Madonna kujton Aretha Franklin: Ajo më solli këtu ku jam sot

Ndarja e çmimeve të MTV Video Music Awards është zhvilluar katër ditë pas vdekjes së këngëtares legjendare Aretha Franklin.

Këngëtarja e njohur Madonna, teksa në dorë mbante çmimin për “Videon e Vitit”, u kërkoi të gjithëve që të nderonin Franklin. Ajo fillimisht ka treguar se si Aretha e ka ndihmuar në hapat e parë të karrierës së saj.

Shumë vite më parë, Madonna ka kënduar “a cappella” një këngë të Aretha-s dhe teksa e kanë dëgjuar disa prodhues francezë, i kanë kërkuar asaj të shkojë në Paris për t’u bërë një yll. Pra, falë kësaj karriera e Madonna-s filloi të zhvillohej çdo ditë e më shumë.

NEW YORK, NY – AUGUST 20: Madonna speaks onstage during the 2018 MTV Video Music Awards at Radio City Music Hall on August 20, 2018 in New York City. (Photo by Michael Loccisano/Getty Images for MTV)

Mbrëmjen e djeshme në MTV VMAs, lidhur me këtë ajo është shprehur:

“Asgjë nuk do të kishte ndodhur pa ndihmën e Zonjës së shpirtit tonë. Po të mos ishte për të nuk do të isha bërë kurrë njeri. Ajo më solli këtu ku unë jam sot dhe ka rregulluar jetën e shumë njerëzve të cilët sonte janë këtu. Dua të falenderoj Aretha-n që na fuqizoi të gjithëve. Respekte!”. /KultPlus.com

Petrit Çarkaxhiu këndon melodinë të cilën ia kushton basistit të ndjerë Suad Jamini (VIDEO)

Kanë kaluar më shumë se dy muaj qëkur ka ndërruar jetë basisti i rock-grupit Jericho, Suad Jamini, duke lenë një zbrazëti të madhe tek ky grup dhe tek të gjithë ata që e njohën shpirtin e punën e tij.

Vokalisti i grupit, Petrit Çarkaxhiu, mbrëmë ka interpretuar këngën të cilën Jamini e donte shumë por që nuk arriti ta incizonte. Çarkaxhiu tutje ka shtuar se këtë këngë ia kushton atij dhe se nata e Bajramit mbetet një nga netët më të vështira për ta.

“N’kete nate t’madhe te Bajramit e kujtojme Sukin … me kangen qe e deshti shume e qe mezi s’pritke me inçizu! Le te mbetet kange per ty! Po na mungon shume, oshte nate e gate per neve”, ka shkruar vokalisti i grupit Petrit Çarkaxhiu në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.


NATE E GATE”

Edhe sot rashe ne gaflet
Kush oshte ai qe m’jep gajret
Zoti jem ku ke mbet
A nuk ma hek ti kete siklet

Nate e gate mu oshte ka m’pret
Yll e hàne ku ke trete
Zoti jem ku ke mbet
A nuk ma hek ti kete siklet

“Mos hup ymyt prej mshires Teme
Haberdarin ta dergoj
A e harrove Madhnine Teme
Afer teje tek qendroj”

‘Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë’

Një shprehje e Homerit shqiptar, kolosit të letrave Gjergj Fishta gjen vend dhe sot ndër shqiptarë.

“Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, kjo thënie e poetit të madh ka treguar se ndër shekuj shqiptarët e kanë pasur bashkëjetesën fetare një shembull për të gjithë duke e përcjellë brez pas brezi.

Edhe sot, në këtë ditë festë për besimtarët mysliman , shumë klerik kanë uruar për festën e Bajramit, duke dëshmuar paqe e mirëkuptim pavarësisht bindjeve fetare ndërmjet njerëzve. /KultPlus.com

Irinej: Kosova është Jerusalemi ynë, do të na kthehet

Patriarku i Kishës Ortodokse serbe Irinej ka vlerësuar se çështja e Kosovës nuk bën të zgjidhet shpejt dhe se Serbia nuk duhet të heqë dorë nga lufta për ta ruajtur territorin e vet, transmeton Koha.net.

Ka theksuar se Kosova me popullin e vet serb dhe me shenjtoret e saj nuk mund të lihet në mëshirën dhe në pamëshirën e atyre që,sipas tij, deri më dje,e kanë shkatërruar .

“Kosova është toka e shenjtë sllave, është Jerusalemi ynë”, citon “blic” i Beogradit të ketë thënë Irinej.

Ka shtuar se “qe një mijë vjet populli serb jeton në Kosovë. Atje i ka ngritur faltoret. I ka zbukuruar e sot të fuqishmit e kësaj bote po duan të na e rrëmbejnë ashtu siç e kanë pushtuar. Nuk mund të lejojmë kurrë që Kosova të jetë vend i dikujt tjetër” .

“Fuqia merr vende e shtete, nëse duan le ta marrin. Le ta pushtojnë, por ne nuk guxojmë kurrë ta japim vendin tonë të shenjtë sepse populli thotë: Ajo që merret me forcë, kthehet disi e për këtë kemi dëshmi popullin hebre i cili ka pritur 2 mijë vjet që t’i kthehet Jerusalemi dhe ai është kthyer”, ka përfunduar Irinej.

Bebe Rexha dhe Rita Ora shkëmbejnë puthje në VMA’s (FOTO)

Mbrëmë në VMA’s – në ndarjen e çmimeve Video Music Awards nga MTV, dy shqiptaret Rita Ora dhe Bebe Rexha duket se kanë marrë vëmendjen jo vetëm për muzikën e tyre.

Të veshura bukur dhe të veçanta, dy shqiptaret madje në tepihun e kuq edhe kanë shkëmbyer puthje mes vete.
Në sytë e mentalitetit shqiptar, kjo mund të tingëllojë një pamje e ‘rëndë’, por dy këngëtaret e hiteve “Im a mess” apo “Your Song” duken shumë bukur dhe mike të vërteta prej kohësh.

Të dyja mbrëmë kanë qenë pjesë e ceremonisë ku marrin pjesë këngëtarët më të mirë të momentit.

Të dyja këngëtaret madje janë pjesë edhe e këngës “Girls” bashkë me Cardi B dhe Charli XCX. / KultPlus.com

Rita Ora bën shqiponjën në Video Music Awards (VIDEO)

Rita Ora dhe Bebe Rexha kanë marrë pjesë mbrëmë në ceremoninë prestigjioze të MTV-së, Video Music Awards. Dy këngëtaret kanë qenë të nominuara në disa kategori në këtë mbrëmje, shkruan KultPlus.

Dy këngëtaret kanë qenë të nominuara në disa kategori në këtë mbrëmje, ndërsa Rita Ora triumfoi me një çmim në kategorinë e kërcimit më të mirë me këngën e saj “Lonely Together”.

Në një video të ndarë nga Rita Ora shihen dy këngëtaret shqiptare në hyrje të ceremonisë duke festuar. Bebe Rexha është ajo e cila e thekson faktin se ato janë edhe shqiptare, kurse Rita Ora bën simbolin e shqiponjës.

“Jemi shqiptaret e para në VMA (Video Music Award)”, dëgjohet duke brohoritur Bebe Rexha.

Dy shqiptaret po ashtu janë ngjitur së bashku në skenë për të ndarë njërin nga çmimet e mbrëmjes./ KultPlus.com

Shaljanët vazhdojnë traditën e faljes së Bajramit me plis

Ashtu edhe sikurse festave të tjera Islame, myslimanët në Shalë të Bajgores kanë falur namazin e Kurban Bajramit me plisa në kokë.

Aty pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni, kanë vënë nga një plis në kokë. Kjo si shenjë dhe mesazh për të ruajtur traditën kombëtare.

Falja e namazit të Bajramit në xhamin e këtij fshati është bërë tashmë traditë të falët në këtë mënyrë.

Kurban Bajrami është njëra nga dy festat më të mëdha islame. Për nder të kësaj feste theren kurbane, ndërsa besimtarët e kryejnë njërin nga pesë kushtet e fesë islame, shkuarjen në Haxh./Gazetaexpress.com

Tradhtia

Poezi nga Abdullah Konushevci.

E përcolla me një pikëllim të fshehur
Në sy në buzë nën bark
I shihja gjurmët e tjetrit

Kur u ktheva
Në dhomë kishte rënë stuhia
Shtrati sikur ishte kthyer përmbys
Banja merrte frymë me vështirësi
Si një i sëmurë astmatik

Hodha shpejt e shpejt në shportë
Brekët këmishët çarçafët
Shtratin e shtrëngova mirë për këmbësh
Po hija po era e saj ishte kudo

E di se më nuk do ta takoj
Se tjetri në sy në buzë nën bark
Do të lexojë me pikëllim
Gjurmët e mia

Prishtinë, më 27 tetor 2010. / KultPlus.com

Kalaja e Beratit, rreth 15 mijë vizitorë gjatë 20 ditëve të para të gushtit

Kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje Monumentet e kulturës vijojnë të mbeten atraksioni turistik i preferuar për turistët e huaj dhe vendas në këtë sezon veror.

Gjatë 20 ditëve të para të muajit gusht kalaja e Beratit është vizituar nga 14.669 vizitorë, mes të cilëve 9.612 kanë qenë vizitorë të huaj. Berati është një ndër qytetet më interesantë dhe tërheqës, i cili çdo vit e më shumë po tërheq turistë të huaj dhe vëmendjen e mediave të huaja, ku ky qytet është i pranishëm në shkrimet që bëhen për Shqipërinë, kjo edhe për faktin se është trashëgimi botërore e UNESCO-s.

Kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje. Ajo përbën një nga atraksionet turistike më të preferuara në Shqipëri për turistët e huaj dhe ata vendas.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Ajo është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r.

Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë. Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj. Muzeu i Ikonave Onufri: Ndodhet në lagjen Kala dhe përmban disa nga shembujt më të bukur të artit fetar në Shqipëri.

Muzeu u hap në vitin 1986, emrin e ka marrë prej piktorit të madh të shek. XVI të shkollës shqiptare Onufrit. Me mbi 210 objekte muzeale, 60 prej të cilave të shpallura si monumente të kategorisë së parë, Berati konsiderohet si një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon./ KultPlus.com

Historia e fëmijës që e quanin “shtrigan” (FOTO)

Danezja Anja Ringgren Loven e cila shpëtoi një djalë të vogël i cili ishte larguar nga komuniteti i tij në Nigeri, ka treguar se ai është në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo po ashtu ka treguar se ai tani po tregon rezultate të mira në shkollë si dhe është pajisur me aparat për dëgjimin që i mundësojnë të dëgjojë më mirë, shkruan KultPlus.

Anja Ringgren Loven u bë e njohur përmes rrjeteve sociale kur u pa duke i ofruar një shishe me ujë, djalit të cilin më pas i vendosi emrin Hope (Shpresë). Hope ishte gjykuar dhe titulluar nga familja e tij si “Magjistar” apo “Shtrigan”. Mirëpo në fakt ai kishte vetëm disa probleme shëndetësore duke përfshirë këtu sëmundjen hypospadias.

Afrika është një vend i njohur në të cilin akoma shumë njerëz besojnë në magji të zezë, magjistar, shtriga, shpirtra e të tjerë. Këto besëtytni dhe paragjykimet kanë shkaktuar edhe vdekjen e disa njerëzve si dhe largimin e fëmijëve apo anëtarëve të tjerë nga familja. Sipas disa raportimeve varfëria dhe mungesa e edukimit janë arsyeja kryesore.

https://www.modernghana.com/news/852097/poverty-and-illiteracy-are-causes-to-witch-accusation-in-afr.html

Zonja Loven dhe bashkëshorti i saj, David Emmanuel Umem, drejtojnë një jetimore, Fondacionin për Arsimin dhe Zhvillimin e Ndihmave të Fëmijëve Afrikan (ACAEDF), në Nigerinë juglindore për fëmijët që janë braktisur nga familjet e tyre si rezultat i besimeve paragjykuese./ KultPlus.com

Nertila Koka zëri që nuk harrohet

Kur Nertila Koka këndonte, shumë prindër u vendosën emrin e saj foshnjave femra të lindura në ato vite. Një vajzë e bukur dhe me një zë të ëmbël ajo u bë shumë shpejt një nga këngëtaret më të dashura të publikut.

Nertila e nisi karrierën e saj në moshën 17-vjeçare, moshë në të cilën arriti dhe suksesin e saj të parë. Debutimi i saj i parë në Koncertin e Pranverës, në vitin 1983 u kurorëzua me fitore duke marrë dhe çmimin e parë. Po atë vit, në Festivalin e Këngës në Radio-Televizionin shqiptar kënga që ajo këndoi me Gëzim Çelën “Çel si gonxhe dashuria” mori çmimin e parë.

Një vit më pas nuk do t’i mungonte përsëri skenave të kompeticioneve muzikore duke marrë një çmim të dytë në festivalin e pranverës. Një nga këngët më të dashura është ajo që këndoi me David Tukiqin “Sagapo”, e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur si një refren i jetës së përditshme e që shumë njerëzve u zgjon nostalgjinë e asaj kohe.

Nertila përveçse një këngëtare e talentuar dëshmoi se ishte edhe një aktore e zonja. Ajo ka luajtur në filma si “Duaje emrin tënd” apo “Telefoni i një mëngjesi”. Largimi i saj nga skena ndodhi pas viteve ’90, kur ajo për shkak të punës së bashkëshortit të saj u largua jashtë Shqipërisë, duke provuar një eksperiencë jete në vende të ndryshme, si Suedi e deri në Japoni. Për publikun shqiptar ajo do të mbetet e njëjta vajzë simpatike që i këndonte aq ëmbël dashurisë. /KultPlus.com

Modelja me sindromën Down do të sfilojë në New York

Marián Ávila është 20 vjeç dhe është një modele në Spanjë. Për disa javë ajo do të plotësojë një ëndërr të madhe, pasi do të sfilojë në New York për javën e modës.

Një mundësi e jashtëzakonshme për këdo që punon në fushën e modës, por për Marián është arritja më e madhe në jetë, pasi shumë pak besonin tej ajo, kur morën vesh që është me sindromën Down.

Megjithatë, gjendja e saj, nuk e ndali për asnjë moment 20 vjeçaren, e cila ka ndjekur pasionin me vendosmëri.

“Ëndrrat bëhen realitet”, shkroi ajo në blogun e saj për t’u treguar ndjekësve se do të ishte modelja e parë me sindromën Down që do të sfilojë në New York për Javën e Modës. Ishte stilistja Talisha White, ajo që zgjodhi Marián si një modele për linjën e saj të veshjeve./ KultPlus.com

Vdekja dhe e bukura tek Azem Shkreli

Nga Erlind Sulko.

“Më mëso vetëm t’i bie
Kitarës, më mëso të vdes i bukur”

Kështu shkruan poeti i madh Azem Shkreli në një nga poezitë e tij më të mrekullueshme. Të vdesësh i bukur është një nga besimet kyçe në veprën poetike të Shkrelit. Ky besim në vdekjen e bukur rishfaqet në disa poezi të tij. Por para se ta shikojmë se si ky besim themelor zhvillohet në veprën e Shkrelit dua të shtroj disa pyetje: Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur? Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur në një kohë kur të mendosh për vdekjen është, më së pakti, një tabu? Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur në një kohë kur ai që flet për vdekjen mendohet të ketë probleme mendore dhe duhet mbytur me ilaçe? Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur në një kohë kur njerëzit janë të frikësuar nga plakja? Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur në një kohë kur njerëzit mendojnë se mund ta shtyjnë vdekjen pafundësisht nëpërmjet teknologjisë? Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur në një kohë kur njerëzit vdesin lidhur me tuba në shtretër spitalorë? Çfarë do të thotë të vdesësh i bukur në një kohë kur njerëzit vrasin veten?

I shtrova këto pyetje për të treguar se besimi në vdekjen e bukur është bërë i huaj për ne. Ne mund ta vështrojmë këtë besim, por vetëm për së largu. Të ndarë. Prandaj, dhe ky besim ka nevojë për tu shtjelluar. Por, mbase pikërisht kur një besim nuk gjallon më mes njerëzve, kur ai kthehet në një relike e vdekur e së shkuarës, e denjë për ta kundruar në muzeun e mendimit njerëzor, mbase pikërisht atëherë kuptimi i saj i njëmendtë bëhet i mundur. Vetë vdekja e besimit kthehet në parakushtin e kuptimit tërësor të tij.

Të kërkosh të vdesësh i bukur nënkupton pranimin tërësor të vdekjes. Ti e di që do vdesësh. Zgjedhja nuk është midis të vdesësh apo të mos vdesësh. Zgjedhja është midis mënyrës se si do të vdesësh. Vdekja, në këtë botëkuptim, është e pashmangshme. Prandaj, dhe shtyrja e vdekjes është e pakuptimtë. Nëse nuk do vdesësh sot, do vdesësh nesër ose pasnesër. Por, vdekja kërkon zgjedhje nga ne. Ajo që duhet zgjedhur është mënyra se si duhet të vdesësh. Dhe mënyra që duhet zgjedhur, sipas këtij botëkuptimi, është të vdesësh i bukur.

Të vdesësh i bukur – jo i mirë. Kjo gjë ka shumë rëndësi. Në këtë kuptim, bukuria është ngritur mbi moralin. Dëshira nuk është të vdesësh si njeri i mirë, si njeri që i ka bërë mirë vetvetes dhe të tjerëve. Por, mendoj se vetë dëshira për të vdekur nuk mund të jetë asnjëherë etike. Etika, pavarësisht nëse është aristoteliane, kantiane apo utilitariane, përherë bazohet tek besimi se, të sillesh në një mënyrë të caktuar do të përmirësojë jetën në përgjithësi. Por, të dëshirosh vdekjen do të thotë të kërkosh zhdukjen e jetës dhe, si e tillë, ajo asnjëherë nuk mund të jetë etike. E bukura nuk është vetëm e ndarë nga e moralshmja, por është tërësisht e kundërt. E bukura kërkon vdekjen. E moralshmja kërkon jetën.

Gjithashtu, duhet të theksuar se besimi është që të vdesësh i bukur, jo i vërtetë, as i besueshëm e as i ditur. Bukuria është ngritur jo vetëm mbi të moralshmen, por edhe mbi të vërtetën dhe dijen. Përballë vdekjes, dija dhe e vërteta është e tepërt dhe e pakuptimtë. Asnjë nuk e ka shprehur më mirë këtë kotësi të dijes përballë vdekjes se sa Niçja, në një sprovë të tij të hershme të quajtur “Mbi të vërtetën dhe gënjeshtrat në një kuptim jo moral.” Ja si fillon sprova e Niçes: “Na ishte një herë e një kohë, në një cep të largët të gjithësisë e cila shpërndahej në pafundësi sistemesh diellore, aty na ishte një yll në të cilën përbindësha të zgjuar shpikën dijen. Kjo ishte minuta më mendjemadhe dhe më e rreme e “historisë botërore,” por gjithsesi, ishte vetëm një minutë. Pasi natyra mori disa herë frymë, yjet u ftohën e u mpiksën dhe përbindëshat e zgjuar duhet të vdisnin. Dikush mund ta shpikte një rrëfenjë të tillë dhe ai ende nuk do mund ta shpërfaqte mjaftueshëm sa e trishtuar, sa e turbullt dhe kalimtare, sa e paqëllimtë dhe e paarsyeshme duket dija njerëzore mes natyrës. Ka pasur përjetësi të tëra kur ajo nuk ka qenë.” Përjetësi të tëra pa dije njerëzore para se ne të lindnim. Përjetësi të tëra pa dije njerëzore pasi ne të vdesim. Kujt i duhet dija njerëzore kur ne mos të jemi më? Dheut? Ujit? Apo pemës?

Të vdesësh i bukur do të thotë ta tejkalosh vdekjen duke e pranuar tërësisht vdekjen. Ta tejkalosh vdekjen, jo duke gënjyer vetveten se nuk do vdesësh, por ta tejkalosh vdekjen duke e parë atë sy më sy, duke e përjetuar atë deri në thellësi dhe të arrish të çlirohesh prej saj nëpërmjet një vullneti hyjnor që e shpërfill vdekjen. Dhe gjithë kjo për hir të bukurisë: asaj që shkëlqen si rrezet e agimit dhe kuptohet pa shpjegime. Bukuria është si shakaja: të ngazëllen vetëm po u kuptua vetvetiu. Ajo ndriçon. Diku. Për pak.

Bukuria në këtë kuptim do ishte shtysa e vetme që udhëheq jetën – jo e mira e as e vërteta. Por sa kundër nesh është ky botëkuptim sot? Ne që pranojmë çdo kënd të ketë kuptimin vetjak të bukurisë? Ne që në hierarkinë e besimeve subjektive dhe vetjake, përjetimin e së bukurës e vendosim mu në fund? Të vdesësh i bukur do të thotë të pranosh se e bukura është përtej dhe mbi gjithçka: diçka e hyjnishme që duke vdekur e tejkalon vetë vdekjen.

Ja çfarë thotë Azem Shkreli në një poezi tjetër të titulluar “Kënga që s’deshi të shkruhet”:

Një ditë prej ditësh
Në shtarë e gjeta, në gjurmë të kalit

I mëkova drithmat
Vesë i mola, qumësht zogu

U rrit e bukur, e zezë
Kënga që s’deshi të shkruhet

Në veçanti dua të theksoj dy vargjet e fundit:

U rrit e bukur, e zezë
Kënga që s’deshi të shkruhet

Lidhja midis vdekjes dhe së bukurës këtu shfaqet nëpërmjet pamundësisë për t’u shqiptuar plotësisht, pamundësisë për t’u shkruar. T’i qasesh jetës nëpërmjet lidhjes së ngushtë midis vdekjes dhe së bukurës, siç edhe jam munduar të shtjelloj në këtë shkrim, është një marrëdhënie e mëveçme me gjithësinë. Dhe në dy vargjet e mësipërme të Shkrelit nuk duhet të na çudisë kjo ndarja që ai krijon midis vdekjes së bukur dhe shkrimit. Ta konceptosh jetën si një shtysë drejt një vdekjeje të bukur është marrëdhënie tërësisht e drejtpërdrejtë me gjithësinë, gati-gati një lloj marrëdhënieje jo e ndërgjegjshme. Kur njeriu është gati të flijojë gjithçka që ka, pra edhe vetë jetën e tij, ai përherë është nën një shtysë jo të ndërgjegjshme. Por shkrimi nuk është i tillë. Shkrimi krijon një marrëdhënie të tërthortë me gjithësinë: ti je i veçuar nga bota, e shikon gjithçka nga larg. Shkrimi është deri diku pasqyrim dhe pasqyrimi nuk mund të jetë asnjëherë plotësisht i drejtpërdrejtë. Një lloj vdekjeje të bukur jo intelektuale, një lloj vdekje jo të ndërgjegjshme, vdekje parake, shohim pikërisht edhe në një poezi tjetër të Shkreli: “Vdekja e malësorit”.

Asnjë kokë përkulur
Se ja rrëxoni lisat

Asnjë gjëmë mësa guri
Se ja shembni majet
Asnjë lot asnjë
Se ja shteroni krojet

Në sytë e tij vetëm
Harroi prendimin dita

Ç’mendim i vrugët
Ç’mendim i ftohtë ndër vetulla
Lum ky çfarë vdekje

Vdekja e bukur kthehet në veprën e Shkrelit edhe vetë qëllimi i një poeti të mirëfilltë. Pikërisht këtë gjë shohim të thotë në poezinë “Katër Këshilla Vetes”:

“mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë.”

Detyra e poetit është të vdesë në emër të fjalëve të bukura. Por, çfarë është e bukura? Shkreli nuk na jep askund ndonjë përkufizim të së bukurës. Dhe shumë mirë që nuk e jep, sepse çdo përkufizim i së bukurës që kam hasur është qesharak dhe ndjell mijëra kundërshembuj. E bukura shikohet, ndriçon, shfaqet dhe më pas ikën, zhduket menjëherë, vdes. Kur ti do ta kapësh, ajo përherë të rrëshqet nga duart. Një lloj pikturimi të tillë të së bukurës shohim në poezinë “Liqeni” të Shkrelit.

Flas me ty,
ti hesht e luan me valë.

Ti s’je më syri
im as loti i saj.

Flas me ty,
ti shikon pulëbardhat.

Për Shën-Naumin
paske zemër t’gjerë.

Flas me ty,
ti kotesh mrekullie.

Më vjen të zbres në fund t’fundit,
të vdes i gjelbër me alat.

Ai flet me të bukurën dhe e bukura hesht. Ai flet, e bukura kotet. Shkreli nuk mundohet ta përkufizojë të bukurën, as nuk mundet ta përshkruajë. Ai i flet të bukurës, por ajo është si ndonjë fëmijë që nuk ka mësuar ende të flasë. Marrëdhënia e Shkrelit këtu me të bukurën është tërësisht e kundërt me atë të Lasgush Poradecit. Poradecit bukuria e liqenit i flet: “Ay ndaj fundesh u përflak /Posi me zjarr e me flori”. Por, tek Shkreli, bukuria e liqenit është një bukuri që hesht, një bukuri që luan me vetveten, një bukuri që kotet. Shkreli nuk e përshkruan të bukurën për së largu, siç mund ta përfytyrojmë lehtazi Lasgush Poradecin duke e kundruar liqenin i mallëngjyer nga një i cep buzë liqenit. Vdekja e bukur te poezia e Azem Shkrelit është marrëdhënie e drejtpërdrejtë: ai do të zhytet tek e bukura, do të vdesë në të./ KultPlus.com

VDEKJA DHE E BUKURA TEK AZEM SHKRELI

Mallkimi i fjalës…

Nga Elona Caslli.

Mallkimi i fjalës!

Në Shqipërinë time, në Shqipërinë tënde, në Shqipërinë e të mençurit, në Shqipërinë e të marrit, në Shqipërinë e dritës, në Shqipërinë e territ, në Shqipërinë e fqinjit, në Shqipërinë e të panjohurit, në Shqipërinë e të gjithëve vlon mallkimi i fjalës!
Në zonat veriore të Shqipërisë kur duan të mallkojnë dikë, mallkojnë fjalën e tij, duke i thënë:

– Të vdektë fjala!

Çfarë do të thotë të të vdesë fjala?! Çfarë do të thotë ta varrosësh fjalën?! Çfarë do të thotë të dënohesh përjetësisht me heshtje?!

Nuk ke të drejtë të flasësh, sepse fjala të ka vdekur.
Nuk ke të drejtë të kërkosh të drejtën, se e varrose fjalën.

Ke vetëm një të drejtë: të heshtësh.
Po, vetëm kjo e drejtë të përket!

Të heshtësh kur vesi burgos virtytin.
Të heshtësh kur marrëzia udhëheq urtinë.
Të heshtësh kur verbëria të dikton udhën.
Të heshtësh kur kupton se ardhmja është peng i së shkuarës.

Të heshtësh, të heshtësh, të heshtësh, derisa një ditë, t’i bashkohesh në përjetësi fjalës. /KultPlus.com

Fati që nuk ishim zogj

Poezi nga Edi Shukriu.

Sulmi i policisë serbe në lagjen Ulpiana të Prishtinës, 25 shkurt 1990.

Ora policore: 21.10

Dritat e qiriut
Përshëndesin hënën
në orët e ngujimit

Në banesën e ngrohtë
dy terroriste mprehin armët
unë lexoj „Uliksin“
vajza „Borëbardhën“

TV bluan në vete
“Shtëpinë për varje”

Ora policore: 21.30

Vetëtima çan qiellin
e predhat nga tanket
vjellin zjarr
në bebëzat e syve

Nata bëhet çmendi
e egërsisë së shekujve
dhe futet në banesë
pa fije turpi

Plumbat lotësjellës
përhapin helm
e nuk di
ka më shumë në ajër
apo në brendi të mitrës

Frymë, frymë!
tmerrohen muret,
vazot lotojnë dhunshëm,
qiriri drithëron vdekshëm
e Satiri zhvesh lëkurën

Frymë, frymë!
klith për veten
si bishë njerëzore e pashpresë
duke harruar frytin

Ora policore: 22.30

Nuk dëgjohet më cicërimë

zogu njëjavësh i ditëlindjes
ka shtrirë krahët
e përshëndetjes së fundit

Ëmë e bijë
hidhemi në përqafim –

loti i hidhërimit
dëbon lotin e helmit

lotët e frikës
bëhen lot dashurie
në natën e egërsisë serbe

Fati që nuk ishim zogj!

Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001. /KultPlus.com

Një milion shqiptarë vjet nuk kanë lexuar asnjë libër

Të lexuarit e një libri po shuhet pak e pak sidomos edhe për shkak të ndikimit të teknologjisë, internetit, por edhe rrethanave të tjera që lidhen me nivelin e arsimimit dhe gjendjen ekonomike.

Sipas të dhënave të INSTAT, të evidentuara në një anketë të posaçme, siç komenton monitor, shihet se vitin e kaluar mbi një milion shqiptarë nuk kanë arritur të lexojnë asnjë libër.

Teksa pjesa tjetër mësohet se ka lexuar shumë pak. Rreth 320 mijë shqiptarë të moshës mbi 25 vjeç raportuan se nuk kanë lexuar më pak se 5 libra vitin e kaluar. Teksa pjesa e tyre që kanë lexuar më shumë se kaq sa vjen e zvogëlohet.

Rreth 102 mijë shqiptarët raportojnë se kanë lexuar 5-10 libra gjatë vitit të kaluar, ndërsa rreth 44 mijë shqiptarë kanë lexuar më shumë se 10 libra gjatë vitit të kaluar.

Gjithashtu leximi i gazetave vijon të jetë i kufizuar. Vetëm 583 mijë raportuan se lexojnë gazeta çdo ditë, duke përfshirë edhe leximet online. Ndërsa një pjesë e madhe e shqiptarëve, 213 mijë raportuan se lexojnë lajme njëherë në muaj dhe më rrallë se kaq lexojnë 127 mijë shqiptarë.

Rënia e numrit të shqiptarëve që lexojnë konfirmohet edhe nga tregues të tjerë. Sipas të dhënave statistikore të kulturës nga INSTAT, numri i frekuentimeve në bibliotekën më të rëndësishme në vend pothuajse është përgjysmuar gjatë vitit 2017. Numri i frekuentimeve në Bibliotekën Kombëtare zbriti në 88 mijë, nga mbi 150 mijë që kishte qenë në vitin 2016. Ndërsa Eurostat raporton se në BE, banorët shpenzojnë mesatarisht 200 euro për frymë për libra, ndërsa rreth 20 % e popullsisë janë lexues të rregullt të librave.

Në vendet perëndimore, rënia do të ishte tregues i sjelljes elektronike, që do të thotë se priren që të lexojnë në web më tepër se sa libra fizik, pra e-libra. Por, në rastin shqiptar e-libri nuk është shumë i pranishëm sepse, sipas përfaqësuesve të shtëpive kryesore, pirateria dhe aksesi i pakët në faqe si Amazon, janë penguesit kryesorë.

Në vitin 2016, Eurostat përllogarit se të gjitha familjet në Bashkimin Europian (BE) shpenzuan 90 miliardë euro ose 1.1% të shpenzimeve totale të tyre të konsumit në libra, gazeta dhe shkrimi. Kjo përfaqëson 0.6% të GDP-së së BE-së ose rreth 200 euro për banor të BE-së. Nga ana tjetër, shpenzimet e familjeve për këto objekte ishin më pak se gjysma e shpenzimeve të tyre në shërbimet rekreative dhe kulturore. Shpenzimet për libra, gazeta janë në rënie. Në vitin 1995, 1.8% e shpenzimeve totale të konsumit të familjeve në BE ishte e përkushtuar ndaj këtyre artikujve./ KultPlus.com

Gjermanët tallen me shqiptarët përmes një videoje

Një video që po qarkullon në rrjete sociale dhe e cila është bërë nga ndonjë shtetas gjerman, i paraqet shqiptarët në një mënyrë jo të këndshme.

Ata janë tallur keq duke luajtur rolin e një shqiptari dhe duke i shfaqur ata si të vrazhdë dhe të dhunshëm në komunikim me të tjerët.

Por jo vetëm kaq, në këtë video, lihet të kuptohet se shqiptarët janë shumë mendjemëdhenj dhe të gatshëm për të sulmuar.

Madje në çdo të dytën fjalë, sipas tyre, shqiptarët shahen me nënë.

Për më shumë, shikojeni videon:

Kreatorja Flora S theksoi elegancën mbretërore në koleksionin e ri

Kreatorja e njohur si Flora S ka prezantuar ditë më parë koleksionin e saj të ri. Një koleksion i cili pasqyron elegancën mbretërore, shkruan KultPlus.

Koleksioni i “Flora S ” dallohej për stilin e lartë që paraqiste dhe për pasqyrimin e denjë që i bënte elegancës mbretërore. Ky koleksion u prezantua të shtunën, më 18 gusht në solemnitetin e galas “White Night”.

Kostume të kualitet të lartë me ngjyrë perle-krem,ashtu siç ishte kodi i veshjes së mysafireve, kombinuara me kapela artistike të krijuara nga kreatorja Flora Suldashi, ishin elemente të këtij koleksioni. Kostumet ishin po ashtu të stilizuara me perla të ujerave të ëmbla dhe me kristale Swarovski.

“Ishte një mbrëmje e paharruar, një atmosferë impozante mbretërore dhe kam marrë komplimente të shumta. Kjo natë ishte e bukur edhe për arsye se menaxhmenti na kërkoi që brenda natës ta përsërisnim përsëri defilimin e modeleve pasi që publiku ishte pëlqyer shumë nga publiku”, tregoi kreatorja Flora Suldushi për KultPlus.

Sipas saj prezantim i këtij koleksioni ia ka hapur dyert edhe në shtresat e aristokracisë gjermane por edhe më gjerë.

Të pranishëm ishin më shumë se 500 mysafir të ftuar, ata të gjithë ishin të veshur me të bardha. Kjo ngjarje është përcjellë me vëmendje edhe nga mediat lokale si ZDF. “White Night” është organizuar nga “Royal Events” e baronit gjerman Heribert Reckenthäler dhe u mbajt në kështjellën e mirënjohur mijëvjeçare “Stromburg ” prone e prominentit Johan Lafer nën kornizat “HAUSPARTY”. /KultPlus.com

Shqiptarët hapin ekspozitën “50” për ditëlindjen e 50-të të qytetit Opfikon në Zvicër

“50-të” është ekspozita e dy artistëve shqiptarë Visar Kryesiu dhe Qëndresa Sadriu e cila është hapur dje në kuadër të shënimit të 50-të vjetorit të qytetit të Opfikonit në Zvicër, shkruan KultPlus.

Për KultPlus, artisti Visar Kryeziu ka treguar që kjo ekspozitë e fotografisë është një ëndërr tjetër për të e realizuar.

“Ekspozita e fotografisë për nderë të 50-vjetorit të Komunës Opfikon, është një ëndërr tjetër e realizuar për mua. Më pëlqen të kontribuoj në vendin në të cilin jetoj, duke filluar nga rrethi ku jetoj. Fotot i kam realizuar me dëshire sepse takova njerëz të ndryshëm që më kanë ofruar edhe më shumë me qytetin”, tregoi artisti për KultPlus.

Ekspozita jo rastësisht është titulluar 50-të, dhe të gjitha fotografitë që kanë realizuar artistët janë portrete të personave që jetojnë që 50 vite në Opfikon, janë të moshës 50-vjeçare, e kështu me radhë. Pra gjithçka që ka të bëjë me numrin 50-të.

Ky manifestim është shënuar me plot ngjarje kulturore, duke përfshirë koncerte, shfaqje teatrale, film të metrazhit të shkurtër, ekspozita…

Ekspozita përfshinë 50-të fotografi me 50-të portrete të njerëzve të Opfikon, të cilët, ndërlidhen me këtë qytet por edhe me numrin 50-të ndërsa fotografitë do të vendosen nëpër rrugët e Opfikon, të cilat po ashtu do të qëndrojnë për 50 ditë./ KultPlus.com

Albumi i bendit “Eagles”, më i shituri në botë deri tani

Përmbledhja e suksesit të parë të grupit kalifornian “Eagles”, i publikuar në vitin 1976, është renditur sërish albumi më i shitur i të gjitha kohërave, duke kaluar përpara “Thriller” të Michael Jackson sipas një klasifikimi të ri të publikuar të hënën nga shoqata amerikane e industrisë së disqeve, bën të ditur AFP.

Sipas “Recording Industry Association of America”, “Greatest Hits 1971-1975” i Eagles përmbledhja e katër albumeve të para të grupit country rock të lindur në Los Angeles në vitin 1971, ka arritur të shesë “38x platin”, një numër i certifikuar 38 milionë kopje, në disk ose streaming, kundrejt 33x platine ose 33 milionë për “Thriller”.

“Eagles”, përmbledhja e së cilit prej një kohe të gjatë mbajti vendin e parë para se të dyfishohej si numër nga “Thriller” në vitin 2009, duke u renditur në vendin e tretë në këtë klasifikim të ri për albumin e tyre “Hotel California”, i publikuar në vitin 1976./ KultPlus.com

Rita Ora fiton çmimin “Best Dance” në MTV’s Music Video Award

Këngëtarja Rita Ora është shpërblyer mbrëmë në Music Vide Award me çmimin “Best Dance”, për këngën e saj “Lonely Together”, shkruan KultPlus.

Rita Ora në këtë kategori konkurroi edhe me Dua Lipën e cila po ashtu ishte e nominuar me këngën e saj “One Kiss”.

Ora ishte nominuar edhe në kategorinë me efektet më të mira vizuale, përsëri me këngën “Lonely Together”, në bashkëpunim me Aviciin. Mirëpo në këtë kategori ajo nuk u shpërblye./ KultPlus.com

Rita Ora dhe Bebe Rexha: Jemi shqiptaret e para në VMA

Rita Ora dhe Bebe Rexha kanë marrë pjesë mbrëmë në ceremoninë prestigjioze të MTV-së, Video Music Award.Dy këngëtaret kanë qenë të nominuara në disa kategori në këtë mbrëmje, shkruan KultPlus.

Dy këngëtaret kanë qenë të nominuara në disa kategori në këtë mbrëmje.

Në një video të ndarë nga Rita Ora shihen dy këngëtaret shqiptare në hyrje të ceremonisë duke festuar. Bebe Rexha është ajo e cila e thekson faktin se ato janë edhe shqiptare.

“Jemi shqiptaret e para në VMA (Video Music Award)”, dëgjohet duke brohoritur Bebe Rexha.

https://www.instagram.com/stories/ritaora/?hl=en

Rita Ora është nominuar në 2 kategori. Ajo do të konkurroi me Dua Lipën në kategorinë e kërcimit më të mirë me këngën e saj “Lonely Together”. Ora ishte nominuar edhe në kategorinë me efektet më të mira vizuale, përsëri me këngën “Lonely Together”, që e ka realizuar në bashkëpunim me Aviciin.

Ndërsa Bebe Rexha ishte e nominuar vetëm në një kategori, atë të bashkëpunimit më të mirë me këngën “Meant to Be”, me Florida Georgia Line.

https://www.instagram.com/stories/ritaora/?hl=en

E nominuar ka qenë edhe këngëtarja Dua Lipa. Dua ishte nominuar në 3 kategori. Kënga e saj “New Rules”ishte nominuar për këngën e vitit, “IDGAF” për koreografinë më të mirë dhe “One Kiss” për kërcimin më të mirë. Dua Lipa nuk ka marrë pjesë në ndarjen e çmimeve ajo po shijon kohën e lirë së bashku me miqtë e saj. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/stories/dualipa/?hl=en

Besimtarët myslimanë sot festojnë Kurban Bajramin

Myslimanët në mbarë botën sot po festojnë Kurban Bajramin, i cili tek shqiptarët njihet ndryshe edhe si Bajrami i Vogël.

Kurban Bajrami është njëra nga dy festat më të mëdha islame. Për nder të kësaj feste theren kurbane, ndërsa besimtarët e kryejnë njërin nga pesë kushtet e fesë islame, shkuarjen në Haxh.

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban – Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Manifestimi fillon në ora 5:10, me faljen e namazit të sabahut nga Hfz.Xhelal ef. Kaloshi, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbaj Bahri ef. Sejdiu ligjërues në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Namazi i Kurban–Bajramit falet në ora 06:25 të cilit do t’i prij Hfz.Xhelal ef. Kaloshi, ndërsa Hytben – mesazhin e Kurban – Bajramit do ta mbaj, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava.

Me rastin e festës së Kurban – Bajramit, Ditën e parë, Kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

Kurban Bajrami është një nga festat më të shënuara për botën islame që shënon dhe fundin e ritit të haxhillëkut i konsideruar si proces bindjeje, paqeje dhe sakrifice./ KultPlus.com

“E tmerrshme është të mos kesh askënd për të pritur”

Erih Maria Remark lindi në 22 qershor 1898 në Osnabryk të Gjermanisë. Një vit, pasi kishte filluar kolegjin si mësues, në nëntor të vitit 1916 shkruhet në ushtri. Plagoset nga një granatë në këmbën e majtë, krahun e djathtë dhe në qafë. Atëherë fillon të punojë për një roman mbi luftën, shkruan KultPlus.

Në vitin 1938 publikohet në gjermanisht libri i tij, “Tre shokët” në Amsterdam dhe në 20 maj vjen shfaqja e parë kinematografike e këtij romani me regji të Frank Borzage. Sot ju sjellim një fragment të shkëputur nga ky libër.

“…apo ke ngrënë?”
“Jo, jo akoma. Po të prisja ty.”
“Por nuk duhet të më presësh. Kurrë. Është e tmerrshme të duhet të presësh.”
Ajo tundi kokën. “Ti Robby, këto gjëra nuk i kupton. E tmerrshme është të mos kesh askënd për të pritur.”