Kujtim Paçaku varroset nesër në Prizren

Poeti Kujtim Paçaku ndërroi jetë në mëngjesin e kësaj të entje. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 18 maj në kohë dreke në Prizren.

Kortezhi funeral do niset nga rruga Paqja nr 13, Prizren ndërsa Namazi për të ndjerin do të falet në xhaminë e Terzimhallës, thuhet në njoftimin e familjarëve.

Poeti Kujtim Paçaku la prapa vetes babain, bashkëshorten dhe tre djemtë.

Ish-deputeti rom i Kuvendit të Kosovës, për disa mandate, që të enjten ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, kishte diplomuar në romologji në Universitetin e Sorbonës në Paris, shkruan Gazeta Express.

Por, para se të merret me politikë, ku përfaqësoi komunitetin e tij, për disa vite, sa ishte i ri, Kujtim Paçaku punoi si arsimtar në një shkollë fillore në Suharekë, e më vonë ligjëroi edhe në shkolla verore të organizuara për pjesëtarët e komunitetit rom në Kosovë, pjesë e të cilit ishte.

Pas luftës, Paçaku ishte angazhuar edhe si gazetar në një media multietnike, e më vonë drejtoi edhe një OJQ që mbronte të drejtat e komunitetit. Ai ishte shpallur edhe ambasador i paqes në Ballkan, për këso lloj angazhimi në të drejtat e komunitetit rom dhe komuniteteve tjera pakicë. / KultPlus.com

Blerta Hoti me “Përjetimet shpirtërore” në Francë

Blerta Hoti artistja që përmes artit te saj modern dhe kreativ si piktore profesionale arriti të shfaqet vetëm në Kosovë, por edhe përtej saj si në shtetet perëndimore në Francë, Zvicër madje edhe në USA, shkruan KultPlus.

Ajo ekspozoi në disa galeri artin e saj kurse kjo është ekspozita e tretë e radhës që do të hapet në Galerinë Pianos Croses në Gaillard Francë.

Në këtë ekspozitë Hoti, do të prezantohet me një cikël të pikturave me titull “Përjetimet shpirtërore”, me gjithsej 15 piktura të dimensioneve të ndryshme, teknika vaj në pëlhurë.

““Përjetimet shpirtërore”, janë ndjenja që më janë shfaqur nga përjetimet e vrazhda të popullit shqiptar, vuajtjet tmerri , emigrimet ilegale etj… Dhe gjithë këtë emocion shpirtëror do ta interpretoj me gjuhën e artit, natyrshëm duke i perceptuar një varg ngjarjesh të cilat me patjetër u bënë pjesë e jetës sime në raport me tërë ato që përjetuam si popull në cilat ngjarje doemos edhe ne si artist nuk mund të jemi imun”, është shprehu artistja, duke treguar se në sfondet e pikturave dominojnë nuancat e ngrohta dhe të ftohta të ndërlidhura njëra me tjetrën duke treguar gjithherë diçka në mënyrë metaforike jo reale por abstrakte gjithë përjetimet shpirtërore.

“Falënderoj presidentin e Shoqatës së Miqësisë Franko- Shqiptare, zotëri Tahir Shabani për ftesën dhe për organizimin në kuadër të promovimit të kulturës dhe forcimit të miqësisë mes Kosovës dhe Europës”, theksoi ajo për fund.

Ekspozita do të hapet me datën 18 maj dhe do të qëndroj e hapur deri me datën 27 qershor./ KultPlus.com

Rriten çmimet në hotelet shqiptare

Shqipëria po shndërrohet në atraksion për shumë turistë nga Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermania, Polonia, Anglia, Çekia

Qeveria shqiptare ka lehtësuar vitin e kaluar sektorin e hotelerisë nga taksat, por çmimet e akomodimit po vijnë në rritje.

Sipas të dhënave të INSTAT, ndryshimi vjetor i çmimeve në shërbimet e akomodimit nisi të rritej në nëntorin e vitit të kaluar dhe po vjen gjithnjë e në trend rritës.

Turistët nga Evropa Perëndimore po rriten dhe hotelet janë të zëna. Hotelet shqiptare, që në fund të vitit të kaluar raportuan se janë përballur me prenotime jo të zakonshme për pushimet e verës 2017. Turistët çekë, polakë dhe sllovakë duket se janë shtuar dukshëm për verën e 2017, shkruan ‘Monitor’.

Menaxherët e Rafaelo Resort në Shëngjin thanë se gati gjysma e kapaciteteve për 2018, rreth 130 dhoma, janë tashmë të prenotuara nga agjencitë çeke dhe polake, duke pohuar se kërkesa këtë vit është dukshëm më e lartë. Të njëjtën tendencë pohuan edhe menaxherët e hoteleve të mëdha në zonën e Durrësit, Dolce Vita dhe Fafa Resort, përcjell albinfo.ch.

Shqipëria është vizituar nga një numër rekord të huajsh në vitin 2017, sipas statistikave të lëvizjeve të shtetasve të publikuar nga INSTAT.

Në total, në Shqipëri hynë 5.1 milionë të huaj, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e mëparshëm. Gati gjysma e tyre erdhën për qëllime turistike.

Shtetasit nga Kosova vijojnë të zënë vendin e parë për sa i përket numrit të të huajve në vend, me 34% të totalit (nga 45% që ishte pesha e tyre vitin në 2016-n).

Shqipëria po shndërrohet në atraksion për shumë turistë nga Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermania, Polonia, Anglia, Çekia, teksa Shqipëria vazhdon të jetë në fokusin e mediave të huaja që shkruajnë për bukuritë e tij dhe alternativën e çmimeve të lira.

Emina Çunmulaj: Jam krenare që jam shqiptare

Modelja Emina Çunmulaj është në prag të lindjes së fëmijës së saj të dytë.

Por bukuroshja nuk i harron kurrë rrënjët e saj dhe një fakt i tillë duket qartë në foton e fundit që ka publikuar, shkruan koha.net.

Eminën e shohim me kostum popullor dhe krahas kësaj veshje ka shkruar: “I vogli im! Të premtoj se do të rris me të njëjtat vlera me të cilat me ka rritur mamaja ime. Të premtoj që do të të kujtoj gjithnjë se nga vjen mamaja jote dhe sesa krenare jam për këtë. Kultura ime është pasuria më e madhe dhe puna ime do të jetë përgjithmonë të të mësoj ty dhe Ella Farias bukurinë e saj,” – përfundon Emina në rrjete sociale./KultPlus.com

Ilir Meta, presidenti më Rock në Botë

Eugent Bushpepa i cili përfaqësoi Shqipërinë këtë vit me këngën “Mall”, duket që po shijon pritjet që i janë bërë në vendin e tij, pas kthimit nga kjo garë evropiane, i cili është radhitur i 11-ti, shkruan KultPlus.

Së fundi është takuar edhe me Ilir Metën, presidentin e Shqipërisë, ku Eugent Bushpepa e vlerëson të jetë si presidenti më rock në Botë.

“Me Presidentin me Rock ne Bote! 🤘 😁
Z.PRESIDENT shume faleminderit per vleresimin dhe mikpritjen!
The Best Rock President of them All!
Mr. PRESIDENT, thanks for having me and thanks for the appreciation! You Rock! 🤘 😎””, ka shkruar Bushpepa./KultPlus.com

Kujtim Paçaku, një goditje për racizmin dhe një rrëfim mbi kulturën

Sarandë Selimi

Problemi i racizmit është çdoherë i pranishëm në shoqërinë kosovare, sado që shpesh nuk flitet për të dhe duket si një debat i ftohtë, ose i lënë pezull për më vonë, kur ndodhë diçka sensacionale e kur racizmi shprehet haptazi.

Ngjarja që ndodhi para dy javësh e që mori jehonë në vend ishte ajo e përgjimeve që dolën nga portali Insajderi, ku përveç të tjerash deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës e përdorin me shumicë termin pezhorativ gabel, ose magjup, drejtuar pjesëtarëve të komunitetit RAE në Kosovë. E jo vetëm, por përdorimi i termeve ofenduese bëhet edhe mes vete, ndaj njëri-tjetrit, adresuar armikut.

Për një gjë të tillë në foltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës foli shkrimtari e deputeti Kujtim Paçaku, i cili kërkoi nga protagonistët kryesorë të kësaj ngjarje që të kërkojnë fjale për atë se çfarë kanë thënë. Një gjë e tillë u bë, e Paçaku, morri shumë lëvdata në lidhje me atë se çfarë tha.

U duk sikur Paçaku e lëvizi debatin e heshtur, se racizmi është mes nesh e racistët jemi ne, në situata të ndryshme në jetën tonë, duke krahasuar “atë racë” e duke e asocuar me konotacione të shëmtuara.

Kjo temë është folur e stërfolur por gjithmonë ka vend edhe për më tepër. KultPlus, realizoi një intervistë me shkrimtarin nga komuniteti rom, Kujtim Paçaku, i cili foli në lidhje me atë se pse e mbajti atë fjalim në kuvend, ku foli për racizmin në përgjithësi.

“Nuk ka qenë e imja të akuzoj dikë apo ta dërgoj dikë në burg, e bëra atë ku rezultati doli edhe më i mirë se që e kam pritë, fitoi shefi im, kryetari i parlamentit i cili ka ditë në mënyrë burrnore të kërkojë falje dhe pikërisht këtë gjë e bën një shqiptar. Mua në Bullgari sigurisht më kishte shkuar koka apo dora në një moment të tillë, ndoshta po e teproj pak por do më thoshin të flas në komisionin për të drejtat e njeriut, unë këtë e bëra dhe çka ishte më e mira për mua ishin duartrokitjet sepse në atë parlament ka pasur çdo gjë tjetër përpos debat, dhe kur në fjalimin tim dëgjoj duartrokitjet dhe e shoh se më përkrahin të gjithë, e shoh që kjo është Kosova”, nisi rrëfimin e tij Paçaku, duke sqaruar se ka qenë i detyruar ta bëjë atë gjë, pasi që siç tha ai mbi supe mbante moralin e të gjithë romëve.

Tjetra, sipas Paçakut ishte se po mos të kishte reaguar ai një reagim tjetër për të do ta bënin gazetarët, shoqëria civile në Kosovë, komuniteti i artistëve e kështu me radhë, pasi që ajo bisedë e tmerrshme u dëgjua nga të gjithë dhe sipas tij, po mos të kishte reaguar, do të duhej të kritikohej rëndë.

“Ne mund të flasim çka duam në telefon, por jo ta ofendojmë dikë, sepse mund të them me plot bindje se përpos gjërave të tjera që e bëjnë të pamundur shkollimin e një romi është edhe racizmi, fjalët si magjup e gabel, edhe kjo mund të ndikojë që një fëmijë mos ta vazhdojë shkollën dhe arsimimin”, pohoi Kujtim Paçaku.

Kujtim Paçaku doli para gjithë deputetëve të Kosovës e para gjithë qytetarëve të saj duke thënë se ai është Kujtim Paçaku, dhe është shkrimtar, nuk është as magjup e as gabel. Ai për KultPlus, tregoi se e tha këtë duke dashur t`iu tregojë të gjithëve se edhe komuniteti i tij ka shkrimtarë, ka muzicientë, ka këngëtarë e ka artistë me vlera të mëdha.

Ai tregoi edhe për fëmijët e këtij komuniteti të cilët nuk cilësohen si fëmijët e komuniteteve të tjera.

“Ende jemi larg, në Prizren për fat të mirë po deklarohen si fëmijë të komunitetit rom, dhe unë vet e kam organizuar një mbrëmje me poezi dhe nuk ka ndjenjë më të mirë se ta dëgjosh një fëmijë rom të recitojë ndërsa gjyshi i tij të qajë nga gëzimi. Kjo dhuratë nuk ka çmim sepse i ke dhënë infuzion shpirtit të një fëmije rom”, tha ndër të tjera shkrimtari Paçaku.

Në këtë rast, shkrimtari e deputeti i Republikës së Kosovës, nisi të flasë për artistët, ku ai tha se nuk ka ndonjë dallim në mes artistëve dhe kjo gjë e bënë shumë të lumtur.

“Ne me artistët e kemi shumë mirë, nuk ka ndonjë dallim, kemi një bashkëpunim shumë të thellë dhe kjo është gjë shumë e mirë. E marr shembull Enver Petrovcin, ai reciton në gjuhën rome, unë recitoj në gjuhën shqipe dhe është mjaft gjë e mirë kjo”, tha Kujtim Paçaku, i cili intervistën e tij e përfundoi duke thënë se komunitetit rom u nevojiten dy xixa që ta ndriçojnë qiellin, me rast këtë komunitet e cilësoi si komunitet i cili sjellë shumë artistë por që fatkeqësisht gjendja ekonomike e këtij komuniteti nuk i lejon të kalojnë përtej. /KultPlus.com

Pritja

Poezi e shkruar nga Besim Bokshi.

Kam pritur – si shkëmbi,
si ylli skaj horizontit – në pikëllim,
vite me radhë…

Larg jam,
aty ku puthen jeta dhe vdekja –
aty i përtyp ditet e mia të gastarta…

Kur të vijë,
ndoshta do të më gjejë të mplakur
e s’do të mund të qesh si flladi i pranverës

Të vdes – nga gëzimi,
do të mundem!

Piramida në Tiranë ribëhet atraktive

Nga një ngrehinë e rrënuar prej vitesh, Piramida e Tiranës do të transformohet në një nga qendrat më të mëdha të inovacionit dhe teknologjisë, artit e kulturës, në rajon. Pas bashkëpunimit të suksesshëm për rikualifikimin e Pazarit të Ri, Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, prezantuan projektin e rivitalizimit të Piramidës në një hapësirë multifunksionale në qytet, për fëmijët dhe të rinjtë, por edhe si mundësi për të bërë art dhe kulturë.

Kryeministri Rama e cilësoi nismën për rivitalizimin e Piramidës dhe projektin Tumo, si një nga projektet më të bukua që ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë. “Erioni kërkonte ta kthente këtë në një qendër për të rinjtë trendy të Tiranës, ndërkohë që unë i thosha: fëmijët, fëmijët, fëmijët. Sigurisht, besoj se kjo është më shumë merita e Zahos se e imja dhe e mbaj mend shumë mirë një ditë kur Erioni më telefonoi, i ekzaltuar si gjithmonë, edhe kur telefonon për një pusetë, edhe kur telefonon për një projekt transformues për brezat, dhe më tha: “E gjetëm lal. U zgjidh kjo punë”. Më foli për Tumon dhe është diçka sinqerisht përtej ëndrrës sime më të bukur”, tha Rama.

Ai shtoi se ky projekt arrin që të bëjë bashkë të fëmijët dhe të rinjtë me teknologjinë. “Është diçka e jashtëzakonshme dhe dua t’i përgëzoj me shumë përulësi ideatorët e kësaj qendre sepse besoj që është një model që arrin të bëjë bashkë dy gjëra që duken shumë të largëta për njëra-tjetrën: fëmijët dhe teknologjinë. Arrin të bëjë bashkë duke u dhënë në njëfarë mënyre mundësi fëmijëve jo thjesht të mësojnë të përdorin teknologjinë, por për t’ju dhënë mundësi që të orientohen”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se kjo nismë shënon një tjetër hap të madh në rrugën e vështirë midis të bukurës dhe të shëmtuarës në Tiranë. “Më vjen mirë që është krijuar kjo amalgamë forcash dhe energjish, një tjetër hap konkret i madh në rrugën shumë të vështirë mes së bukurës dhe të shëmtuarës në Tiranë. Është një gjë e jashtëzakonshme për mua që, ky vend, i cili sot është një destinacion melankolik i shëmtisë, të kthehet në një destinacion energjik i bukurisë sepse potenciali është i këtu”, deklaroi Rama.

Ai vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për punën e bërë për zgjimin e Tiranës nga gjumi dhe transformimin e saj në këto vite. “Kemi pasur shumë përpjekje gjatë viteve dhe me

Erionin kemi diskutuar që në fillim kur ai mori mandatin për ta zgjuar Tiranën nga gjumi. Vazhdimisht pyetja ishte: çfarë mund të ishte që mund ta mbante godinën gjallë? Është e vërtetë që në fund erdhëm te pika që kjo godinë duhet t’u shkonte fëmijëve dhe të rinjve”, tha Rama.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e vlerësuar bashkëpunimin me AADF-në si një garanci për suksesin e këtij projekti, theksoi se ky projekt do t’i japë Tiranës një tjetër xhevahir të çmuar pas sheshit “Skëndërbej” dhe Pazarit të Ri. “Më duket sikur këtë bisedë po e bëjmë në Suedi, sepse Suedia është vendi ku kodimi për fëmijët fillon që në klasën e parë. Në Tiranë do të fillojmë të kodojmë, të merremi me robotikë, me inteligjencë artificiale, softëare design nga mosha 5 vjeç deri 35 apo 45 vjeç. Sigurisht, fokusi më i madh do të jetë tek ata në moshë shkollore, pra shkolla 9 vjeçare dhe e mesme, pastaj do kemi programe të veçanta edhe për ata që janë në moshë më të rritur, universitare. Ideja është që të shkohet në një vend të bukur, jo në një tjetër shkollë ku dikush shkon me detyrim se do marrë një notë, por në një hapësirë që është jo vetëm në zemër të qytetit, por që është edhe xhavahiri më i çmuar i qytetit, pas projekteve si sheshi “Skënderbej” apo Pazari i Ri”, tha Veliaj.

Ai shtoi se zbatimi i modelit TUMO do ta kthejë Tiranën në një nga qendrat më të mëdha të zhvillimit të teknologjikë krijuese, jo vetëm në rajon. “Më vjen mirë që Tirana dhe Parisi janë dy stacionet e radhës të TUMO-s. Do të jetë në fakt një lloj ‘pallat pionierësh’ për teknologjinë e informacionit. Më vjen mirë që edhe në Tiranë kemi uri për dije, që do të lindin nga kjo piramidë, le më pastaj se çfarë mund të përdorim në të ardhmen”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se projekti i transformimit të Piramidës do të ruajë disa nga karakteristikat nostaligjike të kësaj godine, siç është rrëshqitja në muret e saj, si dhe do ta kthejë atë edhe si një pikë panoramike për qytetin.

Drejtori i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael D. Granoff u shpreh i bindur në suksesin e bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, ashtu si edhe në rastin e Pazarit të Ri, për ta shndërruar këtë godinë në një hapësirë të dashur për shqiptarët. “Është një nder dhe kënaqësi që përfaqësoj Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe ky projekt përmbledh shumë prej gjërave që jemi munduar të bëjmë që nga fillimet tona. Shumë njerëz e shohin këtë piramidë në të shkuarën dhe ky projekt lidhet tërësisht me të ardhmen. Nëse mendojmë se si do të duket Shqipëria pas 10-20 vjetësh, është që të shohim fëmijët këtu dhe nëse fëmijët kanë akses në teknologji, është e sigurt se Shqipëria ka prosperitet. Po fusim diçka të re në sistem, që mund të sjellë ndryshim. Suksesi është të gjejmë modelet më të mira në botë, t’i përshtasim për mjedisin vendor dhe të arrijmë suksesin në Shqipëri”, deklaroi Granoff.

Projekti i rijetësimit të Piramidës parashikon një godinë transparente dhe plot dritë, për të krijuar idenë e një vendi që merr frymë në Tiranë. Për këtë parashikohen që të përdoren sa më shumë xhama, për të bërë të mundur që drita natyrale të dominojë në ambientet e brendshme të saj. Gjithashtu, projekti synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët.

Piramida do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kreativitetit. Risi e revitalizimit të qendrës qëndron në faktin se modeli TUMO është një lloj i ri i përvojës arsimore në kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit. Të rinjve do t’u jepen mjetet dhe njohuritë që kanë nevojë për të arritur potencialin e tyre dhe ata do të jenë në gjendje të zhvillojnë aftësitë e tyre të të mësuarit për t’u përballur me sfidat e shekullit 21. Programi i të mësuarit TUMO përbëhet nga aktivitete të vetëmësimit, workshope dhe laboratorë në 14 programe të ndryshime nën mbikëqyrjen e ekspertëve më të mirë nga e gjithë bota./ KultPlus.com

“Martesa” e Blerta Zeqirit në Sydney Film Festival

Edicioni i 65-të i festivalit të filmit ne Sidnei “Sydney Film Festival” (6-17 Korrik), në partneritet me “European Film Promotion” dhe “Screen International” shpalli këtë javë “Europe.

Voices of Women in Film”: një program i 10 filmave të ri nga regjisoret e suksesshme të Evropës, një prej të cilëve do të jetë filmi “Martesa” nga regjisorja kosovare Blerta Zeqiri.

Festivali do të këtë edhe tetë mysafire filmbërëse të kontinentit të cilat do t’i prezantojnë filmat e tyre dhe do të marrin pjesë në një diskutim publik rreth hendekut gjinorë në industrinë e filmit.

Krahas filmit të Zeqirit, do të jenë edhe Emily Atef me “3 DAYS IN QUIBÉRON” nga Gjermania, Isabella Eklöf me “HOLIDAY” nga Danimarka, Nanouk Leopold me “COBAIN” nga Holanda, Fanni Metelius me “THE HEART” nga Suedia, Katharina Mückstein me “L`ANIMALE” nga Austria, Sinéad O`Shea me “A MOTHER BRINGS HER SON TO BE SHOT” nga Irlanda, Virpi Suutari me “ENTREPRENEUR” nga Finlanda, Jagoda Szelc me “TOWER. A BRIGHT DAY” nga Polonia dhe Ana Urushadze me “SCARY MOTHER”nga Gjeorgjia./ KultPlus.com

Fatmir Krypa sonte me ekspozitë në Shkup

Në Muzeun e Qytetit të Shkupit sonte do të hapet ekspozita e grafistit Fatmir Krypa nga Kosova “Në kërkim pas metaforës simfonike kosovare”.

Ekspozitën do ta hap akademik Luan Starova, ndërsa e organizon Asociacioni për Kulturë “IKON”.

Ekspozita organizohet në suaza të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, e mbështetur nga Qyteti i Shkupit./ KultPlus.com

Ka vdekur Kujtim Paçaku

Ka vdekur sot në moshën 60-vjeçare shkrimtari, poeti e politikani i Kosovës Kujtim Paçaku, shkruan KultPlus.

Kujtim Paçaku lindi më 12 prill 1959 në Prizren.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook, nga djali i tij Denur Paçaku i cili ka shkruar: “U largove nga unë pa të përqafuar e shikuar për herë te fundit. Gjithmonë do të mbetesh në zemren time. Unë gjithmonë do të jem krenar me ty e ti ishe dhe do të mburesh çdo herë me mua. Dritë të pastë shpirti më i dashuri im, babi im!”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Bushpepa: Dikush po përpiqet të fitojë para në emrin tim

Këngëtari Eugent Bushpepa, i cili përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision me këngën ‘Mall’ dhe u rendit në vendin e 11 ka njoftuar fansat për të bërë kujdes, pasi një person po hiqet si ai për të përfituar para.

Përmes një statusi në Facebook, Eugent Bushpepa thotë se dikush po përpiqet të vjedhë lekë nga njerëzit.

“Dikush, i cili pretendon se është Eugenti, po përpiqet të vjedhë lekë nga njerëzit. Nëse dikush ju kërkon para për çfarëdolloj donacioni, nuk është real. Ju lutem raportojeni dhe na ndihmoni!”-ka shkruar këngëtari./ KultPlus.com

Emigranti nga Shqipëria tregon pse e ndërpreu këngën e britanikes në Eurovizion 2018 (VIDEO)

Pak ditë më parë në skenën e Eurovisionit, përveçse tre shqiptarëve që konkurruan për shtetet të ndryshme hipi edhe një shqiptar i katërt.

Konstanin Bouki është 30-vjeçari që hipi në skenë teksa këndonte këngëtarja britanike, SuRie, duke ia rrëmbyer mikrofonin kësaj të fundit.

Konstanin Bouki ka emigruar në Londër prej disa vitesh dhe e quan veten reper, filozof dhe adhuron marksistët dhe Che Guevaran.

Në intervistë për Top Channel, ai deklaron se gjesti i tij ka ardhur në një formë revolte kundër korrupsionit dhe shtypjes së njerëzve nga pushteti./ KultPlus.com

Bushpepa tregon emocionet në Eurovizion: Jam kritik i madh i vetes, s’prisja të shkoja në finale

Eugent Bushpepa tregoi eksperiencën e tij në Eurovizion në studion e “Top Show Magazine”.

Këngëtari i famshëm, i cili u rendit në vendin e 11 në Festivalin Europian të Këngës, deklaroi se kjo ishte një “dritare shumë e madhe për të paraqitur artin jashtë kufijve” dhe “rritje profesionale”.

Bushpepa theksoi se nuk shkoi me synim për të fituar, por vetëm që të performonte denjësisht në gjysmëfinale.

“Nuk mendoja se do të hyja në finale sepse jam kritik i madh i artit tim. Gjithashtu, nuk e prisja sepse “Mall” ishte ndryshe nga këngët që u prezantuan aty, pa nuanca moderne”, tha Bushpepa.

Kantautori theksoi se “gjuha shqipe në këngë është lavdëruar që në fillim”.

“Tingëllonte mirë dhe të gjithë më kanë thënë që më mirë që ishte shqip kënga”, u shpreh Eugent Bushpepa./ KultPlus.com

‘Era Istrefi dhe Genta Ismajli, përfaqësimet e mundshme të Kosovës në Eurovizion’

Po diskutohet sonte në emisionin NIN në televizionin Klan Kosova mbi Eurovizionin.

Festivali më i madh evropian i muzikës ka mbaruar javën e kaluar edicionin e radhë dhe diskutimet po vazhdojnë ende.

Producenti muzikor dhe këngëtari MIXEY – Shpend Hajredini, ka thënë se Era Istrefi do të ishte e mirë për përfaqësim në Eurovizion nëse do t’i ruhej origjinaliteti që e karakterizon.

Ai thotë se producentët që dërgojnë këngë në Eurovizion duhet të kenë diçka origjinale dhe diçka që bën diferencën

Një tjetër prej mysafirëve në emision, pjesë e Eurovision Kosovo, ka thënë se i pëlqen karakteri i Genta Ismajlit, prandaj ajo do të ishte një tjetër propozim i mirë për Kosovën në Eurovizion.

Kosova ende nuk mund të marrë pjesë në Eurovizion pasi nuk është pjesë e EBU – Unionit të Transmetuesve Evropianë. Megjithatë, ka shansa që shumë shpejtë Kosova të debutojë si shtet në garën ku marrin pjesë disa shtete evropiane.

Këngëtaret Linda Halimi dhe Rona Nishliu nga Kosova kanë përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, kjo e dyta me një rezultat fantastik në finalen e Eurovizionit të vitit 2012-të. / KultPlus.com

Eugent Bushpepa flet për takimin me Eleni Foureira: Për fat të keq ajo nuk dinte të fliste shqip

Eugent Bushpepa ka qenë i ftuar sonte në “Top show”, ku ka folur më shumë rreth eksperiencës së tij në Eurovision, shkruan KultPlus.com

Gjatë këtij emisioni, ai ka shpalosur edhe momentin e takimit me Eleni Foureiran, këngëtaren shqiptare që përfaqësoi Qipron në Eurovision. Ai po ashtu tregoi edhe për fotografinë e famshme, ku të dy këngëtaret bashkuan duart për të formuar shqiponjën.

Bushpepa u shpreh se për fat të keq Eleni nuk fliste mirë shqip.

“Elene për fat të keq nuk dinte të fliste mirë shqip. Na kërkoi që të flisnin shqip që të mësohej pak me gjuhën”, u shpreh Bushpepa gjatë emisionit./ KultPlus.com

140 punë artistike nga Kosova, pjesë e ekspozitës ‘Join the Dots’ në Trieste

Punët e ndryshme artistike të disa artistëve kosovarë do të jenë pjesë e një ekspozite në Trieste.

Organizuar nga Imago Mundi – një projekt i artit bashkëkohor me koleksionistin Luciano Benetton dhe familjen e tij nga Benetton Group, do të hapë ekspozitën ku mes shteteve pjesëmarrëse është edhe Kosova me disa artistë të saj.

Punë nga Përparim Rama, Jeton Muja, Alije Vokshi, Zymer Mulliqi, Genc Kadriu, Jakup Ferri, Mehmet Behluli, Nita Qahili, Arbërore Sylaj, Blerim Rracaj, Rron Qena, Alban Nuhiu, Dardan Zhegrova, Gani Llalloshi, Jeta Kalaveshi, Rexhep Ferri e artistë tjerë do të jenë pjesë e kësaj ekspozite.

Nga data 29 maj deri me 2 shtator koleksioni “Small is Beautiful. Contemporary Artists from Kosovo” do të shfaqet në Trieste në ekspozitën “Join the Dots”.

Projektit i janë bashkuar rreth 25 mijë artistë nga 150 shtete të botës, mes tyre edhe Shqipëria, Kosova, Ukraina, Libani, Serbia, Rumania, Qipro, Algjeria e shtete tjera.

140 punë nga artistët kosovarë do të jenë pjesë e ekspozitës, e cila bashkon artin në qytetin e bukur italian.

Secili shtet përfaqësohet me artistë që janë përzgjedhur nga kuratorë vendorë.

Nga nëntori i këtij viti e deri në vitin 2020 një përzgjedhje prej këtij koleksioni do të udhëtojë për në Kinë, për të festuar 70 vjetorin e Republikës, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të hapet zyrtarisht në Salone degli Incanti (ex Pescheria). / KultPlus.com

Agim Llapashtica sjellë këngën më të re “Perëndi”, dedikim ndaj vajzës së tij (VIDEO)

Këngëtari me stil të veçantë, Agim Llapashtica sot ka publikuar këngën më të re me titull “Perëndi”, të cilën ia ka dedikuar vajzës së tij të madhe, shkruan KultPlus.

Kënga me tekst e muzikë të Agim Llapashticës vjen me një format të veçantë të videoklipit. Llapashtica me kitarën e tij e sjellë këtë videoklip nga rrugët e Prishtinës, të cilat në disa raste vijnë edhe përmes ngjyrave bardhë dhe zi.

Kjo këngë ka një tekst kuptimplotë e interpretim të veçantë teksa që flet për dashurinë e mbështetjen ndaj së bijën.

“Buzëqeshja jote më jep shpresë dhe dëshirë, jam këtu kur ke nevojë për çdo hap kur ti ke nevojë”, është një pjesë e tekstit të kësaj këngë e cila vazhdon me një refren në formë lutje “Perëndi, perëndi mos le njeri në këtë botë pa fëmijë”./ KultPlus.com

Së shpejti vjen ‘Aga’s house’ me regji nga Lendita Zeqiraj

Së shpejti do të publikohet filmi “Aga’s house” me regji dhe skenar të regjisores Lendita Zeqiraj, shkruan KultPlus.

Ngjarja e filmit shtjellohet nga loja e mrekullueshme e aktorëve Arti Lokaj, Basri Lushtaku, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni e aktorë tjerë.

Filmi trajton fatin e një djali të ri që jeton në një shtëpi me gra ndërsa i duhet të përpiqet që të shpëtojë një mysafir që vjen t’ia mësojë atij serbishten, në mënyrë që të vazhdojë kërkimin për babain e tij të zhdukur.

Lendita Zeqiraj njihet për projektet e saja filmike të veçanta, duke përmendur këtu sidomos projektin “Ballkoni” me të cilin shënoi suksese në disa festivale të mëdha të filmit nëpër botë, film ky i cili për disa vite vazhdoi të shfaqej në festivale të ndryshme dhe morri vëmendjen e distributorëve e producentëve të ndryshëm nga kinematografia evropiane. / KultPlus.com

“Kur lapsin e kap injoranti, pushtetin tradhtari, vendi kthehet në një…”

Abrahm Lincoln ishte presidenti i 16-të i SHBA-së gjatë viteve 1860 – 1864 dhe u rizgjodh në vitin 1864 – gjer në vdekje.

Lincoln udhëhoqi Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës Civile, lufta e përgjakshme dhe e moralit të madh, si dhe në krizën e saj më të madhe politike. Lincoln është renditur vazhdimisht nga dijetarët dhe publiku si një nga tre presidentë amerikanë më të mëdha.

KultPlus sot ju sjellë një thënie të njohur të Lincoln.

“Kur lapsin e kap injoranti, pushkën krimineli, pushtetin tradhtari, vendi kthehet në një xhungël ku s’mund të jetojnë njerëzit”./ KultPlus.com

Sondazhi i Komisionit Evropian: Shqiptarët, më të pakënaqurit dhe më të palumturit në Europë

Shqipëria është vendi ku qytetarët e saj perceptojnë që kanë cilësinë më të ulët të jetesës në Evropë janë gjithashtu më të palumturit, kanë një opinion shumë të dobët për cilësinë e edukimit dhe standardet e jetesës, ndonëse optimizmi për të ardhmen nuk u mungon dhe familjet i kanë të forta.

Sondazhi për “Cilësinë e Jetës në Europë” u publikua nga Komisioni Europian fillimisht në mars, vetëm me të dhënat e shteteve anëtare, ndërsa së fundmi janë përditësuar edhe të dhënat për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Për pyetjen “Sa të kënaqur jeni ju me cilësinë e jetës ditët e sotme”, për të gjitha moshat dhe gjinitë, Shqipëria ka një mesatare prej 4.9 pikë, që është më e ulëta në Europë. Pas Shqipërisë renditen Maqedonia me 5.1 pikë, Greqia me 5.3 pikë dhe Bullgaria me 5.6 pikë (shih grafikun).

Nga rajoni, më të kënaqur me jetën janë serbët dhe malazezët, me nga 6.3 pikë secili. Të dhënat për Kosovën mungojnë.

Shtetet që marrin pikët më të larta janë Danimarka, Finlanda dhe Suedia.

Sondazhi i “Cilësisë së Jetës në Europë” jep një këndvështrim unik mbi cilësinë e jetës së europianëve në ditët e sotme. Të dhënat e analizuara mbulojnë cilësinë e jetës, cilësinë e shoqërisë dhe shërbimet publike, thuhet në raport.

Edhe për pyetjen tjetër, “Duke i marrë të gjitha në konsideratë, sa të lumtur do të thoni që jeni?”, Shqipëria ka një pikëzim prej 5.2, që është sërish më i ulëti në Europë dhe shumë më i ulët sesa i dyti më i palumtur pas nesh, që është Maqedonia me 6.1 pikë (shih grafikun në fund) .

Për edukimin, Shqipëria ka gjithashtu vlerësimin më të ulët, me 5.8 pikë dhe pas saj vjen Turqia, me 6 pikë dhe Maqedonia me 6.1 pikë.

Kënaqësia me standardet e jetesës është gjithashtu më e ulëta në Europë, me 5.1 pikë, shumë afër nesh është Maqedonia, me 5.2 pikë. Më të kënaqurit me standardet e jetesës në Europë janë danezët dhe suedezët, me përkatësisht 8.3 dhe 8.2 pikë.

Më i ulëti në Europë është dhe perceptimi për cilësinë e akomodimit, me 6.5 pikë dhe i dyti është Turqia me 6.6 pikë. Më të kënaqurit me akomodimin janë austriakët, danezët dhe irlandezët, me 8.4 pikë secili.

Shqiptarët mbajnë rekord për vështirësitë që hasin për të zgjidhur problemet e tyre. 57% e tyre kanë pohuar se “kanë vështirësi për të zgjidhur probleme të rëndësishme që u dalin gjatë jetës”. Përqindja e dytë më e lartë është ajo e maqedonaseve dhe grekëve, me 38%.

Një tjetër pyetje, ku nuk ngurrojmë ta shfaqim pakënaqësinë me jetën është “Në jetën time të përditshme, unë rrallë kam kohë që të bëj gjëra që realisht më pëlqejnë”, ku Shqipëria ka përqindjen më të lartë të atyre që bien dakord me këtë shprehje (52%). Të dytët janë turqit me 49%, të ndjekur nga maqedonasit dhe rumunët.

67% e shqiptarëve bien dakord se “bëjnë diçka të vlefshme në jetë “, ndër më të ulëtat në Europë, pas grekëve (53%) dhe turqve (59%). Më të vlefshëm në Europë ndihen irlandezët (90%).

Ndryshe nga ambienti i jashtëm, perceptimi për kënaqësinë e jetës familjare është ndër më të lartët në Europë, me 8.6 pikë, në të njëjtat nivele me Danimarkën, Austrinë, Maltën etj., ndërsa me vlerësimin më të ulët në këtë pyetje janë Turqia, Bullgaria, Italia.

Pavarësisht se janë të pakënaqur me jetën, shqiptarët janë përgjithësisht optimistë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. 67% e tyre janë optimistë se do të kenë një të ardhme pozitive./Monitor/

Fuqia e këngës ‘Ante i tokës sime’ (VIDEO)

Një këngë e njohur në trojet shqiptare, “Ante i tokës sime” ka një gjak shqiptar.

Kënga e njohur nga Rovena Dilo e sjellë para disa vitesh në skenën e Festivalit të Këngës në TVSH erdhi e fuqishme para një publiku që e priti mirë.

Një këngë për shqiptarët dhe për trojet shqiptare që me vite u ndanë nga njerëzit e ndryshëm të historisë, e solli Rovenën ndoshta në kulmin e karrierës së saj deri në atë kohë.

https://www.youtube.com/watch?v=Od2UX7dkxmI

Tekstin e këngës e ka shkruar Rovena ndërsa muzikën e kanë realizuar Ardit Gjebrea dhe Alfred Kaçinari.
Edhepse kënga ka 18-të vite qëkur u realizua gjithmonë ndjehet si këngë e re dhe e realizuar së voni. Nostalgjia është e madhe me këtë këngë. / KultPlus.com