“Shqipëria është mes 5 vendeve më të bukura që nuk duhen humbur gjatë muajit shtator, kur temperaturat janë të favorshme, kuzhina është e shijshme, vala e madhe turistike ka kaluar dhe çmimet ulen”.
Kështu shkruan media e njohur zvicerane “20min”, në një artikull ku u propozon lexuesve të saj 5 destinacione europiane për t’u vizituar gjatë muajit shtator mes të cilave, Franca, Turqia, Portugalia dhe Italia.
Me dy foto ilustruese të peizazhit piktoresk dhe të ujërave të kristalta të Ksamilit, prestigjiozja zvicerane ka veçuar Sarandën dhe rrethinat e saj.
“Saranda është afër kufirit me Greqinë. Duke marrë rrugën që të çon në Ksamil, një fshat simpatik, mund të shihni Korfuzin nga larg. Vendi është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Më në jug, mund të vizitoni me varkë dy ishuj të vegjël; Ishullin e Tongos dhe atë të Stillos”, shkruan mes të tjerash “20min”. / atsh / KultPlus.com
Mbi 2 milionë shtetas të huaj dhe shqiptarë kanë hyrë në vendin e Shqipërisë në muajin korrik të këtij viti.
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin e mbi lëvizjet e shtetasve, sipas të cilit hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin korrik 2022, shënuan rritje me 22,1 %, krahasuar me korrikun e 2021-shit.
Sipas INSTAT-it, në korrik, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.403.333. Ky numër është rritur me 21,1 %, krahasuar me korrikun e 2021-shit.
Nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,8 herë dhe Italia me 48 %, krahasuar me korrrik 2021.
Ndërkohë, gjatë shtatëmujorit të këtij viti, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4,5 herë dhe Greqia me 3 herë, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 4,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Referuar të dhënave të INSTAT-it, nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit korrik 2022 kanë dalë 1.869.366 shtetas të huaj dhe shqiptarë, duke shënuar një rritje me 28,1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit korrik është 555.978. Krahasuar me korrikun e 2021-shit, ky numër është rritur me 16,8 %. Ndërsa numri i shtetasve të huaj që kanë dalë nga territori i Shqipërisë është 1.313.388, ose 33,5 % më shumë se korrikun e 2021-shit.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë shtatëmujorit 2022, është 3.075.511, duke u rritur 41,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në korrik 2022, numri i shtetasve të huaj të hyrë në territorin e Shqipërisë për qëllime “personale” është 1.395.253, duke u rritur me 21,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /atsh /KultPlus.com
Me nderime të larta shtetërore, presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.
Presidentët pasi zhvilluan një takim, bën nderime edhe para memorialit për Personat e Zhdukur. Më pas Osmani dhe Begaj mbajtën konferencë për media.
Presidentja Osmani është shprehur se me presidentin Begaj do të punojnë ngushtë për ta avancuar rrugëtimin evropian të të dyja shteteve.
“Me Presidentin Bajram Begaj do të punojmë ngushtë për ta avancuar rrugëtimin evropian të shteteve tona, për ta fuqizuar zërin tonë kudo në botë dhe për të qëndruar bashkërisht në mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe lirisë.
Kjo vizitë e rëndësishme vazhdon traditën e presidentëve nga Shqipëria, të cilët e nisin mandantin e tyre me vizitën në Kosovë si konfirmim i mbështetjes së parezervë për Republikën e Kosovës, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për t’i thelluar raportet tona si shtete simotra.
Mirë se vini në shtëpinë tuaj, zoti President!”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com
Mbi 100 mijë turistë gjermanë kanë vizituar në shtatë muaj Shqipërinë, përkundrejt 52 mijë në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
Shifrat i publikoi sot kryeministri Edi Rama, i cili ndau në rrjetet sociale shkrimin e medies gjermane “Die Zeit”, e cila promovon turizmin në Shqipëri.
“Mediet gjermane vijojnë traditën e mirë të promovimit të Shqipërisë, ku këtë herë gjiganti “Die Zeit” i kushton një artikull rivierës shqiptare, florës e faunës”, shkruan Rama.
Më herët, mediet britanike, franceze dhe ato spanjolle kanë promovuar turizmin në Shqipëri, duke vlerësuar përveç natyrës edhe kulinarinë dhe traditat shqiptare.
Sipas statistikave zyrtare, nga muaji janar deri në korrik Shqipërinë e vizituan 38,915 turistë francezë, dyfish më shumë se sa vitin e kaluar kur ishin 19,184 të tillë.
Po ashtu për të njëjtën periudhë u regjistruan 18 820 turistë spanjollë, përkundër 4228 vizitorëve të së njëjtës periudhë të vitit që shkoi.
Ndërkohë, 90 mijë vizitorë nga Britania e Madhe kanë vizituar Shqipërinë në këto shtatë muaj./ atsh / KultPlus.com
Mbi 100 mijë turistë gjermanë kanë vizituar në shtatë muaj Shqipërinë, përkundrejt 52 mijë në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
Me nderime të larta shtetërore, presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.
Presidentët do të zhvillojnë një takim, pas së cilit do të bëjnë nderime para memorialit për Personat e Zhdukur. Më pas Osmani dhe Begaj do të mbajnë një konferencë për media.
Gjatë ditës, Begaj do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca si dhe me liderët e opozitës. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, kujton se 102 vjet më parë, më 3 gusht të vitit 1920, gratë shqiptare u organizuan për të ndihmuar në luftë për Atdhe.
Më 3 gusht 1920, u krijua në Shkodër, “Komiteti i Zojavet ‘Grueja Shqyptare‘ për ndihma bamirësie”. Synimi kryesor i Komitetit ishte mbështetja në mjete financiare dhe sende të ushtrisë shqiptare që ndodhej në front të luftës (bëhet fjalë konkretisht për përpjekjet mes ushtrisë shqiptare dhe asaj jugosllave, në Koplik)
Neni 2 i statutit të këtij komiteti, i dedikohet ndihmës për familjet e dëmtuara prej luftës. Pjesëtare e këtij Komiteti mund të ishte çdo vajzë e grua që dëshironte të kontribuonte vullnetarisht, në përputhje me Statutin e Komitetit. Kryetare nderi u caktua zoja e Hysen beg Bushatit, kryetare u zgjodh Shaqe Çoba, nënkryetare Age Koka, sekretare Paulina Leka, arkëtare Albina Ashiku e të tjera zonja shkodrane nënshkruan si anëtare dhe këshilltare.
Ky Komitet, veç përmasës së vet të bamirësisë, shpërfaq qartazi dhe një element tjetër të veprimtarisë shoqërore të nisur dhe të mbështetur nga vajzat dhe gratë në Shqipëri: shërben si piketë orientuese e lëvizjeve feministe që filluan të vepronin menjëherë pas organizimit shtetëror të Shqipërisë (Lushnje, janar 1920). Ngjarje të tilla me peshë historike do të përkujtohen përherë nga populli ynë -thuhet në postimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. / atsh / KultPlus.com
Qyteti antik i Butrintit në Sarandë, ka shënuar në 7 muajt e parë të këtij viti një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj.
Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrintit, tha për ATSH-në se “gjatë muajit janar-korrik Butrinti u vizitua nga 34 61 turistë vendas e të huaj, një rritje me 72 % ose 14 483 vizitorë më shumë se në 2021”.
Sipas saj, gjatë janar-korrik 2021 Butrinti u vizitua nga 20 135 vizitorë vendas e të huaj.
“Sa i përket të ardhurave nga biletat për mujorin janar-korrik të këtij viti kanë rritur me 68.7% ose 103 01 600 lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, tha Dhima.
Turistët në këtë vend shijojnë një itinerar interesant turistik mes rrënojave të qytetërimeve të lashta dhe peizazhit fantastik që ky vend të ofron në çdo stinë.
Butrinti sot është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Rëndësia historike e Butrintit është e jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje që të ecësh është një privilegj: statuja me gurë të bardhë nga epoka e August Oktavianit, Agripas, Antiohs, Serapisit, Livia Drusilas ngriheshin dikur këtu, si dhe vendi i lindjes së shumë qytetarëve të shquar në kohë të ndryshme apo gjeneralëve romakë gjatë epokës së ndritur të perandorisë kur qyteti quhej “Colonia Augusta Buthrotum” (Kolonia Augustiane Butrinti). / atsh / KultPlus.com
Shqipëria ka hyrë tashmë në radarët e destinacioneve turistike dhe fluksi i vizitëve të huaj sa vjen e shtohet në vendin tonë.
Një nga atraksionet që tërheq vëmendjen më të madhe është padyshim riviera e bukur shqiptare. Me shtrirjen e bregdetit që del nga kalimi malor i Llogarasë dhe përfundon në kufirin me Greqinë, bregdeti jugor i vendit të magjeps me vend plazhet e mrekullueshëm, gjiret e fshehura e fshatrat turistik.
Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi publikoi në rrjete sociale pamje nga bregdeti i Vlorës teksa shkroi se, “turistë të shumtë vendas dhe të huaj zgjedhin udhëtimin me anije për të parë mrekullitë e bregdetit të Jonit”.
Ekonomi u shpreh se, zgjidhja më e mirë gjatë pushimeve me anije në bregdetin e Vlorës është një ndalesë në ishullin e Sazanit dhe plazhet fantastike në gadishullin e Karaburunit.
“Një ndalesë në ishullin e Sazanit dhe plazhet fantastike në gadishullin e Karaburunit, bëhen shpejt një eksperiencë e parrahueshme për këdo”, shkroi Ekonomi. /atsh / KultPlus.com
Plazhi i Pishë- Poros, në Fier, me rreth 9.5 km vijë bregdetare ofron plazhe ranore dhe pyllin me pisha të buta.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Pishë Poros, ku bashkia është kujdesur të ketë hapësira publike, tërësisht të sistemuara dhe të pastra.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga plazhi i Pishë-Poros në Fier, një tjetër destinacion pushimi, që pret çdo ditë dhjetëra pushues, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
E shtrirë mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës, Pishë- Poro ofron një vijë bregdetare shumë të përshtatshme për zhvillimin e turizmit familjar.
Pishë- Poro është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë IV, ndërsa njihet si një zonë e pyjeve të pishës mesdhetare. / atsh / KultPlus.com
Pianoja antike e vjedhur në vitin 2015 në Konservatorin e Parmës në Itali, e cila u soll në vendin tonë për t’u shitur, iu dorëzua sot autoriteteve italiane.
Bëhet fjalë për një instrument ‘Clavikorda’ e shekullit të XVIII, pjesë e trashëgimisë italiane, e cila u gjet në një dyqan instrumentesh muzikore në Shqipëri.
Dorëzimi i saj është bërë nga Ministria e Drejtësisë, ministria e Kulturës për komandatin e Karabinierëve për trashëgiminë kulturore në një ceremoni të posaçme në ambientet e ministrisë së Drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se dorëzimi i pianos së shekullit të XVIII e cila ishte vjedhur në Itali është një shenjë e bashkëpunimit serioz me një vend mik që është Italia.
“Është një takim që shpreh një bashkëpunim të shkëlqyer që ekziston ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë edhe në fushën e trashëgimisë kulturore. Në fakt, objekti që do t’u dorëzojmë sot autoriteteve italiane do ta merret posaçërisht nga gjeneral Rikardi dhe stafi i tij. Është një objekt i trashëgimisë kulturore italiane me vlera të padiskutueshme historike, është një clavikordë që i takon shekullit të XVIII, saktësisht e prodhuar në vitin 1880, e cila është vjedhur në Parma në vitin 2015. Dhe falë një bashkëpunimi të autoriteteve gjyqësore të Parmës dhe autoriteteve shqiptare, konkretisht Prokurorisë së Tiranës, në tetor të viti 2021 është bërë e mundur gjetja e kësaj clavikorde. Instrumentin e ka dorëzuar në tetor të vitit 2021 një qytetar nga Vora dhe në fakt kjo clavikordë mbante vlera të jashtëzakonshme historike. I përket një koleksioni në Pama dhe që në tetor të vitit 2021 në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës është ruajtur dhe administruar në Ministrinë e Drejtësisë. E para si provë materiale e cila do iu dërgohet autoriteteve italiane por dhe si një objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore italiane”, tha Manja.
Manja u shpreh i lumtur që kjo vegël muzikore do të riatdhesohet në Itali dhe e konsideroi dorëzimin si një shenjë të bashkëpunimit serioz ndërmjet autoriteteve gjyqësore.
“Natyrisht, ky nuk është bashkëpunimi i parë por ne sot kemi rënë dakord që edhe në fushën e trashëgimisë kulturore bashkë me kolegen Margariti dhe ambasadën e Italisë në Shqipëri, ne ta shtrijmë këtë bashkëpunim në të ardhmen, pse jo për të bërë të mundur riatdhesimin reciprok të të gjitha veprave të trashëgimisë kulturore që personat në konflikt me ligjin të ndëshkohen kudo që ata janë. Ndërsa këto vepra të shkojnë aty ku ishin”, tha ministri Manja. /atsh / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga Kepi i Rodonit.
“Kepi i Rodonit një bukuri tërheqëse që ofron plazhe me rërë të bardhë dhe vende historike që kombinohen perfekt”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kepi i Rodonit është monument natyre. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug.
Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin.
Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse: të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut.
Bregu i Rodonit për turistët që e zgjedhin si destinacion, ofron aventurën, hiking, kanoe…etj.
Për të apasionuarit e historisë është kalaja. Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452.
Po ashtu për turizmin fetar, në Kepin e Rodonit janë katër manastire katolike, ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout. /ATSH / KultPlus.com
Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës pritën një numër të lartë lartë vizitorësh vendas e të huaj gjatë 2022.
Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “në muajt janar-korrik muzeu pati një numër të lartë vizitorësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në gati 7 muaj dy muzetë u vizituan nga 30 mijë vizitorë, 40% më shumë se në 2021-shin”.
Sipas tij, turistët e huaj janë polakë, spanjollë, izraelitë, francezë, amerikanë, egjiptianë, danezë, suedezë, etj.
“Këtë vit vihet re një rritje e konsiderueshme e turistëve spanjollë në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, të cilët bashkë me polakët përbëjnë dhe numrin më të madh të turistëve të huaj, që kanë vizituar muzeun gjatë këtij viti”, shton Hafizi.
Hafizi bën të ditur se “në Muzeun Etnografik vijojnë punimet për rikonstruksionin dhe do të jetë gati në tetor për të pritur turistët”.
“Konkretisht punimet janë përqendruar në pikturën murale “Oda e nuses”, ku po vijohet me ndërhyrjet konsoliduese si edhe me pastrimin e saj nga kripërat, nxirjet etj”, tha Hafizi.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.
Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeu është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90 % e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 % janë funksionale./ atsh / KultPlus.com
Puna për ndërtimin e tunelit të Llogorasë po vijon me ritme të larta, ku deri në fund të korrikut pritet të hapet më shumë se gjysma.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna që po bëhet për ndërtimin e këtij tuneli.
“Mirëmëngjes dhe nga tuneli i Llogarasë, ku punohet me ritme të larta e ku falë formacionit të favorshëm gjeologjik, deri në fund të muajit do të jetë hapur më shumë se gjysma e segmentit, ju uroj një ditë të mbarë”, thekson Rama.
Tuneli i Llogorasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit, deri në urën e Palasës.
Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bëjë që kjo rrugë të përshkohet për 7-10 minuta. / KultPlus.com
Agroturizëm “Sofra Kolonjare” në fshatin Mollas, Ersekë, mes një natyre përrallore me ajër të pastër e gjelbërim pa kufi, është një tjetër destinacion fantastik pushimi dhe relaksi.
Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto nga pika agroturistike, teksa u shpreh se “Sofra Kolonjare” është unikale në ndërtim e ngritur e gjitha në 3 kate prej druri nga vetë i zoti i shtëpisë Pëllumb Bilo dhe dy djemtë e tij.
“Me një kuzhinë plot shije nga prodhimet e fermës së familjes, si dhe guidat në shtigje malore me mundësinë për kamping me një panoramë fantastike përballë malit të Gramozit e bëjnë këtë agroturizëm ftues në çdo stinë”, shkruan Rama. / KultPlus.com
Trafikimi i qenieve njerëzore, përfshirë fëmijët, vazhdon të jetë shqetësim në Shqipëri, megjithë uljen e numrit të personave të trafikuar dhe shtimin e masave për parandalimin e fenomenit. Sipas ekspertes së UNICEF-it për programin e antitrafikimit, Sonila Pema, në të gjithë vendin janë evidentuar rreth 13 mijë persona të trafikuar ose në rrezik për t’u trafikuar. Kjo ka shtyrë UNICEF-in për të ngritur katër grupe pune me ekspertë në 6 prej qarqeve të vendit, për të identifikuar situatën e trafikimit në Shqipëri.
“Kemi ngritur katër ekipe lëvizëse për identifikimin e viktimave të mundshme apo viktimave të trafikimit në Shqipëri dhe, që nga fillimi deri në momentin që jemi duke folur, përfshirë Shkodrën, janë identifikuar 144 viktima të mundshme apo viktima të trafikimit në Shqipëri”.
Pjesa më e rrezikuar për trafikim janë fëmijët, një pjesë e tyre trafikohen drejt Anglisë apo vendeve të tjera të BE nga vetë prindërit. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se, vetëm gjatë vitit të kaluar, u regjistruan 109 fëmijë si viktima të mundshme të trafikimit, tre fëmijë të tjerë të trafikuar, ndërsa 67 fëmijë kërkuan azil në vendet e BE.
Këta persona, thotë ekspertja e UNICEF-it për programin e antitrafikimit, Sonila Pema, kalojnë në një proces referimi, në mekanizmin kombëtar të referimit, për të fituar ose jo statusin e viktimës së trafikimit, gjë që u mundëson mbështetje në procesin e riintegrimit.
“Janë rreth 300 persona që kanë marrë mbështetje të drejtpërdrejtë si viktima të mundshme apo viktima të trafikimit. Pa harruar edhe fëmijët e tyre, të cilët janë mbështetur nga shërbimet drejtpërdrejtë. Kjo për të kuptuar që në vend ka organizata, ka edhe institucione shtetërore, që mbështesin dhe japin shërbime për integrimin e tyre”.
Shkodra është një nga 6 qarqet e Shqipërisë ku UNICEF-i po punon për identifikimin e viktimave të trafikimit. Drejtuesja e komitetit rajonal për luftën kundër trafikimit, Majlinda Angoni, thotë se janë një numër strukturash dhe organizatash që po bashkëpunojnë për ndërgjegjësimin e komunitetit si dhe evidentimin e viktimave, ose viktimave të mundshme të trafikimit. Ajo shton se edhe në Qarkun e Shkodrës janë evidentuar raste të trafikimit.
“Që nga viti i kaluar kemi trajtimin e 9 rasteve të viktimave të trafikimit ose viktimave të mundshme të trafikimit që, së bashku me disa organizata joqeveritare, po bëhet trajtimi dhe rehabilitimi i këtyre viktimave. Themi se rastet janë në ulje”.
Për momentin, shton zonja Angoni, shqetësues mbetet situata në dy pikat kufitare me Malin e Zi, ku grumbullohen një numër i madh qytetarësh të komunitetit rom dhe egjyptian, duke krijuar një situatë të rrezikshme për trafikim. Drejtuesja e komunitetit rajonal për luftën kundër trafikimit thotë se janë evidentuar edhe kategoritë e personave të trafikuar ose në rrezik për trafikim.
“Vijnë nga familje me probleme të theksuara jo vetëm ekonomike, vijnë nga martesa të hershme, vijnë nga kushte sociale jo të mira. Pra, që gjithmonë janë në risk për këtë fenomen”.
Sipas ekspertëve të UNICEF-it, vazhdon të jetë shqetësues numri i ulët i trafikantëve të arrestuar dhe dënuar nga drejtësia shqiptare. Ndërkohë, ekspertja për programin antitrafik në UNICEF, Sonila Pema, thotë se kjo organizatë i është drejtuar qeverisë shqiptare me kërkesën për hartimin e një ligji të veçantë për integrimin e viktimave të trafikimit, pasi një ligj i tillë mungon deri tani./VOA / KultPlus.com
Çmimet e larta në jug të Shqipërisë po bëjnë që numri i turistëve të jetë i vogël dhe plazhet të boshatisen.
I pyetur në lidhje me këtë, kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse është e vërtetë, ky do të jetë një mësim për bizneset që abuzojnë me çmimet ndërsa ndodhen në një treg shumë konkurrues, ku kanë afër Turqinë, Greqinë, Malin e Zi e Kroacinë.
Rama gjithashtu u shpreh se Qeveria e tij ka ndryshuar për mirë kartëvizitën e Shqipërisë.
“Nëse ka një problem me çmimet e larta është për tu parë dhe analizuar në fund, jo tani. Nëse dikush vendos çmim të lartë dhe nuk i vjen njeri, dëm vetes së vetë i bën. Nëse në fund do të kemi këtë konstatim, do të jetë një mësim shumë i mirë, në treg konkurrues, duhet menduar mirë para se të vihen çmimet. Po qe kështu, ky do të bëhet një mësim i madh. Mos harrojmë se ku ndodhemi. Ndodhemi mes konkurrentëve të fortë të Mesdheut. Meqë u hap nami i Shqipërisë për të ardhur si një vend me të gjitha magjitë e veta, hajde t’u biem me top çmimeve. Investimet e Qeverisë kanë ndryshuar kartëvizitën e vendit. Në Lungomare nuk kishe ku kaloje se kishte jashtëqitje delesh, dhe në anën tjetër ndërtime pa leje, sot është ndryshe”, tha Rama. / KultPlus.com
epa09044890 Albania Prime Minister Edi Rama during a joint press conference after an EU – Albania Association Council meeting in Brussels, Belgium, 01 March 2021. EPA-EFE/JOHN THYS / POOL
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kompania holandeze e derivateve “Shell”, ka zbuluar sasi të mëdha nafte dhe gazi në Shqipëri.
Rama, të martën, ka theksuar se ky zbulim do të ndikojë në të ardhmen e vendit dhe atë energjetike të Evropës.
“Holanda e pranishme në Shqipëri. Ne kemi shumë shpresë se së shpejti mund të ndajmë me opinionin tonë publik, rajonal dhe përtej rajonit, një zbulim shumë të rëndësishëm që kompania holandeze ‘Shell’ po arrin në vendin tonë. Ata hezitojnë për momentin të flasin për shifra. Shenjat tregojnë se mund të jemi pranë një zbulimi shumë të rëndësishëm të gazit dhe naftës në nëntokë, që do të ndikojë të ardhmen e vendit tonë, por edhe do të luajë rol në të ardhmen energjetike të Evropës”, tha Rama.
Ndërkohë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se ky është zbulim i madh.
“Sa i takon energjisë, ‘Shell’ po punon në Shqipëri prej kohësh dhe ne po presim me padurim rezultatin e eksplorimit që do të jetë një zbulim i madh, por pa na dhënë detaje për atë çka presim. Shqipëria do të prodhojë sasi të rëndësishme gazi dhe nafte, e ndarë në 40% gazi dhe nafte 60%”, ka thënë ajo.
Shqipëria ka nxjerr edhe më herët sasi të naftës dhe gazit, por të cilësisë më të ulët që kryesisht përdoret pë ngrohje . /A2news / KultPlus.com
Sipas MeteoAlb:Shqipëria; si pasojë e masave ajrore Afrikane do të jetë sërish në mbiozterimin e motit te kthjellët dhe të nxehtë në gjatë gjithë paradites por orët e pasdites sjellin kalime vranësirash të lehta në bregdet dhe zonat e ulëta por pritet grumbullim i vranësirave ne zonat malore përgjatë kufirit Lindor duke sjellë rrebeshe afat-shkurta shiu.
Gjatë natës do të këtë përmirësim të motit duke bërë që i gjithë territori të jetë i kthjellët.
Temperaturat e ajrit do të ulen lehtë në mëngjes, por mbeten kostante në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 15°C deri në 39°C.
Era do te fryjë mesatarisht me shpejtesi 30 km/h nga drejtimi Jugor duke krijuar ne det dallgëzim 1 – 2 balle. / KultPlus.com
Në kuadër të 21 Qershorit, “Ditës Botërore të Muzikës”, Ministria e Kulturës në Shqipëri ka shpallur muajin qershor si “Muajin e Muzikës”.
Në Muzeun Historik Kombëtar është këndi kushtuar artistes të shquar Tefta Tashko Koço, që ngjall interes dhe kureshtje të veçantë te vizitorët vendas dhe të huaj.
Tefta Tashko Koço (1910-1947) ka qenë këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare. Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos, i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë janë bërë aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato më pas në Konservatorin Superior të Parisit me rezultate shumë premtuese.
Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote, Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë, si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj., dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muzikantë e të shquar popullorë të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar, Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence.
Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit.
Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37 vjeçare. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau foto nga Gjiri Filikurit, një nga plazhet më të bukura të bregdetit himariot.
“Gjiri Filikurit, një nga plazhet më të bukura të bregdetit himariot me një kombinim fantastik ngjyrash, të ujit, qiellit dhe gjelbërimit”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Gjiri i Filikurit ofron pamje mahnitëse për eksploruesit dhe turistët e aventurës të cilët duan të shijojnë detin e kristaltë mes shkëmbinjve apo shpellave.
Qetësi, diell, e ngjyrat më të kristalta të detit që mund të kërkoni mund të gjenden tek ky gji i izoluar i Himarës, i cili i ka të gjithë elementët për të tërhequr vëmendjen e kujtdo që kërkon një përvojë të bregdetit shqiptar të paprekur nga askush. / atsh / KultPlus.com
Shpella e “Kaurit”, 40 km larg qytetit të Pukës, vijon të befasojë me bukurinë dhe misterin e saj, turistët vendas e të huaj.
Ky vendstrehim natyror që të mahnit me misteret e saj është zbuluar nga banorët e trevës, të cilët thyhen heshtjen e misterin që mbarte kjo shpellë, duke provuar të hynin në brendësi të saj e të shuanin kuriozitetin.
Ajo që habit të huajt është fakti se në këtë shpellë, shekuj më parë, banorët katolikë të zonës turreshin të fshiheshin në labirintet e saj për t’i shpëtuar ndërrimit të fesë së tyre duke u kthyer në myslimanë nga pushtuesit turq.
Shpella e Kaurit dikur e panjohur është një objekt me vlera të rralla dhe kohët e fundit ka ngjallur interesimin e shumë studiuesve vizitorëve vendas e të huaj.
Emanuel Pjetri, guidë turistike në Pukë, tha për ATSH-në se “shpella e Kaurrit është një ndër destinacionet e preferuara të turistëve vendas, por sidomos të huajve që kryesisht janë polakë, gjermanë, por edhe nga vende të tjera. Gjatë sezonit veror pothuajse çdo ditë shoqëroj grupe me turistë në këtë shpellë, të cilët mahniten nga pamja që ofron ky vendstrehim shekullor, por edhe me bukuritë e rralla të natyrës që të shoqërojnë deri në vendin ku ndodhet shpella”.
Sipas tij, për të mbërritur tek Shpella e Kaurit, duhet të udhëtosh fillimisht me makinë e më pas me varkat e banorëve të zonës i afrohesh vendit ku gjendet ajo, në buzë të Liqenit të Komanit.
Banorët dhe gojëdhënat thonë se Shpella e Kaurit daton që para lindjes së Krishtit dhe ka pasur si funksion mbrojtjen e malësorëve nga okupatori turk që detyronte malësorët që të ndërronin fe. Që në hyrje të shpellës gjenden shumë gjurmë të krishtërimit me vizatimet murale, ndërsa nuk mungojnë edhe disa prej almisçeve (vegla dhe enë prej guri të përdorura nga banorët e zonës) që e vërtetojnë këtë.
E pozicionuar vetëm 40 km larg qytetit të Pukës, kjo shpellë prej shumë vitesh ka qenë e panjohur për banorët. Ndodhet afër fshatit Lëvrushk, në malin e Kollatës dhe është një monument kulture i denjë për t’u vizituar nga afër. E formuar si shpellë karstike në formacionet e gëlqerorëve të periudhës së trias–jurasit, kjo shpellë është e gjatë 110 m.
Dallohet si një shpellë tipike karstike me stalaktite dhe stalagmite që i japin më tepër bukuri. Shpella e Kaurit ka qenë e banuar që në lashtësinë e hershme. Por edhe më pas, gjatë periudhës bizantine ka gjurmë jete. Kjo shpellë ka qenë një vend ideal për murgjit, të cilët më të qetë dhe më të vetmuar se aty nuk kishin ku të gjenin vend tjetër. Sot ajo tërheq shumë turistë për karakteristikat e saj, si edhe për natyrën që e rrethon. /ATSH/ KultPlus.com
Në tetor të vitit 1930, Ahmet Zogu zgjodhi ta mbajë ndryshe fjalimin e tij vjetor në parlament. Në mesazhin mbretëror drejtuar parlamentit, ai paralajmëronte se një krizë e thellë ekonomike e financiare do ta prekte Shqipërinë. Ky fjalim mbahej në kushtet kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte ndodhur ajo që njihej si ‘Rënia e Wall Street’ që solli më vonë, krizën globale që njihet edhe si “Depresioni i Madh”.
Por, ndryshe nga liderët e vendeve të tjera, Zogu në fjalimin e tij, paralajmëronte edhe një ‘krizë brenda krizës’ e që lidhej me ndryshimet klimatike. Parashikimi në mesazhin mbretëror të vitit 1930, do të rezultonte i saktë dhe Shqipëria do të përballej, jo vetëm me pasojat e krizës globale, por edhe me dy vite stinë pa reshje, çka do të sillte probleme me prodhimin bujqësor, e sidomos me prodhimin e misrit, që përbënte edhe bazën ushqimore të popullatës. Në këtë mënyrë, Shqipëria do të përfshihej në një krizë buke.
Kjo periudhë njihet si krizë mbiprodhimi në shumë vende; pra jo inflacion por deflacion. Produktet bujqësore e industriale u zhvlerësuan në këtë kohë, duke ndikuar direkt në tregtinë e jashtme që u ul ndjeshëm dhe progresivisht në periudhën 1930-1934.
Por duke qenë se në vitet 1929 dhe 1930 u mor një prodhim i pakët misri dhe nga ana tjetër as qeveria nuk kishte planifikuar ende importin e tij për të kompensuar mungesën në tregun vendas, shumë tregtarë që kishin grumbulluar pjesën më të madhe të prodhimit të misrit në treg, e rritën menjëherë çmimin e tij, duke bërë që për këtë produkt të kishte një dalje ‘kundra rrymës’ .
Qeveria u detyrua që në muajt gusht e shtator të vitit 1931 që të importonte misër, por kjo nuk e zgjidhi problematikën edhe për faktin se në këtë periudhë mungonin paratë.
Kartelet e miellit në Shqipërinë e 1932
Përtej mungesës së prodhimit vendas, industria e blojës u prek ndjeshëm nga kriza që shkaktonte diferenca e çmimit mes produktit vendas dhe atij që vinte nga importi. Mielli që vinte nga importi ishte më i lirë.
Tentativa e qeverisë për të forcuar prodhimin vendas përmes vendosjes së një takse mbi importin e drithërave dha efekt të kundërt.
E pas kapërcimit të sfidës që krijoi fillimisht kriza e prodhimit vendas, kompanitë u përfshinë nga një krizë tjetër, ajo e konkurrencës që vinte nga mbiprodhimi i jashtëm. Shumë fabrika dhe mullinj u detyruan që të mbylleshin ose të punonin me ndërprerje duke rënduar edhe më tepër situatën e furnizimit të popullatës me bukë.
Në këto kushte, shumë pronarë fabrikash mielli u bashkua duke krijuar kartele, por që zgjatën pak në kohë. Ashtu si kompanitë e alkoolit në 1930, kompanitë e prodhimit të miellit u bashkuan në vitin 1932 në dy kartele. /Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN / KultPlus.com