetër veçse imitatori më i ulët i zgjuarsisë.

33- Vdekja nuk është më e keqja që mund t’iu ndodhë burrave.

34- Teprimi në përgjithësi shkakton reaksion, dhe prodhon një ndryshim në drejtim të kundërt, qoftë ai në stinët, në individët apo në qeveritë.

35- Ai që kryen padrejtësi është gjithmonë më fatkeq se ai që vuan atë.

36- Ai që vjedh pak, vjedh me të njëjtën dëshirë si që vjedh shumë, por me më pak fuqi.

37- Ndershmëria është për pjesën më të madhe më pak fitimprurëse se sa pandershmëria.

38- Do marr heshtjen tuaj si dhënie pëlqimi.

39- Nëse një njeri e neglizhon edukimin, ai ecën çalë në fund të jetës së tij.

40- Prindërit duhet t’u lënë trashëgim fëmijëve të tyre jo pasurinë, por frymën e nderimit./abcnews.al/KultPlus.com

Stefan Cvajg, shkrimtari që ëndërronte një botë pa kufij

Në shkurt 1942, shkrimtari më i pëlqyer në Europë kreu vetëvrasje në një shtëpi në qytetin brazilian të Petropolisit, 10 000 kilometra larg vendlindjes së tij, Vjenës. Në vitin para se të vdiste, Stefan Cvajg përfundoi dy studime ballafaquese – “Bota e djeshme: Kujtimet e një Europiani”, një elegji për një qytetërim tashmë të konsumuar nga lufta, dhe “Brazili: Toka e të ardhmes”, një portret optimist i një bote të re. Historia e këtyre dy librave, dhe e refugjatit që i shkroi ato, ofron një udhërrëfyes në kurthin e nacionalizmit dhe traumën e mërgimit.

Cvajg kishte lindur në vitin 1881 në një familje të kulturuar dhe të pasur hebrenjsh në Vienë, kryeqyteti i perandorisë së Habsburgëve, ku austriakët, hungarezët, sllavët dhe hebrenjtë, mes shumë të tjerëve, bashkëjetonin në harmoni. Sundimtari i tyre ishte poligloti Franc-Jozefi I, i cili në fillimin e mbretërisë së tij në vitin 1867, shpalli se “Të gjithë racat e perandorisë kanë të drejta të barabarta, dhe secila racë ka një të drejtë të pacënueshme për ruajtjen dhe përdorimin e kombësisë dhe gjuhës së vet”.

Franc Jozefi ishte një autokrat i fortë, dhe mbretërimi i tij nuk duhet të romantizohet, por i ofroi Cvajgut një model të pluralizmit kulturor, në një kohë kur Evropa ishte duke u konsumuar në nacionalizëm. Biografi i tij George Prochnik vëren se Cvajgu bënte thirrje për themelimin e një universiteti ndërkombëtar, me degë në çdo kryeqytet të madh evropian, si dhe një programi shkëmbimesh me rotacion, i cili do të prezantonte të rinjtë me etni dhe fe të tjera.

Cvajgu filloi të shkruajë “Bota e Djeshme” pas largimit nga Austria në vitin 1934, duke parashikuar nazifikimin e atdheut të tij. Ai e përfundoi draftin e parë në Nju Jork në verën e vitit 1941, dhe postoi versionin përfundimtar, shtypur nga gruaja e tij e dytë Lotte Altmann, duke ia dërguar botuesit, një ditë para vetëvrasjes së tyre të përbashkët. Tashmë, perandoria e Habsburgëve ishte “zhdukur pa lënë gjurmë”, shkruan ai, dhe Vjena ishte “katandisur në statusin e një qyteti provincial gjerman”. Cvajgu u bë pa shtetësi: “Pra, unë i përkas tani askundit, unë jam një i huaj, apo në rastin më të mirë, një mysafir kudo”.

Kujtimet Cvajgut janë kthjelluese, në portretizimin që i bëjnë natyrës çorientuese të mërgimit. Në qytetet ku dikur Cvajgu brohoritej, tashmë librat e tij digjeshin; epoka e artë e “sigurisë dhe prosperitetit dhe rehatisë” ia kishte lënë vendin revolucionit, paqëndrueshmërisë ekonomike dhe nacionalizmit, “murtaja fundit që ka helmuar lulen e kulturës sonë evropiane”. Vetë koha është ndërprerë: “Të gjitha urat janë thyer mes të sotmes, të djeshmes dhe të pardjeshmes”.

Një nga shqetësimet më të mëdha të Cvajgut ishte humbja e shtëpisë së tij gjuhësore. Ai ndjente “një turpërim të fshehtë dhe torturues”, që ideologjia naziste ishte “konceptuar dhe hartuar në gjuhën gjermane”. Ashtu si poeti Paul Celan, i cili kreu vetëvrasje në Paris, Cvajg mendonte se gjuha e Shilerit, Gëtes dhe Rilkes ishte pushtuar nga nazizmi, dhe ishte deformuar në mënyrë të pakthyeshme. Pasi u zhvendos në Angli, ai ndjehej “i burgosur në një gjuhë, të cilën nuk mund ta përdor”.

Tek “Bota e djeshme”, Cvajgu përshkruan lehtësinë e udhëtimit pa kufij, para vitit 1914 – vizitave në Indi dhe SHBA, pa pasur nevojë për një pasaportë apo vizë – një situatë e pakonceptueshme kjo, për brezin midis dy luftërave. Tani ai, ashtu si të gjithë refugjatët, përballej me poshtërimin e negocimit me një burokraci të ngathët. Cvajgu përshkruante “burokraciofobinë” e tij të fortë, teksa zyrtarët e emigracionit i kërkonin gjithnjë e më shumë dëshmi identiteti. Vetë Cvajgu u thoshte me shaka miqve të tij, se në përshkrimin e punës, kishte vendosur: “Dikur shkrimtar, tani ekspert në viza”.

Teksa forcat e Hitlerit përhapeshin në të gjithë Evropën, Cvajgu u zhvendos nga banesa e tij në Bath në Mbretërinë e Bashkuar, në Ossining, Nju Jork. Atje ai ishte pothuajse i panjohur për të gjithë, përveç refugjatëve të tjerë, të cilët nuk kishin lidhjet dhe rehatinë e tij materiale, dhe që shpesh i bënin apel bujarisë së tij legjendare. Cvajgu nuk ndjehej në shtëpi në SHBA – ai e konsideronte amerikanizimin, si shkatërrimin e dytë të kulturës evropiane, pas Luftës së Parë Botërore – dhe shpresonte të kthehej në Brazil, i cili e kishte magjepsur gjatë një turneu leksionesh në vitin 1936.

Brazili: Toka e të ardhmes”, është një lartësim lirik i një kombi, bukuria dhe bujaria e të cilit i kishin lënë përshtypje të thella Cvajgut. Ai ishte shumë i befasuar nga ky vend, dhe qortonte veten për injorancën dhe “arrogancën europiane”. Cvajgu shkruan për historinë, kulturën, ekonominë dhe gjeografinë e Brazilit, por mendimet e vërtetë të librit burojnë nga këndvështrimi që ai ka për kontinentin e tij.

Në përshkrimin e Cvajgut, Brazili shndërrohet në gjithçka që ai do që Europa të jetë: sensuale, intelektuale, e qetë dhe e kundërvënë ndaj militarizmit dhe materializmit. Në Brazil nuk ka “fanatikët e racës” si në Europë, nuk ka “skena të ekstazive të çmendura dhe adhurimit të heronjve” si në Europë, nuk ka “nacionalizëm të marrë dhe imperializëm” si në Europë, dhe nuk ka “vetëvrasje” si në Europë.

Në kadencat shabllone dhe ngjyrat e saj, Brazil është rrënjësisht i ndryshëm nga imazhi ndrydhur Zëeig së Habsburgëve Vjenës, por bukuria e identitetit të saj hibrid duket se përligj opinionin e tij. Në Brazil, pasardhësit e Afrikës, portugeze, gjermane, italiane, sirianë dhe japoneze emigrantët përzier lirisht: “të gjitha këto gara të ndryshme jetojnë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin”. Brazil mëson ‘civilizuar’ Evropën si të jetë i qytetëruar: “Ndërsa bota jonë e vjetër është më shumë se sunduar ndonjëherë nga përpjekje të çmendur për të rriten njerëz racore kulluar, i ngjashëm garë-kuaj dhe qentë, kombi Brazilian për shekuj me radhë ka qenë e ndërtuar mbi parimin e një martesë e përzier pa pagesë … Ajo është duke shkuar për të parë fëmijët e të gjitha ngjyrave – çokollatë, qumësht, dhe kafe – vijnë nga shkollat e tyre krah-për-krah … nuk ka ngjyra-bar, ka ndarje, nuk ka klasifikimi arrogant. .. për të cilët këtu do të krenohem me pastërti absolute racore? “

Stefan Cvajgu besonte në një botë pa kufij, por ai erdhi e u përcaktua prej tyre: “Kriza ime e brendshme konsiston në atë, që unë nuk jam në gjendje të identifikohem me unin e pasaportës sime, me vetveten e mërgimit”. Kjo gjë e mundonte Cvajgun (“Ne jemi vetëm fantazma – ose kujtime”) dhe në letrën e vetëvrasjes, ai shkruante se ishte “i lodhur nga vite të tërë bredhjesh pa një shtëpi”. Stefan dhe Lotte, të dy bashkë shkruanin: “Ne nuk kemi të tashme dhe të ardhme … Ne vendosëm, të lidhur në dashuri, që të mos e lëmë njëri-tjetrin. /bota.al/ KultPlus.com

‘Kur një ditë të kthehesh ti, i përbuzur nga të gjithë’ (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha ky emër i shquar i këngës shqipe, ndryshe njihej si Bilbili i Kosovës.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Izrael, Bosnje e plot shtete tjera. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Ajo u nda nga jeta në vitin 2020 duke e lënë pas vetës një grumbull këngësh që janë dëgjuar e vazhdojnë të dëgjohen me ëndje edhe në ditët e sotme.

Kultplus ua sjell tekstin e këngës “Kur Një Ditë Të Kthehesh Ti” të kënduar nga Nexhmije Pagarusha dhe Ardit Gjebrea:

Fjalët tua aq të rrejshme,
qenë të vrazhda për me zgju dashninë time,
As qe ditën mem ngushllue,
as në çastet kur për ty unë sytë i meksha
Fjalët tua aq të vrazhda
s`qenë në gjendje me pajtue zemrën time
ishin vetëm sytë e tue asgjë tjetër nuk na lidhte

ref…

Kur një ditë të kthehesh ti,
i përbuzur nga të gjithë,
dhe dëshiron ta kesh pranë ndokënd afër vetit
Mos kerko strehim te unë
se ngrohtësia në shpirtin tim
ka shumë kohë që fluturon për ty në amshim
Kur një ditë të kthehesh ti
dhe e kupton se je fajtor
se unë ende po jetoj pa fat dhe dashni
dhe çkado qe tash premton
është shumë vonë për shpresën tonë
për urrejtje dhe dashni për ne të dy
Çdo mesnate unë të shoh në andërr
gjoja se po fle pranë meje si dikur
Çdo mesnatë me zgjon kujtimi
se më lodhi dashuria me këto andrea
Qdo mesnatë un të shoh ne andërr
si largohesh ti i heshtur pa buzëqeshje
Fjalët e fundit janë për ty
sytë e mi janë tuj lotu

ref…

Kur një ditë të kthehesh ti,
i përbuzur nga të gjithë,
dhe dëshiron ta kesh pranë ndokënd afër vetit
Mos kerko strehim te unë
se ngrohtësia në shpirtin tim
ka shumë kohë që fluturon për ty në amshim
Kur një ditë të kthehesh ti
dhe e kupton se je fajtor
se unë ende po jetoj pa fat dhe dashni
dhe çkado qe tash premton
është shumë vonë për shpresën tonë
për urrejtje dhe dashni për ne të dy./KultPlus.com

Këngët e Milosaos

Nga Jeronim De Rada

Kënga I

Bota kish ndërruar lisa,
uji i ri në det
kaltronte n`ditn` e re;
por lumbardha e Anakreontit
në Temp rronte e moçme.
Nd`uj një dit` vate te mali
e s`u kthye si e kish zakon.
Veç` që atë s`e thau bora,
s`e përgjaku heshtëza,
po u largua gjersa ra
tek e bardha shpia ime.
Kur n`agim tokë edhe shpi
u zbuluan bashk` me detin,
si hareja që del sysh,
më zgjoi duke fërfëlluar
qelqeve t`dritares.
U pataksa e ruajta jashtë:
rrusht`, pak aguridhe,
dheut tonë i kishin hie;
lule liu të hapura,
n`i tund era e i përzien,
në atë ninull qeshin;
Si ato lule –qielli.
Ti vështroje dhe s`kujtoje
asnjë mbëhi njerëzish.
Kallëzoret nëpër duajt
po këndonin. Dheut huaj
ahere ndër time motra
kisha arritur; mëma ime
emrin tim thosh nëpër shpi.
Një hare më rrodhi kurmit,
si hareja kur te shtrati,
mbrëmanet, vajza e ngrohtë
ndien për të parëzën
sisët që m`i fryhen./ KultPlus.com

Nisin punimet restauruese në Shtëpinë e familjes Kryeziu në Gjakovë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se kanë nisur të zhvillohen punimet restauruese në “Shtëpinë e familjes Kryeziu” nga Gjakova, shkruan KultPlus.

MKRS ka bërë të ditur se “Shtëpia e familjes Kryeziu” i takon arkitekturës tradicionale të fundit të shekullit VIII-të, e cila gjendet në pjesën e vjetër të qytetit me një pamje mbresëlënëse.

Përmes një njoftimi për media, nga MKRS janë shprehur se nuk do të ndalen investimet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në vend.

“Ndodhet mes Muzeut Historik dhe hapësirës ku është i vendosur busti i Sylejman Vokshit.

Gjakova njihet si qytet i kulturës, traditës dhe qytetërimit. Investimet në ruajtjen trashëgimisë kulturore nga MKRS nuk do të ndalen”, thuhet në shkrimin e MKRS në facebook./ KultPlus.com

Së shpejti jepet premiera e filmit ‘Rrugës’ në Festivalin e Kanës

Edhe 11 ditë do të jepet premiera e filmit të zhanrit të shkurtër “Rrugës” i cili përfaqëson Kosovën në konkurrencën kryesore të Festivalit të Kanës.

Filmi i ri nga Samir Karahoda, “Rrugës”, është përzgjedhur zyrtarisht për garën e filmave të shkurtër në edicionin e 77-të të Festivalit të Kanës . Kjo është hera e dytë që një film në regji të Samir Karahodës përzgjedhet për garën zyrtare të Festivalit më prestigjioz në botë, pas filmit “Pa Vend” që e kishte premierën në Cannes në vitin 2021.

Nga 4,420 filma, “RRUGËS” është përzgjedhur mes 11 filmave të shkurtër nga 11 shtete që do të prezantohen këtë vit në konkurrencë.

Filmi “Rrugës” sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen.

“Rrugës” është shkruar nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, duke integruar tregime personale dhe elemente autobiografike, që pasqyrojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit. Gjatë këtij udhëtimi të shkurtër, udhëtimi i tyre bëhet një eksplorim i lidhjes së tyre mes sfidave shoqërore dhe pasigurisë që ata kanë në atdheun e tyre.

Premiera botërore jepet në DEBUSSY Theater, më 24 maj në ora 11:00/ KultPlus.com

ZGJIDH DESTINACIONIN E ËNDRRAVE PËR PUSHIMET E VERËS 2024 ME ‘INTERSTELLAR TRAVEL.CO’!

Për pushime verore të mrekullueshme: “INTERSTELLAR TRAVEL.CO” është gati për t’ju ndihmuar!

Përgjatë ditëve të ftohta e javëve të gjata në punë, mendja na rri te ditët me diell, plazhi e argëtimi…

Pushimet gërshetojnë më vete një ndryshim mëse të nevojshëm të dinamikës së përditshmërisë me kohë kushtuar vetes dhe reflektimit.

Kombinuar me rërën e ngrohtë dhe ujin e freskët, ky gërshetim na lidhë më natyrën, vitalitetin dhe qetësinë e domosdoshme për funksionim të shëndetshëm për gjithë vitin!

Disa prej nesh, këtë qetësi e gjejmë duke eksploruar arkitekturën e qyteteve më të vjetra në bota, e disa duke shijuar shumëllojshmërinë kulinare anembanë botës. E cilado qoftë dëshira juaj, kompania “INTERSTELLARTRAVEL.CO” ka një paketë e cila do të plotësojë të gjitha kërkesat tuaja!

Karakterizuar me përkushtim në përzgjedhje të destinacioneve “INTERSTELLARTRAVEL.CO” përshtatë natyrën e veçantë të klientëve me kërkesat dhe mundësitë e tyre në çdo vend.

E këtë verë, disa nga destinacionet që rekomandon kompania janë: Antalia, Bodrumi, Greqia, Dubai, Egjipti, Shqipëria, Mali i Zi, Malta dhe Qipro.

Për pushime që nuk t’i harroni kurrë, kontaktoni “INTERSTELLARTRAVEL.CO”, partnerin tuaj më të besueshëm për çdo udhëtim e pushim!/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Mbi 1 milion e 420 mijë qytetarë residentë janë regjistruar deri tani, përqindje e lartë edhe serbëve

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se deri tani janë regjistruar mbi 1,420,000 qytetarë residentë në Kosovë.

Ai me anë të një video të publikuar në rrjetin social Facebook ka bërë thirrje që kosovarët edhe në diasporë të regjistrohen sa më shumë në pasi ky proces tashmë është në javën e fundit të implementimit.

“Mbi 1,420,000 qytetarë residentë të regjistruar deri më tani, teksa kemi hyrë në javën e fundit të procesit më të rëndësishëm për 10-vjeçarin e ardhshëm”.

“Thirrja jonë për regjistrim vazhdon. Të gjithë ata që nuk janë regjistruar deri më tani, në Kosovë e në diasporë, ju ftoj t’i shfrytëzoni këto ditë të mbetura deri me 17 maj”, ka thënë Kurti.

Në videon e publikuar ai bën me dije sot ka qenë për vizitë në Komunën e Kamenicës me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, me të cilin thotë se janë të kënaqur me numrin e madh të qytetarëve që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për regjistrim.

“Të dhënat më të fundit na tregojnë se banorët e kësaj komune i janë përgjigjur pozitivisht dhe pahezitim thirrjes sonë për regjistrim. Kamenica është një nga shembujt më të mirë të bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë”.

“Kjo po vërtetohet edhe me përqindjen e lartë të qytetarëve tanë të komunitetit serbe në procesin e regjistrimit të popullësisë”, ka thënë Kurti.

Kori i Filharmonisë organizon koncert premierë nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla

Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, organizon koncert premierë me Korin e Filharmonisë nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla, shkruan KultPlus.

Koncerti do të ketë një repertor të pasur duke filluar nga baroku deri tek muzika bashkëkohore, duke përfshirë vepra nga J. M. Bach, J. Brahms, R. Harbor, F. Ticheli, E. Whitacre, M. Ostrzyga, J. Runestad, H. Syla dhe L. Biggs.

Në shënim të 65-vjetorit të vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, do të interpretohet “Bash n’zeman…”.

Koncerti mbahet më 16 maj, në ora 20:00 në Kishën Katolike “Shën Ndou”./ KultPlus.com