Mami mos m’i publiko më fotografitë në Facebook!

Nga Alma Nikolli*

Mami, unë sot në mëngjes u zgjova 20 vjeçe, vite që i kam gëzuar falë teje. Si thuajse në çdo ditë të jetës sime edhe sot prite me durim që të hap sytë përtueshëm për të më dhuruar një përqafim të ngrohtë dhe për…të më shkrepur një fotografi që ta ndaje me miqtë në facebook. Edhe sot do t’u tregoje me krenari se jam bërë vajza më e mirë dhe më e bukur në botë dhe se ti je krenare për mua.

Më pas ti dole nga dhoma dhe unë fillova të mendoj se cfarë dua të bëj në jetë tani që preka këtë moshë magjike. Në mendje më parakaluan shumë vite të miat.

E mban mend ditën e parë të shkollës në klasën e dytë? Më bleve disa lule për mësuesen, e unë nuk doja as të shkoja në shkollë. Isha mërzitur për macen që na humbi në plazh nuk doja fare të qeshja, aq më pak për një fotografi. Ti më the të qeshja sa për facebook. Me bishtaleca të shtrembëruara dhe duke qeshur me zor, vajza jote mori një lumë komentesh pozitive. Të gjithë panë tek unë një fëmijë të lumtur që shkon me mall e gaz në shkollë, gati sa edhe ti harrove që nuk kam më mace.

Një ditë të bukur t’u shkrep të më bëje modele. Seç u hap një konkurs reklame dhe fëmija më i pëlqyer do të ishte fatlumi. Me ditë të tëra fotografia ime i shkonte çdo të afërmi, fqinji, miku e miku të mikut. Nuk u bëra dot modele, se nuk fituam, kushedi kush na tha po e nuk na votoi.

Pastaj fillova të mësohem. Në çdo gjë që bëja “monitorohesha”. Një fustan i ri, një kala në rërë, një letër që ta lija pas dere… gjithçka, gjithçka ndahej me miqtë në facebook, që duhet thënë që nuk na i kanë kursyer asnjëherë fjalët e ëmbla dhe ne nuk ua kemi bërë me hile për fëmijët e tyre.

Fillova të mësoj që dëftesa të më dilte në facebook, nisa kurs pianoje, edhe pse e lashë shpejt, bëmë udhëtime e qepëm plot fustane pa e pasur në mendje.

Një ditë të bukur ti mami më more te parada e homoseksualëve, jo s’e kishim ndonjë të tillë në shtëpi, por thjesht për të qenë. Unë atëherë isha dakord më çdo gjë që ishe ti, por s’e kuptova pse prindërit e tjerë që të kishin inat më shanë edhe mua. Ndoshta ishin ata prindërit që nuk na bënë like tek fotoja, ku do bëhesha modele, mendoja atëherë. Ku e dija unë ç’peshë kishte një bluzë, unë atë me Frozenin kisha të preferuarën, të tjerat i vishja pa përtesë, mjafton të më blije një vezë kinder në këmbim.

Po tani jam rritur, jam 20 vjeçe. I kuptoj të gjitha. E di se nuk dua të bëhem as modele, as pianiste dhe as fëmija më i pëlqyer në facebook.

Mendoj fëmijërinë tënde mami, më kujtohet se më ke thënë që e vetmja vuajtje ishin gjunjtë e vrarë dhe tetat që u puthnin pa u pyetur në rrugë. Mua teta Romina një ditë më pa dhe as kokën nuk ma ledhatoi se më tha që më prishte flokët se i kisha kapur shumë bukur, se m’i kishte parë në facebook.

Të lutem mami, tani që jam rritur mos m’i posto më fotografitë në facebook. Kam nevojë që ndonjë teta apo xhaxhi edhe të më shohë e dojë për atë që jam në jetën reale.

*Letër imagjinare i një fëmije që sot është 5 vjeç, duhen dhe 15 vite që ajo të dërgohet, por unë e kam shkruar sot./KultPlus.com

Muzeu presidencial Abraham Lincoln nxjerr në shitje fustanin e Marylin Monroes

Muzeu presidencial dhe biblioteka Abraham Lincoln ka nxjerr në ankand të shitjes një fustan të zi të Marylin Monroes.

Aktorja e ndjerë ende konsiderohet ikonë hollivudiane dhe mbetet temë e mediave rozë ndërkombëtare.

Muzeu dëshiron të mbledh fonde për shlyerjen e borxheve pas blerjes së disa artikujve që i përkasin ish-presidentit amerikan.

Në ankandin që do të mbahet në Las Vegas më 23 qershor, do të ofrohen nëntë objekte, duke përfshirë një fotografi të vitit 1950 të aktores, sipas The Chicago Tribune, përcjell telegrafi. Artikujt e ofruar mund të arrijnë një vlerë prej më shumë se 60 mijë dollarësh, njoftoi shtëpia e ankandit “Julien”.

Fondacioni Abraham Lincoln huazoi rreth 10 milionë dollarë në vitin 2017 për të blerë gjësende e të parit të shteti, të tilla si një cilindër, doreza dhe një libër të vitit 1824./ KultPlus.com

Autori kosovar Fahredin Shehu botohet nga Miombo Publishing në Zimabwe

Poezia shqipe ka kohë që ka tejkaluar kufijtë e Ballkanit dhe Evropës. Falë poetit Fahredin Shehu emri i Kosovës tash e tutje do të përmendet edhe në qarqet artistike dhe intelektuale të Afrikës.

Kjo paraqet një sfidë të re për letërsinë shqipe, gjë që e vendos atë në mesin e letërsive të mëdha botërore.

Shehu tani më emër i shquar i letërsisë shqipe botohet në Afrikë më konkretisht Zimbabwe. Edhe më herët Shehu është botuar në Nigeri, por kësaj radhe ky botim paraqet depërtim serioz në kontinentin Afrikan.

Nga Shehu kuptuam se përpos Zimbabwe-s, poezia e tij shumë shpejt do të botohet edhe ne Botswana dhe Republikën Jug-Afrikane.

Shehu është autor i më se 15 titujve letrar përfshirë, Poezi, Ese, Romane etj., të botuar në Angli, SHBA, Portugali, Itali, Serbi me libra poetik, ndërsa poezia e tij është përkthyer dhe botuar në antologji të shumta botërore në veçanti ato, të cilat bëhen për të drejtat e njeriut dhe është njëri nga poetët më të përkthyer shqiptar./ KultPlus.com

https://miombopublishing.wordpress.com/2018/05/15/rahovec-born-fahredin-shehu-is-a-poet-of-global-stature-time-of-the-poet/

Debat politik për teatrin, aktorët përplasen në kuvend me deputetët

Është shoqëruar me debate të ashpra Komisioni i Medias këtë të hënë. Të ftuar për të diskutuar mbi çështjen e Teatrit Kombëtar, artistët u përballën me akuzat e deputetit socialist, Fidel Ylli.

Regjisori Kastriot Çipi nuk i pranoi akuzat: “Po na thoni që po e politizojmë ne? Ne nuk kemi ndryshuar, keni ndryshuar ju. Ju jeni politizuar si deputetë. Nuk dëgjoni më për kulturën po nuk morët urdhër nga partia”.

“Ne kemi të drejtë të politizohemi sepse jemi forcë politike, por ti që mbron aktorët, sekretar i Partisë Demokratike”, u përgjigj Fidel Ylli.

Pas akuzave, artistët u përpoqën që të qartësojnë për komisionin pozicionin e tyre, që qëndron përtej bindjeve politike. Alert Çeloaliaj, kryetar i Sindikatës së Artistëve, deklaroi: “Jemi akuzuar edhe nga kolegët tanë, edhe nga njerëz që nuk na njohin, se ne jemi të manipuluar nga Partia Demokratike. Ndërkohë, ekziston edhe një mendim tjetër, ku ne cilësohemi këlyshë të Edi Ramës, të cilët bëjnë zhurmë për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga problemet që kryeministri ka sot në politikë. Kërkesa jonë është shumë e qartë: të shpallet monument kulture, të ruhet dhe të rikonstruktohet”.

Artistët dhe deputetët e mazhorancës duket se në një pikë e kanë gjetur dakordësinë: të dyja palët kërkojnë transparencë për dosjen e teatrit.

“Teatri duhet shembur një orë e më parë, por ministrja detyrimisht duhet të vijë këtu të na japë llogari, të na informojë për truallin, për bashkëpunimin e partneritetit publik-privat, të jenë transparente gjërat sepse është një aset publik”, tha Fidel Ylli./ KultPlus.com

Komuna e Prizrenit rrënon ndërtesat e vjetra pa pëlqimin e institucioneve të Trashëgimisë Kulturore

Komuna e Prizrenit të hënën ka njoftuar se ka filluar me rrënimin e ndërtesave të vjetra dhe të amortizuara që janë në rrënim e sipër dhe që paraqesin rrezik për kalimtarët.

Bazuar në njoftimin e Komunës, pas vlerësimit të komisionit të formuar nga Drejtoria e Emergjencave, janë identifikuar objektet për rrënim që janë të rrezikshëm për qytetarët. Në përzgjedhjen e tyre, sipas njoftimit të Komunës, ka ndikuar edhe fakti që objektet në fjalë nuk kanë vlera të trashëgimisë kulturore dhe nuk gjenden në Qendrën Historike të Prizrenit.

Mirëpo autoritetet e trashëgimisë kulturore përkatësisht zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren kanë pohuar se nuk kanë qenë pjesë e procesit të vlerësimit të vlerave të këtyre ndërtesave. Sipas legjislacionit MKRS-ja përkatësisht QRTK-ja përbën autoritetin e vetëm kompetent për vlerësimin e aseteve të trashëgimisë, me ç’rast nuk duhet harruar se edhe përditësimi i listës së përkohshme të monumenteve të mbrojtura është një proces dinamik dhe i vazhdueshëm. Prandaj konstatimi i organeve komunale për mungesën e vlerave të këtyre ndërtesave është i pa bazuar dhe joligjor, për faktin se në vendimmarrje nuk është përfshirë QRTK-ja.

EC Ma Ndryshe konsideron se Komuna mund të ketë argumente që për hir të sigurisë së qytetarëve veprimi ka qenë i nevojshëm, por megjithatë përkujton se vlerat e ndërtesave mund të konstatohen vetëm nga autoritetet e trashëgimisë kulturore. Prandaj rekomandon që në ndërtesat në fjalë fillimisht të merren masa parandaluese, që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve dhe e kalimtarëve të rastit. Duke e konsideruar se rrënimi i aseteve të trashëgimisë kulturore paraqet një proces të pakthyeshëm të vlerave, EC Ma Ndryshe kërkon urgjentisht që Komuna të konsultohet me autoritetet e trashëgimisë kulturore para se të vazhdojë me çfarëdo procesi të rrënimit./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës së shpejti drejt Parisit

Salla mitike e Pallatit e vendosur në rrethin e 9-të të Parisit është duke u përgatitur për të mirëpritur në qershor për tre data të jashtëzakonshme valltarët e Baletit Kombëtar të Kosovës, si pjesë e vitit ndër-kulturor Francë-Kosovë, shkruan KultPlus.

Këshilli Ndërkombëtar i Vallëzimit (CID / UNESCO) ka lajmëruar për shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës në Paris në faqen speciale “Panorama” – ku publikohen ngjarjet më të rëndësishme të vallëzimit nëpër botë

Kosova është një vend që ka një histori e dhimbshme. Për të festuar dhe treguar këtë vend, valltarët e Baletit Kombëtar të Kosovës do të performojnë në skenën e Pallatit prej 1 deri në 3 qershor.

Balerinët do të sjellin shfaqjen e quajtur “Recomposed”, një shfaqje bashkëkohor me koreografi nga Christophe Béranger dhe Jonathan Pranlas-Descours. E projektuar për 20 interpretues, ka fonogramin Katër stinët e Vivaldit të rishkruar nga kompozitori Max Richter. Si një përfaqësim i historisë kosovare, tregimi tregon historinë e njëzet viteve të fundit të rindërtimit të një vendi nga gërmadhat. Një shfaqje prekëse që lëkundet midis së kaluarës dhe së ardhmes.

Baleti Kombëtar i Kosovës, një ambasador i shquar për artin dhe kulturën e Kosovës jashtë vendit, është duke u shfaqur për herë të parë në Paris më 1, 2 dhe 3 qershor 2018 në Teatrin Le Palace të famshëm të kryeqytetit.

Baleti Kombëtar i Kosovës u krijua në vitin 1972. Në vitin 1991, valltarët e baletit të Kosovës u detyruan të dilnin nga teatri. Në atë moment, baleti ndaloi të gjitha aktivitetet e tyre. Pas luftës, me ndihmën e disa kolegëve, Ahmet Brahimaj, drejtor aktual, hapi shkollën e parë të baletit, si pjesë e shkollës së mesme muzikore “Prenk Jakova”.
Në vitin 2001, pas shumë vitesh mungese, gjenerata e parë e Baletit të Kosovës u kthye në skenë, shoqëruar nga kërcimtarë të rinj të shkollës. Baleti Kombëtar ka shfaqur sukses në disa vende të botës, përfshirë Italinë, Zvicrën, Austrinë, Gjermaninë, Bullgarinë, IRJM-në dhe shumë të tjerë.

Baleti Kombëtar i Kosovës është anëtar i CID që nga janari i vitit 2014. Këshilli Ndërkombëtar i Vallëzimit është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 1973 në selinë e UNESCO-s në Paris, ku është e bazuar.

Anëtarët e saj janë federatat më të shquara, shoqatat, shkollat, kompanitë dhe individët në mbi 170 vende./ KultPlus.com

“Prague 68”, “Aktorja Arta Dobroshi duke kërcyer me hare për paqen botërore”

Fotografitë kanë fuqi të madhe. Ato mund të flasin me ne, ato mund të flasin mes vete. Për këtë ambasadori i Republikës së Çekisë, Ivo Silhavy, dhe aktorja e mirënjohur nga Kosova, Arta Dobroshi, duan ta prezantojnë një koncept të ri të ekspozitës – një ekspozitë të fotografive çift. Në të vërtetë janë dy ekspozita ndërvepruese mes tyre. Njëra, në teknikën bardhë e zi, që prezanton të kaluarën, dhe ekspozita tjetër me ngjyra që prezanton të ardhmen. Elementi i tretë është shikuesi.

Ambasadori i Republikës së Çekisë, Ivo Silhavy, që është kurator i kësaj foto-ekspozite thekson: “Ky trekëndësh krijon një hapësirë ndërvepruese për imagjinatën, mendimin dhe idetë e reja. Shikuesit i jep një dinamikë pozitive për t’i lënë anash stereotipat e lodhshme ditore. Shikuesi bëhet pjesë aktive e dialogut të bashkuar në mes të fotografive, dialogu që ngritët nga kontrasti i mprehtë bazuar në gjendjen e fotografuar, ndjenjat, teknikat, dizajni dhe shtrirja e tyre”.

“Prague 68” është një seri e fotografive të fotografit çek, Oldřich Škácha. Fotot e ekspozuara sjellin dëshminë e tij pamore të dokumentar, me fotoaparatin e tij, në ditën e parë të intervenimit ushtarak sovjetik në Pragë, në vendet e ngjarjeve ku çekosllovakët paqësor të shtangur vdisnin në: Sheshin Wenceslav, në Sheshin e Qytetit të Vjetër dhe në selinë e Radio Çekosllovakisë. Okupimi i Çekosllovakisë, më 21 gusht 1968, i udhëhequr nga Armata e Kuqe Sovjetike, në muajt e parë, mori 137 jetë të qytetarëve çekosllovak. Çekosllovakia e atëhershme, në 21 vitet e ardhshme, ra nën regjimin e rreptë totalitar të kontrolluar tërësisht nga Moska. Më 2018 është 50 vjetori i okupimit ushtarak të Çekosllovakisë.
“Aktorja Arta Dobroshi duke kërcyer me hare për paqen botërore” është një seri e fotografive të bëra nga fotograf të ndryshëm duke e dokumentar nismën e Artës për të frymëzuar njerëzit të jetojnë në paqe dhe të respektojnë të tjerët. Në fotografitë e saj ajo kërcen me gëzim me fëmijë, me personalitete të njohura, me refugjatë, me diplomatë, me artistë e njerëz të tjerë.

Silhavy shpjegon: “Arta më ftoi të kërcej, me të, me gëzim po ashtu. Kur u ngrita në ajër, e ndjeva sikur po ngjitesha mbi stereotipat e ditës dhe e pash jetën time prej së larti, si dhe një lehtësim në zemrën time në një largësi të madhe. U ndjeva sikur po e përcaktoja ardhmërinë time”.

Artistja e mirënjohur Arta Dobroshi, e cila vjen në këtë ekspozitë me fotografitë e saj të titulluar “Aktorja Arta Dobroshi duke kërcyer me hare për paqen botërore” shpjegon: “Populli i Kosovës është shembull për botën. Shembull se si te arrihet paqja, liria në një vend. Me vite të twra gjithë gjeneratat deri në vitin 1999, kemi protestu për paqe dhe liri në vendin tonë. Paqen dhe lirinë e kemi ndje aq shumë me zemër e me shpirt, sa që e kemi reflektuar në gjithë vendin tonë dhe në të gjithë botën. Dhe sot, ne jetojmë në liri e në paqe. Fotografitë ku kërcej me hare për paqe në botë, janë reflektim i shpirtit tim dhe dëshirës time për paqe në krejt botën. Jam e sigurt që në të ardhmen e afërt gjithë popujt e botës kanë me jetu në liri dhe paqe”

Në fotografitë bardhë e zi nga ditët e okupimit ne i shohim njerëzit në rrugë të frikësuar, të shtangur, të pafuqishëm, mirëpo me një përcaktim në sytë e tyre. Në fotografitë me ngjyra të Artës dhe të miqve të saj përmes kërcimit ndajnë me ne gëzimin dhe kënaqësinë e jetës me një dritë në sytë e tyre.

“Kur i pash këto fotografi, njërën pran tjetrës, u ndjeva se duhet shkuar përmes një përvoje të dhimbshme, si komb dhe si individ, që të kesh fuqi për të kërcyer mjaftueshëm lart për të kapur fatin në duar tona. Vetëm atëherë mund të vazhdojmë në drejtimin e duhur, me besim dhe dashuri, me gëzim në zemrat tona…Shkurt, Presidenti Václav Havel thoshte: “E vërteta dhe dashuria duhet t’i mundin gënjeshtrat dhe urrejtjen”. Varet nga ne nëse do të zgjedhim rrugën e duhur dhe të fitojmë”, shprehet për ekspozitën ambasadori Silhavy.

Kjo ekspozitë hapet më 23 maj, në orën 18.00, dhe do të jetë e hapur dy javë./ KultPlus.com

Thyhen xhamat e katedrales “Nëna Terezë”

Dje në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, saktësisht në katedralen “Nëna Terezë”, policia raporton për dëmtim prone.

Në raportin e sotëm të policisë, thuhet se prifti ka raportuar se një person me të meta mentale, ka gjuajtur me gurë në drejtim të katedrales.

Me këtë rast, ai ka thyer xhamat e objektit por nuk raportohet për të arrestuar./ KultPlus.com

Filozofi i shquar francez për Kosovën: Asnjë kryetar shteti nuk ka të drejtë të falë në emër të viktimave

Shkrimtari dhe përkthyesi Idlir Azizaj ka kujtuar qëndrimin e filozofit të shquar francez Jacques Derrida për “faljen”, kur ai kishte marrë shembull Kosovën.

I ftuar në emisionin CODEX të KTV-së, ku ai ka folur edhe për Derrida-n, filozofin e shquar të Dekonstruktimit, Azizaj ka thënë se sa i takon Kosovës, “falja mund të kryhet në mënyrë personale, por nuk mund të merret si e tillë në rang etik apo ligjor”.

I pyetur nga gazetari Michel Vieworka nëse “në situatat më të tmerrshme, si në Afrikë dhe në Kosovë, a nuk bëhet fjalë, pikërisht për një barbari afërsie, ku krimi është nyjëzuar mes njerëzish që njihen”, filozofi i mirënjohur francez Jacques Derrida, ishte përgjigjur: “E quaj të padrejtë njëherësh nga respekti për viktimat e krimeve mizore (asnjë kryetar shteti nuk ka të drejtë të falë në vendin e tyre) dhe nga respekti për kuptimin e kësaj fjale, për pakushtëzueshmërinë e pabindshme, jo-ekonomike, a-politike dhe jo-strategjike që ajo përshkruan”./ KultPlus.com

Posteri i grafistit Mehmeti vlerësohet me çmim të Argjendtë në New York (FOTO)

Posteri i grafistit Ngadhnjim Mehmeti, i realizuar për shfaqjen teatrore “Gratë” – projekt i Teatrit Shqiptar Shkup, është vlerësuar me Çmimin e Argjendtë në “Poster Annual 2019” që mbahet në New York të SHBA-së, njofton Portalb.mk.

Lajmin e ka bërë të ditur Teatri Shqiptar i Shkupit dhe njëkohësisht kanë shprehur falemnderimin për bashkëpunimin që kanë pasur me Mehmetin dhe studion Eggra gjatë shfaqes “Gratë”.

“Kemi kënaqësinë të ju informojmë që Ngadhnjim Mehmeti është fitues i Çmimit të Argjendtë në “Poster Annual 2019” me posterin e shfaqjes “Gratë” të Teatrit Shqiptar në garën ndrëkombëtare të Graphis – një nga botimet më prestigjioze për dizajn grafik në botë me qendër në New York. Krenarë për suksesin e bashkëpunëtorëve tanë, Ngadhnjim Mehmetit dhe studios Eggra. Ju falënderojmë që ngreni imazhin grafik të Teatrit tonë në skenën botërore”, thuhet në njoftimin e Teatrit Shqiptar të Shkupit./ KultPlus.com

Rita Ora kërkon falje për tekstin e “Girls”

Rita Ora thotë se nuk ka menduar të fyejë askënd me këngën e saj të re “Girls”, që shërbeu për publikim të informatës se ajo është biseksuale.

Disa këngëtarë e muzikantë reaguan përmes rrjeteve sociale duke thënë se teksti i Rita Orës ishte “i dëmshëm”, ndërsa këngëtarja shqiptare me famë botërore ka reaguar duke thënë se s’ka menduar asnjëherë të ofendojë komunitetin LGBT, shkruan koha.net.

“‘Girls’ është shkruar për të treguar të vërtetën time dhe është një përvojë e vërtetë dhe e sinqertë e jetës sime. Kam pasur lidhje romantike me gra dhe burra gjatë jetës dhe ky është rrugëtimi im personal. Më vjen keq që mënyra si jam shprehur e ka lënduar ndokënd. Nuk do ta bëja kurrë me qëllim ndaj askujt”, ka shkruar ajo në Twitter duke shtuar se me artin e saj dëshiron të tregojë veten dhe të forcojë fansat e saj që të ndihen krenar për veten.

“Jam përpjekur vazhdimisht të jem kontribuuese për komunitetin LGBT gjatë gjithë karrierës sime dhe do të vazhdoj të jem”, ka thënë më tej ajo.

Kënga, e cila është bashkëpunim i Ritës me Bebe Rexhën, Cardi B dhe Charli XCX, u kritikua nga ata që besojnë se ishin nënvlerësuar lidhjet e gjinisë së njëjtë.
Hayley Kiyoko, këngëtare amerikane, kritikoi Ritën për fjalinë “Nganjëherë, dua të puth femra/ Vera e kuqe, vetëm dua të puth femra”, duke thënë se me këtë fjali janë lënduar për shkak “se nuk duhet patjetër të pihet verë për të puthur femra”.

Një udhëtim nga Gjirokastra në Tepelenë në 1916

Reportazh i gazetarit francez Robert Vaucher botuar në gazetën franceze “L’Ilustration”

Lufta Parë Botërore e vuri Shqipërinë për herë të parë nën vëzhgimin dhe interesin e drejtë për së drejtë të Fuqive të Mëdha. Territoret shqiptare kishin qenë dhe më parë nën vëzhgimin dhe interesat gjeostrategjike të Fuqive të Mëdha të paktën që nga Lidhja e Prizrenit por kësaj radhe ushtritë dhe shërbimet e tyre mbështetëse ishin të pranishme në territorin e Shqipërisë të krijuar nga Fuqitë e Mëdha në 29 korrik 1913. Për këtë arsye dëshmitë arkivore të kësaj kohe marrin një rëndësi të veçantë pasi janë dëshmi që paraqesin ngjarjet, balancën e forcave si dhe japin informacion të drejtë për së drejtë për popullsinë dhe jetën sociale. Përpos këtyre dokumentave arkivore ka dhe dëshmi të tjera të rëndësishme si reportazhe gazetash, letra ushtarësh të dërguara nga fronti apo dhe libra udhëtimesh , përshtypjesh dhe mbresash.

Një informacion shumë i rëndësishëm për Luftën e Parë Botërore, zonën e pushtimit italian dhe francez janë reportazhet e gazetarit të famshëm francez, korrospodentit të gazetës së famshme france “Le Ilustration” Robert Vaucher ( 1890-1977). Më 1910, ai shkoi të studionte për Shkencat Tregtare në Shkollën kombetare greke të gjuhëve e të tregtisë në Kostandinopojë nga ku filloi të dërgonte artikujt e tij te pare per Svicera Liberale. Shumë shpejt u gjend ne Romë në shërbim të agjencisë Stefani. “L’Illustration”, gazeta e famshme franceze, i besoi atij një post si korrespondent lufte, dhe nga viti 1914 – 1919, detyra e korrospodentit do e çonte nga Dardanelet në Serbi, në Shqipëri dhe në fund në Rusi. Në këtë të fundit ai nuk nguroi të transmetonte mesazhe konfidenciale për llogari të Francës, gjë qe do t’i kushtonte, sepse do te denoncohej nga bolshevikët si agjent i imperializmit francez.
Si korrospodent lufte në Shqipëri ai raportoi nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra, Leskoviku e Korça. Edhe pse nuk ishte një njohës i mirë i terrenit më parë apo edhe pse qe shkolluar në një shkollë greke në të cilat mësohej se territoret shqiptare të Shqipërisë së Jugut i përkisnin Greqisë, Robert Vaucher raportoi dhe shkroi shkrime që tregojnë për një etikë profesionale dhe shumë afër realitetit. Reportazhi që po botojmë është nga hyrja e trupave italianë në Tepelenë pikërisht në ditën e Krishtlindjeve në 25 dhjetor 1916. Deri pak më parë Tepelena si dhe disa territore të tjera ishin mbajtur pushtuar nga forcat greke dhe ishin bërë shesh luftimi mes çetave patriotike dhe terrorit të mbjellë gjithandej nga Legjionet te shenjta greke të organizuara kryesisht me të burgosur dhe luftëtarë nga Kreta. Voucher rrëfen edhe për Ali Pashën dhe kontaktet e tij me Napoleonin dhe trupat franceze në Korfuz, masakrën e Hormovës të organizuar nga grekët dhe Tepelenën e djegur nuk ngurron ta quajë një Pompe modern. Në rrëfimin etij ndihet keqardhja dhe ndjesia për ti qendruar afër realitetit por nuk mungon dhe gjuha e tipit kolonialist kur shqyrton veprimet e Ali Pashës ndaj francezëve si motive kusarie dhe në përgjigjen e ashpër të Napoelonit e shikon si të vetmen rrugë që duhet përdorur për të komunikuar me popuj të tillë. Po kështu ndihet një dozë romantizmi kur banorët ë Hormovës i konsideron si ushtarët e Skënderbeut të masakruar nga turqit, kur dihet e Hormova u shkatërrua në 1784 nga Ali Pasha Tepelena.
Zona e pushtimit italian, gjatë Luftës së Parë Botërore përfshinte krahinat përreth Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës e Tepelenës, të cilat përbënin një zonë me rëndësi strategjike për Italinë. Qytetet që bënin pjesë në zonën e pushtimit italian ishin kryesisht qytete të vogla, përveç Gjirokastrës e cila numëronte rreth 11.000 banorë, popullsia e qyteteve të tjera nuk ishte më shumë se 5 mijë secili. Administrimi i qyteteve dhe zonave rreth tyre ishte me dorë të hekurt, përsa i përket marrjes së vendimeve administrative, por shumë më efektiv se ai i mëparshëm osman, përsa i përket krijimit të një kulture administrative, që do të vendosej në themelet e shtetit shqiptar pas viteve 20’.

Një eskursion në Tepelenë

Tepelenë, 25 dhjetor 1916

Kuajt tanë rrëshqasin në kalldremet e lagështa të Gjirokastrës. Sapo u gdhi dhe ne zhytemi në mjegullën përgjatë rrugës më zhavorr duke iu drejtuar Drinos. Fshatrat janë të vendosura në shpatet e maleve, në luginë ku nuk mund të banohet sepse përmbyten shumë shpesh. Shpesh herë duhet të kalojmë përrenjtë, degë të Drinos dhe në fund kuajt tanë zhyten deri në gjoks në këtë lumë. Sidoqoftë, kalorësit e eskortës sonë luajnë me vështirësitë, ata i përkasin një shkolle të mirë. Gjenerali Komandant i Shqipërise Jugore është një kalorës i aftë. Gjatë disa ditëve të kaluara me atë, unë munda të vlerësoj guximin e tij dhe pa hezitim ndonjëherë e ndjek në udhëtimet e tij. Do të më kujtohen gjatë disa prej shkëmbenjve që iu ngjitëm me kal. Ndërsa patkonjtë e kafshëve tona rrëshqasin mbi gurin e lagësht, duke bërë shkëndija.
Pasi kaluam per herë të fundit Drinon në një urë të vjetër guri gungaç, rruga ndjek një grykë të ngushtë e piktoreske, pastaj papritmas të shpie në guaskën e thellë te Tepelenës në pjesën e poshtme të së cilës Vjosa shkarkon ujrat e baltosura. Dikur, Tepelena i ngjante një qyteti të fortë me kalanë e saj te lashtë te Ali Pashës së Janinës, muret mbrojtës dhe të lartë të së cilës zbresin pothuajse deri në lumë. Këto mure janë e vetmja gjurmë e mbetur e fuqisë së pashait të tmerrshëm që, me dinakërinë e tij, i krijoi shumë vështirësi gjeneraleve francezë H, dhe këtë e raporton M. A. Boppe, Ministri i Francës pranë qeverisë, në veprën e tij magjepsese: Shqipëria dhe Napoleoni. Perandori, i lodhur nga tradhtia e tij, urdhëronte më 15 mars 1811, Dukën e Cadores: “Bëjeni, ju lutem, një deklaratë nga mua pëe Pashain i Janinës. Ju do e njoftoni atë që me herën e parë që ai të parandalojë furnizimin e Korfuzit dhe të refuzojë kalimin e bagëtive dhe të ushqimeve te destinuara për këtë vend, unë do t’i shpall luftë atij. Butësia dhe mirësjellja nuk kanë asnjë vlerë pranë një njeriu të kalibrit të këtij kusari”. Napoleoni, duke përdorur rrugën e vështirë, fitoi kauzën e tij. Ky është një mësim që kurrë nuk duhet lënë pas dore në këto vende.
Kur trupat italiane, pas kalimit te shumë fshatrave gërmadhe mbërriten ne Tepelenë, ushtarët shprehen një britmë gëzimi. Më në fund, pas kaq shumë vështirësive, ata gjetën një qytet të vogël, ku mund të jetojnë në një mënyrë më pak primitive se e maleve që ata kishin përshkuar Por ç’e do! Ishte vetëm një iluzion. Legjionet e shenjta* e kishin shndrruar Tepelenën në hi. Vetëm dy shtëpi kishin shpëtuar: njëra prej tyre kishte shërbyer si kazermë për ushtarët grekë, dhe tjera, si banesë e komandantit të tyre. Në këtë Pompé modern, aleatët tanë gjetën vetëm ca ciganë , pasi njéri ata mund të kishin vetëm emrin. Ata jetonin në rrënojat si kafshë në strofkat e tyre dhe ushqeheshin me bimë. Gratë që u sollën dru italianëve dhe refuzuan monedhat prej ari që iu ofruan si shpërblim, duke mos kuptuar aspak se për çfarë ato copa të vogla prej metali të pangrenshëm mund të përdoreshin. Aktualisht iu shpërndame bukë dhe miell me të cilat ato bëjnë galeta.

Me ardhjen e mbrëmjes, duhet të hipim në kuaj dhe të rifillojme rrugën për Gjirokaster. Nata bie shpejt, një nate e shkëlqyer Krishtlindjeje, e butë dhe e qetë. Ngado mbizotëron heshtja. Ndonjëherë, duke kaluar pranë një poste, ne shohim zjarre të mëdha rreth të cilave ushtarët janë të grupuar. Ne kemi kaluar tashmë më shumë se 70 kilometra, kuajt tanë të lodhur nuk vazhdojnë më. Me vijne ndermend të gjitha skenat e tmerrit që u zhvilluan në këtë vend, per tragjedinë e Hormovës, fshati shqiptar në të cilën, ka katërqind vjet, që gjatë pushtimit turk, muslimanët masakruan gjithë banorët e njohur si (të krishterë si të gjithë ushtarët e Skenderbeut) dhe konvertuan me forcë në Islamizëm gratë dhe fëmijët. Kur grekët u rikthyen, tre vjet më parë, ata u bënë shqiptareve myslimane një trajtim pak më të ndryshëm – hakmarrje me së shumti të urryer që goditën pasardhësit e këtyre të krishterëve të vrarë nga turqit!/Dorian Koci

Vjen në Tiranë “Mbreti i Maskave” Veneciane: Bëj punë me kosto të vogël, por me vlerë të madhe

Në Venezia njihet si “Mbreti i Maskave”. Di të bëjë gjithfarë shëmbëlltyrash, me një kosto fare të vogël, por me një vlerë mjaft të madhe. Ai i krijon veprat e tij duke u frymëzuar nga kryeveprat artistike, portretet e personazheve historike, figurat alegorike dhe mitologjike si dhe nga tradita e “Komedisë së Artit” italian. Ndërsa punët e tij mund të përdoren gjërësisht në një ballo, festë karnavalesh, apo në një film me metrazh të gjatë. Kështu është shprehur dhe vetë Guerrino Lovato, mjeshtrit i Artit Venecian, i cili ka mbërrirur në Tiranë për të bërë të njohura 100 nga punimet e tij më të mira.

Nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar, artistitit Vladimir Myrtezai Grosha, kuratores Migena Hajdari nga galeria Blu Art Itali dhe Institutit Italian të Kulturës, në sallën “UNESCO” të Muzeut Historik kombëtar u zhvillua një takim i zgjeruar me mjeshtrin Guerrino Lovato.

Në fjalën e tij të përshëndetjes me këtë rast, Drejtori i Muzeut Hiztorik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi do të theksonte se marrëdhëniet e Shqipërisë me Venecian kanë qenë shekullore dhe se vetë institucioni që ai drejtonte kishte në themel të programit të tij, jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare por dhe pasqyrimin e trashëgimisë së vendeve të tjera. “Maskat janë një pjesë e rëndësishme e kulturës Veneciane, ndaj dhe puna e mjeshtrit Guerrino Lovato duhet të bëhet e njohur për dashamirësit e këtij arti në Shqipëri”, tha mes të tjerash Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi. Ai më pas vlerësoi dhe iniciativën e kuratorëve Vladimir Myrtezai dhe Migena Hajdari të cilët bënë të mundur ardhjen e këtij Mjeshtri të Madh.

Për të pranishmit që mbushën sallën “UNESCO”, Vladimir Myrtezai rrëfeu iniciativë dhe rrugën e mbërritjes së mjeshtrit Guerrino Lovato nga Venecia në Tiranë, duke u shprehur se “mjeshtri vinte nga vendi i artit të madh” dhe se një nga prioritetet e tij ishte ishte që të thellohej në kulturën vendase për të zbuluar qoftë dhe gjëra krejt të panjohura më parë për publikun.

Më pas mjeshtri Guerrino Lovato do të tregonte përmes pamjeve që trasmetoheshin nga projektori, se si kishte punuar për të realizuar 100 nga 500 punët e tij. “Kam përdorur materiale të thjeshta dhe ekonomike, që kanë fare pak kosto, madhje edhe prej letre, por që marrin vlerë mjaft të madhe”, do të shprehej mjeshtri Guerrino Lovato.

Guerrino Lovato është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias. Që prej vitit 1983 ai ka studion e tij, ku përveç maskave të famshme veneciane, ideon dhe krijon instrumente dhe makineri për teatrin, operën-kinemanë dhe në këtë drejtim ai ka bashkëpunuar me regjisorë të famshëm si Stanley Kubrick (për filmin “Eyes ëide shut” me aktor kryesor Tom Cruise) dhe Paolo Sorrentino. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: Projekti Presepe di Vennezia për Komunën e Parisit në Paris, tema e njohur që evokon lindjen e Krishtit; është autor i librit “Objekte dhe skulptura në kartapestë”. Disa skulptura për Parkun Guliver në Tokio. Ka organizuar kurse për maskat në disa shtete, si: Itali, Gjermani, Francë, Siri, Amerikë, Brazil, Rusi etj. Një ndër skulpturat e tij të njohura është një statujë e Jezusit në stilin e Mikelanxhelos, 6 metër e lartë, kjo me kërkesë të Vatikanit. Përvoja e tij kombëtare dhe ndërkombëtare është mjaft e pasur, e shoqëruar vazhdimisht me një energji tipike.
Gjithashtu, mjeshtri Lovato zhvilloi një vizitë në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar, i cili u impresionua nga koleksioni i Pavijonit të Lashtësisë dhe ai i Ikonave./KultPlus.com

Edhe Shqipëria në ceremoninë e hapjes së ambasadës së SHBA në Jerusalem

SHBA hap sot ambasadën e re të saj në Jerusalem, një lëvizje kjo e pëlqyer nga Izraeli, por e dënuar nga palestinezët dhe faktori ndërkombëtar.

Zyrtarë të lartë amerikanë do të marrin pjesë në ceremoninë e sotme, përfshirë vajzën e presidentit Donald Trump, Ivanka dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner.

Ndërkohë, ndonëse votoi pro rezolutës turke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Tirana zyrtare ka vendosur të mos e bojkotojë ceremoninë e përurimit të ambasadës amerikane në Jerusalem.

Gazeta “Times of Israel” shkruan se nga ftesat e dërguara për përfaqësuesit e 86 vendeve të ndryshme, vetëm 33 e kanë pranuar atë, ndërsa pjesa më e madhe e diplomatëve evropianë, nuk do të jenë të pranishëm.

Përveç Shqipërisë, në aktivitet marrin pjesë edhe Rumania, Republika Çeke dhe Hungaria që kundërshtojnë çdo ndryshim të statusit të Jerusalemit pa një marrëveshje izraelito-palestineze.

Ceremoninë ku do të marrë pjesë kryeministri Netanyahu dhe ku do të flasë edhe ambasadori amerikan në Izrael, Friedman, e kanë bojkotuar vende të tilla kryesore në botë, si Kina, Rusia, Gjermania, India, Kanadaja, Australia dhe Argjentina.

Izraeli, mori kontrollin e Jerusalemit Lindor në luftën e Lindjes së Mesme në 1967 dhe e konsideron atë si kryeqyteti i përjetshëm, i pandashëm.

Vendimi i presidentit Trump, vitin e shkuar, për ta njohur atë si kryeqytet të Izraelit, përmbysi dekada neutraliteti amerikan mbi këtë çështje dhe i vendosi SHBA-të përballë pjesës më të madhe të komunitetit ndërkombëtar.

Ceremonia e hapjes në fakt është disi e nxituar por qëllimi është që ajo të koinçidonte me përvjetorin e 70 të shtetit të izraelit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet t’i drejtohet pjesëmarrësve në ceremoni, përmes një lidhjeje video.

Dua Lipa favorite për filmin James Bond

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa, thuhet se mund të realizojë kolonën zanore të filmit të ardhshëm të James Bond.

Capital FM shkruan se shumë kishin parashikuar që Ed Sheeran dhe Adele ishin më të favorizuar për t’u përzgjedhur, por suksesi i menjëhershëm i Dua Lipës në skenën botërore duket se e ka bërë atë kandidaten kryesore.

Ishin Adele dhe Sam Smith dy artistët që së fundi kishin kënduar kolonën zanore për filmat me spiunin më të famshëm në botë.

Amaneti më i mirë në historinë shqiptare, letra e Mitrush Kutelit gruas së tij

E dashur Efterpi,
Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund.

Sot nuk e kam dorën të sigurtë, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën.

Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.

Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqia. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri.

Në një çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina.

Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterrë të Kalasë, pranë Kishës. Më tej, në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkonja ndonjë shtëpi për t’u fshehur.

Isha i zbathur, i zveshur. Dikush më thirri: “Qëndro, Dhimitri! Të zumë”.

Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qef të më vrisnin…

Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomorra, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje. “Si u bë kështu, o Pasko? Ç’ke bërë?” –“S’di”. –“Shiko këtu”.

Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane.

Pashë Andrean. I ardhi keq. U vendos të më vrasin. Prapë u gëzova. –“Fundja, do vdes, thashë.

Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe.

Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha, dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë.

Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli… Sipas mendjes sime, shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet.

Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore.

Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krioj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët.

Unë s’kam qënë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç’të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt…..
Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit.

Unë t’i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët.

Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë i fundit që po të sjell.
Ne u bashkuam, rrojtmë, dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netet e mija.

Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik.

Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve.

Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë.

Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këtavjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq.

Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike.

Një pjesë të shkrimeve të mija-shqip dhe rumanisht- janë aty, në Bibliotekën Kombëtare.

Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane.

Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër interesit vetiak.

Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me trathëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim.

Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin.

Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda.

Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave.

Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetiak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”.

Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot.

Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin.

Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave.

Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike-në fushën ekonomike-në Rumani.

Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”.

Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht, veprimtarinë time.

Kam qënë kundër rusëve sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë; kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe.

Në Rumani kam luftuar, aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vëndas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke.

Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital.

Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar.

Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë.

Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.
Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di.

Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij-të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mijatë mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë.
Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.
Nisa të të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva-ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa dhe shiko se ku arrita.
Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma.

Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra, mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.
Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.
Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!
Nuk do të lajmëroni, para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërmë për të bërë formalitet e varrimit dhe varrimin. Kaq!
S’kam qef të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta.
Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogrdec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë.

Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

3……………………..
Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.
Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëhere kur të vret.

Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi.

Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike-ajo fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar, -dhe le të merren edhe me letërsi.

Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur.

E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë.

Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi.

Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë.

Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.
Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!
Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin!

Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave.

Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë.

Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi, butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap.

Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes.

Shpesh, zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi.

Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.
Ta doni dhe nderoni mamanë, se ka qënë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur.

Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvoje nga jeta e hidhur, dhe kjo përvoje mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.
Doruntina është më e vogla.

Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihme dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.
Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet.

Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.
Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim.

Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk.

Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit.
Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.
Yti
Dhimitraq./KultPlus.com

Vdiq aktorja e “Supermanit”

Aktorja Margot Kidder, e njohur për rolin e Lois Lane në filmat “Superman” gjatë viteve 1970-1980, ka vdekur në moshën 69-vjeçare.

Ajo vdiq në shtëpinë e saj, ndërsa shkaku i vdekjes akoma s’është bërë i ditur.

Kidder njihet edhe për rolet në “The Great Waldo Pepper”, e “R.L.Stine’s The Haunting Hour”.

Sa i përket rolit të Lanes në “Superman”, ajo e përsëriti këtë rol në filmat “Superman II” dhe “Superman III”.

Kur

Poezi e shkruar nga Leonard Cohen.

Kur heshtja duket aq e zhurmshme
dhe ti ndjen se vetëm je
ki besim dhe kthehu tek unë
të premtoj aty më ke.

Kur maja të duket e lartë
dhe zbritja është i vetmi kthim
zgjati duart dhe thirrmë
për ty jam deri në amëshim.

Kur dyert janë mbyllur
dhe ti ndjen trishtim
unë do te të kthej buzëqeshjen
do të bëj të ndjesh gëzim.

Kur te kesh humbur çdo fuqi
dhe të jesh duke rënë
unë do te të ngre dhe jap shpresë
të ndihmoj të qëndrosh në këmbë.

Dhe kur më në fund të vije dita
qe i lumtur buzë detit të ecësh
kur unë te ndjehem vetëm
shpresoj qe ti të më presësh.

Por deri sa ajo ditë të vije
dhe deri sa ti dritën te gjesh
dëgjoje zemrën, beso në mua
përjetë këtu do me kesh.

Dimensione mbresëlënëse

Ekspozita e Merita Malokut në Galerinë Monet Art&Books në Prishtinë

Ibrahim Kadriu

Ditë më parë në Galerinë Monet Art&Books në Prishtinë u hap ekspozita e piktores Merita Maloku, hapjen e të cilës e bëri shkrimtari Ibrahim Kadriu. Po sjellim tekstin nga hapja e ekspozitës.
Çdo rrëfim arti ka dimensionet e veta me të cilat i afrohet artdashësit që, në qaste të përjetimit, gllabëron me shikim e ndjenja.; përvetëson reflekset që ia zënë pritën, në rastin konkret – nga format shprehëse në pëlhurë që i kemi përpara. Këtë formulim e sajova derisa, në atelienë e Merita Malokut, qëndroja para pëlhurave të veshura me ngjyrat e shpërndara të cilat i kanë dhënë shkas autores të komunikojë artistikisht në mënyrën më të përshtatshme. E cilësoj mënyrën si të përshtatshme duke pasur parasysh se, kjo autore e zellshme, i ka rrumbullakuar këto vepra figurative me domethënie universale, që domethënë se çdokush do të kënaqet në mënyrën e vet derisa qëndron para tyre, si në rastin e sotshëm që i kemi përpara.

Këto vepra, siç shihen, përmes shprehjeve subtile krijojnë imazhe të një bote imagjinatave, e cila zanafillën mund ta ketë në shprehjet poetike, të kushtëzuara nga përjetimet reale. Kjo mënyrë e komunikimit artistik shfaqet nga përjetimet shpirtërore të autores, e jo nga imitacionet që na janë servuar nga krijues të varfër shpirtërisht.

Merita Maloku na bind me argatinë që ia bën frymëzimit vetjak. Prandaj veprat e saja na dalin origjinale, të shtrira në pëlhurë vetëm si produkte të frymëzimit real dhe si të tilla na imponohen dhe bëhen të pëlqyeshme. Motivet të cilat e kanë nxitur autoren të jetë krijuese, si thuhet, me marifet, janë intime, të shprehura me panel të sigurt, pa dridhje dore. Kjo përshtypje krijohet sapo ndeshesh me veprat e saj,sapo e shikon me vëmendje perceptimin e ngjyrave të shtrira, shpesh në përngjasim të hapësirës qiellore, herë të kthjelltë, herë të ngarkuar me vranësira, por përgjithësisht të mbështetura në bazën emocionale dhe që janë mbresëlënëse.

Këto vepra të ekspozuara definohen edhe me një lloj karakteri sugjestiv,që domethënë se ofrohen mundësi interpretimi sipas ndjesive personale. Zakonisht këtë mënyrë komunikimi e kanë krijimet që i përkasin modernitetit, të tilla çfarë na ka falë vullneti krijues i autores, me një stil unik origjinal . Kjo autore, me sa mund të kuptohet nga veprat e krijuara, ka ndjeshmëri të pazakontë, një butësi shpirtërore e shprehur përmes ngjyrave të lehta që reflektojnë botën e brendshme. Ngjyrimet fluide bindin edhe për subtilitetin e autores e cila, ka kujdes të mos e rëndojë pikturën me nuanca të ashpra. Kjo butësi shprehëse i bën pikturat më të afërta, të pëlqyeshme./KultPlus.com

“Person i pjekur është ai që nuk imiton, ai i cili fillon të ndjekë rrugën e vet”

Fragment i shkëputur nga OSHO:

“Person i pjekur është ai që nuk imiton, ai i cili fillon të ndjekë rrugën e vet, i cili fillon të jetë në mënyrën e vet, i cili fillon të kërkojë natyrën e tij: “Kush jam unë?” Dëgjojeni qenien tuaj. Ajo vazhdimisht ju jep shenja, por është ende një zë i vogël. Ajo nuk bërtet, kjo është e vërteta.
Dhe nëse ju jeni pak të heshtur, ju do të filloni ta ndjeni rrugën tuaj. Jini ai që jeni. Asnjëherë mos u përpiqni të jeni dikush tjetër, dhe do të bëheni i pjekur. Pjekuria (maturimi) është pranimi i përgjegjësisë për të qenë vetvetja, sado që të kushtojë.
Rrezikoni të gjitha që të jeni vetvetja, kjo është ajo që pjekuria është mbi të gjitha. Nëse ju do të imitoni vazhdimisht bini në hendek, sepse çfarëdo që ju imitoni nuk përputhet me realitetin. Realiteti është vazhdimisht në ndryshim, ky është një fluks, asgjë nuk është kurrë e njëjtë.
Ky është si lumi, ai shkon me rrjedhën. Papjekuria ju mban në gjumë. Pjekuria ju bën të zgjuar.”

“Udhëtari”, një nga këngët epike të Eugent Bushpepës (VIDEO)

Eugent Bushpepa emocionoi publikun shqiptar e më gjerë më interpretimin e tij të mahnitshëm në skenën e Eurovisionit, atje ku prezantoi Shqipërinë me këngën “Mall”, me të cilën u rendit në vendin e 11-të.

Eugent Bushpepa dhe grupi i tij mbështetën Deep Purple gjatë koncertit të tyre në Shqipëri, në vitin 2007. Karriera e tij ndërkombëtare u intensifikua më tej, kur e kërkuan të mbështeste bandën e Duff McKagan në turneun e tyre në Tiranë. Në qytetin e Korçës, Eugent Bushpepa performon së bashku me Ron “Bumblefooot” Thal, kitaristin e Guns N ‘Roses.

Bushpepa vlerësohet lart për stilin e tij të veçantë, e fuqinë vokale në interpretimin e këngëve rok. Si i tillë, ka dhënë performanca të mahnitshme në festivalet ku ka performuar ndër vite, veçmas në Top Fest.

KultPlus sot ju sjellë këngën “Udhëtari”, me të cilën Bushpepa u paraqit në maj të vitit 2012 në “Top Fest 9”.

Jam një udhëtar
Udhëtar i lodhur
Në këtë rruge pa fund
Te kërkoj, s’të gjej askund.

Tinguj të brishtë, m’kujtojnë kohen
Kur bashke nje ëndërr ndamë.
Dje idhull, tashmë e lënë mënjanë…

Kërkoj me dhimbje, kërkoja ca njerëz
Që thanë se “shpresa e fundit vdes”
Te me japin pak diell,
Te me largojnë errësirën
Dhimbjen të ma shuajnë ngadalë.

Kërkoj mes tyre kërkoja ca njerëz
Qe thanë se “shpresa e fundit vdes”
Një udhëtar i vetëm s’do jem..

Me vjen ne këtë natë
Në ëndërr
Aromën s’ta ndjej dot.
Koha harron… mundohem kot.

Ora në mur, le të ndalojë kohen
Kur lotët s’më ishin tharë.
Shpirtra të ngurtë
Jetojnë të ndarë…

Nusja është e ngrirë

Shkruan: Teuta Toska

Martesa në shoqërinë shqiptare njëjtësohet me dasmën (darka apo vakti publik, ku mblidhet i gjithë farefisi dhe të njohurit e ngushtë), edhe pse ka ceremoni e rite të tjera që përfshihen në të: celebrimi në bashki, dërgimi i pajës, qethja e dhëndrit, shikimi i pajës, festa me shoqërinë ose fqinjët, marrja e nuses etj. Dasma është shfaqja publike më e rëndësishme e marrëdhënieve njerëzore minimale të një shoqërie. Nëse shkojmë prapa në kohë, mund të themi se ajo ka qenë shfaqja e vetme publike e një grupi shoqëror: çift, familje, farefis. Në këtë shfaqje ky grup zbulonte dhe ekspozonte jashtë shtëpisë së vet gjithë çfarë kishte më të mirë: në ekonomi, në zotësi, në trashëgimi, në pronësi, në veshje, në artizanat etj. Përkundër ceremonisë mortore, e cila ishte shfaqja tjetër publike e grupit, por e ngarkuar me dramaticitet dhe e shënuar me intensitet emocional negativ dhe solemn, dasma është e ngarkuar me të gjitha elementet pozitive e të kënaqshme që mund të ketë prodhuar një grup shoqëror i caktuar.

Dasma në Shqipëri kështu bëhet një tekst ku mund të lexosh arritjet e një grupi në një çast të caktuar. Leximi i këtij teksti mund të bëhet sipas interesave dhe këndvështrimeve të ndryshme.

Dasma është institucioni që konfiguron njësinë familjare më të madhe: farefisin. Nuk ka asnjë ngjarje tjetër në të cilin farefisi është i thirrur “nën armë”. Ngjarja tjetër – ceremonia mortore – mund të mos ia dalë ta mbledhë kështu këtë njësi, për shkak të paparashikueshmërisë së saj. Por dasma është një ngjarje e parashikuar, e ngulitur një herë e mirë dhe ndryshimi i datës së saj është i pagjasë. Edhe nëse ndodh ndonjë kob, dasma do të kryhet domosdo. Kështu që prania e çdokujt është një shtrëngim. Mosprania është rast për prishje raportesh, damkosje sociale, këputje “dege” gjenealogjike, pikërisht se kjo ishte ngjarja madhore, por dhe e vetme kur privatja lejohej të bëhej publike.

Dhe, duke qenë kështu, që privatja dilte në publik, ajo është një ngjarje private e zmadhuar dhe e qëruar nga elementet e rëndomtë: ngjarja kulmore e martesës – dasma, është një vakt familjar publik. Dhe e organizuar që në krye të herës si çdo vakt familjar: në hierarki. Pavarësisht nëse radhiten familje (në ato dasma ku burrat e gratë janë bashkë dhe marrin pjesë në darkë si familje) ose individë (në ato dasma kur burrat festojnë veç e gratë veç), hierarkia është rendi themelor i organizimit të darkës publike, edhe në vendosje, edhe në paraqitjen përpara të tjerëve. Dasma shqiptare është edhe një paraqitje e familjeve përpara të tjerëve, me anë të valleve sot, por edhe të këngëve. Dasma sot është një vakt “i vallëzuar”, ku farefisi shpaloset në hierarki në rend zbritës, largues (fillojnë të kërcejnë më të afërtit me nusen e dhëndrin e pastaj duke u larguar, deri te fqinjët).

Në ato kultura që e kanë fetaren në ceremoninë e dasmës, ngjarje e rëndësishme është edhe ceremonia fetare. Kjo ceremoni është një estetizim i ngjarjes së zakonshme të jetës fetare: mbledhjes së besimtarëve për takimin fetar. Ajo zhvillohet kryesisht me këtë strukturë: njeriu me autoritet fetar drejton ceremoninë dhe mëson fjalën e shenjtë, kënga, lutja, e gjithë kjo nën autoritetin hyjnor. Në këtë autoritet drejtuesi i ceremonisë i bashkon të dy personazhet qendrore. Prej Zotit buron edhe hierarkia, pandryshueshmëria, solemniteti i ngjarjes, rendi i ngjarjes ceremoniale, diskursi që e mbështjell. Në dasmën shqiptare estetizohet, maksimizohet, imitohet vakti familjar: si shenjë e zgjerimit të marrëdhënieve shoqërore të ngushta. Për shkak se “ngrënia e bukës” është një ngjarje e zakonshme e jetës njerëzore. Në një shtëpi, ajo është ngjarja themelore e jetës. Në një sofër marrin pjesë ata njerëz që kanë marrëdhënie të sigurta, të qëndrueshme, të afërta, të pacenueshme me njëri-tjetrin. Dhe kështu, nëse dikush jashtë shtëpisë merr pjesë në këtë sofër, bëhet i denjë për të marrë pjesë në këtë rrjet marrëdhëniesh të sigurta, të qëndrueshme, të pacenueshme. Kështu, dasma shqiptare maksimizon ritin e mikpritjes. Një mikpritje që parakupton, më së pari, bërjen vend në sofër. Autoriteti nuk është Zoti, por bërthama e raportit familjar. Asnjë person, por një rrjet marrëdhëniesh, të përforcuara nga koha (si traditë dhe ndjenjë e së vjetrës) dhe e tashmja.

Për ironi, personazhi më i rëndësishëm i dasmës, nusja (jo aq dhëndri, për disa arsye që do t’i themi më poshtë) është një qenie e pangjashme, e panatyrshme, jonjerëzore, sikur zbret nga një realitet tjetër. Është si një qenie mitike që trupëzohet një herë në jetë në pjesën më të madhe të femrave. Duke qenë kështu, kur femrat “veshin” nusen, ato zhvishen nga vetvetja dhe luajnë një rol social të përcaktuar prej mijëra vitesh.

Kundërvënia e dasmës shqiptare nuk është nuse – dhëndër, por nuse – jonuse. Dhëndri merr pjesë si një koeficient që i ndryshon vlerën një madhësie, ndërsa i rri afër.

Një qenie e tillë është, si të thuash, e panatyrshme, sepse gjithë çfarë ajo vesh si shenjë e fsheh natyrën e saj (njeriun femër). Në ceremoninë shqiptare asaj i hiqet elementi më i rëndësishëm njerëzor: gjuha. Ajo është e ndaluar të flasë. Ajo mund të flasë tinëz vetëm nëse është në prani të familjarëve të ngushtë. Nëse krushqit kanë ngrirë për shkak të një mallkimi, nusja në dasmën shqiptare ka ngrirë për shkak të një betimi, një marrëveshjeje të pafolur. Ajo nusëron. Fjalori na përshkruan një sërë veprimesh që e shoqërojnë këtë veprim. Mbi të gjitha heshtjen e saj[1]. Asgjë e tillë për “dhëndëroj”[2]. Sytë e gjuhës janë te nusja.

Ajo është e privuar edhe nga një element tjetër njerëzor: lëvizja. Ajo nuk merr asnjëherë iniciativë për të lëvizur. Gjithnjë është dikush afër saj që ia dikton dhe ia shtrëngon lëvizjen. Ajo duhet të jetë e përgatitur për këtë, kështu që detyrohet të privohet nga çdo nevojë biologjike për sa kohë që ajo nusëron: nuk ha, nuk pi, nuk fle. Shkurt, ajo është si një ide e trupëzuar në jetën e dikujt, në një çast në jetë.

Gjithë ceremonialiteti dhe ligjërimi që e shoqëron dasmën e qendërzon nusen: këngët, vallet, ritet, urimet, ndalesat, veshjet etj.

Nusja është personazhi më i rëndësishëm i dasmës, për shkak se ajo ekspozohet si “trofe”, si “plaçkë luftë” e admiruar nga të gjithë. Duke qenë kështu, marrja e saj dhe futja në shtëpi është më e rëndësishme se ai që e merr dhe e zotëron atë. Ceremonialiteti dhe solemniteti që e shoqëron futjen e saj në shtëpi na thotë qartë se personazhi kryesor është ajo. E pra, në kulturën shqiptare të dasmës, dhëndri është si një hije që shoqëron nga pas personazhin qendror.

Këto kohë kam parë dasma pa dhëndër (dhëndri ka qenë në emigracion, familja e tij ka qenë në zi etj.), por dasmë pa nuse nuk ka dhe nuk kam parë.

Ka një akt të vetëm që i kundërvihet dasmës: e ky është rrëmbimi i nuses. Në këtë rast, meqë dhëndri na bëhet më i rëndësishëm sesa nusja, duke shfaqur forcën e tij mbi autoritetin madhor, që është familja, ngjarja është e dënueshme shoqërisht. Në historinë familjare nuk përmendet asnjëherë, rrethohet gjithnjë me mister, thuhet vesh me vesh si diçka e turpshme dhe për të kaluarën e familjes është një njollë e zezë. Në zonën e Shpatit, ky bashkim shënohet me një eufemizëm: u martuan ferrsi (duke kaluar nëpër ferra, dmth “ferrat” si kundërvënie ndaj rrugës së hapur, të pastruar e të shkelur nga të gjithë).

Në këtë ceremoni, më intereson edhe raporti mes individuales dhe kolektives: nusja është e zhveshur nga çdo element individual, duke përjashtuar atë që ajo e ka marrë prej natyre: flokë, sy, buzë, shtat, duar etj. Por a nuk “maskohet” ajo në të gjitha këto gjëra? Për t’u dukur diçka tjetër? Çfarë ka mbetur natyrore në të?

Sa më afër nuses në raporte familjare, aq më shumë ndihet shtrëngimi që të sillesh sipas normës së grupit sesa sipas zgjedhjes individuale. Ka një shprehje që përdoret shpesh në shqipe: “Sikur të martohesha edhe një herë, dija unë si nusëroja”. Kjo shprehje idiomatike shënon kryesisht një pamundësi: të përsëritjes së një përvoje, të prapakthimit në kohë, të ndryshimit të vetes apo edhe të situatave. Në të dyja pjesët e kësaj shprehjeje ka një pamundësi. Në shoqërinë shqiptare martesa e dytë dhe e tretë mund të ndodhë, por dasma për herë të dytë, ajo e madhja, me konfigurimin e gjithë fisit nuk ka gjasa të bëhet. Nuk mendohet. Thuajse ndalohet. Edhe pjesa e dytë, “të nusërosh ndryshe, të nusërosh si do vetë” ndryshe nga ç’e kërkon norma e grupit është e pamundshme. Pikërisht se te “nusërimi” nuk ka asnjë individuale. Si mund të bësh ndryshe një veprim në të cilin je i detyruar të mos bësh asnjë?

Si një ngjarje e përsëritshme në çdo jetë, në çdo kohë, në çdo shtëpi, një herë të vetme, dasma duhet të jetë e pacenueshme nga koha. Duke qenë se ajo që ka kaluar është një përvojë më e sigurt sesa ajo që pritet të ndodhë, kjo ngjarje priret të mos ndryshojë dhe të përsëritet në elementet e saj kolektive. Ndryshimi përjetohet si ankth. Grupi shoqëror nuk mendon ta ndryshojë ngjarjen e ritualizuar dhe përsëritja pikë për pikë e saj ndodh edhe nëse një element në këtë sistem do të mungojë: dhëndri, krushqia, prindërit e çiftit etj.

Përsëritja e ritualizuar e ngjarjes e ndalon të menduarit. Ajo ruhet në kohë e paprekshme, sepse individi nuk mendon për të. Por në kohët e sotme, me shndërrimin e shpejtë të raporteve shoqërore për shkak të shumë faktorëve (ndryshimi i rendit politik, lëvizjet e popullsisë, kontaktet me kulturat e tjera, prania e medias në çdo shtëpi), individi është i lirë të mendojë për të, ta vlerësojë, të dekonstruktojë, ta analizojë dhe kështu të vendosë ta ndryshojë. E ndoshta, në këto lëvizje të reja shoqërore dhe “rrëzim” të mureve rrethuese të shtëpisë, ka shumë gjasa që nusja të fillojë të shkrijë.

Një libër si një bibliotekë e tërë

Fjala është për librin e Rifat Hoxhës me titull “Kadareja, Nobeli dhe Letërsia e braktisur”, Botimet Jozef, Durrës 2017

Ibrahim Kadriu

Mbi autoritetin e shkrimtarit të madh Ismail Kadare janë shkruar aq shumë libra dhe vazhdojnë shkrimet e autorëve të ndryshëm. Portreti i këtij shkrimtari me reputacion aq të madh botëror, varësisht nga autorët dhe qasjet e tyre, na del shumëdimensional, shpesh edhe enigmatik, misterioz kur vështrohet jeta e tij nëpër dekada. Portreti i tij na del pro et contra, sidomos pas nominimit për çmimin Nobel, tash e para njëzet vjetësh. Jemi dëshmitarë të shumë vlerësimeve, të kritikave dhe të mehamendjeve të autorëve të ndryshëm, një pjesë e të cilëve Kadarenë e shikojnë me një dioptri tjetër, e jo me atë konkreten e cila i ka dimensionet e veta me të arriturat kulmore në fushën e letërsisë, e që në botë ia ka dhënë vulën e afirmimit jo vetëm autorit, por edhe përgjithësisht kulturës shqiptare. Një vistër librash e shpërfaqin figurën e autorit dhe e bëjnë biografinë e tij të qëndrueshme, jetëgjatë; biografi e cila do t’i qëndrojë kohës denjësisht . Por ka edhe të tillë autorë që dëshirojnë të bëhen të mëdhenj, duke duke gjurmuar në pluhurin e kohës për të gjetur mangësitë e këtij shkrimtari. Në shumësinë e këtyre librave gjen hapësirën e vet edhe libri më i ri “Kadareja, Nobeli dhe letërsia e braktisur” e Rifat Hoxhës (nga Kavaja) i cili deri tash ka botuar disa libra monografikë, eseistikë, botime historike dhe romane.

Libri i fundit për Kadarenë, dhe jo veç për Kadarenë, merret në shqyrtim sepse është i veçantë, sepse kur i shkon në fund, ke përshtypjen se ke lexuar një bibliotekë të tërë, sepse, pra, pavarësisht se personazhi kryesor është Kadareja dhe aferat rreth çmimit Nobel, ofrohen shumë të dhëna që përbëjnë mozaikun e portretit të shkrimtarit. Muaji i tetorit gjatë këtyre dy dekadave të fundit, sdiç e dimë, gjithherë ka qenë një lloj arene ku janë thyer shpatat pro e contra për Kadarenë, të atyre q kanë sulmuar dhe kundërshtuar ndarjen e këtij çmimi pretencioz dhe të atyre që kanë lobuar vazhdimisht, por, siç dihet çmimi Nobel nuk iu nda. Autori i librit, Rifat Hoxha, tërë librin me afro 230 faqe e bën në formë kolazhi, duke i ofruar lexuesit të gjitha aspektet të cilat e bëjnë emrin Kadare të diskutueshëm. Me fjalë të tjera, ky autor është përpjekur, dhe ka arritur të heq mjegullën që i mëveshët shkrimtarit , atë mjegull të të mjegulluarve që i fusin duart në bërllokun komunist për ta nxjerr shkrimtarin hiq më pak se diktator, sepse, siç shkruajnë ata “ishte i përkëdheluri i Enver Hoxhës”. Rifat Hoxha i nxjerr në pah të gjitha të palarat, kjo domethënë se nuk i jep krah shkrimtarit, por e nxjerr të vërtetën, duke u mbështetur edhe në postulatin se “Shqiptari çdo gjë ta fal, vetëm suksesin jo!” Në këtë frymë merret me të gjitha reagimet, shkrimet, letrat dhe intervenimet në adresë të Komitetit të Akademisë kundër ndarjes së çmimit Nobel shkrimtarit tonë. Në libër u jepet hapësirë edhe shumë shkrimeve që vijnë nga të huajt, shkrime që i ndihmojnë propozimit, por edhe të tjerat që ia mohojnë. Në faqet e librit radhiten edhe shembujt konkretë të autoriteteve letrare botërore, që kishin të njëjtin fat si Kadare, kur refuzoheshin ose etiketoheshin.

Ky libër, lirisht mund të thuhet i rrallë, i ka dhënë shkas autorit të hulumtojë për t’i shtruar në një vend (siç është ky libër) aq shumë të dhëna jo veç për Kadarenë, por edhe për shumë shkrimtarë të tjerë duke i përfaqësuar me mendimet e tyre mbi letërsinë dhe mbi raportet në shoqërinë që i takonin./KultPlus.com

Disa fjalë pёr librin e Laura Erber

Shkruan Ilire Zajmi.

Laura Erber, erdhi nё Kosovё me librin “E kthyera” pa e kuptuar fare se po vinte me poezitё e saj nё gjuhёn shqipe, nё njё vend ku letёrsia braziliane ёshtё pak e njohur.

“Kthimi” i saj poetik pёrmes pёrkthimit tё Elvi Sidherit, e shtёpisё botuese prestigjioze “Buzuku” nё Prishtinё, megjithatë nuk kaloi pavrejtshёm.

S ‘ka sesi. Pёr shumё arsye. Laura Erber, tё magjeps qё nё rreshtat e parё. Poezitё e saj tё fusin natyrshёm nё kurth, nga e cili nuk ia del tё çlirohesh derisa tё mbyll tёrё librin.

“E kthyera” tё godet me sintagmёn e famshme tё Silvia Plath “Mund tё shkruaj poezi? Pёr ndonjёfarё sёmundje ngjitёse?

Pikёrisht “llojet e sёmundjeve ngjitёse” Laura pёrshkruan te pjesa e parё e librit, pёr tё vazhduar me Qielli i Vesterbro dhe e Kthyera.

Ashtu si te Plath, edhe te Erber hetohen qartё konceptet filozofike. Poezi qё qёmtojnё thellёsi analize, qё kёrkojnё tё lexohen disa herё pёr tё kuptuar trillin e “sёmundjes ngjithёse” nga e cila “vuan” autorja e tё cilat i vizuelizon pёrmes fjalёve.

Poezitё e saj janё imazhe tё fuqishme, qё tё shpalosin parasyve njё lloj metafizike, ku autorja e paraqet veten nё njё lloj gjendje gjysmё tё vdekur. Pёr tё gjithçka ёshtё reminishencё,imazh, simbolikё, figuracion. Ajo pёrherё niset dhe kthehet diku, pёr ti paraqitur nisje –kthimet e veta nё poezi –imazh.

Me njё gjuhё tё thjeshtё por tё fuqishme, me pёrshkrime groteske tё situatave tё habitshme nё vargje, poezia e Erber, tё kthen te kuptimi i vetmisё, jetёs dhe vdekjes.

“E kthyera” paraqet njё botё tё pasur shpirtërore tё njё shkrimtare, artiste pamore , duke vёn nё pah gёrshetimin fantastik tё pёrvojave jetёsore tё skalitura nё poezi.

Si e tillё, kujtoj se pёrmbledhja me poezi “E kthyera” ia vlen tё lexohet dhe pёrjetohet si urё e re lidhёse me letёrsinё braziliane. Laura besoj se ёshtё kthyer nё shqip, pёr tё mos ikur./ KultPlus.com