Në Kukës po merr formë “Parku i Aventurave”

Kukësi do të ketë së shpejti “Parkun e Aventurave”.

Në Shishtavec të Kukësit po merr jetë “Parku i Aventurave” një investim që do të krijojë mundësi në rritjen e potencialit ekonomik të zonës.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto që tregojnë aspekte nga ky investim i ri, nën emrin “Parku i Aventurave”, që po merr formë në këtë zonë me bukuri natyrore.

“Po merr formë pak nga pak “Parku i Aventurave”, një investim i mençur i Bashkisë Kukës, një zonë magjepsëse të natyrës shqiptare si Shishtaveci, ku kemi një plan ambicioz zhvillimi të turizmit malor”, u shpreh Rama.

“Parku i Aventurave” është një projekt i fituar nga bashkia Kukës në kuadër të Skemës së Granteve të Zhvillimit Rajonal dhe Kohezionit të Programit (PZHRSH).

Nga ky investim do të promovohet zona nëpërmjet krijimit të hapësirave për zhvillimin e turizmit të aventurës dhe sporteve. / atsh / KultPlus.com

Gjykata Supreme ka konfirmuar pezullimin e “Parkut të Aventurave” në Gërmi

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe organizata “Qytetarët Aktivë”, kanë mbajtur konferencë për medie në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme për rastin e “Parkut të Aventurave” në Gërmi.

Flutra Zymi dhe Valbonë Mustafa nga OJQ ‘Qytetarët Aktivë’ e konsideruan këtë vendim një fitore shumë e madhe për të gjithë qytetarët! Sepse do të thotë që projekti nuk do të mund të zhvillohet dhe se Parku i Gërmisë nuk do të rrezikohet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e gjykatës. Ato bënë thirrje që ambienti të mbrohet dhe që aktivizmi qytetar të mos ndalet kur shkelje të tilla janë evidente.

“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur përfundimisht që të mbetet në fuqi pezullimi i projektit “Parku i Aventurave” në Gërmi deri në vendosjen përfundimtare të rastit sipas padisë. Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën e të paditurës Komuna e Prishtinës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke lënë në fuqi Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin gjithashtu ishte refuzuar si e pabazuar ankesa e Komunës së Prishtinës kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore me të cilin ishte shtyrë ekzekutimi i Vendimit të Komunës së Prishtinës, konkretisht lejes mjedisore komunale”, ehte thënë në komunikatën e tyre të përbashkët për medie.

“Gjykata Supreme ka konstatuar se gjykatat instancave më të ulëta kanë vepruar drejtë kur kanë vendosur që të aprovojnë kërkesën tonë dhe të Qytetarëve Aktivë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të organit administrativ deri në  vendosjen përfundimtare të rastit. Gjykata e shkallës më të lartë konfirmoi se, vendimet e gjykatave kanë dalë nga provat që vërtetojnë se ekzekutimi i vendimit të kontestuar paraqet rrezik për shkaktim të dëmit paditësve, i cili vështirë do të riparohej, duke marrë parasysh dëmin që mund t’i shkaktohet një parku të mbrojtur mjedisor dhe degradimit të natyrës. Po ashtu, është vërtetuar se kompanisë nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje e madhe, gjë që do të thotë se janë plotësuar kushtet ligjore për aprovimin e kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit”.

“GLPS dhe organizata Qytetarët Aktivë me padi për konflikt administrativ kanë kontestuar vendimin e lëshuar nga Komuna e Prishtinës për leje mjedisore për arsye se gjatë nxjerrjes së këtij vendimi ka pasur shumë shkelje ligjore. Të cilat janë si në vijim: Mungesa e debatit publik; më tej Leja Mjedisore Komunale dhe Vlerësimi i Pranueshmërisë për Zonën e Rrjetit Ekologjik është dhënë në kundërshtim me ligjin për Mbrojtjen e Natyrës si dhe mungesa e planit të Menaxhimit për Peizazhin e Mbrojtur Gërmia edhe pse ky është obligim ligjor që rrjedh nga Ligji për Mbrojtjen e Natyrës”. / KultPlus.com