Kushtuar Istref Begollit

Në varrin e aktorit
(I.Begollit)

Ngadal pikë shiu i së dielës
Si me lotë nga sytë e qiellit
Njërin të dashur vajton, në heshtje:
Pllaka e mermert me emrin e tij
Dritëson nga pikat e sermta
Të cilat herë herë pikojnë nga gjethet
E mështeknes , përkulur motërsisht
Mbi vetmitarin e madh.
Pelegrin nga larg, përshëndes
Hijen e tij, ajo më falet
Nga shiu, nga gjethi, nga vjeshtë lulet,
Nga perdja e zezë e dheut.

Një të diele , të hirt me shi…
Musa Tullari

Qeveria miraton projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës

Me anë të një komunikate për media, TERMOKISS ka treguar se është arritur një sukses nga Qeveria e ka cila ka miratuar projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës.

Kjo është komunikata në tërësi e TermoKiss.

TERMOKISS konfirmon: Qeveria miraton projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin e ri “PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM DHE KËMBIM TË PRONËS SË PALUAJTSHME TË KOMUNËS” ku Neni 7, paragrafi 3 cekë se pronat komunale mund të jipen nga komunat për organizatat e shoqërisë civile në periudhë afatshkurtër me qëllim të përmbushjes së interesit të përgjithshëm. Kjo procedurë do të rregullohet me akt nënligjor nga Qeveria, ashtu siç Termokissi ka kërkuar me kampanjën #Mundësipërkrejt. Ky projektligj pritet të miratohet edhe nga Kuvendi i Kosovës dhe më pas të hyjë në fuqi.

Ligji i mëparshëm nuk ofronte mundësi dhe qasje të barabartë për të gjithë personat e interesuar në shfrytëzimin e një prone komunale, meqenëse i vendoste pronat në ankand, ku personat që ofronin çmimin me të lartë e merrnin edhe pronën në shfrytëzim, proces i cili përjashtonte entitetet jo-fitimprurëse. Projektligji është përpiliuar fillimisht nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ndërsa sot është miratuar nga Qeveria e Kosovës. Projektligji dallon nga i kaluari pasiqë përfshinë një proces të veçantë për shoqërine civile, në të cilin kriter kryesor nuk është çmimi më i lartë i ofruar, por interesi i përgjithshëm.

Kampanja jonë #Mundësipërkrejt, ka synuar prej fillimit që të eliminojë shumë prej këtyre pabarazive në shfrytëzimin e këtyre pronave, duke sugjeruar një proces më gjithpërfshirës. Kjo iniciative u mbështet nga ma shumë se 60 organizata jo-qeveritare, gjë që vërtetoi se ka nevojë të madhe për një ligj të tillë. Miratimi i tij nga Qeveria e Kosovës, që merr parasysh edhe entitetet jo-fitimprurese, shënon me sukses hapin e radhës drejtë implementimit të një ligji që ofron qasje të barabartë në prona komunale e publike.

Për më shumë detaje mundeni me vizitu www.mundesiperkrejte.org

Sinqerisht,

Komuniteti Termokiss

Shpërthimi i një shkrimtari për Anton Çettën

Poeti Isa Bytyqi, kushtuar Anton Çettës

Nuk due bronze mâ
por edhe vetëm nja
qi n’tokën teme
duhet me u bâ,
m ‘ n’goni,
o shqyptart e mi
n’krye t’oxhakut
Anton Çetta
ven’in e kâ!

Humanisti shqiptar Anton Çetta do të mbahet mend për kontibutin e tij të madh që e dha në pajtimin e gjaqeve mes shqiptarëve.

Letra e vetëvrasjes së shkrimtares së njohur

Nga: Virginia Woolf (letra e shkruar para aktit të vetëvrasjes, dedikuar burrit të saj, Leonard Woolf)

Përktheu Elona Caslli

Jam e sigurt se do të çmendem përsëri. E ndiej se nuk mund t’i përballojmë edhe një herë kohët e tmerrshme. Dhe unë nuk mund të bëhem më mirë kësaj radhe.
Kam filluar të dëgjoj zëra dhe nuk mund të përqendrohem. Ndaj do të bëj gjënë më të mirë. Ti më ke dhënë lumturinë më të madhe që mund të ekzistojë.

Ti ke qenë gjithçka që një Njeri mund të jetë. Unë besoj se dy njerëz nuk mund të kishin qenë më lumtur derisa kjo sëmundje e tmerrshme u shfaq. Unë nuk mund të luftoj më gjatë.

Unë e di se po e dëmtoj jetën tënde dhe pa mua ti mund të punosh. Dhe e di se do të punosh. E sheh as ta shkruaj siç duhet këtë letër nuk ia dal dot. Dua vetëm të të them se lumturia e jetës sime është falë teje.

Ti ke qenë tejet i duruar me mua dhe jashtëzakonisht i mirë. Dua të ta them këtë – kushdo e di. Nëse dikush do të mund të më shpëtonte ai do të ishe ti.
Gjithçka është larguar nga unë veçse siguria për mirësinë tënde jo. Nuk mendoj se dy njerëz mund të jenë më të lumtur nga sa ishim ne. / KultPlus.com

Sadije Agolli: Kur u martova me Dritëroin

“E shtunë , vesha fustanin e bardhë; Kisha zgjedhje edhe kostumin kombëtar, por ishte mjaft i ngarkuar dhe rëndonte shumë. Unë isha 54 kg dhe benevrekët më rrinin të mëdha. Ai ishte një kostum popullor i trashëguar, që kalonte nga një nuse te tjetra. Më përgatitën dy gra, duke më lyer fytyrën me sarikan.

Por ajo ishte tepër e fortë për lëkurën time të bardhë, me cipë të lëmuar e tejet të bardhë ,lëmuar vetëm me ujin e ftohtë të çezmës. Kështu lëkura u acarua dhe u skuq vende-vende dhe vetëm me fasho prej lecke të lagura me ujë të ftohtë u kthye në gjendjen e mëparshme. Dasmën e bëmë në oborrin e shtëpisë sonë , vilë e bukur dykatëshe, me shumë lule, me dy selvi të larta, me një portë të madhe e të rëndë druri.

Ishin ftuar tërë të afërmit ; isha fëmija e parë në shtëpinë tonë të madhe me dhjetë fëmijë, 5 djem e 5 vajza, që mbarova shkollën e lartë. Dritëroi erdhi në dasmë me të vëllain, Tajarin, dhe një kushëri nga Devolli, Njazimi. Dritëroi ishte shumë i gëzuar, pak i trullosur e i ndrojtur, ndoshta nga respekti që tregonin njerëzit e mi , pasi po martohesha me një gazetar e shkrimtar.

“Pjesë nga ditari i Sadijes, 4 korrik 1965” .

Për ta mbyllur

Poezi e shkruar nga Derek Walcott

Jetoj mbi ujë,
vetëm. Pa grua e as fëmijë.
I kam notuar rreth e qark çdo mundësie
për të arritur tek kjo:
një shtëpi të vogël mbi ujë të hirtë
me dritaret komplet të hapura
detit te bajatshëm. Disa gjëra nuk i
zgjedhim ne,
por jemi ajo çfarë kemi bërë.
Vuajmë, vitet kalojnë, lejmë
shumë gjëra rrugës, me përjashtim të nevojës
për të mbartur barra. Dashuria është një gur
që ka zënë vend ne fund të detit
nën ujin e hirtë. Tashmë, nuk i kërkoj asgjë
poezisë, veçse çka është e vërtetë:
asnjë mëshirë, asnjë famë, asnjë lehtësim.
Nuse e pazë,
ne mund të ulemi ndenjur për të parë ujin
e hirtë,
dhe në një jetë të tejmbushur
me mediokritet e plehurina
të jetojmë si shkëmbinj.
Do e harroj dëgjimin,
do e harroj dhuntinë time. Është më e rëndë dhe e vështirë,
kjo, sesa ajo çka atje i thonë jetë. / KultPlus.com

Sislej Xhafa: Veprat e mia nuk më takojnë mua, mbaj distancë prej tyre

Alberina Haxhijaj

Sislej Xhafa përmbylli projektin e tij “Të dua pa e ditur” duke shpalosur detaje të këtij projekti, projekteve të mëparshme por edhe detaje të projekteve që tashmë janë në realizim e sipër, shkruan KultPlus.

Sislej Xhafa gjatë tërë ditës dje ka prezantuar në lokacione të ndryshme projektin e tij të titulluar “Të dua pa e ditur” e që përbëhej nga “Bazeni më dymbëdhjetë kitrra”, “Bilbili” dhe “Lepuri i bardhë”, projekt i cili u përmbyll sot me pjesën “Lepuri i Zi”, në Kino Armata.

“Lepuri i zi” ishte në fakt një bashkëbisedim në mes të kuratorit Jerome Sans dhe artistit, por edhe të pranishmeve, rreth gjithë krijimtarisë së artisti duke u fokusuar te projekti “Të dua pa e ditur”.

Artistit ka filluar projektin e tij të quajtur “Të dua pa e ditur” në Pejë, prandaj fillimisht bisedoi për vendlindjen e tij dhe për veprën “Lost and Found”.

“Pikërisht këtë veprën e kam vendosur në atë lokacion pasi që njerëzit duhet që të ecin dhe të ngjitën nëpër Shtegun e Shëndetit dhe pas një ecje të gjatë e të bukur në mes të asgjëje gjejnë veprën ‘E humbur dhe e gjetur’”, theksoi artisti.

Gjatë ecjes mund ta humbësh vetën apo ta gjesh dhe siç thotë edhe artisti në këtë rast natyra dhe vepra së bashku bëjnë një kombinim të përkryer.

Por, Peja dhe pikërisht vendi afër Bazenit krijon edhe një lidhshmëri me fëmijërinë e artistit i cili pikërisht aty kujton momente nga fëmijëria e tij duke u larë në ujin e Lumëbardhit.

“Vepra që kam zgjedhur “Lost and found” është një pjesë kyqe pasi që thekson kompleksitetin, sidomos tragjedinë në të kaluarën dhe tranzicionin e tashëm, si dhe mundësin për tu rishëruar dhe ecur përpara edhe pas humbjeve që kemi pasur gjatë luftës. Njerëzit nga Kosova duhet që të shohin paqe”, thekson artisti i cili shpreh se veprën e ka vendosur në mes të natyrës pasi që pikërisht natyra i jep asaj edhe dimension të ri.

Mirëpo përderisa vepra “Lost and Found” është mishëruar me natyrën në Pejë dhe me pamjen e maleve të Rugovës, në Prishtinë artisti ka bërë të kundërtën. Ai ka sjellë natyrën në qytet, saktësisht në Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke thyer murin dhe duke ju ofruar të pranishmëve që të shohin disa lopë brenda një hambari.

“Kur kam filluar që të punoj për herë të parë për këtë projekt ka ndodhur para se të flas me Artën (drejtoreshën e galerisë së Kosovës), për një ekspozitë në Zvicër ku zgjedhën disa projekte dhe unë fillova që të mendoj se çfarë të dërgojë. Pas vitit 1999 ka pasur katastrofa njerëzore por edhe në agro-kulturë, pasi që ne jemi edhe një shoqëri që në thelb ka agro-kulturën. Sidoqoftë, projekti im konsistonte në atë që pasi Zvicra dhe Gjermania e ndihmuan Kosovën aq shumë në agro-kulturë të dërgoj disa lopë nga Kosova në Zvicër për të vizituar të afërmit e tyre”, u shpreh ai.

Tutje ai theksoi se një ndër sfidat më të mëdha ishte dërgimi i lopëve nga Kosova në Zvicër e që kërkonte procedura të shumta dhe kontrolle.

“Pas disa kohëve kuptuam se projekti për shkak të vështirësive në realizim, pasi që unë këmbëngulja që lopët të ishin nga Kosova, nuk funksionoi. Meqenëse lopët vinin nga Kosova dhe kishin mbetur në Kosovë ishte shumë e rëndësishme që ta bëjë këtë pjesë dhe t’ia paraqisja audiencës në Kosovë”, shprehet artisti.

Duke biseduar për këtë projekt ai vazhdon tutje: “Kjo pjesë është për ata që nuk janë nëpër institucione por për të tjerët, për një fëmijë i cili mbase do e shoh veprën përmes televizorit dhe do i thotë babit të tij “unë i kam parë lopët”, dhe nëse e kam arritur këtë kjo më bënë të lumtur”.

E për faktin se puna e tij në një mënyrë apo tjetrën ngjallë pyetje për vendlindjen e artistit apo lidhet me të, sikur një lloj melodie që e përcjellë pas, artisti thotë: “Nuk kam si t’i shmangëm”.

Sislej Xhafa i cili jeton në New York, u shpreh se këtë e bënë për shkak të ndërtesave të larta dhe pamjes që ka qielli atje ku çdo gjë është e madhe dhe të bënë të ndihesh i vogël, lehtë për tu fshehur dhe për të humbur.

Pikërisht këtë, të fshihet, e kërkon edhe artisti i cili zgjohet shumë herët për të krijuar projekte të reja, të cilat i krijon në zyrën e tij, e që është brenda dollapit të rrobave.

Një studio e cila është shumë intime për të e që nuk e kanë parë as kuratorët të cilët për vite kanë punuar më artistin. Kështu përgjatë viteve studio e artistit është shndërruar çdo hotel, çdo stacion treni apo çdo vend tjetër, në të cilin ai ka ftuar njerëz të ndryshëm për të diskutuar për punë.

“Unë dëshiroj të bëjë të kundërtën, nuk kam asgjë kundër artistëve të cilët janë të dhënë pas shkëlqimit apo dritave por unë bëjë të kundërtën. Mendoj që është shumë më mirë që të investoj në veten time, të jem i padukshëm dhe kur të kem diçka, ta vë atë në pah dhe të kthehem përsëri në strehën time”, u shpreh ai.

Për veten e tij ai shprehet se është artist i cili i takon “Renesancës së shëmtisë”. Gjithë kjo pasi që bota po kalon nëpër momente të cilat janë të shëmtuara, e ndaj të cilave artisti nuk mund të jetë indiferent pasi që sipas tij të jesh indiferent dhe të veprosh si hipokrit ndaj asaj që ndodh nuk është zgjedhje. Prandaj ai është çdo herë duke sfiduar veten dhe duke vënë në pyetje realitetin.

“Gjithmonë përpiqem ta sfidoj vetën time dhe kur mendoj për veprat e mia asnjëherë nuk jam i lumtur dhe më pëlqen të distancohem nga ato. Veprat e mia më nuk me takojnë mua por i takojnë publikut dhe dëshirojë që të mbajë distancë prej tyre”, shprehet ai.

Sislej Xhafa po ashtu theksoi se për të ka rëndësi shumë hapësira dhe shfrytëzimi i hapësirës, diçka që mundohet ta bëjë çdo herë. Por kur vjen puna te politika, “Unë nuk jam politikan”, thekson artisti i cili beson se politika është arti i të folurit dhe arti është një politikë e eksperiencave.

E tillë, ndoshta mund të konsiderohet edhe vepra “Again and Again” të cilën artisti tregon që filloi ta mendoj gjatë kohës sa ishte në Kosovë, vite më parë.

“Vepra flet për fuqinë ndërsa muzika është melankolike dhe është e kundërt me pamjen çka sjellë bilancin e përkryer. Jam shumë i lumtur që më është mundësuar të prezantohet në Kuvend dhe është një veprim shumë i guximshëm nga qeveria pasi që është një pjesë shumë e fuqishme në të cilën besoj”, u shpreh ai.

Artisti diskutoi edhe për veprat e tij të tjerat të cilat në një mënyrë apo tjetrën sikur kanë mbishkrimin “Made in Kosovo”, prapa tyre. Duke përfshirë edhe veprën e tij të ardhshme “Ooo booo booo doli peshku”.

Në të artisti ka përfshirë edhe një incizim të realizuar pikërisht në Kino Armata, nga një grup studentesh. Incizim në të cilin dëgjohen duartrokitjet e tyre. / KultPlus.com

Thënie nga Michelle Obama që të gjithë duhet t’i lexojnë, sidomos femrat

Michelle Obama nuk është vetëm bashkëshortja e ish presidentit amerikan Barack Obama. Ajo është një avokate shumë e suksesshme, por njëkohësisht edhe një oratore mjaft e mirë, cilësi e cila është vënë re edhe gjatë fjalimeve politike të zgjedhjeve të fundit presidenciale në Amerikë.

Kaq e vërtetë është kjo, saqë në komentet e fjalimeve të saj në YouTube mund të lexoni shpesh edhe fjali të tipit : “Nëse ti do të garoje për presidente, vota ime do të shkonte për ty”.

Ndërkohë, në këtë material ne duam t’ju sjellim disa prej thënieve të saj më të mira që kanë për t’ju mbetur gjatë në mendje për shkak të “peshës” që kanë.

“Suksesi nuk ka të bëjë aspak me sasinë e lekëve që fiton, por me ndryshimin që ti bën në jetën e të tjerëve”.

“Ti duhet të shkosh në shkollë. Ti duhet të shkosh në kolegj. Ti duhet të diplomohesh me patjetër, sepse nëse ka diçka që njerëzit nuk mund ta marrin dot prej teje, ai është edukimi yt. Më beso që ia vlen çdo investim për edukimin tënd”.

“Le ta pranojmë tashmë. Meshkujt e fortë, ata që ia vlejnë t’i kesh idhuj, nuk e ulin një femër për t’u ndjerë vetë të pushtetshëm. Njerëzit që janë vërtetë të fortë, i ndihmojnë të tjerët të rriten bashkë me ta”.

“Nuk ke pse ndryshon për të qenë e rëndësishme. Ti je e rëndësishme ashtu siç je, pa ndryshuar gjë nga vetja”.

“Gjej dhe rri me njerëz që të bëjnë të ndihesh mirë”.

“Unë nuk i loja orët e mësimit. Më pëlqente shumë të merrja nota maksimale. Më pëlqente të isha e zgjuar. Mendoj se të jesh e zgjuar është gjëra më e bukur në botë”. / KultPlus.com

Bjen kushtrimi që ngjallë jetën, e latë pezull Anton Çettën

Nue Oroshi

Vendimi i Institutit Albanologjik të Prishtinës për mos aprovimin e kërkesës së Këshillit Organizues për vendosjen e lapidarit të profesor Anton Çettës para objektit të Institutit Albanologjik në Prishtinë, ka shqetësuar miliona shqiptarë pa dallim feje, krahine apo ideje. Ka shqetësuar mbarë shqiptarët atdhetarë që i thonë bukës -bukë e ujit-ujit, përveç shqipfolësve pansallavisto aziatikë të cilët tash janë duke punuar që Kosovën ta drejtojnë drejtë shkrepave të Anadollit.

Njëri ndër këta shqipfolës është edhe drejtori aktual i Institutit Albanologjik të Prishtinës njëfarë Hysen Matoshi. Ky piun i rrjetit famëkeq talibanesk të Kosovës tash e tregoj fytyrën e vet të vërtetë. Edhe pse dihet botërisht se ky vendim vetëm është nënshkruar nga ky farë drejtori sepse është marrë krejt diku tjetër dhe nga persona krejt të tjerë. Opinioni i gjerë duhet ta dijë se mjetet për ngritjen e lapidarit të profesor Anton Çettës janë ndarë nga Institucionet e Kosovës, lapidari është i gatshëm por për momentin është i lënë pezull nga forcat e errëta pansllavisto- aziatike, të cilët e kanë okupuar Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe janë duke luftuar për një orientim kundër Evropian të Kosovës.

Është brengosës fakti se edhe pse Komuna e Prishtinës ka dhënë fillimisht leje për vendosjen e lapidarit të profesor Anton Çettës para Institutit Albanologjik, kryetari i tashëm i Prishtinës Shpend Ahmeti, është tërhequr nga vendimi i tij pas ankesës që ka bërë Instituti Albanologjik në krye me Hysen Matoshin për anulimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për moslejimin e shtatores së profesor Anton Çettës para Institutit Albanologjik. Me këtë kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka bërë një gabim të pafalshëm për anulimin e këtij vendimi. Ai duhet ta rikthej vendimin e parë në fuqi, dhe këshilli organizues i vendosjes së përmendores së prof. Anton Çettës ta shpejtoj procedurën e vendosjes së lapidarit të profesor Anton Çettës në vendin e vetë para Institutit Albanologjik. Anton Çetta pajtimtari i kombit shqiptarë sot është lanë as në tokë dhe as në qiell.

Shqiptarët e Anton Çettës janë ndarë në dy taborre. Ata që e duan ngritjen e lapidarit të profesor Antonit para Institutit Albanologjik, si dhe ata që e kundërshtojnë ngritjen e përmendores së profesor Antonit. Është fatkeqësi se në të njëjtën kohë kemi shqiptarët e orientimit Evropian që duan profesor Anton Çettën, dhe ata të orientimit pansllavisto-aziatik që nuk e duan profesor Anton Çettën. Me këtë e them lirisht se nuk ka mbetur pezull lapidari i profesor Anton Çettës por pezull ka mbetë orientimi Evropian i shqiptareve në Kosovë, orientim që dita – ditës është duke e humbur drejtimin e tij dhe është duke u mjegulluar. Për këtë veprim të këtij farë drejtori duhet reaguar menjëherë Ministria e Arsimit konkretisht Ministri Shyqeri Bytyqi duhet urgjentisht ta bëj pezullimin e këtij drejtori.

Këtë çështje duhet ta merr në shqyrtim në mënyrë urgjente edhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili në mënyrë urgjente duhet që t’i kërkon raport me shkrim vartësit të tij në Ministrinë e Arsimit Shyqeri Bytyqit,e jo ti lëshoj mjete me shuma të larta dhe të paparashikueshme pikërisht personit që e kundërshton lapidarin e Anton Çettës para Institutit Albanologjik siç beri ditë më parë këshilltari i Kryeminstrit Haradinaj, Jahja Lluka duke përkrahur një drejtor të tillë të dhunshëm dhe duke quar dëm mjete të shumta në Vitin Jubilar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Prandaj këtu nuk është mbetur gjë tjetër përpos faktit se Këshilli Organizues duhet të jetë këmbëngulës, për vendosjen e lapidarit të profesor Anton Çettës duke u bazuar në vendimin fillestarë që ka lëshuar Komuna e Prishtinës dhe kryetari i saj Shpend Ahmeti, i cili më vonë nga presionet që ju bënë nga forcat e errëta u dashtë ta anuloj vendimin e tij. Kurse shqiptarët pa dallim feje, krahine apo ideje të dalin të organizuar dhe në mënyrë masive ta vendosin lapidarin e profesor Anton Çettës para Institutit Albanologjik.

S’ka rrugë tjetër sepse organet e dhunshme të këtij Instituti nuk lëshojnë pe në veprimet e tyre të shëmtuara dhe nuk kanë respekt fare për veprimtarinë studiuese, atdhetare, humane dhe pajtimtarë që bëri profesor Anton Çetta. Ah profesor i nderuem Anton! Në vitet e nëntëdhjeta kur të pata marr në intervistë ndër të tjera me pate thënë se kur të hiqet mjegulla leht do ta kemi. Të gjithë kemi menduar ashtu por fare nuk doli e vërtetë. Pushtuesit osman dhe ata pansllavist na i lanë kopilat e tyre të cilët sot janë duke e lënduar çështjen shqiptare dhe e kanë sjell deri në buzë kapitullimi, por shpejtë do t’iu vjen fundi, se ende ka djem nënash shqiptare qe do ti dalin zot tokës arbërore. / KultPlus.com

Elita 5 vjen me “Tornado” (VIDEO)

Rok grupi i njohur Elita 5, të cilët erdhën në tregun shqiptar në fillim të viteve të ’90 e që ende mbesin ndër grupet më të preferuara në vendet shqipfolëse, sapo kanë publikuar këngën e re të titulluar “Tornado”, shkruan KultPlus.

Kënga vjen e shoqëruar me një videoklip të veçantë i cili është realizuar nga Max Production.

Teksti i këngës është shkruar nga Avni Qahili.

Ndryshe, grupi Elita 5 ndër vite kanë sjellë hitet si “Al Kapone”, “Çmendem”, “Çka më ka syri”, “E urrej shiun” e shumë të tjera./KultPlus.com

Anton Çetta meriton më shumë se një bust te Instituti

Nga Gjon Keka

Dielli me emrin Anton Çetta e ka vendin te Instituti aty ku ai dha kontributin e tij.
Madje ai meriton më shumë se një bust, duhet të ketë Institut me emrin e tij të madh etj etj.

Vetëm errësirës i pengon Dielli kur ndriçon.
Por, dielli do të jetë aty para Institutit ku ai la pasurinë e tij të veprës deshën apo nuk deshën ata që duan t’i ngritin vetes Buste në të ardhmen.

Jam i lumtur o Diell i Dardanisë me emrin e madh Anton që ta kushtova në atë vegjëlinë time një vepër modeste për kontributin tënd të madh. Faleminderit që ke punu në hapjen e syve të popullit tonë për ta dashtë njëri-tjetrin e jo urry. / KultPlus.com


Markle po thyen barrierat në stilin e veshjes në familjen mbretërore

Ngadalë dhe me hapa të sigurt, Meghan Markle, po thyen barriera në stilin e veshjes në familjen mbretërore.

Të paktën kështu e konsiderojnë kritikët e modës. Dukesha e Sussex-it në paraqitjen e radhës përkrah bashkëshortit Harry, kishte vendosur ta vesh një fustan me prerje klasike por me ngjyrë të verdhë të ndezur. /KultPlus.com

Rahoveci së shpejti me teatër funksional

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka pritur në takim Këshillin nismëtar për themelin e teatrit të qytetit në Rahovec, me të cilët ka biseduar për përkrahjen institucionale dhe për hapat të cilët duhet merren për themelimin e teatrit.

Pjesë e këshillit janë: Shpejtim Kastrati, aktor; Valmira Hoti aktore; Halil Selmanaj, skenarist/regjizor; Florent Pista, piktor; Naser Dula, profesor i muzikës; Agron Sokoli, aktor; Avni Morina, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit si dhe Ervin Hoxha, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Sport dhe Rini, transmeton Koha.net.

Bëhet e ditur se Latifi anëtarëve të Këshillit iu premtoi përkrahje institucionale duke thënë se Rahovecit i ka munguar teatri, “por besoj në gjithë anëtarët e këshillit që shumë shpejtë ky teatër të jetë funksional, kurse përkrahja në këtë pikë nuk do të mungojë”.

“Anëtarët e Këshillit thanë se do të kryejnë punën me përgjegjësi të plotë dhe presim që teatri të jetë funksional shumë shpejtë. Bartës i të gjitha përgjegjësive për themelimin e teatrit janë Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Drejtoria Komunale e Arsimit”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Restaurohet edhe një ndërtesë e Trashëgimisë Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit (FOTO)

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka vazhduar edhe këtë vit restaurimin e ndërtesave të Trashëgimisë Kulturore. Njëra ndër to është edhe shtëpia e familjes Puka, përcjellë KultPlus.

Shtëpia e familjes Puka gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, respektivisht në zonën e tetë (Zona e banimit sipas trendeve aktuale të ndërtimit) sipas Planit të Konservimit dhe Zhvillimit për Qendrën Historike të Prizrenit. Ndërtesa gjendet në lagjen e vjetër të ashtuquajtur Qafa e Kishës, e rrethuar me ndërtesa të banimit individual.

Shtëpia i takon tipit të banesave të mbyllura me kat, me fasadën ballore të orientuar kah oborri perëndimor. Ka planimetri drejtkëndëshe, e ndërtuar në përdhes dhe kat.

Si rezultat i vjetërsisë së ndërtesës, mungesës së ndërhyrjeve konservuese, shtëpia është vlerësuar në gjendje të keqe fizike dhe rrezikohej nga dëmtimet e mëtutjeshme.

Problemi kryesor ishte depërtimi i lagështisë nga struktura e amortizuar dhe e dëmtuar e kulmit, deformimi i strukturës së mureve dhe depërtimi i lagështisë nga toka.

Pas vlerësimit të dëmeve dhe hartimit të projektit për gjendjen ekzistuese dhe ndërhyrjet konservuese në ndërtesë, janë implementuar ndërhyrjet e restaurimit të pjesshëm, me ç ‘rast janë kryer këto punë: Shtangimi i strukturës së mureve dhe formimi i skeletit metalik mbajtës të konstruksionit të kulmit; Rindërtimi i strukturës së kulmit me të gjitha elementet përcjellëse; Restaurimi i nyjës sanitare duke përfshirë edhe ndërhyrjet dhe instalimet e reja; Restaurimi i murit jugor; dhe restaurimi i tavanit të çardakut.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë të mbështes projektet të cilat kanë për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e Trashëgimisë sonë Kulturore./KultPlus.com

Komuna e Vushtrrisë nderon figura të çmuara që dhanë kontribut për çështjen kombëtare

Komuna e Vushtrrisë do të nderojë qytetarë të saj, figura të çmuara që kanë dhënë kontribut të madh për çështjen kombëtare. Ndër ta është Avdyl Uka, mërgimtar që jeton në Suedi dhe anëtar i kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “ Papa Klementi XI Albani” në Suedi, përcjellë KultPlus.

Një delegacion i kësaj shoqate, i kryesuar nga kryetari Hysen Ibrahimi, u prit sot në një takim të veçantë nga kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. Me këtë rast, Tahiri theksoi nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë me anëtarët e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” dhe me mërgimtarë të tjerë në Suedi, siç tha ai, për të marrë përvojën e mirë të Suedisë për zhvillimin e komunës. Kohëve të fundit, Xhafer Tahiri kishte vizituar qytetin Vezjo të Suedisë dhe tha se është shumë i rëndësishëm këmbimi i përvojave dhe zhvillimi i projekteve për qytetin që ai e drejton.

Tahiri, çmoi punën e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, në veçanti përkushtimin e kryetarit Hysen Ibrahimi, për gjithë kërkimet që ka bërë për kontributin e shqiptarëve dhe i ka botuar në librat e Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi. Më këtë rast, Hysen Ibrahimi i dorëzoi Tahirit vëllimin e nëntë të Thesarit Kombëtar, i cili ka dalë këtë vit dhe librin “Monument dashurisë së përflakur për atdhe”, të autores Hyrë Tejeci Murati, i cili është një përmbledhje e 9 vëllimeve të Thesarit Kombëtar. Tahiri shprehu përkrahjen e tij për kulturën dhe krijimet që vijnë sidomos nga mërgata shqiptare.

SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, me përkrahjen e shumë mërgimtarëve në Suedi, i ka propozuar kryetarit të komunës së Vushtrrisë që vepra e Avdyl Ukës të shënohen me një pllakë historike në shtëpinë e Avdyl Ukës, ku ai ka bërë historinë duke mbrojtur pragun e shtëpisë dhe familjen e tij në një përballje të drejtpërdrejtë me pjesëtarë të policisë serbe në vitin 1991, të asaj historie vepër kjo e cila parandaloj policinë serbe të futej nëpër shtëpitë shqiptare. Historia e familjes Uka është e shkruar në librin e vetë Avdyl Ukës “Mbrojtja e pragut të Shtëpisë”, pastaj në librin Thesar kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi dhe në shumë vepra të tjera të autorëve shqiptarë në Suedi.

Xhafer Tahiri tha se do t’i përmbushë më shumë përkushtim këto kërkesa dhe do të evidentohen edhe familje dhe raste tjera në Vushtrri, ku do të vendosen pllaka të ngjashme me përmbajtje historike. Dhe Avdyli në vitin 2020 do të shpallet Nderi I Qytetit për Vushtrri.

Vitin e ardhshëm do të mbahet një manifestim më i gjerë, ku do të jenë në qendër martirët e Studimës, tha Tahiri, ndërsa anëtarët e SHSHASH janë të ftuar specialë të kësaj ngjarje tha ai. Ndërkaq, Hysen Ibrahimi bëri të ditur se në vëllimin e nëntë të Thesarit Kombëtar një kapitull i veçantë i është kushtuar 117 martirëve të Studimes dhe familjeve të tyre.

Hysen Ibrahimi vlerësoi mikpritjen që iu bëri kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri. “Kam vizituar shumë zyra të presidentëve, të kryetarëve, kryeministrave, por, nuk më ka ndodhur të shoh që një kryetar komune, të heqë derën e zyrës dhe të mbajë atë hapur për secilin qytetar. Transparenca për qytetarin është gjëja më e mirë për një drejtues institucioni”, tha Ibrahimi.

Në vizitën e sotme te kryetari i Vushtrrisë, bashkë me Hysen Ibrahimin, ishin edhe përfaqësues tjerë të SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, si: Bajram Muharremi, Avdyl Uka, Adem Ahmeti, Adnan Jetullahu dhe Lulzim Meholli, si dhe Fadil Uka nga Vushtrria. /KultPlus.com

Edi Hila në bashkëbisedim me Eleni Laperin

Galeria Kombëtare e Arteve ka organizuar një bashkëbisedim të hapur për publikun mes artistit Edi Hila dhe studiueses së artit Eleni Laperi, përcjellë KultPlus.

Në këtë bashkëbisedim, folësit do të diskutojnë më gjerë për ekspozitën e parë retrospektive të Edi Hilës, si edhe për veprimtarinë e tij artistike gjatë dy kohëve në Shqipëri, periudhës komuniste dhe asaj post-komuniste.

Edi Hila dhe Eleni Laperi do të bashkëbisedojnë më datë 12 korrik duke filluar nga ora 20:00, pranë Sallës së Ekspozitave të Përkohshme, sallë në të cilën është çelur ekspozita Piktori i Transformimit. Ekspozita, e cila u çel më datë 24 maj dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 29 korrik, është një projekt i përbashkët midis Galerisë Kombëtare të Arteve (Tiranë), Muzeut të Artit Modern (Varshavë) dhe Koleksionit Kontakt (Vjenë), nën kurimin e Joanna Mytkoëska, Kathrin Rhomberg dhe Erzen Shkolollit.

Edi Hila (Shkodër, 1944) është artist bashkëkohor shqiptar. Ai u diplomua nga Instituti i Lartë i Arteve në Tiranë (1967), dhe ka kryer një formim profesional si skenograf pranë stacionit televiziv të Firences. Kontakti me muzetë si dhe pikturën rilindase do të kishte në të ardhmen një ndikim të rëndësishëm në punën e Hilës, ndërsa në vitet 90-të qëndrimi i tij estetik do të ndikohej nga vëzhgimi i jetës dhe realitetet e transformimit të Shqipërisë post-komuniste. Seritë më të rëndësishme të tij përfshijnë Paradoks (2000-2005), Marrëdhëniet (2002-2014), Kërcënimi (2003-2009), Objekte anash rrugës (2007-2010), Penthouses (2013), Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit (2015) dhe Tenda mbi Çatinë e Makinës (2017). Ai ka ekspozuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Jeton dhe punon në Tiranë.

Eleni Laperi (Tiranë, 1949) është studiuese arti dhe kuratore. Ajo u diplomua për pikturë nga Instituti i Lartë i Arteve në Tiranë (1972). Është ndër themeluesit e revistës PamorART, botim i Galerisë Kombëtare të Arteve (G.K.A.), kryeredaktore e saj (1999), si edhe nismëtare e Programit të Edukimit në G.K.A. (2000). Laperi është autore e artikujve mbi artin shqiptar, e librave dhe përkthimeve mbi artin dhe kulturën. Së fundmi, Laperi është duke kryer një studim mbi autorin Kolë Idromenon, themelues i pikturës realiste shqiptare dhe mbi zhvillimin e artit shqiptar nga viti 1883 deri më 1945. U zgjodh Kryetare e Bordit të Galerisë Kombëtare të Arteve në vitin 2018. Jeton dhe punon në Tiranë. / KultPlus.com

Pianistja Anila Aliu, fituese e Çmimit Special të Chopin Piano Fest Prishtina

Çmimi Special i festivalit pianistik Chopin Piano Fest Prishtina tashmë është çmim tradicional i festivalit që i ndahet një pianisti/pianiste të re, ndërsa fituesja e dytë e këtij çmimi është pianistja Anila Aliu, shkruan KultPlus.

Ky Çmim ndahet me mbështetjen e Dr. Herbert Groeger nga Bad Honnef/Salzburg në bashkëpunim me pianisten Ardita Statovci, e cila ishte iniciatore për organizimin e këtij Çmimi special në vitin 2017.

Juria e përcaktuar për edicionin e sivjetmë të Çmimit ishte Ardita Statovci, Gotliewb Wallisch dhe Klevis Gjergji të cilët pas vlerësimit të performancave kanë zgjedhur fituese pianisten Anila Aliu.

Anila Aliu mëson piano në Shkollën e Muzikës në Gjilan tek prof. Visar Osmani me të cilin edhe aktualisht përfundon shkollimin e Mesëm – drejtimin Interpret Muzikor- Piano.

Sukseset e saja filluan qysh nga paraqitjet e para skenike. Në garën “Pianisti i Ri”, që nga viti 2009 mori vende të para dhe çmime absolute duke kulmuar me çmimin “Solist- Interpret me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës” dhe çmimin “Pjesëmarrje në garat ndërkombëtare në Kaunas të Lituanisë”.

Koncerti me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës u realizua me shumë sukses në vitin 2012, ndërsa në vitin 2015 ajo përfaqësoi Kosovën (“Pianistin e Ri”) në Lituani ku fitoi çmimin e III-të dhe u ftua të interpretoj në natën finale në të njëjtin grup me përfaqësuesit e rangut më të lartë nga Rusia dhe Estonia.

Padyshim, sukseset në garën “Pianisti i Ri” i hapën dyert drejt sukseseve tjera dhe zhvillimit të karrierës së saj pianistike. Gjithashtu në garat “ARS Kosova”, Anila u shpërblye me vende të para. Pjesëmarrja në gara vazhdoi edhe jashtë vendit si në: Barletta- Itali, Epta- Tiranë, “Pjetër Gaci”- Shkodër, Polihymnia- Shkup,
International Competitions- Gjevgjeli, në të cilat u vlerësua me çmime të para dhe absolute./KultPlus.com

Dashuroj tek ti

Poezi nga Nazim Hikmet.

Dashuroj tek ti
aventurën e anijes që shkon në drejtim të polit
dashuroj tek ti
guximin e lojtarëve të zbulimeve të mëdha
dashuroj tek ti gjërat e largëta
dashuroj tek ti të pamundurën
hy brenda syve të tu si në një pyll
plot me diell
e i djersitur, i uritur, i tërbuar
kam pasionin e gjahtarit
për të kafshuar në mishin tënd.
Dashuroj tek ti të pamundurën
por jo dëshpërimin.

Zbulohen pjesëmarrësit e ‘Sarajevo Talents’ 2018

Janë shpallur 61 talentët e rinj që këtë vit do të jenë pjesë e programit Sarajevo Talents në kuadër të Festivalit të Filmit në Sarajevë.

Edicioni i 12-të i Sarajevo Talents ka edhe tre pjesëmarrës nga Kosova.

May-Linda Kosumoviq, Dritëro Mehmetaj dhe Fisnik Maxhuni kësisoj kanë triumfuar në aplikimin e fuqishëm në këtë program.

May-Linda është përzgjedhur në kategorinë e aktoreve ku janë pranuar vetëm 12-të pjesëmarrës, ndërsa Mehmetaj dhe Maxhuni do të jenë pjesë e grupit të regjisorëve.

May-Linda Kosumoviq është aktore e njohur nga Kosova. Ajo ka luajtur në “A month”, “Lost Exile”, “Të mjerët”, “Cold November” dhe në projekte tjera filmike e teatrale.

Fisnik Maxhuni ka marrë pjesë në disa festivale brenda dhe jashtë Kosovës.

Dritëro Mehmetaj është regjisor i filmit “Trilemma”, shkruan KultPlus.
398 aplikime këtë vit erdhën në kuadër të programit Sarajevo Talents. Festivali i Filmit në Sarajevë fillon me 10 e mbaron me 17 gusht. / KultPlus.com

Qeveria miraton koncept dokumentet për Trashëgiminë Kulturore, të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta

Sot, në mbledhjen e Qeverisë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka propozuar për miratim dy koncept dokumente: atë për Trashëgiminë Kulturore si dhe atë për Ndërmjetësimin e Kontesteve në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta.

Ministri Gashi tha se “Ruajta dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore mbetet prioritet i MKRS-së dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Hartimi i koncept dokumentit për trashegeminë kulturore është paraparë në planin vjetor të punës së Qeverisë si dhe në kuadër të listës së koncept dokumenteve për vitin 2018. Mbrojta dhe ruajta e pronave, objekteve dhe vlerave të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe përcaktimi i masave ligjore dhe teknike për invertarizim, hulumtim, dokumentim, përzgjedhje, konzervim, restaurim, administrim, prezantim dhe promovim të trashëgimisë kulturore në pajtim me kartat, konventat dhe instrumentet e tjera ndërkombëtare, është përcaktuar edhe në strategjinë kombëtare për trashëgiminë kulturore tha Ministri Gashi.

“Aprovimi i këtij dokumenti hap rrugë për të punuar në hartimin e ligjit të ri për Trashëgimi Kulturore si një nga prioritetet tona për avancimin e kornizës ligjore të Trashëgimisë Kulturore dhe përmbushje e obligimeve për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO” ka thënë ministri Gashi.

Gjithashtu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim edhe me palët tjera te interesit ka hartuar Koncept Dokumentin për Ndërmjetësimin e Kontesteve në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta i cili për qëllim ka harmonizimin e këtij dokumenti me Ligjin Nr. 04/L-065, si dhe Ligjin Nr. 050/L-047 mbi plotësim- ndryshimin e Ligjit Nr. 04/L-065 për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

Aprovimi i këtij koncept dokumenti, mundëson nismën për hartimin e Rregullores për Ndërmjetësimin e Kontesteve në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta. / KultPlus.com

Këtu rrinte me qira për disa vite një shkrimtar i njohur shqiptar

Kjo është godina ku ka jetuar për 10 vite me radhë një emër i madh shqiptar.

Dritarja që duket në foto është pikërisht dhoma e lirikut Lasgush Poradeci. Është vajza e tij Maria e cila publikon këtë foto bashkë me një propozim të mikut të saj: “që te kjo godinë në Graz të mund të vihet një pllakatë ku të shkruhet: “Këtu, në vitet 1924-1933, ka banuar POETI I MADH SHQIPTAR LASGUSH PORADECI, i cili kurorëzoi studimet e tij në Graz duke marrë titullin Doktor Profesor në Filologji”.

KOMENTI I PLOTË I MARIE LASGUSH PORADECIT:

Para disa ditësh kur publikova shkrimin “Bisedë me babanë tim Lasgushin”, miku im Resul Jusufi i cili ndodhej në Graz, kish bërë një foto shtëpisë ku Lasgushi ka ndenjur me qira për rreth 10 vjet, të cilën ma dërgoi dhe e falenderoj. Dhe pikërisht dritarja që duket, është dhoma ku rrinte Lasgushi. Miku im Resul Jusufi më propozoi diçka shumë interesante që te kjo godinë në Graz të mund të vihet një pllakat ku të shkruhet: “Këtu, në vitet 1924-1933, ka banuar POETI I MADH SHQIPTAR LASGUSH PORADECI, i cili kurorëzoi studimet e tij në Graz duke marrë titullin Doktor Profesor në Filologji”. M’u duk ide e mrekullueshme, po duhet të interesohemi për procedurën. Kush di diçka mund të na e thotë, e mirëpresim.

Eliza Hoxha – ‘Qyteti Satelit: Prishtina – Kujtesa dhe e ardhmja’, një rrugëtim nëpër vitet e 90-ta

Alberina Haxhijaj

Eliza Hoxha kësaj radhe nuk ka ‘provokuar’ dikë. Dje ajo ka mbajtur në kryeqytetin kosovar masterklasën ‘Qyteti Satelit: Prishtina – kujtesa dhe e ardhmja’ duke udhëtuar bashkë me audiencën nëpër vitet e 90’.

Masterklasa erdhi si pjesë e prezantimeve dhe diskutimeve publike që organizohen në kuadër të projektit “Shikimi nga brenda dhe shikimi nga jashtë” që ka për qëllim shqyrtimin e kujtesës kolektive dhe historike të viteve 90’ në Kosovë.

Heqja e autonomisë së Kosovës në vitin 1989 për shqiptarët nënkuptoi të qenit të përjashtuar nga puna, edukimi dhe informimi. Me këtë rast shqiptarët e Kosovës krijuan sistemin paralel të edukimit dhe shëndetësisë nëpër shtëpitë private të tyre, financuar nga 3% i taksave në të ardhurat e shqiptarëve përgjithësisht nga diaspora. Përderisa qyteti u bë shtëpi për serbët e rinj, për shqiptarët shtëpia u bë sinonim për qytetin.

Vitet e 90’ kanë një rëndësi shumë të veçantë për kosovarët, një mënyrë mbijetese, një formë proteste, solidaritet me njëri tjetrin dhe sigurisht kujtime të cilat nuk duhet harruar. Jo çdo herë është e lehtë që gjërat të mbesin në mendje dhe të mos harrohen e sidomos kur ato nuk dokumentohen. Prandaj është e rëndësishme të pasurit të një kujtese kolektive dhe dokumentimi i këtyre rrëfimeve të ndryshme.

Pikërisht vitet e 90-ta kanë lënë gjurmë në artisten Eliza Hoxha e cila si temë në Bienalen e Arkitekturës sivjet zgjodhi pikërisht këto vite, duke u fokusuar te shtëpitë-shkolla.

“Shtëpia u bë shkollë, restorant, vend promovimi, zyrë, galeri arti, spital dhe shtëpi në të njëjtën kohë. Ky këmbim dhe kjo shkrirje e privates me publiken, e të hapurës dhe të mbyllurës, privatësisë dhe transparencës ndikoi në tipologjitë e banimit në njërën anë dhe mentalitetin kulturor në anën tjetër”, u shpreh ajo.
Kujtojmë se Pavijoni i Kosovës ka qenë një shtëpi, jashtë së cilës janë parë tullat e kuqe ndërsa brenda muret e saj kanë qenë të veshura me pasqyra. Pasqyra – si mjet për të reflektuar mbi veten tonë por edhe si barriera, ndërsa kulmi ka qenë i mbuluar me satelitë. Satelitët shihen nga artistja si mjeti kryesor që ka shërbyer për tu informuar por edhe si një lloj trageti për të ditur se cilat në fakt janë shtëpitë e shqiptarëve.

“Të privuar nga media dhe informimi, familjet shqiptare blenë antenat satelitore. Kushdo mund të shënjonte saktësisht se cilat ishin banesat shqiptare, thjeshtë vetëm për shkak të këtyre antenave satelitore apo rrathëve të bardhë të varur nëpër ballkone”, theksoi Hoxha.

“Shtëpitë kanë dalë nga funksion i tyre vetëm si shtëpi, ato pastaj janë bërë hapësira që njerëzit të diskutojnë në to, njëlloj siç janë bërë edhe kafenetë ku është diskutuar për tema të ndryshme”, është shprehur artistja.

Eliza Hoxha tutje ka zbuluar edhe aspektet tjera kulturore të cilat kanë ndikuar në vitet e 90-ta, si kafenetë të cilat ishin shndërruar në galeri, si “Hani i dy Robertëve”, pastaj sesi ka ndikuar muzika dhe tekstet e këngëve për të shprehur preokupimet e asaj kohe. Nuk harrohen edhe hapësirat e reja të krijuar si ajo në Breg të Diellit, Santeja apo edhe nën Kurriz, ku tashmë shqiptarët mblidheshin dhe mundoheshin të zhvillonin jetën e tyre duke përfshirë edhe atë kulturore.

Artistja në kuadër të masterklasës diskutoi edhe se cilat do të ishin format më të mira që kujtesa jonë kolektive në lidhje me këtë periudhë të shndërrohet në krenari kolektive duke u plotësuar me rrëfimet dhe të pathënat e qytetit të të 90-tave.
“Qyteti Satelit: Prishtina – Kujtesa dhe e ardhmja”, është organizuar nga ForumZFD – programi në Kosovë dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Universitetin e Prishtinës, i cili u mbështet nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e Qeverisë Gjermane (BMZ). / KultPlus.com

Dokufest ka shpallur sot programin e filmave garues

Prizren, 06 korrik 2018 – DokuFest ka shpallur sot programin e filmave garues për edicionin e 17-të, i cili do të mbahet nga data 03 – 11 gusht në Prizren, Kosovë.

Festivali do të shfaqë 100 filma në gjashtë kategoritë garuese të tij e që përfaqësojnë 40 shtete – përfshirë dhjetë premiera botërore, katër premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave evropiane dhe rajonale. Të gjithë filmat tjerë që shfaqen në festival do të kenë premierën kosovare.

Filma dokumentar të jashtëzakonshëm si dhe një numër i mrekullueshëm i filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale është çka e karakterizon përzgjedhjen e këtij edicioni. Një numër i filmëbërësve do të rikthehen të prezantojnë filmat e tyre për herë të dytë ose tretë në festival ndërsa programi përfshinë edhe filmëbërës të rinjë puna e të cilëve prezantohet nëpër seksionet garuese.

Në ditët në vijim festivali do të vazhdojë të shpallë programet tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur View From the World si dhe programin e kuruar për temën qendrore të festivalit ‘Reflektimi’.

“Të guximshëm dhe avanturistik, kështu do ti etiketoja shumë prej filmave dhe regjisorëve pas tyre”, tha Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i festivalit.

“DokuFest vazhdon të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Prizren dhe Kosovë dhe ne jemi të kënaqur që edhe njëherë jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërërit e ri dhe mjeshtërat e kinemasë