E gjalla ime e vdekur

Poezi nga Pol Elyar, përktheu Dritëro Agolli.

Në brengën time s’pipëtin asgjë,
Pres kot së koti, s’vjen njeri tek unë,
S’vjen ditën e s’vjen natën
Dhe vetë unë s’vij ashtu siç vija.

Nga sytë e tu u ndanë sytë e mi.
Besimin humbën edhe dritën humbën;
Të miat buzë u ndanë nga të tuat,
Të miat buzë u ndanë nga zbavitja,
Nga jeta dhe dëshira e dashurisë;
Dhe duart nga të tuat janë ndarë
Dhe s’mbajnë dot në gishta asnjë pupël;
Dhe këmbët janë ndarë nga të tuat,
S’çapiten dot e rrugë s’bëjnë dot.
Kështu na qenka thënë të shoh fundin,
Me fundin tënd;
Se jeta ime qenka nën pushtetin tënd,
Kjo jetë që më dukej pambarim,
E vetmja shpresë qenka varri im,
Ashtu si yti mes botës së shkujdesjes.

Kam qenë pranë teje, kam ftohtë me të tjerët./KultPlus.com

Arti i pa-autorizuar i rrugës, thirrje e pranimit të të drejtave të homoseksualëve

Grafiti në sheshin Nënë Tereza është zbehur ngadalë që nga maji, por ende është i lexueshëm. “KUR JE HOMOFOB NUK JE VETJA”, shkruan me shkronja të mëdha, ndërkohë që njerëzit ecin në qendrën e qytetit të Pirshtinës.

Aktivistët thonë se vetëm para disa vitesh as nuk mund të mendohej për artin anti-homofobik të rrugës. Por a sugjeron kjo një pikë kthimi për lëvizjen LGBTI në vend?

Lendi Mustafa, aktivist i cili më herët ishte pjesë e Qendrës për Emancipim Shoqëror (QESh), tha se kjo shënon një zhvillim të ri për aktivizmin LGBTI në Kosovë. Arti i pa-autorizuar i rrugës pasqyron punën e aktivistëve individualë, përveç shoqërisë civile të organizuar.

Mesazhet ishin ngjyrosur në vende të ndryshme nëpër trotuare afër sheshit Skënderbeu. Ato u shfaqën në orët e hershme të 17 majit të këtij viti, që u ndërlidhën me Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë (DNKHT).

DNKHT, e shënuar për herë të parë më 2005, është e pranuar nga Kombet e Bashkuara dhe ka 130 vëzhgues kombëtarë në mbarë botën, sipas organizuesve ndërkombëtarë të saj. Dhe këtë vit vit, organizatat duke përfshirë Qendrën për Barazi dhe Liri (QBL) dhe Qendrën për Zhvillim të Grupit Shoqëror (QZhGSh) u siguruan që ta monitoronin edhe Kosovën.

Por ata nuk ishin të vetmit që po garonin për vëmendjen e publikut. Sipas Liridon Veliut, menaxher i programeve në QZhGSh, mesazhet me gjasë ishin pjesë e “një fushate për ngritje të vetëdijes”, të shkruara nga aktivistët e pavarur.

Edhe pse grafiti u shfaq gjatë DNKHT, nuk ishte pjesë e aktiviteteve të organizuara nga QZhGSh apo partnerët e tyre në QBL. Veliu tha se me sa ka dijeni ai, “asnjëra nga organizatat që merren me të drejtat e LGBTI nuk i kanë shkruar mesazhet me sprej në sheshin Nënë Tereza”.

Derisa përgjegjësit për këtë mbeten mister, mesazhi i grafitit është i qartë: ta çojë opinionin publik drejt pranimit më të madh dhe barazisë shoqërore për kosovarët homoseksualë.

Statistikat e publikuara këtë vit nga OSBE-ja për perceptimin e publikut tregojnë se 44 përqind e grave kosovare dhe më shumë se 70 përqind e burrave kosovarë, deri diku nuk ndihen mirë lidhur me homoseksualët. Rreth gjysma e kosovarëve (64 përqind e burrave dhe 41 përqind e grave) do të turpëroheshin nëse fëmija i tyre do të ishte homoseksual apo lesbike.

Nëse arti i rrugës tregon saktë, këta numra sugjerojnë se shumëkush në Kosovë ‘nuk është vetja’. Po ashtu sugjeron se për çfarëdo fushate kundër këtyre paragjykimeve do të nevojitet kohë dhe këmbëngulësi për të pasur një efekt afatgjatë. Menaxherja e programit në QBL, Rina Braimi e sheh ndryshimin, edhe pse të ngadaltë, në të mirë të aktivizmit të LGBTI dhe barazisë më të madhe në Kosovë. Ajo filloi tre vite më parë si vullnetare, dhe sot mbikëqyrë një varg më të gjerë të aktiviteteve dhe ngjarjeve për ngritje të vetëdijes.

Pak kohë pasi Braimi filloi punën me këtë organizatë në vitin 2015, Kosova e bëri ligjin e parë kundër diskriminimit i cili shtyri përfshirjen e identitetit gjinor si kategori e mbrojtur. Megjithatë, sipas saj, viti kyç për këtë lëvizje ishte 2017 kur ajo ndihmoi në organizimin e Marshit të parë të Krenarisë në Prishtinë, përkrah aktivistëve të tjerë të QBL dhe QZhGSh.

Kjo ngjarje krijoi një ndjenjë më të gjerë të vetëdijësimit së publikut, dhe për shumë persona që i përkasin komunitetit LGBTI krijoi vendin e parë të sigurt ku ata mund të ishin vetvetja në publik. Para vitit 2017, ky komunitet ishte kryesisht ‘nën hije’, tha Braimi. Pas vitit 2017? “Mediat kishin më shumë qasje në komunitet, nëpër OJQ, në gjithçka.”

Festimet e DNKHT këtë vit ishin realizuar pak a shumë për të njëjtën arsye, për të ngritur vetëdijen. Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë fillimisht ishte krijuar për t`i luftuar perceptimet e dëmshme, të bazuara në turp për homoseksualët dhe lesbiket anekënd botës. Në vitin 2009, komiteti i DNKHT e zgjeroi definicionin për t`i përfshirë edhe biseksualët dhe transgjinorët.

Më 17 maj, organizatorët e hapën një ekspozitë të quajtur “Qe Pse!” në qendër të Prishtinës për DNKHT.

Kjo ishte përgjigjje ndaj publikut që pyeste pse ishin të nevojshme ngjarjet e krenarisë së LGBTI-së tetorin e kaluar. U prezantuan një varg kërcënimesh të ndryshme homofobike dhe transfobike dhe gjuhë urrejtjeje që u ishte drejtuar organizatorëve. Ndër mesazhe kishte edhe fyerje grafike, kërcënime me vdekje, dhe thirrje për gjenocid dhe vetëvrasje për komunitetin LGBTI.

Kjo hasi në shok dhe zemërim tek publiku, sipas Braimit, por nuk ishte befasi pasi që aktivizmi për LGBTI ende është relativisht tabu në Kosovë.

Derisa 67 përqind e popullsisë LGBTI në Kosovë ndihet e diskriminuar, e me këtë pajtohen vetëm 11 përqind e popullsisë së përgjithshme, sipas një ankete të Instititit Kombëtar Demokratik në vitin 2015.

Edhe pas Paradës së Krenarisë të vitit të kaluar, shumë punëtorë në OJQ-të me fokus komunitetin LGBTI, druajnë se diskriminimi, madje edhe dhuna mund të ndodhin kurdo.

Mustafa, aktivist transgjinor, është një figurë relativisht/mjaft e njohur, dhe thotë se fama e tij e vogël mund të jetë duke e mbrojtur atë nga dhuna e më drejtpërdrejtë.

“Marr kërcënime dhe komente negative në rrjete sociale, por nuk jam përballur me sulm fizik ende – që u ka ndodhur disa aktivistëve tjerë LGBT,” sqaroi ai.

Edhe pse kohëve të fundit nuk janë publikuar raste të dhunës homofobe, Mustafa e kujtoi një incident në vitin 2012 ku disa persona, edhe pse jo të lënduar rëndë, ishin sulmuar nga një turmë e homofobëve me motive fetare pas një paneli për përfshirjen e edukatës seksuale për komunitetin LGBTI në Kosovë.

Ata që nuk janë të njohur sa ai, janë në rrezik më të madh. “Unë jam një nga fatlumët”, tha ai.

Veliu tha se pas paradës së vitit të kaluar, ka pasur shtim të komenteve negative të postuara on-line, disa nga të cilat u bënë pjesë e ekspozitës “Qe Pse!”. Edhe pse nuk janë shfaqur raste të dhunës ndërpersonale, Veliu ka vënë re një incident që ka ndodhur në DNKHT. “Një burrë i vjetër u mundua ta prishte ekspozitën”, tha ai “edhe pse ia arriti vetëm ta hedhte poshtë eksponatin”.

Në Kushtetutën e Kosovës, siç thekson Braimi, “popullata LGBTI specifikohet si komunitet i margjinalizuar”, i denjë për status të barabartë sipas ligjit. Por shumë ligje tjera në Kosovë – të cilat ajo beson se janë “anti-kushtetuese” – kanë pasoja materiale negative për personat me orientime seksuale dhe identitete gjinore të ndryshme.

Për shembull, Neni 14 i Ligjit për Familje e kufizon njohjen e martesës në partneritetet ndërmjet “dy personave të gjinive të ndryshme”, dhe ligji nuk e njeh ricaktimin e gjinisë për transgjinorët kosovarë.

Përmëtepër, sipas Braimit, ligjet që në teori e mbrojnë komunitetin LGBTI nga praktikat e diskriminimit jo gjithmonë mbrohen nga autoritetet. Një ligj i krimit të urrejtjes për të kodifikuar mbrojtje shtesë u refuzua nga Kuvendi vitin e kaluar. (Mund të paraqitet sërish në Kodin Civil në vitin 2018). “Pjesa ligjore është pak e ngatërruar”, e pranoi Braimi, duke shtuar se mund të flasë për orë të tëra dhe ende do të kishte tema për diskutim.

QBL ka rol këshillues në hartimin e legjislaturës së re për mbrojtjen e komunitetit LGBTI, por ajo dhe OJQ-të tjera po ashtu janë aktive në përpjekjet për ta formësuar mendimin publik.

Në këtë kontekst, Braimi përmendi anketën e vitit 2015 të IDK-së, nga e cila doli se vetëm 3 përqind e qytetarëve të Kosovës do ta mbështesnin pa rezerva një shok apo fqinj që i përket komunitetit LGBTI. (Një tjetër 8 përqindësh do t`i pranonin por prapë do t`i shmangeshin temës në bisedë, dhe 10 përqind e kosovarëve nuk dinin si të reagojnë. Trembëdhjetë përqind e kosovarëve pranuan se se do të ushtronin dhunë fizike ndaj një personi LGBTI që e njohin.)

Këto shifra janë shkak për urgjencë në vend, si për organizatat si QBL dhe për individët në komunitet. “Kur je homofob, nuk je vetja” është një mesazh që ka për qëllim mbrojtjen e komunitetit LGBTI nga lëndimi.

Braimi tha se përderisa çiftet homoseksuale nga jashtë tolerohen në Prishtinë, shumë çifte vendore stigmatizohen apo përjashtohen nga rrethi për shkak të deklarimit haptas si homoseksual apo biseksual. Dhe “të mos i përmendim vendet rurale”, ku organizatorët, në të shumtën të përqendruar në kryeqytetin e Kosovës, vetëm kohën e fundit kanë filluar ta zgjerojnë aktivitetin edhe atje.

Një rrjet i ri mbarë kombëtar, nën drejtimin e Mustafajt, synon lidhjen e organizatorëve dhe aktivistëve në të shtatë rajonet e Kosovës. “Jemi duke punuar në këtë rrjet ku duam të shkojmë në komuna të ndryshme”, tha Mustafa, tani koordinator në QBL, “që të mund të bëjmë përparim edhe në vendet tjera, jo vetëm në Prishtinë”.

Sipas Braimit, në përgjithësi këto rajone janë më konservative sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI sesa kryeqyteti. “Është pranuar se në Kosovë ka komunitet LGBTI”, sqaroi ajo, por ata shtyhen në margjinat e ndërdijes shoqërore, ku në të shumtën shfaqet dhuna homofobe.

Për Kosovën, arti i rrugës nuk ka gjasa që vetë ta zgjidhë homofobinë. Por në pyetjen nëse grafiti ishte shenjë pozitive për barazi për komunitetin LGBTI, aktivistët ishin optimistë.

“Në fakt, është”, tha Veliu. “Nga pikëpamja ime, e shoh si pozitive”. Përderisa organizatat nuk e arsyetojnë zyrtarisht grafitin, nuk mund t`i ndalojnë individët e komunitetit LGBTI që të ndjehen të fuqishëm që të bëjnë ashtu vetë. “Komuniteti po e fillon aktivizmin vetë.”

Mustafa fillimisht u mat, duke ripohuar se as ai as organizatat tjera nuk janë përgjegjës. Por pastaj, me një buzëqeshje, bëri një parashikim: “Për Kosovën, ky vit është viti i LGBT-së.”

Komuniteti LGBTI është në një pikë të rrezikshme në historinë e Kosovës, ku gjithçka mund të ndodhë. Por pa marrë parasysh, theksoi Braimi, njohja e homoseksualëve dhe e transgjinorëve tashmë është përhapur nëpër shoqërinë civile: “LGBTI është çdokund. Është çdokund”, shkruan kosovalive360.com./KultPlus.com

(Isaiah Raimey këtë verë është gazetar praktikant në KosovaLive, në bashkëpunim me Miami University në SHBA. Përktheu dhe përshtati: Liridona Berisha.)

Filmi “Nëntor i Ftohtë” i Ismet Sijarinës premierë botërore në San Sebastian

Premiera botërore për filmin artistik të regjisorit Ismet Sijarina “Nëntor i Ftohtë” do të mbahet në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit.

Ky është filmi i parë nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, një festival ndërkombëtar tejet i rëndësishëm dhe i kategorisë A, ku do të jetë pjesë e konkurrencës zyrtar në Seksionin e Regjisorëve të Ri.

“Ky është një zhvillim i madh për kinematografinë e Kosovës dhe pasqyron një trend të sukseseve në rritje për industrinë e filmit në Kosovë”, u shpreh drejtori i QKK-së Arben Zharku.

Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

“Secili njeri, pa marr parasysh rolin dhe ndikimin e ti në shoqëri, ka një rrëfim për ta thënë. Ka shumë rrëfime të tilla që mbesin të pathëna, ngase konsiderohen po aq të parëndësishme sa edhe përjetuesit e tyre. “Nëntor i ftohtë”, është një nga këto rrëfime që nuk do duhej të thuhej! Ky film sjell një histori familjare, të bazuar mbi ngjarje të vërteta, në një kohë të turbullt, kur ne nuk mund të thuhet se jetonim, por vetëm ekzistonim. Fadil e ka emrin, jeton në Prishtinë përgjatë fillim viteve të 90-ta, ka gruan, dy fëmijë, babain dhe një rrëfim, që kërkon kureshtjen tuaj! “, u shpreh regjisori, Ismet Sijarina.

“Nëntor i ftohtë” për mua është dashuri në lexim të parë. Film që trajton vitet e mbrapshta të shoqërisë tonë! Tregim i munguar i kinematografisë Kosovare, në të cilin unë kam pasur kënaqësinë të jem producent dhe aktor. Pranimi në konkurrencë zyrtare në njërin prej festivaleve më të mëdha të botës “San Sebastián” në Spanjë është shpërblimi më i madh që mund ti bëhet sakrificës së produksionit dhe tërë ekipit”, shtoi Fatmir Spahiu, producent.

Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët; Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa Skenari i shkruar nga: Arian Krasniqie Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie Sevdije Kastrati, Montazher Vladimir Pavlovski, Muzika Jericho, Producent Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, Regjia Ismet Sijarina./ KultPlus.com

Sonte hapet edicioni i 58-të i Festivalit “Vera e Ohrit”

Ohri prej sonte e deri më 20 gusht do t’i jetojë 40 ditët e veta me emocione që i sjellë Festivali “Vera e Ohrit”. Mbi 800 artistë nga 27 vende nga e mbarë bota për të 58-tën herë me radhë gjatë një muaji e gjysmë në vijim do të interpretojnë, aktrojnë, krijojnë në skenat e festivalit në Ohër.

Gjatë mbrëmjeve të festivalit, “Vera e Ohrit” do të sjellë gërshetim të përsosur të muzikës, teatrit dhe artit në përgjithësi. Do të interpretojnë emra të njohur nga bota e muzikës, por edhe produksionet më të mira teatrore me projekte të shkëlqyeshme dramatike. Janë paraparë edhe tre ekspozita, figurative, ekspozitë e fotografive dhe stolive bashkëkohore.

Hapja solemne e manifestimit më të rëndësishëm muzikor-skenik në mënyrë tradicionale fillon në skenën e madhe të Teatrit antik. Kësaj radhe në teatrin antik të rezervuar për yjet e mëdha operistike, sopranja Elena Moshuc dhe tenori Kalin Bratesku, në dirigjimin e Nikollae Moldoveanu dhe të shoqëruar nga Filarmonia e Maqedonisë.

Festivalin do ta shpallë të hapur mbështetësi i manifestimit, presidenti Gjorge Ivanov, ndërsa fjalim para publikut në hapje do të ketë edhe ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi. Porosinë artistike këtë vit do ta transmetojë aktori i njohur Nikolla Ristanovski.

Artistët Moshuc, Bratesku dhe Moldoveanu të cilët tashmë ndodhen këtu, paralajmëruan angazhim maksimal, përvojë të paharruar dhe koncert për t’u mbajtur mend sonte në Teatrin Antik.

Kryetari i i Komunës së Ohrit, Jovan Stojanoski, dje në konferencë për shtyp me rastin e hapjes së “Verës së Ohrit” paralajmëroi se komuna edhe më tutje do ta japë mbështetjen e parezervë për festivalin, si një brend i madh kulturor i Maqedonisë dhe Evropës.

Si përjetime të posaçme të edicionit të 58-të të festivalit priten koncertet e pianistit Nikollaj Lluganski, çelistit Aleksandar Knjazev, violinistit Sergej Krillov, më pas pianistit Aleksandar Maxhar, virtuozit në harmonikë Antonio Serano, sekstetit a-kapella “D’Kuin Siks” nga Britania e madhe, si dhe disa koncerte që do të realizohen në bashkëpunim me ambasadat në Maqedoni. Mbrëmja tradicionale polake e festivalit do të sjellë koncert të ansamblit të barokut “Vrocllav”, në kuadër të Mbrëmjes franceze do të interpretojnë pianisti me famë botërore Mishel Burdonkle dhe djali i tij Nikollas, ndërsa në bashkëpunim me Ambasadën e Spanjës në Shkup do të interpretojë sopranja Eugenia Boiks dhe pianistja Ana Ferer.

Programi i dramës fillon një ditë pas hapjes solemne ndërsa do të ofrojë kreacione nga shtëpi vendore teatrore, si dhe pjesëmarrje të teatrove nga Serbia, Kroacia dhe Sllovenia.

Sipas traditës, në kuadër të “Verës së Ohrit” do të interpretojnë edhe një numër i madh i artistëve nga Filarmonia e Maqedonisë, Opera dhe Baleti i Maqedonisë dhe Rinia muzikore e Maqedonisë.

Sipas u.d. drejtoreshë e “Verës së Ohrit”, Suzana Vrencovska, të gjitha skenat dhe hapësirat ku këtë vit do të mbahen ngjarjet muzikore-skenike të festivalit janë adaptuar për artistët, si dhe për vizitorët të cilët çdo vit janë gjithnjë e më të shumtë, ndërkaq siç paralajmëroi, nga viti i ardhshëm është planifikuar ndërtimi i sallës montuese të shfaqjeve e cila do të mund të vendoset çdokund, me çka do të mund të mbahen ngjarje në çdo vend adekuat në qytet.

Festivali “Vera e Ohrit” mbahet me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq i ndihmuar nga Komuna e Ohrit, si dhe nga sponsorë të shumtë./ KultPlus.com

Shpella në Tajlandë do të kthehet në muze

Kompleksi i shpellave në Tajlandën veriore, ku 12 djemtë dhe trajneri i tyre i futbollit mbetën të bllokuar për më shumë se dy javë, do të shndërrohet në një muze.

Zyrtarët e skuadrave të shpëtimit thanë se muzeu do të tregojë se si u zhvilluan operacionet, duke shtuar se ai do të jetë një atraksion i madh për Tajlandën.

Fëmijët e shpëtuar janë në spital dhe po e marrin veten shpejt. Pamje video janë shfaqur që i tregojnë ata në formë të mirë edhe pse do të qëndrojnë në karantinë edhe për një javë. Marinsat tajlandezë po ashtu kanë publikuar pamje dramatike të vetë operacionit, që tregojnë se si zhytësit ekspertë kishin nxjerrë pjesëtarët e ekipit të futbollit Wild Boar, në sipërfaqe.

Shpella Tham Luang, është një nga sistemet më të mëdha në Tajlandë. Ajo është e vendosur nën malet përreth qytetit të vogël Mae Sai, në provincën veriore Chiang Rai në kufirin me Mianmarin.

Zona është kryesisht e pazhvilluar, me kapacitete të kufizuara për turistët. Nuk është e qartë nëse muzeu do të jetë operacional brenda këtij viti, edhe për faktin se Tajlanda është e ekspozuar ndaj përmbytjeve gjatë sezonit të shirave që zgjat nga qershori deri në tetor.

Ishte pikërisht fillimi i papritur i sezonit të shirave që bllokoi djemtë nën tokë ndërsa ata po eksploronin shpellën.

Të paktën dy kompani, po kërkojnë ndërkohë të bëjnë një film për të treguar historinë e shpëtimit. Edhe para se 13 të bllokuarit të nxirreshin, studio amerikane Pure Flic, që bën filma frymëzues me tema kristiane, njoftoi se producentët e saj ishin në terren duke folur me punonjësit e skuadrave të shpëtimit, për një film të mundshëm.

Por, sipas studios me bazë në Los Angeles, Ivanhoe Pictures, ajo është zgjedhur zyrtarisht nga qeveria tajlandeze dhe marina për të bërë një film./ KultPlus.com

Trieshi dhe dokumentari që më mirë mos të shikohet

Trieshi ishte pushtuar nga Mali i Zi 140 vjet më parë. Sulmet e malazezëve kundër Trieshit kishin filluar në shekullin XVII. Ato kishin qenë sulme barbare. Në Kuç ishin bërë të gjitha ato plane dhe strategji. Trieshi kufizohet me Kuçin dhe Kelmendin. Trieshi kishte rëndësi të madhe strategjike për pushtimin sllav të Kelmendit.

Kufiri midis Trieshit e Kelmendit fillon në Cem dhe vazhdon deri tek Liqeni i Rikavecit. Këto bjeshkë shqiptare të pasura me pyje, kullosa dhe ujë ishin shkaku kryesor i sulmeve malazeze. Në atë kohë bjeshkët kishin rëndësi të madhe ekonomike. Bujqësia në fusha nuk ishte shumë e zhvilluar sepse nuk kishte mjete për ujitjen e tokave pjellore. Kelmendi, Trieshi dhe Kuçi jetonin kryesisht me blegtori. Trieshi dhe Kelmendi kishin lidhje të ngushta, bile Kelmendi kishte luajtur rolin e vëllait të madh, sepse ishte krahinë e madhe dhe shumë e fuqishme, pastaj Trieshi dhe Kelmendi kishin gjuhën, traditën dhe besimin e përbashkët. Në luftëra kundër turqve ata kishin gjetur mbështetje dhe strehim tek njëri tjetri. Krojet e Vuklit në Triesh edhe sot janë shumë të njohura. Ky emërtim është në Bisaq, që tregon se atje kishin jetuar malësorët e Vuklit.

Shumë meshtarë të Kelmendit kishin shërbyer edhe në Triesh.Trieshi kishte lidhje martesore me Kelmendin më shumë se me asnjë krahinë tjetër të Malësisë së Madhe. Këto lidhje familjare u vështirësuan pas pushtimit të Trieshit nga Mali i Zi. Pas këtij pushtimi një pjesë e madhe e trieshianëve ishin martuar me gra malazeze. Qëllimi kryesor i malazezëve ishte pushtimi i Kelmendit. Trieshi për malazezët ishte si një fortesë prej ku mund ta pushtonin këtë trevë strategjikisht të rëndësishme të Malësisë së Madhe. Në këto plane pushtuese bënte pjesë edhe Rusia. Kufiri midis këtyre dy trevave shqiptare u përforcua në vitin 1918, gjatë themelimit të Jugosllavisë së Vjetër dhe vazhdoi me këtë intensitet edhe në kohën e Jugosllavinë së Re. Kufiri midis Trieshit e Kelmendit ishte dobësuar në fillim të viteve 2000. Trieshi dhe Kelmendi kishin filluar bashkëpunimin dhe lidhjet familjare gjatë pushtimit italian. Për tri-katër vjet të kësaj periudhe u realizuan dhjetëra martesa mes Triershit e Kelmendit. Rojet kufitare të Jugosllavisë së Vjetër kishin bërë veprime çnjerëzore shumë herë edhe vrasje në zonat e kufirit, sidomos kundër atyre që kishin sjellë duhan kaçak nga Shqipëria. Jugosllavia e parë dhe ajo e dytë kishin ndërtuar 5 karakollë për kontrollin e kufirit midis Trieshit dhe Kelmendit. Nga viti 1948 e deri në vitin 1966, kur ra nga pushteti antishqiptari Aleksandër Rankoviq, kufiri midis këtyre vendeve ishte shumë i kontrolluar nga pala jugosllave. Këto masa drakonike në zonën e kufirit ishin zbutur pak prej vitit 1966 e deri në vitin 1981, kur shpërtheu Kryengritja e Kosovës.

Në këtë periudhë ushtarakët e lartë jugosllavë dërguan në këtë zonë një sllavo-maqedonas nga Manastiri. Natyrisht se ata kishin gjetur njeriun e tyre besnik për të shkatërruar moralin kombëtar e njerëzor të banorëve të Trieshit. Kjo bishë sllavo-komunist kishte poshtëruar Trieshin, duke vënë në veprim metodat më barbare, metoda për të cilat njerëzit në botën e qytetëruar dënohen me vdekje.

Për këtë horr kisha dëgjuar dekada më parë. Ky faqezi kishte vepruar edhe më keq se Vuçi Pasha në Koritë me Milicën e Markut, edhe më keq se ushtarët turq në Lemajnë në vitin 1911. Duke frikësuar popullin me gjithë ato armatime, dhe gjithë ata ushtarë ky e kishte poshtëruar Trieshin dhe nuk e kisha besuar këtë deri kur shikova dokumentarin e përgatitur nga Televizioni i Malit të Zi me titull: “Karakolli i Spasos” (Spasova Karaula). Nostalgjikët malazezë të Millosheviqit e kishin përgatitur këtë dokumentar për kullën e tij të rrënuar, ku i kishte bërë gjithë ato poshtërsi Spasovski. Pas një udhëtimi relativisht të gjatë nga Podgorica në Triesh ky ia kishte mësyrë për të pushuar shkollën “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” të Trieshit ku e kishte pritur e përqafuar drejtori i shkollës Zef Gjuravçaj. Ai e kishte quajtur këtë përbindësh mikun më të mirë (najboli prijatel) dhe kumar. Këto nderime të Zef Gjuravçaj shihen në dokumentar. Zef Gjuravçaj i kishte folur për mikpritjen dhe bujarinë e Trieshit. Spasovski ishte kryelartë për gjithë ato kumari në Triesh. Zef Gjuravçaj e kishte puthur e përqafuar këtë bishë si të kishte qenë vëllau i tij. Kur të shkruhet historia e Trieshit ky do të përmendet si poshtëruesi më i madh që kishte shkelur ndonjëherë tokën e Trieshit. Zotni Gjuravçaj dhe komandiri Spasovski kishin folur edhe për kumarinë e tij me trieshianët. Bëhet pyetja si mund të ishte kumar ky antishqiptar. Kush ishte ai meshtar që u kishte lidhë kurorë dhe në të cilën kishë e kishin celebruar këtë sakrament të shenjtë? Spasovski në atë kohë ishte ushtarak dhe komunist dhe si i tillë e kishte të ndaluar vajtjen në kishë. Ai kishte luajtur arushë me Trieshin.

Në dokumentar nuk kishte treguar shumë nostalgji për kumari, kishte reaguar më shumë dhimbje për karakollin e tij të rrënuar dhe për gurin e kufirit midis Trieshit e Kelmendit. Sillej rreth atij guri si të ishte guri i varrit të babait. Vallë mos ishte përgatitur ky skenar filmik qëllimisht për ringritjen e atij karakolli dhe përforcimin e kufirit shqiptaro-shqiptar. Sillej rreth piramidës së kufirit shumë i emocionuar. Ndërsa po shikoja ato skena m’u kujtua trimi i Kosovës Agim Ramadani. Ky dokumentar meriton titullin:” Spaso Spasovski i Trieshit versus Harvey Weinstein i Hollywoodit. Podgorica e kishte shpallur qytetar nderi për ato faqe të zeza që kishte bërë në Triesh. Dokumentari tregon se ky komandir i famshëm tani po kalon jetë rojtari me qenin e tij të zi, e me të drejtën duhej të ishte pas grilave për ato vepra barbare që kishte bërë në Trieshin tonë të dashur (autor i këtij shkrimi është Gjekë Gjonlekaj, isht gazetar i “Zërit të Amerikës”, aktualisht botues në New York).

Më poshtë dokumentari për karakollin dhe komandantin e tij Spasovski. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=1&v=hzhV38vpBgY

Disa nga aktivitetet në Shqipëri, pjesë e kalendarit turistik veror 2018

Aktivitetet janë pjesë e kalendarit turistik veror 2018, hartuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, me gjithëpërfshirje nga Jugu në Veri, në bashkëpunim me institucionet artistike në vend, TKOB, Teatri i Kukullave, Cirku Kombëtar, AQSHF dhe skenën e pavarur, që po i kthejnë skenat e hapuara të trashëgimisë dhe sheshet e qyteteve në skena artistike, në një komunikim të gjallë me publikun.

Ke nisur pushimet? Je në det, në mal, apo ke vendosur të vizitosh qytetet nme trashëgimi mijëra vjeçare? Kudo të jesh, Ministria e Kulturës ka menduar për pushimet e juaja. Për pushime të gëzuara me Art dhe Kulturë.

Mbrëmjet e verës mund ti kaloni duke dëgjuar Beatles, Morikone, Janis me Opera Jeans nga artistët e mrekullueshëm të TKOB-së, Durrës 13 korrik, ose mund të zgjidhni baletin “Monger” në Sarandë, 12 korrik, më mirë akoma të zbuloni fjalët magjike në Teatrin Antik me “Butrinti Summer Festival” deri më 14 korrik, mund të magjepseni nga instrumentet popullore të Zadrimës, në një natë të veçantë në Shëngjin, apo duke kërkuar ‘Kësulëkuqen’ dhe ‘Çufon’ , që zgjojnë fantazinë e fëmijëve në sheshet e skenës së hapur verore Shëngjin, Shkodër, Përmet, Korçë, Pogradec.

Keni mall veror të dëgjoni Bach, Beethoven e Mozart? Ju plotësojnë dëshirat virtuozët e Different Trains në 14 korrik Pogradec dhe 16 korrik, Berat, Muzeu Etnografik.

Edi Hila dhe Eleni Laperi janë të hapur për një bashkëbisedim me ju për transformimet e artit , 12 korrik, GKA.

Platforma Harabel ju mirëpret nën yje në tarracën e Pallatit të Kulturës, 13 korrik për të shijuar filmat e DOKUFEST;

Për ata që kanë vendosur të argëtoheni deri në mëngjes, eja në Fustanella DJ Party, në sokakët e Gjirokastrës, aty ku ndodh gjithçka dhe aty ku fliten të tëra… ose në sheshin më të bukur që mori jetë në Libohovë, për “Verë e Portokalle”.

Nëse nuk je ‘ndezur; akoma, atëhere bëhu gati për festivalet e javës që vjen, nga ato festivale që mund të quhen pa frikë, Festivale kategoria A:

-Festivali MULTIKULTUROR , Berat 19-21 korrik

-Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore në ‘Sokakun e të Marrëve’ 18-21 korrik

– ZÂ FEST Theth, 20-22 korrik

-KORÇA International Short Film Festival, 17-21 korrik

-MIK Festival, Korçë, 25-29 korrik

-Vera Kulturore Maqedonase, Pustec, 25-30 korrik

Kalendari përfshin rreth 70 shfaqje në zonat bregdetare nga Velipoja në Dhërmi, nga Shëngjini në Korçë, nga Shkodra në Ksamil./KultPlus.com

Sacha Baron Cohen kthehet në ekran, komediani britanik me serial të ri satirik

Sacha Baron Cohen, komediani britanik, i cili është tallur me Kazakistanin dhe Amerikën Qendrore dhe e satirizoi kompaninë e modës “Bruno”, është duke u kthyer në ekrane televizive, për herë të parë pas një dekade me një seri komedish në SHBA.

Kanali “Showtime” njoftoi që seriali me shtatë episode, “Who is America” do të transmetohet të dielën më 15 korrik në SHBA dhe në Britani në Channel 4, transmeton emisioni Express në KTV.

Në një trailer, ish-sekretari i mbrojtjes në SHBA-së, Dick Cheney, shihet duke nënshkruar diçka që është përshkruar si pajisje për ngufatje në ujë, dhe duke thënë, “se shpreson që javën e ardhshme dikush do të bëjë intervistë me të”.

Nuk ishte e qartë nëse Baron Cohen, 46-vjeçar, do të rikthejë alter-egon e tij të pacipë, Ali G., një reper i bardhë anglez, intervistat e të cilit me personazhe si Donald Trump dhe Newt Gingrich, filluan karrierën e tij si komedian rreth 20 vjet më parë.

Filmi i tij i vitit 2006, “Borat”, fitues i disa çmimeve, në të cilin ai e luan rolin e një raportuesi anti-semit nga Kazakistani që bashkëvepron me disa amerikanë të pavetëdijshëm se po i mashtronin, fitoi rreth 261 milionë dollarë në arkat filmike botërore. Projektet e fundit, përfshirë “The Ditactor” dhe “The Brothers Grimsby” kanë qenë më pak të suksesshme./KultPlus.com

Rama, May, Merkel e Erdogan në ankth për Kroaci-Angli, një video që nuk shikohet shpesh

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër, aty ku prej ditës së djeshme, janë mbledhur liderët e Ballkanit Perëndimor, dhe vendeve të BE-së për të diskutuar për integrimin dhe çështje të tjera.

Në një video të shpërndarë nga vetë Rama në Facebook, duket kryeministri shqiptar dhe liderët e tjerë evropianë duke ndjekur super sfidën Kroaci-Angli.

“Minutat e fundit”, shkruan Rama.

Në momentin që ka humbur Anglia, Rama ka ngushëlluar kryeministren britanike duke i vendosur dorën në shpatull dhe duke lëshuar dhe një batutë që ka shkaktuar të qeshura: “Kupa e Botës po vjen në Ballkanin Perëndimor. Të paktën bëre diçka për Ballkanin Perëndimor”– ka thënë Rama duke qeshur.

Pak minuta më vonë kryeministri Rama ka postuar një fotografi më presidenten kroate duke e cilësuar atë “Foton e ditës” në nder të fitores së Kroacisë në gjysmë finalen e Kupës së Botës./ gazeta dita

Të shërohesh me lexim, “Biblioterapia”, procesi që qetëson mendjen

Harrojeni jogën! Ka një terapi të re, e mbase edhe të vjetër njëkohësisht, që po gjen çdo ditë më shumë përdorim të gjerë në botë për qëllime terapeutike.

Quhet “Biblioterapi” dhe është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë të gjithë: të lexojmë!

Nuk ka nevojë për veshje të posaçme, për përgatitje, palestra, organizim të lodhshëm kohe. Librin e lexon kurdoqoftë.
Për herë të parë, “Biblioterapia” si term është përdorur në vitin 1916, në artikullin “Një klinikë letrare” të “Atlantic Monthly”.

Autori fliste aty për një institut “bibliopatik” të ndodhur në bodrumin e një kishe, e të drejtuar nga një person i quajtur Bagster, në të cilin leximi rekomandohej për vlerat shëruese, transmeton Top Channel.

“Biblioterapia është një shkencë e re”, thoshte Bagsteri. “Një libër, – arsyetonte ai, – mund të jetë stimulant ose sedativ, mund edhe të ngacmojë. Mund të jetë shurupi qetësues ose mustarda që djeg. Ai, me pak fjalë zgjon dhe përçon jetë të re në dejet tona”.

Sot “Biblioterapia” ka marrë forma të ndryshme, duke nisur nga kurset e literaturës në burgje, e deri te grupet e leximit për të moshuarit që vuajnë nga demenca. Ndonjëherë do të thotë seanca për ata që janë shkëputur prej kohësh e duan t’i rikthehen leximit, por mund të jetë mbase edhe më e thjeshtë sesa kaq.

Mjafton vetëm të uleni e të lexoni, për të mirën e mendjes dhe shëndetit tuaj. /KultPlus.com

‘Kur të shohin si grua të fortë, mendojnë që s’ke nevojë për asgjë’

Kur të shohin si grua të fortë mendojnë që ti nuk ke nevojë për asgjë dhe askënd, që mund të durosh gjithçka dhe të kapërcesh ato që të ndodhin. Që nuk të vjen keq pse nuk të dëgjojnë, nuk kujdesen apo nuk të duan. Kur të shohin si grua të fortë, të kërkojnë sepse i ndihmon të mbajnë kryqet e tyre. Të flasin dhe mendojnë që ti nuk ke nevojë të dëgjohesh.

Të qënit e fortë për një grua është zgjedhje.

Kur ke vënë gjithë zemrën dhe gjithë mendjen, dhe prapëseprapë zemër nuk gjete tek ata që të thoshin se të donin, të jesh e fortë është gjithçka që të mbetet. Kur në të përditshmen është dikush që gjithmonë beson tek ti, që ka nevojë tek ti, të jesh e fortë nuk është zgjedhje.

Të ndodhte që fëmijë. Ishe gjithmonë pika e referimit e atyre që kishe rrotull: një [erson I FORTE, ku të mbështeteshin, supi i kudondodhur për ato që donin të qanin. E tërheq këtë dënim prej kohësh, e dashur grua e fortë.

Kur të shohin si person të fortë duken të gjithë të autorizuar që të marrin nga ajo forcë jotja e jashtëzakonshme, por kjo është e tmerrshme. Kur je një grua që forcën e ke fituar vetë, ajo forcë është e vetmja gjë që të mbetet, dhe kush përpiqet të të marrë pak nga ajo forcë, edhe pa e ditur të bën keq.

Të qënit e fortë për një grua është detyrë ndaj vetes. Bukuria e një gruaje që ka prekur fundin dhe nga fundi ngrihet është e papërshkrueshme. Kanë një forcë të jashtëzakonshme gratë. Edhe pas të qarave të gjata dhe netëve pa gjumë, gjejnë gjithmonë mënyrën si të rifillojnë, dhe pas çdo fillimi të ri shfaqen të rilulëzuara.

Kur një grua e fortë ikën për një minutë, të gjithë e vënë re, por kur është aty, prania e saj është e zakonshme.

Të jetë e fortë. Pavarësisht gjithçkaje. Pavarësisht të gjithëve. Eshtë kjo forca e vërtetë e një gruaje të fortë.

Nderoni, respektoni dhe falënderoni gratë e forta në jetën tuaj. Kanë edhe ato nevojë të duhen dhe të përqafohen.

Studentët e huaj shijojnë aventurat e PISU-s në Prishtinë, mahniten nga “Shota” (FOTO)

Gili Hoxhaj

Nuk ka shumë ditë që Universiteti Ndërkombëtar Veror i Prishtinës ka hapur dyert e kampusit të Universitetit të Prishtinës, për të pritur studentë e profesorë nga vendi, rajoni e bota, shkruan KultPlus.

Brenda pak ditësh, studentët veçse ishin njoftuar me njëri-tjetrin. Studentë vendor e të huaj përgjatë dy javëve do të ndjekin rreth 15 kurse nga profesorë vendor e ndërkombëtar, ndërsa do të kenë mundësi edhe të njihen më shumë me kulturën e historinë e Kosovës, duke vizituar shumë nga vendet me rëndësi historike. Krahas këtyre, ata kanë nisur rrugëtimin e vizitave në Muzeun e Kosovës, Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, Memorialin e Jasharëve në Prekaz, Kalanë e Prizrenit, Xhaminë e Sinan Pashës, Galerinë Kombëtare të Kosovës, Kinemanë ABC e vende të tjera.

Të gjithë këta studentë e profesorë kishin zënë vend në Qendrën e Studentëve, për të ndjekur në çdo hap vallëzimin e “Shotës”. Valltarët e “Shotës” në veshjet e tyre përfaqësonin veshje të trevave të ndryshme shqiptare, duke u treguar atyre traditën e përbashkët të shqiptarëve, vajzat me shamitë e kuqe, e djemtë me plisin e bardhë u bënë përfaqësim i valleve të krahinave të ndryshme shqiptare.

Herë krah për krahë, e herë me lëvizje të shpejta të këmbeve e duarve, herë duke lëvizur duart poshtë e herë duke ngritur duart lart, ata bënë që publiku të ndjek ritmin e tyre nën buzëqeshje e duartrokitje. Që nga përfaqësimi i dasmës, vallëzimi me shpata në duar, e tek hapat e lehtë të “Bareshës”, ata përmbyllën vallëzimin e tyre nën koreografinë e valles “Festa e bashkimit”, nën ritmin e shpejtë të këngës “Xhamadani vija vija”.

Drejtori artistik i ansamblit “Shota”, Ylber Asllanaj tha se është kënaqësi që përmes punës së tyre të kontribuojnë që studentët e huaj të njoftohen me traditën shqiptare. Asllani për KultPlus u shpreh se përmes kësaj performance kanë përzgjedhur sa më shumë nga veshjet, këngët dhe traditat shqiptare.

“Prej gjërave më pozitive që mund të shohin tek ne është ansambli, tradita, kënga, vallja, veshja popullore. Jemi të lumtur që sonte e shijuan këtë mbrëmje. Për shkak të natyrës së performancës kemi zgjedhur një përmbledhje të koreografive te të gjitha trevave shqiptare, duke filluar prej jugut, Çamërisë e deri tek veriu i Shqipërisë. Ne preferojmë që gjithmonë ta përmbyllim me koreografinë “Festa e Bashkimit”, e cila si bazë muzikore e ka këngën më popullore shqiptare “Xhamadani vija-vija”, tregoi Asllanaj për KultPlus.

Në fund të valles, valltarët ftojnë publikun që t’i bashkohet atyre e të festojnë së bashku nën ritmin e këngës e valles shqiptare. Profesori Curt Youngs që vjen nga Iowa e SHBA-së, ishte një ndër të parët që iu bashkua atyre, duke ndjekur pa asnjë vështirësi hapat e valles. Ai tashmë vjen për të tetën herë në Prishtinë dhe për të pestën herë në Universitetin Ndërkombëtar të Prishtinës ndërsa thotë si gjithnjë e ndjen të njëjtën kënaqësi. Ai tha se nuk ishte fare i përgatitur të vallëzonte me valltarët por që e shijoi mjaft shumë këtë eksperiencë, posa mësoi t’i ndjek hapat e tyre.

“U kënaqa duke parë stile të ndryshme të fustaneve tradicionale shqiptare, këngë e valle të ndryshme nga treva të ndryshme shqiptare. Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme lidhur me kulturën shqiptare. Nuk isha i gatshëm të vallëzoja me valltarët por ishte një eksperiencë shumë e mirë momentin që mësova t’i ndjek hapat. Disa studentë vite më parë, ishin përpjekur që t’mi mësonin këta hapa por i kisha harruar”, u shpreh Youngs për KultPlus.

“Jam falënderues nga thellësia e zemrës që pata mundësinë ta shoh këtë performancë dhe këta valltarë tradicional, më bëri të ndjehem i lumtur dhe shumë emocional në të njëjtën kohë sa që më rrëshqitën ca lotë”, kështu u shpreh për KultPlus, studenti nga Gjermania, Daniel Simon pas performancës së ansamblit “Shota”.

Ai tha se vjen për herë të parë në Prishtinë, ndërsa më parë nuk kishte pasur ndonjë përshtypje për Kosovën, për të cilën thotë se ka dëgjuar përmes televizionit gjatë vitit 1999.

“Fillimisht kam mësuar për Kosovën përmes televizionit në vitin 1999 dhe më nuk kam pasur ndonjë informatë për këtë vend, kështu që është ndjenjë e jashtëzakonshme të vij dhe ta shoh se si është zhvilluar. Jam shumë i kënaqur me pritjen këtu”, u shpreh Simon për KultPlus.

Valerina Rugova nga stafi i Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, tha se ky edicion përfshin profesorë që vijnë nga Amerika, Kanadaja, Austria, Lituania, Egjipti, Polonia, Gjermania e Italia, ndërsa veçantia e këtij edicioni qëndron në faktin se janë të përfshirë edhe kurse nga fusha e mjekësisë dhe FSHMN-së, të cilat kanë munguar viteve të kaluara. Ajo shtoi se ky edicion ofron 4 workshope me profesorë nga Portugalia dhe Polonia.
“PISU është projekti me i madh i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. PISU është i hapur për të gjithë studentët vendor dhe ndërkombëtar. Si qëllim kryesor PISU ka që t’u ndihmoj studentëve të përfitojnë njohur prej metodave më të reja të ligjërimit dhe hulumtimit. Si dhe ka anën sociale ku bën bashkë studente nga vendi, regjioni dhe bota, pra u ndihmon të rinjve tanë që të krijojnë lidhje të reja me studentë e profesorë nga vende të ndryshme të botës”, u shpreh Rugova për KultPlus.

PISU 2018 do të vazhdoj me aktivitete të tjera deri më datën 20 korrik. /KultPlus.com

Çmimi “Teuta” i takoi shkrimtarit Nazmi Rrahmani

Ka përfunduar edicioni i 6-të i Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018”, i mbajtur në Gjakovë, Ulqin dhe në Krujë.

Dita përmbyllëse e manifestimit u mbajt në frymën e Vitit të Skënderbeut, me ç’rast Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA” në Krujë, iu nda shkrimtarit të mirënjohur nga Kosova, Nazmi Rrahmanit.

Pas Gjakovës dhe Ulqinit, dita e tretë e Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018” vazhdoi në Krujën e Skënderbeut duke filluar me hapjen e ekspozitës se fotografit shqiptaro-amerikan Aleks Selimajt “Motive nga Kruja e Skënderbeut”, në hollin e Bashkisë së Krujës.

Për peshën artistike të fotografisë së Aleks Selimajt, foli shkrimtari, aktori dhe regjisori i mirënjohur shqiptar Xhevat Limani, hulumtimet dhjetëvjeçare të të cilit rezultuan me poemën dramatike Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Fotografi Aleks Selimaj është një personalitet i cili ndau dritën nga terri, sepse te regjistrosh gjurmët e kohës për të mbetur në analet e historisë gjurmët e qëndresës së një populli duhet një shpirt i veçantë. I lindur në Plavë-Guci, si shumë të tjerë e deshi fati që në tokën e bekuar të gjej vendin për të realizuar talentin e vet, në SHBA. Sepse, syri i Aleks Selimajt është i veçantë dhe ai po shkon gjurmëve të fotografit shqiptar Gjon Milit, i cili la gjurmë të pashlyera në historinë e fotografisë botërore”, tha ai.

Kurorë e përvitshme e manifestimin letrar Muzat e Alpeve është Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA”, e cila kësaj radhe kaloi në duart e shkrimtarit të shquar nga Kosova Nazmi Rrahmani, duke e radhitur kështu krahas laureatëve të tjerë: Jevrem Berkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Moikom Zeqo dhe Miras Martinoviq, i cili ia dorëzoi Rrahmanit Çmimin e “Muzave të Alpeve 2018”.

“Çmimi “Teuta” dallon nga të gjitha çmimet e tjera, sepse për të nuk lobohet, atë nuk e kërkojnë shkrimtarët, por ai i kërkon shkrimtarët, gjegjësisht veprat e tyre. Nuk ka propozime të jurive klasike, por bordi i asociacionit propozon dhe për këtë votohet, kështu që s’mund të gabohet në përzgjedhje. “Teuta” është një çmim autentik i cili zgjedh shkrimtarët autentik dhe që të 6-të laureatët e tij kanë vepra autentike. Kështu ishte deri më tani dhe kështu do të jetë edhe tash e tutje”, tha Mirash Martinoviqi gjatë ndarjes së çmimit.

Ndërsa, Nazmi Rrahmani tha se Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA” sa është privilegj për të po aq është edhe detyrim, duke kujtuar kohërat e errëta në të cilat filloi karrierën si shkrimtar për t’u ngritur në njërin ndër emrat më të njohur dhe më të lexuar të letërsisë shqipe dhe më gjerë. / KultPlus.com

Talenti kosovar bën shqiponjën në Los Angelos (FOTO)

Arbër Dedaj një talent i rrallë nga Gjakova po e përfaqëson Kosovën në garat ndërkombëtare të Talentëve të Rinj që po mbahen në Los Angelos.

Arbri po shfaq një performancë të jashtëzakonshme të talentit të tij në disa aktivitete si në kitarë, lojëra tradicionale shqiptare, sfilatë të bukurisë e aktivitete të tjera. Gjatë manifestimit disa ditor talentë të rinj nga gjithë bota do të performojnë para një jurie ndërkombëtare duke shfaqur talentin dhe traditën kulturore të popullit të tyre, raporton Botapress.

Arbër Dedaj është fitues i disa garave ndërkombëtare ndërkaq pjesëmarrja në këtë garë me karakter botëror është edhe një dëshmi e talentit të tij dhe përfaqësim i denjë i kulturës shqiptare në një manifestim tradicional botëror./KultPlus.com

Rita Ora: Jam e nderuar nga përkrahja e vendit tim (FOTO)

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj ka takuar dje këngëtaren kosovare Rita Orën, me c’rast i ka dhuruar një dhuratë, ndërsa sot Rita Ora ka postuar fotografi nga ky moment ndërsa ka falënderuar kryeministrin Haradinaj, shkruan KultPlus.

“Faleminderit Kryeministrit të Kosovës për këtë mbrëmje të mrekullueshme organizuar të talentët e Kosovës. Faleminderit që më dhurove këtë simbol të bukur të Prishtinës, të quajtur “Hyjnesha në fron”. Unë jam shumë e nderuar dhe e përulur nga mbështetja e vendit tim” ka shkruar Rita në Instagram./ KultPlus.com

Modeli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ekspozohet në New York

Është hapur në MoMA në Nju Jork ekspozita që sjellë arkitekturën jugosllave të shpalosur në periudha të ndryshme.

Pjesë e ekspozitës është edhe maketa e Bibliotekës Universitare të Kosovës.

Ekspozita retrospektive mes tjerash ka sjellë edhe kiosqet e njohura të kohës së Jugosllavisë, pjesë edhe në Kosovë, K67.

MoMA – Muzeu i Artit Bashkëkohor në Amerikë ka hapur nga 15 gushti e deri 13 janar të vitit tjetër këtë ekspozitë, shkruan KultPlus.

Me mijëra kiosqe të tilla u shpërndanë nëpër tërë Jugosllavinë si një formë e re e arkitekturës së asaj kohe, edhepse nuk konsiderohet si një monument në vetvete.

7500 kiosqe të tilla u dizajnuan nga viti 1967 deri më 1999 nga slloveni Sasha Machtig. / KultPlus.com

(Foto: Patrisa Pruthi / Instagram)

Vij nga Amerika në Shqipëri, e lahem me orar

Nga Agim Xhafka

Çdo vit unë vij në Shqipëri. E marr parasysh udhëtimin e gjatë nga Amerika, lodhjen e shpenzimet, se dua të gjendem mes njerëzve të mi të gjakut, shokëve dhe miqve.

Shkoj te varrezat, te prindërit, bisedoj gjatë me ta, besoj që më dëgjojnë, rri me gocën, nipin, mbesën, të afërm e plot të njohur e ia mbath ca ditë nga Vlora deri në Sarandë. Ca ditë se më tepër nuk ia vlen. Stresohesh, acarohesh, grindesh, sëmuresh, tërbohesh e mund të shkosh në djall.

Unë nuk jam si ca të fandaksur që duan partinë mbi Shqipërinë. Këtë as e them, as e mendoj. Por, veten e dua, e dua shumë, edhe më tepër se Shqipërinë. Se një jetë kam që do e falja për njerëzit e mi, por për atdheun e sotëm kurrë.
Kjo Shqipëri nuk është e imja, ma kanë vjedhur e më kërkojnë haraç ata që pandehin se janë pronarë të saj. As 800 mijë banorë nuk ka Tirana e unë lahem me orar, se për të pirë ka vite e vite që ujin e blej. Krahasoj ajrin me të vendeve pranë, jo atyre të zhvilluara, e del që është 4 herë mbi normat e lejuara. Shoh grafikët e zhurmave dhe shigjeta në Shqipëri po i drejtohet hënës. Kryeqyteti ynë si një kapanon i madh, ku prodhon sëmundje e tret njerëz.

Plazhet pa drita, ose me voltazh që frigoriferi nuk ngrin gjë e kondicioneri vërtit ajrin e nxehtë. Derdhen në bregdet mutrat e gjysmës së kombit. Ia kanë mbathur edhe peshqit, e shumta gjen në breg ndonjë breshkë të ngordhur. Rrugët copë e gropë, bajpaset u transformuan në qendra fshatrash e qytetesh, ku ka veç qenë se njerëzit kanë marrë arratinë. Shyqyr diellit nuk i kanë menduar ndonjë rreng hë për hë.

Në këto kushte unë, i përmalluar për vendin, por i gjendur në grackën e tij, i thërras mendjes e iki me vrap kudo, veç Shqipëri mos quhet. Shkoj në Itali e pushoj si njeri, vete në Greqi e ndjej që zemra më zbutet, shpirti më qetohet. Shkoj në Mal te Zi e gjej rehati, arrij në Maqedoni e nxehem që as si ky vend nuk u bë Shqipëria ime.

Unë e dua veten, e dua shumë. Nuk më shkon ta them që e dua më shumë se vendin tim. Por kështu më del, se Shqipëria e ca njerëzve nuk i do shqiptarët. Na përbuz e na largon, nuk na ofron gjë. Ndaj unë iki e si Bajroni i këndoj këtij largimi, nxjerr dufin, trishtimin, inatin, por nuk qëndroj. Iki. / KultPlus.com

Revista “Islands” u sugjeron turistëve: Tirana, kryeqyteti më vibrues i Ballkanit

Revista e njohur në fushën e turizimit “Islands” i ka kushtuar një artikull kryeqytetit shqiptar, duke e renditur atë në krah të kryeqendrave botërore më trendi të turizmit, si Tajlanda, Kuba apo ishulli i Balit.

“Islands” thekson se Tirana është një nga kryeqytetet më të gjalla të Ballkanit. Ajo vijon të shkruajë se kryeqyteti është vibrues, i ri dhe me plot gjëra të cilat të bëjnë ta harrosh ndjesinë e mërzitjes.

Kjo revistë turistike përmend si pika atraktive sheshin “Skënderbej”, xhaminë e Et’hem Beut, Operën, Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Historik, Galerinë e Arteve dhe Bllokun, duke e cilësuar këtë të fundit si një vend “cool”.

Më poshtë, shkrimi “Tirana, qyteti që nuk fle kurrë”

Ngjyra, muze dhe lokale që të heqin trurin… Kështu i mirëpret vizitorët e saj Tirana. Shqipëria cilësohet si “Zbulimi i Vitit” dhe qëndron krah Kubës apo ishullit të Balit.

Një qytet vibrues, i ri dhe plot me gjëra për të bërë dhe për të parë, ku vështirë se mërzitesh ndonjëherë. Tirana është një nga kryeqytetet më të gjalla të Ballkanit. Turi nuk mund të nisë nga ndonjë vend tjetër veç Sheshit “Skënderbej”, i rikonstruktuar së fundmi dhe kushtuar Heroit Kombëtar, i cili në vitet 1400 mbrojti Shqipërinë dhe Perëndimin nga sulmet e perandorisë Osmane.

Si për ironi të fatit, dy hapa larg statujës së Skënderbeut është xhamia e Et’hem Beut, më antikja në Tiranë, dhe një prej ndërtesave fetare më të rëndësishme. Në shesh ndodhet edhe Opera, Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu Historik, brenda të cilit ilustrohet historia e Shqipërisë, që nga Paleoliti e deri në Komunizëm.

Tirana është e pasur me Muze dhe Galeri Arti, të cilat ia vlen t’i përfshish në itinerarin e udhëtimit. Nuk mund të humbisni as vizitën në Bunk’Art, e vendosur brenda një bunkeri anti-atomik, që ripërshkruan historinë moderne të qytetit, nga pushtimi italian e deri në rënien e komunizmit, shkruan Gazeta Dita.

Pasi të hyni mirë në qytet, nuk mund të mos e bëni një shëtitje nga Blloku, lagja ku gjatë regjimit komunist mund të futeshin vetëm ata që kishin lidhje me nomenklaturën. Sot Blloku, është vendi më “cool” në Tiranë, me bare dhe restorante.

Shteti i Kosovës nuk ia ka kthyer me të njëjtën monedhë përkujdesjen Nexhmije Pagarushës

E njohur për zërin e saj, për përfaqësimin më dinjitoz që i ka bërë Kosovës edhe në kohën e ish Jugosllavisë por edhe më vonë, shteti i Kosovës nuk ia ka kthyer me të njëjtën monedhë përkujdesjen këngëtares së madhe kosovare Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

Së fundi ajo ka pësuar një aksident ku për pasojë është dashur të kërkojë edhe trajtim mjekësor.

Kurse për të parë nga afër gjendjen e Nexhmije Pagarushës ka shkuar ta vizitojë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, por Qeveria të cilën e udhëheqë ai, pensionistët po i trajton njësoj sikurse qeveritë e mëhershme të Kosovës, e aq më pak të kenë një tretman më të veçantë figurat që kanë dhënë shumë për këtë vend. Nëse dikush meriton përkujdesje nga shteti për gjithë çfarë ka bërë për këtë vend, ajo është padyshim Nexhmije Pagarusha, për të cilën të gjithë krenohen, por në këtë mes mungojnë veprat shtetërore të cilat krenarinë do duhej ta shprehnin ndryshe e jo vetëm me fjalë.

KultPlus nëpërmjet burimeve ka mësuar se Nexhmije Pagarusha ka një pension prej vetëm 158 eurove, me të cila paguan edhe një grua që të përkujdeset për të gjatë pesë ditëve të javës, pasi që, këngëtarja e njohur jeton e vetme.

Se meriton një përkujdesje shtetërore, një propozim i tillë ka qarkulluar qysh nga periudha e Titos, por premtim që nuk është realizuar asnjëherë, sikurse që nuk është realizuar as në periudhën e fundit.

KultPlus poashtu mëson se Nexhmije Pagarusha ka edhe një honorar nga RTK, si bashkëpunëtore e jashtme e këtij televizioni.

Ajo jeton prej vitesh e vetmuar në një banesë të vogël në Prishtinë, gjithmonë duke i munguar një kujdes i veçantë çfarë edhe e meriton. Shteti i Kosovës ndonëse nuk ju gjend asnjëherë pranë për ndihmë, por vetëm kur u desh të thurin lavde, të paktën në këtë moshë të shtyrë, kur ajo ka nevojë më shumë se asnjëherë për kujdes, të bëjnë më shumë në këtë aspekt.

Një vendbanim pranë natyrës, aty ku më së shumti do t’i flinte shpirti, me njerëz përreth që do të kujdeseshin për të e ta shoqërojnë në çdo hapë që ajo hedhë, do të ishte më e pakta që mund të bëjë shteti për atë e cila me vite të tëra i bëri krenarë shqiptarët e zëri i saj i shoqëroi në momentet më të bukura të jetës.

Medaljet nuk i kanë munguar as nga shteti i Kosovës e as nga ai i Shqipërisë, madje ajo së fundmi është dekoruar edhe me medalje nga Presidenti i Amerikës, Donald Trump, por para së gjithash asaj po i duhet përkujdesje. / KultPlus.com



23 vjet nga masakra e Srebrenicës, varrosen eshtrat e 35 viktimave

Ekspertët ende po gërmojnë viktima të reja të fshehura në varre masive anëembanë Bosnjës Sot shënohet 23 vjetori i masakrës së Srebrenicës, masakër kjo që konsiderohet më e rënda qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Në këtë përvjetor u bë edhe varrimi i eshtrave të 35 burrave e djemve të masakruar në korrik të vitit 1995, të shpërndarë përreth fshatit që është bërë sinonim i brutalitetit të luftës në Bosnjë në vitet 1992-1995. Eshtrat e identifikuara së fundmi u varrosën pranë varrezës massive, e cila tanimë mban 6.575 viktima të gjetura në të kaluarën.

Srebrenica ishte një vend i mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, i populluar me shumicë myslimane që ishte rrethuar nga forcat serbe gjatë luftës. Trupat serbe të udhëhequra nga Ratko Mlladiq pushtuan enklavën, duke ndarë meshkujt nga femrat dhe fëmijët, dhe duke ekzekutuar rreth 8 mijë burra e djem brenda pak ditëve. Ekspertët ende po gërmojnë viktima të reja të fshehura në varre masive anëembanë Bosnjës. Shumë nga trupat janë ndarë, duke groposur eshtrat e njëjta në disa vende të ndryshme, për të fshehur këtë krim lufte, andaj ekspertët e kanë të vështirë pasi duhet të bashkojnë eshtra të një trupi që i gjejnë me kilometra larg njëra tjetrës, shkruan rtv21.

Ish komandanti serb Ratko Mlladiq është dënuar nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime të luftës me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për organizimin e barbarizmave serbë që lajnë 100 mijë boshnjakë të vdekur.

Dastid Miluka së shpejti me ekspozitë në Tiranë

Dastid Miluka është piktori i njohur shqiptar, që jeton dhe krijon në Bruksel, ndërsa së shpejti do të kthehet me një ekspozitë në Tiranë, shkruan KultPlus.

Miluka përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se do të prezantoi rreth 21 punime në Tiranë.

Dastid Miluka po kthehet në vendlindje me këtë ekspozitë, derisa punimet e tij plot kolorit e herë bardhë dhe zi, kanë shëtitur galeritë e ndryshme të botës. / KultPlus.com

Pse s’duhet ta harrojmë Srebrenicën?

Mohimi i gjenocidit të Srebrenicës duhet të marrë fund, autorët e pa gjykuar dhe të gjykohen dhe nxënësit e shkollave duhet të mësojnë për të vërtetën e masakrave të korrikut 1995, thotë Dunja Mijatoviç, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut e Këshillit të Europës.

Shkruan: Dunja Mijatovic, Komisionere për të Drejtat e Njeriut e Këshillit të Europës.

Çdo 11 korrik që nga viti 1995, qindra njerëz janë mbledhur në Qendrën Përkujtimore në Potocarit për të përkujtuar gjenocidin e Srebrenicës, krimi më i tmerrshëm i kryer në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të mbijetuarit dhe familjet e viktimave kërkojnë drejtësi, njohje dhe respekt.

Brenda pak ditësh atë korrik të 23 viteve më parë, më shumë se 8,000 djem dhe burra u ekzekutuan sistematikisht dhe brutalisht dhe 30,000 njerëz u zhvendosën me dhunë.

Që atëherë, të afërmit e viktimave – dhe në veçanti, nënat që kanë humbur bashkëshortët, djemtë, vëllezërit – kanë nisur një rrugë të gjatë dhe të guximshme drejt drejtësisë dhe njohjes.

Përgjatë kësaj rruge, ata kanë gjetur disa standarde. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka vendosur se në Srebrenicë u krye gjenocid dhe dënoi disa nga kriminelët e luftës që e organizuan dhe morën pjesë në të. Dhe organizatat bazë po kapërcejnë pengesa të mëdha për të nisur rrugën e gjatë drejt pajtimit.

E gjithë kjo mbart një rëndësi të madhe, por mbetet ngushëllim i vogël për të mbijetuarit e gjenocidit dhe familjet e viktimave.

Ata kërkojnë të gjejnë të dashurit e tyre, por procesi i ngadaltë i identifikimit i shkakton atyre vuajtje shtesë. Ata kërkojnë kujdes shëndetësor për të trajtuar traumën e tyre dhe marrin terapi nën standard. Ata kërkojnë përgjegjësi, por shumë kriminelë lufte janë ende të lirë dhe të pandëshkuar. Ata kërkojnë njohje, por vuajtja e tyre shpërfillet, mashtrohet ose mohohet.

Kjo e fundit është sigurisht një nga gjërat më të egra që ata kanë qenë të detyruar të durojnë gjatë periudhës pas gjenocidit. E megjithatë ata kanë gjetur forcën për të vazhduar luftën e tyre për të vërtetën dhe drejtësi, pavarësisht nga mohimi dhe minimizimi i gjenocidit, të cilin e shohim po ndodh edhe në arsim.

Shkollat monoetnike dhe sistemi “dy shkolla nën një çati” ende karakterizojnë arsimin në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai karakterizohet gjithashtu nga injoranca e së kaluarës dhe manipulimi i fakteve rreth luftës së fundit.

Një situatë e tillë përjetëson ndarjet etnike, të cilat bënë të mundura tensionet aktuale dhe ato të kaluara dhe pengojnë pajtimin dhe paqen. Ne duhet ta ndryshojmë këtë.

Viktimat civile të gjenocidit të Srebrenicës duhet të marrin mbrojtje adekuate sociale dhe ndihmë juridike të përmirësuar për të siguruar të drejtat e tyre dhe për të marrë dëmshpërblime.

Autoritetet politike dhe gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Serbi duhet të përmirësojnë bashkëpunimin e tyre për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë, duke identifikuar dhe ndëshkuar kriminelët e luftës.

Ata gjithashtu duhet të investojnë më shumë në identifikimin e të gjithë viktimave të gjenocidit dhe të sqarojnë fatin e atyre që mbeten të zhdukur. Ata duhet të shtojnë kërkimin për varre masive dhe të sigurohen që dëshmitarët që mund të zbulojnë informacione të nevojshëm për të identifikuar të gjithë vendet e tjera ku janë varrosur kufomat të ndihen të sigurt për ta bërë këtë.

Qeveritë dhe vendimmarrësit duhet të miratojnë politika largpamëse që krijojnë përgjegjësi dhe përqendrohen në arsim. Kjo duhet të bëhet një përgjegjësi e përbashkët, kryesisht për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Serbinë, por edhe për vendet e tjera europiane, jo vetëm në ish-Jugosllavi.

Sistemet e arsimit në rajon duhet të bëhen më përfshirëse. Ata duhet t’i nxjerrin brezat e rinj nga shpellat e paragjykimit në të cilat realitetet e prodhuara turbullojnë të vërtetën dhe përhapin farën e urrejtjes.

Librat shkollorë, jo vetëm në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, por në të gjithë Europën, duhet të përfshijnë një dëshmi objektive të gjenocidit të Srebrenicës, duke e portretizuar atë pa konotacione politike ose etnike. Ata duhet të edukojnë për të kaluarën, të edukojnë për të zbutur mitet, të edukojnë për drejtësinë dhe barazinë për të gjithë.

Vendet europiane duhet të ofrojnë më shumë mbështetje për nismat bazë për pajtim. Ata gjithashtu duhet t’i bëjnë më shumë presion politikanëve dhe figurave të tjera publike në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë për të ndaluar mohimin e së kaluarës dhe për të ndërtuar sisteme dhe shoqëri arsimore gjithpërfshirëse.

Ashtu si holokausti dhe gjenocidi në Ruanda, gjenocidi i Srebrenicës nuk ishte një aksident. Ai nisi shumë kohë para se të ndodhte.

Ai filloi kur qeniet njerëzore u veçuan për shkak të përkatësisë së tyre etnike. U rrit me një diskutim publik, të nxitur nga disa media, të cilat i dehumanizuan ato dhe margjinalizuan zërat kritikë. Ai mori formë në shfarosjen sistematike dhe industriale të një grupi të madh njerëzish, nën sytë e një komuniteti pasiv ndërkombëtar. Dhe vazhdon sot, me mohimin dhe mosndëshkimin.

Gjenocidi i Srebrenicës shënoi një nga faqet më të errëta të historisë europiane. Nëse duam të shkruajmë një të ardhme më të ndritur, duhet të kujtojmë atë që ka ndodhur dhe t’i trajtojmë të gjitha viktimat si viktima, pa konotacione politike ose etnike.

Duhet të pranojmë vuajtjet e të mbijetuarve dhe të familjeve të viktimave. Ne duhet ta bëjmë luftën e tyre për drejtësi qëllimin tonë.

Si Komisionere për të Drejtat e Njeriut, unë do të vazhdoj të kërkoj drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të ndodhura gjatë luftërave në Ballkan. Vetëm duke i shërbyer drejtësisë mund të përballemi të gjithë me të kaluarën dhe ta parandalojmë përsëritjen e saj./ KALLXO.com

“Britania akoma po flet” sjellë Alketa Xhafa Mripën me një video interesante

Artistja Alketa Xhafa Mripa ka realizuar një video pothuajse 6 minuta si pjesë e “Britani akoma po flet”, një kundërpërgjigje ndaj instalacionit të saj “Mirësevini refugjatë” të realizuar në vitin 2016, shkruan KultPlus.

“Britania akoma po flet” është një projekt për të cilin artistja akoma është duke punuar. Regjinë e ka bërë Roberto Duque, ndërsa është mbështetur nga Counterpoints Arts. Përderisa, Rachel Elderkin, Lydia Mckenzie, Kassi Jameson, Thomas Higginson dhe William John Banks janë valltarët të cilët i janë bashkuar artistes Xhafa.

“Kam ardhur në Britani në vitin 1997 nga Kosova. Jam shumë me fat që kam ardhur në këtë vend në një kohë kur ai ishte mikpritës ndaj refugjatëve, sikurse unë. Është shumë e vështirë për këdo që lë rehatinë e shtëpisë së vet, jo nga zgjedhja por si pasojë e dëshpërimit dhe nevojës për të mbijetuar. Më është thyer zemra duke parë pamjet e fundit të cilat shpalosin krizën e refugjatëve përgjatë Evropës… dhe për këtë arsye ka qenë veçanërisht e rëndë të shihen qëndrimet e ashpra të britanikëve kundrejt refugjatëve”, është një pjesë e përshkrimi të dhënë në këtë video të publikuar.

Artistja me instilacionin e saj në kamion “Të mirëpresim refugjatët”, përreth Britanisë vitin e kaluar, ftoi publikun që të hynte brenda kamionit që të pinin qaj së bashku me refugjatët. Kjo hapësirë, e siguruar përmes instalacionit, inicio dhe frymëzoi një bisedë shumë të nevojshme në lidhje me këtë temë.

Kjo krijoi një platformë të sigurt për shoqërinë britanike dhe për të gjithë ata që ndjehen si në shtëpi në Britani, që të ndajnë mendimet e tyre duke treguar solidaritet dhe mikpritje nga britanikë për refugjatët, përkundër asaj që thonë mediat.

Këtu barten shënimet, ndjenjat, mendimet dhe fjalët e disa njerëzve pas BREXIT…ku edhe sot “Britania akoma flet”…/KultPlus.com

Kryeministri Haradinaj viziton Nexhmije Pagarushën, e quan shembull të forcës njerëzore (FOTO)

Këngëtarja e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, është liruar nga spitali, pas një aksidenti që kishte pasur mbrëmë në shtëpi, ndërsa mënjherë është vizituar nga kryeministri Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, Anita Haradinaj, shkruan KultPlus.

Më poshtë po ju sjellim postimin e plotë të kryeministrit.
Janë disa njerëz që çdo gjëje i japin shkëlqim dhe jetën e bëjnë më të bukur. E tillë është ikona e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha.

Bashkë me Anitën, e vizituam sot në shtëpinë e saj tek po merr trajtim mjekësor pas një lëndimi dhe i uruam shërim të shpejtë.

Bylbyli i muzikës shqiptare ishte gjithmonë shembull i forcës njerëzore përballë sfidave dhe ajo do t’ia dalë edhe kësaj herë, me sukses.