Së shpejti “Crafters’ Meet-up!”

Më 10 korrik në lokalin Leka Lamps, do të hapet një panair me krijues të punimeve të ndryshme, shkruan KultPlus.

Ky panair i cili hapet me fillim nga ora 19:00 sjellë punime të ndryshme të njerëzve që kanë pasion punën e dorës dhe po ashtu të gjitha këto gjëra do të mund t’i gjeni me çmime promovuese.

Përveç kësaj “Crafters’ Meet-up!”, do të sjellë edhe muzikë e pije dhe krejt kjo sipas organizatorëve është një mundësi e mirë për shoqërinë, që të vlerësojnë kreativitetin e rinis kosovare.

“Crafters’ Meet-up!
Po mbledhemi së bashku me Très Chic Handmade, Tia’s handmade dhe crafters (krijues të punimeve të ndryshme) e po e bojmë një panair të vockël, me muzikë e pije te Leka Lamps.
Kjo asht mundësi fantastike për shoqninë tonë me e vlerësu kreativitetin e pashterrshëm t’rinisë Kosovare. Përkundër vështirësive për zhvillimin e rinisë, shpeshherë pasioni e vullneti na mbajnë t’motivum për me vazhdu me i sfidu këto vështirësi. Hajdeni t’i ndajmë krijimet tona, ta njohim njëri-tjetrin.
Cmimet në këtë panair/meet up kanë me qenë promovuese, kështu që përvec inspirimit, mundeni edhe me e bo t’jujin ndonji prej këtyne krijimeve!”, thuhet në njoftimin e këtij panairi./ KultPlus.com

A e dini se sa gjuhë fliten sot në botë?

Keni menduar ndonjëherë cili është numri i saktë i gjuhëve në botë?

Derisa shumë besojnë se numri i gjuhëve në botë është 6,500, por në fakt sipas disa statistikave thuhet se ky numër është 7,100.

Edhe pse nuk mund të thuhet se cili është numri i saktë dhe të ndihemi të sigurtë, kjo ndodh sepse ka vende të vogla të izoluara të cilat kanë zhvilluar gjuhë karakteristike për një grup të vogël njerëzish.

Mund të marrim shembull Guinean e Re, e cila mburret me 839 gjuhë të ndryshme.

Kjo është lista e numrit të gjuhëve sipas rajoneve:

Azia: 2,300

Afrika: 2140

Paqësori: 1,300

Amerika: 1.060

Europa: 280.

Rilindja para 28 viteve: Okupim klasik i Kosovës

Shkruan Behlul Jashari.

Para 28 viteve, masat e dhunshme të Serbisë e goditën edhe gazetën tradicionale të Kosovës Rilinda, në ditën e 5 korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës.

Me titull “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i fuqishëm i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 korrikut 1990. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës.

Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Pas pak më shumë se një muaji, në 7 gusht 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.

Behlul Jashari
Kryeredaktor i gazetës Rilindja nga fillimi i vitit 2002 kur në 21 shkurt UNMIK e mbylli me dëbim nga Pallati i Rilindjes dhe në vijim i botimeve të jashtëzakonshme-protestuese të kohapaskohëshme deri në numrin e fundit – 30 dhjetor 2008. Në vitin 1990 redaktor.

Poetet kosovare sollën vargjet e tyre kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu

Gili Hoxhaj

Mbi pianon e vendosur në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, piktorja Fjolla Ferati kishte filluar të vendos vijat e para në formësimin e portretit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Fjolla Ferati, ishte vetëm njëra nga dhjetë gratë që ishin bashkuar për ta shënuar këtë orë poetike kushtuar Gjergj Kastriotit- Skënderbeu. Shkrimtaret nga Kosova, njëra pas tjetrës sollën vargjet e tyre kushtuar figurës heroike.

Para se krijimet poetike të vijnë për publikun në sallë, zëdhënësja e kryeministrisë, Donjeta Gashi falënderoi organizatoret e këtij manifestimi që me kërkesa simbolike po e mbajnë gjallë frymën e poezisë.

“Shpresoj që organizime të tjera do të kemi edhe në të ardhmen. Zyra e kryeministrisë aq sa ka mundësi dhe hapësirë do të ju mbështes në emër të poezisë dhe në emër të kujtimit të periudhave tona historike dhe të kaluarës sonë dhe të tashmes”, u shpreh Gashi në fjalën e saj.

Këtë manifestim letrat të titulluar “Gratë për Gjergjin” e hapi poetja kosovare Naime Beqiraj ndërsa vazhdoi me vargjet e Albina Idrizi, Leonora Brucaj, Dije Demiri-Frangu, Valentina Saraqini, Kismete Hyseni, Diella Çitaku, Mirelinda Koxha e deri tek Shefqete Gosalci e cila e mbylli këtë manifestim me një poezi të fuqishme.

Poetja Naime Beqiri tha se poezia për Gjergj Kastriotin i ka ardhur shumë rrjedhshëm.
“Për Gjergjin janë thënë e stërthënë vepra në të gjitha gjinitë artistike por vepër lirike nuk kam ndeshur, kisha dilemë a ta lexoj apo jo por pashë që u pëlqye nga lexuesit”, tregoi Beqiraj për KultPlus.

Organizatorja e këtij manifestimi, Ilire Zajmi u shpreh për KultPlus se ideja e këtij organizimi ka ardhur krejt rastësisht, ndërsa këtë manifestim e cilësoi si unik që mundëson që gratë të shpalosin krijimtarinë e tyre për figurën madhore të Skënderbeut.

“Ishim duke diskutuar që këtë vit është Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut, ke ti poezi për Skënderbeun?, Sa shkruajmë ne për Skënderbeun? dhe kështu lindi ideja që edhe ne gratë ta japim kontributin tonë modest për Skënderbeun. Motra e Skënderbeut ka luftuar përkrah tij me shpatë mirëpo ne natyrisht jemi 550 vite pas epokës së Skënderbeut, kontributi ynë është me poezi që ta jetësojmë e përjetësojmë veprën, të bëmat dhe lavdinë që emri i Skënderbeut paraqet për kujtesën tonë kolektive”, tha ajo.

Kryetar i Komisionit Qeveritar për Vitin Mbarëkombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Jahja Lluka krejt në fund të manifestimit u shpreh se ky manifestim ishte i suksesshëm.

“Falë Zotit që kemi këso grash që kanë luftuar për Kosovën për këtë liri që e gëzojmë sot”, u shpreh Lluka. Po ashtu Lluka pranoi portretin e Gjergj Kastriotit i cili u punua gjatë kohës sa u lexuan poezitë, megjithatë Lluka këtë portret ia dhuroi Donjeta Gashit.

Krejt ky manifestim u organizua nën patronatin e Zyrës së Sekretariatit të Qeverisë së Kosovës./ KultPlus.com

Dua Lipa, magjepsëse në Paris

Ylli botëror, Dua Lipa që po cilësohet një fenomen i ri në muzikën botëror, mbrëmë është shfaqur me dukje më të jashtëzakonshme në Paris të Francës, shkruan KultPlus.

Me një fustan të gjatë e elegant, Dua Lipa ka magjepsur me dukjen e saj mbrëmë, ndërsa sot ka postuar një video të shkurtër të interpretimit të njërës nga këngët e Troye Sivan.

Dua Lipën e ndajnë rreth një muaj nga koncerti që ajo të sjellë në Prishtinë, në kuadër të Festivalit Ndërkomëbatr Sunny Hill që do të mbahet gjatë muajit të gushtit në Prishtinë/ KultPlus.com

Louvre by night // by @pixielevinson

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on

Rrënohet edhe një ndërtesë e trashëgimisë në Prizren, kësaj radhe me leje nga komuna

Ndërtesa që i takonte fillimit të shekullit XX, e ndërtuar me teknikë tradicionale të ndërtimit në rrugën “Adem Jashari” (nr. i ngastrës 804-0) në Prizren, është rrënuar në tërësi. Kjo ndërtesë është rrënuar me leje të Komunës së Prizrenit, gjegjësisht Drejtoratit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (DUPH), edhe pse për rastin në fjalë Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren, si institucion kompetent i trashëgimisë, nuk ka dhënë pëlqim për një veprim të tillë.

Me datë 22 shkurt 2018, DUPH (Komuna e Prizrenit), pas aplikimit të investitorit të ndërtesës në rrugën “Adem Jashari” (nr. i ngastrës 804-0), i drejtohet QRTK-së në Prizren me kërkesë për dhënie të pëlqimit për ndërtimin e objektit të banimit me lokal afarist. Në bazë të informatave zyrtare të marra nga QRTK në Prizren, ky autoritet në fillim të këtij viti kishte refuzuar kërkesën e investitorit për ndërtim të objektit të ri në këtë parcelë.

Sipas përgjigjes së QRTK-së, kjo ndërtesë ka qenë pjesë e Zonës së Dytë Mbrojtëse të qytetit sipas Planit Zhvillimor Urban (PZHU) të Prizrenit. “Fasada ballore e ndërtesës në fjalë ka qenë e punuar me elemente dekorative lineare, karakteristikë e fillimit të shekullit XX dhe pranë saj në varg gjenden edhe katër ndërtesa tjera të cilat datojnë nga kjo periudhë, të cilat ruajnë karakterin historik të çarshisë tradicionale të zhvilluar në vijë kontinuale, ku posedojnë vlera historike. Komisioni ka vlerësuar që në këtë potez nuk duhet të prishet ansambli arkitektonik, rrjedhimisht që gabariti dhe fasada ballore nuk duhet të rrënohet andaj ka vendosur që të refuzohet kërkesa e palës për ndërtim të ri në këtë parcelë”, thuhet në përgjigjen e QRTK-së.

Në anën tjetër, në bazë të përgjigjes zyrtare të datës 2 korrik 2018 të marrë nga DUPH (Komuna e Prizrenit), konfirmohet se kjo drejtori “më 29 maj 2018 ka lëshuar aktvendim me të cilin është lejuar rrënimi i objektit ngase objekti ka qenë jashtë zonës së Qendrës Historike të Prizrenit dhe konsideron se nuk nevojitet rekomandimi nga QRTK-ja, përveç rasteve kur objekti gjendet në Listën e objekteve të mbrojtura.”

“EC Ma Ndryshe, vendimin e DUPH-së për rrënimin e ndërtesës në fjalë e konsideron si vendim jo të drejtë dhe kontradiktor. Kjo drejtori fillimisht ka kërkuar pëlqim nga QRTK Prizren për lëndën në fjalë, i refuzohet kërkesa për rrënim dhe ndërtim të ri dhe më pas vet DUPH e konsideron se nuk ka nevojë për një rekomandim të QRTK-së. EC rikujton se Komuna e Prizrenit, gjegjësisht DUPH edhe pse ka filluar me procesin e hartimit të Hartës Zonale, ka ende në fuqi Planin Zhvillimor Urban 2003-13. Në bazë të analizave, të dhënave dhe komfor parimeve ndërkombëtare për zonim të vlerave të trashëgimisë kulturore, ky Plan definon tri Zona nën Mbrojtje në kuadër të qytetit të Prizrenit: Zonën e Parë të Mbrojtjes (Qendrën Historike të Prizrenit), Zonën e Dytë të Mbrojtjes dhe Zonën e Kontaktit”, thuhet në njoftim dërguar medieve.

Ndërtesa për të cilën është dhënë leja për rrënim, gjendet në Zonën e Dytë të Mbrotjes. Sipas kapitullit 5 (Mbrojtja e trashëgimisë kulturore) të Planit Zhvillimor Urban (PZHU) të Prizrenit, gjegjësisht sipas nenit 5.11, të këtij kapitulli mes tjerash ceket se “Zona e Dytë e Mbrojtjes përfshinë pjesë të qytetit të vjetër me integritet më të vogël urbanistik dhe arkitektonik, por i cili mund të identifikohet si sistem i tërësishëm urban dhe që detyrimisht kërkon forma të koordinuara të veprimit. Kjo zonë akoma reflekton me komplekse dhe objekte me vlera historike, arkitektonike e ambientale por të cilat janë transformuar ashtu që është vënë në rrezik karakteri historik, arkitektonik dhe ambiental i zonës…”. Në nenin 5.15, pika 2 ceket se leja për zhvillim (përfshirë ndryshimin e destinimit ose ri-zhvillimin) do të jepet me kusht që: të avancohet karakteri i gjithmbarshëm, pamjet dhe shtrirja e komplekseve me fizionomi të veçantë, si dhe i ndërtesave dhe terrenit përreth tyre.

“EC Ma Ndryshe vazhdimisht ka shprehur shqetësimin për shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë kulturore në Prizren dhe kërkon nga Komuna e Prizrenit, gjegjësisht DUPH, të mos merr hapa të ngutshëm të dhënies së lejes së rrënimit të ndërtesave të trashëgimisë, sepse humbja e vlerave të trashëgimisë është një proces i pakthyeshëm. Përderisa QRTK në Prizren konsideron që ndërtesa në fjalë posedon vlera të trashëgimisë kulturore, kërkojmë urgjentisht edhe nga Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të vazhdojë me procesin e inventarizimit dhe ta plotësojë Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme për gjithë territorin e Komunës së Prizrenit. Të gjitha organet përgjegjëse shtetërore, pa përjashtim, duhet të veprojnë me seriozitet të plotë për zbatim të legjislacionit për ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre vlerave”, thonë nga organizata./ KultPlus.com

DokuFest thotë “I’ll Be Your Mirror” (VIDEO)

Tema e reflektimit do të theksohet në këtë edicion të DokuFest, i cili organizohet nga data 03-11 gusht në Prizren.

Përmes një njoftimi për media, ky festival ka njoftuar se tema do të trajtohet përmes kampanjës së festivalit si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave digjitale, bisedave me artistë, punëtorive dhe performancave muzikore.

Frymëzuar nga kënga e Velvet Underground “I’ll Be Your Mirror”, programi i DokuFest synon të shndërrohet në pasqyrë të botës ku jetojmë, si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi./ KultPlus.com

28 vite nga pushtimi i Radio Televizionit të Prishtinës nga forcat serbe

Si sot, 28 vite më parë forcat policore serbe pushtuan Radio Televizionin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Më 5 korrik 1990, forcat policore serbe pushtuan Radio Televizionin e Prishtinës, ndaluan transmetimin e programeve dhe me forcë dëbuan 1300 punonjës të saj. Foto nga një prej demonstratave në Prishtinë gjatë vitit 1990./ KultPlus.com

Ka filluar protesta para Kuvendit të Shqipërisë për Teatrin Kombëtar

Ashtu siç ishte parashikuar ka nisur pak më parë protesta e organizuar nga artistët, që janë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Artistët në këtë protestë janë mbështetur nga aktivistë të shumtë dhe janë grumbulluar para Kuvendit, për të kundërshtuar projekt-ligjin që do të votohet sot.

Siç shihet dhe nga video, në rrugën para Kuvendit ka një masë të madhe njerëzish që mbajnë në duan pankarta “mbroteatrin”./ KultPlus.com

“Islamophobia”, filmi që solli aktorët Mel Gibson, Van Damme e Steven Seagal në Shqipëri

Shqipëria do të jetë pjesë e filmit më të ri nga Hollywood mbi temën e Islamofobisë. Harmonia fetare historike në vendin tonë është parë si një aspekt frymëzues për t’i dhënë botës një model.

Regjisori George Edde dhe producentët e filmit “Islamophobia” janë në Tiranë duke prezantuar projektin.

Filmi ka sjellë në Shqipëri yjet e Hollywood-it, Mel Gibson, Jean-Claude Van Damme dhe Steven Seagal.

Në këtë film merr pjesë edhe aktorja shqiptare Teuta Turku, e cila edhe ka bërë të mundur që producentët të përzgjedhin Shqipërinë si model për ti dhënë mesazhin botës për harmoni ndërfetare.

Skenari i filmit është realizuar nga Omer Sarikaya. Sipas tij, është xhiruar 80% e filmit dhe vetëm 20% do të realizohet në Shqipëri.

“Filmi ka të bëjë me Islamofobinë ku brenda tij ndërthuren paqja dhe toleranca. Shqipëria pa diskutim është një vend i përshtatshëm për këtë film më këtë tematikë. Ne kemi në këtë film 29 aktorë nga 29 vende të ndryshme të botës”, është shprehur ai.

Ndërsa sipas producentit George Edde filmi nuk do të ishte i plotë pa Shqipërinë. Por cila është historia mbi të cilën do të ndërtohet ky prodhim kinematografik? Kur filloi lufta e Bosnjës më 1984 Omar ishte vetëm 8 vjeç. Babai i tij i krishterë u zhduk dhe pas kësaj ngjarjeje Omar dhe nëna e tij emigruan në Roterdam për të nisur një jetë të re, shkruan Gaztea Shqip.

Tashmë një student i ri në Universiteti Omar lufton me krizën e identitetit, shpesh përballë diskriminimit dhe racizmit. Përfundimisht ai konvertohet në mysliman.

Kërkimi i tij për më shumë informacion rreth fesë do ta vendosi emrin e tij në listën e të kërkuarve nga CIA për shkak të disa miqve të tij. Që nga ai moment jeta e tij merr një kthesë drastike.

Kjo është historia që do të ketë një pjesë të xhirimeve dhe në Shqipëri, duke i bërë imazhet e vendit tonë pjesë të ekranit të madh të Hollywood./ KultPlus.com

Sislej Xhafa sot ‘pushton’ Kosovën me veprat e tij artistike

Prej 5 Korrik deri 25 Gusht 2018, Galeria Kombëtare e Kosovës organizon ekspozitën e artistit Sislej Xhafa me titullin “Love you without knowing” (Të dua pa e ditur), kuruar nga Jérôme Sans, kurator, kritik arti dhe drejtor institucionesh të artit bashkëkohor nga Parisi, përcjell KultPlus.

“Love you without knowing” është prezantimi i parë i këtij artisti me famë botërore në Kosovë, pas shumë ekspozitash në muze e galeri prestigjioze të botës. Ekspozita në fjalë, vjen pas përfaqësimit tejet dinjitoz të shtetit të Kosovës nga Xhafa në Bienalen e 57të të Venedikut më 2017, me veprën “Lost and found”.

Kjo ekspozitë u mundësua nga Ministria e Kulturës , Rinisë dhe Sportit, si dhe me përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe Komunës së Prishtinës. Po ashtu realizimin e ekspozitës e ndihmuan me pjesëmarrjen e tyre Kuvendi i Kosovës dhe Komuna e Pejës, Ansambli i Komunës së Gjakovës, si dhe kompania ndërtimore Bavaria.

Eventet rreth hapjes së ekspozitës zhvillohen në pesë lokacione të ndryshme si vijon:

BAZENI ME DYMBËDHJETË KITRRA
5 Korrik, ora 11:00, Shtegu i Shëndetit (afër Bazenit) në rrethinë të Pejës
Konferenca për shtyp dhe inaugurim në bashkëpunim me Komunën e Pejës (nisja për
Pejë për mediat e interesuara bëhet nga Galeria Kombëtare me transport të
organizuar në orën 8:30 më 5 Korrik. Paraprakisht duhet të konfirmohet në numrin
kontaktues të mëposhtëm.)

BILBILI ( vetëm për mysafirët me ftesa të veçanta)
5 Korrik, ora 18:00, Salla e Kuvendit të Kosovës
në bashkëpunim me Ansamblin e Komunës së Gjakovës

LEPURI I BARDHË
5 Korrik, ora 20:00 , Galeria Kombëtare e Kosovës
Në ekspozitën e parë individuale në Kosovë, Xhafa do të prezantohet me projektin e
ri woven soil dhe me një përzgjedhje retrospektive veprash të realizuara gjatë
karrierës së tij 20-vjeçare, të ekspozuara në muzetë më të njohur botëror.

LEPURI I ZI
6 Korrik, ora 12:00, Salla Armata, sheshi Zahir Pajaziti në Prishtinë
Bisedë publike me artistin Sislej Xhafa dhe Kuratorin

Fotografitë më mahnitëse të ushtrisë amerikane gjatë viti 2017

Në të gjitha degët e tyre, ushtria amerikane ka qenë shumë aktive në 2017-ën.

Fatmirësisht, fotografët kanë qenë aty për të kapur nga syri i aparatit të tyre ushtrimet, luftime dhe gjatë kohës së pushimit të burrave e grave në uniformë.

Businessinsider ka zgjedhur fotografitë më të mira nga secila nga 5 shtyllat kryesore të ushtrisë, ‘Ushtria, Marina, Forcat Ajrore, Marinsat dhe Rojet bregdetare’ të cilat i transmeton koha.net./ KultPlus.com

Çmimi “Teuta” sivjet i ndahet shkrimtarit nga Kosova

Çmimi “Teuta” ndahet në kuadër të Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve”, organizuar nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Sivjet, manifestimi “Muzat e Alpeve” mbahet në Gjakovë, Ulqin dhe në Krujë. Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” e themeluar nga shkrimtarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria në bashkë-organizim me Teatrin Shqiptar në Amerikë si dhe me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” të Ulqinit, me 6, 7 dhe 8 korrik 2018, në Gjakovë, Ulqin dhe në Krujë, organizon edicionin e 6-të të Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018″.

Sipas kumtesës për media, në përmbyllje të manifestimit ‘Muzat e Alpeve” edhe sivjet ndahet çmimi për vepër jetësore “Teuta” i cili nga Shqipëria-gjegjësisht nga Moikom Zeqo, do të kalojë te shkrimtari i mirënjohur nga Kosova, Nazmi Rrahmani me motivacion: “Një ndër prozatorët më në zë të letërsisë shqiptare dhe ndër më të lexuarit, i futur edhe në lektyrën shkollore në Kosovë i cili vazhdon me botimin e veprave më të rëndësishme të shkrimtarëve shqiptarë, duke i kontribuar nxjerrjes në pah të vlerave letrare si dhe promovimit të tyre” (arsyetimi i “Teutës”, “Muzat e Alpeve 2018”).

Ndërsa, laureat paraprak të këtij çmimi ishin: Jevrem Berkoviç, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviç dhe Moikom Zeqo./ KultPlus.com

Mbrëmje e veçantë kulturore shqiptare në Koln

Me edicionin e dytë të mbrëmjes letrare “URACult Literae”, shoqata kulturore URACult nga Köln-i ofroi edhe një herë një mbrëmje të veçantë kulturore.

Me autoret Lindita Arapi dhe Anita Rafuna, URACult-i kishte ftuar dy autore gjeneratash dhe zhanresh të ndryshme, por edhe temash të ndryshme të veprave të tyre, shkruan albinfo.ch.

Lindita Arapi, autorja e romanit “Vajzat me çelës në qafë”, pjesë nga i cili u lexuan në këtë mbrëmje, solli një temë të dhimbshme të së kaluarës shqiptare: vuajtjet e popullit gjatë diktaturës komuniste të cilës nuk i shpëtuan as më të vegjlit, siç ishte protagonistja Lodja.

Edhe në bisedën me moderatoren e autorja Arapi shpalosi shumë kujtime dhe përjetime të saj dhe familjes së saj gjatë diktaturës, periudhë me të cilën shoqëria shqiptare ende nuk ka filluar përballjen. As viktimat e as ish-anëtarët e aparatit diktatorial shtetëror.

Emocionale dhe rrëqethëse ishte edhe paraqitja spontane e aktorit Kasem Hoxha. Ai recitoi poezinë “Vertikal” të Petrit Palushit për historinë e dhimbshme të poetit Havzi Nela. Edhe ky viktimë e diktaturës së tmerrshme komuniste.

Autorja e re Anita Rafuna kishte filluar qysh në moshën 16 vjeçare të shkruaj romanin e parë të saj. Leximi i saj nga vepra “Vrapuesja” e shkruar me shumë fantazi u prit shumë mirë nga publiku.

Sidomos dy tekstet e saj në “poetry slam” me tema interesante u duartrokitën gjatë nga të pranishmit të cilët nuk kursyen me lëvdata dhe falënderime edhe për organizatorët të cilët edhe një herë ofruan një organizim kulturor të nivelit të lartë./ KultPlus.com

Fan Noli në mesin e të ftuarve të Presidentit të Amerikës (FOTO)

Presidenti i 28-të i Amerikës, Woodrow Wilson për të shënuar 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së Amerikës, në vitin 1918 ftoi edhe At Fan S. Noli.

Më 4 korrik 1918, me rastin e festës kombëtare, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson ftoi trupin diplomatik të akredituar në Uashington dhe përfaqësuesit e kombeve të robëruar, duke përfshirë edhe At Fan S. Noli (rrethuar në foto) si përfaqësues i shoqërisë patriotike shqiptare VATRA, shkruan Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history.

Me këtë rast gazeta Dielli shkroi në ato ditë “At Fan S. Noli foli dy herë me Presidentin Wilson dhe një herë me zonjën Wilson. Fjalët e pakta qe ai pati rast të shkëmbente me presidentin Wilson, ndihmuan në shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi i mëtejshëm”. /KultPlus.com

Sean Paul me koncert në Shkup

Këngëtari i njohur, Sean Paul pritet të vijë në Maqedoni, ku do edhe mbajë një koncert për adhuruesit e tij.

Sipas paralajmërimit, ky koncert pritet të mbahet në stadiumin e kryeqytetit, në Shkup.

Ardhja e tij është paralajmëruar për datën 23 gusht, dhe do jetë mundësi e mirë edhe për adhuruesit e tij që jetojnë në Kosovë.

Ndryshe, duhet cekur se Sean Paul ka edhe një duet me këngëtaren shqiptare, Dua Lipa, e titulluar: “No lie”. /KultPlus.com

Rita Ora uron pavarësinë e Amerikës me një fotografi provokuese (FOTO)

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora ditën e sotme ka postuar një foto në Instagram me të cilën i ka uruar ndjekësit e saj amerikanë për ditën e pavarësisë.

Ylli i muzikës pop ka postuar për ndjekësit e saj një foto vetëm me të brendshme e ku posht saj ka shkruar: ‘Happy 4th to all my Americano’s ‘ apo ‘Urime 4 korriku për të gjithë amerikanët e mi’../ KultPlus.com


Si u bë një këngë e vjetër himn i Amerikës (VIDEO)

Kënga ishte tepër e dëgjuar për shumë dekada me radhë para se të merrte këtë status.

Më 3 mars të vitit 1931 një akt i Kongresit shpalli këngën “The Star Spangled Banner” himn kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Teksti i saj ishte shkruar nga Francis Scott Key gjatë luftës së vitit 1812 gjatë bombardimeve britanike të kështjellës Fort McHenry në Baltimor të shtetit
Maryland.

Autori i tekstit ishte vete dëshmitar i bombardimeve.

Mëngjesin pas sulmit Key u frymëzua kur pa flamurin me 15 yje të valvitej ende mbi fortesë.

Flamuri tregonte se fortesa nuk ishte dorëzuar dhe se ishte e gatshme të vazhdonte qëndresën.

Flota britanike më pas u largua duke i dhënë kështu fund rrezikut për Baltimorin.

Fjalët e poemës së zotit Key u kombinuan më vonë me muzikën e një kënge britanike që ishte shumë e dëgjuar më Shtetet e Bashkuara duke krijuar kështu atë që tani është himni kombëtar amerikan. / KultPlus.com

Anri Sala, me ‘Take Over’ në Klubin e Boksit në Prishtinë

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina ka kënaqësinë të prezentoj “Take Over” nga Anri Sala, pjesë e Shkolla Verore si Shkollë 2018 të Programit Publik.

Sala vjen me datë 17 korrik në Klubin e Boksit, me fillim prej orës 20:00.

Take Over (2017) është një instalacion-video dhe zë i përbërë nga dy filma, i cili trajton tematikat kryesore në veprën e Anri Salës, duke eksploruar marrëdhëniet midis muzikës dhe rrëfimit, arkitekturës e filmit dhe cilësitë e ndërsjella të mediumeve të ndryshme, duke shkrirë kufijtë e tyre përkatës.

Pikënisja konceptuale e Take Over janë dy vepra muzikore të njohura, të lidhura me kompleksitetin e historisë politike dhe kulturore, La Marseillaise dhe Internationale. Kompozuar në vitin 1792, Marseillaise ishte e lidhur ngushtë me Revolucionin Francez, por shpejt u përhap në vende të tjera ku u bë simbol i përmbysjes së regjimeve shtypëse. Kështu, teksti i shkruar në 1871-in për Internationale fillimisht u përcaktua në vijën melodike të Marseillaise-s, deri në vitin 1888 kur muzika e saj origjinale u kompozua dhe kënga u bë himni standard i lëvizjes socialiste. Të dyja himnet kanë pësuar ndryshime të mëdha në kuptimet e tyre politike: nga revolucioni, restaurimi, socializmi, rezistenca dhe patriotizmi, në shoqatat lidhur me kolonizimin dhe shtypjen në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë (si himne kombëtare përkatësisht të Francës dhe Bashkimit Sovjetik). Take Over e bën të dëgjueshme marrëdhënien e ngushtë të këtyre dy himneve dhe gërmon lidhjen muzikore në gjurmët e këtij ndryshimi simbolik. Është vetë tingulli ai që e përcakton filmin: ndryshimi i fokusit në film është i lidhur me tonalitetet muzikore dhe lëvizjen e çelësave që e prodhojnë muzikën – edhe nëse sfondi i këtij sistemi mbetet i pakapshëm.

Të dy filmat janë konceptuar fillimisht për t’u shfaqur njëkohësisht, me qëllim konkurrimin e njëkohshëm të tingujve të tyre përkatëse. Për këtë prezantim, filmat do të shfaqen njëri pas tjetrit.

Anri Sala, artist që punon në Berlin, lindi më 1974 në Tiranë, Shqipëri. Ekspozitat e tij të fundit përfshijnë Anri Sala, Marian Goodman Gallery, New York (2018), Anri Sala, Museo Tamayo, Mexico City, Mexico (2017), The Last Resort, Kaldor Public Art Projects, Sydney, Australia (2017) Anri Sala: Answer Me, New Museum, New York, NY (2016), Anri Sala, Galleria Alfonso Artiaco, Naples, Italy (2015), “The Present Moment (in D)”, Haus der Kunst, Mynih, Gjermani (2014); “Anri Sala: Two Films”, Museum of Contemporary Art, Detroit, Michigan (2012); Louisiana Museum of Modern Art, Humlebaek, Danimarkë (2012); Centre Pompidou, Paris, Francë (2012); “1395 Days Without Red”, Irish Museum of Modern Art, Dublin, Irlandë (2012); National Museum of Art, Osaka, Japoni (2011); Serpentine Gallery, Londër, Angli (2011) dhe Musée d’Art Contemporain, Montreal, Quebec (2011).

Sala fitoi çmimin Gilles Dusein në vitin 2000; Çmimin Artist i Ri në Bienalen e Venedikut më 2001, dhe Absolut Art Award, Stokholm, Suedi, më 2011. Në vitin 2013 u zgjodh të përfaqësoj Francës në Bienalen e 55-të të Venedikut me “Ravel Ravel Unravel” dhe së fundi Sala pranoi çmimin Vincent, Hagë, Holandë (2014).

Kam një mall e kam një zjarr

KultPlus ju sjellë këngën “Kam një mall e kam një zjarr” të artistes Shpresa Gashi, e cila ka një repertor të pasur muzikor.

Kam një mall e kam një zjarr
Kam një mall për trim beqarë,
Po, po, po, o djalë po
me gjithë zemër a me do
Hajde o djalë mu afro
Falma zemrën hajt gëzom
Shok të mirë ty të kam
Vajzë e bukur për ty jam
Falmi buzët, më dëfre
Unë me zjarr dhe ti me prush
Që t’i shuaj s’mund kërkush
Kam një mall që nuk më le
S’kam as gjuhë më që të fle
Po, po, po, o djalë po
Eja pranë e më pushto…

Shpresa Gashi (1950) u lind në Pejë. Aty mbaroi shkollimin fillestar, ndërsa Shkollën e Mesme të Muzikës e kreu në Prizren. Pas shkollës së mesme, një kohë punoi mësuese e muzikës në qytetin e lindjes. Në vitin 1970, fillon studimet në Akademinë e Muzikës në Zagreb.

Ajo këndoi në shumë festivale të hapësirës shqiptare dhe jashtë saj, në vendet ballkanike, në Evropë, SHBA dhe në Australi dhe gjatë karrierës së saj është vlerësuar me çmime të ndryshme./KultPlus.com

https://www.facebook.com/musa.doroci.7/videos/1267937279977231/

Presheva gati për konferencën shkencore për trashëgiminë kulturore

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë më 6 dhe 7 korrik do e mbajë konferencën me temë: “Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve shqiptare”.

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë e drejtuar nga profesor Xhemaledin Salihu, i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, për fillimin e mbarë të konferencën shkencore me temë: “Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve shqiptare”.

Kjo Konferencë, siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, do të fillojë në javën e dytë të korrikut, e cila është paraparë të mbahet të premten dhe të shtunën e 6-7 korrikut, në sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës, transmeton Koha.net.

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, gjithashtu, bën të ditur se tashmë janë konfirmuar pjesëmarrja e konferencierëve, janë caktuar seancat programore, temat që do të lexohen dhe pjesëmarrësit nga vise të ndryshme të hapësirave kombëtare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Lugina e Preshevës.

Vlen të ceket se kjo është konferenca e dhjetë me radhë e cila do të organizohet nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, e cila e ka kthyer në traditë organizimin dhe mbajtjen e konferencave dhe karakter shkencor./KultPlus.com

Vjen ‘Sekreti’ nga Argjentina Ramosaj dhe Dj Geek (VIDEO)


Këngëtarja Argjentina Ramosaj muajt e fundit ka sjellë disa projekte të reja të cilat u pritën shumë mirë nga publiku, shkruan KultPlus.

Të gjithë menduan që për këtë verë Argjentina nuk do të sjellë këngë tjetër, por u gabuan. Këngëtarja sapo publikoi edhe këngën e radhës të cilën e sjellë në bashkëpunim me Dj Geek.

Kënga titullohet ‘Sekreti’, tekstin dhe melodinë e së cilës e ka realizuar Vig Poppa, ndërsa video është realizuar nga Imagine Films. / KultPlus.com

Tërmeti në Shqipëri dëmton muret e Teatrit Kombëtar (FOTO)

Lëkundjet e tërmeti që kanë përfshirë sot Tiranën kanë dëmtuar muret e Teatrit Kombëtar, objekti për të cilën tashmë ka qenë duke u diskutuar shumë në Shqipëri nëse duhet të rrezohet apo jo, përcjellë KultPlus.

Sipas Java News, pas lëkundjeve, në godinë u konstatua një shkëputje e soletës nga kolona, karakteristikë e tërmetit, si dhe plasaritje të freskëta që përbëjnë problematikë për rënien e strukturave. Gjithashtu, janë vërejtur edhe çarje në arkitrarë, çarje në gjatësinë e kolonave, të cilat sipas ekspertëve, ndodhin ekskluzivisht për efekt të amplitudave të ndryshme të tërmetit.

Gjatë kohës së tërmetit brenda në Teatër kanë qenë vetëm punonjësit e institucionit të cilët janë larguar dhe nuk kanë pasur dëmtime.
Në anën tjetër Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, përmes një reagimi në “Facebook”, ka treguar se në Teatër kanë dalë zjarrfikësit të cilët sipas njoftimit fotografojnë të çarat e vjetra, për t’ia faturuar tërmetit të sotëm.

“Po ndodh tek teatri: kanë ardhur punonjës të zjarrfikëses në teatër dhe po fotografojnë të çarat e vjetra, për t’ia faturuar tërmetit të sotëm. Ps. Ju lutem shpërndajeni, pasi këta janë aq të paskrupullt sa janë në gjendje ta prishin vetë dhe të thonë e bëri tërmeti”, shkruhet në faqen e “Facebook” të Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. /KultPlus.com