Lovro Pogorelich, sonte me koncert në Tiranë

Pas Rita Orës dhe Ermal Metës, Tirana do të presë sonte edhe një tjetër spektakël muzikor. Por kësaj here bëhet fjalë për muzikë klasike nga një pianisti me famë botërore, Lovro Pogorelich.

Duke nisur nga ora 20:30 ai dhe orkestra e zgjedhur që e shoqëron do të performojnë në ambientet e Muzeut Kombëtar disa nga veprat më të njohura të dy autorëve rus Sergei Prokofiev dhe Modest Musorgski.

Nga prokofiev ai do të interpretojë Sonatën Nr. Me 3 kohë, ndërsa nga kompozitori Modest Musorgski do të luajë veprën muzikore “Tablo në Ekspozitë” e frymëzuar nga një vizitë në një ekspozitë arti. Secila nga kohet përfaqëson një nga vizatimet ose veprat e artit në ekspozite. Rëndësia dhe popullariteti i kësaj vepre është kaq e madhe sa cilësohet si vepra ciklike për piano më e rëndësishme ruse.

Musorgski kompozoi “Tablo-të” si një përkujtim për mikun e tij, artistin rus Viktor Hartmann, i cili kishte vdekur në 1873 në moshën 39 vjeç. Pak kohë pas vdekjes së artistit, Musorgski vizitoi një ekspozitë retrospektive të skicave, pikturave dhe studimeve te Hartmann, dhe ndjeu nevojën për të kapur esencën e saj në muzike.

Vepra paraqitet ne 10 kohe muzikore të 10 pikturave të Hartmanit, të ndërlidhura nga një temë e përbashkët e përsëritur, quajtur “Promenade” ( Shëtitje), që përfaqëson një vizitor – në këtë rast, kompozitori vetë – shëtitës nëpër ekspozitë, shkruan GSH./ KultPlus.com

Hitleri dhe opera

Hitleri e kishte shpallur Nurembergun “qytet të tubimeve të partisë naziste” më 1933, duke vendosur që roli tradicional i qytetit mesjetar, si qendër e tregtisë gjermane, artit dhe kulturës, do të siguronte një sfond të përshtatshëm për mitingjet e tij epike vjetore – siç do të ndodhte me stadiumet komunale, teatrot, liqenet dhe parqet në të cilat ishin mbajtur shumica e ngjarjeve të përvitshme.

Për të dy, edhe Hitlerin, edhe ministrin e Propagandës, Joseph Goebbels, i cili mbikëqyrte censurimin dhe distribuimin e filmit, muzikës, teatrit e arteve vizale në Rajhun e Tretë – muzika gjermane, veçanërisht opera, do të kishte impakt vital propagandistik në tubimet masive të ushtrisë naziste.

Një ekspozitë e re, e hapur në Qendrën e Dokumentimit të Mitingjeve të Ushtrisë Naziste në Nuremberg, në mënyrë grafike e tregon rrëfimin sesi shtëpia operistike “Nuremberg Opera House” dhe vendet në të cilat mbaheshin paradat e përvitshme masive të nazistëve ishin skena të dyfishta, nëpërmjet të cilave arti propagandistik ishte instrumentalizuar nga regjimi vrastar.

Titulli i ekspozitës “Hitler. Macht. Opera” është lojë me kuptim të dyfishtë të fjalës gjermane “Macht”, që përkthehet edhe si “bën” edhe “pushtet”: vetë Führeri personalisht është përfshirë në disa aspekte të inskenimit të operave që shënonin festën për lidershipin e tij. E shtrirë në 530 metra katrorë në “Sallën e madhe” të ish-lokacionit ku mbaheshin mitingjet, ekspozita e re gërsheton tekstin, imazhet, filmin dhe rikonstruksione të papërpunuara të skenës, për t’ua mundësuar shikuesve eksperiencën që të ndiejnë forcën e plotë të mjetit të fuqishëm propagandistik./ KultPlus.com

Këta që i gëzohen fitores së Erdoganit, janë hipokritë, rriqna e mikrobe

Shkruan: Ndue Ukaj

Këta që sot i gëzohen fitorës së Erdoganit, nesër nga perëndimi do të kërkojnë liberalizim të vizave dhe integrim në Familjen Europiane.
Po të njëjtit, nesër nga perëndimi do të kërkojnë mirëqenie, siguri dhe dinjitet për kombin shqiptar.

E pra, ju jeni hipokritë, rriqna e mikrobe të zi, siç thoshte dikur Fishta, që i bëni dëm të madh kombit shqiptar.

Festë për Erdoganin në Prizren (VIDEO)

Presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale, të mbajtura gjatë ditës së sotme.

Në Prizren, shumë qytetarë kanë nisur të festojnë. Ata po brohoritin emrin e Erdoganit, dhe po valëvitin flamuj të Turqisë.

Erdogan po prin me 52.79 për qind të votave, pas numërimit të 98.68 për qind të votave.

“Populli turk më ka mandatuar mua si president, sipas rezultateve jozyrtare”, ka deklaruar Erdogan.

“Fjala “loçkë” është përdorur për herë të parë nga Pjetër Bogdani”

Shkruan: Plator Gashi

Në shkrim, fjala «loçkë» osht përdorë për herë të parë nga Pjetër Bogdani në vitin 1685 në fjalinë «i votte ndè lockete εemeressè (i shkon në loçkë të zemrës)». Osht fjalë e dy dialekteve, si dhe e arbëreshëve të Italisë.

Ky kuptim figurativ «pjesa më e brendshme e diçkaje, thelbi; njeri shumë i dashur e i shtrenjtë për dikë» pason kuptimin fillestar: «kokërr e rrumbullakët» qi manej ka dhanë edhe «kokërdhoku i synit, bebja e synit».

Sa i përket prejardhjes, Arjolli (Vladimir Orel) thotë se lidhet me fjalën «loc (mik i dashur)» e cila ma tej vjen prej fjalës «lot», duke e zatetë me synin si diçka i çmuem.

Topalli thotë se osht kompozitë e loqe (kokërr) dhe prapashtesës -kë, si dhe ndërrimit të -q- në -ç-. Pra, sipas tij, kuptimet tjera janë zhvillu prej kësaj.

Vyen me u përmend, Topalli e shënon foljen «loçkoj (brengos në shpirt)».

Vera Ora publikon një fotografi të rrallë kur Rita dhe Elena Ora ishin fëmijë (FOTO)

Vera Ora, nëna e yllit ndërkombëtar, Rita Orës ka publikuar një fotografi të rrallë ku këngëtarja e njohu, Rita Ora shihet si fëmijë, shkruan KultPlus.

Vera Ora ka shfaqur nostalgji për atë kohë, ndërsa ka shkruar se ndihet një nënë krenare.
“A mund ta kem një ulëse për tre persona?”, ka shkruar ajo, derisa të dy vajzat e vogëla qëndrojnë shumë pranë saj. / KultPluscom

“Gardhi” i Lendita Zeqiraj triumfon në Palm Springs si filmi më i mirë i shkurtër (FOTO)

Filmi “Gardhi” me regji të Lendita Zeqiraj ka triumfuar në Palm Springs si filmi më i mire i shkurtër duke fituar kështu të drejtën e garimit për OSCAR, shkruan KulPlus.

“Shumë urime të gjithë ekipit të mrekullueshëm të filmit e sidomos ansamblit fantastik te aktorëve femra dhe rolit kryesor të aktorit të ri Arti Lokaj”, shkruhet në njoftimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Palm Springs International ShortFest është festivali më i madh dhe më i rëndësishëm i filmit të shkurtër në Amerikën Veriore, me më shumë se 5000 aplikime çdo vit.

‘Gardhi’ është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare N’art, Sacrebleu Productions nga Franca dhe Woof Films nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Cinema Fondacioni – Region Ile De France, dhe me mbështetje nga Komuna e Prishtinës.

Në këtë film luajnë: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina. / KultPlus.com

Lidhja mistike e Skënderbeut me Venecian

Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, nxit pasurimin e informacionit akademik dhe kulturor të historisë së vendit tonë gjatë mesjetës.

Albanologia Lucia Nadin në një pronocim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se, ” kam 25 vite që i jam dedikuar studimit të Shqipërisë. Për pasojë edhe prania ime këtu nuk është vetëm për këtë event, por edhe një vazhdimësi e rreth 20-25 vite studimesh mbi Shqipërinë dhe Skënderbeun”.

Ajo shtoi se këto konferenca shkencore janë,”një rast i rëndësishëm, mbi të gjitha për të rinjtë, sepse unë e kuptoj se pasi të largohet brezi im, një gjeneratë studiuesish, nuk shoh mjaftueshëm gjak të ri. Këtu flas për Italinë, ku shumë studentë shqiptarë studiojnë në Itali, por nuk kanë zgjedhur fakultetet shoqërore, nga ana tjetër as studentët italianë nuk i zgjedhin, për shkak të problemeve me punësimin, dhe preferojnë fakultetet shkencore. Pra, mund të themi se është pak e frikshme të mendosh se kush do ta vazhdojë këtë trashëgimi”,u shpreh albanologia Nadini.

”Në ligjëratën time kam trajtuar një argument të ri që është shfaqur nga kërkimet në arkiva dhe njëkohësisht kam arritur të kontaktoj dhe të përfshij doktor Battistan që ishte dhe është i ngarkuar për të rregulluar Pallatin Ducale dhe armët që ndodhen aty. Si dhe është argumenti që ka të bëjë me konservimin dhe fabrikimin e armëve që prodhoheshin në Venecia për Skënderbeun. Pra, do të shohim dëshminë vizive të shpatës së tij, të shpatës së tij mitike, madje flitet edhe për një farkëtar që prodhonte për Skënderbeun, por edhe për faktin se prej shekujsh është ruajtur në arsenalin e Venecias një armaturë për Skënderbeun që bënte pjesë në muzeun e gjithë të mëdhenjve të historisë së Europës”,u shpreh për studimin e saj albanologia Lucia Nadin.

“Nga ana e Venecias, Skëderbeu shihej si një prej personazheve të mëdhenj të historisë botërore. Për mua, padyshim, Skënderbeu nënkupton çastin historik kur Shqipëria luajti një rol themeltar mes Lindjes dhe Perëndimit. Pra, nëpërmjet Skënderbeut dhe asaj që ndodhi pas atij, është një faqe thelbësore e historisë tonë europiane, them tonë duke përfshirë edhe Shqipërinë sepse në vitin 1 500 Shqipëria ka qenë në dokumentet e historisë gjithnjë e cilësuar si Shqipëria në Europë”,përfundoi Lucia Nadin.

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, po zhvillohet dhe Konferenca Albanologjike, e cila i jep mundësi të gjithë studiuesve të Skënderbeut për t’u njohur dhe për të shpalosur një temë të caktuar me epokën e Skënderbeut. Kjo Konferencë është e ndarë në tre seksione. Në seksionin e parë dhe seksionin e dytë, ku janë ftuar specialistë fushës, akademikë brenda dhe jashtë vendit, që ligjërojnë studimet e tyre. Në seksionin e tretë do të jenë konkluzionet.

Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut do të mbyllet me samitin e madh të diasporës, në muajin nëntor, kur do jetë dhe seksioni i tretë i Konferencës së Albanologjisë. Në këtë muaj (nëntor) do të ketë dhe një sërë veprimtarish të mëdha. Gjithashtu do jepet “llogari” se çfarë është bërë në vitin e Skënderbeut. Të gjitha punimet do të publikohen në një moment të dytë gjatë vitit 2019.

Në këtë drejtim, qeveria ka menduar që mungesat e mëdha që ka albanologjia të jenë një lloj baze për të ngritur sa më parë një kurs për të mundësuar formimin e të rinjve në gjuhët e vjetra, arkilistik dhe paelografi, duke i dhënë frymë dhe oksigjen albanologjisë, për të ndërtuar dhe për të lënë stafetat për brezat që do vijnë./ ata

Rruga e vështirë e artistes shqiptare që nuk hoqi dorë kurrë

Tre vite më parë askush nuk e njihte Bebe Rexhën. Kur ajo pyeste kalimtarët në rrugët e Los Angelesit nëse njihnin një artiste me emrin Bebe Rexha, të gjitha përgjigjet ishin “jo”. Sot, pas dhjetëra peripecive, ajo ia doli të ketë një album krejtësisht të vetin.

“Expectations”, sapo është hedhur në treg dhe përmbledh 10 vitet e mundimshme të 28-vjeçares në kërkim të suksesit në muzikë dhe “Jo vetëm modë” sjell ekskluzivisht xhirime nga premiera e albumit. Menjëherë pas koncertit, editori i “Albaniac”, Elbino, rrëfen atmosferën dhe detaje të performancës live të kantautores së talentuar.

Unë e kam parë Beben në të njëjtën skenë para disa vitesh kur ajo filloi turneun e parë si këngëtare dhe mund të shikosh ndryshimet pozitive të saj. Është më e lirshme dhe më profesionale, ajo tashmë është një pop star. Faktori më i rëndësishëm në karrierën e saj është të qenit kompozitore, duke qenë e tillë ajo di se çfarë kërkohet në treg dhe çfarë t’i shtojë apo t’i heqë një kënge”, tha Elbino.

Evoluimi i Bebe Rexhës ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë të mbushur me zhgënjime, por sot ajo konsiderohet si vajza që nuk u dorëzua kurrë.

Pikërisht këto refuzime e frymëzuan që ajo të krijonte këngën që do t’i ndryshonte jetën. Superhiti “Monster” i Eminem me Rihannën është në fakt një rrëfim personal i Bebe Rexhës. Ndonëse Eminem zgjodhi Rihannën, zërat origjinalë të Bebe Rexhës shoqëronë Ririn gjatë gjithë refrenit. Po në atë periudhë Bebe realizoi këngët e para solo. Me stilin rrok dhe flokët e errëta, Bebe u duk se do të ndiqte gjurmët e idhujve të saj të muzikës pop. Por asnjë prej këngëve nuk bëri që Bebe ta shikonte emrin në “top 10-shen” e ëndërruar.

Në 2015-ën, bashkëpunimi me G-Eazy i dha më në fund Bebes shtysën e shumëpritur të famës botërore. Me “Me Myself and I” ajo pushtoi televizionet, radiot, internetin dhe theu klasifikimet duke fituar statusin e artë dhe platin, si kënga më e shitur në 10 shtete të botës. Që atëherë platin u bënë edhe flokët e saj./tvklan.al

Ekspertët e artit pohojnë se kanë zbuluar punimin e parë të Leonardo Da Vinçit

Shkollarët në Itali po pohojnë se kanë gjetur pikturën e parë apo atë më të hershme të cilën e ka realizuar gjeniu i renesancës Leonardo Da Vinçi.

Piktura e gjetur mendohet se është nënshkruar nga Da Vinçi kur ai ishte 18 vjeçar, përcjellë KultPlus.

CNN ka publikuar një artikull ku tregon se është zbuluar një pikture e cila përmban në të shënimin “Da Vinci Lionardo”, shkrim ku i cili është pothuajse i padukshëm për syrin e njeriut dhe datën “1471”.

Kështu Profesori i Historisë së Artit, Ernesto Solari dhe ekspertja e dorëshkrimeve, Rosa Bonfantina, kanë njoftuar se kjo mund të jetë puna e parë e njohur e piktorit.

“Shpresoj që punimi do të mbetet në Itali, kjo është pjesë e trashëgimisë sonë. Ky punim është punimi më i ri i piktorit që është shënuar deri më tani, është tepër i çmuar”, ka thënë Solari.

Punimi është gjetur nga pasardhësit e familjes aristrokrate Fenice në Ravello, Itali, ka bërë të ditur Ernesto Solari./KultPlus.com

Sikur s’jetoj ne vendin tim

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim,
Po në nje vend të huaj dhe të largët,
Në një qytet me buba dhe me minj,
Mes mureve te rrjepur dhe të lagët.

I huaj jam në vendin tim mjerisht.
Dhe kur rreth meje ka me dhjetra njerëz.
Kjo me lëndon dhe shpirtin ma gervish
Më bën të qaj si nxënës prapa derës.

Veçoritë e personalitetit dhe imazhit të Gjergj Kastriotit

Nga Gjon Keka

Edhe pse shumë studiues nuk kanë qenë shumë të fokusuar në detajet e jetës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë qenë të interesuar, por mbi të gjitha ata e kanë njohur Gjergj Kastriotin si një personalitet të madh, vizionar dhe trim e mbrojtës të civilizimit të përbashkët europian.

Prandaj detajet se sa ka qenë i madh, çfarë imazhi apo si ka ngrënë e si është vesh nuk i ka interesuar aq shumë autorëve që kanë shkruar për të se sa vepra dhe gjurmët që ai ka lënë gjatë lidershipit të tij dhe luftës kundër pushtuesit barbar osman. I vetmi që ka shkruar ka qenë Marin Barleti në veprën e tij me disa detaje për shkak se ai ishte bashkëkohës, dhe se vetëm bashkëkohësit mund ta dinë se si ishte në tërësi ai personalitet. Dhe tani që po sjell këtë gjetje interesante (një skicë biografike e jetës së Gjergj Kastriotit të vitit 1828) nga kjo letër edhe të një bashkëkohësi tjerë i cili na e sjell një imazh real dhe madhështor të heroit, strategut dhe avokatit të qytetërimit tonë europian.

Për të parë më mirë imazhin e plotë të këtij personaliteti mbikohor të kombit tonë do të veçoj këtu fjalët e një nga bashkëkohësit e tij i quajtur Petruzi nga letra dërguar Senatit Venecian, këtu janë përzgjedhur disa nga karakteristikat që i nënvizon mbi Gjergj Kastriotin dhe jetën e tij si më poshtë:

“Një hundë butësisht e lakuar si shqiponjë, një fytyrë të bardhë e përzier me pamje të skuqur dhe të shëndetshme , si rezultat i aktiviteteve te tij në diell, ballë të lartë të gjerë, sy të zi në kafe dhe mjekër të stilit të heronjve të vjetër me reputacion…

Kastrioti është i madh më tepër se madhësia e zakonshme e njeriut, i fuqishëm, muskulor…me dhunti dhe fisnikëri që nga lindja e tij…

Ai ka një trup të fuqishëm dhe të pazakontë fizik, dhe unë e kam pare disa herë atë ne beteja…

I veshur me të gjelbër me një rrip shumë të mirë në mes… pantallona të gjera me shtrese tek këmbët të çorapeve në të kuqe dhe çizme të verdha janë stolia e tij e zakonshme.

Natën shpata e tij gjithmonë duhet të qëndrojë tek shtrati.

Në paqe ai shkon shpesh i veshur, në bazë të veshjes kombëtare (artit të veshjes së vendit)…
Ai është jashtëzakonisht i masës në të ngrënë dhe në të pirë… ndërsa për nga morali ai mund të shërbejë si shembull(model)…

I pastër, i devotshëm, i butë, orator dhe bujar.

Me pak fjalë, bota është shpirti i tij, nga zemra e tij njihet vetë ai.

Ai zotëron një kujtesë të paimagjinueshme, në mënyrë që ai si Pirro, paraardhësi i tij i madh, emrat e pothuajse të gjithë luftëtarëve të tij i njeh.

I urtë dhe i kujdesshëm në këshillat e tij, ai i shqyrton planet e sukseseve ose dështimeve të tij, por kur ai i dizajnon planet një herë, ai i ekzekuton ato me vendosmëri dhe shpejtësi si rrufeja.

Përveç gjuhës së tij amtare, ai flet plotësisht turqishten, tatarishten, sklavonishten, latinishten, persishten dhe Velshisten; poashtu ai e njeh mirë historinë e lashtë greke dhe romake, librat më të preferuar të tij janë jetëshkrimet e Plutarkut dhe komentaret e Cezarit.

Ai përdori historinë e vjetër të Livit dhe përshkrimet (direksionet) e tij duke i nxjerrë ato si rregulla për qeverinë e tij dhe mënyrën e jetës prej tyre…”

(Ky shkrim është botuar për herë të parë në mediet e shkruar në Gusht të vitit 2015,dhe është pjesë e shkëputur nga librat e autorit mbi figurën e Gjergj Kastriotit, ndërsa tani ribotohet me rastin e Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut)./ KultPlus.com

Një shqiptar dhe një serbe mbajnë flamujt e njëri-tjetrit në duar, “Politika e Ballkanit ta shpif”

Pas ndeshjes mes Serbisë e Zvicrës në kampionatin botëror, ku Zvicra triumfoi me dy gola të shënuara nga dy futbollistë nga Kosova, fotografitë e tyre me simbolin e shqiponjës pushtuan edhe mediet botërore, shkruan KultPlus.

Ervin Kurti dhe Manuela Janićijević janë paraqitur me një fotografi krejt tjetër, duke bashkuar flamujt e dy shteteve dhe duke mbajtur flamurin e shteteve të njëri-tjetrit.

“Mendoj se politika në Ballkan ta shpif. Të rinjtë e rajonit tonë duhet ta duan vendin e tyre, duhet ta kujtojnë të kaluarën por mbi të gjitha duhet të shikojnë kah e ardhmja. E ardhmja e Ballkanit, e ardhmja jonë është Evropa”, ka shkruar Kurti në fotografinë e publikuar. / KultPlus.com

“Kala Festival” ndez atmosferën në plazhet shqiptare

Jugu i Shqipërisë është duke përjetuar ditë dhe netë elektrizuese falë “Kala Festival”. Për herë të parë, bregdeti me bukuri mahnitëse i Dhërmiut, është duke pritur Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike në Shqipëri të quajtur “Kala”, i cili zhvillohet nga 20 deri më 27 qershor.

Ky festival, përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë. Përgjatë tetë ditëve, në festival do të jenë të pranishëm “DJ” të famshëm anglezë, si Tom Misch, Roy Ayers, Todd Terje, The Black Madonna, Moodymann dhe shumë të tjerë.

Organizatorët e këtij festivali, paralajmëruan shumë surpriza, duke e përshkruar bregdetin e Shqipërisë në faqen zyrtare të festivalit, si një zonë të mahnitshme që duhet vizituar patjetër.

“Plazhe me rërë, ujëra kristal të qartë, mikpritje e madhe, ushqim i shkëlqyer dhe disa nga plazhet më të mira të Mesdheut”, thuhet në faqen zyrtare të festivalit.

Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të “Rivierës Shqiptare”.

Në ditët e fundit të festivalit do të ketë ekskursione të tilla si, rafting në Kanionet e Osumit. Organizatorët shpresojnë që të ftuarit të përjetojnë me të vërtetë bukurinë e vendit.

Në këtë festival marrin pjesë të rinj nga të gjitha vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, si vend mikpritës, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Po ashtu në festival ka të rinj edhe nga Italia apo vende të tjera të Evropës./ ata

Rritet numri i turistëve të huaj në jug të vendit

Bregdeti jugor i Shqipërisë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj në këtë fillim sezoni turistik.

Gjatë periudhës maj-qershor 2018 vetëm në portin e Vlorës dhe Himarës kanë mbërritur rreth 651 turistë. Në të dy këto porte vijojnë të ankorohen anije turistike me turistë të huaj në bord nga vende të ndryshme të botës, si Italia, Belgjika, Finlanda, Danimarka, Hungaria, Polonia, Anglia, etj.

Drejtori i Portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “ditët e fundit, një numër i madh turistësh kanë ardhur në portin e Himarës. Në bordin e dy anijeve turistike ‘Marina’ dhe ‘Ionian Sun’ ndodheshin turistë të rinj nga vende të ndryshme të Europës të ardhur nga porti i Korfuzit”.

“Në portin e Himarës ka mbërritur edhe një anije tjetër turistike, e cila e çon në 651 numrin e turistëve që kanë zgjedhur si destinacion turistik bregdetin jugor të Shqipërisë”, – theksoi Malaj.

Kreu i portit të Vlorës shprehet se vazhdon të rritet edhe numri i turistëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë nga porti i Himarës drejt Korfuzit me katamaranin “Kristi”. Sipas tij, interes të lartë vijon të ketë edhe për udhëtimet drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle, por edhe me rërë të bardhë e të imët. Spillea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.

Turisti në zonën e Himarës gjen det e qiell të pastër, brigje ranore të ngulura në shkëmb, objekte kulturore dhe historike, monumente të natyrës dhe një kulinari të veçantë detare. Himara është perla detare e Shqipërisë./ata

Sheshi “Skënderbej”, Rama: Xhevahir i Europës, faqe e bardhë për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar trofeu europian të sheshit “Skënderbej”, si një faqe të bardhë në historinë e Tiranës dhe Shqipërisë së Rilindjes Urbane.

Kryeministri, Edi Rama në fjalën e tij tha se “është legjitime që sot ta kremtoj këtë trofe të rëndësishëm dhe krejt të veçantë për Tiranën dhe Shqipërinë, bashkë me përfaqësuesit, bashkë me ekipin e arkitektëve, skuadrës realizuese dhe punëtorëve të thjeshtë dhe padyshim te ata që besuan te ky projekt që nga konceptimi deri më sot te realizimi i një vizioni të transformuar për Tiranën dhe Shqipërinë.

Më tej, Kryeministri shtoi se ky shesh për shumë e shumë dekada të historisë së vet ka qenë një shesh betejash politike.

“U kthye në një shesh betejash të tillash me kosto të humbura financiare për ta zhdukur dhe mbuluar me tamponin jeshil, që për fat të mirë i takon të shkuarës.

“Mbi historinë e këtij projekti mund të bëhet një libër i tërë, por jo vetëm unë por dhe të tjerë mund ta bëjnë librin e një rilindje urbane e sheshit “Skënderbej”. Dhe një nga frazat e përmendura nga kundërshtarët e këtij projekti, ishte një projekt kriminal i bazuar të ethet e një fitimi marramendës apo një zonë ku do të përfitonin në këtë projekt ka qenë një nga lajmet e rreme, siç është lajm i rrem kampi i refugjatëve apo të tjera lajmë të rreme që i dëgjojmë dita ditës. Është një betejë me lajmet e rreme, por koha vendosin në vend të vërtetën, sepse sheshi “Skënderbej” u kthye në faqen e bardhë të kryeqytetit dhe të Shqipërisë dhe që mori çmimin unikal të hapësirës publike më të bukur në europë për vitin 2017”,- përfundoi Kryeministri./ata

Mitrovica mirëpriti ekspozitën e autorëve nga Novi Pazari (FOTO)

Në Galerinë e qytetit të Mitrovicës, në ambientet e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica’, buzë Ibrit, është hapur ekspozita autorëve nga Novi Pazari, Edis Muminoviq, Esad Jashareviq, Mersija Gjankoviq-Jashareviq dhe Nermin Qeman, përcjellë KultPlus.

Duke e shpallur të hapur ekspozitën, pasi i përshëndeti dhe ju uroj mirëseardhje piktorëve në Mitrovicë nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, tha se është mirë që DKRS ju ka mundësuar qytetarëve të Mitrovicës dhe në veçanti dashamirëve të pikturës, të shikojnë këtë ekspozitë me piktura të bukura të autorëve boshnjak nga Novi Pzarai. Ai përshëndeti edhe piktorët nga Shqipëria që ishin të pranishëm në hapjen e këtij eventi të rëndësishëm kulturor.

“Ne në Mitrovicë po bëjmë përpjekje që të begatojmë sa më tepër jetën kulturore dhe qytetarëve të ju ofrojmë vlera të mirëfillta. Besoj se kjo ekspozitë ka vlera të tilla dhe unë ju uroj sukses piktorëve nga Novi Pazari”, tha ndër të tjera nënkryetari Mujka.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, organizator i ekspozitës, tha se kjo është një ekspozitë e veçantë e artistëve nga Novi Pazari, të njohur për vlerat e tyre krijuese. “Qëllimi i ekspozitës është që qytetarëve të komunës të ju ofrojmë edhe vlera të tjera ndryshe artistike, edhe pse këto janë të ngjashme me ato që krijohen tek ne. Kemi përzgjedhur piktorët dhe pikturat më të mira që krijohen në Sanxhak dhe Novi Pazar. Falënderojmë shume OSBE-në që na ka mbështetur në hapjen e kësaj ekspozite”, tha ndër të tjera Pec.
Kjo ekspozitë është organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Mitrovicës dhe mbështetur nga Qendra Rajonale e OSBE-së në Mitrovicë./ Mitrovicapress

Simboli i shqiponjës me duar gdhendur në gur daton katër shekuj para Krishtit (FOTO)

Ditëve të fundit është komentuar më shumë se asnjëherë tjetër për simbolin e Shqiponjës, kjo pasi që fotografitë e futbollistëve nga Kosova që mpshten Serbinë në ndeshjen me Zvicrën, bëri jehonë në të gjitha mediat vendore e të huaja, shkruan KultPlus.

Po ashtu me këtë rast, për të dëshmuar lashtësinë e këtij simboli, po qarkullon edhe një fotografi derisa shihet një njeri i gdhendur në gur që me duar krijon simbolin e Shqiponjës. Ky gur është gjetur në Durrës dhe thuhet se daton katër shekuj para Krishtit./ KultPlus.com

Dua Lipës i bëhet “zemra mal” me futbollistët kosovarë (FOTO)

Kanë kaluar dy ditë pas fitores së madhe të futbollistëve kosovarë në ndeshjen Kosovë- Serbi, mesazhet e urimet anë e mbarë botës nuk kanë të ndalur, shkruan KultPlus.

Këtë ndeshje me krenari e ka përjetuar edhe babai i këngëtares së njohur botërore, Dukagjin Lipa, i cili ka publikuar fotografitë e yjeve të futbollit ndërkohë ka uruar për ndeshjen e tyre duke uruar Zvicrën.

Poshtë kësaj fotografie ylli botëror, Dua Lipa ka lënë një koment të jashtëzakonshëm, ku ka shkruar “Zemra mal”, me shkronja të mëdha e duke bashkangjitur shumë zemra./ KultPlus.com

Flamujt e Zvicrës nëpër Kosovë mahnitin zviceranët

Flamujt zviceranë valëviten me bollëk në të katër anët e Kosovës, një republikë e ish bllokut jugosllav, prej më pak se 2 milionë banorësh, shkruan “20 Minutes”, përcjell Albinfo.ch.

Sigurisht që disa flamuj vërehen në kryeqytetin e Prishtinës, por ata mund të hasen edhe nëpër shumë fshatra. Sidomos në Gjilan, një qytet i 130.000 banorëve në qendër të vendit të prejardhjes së Xherdan Shaqirit.

“Këtë foto ma ka dërguar bashkëshorti im, i cili aktualisht ka udhëtuar për në Kosovë”, ka pohuar bashkatdhetarja Zejnie, me vendbanim në Renens (VD). “Nuk arrita të përmbahesha dhe e shpërndava.

Në Kosovë, skuadra zvicerane e futbollit ka fituar një rritje të madhe të simpatisë. Njerëzit janë krenarë për Shaqirin, Behramin dhe Xhakën me të tjerët.

Ata identifikohen me trajektoren e tyre sportive dhe profesionale. Në një cep të botës ku jeta e përditshme nuk është gjithmonë e lehtë, këta futbollistë sjellin një ëndërr të vogël për të rinjtë tanë”, ka deklaruar Zejnia.

Loja e mbrëmjes të së premtes kundër Serbisë do të jetë “është e vërtetë, pak e veçantë”, ka pohuar Zejnia, para se të fillojë ndeshja tashmë e përfunduar me fitore historike të Zvicrës.

Pa hyrë në detaje gjeopolitike që nuk meritojnë të përmenden këtu, rivaliteti midis Kosovës dhe Serbisë këtë veçori e spjegon qartë.

Granit na fal! Asnjëherë s’të kemi kuptuar!

Shkruan: Anton Cicani

Shumë të vërteta dhe të pavërteta “ndërthuren” mes tyre për të krijuar shpesh një histori ndryshe, legjenda urbane, por edhe një personazh krejt i kundërt nga se është vërtet. E kam njohur Granitin në Turqi, teksa qëndroja në grumbullim me Flamurtarin.

Në atë kohë, luante në Gjermani me Borusia Mënshengladbahun, pasi ishte transferuar nga Bazeli. Më priti si një vëlla, edhe pa më njohur dhe, madje, teksa shoferi i autobuzit më foli serbisht, sepse mendoi se dija ashtu si shumë kosovarë… Graniti iu drejtua: “Eshtë Shqiptar ky! Si unë, foli anglisht ose shqip…

Ndryshe nuk të merr vesh!”. Më pas, u ulëm duke biseduar gjatë. Ishte intervista e parë ekskluzive me këtë futbollist fantastik dhe person të veçantë… Folëm shumë, aq sa nisi të ngrysej. Isha i lodhur, pasi kisha shkruar shumë atë ditë për skuadrën e Flamurtarit dhe kisha dërguar fotografi e materiale në redaksi.

Graniti më tha, “nëse do eja nesër flasim më shtruar!”. Por, e dija që ishte i vetmi moment kur ndoshta mund të zbuloja dhe kuptoja shumë për një futbollist dhe familje të paragjykuar sipas një skenari që na “u shit” për shumë vite.

Ndonjëherë habitesha nga shqipja e rrjedhshme e tij, teksa më thoshte: “çfarë ke Anton?! Dhe unë, jam rritur me këtë gjuhë dhe të jesh i sigurt se është ajo me të cilën flasim në familje, çdo ditë!”… E teksa intervista zbulonte historinë e jetës së tij, pyetja më e bukur ishte kjo:

“Granit, tani shqiptarët duan të dinë, si është ajo historia e refuzimit tënd?!” M’u drejtua: “Seriozisht, nuk dua të flas. Jo sepse dua të tregoj unë version tim, por sepse njerëzit do të vazhdojnë të besojnë atë që kanë besuar.

Nuk ka faj as federata juaj, as familje ime, as unë dhe as ndonjë person tjetër. Thjesht, gjërat shkuan ashtu… Ishte tjetër kohë, por sot do të isha kurioz të shihja nëse yjet që keni në kombëtare, nëse Kosova do të futej në FIFA dhe UEFA, do të largoheshin nga kombëtarja për të luajtur me ata…”.

E pra, Graniti i ra në kokë. Ata që u larguan, i larguam ne dhe nuk ikën me dëshirë, por thjesht sepse ajo ishte rruga e vetme. Për të mos vijuar me këtë histori, pyetja tjetër ishte në lidhje me atë rast të shpërdoruar përpara portës në Zvicër, ku shtypi e masakroi… “Granit, tani të kemi parë, t’i atë rast nuk e gabon kurrë, sidomos aq afër… Nuk ta bëri zemra?!”. Fike regjistruesin më tha…

“Epo, sapo e the vetë përgjigjen! Por, të lutem, këto fjalë nuk mund të dalin kurrësesi në gazetë, sepse më pas në Zvicër do të bëhesha armiku numër “1” dhe do të vija në rrezik edhe familjen time… Madje, pasi Shaqiri shënoi dhe festoi, mbeta i shtangur! E kapi momenti, ndoshta fyerjet e shumta nga tribunat, ndoshta nervozizmi i faulleve. Nuk di çfarë të them”…

Di unë çfarë të them Granit, kur pashë atë skenë në dhomat e zhveshjes, në tunel, teksa një person t’u drejtua duke thënë “ti nuk je shqiptar” dhe në atë moment të hypi gjaku në tru dhe doje ta shqyeje… “Unë nuk jam shqiptar!

Eja këtu nëse je burrë dhe ma thuaj… Sepse mendoj se shqipen dhe traditën e di më mirë se ty, të jesh i sigurt!”. U deshën katër vetë ta ndalonin Granitin në atë çast. Sonte, ndaj Serbisë, ajo shqiponjë është thjesht “detyra” për të, asgjë më shumë… Sepse, ata që nuk e njohin, nuk mund ta kuptojnë…

Gazeta zvicerane, lexuesve: Bëjeni shqiponjën dhe na dërgoni foto

Gazeta e njohur zvicerane, Blick.ch, ka kërkuar nga lexuesit e saj që t’i dërgojnë fotografi duke festuar me shqiponjë, ashtu si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.

Dy futbollistët e Zvicrës nga Kosova, Xhaka e Shaqiri, festuan me shqiponjë golat e tyre në ndeshjen ndaj Serbisë në Kampionatit Botëror.

http://insporti.com/gazeta-zvicerane-lexuesve-bejeni-shqiponjen-na-dergoni-foto/

“Trio Osmanaj” shënoi Ditën Botërore të Muzikës me vepra shqiptare në Zvicër

Alberina Haxhijaj

Në ambientet e përshtatshme për koncerte, të kishës katolike “St. Peter dhe Paul” në qendër të kryeqytetit helvetik, grupi “Trio Osmanaj”, ka shfaqur një koncert me muzikë klasike shqiptare, të enjten, shkruan KultPlus.

Koncerti është organizuar nga ambasada e Republikës së Kosovës në Bern, në kuadër të programit për diplomacinë publike, për të shënuar Ditën Botërore të Muzikës.

Në emër të ambasadës dhe ambasadores Nazane Breca, Ministri-Këshilltar, Mustafë Xhemaili, i përshëndeti të pranishmit që kishin ardhur nga ambasadat e ndryshme si dhe mërgimtaret shqiptarët të pranishëm, dashamirësit e muzikës klasike.

“21 qershori, është Dita Botërore e Muzikës. Si gjithkund në botë, edhe në Kosovë, mbahen koncerte të ndryshme për të gjitha moshat. Sonte ‘Trio Osmanaj’ ka ardhur nga kryeqyteti i Kosovës dhe bashkë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, kanë organizuar këtë koncert. ‘Trio Osmanaj’ përbëhet nga vëllezërit Osmanaj, që janë nga Prishtina, muzicientë të njohur, virtuoz në instrumente, që interpretojnë dhe kultivojnë muzikën klasike shqiptare”, u shpreh Mustafë Xhemaili gjatë prezantimit të instrumentistëve.

Tutje ai theksoi se ajo që ka më së shumti rëndësi është së tani grupe muzikore të zhanreve të ndryshme, zhvillojnë aktivitetet e tyre muzikore lirshëm në Republikën e Kosovës. Grupe, me dashuri të madhe për muzikën, që rriten dhe zhvillohen nën kujdesin profesional të ekspertëve.

Pas fjalës së tij Fidan Osmanaj në klarinetë, Dardan Osmanaj në violinë dhe Shkodran Osmanaj në kontrabas, interpretuan para të pranishmëve vepra të ndryshme të muzikës klasike shqiptare që me shekuj është zhvilluar në Ballkan.

Kështu “Trio Osmanaj” solli në këtë mbrëmje muzikë nga Kosova, Shqipëria e Mesme dhe nga Shkodra, një qytet shumë i lashtë e me tradita muzikore në Shqipërinë veriore.

Me koncertin e tyre 60 minutash, “Trio Osmanaj” shënuan Ditën Botërore të Muzikës dhe bënë që muzika shqiptare të dëgjohej në këtë festë, krahas muzikës së më shumë se 120 shteteve që e shënojnë këtë ditë. / KultPlus.com