Bekim Fehmiu në Prizren, atëherë kur i është ofruar roli kryesor në filmin “Kur pranvera vonohet” (VIDEO)

Aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiut në vitin 1978 i ishte ofruar roli kryesor dhe regjia për filmin artistik të metrazhit të gjatë “Kur pranvera vonohet”, projekt ky që bëri që Bekim Fehmiu të vinte në Prizren për të vendosur për lokacionet e shesh xhirimeve, shkruan KultPlus.

Fotografitë që janë ofruar nga Shukri Kaçaniku, atëherë xhirues filmik, janë publikuar po nga ai, ku shihet Bekim Fehmiu të jetë në valën e punëve për fillimin e këtij filmi.

Kaçaniku ka bërë të ditur se për arsye të ndryshme Bekim Fehmiu nuk arriti të bëj marrëveshje me Kosovafilmin, dhe nga kjo iniciativë kanë ngelë vetëm këto fotografi. Ky film më pas është realizuar me regji të Ekrem Kryeziut /KultPlus.com

Grupi 403, BB Poqi e artistë ndërkombëtar performojnë në ‘Hardh Fest’

Me moton “Mbas Verës, Vjen vera” organizohet festivali i përvitshëm “Hardh Fest”. Edhe këtë vit në komunën e Rahovecit, ku mbahet festivali, do të ketë verë, muzikë dhe shumë aktivitete të tjera.

E veçanta e edicionit të 16-të është të këtij festivali është se do të performojë edhe Joe LyNN Turner, i cili ka performuar me Deep Purple dhe Rainbow. Grupi 403 dhe BB Poqi do të interpretojnë në “Hardh Fest” gjithashtu.

Gardalin Shtavica, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Rahovecit, në konferencën e mbajtur sot ka thënë se në fokus të veçantë e kanë muzikën, duke sjellë edhe grupe të ndryshme ndërkombëtare.

“Hapjen e festivalit do ta bëjnë familja Sllavishta, që do të bëjnë një rikthim të madh pasi ka vite që ata nuk kanë bërë muzikë”, ka thënë Shtavica, duke shtuar se një tjetër grup që do të performojë, është grupi 403 si dhe BB Poqi.

“Befasia është se do të kemi njërin prej zërave më të mirë të rokut Joe LyNN Turner, i cili ka performuar për grupe të mëdha botërore siç është Deep Purple dhe Rainbow”, ka thënë Shtavica.
Organizatorët kanë thënë se vitin e kaluar këtë festival e kanë vizituar mbi 30 mijë turistë, ndërsa sivjet presin që ta vizitojnë mbi 50 mijë vizitorë, shkruan ekonomia online.

Agi Haxhimurati, përgjegjës për pjesën kreative të festivalit, ka thënë se sivjet numri i vizitorëve do të rritet për shkak se edhe kanë zgjatur ditët e mbajtjes së tij. Ai ka thënë se këtë vit pritet që “Hardh Festin” ta vizitojnë 50 mijë turistë.

“Slogani i këtij viti është ‘Mbas verës, Vjen vera’. Bashkangjitur me sloganin ne sot ekskluzivisht do të prezantojmë edhe vizualin e këtij viti që është pak më me stil, e cila ka ngjyrën e rrushit”, ka treguar Haxhimurati, derisa ka thënë se target i festivalit janë të gjithë ata që hyjnë dhe dalin në qytetin e Rahovecit.

“Ne jemi kujdesur edhe për detaje në ‘Hardh Fest’, përmes fletushkave që i kemi në formë të gotës së verës, që do të iu japim secilit nga një verë”, ka thënë Haxhimurati, duke shtuar se festivali është në vitin e 16-të që organizohet dhe në tri vitet e fundit ka pasur sukses të jashtëzakonshëm. Vitin e fundit ka pasur mbi 32 000 turistë në festival.

“Objektivi jonë është që, mbi 50 000 vizitorë do ta vizitojnë festivalin për shkak se ne kemi zgjatur ditët që do të mbahet festivali 4 ditë”, ka thënë Agi Haxhimurati.
“Hardh Fest” do të mbahet nga 7 deri me 10 shtator 2017. / KultPlus.com

Nëna Terezë me Mbretëreshën Elisabeta II (FOTO)

Nëna Terezë si figurë shumë e rëndësishme për punën e saj vullnetare që e ka bërë përgjatë gjithë jetës së saj, ka bërë që shumë personalitete të botës të takohen me të, shkruan KultPlus.

Duke përfshirë figurat më me ndikim në botë kanë realizuar takime të natyrave të ndryshme, duke përfshirë prej mbretërive e deri tek persona të profileve të ndryshme. KultPlus ju sjellë një fotografi nga takimi i Nënës Terezë me mbretëreshën Elisabeta II./KultPlus.com

Big Beni lëshon tingujt e fundit, pastaj fillon restaurimi (LIVE)

Një nga mrekullitë e botës, kulla orë e Big Benit në Londër, do të lëshojë në këto momente 12 tingujt e fundit. Më pas ajo do të heshti për 4 vite, pasi do restaurohet deri në vitin 2021.

Rinovimi përfshin instalimin e një ashensori të brendshëm, riparimin e akrepave, mekanizmave dhe lavjerrësit, në një vlerë të përgjithshme 29 milionë paund.

Big Beng është një ndër kullat orë më njohura në botë. Lartësia e saj është 96 metra. Ajo filloi të ndërtohet në vitin 1858 dhe përfundoi në 1859. Big Beni dallohet për saktësi në tregimin e orës.

Në historinë 157-vjeçare tingujt kanë heshtur vetëm disa herë. Në vitin 2007 ku zgjati gjashtë javë dhe në vitin 1976, pas një dëmtimi ë rëndë të mekanizmave të orës, ndërprerja ishte 9 muaj. / KultPlus.com

Fishta: Shqiptarët kopukë, presin çfarë u jep Evropa

“Njerëzit janë tuj ndejë hijeve pa punë, tuj pritë me gojë hapët, si zogj pëllumbash, pale se shka po u bjen nana-vida Europë”, shkruan ndër të tjera At Gjergj Fishta në vitin 1913.

Edhe pse kanë kaluar 104 vite që nga koha kur është shkruar, shkrimi është më aktual se kurrë.

Titulli ‘Shqiptarët presin çfarë u jep Evropa’ tregon për politikanët që mendojnë për interesat e tyre personale dhe jo për Shqipërinë./ KultPlus.com

Lexoni shkrimin:

Në kujtim të Faruk Begollit

Qendra Kinematografike e Kosovës organizon një takim në kujtim të aktorit të njohur shqiptar Faruk Begollit, shkruan KultPlus.

Ky takim do të mbahet më 23 gusht, në ora 20:00 te Klubi M. “Shpirtin ma keni k’put”, Faruk Begolli 10 vjet”, është sllogani i këtij takimi, që shënon edhe dhjetë vjetorin e vdekjes së aktorit./KultPlus.com

Përfundojnë punët restauruese në shtëpinë e familjes Zhoriç në Prizren (FOTO)

Pas një angazhimi dhe punës disa mujore, kanë përfunduar punët restauruese në shtëpinë e familjes Zhoriç në Prizren, përcjellë KultPlus.

Memorandumi i Mirëkuptimit i lidhur ndërmjet Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe Këshillit Danez për Refugjatë (DRC) mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar e akredituar në Kosovë për restaurimin e shtëpisë së vjetër në Qendrën Historike të Prizrenit ka rezultuar të jetë tejet i suksesshëm.

Ndërtesa në fjalë gjendet në rrugën “Marin Barleti” prapa xhamisë së Sinan Pashës në Prizren dhe gjendja e saj ishte shumë e vështirë, andaj pas konsultave dhe një bashkëpunimi të ngushtë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren me donatorët është përzgjedhur nga Ambasada Britanike dhe DRC për restaurim në kuadër të programit “për kthim dhe integrim të qëndrueshëm” të personave të zhvendosur.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren përmes këtij memorandumi ka marrë për obligim të hartojë projektin e restaurimit si dhe të bëj restaurimin dhe konservimin e fasadës së jashtme të ndërtesës.

Fasada e shtëpisë së familjes Zhoriç është punuar në frymën neoklasike të dekoruar me profilime të ndryshme në gjithë sipërfaqen e saj. Materiali që është përdorur është llaçi gëlqeror. Gjatë viteve nga ndikimi i kushteve atmosferike dhe nga mos mirëmbajtja, fasada ishte dëmtuar mjaft shumë, andaj si rezultat i kësaj ka qenë i pashmangshëm intervenimi në këtë ndërtesë. / KultPlus.com

Studiuesit shqiptarë ende citojnë dokumentet e falsifikuara nga serbët?!

Kështu vlerëson historiani i njohur Jusuf Buxhovi, me ç’rast ai sqaron edhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjë me fanatizmin antishkencor të shumë historianëve zyrtarë të Tiranës dhe Prishtinës që të ruhen stereotipet ideologjike të së kaluarës (ato që kanë të bëjnë me origjinën pellazge) si dhe “reçetat” e Beogradit rreth gjoja “shtetit mesjetar” serb në Kosovë, që asnjëherë nuk ka ekzistuar!

“Milosa”: Ribotimi i Kongresit të Berlinit sjell në vëmendjen e publikut dokumentet, aktet dhe letrat e shumë subjekteve. Pse i sollët sërish për publikun shqiptar?

J. Buxhovi: Libri “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878” i takon filleve të punës sime hulumtuese shkencore në historiografi nga fillimi i viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Ky libër monografik mbështetet mbi temën e magjistraturës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane”, e mbrojtur në vitin 1979 në katedrën e Historisë së Universitetit të Kosovës. Botimi i vitit 2008, ishte një rast i mirë që tema e magjistraturës të plotësohet me një kundrim më të gjerë të problematikës, duke u parë në tërësinë e Kongresit të Berlinit, gjë që asaj i ka dhënë një dimension më të thellë.

“Milosao”:Juve personalisht jeni i ndarë mes kërkimeve, publicistikës dhe sidomos krijimit letrar. Sa e ndihmojnë njëra-tjetrën përpjekjet individuale në disa fusha?

J. Buxhovi: Publicistikën e kam profesion të mirëfilltë jetësor. E kam filluar në vitin 1967 si gazetar i “Rilindjes” për ta vazhduar dhe përfunduar në vitin 2008 në Bon të Gjermanisë si korrespodent i përhershëm i kësaj të përditshme shqiptare në këtë vend. Pra, për dyzet vjet pune aktive, gazetaria më ka ndihmuar shumanshëm. Megjithatë, gazetaria mund të jetë e dëmshme në krijimtarinë letrare, po qe se nuk lirohesh nga sipërfaqësia e saj, dhe veçmas e papërshtatshme në fushën e hulumtimeve shkencore, po qe se faktografia mbetet në nivelin e trajtimit publicistik.

“Milosao”: Çfarë pasojash ka sjellë Kongresi i Berlinit prej vitit 1878, në ditët tona. A mendoni se ky ishte shkaku kryesor që mori trajtë Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe u përmirësua përpjekja për pavarësinë e vendit?

J. Buxhovi: Kongresi i Berlinit i vitit 1878 duhet parë në frymën e zhvillimeve të njohura që solli Kriza Lindore, me çka u bë e ditur se fundi i Perandorisë Osmane në pjesën evropiane do të përcillej me lëvizje të mëdha gjeostrategjike, të cilat, duhej të mbaheshin nën mbikëqyrje nga Fuqitë e Mëdha të kohës, veçmas pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1871 dhe shfaqjes së saj në skenën politike si faktor i rëndësishëm. Meqë pansllavizmi rus në këtë hapësirë ishte shumë aktiv dhe po përdorte lëvizjet nacionale të botës ortodokse (grekëve, serbëve, malaziasve, rumunëve dhe bullgarëve) për interesa të veta, atëherë ishte e natyrshme që edhe oponentët e saj, Austro-hungaria dhe Italia të përdornin lëvizjet tjera nacionale, veçmas atë të shqiptarëve për qëllime të veta, pra që të mbrojnë interesat e tyre në hapësirën evropiane te Perandorisë Osmane.
Në këto rrethana, pas luftës serbo-turke të vitit 1877 dhe asaj ruse-turke të vitit 1878, pra pas Paqes së Shën Stefanit, e cila Serbisë i lejoi zgjerim në pjesët shqiptare (nga Nishi deri në Kurshumli) si dhe krijoi Bullgarinë e Madhe (ku u prekën edhe disa pjesë të etnisë shqiptare), ishte i pashmangshëm edhe reagimi shqiptar, që pasoi me thirrjen e Lidhjes Shqiptare në Prizren disa ditë para se Kongresi i Berlinit të fillonte punimet.
Natyrisht se për një reagim të tillë të shqiptarëve, që si dihet, filloi me moton e “mbrojtjes së vatanit nga copëtimet sllave dhe greke” dhe përfundoi me një lëvizje politike ndër më të fuqishmet që i hapën rrugë zhvillimeve që do të çojnë tridhjetë e katër vite më vonë deri te shpallja e shtetit të pavarur shqiptare, ishin të interesuar edhe fuqitë qendrore (Austrohungaria, Gjermani dhe Itali), siç ishte e interesuar edhe vetë Perandoria Osmane, e cila te reagimi i shqiptarëve për të mbrojtur tokat e tyre, shihte mundësinë për t’i shpëtuar trysnisë ruse. Ka shumë dokumente mbi të cilat mbështeten këto qëndrime, vlerësimi analitik i të cilave, nxjerr në pah pjekurinë politike të elitës politike shqiptare të Kohës që procesi i pashmangshëm i rënies së Perandorisë Osmane të shfrytëzohet që ai të jetë në përputhje edhe me interesat e atyre fuqive të mëdha të cilat pansllavizmit mund t’i kundërvihen me futjen në lojë të kartës së faktorit shqiptar, që nuk mund të ishte tjetër pos me lindjen e një shteti shqiptar, pa marrë parasysh përmasat e tij etnike.
Shikuar nga këndvështrimi historik, Lidhja Shqiptarëve e Prizrenit e vitit 1878, në arenën ndërkombëtare, e promovoi politikisht nacionalizmin shqiptar, siç e vuri në binarët e pashmangshëm dhe të pandalshëm pavarësinë e Shqipërisë.

“Milosao”: Kush ju ka ndihur në këtë përpjekje të stërmadhe dhe a mendoni se keni pasur pengesa në punën tuaj?

J. Buxhovi: Puna ime hulumtuese dhe shkencore duhet parë në kuadër të zhvillimeve shoqërore dhe politike të kohës. Pra, ato të viteve të gjashtëdhjeta, shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta nëpër të cilat kaloi Kosova, që lidhen me emancipimin politik, kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve, që pas ndryshimeve kushtetuese të viteve 1968-1974, u hapën rrugë edhe krijimit të institucioneve kombëtare, siç ishte Universitetit i Prishtinës, Akademisë së Shkencave dhe Arteve si dhe instituteve të tjera hulumtuese shkencore, ku një rol të madh pati edhe veprimtaria botuese në gjuhën shqipe që drejtonte “Rilindja” e të tjera. Këtyre zhvillimeve duhet shtuar edhe bashkëpunimi kulturor dhe arsimor me Shqipërinë, i vendosur zyrtarisht në vitin 1968 në marrëveshjen e parë midis Tiranës dhe Prishtinës, me ç’rast, midis Tiranës dhe Prishtinës filloi këmbimi i teksteve shkollore, librave si dhe profesorëve në të dy universitetet, shkëmbim ky që dobi të mëdha i solli Kosovës. Tirana dhe Prishtina asokohe harmonizonin qëndrime edhe rreth disa projekteve të përbashkëta hulumtuese dhe shkencore aty ku kishte mundësi. Meqë si gazetar isha i akredituar në Bon dhe po merresha me hulumtimin e dokumenteve të Kongresit të Berlinit, çarqet shkencore në Prishtinë dhe Tiranë (Dr. Ali Hadri, Aleks Buda dhe Arben Puto) insistuan që këtë angazhim ta ktheja në vokacion të përhershëm hulumtues shkencor, gjë që edhe kështu ndodhi. Pra, në punën time hulumtuese, si mentor të parë, kam pasur akademik Ali Hadrin dhe profesor Aleks Budën, me të cilën kam bashkëpunuar deri në vitin 1981, kur do të ndërpritet dhunshëm nga ana jugosllave pas ngjarjeve të vitit 1981. Megjithatë, ndryshimin e njohur të rrethanave politike dhe shoqërore të atyre viteve, jam munduar që ta përballoj me punë individuale në Gjermani, duke iu përkushtuar hulumtimit nëpër arkivat gjermane, në mënyrë që të rrumbullakoj sa më shumë që të jetë e mundur punën e nisur në vitet e shtatëdhjeta.

“Milosao”: Në kërkimet tuaja të vazhdueshme, ju jeni përballur me dokumente autentike. A mund të na thoni, ka pasur përpjekje për manipulime nga fqinjët apo nga kancelaritë ndërkombëtare?

J. Buxhovi: Mund të thuhet pa hezitim se e gjithë problematika e studimit të dokumenteve të Kongresit të Berlinit dhe atyre që solli kjo ngjarje, për çdo studiues të mirëfilltë shqiptar, përcillet me anatemën e manipulimit dhe falsifikimit të tyre të qëllimshëm në njërën anë si dhe të stereotipeve ideologjike në tjetrën anë. Manipulimi dhe falsifikimi i këtyre dokumenteve gjithsesi se lidhet me historiografinë serbomadhe të Beogradit, po edhe të Moskës dhe Athinës për qëllime të njohura hegjemoniste që lidhen me projektet antishqiptare siç ishin “Naçërtanja” e Garashaninit e vitit 1844 dhe ajo e “Megaloidhesë” greke e po të njëjtës kohë si dhe ato të historiografisë ruse. Kongresi i Berlinit si dhe vendimet e njohura të tij, kanë paraqitur referencën emblematike të manipulimit të këtyre qendrave në mënyrë permanente nga falsifikimi i tyre e deri te keqinterpretimet e qëllimshme, që për moto kishin fabrikimin e gënjeshtrës rreth “shqiptarëve ardhacakë dhe pa histori”, “shqiptarëve mbetje e mjegulluar osmane dhe fundamentalistë të rrezikshëm islamikë” e të ngjashme, me çka atyre duhej jo vetëm t’u mohohej shteti, por, për hir “të interesave të mëdha evropiane”, Beogradit, Athinës e të tjerëve, t’u lejohej qërimi i hesapeve me ta, deri te etnogjenocidi!
Kur shikohen mirë e mirë nga të gjitha këndet të gjitha dokumentet e Kongresit të Berlinit, një pjesë të të cilave kam sjellë në librin tim, veçmas letrat e dërguara nga të gjitha viset shqiptare (124 sosh), del se një pjesë të tyre mund të thuhet se janë shkruar edhe nga konsuj rusë e grekë, nga klerikë ortodoksë dhe agjentë të tjerë të Beogradit, Athinës dhe Moskës, po edhe nga ndonjë konsull austriak. Këtë të fundi, madje e pranon edhe Andrashi, ministër i jashtë i Austrohugarisë në memoaret e tij, me ç’rast zbulon se “Vjena ka punuar që në nga disa qendra shqiptare të vinë letra dhe telegrame që na duheshin”. Këto “ndërhyrje” nuk ua humbin vlerën kërkesave autentike të shqiptarëve, veçse bëjnë të ditur se midis tyre ka pasur edhe të dirigjuara në përputhje me interesat tjera, gjë që historiografisë sonë i mbetet që ato t’i deshifrojë dhe t’i interpretojë mirë e mirë.

“Milosao”: A mendoni se Lidhja e Prizrenit ka trajtime të ndryshme në Shqipëri e Kosovë? Nuk duket se një pjesë e studiuesve nuk kanë parë dokumentet origjinale?

J. Buxhovi: Arsyet e njohura ideologjike dhe ato që shqiptarët nga 1912 janë i ndanë dhunshëm në realitetet shoqërore dhe politike të ndryshme kanë sjellë edhe qëndrime të ndryshme, ku në njërën anë, nga Tirana zyrtare është imponuar qëndrimi se nga Europa dhe Perëndimi shqiptarëve u kanë ardhur të gjitha të këqijat, se perëndimi nuk i ka dashtë shqiptarët e të ngjashme, gjë që kjo ka justifikuar izolimin dhe mbylljen komuniste, ndërsa në tjetrën anë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është dashtë të shihet vetëm si përpjekje për autonomi, që si e tillë të “justifikojë” statusin politik të shqiptarëve në Jugosllavi e të ngjashme, sado që pjesa më e madhe e historianëve të Kosovës, konceptin e autonomisë e kanë parë si proces, që shkon tutje, e jo si gjendje statike, kundrim ky që ka qenë i ngjashëm edhe me qëndrimin politik të intelektualëve shqiptarë dhe të një pjese të klasës politike…
Krahas këtyre stereotipeve, që për fat të keq, ende gjithnjë mbahen te një pjesë e historianëve tanë (sidomos atyre në Tiranë) nga shkaku se kanë doktoruar dhe shkruar libra, siç kanë fituar edhe tituj “akademikë” e të tjera gjatë kohës së diktaturës komuniste, sot e gjithëditën mungon edhe vullneti i qëllimshëm për ballafaqimin me dokumentet origjinale. Them kështu, ngaqë ka dhjetë vite që kam sjellë dokumentet origjinale të Kongresit të Berlinit në origjinal (frëngjisht dhe gjermanisht), të nxjerra nga Arkivi Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon (të autorizuara nga botuesi gjerman“Gisen”) e të përcjella edhe me përkthimin në gjuhën shqipe, ndërsa që historianë nga Tirana dhe Prishtina edhe në tutje citojnë versionin e cunguar dhe të filtruar të dokumenteve që sjell Haxhivasilevi, Gjorgjeviqi dhe historianë të tjerë serbë! Ç’është më keq, disa pedagogë të kësaj mendësie, pengojnë studentët që marrin guximin të citojnë librin tim, meqë kjo ua rrënon “kredibilitetin” veprave të tyre!

“Milosao”: Historianët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë pasur një lloj tutele të diktuar nga regjimet respektive. A mendoni se ka ardhur koha që duhet të ketë një trajtim kombëtar shqiptaro-kosovar sa i përket rëndësisë së Kongresit të Berlinit?

J. Buxhovi: Tutela e regjimit represiv komunist është dashtë të marrë fund me rënien e komunizmit, siç ka ndodhur edhe në vendet tjera. Por, për fat të keq, ajo po vazhdon për arsyet që i ceka më sipër. Kujtoj se historiografia jonë duhet të ketë qëndrim shkencor jo vetëm sa i përket Kongresit të Berlinit, por të gjitha çështjeve të tjera. Kjo do ta nxjerrë në pah edhe komponentin kombëtar.

“Milosao”: Sa i vështirë ka qenë për Ju hulumtimi në arkivat gjermane dhe sa kohë ju është dashur t’i grumbulloni këto materiale?

J. Buxhovi: Të qenit gazetar (korrespodent i përhershëm i “Rilindjes” në Gjermani, i akredituar pranë qeverisë gjermane) më ka krijuar mundësi të mëdha edhe formale që t’u qasem dokumenteve pa ndonjë vështirësi. Meqë fokusimi im hulumtues ka qenë Kongresi i Berlinit, ishte e natyrshme përqendrimi te shqyrtimi dhe vjelja e dokumenteve të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Bon. Aty kam punuar nga mesi i viteve të shtatëdhjeta e deri në vitin 2008, ku kam klasifikuar mbi pesë mijë dokumente që kanë të bëjnë me Krizën Lindore, Kongresin e Berlinit dhe çështjen shqiptare nga viti 1865 e deri në vitin 1912. Pjesa më e madhe e këtyre dokumenteve ruhet në arkivin tim personal, ngaqë nuk ia kam dalë t’u siguroj vend në Arkivin e Kosovës dhe atë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Sepse, këto institucione, për arsye “të pakuptueshme”, nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë as siguri e as trajtim shkencor!

“Milosao: mendoni se ishte e arsyeshme ajo që përcaktoi në konkluzionet e veta Lidhja e Prizrenit, sa i përket mbrojtjes nga copëtimi i trojeve shqiptare dhe autonomi nën Turqinë?

J. Buxhovi: Qëndrimet dhe vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë në përputhje me rrethanat si dhe zhvillimet historike të kohës, në të cilat u gjenden shqiptarët, kur ata në njërën anë rrezikoheshin nga hegjemonizmi i fqinjëve sllavë dhe grekë dhe në tjetrën anë rrezikoheshin nga shembja e shpejtë e perandorisë osmane. Mbrojtja e interesave kombëtare asokohe mund të sigurohej nëpërmes kërkesës për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare (krijimi i një Shqipërie osmane, që në të vërtetë doli nga kërkesat e katërmbëdhjetë pikëshit të Hasan Prishtinës në Shkup, në gusht të vitit 1912), që nënkuptonte lirimin nga koncepti i “miletit osman” ku gjendeshin dhe një formule kompromisi që do ta arrinte Perandoria Osmane me fuqitë evropiane të boshtit (Austrohungarinë dhe Italinë). Pa marrë parasysh si rrodhën ngjarjet deri në nëntor të vitit 1912 dhe nëpër ç’katrahurë kaluan shqiptarët, megjithatë epilogu i këtij zhvillimi ishte i përcaktuar nga programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si dhe platformës kombëtare që doli prej saj. Pa këtë ngjarje, nuk do të kishte as Shqipëri e as komb shqiptar.

“Milosao”: Keni mbaruar dhe një kolanë historike të Kosovës, cilat janë planet tuaja më të afërta?

J. Buxhovi: “Kosova” në pesë libra, e botuar midis viteve 2012-2015, për t’u përfunduar, duhet të plotësohet edhe me tri vëllime të tjera (VI,VII dhe VIII), me çka përmbyllet koncepti im që ky libër në tetë vëllime të paraqesë një kontribut shkencor për historinë e Shqipërisë së natyrshme dhe të Shqiptarëve nga antikiteti e deri te koha jonë. Pres që tri librat tjera të përfundojnë nga fundi i vitit të ardhshëm. / KultPlus.com

Jusuf Buxhovi në një intervistë për revistën “Milosao” të Tiranës.

Era Istrefi edhe me një tjetër bashkëpunim ndërkombëtar

Përderisa të gjithë janë në pritje të këngës më të re të Era Istrefit e cila do të vijë në bashkëpunim me artistin e njohur botëror French Montana, Era ka postuar një fotografi ku zbulon edhe një tjetër bashkëpunëtor, shkruan KultPlus.

Në Instagram ajo ka publikuar një fotografi në studio përkrah tekst-shkruesit të mirënjohur botëror, Jesse Saint John.

Jesse Saint John ka shkruar këngë për Britney Spears , Sia, Charli, Empire, Brooke, Diplo, Erika e shumë të tjerë. Por, kësaj liste si duket i është shtuar edhe artistja shqiptare Era Istrefi. Pritet të shohim se çfarë do të na sjellë Era kësaj radhe.

Sipas burimeve të KultPlus, thuhet se Era Istrefi tashmë ka të incizuara shumë këngë për tregun ndërkombëtare, por këngët ende nuk i ka lansuar edhe pse në disa vende të frekuentuara në Amerikë këngët tashmë janë shuam të dëgjuara. / KultPlus.com

‘Zambaku i Prizrenit’ fton kompozitorët për edicionin e 29-të

Festivali “Zambaku i Prizrenit” duke qenë festivali i vetëm në Kosovë, i këngës së vjetër qytetare, nëpër vite ka ruajtur frymën e vlerave të mirëfillta dhe është shndërruar në një nga aktivitetet që hyjnë në përshkrimin e ngjarjeve të qytetit. Ndër të tjera Prizreni quhet edhe qyteti i “Zambakut…”, përcjellë KultPlus.

Organizatorët e edicionit të 29-të të festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”, këngës për fëmijë “Fluturat 2017” dhe “Rock live”, Studio Helix dhe Komuna e Prizrenit, ftojnë të gjithë kompozitorët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora që të konkurrojnë me krijimet e tyre më të reja. Konkursi mbetet i hapur deri më 6 shtator.

Këtë vit për shkak të procedurave tenderuese, formë kjo e dhënies në organizim të Festivalit “Zambaku i Prizrenit”, (anulimit dy herë të tenderit), festivali “Zambaku i Prizrenit”, “Fluturat” dhe Rock live do të mbahen në pjesën e fundit të muajit shtator.

Studio Helix, kompani kjo muzikore që merret me organizimin e aktiviteteve muzikore, rezistoi dhe fitoi tenderin për organizimin e Festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”, duke u ballafaquar me Kompani për kultivimin e luleve në kopshte dhe kompani qe merren me printim dhe reklama.

“Duke e parë gjendjen në të cilën e sollën festivalin e këngës së vjetër qytetare, disa organizatorë të papërgjegjshëm, dhe Kompani të tjera të ngjashme të cilat mendjen e kanë te përfitimi dhe jo te organizimi i mirëfilltë, Studio Helix që nga viti i kaluar kur e organizoi edicionin e 28 me vullnetin dhe dëshirën më të mirë po synon, që këtij festivali të ia kthejmë namin që e ka. Edicioni i 28 i vitit të kaluar ishte pikë kthese në shpëtimin e Festivalit “Zambaku i Prizrenit”, i cili për disa vite ishte para dilemës të mbahej apo të mos mbahej, prandaj studio Helix me edicionin e 29 premton se jo vetëm me organizim cilësor të festivalit por edhe cilësinë e pjesëmarrjes së këngëve të vjetra qytetare, do të ia kthej namin që e ka festivali “Zambaku i Prizrenit”, thotë Istref Krasniqi drejtor i Studio Helix.

Konkursi
Pas nënshkrimit të Kontratës, Studio Helix në bashkëpunim me Kuvendin Komunal në Prizren shpall konkursin për pranimin e këngëve konkurruese për festivalin e këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit 2017”, “Fluturat” dhe Rock Live. Kushtet për konkurrim janë këto: Këngët konkurruese duhet të kenë vlera të mirëfillta muzikore në frymën e këngës së vjetër qytetare, Këngët konkurruese për “Fluturat” duhet të kenë vlera të mirëfillta të këngës për fëmijë, Këngët për festivalin Rock live duhet të kenë vlera të muzikës Rrock. Pjesëmarrësit në konkurs duhet të dërgojnë demo incizimin e këngës dhe tekstin në dy kopje. Punimet dërgohen me shifër, ndërsa në zarf të veçantë dërgohet emri dhe mbiemri i plotë i autorit me adresë të saktë dhe me numër të telefonit. Do të shqyrtohen vetëm kompozimet e reja të cilat janë në frymën e muzikës së vjetër qytetare.

Festivali ka karakter garues

Punimet duhet të dorëzohen deri më 6 shtator në adresën Rruga e Saraçëve, numër 3B, ose në adresën elektronike [email protected] me shenjën për Festivalin “Zambaku i Prizrenit 2017. Edicioni i 29 i Festivalit Zambaku i Prizrenit do të mbahet në ditët e fundit të muajit shtator.

Juria profesionale ndan tri vendet e para për këngët më të mira të festivalit. Kënga fituese shpërblehet me trofeun “Zambaku i Argjend”, përderisa votat e publikut përcaktojnë këngën më të mirë të zgjedhur nga publiku e cila shpërblehet me trofeun “Mikrofoni i Artë”.

Kënga që do të zërë vendin e parë, përveç “Zambakut të Argjend” do të shpërblehet me shumën prej 500 Euro, vendin i dytë, do të shpërblehet me shumë prej 300 Euro dhe vendi i tretë do të shpërblehet me shumën prej 200 Euro. Kënga më e mirë e zgjedhur nga publiku përveç me “Mikrofonin e Artë” do të shpërblehet edhe prej 300 Euro. Trofeu “Zambaku i Argjend” i takon kompozitorit, ndërsa Trofeu “Mikrofoni i Artë” i takon këngëtarit, Shpërblimet tjera në mënyrë të barabartë i takojnë këngëtarit dhe kompozitorit të këngëve fituese.

Gjithashtu do të ndahen shpërblimet tradicionale për këngët më të mira të festivalit “Fulturat 2017” dhe Rock Live 2017. / KultPlus.com

Në 675 vjetorin e Shkollës së Arbërve në Venedik

Historiani i njohur kosovar, Jahja Drançolli, thotë se marrëdhëniet arbërore – venedikase datojnë së paku nga shekulli XI.

Nga kjo kohë e sidomos nga kapërcyelli i shekullit XIV, sipas historianit Republika e Venedikut, pasi që kishte zhvilluar shtetin, fuqinë ekonomike dhe zotëronte gati me tërë bregdetin lindor të Adriatikut dhe me pjesën e madhe të ishujve të Bizantit, pra edhe me disa qytete bregdetare të Arbërisë, qendra e saj ishte bërë jo vetëm një vend takimi i shumë mërgimtarëve, por edhe rrugë për afirmimin e kulturave të tyre në kulturën e Rilindjes Europiane.

“Këtej, sipas mërgimtarëve të ngulitur këtu, nisën të quheshin edhe pjesët ca më të vogla të qytetit. Në këtë kontekst, sipas komunitetit arbëror, i cili ishte shpërndarë në zona, si ato, Castello, San Croce, San Polo, Cannaregio dhe San Marco, u quajtën gjashtë rrugë Calle degli Albanesi. Në zonën San Marco u vendosën edhe toponimet të cilat ndërlidheshin me familjen bujare Zguri, të vendosur këtu nga kapërcyelli i shek. XIV. Pallati tyre gjendet në sheshin e Shën Mauricit, shumë afër objektit të Shkollës së Arbërve. Përballë këtij pallati, po në këtë shesh, skaj shkollës në fjalë gjendet Pallati Molin, pronë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të cilën ia kishte dhuruar Republika me rastin e shpalljes së tij për qytetar nderi të Venedikut”, ka shkruar Drançolli.

Valët më të mëdha të mërgatës arbërore në Venedik i ndeshim nga koha e pushtimeve të Dushanit (1331-1355), dhe sidomos nga koha e pushtimeve osmane (1385-1571), shton më tej ai.

“Veç Venedikut dhe ishujve përreth, mërgimtarët arbërorë i ndeshim edhe në Ancona, Rimini, Pesaro, Vicenza, Padova, Treviso, etj. Në këtë rrugë ekzili ishin nisur kryesisht arbërit nga Tivari, Shasi, Ulqini, Shkodra, Lezha, Durrësi, Drishti, Novobërda, etj. Për të gjithë këta të ardhur nga qytetet në fjalë, në perceptimin e përditshëm si dhe në dokumente zyrtare venedikase është përdorur apelativi Albanese, të cilët gjatë tetorit të vitit 1442, në famullinë San Severo të pjesës lindore të zonës së qytetit të quajtur Castello, kishin themeluar Shkollën e Arbërve ose Scuola degli Albanesi. Është fjala për një tip të shkollave të vogla (Le scuole piccole), numri i të cilave ishte bukur i madh. Shkolla në fjalë ishte një lloj qendre nacionale për artet, artizanët dhe zejtarët. E konsiderojmë gjithashtu për qendër të parë fetare ku mbaheshin shërbesat në gjuhë arbërore. Organizimi saj është bazuar në shkolla të vogla të qytetit. Këtej, ajo kishte këtë strukturë: Banca, Gastaldo (ose guardiano), Vicario, Scrivano, dhe Degani”.

Sipas Drançollit, shkolla Arbërore në fillimet e saj ishte kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë, e quajtur edhe Nostra Signora di Scutari, si dhe Shën Galit. Që në vitin 1447 selia e shkollës ishte transferuar në famullinë San Maurizio, në zonën e Shën Markut, pjesë e qendrës së qytetit. Për shkaqe të rritjes së numrit të mërgimtarëve arbër, autoritet venedikase nga kapërcyelli i shek. XV u japin të drejtën për ta përdorur varrezën në bazilikën e njohur dominikane SS Giovanni e Paolo, ku edhe sot ruhen shumë varre të bashkëvëllazërisë arbërore. Në varrezën e përmendur më sipër mund të ndeshim këtë mbishkrim: QUESTA SEPULTURA SI E DELLA SCHOLA DE/ LA NATION DI ALBANESI MCCCCLXXXXI.

“Godina e shkollës, që sot konsiderohet për njërin ndër atrakcionet turistike të Venedikut, ishte ngritur midis kishës së Shën Mauricit dhe kumbonarit, gjë që mund të vërehet fare lehtë edhe sot. Ajo kishte një ballinë të ngushtë me proporcion shumë të thellë, e cila mbështetej drejtpërsëdrejti me kishën e Shën Mauricit. Ballina e Shkollës, duke qenë në një lini me kishën, shikonte sheshin Piovan. Kundruall shkollës kanë qenë të ngritur shtëpitë e kapelanëve, që shtriheshin deri te procka e afërme e Shën Mauricit dhe më pastaj duke u zgjatur deri te ndërtesa e kuvendit të Shën Mauricit. Në mes të godinës, është gjendur oborri pitoresk bashkë me një pus në qendër dhe me një galeri druri, e cila rrethonte oborrin në tërësi me hardhi. Nga oborri kishte tri dalje për në shesh. Shkolla zinte pjesën e pasme të godinës së gjatë. Në katin përdhesës është gjendur e ashtuquajtura Albergo da basso (Bujtina e poshtme), ku është vendosur një altar guri pak i ndriçuar, gjë që dëshmohet edhe nga radhonjat e Statutit ose Amzës së shkollës. Kur është fjala për Statutin, respektivisht Amzën e bashkëvëllezërisë arbrërore ose si e ndeshim në dokumente Mariegola, respektivisht Matricola, është ruajtur vetëm kopja nga viti 1750, e cila sot ruhet në Arkivin Shtetëror të Venedikut dhe në Biblioteca Nazionale Maraciana”, ka thënë ai.

Në aspektin vizuelo-arkitektonik, Drançolli thotë se tërheqin vëmendjen dy dritare të katit të parë, një pllakë e forcuar nga guri i Istrisë me një basoreliev madhështor ku është paraqitur motivi i “Rrethimit të Shkodrës” (1474 – 1478-1479), i cili edhe sot shihet e lexohet mirë.
“Aty, veç konfirmimit dhe rëndësisë qytetit të Shkodrës në politikën venedikase mbi Adraitik dhe Mediteran, shihet edhe rëndësia e mërgimtarëve shkodranë në historinë e mërgatës në Republikën e Venedikut. Nën mbishkrim janë paraqitur relievet e figurave plastike të Shën Galit, Zojës Virgjër me fëmiun, dhe Shën Mauricit. Autori i këtyre veprave mendohet të jetë Pirgoteli, një skulptor zulmëmadh i Renesansës”.

Në fund, në arkitra të objektit përvijohet mbishkrimi. SCOLA S. MARIA SAN GALLO DI ALBANESI. Bashkëvëllazëria arbërore, numerikisht dhe ekonomikisht më e fuqishme ishte pikërisht në kohët e vështira për ekzistencë, në vitet 1502-1508, për dekorimin e selisë së saj do ta angazhonte piktorin e madh Viktor Karpaçin i njohur me opusin e tij Cikli i Arbërve.

“Lidhje të afërta me këtë shkollë kishte edhe Mark Basaiti, një piktor tjetër i madh arbëror. Këto lidhje nuk i kanë shkëputur asnjëherë edhe intelektualët të tjerë arbëror, të cilët vepronin në Venedik dhe rrethe. Vargu i tyre është bukur i madh: Marin Barleci, Marin Beçikemi, Leonik Nikollë Tomeu, Gjin Gazulli, Martin Segoni, Lukë Paneti – Ulqinaku, Bernardin dhe Matej Vitali – Albanesoti, Nikollë Blashi e ndonjë tjetër. Shkolla e Arbërore ishte aktive deri në 1780, bashkëvëllezëria shpërndahet në këtë vit dhe ndërtesa kalon në duart e korporatës dei Pistori. Shumë orendi dhe pajisje të brendshme me vlera të mëdha do të shitën apo do të humbasin. Në sallën e Shkollës edhe më tej do të ruhen 43 piktura. Gjashtë prej tyre janë të Karpaçit. Ndërkaq, për të tjerat nuk kemi njohuri. Këto gjashtë piktura të Karpaçit i kishte parë në vitin 1784 edhe G. B. Mengardi, sipas të cilit këto kishin nevojë për mbrojtje urgjente”.


Burimi: Arkivi Shtetëror i Venedikut dhe arkivi personal i Jahja Drançollit.

Vdes komediani Jerry Lewis

Jerry Lewis, një nga komedianët më të suksesshëm në Hollywood, ka vdekur në moshën 91 vjeçare.

Bashkëpunimi i tij 10 vjeçar me Dean Martin i shfaqi në 16 filma duke arritur sukses të madh.

Lewis u bë aktori më i paguar në Hollywood me paraqitjet në The Bell Boy, Cinderfella dhe The Nutty Professor.

Aktori vdiq në shtëpinë e tij në Las Vegas. / KultPlus.com

Ndërron jetë aktori Sotiraq Cili

Regjisori dhe aktori Sotiraq Cili është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare. Lajmi bëhet i ditur nga Teatri i Korçës ku Cili zhvilloi pjesën më të madhe të karrierës së tij. Sotiraq Cili lindi në Korçë më 15 mars 1942. Ai është i njohur dhe për interpretimet në kinematografi.

Filmi i parë ku ai mori pjesë ishte « Flamur me dallgë » më vitin 1970, të të vijuar më pas me « Një udhëtim i vështirë », « Tomka dhe shokët e tij », « Gjeneral Gramafoni » , « Pas gjurmëve », « Një natë nëntori »,« Karnavalet », »Prita », « Vjeshtë e nxehtë », etj. Në vitin 1988 ai interpretoi në filmin Rikonstruksioni me regji të Vladimir Kasaj dhe skenar të Vito Koçit. “Kronikë e një nate”, është filmi ku ai interpretoi në vitin 1990, nën regjinë e Esat Ibros dhe skenar të Bashkim Hoxhës.

Darka e fundit e komandantëve..

Shkruan: Egzon Kryeziu

Ju komandantë, në ditën që do bëni pazaret dhe do uleni në kolltuqe, atë mbrëmje shtrojeni një darkë, bëjeni me doemos.
Të jetë darkë lamtumire.

Të pastrehët e skamnorët, ftojini,u folni për lukset tuaja modeste, mandej shihni me ngërdheshje teksa i perbijnë lotët.
Ftojini edhe fëmijët, gratë e burrat, ata me flokë të rëna nga kanceri a leukemia dhe u tregoni drejtë, thuajini që do të vdesin në mungesë spitalesh.

Studentët t’i ulni në rendet e para, shikojini drejtë në sy dhe kërkoni prej tyne të heqin dorë nga ëndrrat.
Policët, gjykatësit, prokurorët, mjekët, profesorët e doganierët, dehni, pastaj ashtu të dehun prej secilit kërkoni betimin për servilosje, detyrojini të nënshkruajnë.
Akademikëve t’i bëni vend në qoshe, t’i ngopni, pastaj prisni derisa të degustojnë verën, mandej ua leni bakshishet, kështu e bleni heshtjen e tyne.
Gazetarët e ata që guxojnë të ngrisin zërin pritni tek dera dhe goditini fortë me çka të mundeni, frikësojini.
Këtë le ta bëjnë zagarët tuaj, ju mos e prishni terezinë.
Festoni për kolltuqet e për pushtetin, ngreni dolli , çlirimtarë e tradhëtarë krahë për krahë.

Ju tuxharë që mbani kuletën, darkën ta paguani me paratë tona, hallall ua bëjmë.

Në darkë të na ftoni, aman.
Dorën me të cilën luftuat na vëni përpara, ne ua puthim, atë tjetrën me të cilën vodhët ta fshehni bëni mirë se me te nenshkruat turpin.

Ndaj mos na fyeni pse ua themi në sy qe iu kanë vdekur idealet, komandantë.

Nënë Tereza ishte motivim për Princeshën Diana

Janë zbuluar letra të Princeshës së ndjerë, në të cilat ajo tregon se si takimi me Nënën Terezë i kishte ndryshuar jetën, dhe se si Nëna Terezë e kishte inspiruar që të ndihmonte njerëzit në nevojë.

Në letrat që janë zbuluar, Diana tregon se si Nënë Terezë dhe murgeshat i kishin ndihmuar të kishte zgjim shpirtëror në momentet e saj më të vështira.

Ajo kishte vizituar jetimoret në Kalkutë në vitin 1992, në kohën kur ajo kishte probleme të mëdha në martesën e saj me princin Charles.

Në një letër ajo ka thënë: “Sot diçka shumë e veçantë ka prekur jetën time. Kam vizituar shtëpinë e Nënës Terezë dhe kam gjetur rrugën të cilën kam kërkuar me vite”.

Shërbëtori personal i princeshës së ndjerë, Paul Burell, ka thënë se pas vizitës në Kalkutë, dhe pasi ka parë me sytë e saj fëmijë të sëmurë dhe në prag të vdekjes, ajo u bë më spirituale dhe fillojë të merrej më shumë me bamirësi.

Ai gjithashtu shtoi se ajo me Nënën Terezë tashmë kishin një lidhje të veçantë shpirtërore, dhe se puna e saj dhe përkushtimi i Dianës ndaj njerëzve në nevojë, ishin inspirim për shumë princesha tjera në glob, ka shkruar Mirror.

Diana kishte thënë se ajo as që mund t’i afrohej Nënës Terezë dhe punës së saj, dhe se ajo ishte shumë e vogël në krahasim me të.

“E vetmja gjë që mund të bëj është të shkoj me hapat e saj”, kishte thënë ajo.

Burell ka shtuar se Nëna Terezë i kishte dhuruar princeshës një palë rruaza të shenjta, dhe se kur kishte shkuar ta shihte Dianën në spital natën e aksidentit, kishte parë se Diana kishte vdekur me to mes duarve të saj. / KultPlus.com

Audienca në Japoni mahnitet nga Dua Lipa (VIDEO)

Dua Lipa ka mahnitur audiencën me koncertin e saj të mbrëmshëm në Tokio të Japonisë.

Këngët e kosovares e kanë ndezur atmosferën në Summer Sonic Festival, ndërsa sot ajo do të performojë në Osaka.

“Një prej koncerteve më të mira për mua” ka shkruar Lipa në Instagram derisa ka postuar fotografi të atmosferës. Duke se japonezët janë të dashuruar me këngët e Dua Lipës, shkruan KultPlus.

Nga data 22 shtator Dua do ti bashkëngjitet në turne Bruno Marsit. / KultPlus.com

Ky është programi për sot i Autostrada Biennale në Prizren

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor – Autostrada Biennale, vazhdon sot në Prizren, me organizimin e konferencës ndërkombëtare treditore “E ardhmja e kufijve”.

Në sesionin e sotëm “KUFIJT DHE DREJTËSIA”, me fillim nga 13:30, në Hamamin Gazi Mehmet Pasha, do të diskutohet për: Kufijtë – çfarë janë ata? Kur nevojiten? Çfarë i bën ata të dobishëm? Çfarë i bën ata të dëmshëm? Si ndikojnë ata në shoqëri?

Përderisa çështjet aktuale të kufirit në lidhje me refugjatët, emigrantët, personat pa shtetësi dhe të margjinalizuar janë pjesë qendrore e politikës dhe drejtësisë, për të tjerët është pjesa kryesore e demokracisë.
Përveç pretendimeve të të drejtave të njeriut, si mund të adresohet drejtësia, nëse nuk adresohet shumëllojshmëria e kufijve të saj?

Ndërsa kufijtë kombëtarë ndërthuren me diversitetin kulturor, drejtësia sociale është e ngarkuar me një tepricë historike dhe tregime gjeografikisht të çuditshme.
Atëherë, si përkon kërkimi i drejtësisë me formimin e subjektivitetit, për shembull, nga mjetet e protestës dhe rrëfimet? Kur masat migrojnë nëpër të gjithë kufijtë, si mund të përballojnë shtetet moderne demokratike krizën e menjëhershme në sistemin social? Pse duhet njerëzit të migrojnë në fund të fundit? A ekziston një ekonomi e politikës kufitare e lidhur me të dhe nëse po, si ndikohet shoqëria prej saj?

Në sesionin e parë, të organizuar në bashkëpunim me Firedrich Ebert Stiftung, panelistët janë : Manray HSU (kurator i këtij edicioni të Autostrada Bienale), Frank Hantke, Drejtor i zyrës së Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Prishtinë dhe Veton Surroi , ish-redaktor i gazetës Koha Ditore, publicist dhe analist politik.
Sot do të bëhet prezantimi i artistëve: Rena dhe Vladan (Serbi); Libia Castro (Spanjë) dhe Sead Kazanxhiu (Tiranë, Shqipëri).
Brenda sesionit të sotëm të konferencës, katërshja Haveit do të ketë një performancë artistike.

Ekspozita ndërkombëtare e hapur mbrëmë për shikim paraprakvazhdon të jetë e hapur edhe sot nga ora 12 – 18 për të ftuar dhe media të akredituara.

Hapja e ekspozitës për publikun do të bëhet të hënën, më 21 gusht, nga ora 12:00 në tëgjitha hapësirat e në Prizren, përfshirë hapësirat në qendër të qytetit, shtëpitë e vjetra, stacionin e autobusëve dhe hapësirave përreth, përgjatë lumit Lumbardhi në zonën e Marashit, në kodra dhe kala, do të gjenden vepra lidhur me gërmadhat, mjediset njerëzore-natyrore dhe hapësirën kohore përtej kufijve njerëzorë.

Ekspozita ndërkombëtare “E ardhmja e kufijve”, së bashku me ngjarjet e saj diskursive dhe pedagogjike, do të shikojë: Si funksionojnë shtetet kombëtare dhe sistemi i tyre për të politizuar (ose depolitizuar) identitetet kulturore, për të territorizuar zonat natyrore, kulturore dhe ekonomike nën konkurrencën kapitaliste dhe gjenerimin e fitimit? Si përballen rezistencat lokale dhe rajonale me strategjitë gjeopolitike të sistemit shtetëror? Si përdor lëvizja qytetare mjete të ndryshme, artistike dhe të tjera, për të trajtuar problemet e kufirit, për të ndërtuar identitete lokale apo koalicion ndërkufitar?

Gjatë këtij rrugëtimi artistik që do zgjasë deri më 23 Shtator 2017, do të adresohen me guxim nocionet e kufijve të dukshëm dhe të padukshëm, për të përcjellë mesazhin e domosdoshmërisë për të qenë një shoqëri më e jetueshme kolektive. / KultPlus.com

Giovanni Belluscio: Gjuha shqipe ruhet mirë në Italinë Jugore

Ruajtja e gjuhës së Arbërit në Italinë Jugore, ka ndodhur si një proces natyror, pasi që nëpër shtëpitë arbëreshe është folur shqip.

Kështu ka thënë në një intervistë për KosovaPress albanologu arbëresh Giovanni Belluscio, i cili ka ardhur në Prishtinë për të ndjekur seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.

Belluscio thotë se përfaqëson një seri të madhe arbëreshësh që kanë ardhur qysh prej viteve të 70-ta për të ndjekur seminarin e Gjuhës Shqipe.

Ai ka vlerësuar seminarin duke e konsideruar atë si ambasadorin më të mirë për albanologjinë në botë, madje, shpreson që tradita e seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare të vazhdojë me kushte edhe më të mira nga ato që janë sot.

“Ka disa vite që vijë këtu në Kosovë, në Prishtinë. Kam ndjekur edhe një seminar në 96-ën, kur kushtet ishin jo shumë të mira këtu. Përshtypjet janë gjithmonë shumë, shumë të mira. Seminari vazhdon me një traditë të gjatë dhe ka shumë persona që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Unë si italian, por sidomos si arbëresh, përfaqësoj një seri të madhe arbëreshësh që kanë ardhur këtu prej viteve 70-të për të ndjekur seminarin. Një pjesë e tyre janë bërë edhe pedagog në universitetet italiane”, tha ai.

Ai ka treguar se së pari ka folur shqip, ndërsa thotë se italishten e ka mësuar në shkollë.

“Jo nuk ka qenë e vështirë,ishte gjuha e vendit, domethënë si në të gjitha vendet, është gjuha që fëmijët mësuan. Unë për shembull mësova gjuhën e vendit, e fshatit tim sepse linda në fshat, linda në një familje arbëreshe ku përdorej arbërishtja dhe arbërishtja ka qenë gjuha ime e parë, para italishtes. Unë italishten, brezi im e ka mësuar në shkollë italishten, nuk ishte gjuhë e përdorur në shtëpi”, tha ai.

E se gjuha shqipe mësohet edhe në universitetet italiane, albanologu arbëresh thotë të ketë madje edhe italianë që ndjekin mësimet e shqipes.

“Nga pikëpamja shkencore kemi disa universitete në Itali ku jepet shqipja, edhe si gjuhë edhe si letërsi. Dhe pastaj ka katedra në Kozencë, në Palermo, në Napoli, në Romë, në Venecia ku ka jo vetëm studentë arbëresh por edhe studentë italianë që ndjekin kurse të gjuhës dhe disa prej tyre pastaj zgjedhin të bëjnë tema përkatëse për të mbaruar karrierën e tyre universitare”, tha ai për.

Mirëpo, Belluscio shpreh shqetësimet e tij sa i përket rënies demografike në disa fshatra të Italisë Jugore, gjë që sipas tij, paraqet rrezik për gjuhën por edhe kulturën arbëreshe.

“Ka fshatra ku gjuha shqipe ruhet më mirë, disa fshatra të tjerë që janë italianizuar shumë pak dhe disa të tjera që janë në një situatë të themi jo shumë të mirë sepse nuk ka folës të rinj. Brezi i ri është shumë i vogël, do të thotë janë shumë pak folës dhe kur dihet që një kulturë në një vend ku nuk ka folës të rinj ka rrezik që të zhduket jo vetëm gjuha, por edhe kultura e vendit”, tha ai.

Ai shprehet i bindur se gjuha shqipe do të pësojë ndryshime brez pas brezi, ashtu sikurse që ka pësuar ndryshime nga koha e Gjon Buzukut.

“Ne arbëreshët kemi huazime nga greqishtja, kemi huazime nga sllavishtja, kemi huazime sidomos nga italishtja, pak huazime nga turqishtja sepse ne jemi shpërngulur sapo turqit kishin mbërritur në Ballkan dhe kështu nuk kemi huazime nga turqishtja siç ka shqipja sot. Mendoj se nuk është argument që na intereson si gjuhëtar, fakti se duhet të krijohen neologjizma nga brumi i shqipes, folësit flasin gjuhën dhe sipas përdorimit gjuha formohet brez pas brezi. Pas disa brezash gjuha shqipe do të jetë shumë ndryshe nga e sotmja, ashtu siç është sot ndryshe nga gjuha e Buzukut”, tha ai.

Izer Aliu pranon çmimin për regjisorin më të mirë në Norvegji (VIDEO)

Në një ceremoni që i përngjanë vetë ceremonisë së madhe Oscars, shqiptari Izer Aliu ka marrë mbrëmë çmimin e regjisorit më të mirë.

Kjo ka ndodhur në Amanda Awards në Norvegji, në çmimet e mëdha të kinematografisë norvegjeze, ku Aliu morri çmimin e regjisorit më të suksesshëm.

Aliu morri këtë çmim për filmin “Hunting Flies”, ndërsa kishte edhe disa nominime tjera me të njëjtin film në këtë ceremoni, shkruan KultPlus.

Filmi flet për një mësues i cili pasi largohet nga puna provon një sukses me studentët e tij, ku hyn në lojë edhe miqësia e armiqësia mes fshatit. Filmi u shfaq vitin e kaluar në Toronto International Film Festival ndërsa në rolin kryesor paraqitet Burhan Amiti, si mësuesi Gani.

Izer Aliu është ndër regjisorët më të mirë të gjeneratës së tij momentalisht në Evropë, ndërsa në Norvegji tanimë ka fituar famë dhe reputacion dhe këtë e tregon edhe çmimi i cili mbrëmë padyshim i erdhi me meritë. / KultPlus.com

Ndërron jetë mësuesja Nadire Dida

Ka ndërruar jetë sot mësuesja e dalluar Nadire Dida.

“Sot i pushoi zemra e madhe Mësueses Nadire Dida. Varrimi bëhet sot në ora 16:45 në Prishtinë, ndërsa pamja bëhet në shtëpinë tonë në Bërnicë të Epërme, 700m nga rruga Prishtinë-Podujevë në drejtim të fshatit Siqevë, nga e hëna deri të mërkuren” ka shkruar në Facebook djali i të ndjerës – Agron Dida.

Dida, kjo grua e madhe e shqiptarëve, ishte e martuar me Sedat Didën. Sedati, kryeredaktor i Rilindjes, gjatë jetës së tij u burgos disa herë prej regjimit të asaj kohe. / KultPlus.com

Për gratë që do ta pshtojnë këtë vend

Shkruan: Ada Halilaj

Asht Shkodër.

Ora 7 pa 10.

-Takohna te Bar Flo-më shkrun-Te truma e Dugajve të Reja,sa hyn në pedonale,majtas-më shpjegon kur i kërkoj me ma rifresku pak memorien e lokaleve në qytet.

Pres disa minuta.Humbas majtas e djathtas me sy e pendohem që s’kam marrë me vedi gjyslykt e miopisë.Sa turbullt shoh!Ma në fund vjen nga e djathta jeme.Me flokët deri në klavikul,me mollëzat e guximshme,me fustanin e paqtë.Duket sikur ka dalë nga krahnori i një stine bardh e zi.

Flasim pa pauza të ndërmjetshme.Unë xhestikuloj shumë.Ajo pin cigare mbas cigareje.Artikulon saktë,ftoftë,me vetëdije metalike.Nuk ma ndërpret fjalen asnjëgerë.Ka një durim të përsosun dialogu.Qesh rrallë,por nuk asht e trishtume.Asht e zemërume,ndoshta pak shtegtare!Ka luftë,zjerm e stuhi në çdo inç të sajin.Nuk përmbahet po as nuk zgidhet.I vjen era liri edhe pse çdo natë struket të i njejti kafaz,prej të cilit i asht mbledh nyje një dëshirë e shfrenume ikjeje.Një prerje Cezariane perfekte rrin midis saj dhe turmes.E prapë mbi atë tokë i lëshon kambët si dy kuaj të etun për vrap.E unë mendoj:Vajza si kjo do ta pshtojnë këtë vend.Pse?Sepse thotë të vërtetën pa iu dridh as zàni e as qërpiku,mbron të vërtetën pavarësisht se prej cilës gojë del.

Mendoj,ndërkohë që ajo porosit një lang frutash, që arti,poezia,e bukura nuk e pshtojnë botën.Ato e rindërtojnë nga thërrimja ma e imtë por kjo botë ka nevojë të dëshpërume për të vërtetën,sidomos atë që dhemb me çdo dhimbje që gjen përpara.Prandaj na duhet vajza si Brigela Demaj.

Prandaj asaj dhe plot vajzave dhe grave si Rreze Abdullahu,Oli Pero,Gresa Hasa,Elona Culiq,Adela Radovani,Sibel Halimi,Entela Tabaku Sorman,Eli Krasniqi,Arjola Zadrima,Valbona Quku Lishi,Vlora Kanushevci,Silvi Bakiri,Mirela Kapaj,Nina Cara,Egla Harxhi e shumë të tjera plot pasion,ironi,talent,shpirt e vizion, u jam mirënjohëse dhe u them falemnders,falemnders që s’pushoni udhëtimin shpresëdhanës të mendimit të lirë në një Shqipni e Kosovë të mbledhun grusht.

Këto gra janë gratë e zemërume,gratë me zà,me tamth,me qëllime dhe ideale,gratë e egra,gratë e protestave,rezistencës dhe anti-konformizmit,gratë që s’e kanë ndërmend me vdekë nën diktaturen e burrave apo nën hijen e modelit të gruas tradicionale shqiptare,i cili vazhdon ende me përfaqësu modelin e parë reference për vajzat e reja.Gruaja sot,edhe pse punon dhe kontribuon financiarisht në familje,ka makinë personale dhe del darkave me kolektivin e punës,vazhdon të mbahet fort për jaken e burrit,vazhdon ende ti mësojë vajzes si bahet byreku dhe djalit si luhet me shpatë,vazhdon me mbyll një sy kur e vret ajo që sheh dhe me ba nje vesh shurdh kur e indinjon ajo që ndigjon,vazhdon me çu përpara një mendësi të ç’armatosun nga dinjiteti dhe një trup që ka frikë t’i ngjitet malit.

Nuk na mungojnë gratë e forta në këtë vend,por gratë që ndihen krenare për forcën që kanë dhe nuk kanë turp të rrëfehen si të tilla.

Nuk na mungojnë gratë shembullore,po gratë që i ngjajnë andrrave që kanë dhe jo shembujve të trashëgum.

Nuk na mungojnë gratë e shkathta,por gratë që shkathtësinë individuale nuk ngurrojnë ta derdhin në kauza universale.

Nuk na mungojnë gratë inteligjente,por gratë që nuk ndihen superiore,të privilegjume apo ma të bukura se të tjerat.Na mungojnë gratë që nuk i vejnë kambën grave.

Nuk na mungojnë gratë e suksesshme por gratë që ndihmojnë në suksesin e të tjerave.

Nuk na mungojnë gratë luftarake,por gratë që mbasi kanë luftu trimnisht për lirinë e vedit,përkrahin edhe betejat e shoqeve.

Na mungojnë gra që flasin sidomos kur komandohen me besu që heshtja asht gjithmonë mike e mendjeve të urta.

Gra që reagojnë,sidomos kur urdhnohen me u mënjanu e me pa punën e tyne.

Gra që kur shohin gratë e tjera duke shku drejt humnerave,bashkohen me i ndërtu një urë.

Gra që nuk paragjykojnë gratë e tjera por ua ndigjojnë historitë deri në fund.

Na mungojnë gra që mbasi provojnë mëshirë,keqardhje dhe dhimbje,shpërvjelin mangët dhe në të voglën e tyne, pagzojnë ndryshime themelore.

Këto janë gratë që du.

Këto janë gratë që do ta pshtojnë të ardhmen..

Gra që nuk i xen vendi vend,që nuk rrinë gjatë me duart kryq në gjoks e që nuk ulen me fjetë pa i ba vedit dy pyetje e dy premtime.

Gra që dojnë fort gratë e tjera,duke e ditë se sa thika na ngulen në shpindë sapo shohim pak drejtë,duke e njoft mirë tokën e minume në të cilën shkelim përditë,duke dëshmu se shumica na e dojnë trupin,flokët,sytë,buzët e barkun por jo shpirtin.Shpirtin na e dhunojnë,na e ndryjnë,na e fshehin nën shtatë lëkura.

Gra që dhimbjet nuk i vejnë në gjumë por ua kërkojnë ilaçin.

Gra që s’më ngjajnë aspak,s’më dojnë aspak,s’më vlerësojnë aspak por që nuk tentojnë asnjëherë me m’i vra andrrat e me ma djeg lirinë.

I du gratë që besojnë në Zot po aq sa ato që n’Zot s’betohen kurrë…i du gratë që punojnë tokën e ata që punojnë në kulla vrojtimi,i du gratë-nana po aq sa gratë-gra,du gratë racionale dhe irracionale,gratë e vetmive dhe gratë që vetminë e trembin me gurë.I du gratë që zgjedhin vetë por nuk bajnë moral mbi zgjedhjet e të tjerave.

I du gratë që edhe kur nuk arrijnë me vu vetë dorë mbi ballin e jetës,e pranojnë përçmimin për shtypjen dhe nënshtrimin e nuk tregojnë përralla mbretnore tek të cilat nuk besojnë as fëmitë.

I du gratë që bajnë sa munden,por të paktën bajnë diçka.

I du gratë që shkaktojnë vorbull sociale (patriarkale),që bajnë zhurmë dhe që nuk i ngjajnë pritshmërive ekstreme:të shenjtes dhe përfeksionit.

I du gratë e vërteta,gratë e sinqerta,në të mirë e në të keq.gratë që flasin troç,të shohin në dritë të syve dhe nuk kanë frikë as nga kush je ti,as nga sa lekë ke në xhep,as nga sa njerëz të njohin atje jashtë.

I du pafundsisht këto gra,duke fillu nga gruaja që po shkrun,nga vedi.

Ada Halilaj : https://woman-being.com/2017/08/19/per-grate-qe-do-ta-pshtojne-kete-vend/

Si e humbi zërin Nexhmije Pagarusha në Sarajevë, në vitin 1984?

Këngëtarja e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, ka një karrierë disavjeçare për tu lakmuar dhe kësisoj ka hyrë përgjithmonë në zemrat e shqiptarëve.

Këngëtarja e “Bareshës”, megjithatë, dikur u zhgënjye për faktin se humbi zërin dhe nuk dha maksimumin e saj në skenë. Kjo do të ndodhte kur kulmi arriti në Sarajevë, në një performancë të sajën kur ajo u kritikua për performancën e saj.

Historinë e tregon vetë Bilbili i Kosovës – Nexhmije Pagarusha.

“Kisha disa vështirësi me zërin kohët e fundit, për çfarë edhe e kisha konsultuar një mjek në Beograd, i cili sa herë që mbaja koncerte atje, vinte bashkë me të shoqen e më nderonte me buqetë lulesh. Më pati preferuar: zonjë, juve ju nevojitet një periudhë qetësie, s`kemi nevojë për ilaçe. Ndërprerja definitive e zërit, ndërkaq, ndodhi në Sarajevë, në Lojërat Dimërore Olimpike 1984. Radio Prishtina më çoi bashkë me orkestrën që të këndoja për mysafirët e ardhur nga e gjithë bota. Këndoja në një lokal që i thonin Hamam Bar, përnatë, dhjetë ditë. Kjo ishte e tepërt për mua, në atë tym duhani. Pastaj, isha nervoze, ngase orkestra zbavitëse nuk dinte të më shoqëronte. Kur erdhi Ansambli Shota, bashkë me Luan Hajrën, u gëzova. Këndova dhe të nesërmen mbrëma me këtë ansambël, gjë që askush në botë nuk do të dilte të këndonte me atë zë që pata atë natë! Por, më vinte keq t`i lija, se ndërmjet pikave kur unë dilja, ata të ansamblit ndërronin gardërobën për paraqitjen e radhës. Ajo natë për mua ka qenë e tmerrshme, disa tone mund ti këndoja, disa jo, ndërsa djersët më shkonin, salla ishte përplot, megjithëkëtë duartrokitnin” tregon Nexhmija në librin e Sanije Gashin – Ecje nëpër kujtesë, derisa flet se si nisi zëri i saj të marrë ngjyrim tjetër shkaku i disa viteve performanca por edhe paraqitjeve në lokacione ku zëri i saj përzihej me tymin e duhanit.

“E kisha një koleg të ri, mik, që studionte në Sarajevë, i cili m`u afrua: Nexhi, ti më kështu nuk bën të këndosh! – E di, i thashë. Dhe kurrë më në jetë nuk kam kënduar! Ishte një mbrëmje e ftohtë, e ftohtë, si dimrat e Sarajevës më. Kjo ishte përshëndetja ime e fundit me skenën, me këngën, me zërin” tregon Pagarusha rreth periudhës kur u largua nga muzika për tu rikthyer vite më pas në një tjetër rrethanë dhe ndihmuar nga miqtë e saj këngëtarë. / KultPlus.com

Resa

Poezi e shkruar nga Erenestina Gjergji Halili.

S’ke pâsë resë kurrë?
Hjèdhe gurin i pari!

S’ke frymue n’ ofsh për jetën e tjetrit?
I pari hjèdhe at’ gur!

S’ke kqyrë tuj kja, t’qeshunën matanë?
Hjèdhe i pari at gur!

S’ke kjâ n’vedi, pse tjetri âsht nji hap nelt?
Hjèdhe, n’mujsh at’ gur!

S’ke ândrrue jetën, qi jotja s’kâ me kenë?
Mshèfe at’ gur, n’xhepin mâ t’ fellë…

Kur një shqiptare del në ballinën e Spotify (FOTO)

Spotify ka zgjedhur këngëtaren shqiptare në ballinën e ditës së sotme të top hiteve.

“Today’s Top Hits”, sjell 50 këngët më të mira në botën e muzikës.

“50 më të mirët në botën e muzikës. Gjithmonë i freskët, gjithmonë i ri. Ballina: Dua Lipa”, shkruhet në ballinën e Spotify.

Thank you @spotify for making me the cover of Today's Top Hits. Love 💚

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on

Kurse Dua Lipa ka falënderuar Spotify që e ka zgjedhur atë që të jetë në ballinë.

“Faleminderit Spotify që më vendose në ballinën e ‘Today’s Top Hits’. Dashuri”, ka shkruar Dua Lipa në Instagram. / KultPlus.com