Shyqri Nimani : Nuk më dhanë kohë të mjaftueshme për Deklaratën e Pavarësisë, e kam brengë në zemër

Për 16 orë ka punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës. Artisti Shyqri Nimani, figura që ka kaligrafuar në pergamenë “Deklaratën e Pavarësisë”, më 16 shkurt të vitit 2008, për 16 orë kishte pirë vetëm ujë. Dhe në një intervsitë për KultPlus, ka treguar se si nuk ka guxuar të lëshohet as në gëzimin e pavarësisë, por ta përfundonte dokumentin e kërkuar. Ai tregon për ethet që i ka sjellë ky dokument, frikën që nuk do të arrinte ta përfundonte punën e kërkuar, sikurse që tregoi se po brenda atyre 16 orëve mori aritmi në zemër, pasoja që po i vuan tash e dhjetë vite.
“Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal. Mbaj mend se si më dha kurajo, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim”, ka thënë ai.
Nimani ka treguar se 15 minuta para orës 15:00, atëherë, kryeministri Thaçi ka ardhë dhe e ka marë dokumentin, duke mbetur artisti i dërmuar në Zyrën e Kryeministrit. Përmend edhe dëshirën e djalit të tij që të shkonin edhe ata në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por, Nimani tregon se si i dërmuar që ishte, ceremoninë e ka përcjellë nga televizori i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, duke kujtuar edhe atë, se nuk kishte vend për të gjithë në ceremoni. Ai ka kujtuar edhe një detaj tjetër, që për punën e tij, ai nuk është paguar nga Qeveria e Kosovës.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Kanë kaluar dhjete vite nga koha kur edhe e keni shkruar Deklaratën e Pavarësisë, dhe duke shikuar nga kjo distancë, si e kujtoni atë 16 orësh, që vlerësohet të ketë qenë kohë shumë stresuese për ju?
Shyqri Nimani:
Ishte 16 shkurti i vitit 2008, një ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Atë kohë, më ftoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës- Hashim Thaçi. Më kujtohet shumë mirë, ka qenë ora 21:00 kur ma dhanë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë, ku kërkuan nga unë që ta kaligrafoja në pergamenë (lëkurë e viçit). Teksti që ma lëshuan në dorë ishte plot tri faqe të formatit A/4, secili që është artist e kupton shumë mirë stresin tim për ta rrumbullakuar atë punë për 16 orë.
Unë pata pasë një takim edhe më herët, ku ju pata shpjeguar që nëse do të ishte deklarata në formatin A/4, në vetëm një faqe, duhen gjashtë ditë pune që të përfundonte deklarata ashtu si duhej, kurse mua më dorëzuan këtë dokument me tri faqe të plota.
Në momentin e fundit e kuptova se sa shumë ka tekst, dhe u befasova shumë, pastaj teksti që ma dhanë kishte edhe gabime gjuhësore, sepse, teksti ishte përkthyer nga anglishtja, dhe mu desh që edhe me këtë problem të merrem, që tekstin fillimisht ta korigjoja. Sepse, kur fillon të shkruash në pergamenë, aty më nuk lejohet të gabosh.

KultPlus: Pikërisht për realizimin e Deklaratës së Pavarëisë, ju njërën nga zyret e kryeministrit të Koosvës e shndërruat në një atele pune për 16 orë, çfarë kërkese tjetër patën institucionet për përfundimin e Deklaratës së Pavarësisë?
Shyqri Nimani:
Përpos që duhej ta përfundoja Deklaratën e Pavarësisë brenda 16 orëve, shefi i protokollit në atë kohë, Abedin Qupeva erdhi me propozimin se nëse mund të ishte edhe Qeveria e Kosovës bashkëautore e Deklaratës së Pavarësisë, sikurse që ma përmendi edhe kontratën.
Natyrisht në stresin e kohës që isha, ishte e pamundur të flisja për këso gjëra teknike. Unë duhej që të koncentrohesha në punë dhe ta përfundoja gjithë atë punë që kisha para vetës.
Edhe përkundër faktit se si popull shqiptar e kemi ëndrruar shumë atë ditë, shpalljen e pavarësisë, unë nuk kam pas kohë të mendoj se sa i lumtur do të jetë populli im, pikërisht kur do të lexohej ky dokumet që do t’ia kumtonte lajmin e shumë pritur, se vendi i tyre përfundimisht do të jetë i pavarur. Ne krejt e dijmë se sa shumë luftë politike, luftarake është dashur që të vijmë deri te ajo ditë e madhe.
Unë i kisha këto ndjenja të brendshme, por për ato 16 orë mu desh ti mbyllja, të mos mendoja, sepse më duhej të kompozoja krejt tekstin, krejt hapësirën, dhe për këtë fakt, fillimisht këtë tekst mu desh ta shkruaj në një letër të thjeshtë, që t’ia jepja kompozimin e më pas të filloja punën në pergamenë.

KultPlus: Padyshim, kjo punë e juaja është një punë historike, një punë që është e mbrojtur edhe nga Trashëgimia Kulturore, dhe një punë që vlerësohet lartë nga të gjithë. Por ju si autor, sa jeni i kënaqur me këtë realizim?
Shyqri Nimani:
Do të më mbetet brengë për gjithë jetën, kam menduar që ta ilustroj mirë, sipas doktrinave mesjetare, të ketë inicialet, të ketë ilustrime, por e dija saktë që 16 orë nuk më lejonin këtë dëshirë. Më është dashur të shkruaj me një fond, me një stil, i cili është i bukur, subtil dhe që shkruhet më shpejt, dhe vendosa që ta shkruaja në stilin italik, të renesancës italiane, kur siç dihet, që me këtë fond është shkruar edhe “Formula e Pagëzimit”, dhe pikërisht për këtë fakt, desha ta bëja një ndërlidhje mes asaj periudhe dhe periudhës sonë.
Për 16 orë kam punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës, kam pirë vetëm ujë, dhe asgjë nuk kam menduar përpos që ta përfundoj. Për herë të parë në punën time artistike kam pas frikën që nuk do t’ia dal. Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim, i cili edhe ai është dizajner. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal.
Mbaj mend se si më dha kurajo djali im, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim. Kjo punë është shumë riskante, unë kam pas raste të shkruaj edhe më herët në pergamentë, por jo me kaq afat të shkurtër.

KultPlus: Dhe, kur përfundoi ky stres 16 orësh?
Shyqri Nimani:
Deklaratën e Pavarësisë e kam përfunduar pesëmbëdhjetë minuta para orës 15:00. Mbaj mend që erdhi kryeministri Thaçi, e panë dhe e morën. Kurse unë mbeta i katandisur deri në fund, i rrënuar nga lodhja. Mbaj mend që djali im më pat kërkuar që të shkonim në sallën e Parlamentit të Kosovës, aty ku edhe do të shpallej pas pak Pavarësia e Kosovës.
I thashë që do ta përcjellë seancën nga kjo zyrë e kryeministrit, sepse edhe isha i lodhur, por edhe nuk isha veshur bukur, pastaj, edhe nuk kishte vend për të gjithë në atë seancë, kështu që e kam përcjellë këtë ceremoni sikurse krejt qytetarët e Kosovës, nëpërmjet televizorit.

KultPlus: Dhe, Deklarata e Pavarësisë u lexua më 17 shkurt të vitit 2008, por pas kësaj, kush mbeti autori i kësaj pune, u plotësua dëshira e Qeverisë së Kosovës që të jenë bashkëautorë të kësaj deklarate?
Shyqri Nimani:
Kanë kaluar dhjetë vjet, dhe deri më sot, unë asnjëherë nuk kam nënshkruar asnjë kontratë për punën që bëra. Nëse nuk gabohem, atëherë janë ndarë 600 mijë euro për atë ditë, mjete që janë ndarë për shpenzimet. Kam dëgjuar që shumë autorë kanë marë mjetet për punët që kanë kryer, por unë që shkrova Deklaratën e Pavarësisë nuk mora mjetet. Unë kam dëgjuar se mjetet kanë qenë të ndara për këtë punë, por unë nuk shkova ti kërkoja, por as ata nuk erdhën të më kërkonin. Unë nuk besoj që Hashim Thaçi është në dijeni se nuk jam paguar për punën e bërë, pasi që, ai ka pasë tjera ngarkesa, por të tjerët kanë qenë në dijeni, apo edhe ndoshta mendojnë se jam paguar.

KultPlus: Megjithatë, ne si shqiptarë njihemi se si i lëmë punët për momentin e fundit, mendoni se kjo punë ka pas mundësi që të organizohej më mirë, që të kishe kohën e mjaftuar?
Shyqri Nimani:
Deklarata ka pasë mundësi që të shkruhej më herët, por ka qenë edhe problemi te teksti, sepse Pavarësia e Kosovës ishte e kushtëzuar, dhe deklarata, unë mendoj, që nuk është shkruar pa miratimin e ndërkombëtarëve, andaj ka ardhë në momentin e fundit.
Por prapë mendoj se është mëkat, sepse është dashur të më tregonin dy javë më herët. Sepse as Thaçi, por as të tjerët nuk e kanë ditur se mke çfarë përkushtimi duhet të shkruhet në pergamenë.

KultPlus: E përmendët më lartë se nuk jeni i kënaqur me realizimin e Deklaratës së Pavarësisë, është një punë që nuk kthehet prapa, por keni ndonjë ide që do të doje të bëje diçka, që të tregoje se si do të duhej të ishte ky dokument?
Shyqri Nimani:
Artisti duhet me qenë i sinqertë, unë i shoh të tjerët se si reagojnë në lidhje me punën time në Deklaratën e Pavarësisë, e lavdojnë, kanë fjalë të mëdha. Por unë vazhdoj ta kem brengë, edhe pse kam bërë shumë, sepse nuk kam pasë kohë më shumë, e sikur të kisha kohë më shumë, jam i sigurtë që do jepja më shumë.
Kushdo tjetër të ishte në vendin tim do ti ndodhte e njëjta, sepse nuk ka pasë kohë të mjaftueshme me atë çfarë kanë kërkuar.
Por unë gjeta ngushëllimin me një shtet shumë më të fuqishëm se ne. E njëjta gjë u ka ndodhur edhe Amerikës, atëherë kur e kanë shpallë pavarësinë.Edhe Deklarata e Pavarësisë së Amerikës është me vetëm një ngjyrë, ngjyrë të zezë, pa ilustrime, kjo pak më ngushllon, ma bën më të lehtë.
Por unë, edhe me kërkesë të bashkëshortes sime, do të realizoj edhe njëherë Deklaratën e Pavarësisë në pergamenë, por natyrisht pa nënënshkrimin e deputetëve. Do ta bëj në mënyrë time dhe do ta dorëzoj që të jetë pjesë e Muzeut të Pavarësisë së Kosovës, këtë gjë do ta bëj që vetëm të mos e kem peng mos arritjen e realizimit të Deklaratës së Pavarësisë në mënyrën më të mirë të duhur. Do ti blej vet pergamenët dhe do të filloj të punoj ngadalë, ashtu si kam dëshirë.

KultPlus: Pikërisht në këtë përvjetor, pas dhjetë viteve, edhe qytetarët e Kosovës do të kenë rastin ta shohin Deklaratën e Pavarësisë nga afër, pasi që do të ekspozohet në ekspozitën e Muzeut të Kosovës, si ndjehesh?
Shyqri Nimani:
Po, tash do të ekspozohet Deklarata e Pavarësisë dhe njerëzit do të kenë rastin ta shohin më afër këtë deklaratë, punë që më ka sjellë edhe aritmi në zemër, dhe këtë problem e barti tash e dhjetë vite.

KultPlus: A të kanë ftuar të jeshë i pranishëm në hapje të kësaj ekspozite?
Shyqri Nimani:
Jo, nuk më ka ftuar askush.

KultPlus: Gjithë kjo punë, përpos që ta ka ‘dhuruar’ aritminë e zemrës, të ka lënë edhe ndonjë dhuratë tjetër, ke ndonjë gjë në shtëpinë tuaj që të kujton këto momente?
Shyqri Nimani:
Të gjitha materialet që i kam përdorë atë ditë i kam në shtëpi, kaligrafet e ndryshme, ngjyrat dhe disa copa të pergamanëve, sikurse që i kam edhe tri faqet A/4. Një ditë do ti dhuroj edhe këto kujtime.

KultPlus: Dhe krejt për fund,një paralele në mes karrierës suaj 55 vjeçare dhe punës në Deklaratën e Pavarësisë, kjo e fundit të ka bërë të famshëm në nivel popullor, por puna artistike është për një pjesë më të ngushtë. Ju personalisht, cilën lartësoni më shumë?
Shyqri Nimani:
Po më vjen mirë për këtë pyetje, nuk ma bëri askush për këto dhjetë vite. Unë vitin e kaluar pata 75 vjetorin e lindjes dhe asnjë televizion nuk më ftoi që të bëj diçka rreth karrierës sime artistike. Kurse për këtë përvjetor, që dy javë jam duke dhënë intervista për medie të ndryshme, duke përfshirë edhe të huajat.
Për mua, asnjë rëndësi nuk paraqet fakti që kam shkuar Deklaratën e Pavarësisë, njëjtë do të mendoja edhe sikur mos ta shkruaja. Sepse, unë jam artist, jam pedagog universitar, me rëndësi janë monografitë e mia, karriera ime artistike. Por puna në Deklaratën e Pavarësisë është punë historikë, punë që lë gjurmë dhe punë që ka bërë jehonë më shumë./KultPlus.com

Kosova

Poezi e shkruar nga regjisori Bekim Lumi. Poezia ështëshkruar gjatë ditëve të luftës, në vitin 1999, në Mynih (Gjermani).

Kur atdheut i rrxohen kështjellat
I shemben pirgjet urat kullat
I zihet fryma
I mpikset gjaku
Themelet kur i luejnë vendit
Rozafë ajo bahet
Sall gjinin e djathtë e len përjashta
Gjergji Muji Halili Ademi Shabani Hamza
Pijnë tambël
Forcadë marrin
Për lufta t’rrebta
Tevona
Si rr’fe prej qielle
Veç nji za ndihet
“Oj Kosovë, mos thuej mbarova,
Se djemtë tu ende janë gjallë…”

“NewBorn” ndër vite, simbolika kryesore e Pavarësisë së Kosovës

Ndër vite, obelisku NEWBORN ka marrë forma të ndryshme, për ti dhënë kësisoj një pamje të freskët Prishtinës.

Madje, me një kërkim të thjeshtë në Google, NEWBORN del të jetë një prej atraksioneve kryesore në Prishtinë. NEWBORN u zbulua në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me 17 shkurt 2008.

Ndër vite, megjithatë, NEWBORN ka zgjuar debat dhe ka ndërruar formë e ngjyra.

Newborn është krijuar nga Fisnik Ismaili dhe nga agjencia kreative Ogilvy Kosova si dhe me pjesëmarrësit e tyre (E.H, L.B, E.S, B.B, M.S). Kur u bë promovimi organizuesit i dhanë presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi marker të zi permanent për ta nënshkruar, e përcjellur nga 150.000 njerëz të cilët merrnin pjesë në manifestimet e mbajtura më 17 Shkurt 2008.

Ismail Kadare shkruan për terrorin në Kosovë

TERRORI NË KOSOVË

ISMAIL KADARE (Botoi Dielli, 16 prill 1982)

E hidhur Vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zes mbi të ia mbërritën
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg,me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku
Kështu mes jush shekullin ndani
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e Mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartholomeu.

Por koha kurrë s’vjen përgjysëm,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit Car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur iu griu,
Por retë e globit veç ju panë,
Ndërgjegje e Botës te ju mbërriu.

Kështu në vorbull të epokës
U ngritët Ju si monument;
Ju që e prekët historinë
Dhe në Histori u kthyet vetë.

Ismail Kadare, Dhjetor 1981

Rita Ora është nisur për në Kosovë

Rita Ora ka postuar në Instagramin e saj një fotografi ku shihet me vajza të tjera.

“Kosovë, jam rrugës dhe po vij. Jam shumë e lumtur për koncertin që do ta mbaj atje, bashkë me ju” ka shkruar Rita në postimin e kësaj fotoje. Rita do të jetë e pranishme në një konferencë për media ndërsa natën vonë do të mbajë koncertin e premtuar për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Fëmijët amerikanë urojnë me plis në kokë dhe me flamurin e Kosovës

Urime për Kosovën kanë ardhur përmes një video mesazhi simpatik nga nxënësit 10-vjeçarë të shkollës fillore Robert Brent në Washington, SHBA.

Fëmijët që kanë po aq vite sa ka Kosova shtet kanë dërguar urimet e tyre të përzemërta teksa shihen me flamurin e Kosovës në duar dhe me plis në kokë. / KultPlus.com

Momenti historik i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (VIDEO)

Momenti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës mbetet historik.

Ky moment do të shënonte edhe një hap të madh e deri diku të ‘rrezikshëm’ për politikanët e Kosovës, të cilët kishin vendosur ta çonin një hap më përpara vendin.

Me 17 shkurt 2008, në një mbledhje të Parlamentit, i takoi Hashim Thaçit ta shpallte vendin “shtet të pavarur dhe demokratik”.

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes vendimit këshillëdhënës se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar. / KultPlus.com

“NewBorn” kthehet me një pamje të re

Shkronjat që formojnë monumentin e NEWBORN, u kthyen sot me pamje të re. Sot, kur Kosova feston dhjetëvjetorin e vet të pavarësisë.

“New10orn”, shkruan në pamjen e re të këtij monumenti.

Kujtojmë se krijuesi i “NewBorn”, është Fisnik Ismaili i cili për herë të parë e solli me pamje të re në vitin 2008. / KultPlus.com

Me flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë, Dua Lipa uron dhjetëvjetorin e Pavarësisë

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa ka uruar për dhjetevjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një fotografi ku shihet të ketë kombinuar fotografinë me flamurin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

“Urime t’gjithëve 10 vjetorin e Pavarësisë! Shpresoj që të festojmë edhe shumë e shumë përvjetore së bashku”, ka shkruar mes tjerash Dus Lipa në Instagram, duke përfshirë edhe statusin në gjuhën shqipe dhe angleze./KultPlus.com

“Time” e quan obsesion marrëdhënien e Kosovës me Amerikën

Nëse në gjithë botën ka rënë entuziazmi për SHBA-në pas ardhjes në pushtet të Donald Trumpit, asgjë nuk ka lëkundur besimin e madh të Kosovës për këtë shtet.

Kjo është hyrja e tekstit të revistës prestigjioze “Time” që e quan Obsesion marrëdhënien e Kosovës me Amerikën. Dashuria e madhe e kosovarëve për këtë shtet është ilustruar nëpërmjet fotografive të fotoreporterit spanjoll, Cesar Dezfuli.

Në këto fotografi zë vend, natyrisht, statuja dhe sheshi “Bill Clinton” e butiku me emrin e gruas së tij. “E ky në mes është Klinton Bajgora, nga fshati Dobratin i Podujevës. Ai ishte fëmija i parë i familjes pas luftës dhe babai nuk kishte dilemë për emrin”.

Në shkrim paraqitet edhe një nga villat e deputetit Ramiz Kelmendi, për të cilat thuhet se janë kopje të ndërtesave qeveritare amerikane. E gjithë shtëpia e Qamil Brahimit në komunën e Ferizajt duket e dekoruar këtu në nderim të Ditës kombëtare të Amerikës, 4 korrikut.

Po në Ferizaj, Ruzhdi Kuçi i njohur si amerikani, e ka gjithë shtëpinë të dekoruar, madje me fotografi të shumë ish-presidentëve amerikanë. Sipas “Time” kosovarët edhe armët i dekorojnë me simbole amerikane, e edhe stërvitin me simbole amerikane.

“Kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Kisha dëgjuar për statujën e Bill Clintonit, dhe më pas kur e dëgjova për Amerikanin, u intrigova më shumë dhe mendoja se do të ketë akoma më shumë. Edhe kishte”, ka thënë Dezfuli. Mediat kryesore ndërkombëtare janë në Kosovë këto ditë për shkrime speciale për Kosovën në përvjetorin e pavarësisë.

Revoltohet nëna e Era Istrefit: Suksesi i Erës është i pakrahasueshëm me të Ritës dhe Duas

Ditën e sotme slogani “Bac, çikat na e zbardhën ftyrën!”- u bë më viral seç pritej. Ky slogan u publikua sot me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe në logo ishin tre fytyra mjaft të njohura për Kosovën dhe jo vetëm, të cilësuara si krenari e vendit: Rita Ora, Dua Lipa dhe Majlinda Kelmendi.

Grupi “Kosova 10”, krijuesit, thanë se arsyeja pse nuk e kanë futur Erën në këtë listë, sipas tyre, është se ajo nuk është e “kalibrit të Ritës dhe Duas përsa i përket muzikës”.

Por si duket pas kësaj deklarate ka reaguar për Express edhe nëna e Erës, Suzana Istrefi.

“Njerëz shumë më të mençur se ata që e kanë dizajnu/ shkru edhe se unë, e kanë shti Erën në listën e personave më të suksesshëm shqiptar, e ata që nuk e kanë shti hiç nuk është problem. Jeta është e gjatë. Suksesi i Erës është i pakrahasueshëm edhe me të Ritës edhe me të Duas. Pse është i pakrahasueshëm sepse e dimë të gjithë”, u shpreh Istrefi duke shtuar se Era është e vetmja që ka arritur të bëhet e njohur në tërë botën nga një vend i vogël si Kosova dhe jo si Dua e Rita.
“Prej një vendi të vogël një sukses që e ka arrit Era, deri sot nuk e ka arrit asnjë artist, asnjë artist i filmit as muzikës popullore, as pop, ama bash kërkush. Dua dhe Rita kanë arritur shumë po prej një vendi që është njëri prej vendeve ma me perspektivë dhe ma të zhvillum në botë. Unë jam ajo nana më krenare në botë që asnjë nanë nuk e ka përjetu suksesin e fëmiut të vetë si unë, përfundoi Suzana Istrefi.

Bill Clinton ka dhënë një mesazh për Kosovën me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë

Në videon e publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, mes tjerash ai thotë:

“Kosova gjithmonë do ta ketë një vend të veçantë në zemrën time. Dhe jam shumë mirënjohës që si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, munda t’ju ndihmoj që të ndiqni një të ardhme të prosperitetit të lirisë dhe tolerancës”.
“Juve ju është dashur të merrni shumë hapa të rëndësishëm gjatë dekadës së fundit për ta kuptuar atë të ardhme. Dhe kjo duhet t’jua japë një mundësi që të shikoni përpara dhe t’i kaloni sfidat që kanë mbetur”, thotë ai.
“Unë vazhdoj të besoj se vendi i merituar i Kosovës është si një anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe në Komunitetit Ndërkombëtar. Është me rëndësi për miqtë tuaj përreth botës që të vazhdoni të punoni, për t’i lënë konfliktet e së kaluarës prapa jush”, thotë Clinton.
Në fund, Clinton thotë:

“Ju bashkohem juve, në festën e 10 vjetorit të Pavarësisë. Gjithmonë do të jem i nderuar që kisha shansin t’ju ndihmoja t’ia fillonit. Dhe shpresoj se do të jem gjallë edhe për ca kohë t’ju shoh ta dërgoni topin në shtëpi, deri në fund. Paçi fat!”./KultPlus.com

Regjisori Visar Morina merr një tjetër çmim në Berlin

Regjisori Visar Morina ka rrëmbyer një tjetër çmim.

Skenari “Exil” nga Morina ka fituar sonte çmimin LOLA në Gjermani.

Skenari “Exil” ishte në mesin e tre skenarëve që janë nominuar për çmimet gjermane të skenarit. Nominimet janë bërë të ditura nga Ministrja e Kulturës – Monika Grutters, ndërsa çmimi final u dha sonte në kuadër të BERLINALE.
Skenari bën fjalë për një burrë 45 vjeçar i cili punon në një firmë farmaceutike dhe në një moment e krijon ndjenjën që kolegët e tij po tentojnë ta largojnë nga puna. Filmi ka të bëjë shumë me “bullying” (ngacmimin), shkruan KultPlus.

Sonte, Morina shpërblehet edhe më një shumë të hollash ndërsa kësisoj e çon përpara skenarin e tij, drejt realizimit filmik.

Lexoni këtu më shumë rreth këtij projekti nga regjisori i filmit “Babai”, një film i njohur që rrëmbeu disa çmime në festivalet më kryesore të filmit në Evropë. / KultPlus.com

Artisti Petrit Halilaj, dikur një fëmijë i ngujuar në luftë

Është një fotografi e cila ka shëtitur botën, duke treguar kolonën e shqiptarëve që kërkojnë shpëtim.

Nuk ka ndodhur shumë vite më parë lufta në Kosovë, dhe kësisoj në përvjetorin e pavarësisë së shtetit duhet të reflektojmë e kujtojmë edhe momente të kësaj lufte e cila padyshim është pjesë e formimit të mëvonshëm të popullit të Kosovës.

Artisti Petrit Halilaj është emër i njohur për artdashësit shqiptarë. Por, përtej një Petriti artistik, një fotografi e sjellë sot edhe nga New York Times tregon se një artist si Petriti, një fëmijë i vogël, e përjetoi edhe vet në lëkurën e tij luftën e Kosovës.

Halilaj, fitues i disa çmimeve artistike prestigjioze, asokohe ishte vetëm 11 vjeçar, në vitin 1999, kur edhe u realizua fotografia nga Andrew Testa. Petriti nuk e ka harruar përvojën dhe madje lufta ka qenë fokus i shumë prej punëve të tij artistike të mëvonshme.

Po e sjellim fotografinë sonte. / KultPlus.com

Koncertin e Rita Orës në kryeqytet do ta hapë Ledri Vula

Në kuadër të shumë aktiviteteve, qershia mbi tortë do të jetë koncerti i Rita Orës. Këngëtarja me famë botërore, e cila ka prejardhje nga Kosova, Rita ka shprehur gatishmërinë që për këtë përvjetor jubilar të mbajë koncert në Prishtinë. Detaje për këtë koncert në kuadër të 21 Live News në RTV 21, ka dhënë Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ.

Ai tha se Rita do të mbërrijë 13: 00 në Prishtinë kurse ajo bashkë me Këshillin organizativ do t’i drejtohet qytetarëve të vendit në një konferencë për media nga “Siëiss Diamond”, hoteli ku ajo do të qëndrojë. Behramaj po ashtu konfirmoi se koncertin do ta hap reperi i njohur kosovar, Ledri Vula.

“Koncerti është planifikuar të fillojë në ora 20:00, mirëpo paraprakisht do të performojë Ledri Vula edhe me DJ tjerë botërorë, ndërkaq në pjesën e dytë koncerti do të vazhdojë me DJ ndërkombëtarë që janë pjesë e ekipit të Ritës”, ka thënë Behramaj. Ai po ashtu ka treguar edhe sa do të qëndrojë në skenë Rita Ora si dhe ka zbuluar se cila është arsyeja që ajo performancën do ta nisë pikërisht në ora 22:00.

“Për shkak të 10 vjetorit është planifikuar që Rita të dalë në skenë në orën 10:00. Rita planifikohet të këndojë 30 minuta ndërkaq në fund mbrëmja do të mbyllet me fishek zjarr”, ka thënë Behramaj.

Hapet ekspozita e Alije Vokshit, gruaja e parë piktore në Kosovë

Gili Hoxhaj

Kur flitet për artin dhe pikturën në raport me gratë kosovare, padyshim që duhet ndalur në një pikë, se historia e pikturimit me gruan shqiptare në Kosovë fillon pikërisht me emrin e Alije Vokshit.

Mes përqafimeve, e tejet e emocionuar ajo erdhi sonte në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, ku u prit nga shumë artdashës që kishin ardhur për ta parë punën e saj të varur në muret e kësaj Galerie.

Njerëzit rreth saj herët kishin filluar të nuhasnin shenjat e para të talentit të saj. Në çdo copë letre të zbrazët, ajo dikur vizatonte akte dhe portrete, madje edhe xhamat e djersitur e të avulluar ishin bërë objekt i gjurmëve të para të talentit të saj për vizatimin e pikturën.

Alije Vokshi, ishte piktore që inspirimin e kërkonte përtej dhomës së saj. Jo rrallë herë, ajo pëlhurave të bardha të kornizuara, u jepte imazhin e fshatarëve e peizazheve të anës së Dukagjinit. Ajo shpesh nisej rreth Deçanit, atje prej nga edhe i ka rrënjët. E tërhiqte fort veshja, dukja dhe zakonet e fshatrave. Qëndrimi dhe pozicioni i tyre karshi jetës reflektohet dukshëm në çdo detaj të portreteve që u prezantuan sonte. Subjekti i pikturave të saj ishin pikërisht gratë dhe burrat e kësaj zone.

Por ajo ka lënë gjurmë më një ndër pikturat ikonë, me portretin e plakës me të zeza, që ishte vjehrra e saj Ina. Kuratori i ekspozitës, Lorik Sylejmani, në katalogun e ekspozitës solli një rrëfim personal lidhur me rrugëtimin e tezes së tij, ku edhe thotë se ky portret arrin ta pasqyrojë karakterin e plakës së këndshme dhe gazmore.
Kjo ekspozitë “Retrospektivë” e Alije Vokshit, shënon edhe ekspozitën e parë në kuadër të Programit Artistik të GMK-së për këtë vit. Kjo ekspozitë retrospektive shpalosë një pjesë të krijimtarisë së piktores Alije Vokshi dhe janë veprat e para me të cilat ajo nisi karrierën. Kuratori Sylejmani, tha sonte se kjo ekspozitë ka qenë sfiduese për të, për shkak të punës voluminoze të artistes dhe njëherit tezes së tij, Alije Vokshit.

“E kam pasur një punë dhe detyrë mjaft sfiduese pasi puna e saj është voluminoze por edhe shumë cilësore njëkohësisht. Gjatë vizitës në atelienë e saj në katër dhoma, kam pasur një angazhim të madh që nga 150 piktura dhe 120 vizatime ti ndaj dhe ti sjellë në një ekspozitë prej 20 punimesh. Po ashtu dhe për herë të parë pas tridhjetë- tridhjetë e pesë vitesh nga Galeria Kombëtare e Kosovës e kemi pikturën e zonjës me të zeza, që besoj së është piktura ikonë e profesoreshës”, u shpreh kuratori i ekspozitës, Lorik Sylejmani.

Piktorja Zake Prelvukaj tregoi për KultPlus se ka shumë kohë që e njeh piktoren Vokshi, ajo thotë se si fëmijë e ka parë Alijen duke pikturuar. Ajo e cilëson punën e artistes si karakteristike dhe origjinale.

“Me Alijen na ka lidhur Prishtina, na ka lidhur jeta por na ka lidhur edhe interesimi im që nga fëmijëria. Edhe pse Alija i ka pasur disa shkëputje të vogla gjatë jetës, ajo prapë se prapë e ka bërë një kontinuitet. Unë mendoj se në punimet e saj ka cilësi dhe mendoj që këto janë edhe punime muzeale”, u shpreh Prelvukaj, e cila shtoi se ajo krenohet me një piktore siç është Alija, ndërsa rrëfen se sikur të kishim më shumë personalitete si Alija, edhe shteti do të ishte më i fortë.

Piktorja Alije Vokshi është gruaja e parë shqiptare nga Kosova që diplomoi për pikturë. Vokshi ka lindur në vitin 1945 në Prishtinë. Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa përfundoi studimet e magjistraturës në Beograd në vitin 1981. Ajo kreu edhe një vit specializim në Paris dhe më pastaj u angazhua deri në pensionim, si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës nga viti 1974-2015.

Kjo ekspozitë erdhi edhe nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 2 mars në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Pse nuk është Era Istrefi në ‘Bac, çikat na e zbardhën ftyrën!’?

Gjatë tërë ditës sot nëpër internet ka qarkulluar panoja “Bac, çikat na e zbardhën ftyrën!”.

Nisur nga Bac, U kry!, dikush vendosi të përhapte fotografinë me Rita Orën, Dua Lipën dhe Majlinda Kelmendin, si tri vajza nga Kosova të cilat po na bëjnë krenar dhe po arrijnë suksese në fushat e tyre artistike, nëpër botë.

E në këtë pano do të mund të ishte edhe Era Istrefi. Ajo, më shumë se Dua dhe Rita, ka jetuar në Prishtinë gjatë jetës së saj dhe me vetëm një hit arriti një famë të madhe në Evropë.

Ka pasur komentues të ndryshëm të cilët kanë shprehur një interesim të thjeshtë, dhe një kuriozitet nëse në këtë fotografi do të duhej të ishte edhe këngëtarja e hitit “BonBon”.

Rita Ora, megjithatë, do të jetë nesër në Prishtinë. Dua Lipa po vazhdon me sukseset e saj nëpër koncertet e saj, ndërsa Majlinda Kelmendi mbetet sportistja më e mirë nga Kosova e cila madje arriti suksese edhe në Lojërat Olimpike, prej nga solli edhe medalje.

Pa ndonjë qëllim të keq, a do ta meritonte edhe Era Istrefi të ishte pjesë e kësaj fotografie që sot pushtoi rrjetet sociale dhe u kthye në një mesazh për forcën e gruas, në këtë përvjetor pavarësie? / KultPlus.com

Nikki Haley me videomesazh në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Ambasada e Kosovës në Uashington sjell video mesazhin nga Ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë:

“Gëzuar 10-vjetorin e pavarësisë në emër të Presidentit Trump dhe popullit amerikan. Ne jemi shumë krenar me miqësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë me Kosovën. Ju keni bërë hapa të mëdhenj që të ndwrtoni një shtet demokratik dhe ne shpresojmë të punojmë bashkë me ju edhe në dhjetë vitet e ardhshme dhe t’ju ndihmojmë të keni sukses në çdo mënyrë të mundshme” thotë Haley.

Me këngët e Nexhmije Pagarushës, Nju Jorku feston përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Për nder të 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe jubileun e 10 të saj, me program krejtësisht artistik, mbrëmë në New York është organizuar një koncert me kënge dhe vepra kosovare, interpretuar nga artistë të ndryshëm shqiptarë.

I ideuar nga mjeshtri i fotografisë Fadil Berisha dhe mbështetur nga Konsulata e Republikës së Kosovës për New York, koncerti përmbante këngë të krijuara për zërin dhe repertorin e Nexhmije Pagarushës nga kompozitorët e njohur kosovarë Rexho Mulliqi, Sevime Gjinali, Shaqir Hoti, etj.

Këto këngë, të rikrijuara për këtë koncert nga AlbaBand, erdhën të interpretuara nga tenorët Ergin Oda e Riad Ymeri, nga mexosopranja Dëshira Kërliu Ahmeti, këngëtarja Linda Halimi e këngëtarë të tjerë të muzikës artistike shqiptare të cilët jetojnë në SHBA. Përzgjedhja e këngëve ishte bërë me kujdes dhe interpretimet solistike dhe në duete, sollën emocione të rralla të publiku.

“Kënga e Rexhës”, “Baresha”, “Zambaku i Prizrenit”, “E dehur jam”, “Prishtinë e dashur”, ishin vetëm disa nga këngët që janë interpretuar këtu e 60 vite nga Nexhmije Pagarusha dhe sot hyjnë në fondin e artë të muzikës shqiptare. Koncertin e shoqëruan edhe parakalimet e vajzave të bukura nga Kosova e Shqipëria të cilat sollën para publikut veshje të stilistes nga Tirana Mirela Nurce e cila kishte ardhur nga Tirana për këtë koncert, duke sjellë kështu përmes këtyre përformancën edhe veshjet e Nexhmije Pagarushës në paraqitjet e saj nëpër vite.

Në fakt, nuk është hera e parë që nga ana e mjeshtrit Berisha organizohet koncert për Nexhmije Pagarushën. Vite më parë, është mbajtur një koncert tjetër me përzgjedhje tjetër të këtij repertori dhe të gjitha janë interpretuar nga këngëtarja Aurela Gaçe, ndërkaq komuniteti shqiptar këtu ende e kujton atë koncert, një nga të rrallët me performanca komplet artistike.

Ndërsa vet Fadil Berisha, për KultPlus shprehu keqardhje për mos mundësinë e pjesëmarrjes së zonjës Nexhmije Pagarusha e cila ftesën e ka marrë me kohë dhe është pajisur me vizë të SHBA.
“Gjendja shëndetësore e Nexhmijes nuk e lejoi të jetë e pranishme, me çka edhe do ta madhështonte koncertin dhe do të sillte emocione të papara para publikut. Ajo është zonjë e madhe e këngës shqipe dhe ne jemi të nderuar që ajo ishte shumë e entuziazmuar që këngët e saj para publikut shqiptar dhe amerikan do të silleshin si arie por edhe në zhanre të rikrijuara nergut për këtë mbrëmje nga kompozitorë shqiptarë”.

Një fjalë rasti në këtë koncert e mbajti edhe Teuta Sahatqija – konsule e përgjithshme e RKS për New York, e cila përmendi edhe aktivitete të tjera kulturore e diplomatike të organizuara nga kjo Konsulatë gjatë kësaj jave e cila po shënon jubileun e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke përfshirë ekspozitën e fotografëve nga Kosova, Shkëlzen Rexha e Arben Llapashtica, turneun e futbollit, konferencën në nivel të lartë diplomatik, aktivitete të shkollës shqipe, etj.

Në fund, Sahatqija laureoi me plaketa nga kjo konsulatë për kontributin e tyre Fadil Berishën dhe veprimtaren Shpresa Xhakli. Po ashtu një fjalë rasti e mbajti edhe veprimtari i njohur shqiptar në SHBA – Avni Mustafaj, ndërsa në fund, për të pranishmit u shtrua një koktej rasti. Koncerti është moderuar nga aktori kosovar që jeton në SHBA, Shpend Xani, dhe nga gazetarja Shpresa Mejzinolli, ndërsa është mbështetur nga Fadil Berisha dhe nga Shpresa Xhakli. / KultPlus.com

FOTO: ARBEN LLAPASHTICA

Shkëlqimi i Ledina Çelos (FOTO)

Duke pasë parasysh stilin e vecantë të kësaj këngëtareje, e cila gjithnjë paraqitet me një dukje tepër të vecantë, ajo për këtë mbrëmje ka besuar te disenjatorja kosovare Besarta Deshishku, e cila është përkujdesur për fustanin e Ledinës.

Ledina Çelo është një ndër këngëtaret në të dashura të skenës shqiptare, por paraqitjet e saj në Kosovë janë tepër të rralla, shkruan KultPlus.

Ajo së fundi është prezantuar në koncertin e 50-të vjetorit të karrierës së Sabri Fejzullahut, e cila shihet të ketë shkëlqyer në skenë.

Mirëpo, duke pasë parasysh stilin e vecantë të kësaj këngëtareje, e cila gjithnjë paraqitet me një dukje tepër të vecantë, ajo për këtë mbrëmje ka besuar te disenjatorja kosovare Besarta Deshishku, e cila është përkujdesur për fustanin e Ledinës.

Me një ngjyrë vezulluese të artë, Ledina Çelo ka shkqlyer në këtë paraqitje, e cila ka kënduar bashkë me Sabri Fejzullahun këngën e njohur që e patën paraqitur shumë vite më parë “Ma ke prishë gjumin e natës”./KultPlus.com

Bilal Xhaferri i shkruan Kosovës me dhëmbë të shtrënguar

Poezi nga Bilal Xhaferri

Me ndarje dhe nënndarje gjeografike
Me ndarje dhe nënndarje historike
Kosova
Që nga ujërat e kulluara të Ohrit
Deri në errësirën e minierave të Mitrovicës
Që nga brigjet e kaltra të Ulqinit
Deri në Qelekullën e në fushën e Nishit

Kosova
Fushë e begatshme me fruta e grunore
Që bie erë pranverës e tëra lule molle
Kosova me male kreshnike
Male të zhveshur me pisha e bredhishte
Që e rrahin qiellin me krahë shqipesh
Qe e dehin diellin me aromë rrëshire
Qe e ndezin qiellin me zbardhëllime dëbore
Kosova
Krahinë shqiptare që në fillim të saj

Tokë e Manastirit
E Prizrenit
E Plavës dhe e Gucisë
Tokë e legjendave legjendare të Gjergj Elez Alisë
Kosova
Legjendë e mbetur në rrugëkryq të historisë
Kosova
Gjithnjë ashtu si gjithnjë
Me dhëmbë të shtrënguar e me shpirt ndër dhëmbë
Kosova
Ku shqiptarët flasin një gjuhë dhe dëgjojnë dy gjuhë
Kosova gjithnjë ashtu.

Kongresmeni Eliot Engel uron Kosovën në 10 vjetorin e pavarësisë (VIDEO)

Ambasada e Kosovës në Uashington sjell video mesazh nga Kongresmeni Eliot Engel me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë:

“Urime popullit të Kosovës për festën e 10 vjetorit të të qenit republikë. Unë kam pasur marrëdhënie të ngushta me popullin e Kosovës dhe jam i lumtur qe kam luajtur një rol të vogël në gjithë sukseset e arritura. Do të jem atje për festën e 10 vjetorit. Do të jem në Kosovë dhe me kënaqësi pres se do të takoj sa më shumë nga miqtë e mi atje. Shtetet e Bashkuara dhe kongresisti Eliot Engel gjithmonë do të jenë pranë popullit të Kosovës dhe gjithmonë do të punojnë bashkarisht për t’u siguruar se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova edhe më tej do të mbesin miq dhe aleatë kyç. Pra gëzuar të gjithëve. Me kënaqësi pres të ju takoj atje.”