Çabej: Gjuha shqipe është e pasur, pastërtia e saj është tregues i nivelit të kulturës

Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj ringjalljet nacionale kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin e pastrimin e gjuhës. Për të dhënë vetëm dy shembuj, po përmendim Irlandën dhe Turqinë. Në Irlandë, menjëherë pas shkëputjes prej Britanisë së Madhe dhe fitimit të pavarësisë, po edhe më parë, gjuhëtarët hapën shkrimet e vjetra, që i kishte mbuluar pluhuri i kohës, dhe qitën në dritë leksema të moçme të gjuhës që s’i njihte më kurrkush, që kishin qenë përdorur disa shekuj, mbase edhe njëmijë vjet më parë, dhe i shtinë në shkollë e në qarkullim, edhe sot janë në përdorim të përgjithshëm.

Në Turqinë qemaliste, në vazhdim të punës që pat nisur më parë, sidomos Sami Frashëri, për pastrimin e gjuhës nga fjalët, shprehjet dhe ndërtimet sintaktike arabe e perse që e kishin mbuluar, me reformën gjuhësore që nisi në vitin 1928, u hulumtuan një varg fjalësh të turqishtes (osmanishtes) së vjetër dhe të disa të tjerave gjuhë turke të Azisë, dhe këto të gjitha dhanë një ndihmesë të madhe në pastrimin e gjuhës dhe pasurimin e saj me lëndë vendi.
Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Është e vërtetë se me punën e kryer gjer më sot, një pjesë e tyre janë spastruar, po ndërkaq kanë hyrë e po hyjnë të tjera në vend të tyre. Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare. Nuk është aspak një shenjë shovinizmi, shqiptari nuk e ka traditë shovinizmin.

Në këtë fushë është punuar me shekuj te ne dhe vazhdon të punohet në këtë drejtim. Po të kundrohet kjo veprimtari më nga afër, shihet se ka këtu një vazhdimësi, një vijë të pandërprerë. Ne e çmojmë dhe e vlerësojmë veprimtarinë e paraardhësve tanë, njëkohësisht synojmë ndërkaq ta çojmë përpara veprën e tyre dhe ta thellojmë. Në këtë punë nuk do të kufizohemi të zbulojmë fjalë të moçme nëpër shkrime të vjetra, si kanë vepruar për shembull në vendet e përmendura më sipër. Nuk është kjo e vetmja rrugë për ne, sepse plot fjalë janë edhe sot të gjalla në gojë të popullit dhe presin të shtihen në përdorim. Kjo punë ka filluar që me përmendoret e para të shkrimit të gjuhës shqipe. Autorët e vjetër si Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani e të tjerë kanë vepruar  me vetëdije në këtë rrugë. Pjetër Budi në një vepër të tij të vitit 1618 ankon se gjuha po prishej më fort prej pakujdesisë së “diesvet dhe letërorëvet” të kohës së tij. Frano Bardhi në parathënien e fjalorit të tij të vitit 1635, flet për dëshirën e tij “me ndimuem mbë nja anë gjuhënë tanë”. Gjysmë shekulli më vonë, Bogdani rrëfen se “m’anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhe të Shkodërsë” dhe shton se “giuha jonë qi me dijet dvuer edhe fjalëtë”. Qysh te këta autorë të vjetër gjejmë fjalë si derëtar, dëftues, grykësi, gjetës, gjuhëtar, kangëtar, këshilltar, kopështar, krye “kapitull”, lutës, madhështi, mbarim, mjeshtëri, ndjekës “ithtar, imitues”, i përbrendshëm, përndjek “persekutoj” (prej nga mund të formohet përndjekje për “persekutim”), polem “popull, vegjëli”, pushim, rrëfim, shkollar, urta, vetëmi, vjershëtar e plot të tjera, pa mundur ne sot të dimë se cilat janë fjalë të marra prej gojës së popullit dhe cilat janë formime të këtyre autorëve. Në lidhje me këtë, dihet se në pasurim të gjuhëve letrare e të shkrimit, dy janë kryesisht rrugët që ndiqen përgjithësisht. E para është marrja e fjalëve të gjalla në ligjërimin popullor e nëpër dialekte dhe të shtënët e tyre në përdorim të përgjithshëm, shpeshherë duke i ngritur më lart në punë të nivelit kuptimor. Kështu, për shembull, lëndë landë si kuptim konkret ka “dru; dru si material ndërtimi”, po qysh prej shkrimtarëve të Rilindjes së shekullit të kaluar përdoret me rrugë abstrakte edhe për “materie”, “subjekt”, “temë” etj. Ashtu dhe fjala rrymë, prej kuptimesh të tilla si “rrjedhë e vrullshme e ujit”, “lëvizje e ajrit”, “remë e mullirit” (rrymë e ujit, rrymë ajri, rrymë e mullirit), ka zgjeruar sferën e përdorimit me rrymë elektrike, rrymat letrare, rrymat politike etj., duke përfshirë kështu dhe sferat abstrakte të leksikut. Rruga e dytë është formimi i fjalëve të reja, i të ashtuquajturave neologjizma. Këto mund të jenë formime të mëtejme të fjalëve popullore, si anëtar nga anë. Shpeshherë ndërkaq janë të tilla, porse të farkuara si përkthim fjalësh të huaja, si kalke, si për shembull i pamasë e autorëve të vjetër, pas lat. immensus, it. immenso; ose në kohët e reja pararojë pas it. avanguardia, frgj. avantgarde etj. Janë pra formime pozitive, me gjedhe (model) të huaj, po me brumë vendi, një mënyrë veprimi me të cilën janë pasuruar me kohë gjithë gjuhët e Europës edhe të botës, rrugë pasurimi e ndjekur që në kohët e lashta (latinishtja prej greqishtes), por sidomos në kohët moderne.

Puna e autorëve tanë të vjetër në këtë fushë veprimtarie po të hetohet më imtë, shihet se vazhdon më tej dhe gjatë kohës para shekullit të kaluar. Edhe pse përmasat qenë më të vogla, dhe mënyra e punës shpeshherë anonime, vlen të shënohet se nuk ka pasur aty një zbrazëti të plotë në punë të shkrimit e përpunimit të gjuhës. Kjo veprimtari ndërkaq me një gjallëri të re u rimuar tek ne sidomos me shekullin e kaluar, mbasi lëvizja mendore e “shekullit të dritës” (le siècle des lumières), i quajtur gabimisht “iluminizëm”, dhe më vonë e romantizmit, patën zgjuar sidomos ndër popujt e vegjël e të robëruar të Europës idenë nacionale dhe dashurinë për kulturën popullore, folklorin, gjuhën amtare dhe përpunimin e kultivimin e saj. Njerëzit që vepruan në këto fusha kanë qenë nganjëherë njëkohësisht burra të armës dhe të pendës, luftarë dhe dijetarë e shkrimtarë, ashtu si Pashko Vasa ndër ne. Me një ndjenjë habie shohim ne sot  si një njeri jo i pendës, po i armës, dhe folës i një dialekti në skaj të trevës gjuhësore, si Marko Boçari prej Suli, përdor në fillim të shekullit të kaluar leksema të sferës kuptimore-abstrakte si kërkim, madhësi, i papunë, i pamasë, ashtu si dikur Gjon Buzuku në Veri, e të tjera si këto. Mbetet merita e elementit shqiptar të Italisë që i priu Rilindjes Kombëtare të shekullit të kaluar, me çeljen e Kolegjit të Kalabrisë (1732) dhe atij të Palermos në Siqeli (1734), dhe pastaj me vepra historike-gjuhësore, folklorike e letrare, si ato të Nikollë Ketës (1742-1803), Engjëll Mashit e sidomos të Jeronim De Radës, i cili organizoi dhe dy kongrese gjuhësore në Kalabri. Në këtë lëvizje mendore e gjuhësore-letrare në gjysmën e dytë të atij shekulli morën pjesë, si dihet, dhe shkrimtarë e dijetarë shqiptarë të Greqisë, si Panajot Kupitori e Anastas Kullurioti. Nga shkrimtarët e  Shqipërisë, një brez para atyre të Rilindjes, Naum Veqilharxhi është një ndër të parët që u përpoqën të pasuronin gjuhën e shkrimit e ta spastronin nga fjalët e huaja, me fjalë si fletore, kamës, mësim, padije, shënim, shumicë, thelloj e ndonjë tjetër. Përpara tij Tahir efendiu prej Gjakove përdori më 1835, ndër të tjera, fjalë si folës, mësim, mësues, nxanës, rrëzim. Shkrimtarët e Rilindjes, si Kristoforidhi, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e të tjerë, i hynë në këtë lëmë një pune të madhe edhe me një metodë të re. Kjo metodë ishte: kërkim, përhapje e vënie në qarkullim e fjalëve që ekzistojnë në gjuhë, po që kishin mbetur mënjanë; përdorim i fjalëve të vjetra e të harruara të gjuhës; përdorim shumë i kufizuar i fjalëve të huaja; formim fjalësh të reja, neologjizmash, si ko­mpozita si rrjedhoja (derivate), pas gjedhes së analogjisë, pra kryesisht pas shembullit të fjalëve të gjalla të ligjërimit popullor e të dialekteve të tij. Ndër këta autorë, Kristoforidhi e pasuroi gjuhën e shkrimit me fjalë si fushatë, hierore “tempull”, jetëdhënës, ligjdhënës, ndërgjegje, pikë, presë, theks, zanore. Te Naim Frashëri gjejmë dëgjim, dritare, gjithësi, hapësirë, papunësi, i përjetshëm, vetëdijë, vjershëtor e plot të tjera. I vëllai Samiu, dihet se përveç punës që kreu në lëmin e caqeve (termeve) gjeografike e administrative (lindje, perëndim, jugperëndim, veriperëndim, mesditës për “meridian”, kryeministër, qeveritar etj.), ka vënë themelet e terminologjisë gjuhësore e gramatikore, me formime si abetare, nyjë, njëjës, shumës, rrokje, i shquar, i pashquar. Para tij Jani Vreto shtiu në përdorim terme gjuhësore si rrënjë, emër, përemër, folje ndihmëse. Gjejmë tek ai edhe fjalë të gojës popullore përdorur me një mënyrë të re, pa mundur ne sot të ndajmë kurdoherë me saktësi se cili ndër këta tre shkrimtarë është autori i parë i disa fjalëve të caktuara. Puna e pasurimit dhe e pastrimit të gjuhës vijoi e pandërprerë edhe pas periodës së Rilindjes nga ana e një vargu shkrimtarësh, gjuhëtarësh e arsimtarësh të vendit. Në vitet e para të shekullit tonë Luigj Gurakuqi me veprat e veta ia kushtoi gjithë mundin e tij këtij qëllimi. Ai u caktoi lavruesve të gjuhës detyrën që “skajet (termet) e përgjithshme t’gjith degëve t’dijes, qi janë pothuej gjithnjë ndër t’tana gjuhët… kena për t’i marrë edhe na… Fjalët e skajet e tjera kena për t’i trajtue vetë tue i ba me rrjedhë prej rraje shqype”. Në ditët tona Aleksandër Xhuvani, i pajisur dhe me zotërimin e plotë të metodës gjuhësore, i kushtoi gjithë jetën e tij këtij synimi, detyrës së madhe të pastrimit të gjuhës prej fjalëve të huaja e të pasurimit të saj me fjalë vendi. Punimet e tij të kësaj fushe janë mbledhur shumica në dy vëllimet: “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1960) dhe “Studime gjuhësore” (1956), për të cilin vëllim gjuhëtari i njohur austriak Maks Lamberc thotë se do të ishte me shumë vlerë që kjo punë jete të botohej e përkthyer në një gjuhë të madhe si frëngjishtja. Njëkohësisht edhe disa lavrues dashamirë të gjuhës amtare dhe arsimtarë patriotë si Mati Logoreci e të tjerë, edhe këta me sa kanë mundur kanë punuar në këtë vijë. Këtu ndërkaq është vendi të vihet në dukje ndihmesa e madhe që ka dhënë e po jep në lëmin e zëvendësimit të fjalëve të huaja me fjalë vendi, në formë anonime, masa e njerëzve të thjeshtë, nëpunës, arsimtarë, ushtarakë, specialistë të degëve të ndryshme, në ditët tona përveç këtyre edhe institucionet shkencore, aktivistë shoqërorë e plot të tjerë. Pas çlirimit të vendit janë formuar ndër të tjera, fjalë e caqe (terme), si anëshkrim, arritje, automjet, bajraktarizëm, bashkautor, bashkekzistencë, bërthamor, bishtajore, bletari, bujkrob, dukuri, ecuri, furrnaltë, gjetje (arkeologjike), halorë, hedhurina, huazim, kanal kullues, leshpunues, mbingarkesë, mbingarkim, mbishtresë, mbivlerë, pyetësor, reshje, shpërpjestim, shpim, tokëzim, tregues m., vendburim e të tjera.

Në këtë mënyrë gjuha e shkrimit dhe e bisedës që përdorim ne sot i ka rrënjët në gjuhën popullore të përpunuar gjatë kohëve. Ajo është rezultat edhe i përdorimit të fjalëve të gojës së popullit edhe i punës së madhe të brezave të mëparmë. Do të ishte me interes për historinë e gjuhës letrare e të shkrimit të hetohej se, sidomos nga fjalët e leksikut abstrakt-mendor, te cili autor secila ndër to shfaqet për herë të parë, ose të paktën në cilin shkrim (vepër, revistë a gazetë) paraqitet së pari. Një punë e tillë e dyfishtë pret që të kryhet në të ardhmen. Aty mund të dalë që një pjesë e mirë e leksemave të këtij lloji janë më të vjetra nga ç’mund të kujtohet, dhe që një pjesë i ka pasur qëmoti dhe gjuha popullore.

Gjuha shqipe është e pasur jo vetëm në elemente leksikore të kulturës materiale, po edhe në fushën e fjalëve të sferës abstrakte-mendimore. Nuk është i drejtë mendimi i disa dijetarëve të huaj se shqipja qenka e pasur vetëm në fjalë të sferës baritore, as i drejtë mendimi se shqiptarët paskan qenë një popull barinjsh nomadë, shtegtarë. Një mendim i tillë nuk përligjet as me të dhënat e ekonomisë politike historike. Një profesor matematike më thoshte para disa kohe se me terme shkencore të farkuara me mjetet e gjuhës së popullit ka shpjeguar lëndën e tij në shkolla të mesme dhe është kuptuar shumë mirë nga ana e nxënësve. Një gjë e tillë vlen dhe për të tjera degë të dijes, si për fizikë, botanikë, zoologji, gjeografi, gjeologji, arkitekturë e degë të tjera. Për të dhënë vetëm disa shembuj nga lëmi i gjuhës popullore, që janë në gjendje të zëvendësojnë fjalët e huaja ose gjithsesi të pasurojnë gjuhën letrare dhe terminologjinë shkencore me elemente ose forma të reja, po përmendim ndër të tjera: Çamëria polipit të detit i thotë likurishtë, veprimit të zbutjes së një peme me anë shartimi i thotë zbutoj; Gjirokastra për “parenté” thotë afëri, rozetës së tavanit i thotë kërthizë, tuberkulozit të eshtrave i thotë rrodhje (nga rrjedhja e qelbit); Labëria atij që përziente bagëtinë me një tjetër i thotë përzitës, dhe sisës së gjirit të bagëtisë femër mjelm; Bregu i Detit për “zë rrënjë bima” thotë rrënjëzohet; Lunxhëria drurëve e shkurreve të ulëta që rriten keq në pyll në hijen e drurëve të mëdhenj u thotë hiesira; Zagoria për “qëmoti, lashtë” thotë lashtërisht, dhe ana e Këlcyrës për “tashti vonë, rishtas” thotë rishmë; anët e Beratit e të Frashërit sipas Kristoforidhit zgavrës së një druri të madh si rrapi i thonë zgërbonjë, dhe Dangëllia një ene bakri me veshë i thotë veshore; Labova e rrëzës së Tepelenës kur bie borë e imtë thotë mizon; Mallakastra një fiku vjeshtak të zi e me plasa në lëkurë i thotë fik shkronjës; Myzeqeja grykës së lumit që derdhet në det i thotë gojkë d.m.th. “gojë”; ana e Shpatit mostrës ose modelit i thotë gjedhe, dhe të mbajturit anë, anësisë anesë; Shqipëria e Mesme për një njeri të flashkët me trup e të mefshtë thotë i qullët, e për “vete mbarë” trevon, si në s’na trevon gjaja e gjallë.  Në të folët e Tiranës ndiheshin edhe ndihen fjalë si kryemot për natën e ditën e vitit të ri, dhe hulli për “brazdë”. Në katundin Sharrë të Tiranës, fjalën pamenia e kemi dëgjuar me kuptimin “panoramë, pamje”, e në anët e Krujës dëgjohet ansujë për “ishull”. Me këtë nuk themi se do të zëvendësojmë patjetër ishull-in dhe do ta heqim krejt nga përdorimi, porse e japim shembullin për të treguar se edhe në fushën gjeografike gjuha e popullit ka formuar leksema si kjo, e cila mund të hyjë në përdorim në stile të veçanta të gjuhës letrare. Mjeshtrit e asaj ane kanaleve a vanave që gërryhen në çimento për kalim uji u thonë ujse. Mirdita vendosjes së një grupi etnik të shpërngulur në një vend të ri, pra kolonisë, i thotë ngulim. Shkodra tekstileve u thotë veglore, fjalë që lidhet me vegël, që përdor Korça për vegjët. Anët e Veriut fundërrisë që mbetet nga të shkrirët e një lënde i thonë bram, zgjyrës bramc farke, shtrirjes së një lugine i thonë lugajë, një fushe voglake vuth, një toke që është nën ujë tokë mbujake, një galerie a tuneli zgafelle, tumave të lashta (arkeologji) kodërvorre, një grumbullimi lulesh në trajtë të një kalliri të varur vastak, një pipthi, kalemi a fidani trishe, sëmundjes karies (të dhëmbëve etj.) briesë; veçanërisht Pulti për “mjekoj me barna” përdor barnatoj. Fjala imtoj, sot përgjithësisht “shkoqit në hollësira (një çështje)”, në të folët e Lumës përdoret në mënyrë konkrete “holloj”, imtoj drutë “i çaj i bëj të holla”. Kosova një njeriu që ka të njëjtin emër me një tjetër i thotë emnak, e për “dorëzoju” thotë “jep dorzimin”; në Kosovë për “filaturë” përdoret tjerrtore, e për “kaldajë” ngrohtore. Në Dibër një helmi të madh të shpirtit i thonë djegë. Duke kaluar në dialektet e ngulmimeve shqiptare jashtë Atdheut do të përmendim se në Arbënesh të Dalmacisë për “shpina e dorës” thonë përmidora, e për “krijoj”, me një fjalë vendi lentoj (nga lej), prej nga mund të formohet dhe lentim për “krijim”. Në Greqi për “gardh” thonë thurimë, fjalë që mund të përdoret edhe me një kuptim të figurshëm, si p.sh. në gërshetimin e veprimit të një drame. Në Kalabri ofiqit (nofkës) që i ngjitet një njeriu i thonë shënim. Në Siqeli samarit i thonë bërrore, fjalë që lidhet me barrë; për “të dhënë e të marrë, marrëdhënie” thonë përzitë, si në shprehjen me të hojin mos kesh përzitë. Atje kanë farkuar dikur dhe gurshkronjë për “litografi”. Këta janë vetëm disa pak shembuj për të dhënë një ide sado të zbehtë për pasurinë e visarit leksikor të gjuhës popullore.

Janë pra të gjitha mundësitë për një zëvendësim të fjalëve të huaja me fjalë vendi, dhe kjo pa bjerrje aspak të vlerës kuptimore të fjalëve. Mund të zëvendësohen ndër të tjera fjalë si abuzoj abuzim, acid, adaptoj adaptim, agresion agresiv, aktivitet aktivizoj, ambient ambiental, ambiguitet, amorf, anketë, apikulturë, aproksimativ approksimativisht, aprovoj aprovim, atribuoj, bonifikoj bonifikim, celular, deduktoj deduktim, dekompozoj dekompozim, depistoj depistim, derivat, destinoj, dezekuilibër, dimension, efekt i efektshëm efikacitet, eksperiencë, eksploroj, ekuilibër, erupsion, esencial, evoluoj, favor favorizoj favorizim i favorshëm, fenomen, fibër, filaturë, firmos, fortifikoj fortifikim, frekuentoj frekuentim, frutikulturë, germë, grataçel, hezitoj hezitim, imediat, imperativ mb., influencë influencoj, inkuadroj inkuadrim, inkurajoj inkurajim, inovacion, insistoj insistim, insuficiencë, intoksikacion, investoj investim, justifikoj justifikim justifikues, kaldajë, karbon, konditë, kondicionoj, konfirmoj, kontribuoj kontribut, kooperoj kooperim, koordinoj koordinim, korent kurent, korrespondoj korrespondencë, kulminant, landshaft, laring laringjit, leguminoze, legjislativ, lubrifikoj, manual, militoj, monument, ndofta ndoshta, operativ, origjinë, palafit, penelatë, perfeksionoj perfeksionim, polen, preferoj, preokupoj preokupim preokupant, presion, presupozoj presupozim, reciprok reciprocitet, refuzoj refuzim, renal, rendiment, represiv, revokoj, sekret, servil, silvikulturë, i sinqertë sinqeritet sinqerisht, sinjifikativ, skulptor skulpturë, spektator, spostoj spostim, stimul, sukses i suksesshëm, supersticion, supozoj supozim, tentoj tentativë, (ujëra) territoriale, toksik toksikologji, total totalisht, transformoj transformim, transmetoj transmetim, unifikoj unifikim, validitet, vegjetacion, vigjiloj, vigjilencë vigjilent (që me këtë formë s’e kanë as italishtja as frëngjishtja), volum voluminoz, xhiroj xhirim etj.

Në lidhje me këtë punë të madhe, së cilës mendojmë se duhet t’i përvishemi me një rrugë tërësore, sistematike e të organizuar mirë që në ballë, në mënyrë paraprake do dalluar qartë ç’është huazim (frgj. emprunt) e ç’është fjalë e huaj. Fjalët më sipër e shumë të tjera të llojit të tyre nuk janë huazime të mirëfillta, të tilla që të kenë hyrë lashtërisht në gjuhë të popullit, të jenë bërë mish e asht i saj. Janë mish i huaj depërtuar në gjuhë nëpërmjet shtresave intelektuale kryesisht në këto brezat e fundit, dhe nuk kanë arritur të hyjnë thellë në strukturën leksikore të gjuhës. Prandaj dhe zëvendësimi i tyre me brumë vendi, me kusht që të mos cënohet saktësia kuptimore, në përgjithësi nuk paraqitet i vështirë. Do pasur parasysh në këtë mes se depërtimi i fjalëve të këtij lloji nuk përligjet as me karakterin gjuhësor të shqipes. Gjuha shqipe nuk është një gjuhë romane as gjysmëromane, si ka qenë pohuar dikur dhe vazhdon të pohohet vise-vise dhe sot e kësaj dite. Janë të gjitha mundësitë reale që mos t’i lihet shteg edhe pohimit të dikujt se “duhet njeriu më parë të mësojë italishten para se të mundë të lexojë pa mundim një shkrim të shqipes”.

Në këtë veprimtari ndërkaq duan pasur parasysh disa parime në lidhje me metodën e punës që do të ndiqet. Një ndër parimet kryesore në zëvendësimin e fjalëve të huaja do të jetë maturia. Nuk duhet aty të kalohet në ekstrem. Ka rasa – kryesisht në punime të specialitetit – ku përdorimi i një fjale a termi të huaj paraqitet i domosdoshëm; aty, për hir të saktësisë shkencore, të stilit, a për një tjetër arsye, do të përdoret. Si kudo, edhe aty duhet vepruar me masë, pan metron ariston kanë thënë të vjetrit. Nuk duhet ecur si në disa gjuhë ku edhe fjalë e terme ndërkombëtare janë munduar t’i zëvendësojnë medoemos me elemente të vendit.

Në këtë mes del edhe pyetja: ç’është term ndërkombëtar? Mendojmë se term ndërkombëtar nuk mund të quhet një term shkencor që e kanë përgjithësisht vetëm gjuhët romane, gjuhët bija të latinishtes; ato vetvetiu e kanë marrë e do ta marrin prej saj. Term ndërkombëtar mund të quajmë një term shkencor që përveç gjuhëve romane e kanë në përdorim edhe idiomat e të tjerave familje gjuhësore, si gjuhët gjermanike, sllave e të tjera. Për të dhënë dhe këtu ndonjë shembull, do të themi se acid nuk është term ndërkombëtar, po kimi është term ndërkombëtar; levë, presion nuk janë terme ndërkombëtare, porse fizikë po; insekt është term ndërkombëtar, po insekticid nuk është. Ashtu qëndron puna dhe me botanikë përkundrejt leguminozeve labiate-ve, me zoologji përkundrejt reptilë-ve etj. Duke mbetur në lëmin e terminologjisë shkencore mund të pohojmë pra se në degë të ndryshme të dijes e përgjithësisht të veprimtarisë njerëzore, në arkitekturë, gjeologji, botanikë, zoologji, fizikë, kimi, matematikë, mjekësi e shëndetësi, në blegtori, bujqësi, industri, ekonomi, ndërtim e në fusha të tjera ka një mori fjalësh të vendit që pa dëm kuptimor janë në gjendje t’ua zënë vendin fjalëve të huaja. Aty është me interes edhe kjo, që fjalët e vendit kuptohen më mirë, rroken e përvetësohen më lehtë nga nxënësit e moshave të vogla, sepse u formojnë atyre shoqërime (asociacione) idesh; ato gjejnë analogjinë e vet në pasurinë leksikore që zotërojnë ata brenda sistemit të gjuhës amtare.

Në këtë fushë veprimtarie shihet kështu se një rëndësi të madhe ka puna e pastrimit të terminologjisë shkencore, e cila është mbuluar me elemente leksikore të huaja. Veçse përbrenda kësaj fushe duhen bërë diferencime. Një pjesë e madhe e terminologjisë së shkencave teknike, natyrore, mjekësore e të tjera është në përdorim kryesisht në rrethe shkencore e të specialitetit. Një rëndësi më të madhe merr problematika e pastrimit të degëve të leksikut shoqëror, elementet e të cilit janë në përdorim te një masë më e gjerë e shtresave të shoqërisë. Në këtë veprimtari një detyrë edhe më të madhe përbën puna e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës së përditshme që përdoret në të folë e në shkrim. Spastrimi i gjuhës prej fjalësh të tilla si ambient, eksperiencë, esenciale, fenomen, influencë, preferoj mbetet një detyrë kryesore e gjuhësisë shqiptare. Me fjalë të tjera, ne mendojmë se spastrimi i terminologjisë shkencore, me gjithë rëndësinë që ka, përbën vetëm një pjesë në punën e madhe e komplekse të pastrimit e pasurimit të gjuhës, punë në të cilën vjen e integrohet.

Edhe në lëmin e sintaksës gjuhësinë shqiptare e presin detyra të reja në pastrim të ndërtimit të fjalisë prej ndikimit të huaj. Ndërtime të tilla si gjuha greke dhe ajo latine; kategoritë emërore dhe ato foljore; në të gjitha fushat kryesisht në ato politike e ushtarake, kapitali amerikan, krahas atij holandez nuk janë të strukturës sintaktike të shqipes. Ato janë ndjekje (imitime) të gjedhes së italishtes, depërtuar ndër ne gjatë këtyre brezave të fundit. Ndërtime të tilla kanë shkuar prej romanitetit perëndimor edhe në rumanishten, porse atje edhe lejohen si një gjuhë romane që është. Tek ne mendojmë se edhe këto përdorime duhet të zëvendësohen me ndërtime të vendit. Thjesht shqip do të duhej të thuhej e të shkruhej kategoritë emërore dhe kategoritë foljore ose kategoritë emërore dhe foljoret. Një tjetër gjurmë ndër të tjera ka lënë në shqipen moderne ndikimi sintaktik i italishtes në ndërtime fjalish si hyrja në fuqi e kësaj ligje, hyrja në veprim e makinerive, hyrja në përdorim e këtyre fjalëve, për shkak të daljes në grevë të minatorëve anglezë, në vend që të shkruhej hyrja e kësaj ligje në fuqi, hyrja e makinerive në veprim etj., si ka qenë më parë në gjuhën shqipe. Veçse duhet thënë se ky lloj ndërtimi ka depërtuar tashmë aq thellë në gjuhën bisedore e të shkrimit, sa më nuk ndihet si element i huaj, dhe do të jetë vështirë të mënjanohet.

Puna e pastërtisë së gjuhës përfshin dhe frazeologjinë. Edhe aty vërehen në gjuhën e sotme ndikime të jashtme, me ndjekje gjedhesh të huaja me anë përkthimi. Në shqipen e mirëfilltë nuk thuhet i hedh pluhur syve, si thonë në disa gjuhë të tjera, po thuhet i hedh hi syve. Një përkthim (kalk) frazeologjik i ri është edhe shprehja gjysmë i vdekur; në folklor e tek autorët e vjetër gjendet rregullisht pak gjallë po me këtë kuptim. Gjuhësia jonë edhe në këtë fushë është e caktuar të gjurmojë rrugët vetjake të gjuhës.

Duke kaluar nga fjalët në punë, jemi të mendimit se janë pjekur kushtet që një komision i përhershëm (permanent) t’i përvishet kësaj pune, plotësimit të kësaj detyre të madhe. Mendojmë që në këtë komision të marrin pjesë njerëz nga institutet dhe qendrat kërkimore të Akademisë së Shkencave dhe përfaqësues specialistë të degëve të ndryshme. Të gjenden rrugët e bashkëpunimit të tyre me ndërmarrjet, fabrikat dhe institucionet shkencore e të tjera të vendit. Do të ketë pjesëmarrje e bashkëpunim aktiv sidomos dhe nga ana e arsimtarëve të rretheve, sepse shkolla do të luajë një rol të dorës së parë. Do të duhet një punë individuale dhe kolektive, një punë e re e gjithanshme, punë sistematike dhe me afat të gjatë. Me këto punë duhet të hapet një faqe e re e historisë sonë gjuhësore, një epokë e re e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës letrare edhe të shkrimit. Duhet të kryhet në atë mes një rishikim i gjithë punës së deritanishme. Do të rishqyrtohen nga ky këndvështrimi jo vetëm terminologjitë e ndryshme dhe fjalorët terminologjikë, po edhe fjalorët e tjerë që janë punuar deri më sot. Do të jetë një reformë gjuhësore në nivel Republike. Mendojmë gjithashtu se do të jetë vendi që të dalë ndonjë botim periodik me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”, që do t’u kushtohet kryesisht problemeve e detyrave të pasurimit e pastrimit të gjuhës.

Fjalët e vendit dhe termet që do të zëvendësojnë me kohë elementin e huaj do të shtihen në përdorim që në shkollat, që me moshën e re. Shumë fjalë që do të vendoset të përdoren e të hyjnë në gjuhë, edhe neve vetë në fillim do të na duken pakëz si çudi. Porse brezat që do të vijnë do t’i mësojnë e do t’i përdorin vetvetiu; sikurse kanë hyrë në përdorim shumë fjalë vendi që janë farkuar prej paraardhësve tanë e prej brezit tonë, janë për ne sot të natyrshme dhe janë bërë pronë e qëndrueshme e gjuhës. Në këtë punë me rëndësi kombëtare do të veprohet me guxim bashkuar me kompetencë shkencore, dhe, si u tha, me hapa të matur, me maturi në punë. Ne edhe në fusha të tjera të veprimtarisë kulturore kemi ndërmarrë punë që vetë neve në fillim mund të na jenë dukur të parealizueshme, e që i kemi kryer. Sot më fort se kurrë na shtrohet detyra që këtë gjuhë, një nga elementet kryesore të kombësisë sonë, ta pasurojmë me fjalë të visarit popullor dhe ta spastrojmë nga masa e lëndës së huaj. /KultPlus.com

Shënim: Marrë nga dorëshkrimi i autorit. Botuar së pari në “Mësuesi”, 28 mars 1979-4 prill 1979

Sot, Dita që na kujton të ruajmë gjuhën amtare

Nën patronazhin e UNESCO-s dhe Byrosë Rajonale për Shkencë dhe Kulturë në Evropë, sot shënohet 21 Shkurti – Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare.

Mbrojtja e gjuhëve në botë, lufta kundër zhdukjes së tyre dhe ruajtja e identitetit të kombeve nëpërmjet gjuhës, janë qëllimet kyçe të manifestimeve që sot do të organizohen në suaza botërore.

Analizat e UNESCO-s tregojnë se mund të zhduken rreth 2.500 gjuhë nga pothuajse 6.000 që fliten në botë.

Në 90 vitet e kaluara janë zhdukur rreth 200 gjuhë, ndërsa 199 i flasin më pak se dhjetë njerëz. E fundit që është zhdukur është gjuha “ajake”, të cilën e ka folur një grua e cila ka vdekur në vitin 2008 në Alaskë.

Arsyet kryesore për zhdukjen e gjuhëve janë luftërat dhe dëbimi i detyrueshëm.

Emigrantët gjithashtu e përziejnë gjuhën amtare me gjuhën e shtetit në të cilin jetojnë që të integrohen më mirë. Megjithatë, ka shembuj, më së shumti në Australi, ku gjuhët të cilat janë “nën kërcënim” i flasin të rinjtë, tha një përfaqësues i UNESCO-s.

Tridhjetë nga gjuhët që fliten në Francë midis të cilave edhe normane dhe bretonike, janë “nën kërcënim të fuqishëm të zhdukjes”. /KultPlus.com


Si mësohej gjuha shqipe nën fletoret e greqishtes

“Unë besoj në Zot, në Abetare dhe në Komb. Këto janë “Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë” – At Irakli Pylli

Mësuesi patriot Irakli Pylli, i njohur me emrin At Isaia, lindi në prill të vitit 1872, në një familje të varfër në fshatin Shën Pjetër të rrethit të Fierit. Në popull, atë e kanë thirrur edhe me emra të tjerë. Kështu, në Vlorë ai është njohur si “prifti me kobure”, në fshatrat e Fierit si “prifti që psalmet i këndon në shqip” etj.

Irakli Pylli mësimet e para i kreu së bashku me Mësuesin e Popullit Jani Minga e atdhetarin Llazi Spiro, nën kujdesin e mësuesit Kostandin Minga. Më pas, me vështirësi të mëdha ekonomike, mbaroi arsimin e mesëm. Gjatë tërë kohës, Irakliu nuk i shkëputi lidhjet me shokun e tij të ngushtë Jani Minga. Ata i bashkonte ideali i njëjtë për përhapjen e gjuhës shqipe. “Shkronjat dhe gjuhën shqipe do t’i përhapnin medoemos, – i shkruante Jani Minga At Isaisë. Dhe vazhdonte: “Është koha që për shqipen të punojmë kudo. Tani të qoftë e mbarë! Mbështetu te populli”.

Dhe At Isaia, kudo dhe kurdoherë thoshte në popull: “Të mësojmë gjuhën tonë. Jemi shqiptarë dhe nuk na duhet gjuha e huaj, kur gjuhën e kemi aq të ëmbël, aq të mirë. Gjuha jonë është më e ëmbla ndër më të ëmblat”. Me shumë kujdes, At Isaia futi gjuhën shqipe edhe në kishë, ai i këndonte psalmet ne gjuhën shqipe, që atëherë populli filloi ta thërriste: “Prifti që psalmet i këndon shqip”. E kishte të qartë, se armiqtë, agjentët e Patrikanës, për të penguar përhapjen e gjuhës shqipe, thurnin plane djallëzore kundër atyre që bënin përpjekje, sado të vogla, për gjuhën amtare, por ai nuk trembej nga kërcënimet./Konica.al

At Isaia, në fshehtësi, në njërën nga ndërtesat e kishës në Shën Pjetër hapi të parën shkollë shqipe në fshat. Mësimin shqip në shkollën e fshatit, ai vazhdonte ta zhvillonte pa ndërprerje. Për të shmangur rrezikun e zbulimit të mësimit të shqipes, ai i kishte pajisur nxënësit me dy palë fletore: në një palë shkruanin shqip dhe në tjetrën greqisht.

Por pushtuesit osmanë ranë në gjurmë të veprimtarisë së tij. Aty rreth vitit 1908, e kapën dhe e arrestuan. E ç’nuk i bënë, që të hiqte dorë nga rruga e nisur. Të moshuarit, ata që e panë ato ditë, tregojnë se si e torturuan, si i varën një këmborë në qafë dhe e tërhoqën përmes pazarit të Fierit dhe brigjeve të lumit Gjanicë.

E rrahën pa mëshirë, por ai nuk u tërhoq nga rruga e nisur. Nuk u mjaftuan vetëm me kaq, por dogjën edhe ndërtesën e shkollës. Pas shumë kohëve, atë e mbajtën nën tortura në burg. Kur u lirua, At Isaia, me pasion të madh, vazhdoi t’u mësonte fëmijëve të fshatit shkrimin e këndimin e gjuhës amtare.

At Isaia shkoi në Korçë, ku qëndroi në krye të manifestimeve për shkëputjen e Kishës Ortodokse Shqiptare nga kisha greke. Ai u ngarkua t’i njoftonte dhespotit vendimin e mbledhjes, që të largohej nga territori shqiptar brenda 24-orëve, si person i padëshirueshëm. Për veprimtarinë e tij patriotike dhe për punën e përhapjes së gjuhës shqipe, At Isaia u mallkua nga Patrikana. Në fundin e vitit 1919, ai çeli përsëri shkollën shqipe në fshat. Si ndërtesë u shfrytëzua shtëpia e një fshatari. Po kështu, ky mësues hapi edhe një shkollë tjetër në afërsi të fshatit Seman, në pyllin e Janjit. Pas Kongresit të Lushnjës, në mars të vitit 1920, At Isaia u vendos në Vlorë. Reaksioni e ndiqte këmba-këmbës. Mori pjesë gjallërisht në epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës dhe u dallua si një propagandist i flaktë i çështjes kombëtare. Edhe pas fitores së Luftës së Vlorës, At Isaia nuk rreshti së punuari për të mirën e vendit. Ishte përkrahësi i flaktë i Halim Xhelos dhe i Avni Rustemit. Prifti atdhetar qëndronte në çdo kohë i armatosur. Gjatë Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, At Isaia qëndroi përkrah “bijve të popullit që jepnin jetën për Shqipërinë”. Për veprimtarinë e tij, si edhe të nipit 15-vjeçar, Filipit, me urdhër të Prefektit të Vlorës, u arrestuan dhe u internuan në kampin e përqendrimit në Zemun të Jugosllavisë. Koço Faudi, një shok i internuar së bashku me At Isainë, i cili u kthye i gjallë, tregon: “Në kampin e internimit përdoreshin tortura nga më barbaret, nëpër këto tortura kaloi edhe At Isaia, i cili në moshën 72-vjeçare, nga një barbarizëm i rëndë, ra ashtu siç do të dëshironte të binte çdo trim”. /Konica.al /KultPlus.com

Çamëria, ku flitej e këndohej vetëm shqip

Një impresion i veçantë, një shqetësim dhe pikëllim mbizotëron kur të qëndrosh në Çamëri, dhe në ato vendbanime ku gjithçka ‘shqip’ apo ‘shqiptare’ ndalohet dhe dënohet.

Rrugëtimi në këtë krahinë, të pushtuar nga grekët dhe greqizmat ka groposur thellë elementin shqiptar, apo të ashtuquajtur arvanitas në këtë zonë, që dikur shquhej si zonë e një populli punëtor në tokat pjellore, tokat me trashëgimi të pasur historike dhe kulturore si dhe një zonë ku ka një pasuri dhe laramani të traditave shqiptare si veshjet, vallet, doket e zakonet e ndryshme popullore dhe kulturore, shkruan njëkomb.

Gjatë vizitës time në fshatrat e Çamërisë, më bëri shumë përshtypje se qendrat kryesore, qyteteve të cilat janë të “rreshtuara” për rreth kufirit, por edhe pak më në thellësi, të Greqisë veriperëndimore, janë të rrethuara nga fshatra me emra krejt shqiptarë. Aty thuhet se në shtëpi të vjetrit flasin ende shqip, ndërsa ti je vizitor dhe të bie që veshi të dëgjon të flitet shqip, aty të duket vetja se je në ndonjë zonë të jugut të Shqipërisë.

Këto janë qytetet dikur shqiptare të tilla si : Gumenica, e cila ishte e rrethuar nga emra fshatrash shqiptarë, nga Dushku, Grikohori, Salicaj, sikurse është dhe Paramithia, me Globoçarin, Skupica, Sharati, ndërsa Margëlliçi është i rrethuara nga Luarati, Karbunari, dhe Margariti, kurse Filati, nga Shqetaqri, Spatari, dhe Çifligu, Janina nga Koska dhe deri tek një shesh me varrin e Ali Pashë Tepelenës, dhe kështu me radhë vjen Preveza, por edhe Arta e cila ka në mes të saj Kalanë e Artës e ndërtuar sipas stilit iliro-dardan në shekullin e 13-të, ku një urë e lashtë është përmbi lumë është e ndërtuar si urat e lashtësisë në Shqipëri, ajo e Mesit në Shkodër apo ajo Ura e Hijes së Metës në Gjakovë.

Në ndërkohë të vizitosh cilindo nga këto fshatra, të Greqisë veriperëndimore, kur bie darka dhe burrat e fshatit mblidhen në kafenetë, dëgjon se shumë të moshuar flasin në mes vetit vetëm gjuhën arvanite-arbërore, pra një shqipe kjo, karakteristike, e kësaj zone – një shqipe që është mjaft e ngjashme me atë të shqiptarëve të vjetër nga këto zona, shqipe, që ka mbetur ashtu “gjysma – gjysma” e pa ruajtur dhe e pa kultivuar, nga këta banorë bujarë dhe fisnik.

Por se ngaqë largimi i shqiptarëve por edhe asimilimi i “detyrueshëm” i tyre, sidomos nga politika ultranacionaliste greke, e ndjekur në mes shekullin e 20-të, ndaj popullsisë autoktone shqiptare duke përfituar edhe prej sundimit komunist në Shqipëri, ka bërë atë që në këto zona të mos gjesh më “shqiptarë”, sado që mund t’i kërkosh të bisedosh me ata të mos origjinën e tyre,

Mbasi për fat të keq edhe ndonjë që ka mbetur, ka frikë të fasë shqip dhe të paraqitet si shqiptarë, kjo ka ardhur ngaqë nga kësaj popullsie është ushtruar represion madh dhe ka “një persekutim” të fshehtë që të kujton kohën e përndjekjes në Shqipëri.

Aq sa duhet thënë se në çdo fshat të kësaj zone gjen shumë pak për të mos thënë aspak, shqiptarë sidomos atyre të fesë myslimane, të cilët ishin Çamët. Por, edhe Shqiptarët ortodoks që janë banorët e kësaj zone, dhe kanë marrë tokat dhe pronat në përdorim dhe jo me tapi, nuk “pranojnë” në asnjë mënyrë të flasin shqip. Bile, kur ti i afrohesh ndonjërit prej tyre dhe i flet shqip ata të largohen gjithë frikë, njësojë si në kohën e regjimit komunist në Shqipëri. kur çamët kishin frikë të deklaroheshin se ishin nga Çamëria.

Një grua shqiptare, nga zonat e jugut të Shqipërisë, e cila punonte në një familje të këtyre fshatrave( emrin dhe fshatin nuk e tregojë sepse ajo i trembej “rrezikut” që sillte) më tregojë se në fikun e shtëpisë, ku ajo ishte e punësuar, kishte gjetur në një pllakë dërrase të gdhendura emrat e një çifti shqiptar mysliman – çamë.

Por, sipas studiuesve të çështjes Çame, thuhet se :”Arvanitët ortodoks dhe arvanitët myslimanë (çamët), përbëjnë në vetvete një popull me një origjinë të përbashkët – Pellazgët e lashtë që i bie se janë shqiptarët e sotëm” thonë ata.

Të cilët kanë gjuhën dhe kulturën e arvanitëve – shqiptarë, por që ekzistenca e këtij populli të harruar dhe e lënë pas dore në drejtim të trashëgimisë së tyre, si nga sundimi gjysmë shekullor i Enver Hoxhës, dhe atë që është bërë fare shumë pak për ta, gjatë këtyre 23 vjetëve prej nga koha që ai regjim u rrëzua, ngelen përsëri sot e kësaj dite “shqiptarët e harruar” e lënë pas dore. Vetëm në kuadrin e një “Traktati Miqësie” me shtetin grek të arritur nga ish Presidenti Berisha, cili bëri të vetmin hap për hapjen e kësaj çështje mas 50 vjetëve.

Asimilimi dhe “harresa” mendohet se ka ardhur edhe ngaqë se ata mund të humbasin përkrahjen e shtetit grek dhe politikave kulturore për minoritetet, megjithëse, arvanitët e quajnë veten autoktonë në Greqi dhe kjo është një pyetje që lë shumë për të diskutuar, dhe që politika e sotme shqiptare mban një barrë të rëndë për ta zgjidhur atë sidomos kur bie fjala sipas ligjeve dhe konventave ndërkombëtare.

Megjithëse, nuk a asgjë zyrtare dhe studim të mirëfilltë, por kan mbetur vetëm shkrime dhe disa reportazhe prej Edit Durhamit, disa studiuesve , historianëve dhe gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë, të dekadave të fundit dhe disa dokumentare nga Çamëria, për të treguar se sa shqiptarë ka mbetur në këto zona dhe se sa shqiptare janë këto zona, ka edhe fakte të tilla që mund të tregojnë si ky fakt që mësova gjatë vizitës ime në Çamëri.

Një shqiptar që kishte emigruar në Gumenicë në vitin 1990, kur u rrëzua komunizimi në Shqipëri, në kushte anonime, tregon se :” Kur u largova nga Shqipëria, dhe u vendosa në Gumenicë, u strehova tek një shtëpi dykatëshe, karakteristike të këtij qyteti që ngjason shumë me Sarandën. Flija,thotë ai në katin e dytë sepse kati i pare ishte dyqan që mblidhte qumështin e mëngjesit, të fshatrave për rreth qytetit të Gumenicës, dhe prodhimeve të fshatit. Të nesërmen që isha arratisur nga Shqipëria, fillova të dyshojë, me vetveten nëse e kisha “kaluar kufirin” apo jo!? sepse çdo mëngjes ata flisnin shqip me njeri tjetrin duke bërë pazarin. Por më ka çuditur fakti se as sot e kësaj dite nuk e di se çfarë u bë me këta fshatar, dhe se çfarë ka ndodhur sepse mbas 1993 kur dhe erdhën me shumicë shqiptarët nga Shqipëria, asnjeri prej këtyre, fshatarëve kur sillte qumështin dhe prodhimet që kishte mbledhur, nuk fliste më shqip…”.

Dhe kjo më sqaron ai me keqardhje, ka ardhur si pasojë e asaj politike që ka ndjekur “politika dhe shteti grek ndaj atyre shqiptarëve, e cila ka qenë konstante…dhe e pa ndryshuar që i ka çuar shqiptarët drejt asimilimit dhe largimit nga këto troje që dikur ishin vetëm shqiptare. /KultPlus.com

Paçarizi: Askund në botë nuk ka ligj të veçantë për gjuhën standarde

Ka disa ditë që diskutohet nisma për të propozuar një ligj të ri, i cili mbron gjuhën shqipe. Këtë nismë e ka ndërmarrë Akademia e Shkencave në Shqipëri e cila ka deklaruar se do t’ia propozojë qeverisë shqiptare një ligj për ruajtjen dhe për zhvillimin e gjuhës. Kjo temë ka hapur shumë diskutime edhe mes gjuhëtarëve, studiuesve e profesorëve  në Kosovë.

Gjuhëtarë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” thonë se gjuha jonë duhet të kultivohet dhe të mbrohet përmes mekanizmave të tjerë.


Profesori i Fakultetit të Filologjisë, Rrahman Paçarizi, kishte deklaruar me herët për medie se këto lloje zgjidhjesh e propozimesh për ligjet e mbrojtjes së gjuhës shqipe janë rezultat i  mungesës së kreativitetit dhe i mungesës së dijes së atyre që propozojnë këto ligje.

Sipas tij, gjuha duhet të kultivohet e të zhvillohet përmes arsimit gjuhësor, përmes mekanizmave të dijes, të cilët ndikojnë për ta zhvilluar gjuhën e jo përmes ligjesh, të cilat i sanksionojnë gabimet.

“Nga kush duhet ta mbrojmë gjuhën, nga folësit e saj? Nëse këtë ia thoni një sociolinguisti të huaj, që merr vesh sado pak nga gjuhësia, sigurisht që do t’ju shikonte çuditshëm ose edhe do t’ju rekomandonte ndonjë trajtim te psikologu”, kishte deklaruar Paçarizi.

Më tutje ai ka theksuar se në Kosovë dhe në Shqipëri nuk ka fare nevojë për ligj tjetër për gjuhën shqipe dhe se ligj të veçantë nuk ka askund në botë.

  “Të dyja shtetet i kanë ligjet e tyre për gjuhën, me të cilat përcaktohet se cilat gjuhë janë zyrtare në këto shtete. Ligj të veçantë për gjuhë standarde nuk ka askund në botë, mirëpo nëse ne duam të bëjmë një përjashtim nga bota, atëherë kjo është çështje tjetër”.

Më tutje ai ka thënë se Akademia e Shkencave ka edhe rekomandimet e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, ku ka pasur diskutime dhe kundërshtim të plotë nga ana e akademikëve të gjuhës shqipe lidhur me këto nisma, të cilat janë edhe më të hershme./KultPlus.com

New York Times: Shqipja, ndër tri gjuhët më të vjetra në botë

Sipas një studimi “New York Times” rendit armenishten si gjuhën e parë më të vjetër në botë, e dyta është greqishtja, e më pas vjen shqipja, prej nga rrjedhin shumë gjuhë të tjera.

Ndikimi i gjuhës shqipe në gjuhët e tjera në rajon, dhe pohimet se shqipja është gjuha më e vjetër vazhdojnë të jenë temë diskutimi dhe debati në Ballkan. Kjo për shkak se teoria përmban implikime të shumta etnike dhe politike dhe ushtron një ndikim të mundshëm në pretendimet e shteteve moderne për territore të kontestuara.

Sipas gazetës prestigjioze amerikane “New York Times”, gjuha shqipe radhitet në mesin e 3 gjuhëve më të vjetra të botës. Në studimin e publikuar dje dhe të përhapur rrufeshëm në të gjitha sitet online, paraqiten fakte se gjuha shqipe është ndër gjuhët më të vjetra të botës, madje si gjuhë është praktikuar që në kohën e Greqisë së lashtë.

“New York Times” rendit armenishten si gjuhën e parë më të vjetër në botë, e dyta është greqishtja, e më pas vjen shqipja, prej nga rrjedhin shumë gjuhë të tjera. Në fakt, kjo ka qenë tezë për shumë albanologë shqiptarë, të cilët gjithnjë kanë argumentuar se gjuha shqipe burimin e ka në gjuhen indoevropiane, e cila ka gjetur përdorim që në kohën para lindjes së Krishtit, respektivisht para epokës së re.

Si argument mbështetës të asaj që pohon në studimin e saj prestigjiozja “New York Times”, po u referohemi më poshtë kërkimeve shkencore nga të huajt që dalin në këto konkluzione shumë më herët. Në shekujt XIX dhe XX, shkenca e gjuhësisë krahasuese bëri të mundur që studiuesit të përcaktonin origjinën e gjuhës shqipe dhe lidhjet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane. Të shumtë ishin shkencëtarët që bënë emër në këtë drejtim, ku mund të përmendim filologun Gotfrik Lajbnik (1646-1717), i cili deklaroi se gjuha shqipe rrjedh nga ilirishtja. Hans Tunman pak më vonë (1746-1778), historian suedez, profesor në Universitetin e Halles të Gjermanisë, ishte albanologu i parë që studioi shkencërisht origjinën e gjuhës shqipe. Ai bëri kërkime në burimet greke, latine, bizante dhe studioi fjalorin tregjuhësh sllav-grek-shqip të Theodhor Kavaliotit të vitit 1770.

Hans Tunman arriti në përfundimin se, shqiptarët janë vazhdues autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, që as u romanizua dhe as u asimilua nga dyndjet e mëvonshme.

Johan Fon Han, 1811-1869, austriak i diplomuar për drejtësi në Universitetin e Haidelbergut, i cili shërbeu si gjykatës i shtetit të ri grek, dhe më vonë si nënkonsull në Janinë, iu fut studimeve të gjuhës shqipe bashkë me mendjendriturin, gjuhëtarin shqiptar, Kostandin Kristoforidhi. Botoi tri vëllime ‘Studime shqiptare mbi kulturën, gjuhën dhe historinë’ dhe nxori përfundimin se shqipja rrjedh nga ilirishtja dhe ilirishtja nga pellazgjishtja.

Franc Bop 1791-1867, profesor i Universitetit të Berlinit dhe themeluesi kryesor i gjuhësisë së krahasuar historike indoeuropiane, botoi në vitin 1854 veprën e tij dhe nxori përfundimin se shqipja bën pjesë në familjen indoevropiane dhe është gjuhë e veçantë pa simotër gjuhë tjetër. Dhimitër Kamarda, filolog italian me origjinë shqiptare, botoi veprën ‘Një ese e gramatikës krahasuese rreth gjuhës shqipe’ më 1864, ku vërtetoi me dokumente lashtësinë e gjuhës shqipe si një gjuhë ndër më të vjetrat në botë. Gustav Majer, 1850-1900, profesor austriak në Universitetin e Gracit, anëtar i Akademisë së Shkencave të Vjenës, i cili u specializua në fushën e studimit të gjuhëve shqipe, greke dhe turke, botoi librin ‘Mbi pozitën e gjuhës shqipe në rrethin e gjuhëve indoevropiane’ në vitin 1883, që më vonë u pasua me 8 vëllime shkencore mbi historinë, gjuhën, poezinë, përrallat popullore shqipe dhe ngulmimet e arbëreshëve në Itali dhe Greqi./KultPlus.com

Zaev: Do ta rishikojmë ligjin për gjuhën shqipe

Ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike do të rishikohet bazuar në vlerësimit e Komisionit të Venecias. Kështu ka paralajmëruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev duke komentuar mendimin e Komisionit të Venecias, i cili të premten doli me një sërë vërejtjesh lidhur me përmbajtjen e këtij ligji, që edhe në fazën e miratimit kishte shkaktuar tensione e reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut.

Zaev tha se do të ketë ndryshime në pjesën që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe në gjyqësor, në mënyrë që të shmanget situata që rrezikojnë të drejtat tjera dhe që të mundësohet e drejta e përdorimit të gjuhës amtare.

Komisioni i Venecias ka konstatuar se përmbajtja e ligjit mund të ngadalësojë në mënyrë domethënëse funksionimin e të gjithë gjyqësorit, duke rrezikuar shkelje serioze të së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me të Konventën ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

“Gjuhët janë që njerëzit të kuptohen mes veti, ne kemi dalë në një zgjidhje ligjore, por edhe atëherë, kur debatuam në kuvend dhe pas miratimit të tij thamë se do të presim Komisionin e Venecias dhe do ta respektojmë vlerësimin, kështu që qëllimi im është të respektojmë Komisionin e Venecias. Ministria e Drejtësisë do të përgatisë ndryshimet dhe ne do t’i dërgojmë ato përsëri për miratim në kuvend, në përputhje me vlerësimet e Komisionit të Venecias”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Partia opozitare VMRO-DPMNE, e cila në vazhdimi është deklaruar kundër Ligjit për gjuhët, kërkon që të respektohet qëndrimi i Komisionit të Venecias, që sipas kësaj partie “konfirmoi vërejtjet dhe kritikat që qytetarët dhe VMRO-DPMNE i patën në kohën e miratimit të ligjit”.

“Pozicioni i Komisionit të Venecias duhet të respektohet, veçanërisht pasi ne jemi një vend që po synon anëtarësimin në Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë thënë se “Komisioni i Venecias ka mbështetur tërësisht politikat tona për barazi gjuhësore”, pa komentuar vërejtjet e komisionit.

Komisioni i Venecias gjithashtu rekomandoi që detyrimi i përdorimit të gjuhës shqipe në komunikim ndërinstitucional dhe të brendshëm mes shërbyesve administrativë dhe atyre civilë, të kufizohet në komunikim zyrtar të shkruar ose futja e tij në fuqi të shtyhet deri në zbatimin e duhur të asaj dispozite sa të jetë e pranueshme.

Ligji për përdorimin e gjuhëve që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe është miratuar më 14 mars të vitit 2018, por hyrja e tij në fuqi është zvarritur për gjatë kohë meqë ish-presidenti, Gjorge Ivanov refuzonte dekretimin e tij.

Ligji që është në fuqi parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në qeveri, kuvend, organet e pushtetit gjyqësor dhe administratën publike. Edhe mbishkrimet e të gjitha institucioneve në nivel qendror janë në dy gjuhë, ndërsa në nivelin lokal gjuha shqipe do të përdoret në të gjitha komunat ku më shumë se 20 për qind e popullatës flasin gjuhën shqipe./rel/ KultPlus.com

Mania pas emërtimeve të huaja i kushton shumë gjuhës shqipe

Për t’u treguar sa më modernë e europianë, ne shqiptarëve na ka përfshirë edhe një mani deri në marrëzi, në vendosjen e emrave që nuk kanë asnjë lidhje me gjuhën e bukur shqipe.

Dhe kjo mani fillon që me vënien e emrave bebeve të sapolindura e deri tek emërtimi i dyqaneve, lokaleve e institucioneve të ndryshme. Shfletojmë regjistrat e shkollave dhe gjen në ta emra nxënësish nga më të ndryshmit që nuk kanë asnjë lidhje me traditën, aktualitetin, gjuhën shqipe e shqiptarët.

Hasim emra të tillë si Roes, Enki, Erda, Alesja, Sindi, Saldi, Fabrizio, Elmisa, Asli, Ruseli etj. dhe nuk e kuptojmë se çfarë domethënie kanë, me se lidhen, nga e kanë origjinën, e ç’kuptime simbole kanë. Në shumicën e rasteve, as prindërit vetë nuk e dinë përse ua kanë vënë e çfarë duan të thonë emra të tillë, përveçse shumica e tyre janë thjesht bashkime mekanike shkronjash, gjoja si gjetje të reja që të mos i ketë kush tjetër këta emra në lagjen, fshatin apo qytetin ku banojnë. Askush nuk mund t’i dallojë dot, se në ç’gjini janë, nëse nuk i ka parasysh, emra të tillë si Eni, Enki, Sindi, Saldi, Asli, Ani, etj. Në vënien e emrit të bebes, duhet të kemi parasysh, se ai ndikon shumë në karakterin e fëmijës, sidomos kur të rritet, deri sa ai të shprehet: “Mu mërzit emri që mbaj!” Kjo ka të bëjë sidomos me qëndrimin qesharak që mbajnë moshatarët ndaj tij. Emrat duhet të jenë të ndarë sipas seksit. Sipas një studimi është konstatuar se djemtë që mbajnë emra vajzash janë më agresivë. Kjo për faktin se ata fizikisht janë më të fuqishëm se adashet e tyre. Po të krahasojmë dy emra, që në formë duken si modernë, Bollma dhe Alma, të thelb kanë një semantikë krejtësisht të kundërt. Bollma është një emër vajze, i formuar nga dy fjalë “boll” dhe “më”, të cilin ia kishte vënë babai, për të ndërprerë lindjen e vajzave që kishte boll, e për të patur një djalë! Mirë po, jo vetëm që nuk ndodhi një dëshirë e tillë e prindërve, por shokët e klasës filluan ta tallnin Bollmën, duke e thërritur “bolla”! Po kështu ndodh edhe me emri Asije, me origjinë arabe, që në shqip do të thotë “gjynahqare, mëkatare”. Këtë emër të kthyer në shaka, e dëgjuam një ditë në një ambient studentësh, të cilët pasi ia kishin mësuar përkthimin, pyesnin për shoqen e tyre me ironi: Ku është ajo mëkatarja?! Emri i njeriut duhet të lidhet me diçka, me traditën, me palcën shqiptare, me gjuhën e lashtë.

Njerëzit e çdo vendi, dallojnë jo vetëm nga gjuha, traditat, folklori, veshja, por edhe nga emrat që mbajnë banorët e tij. Në Shqipëri askush nuk u vë fëmijëve emra kinezë apo japonezë, përveçse njërit, që ia vuri në monizëm djalit Mao Ce Dun, për respekt të udhëheqësit kinez, e me këtë fakt u realizua edhe një film i bukur artistik. Prindi, kur i vë emrin fëmijës së tij, duhet të mendojë se djali apo vajza nuk do të jetë gjithmonë i vogël, por nëse ai emër i pëlqen atij edhe kur të jetë i rritur. Si mund të tingëllojë vallë emri Sindi, i një gjysh me kapele apo me qeleshe dhe i një gjysheje me shami të zezë në kokë?! Është vënë re se prindërit më pak të arsimuar në vendosjen e emrave, janë më shumë tradicionale se disa intelektualë, që duan ta shprehin kulturën dhe modernitetin e tyre edhe në vendosjen e emrave. Në vendosjen e emrit të foshnjës, është e mira të mbahet parasysh fakti të mos vihen emra, që mund të ketë mbajtur një pjesëtar tjetër i familjes, të cilët përgjithësisht ishin emra të vjetër arabë e turq për myslimanët dhe italianë e grekë për të krishterët. Sa vulgarë tingëllojnë sot emra të tillë, Mahmud, Spiro, Niqifor, Dullë, Mazllum, Pilo, Hava, Shkurte e të tjerë të kësaj kategorie. Kur themi të mos përdoren emra pa domethënie apo me origjinë të huaj, kjo nuk do të thotë që të kufizohemi në një grup emrash të pëlqyeshëm. Pati një kohë që u kthye në mani vënia e emrave të tillë si Enver, Ilir, Arben, Besnik, Behar etj. Nuk është e kurdisur, por fakt, që kur isha në shkollë të mesme, kishim në vitet e para 28 vajza nga veriu, ku 13 prej tyre e kishin emrin Dile! Aq shumë vlerësohet emri që i vihet foshnjës, sa që disa e paramendojnë atë qysh kur nëna mbetet shtatzënë dhe biles ka edhe që e lidhin emrin me jetëgjatësinë e fëmijës. Kështu një prind që nuk i jetonin vajzat, i vuri vajzës së fundit emrin Dorotea “dhuratë e zotit” dhe kjo, për koincidencë jetoi e u rrit. Kurse një familje tjetër, që nuk i rronin djemtë, e mbajti emrin e tij sekret për një vit, pa e ditur askush, përveç atij që ia vuri. Në vënien e emrit të fëmijës duhet të kihen parasysh edhe dy këshilla të tjera; emri duhet të jetë sa më i shkurtër, që të mos ketë më mundësi shkurtimi si dhe të mos jetë i njëjtë me mbiemrin, por të përshtatet ose të rimojë me të.

E themi këtë se shkurtimi i emrave, duke u kthyer në mani, nganjëherë deformon komunikimin dhe konfidencialiteti bëhet banal. Mani e theksuar, që tanimë është kthyer në sëmundje të pashërueshme, është vendosja e emrave të huaj dyqaneve e lokaleve. Jo vetëm në qytete kryesore, por në çdo qytet e fshat po vendosen emërtimet e huaja në lokale, në dyqane e restorante luksoze. Ecim rrugëve të kryeqytetit dhe në të dyja anët mbushur dyqane e lokale, me tabela krejtësisht në gjuhë të huaj. Lexojmë psh “Obsession” dhe kur futemi brenda në dyqan shikojmë rroba e këpucë. Në një tjetër lexojmë “Blue fly” dhe sapo vendosim këmbën brenda ndeshemi me lloje të ndryshme këpucësh. Po kështu vazhdojmë të lexojmë tabelat me emrat “Preciosa”, ku dyqani mban ora dore, e “Beautyline” ku shiten artikuj kozmetikë, “Pierre lannier” ku përsëri shiten ora dore, e kështu mund të vazhdosh në gjithë rrugën “Myslim Shyri”. Pyetëm shitëset e këtyre dyqaneve se ç’kuptim kishin këta emra, por ata rrudhin supet, duke na thënë se këtë “e dinë pronarët që i kanë vënë”. Kudo emërtime llamburitëse, marramendëse, që nuk shprehin asgjë nga malli që mbajnë brenda.

Duke qenë mes emrave të huaj, muzikës së huaj, prodhimeve të huaja, veshjes së huaj, mos vallë kështu po e meritojmë formalisht emrin “qytetar i botës”! Më kanë mbetur në mendje fjalët që më tha ai veterani që ishte ulur në një qoshe të rrugës “Gjeneral Nikols”. “Pse lodheni kot, po na mbyt huaja, ia kemi vënë këmbën shqipes. Vetëm emrat e furrave të bukës dhe byrektoret kanë mbetur shqip, po nuk u kujtuan që t’i bastardojnë edhe këto”, na tha ai/ Ramazan Sherja / KultPlus.com

Aurela Konduri, Rozana Rushiti dhe Marina Parizi me libër studimor për Gjuhën Shqipe

“Shqipja dhe greqishtja, ndikimi te njëra-tjetra nisur nga përvoja e mësimdhënies tek fëmijë dygjuhësh”, është një studim i realizuar nga Aurela Konduri, Rozana Rushiti dhe Marina Parizi për të zbuluar përmes dygjuhësisë interferencat mes dy gjuhëve, shqipes dhe greqishtes, shkruan KultPlus.com

Ky studim është bërë në mënyrë që procesi i mësimit të gjuhës shqipe të rrjedhë natyrshëm dhe të bëhet pjesë integrale e jetës së fëmijëve.

Shkolla “Ardhmëria” në Londër nis mësimin plotësues në gjuhën shqipe

Gjuha Shqipe mbetet me peshë të madha për të gjithë ata që emigruan jashtë. Shumë familje shqiptare të shpërndara nëpër botë, sot kujdesen që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën e të parëve. Në këtë aspekt po punohet shumë nga grupe e shoqata të ndryshe të cilat po arrijnë të hapin shkolla e klasa plotësuese për nxënësit shqiptar, shkruan kultPlus.

Një shkollë e tillë është hapur edhe në Londër. Në mjediset e shkollës angleze St.Augustine’s CE Hight School, Kilburn në Londër ka nisur të mbaj mësim në gjuhën shqipe shkolla “Ardhmëria”. Çdo ditë nga ora 11:00 deri në ora 14:00 në këtë shkollë mbahet mësim plotësues në gjuhë shqipe.

Mësuesja Anila Kadija e cila punon me klasën e abetares, për grupmoshat 5 deri 8 vjeç dhe mësuesja Aida Haziri e cila punon me klasën e të rriturve, grupmoshat 9 deri 15 vjeç, si dhe mësuesja ndihmëse Klodiana Gjona janë shprehur që përkushtimi i tyre që këta nxënës të mësoj gjuhën shqipe do të jetë i pakufizuar.


Në ditën e parë, me 21 Shtator 2019, pasi drejtor Lutfi Vata bëri përshëndetjen e rastit dhe një prezantim të shkurtër rreth projekteve që ka kjo shoqatë, mësimi ka nisur rregullisht.

Prindërit janë njoftuar me rregulloren e shkollës dhe përmbledhjen e programit, si dhe me çdo aktivitet që do të mbahet aty.

Shkolla ju ofrua familjeve falas.

“Në klasën e abetares fëmijët u njohën me njëri-tjetrin duke u shprehur në gjuhën shqipe. Më pas u njohën me librin e abetares, të cilin e shfletuan me kujdes dhe zgjodhën faqen e preferuar, në mënyrën vizive. Çdo njëri prej tyre motivoi përzgjedhjen e preferuar me një përshkrim në shqip. Kjo ndihmoi në përcaktimin e nivelit të klasës dhe krijoi një panoramë më konkrete për punën e diferencuar e cila do të bëhet nga mësuesia në të ardhmen. Pas kësaj njohje u përgatit nga të gjithë nxënësit e klasës së abetares një vizatim didaktiv mbi ditën e parë të shkollës”, kanë njoftuar nga shkolla. / KultPlus.com



Reagim mbi librin e Gjuhës Shqipe të klasës së dytë: Kamila me syze dhe është e gjatë vetëm një pëllëmbë

Lexo përshkrimet që u bëhen dy fëmijëve, është udhëzimi në librin e Gjuhës Shqipe të klasës së dytë, dhe është dhënë një përshkrim për dy nxënës, që fëmijët më pas duhet të vizatojnë atë që kanë lexuar, shkruan KultPlus.

Në këtë pjesë të rrëfimit bie në sy që flitet për një vajzë të vogël e që bartë syze, por përpos syzeve ajo është e gjatë vetëm një pëllëmbë.

Ky përshkrim i vajzës që në këtë libër vjen me emrin Kamila ka zgjuar reagime në rrjetet sociale, të cilët kanë shprehur shqetësimin se si do të ndihen vajzat e vogla që bartin syze, e të cilat duhet ta zbërthejnë këtë detyrë.

Shumë prindër këtë pjesë të librit të Gjuhës Shqipe të klasës së dyte e kanë vlerësuar si skandaloze. KultPus ju sjell më poshtë këtë pjesë nga ky libër./KultPlus.com

Gjuha shqipe prezantohet në “Ditën Evropiane të Gjuhëve” në Institutin Gothe, Rotterdam, Holandë

Gjuha shqipe prezantohet në “Ditën Evropiane të Gjuhëve” në Institutin Gothe, Rotterdam, Holandë. Në festën tradicionale të diversitetit gjuhësor në Evropë që organizohet çdo 26 shtator, do të ketë aktivitete kulturore për të promovuar vlerat dhe kulturën tonë gjuhësore, shkruan KultPlus.com

Prej 18 vitesh, “Dita Evropiane e gjuhëve” bashkon njerëz me prejardhje dhe kultura të ndryshme me qëllim promovimin e diversitetit gjuhësor dhe kulturor të Evropës, rritjen e ndërgjegjësimit për gjuhët si dhe nxitjen e mirëkuptimit ndërkulturor me njëri-tjetrin.

Gjuha shqipe në programin e Universitetit të Regensburgut

Ministri i Shtetit dhe Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko, ka njoftuar se gjuha shqipe do të jetë pjesë e programit mësimor në Universitetin e Regensburgut në Gjermani, shkruan KultPlus.com

“Gjuha shqipe pjesë e programit mësimore në Universitetin e Regensburgut në Gjermani. Duke filluar nga ky semester, studentët kanë mundësi të njihen me konceptet bazë të gjuhës shqipe dhe përdorimin e saj në jetën e përditshme”, ka shkruar Majko në Facebook.

Hapet konkurs për mësues të gjuhës shqipe në Zvicër

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër ka hapur konkursin për mësues të gjuhës shqipe në disa komuna.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko bëri të ditur se konkursi është çelur për punësimin e mësuesve në komunat e Rorschach, Degersheim, Uzwill, Flawil, Oberriet, Buchs, Sevelen, Bad Ragaz, Sargans, Schmerikon dhe Uznach.

“Shpallet konkursi për mësues të gjuhës shqipe në Zvicër për vitin shkollor 2019-2020.
Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër ka hapur konkursin për mësues të gjuhës shqipe në komunat e Rorschach, Degersheim, Uzwill, Flawil, Oberriet, Buchs, Sevelen, Bad Ragaz, Sargans, Schmerikon dhe Uznach”, -thotë Majko.

Afati për dorëzimin e dokumenteve do të zgjatë 14 ditë. Në disa nga kantonet në Zvicër tashmë ka filluar mësimi i gjuhës shqipe, këtë të hënë do të fillojë edhe në Zyrih.

Zvicra është vendi, ku fëmijët shqiptarë mësojnë gjuhën shqipe më mirë se në të gjitha shtetet e tjera, ku ka emigrantë shqiptarë. Shkollat shqipe në Zvicër funksionojnë në kuadër të shkollave kantonale. / atsh / KultPlus.com

Skandaloze, testi kombëtar përplot gabime gjuhësore në detyrën e gjuhës shqipe

“Mësimet e Diolës” ka shpërndarë në Facebook një pjesë të testit kombëtar, detyrë që i nënshtrohen çdo vit nxënësit e Kosovës.

Në një detyrë nga lënda e gjuhës shqipe kjo pjesë e testit është përplot me gabime drejtshkrimore dhe teknike. Madje fjalët janë të shkruara njësh, të pandara me hapësirë mes tyre.

Ky test ka irrituar njohësit e gjuhës shqipe.

Për më shumë shikojeni dhe binduni.

Sa flitet gjuha shqipe në Zvicër?

Gjuha franceze është bërë më e popullarizuar në 50 vitet e fundit, derisa më pak zviceranë flasin gjuhën gjermane. Kjo lidhet me migrimin, përcjell albinfo.ch.

Pothuajse dy të tretat e njerëzve që jetojnë në Zvicër flasin rregullisht më shumë se një gjuhë. Me katër gjuhë zyrtare kombëtare, Zvicra ka një peizazh të veçantë gjuhësor dhe shumë gjuhë jo-kombëtare që mund të dëgjohen edhe në jetën e përditshme, shkruan ‘Swissinfo.ch’.

Sipas të dhënave aktuale nga Zyra e Statistikave Federale (FSO), pjesa më e madhe e popullsisë së përhershme flet gjuhën gjermane ose zvicerane gjermane. Në mesin e gjuhëve jo-kombëtare, gjuha angleze dhe portugeze janë më të zakonshmet e më pastaj është edhe gjuha shqipe, përcjell albinfo.ch.

Për shkak të numrit të madh të të huajve, edhe gjuhët e huaja gjithnjë janë më të përhapura në Zvicër.

Gjuha angleze po bëhet gjithashtu një gjuhë e shquar në Zvicër. Në vitin 2010, 4.6% e popullsisë zvicerane foli gjuhën angleze si gjuhë kryesore, krahasuar me 5.4% shtatë vjet më vonë. Kjo është gjithashtu për shkak të rritjes së emigracionit nga vendet që flasin anglisht, si Britania e Madhe dhe SHBA.

Në Zvicrën frankofone, emigrantët priren të përshtaten me gjuhën lokale. Për shembull, shumë njerëz që flasin spanjisht, portugalisht ose italisht emigrojnë në Zvicrën frankofone, dhe ata priren të mësojnë shpejt frëngjishten.

Dhe, të huajt në përgjithësi integrohen më shpejt në Zvicrën frankofone, sesa në Zvicrën gjermanofolëse.

Trendet e emigracionit janë të ndryshme në pjesën gjermanofolëse të Zvicrës. Për shembull, njerëzit që emigrojnë nga Kosova ose Turqia kanë më shumë probleme duke folur gjermanisht në fillim krahasuar me spanjollët që mësojnë frëngjishten në Zvicrën frankofone.

Sipas statistikave zyrtare, 62.6 flasin gjermanisht ose zvicerane-gjermane, pastaj 22.9 frëngjisht, 8.2 italisht dhe 0.5 romansh, përcjell albinfo.ch.

Nga gjuhët e huaja, 5.4 flasin anglisht, 3.7 portugeze, 3.2 shqip, serbisht ose kroatisht 2.5, spanjisht 2.4 dhe 7.7 gjuhë tjera. / KultPlus.com

Gjuha shqipe, lëndë zgjedhore në Turqi

Mësimdhënia e gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore në shkollat 8 vjeçare në Turqi, përkrah kurseve intensive të pavarura të shqipes u konsiderua sot si një arritje e rëndësishme nga Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Genti Gazheli.

Në mesazhin drejtuar shqiptarëve me rastin e festave të fundvitit, Gazheli evidentoi të gjitha sfidat dhe arritjet gjatë vitit 2018.

“2018-a po mbledh rrezet e fundit dhe kjo ambasadë mendon se i ka përmbushur më së miri sfidat që u shfaqën. Sfidat tona në të shumtën e rasteve ishin dhe janë kurorëzim suksesesh. Viti që po lëmë, për nga ana e realizimit të objektivave, mund të thuhet se ka shumë pika për tu vënë në pah”, tha Gazheli.

Numri i individëve apo i bizneseve, që duan të vijnë në Turqi apo të shkojnë në Shqipëri, sipas ambasadorit, është gjithnjë në rritje, transmeton atsh.

“Natyrisht, marrëdhëniet strategjike me Turqinë janë të përsosura dhe ne vazhdojmë të punojmë për cilësi të lartë në këtë aspekt. Gjithësesi, krahas këtyre marrëdhënieve të mira politike, fusha ekonomike mbetet përparësi, ku duhet punuar më tepër për këtë qëllim. Në këtë pikë ndërhyrja e Turqisë është thelbësore”, tha Gazheli.

Përsa i përket gjeopolitikës, Gazheli vlerësoi se Turqia është një ndër partnerët besnik të Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare kudo në botë, të cilën e ka vërtetuar me mbështetjen e fundit të kandidaturave tona në OSBE, në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal etj.

Përveç kësaj, Gazheli theksoi se ambasada shqiptare ka qenë aktive si në diplomacinë ekonomike me vizitat që ka bërë dhe në thithjen e investimeve. Po ashtu, ai nënvizoi asistencën e ofruar shqiptarëve apo rolin e ambasadës në ekuilibrin e marrëdhënieve me vendin pritës dhe vendin që mbulojmë.

Gjithashtu, Gazheli theksoi se shumë të sëmurë që zgjedhin të kurohen në Turqi falë marrëveshjes midis dy shteteve tona gjejnë mbështetje dhe zgjidhje këtu. /KultPlus.com

Ermali çorienton italianët me shprehjen shqiptare (FOTO)

Që pas triumfit në “Sanremo”, Ermal Meta është kthyer në një nga këngëtarët më të pëlqyer në Itali.

Ai është mjaft aktiv në rrjetet sociale dhe shpesh postimet e tij janë në gjuhën italiane, por së fundmi këngëtari ka postuar një foto dhe bashkëngjitur saj ka shkruar në shqip, por kjo ka çorientuar fansat e tij italianë.

Meta si ka përdorur një shprehje popullore, e cila përshtatet me pozën që ka marrë. “Rri shtrembër dhe fol drejt”, ka shkruar këngëtari në postimin që ka çmendur italianët, të cilët nuk e kuptonin dhe nuk mund ta përkthenin gjuhën shqipe.

“Tani duhet të nis një kurs për gjuhën shqipe që të kuptojmë”, i shkruan një komentues.

“Çfarë? Unë flas pak italisht dhe pak anglisht. Nuk e kuptoj gjuhën tënde. Këtë radhë duhet përkthimi. Shqipja nuk është një gjuhë e lehtë. Unë nuk kuptova gjë, vetëm fjalën e fundit”, janë disa nga komentet që i kanë lënë fansat e tij.

Por sigurisht që komentuesve italianë të cilët u munduan të gjenin përkthimin i erdhën në ndihmë shumë shqiptarë, të cilët u munduan ti shpjegonin shprehjen tonë popullore.

“Është një shprehje në shqip “Rri shtrembër dhe fol drejt”, pak a shumë. Mbase në italisht nuk ka shumë kuptim, por tek ne po”, ka shkruar një shqiptare./ KultPlus.com

Në Selanik nis cikli mësimor i gjuhës shqipe

Të dielën, më 7 tetor, ora 11:30, në godinën e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” në Selanik, Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” fillon ciklin mësimor të gjuhës shqipe për vitin akademik 2018-19, shkruan KultPlus.

Fëmijët e emigrantëve shqiptarë të moshave 6-17 vjeç janë të mirëpritur të regjistrohen për të filluar ose për të vazhduar mësimin e tyre në gjuhën shqipe nën kujdesin e mësuesve vullnetarë të kualifikuar.

Paralelisht do të bëhen regjistrimet për grupin e valleve popullore me nxënësit e ciklit mësimor. / KultPlus.com

Ju mohohet e drejta për të mësuar gjuhën amtare, nxënësit shqiptarë në Maqedoni nuk e dinë as alfabetin e gjuhës shqipe

12 nxënës shqiptarë të fshatit Bajnicë në Qashkë të Velesit në Maqedoni asnjëherë nuk e kanë pasur fatin ti mësojnë 36 shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe. Kjo për shkak se e drejta e tyre për tu arsimuar në gjuhën amtare është mohuar.

Ata janë të detyruar të udhëtojnë deri në shkollën qendrore në Qashkë dhe mësimin ta mësojnë në gjuhën maqedonase.

Ata mësojnë gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase para gjithçkaje.

Numri i fëmijëve shqiptarë në këtë shkollë është rreth 30-të.

Të pyetur nga gazetarja nëse dinë shkrim dhe lexim në gjuhën shqipe, nxënësit plotë ngurrim dhe duke mos dashur të thonë jo, ato thonë po, por në fakt njëra nga nxënëset pohon që dinë vetën dy shkronja në gjuhën shqipe, A dhe B.

Përderisa të tjerët pohojnë që nuk dinë asnjë shkronjë, ama ata flasin mirë shqip dhe pohojnë që kanë dëshirë të mësojnë shqip.

Banorët shqiptarë atje, janë të shqetësuar për këtë problem dhe shpresojnë që fëmijët e tyre të fillojnë të mësojnë shqip në shkollë.

“Ne kemi mbaruar por shpresojmë të bëhet diçka për fëmijët tanë”.

Fshati Bajnicë ndonëse konsiderohet shembull për bashkëjetesë ndëretnike, banorët shqiptarë aty nuk janë të gatshëm që fëmijët e tyre të martohen me maqedonas. /KultPlus.com

Shqipja mësohet në shumë universitete të botës

Gjuha shqipe mësohet në shumë universitete të botës, diku si lëndë zgjedhore në kuadër të gjuhëve ballkanike, e në disa universitete janë katedrat e veçanta të gjuhës shqipe.

Vendi që ka më shumë katedra të gjuhës shqipe është Italia, aty ku janë arbëreshët. Ndërkohë, gjuha shqipe përveç që mësohet si gjuhë, ajo mësohet edhe në aspektin akademik, që u shërben studiuesve të huaj për hulumtime shkencore, historike e kulturore.

Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë. Gjuha shqipe mësohet dhe studiohet në disa universitete dhe qendra albanologjike në botë. Dekanja e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Lindita Rugova, tha për Radio Kosovën se shumë universitete të njohura në Itali kanë katedra të gjuhës shqipe si dhe degë të vogla në kuadër të gjuhëve ballkanike.

“Katedra më e vjetër e gjuhës shqipe është ajo e Universitetit “Lorientale” në Napoli, pastaj në Kalabri në Kozencë, në Sicili, në Palermo, në Lece, në Romë, në Venecia. Pra, shumë universitete të Italisë kanë një degë të vogël, një katedër shpeshherë në kuadër të gjuhëve ballkanike, por këto që përmenda janë katedra më vete”, tha ajo.

Dekanja Rugova, tha se në vendet e rajonit janë të hapura katedrat, që në kuadër të tyre mësohet dhe studiohet gjuha shqipe. Në universitetet evropiane gjithashtu, studiohet në SHBA, Rusi e më gjerë. Studiuesi bullgar Anton Pançev, pedagog në Universitetin e Sofjes në degën e Ballkanologjisë, thotë për Radio Kosovën se çdo vit pranohen nga 15 studentë që duan të studiojnë gjuhën shqipe.

“Studentët tanë i përdorin këto mundësi, të zhvillojnë studimet e tyre. Në doktoratë kemi disa doktorantë shumë të suksesshëm në fushën e shqipes, qoftë në letërsi, qoftë në gjuhësi. Mësimi i shqipes në Bullgari ka tradita të vjetra, ka 60 vjet tani. Studentët tanë vazhdojnë të kenë sukses jo vetëm në mësimin e shqipes, por edhe në rileximin profesional”, tha ai.

Gjuha shqipe përveç që mësohet si gjuhë, ajo mësohet edhe në aspektin akademik, që u shërben studiuesve të huaj për hulumtime shkencore, historike e kulturore. Universiteti i Prishtinës bashkëpunon ngushtë me universitetet botërore, që brenda tyre kanë programe dhe kurse për gjuhën shqipe. Pedagogët e studiuesit e gjuhës shqipe në ato universitete, shkëmbejnë studimet e hulumtimet e tyre me universitetet shqiptare në Prishtinë e Tiranë.

“Java Arbëreshe” dëshmoi edhe njëherë se si ruhen gjuha dhe traditat

Instituti i Librit dhe i Promocionit, në bashkëpunim me Bashkinë San Giorgio Albanese, në provincën e Kozencës në Itali, në datat 21 deri më 29 korrik, organizuan edicionin e dytë të projektit “Java arbëreshe – 2018”, në kuadër të një projekti edhe më të madh rajonal “Festa dei popoli” (Festa e popujve).

Një grup i formuar nga studentë të Fakultetit të Arteve të Bukura dhe Fakultetit të Artit Skenik (Universiteti i Arteve të Bukura në Tiranë) dhe nga piktorë të mirënjohur të peizazhit, pjesë aktive e kolonive të organizuara nga ILP ndër vite, u nis më datë 21 korrik nga Tirana drejt San Giorgio Albanese-s apo si i thonë banorët e tij arbëreshë, drejt Mbuzatit.

Gjatë Javës Arbëreshe nga grupi i të rinjve shqiptarë dhe të rinjve arbëreshë u realizuan disa vepra artistike dhe veprimtari kulturore.

Tri murale me temën e Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar, qëndresën e tij dhe natyrën e bukur të San Giorgio-s, u realizuan nga studentët e arteve: Lidja Keçaj, Përparim Gjonaj, Ardian Engjëlli, Adri Sado, Mirjana Madhi, Endri Doce, të drejtuar nga profesori i tyre Shpëtim Kërçova, profesor pranë Universitetit te Arteve, Fakulteti i Arteve të Bukura.

Mbi njëzet piktura të realizuara nga piktorët pjesëmarrës, Viktor Bejkosalaj, Skënder Strica, Çaush Vathi, Jordan Finidiku, Shpëtim Xhema, Kudret Durollari dhe Osman Tonuzi, u ekspozuan ditën e fundit të këtij aktiviteti për kënaqësinë e të gjithë banorëve të qytezës. Në këto piktura u pasqyruan me art bukuritë e kësaj zone me një histori të lashtë e të gjatë ku arbëreshët ruajnë ende me mjaft dashuri e përkushtim si gjuhën ashtu edhe traditat me të cilat u nisën mbi 500 vjet më parë drejt brigjeve të Italisë për t’u strehuar në zonën piktoreske dhe bujare kalabreze. Kjo qytezë, ku përveç arbëreshëve dhe italianëve ka edhe mjaft emigrantë të ardhur në vitet e fundit për të gjetur strehim aty, për shkak të kushteve të vështira të jetesës në vendet e tyre, është një shembull i gjallë respekti dhe mirësie ndaj miqve në një tokë ku këto vlera kanë qenë ndër shekuj shtyllat e jetesës së qytetarëve të saj.

Gjatë kësaj jave grupi artistik shqiptar pati mundësinë të vizitonte dy qyteza të tjera, si: Corigliano Albanese (ku vizituan kështjellën e Dukatit e ngritur në shekullin e XIII) dhe qytetin e Acri-t.

Në Muzeun MACA (Muzeu i Artit Bashkëkohor në Acri) patën mundësinë të vizitonin ekspozitën e quajtur “Albania: The Spirit of Times”, e cila ishte kuruar nga Artan Shabani e Boris Brollo.

Në mbrëmjen finale u organizua një festë për të gjithë banorët, ku pjesëmarrësit në “Festa dei popoli” kishin përgatitur gatime tradicionale të vendeve të tyre. Grupi shqiptar përgatiti, me këtë rast, disa gatime tradicionale shqiptare, si: byrek me spinaq, patëllxhanë të mbushur, shëndetlije, biskota, të cilat u vendosën në stenda, ku gjendeshin gatime tradicionale nga vende, si: Nigeria, Afganistani, Siria, Egjipti etj.

Gjithashtu, grupi i talentuar i studentëve balerinë: Endri Sejati, Ema Bilbilaj, Fjoralba Hasanbelliu dhe Marigen Disha, të përgatitur nga prof.dr.asoc. Roberta Mone, pedagoge në Universitetin e Arteve, Fakulteti i Artit Skenik, kërcyen për kënaqësinë e të pranishmëve valle popullore të të gjitha trevave shqiptare, të cilat u finalizuan me zbritjen në shesh për të vallëzuar bashkë me publikun pjesëmarrës në koncert.

Ky aktivitet u organizua falë iniciativës dhe mikpritjes së kryetarit të Bashkisë së San Giorgios Albanese, Gianni Gabriele dhe zëvendëskryetarit të Bashkisë, Sergio Esposito, /KultPlus.com

Gjuha Shqipe e katërta në tabelën e rrugës që lidh Memorialin e Reçakut dhe Kullën e Lirisë

Rruga shtrihet nga Kompleksi Memorial i Reçakut deri te “Kulla e Lirisë”, punimet e saj janë bërë nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk).

Në Komunën e Shtimes e cila ndodhet në pjesën qendrore të Kosovës, ditë më parë u bë hapja e rrugës së ndërtuar duke filluar nga Kompleksi Memorial i Reçakut deri te “Kulla e Lirisë”, punimet e së cilës janë bërë nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk).

Kjo rrugë e re, e cila lidh dy vende të rëndësishme për Komunën e Shtimes, atë të Kompleksit Memorial të Reçakut dhe “Kullës së Lirisë”, aty ku janë masakruar 45 civilë nga forcat serbe në vitin 1999, është hapur nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk) në bashkëpunim me komunën.

Mirëpo ajo që i ka lënë përshtypje ish-kryeredaktores së gazetës “Zëri”, tani anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbana Xharrës, është tabela njoftuese.

“Reçak, 26.07.2018, në inagurimin e rrugës dhe të Kullës, gjuha shqipe e katërta. Në këtë zonë ku u zhvilluan luftimet më të ashpra nga UÇK. Mjerim!”, është reagimi i saj në një postim në Facebook.

Rruga ka një gjatësi prej afro 1,5 kilometrash dhe punimet për hapjen e saj kanë nisur më 11 prill të vitit 2018.

Në hapjen e kësaj rruge morën pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım, përfaqësuesit komunal, të Forcave të Sigurisë së Kosovës si dhe banorë të Shtimes./KultPlus.com

Gjuha jonë sa e mirë!

Shkruan: Iva Tiço.

Në morinë e titujve të portaleve, që gjatë ditës së dielë bëjnë çmos për të marrë klikime njerëzish, që janë duke u shullyer buzë detit, më bëri përshtypje një lajm, sipas të cilit një baba kërcënonte se nuk do e qaste në shtëpi të bijën… Si gjithë lexuesit e të dielës, edhe unë klikova sipër, për të lexuar ndonjë dramë familjare, telenovelë me personazhe realë, për të zbuluar më pas se, në fakt, lajmi ishte shumë më i bukur sesa këto historitë banale: një zotëri, në programin e Ardit Gjebresë, kishte thirrur të bijën që jetonte në Itali dhe ishte e martuar me një italian dhe veç falenderimeve dhe dashurisë së një ati, i kishte kërkuar që t’i mësonte të birit patjetër shqipen. I kishte vënë edhe afat, deri në fund të vitit, më duket, duke e “kërcënuar” se përndryshe mos të guxonte të shkonte në shtëpinë e tij (kjo pjesë më kishte ngatërruar në tituj).

Kolegët e mi të portaleve ndoshta do merrnin të njëjtat klikime, në mos edhe më shumë, nëse nuk do abuzonin me titullin. Sepse çdokush nga ne njeh ndonjë gjysh në moshë të thyer, që bën përpjekje titanike për të bërë ndonjë përshëndetje në anglisht, italisht, gjermanisht dhe edhe në gjuhë të rralla për të folur me nipër e stërnipër nëpër botë dhe në fund pasi nuk kuptohet me fjalë, merret vesh vetëm me gjuhën e dashurisë, të mallit, të lotëve. Po ashtu, çdokush prej nesh njeh shumë prindër, që mes vështirësive të jetës në emigracion, ia dalin të gjejnë kohën t’u lexojnë fëmijëve libra në shqip, të këmbëngulin e t’u flasin
shqip edhe kur fëmijët e tyre janë në moshën kur nuk duan të ndihen ndryshe nga shokët dhe duan të fshehin çdolloj prejardhjeje të ndryshme nga të tjerët, apo prindër që blejnë abonime satelitore, vetëm që në shtëpitë e tyre të dëgjohet shqipja, apo që sakrikojnë pushimet e vetme vjetore që mund t’i bënin nëpër resorte luksoze, për t’i sjellë fëmijët në vendin ku ajo gjuhë është e gjallë, edhe pse fëmijët mund të mos kenë lindur këtu e ndoshta nuk kanë asnjë plan të vinë kur të rriten.

Nuk është thjesht patriotizëm. Eshtë vetëdije për gjuhën, për atë që të bën t’i përkasësh një kombi. Kemi një farë kompleksi ne shqiptarët, kur vjen puna tek shqipja. Në rastin më të mirë themi që i urrejmë patriotizmat për gjuhën, pasi propaganda
pesëdhjetëvjeçare dhe filmat me sakrificat e Rilindasve (atyre prej vërteti) na e kanë sjellë në majë të hundës dhe na kanë bërë të zgjedhim ekstremin tjetër. Dhe në rastin më të keq, kryesisht nga padija dhe injoranca, themi se shqipja është një gjuhë e varfër, që nuk na i thënka dot të gjitha! Nuk kam për qëllim të bëj një shkrim si i leksionet që kam bërë në shkollë, ku vërtetohej që shqipja është një nga gjuhët më të pasura dhe më të vjetra në botë. Veçse teksa mendoja për zotërinë që i lutej të bijës që t’i mësonte mirë fëmijës gjysmë-italian shqipen, nuk mund të mos më shkonte mendja tek dhjetëra fëmijë miqsh, të njohurish dhe kushërinjsh të mi, që nëpër shkolla private apo shtetërore të shoqëruara me kurse private gjuhësh të huaja, e kanë zëvendësuar shqipen me kohë me anglishten, edhe pse jetojnë në mes të Tiranës. Jo thjesht fjalët, që u vijnë fillimisht në anglisht, por dhe struktura të tëra fjalish, ç‘ka nënkupton që ata mendojnë në anglisht dhe kur flasin me ne, thjesht përkthejnë fjalë për fjalë. “E ç‘u duhet? As kanë për ta përdorur kurrë”, më thonë shumë prej prindërve, teksa tregojnë plane për shkollimin e tyre jashtë dhe se si edhe unë do mendoj po si ata, kur të bëhem vetë me fëmijë dhe se si kjo puna e gjuhës shqipe më dhimbset vetëm mua dhe një dore njerëzish që kemi shkollimin apo punën të lidhur me të, por për pjesën tjetër është vetëm një mënyrë për t’u marrë vesh.

Nuk mund të kthej tryezat e miqve në panel diskutimi televiziv, nuk më ka lënë mendja ta bëj këtë. Për më tepër që një mikeshë që më thotë të njëjtin argument, se fëmijëve nuk ka ç‘u duhet shqipja, e ka gjithashtu shkollimin dhe punën si pedagoge, ngushtësisht të lidhur me gjuhën shqipe, por është krejtësisht e dorëzuar para anglishtes së dy fëmijëve të saj dhe shpirtit të tyre praktik, për të futur në kokë vetëm gjërat që u hyjnë në punë ose që i zbavisin. Nuk mund t’u mbush mendjen as me vjershat e Naimit, as me “Udhën e Shkonjave” e Dhaskal Todrin. Në fund të fundit, kjo është puna e Ministrisë së Arsimit dhe asaj Akademie Shkencash që është ka ekzistuar më kot, pa shpënë as shkencën përpara, por dhe pa mundur të mbrojë atë që është bërë deri tani.

Megjithë ndrojtjen për t’u shfaqur si patriote – patetike (se dhe unë futem në kategorinë e atyre që pasi kanë mësuar Naimin me zor përmendësh, u vjen turp të dalin ta citojnë tani), nuk do doja që dhe Ministria e Arsimit ta ketë marrë me kaq mendjelehtësi këtë punë, po aq sa prindërit, që në fund të fundit janë në të drejtën e tyre të vendosin ç‘të duan. Në progamet mësimore të shkollave private do të mund të punohej në atë mënyrë, që edhe kur lëndet si matematika, fizika e kimia bëhen në anglisht, së paku të arrihet që fëmijët ta përvetësojnë më së miri gjuhën shqipe dhe t’u nxitet dëshira për të lexuar libra shqip. Vetëm Ministria e Arsimit e ka për detyrë që “gjuha jonë sa e mirë” të mos jetë thjesht një varg më shumë i njërës prej vjershave të mësuara përmendësh si detyrë klase…. Duhet të bëjë dhe ajo së paku po aq sa ata emigrantët, si ai zotëria dje në emision, për të cilët kjo gjuhë është jo vetëm e mirë, por e vetmja gjë që i bashkon me njerëzit e tyre dhe i bën të ndihen pjesë e një kombi.