“Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur”, tha Papa Gjon Pali II, në nisje të fjalimit në pritjen zyrtare.
Më 25 prill të vitit 1993, Papa Shën Gjon Pali II, duke iu drejtuar qytetarëve dhe besimtarëve të pranishëm në Sheshin Skënderbe, në Tiranë, ndërmjet tjerash nënvizoi: “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të ateizmi mbytës”.
Kjo ishte vizita e parë e një Pape të Romës në Shqipëri. Më 25 prill 1993 kreu i Selisë së Shenjtë u ndal në Shkodër dhe në Tiranë.
Pas vizitës së tij, në hierarkinë e re të pasdiktaturës u vendosën katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Ilia, Imzot Rrok Mirdita, Imzot Robert Ashta dhe Imzot Zef Simoni.
Në njërën nga fotot që publikoi sot DPA, paraqiten kërkesat për fonde për kryerjen e përgatitjeve për pritjen e papës si dhe dokumenti që ngrinte një komision qeveritar të ngarkuar me pritjen e tij.
Polaku Karol Jozef Vojtila u zgjodh “Papë” në Vatikan më 16 tetor 1978. Në vitin 1981 ju bë një atentat të cilit i shpëtoi dhe qëndroi për 27 vjet në krye të Kishës Katolike./atsh/KultPlus.com
Më e shenjta, ajo për të cilën jeta ia vlen njëqindfish, familja.
Thënie të zgjedhura:
Disa dinakë e zgjedhin gruan jo aq të zgjuar me shpresë se do ta komandojnë dhe gjithmonë gabohen.
Martesa duhet të jetë një edukim i pafund i dyanshëm.
Martesa përfaqëson në vetvete një tip marrëdhëniesh midis burrit e gruas, ku pavarësia e palëve është e njëllojtë, varësia e përbashkët, detyrimet e dyanshme.
Martesa është shkencë, por askush nuk e studion.
Martesa lidh për jetë dy krijesa që nuk e njohin njëri-tjetrin.
Jeta bashkëshortore është në luftë të vazhdueshme me një përbindësh të llahtarshme: me të mësuarit.
Dashuria, si macja, lind e verbër, dhe martesa është si gjilpëra për heqjen e perdes së syrit në një dorë mjeshtri.
Martesa është dashuri juridike morale. Ky përcaktim përjashton nga kjo e fundit gjithçka kalimtare, tekanjoze dhe subjektive.
Ai që martohet për pasuri, shet lirinë e tij.
Martesa sjell vërtet mjaft telashe, por beqaria ama nuk sjell asnjë gëzim.
Si zogu dhe foleja.
Martesa siguron vazhdimësinë e domosdoshme të fisit njerëzor.
Askush nuk detyrohet të martohet, por cilido duhet detyruar t’i nënshtrohet ligjeve të martesës, në qoftë se lidh martesë.
Cilido që bën ndërmend të martohet duhet të bëhet gjyqtar i synimit të tij dhe të këshillohet vetëm me vetveten.
Të martohesh nuk është aspak e vështirë, e vështirë është të jesh i martuar.
Për plakun që kërkon të martohet, përligjja më bindëse është se i duhet dado.
Atje ku ka martesë pa dashuri, do të ketë edhe dashuri pa martesë.
Lidhja martesore është shkalla e parë e shoqërisë njerëzore.
Martesa vjen pas dashurisë, siç vjen tymi pas flakës.
Familja është shoqëria në miniaturë, nga mirëqenia e së cilës varet siguria e gjithë shoqërisë së madhe njerëzore.
Gruaja është shpëtimi ose vdekja e familjes.
Gruaja që e përqesh të shoqin, nuk e dashuron më atë.
Familja gjithmonë do të mbetet themel i shoqërisë.
Zgjedhja e gruas dhe blerja e shpatës nuk i duhet besuar tjetrit.
Është e mirë ajo shtëpi, ku janë të mirë banorët.
Kush është në shtëpi tigër, jashtë saj zakonisht është dele.
Kujt i ka takuar një dhëndër i mirë ka fituar një djalë, kujt i ka takuar një dhëndër i keq ka humbur vajzën.
Familja e mirë është ajo në të cilën burri dhe gruaja ditën harrojnë që janë dashnorë dhe natën që janë bashkëshortë.
Për gruan është më mirë një shigjetë në brinjë, se sa një burrë plak përbrinjë.
Bashkëshortët e mirë kanë dy shpirtra, por një vullnet.
Të vjen plasja ku gruaja di të bëjë punë shtëpie, por nuk do, ama ca më keq kur nuk di, por do.
Shtëpia nuk mund të quhet banesë e njeriut përderisa në të të mos ketë ushqim dhe zjarr jo vetëm për trupin, por edhe për mendjen. / KultPlus.com
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e ka vlerësuar si sukses të unitetit votimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Ky është rezultat i punës dhe angazhimit të punës së delegacionit të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë punuar pa ndalë dhe me përkushtim me qëllime të përbashkëta. Ky sukses i Kosovës tregon më së miri se kur jemi bashkë mund të arrijmë shumë. Kemi qenë ekip dhe ashtu njihemi në asamble. Ky votim është një fitore e madhe për Kosovën. Ka mbete pjesa finale unë jam shumë optimiste në vendim që do të merret unë kam besim te plote por duhet shumë punë”, ka thënë ajo në seancën e sotme të Kuvendit.
Bogujevci e ka cilësuar këtë arritje si historike për vendin dhe demokracinë, e themeluar mbi vlera si të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.
Ndërkaq kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se vendi është afër largimit të masave sanksionuese të vendosura nga BE.
“U deshën edhe 11 muaj të tjerë për ta kuptuar ju dhe BE që problemi nuk është në Kosovë por në Serbi, që bojkoti nuk vjen nga Kosova por nga Vuçiqi. Dhe që proceset nuk bllokohen nga shtetet demokratike si Kosova, por nga ato autokratike siç është Serbia. Rezultati i zgjedhjeve të kësaj të diele në katër komunat në veri shënon zbatimin në plotëni të marrëveshjes së Bratisllavës nga ana e Kosovës. rrjedhimisht do të thotë largim të masave ndaj Kosovës”, deklaroi kryetarja e komisionit parlamentar./rtk/ KultPlus.com
Distria Krasniqi e ka filluar me fitore bindëse paraqitjen në Kampionatin Evropian të xhudos në Zagreb.
Disitra është bartëse e parë në kategorinë deri 52 kilogramë. Në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytën e mposhti ukrainasen Anna Borodina. Ndaj saj realizoi uazari të shpejtë e më pas konfirmoi fitoren me Ippon, me mbërthim.
Flaka Loxha u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 57 kilogramë. Ajo humbi në kohën shtesë nga kroatja Tihea Topolovec. Flaka i pësoi tri dënime.
Në ditën e dytë të panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor u paraqit “Bibliografia e veprimtarisë shkencore të Ali Aliut”, në 90-vjetorin e lindjes. Ali Aliu është anëtar i jashtëm i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë.
Veprimtarinë e drejtoi dr. Arian Leka, ndërkohë që akad. Shaban Sinani shtjelloi tiparet më të rëndësishme të veprimtarisë shkencore të Ali Aliut, shprehur përmes zërave bibliografikë.
Ndër argumetet më të spikatur të kësaj veprimtarie Sinani cilësoi rolin e Ali Aliut si “kapërcyes i kufijve”, studiuesin gjithmonë të gatshëm në gjurmim dhe vlerësim kritik të letërsisë shqipe, pavarësisht se ku ajo krijohet.
Rrugëtimi krijues i Ali Aliut shenjon rreth 1032 njësi bibliografike (deri në vitin 2022). Në këto të dhëna, që sjellin në vëmendje gjithë sa lidhet me emrin e Ali Aliut si autor monografish, udhëheqës universitar, ushtrues i kompetencave editorial, rezultojnë rreth 600 njësi, përshkrime bibliografike, të njohura kronologjikisht e tipologjikisht sipas standardit ndërkombëtar ISO 690.
Studiuesi Shaban Sinani theksoi gjithashtu se në sistemin letrar të propozuar nga Aliu Aliu zënë vend vetëm lloje prioritare (monografi, artikuj shkencorë), më të mëdhenjtë, paraqitja e të cilëve përjetohet si mision ndaj lexuesit dhe studimeve letrare.
Pa anashkaluar kontributin si autor i 65 studimeve monografike dhe përmbledhjeve me studime, pjesë e së cilës është edhe “Don Kishoti ndër shqiptarët” (vepra më e ribotuar dhe më e përkthyer e Ali Aliut) dhe përkthimeve të spikatura nga shqipja në gjuhë të fqinjëve i 25 veprave letrare, dr. Arian Leka u ndal edhe te përkushtimi i kryehershëm i Ali Aliut, si studiues dhe kritik i letërsisë, në gjurmimin e antologjikes në letërsinë shqiptare, me veprën përfaqësuese “Gjysmëshekulli i artë – antologji e poezisë shqipe” (Tetovë, 2000; Tiranë, 2002).
Gjatë gjithë jetës së tij të begatë krijuese, Ali Aliu e ka përmbushur misionin e përgatitjes së një antologjie jetësore, shpërndarë në libra të veçantë, të cilët, me kalimin e kohës, krijojnë një antologji të antologjive, ku kontributet Ali Aliut bashkohen rrethntitujve të tillë si “Kërkime” (1971), “Shqyrtime” (1974), “Rrjedhave të letërsisë” (1977), “Kritika” (1980), “Teoria e letërsisë” (1986), “Don Kishoti te Shqiptarët” (1996, 2005), “Reflekse letrare” (1999), “Magjia e fjalës” (2003) etj. /atsh/KultPlus.com
Vera është shumë pranë dhe ndërsa tani është koha që shumë njerëz fillojnë të ëndërrojnë për vendpushime me diell, çmimet në rritje shpesh kthehen në një pengesë, shkruan në një artikull revista skoceze “Daily Record”.
Kostot e pushimeve vazhdojnë të rriten dhe kjo është kryesisht e dukshme gjatë sezonit turistik kur destinacionet më të njohura rrisin çmimet e fluturimeve, akomodimit, ushqimit dhe aktiviteteve. Kjo ka bërë që shumë njerëz të heqin dorë nga rezervimet për pushime – por nuk ka pse të ndodhë kështu!
Pavarësisht krizës së vazhdueshme të kostos së jetesës, ekzistojnë ende shumë vende me diell për t’u vizituar që nuk do të sforcojnë buxhetin tuaj! Destinacioni mesdhetar, Shqipëria ofron plazhe me rërë të bardhë dhe ujëra bruz kryesisht në Rivierën e saj në zhvillim.
E vendosur në Gadishullin Ballkanik të Evropës Juglindore, Riviera Shqiptare përbëhet nga disa qytete dhe fshatra bregdetare. Peisazhi i saj ofron gjithçka që mund të shihni në një destinacion turistik shumë të vizituar, por me çmime më të ulëta.
Në Rivierën Shqiptare, bie menjëherë në sy fshati Ksamil – dhe është e lehtë ta kuptoni pse. Pamjet piktoreske të plazheve me rërë të bardhë mund të ngatërrohen me ato të Greqisë… Nëse nuk jeni adhurues i diellit, ka shumë sporte ujore në dispozicion për të marrë pjesë, nga ski jet deri te varkat e shpejta dhe aktivitete të tjera emocionuese.
Pas një dite të gjatë në plazh, uluni në një nga restorantet e shumta buzë detit që ofrojnë ushqime të freskëta deti me çmime të volitshme. Gjithashtu, pushuesit mund të eksplorojnë zonat historike, pasi Shqipëria është shtëpia e shumë vendeve të trashëgimisë të mbrojtura nga UNESCO, një prej tyre përfshin Parkun Arkeologjik Kombëtar të Butrintit. Vetëm 10 minuta larg me makinë nga Ksamili, vizitorët mund të mësojnë rreth qytetit të lashtë romak plot me ndërtesa historike dhe rrënoja.
Skocezët mund të arrijnë në Shqipëri me një fluturim të vetëm, me linjën ajrore si “Ryanair” që kryen udhëtime drejt kryeqytetit të saj, Tiranë nga Edinburgu. Sidoqoftë, udhëtimi për në Rivierën Shqiptare është edhe pesë orë të tjera në jug të vendit, por fatmirësisht ekziston një mundësi tjetër për të shkurtuar kohën. Opsioni i dytë është të fluturoni në ishullin grek të Korfuzit, i cili ndodhet pikërisht përballë Rivierës Shqiptare. Nga këtu, mund të merrni një traget për 30 minuta i cili do t’ju çojë në portin e Sarandës, ku ofrohet transport publik si, autobusë dhe taksi që mund t’ju çojnë në Ksamil.
Turistët gjithashtu mund të qëndrojnë aty dhe të shijojnë një pushim të plotë në Sarandë, e cila konsiderohet kryeqyteti jozyrtar i Rivierës dhe shtëpia e plazheve edhe më të mëdha se Ksamili. Mundësitë e akomodimit në të gjithë rajonin variojnë sipas çmimeve, por ka opsione me kosto që ia vlejnë, me apartamente buzë plazhit që kushtojnë vetëm 434 paund – për deri në katër persona – për një javë të tërë./atsh/KultPlus.com
Pianistja Anila Aliu do të paraqitet me një koncert recital në Chicago të ShBA-ve, shkruan KultPlus.
Paraqitja e saj para audiencës amerikane do të jetë më 29 prill, prej orës 17:00 në Ganz Hall at Roosevelt University.
Anila Aliu tashmë ka realizuar shumë koncerte recitale nëpër vende të ndryshme të botës, e cila po shquhet për mjeshtërinë e saj pianistike./ KultPlus.com
Në rubrikën e saj dedikuar kujtesës, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, bëri publike një foto të rrallë të fillimshekullit të kaluar.
Fotografia e vitit 1905, është pjesë e koleksionit që baroni hungarez Franc Nopça ka realizuar në Shqipëri, ndërsa eksploronte veriun e vendit. Ajo paraqet një grup burrash me veshje kombëtare dhe origjinali i saj, realizuar në xham, ruhet në Muzeun e Historisë Natyrore Hungareze në Budapest.
Baroni Franc Nopça (1877-1933) ishte studiues hungarez dhe njohës i Shqipërisë. Ai udhëtoi në Shqipëri dhe në Ballkanin jugor (Bosnjë, Kosovë, Maqedoni, Serbi) duke nisur që nga viti 1903 deri në fillim të Luftës së Parë Botërore.
Hulumtues dhe udhëpërshkrues, doktor i paleontologjisë dhe pasionant i albanologjisë, gjeolog dhe antropolog, fotograf, arkivist, ai vizitoi me kurreshtje të madhe thuajse çdo pëllëmbe toke të Shqipërisë së Veriut.
Nopça jetoi për disa vite në Shkodër, të cilën e përdori si bazë për udhëtimet e tij në malet e veriut të Shqipërisë, duke realizuar vazhdimisht fotografi me “Kodak”-un e tij, foto që sot janë jashtëzakonisht të rralla dhe paraqesin pasuritë etnografike por dhe natyrore në këto zona./ora/KultPlus.com
Letërsia e Shqipërisë dhe letërsia e Kosovës janë dy letërsi me përvoja dhe zhvillime të ndryshme. Ato i bashkon shqipja, gjuha e tyre e njëjtë.
Ky ishte thelbi i një ligjëratë që akademik Mehmet Kraja ka mbajtur në qendrën Sotir Kolea.
Sipas Krajës, letërisa e Kosovës u zhvillua kryesisht pas luftës së dytë botërore në ndryshim nga letërsia shqipe që ka një traditë më të gjatë të shkrimit. Diferencimeve i shtohet edhe fakti që Kosova deri në vitet ’90 nuk kishte gjuhën shqipe gjuhë të parë.
Megjithatë, sipas Krajës, jemi një vend dhe i vogël për të krijuar dy letërsi të ndara./topchannel/KultPlus.com
Robert Shvarci lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani, por ai dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, që nisi ta mësonte në moshën gjashtëvjeçare.
Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta para kohe, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.
Robert Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli Mjeshtër i Madh. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes.
Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Duhet kujtuar këtu se Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit. Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i asaj kohe akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Pas titullit që mori nga presidenti Alfred Moisiu dhe titujve të lartpërmendur, qëndrojnë një varg i gjatë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton që të hapësh kopertinat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.
Mes këtyre librave, që janë ndër më mjeshtërorët, vlen të përmenden: Tre shokë, Harku i Triumfit, Asgjë e re nga fronti i Perëndimit, Shkëndija e jetës apo Obelisku i zi nga Erih Maria Remark; Çifutja e Toledos, Françesko Goja nga Lion Fojtvanger; dhe drama të Bertolt Brehtit, Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, Kënga e një nëne gjermane, Ditët e Komunës, Arturo Ui, Pushkët e nënës Karrar, Opera për tre grosh, Baali; nga Heinrich Heine: Gjermania, përrallë dimri; nga Gëte dhe Shileri: Poezi dhe balada. Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Qosja etj./ KultPlus.com
Alfred James Pacino lindi më 25 prill 1940 në New York.
Al Pacino është një aktor dhe regjisor, biri i Salvatore dhe Rose Pacino, me origjinë italiane nga Korleone e Siçilisë. Kalon një fëmijëri të varfër, në shkollë është i dalluar si përsëritës, me përjashtim të literaturës angleze.
Nga fundi i viteve 60-të studion teatër me Lee Strasberg i cili dallon në të prirje të jashtëzakonshme për recitim dhe dëshirë të flaktë për tu larguar nga jeta e varfër e fëmijërisë. Me filmin Me Natalie shënon fillimin e karrierës së tij, ndjek pas dy vitesh The Panic in Needle Park në të cilin merret parasysh edhe nga regjisori Francis Ford Coppola. Ky i fundit shënon thelbin e famës së tij në vitin 1972 me filmin The Godfather në të cilin interpreton rolin e Michael Corleone.
Në vitin 1993 shpërblehet me Oscar si aktori më i mirë protagonist me filmin Scent of a Woman, në të cilin interpreton një kolonel të verbër.
Aktori i famshëm Al Pacino, i cili feston sot 82-vjetorin e lindjes, ka një jetë interesante personale dhe profesionale.
Më poshtë janë disa kuriozitete që kanë shënjuar jetën e tij:
Alfredo James Pacino nuk është martuar kurrë, por ka pasur marrëdhënie romantike me 11 aktore.
Me dy prej tyre, Jan Tuarant dhe Beverly D’Angelo ka tre fëmijë, një vajzë dhe dy binjakë për të cilët u kujdes më vonë.
Marrëdhëniet e tjera janë me Jill Clayburgh, Tuesday Weld, Marthe Keller, Carol Cane, Diane Keaton, Penelope Ann-Miller, Madonna, Lucila Solà dhe Meital Dohan, izraelitja me të cilën jetoi deri shkurtin e kaluar.
Në karrierën e tij, që ka pothuajse çmim në çdo paraqitje në ekran, lista e filmave të refuzuar fillon nga ”Taxi Driver” deri te ”Star Wars”, nga ”Apocalypse Now” te ”Kramer vs Kramer”, nga ”Once Upon a Time in America” te ”Pretty Woman”.
Al Pacino është djali i dy emigrantëve sicilianë (babai u largua nga familja kur Al ishte ende me rroba banjo).
U lind në Harlem më 25 prill 1940.
Kaloi fëmini të vështirë në Bronx dhe përjetoi ligjet e ashpra të rrugës: duhanpirës dhe konsumator i drogave të lehta që nga mosha 10 vjeç.
17 vjeç la shkollën.
20 vjeç troket më kot në dyert e ”Studio Actors”.
Lee Strasberg njohu te ai cilësi të pazakonta aktoriale.
Fillon karierën kur Jerry Shatzberg i ofron atij rolin e protagonistit, tregtarit të ri të drogës Bobby, në ”Panic in Needle Park”.
Francis Coppola vëren se ai është aktori i duhur për rolin e Michael në ”The Godfather”.
U nominua për Oscar për rolin më të mirë mbështetës në këtë film, por Al Pacino sfidon jurinë duke thënë se roli i tij nuk është inferior ndaj atij të Marlon Brando, që e fitoi çmimin Oscar. Rezultati? Të dy nuk morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Që atëherë Al Pacino u bë aktori i preferuar i kineastëve amerikan. /KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat publikoi në rrjetet sociale një prej objekteve më me vlerë që ruhen nga Muzeu Ikonografik “Onufri”.
Bëhet fjalë për kapakët e ungjillit të realizuar me mjeshtëri në ar e argjend dhe që janë të ekspozuar në një nga stendat e Muzeut Ikonografik. Objekti i ekspozuar i përket shekullit të 18-të. Mbi kapakun e anës së majtë, në qendër, shënohet viti 1755.
Në dy kapakët paraqiten skena biblike nga Testamenti i Ri, kryesisht nga jeta e Krishtit.
Fundi anës së majtë ka një mbishkrim në greqisht që sipas një përkthimi nga Theofan Popa na tregon për autorin, Petuos Mokrundi nga Mokra (mes Dibrës e Gostivarit).
Qendra Muzeore Berat është institucion i specializuar dhe arkivor me status “Muze kombëtar” në vartësi të Ministrisë së Kulturës, me seli në qytetin e Beratit e cila administron Muzeun Ikonografik “Onufri” dhe Muzeun Etnografik.
Muzeu i Ikonografisë dhe Muzeu Etnografik mbledhin ruajnë dhe promovojnë koleksione me vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit dhe zonës përreth. Berati ka qenë një qendër e rëndësishme e zhvilluar sidomos në shek XVII, një vend ku u grumbulluan, u prodhuan dhe u ruajtën vlera të rëndësishme të cilat janë thesare të vërteta të kulturës kombëtare./atsh/KultPlus.com
Edhe kur të të mundin (Të mundurve vetëm kjo u mbetet), Edhe kur zgjedhën ta venë në qafë Edhe kur këmbanën në fyt ta varin, Edhe kur të heqin në vargonj qeni, Edhe kur thonjtë t’i çkulin me darë, Edhe kur varrin ta gërmojnë, Rri drejt! Le të shohin se vetëm ashtu di.
Rri drejt! Rri drejt edhe kur të çlirohesh Çlirimtari është çlirimtar Nëse rri krejtësisht drejt. Ç’na duhet Çlirimtari i kërrusur! Rri drejt! Liria është barrë e madhe njerëzore Ndoshta më e madhe se çdo barrë. Kush ngrihet nën atë peshë, Ai është i lirë dhe i drejtë, Atij nuk i duhet shkollë tjetër.
Rri drejt! Edhe kur asgjë nuk të pranohet, Kur të lënë pa medale e pa grada Kur parzmën ta ndukin e krahët t’i lakuriqojnë Kur je i dyshimtë e nën sogjë, Kur edhe emrin në varr ta rrafin Rri drejt! Edhe kur pushteti yt të shpie në burg Para tij patjetër drejtohu Le të shohin Përse ke luftuar dhe ke fituar. / KultPlus.com
1. Feja ime është shumë e thjeshtë. Feja ime është mirësia. 2. Qëllimi ynë kryesor në këtë jetë është të ndihmojmë të tjerët. Dhe nëse nuk mund t’i ndihmoni, të paktën mos i lëndoni.
3. Sot, më shumë se kurrë më parë, jeta duhet të karakterizohet nga ndjenja e përgjegjësisë Universale, jo vetëm kombi ndaj kombit dhe njeriu ndaj njeriut, por edhe i njeriut ndaj formave të tjera të jetës.
4. Paqja botërore duhet të zhvillohet nga paqja e brendshme. Paqja nuk është thjesht mungesë e dhunës. Paqja është, mendoj unë, shfaqja e dhembshurisë njerëzore.
5. Mos lejoni që sjellja e të tjerëve të shkatërrojë qetësinë tuaj të brendshme.
6. Ne kurrë nuk mund të arrijmë paqen në botën e jashtme derisa të bëjmë paqe me veten.
7. Nëse dëshironi të përjetoni paqen, siguroni paqen për një tjetër.
8. Shkatërruesi i vërtetë i paqes së brendshme është frika dhe mosbesimi. Frika zhvillon zhgënjimin, zhgënjimi zhvillon zemërimin, zemërimi zhvillon dhunën.
9. Aty ku injoranca është zotëria jonë, nuk ka mundësi për paqe të vërtetë.
10. Duhet të pranojmë se vuajtja e një personi apo e një kombi është vuajtja e njerëzimit.
11. Të pushtosh veten është një fitore më e madhe sesa të pushtosh mijëra në një betejë.
12. Unë i mposht armiqtë e mi kur i bëj miq të mi.
13. Dashuria është mungesa e gjykimit.
14. Sa më shumë të jeni të motivuar nga dashuria, aq më i patrembur dhe i lirë do të jetë veprimi juaj.
15. Mos harroni se marrëdhënia më e mirë është ajo në të cilën dashuria juaj për njëri-tjetrin tejkalon nevojën tuaj për njëri-tjetrin.
16. Ndërsa merrni frymë, vlerësoni veten. Ndërsa merrni frymë, vlerësoni të gjitha qeniet.
17. Gjykojeni suksesin tuaj nga ajo që duhet të hiqnit dorë për ta arritur atë.
18. Heroi i vërtetë është ai që mposht zemërimin dhe urrejtjen e tij.
Bukuria e gruas dhe magjia e mrekullisë së veshjes karakteristike shqiptare patën kartolinën si përçuesin më origjinal dhe më besnik të asaj vlere unike të përkatësisë sonë identitare, e cila shërbeu si një mundësi komunikimi dhe prezantimi me kulturat dhe traditat.
“Kujtim prei Maleve t’Shqypeniis” është mbishkrimi i kësaj fotoje të “Marubit”, e cila u shumëfishua në funksion të kartolinës. Vendosja e diçiturës në pjesën e poshtë, dhe në të sipërme, ose ndryshimet në këtë komponent, tregojnë për shumësinë e herëve që kjo kartolinë u botua.
Historia e kartolinës shqiptare është mbinjëshekullore. Fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit të njëzetë është koha kur Shqipëria u fut në kartolina, kryesisht përmes një manifestimi të bukurisë karakteristike të gruas shqiptare në veçanti dhe larmisë së veshjeve të saj. Një ndër koleksionet më të bukura të kartolinave shqiptare është ai i një autori austriak realizuar në zonën e Shkodrës, por u dominua nga fotot e Marubit. Por vitet më të mira për kartolinat shqiptare filluan pas viteve 1910-1915 e më vonë, sidomos në vitet tridhjetë, kur pati një kulminacion kartolinash shumë prej të cilave kanë arritur të mbijetojnë deri sot. Madje disa ekzemplarë të rrallë, si fotoja e publikuar, vijojnë të shiten në internet. Këto kartolina shtypeshin jashtë sigurisht, shumica ishin të teknikës bardhë e zi. Kartolinat e para mendoj se janë shtypur në Turqi. Tematika e tyre përqendrohej në kostumografinë shqiptare të kohës dhe ishte kjo veçori që e shtoi vlerën e këtij lloj publikimi.
Më pas kartolinat nisën të shtypeshin në Austri, Itali, në Kostancë të Rumanisë, dhe kudo ku kishte shqiptarë dhe shoqata shqiptare, madje edhe në Amerikë. Autorët ishin shqiptarë ose të huaj. Ishim të panjohur dhe misterioz për një pjesë të vendeve dhe kulturave dhe kartolina u shfaq si një prezantim unik i kësaj kulture dhe tradite, vlerat e së cilës ishin po kaq perëndimore sa e çdo vendi ku ajo u pa dhe u trajtua si një befasi.
Veçantia e kartolina qëndron te pasuria dhe shumëllojshmëria e veshjeve popullore shqiptare që u përfshi në subjekt. Ishin kartolinat nëpërmjet të cilave kaloi në një masë të konsiderueshme njohja, prezantimi dhe manifestimi i vlerave etnografike. Veshjet tradicionale shqiptare, si një prej komponentëve më unik të traditës ushqyen kartolinën shqiptare dhe e pasuruan atë më hir dhe bukuri që përgjithësisht ishte fare e panjohur. Kartolina udhëtoi ndoshta më shumë dhe më shpejt se çdo formë tjetër e prezantimit të këtij thesari të kombit shqiptar.
Duke cituar albanologun kanadezo-gjerman, Robert Elsie, kumtojmë se: Izolimi tradicional i shqiptarëve nga pjesa tjetër e Evropës bënë që veshjet popullore të shfaqnin tipare të veçanta dhe shpesh të rralla, të cilat mahnitën udhëtarët e parë evropianë. Në Malësinë e Veriut çdo fis, bile çdo luginë dhe çdo fshat, kishte veshje të veta, të cilat ishin të dukshme për popullatën në përgjithësi. Veshjet popullore tregonin jo vetëm përkatësinë fisnore dhe fetare, por edhe – për femrat në shumë raste – nëse gruaja në fjalë ishte e martuar apo jo. Veshjet popullore shqiptare ishin në përdorim të përgjithshëm deri në vitet ‘30, dhe në disa treva shqiptare edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Madje edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetenjë nuk është gjë e rrallë të shohësh gra të cilat përdorin veshje popullore përditë, apo të paktën në ditën e pazarit. Kjo vlen në radhë të parë për Veriun e Shqipërisë në rrethet e Shkodrës, të Malësisë së Madhe, të Lezhës dhe të Mirditës, por veshjet shfaqen tek-tuk edhe në zonat e thella të Shqipërisë së Jugut, të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë.
Sot këto kartolina mund të jenë; grishje në nostalgji, magjepsje prej së bukurës origjinale, sikurse objekt studimi ose lakmi e koleksionistëve. Duke i rikthyer në trajtim dhe kujtesë, rrekemi të forcojmë lidhjet me të shkuarën dhe vlerat që ata përfaqësuan. Përmes këtyre fotove vjen e shkuara dhe i pëshpërit në vesh të sotmes, ndoshta duke i lënë ndonjë amanet apo përmbushur ndonjë premtim, por edhe për t’uy mburruar për atë çfarë ajo ishte dhe misionin që ju besua.
Kartolina të ndryshme të publikuara në kohë dhe nga botues të ndryshëm i gjeni te linku i poshtëshënuar.
Kryeministri i vendit, ka thënë se Kosova për herë të parë ka filluar regjistrimin online të diasporës.
Ai tha se ky është një proces i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë, që sipas tij, duhet të zgjasë rreth 10 minuta.
“E përfitimet nga ky regjistrim janë të thella dhe rezultatet e tij diktojnë 10 vjeçarin e ardhshëm. Diaspora është shtyllë qendrore e shtetit dhe shoqërisë sonë. Ajo gjithashtu duhet të jetë shtyllë qendrore e qeverisjes së shtetit”, tha ai.
Tutje, ai i ftoi bashkatdhetarët që të regjistrohen në ediaspora.rks-gov.net deri më 17 maj të këtij viti
Parku Kombëtar i Thethit, i gjendur mes Alpeve në veri të Shqipërisë, është shndërruar në destinacion të preferuar të turizmit alpin.
Turistët tashmë do të kenë mundësinë për të kaluar mbi kodrat, lumin e Thethit dhe luginën e Alpeve të Shqipërisë, duke shijuar pamjet e mrekullueshme dhe adrenalinën përmes një Zip Line të teknologjisë së fundit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga kjo përvojë “fluturimi” mbi Parkun Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë.
“Projekt i admirueshëm i Fatmir Berishta, djalit të Thethit të magjishëm e njërit nga protagonistët e Rilindjes së asaj zone si një destinacion turistik europian i shumëkërkuar, ku tanimë një Zip Line i teknologjisë së fundit do të ofrojë një përvojë fluturimi mbi Parkun Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë”, shkruan Rama, krahas pamjeve.
Me ndërtimin e Zip Line, Thethi shton një atraksion tjetër për tërheqjen e më shumë vizitorëve dhe krijon një shans të ri për të promovuar bukuritë natyrore të kësaj zone.
Parku Kombëtar i Thethit ndodhet rreth 70 km larg Shkodrës. Ai është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë. /atsh/KultPlus.com
Letërsia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës është parë në kontekstin gjeografik e politik duke gjetur pika të përbashkëta dhe dallime. Nga variantet e gjuhës te identiteti politik, terësia dhe ndryshimet u morën në shqyrtim në një ligjëratë nga kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës.
Kreu I Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja ka mbajtur në bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ligjëratën me temë “Letërsia e Shqipërisë dhe letërsia e Kosovës”, ku u ndal në tërësinë dhe dallimet. “Letërsia e Kosovës dhe e Shqipërisë janë një, se funksionojnë brenda një gjuhe, por janë dy përvoja letrare. Këtë duhet ta themi menjëherë për të mos krijojmë iluzione për një tërësi kohezionesh që shkojnë përtej gjuhës, te ideja. Gjuha shqipe ka variantet e saj, letërsia shqipe ka përvojat e saj”, tha Kraja.
Ndërsa gjykon që jemi një popull i vogël për të zhvilluar dy letërsi e dy kultura të ndara, Kraja vëren se absurdi i ndikua politikisht në një kohë identitetesh politike të detyrueshme.
“Nuk është vetëm gjuha, por mbetet linja themelore rreth të cilës kemi bërë diskutime. Ndonjëherë jemi marrë vesh por ka pas edhe keqkuptime. Keqkuptimet kanë konsistuar në atë që letërsia e Kosovës është konsideruar si një letërsi në një gjuhë të pamjaftueshme”, tha Kraja.
Megjithatë, ndryshe nga Shqipëria, Kosova pas 1956-ës, si një vend nën ndikimin jugosllav, doli nga dogma e realizmit socialist dhe u njoh me rryma letrare të perëndimit njëkohësisht me Europën. “Më 1964, vepra e Beketit, “Duke pritur Godonë” vihet në Paris, më 1968 e kemi shfaqje në Prishtinë” Por malli për tokën e premtuar, duket se pati ndikimet e veta jo aq të frytshme.
“Letërsia e Kosovës një sy e mbante nga Shqipëria, nga letërsia e Shqipërisë. Brenda letërsisë së Ksoovës kishte autorë që kultivuan realizmin socialist sikur të ishin në Tiranë”. Ndërsa autorët shqiptarë që dilnin nga dogma dënoheshin ose u ndalohej botimi, te autorët në Kosovë bashkëjetonin realizmi socialist dhe rrymat e reja./ballkanweb/KultPlus.com
Është e çuditshme, por të jetosh do të thotë të krijosh kujtime të së ardhmes; pikërisht tani , këtu përballë detit, di që jam duke përgatitur kujtime të vogla, që ndonjëherë do më sjellin melankolinë dhe zhgënjimin. Jeta është kaq e shkurtër dhe zanati i të jetuarit kaq i vështirë saqë sapo njeriu fillon ta mësojë, i duhet të vdesë.
Në jetë janë më të rëndësishme iluzioni, imagjinata, dëshira dhe shpresa. Tek mirësia fshihen të gjitha llojet dijes. Me masën që i afrohemi vdekjes, njëkohësisht i afrohemi tokës… copëzës së tokës në të cilën rrodhi fëmijëria jonë, në të cilën kemi luajtur… magjia e parikuperueshme e të parikuperueshmes fëmijëri.
Çfarë maske vendosim, apo çfarë maske ka për të na mbetur kur të jemi vetëm, kur të besojmë që askush, askush nuk na sheh, nuk na kontrollon, nuk na dëgjon, nuk na kërkon, nuk na lutet, nuk na detyron, nuk na sulmon? Zoti im, Zoti im. Vdekja as nuk është tipi im, megjithëse shpesh herë më tërheq.
E kam thënë edhe më parë dhe e rikonfirmoj: kërkimi i një jete humane, duhet të fillojë nga edukimi. Atëherë, të privuar nga afërsia e një përqafimi, apo e një tavoline të përbashkët, do na mbeten “mjetet e komunikimit”./Hejza/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot ka pritur në takim këngëtarin Ramadan Krasniqi, me të cilin biseduan për veprimtarinë artistike dhe kontributin e tij në skenën muzikore të vendit përgjatë pesë dekadave.
Ministri Çeku ka bërë të ditur se në takim kanë folur edhe , prandaj folëm për mundësinë e dokumentimit të punës së tij, i cili për 50 vite karrierë ka realizuar 40 albume.
“40 albume muzikore, 50 vite karrierë me plot suksese. Sot pata nderin ta pres në zyrën time, këngëtarin e madh shqiptar, Ramadan Krasniqi.
Patëm bisedë të këndshme për veprimtarinë e gjatë artistike dhe kontributin e tij në skenën muzikore të vendit. Ky vit shënon gjysmë shekulli karrierë për të, prandaj folëm për mundësinë e dokumentimit të punës së tij.
I urova shëndet, jetë të gjatë dhe vazhdimësi në muzikë”, thuhet në njoftim/KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Në takim, Osmani dhe Rohde folën për zhvillimet aktuale politike në vend dhe për zhvillimet e sigurisë.
“Presidentja Osmani, ndër të tjera theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili krijon mundësi të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim. Në këtë kontekst ka falënderuar ambasadorin Rohde për mbështetjen e Gjermanisë në procesin e votimit në Asamblenë Parlamentare”, thuhet në njoftimin e presidencës, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, bëhet e ditur se Osmani e Rohde folën edhe për intensifikimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Gjermanisë.
“Presidentja Osmani, e cilësoi Gjermaninë si aleate strategjike dhe mbështetëse të fuqishme e Kosovës në rrugën euroatlantike”, thuhet në njoftim.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit James O’Brien, është takuar në Gjermani me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
O’Brien i ka kërkuar Kurtit përparim urgjent për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai tha se për të ecur përpara duhet zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar të Bashkimit Evropian.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.
“ShBA mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, nevojitet zbatimi i marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Diskutova hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”, shkruan O’Brien në X, transmeton Klankosova.tv.
Qëndrimi në Hannover i kryeministrit Albin Kurti, vijoi ditën e sotme me takimin e radhës me kryetarin e landit të Niedersachsen, Stephan Weil.
Në njoftim thuhet se Kurti fillimisht e falënderoi për ftesën në darkën e djeshme, ku takoi edhe ministrin e Ekonomisë të Gjermanisë, njëherësh zëvendës kancelarin gjerman, Robert Habeck dhe ministrin e Industrisë dhe Resurseve Minerale të Arabisë Saudite, Bandar Alkhorayef.
“Gjatë bashkëbisedimit, u trajtuan tema si bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor dhe rëndësia e bashkëpunimi rajonal në përgjithësi. Biseduan për energjinë e ripërtëritshme, marrë parasysh potencialin dhe investimet që po bën Kosova këtë sektori dhe përvojën e landit të Niedersachsen në këtë fushë, si dhe për sektorin e teknologjisë dhe industrisë dhe ofertën e vendit tonë për investitorë të huaj”.
“Rëndësi e veçantë iu kushtua dhe mërgatës sonë atje, kontributin e tyre jo vetëm nga ana ekonomike por edhe në jetën shoqërore e kulturore në Gjermani dhe mundësitë për shkëmbimin e përvojave. Në këtë takim, Kryeministri Kurti u shoqërua dhe nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv/KultPlus.com