YIHR KS mban sot aksion për Ditën e Kushtetutës së Kosovës

Për nder të Ditës së Kushtetutës, sot nga ora 13:00, YIHR KS do të mbaj një aksion para Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aksion do të shpërndahen 120 kopje të Kushtetutës së Kosovës tek 120 deputetët e deputetet e Kuvendit – jo si dhuratë e as si dokumente të thjeshta në letër, por si rikujtim i fuqishëm për deputet e deputetet tona rreth asaj se çka garanton dhe mbron kjo Kushtetutë – vlera të përbashkëta demokratike dhe parime të palëkundura të drejtësisë, barazisë dhe lirisë.

“Këtë ditë të Kushtetutës, përmes këtij aksioni, ne ritheksojmë që lufta jonë për barazi dhe liri, dhe për zhdukje të diskriminimit vazhdon më e fortë se kurrë. Ne refuzojmë të mbyllim sytë, dhe refuzojmë të pranojmë fjalë dhe sjellje denigruese, diskriminuese dhe cënuese nga deputetët të cilët thirren ne emër të po të njëjtës Kushtetutë që e përbuzin”, thuhet në njoftimin nga YIHR KS. / KultPlus.com

Presidentja uron Ditën e Kushtetutës: Ta ruajmë dhe ta mbrojmë sovranitetin që buron nga populli

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Kushtetutës, duke kujtuar sakrificën e popullit për ta jetësuar atë.

Ajo tha se në këtë përvjetor duhet kujtuar se sjellja konform Kushtetutës është ruajtja e sovranitetit të vendit.

“Sot në Ditën e Kushtetutës, kujtojmë sakrificën e gjatë e të dhimbshme të popullit tonë, në mënyrë që një ditë, në kushtetutën e vendit tonë, të jetësohet ëndrra për të jetuar të lirë.  Në përvjetorin e Kushtetutës, sikurse edhe çdo ditë tjetër, duhet veprojmë, të sillemi e të ecim, siç thuhet në aktin më të lartë juridik: ta ruajmë dhe mbrojmë sovranitetin, i cili buron nga populli dhe i takon popullit. Urime Dita e Kushtetutës!”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Krahas urimit, ajo ka publikuar edhe një fotografi të vajzave të saj pranë Kushtetutës.

Sot, Dita e Kushtetutës

Sot bëhen 13-vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

 9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot e kanë ditë pushimi. / KultPlus.com