Disa…

Poezi e shkruar nga Nezir Kraki.

Disa janë veç njerëz,
Disa janë edhe ndjesi,
Disa janë edhe vuajtje,
E disa janë Dashni.
Disa janë vite t’gjata,
Disa as që mbahen mend,
Disa janë minuta t’arta,
E disa janë Moment.
Disa tjerë s’janë as njerëz,
As vuatje, as ndjesi,
Disa s’janë asnjëra nga këto,
As Moment, as Dashni.

N. Kraki
Paris, 14 gusht 2017

Filmi “Ballkoni” i Lendita Zeqirajt do të shfaqet në Portugali

Filmi “Ballkoni” me regji nga Lendita Zeqiraj po vazhdon rrugëtimin e tij nëpër festivale.

Edhe pas katër viteve realizim dhe rreth 167 festivaleve ku filmi ka marrë pjesë, e disa prej tyre edhe me çmime, filmi do të shfaqet në Portugali.

“Ballkoni”, historia e Jetonit 10 vjeçar i cili e çon peshë tërë lagjen e tij nga lazdrimi, do të shfaqet në BEAST- International Film Festival në qytetin e bukur të Portos në Portugali.

Në film luajnë Avni Dalipi, Osman Ahmeti, Arben Bajraktaraj, Gjin Kastrati, Shengyl Ismaili, Adriana Matoshi, Leonora Mehmetaj e artistë të tjerë.
Para se të fillojë festivali, me datë 23 gusht “Ballkoni” do të shfaqet bashkë me një film nga Polonia dhe një bashkëproduksion mes Moldavisë e Rumanisë.

“Ballkoni” zgjatë 20-të minuta dhe mbetet një ndër filmat më të suksesshëm nga Kosova. / KultPlus.com

Saimir Pirgu në koncertin Gala të Veronës

Tenori Saimir Pirgu rikthehet në Arenën e Veronës me koncertin Gala, Simfonia e 9-të e Bethovenit.
Nën drejtimin e mjeshtrit Daniel Oren, intepretimin e sopranos Erika Grimaldi dhe tenorit Saimir Pirgu, koncerti gala pritet të jetë një shpërthim vokalesh mbrëmjën e 15 Gushtit.

Pirgu është ngjitur në Arena di Verona edhe më parë me operan Don Giovanni. Në një intervistë për Opera Magazinë ai shprehet: “Simfonia e 9-të është një mrekulli kompozicioni dhe për ta përballuar kuarteti vokal duhet të shprehë maksimumin”. Quarteti vokal do të plotësohet edhe nga sopranoja kontralto Daniela Barcellona dhe baritoni Ugo Guagliardo, shkkruan atsh .

Sipas Opera Magazine, Saimir Pirgu është një nga yjet më të shndritshëm të panoramës lirike ndërkombëtare. Ai ka koleksionuar triumfe në teatrot dhe festivalet më të rëndësishme të botës.

Tenori shprehet se «Arena ështe një vend magjik me një atmosferë speciale, një teatër kaq i veçantë që nuk ka të dytë. Të këndosh në një hapsirë kaq të madhe dhe në qiell të hapur derisa zëri të arrijë tek publiku i qartë dhe i kthjellët kërkon energji për ti dhënë tingullit cilësi. Të këndosh nën yje në mbrëmjet verore rrethuar nga një publik shumë i madh në numer dhe pak hapa larg shtëpisë time është një përvojë unike që më bën krenar pse kam zgjedhur Veronën si qytetin ku jetoj” thotë këngëtari shqiptar.
Saimir Pirgu zoteron çmimin prestigjioz “Pavarotti D’Oro” marrë në vitin 2013, ndërsa në 2016 i është dorëzuar çmimi “Verona Lirica”./KultPlus.com

Lule Elezi performoi në Chopin Festival në Gaming të Austrisë (FOTO)

Ishte e vetmja pianiste shqiptare që mori pjesë në Festivalin e sivjetmë Chopin Festival në Gaming të Austrisë, që hapjen solemne e ka pas më 11 gusht, kurse është mbyllë në mbrëmjen e së dielës, shkruan KultPlus.

Pianistja Lule Elezi ka performuar në këtë festival, në të cilin për tri net rresht kanë performuar edhe instrumentistë nga vende të ndryshme të botës si: Austria, Gjermania , Franca, Polonia dhe Korea.

Vetë Lule Elezi ka thënë për KultPlus se në mbrëmjen e saj, ajo ka performuar vepra të njohura nga opusi krijues i kompozitorit botëror Frederic Chopin, duke zënë vend në mbrëmjen më romantike të këtij edicioni, pasi që, pianistja Elezi ka performuar në mbrëmjen “Nokturno nën dritën e qirinjve.
Ndërkohë, bëhet e ditur se mbrëmja ku ka performuar pianistja kosovare ishte përcjellë nga mysafirë të rëndësishëm, nga fusha e politikës, kulturës, ekonomisë…

“Ishte një emocion i veçantë, të performosh në mbrëmjen më romantike të këtij festivali, me të vërtetë ishte një kënaqësi e madhe. Duartrokitjet ishin aq të ngrohta, dhe, pikërisht prej kësaj pritjeje, dhe emocioni që dha performanca ime, po atë mbrëmje më është bërë ftesa për koncert recital në Vjenë të Austrisë”, ka thënë Elezi për KultPlus.

Chopin Festival organizohet nga Shoqata Ndërkombëtare Frederic Chopin në Vjenë të Austrisë, kurse ky edicion është hapur nga presidenti i Shoqatës Chopin në Vjenë, Theodor Kanitzer. /KultPlus.com

Dua Lipa, pa çmim në ceremoninë Teen Choice Awards 2017

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa kësaj radhe nuk ka fituar çmim në Teen Choice Awards në Los Angeles.

Dua Lipa ka qenë e nominuar në kategorinë e artistit të ri më të mirë – Choice breakout artist, por nuk ka triumfuar në një konkurrencë me artistët tjerë.

Chance The Rapper e ka fituar këtë kategori, ndërsa bashkë me Duan të nominuar kanë qenë edhe James Arthur, Halsey, Zara Larsson dhe Julia Michaels.

Chance the Rapper është këngëtar amerikan, emri i vërtetë i të cilit është Chancellor Johnathan Bennett. Ai është vetëm 24 vjeçar. / KultPlus.com

Ka nisur Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Drejtori i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Rrahman Paçarizi, tha se e veçanta e këtij viti është se ka pasur një interesim të madh të brezave të mërgatës për të qenë pjesë e seminarit.

Ai këto komente i bëri me rastin e hapjes së seminarit 36 për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku ishin të pranishëm përfaqësues universitarë, albanologë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjatë dy javëve do ta mësojnë gjuhën shqipe përmes kurseve intensive.

Paçarizi është shprehur se fatkeqësisht nuk ka kapacitet për të përmbushur kërkesat e gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesë e programit.

“Ju ftojmë ta mësoni letërsinë shqipe dhe ta mësoni kulturën shqipe”, u shpreh ai.

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami është shprehur se është obligim i Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që të përkrahin albanologët.

“Ky seminar do të ndikojë në internacionalizimin e albanologjisë”, tha ai.

Nita Rugova, dekane e Fakultetit Filologjik, u shpreh se e tërë Prishtina i gëzohet ardhjes së seminaristëve të huaj.

“Ky seminar është një rrugëtim i vështirë në kërkim të zhvillimit akademik, një tubim i lartë shoqëror që ka arritur të bëhet institucion. Dhjetëra studentë i kemi shkëmbyer falë këtij seminari”, tha ajo.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e pesë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. / KultPlus.com

Pse u demoralizua herët në jetë Melihate Ajeti?

Nëse përmendim një aktore shqiptare e cila në jetë pati edhe rolin që u shkrua enkas për të, e luajti në një shfaqje për 13-të vite me radhë për ta përsëritur, nuk shkruhet emër tjetër pos ai i Melihate Ajetit.

Aktorja e njohur e shqiptarëve, aktorja e laureuar me çmimin më të madh të Kosovës me rolin e Margaret Goties, aktorja e roleve të mbretëreshës dhe aktorja që u largua nga skena pa ndonjë lamtumirë e pa bujë, sot kujtohet më pak prej gjeneratave të reja.

Melihate Ajeti, e lindur në Prishtinë, u martua shumë e re me Muharrem Qenën.

“Atë ditë, me 17 shtator 1953, mëhallën tonë e pushtoi jehona e këngës. Meli po bëhej nuse, veçse nuk ishte i pranishëm i ati, Shaban Ajeti, për ta përcjellë të bijën. Vajza Antigona Qena është i vetmi fëmijë i këtij çifti” shkruan Sanije Gashi në një libër ku është përfshirë edhe primadona e teatrit në Kosovë.

Ndarja prej Muharremit ndodhë pas 14-të vitesh. Nuk e botoi kurrë librin e kujtimeve, ku tregoi për rolet e saj të mëdha, për dhomën e saj të vetmuar ku ndoshta do të duhej të kishte më shumë njerëz.
Meli, megjithatë nuk pranoi kurrë më shumë se kaq. Luajti në “Hamleti” ,”Erveheja”, “Antigona”, “Makbethi”, “Besa”, e “Sikur të isha djalë”, mes tjerash. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë iu nda në vitin 1971 ndërsa në vitin 1963 morri çmimin e madh të Kosovës – Shpërblimin e Dhjetorit.

“Jam demoralizuar shumë herët në jetë. Pse të ketë urrejtje, xhelozi, lakmi, pse luftëra, vrasje, tortura, robëri? Pse të vdesin familjarë, atdhetarë, pse të zhduken dijetarë, shkencëtarë? Pra, jeta është një pyetje e madhe: përse vdekja” thotë Melihate Ajeti për Sanije Gashin në librin e grave që dhanë kontributin e tyre ndër shqiptarë në fusha të ndryshme të artit.

Rreth 200 role teatrore, mijëra faqe të Ervehesë që si shfaqje qëndroi 13-të vite në repertori, “Vajza pa pajë” me Istref Begolli, rolet në “Kur pranvera vonohet”, “Trimi”, “Etja”, e bëjnë Melin damën e parë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Italia organizon ekspozitë retrospektive të artistes serbe Marina Abramoviq

Pasi ka ekspozuar punët e ndryshme nga Ai Weiwei dhe Bill Viola, Palazzo Strozzi do të sjellë ekspozitën retrospektive të një prej artisteve më të njohura në botë.

Gjyshja e artit bashkëkohor performues, siç e quajnë, Marina Abramoviq vjen në Firence në këtë ekspozitë që e sjellë karrierën e saj prej gati pesë dekadash.

Rreth 100 punë artistike do të ekspozohen me datë 21 shtator të vitit tjetër. Artistja serbe gjithmonë ka punuar me një inspirim që nuk e ka larguar nga shteti italian.

Disa prej punëve më të rëndësishme të Marina Abramoviq po i radhisim këtu:

https://www.youtube.com/watch?v=eStKDxzffZs

https://www.youtube.com/watch?v=OS0Tg0IjCp4

https://www.youtube.com/watch?v=QcaaVZrUC44

Astrit Kabashi, Adriana Matoshi dhe Trim Musliu janë anëtarët më të ri të Akademisë së Filmit Evropian

Tre artistët kosovarë, Astrit Kabashi, Adriana Matoshi dhe Trim Musliu janë anëtarët më të ri të Akademisë prestigjioze të Filmit Evropian EFA duke numëruar kështu 17 anëtarë nga Kosova të cilët janë pjesë e Akademisë.

Në bazë të sukseseve të arritura Astrit Kabashi dhe Adriana Matoshi si aktorë të filmit ‘Babai’ dhe Trim Musliu si producent i filmit ‘Home Sweet Home’, janë ftuar të anëtarësohen nga Akademia e Filmit Evropian me propozim nga drejtori i QKK-së, Arben Zharku.

Akademia e Filmit Evropian është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themeluese si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.

Së fundmi edhe regjisori Visar Morina i është bashkangjitur Akademisë së Filmit Evropian. / KultPlus.com

Shikojeni performancën e Rita Orës mbrëmë në Teen Choice Awards 2017

Rita Ora mbrëmë performoi këngën e saj më të re “Your Song”.

Kjo ka ndodhur në ceremoninë Teen Choice Awards në Los Angeles në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi ka parakaluar në tepihun e kuq, ajo është ngjitur në skenë në një performancë magjike e cila edhe njëherë tregon kapacitetin e asaj që mund të bëjë një ndër shqiptaret më të njohura në popin botëror, shkruan KultPlus.

“Your Song” është suksesi i fundit i Rita Orës, bashkëpunim ky me Ed Sheeran dhe një garancion për karrierën e Ritës në industrinë e fuqishme muzikore angleze por edhe amerikane.

Teen Choice Awards janë çmime ku votojnë adoleshentët nga mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të zgjedhur më të mirët e muzikës por edhe filmit e serive televizive. Performanca e Ritës është kjo poshtë. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=V7K39cQ7JwQ

Me 14 gusht 1933, Hasan Prishtina vritet në Selanik

Hasan Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Lindi në vitin 1873. Kreu gjimnazin francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës e njohur me emërtimin “Mylkije” në Stamboll.

U zgjodh tri herë deputet në parlamentin osman dhe mbrojti me forcë të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Hasan Prishtina, Ismail Qemali e patriotë të tjerë shqiptarë ishin nismëtarët e organizimit të kryengritjes kundër osmane të shqiptarëve të vitit 1912.

Në vitet 1916-1918 bashkëpunoi me autoritetet austro-hungareze me qëllim që të përfitonte nga ndonjë rrethanë e përshtatshme për të realizuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ishte një nga drejtuesit kryesorë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare të Kosovës”. Në vitin 1921 u zgjodh deputet në këshillin Kombëtar. Drejtoi qeverinë shqiptare për një periudhë disa ditore në dhjetor të vitit 1921. Gjatë viteve 1922-1933 ishte një përfaqësuesit kryesorë të opozitës ndaj mënyrës së qeverisjes së Ahmet Zogut. Gjatë gjithë periudhës së viteve ’20 të shekullit XX ishte një nga ideologët kryesorë të tezës: “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri”.

U vra më 14 gusht 1933 në Selanik nga një “mik” i tiji, Ibrahim Çelo. Vrasja u krye në orën 2 mbasdite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhëtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane “IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit 4 herë, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku.

Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. / KultPlus.com

Ka vdekur Ruth Pfau, Nënë Tereza e Pakistanit

Dr Ruth Pfau, e njohur edhe si Nënë Tereza e Pakistanit, ka ndërruar jetë.

Murgesha gjermane ka vdekur në Karachi me 10 gusht, në moshën 87 vjeçare.

Pfau ka ndihmuar për dekada me radhë në Pakistan për të ndaluar shpërndarjen e bakteries leprosy – lebra apo gërbula, e cila mund të shkaktojë verbërimin tek njerëzit. Bakteri njihet edhe si Sëmundja e Hansenit, shkruan KultPlus.

Njëjtë si Nënë Tereza shqiptare, edhe Pfau ka jetuar me njerëzit të cilët patën nevojë për ndihmën e saj.
Ruth Pfau ka lindur në Lajpcig në vitin 1929. / KultPlus.com

Shqiptarja tjetër që mbrëmë mahniti publikun në Los Angeles (VIDEO)

Pos Rita Orës, edhe një shqiptare tjetër mbrëmë mahniti audiencën e pranishme në Los Angeles në Amerikë.

Bebe Rexha dhe Louis Tomlinson e mbyllën ceremoninë e njohur të ndarjes së çmimeve me hitin e tyre “Back to You”. Një Bebe e zjarrtë mbrëmë duket se ka shijuar çdo moment të performancës së saj, shkruan KultPlus.

Bebe Rexha ishte e pranishme në këtë ceremoni edhe në vitin 2015-të, asokohe e nominuar në një prej kategorive. Tomlinson në anën tjetër ka vazhduar karrierën solo ndërsa me grupin One Direction ka qenë disa herë pjesë e ceremonisë Teen Choice Awards 2017. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=85&v=_5aJvk7gaAQ

Askush më bukur se Rita Ora në Teen Choice Awards (FOTO)

Rita Ora mbrëmë ka qenë e pranishme në Teen Choice Awards 2017.

Çmimet në të cilat votohet nga të rinjtë e Amerikës në kategoritë e televizionit e muzikës, mbrëmë e kanë sjellë edhe shqiptaren Rita Ora e cila ka kënduar por nuk ka qenë e nominuar në ndonjë kategori, shkruan KultPlus.


Ngjyra pink ishte zgjedhja e Ritës për tepihun e kuq dhe parakalimin në këtë organizim të madh.

Pos Ritës, edhe Bebe Rexha e Dua Lipa ishin të pranishme në këtë ceremoni të ndarjes së çmimeve. Dua ishte e nominuar por nuk morri imim ndërsa Bebe Rexha po ashtu performoi. / KultPlus.com

Ogur i mirë për ekipin e filmit shqiptar “Dita zë fill”, fituesi i çmimit Oscar i shoqëron në Sarajevë

Ekipi i filmit “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit tashmë ka parakaluar në tapetin e kuq në Festivalin e Filmit në Sarajevë, shkruan KultPlus.

Por jo të gjithë ekipet e filmave konkurrues kanë fatin që të shoqërohen edhe nga regjisor me çmimin Oscar, pasi që, Oliver Stone i nderuar edhe me çmimin e nderit “Zemra e Sarajevës”, ka shoqëruar këtë ekip të filmit, që po kryesohet nga regjisori Koçi.

Mbetet të shihet se si do të pritet ky film nga audienca e Sarajevës, por më e rëndësishme edhe se si po vlerësohet nga juria e këtij festivali, ku po garon edhe ky film shqiptar./KultPlus.com

Vazhdojnë traditën e të parëve, vajza arbëreshe me veshje tradicionale

Arbëreshët e Italisë po mrekullojnë botën me ruajtjen e kulturës së tyre, edhe përkundër faktit se tash e 500 vite janë duke jetuar jashtë trojeve shqiptare, shkruan KultPlus.

Pikërisht për specifikat e tyre, në ruajtjen e gjuhës, traditës e kulturës, së fundi është bërë edhe kërkesa që kultura e tyre të mbrohet edhe nga UNESCO.

Janë komuniteti më aktiv në Itali, të cilët shumë shpesh organizojnë edhe performanca në sheshe të ndryshme të Italisë, duke promovuar kështu edhe kostumet mbresëlënëse.

Në këtë foto shihen disa vajza të vogla, të cilat janë veshur me kostume tradicionale, dhe pa dyshim vihet në pah edhe bukuria e rrallë e tyre./KultPlus.com

Drejtpërdrejtë nga Sarajeva, Oliver Stone pranon çmimin e nderit të Zemrës së Sarajevës

Oliver Stone tashmë ka arritur në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ku edhe po nderohet me çmimin e nderit të Zemrës së Sarajevës, shkruan KultPlus, shkruan KultPlus.

Po në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe premiera e filmit shqiptar “Dita zë fill”, i Gentian Ko çit./KultPlus.com

Në eventin e madh “Teen Choice Awards 2017” në Los Angeles edhe dy këngëtare shqiptare

Kjo është hera e parë që një ngjarje kaq e madhe në nivel botërore të nis dhe të mbyllet me këngëtare shqiptare, shkruan KultPlus.

Me orën lokale të Los Angeles, prej orës 20:00 do të fillojë ngjarja me madhe e verës “Teen Choice Awards 2017”, ku në këtë ngjarje të madhe do të prezantohen edhe dy yjet botërore, Rita Ora e Bebe Rexha.

Rita Ora do të prezantohet me këngën “Your Song”, kurse Bebe Rexha me këngën “Back to you”.
Kjo është hera e parë që një ngjarje kaq e madhe në nivel botërore të nis dhe të mbyllet me këngëtare shqiptare./KultPlus.com

Filmi i Luli Bitrit “Water for the roses” në Slemani International Film Festival (VIDEO)

Me skenar dhe regji të Luli Bitrit, filmi “Water for the roses”, është në konkurrencë zyrtare në Slemani International Film Festival, në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtë, shkruan KultPlus.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktoret: Amelia Ndoni e Gora Bardho, kurse i njëjti film tashmë është shpërblyer edhe në Festivalin e Filmit Shqiptar në New York. Filmi është vendosur në vitin 1997 në Shqipëri, duke shpjeguar kështu jetën e vështirë të femrave, por duke vënë theksin edhe te migrimi./KultPlus.com

https://vimeo.com/222798205

Nën qiej qetë të tërbum

Poezi e shkruar nga Adrian Bytyqi.

Në netë si kjo, du me t’pasë afër
Kur qielli gjallnon me frymë të ftohtë
Kur ndihem rrahat nën mbulesa të leshta
Ngrohtë dhe sigurtë, kamt kur na preken
Errësira e natës pas stuhisë
T’ban esëll prej të ftohtit, ndoshta
Edhe vetëm për nji moment, je kush je
E qenia jote më mungon
Nuk është shumë i ashpër
Ama i ftoft që të qetëson,
Ty edhe gjith tjerët, e t’len
Me u djegë në akull të nostalgjisë
Nuk i thojnë për kurrgjo dhimtë,
Gjynah osht me ngacmu varra të vjetra
Ama ndryshe sun e bojmë,
Malli është mall.

Dua Lipa sonte me performancë në Indonezi

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa, pas paraqitjeve në Kore të Jugut dhe në Kuala Lumpur, sonte do të ngjitet në skenën e Jakarta-s, në Indonezi, shkruan KultPlus.

Vetë Dua Lipa ka njoftuar në rrjete sociale se është e lumtur që do të prezantohet sonte në Jakarta, sikurse që ka shkruar edhe për përvojën e saj në koncertet e fundit në Korenë e Jugut dhe Kuala Lumpur./KultPlus.com

Ekipi i filmit “Dita zë fill” u prezantua me konferencë në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Para dhënies së premierës së filmit të metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit, premierë që do të prezantohet sonte në Festivalin e Filmit në Sarjevë, ekipi i filmit i udhëhequr nga regjisori Gentian Koçi, dhe i shoqëruar edhe nga aktorët kryesorë, janë prezantuar në një konferencë shtypi po në këtë festival, shkruan KultPlus.

Filmi “Dita zë fill”, është një nga shtatë filmat e përzgjedhur që do të garojë në festivalin e filmit më të rëndësishëm të rajonit dhe një ndër më të rëndësishmit në Europë. Ky film është një bashkëprodhim shqiptaro-grek, prodhuar nga ARTALB FILM në bashkëprodhim me GRAAL.

Filmi “Dita zë fill”, është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Qendra Greke e Fimit, EURIMAGES, Radio Televizioni Shqiptar, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës si dhe SEE Cinema Netëork.

Wide është distributori ndërkombëtar i filmit, të cilin e kanë prezantuar si “special screening” në marketet e festivalit të filmit në Berlin dhe Kane.

Filmi bën fjalë për sfidën e Letës, e cila për të mos humbur vendin e punës, Leta, nënë e një djali njëvjeçar, mban në jetë me çdo kusht Sofinë, një grua të moshuar për të cilën ka pak kohë që kujdeset./KultPlus.com

Rita Ora, gjithmonë në përkrahje të Iggy Azalea

Këngëtarja e njohur me origjinë kosovare, Rita Ora, së fundmi i është rikthyer muzikës me këngën e saj të re “Your Song” pas një beteje ligjore me ish-labelin “Roc Nation”.

26 vjeçarja ka përkrahur reperen e njohur australiane, Iggy Azalean, e cila duket se është duke u përballur me një situatë të ngjashme, sikur Ora, me labelin “Def Jam”, transmeton Koha.net. “Def Jam” ka shtyrë lansimin e këngëve të Azaleas nga albumi i saj i dytë “Digital Distortion”.

“Është e vështirë për çdo artist të kalojë në një situatë të tillë, por çdokush gjen një mënyrë për të dalë nga situata e tillë dhe ndonjëherë duhet vetëm të ndryshoni dinamikën e situatës”, ka thënë Ora për “The Daily Telegraph”.

Gjithashtu, Rita Ora ka thënë se është shumë e rëndësishme që Iggy Azalea të qëndrojë pozitive në këtë proces ligjor me labelin “Def Jam”.

Rita Ora dhe Iggy Azalea në vitin 2014 së bashku kanë bërë këngën “Black Widow”, këngë nga albumi “The New Classic” i Azaleas, e cila ka zënë vendin në e parë në top listën e R&B/Hip-Hop të Billboardit.