Nën gradën kolonel – Nora Gjakova, Distria Krasniqi pjesë e Ministrisë së Mbrojtjës në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” se Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë:

“TRIUMFI HISTORIK I LUIZA GEGËS SI PASQYRË E MEXHELISIT TONË SOCIAL-POLITIK

Në një botë ku faktet janë gjithnjë e më të shpërfillura dhe mllefet e inatet gjithnjë e më shumë alternativë e fakteve, mexhelisi politik e mediatik shqiptar është kthyer në një “çmendinë”, që përditë çmend dynjanë!

Kjo s’është diçka e re dhe s’do t’i shkruaja këto rreshta, sikur të mos isha mahnitur nga çmenduria që plasi sheshit bashkë me triumfin historik të Luiza Gegës. Shenjat e para të çmendurisë u panë qysh në fillim, kur nisën edhe zërat që uronin Luizën për të sharë qeverinë. Qeveria e poshtër e kishte braktisur e syrgjynosur deri në Afrikë, vajzën e shkretë të jetimores së sportit shqiptar – ndërkohë që në fakt Luiza është mbështetur nga kryebashkiaku i Tiranës, për t’u stërvitur në lartësinë mbi 3 mijë metra të Kenias, ku stimulohet rritja e rruazave të gjakut.

Por shpërthimi çmendurak mori dhenë, kur kampionia e re e Europës u prit në kryeministri, për t’u nderuar siç i takonte pas një triumfi të paparë në historinë e sportit shqiptar. Kampionët e urrejtjes profesionale, modele të mbrapshta publike, që ushqejnë mllefin dhe yshtin inatin anonim të rrjeteve sociale, u lëshuan me tërbim në ekrane e portale, duke e komentuar ngjarjen si pengmarrje të Luizës për propagandë apo deri si shitje të shpirtit të saj tek regjimi!…

Foli më shumë se njëherë kampionia me gojën e saj, për si dhe sa shumë kanë ndryshuar gjërat, si është mbështetur sporti dhe ajo vetë vitet e fundit, e qysh mbështetja financiare ia ka bërë më të lehtë rrugëtimin e saj drejt majës. Madje ajo, vajzë e rrallë, me një mirësjellje mbresëlënëse, nuk harroi të dërgonte mesazhi falenderimi nga Mynihu, kur në fakt falenderimet i takonin vetëm e vetëm asaj. Po ku kanë veshë të dëgjojnë ata që edhe Amerikën duan ta mbrojnë nga ambasadorja amerikane, jo më Luiza Gegën nga unë!

Halli i madh këtu është se e keqja, e cila ka marrë formën e vorbullës marramendëse të lajmeve të rreme, fabrikimit të fakteve alternative, gjobave mediatike e sulmeve politike, të përziera me garuzhden e vjetër të egërsisë provinciale, ka dalë jashtë të gjithë kufijve të njerzillëkut më bazik. Helmimi i përditshëm i gjakut të shoqërisë është kthyer në rutinë dhe faktet trajtohen si opinione, ndërsa opinionet imponohen si fakte me inat, mllef e urrejtje të pangushëllueshme. Kur thua të vemë ndonjë rregull ligjor, se ky ortek llumi do të fundosë çdo vlerë njerzillëku e normë bashkëjetese shoqërore, duke e varrosur si qen të ngordhur, mundin e prindërve e përpjekjen e shkollës për edukimin e fëmijëve, të ngrihen e të thonë jo! Duhet veç vetërregullim, po se si e qysh do të ndodhë ky vetërregullimi nuk ta thotë dot kush! Nejse, s’është ky qëllimi i këtij shënimi të gjatë.

Sot unë dua të këmbëngul tek faktet! Pa asnjë shpresë se do të dalë kush e t’i kërkojë falje Luiza Gegës, se për falje lexuesve as bëhet fjalë. Por me bindjen që sidoqoftë, faktet u duhen atyre që kanë ende respekt për veten e për të vërtetën e mbështetur mbi fakte.

E PARA, sot nuk ka më protagonistë të braktisur të sportit, po ka sistem shpërblimesh për protagonistët, miratuar me vendim qeverie kohë më parë dhe në bazë të të cilit:

Për vitin 2021 kanë përfituar shpërblim në bazë të rezultateve në arenën ndërkombëtare 14 protagonistë, 7 sportistë dhe 7 trajnerët e tyre. Ndërsa për vitin 2022 kane përfituar 44 vetë, 22 sportistë dhe 22 trajnerët e tyre, për rezultate të larta ndërkombëtare. Gjithashtu, për herë të parë, janë dhënë shpërblime edhe për kampionë Ballkani, ndër ta edhe për Luiza Gegën.

E DYTA, sot nuk ka më shpërblime spontane për ata që nderojnë flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare dhe nuk ka më as harresa, për të paguar detyrimet që burojnë nga vendimi përkatës i qeverisë. Bashkëngjitur vendimi, të cilin jam i bindur që urrejtësit profesionistë të ekraneve e të portaleve, të cilët e duan me zor çdo gjë në Shqipëri sa më zi, e që edhe triumfin e Luiza Gegës e përdorën si zift për ta derdhur mbi armikun politik, nuk do ta lexojnë https://qbz.gov.al/…/024170e9-1ddf-429b-b0f6-8705f4bd33ff

E TRETA, sot nuk ka më vetëm shpërblime për rezultatet më të larta, po edhe trajtim të përhershëm për kampionët ndërkombëtarë shqiptarë, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës! Bazuar në një tjetër vendim qeverie të disa viteve më parë, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë”, janë punësuar si më poshtë nga Ministria e Mbrojtjes:

1.Atletja Luiza GEGA.

2. Peshëngritësi Briken CALJA.

3. Xhudistja Nora GJAKOVA.

4. Xhudistja Distria KRASNIQI.

5. Xhudisti Indrit ÇULLHAJ.

6. Atleti Ilir KËLLEZI.

7. Peshëngritësi Ilirian SULI.

E KATËRTA, sot nuk ka më ndalesë në rrugën e progresit, që nënkupton edhe përmirësime e korrigjime të vazhdueshme të punës sonë, në shërbim të vendit dhe njerëzve të këtij vendi. Ministria e Mbrojtjes ka propozuar disa kohë më parë ndryshime ligjore, të cilat do të mundësojnë përfshirjen e kampionëve ndërkombëtarë në rangun e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe krijimin e një strukture speciale, ku ata do të angazhohen si mentorë të ushtarëve tanë, me pagën sipas gradës, në shërbim të atdheut deri në daljen e tyre në pension. Këto ndryshime i shërbejnë njohjes së kontributit të sportistëve në promovimin dhe lartësimin e emrit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ligji është në fazën e bashkërendimit me institucionet e linjës, pasi është përmbyllur konsultimi publik dhe në mes të shtatorit do të hyjë në procedurën parlamentare.

Sportistët e punësuar aktualisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që do të përfitojnë nga ky ligj gradën e kolonelit janë:

1. Luiza GEGA – “Kolonel”

2. Briken CALJA – “Kolonel”

3. Nora GJAKOVA – “Kolonel”

4. Distria KRASNIQI – “Kolonel”

DHE E FUNDIT, kur flitet për sportin të gjithë jemi në borxh, me këtë vend dhe rininë e këtij vendi, por ama kur flitet me fakte për mbështetjen për sportin, nuk ka asnjë krahasim të imagjinueshëm, se të mundshëm jo e jo, mes këtyre viteve të qeverisë sonë dhe të gjitha viteve të tjera bashkë. Pa ekzagjerim, as dita me natën nuk dallojnë kaq shumë sa këto dy periudha për sportin. Natyrisht do të kishim dashur të bënim më shumë më shpejt, por kur kujtoj se nga jemi nisur, them lavdi Zotit që ia kemi dalë të bëjmë sa kemi bërë. Ndërkohë që patjetër, padiskutim, edhe në sport dallimi mes ku jemi dhe ku duhet e duam të jemi është ende shumë i madh.

Si përfundim, jam i bindur që as tërë këto fakte nuk do të hedhin dot dritë mbi shpirtrat katran, ku merr jetë urrejtja profesionale e mendjembrapshtëve që e përndjekin këmba-këmbës këtë vend, qysh nga dita e krijimit të alfabetit shqip. Por s’kemi ç’bëjmë tjetër përveçse të marrim shembull nga Luiza Gega:

Të vrapojmë më shpejt”, thuhet në postimin e Ramës. /KultPlus.com

Driton Kuka për suksesin e xhudistësve të tij: Përtej imagjinatës sime

Sot është bërë një vit që nga fitorja madhështore e Distria Krasniqit në Olimpiadë, duke u bërë kështu Kampione Olimpike, shkruan KultPlus.

Për këtë sukses të jashtëzakonshëm, trajneri Driton Kuka shprehet se ishte përtej çdo imagjinate të tij.

Postim i plotë:

“Përtej imagjinatës time …
Pas luftës mblodha një grup fëmijësh në lagjen time,mesin e tyre edhe Majlinda,Disi,Nora e shumë të tjerë!
Për ti larguar nga traumat e luftës dhe për të u mësuar sportin e bukur tê xhudos!
Këta fëmijë shkuan përtej imagjinatës time,shkuan larg,dëshmuan se sa shumë ja vlen të punohet me të rinjtë Shqiptar!
Sot një vjet 24 Korrik 2021
Distria Krasniqi vazhdoj rrugën e Majlindes!
Distria Krasniqi mbretëroj në Budokan Tokyo 24 korrikun e vitit të kaluar
Arriti kulmin e të arriturave në sport!
Një vajzë e cila shumë pak flet por ka punuar shumë!
Ka punuar shumë për ëndrrën e saj.
Urime Disi 1 vjetorin e titullit –
Kampione Olimpike
Titullin që bëre krenar një Komb!
Shteti ynë i ri po bahet i fuqishëm në Botën e sportit por jo vetëm”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Distria Krasniqi fiton medaljen e argjendtë në Zagreb

Një tjetër medalje e argjendtë është shtuar në sirtarin e xhudistes Distria Krasniqi.

Kampionja jonë olimpike (-48 kg), Distria Krasniqi, fitoi medaljen e argjendtë në Grand Prixin e xhudos, që po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Ajo u ndal në finale nga kampionia olimpike (-52 kg), japonezja, Uta Abe, kategoria -52 kg.

Krasniqi deri në finale arriti duke shënuar katër fitore. / KultPlus.com

Flaka Loxha eliminohet në raundin e tretë

Flaka Loxha është eliminuar në raundin e tretë në Grand Prix në Zagreb, shkruan KultPlus.

Pas një lufte me mjaft intensitet nga të dyja xhudistet, në fund doli fituese Ichinkhorloo Munkhstedev.

Loxha fitoi në dy raundet e kaluara, por nuk arriti që të kualifikohet në çerekfinale.

Në anën tjetër, Kosova veçse ka siguruar një medalje në këtë Grand Prix, pasi Distria Krasniqi është kualifikuar në finale, ku do të ndeshet me Uta Abe. /KultPlus.com

Tradita vazhdon, Distria Krasniqi i siguron Kosovës edhe një medalje tjetër

Distria Krasniqi po vazhdon që t’i sigurojë Kosovës medalje nëpër garat të cilat po merr pjesë, shkruan KultPlus.

Distria Krasniqi ka kaluar në finale të Grand Prix në Zagreb, duke arritur që me shumë vështirësi të fitojë në përballje me xhudisten Gefen Primo.

Edhe pse gjatë gjithë takimit Primo u mundua që t’i bëjë ballë Krasniqit, një gjë e tillë nuk e lejoi xhudistja nga Kosova.

Flaka Loxha po vazhdon në raundin e tretë, derisa Laura Fazliu ndeshet nesër. /KultPlus.com

Shkëlqen Distria Krasniqi, kualifikohet në gjysmëfinale

Distria Krasniqi po shkëlqen në Grand Prix të Zagrebit, duke arritur kualifikimin në gjysmëfinale, shkruan KultPlus.

Kampionia Olimpike dëshmoi shkronjat e arta në shpinë, duke e mposhtur xhudisten nga Mongolia, Khorloodoi Bishrelt.

Krasniqi do të përballet në gjysmëfinale me izraeliten Gefen Primo.

Flaka Loxha do të përballet në raundin e tretë me xhudisten nga Monlogia, Ichinkhorloo Munkhtsedev, ndërsa Laura Fazliu do të ndeshet nesër. /KultPlus.com

Distria Krasniqi kualifikohet në çerekfinale

Distria Krasniqi ka fituar në raundin e dytë ndaj zviceranes Binta Ndiaye në Grand Prix të Kroacisë, shkruan KultPlus.

Në kategorinë (-52) kilogramë, Krasniqi tregoi nga fillimi një luftë të fort dhe arriti që të kalojë në fazën tjetër.

Krasniqi pret në çerekfinale fituesen e duelit Djamila Silva dhe Ana Viktorija Puljiz.

Sot do të ketë ndeshje edhe Flaka Loxha, derisa Laura Fazliu të shtunën. /KultPlus.com

Distria Krasniqi me sukses fiton raundin e parë në Grand Prix të Zagrebit

Pas Lojërave Mesdhetare “Oran 2022”, xhudistët nga Kosova po marrin pjesë në Grand Prix të Zagrebit, shkruan KultPlus.

Distria Krasniqi ka arritur që me sukses të fitojë raundin e parë ndaj ndaj xhudistes nga Qipro, Sofia Asvesta.

Krasniqi ka kaluar në raundin e dytë, ku do ndeshet ndaj zviceranes Binta Ndiaye

Sot do të ketë ndeshje edhe Flaka Loxha, derisa Laura Fazliu të shtunën. /KultPlus.com

Ambasada amerikane në Kosovë uron Distrian dhe Flakën: Po bëni krenarë shtetin

Distria Krasniqi dhe Flaka Loxha kanë arritur që t’i sigurojnë Kosovës medaljet e para në Lojërat Mesdhetare në Ohan të Algjerisë, shkruan KultPlus.

Krasniqi, e cila shkëlqeu gjatë gjithë rrugëtimit të saj, fitoi medaljen e artë në fund.

Ndërkaq, Loxha përmes repesazhit triumfoi me sukses drejt medaljes së bronztë.

Për këtë sukses, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovës kanë uruar fitueset.

“Urime Distria dhe Flaka 🥇 🥉Po e bëni krenare Kosovën”, shkruhet në postimin e tyre në “Facebook”. /KultPlus.com

Trajneri Kuka: Dita 1 – një e artë, një e bronztë, një vend i shtatë

Xhudoja sot i solli medalje Kosovës në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë.

Distria Krasniqi sot e fitoi medaljen e artë, kurse Flaka Loxha të bronztën.

Krasniqi ishte e pakompromis në kategorinë deri në 52 kilogramë, duke e fituar çdo ndeshje.

Në anën tjetër, Flaka Loxha fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Pas këtij suksesi, ka ardhur reagimi nga trajneri i tyre, Driton Kuka.

“Dita 1. Një e artë, një e bronztë, një vend i shtatë. Lojërat Mesdhetare Algjeri. Kosova power”, shkroi Kuka. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Krenari dhe emocion i madh, një paraqitje fantastike e Distrisë në Lojërat Mesdhetare

Distria Krasniqi ka vazhduar formën e jashtëzakonshme dhe arriti që t’i sigurojë Kosovës medaljen e parë dhe atë të artë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka përgëzuar Krasniqin për medaljen e artë.

KultPlus më poshtë ua sjell reagimin e tij të plotë:

Xhudistja jonë Distria Krasniqi përsëri e artë🥇

Krenari dhe emocion i madh, një paraqitje fantastike e saj në Lojërat Mesdhetare në Oran të Algjerisë.

Faleminderit Distrias por dhe të gjithë sportistëve tanë për përfaqësimin dinjitoz të shtetit tonë në këto gara.

Me punën dhe përkushtimin tuaj jeni shëndrruar në frymëzim për të rinjtë e për të gjithë ne. / KultPlus.com

Distria Krasniqi e artë në Lojërat Mesdhetare

Distria Krasniqi vazhdon formën e jashtëzakonshme dhe arrin që t’i sigurojë Kosovës medaljen e parë dhe atë të artë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, shkruan KultPlus.

Ajo arriti që të fitojë me lehtësi në finale ndaj kroates Ana Puljiz.

Xhudistët nga Kosova po udhëhiqen nga Majlinda Kelmendi së bashku me Driton Kukën.

Ndërkaq, ditëve në vazhdim Kosova do të përfaqësohet edhe nga sportistë të tjerë. / KultPlus.com

Distria Krasniqi me shumë sukses kalon në gjysmëfinale të Lojërave Mesdhetare

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, dëshmon cilësitë edhe në LM Oran 2022.

Ajo e nisi mbarë garimin, duke mundur qiprioten Sofia Asvesta, kategoria 52 kg.

“I urojmë fat edhe në gjysmëfinale Krasniqit”, shkruhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Krasniqi mund të jetë garuesja e parë nga Kosova që fiton medalje në këto Lojëra Mesdhetare. /KultPlus.com

Sportistët nga Kosova në gjueti për medalje në Lojërat Mesdhetare

Sportistët nga Kosova do të vazhdojnë sot në ditën e 4-të të Lojërave Mesdhetare në Ohan të Algjerisë, shkruan KultPlus.

Duke filluar nga kampionia olimpike, Distria Krasniqi, e deri te Shpejtim Bajoku në boks.

Ndiqeni më poshtë orarin e plotë të sportistëve, ditë në të cilën pritet që Kosova të fitojë medalje. /KultPlus.com

Paraqitje madhështore, Distria Krasniqi e artë në Grand Slam të Tbilisit

Distria Krasniqi u përballë në finale me Reka Pupp në kategorinë 52 kilogramë, shkruan KultPlus.

Krasniqi vërtetoi shkronjat e saj të arta në shpinë, duke arritur që me shumë lehtësi dhe stil unik të fitojë medaljen e artë në Grand Slam të Tbilisit.

Rrugëtimi i Krasniqit në Grand Slam të Tbilisit filloi fillimisht pa meç në rrethin e parë, ndërsa mposhti më pas brazilianen Maria Taba për të kaluar në çerekfinale.

Ndërkaq, me fitore kaloi edhe ndaj holandezes Naomi Van Krevel dhe fitoi edhe në gjysmëfinale ndaj francezes Astride Gneto.

Krasniqi është një prej xhudistëve më të mira nga Kosova dhe deri tani ka arritur që të fitojë 37 medalje në karrierën e saj. /KultPlus.com

Kosova siguron medalje, Krasniqi kualifikohet në finale në Grand Slam të Tbilisit

Distria Krasniqi është ndeshur në gjysmëfinale me francezen Astride Gneto në Grand Slam të Tbilisit, shkruan KultPlus.

Pas një meçi të vështirë, Krasniqi arriti që në fund të kualifikohet në finale dhe tani shteti i Kosovës veçse ka siguruar medaljen e radhës.

Distria në finale do të luajë ndaj hungarezes Reka Pupp. /KultPlus.com

Distria Krasniqi vazhdon gjuetinë për medalje, kualifikohet në gjysmëfinale

Distria Krasniqi është në gjueti të medaljes në Grand Slamin e Tbilisit, duke arritur kualifikimin në gjysmëfinale, shkruan KultPlus.

Në përballje me Naomi Van Krevel, Krasniqi tregoi shpirtin e saj luftarak dhe fitoi takimin me IPPON.

Krasniqi do të përballet në gjysmëfinale me francezen Astride Gneto.

Kosova në këtë Grand Slam është duke garuar vetëm me Distria Krasniqin. /KultPlus.com

Distria Krasniqi kualifikohet në çerekfinale në Grand Slamin e Tbilisit

Distria Krasniqi po shkëlqen në aventurën e saj në Grand Slamin e Tbilisi, duke u kualifikuar në çerekfinale, shkruan KultPlus.

Xhudistja nga Kosova arriti që të fitojë në raundin e dytë ndaj Maria Taba, duke fituar në Golden Score me një waza-ari.

Raundi i parë për Krasniqin kaloi pa luftë, derisa në çerekfinale do të ndeshet me xhudisten holandeze, Naomi Van Krevel.

Kosova në këtë Grand Slam është duke garuar vetëm me Distria Krasniqin. /KultPlus.com

Çeku për fitoret e xhudos: Rezultatet e tyre ndërkombëtare janë krenari për shtetin tonë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ndjekur nga afër ekspeditën e ekipit të xhudos së Kosovës që ka pasur në Kampionatin Evropian në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.

I pari i Kulturës ka uruar në llogarinë zyrtare në “Facebook”, punën e jashtëzakonshme të sportistëve në këtë ngjarje madhore për vendin.

Postimi i plotë i Çekut:

“Në europianin e xhudos në Sofje, Laura fiton të argjendtën, Disi të bronztën. Kampionatin Europian 2022 që po mbahet në Sofje të Bullgarisë e nisëm me medaljen e bronztë të Distria Krasniqit, kampiones sonë olimpike. Suksesi vazhdoi edhe sot, në ditën e dytë, kur Laura Fazliu fitoi medaljen e argjendtë duke e marr titullin e nën-kampiones europiane. Paraqitje të mirë në kampionat patën edhe Flaka Loxha dhe Akil Gjakova. Kënaqësi e papërshkrueshme të përcjell nga afër ekipin tonë të xhudos. Rezultatet e tyre ndërkombëtare janë krenari për shtetin tonë. Mirënjohje të veçantë dhe përgëzime të përzemërta kryetarit të Federatës së Xhudos Agron Kuka, trajnerit Driton Kuka dhe xhudisteve e xhudistëve tanë të shkëlqyer”, ka shkruar Çeku.

Kosova në dy Kampionatet e fundit Evropiane ka arritur që të fitojë pesë medalje. /KultPlus.com

Laura Fazliu afër finales, Kosova vazhdon suksesin në xhudo

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu, është kualifikuar në gjysëmfinale të Kampionatit Evropian, i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.

Fazliu arriti që pas vazhdimeve ta mposht Renata Zachovan nga Republika Çeke, derisa tani ajo do të luajë për finalen e madhe,

Kosova është duke u përfaqësuar në këtë Evropian nga katër xhudistë: Distria Krasniqi (fitoi medaljen e bronztë), Flaka Loxha (u eliminua në repesazh), Akil Gjakova (është eliminuar gjatë ditës së sotme) dhe Laura Fazliu. /KultPlus.com

Për të 10-tin vit radhazi fiton medalje në Kampionatin Evropian, Kuka: Kosova mbi të gjitha

Kosova ka filluar suksesshëm Evropianin në sportin e xhudos, i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë, duke fituar medalje përmes Distria Krasniqit, shkruan KultPlus.

Trajneri Driton Kuka ka thënë që edhe kur nuk ecin gjërat sipas planit prapë një medallje vjen për Kosovën, kjo për faktin se Krasniqi fitoi medaljen e bronztë.

Postimi i plotë i Kukës:

“Medalja Elitare e para për sivjet u fitua…
Xhudo edhe kur nuk ecin gjërat sips planit prapë sjell medalje për Kosovën!
Distria e bronztë …
Kampionati Evropian për të rritur!
Kategoria e saj e re 52 kg!
Edhe në një ditë jo të mirë me disponim për luftë Distria merr medaljen e radhës!
Flaka Loxha vendi i 7 me dy fitore e dy humbje kategoria 57 Kg!
Plasmani i saj më i mirë në gara zyrtare për të rritur.
Meritoj plasman më të mirë ndoshta edhe medalje,por me randësi që tregoj që i përket kreut të xhudos Evropiane
Neser garojnë Akili e Laura shpresojmë në rezultat e medalje!
Kënaqësi që gjatë garës kishim mysafir Ministrin Çeku gjatë tërë ditës ishte me ekipin e tij në përkrahje të sportistëve tanë.
Mirënjohje edhe Ambasadorit të Kosovës në Bullgari dhe stafit të Ambasadës!
E unë si trener po jau shpalos një gëzim  timin si trener!
Është viti i 10 me radhë që kemi fituar medalje në Kampionate Evropiane për të rritur!
E kemi filluar me 2013 e sivjet 2022 bahen plot dhjetë vite që kthehemi me medalje nga Evropiani për të rritur.
Kosova mbi të gjitha …
Xhudo për Kosovën e popullin Shqiptar po vazhdon tutje”. /KultPlus.com

Ministri Çeku prezent në suksesin e Krasniqit dhe Loxhës në Evropian

Distria Krasniqi ka arritur që të fitojë medaljen e bronztë në Evropianin që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, derisa Flaka Loxha ka zënë vendin e shtatë në këto gara, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në “Facebook”, ka njoftuar për fitoren dhe suksesin e Kosovës, duke treguar se i pranishëm ishte edhe Hajrulla Çeku.

Postimi i plotë:

“Distria Krasniqi fiton medaljen e bronztë

Kampionia olimpike Distria Krasniqi fitoi medaljen e bronztë në Evropianin e xhudos që po mbahet në Sofia. Ajo mundi gjermanen Mascha Ballhaus në kategorinë -52 kg.

Flaka Loxha (-57 kg), zuri vendin e shtatë, suksesi më i madh i saj në Evropianin e seniorëve.

Garat i përcolli nga afër edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku“. /KultPlus.com

Distria Krasniqi fiton medalje në Evropianin 2022

Distria Krasniqi ka arritur të fitojë medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.

Krasniqi ndonëse pati probleme në ndeshjen ndaj Amandine Buchard, në fund gjithsesi arriti të sigurojë medalje për vendin e Kosovës.

Distria përfundoi e treta në kategorinë deri 52 kilogramë, duke fituar ndaj gjermanes Mascha Ballhaus.

Për Distrinë është medalja e katërt në kampionate evropiane, derisa ajo ka edhe një të bronztë tjetër, një të argjendtë e një të artë.

Kosova është duke u përfaqësuar në këtë Evropian nga katër xhudistë: Distria Krasniqi, Flaka Loxha (u eliminua në repesazh), Akil Gjakova dhe Laura Fazliu, të cilët luajnë nesër. /KultPlus.com