“Thonë se gjatë jetës sonë kemi dy dashuri të mëdha”

Thonë se gjatë jetës sonë kemi dy dashuri të mëdha. Një me të cilin/cilën do të martohesh ose do të jetosh përgjithmonë, mund të jetë babai ose nëna e fëmijëve tuaj: me këtë person do të fitoni kuptueshmëri maksimale për të qëndruar së bashku në pjesën tjetër të jetës suaj.

Dhe thonë se ka një dashuri të dytë të madhe, një person që do ta humbisni përgjithmonë. Dikush me të cilin keni lindur të lidhur, të lidhur aq fort, saqë forcat e kimisë i shpëtojnë çdo lloj arsyeje, dhe gjithmonë do t’ju pengojnë të arrini një fund të lumtur.

Derisa një ditë të ndaleni së provuari, do të hiqni dorë dhe do të kërkoni një person tjetër që do të takosh. Por nuk do të kaloni një natë të vetme pa patur nevojë për një tjetër puthje, apo edhe një tjetër debat.

Gjithkush e di se për kë flitet, sepse ndërsa lexoni këto rreshta, emri i personit ju erdhi në mendje. Do shpëtoni prej tij apo prej saj dhe do të pushoni së vuajturi, por nuk do të kalojë qoftë edhe një ditë që nuk do të dëshironi ta keni aty e t’ju shqetësojë. Sepse nganjëherë ju çlironi më shumë energji duke biseduar me atë që doni, sesa duke bërë dashuri me atë që e vlerësoni.

“Dashuria është gjithmonë e re. Nuk ka rëndësi nëse duam një herë, dy herë, dhjetë herë në jetë: gjendemi përherë përballë një situate që nuk e njohim. Dashuria mund të na shpjerë në ferr apo në parajsë, sido që të jetë na shpie gjithmonë diku.

Eshtë e domosdoshme ta pranojmë, sepse ajo ushqen nevojën tonë. Nëse nuk e pranojmë, do të vdesim urie edhe pse do të shohim degët e pemës së jetës, të mbushura me fruta: nuk do të kemi kurajon që të zgjasim dorën e t’i këpusim. Eshtë e domosdoshme ta gjejmë dashurinë atje ku ndodhet, edhe pse kjo do të kërkojë orë, ditë e javë zhgënjim dhe trishtim.

Sepse në momentin kur nisemi në kërkim të dashurisë, edhe dashuria niset drejt nesh. Dhe na shpëton” – Paulo Coelho/bota.al

Lutje e dëshprueme

Poezi e shkruar nga Ernest Koliqi.

Ju qi keqas t’vorrosun keq flêni nder murrâna
mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi,
deshmor‘, q’êmën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhâna,
nën dhé me gjak t’uej t’rîmun idhnín nuk u a shuen gjumi.

Ju qi n’vorre t’vetmueme keq flêni e nuk pushoni
e as deka varrz e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli,
qi éshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli,
a kur nji zhapllim‘ hapash përbrî murân’s ndëgjoni,

ju qi n’mesime fisnike t’lahutës jeni rritun,
ju qi burrnín jetike e patët si mësuese,
ju qi lirín kreshnike zgjedh‘ e kishi per nuse,
ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,

sot n’murrâna t’harrueme kërkoni kot pushim:
ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin,
fatosa orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq.

U rrzuet tue rrokun armën dhe rrzue me jue fisi;
ato q’atdheut i kjené ndër mote gardh çeliku,
porzmat vigâne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku
por mâma e fatit, mâma qi befas mbi né krisi.

N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjihet kund zâ njerit,
prân‘ votres s’fikun nânat n’vaj nuk e njomin bukën,
por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, strukën
tue prit‘ furín ahmarrse qi t’thej‘ t’prîmunt e mnerit.

Jo váj por gjâm e ahté prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona
q’atdheut palcet gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë.

O Perëndí, na tokën pranuem qi Ti na fale,
n’tê tash tridhet‘ qindavjeta na u end e ndershme jet,
jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta,
ngujve larg botës tjetër tue ruejtun dhên mbi male.

Me mzi strehueme trupin nga shiu e brshni e marrdha,
n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat,
pa dijt‘ qejfet e holla, pa dijt‘ ç’janë miradinat,
pa njoft‘ doket e lmueta të kombeve fatbardha.

E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe
Qi e zbutshin n’új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ shum,
sepse bylmet na kishin nji lirí t’thjsht‘, t’pashoqe,
qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum.

Nânat me qumsht‘ të pastër andjen n’shpírt t’on‘ dikojshin
Me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar,
n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm t’buzmit bujar,
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.

O Perendí, ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi,
shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt‘ për fmín
e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe ‘i mik né shpín
na msyni, ia vûm para at buk mikut kur erdhi.

Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata?
Lírin e dy gisht nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër:
kto dy të mira zbritshin vobeksín t’on‘ të vjetër.
Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?

Kitara me të cilën ka performuar Bob Dylan shitet për 490 mijë dollarë

Një kitarë elektrike, me të cilën ka performuar këngëtari amerikan Bob Dylan është shitur në një ankand për 490 mijë dollarë.

Kitara e tipit Fender Telecaster e vitit 1965, gjithashtu është përdorur edhete nga Eric Clapton dhe George Harrison, kanë njoftuar zyrtarët e ankandit Julien në Nju Jork. Instrumenti muzikor i përkiste kitaristit të Dylanit, Robbie Robertson.

Në vitin 2013, një kitarë elektrike, e tipit Stratocaster, që Dylan e kishte përdorur për Festivalin Newport Folk më 1965, ishte shitur për 965 mijë dollarë.

Gjithashtu në ankand, kitara e parë elektrike e anëtarit të The Beatles, George Harison është shitur për 430 mijë dollarë, ndërkaq një kitarë e Elvis Presley është shitur për 115,200 dollarë.

Ndërkaq, një rrip që Elvis e kishte veshur gjatë një koncerti në Havaji më 1972 është shitur për 354,400 dollarë.

Mjeshtrat e mëdhenj botëror të akuarelit ekspozitë dhe demonstrime në Tiranë

Shqipëria bëhet mikpritësja e eventit më të madh të akuarelit, ku artistë të njohur nga e gjithë bota do të shfaqin punimet e tyre për publikun shqiptar. Të gjithë flasin dhe sjellin kultura të ndryshme, por është akuareli dhe Shqipëria që po i bashkon.

Më 21 maj të gjithë artdashësit do të kenë mundësi që të ndjekin pa pagesë demostrimet live të mjeshtrave të mëdhenj botëror të akuarelit, në sallën e koncerteve pranë Universitetit të Arteve, ku mjeshtra si Alvaro Kastagnet (Uruguay), Atanur Dogan (Canada), Amit Kapoor (India), Hong Shan (China), Prafull Sawant (India), Krasi Todorov (Bulgaria) pritet që të sjellin sërish shijen e hollë artistike të artit të vërtetë.

Ekspozitës së mjeshtrave të mëdhenj ndërkombëtarë që do të hapet në orën 19:00 në galerinë FAB, do t’i bashkohen edhe profesorët të Akademisë së Arteve.

Workshopet e akuarelit janë të njohura në mbarë botën për kontributin që japin në sensibilizimin e të gjithë brezave, të cilët e kanë më të lehtë përfshirjen në pikturë.

Krijimi i një komunikimi të përbashkët , shkëmbimi i eksperiencave, pritet që t’i japë një shtysë pozitive akuarelit në Shqipëri, shkruan ATA.

Pas ekspozitës në Tiranë, artistët do të pikturojnë live vende si Berati, Ura Vajgurore, Vlora, Himara dhe Saranda. Në fund të këtij udhëtimi, artistët do të ekspozojnë punët e tyre në Galerinë e Qytetit të Sarandë, ku do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët dhe që padyshim nuk duhet humbur.

Entela Komnino nderohet me çmimin ‘Dritëro’ (FOTO)

Publicistja Entela Komnino, autorja e librit ‘E vërteta për Nolin”, është vlerësuar me çmimin e mirënjohjes ‘Dritëro.

Vlerësimi për Komninon u dha mbrëmjen e djeshme gjatë aktivitetit ‘Ditenetët e librit’ në Tiranë .


/>

Ka qenë libri ‘E vërteta për Nolin’ ai që pas shumë vite hulumtimesh për një emër të madh shqiptar si Fan Noli, e çmoi me një emër tjetër të madh si ai i Dritëro Agollit.

Për gazetaren televizive prej 25 vitesh dr. Entela Komnino, emrat e mëdhenj nuk duhet të trembin studiuesit, edhe kur është fjala për të thyer tabu të mendimit për ta.

Madje sipas saj, në rastin e Fan Nolit, tabuja duhet thyer në kahun tjetër; mendimi shqiptar duhet të artikuloje me mjetet moderne të vlerësimit se përse Noli është vërtetë i madh dhe çfarë përcjell në ditët tona./ata

Dasma e mbretërore ndezë ‘luftën’ midis Arbana Xharrës dhe Sellma Kasumoviq

Dita e djeshme ka qenë e madhe për Britaninë e Madhe por edhe për botën.

Princi Harry dhe Meghan Markle kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë, në sytë e qindra mijëra njerëzve.
6
Vëmendjen mori pamja e Meghan, grimi e fustani i saj madhështor i cili u komentua më pas nga njerëzit nëpër rrjete sociale.

Por, nuk ishin vetëm të huajt ata që përcollën dasmën mbretërore. Pati edhe shumë shqiptare të famshme që përmes rrjeteve sociale treguan se janë duke ndjekur ceremonië më të përfolur të vitit, mes tyre pati edhe politikane.

Grimi i Meghan Markle me sa duket i bëri shumë përshtypje Arbana Xharrës, ish-gazetares e cila vonë u bë anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës, duke bërë një koment në llogarinë e saj në Facebook.

“Kqyrni çika, bën me u ba nuse edhe pa makeup të Sellma. Mos ju nënshtroni mentalitetit provincial. As mos lejoni të tjerët me ju përcaktu ‘normat e bukurisë’, tha Arbana duke postuar edhe një fotografi të nuses mbretërore.

Nuk vonoi shumë, erdhi kundërpërgjigja nga grimerja më e njohur shqiptare, Sellma.

Përmes një instastory, artistja tha: “Ai momenti kur nje e ashtuquajtur krijese qe ka ndrru pamje rruges, ta përmend emrin per me fitu vota (sepse as familjaret nuk ia njohin arritjet), plus koment dukeshen nga 5 mije km largesi. Duhet me pas guxim per me komentu fshehtesite e makeupit, e posaqerisht te operacioneve plastike. Hajde flasim per politike, atje ku sukseset e tua kane lene gojëhapur Meghanin e Princat ose @arbanaxharra, eja te studio Sellma, te bejme te dukesh femer (per Princeshe ki pune ne klinika)”, shkroi Sellma duke etiketuar edhe Arbanën.

Grimerja s’e la me kaq, i menjëhershëm ishte një instastory tjetër në të cilin Sellma mori statusin që bëri Arbana në Facebook, e mbi të shkroi: “Dil pak kah na kur bon lek”.

Pas kësaj Arbana Xharra i dërgoi Sellmës një përshëndetje nga New York./ KultPlus.com

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=10213223818724939&id=1080277154

Dasma e Princit Harry dhe Meghan Markle si ajo e Hirushës (FOTO)

Dje kanë kurorëzuar dashurinë e tyre Princi Harry dhe Meghan Markle.

Kjo dasmë e madhe mbretërore morri vëmendjen e të gjitha medieve botërore e poashtu edhe të rrjeteve sociale. Përpos fotografive të ndryshme që u publikuan nga dasma, faqet e ndryshme që janë të formuara në rrjetet sociale, realizuan disa kolazhe të fotografive.

Ndër to ajo që ra goxha shumë në sy ishte fotografia e cila në njërën anë kishte fotografitë e dasmës së Princit Harry dhe Meghan Markle ndërsa në anën tjetër ishin fotografitë nga filmi i animuar Hirushja./ KultPlus.com

POLIP shpalosi ndikimet politike që sjellin varfërimin gjuhësor

Alberina Haxhijaj

Diskutimi i radhës që solli edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë POLIP, solli në qendër gjuhën. Në këtë drejtim, pyetja kryesore e këtij paneli ishte se në çfarë mënyre ndikon gjuha në shkëputje apo si ndikojnë politikat gjuhësore në rrugët e shkëputjes, shkruan KultPlus.

Diskutim i moderuar nga Lura Limani bëri së bashku shkrimtarët: Gonza Özmen, Bashkim Shehu, Alida Bremer, Ardian Vehbiu dhe Shkumbin Brestovci. Shkrimtarët që ishin pjesëmarrës në këtë diskutim u munduan që përmes praktikave në vendet ku ata jetojnë të sjellin shembuj të ndryshëm.

Fjalën së pari e mori shkrimtarja Gonza Özmen nga Turqia e cila tregoi se politikat shtetërore kanë ndikim shumë të madh në gjuhë. Sipas saj kjo më së shumti vërehet edhe në përkthimet që u bëhen teksteve. Kështu ajo solli rastin sesi “Liza në Botën e Çudirave”, ishte shndërrua në mashkull duke marrë emrin Ali. Gjithë kjo pasi që konteksti kulturor nuk lejonte që një vajzë të bredhë vendeve të panjohura vetëm, qoftë kjo edhe ëndërr.

Kështu shkrimtarja Gonza Özmen , has në vështirësi që të blejë libra për vogëlushen gjersa edhe shkrimet e saj censurohen për shkak të përkthimit jo të duhur. Ajo tregoi rastin sesi shkrimi i saj që fliste për abuzimet me fëmijët ishte ndryshuar kur ishte përkthyer në gjermanishte, duke e bërë atë një shkrim që fliste për një dashur të sinqertë dhe pa asnjë pretendim prapa saj. Ndërsa vazhdoi të flasë tutje për spastrimin që po i ndodhë gjuhës në Turqi.

“Shumicën e kohës jam duke lexuar tekste krahasimtare ku vërehen këto ndryshime në gjuhë. Ata mendojnë ta bëjnë pastrimin e gjuhën duke larguar fjalët arabike dhe otomane mirëpo këto fjalë kanë identitetin dhe jetën e tyre edhe zëri i tyre është ndryshme dhe përdorimi i fjalëve të tjera ndryshojnë edhe kuptimin e tekstit”, tha ajo.

Një spastrim të tillë ka përjetuar edhe gjuha shqipe është shprehur shkrimtari Ardian Vehbiu. Sipas tij njëjtë ka ndodhur edhe më gjuhën shqipe, gjatë lëvizjes që ishte kundër Perandorisë Osmane, ku fjalët që konsideroheshin si fjalë turke u larguan mirëpo ato nuk ishin fjalë turke por arabe dhe persiane.

“Edhe në Shqipëri e kemi pasur këtë në regjimin komunistë. Ky spastrim gjuhësor është i njëjtë sikur spastrimi etnik. Spastrimi etnik i largon njerëzit ndërsa me gjuhë i largon fjalët. Kjo lëvizje edhe sot e kësaj ditë vazhdon të ndodhë edhe në Shqipëri pasi që është duke u bërë prej njerëzve që nuk janë ekspert të gjuhës dhe thonë se kjo është fjalë turke, apo çfarëdo dhe duhet ta largojmë. Kjo është qesharake, budallaki dhe e varfërojnë gjuhën dhe shkrimtarët nuk mund të japin më të mirën e tyre, të asaj që dëshirojnë që të shprehin”, tha ai.

Tutje Bashkim Shehu diskutoi për situatën gjuhësore në Spanjë dhe Katalonjë, gjersa Alida Bremer bisedoi për gjuhën serbe dhe atë kroate. Për tendencat për ti paraqitur ato si një të vetme, serbo-kroate gjersa theksoi se kjo ka ardhur si pasojë e propagandës së madhe që është bërë më parë pikërisht për shkak të përfitimeve politike. Tutje shkrimtari Shkumbin Brestovci bisedoi për dëmin që i ka shkaktuar gjuhës shqipe diskutimi për dialektin gegë dhe toskë, duke mos diskutuar për çështjen kryesore, e që sipas tij është kufizimi i mënyrës sesi flasim.

“Jemi munduar që të spastrojmë gjuhën shqipe dhe i kemi larguar fjalët e huaja kurse tani nuk i kemi fjalorë që i përbënë këto fjalë, që na i sqaron. Pra, ne duhet ti kërkojmë fjalët e caktuar në fjalorë të gjuhëve të tjera edhe pse vet i përdorim”, tha ai duke shtuar se tani për të rinjtë standardi dhe dallimet në mes të dialekteve nuk po kanë shumë rëndësi.

Diskutimi përfundoi duke shtuar se çdo kufizim i cili i bëhet gjuhës është i dëmshëm dhe kjo dëmton sidomos shkrimtarët të cilët nuk mund të japim maksimumin e tyre në shkrime nëse fjalë të caktuar ju ndalohen. Këtë e theksoi edhe shkrimtari Ardian Vehbiu, i cili tha se si shembull i tillë mund të shërbejë edhe lidhorja dhe rasti i saj në Kosovë.

“Lidhoren unë nuk mundem ta përdorë pasi që nuk është pjesë e shprehjeve të mia mirëpo njoh shumë njerëz, shkrimtarë të cilët kanë nevojë që ta përdorin, prandaj bëjeni këtë. E di që ka shtëpi botuese të cilat mbase nuk dëshirojnë që të publikojnë veprat e juaja mirëpo këmbëngulni, le të shërbeje kjo si eksperiment dhe të shohim sesi do të ecën”, tha ai.

Sot në kuadër të POLIP do të mbahet diskutimi i radhës “The Birth of Fascism From the Spirit of Poetry” me panelistët: Antoine Jaccoud , Zora Del Buono, Matteo Colombi, Manjola Nasi dhe Clemens Meyer. Në ora 16:00 në Qendrën Multimedia në Prishtinë./ KultPlus.com

“Shoplifters” fiton Palmën e Artë në Kanë

Çmimi i madh ‘Palme d’Or’, Palma e Artë, i shkon filmit “Shoplifters” të regjisorit japonez, Hirokazu Kore-eda.

Ky ishte festivali i 71-të ndërkombëtar i filmit, që u mbajt në Kanë, në jug të Francës, transmeton Koha.net. Në ndarjen e çmimeve, juria po udhëhiqej nga Cate Blanchett, që filmin e regjisorit e konsideroi kryevepër.

Filmi ka të bëjë me një hajdut që merr në shtëpinë e tij një vajzë shumë të vogël, ndërkaq pasi e dërgon në shtëpi, bashkë me familjen e tij e shohin që vajza ishte e abuzuar. Hajduti bashkë me familje vendosin ta mbajnë në shtëpi dhe të kujdesen për të e ta rrisin si të tyren. Në sfida të ndryshme, ata kërkojnë që drejtësia të vihet në vend./ KultPlus.com

POLIP, solli diskutimin për Revolucionin e Grave në Rojava që po sjellë ndryshime

Alberina Haxhijaj

Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë POLIP, solli të shtunën diskutimin “Ndërtimi i Shoqërisë Radikale Progresive: Një Revolucion i Grave në Rojava”, duke nxitur të pranishmit të mendojnë përtej konceptit të shtetit kombëtar dhe duke sjellë në qendër gratë dhe barazinë, shkruan KultPlus.

“A është e mundur që një shoqëri të jetë demokratike dhe vërtet e barabartë pa çlirimin e grave nga sistemi shtypës i rendit patriarkal?”, ka qenë njëra ndër pyetjet e zhvilluar në debatin që solli Agron Tufa, Ann Cotton, Tinka Kurti, Laura Huerga dhe Elona Pira, moderuar nga Svetlana Rakočević.

Ekziston një eksperiment që po zhvillohet në Lindjen e Mesme, duke i dhënë përgjigje kësaj pyetje dhe të tjera, e që vë barazinë e grave në qendër të këtij procesi. Konfederalizmi Demokratik, ndërtuar në Rojava në Siri veriore, e që propozon një model unik zgjidhjeje për konfliktet themelore të Lindjes së Mesme.

Model i bazuar në pluralizmin etnik dhe kulturor, aktualisht po ndërtohet me rolin udhëheqës të grave. Formuluar nga Abdullah Ocalan, udhëheqësi i burgosur i PKK, kjo është një formë e socializmit libertarian që përqendrohet në drejtësinë sociale dhe mjedisore, me gratë në zemër të luftës kundër të gjitha formave të shfrytëzimit (patriarkatit, kapitalizmit dhe shtetit).

Kështu në këtë diskutim që u mbajt në Qendrën Multimedia u shqyrtuan mundësit se si forcat progresive në Ballkan mund të mësojnë nga eksperimenti radikal Rojava dhe revolucioni i grave që po ndodhin atje.

Tinka Kurti tha se ngjarjet sikur ajo në Rojava provokojnë debat dhe diskutim publik pasi që janë shumë të rëndësishme në disa aspekte duke përfshirë edhe atë feminist, barazinë në mes të burrave dhe grave.

“Siç duket gratë atje e kanë të qartë se çështja e barazisë nuk është një çështje dytësore që mund të pres pasi të zgjidhen çështje të tjera që janë në agjenda. Siç duket atje e kanë të qartë se çështja e barazisë duhet të jetë një çështje e vazhdueshme dhe është mjaftueshme, urgjente edhe në një luftë në si ajo në të cilën ata janë të përfshirë. Mirëpo nuk është vetëm kjo, shtypja për gratë atje është e shumëfishtë. Zakonisht sa më i shtypur që të jesh aq më e vështirë është të rezistosh dhe kjo nuk vjen spontanisht, pa një lloj emancipimi paraprak, një artikulimi politik të cilin e kam vërejtur që atje është”, tha ajo.

Ndërsa theksoi se kërkimi i të drejtave të grave nuk ka ndodhur në luftën e fundit në Kosovë. Sipas saj aktivistet e mëhershme të viteve të 90-ta thonë se ne si gra nuk e kemi kërkuar barazi për gratë pasi që ka qenë diçka më madhore, pra liria e vendit. Ndërsa shtoi se edhe tani pas luftës dominimi është komplet mashkullore dhe gruaja vazhdon të jetë në rolet tradicionale që ka qenë.

Sipas Agron Tufës, ka një lloj konfuzioni në paraqitjen e perspektives nacionaliste të teorive mbi kombet dhe lidhjes pastaj direkt me çështje të feminizmit dhe emancipimit.

“Jam dakord që vetëdija emancipuese e një komuniteti, e një shteti, është esenciale pra vetëdija emancipuese për të vlerësuar rolin e gruas dhe për ti dhënë atë që e meriton dhe që i takon. Mendoj se këto janë probleme që mund të zgjedhën me pasjen e një shteti, një legjislacioni brenda shteti. Të gjitha forcat intelektuale udhëheqin jetën e një kombi kanë mundësi që ta përhapin emancipimin e grave, çlirimin e tyre nga strukturat, nga ndrydhjet e ndryshme qofshin ato kanunore, tradicionale, fetare, apo të tjera”, tha ai.

Mirëpo Svetlana Rakočević tha se nuk është vetëm çështja e legjislacionit pasi që nuk ka asnjë kushtetutë që e lejon diskriminimin e minoriteteve, grave apo grupeve të tjera, mirëpo kjo akoma po ndodh. Sipas saj ne duhet që të kërkojmë për ndryshime pasi që ekzistimi i ligjeve nga zbatimi i tyre në rrugë, ndryshon. Diçka të tillë sipas saj e shohim në Amerikë, si lëvizja “Black Lives Matter” dhe nuk duhet që ta injorojmë këtë fakt.

Sipas Laura Huerga, një shoqëria mund të gjykohet nga vendi që gratë kanë në të ndërsa Elona Pira theksoi se jo gjithçka ka të bëjë vetëm me numrin e përfaqësimit që kanë gratë në shtet mirëpo me mënyrën sesia ato janë të përfshira në çështjet shtetërore dhe në jetën shoqërore, pra mirëqenia e tyre dhe shumë aspektet të tjera. E për Ann Cotton gratë në Rojava janë ndryshim pikërisht për shkak të mënyrës sesi sillen dhe veprojnë sipas saj është sidomos e rëndësishme fakti se ato nuk përdorin retorike urrejtëse.

Edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, POLIP, do të vazhdojë edhe sot./ KultPlus.com

Romani i paradokseve

Shkruan Fatbardha Statovci.

(Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i Stefan Çapalikut)

Introduksion me Shkodrën e romanit

Objekti i disiplinës së tematologjisë, pra tema, përkufizohet si boshti themelor ideologjik e ndodhjesor i veprës letrare.1 Për kah rëndësia, tema shihet si esencë letrare.2 Intenca, si shkak inicues i procesit të shkrimit, shndërrohet në temë, e kjo e fundit në prodhim letrar, si material hibrid i një shumësie motivesh e idesh që, bashkërisht, paraqesin veprën në totalitetin e saj final. Me një titull që shënjon të veçantën individuale, Secili çmendet simbas mënyrës së vet, Stefan Çapaliku na sjell sagën dypjesëshe3, që në secilin detaj e përmban të veçantën si kategori specifike të shkrimit, me temë jetën shkodrane nëpër rrjedhën kohore 1967-1985, pjesa e parë, dhe, në një vazhdim linear, pjesa e dytë, prej prillit të 1985-ës deri në nëntor të vitit 1990, me disa topose adiectio, Tiranën dhe, më pak, Tropojën e Jugun e Shqipërisë. Por, shikuar nga çfarëdo prizmi, Shkodra mbetet konstanta themelore, emëruesi i përbashkët, epiqendra e etabluar, rreth së cilës vërtitet gjithë interesi i autorit.

Një vijë ndërveprimi i mban të lidhura ngushtë të dy pjesët e romanit dhe leximi i veç njërës pjesë do të tingëllonte i mangët, për shkak të lidhjes pasuese që ekziston mes ngjarjeve, personazheve të zgjedhura, pjesë e përhershme e galerisë së njerëzve të piketuar, dhe ndodhive të situuara që, të bartura nga pjesa e parë në të dytën, vijnë sikur një frymë e lehtë déjà vu. Ngjyra bazë që lyen tablon e madhe në të cilën pikturohet jetesa e shkodranëve është e një hijeje gri e të zymtë, por, si anësore freskuese, vijnë hijet e theksuara të humorit që paraqesin një esencialitet bazë i cili ndikon dukshëm në natyrshmërinë krijuese të Çapalikut, humor i veçantë i cili të kujton Kunderën, Gogolin a Markezin.

Në ndarjen e gjashtë të pjesës së parë, autori eksplikon pozitën gjeografike të Shkodrës, formimin fetar të banorëve dhe jep një formulim deskriptiv paradoksal lidhur me vendndodhjen e qytetit dhe frymën e përgjithshme të tij:

Ka në botë mjaft qytete të bukura, të ndërtuara ndër vende të bukura; ka në botë shumë qytete të bukura, të ngritura ndër vende të shëmtuara; ka qytete të shëmtuara, të ndërtuara ndër vende të shëmtuara, por vështirë të gjesh një qytet më të shëmtuar, të ndërtuar në vendin më të bukur të botës, sesa Shkodra.4

Shkodra, si qytet-spektator, portretizohet si një hulli në të cilën fryn pandërprerë ostria e quajtur komunizëm, e cila po e shndërronte ngadalë qytetin në një provincë të vogël anemike që mezi merr frymë për të mbijetuar; në një qytet, pjesëtarët e të cilit janë shpresëhumbur, të hutuar dhe totalisht të izoluar e pa asnjë pikë referimi. Për ta nënvizuar katastrofën që kishte lëshuar rrënjë në përditshmërinë e shkodranëve, mes gjendjes së asaj kohe dhe gjendjes së shqiptarëve në fundin e Perandorisë Otomane, vihet një paralele direkte, duke vënë ballas përbindëshin otoman dhe Njeriun e Ri pjellë të sistemit totalitar komunist, i cili ia hante dhe ia bluante çdo ditë personazhet dhe karakteret unikalë këtij qyteti.

Një si gjendje bunace kishte kapluar çdo qelizë të vendit i cili po asfiksohej nga valët mbytëse të komunizmit dhe i cili po shkonte drejt një fundi të garantuar. Një situatë ku nuk kishte as të shkuar e as të ardhme6, por vetëm të tashme: një temporalitet i stagnuar që shënjon hendikepizmin e madh të çdo gjëje. Kjo lojë me kohët bëhet në funksion të idesë se njeriu i kohës nuk e posedonte kujtesën si pasojë e gjendjes letargjike që kishte imponuar pushteti dhe nuk shihte perspektivë po për të njëjtin shkak. Pafuqia për të rezistuar, kishte sjellë një lodhje dërrmuese e sfilitëse e cila nuk siguronte luksin për të mohuar, kundërshtuar apo refuzuar, duke prodhuar kështu celulat shoqërore brenda së cilave identiteti humbet, ndershmëria nuk ekziston dhe njeriu s’arrin të jetë vetvetja.

Në këtë drejtim, Çapaliku, kur flet për humbjen e sensit të perspektivës dhe terrin që kishte kapluar bashkëqytetasit e vet, funksionalizon devizën e Kierkegaardit, se njeriu duhet të guxojë që të jetë krejtësisht vetvetja.7

Shoqëria shkodrane në një terr agnostik

Përgjithësisht, njeriu, si qenie e cila s’e ka përherë të lehtë adaptimin me situata të ndryshme të praktikës jetësore dhe, si e tillë, e dobët për kah natyra për t’u përballur me gjendje të caktuara të skajshme, shtysë të fundit mbështetëse të cilit i drejtohet ka Zotin. Duke ia atribuuar atij plotfuqishmërinë dhe kontrollin mbi rrjedhën e gjërave, njeriu mbush veten me energji ripërtëritëse dhe i bën ballë më lehtë empirizmit shpirtëror e jetësor.

Praktika humane e ka dëshmuar që njeriu përherë ka ndier nevojën për të besuar në një fuqi ekstreme, një instancë absolute që ka nën vrojtim çdo gjë e secilin dhe, mbi këtë bazë, edhe ka mëtuar të shpjegojë origjinën e gjërave, domethënien e tyre dhe gjithçka që përbënte trivialitetin e tij. Viti 1967 është viti kur Shqipëria shpallet shtet ateist dhe njerëzve u mohohet totalisht e drejta për të besuar dhe praktikuar fenë. Partia dhe besnikët e saj shkatërrojnë secilin institucion fetar dhe përndjekin vartësit e fesë, duke prishur rendin stabil të funksionimit normal të tyre.

Pjesa e parë e librit na jep të gjallë ngjarjen e rrëzimit të kompanjelit të Kishës Françeskane dhe, kësaj udhe, edhe akterin kyç, meshtarin katolik Pjetër Meshkalla, i cili, pse dënon këtë luftë kundër fesë, burgoset e përndiqet politikisht. Se shkodranët kishin arritur ta ruanin kultin e besimit dhe të fesë, përkundër trysnive çnjerëzore, dëshmon fundi i pjesës së dytë e cila mbyllet solemnisht: me një meshë mbajtur nga Dom Simoni. Objektet fetare të rëna i zëvendëson një objekt tjetër, i ri, që quhet televizor e që shndërrohet në një sensus communis të vetëm. Kjo aparaturë shihet si e shenjtëruar në njëfarë forme dhe arrin të imponohet aq natyrshmën në përditshmërinë e shkodranëve sa të zërë vendin krucial në muhabetet dhe vetë jetën e tyre. Si dëshmi e kësaj, vjen edhe ndarja e pjesës së parë të librit në tre kapituj, që i përgjigjet impaktit të televizorit në shoqërinë shkodrane të asaj kohe: Para, Gjatë dhe Mbas. Studiuesi Ag Apolloni, kur trajton dukurinë në fjalë, shkruan: Siç thuhet para Krishtit e pas Krishtit, mund të thuhet edhe para Televizorit dhe pas Televizorit.

Pra, në skenë vjen një kult i ri, i cili mbledh rrreth vetes ithtarë të panumërt, të fascinuar nga risia që sillte ai në rëndomtësinë e padurueshme të jetëve të tyre, derisa ngjan prishja e frekuencave valore dhe vendosja e zhurmuesve si pajisje e prodhuar për ndërhyrjen direkte në frekuencat e televizionit italian dhe jugosllav, duke iu kushtuar atyre me humbjen e gjithë referencave që kishin me botën e jashtme:

Të mos kemi më dritare me xhama, por në vend të xhamave të kemi pasqyra e të kënaqemi përditë duke parë shëmtinë tonë.

Pra, gjithë jetesën e shkodranëve e karakterizonte njëdimensionaliteti i imponuar nga fuqia e Partisë e cila vepronte sipas një formule arbitrare e johumane. Imazhi i tablos shkodrane si pasqyrim i reales në vepër, alla Kazimir Malevich-iane, jep një perspektivë tipike të mangësisë në kuptimin më të plotë të fjalës dhe një logokratizëm të çmendur: mekanizmat që vënë në lëvzje motorin e madh të jetës janë të cunguar nga ky njëdimensionalitet që shtyp individin dhe qenësinë e tij. Cenohen liritë më esenciale, mungon privatësia, imponohen bindje ideologjike nga më absurdet, si për shembull, ndalimi i boksit pasi konsiderohej sport tipik i borgjezisë dhe imperializmit amerikan, shfrytëzohet çnjerëzisht masa deri në shkallën sa të bëhet presion në bazë anomalish, vriten njerëz, spiunazhi bëhet i rëndomtë, ndalohet literatura ku përfshihen disidentët, etj. Mbi të gjitha këto qëndron krenarisht njëshi absolut, Enver Hoxha, për të cilin Çapaliku, përdor ironikisht, në rast shënjimi madhështinë e tij të pamatshme, përemrin ai me shkronjën nistare të madhe: Ai. Ironinë, si armë parësore, e përdor edhe në rastin kur flet se si ky diktator kishte bërë të obligueshëm leximin e librave të tij, të cilët, paradoksalisht, i shkruante tjetërkush:

Në të vërtetë kishte gojë të liga, si puna e gojës së Jakut të Hallës, që thonin se Ai nuk i shkurante vetë, porse kishte një arradhë shkrimtarësh anonimë që shkruanin e shkruanin në emrin e tij; ose kur përdor fjalën tjegulla për emrat e anëtarëve të partisë, apo edhe kur kontekstualizon parullën e shkruar në mensën e punëtorëve me autor Mao Ce Dun-in: Lani duart para ngrënies, për të theksuar qartazi absurdin e pakompromis që sundonte mendësinë ideologjike.

As jeta kulturore nuk i shpëton impaktit të partisë; ky arrin deri aty sa edhe nëpër galeri arti, përmes pikturave të ekspozuara, të shpjegohen planet urbanistike. As në pjesën e dytë të romanit nuk mungon nomenklatura komuniste, në krye me pasardhësin e Hoxhës, Ramiz Alinë, me të njëjtën fuqi imanente ngulfatëse. I cilësuar nga autori si rreth vicioz12, dogmatizmi egoist obsidiar, si një rrjetë e ngatërruar e krijuar nga merimangat gjakpirëse komuniste, kishte në dorë frerët e çdo gjëje funksionale.

Dhe, veç të mendohet se Shkodra ishte thjesht një prototip i njësive të tjera qytetase të kohës…

“Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, një autobiografi fiksionale

I cilësuar si minirrëfim për kohën e metarrëfimit komunist13, romani Secili çmendet simbas mënyrës së vet, vjen si sintezë e kujtimeve jetësore të autorit, ndodhive de fakto, dhe një doze të madhe fiksioni: kemi, pra, jetën si lëndë bruto e cila derdhet në kallëpin letrar të mbushur me trill. Këtë e deklamon vetë autori i cili shprehet se as vetë s’e di ku mbaron e vërteta dhe ku fillon trillimi, pavarësisht se ngjarjet kanë tharmin e së vërtetës.14 Te Pakti autobiografik, Philippe Lejeune përkufizon autobiografinë në këtë formë: Rrëfim në retrospektivë, i shkruar nga një person real, me bazë ekzistencën e vet, fokus jetën personale dhe, veçanërisht, historinë e personalitetit të vet.15

Nisur nga ky definicion, ai nxjerr këto katër kategori:
a) Forma e shkrimit –tregim, prozë;
b) Subjekti i trajtuar – jeta personale, historia e personalitetit;
c) Situata e autorit – autori (emri i të cilit i referohet një personi real) dhe narratori janë i njëjti;
d) Pozicioni i narratorit – narratori dhe personazhi kryesor janë i njëjti person / perspektiva retrospektive e tekstit.

Nëse do të provonim ta plotësonim skematizimin me tendencë përputhshmërie të këtyre kategorive me elementet e tekstit që kemi objekt trajtese, do të kishim këtë rezultat: forma e shkrimit është romani. Romani është rrëfim, pra diegjetik. Genette dallon dy lloje të rrëfimit: një me narratorin që mungon në historinë që po rrëfehet (shembull: Homeri te Iliada, apo Flaubert te Edukimi sentimental), dhe narratori tjetër që është prezent si personazh në historinë që po tregon (shembull: Gil Bias, ose Wuthering Heights)17. Ai e emëron të parin, për arsye të dukshme, heterodiegjetik dhe të dytin homodiegjetik.18 Përdegëzimi këtu bëhet dhe me një nëndarje tjetër grupuese që varet nga raporti që mund të ketë narratori me ngjarjen: narratori ekstradiegjetik dhe narratori intradiegjetik; i pari që qëndron jashtë rrëfimit dhe i dyti i implikuar në rrëfim.

Dhe, derisa shtjellon përkufizimin e Lejeune-it mbi autobiografinë si gjini relativisht të re, ai plason togun narracion autodiegjetik retrospektiv:19 pra, autobiografia si narracion retrospektiv me një narrator autodiegjetik, si tip i narratorit që rrëfen ngjarjet në të cilat ai është protagonist, pra narratori që flet për vetveten.20 Stefani është autor, narrator dhe personazh (protagonist). Duke qenë i përfshirë në rrëfim është narrator homodiegjetik; duke pasur primatin e kryepersonazhit dhe duke qenë se rrëfen për dhe mbi veten, është narrator autodiegjetik. Rrëfimi zhvillohet në vetën e parë, që është karakteristikë e shkrimeve autobiografike, ndonëse autobiografi mund të shkruhet edhe në vetën e tretë (për shembull, autobiografia e Nolit);21 dhe autori, përveç narrator dhe personazh, është edhe fokalizator e vokalizator; ai shkruan, rrëfen, fokuson, tonalizon dhe vepron.22 Teknika narrative që përdor në fillim të romanit është një specifikë e llojit të vet: ai realizon një lojë përemrash ku, fillimisht, specifikon veten, madje duke përsëritur përemrin unë dy herë – e kjo ndoshta për ta theksuar unin e vet,23 ajo për nënën, e ai për dajën – duke qenë se romani ndërtohet nga mozaiku i kujtimeve të fëmijërisë, autori tenton, mu përmes kësaj teknike, ta bëjë rrëfimin më të besueshëm, duke i prezantuar dy nga figurat më të dashura të jetës fëmijërore nëna dhe daja – dhe ata për të tjerët.

Subjekti i trajtuar është jeta personale, kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë – pra, kthim retrospektiv – çka e pohon vetë Stefani, i gërshetuar ndjeshëm edhe me historinë e personalitetit të tij: ne e ndjekim rritjen graduale të personazhit që nga mosha shtatë vjeçare. Rrëfimi nis më 1967 dhe përfundon më 1990 dhe ne jemi vrojtues të ngjizjes dhe krjimit të personalitetit të personazhit, alias autorit. E kemi të determinuar qartë kronotoposin; ekziston një kohë objektive, kronologjike, 1967-1990, dhe toposet, Shkodra, Tirana, Tropoja e Jugu i Shqipërisë, me specifikimet emërtuese të rrugëve e vendeve që dëshmojnë për gjeografinë e vërtetë të romanit: Kafja e Madhe, Kisha e Madhe, mëhalla Gjuhadol, etj., dhe emrat e institucioneve të qena Gjimnazi “29 Nëntori”, Qendra e Banimit të Studentëve, Turizmi i ri, Turizmi i Vjetër, etj. Personazhet e zgjedhura janë realë (me modifikime eventuale); duke nisur nga familja Çapaliku, familja e autorit, për të vazhduar me të tjerë emra të famshëm dhe të njohur për lexuesin, si: Gjon Shllaku e Kolë Ashta me gratë e tyre, Zef Zorba, Frederik Rreshpja, Pjetër Meshkalla, Pjetër Gjini, Dom Simoni, etj.

Siç thotë Orhan Pamuk, një roman është një lloj shporte që mbart një botë përfytyrimi të cilin duam ta mbajmë vazhdimisht të gjallë e të gatshëm24. Shportën vitale e lakonike të Stefan Çapalikut, përbërë nga fiksioni dhe e vërteta, e ndan në dysh një kufi i brishtë i cili privon lexuesin nga saktësimi dhe ndarja precize e dy kategorive bazë të luzmës së ideve, motiveve e temës: trillimit dhe reales që, të çiftëzuara, paraqesin pneumën e romanit./ KultPlus.com

Ky është plazhi më i bukur i Rivierës Shqiptare

Imagjinoni ujëra kristal të qartë, male të larta dhe plazhe me pak turistë. Jo, nuk bëhet fjalë për një mirazh, por për Drimadhen, plazhi më i bukur në Rivierën Shqiptare.

Kështu shkruan gazetarja italiane Francesca Masotti në një artikull të botuar në gazetën “Travel News”, për pesë plazhet mesdhetare ku mund të kalohen pushimet e verës.

Pushimet verore janë pothuajse në derë dhe ne të “Travel News” po ju çojmë në zbulimin e pesë plazheve absolutisht spektakolare mesdhetare për të parë këtë vit. Më mirë në fillim apo në fund të verës, kur turistët janë pak dhe ju mund ta shijoni plotësisht bukurinë e tyre, transmeton ATSH.

Në listën e pesë plazheve bëjnë pjesë Navagio Zante (Greqi), Korcula Lampedusa (Siçili, Itali), Cala Agulla (Kroaci), Drimadhes (Dhërmi, Shqipëri) dhe Majorka (Spanjë).
Ndryshe nga shumë brigje përgjatë bregut, Drimadha nuk është e mbushur me njerëz edhe në pikun e sezonit.

Plazhi është i ndarë në dy pjesë nga një gur i gërmuar nga uji dhe era: në njërën anë është e përbërë nga guralecë, nga ana tjetër është e gjitha me rërë të shkëlqyer.

Nëse doni t’i shtoni disa vizita kulturore çlodhjes tuaj, fshati Dhërmi, vetëm tri minuta me makinë, është një xhevahir i ndërtuar pranë maleve, ku shfaqen kishat ortodokse me kupola blu, shtëpitë me gurë dhe kopshtet e mbushur me lulen e quajtur “Saranda”./ KultPlus.com

Shend Doli merr çmimin e dytë në Festivalin e Kitarës në Nish

Në festivalin e XIV Naissus Guitar Festival” në Nish, kitaristi nga Kosova Shend Doli, fitoi çmimin e II-të në kategorinë e IV, shkruan KultPlus.

Juria në përbërje të Vera Ogrizovic, Milkica Ponjavic, Srdan Tosic, Adnan Ahmedic, Fabio Barbagalo, ndanë këtë çmim për Shendin, i cili është nxënës i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë.

“Faleminderit Gjulian Bytyqi për angazhimin e shkëlqyer e pa përtesë për ngritjen dhe ndërkombëtarizmin e shkollës sonë(respektivisht klasës së Kitarës). Faleminderit drejtor i arsimit-Gjakovë Bernard Frrokaj për mbështetjen financiare për pjesëmarrje në këto gara”, thuhet në njoftimin e dërguar për KultPlus./ KultPlus.com

Bregdeti i Dhërmiut pret për herë të parë “Kala Festival” (VIDEO)

Për herë të parë, bregdeti me bukuri mahnitëse i Dhërmiut, do të presë Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike në Shqipëri i quajtur “Kala”, nga 20-27 qershor.

Ky festival, përveç atmosferës që do të krijojë për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.

Përgjatë tetë ditëve në festival do të jenë të pranishëm DJ të famshëm anglezë, si Tom Misch, Roy Ayers, Todd Terje, The Black Madonna, Moodymann dhe shumë të tjerë. Organizatorët e këtij festivali të muzikës elektronike kanë paralajmëruar shumë surpriza dhe e kanë përshkruar bregdetin e Shqipërisë në faqen zyrtare të festivalit, si një zonë të mahnitshme që duhet vizituar patjetër.

“Plazhe me rërë, ujëra kristal të qartë, mikpritje e madhe, ushqim i shkëlqyer dhe disa nga plazhet më të mira të Mesdheut”, thuhet në faqen zyrtare të festivalit.

Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës Shqiptare.

Në ditët e fundit të festivalit do të ketë ekskursione të tilla si, rafting në Kanionet e Osumit. Organizatorët shpresojnë që të ftuarit të përjetojnë me të vërtetë bukurinë e vendit.

Në këtë festival pritet të marrin pjesë të rinj nga të gjitha vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, si vend mikpritës, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi./ KultPlus.com

Sot, 115 më parë lindi Ernest Koliqit

Më 20 maj 1903, në Shkodër lindi Ernest Koliqi, mësuesi, poeti, romancieri, eseisti, përkthyesi, gazetari, dramaturgu, ministri i arsimit në qeverinë Vërlaci, botuesi dhe pedagogu i mirënjohur shqiptar. / KultPlus.com

https://web.facebook.com/photo.php?fbid=10156157583825631&set=gm.1707502115992221&type=3&theater&ifg=1

Ankandet e New Jorkut thyejnë rekordin, veprat e rralla gjithmonë të kërkuara

Rreth tre miliardë dollarë vepra arti të shitura në dy javë. Ankandet e pranverës në New York kanë thyer rekordet dhe kanë treguar se interesi për veprat dhe skulpturat e mëdha është më i fortë se kurrë.

Rreth 1,79 miliardë dollarë për Christie’s dhe 859 milionë dollarë për Sotheby’s, rekordi nju jorkez e kalon atë të pranverës së vitit 2015, konsideruar për shumë kohë si një moment i jashtëzakonshëm, ndjekur nga një ngadalësim i shënuar gjatë sezoneve pasuese.

“Është kolosale”, thekson Georgina Adam, autore e “Dark Side of the Boom”, në tregun e artit të shekullit të XXI, edhe pse sezoni ka zgjatur dy javë në vend të një për koleksionin monumental të Rockefeller, raporton ATSH.

Asnjë rekord absolut këtë vit. “Salvator Mundi” e Leonardo da Vinçit u vlerësua në nëntor të vitit 2017 për 450,3 milionë dollarë duke qenë më i kërkuari. Por dhjetëra artistë e kanë kaluar çmimin e tyre më të lartë dhe më shumë se 250 vepra kanë arritur në miliona dollarë.

“Ka ende njerëz që dëshirojnë të blejnë me çmime të larta nëse është më e mira e tregut të artit”, thekson Rachel Poënall, profesor në Universitetin holandez të Maastricht.

“Në 2017, tregu i ankandeve u ringrit, me 18,9 miliardë dollarë nga 16,9 në 2016, por mbeti në nivelin më të ulët se ai i vitit 2015 me 21,1 miliardë dollarë”, sipas studimeve të realizuara për organizatën e specializuar TEFAF./ KultPlus.com

Sikur s’jetoj në vendin tim

Poezi nga Dritëro Agolli.

Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim
Po në një vend të huaj dhe të largët
Në një qytet me buba dhe me minj
Mes mureve të rrjepur dhe të lagët.
Çuditem pse kështu më duket shpesh

Kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska flluska ma bën jetën
Më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm

Helmohemi çdo çast me njëri tjetrin
s’e di nga vjen ky helm se s’kam ç’të them
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin

Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet
Pastaj do tundet toka në termet
Dhe Djalli i Madh do qesh e do zgërdheshët

I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetëra njerëz
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërrvish
më bën të qaj si nxënës prapa derës.

Tingujt magjik të Shkëlzen Doli dhe këngët e mirëfillta shqipe, jehuan mbrëmë në Gjakovë

Gjakova, qytet i muzikës, mbrëmë pati një festë muzikore.

Violinisti me famë botërore, e anëtar i Filarmonisë së njohur të Vjenës, në Pallatin e kulturës “Asim Vokshi” kishte ftuar qindra miq nga të gjitha anët ku flitet shqip duke i befasuar se nuk ishte rastësi ky takim me ta për t’ua prezantuar Ansamblin muzikor që do të mbaj emrin e tij.

Për dy orë ai dhe orkestra e përzgjedhur nën dirigjimin e mjeshtrit Alfred Kaçinari, e me këngëtarë të ftuar, tregoi dhe dëshmoi për të satën herë cilësitë e një mjeshtri të rrallë.

Kënduan Edi Furra, veterani Ismet Peja, Gentian Gojani, Vesa Smolica, Grupi Polifonik nga Himara, grupi muzikor “Ashikët” e duke e përfunduar koncertin me këngën e njohur “Është Kosova, është Shqipëria…” në shenjë të shënimit të ditëlindjes së heroit kombëtar Skënderbeut.

Sipas drejtorit artistik të këtij ansambli, Ruzhdi Sadiku, do të vazhdojnë punën duke shpallur audicione për solistë e instrumentist si dhe për valltarë e valltare për ta bërë një ansambël të kompletuar e për të pasur paraqitje çdo mujore në Gjakovë e hapësirat gjithëshqiptare e për të vazhduar edhe më përtej./ KultPlus.com

Uta Ibrahimi ‘pushton’ Majën Lhoste (FOTO)

Uta Ibrahimi, më 19 maj ka pushtuar Majën Lhoste-8516m, që është maja e katërt më e larta në tokë, shkruan KultPlus.

Kjo është maja e 3-të që po pushton Uta nga ekspedita “14 Majet e Himalayave”.

“Ditën e ngjitjes nga kampi 4 e deri në majë kam bërë 4 orë e gjysmë, që zakonisht në atë ngjitje bëjnë edhe ka 6 apo 7 orë. Ndërsa unë edhe jam kthyer po atë ditë në kampin bazë, që është një sukses i madh sepse rrallë kthehen. Tash për momentin jam në kampin bazë”, ka thënë për KultPlus Uta.

Edhe në Lohtse, Uta ka ngritur flamurin e kombit shqiptarë dhe atë të Kosovë, dhe ka thënë se ndjehet shumë krenare.

“Këtë ngjitje ua dedikoj të gjithë njerëzve të mirë të vendit tim, të cilët e kanë dëshmuar se kur përkrahim njëri tjetrin gjithmonë ecim përpara”, ka shkruar Uta në Facebook.

Uta përgjatë 1 viti i ka ngjitur 38000 metra që shumë pak alpinist e bëjnë./ KultPlus.com

Era Istrefi takohet me Ronaldinhon (FOTO)

Para pak ditësh u dha lajmi se këngëtarja kosovare Era Istrefi do ta bëjë këngën e Kampionatit Botëror të Futbollit.

Kësisoj, pas këtij lajmi Era, ka publikuar edhe një fotografi me futbollistin e njohur Ronaldinho, shkruan KultPlus.

Në fotografinë e publikuar në Insta Story, Era ka shkruar se është kënaqësi për të ta takojë Ronaldinhon.

Rikujtojmë se Era Istrefi do të këndojë bashkë me aktorin dhe këngëtarin e famshëm Will Smit në projektin për këngën e Kampionatit Botërorë, ndërsa producent është i famshmi DJ Deeplo.

Kampionati Botëror i Futbollit, që mbahet çdo katër vjet këtë vit do zhvillohet nga datat 14 qershor deri me 15-të korrik në Rusi, ndërsa kjo është njëra ndër ngjarjet më të ndjekura në botë, që mbledh me miliarda shikues, qofshin ose jo adhurues të futbollit.

Kosovarja Era Istrefi, vetëm 23 vjeçare, do të jetë zëri i këtij kampionati botëror, duke bashkëpunuar me një artist ndërkombëtarisht të njohur si Ëill Smith, e duke u renditur në mesin e artistëve si Shakira, Jennifer Lopez, Anastacia e Jason Derulo.
Përderisa bota do jetë duke parë futboll e duke bërë tifo për shtetet e tyre, Kosova edhe pse jo në garë, do jetë prezente me zërin e Era Istrefit në HIMNIN E KAMPIONATIT BOTËROR 2018-të./ KultPlus.com

Adelina Ismaili publikon “T’iqja” (VIDEO)

Këngëtarja e famshme Adelina Ismaili, pas shumë vite mungesë në skenën muzikore të Kosovës, është rikthyer me një këngë të re.

Kënga e re titullohet “T’iqja”, tekstin e së cilës e ka shkruar vetë këngëtarja ndërsa muzikën Florent Boshnjaku.

Titulli i këngës “T’iqja” nënkupton shkurtesën e emrit “Hatixhe”.

Adelina në këtë këngë kritikon femrat që, ndonëse nuk punojnë asgjë, tërë ditën postojnë nëpër rrjete sociale fotografi nga vende të ndryshme, me vetura të ndryshme e veshje e aksesorë të shtrenjtë.

Përkthyes, mos i lani brekët aty ku i kanë la të tjerët!

Ag Apolloni

Për Ministrinë e Kulturës dhe për përkthyesit

PËRKTHYES, MOS I LANI BREKËT ATY KU I KANË LA TË TJERËT!

Në Kosovë dhe në Shqipëri shpesh i kemi përkthimet si është më zi. Në vend se të ecim përpara, të vetëdijesohemi për përkthimin, ne ecim mbrapa. Edhe pse sot ka kaq shumë shqiptarë që dinë anglisht, frengjisht, italisht, spanjisht, gjermanisht etj., përkthyesit nuk përkthejnë autorë, gjuhët e të cilëve i dinë, por autorë, gjuhët e të cilëve nuk i dinë, prandaj i përkthejnë nga gjuha e dytë. Për shembull, përkthyesi që njeh frengjishten përkthen autorët që shkruajnë gjermanisht, anglisht, apo italisht; ai që njeh italishten përkthen autorët që shkruajnë anglisht, ai që njeh anglishten përkthen autorët që shkruajnë frengjisht. E kështu na sjellin botime “cilësore”, me kopertina të bukura, pa u brengosur për cilësinë e përkthimit.
Ja, po i marr disa shembuj: Paul Auster shkruan anglisht, por libri “The Red Notebook” është përkthyer më 2014 nga italishtja (“Esperimento di veritá”) me titullin “Prova e së vërtetës”, pa të drejta autoriale; Ernesto Sabato ka shkruar spanjisht, por libri “Antes del fin” (Përpara fundit) është përkthyer nga italishtja në vitin 2003, pa të drejta autoriale; Zherar Zheneti (Gérard Genette) ka shkruar në frengjisht, por libri “Nouveau discours du récit” është përkthyer në gjuhën shqipe më 2014 nga anglishtja, pa të drejta autoriale, anipse autori ishte gjallë deri javën e kaluar. Cees Noteboom shkruan holandisht, por libri i tij “Een lied van schijn en wezen” (“Kënga e qenies dhe e dukjes”) është përkthyer nga frengjishtja, pa të drejta autoriale; J. L. Borges, përveç një libërthi hibrid, në gjuhën shqipe ka ardhë nga gjuhë e dytë dhe gjithmonë pa të drejta autoriale.
Aman, o përkthyes, përktheni autorët e gjuhëve që njihni, se m’i keni gërditë edhe Auster-in, Sabato-n, Genette-in, Nooteboom-in, Borges-in, të cilët sigurisht nuk e kanë merituar këtë përdhosje që po ua bëni. Mos përktheni nga gjuhë e dytë, se siç ka thënë përkthyesi i “Iliadës” (të cilën e ka përkthyer nga gjuhë e parë), Gjon Shllaku: “Me përkthye poezinë prej nji gjuhe të dytë, asht njilloj si me la t’linjtat aty ku i kanë la të tjerët para teje”.
Auster, Sabato, Genette, Nooteboom, Borges dhe shumë të tjerë që janë përkthyer e po përkthehen nga gjuhë e dytë, duhen hequr nga qarkullimi dhe duhen përkthyer nga gjuhë e parë dhe, natyrisht, me të drejta autoriale. Ministria e Kulturës, në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk duhet të financojë libra që përkthehen nga gjuhë e dytë dhe që s’kanë të drejta autoriale.
Në rast se ne si shoqëri i denoncojmë librat e përkthyer nga gjuhë e dytë, po ju siguroj që shtëpitë e tilla botuese (pirate) do të gjobiten, për rrjedhojë edhe mund të falimentojnë, por e rëndësishme është që do të mësohen ta çmojnë autorin dhe librin.
Ministria e Kulturës (në Prishtinë dhe në Tiranë) duhet të krijojë një këshill mbikëqyrës të botimeve që të mos lejojë botimet pa të drejta autoriale, përndryshe përgjegjësia bie mbi të.

Mos shko shumë larg

Pablo Neruda / përktheu Enkeleda Suti

Mos shko shumë larg, as për një ditë
sepse…sepse…s’di si ta them
një ditë është kohë e gjatë e
unë do jem duke të të pritur
sikur të isha në një stacion treni
por trenat janë parkuar diku tjetër
në gjumë

Mos më lër as për një orë
Sepse atëherë i gjithë ankthi im do të vërshojë për tek unë
tymi që hungërin në kërkim të një shtëpie
do të vijë drejt meje po ashtu
duke mbytur zemrën time të ngratë
Mos u shpërbëftë kurrë në det silueta jote
Mos u valëviteshin qepallat e tua kurrë në një largësi të zbrazët

Mos më lër për një sekondë, e dashura ime

Sepse në atë çast
ti do te kesh ikur aq larg saqë unë
do të vërtitem nëpër labirinthe mbi të gjithë tokën
duke pyetur
A do të kthehesh?
Apo do të më lësh këtu, duke vdekur?