“HESHTJA”, vdekje ma e rëndë se atentati

Nga piktori Pjerin Sheldija.

Pyes: Sa herë vdiqe Gurakuq?

Me siguri që ti do të thuash: të lutem, më len në qetësi, këtu, ku jam. A s’të mjaftoi gjithë jeta e veprimtaria ime, e trazueme dhe e flijueme për Shqipni? Të lutem, tash së paku, më len pa më trazue!

Mendoj: drejt o Gurakuq: Ti i pastri, i drejti, i ndershmi, ti shembulli i atdhetarisë, ti motori i pavarësisë, luftove u përpoqe për liri e qetësi, e tash, këto i ke të shtrenjta e lypë, me të drejtë , që mos ti trazojë kush.
– Më fal! Por, kaluan sa përvjetorë të lindjes sate, po ashtu edhe të vdekjes e askush s’u kujtue: asnjë organ shtetëror apo shtypi. Heshtje vorri e këtë rasë, për keq, mbas sa dekadash të vdekjes sate.

Vdiqe!? Jo mor burrë por të vranë. Të vrau mbreti, të cilit, si duket, për meritë të vrasjes sate, të B. Currit, H. Prishtinës, A. Rrustemit etj. i u ngrit monumenti (interesant…, prej nji artistit që ka ba edhe E. Hoxhen!!!) dhe mendohei për mauzoleumin e dinastisë “ZOGU”.

I lumtë Demokracisë së gadi tridhetë vjetëve! Veçse nuk thohet drejtë për drejtë: Baltion Stamolla “të lumtë pushka” (e pabesë).

Kjo kje vedkja e parë e jote, vdekja fizike.

Erdhi përbindshi i kuq. Këtu jo se s’tu përmend emni e s’pat ndonji botim (monografia e P. Takos) e ndonji artikull, por përsa je përmend, peshove tepër lehtë. Universiteti i Shkoders mban emnin tand dhe u ba monumenti i yt, në qendër të qytetit tand. I lumtë Shkodres qi kujtohet për birin e vet, por aty, ku ti e kishe vendin, t’u mohue: NË MONUMENTIN MADHËSHTOR TË PAMVARSISË në Vlonë, nuk t’u dha asnji centimetër vend. E pra, pesha e jote, në 1912-ten ishte aq e madhe, sa s’ka kandar që ta peshojë.

Mos të mendojnë kush, se ka faj Vlona. Ajo të ka pasë e të ka në zemër, deri në të sosun të shekujve.
Atëherë kush: Grupi i skulptorëve apo shteti komunist?!

E din Partia, që po s’a pati diktue, do t’ia kishte “zhgulë veshin” artistëve, për këtë mungesë absurde por, e justifikoi realizmi socialist: …mbasi Gurakuqi, si shkodran, do të ketë kleçka, sado pak, si prej klerit ashtu edhe prej figurave tjera antikomuniste.

Ka shumë kohë, në nji letër që Gurakuqi i drejton nji mikut të vet,të botueme në nji revistë të herëshme, pat shkrue: “…na kanë fye randë, na kanë quejtë komunista…”, e këtë natyrisht, që komunistët s’mund t’ia falshin.
Megjithëatë, shtëpia e Gurakuqit u shpall “Muze”. Mjaft me kaq, mos tepër bile! Këtë ato s’e kanë thanë me gojë por, me zemër sigurisht që po!

Hëm…, “Shtëpia Muze” ! Vetëm nji pllakë, në krah të nji dere të madhe, që nuk ruen karakterin shkodran, thotë se: “Këtu ka lindë Gurakuqi”, ….e se, …”mbrohet nga shteti”. Kush?! Shtëpia?!…AJO NUK EGZISTON. Pra, ke mbron shteti? Apo e ka prishë vetë? Kështu edhe me Daut Boriçin, kryetarin e degës së Lidhjes së Prizrendit për Shkodren, me Filip Shiroken, Isuf Tabukun, etj. I lanë pa plang e pa shtëpi, e kjo për se vdekuni. A ka hall ma të madh?! Ishte, nji njeri, burrë tepër i ndershëm, mik i Gurakuqit, (Gj. Kamsi), që kur u ba shtëpia muze, dorëzoi nji mori materialesh, që prej teshave të pergjakuna, kunorat, lajmërimet etj., që i kishte ruejtë me fanatizëm prej dekadash, në shtëpinë e tij. Mendim i mrekullueshëm i tij e që plotësoi sasinë e relikeve të shtrejta të heroit, por… ku janë sot?

Këta breza të rij, që rriten, a i kanë pa ndonjiherë dhe a dijnë se ekzistojnë? Edhe në kjoftë se ruhen në muze, vështirë për ekspozim të përherëshëm, për mungesë ambientesh.
Vorri?!

Ndër vorret e deshmorëve ishte e asht nji (vorr) i caktuem për te. Dikur, u pat thanë se erdhën eshtnat e bekueme të Gurakuqit, prej Barit, e u vëndosen aty. Edhe nji (vorr) për Dedë Gjo Lulin, por ky i fundit kje vorrosë në Kishen Françeskane, por, për mos me e lane vetëm, eshtnat e tij u treten në Bunë, bashkë me ata të At Gjergj Fishtës, kur u rropos gjithshka ndër kisha e xhamija.

Pyes vehten sot: … i tiji (vorri i Gurakuqit), a ka gja mbrendë, atje në kodër? Po?! Si duket, Gurakuqi, për brezat e fundit të politikës, i takon tokës. “HESHTJE”. E pra, nji vrasje tjetër kjo.

Fluturoi, tashma kaherë 100 vjetori i pamvarsisë, e ….HESHTJE vetëm për emnin e tij. Dishroj me këtë rasë, që Shkodra të bante diçka, për të ekspozue ata relike, tepër të shtrejta, si dhe (ndoshta absurditet), nji bust, të derdhej në bronx e të çohej në Vlonë dhe të vihej tek kambët e Ismail Qemalit, se kje krahu i djathtë i tij, e ai, me siguri, do të ndjehet ma i fortë, prap si në ditët e Nandorit të madhnueshëm.
Kujtoj, sa përvjetorë të lindjes e të vdekjes së tij, e ….përsëri hiq… Turp! … Edhe ma turp, kur kërkohet që gjakun e tyne të pastër (Gurakuqit, Currit, Gazullit, Prishtinës, Rustemit), ta përlyejnë, tue na thanë e quejtë “ Vllazën të nji gjaku”, me pushtuesit e ndryshëm… E pra, as probatina që i kena pi gjakun njeni tjetrit, nuk jena, …DERDHË PO!?

Fishta thotë: Me gjithkend vllazen e shokë, por seicili n’cak të vet… Nuk paska folë kot, me ato dy elegji për Gurakuqin e Currin. Mirëpo, pyes përsëri: A mbulohet dielli me shoshë? Se kush kje e asht Gurakuqi, dihet prej botimeve të kaherëshme e plotësohet prej intervistave të W. Kamsit, V. Hotit, G. Shpuzës (të gjithë profesorë), të librit të Kolec Çefës etj.

Si ka mundësi të vihet nji eklips artificial, mbi një diell që ka shndritë me forcë token shqiptare?! Përsëri me fjalët e Fishtës së madh: …A ka si i bahet kuej ma tepër dhunë? E vrasësi krekoset në bronx, për vepren e përgjakshme të tij, bile, thohet:…Me këtë nuk errësojmë figurat e tjera… Kulmi! Na në Shkoder thona: O puth kryqin o kërce hendekun…, pra, …djajtë e shejtnit, kurrsesi nuk mund të rrijnë bashkë. Kanë kalue ka herë dy datat e tija: lindja me 19 shkurt 1879 dhe vdekja 2 mars 1925. Prap “HESHTJE”.

Pyes gjithnji: a i del zot kush, sot, në “Demokraci” këtij demokratit të madh, që nuk asht turp që në çdo zyrë demokratike, të jetë portreti i tij? A thue, të gjithë janë pro kësaj heshtje, që përveç se pa shtëpi e pa vorr, duen të jetë edhe pa emen? Historia kështu do të bahet?

Atëherë lutem: shëndritja, Zot, mendjen autoriteteve tona, shkencatarëve tonë, historianëve tonë e atdhetarëve tonë, që të vejnë emnin e tij të pavdekshëm, në piedestalin e Atdheut, për të cilin, shkriu jeten; e në kjoftë se heshtet ma, në këtë botë u baj thirrje shpirtënve e eshtnave të dëshmorëve: Gurakuq, Curr, Prishtinë, Gazull, Rustem, të mblidhen tok atje në parajsë e si thotë Fishta: Para fronit të Perëndisë, lypni gjyq mbi këta “KAINA” të kunorzuem, që kombin tonë po duen me e pa të sharruem?!
Pyes, …pyes,…Pse linde ndopak o Gurakuq?

Ky opinion nuk përmban qëndrime të redaksisë së KultPlus-it./ KultPlus.com

“Pranverë 72”, grupi që sfidoi diktaturën

“Pranverë ’72” kështu quhej grupi i disa gjimnazistëve shkodran i cili performonte muzikë rock ‘n’ roll.

Asokohe do të ishte një lajm sensacional. Tre djem dhe dy vajza formuan në Shkodër kompleksin e parë muzikor të qytetit, “Pranverë 72”. Muzikë argëtuese, shqiptare, me këngët e Bik Ndojës deri tek ato të famshmet angleze, “Chirpy Chirpy Cheep Cheeep” të “Midle of the road”.

Ata që kanë jetuar ato vite i kujtojnë edhe sot solistet bukuroshe e të talentuara Viola Duka e Klaudia Shllaku, e bashkë me to Çesk Marashi vokal-violinë, Albert Naraci vokal-kitarë e Nikolin Kurti vokal-kitarë. Të gjithë instrumentistë profesionistë, ndonëse në moshë të re. “Pranverë ‘72″ ishte një dritare në Perëndim, i shumëpritur nga shkodranët, aq sa biletat për koncertet e tyre ishin gati të pamundura për t’u gjetur.

Grupi u bë ndër më të dëgjuarit në Radio Tirana, madje tentuan të marrin pjesë edhe në Festivalin e 11-të, por nuk u pranuan. Të njëjtin fat pati edhe turneu i tyre i programuar nëpër Shqipëri. Por, një urdhër nga “lart” do ta anulonte turneun. Më pas, shfaqjet do të bëheshin sporadike, këngët censuroheshin, deri në shpërndarjen e grupit, i cili do të ribashkohej pas viteve ‘90. Voal.ch./ KultPlus.com

E paëndërrta ime

Poezi nga Fatos Arapi.

Më duhet një gjysëm ëndrre,
e paëndërrta ime.
Vë kokën në gjoksin tënd
e aty përplasem
te koka e një tjetri.
Më duhet një gjysëm ëndrre.
Shigjetat e orës së dorës
tutje i shtyjnë kalimtarët,
në ditë të rrëpirta tiranase.
Shpirtra joshpirtra që shkojnë…
Bri meje dikush flet me vete,
pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.
Dikush, prej zhgënjimi të egër,
mbërthen kryqe të reja.
I hedh një gjysëm leku
dhe blej kryqin tim.
Tani që ta ngre
më duhet një gjysëm ëndrre,
e paëndërrta ime./ KultPlus.com

Kritikohen ndërhyrjet në restaurimin e Kishës së Apostujve

Kisha e Apostujve në Hoshtevë të Zagorisë po restaurohet. Ky monument i rralle i kultit dhe artit të mesjetës prej dekadash rrezikonte shembjen dhe humbjen e afreskëve. Por projekti që kushton rreth 19 milionë lekë kontestohet nga ekspertët për shkak të teknikës së restaurimit.

Fillimisht projekti i restaurimit nisi me çmontimin e hajatit të kishës dhe rindërtimin e tij. Teknika e shumë kritikuar filloi të zbatohet edhe me murin prapa Kishës. Një prej teknikëve lokalë thotë se në monument është duke u kryer një ndërhyrje flagrante dhe e pakujdesshme që po i zhbën identitetin.

Reshat Gega, arkitekt thotë se teknika është e papranueshme dhe se po dëmton vlerën e këtij objekti, shkruan gazeta-shqip.

Megjithatë sipas ministres së Kulturës Mirela Kumbaro ky operacion i komplikuar ndërhyrjesh është mundësia e vetme për ta shpëtuar objektin që ka probleme madhore konstruktive.

Kisha e Apostujve apo e njohur si kisha e Shën Petros dhe Pavllos është e vetmja që i ka rezistuar kohës mes 24 kishave të zonës më të thellë të Zagories në Gjirokastër.

Debati mbi teknikat shpëtuese në restaurim përfshin në fakt edhe disa objekte të rëndësishme të trashëgimisë kombëtare në jug të vendit si Kisha e Labovës së Kryqit, Kisha e Shën Kollit në Mesopotam, kisha e Kosinës në Përmet, kisha e Dhërmiut apo restaurimet në zonën historike të Gjirokastrës./ KultPlus.com

Gruaja shqiptare sipas Mit’hat Frashërit

Mit’hat Frashëri

E dashur këndonjëse. E di që je e mençme dhe patriote. Në qoftë se të qortonj, po të akuzonj pse nuk bën no një shërbim, dhe jo pse ke no një faj. Jam sigur që edhe ti e kupëton mirë se, ky popull i varfrë kurrë s’ka për të përparuarë në qoftë se ti nuk mbush plotësisht rolin ë mëmësë, të motrësë dhe të shoqesë dhe nuk merrë piesë aktive në edukatë të fëmijërisë, në shërim të plagëvet që mbulojnë trupin dhe shpirtin e kombit.

Roli yt sot është të vuash dhe të shohsh të tjerët të vuajnë, pa nxjerë zërin. Detyra jote duhet të jetë që të shpëtosh nga kjo pasifëri, të marrësh një detyrë aktife, si me teprë e interesuarë që duhet të jesh.

Them që burri duhet të punojë, të stërvitetë, të marrë edukatë dhe arësim. Po harojmë sa kohë vdierrin kot, sa minuta të vlefshme u venë dëm gravet të Shqipërisë! Themi se duhet të punojmë me një kujdes të math për qytetërimin dhe begatinë e këti vëndi, për shëndetësinë dhe mirëshkuarjen fizike të këti populli dhe harojmë që gjysmën e njerëzisë sonë, gysma që munt t’a quanj me e mira, e ndalojmë prej çdo shërbimi, ose nga egoizma jonë brutale, ose nga injoranca jonë qesharake, ose nga që i pëlqen dhe gruasë vetë që të jetë përtace dhe të mbetet si foshnjë.

A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpië dhe squka e fëmijërisë të rrijë në shkallë të unjët? A presim ne një zgjim të vërtetë kur çupat tona, zonjat e nesërme të rritenë vetëm si kuklla? A pandehim se një çupë, një grua e ka mbushurë gjithë detyrën e saj kur të dijë të hollinj petë për lakror dhe të bëjë qofte me thërime?

Themi se palët e thella të kombit duan nxejrë nga errësiar, duanë shkulurë nga balta. Po si munt të hyjnë pakërrëzat e sotme, sa kohë që neve na pëlqen të mbajmë gruanë në tym dhe në pluhur të shekëlvet të vdekurë?

Duamë që të shpëtojmë llauzin dhe vendin tonë prej lëngatavet, të kemi një popull të shëndoshë, një Shtet të fuqishmë dhe harojmë që rolin më të math do ta lozë gruaja, se ajo do të interesohet për të vegjëlit, për rrojtjen e të varfrëve, për shpëtimin e atyre që vuajnë dhe lëngojnë.

Duhet të kupëtojmë bukur e mirë se shpëtimi dhe shëndoshja e kësaj njerëzie, nukë bëhetë gjë e mundurë, por që gruaja dhe çupa e shtëpisë nuk arrinë më një shkallë inteligjence dhe kulture që të bëhenë me të vërtetë zonjë shtëpie dhe mprojtëse të folesë.

Mejtohemi qysh të shpëtojë Shqipëria nga varfëria ekonomike që siell injoranca dhe përtimi; po s’duamë të gjykojmë njëherë se shpëtimi nukë munt të vijë veçse nga puna, dhe puna nuk munt të na jetë e dukshme po që gruaja s’morri pjesë në të, duke diturë qeverinë e shtëpisë, duke kupëtuarë rëndësin e ikonomisë shtëpiake, ajo dituri e administratës së vatrësë.

Gruaja në Shqipëri gëzon një respekt dhe një nderim që s’e gjen lehtë në vendet e tjera. Liri e saj është e plotë në viset e vendit tënë ku s’ka hyrë pseudoqytetërimi i Asisë.

Gruaja Shqiptare është inteligjente dhe s’i mundojnë cilësitë qytetare të larta. Është vërtet se të drejtat e saj janë mohuarë. Po edhe do kujtuarë kurdoherë se, të drejtat fitohenë prej atyre që janë denjë t’i marrin, prej atyreve që dinë përdorimin e mënyrësë për t’i fituarë. Dhe më teprë akoma, mbi çdo konditë është ajo e të merituarët.

Duhetë pra që gruaja Shqipëtare të përpiqetë dhe të rrëfehetë e denjë për të drejtatë njerëzore. Lipsetë që të bëjë forcime për t’u lartësuarë intelektualisht dhe shpirtërisht, duke njohurë vendin e vërtetë që i ka hie të okupojë.

Atëhere do të bindetë gruaja shqipëtare se, në ringjallje të këtij vëndi duhet të marrë pjesë, të kolaborojë duke prurë aktivitetin dhe inteligjencën e saj për shërbimin e dheut mëmë duke siguruarë jetën dhe fatin e bardhë të djemvet dhe të burravet, të kenë sigurarë dhe rrojtjenë fatmire të tyre vetë.

Atëhere, sikundrë që çdo shqipëtar sado i pasurë, i diturë dhe I lumturë të jetë e ka për detyrë që të kujdesetë për të mirët, për ata që janë fatzes, dergjen në injorancë dhe vuajnë në moskamje, ashtu edhe çdo grua, sado zonjë e madhe që të jetë sado që t’i qeshnjë fati në bukuri dhe lumturi duhetë që të bëjë pakë therori nga koha dhe dëfrimet e saj , të kujdesetë për grat e varfëra, për ato që lëngojnë dhe pësojnë.

Rolin më të math që pres prej grave tona është përhapja e parimevet të higjienësë dhe të mirërrojtëse fizike. Burii s’vvete do në shtëpi kur një e varfërë dergjet e sëmurë, ku një lehonë ka nevojë për ndihmë . Një foshnjë vuan për një filxhan qumësht. Gruaja me dorën dhe zërin e saj të njomë munt të lehtësojë plagët fizike dhe morale të shpjerë gushëllimin, të ngrerë një fëmijë afrë fikjesë, të shpëtojë një tjatrë që mënt rrëzohetë.

Ca më pak se nga burratë do të gjendetë një grua që të rrëfehet indiferete në gjallëninë dhe dobësinë e këtij trupi që i themi Shtet. Ca më mirë nga burratë gratë do të dijnë, se jeta dhe lumtëri e tyre është varurë në jeta dhe lumtëri e Shqipërisë, që pa shëndoshurë të gjithë palët dhe shkallët e kësaj popullisje , vet s’munt të quhetë jashtë rrezikut./ KultPlus.com

Jeta e rrjeteve sociale përmes “Mad World” (VIDEO)

Krijuar nga William Vision, me nëntë personazhe kënga “Mad World” nga Jasmine Thompson jetësohet përmes një pasqyre të ditëve të sotme, shkruan KultPlus.

Një botë së cilës nuk i bënë përshtypje fëmija i vetëm në rrugë, rrahja, djegia, ndjenjat personale, por krejt këto i shfrytëzon për paraqitje në rrjete sociale përmes telefonave të mençur.

Ky film i shkurtër siç është quajtur nga krijuesit është shpërndarë përmes një faqes italiane dhe deri më tash ka 157 shpërndarje.

Po sjellim të plotë videon me zërin e ëmbël të Jasmine Thompson me “Mad World”./ KultPlus.com

10 fotografitë që tregojnë heroizmin e McCain në Vietnam, dhe ndikimin e tij në ushtrinë amerikane

Senatori amerikan John McCain, një hero i Marinës së SHBA-së dhe një nga republikanët më me ndikim të vendit, zgjodhi të heqë dorë nga trajtimi mjekësor për kancer të trurit, dhe ndërroi jetë, njoftoi familja e tij.

McCain u ngrit nga një burrë i një admirali në një kapiten të dekoruar të Marinës dhe pastaj u bë senator dhe kandidat presidencial republikan, i cili fitoi një reputacion si misionar, shkruan Insajderi.

Si një pilot i Marinës 31-vjeçare, avioni i McCain u rrëzua në një bombardim, i cili filloi një përvojë pesëvjeçare të egër si rob lufte që do të ndryshonte rrjedhën e jetës së tij. Ai u nderua me ‘Silver Star’ për heroizmin e tij në robëri.

Ai ka qenë një mbrojtës dhe një nga zërat më influentë kundër torturës të Kongresit, duke kundërshtuar vazhdimisht llojin e brutalitetit që vuajti në Vietnam.

John McCain u diplomua nga Akademia Detare në vitin 1958./ KultPlus.com

Lence Zdravkin dhe Omer Kaleshi sot marrin çmimin “Nënë Tereza”

Lence Zdravkin dhe Omer Kaleshi, janë fituesit e çmimit shtetëror të Maqedonisë “Nënë Tereza”, për vitin 2018, shkruan KultPlus.

Çmimi ndahet sot pikërisht në ditëlindjen e Nënë Terezës.

Zdravkin humaniste dhe Kaleshi piktor janë nderuar me këtë çmim me vendimin e miratuar nga këshilli për ndarjen e çmimit nën kryesimin e akademikut Alajdin Abazi.

Ky çmim jepet për të arriturat e rëndësishme në interes të shtetit në sferën e humanitetit dhe solidaritetit njerëzor dhe nxitje, avancimin të mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillim të bashkëpunimit mes popujve dhe mes pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme, kulturave dhe besimeve./ KultPlus.com

Era Istrefi dërgohet urgjent në spital, operohet

Këngëtarja e famshme me origjinë nga Kosova, Era Istrefi, ka pasur dhimbje të forta në bark e si pasojë është dërguar në spital me urgjencë.

Pas kontrollit, mjekët atë e kanë dërguar menjëherë në sallën e operacionit. Ata kanë konstatuar se Istrefi ka pasur probleme me apendisitin, transmeton Koha.net.

Era nuk e ka bërë të madhe këtë dhe ka sqaruar fansat e saj se është mirë dhe se operacioni ka kaluar me sukses.

Përmes publikimit të një videoje, e cila nuk e ka shfaqur fytyrën e saj, në Instagram Story, Istrefi ka treguar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, se ka operuar apendicitin. Po ashtu, ajo ka treguar edhe se është mirë dhe se së shpejti do t’i kthehet muzikës me këngë të reja./ KultPlus.com

“Kur hana del” për fatin e njerëzve me sëmundje mentale, së shpejti në Ferizaj

Në fund të muajit shtator në Teatrin e Qytetit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, vjen premiera e shfaqjes “Kur hana del”, shkruan KultPlus.

Me tekst të Ag Apolloni e regji të Ben Apolloni, shfaqja e zhanrit tragjikomedi, trajton fatin e njerëzve me sëmundje mentale si pasojë e tmerreve të përjetuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ngjarja vendoset në një qendër të të sëmurëve psikiatrikë në Kosovë dhe zhvillohet në dy linja: njëra shpalos tragjedi të ndryshme, kurse tjetra tregon një histori dashurie mes dy të sëmurëve mentalë. Kështu, drama paraqet fatet tragjike dhe veprimet komike të personazheve, derisa në fund mbyllet me një akt tragjik.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Ali Krasniqi, Edona Berisha, Vjosa Abazi, Jajush Ramadani, Sherif Bega, Mevlan Saraçi, Gresa Gashi, Arben Marevci, Dashuri Rexhepi, Ekrem Jakupi.

Skenografinë do ta bëjë Lebibe Topalli, kurse kostumet Pranvera Sylejmani. “Kur hana del”, vjen me premierë në fund të shtatorit në teatrin e Ferizajt./ KultPlus.com

Media izraelite për Shqipërinë: Një nga destinacionet më të mira turistike të vitit

Pikat turistike, shumëllojshmëria e vendeve si dhe bukuritë që ofron Shqipëria kanë nxitur së fundi edhe interesin e turistëve izraelitë.

Kryeministri Edi Rama, përmes rrjetit social “Facebook” ndau sot shkrimin e prestigjiozes izraelite ”Ha’aretz”, e cila e cilëson Shqipërinë një destinacion të mrekullueshëm turistik”.

“Mirëmëngjes dhe me këtë artikull të medias izraelite kushtuar Shqipërisë, duke përshkruar pikat turistike, shumëllojshmërinë e vendeve si dhe bukuritë që ofron vendi ynë, ju uroj një të dielë të bukur”, shkruan Rama.

Më poshtë shkrimi i plotë i ”Ha’aretz” për Shqipërinë:

Rezulton se jo vetëm Greqia mund të jetë e bukur dhe tërheqëse. Shqipëria, fqinji i saj, ka gjithçka që duhet për të kaluar pushimet, duke filluar që nga vendet e trashëgimisë, plazhet, muzetë, arkitektura osmane si dhe natyra në fshatrat e izoluara që përshkohen nga lumenj të egër, e cila të lë pa frymë.

Kështu shkruan gazeta e përditshme prestigjioze izraelite “Ha’aretz”, në artikullin kushtuar Shqipërisë, duke përshkruar pikat turistike, shumëllojshmërinë e vendeve si dhe bukuritë që ofron vendi ynë.

Shqipëria është kthyer një nga destinacionet më të mira turistike të vitit edhe pse për tri dekada ajo ka qenë e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Sot, ajo pranon turizmin e ardhshëm, duke mirëpritur turistët nga gjithë vendet, pasi është një nga vendet më të bukura në rajonin e Ballkanit.

Me një kuzhinë të larmishme me ndikime nga kuzhina greke, turke dhe italiane, ky komb bujar ka peizazhe të egra dhe plazhet më të bukura në rajon.
Për shumë izraelitë, ky është një zbulim, falë faktit që për herë të parë këtë vit filluan fluturime të drejtpërdrejta me Shqipërinë, kështu që pak para se të vizitohet nga turistët dhe të bëhet Mikonosi tjetër, duhet të shkoni për të eksploruar këtë vend.

Në Shqipëri është shumë e vlefshme të marrësh me qira një makinë për të lëvizur në qytete të ndryshme dhe udhëtimi do të jetë i bukur, pasi udhëtarëve nuk do t’ju mungojnë peizazhet malore, fshatrat dhe bregdetet e bukura.

Shqipëria, ju ofron dhjetë destinacione të lira për t’u eksploruar:

Mendoni për plazhet e vogla dhe më pak të njohura

Shqipëria vendos një standard të lartë për fqinjët e saj në ato që quhen plazhe perfekte për pushime familjare, për të mos përmendur çmimet e ulëta të akomodimit në fshatrat turistikë. Nëse merrni me qira një makinë, është shumë mirë të filloni në fundin jugor, ku do të gjeni “Maldivet” shqiptare duke vizituar Ksamilin, një fshat të vogël me një nga plazhet më të bukura në Shqipëri. Ai është futur në listën e 20 plazheve më të bukura në Europë dhe tashmë është zbuluar edhe nga turistët. Një gjysmë ore me makinë është Saranda, ku përveç një plazhi spektakolar, mund të vizitoni edhe burimin e quajtur “Syri i Kaltër”. Vendi është një fenomen i mrekullueshëm natyror, ku burimi i ujit që vjen nga toka e ngjyros me blu të thellë dhe të kaltër. Pak kilometra në veri në të njëjtën rrugë, disa limane të izoluara janë fshehur midis maleve dhe që zbresin ndjeshëm në det, Palasa, Jala, Gjipeja dhe Dhërmiu, plazhe ideale për ndalesa të qeta dhe të bukura.

Për entuziastët e kampingut në përgjithësi, Parku Kombëtar i Valbonës është pikërisht vendi i duhur. Parku, i vendosur në Alpet shqiptare që kufizohet me Malin e Zi, është një nga vendet misterioze të fundit në Europë. Atje mund të shihni një peizazh me frymë alpine, burime të fshehura në mes të maleve, luginave dhe ujëvarave, kafshëve të egra dhe natyrë që ju nuk mund ta shihni më në vende të tjera. Turistët mund të akomodohen në fshatin e afërt që ofron një shtëpi mysafirësh dhe disa restorante. Për turistët që kanë dëshirë të eksplorojnë majat me dëborë, luginat e gjelbra, liqenet dhe fshatrat e izoluara mund të vazhdojnë të shkojnë në luginën e Thethit. Një rrugë prej 10 kilometrash që kalon midis peizazheve madhështore, ku gjatë udhëtimit do të shihni kasolle barinjsh dhe dele. Meqë zona është relativisht e lartë dhe e ftohtë në verë, është shumë e rekomandueshme që të informoheni për motin dhe temperaturat para se të niseni.

Shqipëria është e mbushur me liqene dhe lumenj. Liqeni i Komanit në veri të vendit, është një nga vendet më të njohura në Shqipëri. Liqeni është i rrethuar nga shkëmbinjtë e pjerrët që kryqëzohen me shkëmbinjtë e gurit, të cilat formojnë një nga kanionet më të bukura të vendit. Struktura topografike dhe bimësia e dendur në zonë kontribuojnë në krijimin e habitateve të ndryshme për kafshët, që shpesh shihen në brigjet e lumit. Lëvizja e njerëzve bëhet me traget dhe ka pamjen si fjordet e Norvegjisë. Në pjesën jugore të Shqipërisë do të gjeni liqenet e Ohrit dhe Prespës. Liqeni i Ohrit, që shtrihet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, është një nga liqenet më të vjetra të zbuluara në Europë dhe një nga më të thellët. Ky është një nga vendet më magjike që “takojmë” në Shqipëri. Pranë Ohrit është liqeni i Prespës së Madhe, i cili ndahet mes tre shteteve, Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë, ku zona përfshin tre parqe nacionale. Zona është e pasur me monumente të lashta të tilla si kisha, kështjella dhe manastire që rrethojnë liqenin.

Qyteti i Korçës

Pas gjithë udhëtimeve nëpër plazhe dhe male, keni nevojë për një qytetërim të vogël dhe një ndalesë për pushim. Qyteti i Korçës në Shqipërinë juglindore, është një nga më të bukurit e vendit. Rrugicat me kalldrëm të shoqërojnë kudo dhe duket se në to koha ka ndaluar. Gjithashtu, këtu mund të shihni Katedralen e qytetit një nga monumentet më interesante i cili përmban kultin brenda. Por mund dhe të festoni në festivalin e përvitshëm të birrës, më i famshmi në qytet dhe është ngjarja më e madhe në Shqipëri, me rreth 100,000 pjesëmarrës për pesë ditë, ku çdokush mund ta shijojë birrën falas.

Kryeqyteti, Tirana

Krahas arkitekturës komuniste e cila vërehet dhe sot, ka dhe ndërtime moderne. Disa thonë se kontrasti i madh të kujton Berlinin. Vitin e kaluar, Tirana është renditur si një nga vendet më të lira në Europë për mënyrën e jetës, për të pirë dhe ngrënë me një kosto më pak se pesë dollarë. Në Tiranë do të gjeni pesë qendra tregtare të lira dhe me firma të njohura. Përtej pazareve dhe qendrave tregtare, Tirana ka një numër të madh institucionesh kulturore, muze dhe vende përkujtimore që janë ruajtur që nga periudha e hershme romake. Gjithashtu me vlerë për t’u vizituar është dhe Piramida, e cila është si një muze për të ruajtur trashëgiminë e qytetit.

Ushqimi më i mirë për të ngrënë

Shqipëria nuk është një vend vetëm me peizazhe të bukura, por edhe një vend që reflekton një ushqim të larmishëm, për shkak të ndikimeve të lëna nga perandoritë e ndryshme që e kanë sunduar. Për shembull, një nga gatimet më të famshme në Shqipëri është byreku, i bërë nga brumi fli, i mbushur me spinaq apo mish, një traditë nga Perandoria Osmane. Rakia, sinonimi i pijeve të famshme greke si dhe Grappa italiane, është pija më e konsumuar alkoolike në të gjithë vendin. Qoftet janë kudo si dhe nuk mungon dhe kebapi turk.

Butrinti dhe Apolonia

Butrinti dhe Apolonia, janë dy vendet më të vjetra dhe më të rëndësishme në vend. Butrinti është një tjetër koloni greke nga periudha e Paleolitit, i cili u shpall Trashëgimi Botërore nga UNESCO. Një nga pamjet më intriguese, Parku Arkeologjik i Apolonisë është në fakt një qytet dhe koloni e lashtë greke e themeluar në vitin 588 p.e.s., një qytet që është bërë një qendër popullore kulturore në atë kohë. Për më tepër Shqipëria ka dhe disa vende të tjera historike për t’u vizituar si Kruja, Berati dhe Gjirokastra.

Festat dhe ngjarjet

Shqipëria është gjithashtu një destinacion i përsosur për dashamirësit e festivalit. Pas suksesit të festivalit Kala (Kala), një festival muzikor ndërkombëtar, Shqipëria vazhdon të presë dhjetëra mijëra turistë të huaj përgjatë Rivierës, siç priti në festivalin “Kala Fest” i cili dhuroi muzikë elektronike dhe një atmosferë të mahnitshme për të pranishmit. Gjithashtu dhe Festivali i Jugut (South Outdoor Festival), një ngjarje e jashtëzakonshme që përfshin disa fshatra për tri ditë, gjatë së cilës ju mund të ndiqni sporte ekstreme, turne me xhip, zhytje, kampe në natyrë, të hani ushqime tradicionale dhe të konsumoni birrë vendase si dhe të merrni pjesë në festa plazhi, pra një alternativë e mrekullueshme për këdo. Festivali Fustanella është ndoshta versioni lokal i Festivalit Arad. Është pak më modeste dhe është e përkushtuar tërësisht folklorit lokal, sidomos këngëve tradicionale shqiptare dhe zgjat tri ditë, në Gjirokastër.

Berati ose Gjirokastra?

Berati dhe Gjirokastra janë qytetet më të lashta në Shqipëri. Berati, i njohur gjithashtu si qyteti i “një mbi një dritareve” ndahet në dy pjesë: Qyteti i vjetër dhe qyteti i ri. Është e mundur të bëhet dallimi ndërmjet zonave sipas arkitekturës: Qyteti i vjetër me pamjen osmane dhe qyteti i ri me ndërtimet me karakter komunist.
Në qytetin e vjetër ka rrënoja mesjetare dhe ju gjithashtu mund të vizitoni kalanë dhe Muzeun e Ikonografisë. Ndërsa errësira bie, mijëra dritare fillojnë të ndriçojnë dhe qyteti bëhet edhe më i bukur.

Gjirokastra është një perlë shqiptare e fshehur mes maleve dhe ndoshta është arsyeja pse shumë turistë nuk e “takojnë” atë. Dhe një keqardhje! Në qytetin e vjetër ka rrugë të pjerrëta me kalldrëm dhe një mauzoleum antik otoman dhe përtej kësaj, kalaja e dytë më e madhe në Ballkan. Në kështjellë ju mund të admironi topat e rëndë dhe kullën e sahatit, por kryesisht aeroplanin amerikan që u rrëzua gjatë regjimit komunist.

Muzeu Historik Kombëtar

Gjatë historisë së saj, Shqipëria u pushtua disa herë, iu nënshtrua një numri të madh luftërash dhe u udhëhoq nga diktatori Enver Hoxha, që udhëhoqi një regjim të egër komunist. Tani gjithçka që mbetet është të shohësh muzeun më të rëndësishëm në vend. Muzeu më i madh në Shqipëri ka shumë kuratorë (zbulime të rralla arkeologjike), koleksione të rralla dhe eksponate të dedikuara për ata që vuajtën përndjekjen nga regjimi komunist dhe nga ekspozitat e tjera të Luftës së Dytë Botërore./ KultPlus.com

Drejtësi dhe hakmarrje përmes “Kasapi”-t

Më tekst të Nicolas Billon e regji të Qazmedin Nuredini, në fund të muajit shtator, Teatri Ultra në Kumanovë, sjellë premierën e shfaqjes “Kasapi”, shkruan KultPlus.

Drejtësia dhe hakmarrja janë temat që zbërthehen përmes kësaj shfaqje.

Në një stacion policie, në natën e krishtlindjeve në Toronto, gjendet një plak i rraskapitur, i cili ka të veshur një uniformë të çuditshme ushtarake dhe me një kapelë të babadimrit në kokë. Rreth qafës ka të varur një grep kasapi në të cilin është ngulur një kartelë biznesi…

Kasta e aktorëve që do ta jetësojnë këtë shfaqje përbëhet nga: Vebi Qerimi, Shkëlqim Islami, Fisnik Zeqiri dhe Rabije Alilovska.

Ass. Regjie është Sefedin Shabani ndërsa shfaqja është prodhim i Teatrit Ultra në Kumanovë. “Kasapi” me premierë në fund të shtatorit./ KultPlus.com

Fisi i Gashit dhe legjendat e tij

Robert ELSIE, Fiset shqiptare

Pozita e territorit të fisit

Rajoni i fisit të Gashit ndodhet në qarkun e Tropojës, në Shqipërinë verilindore, që nga lindja e qytetit të Bajram Currit deri te komuna e Gjakovës në Kosovë. Një pjesë e madhe e Gashit banon në luginën e Llugajt dhe në atë të lumit Bushtrica. Gashi kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Krasniqes në perëndim, me Bytyçin dhe me Qafën e Luzhës (815 metra lartësi mbi nivelin e detit) në jug. Fisi i Gashit, po ashtu kishte kullosa verore në veri të malit që gjendet në lindje të Vuthajt (tani në Mal të Zi). Ngulimet dhe vendbanimet kryesore të Gashit, janë:Tropoja, Ahmataj (Shushicë-Ahmataj), Mejdani dhe Luzha.

Popullata

Termi Gashi është regjistruar si Gaasi, më 1634, në raportin kishtar të priftit françeskan Bonaventura di Palakolo (v.1657), pastaj si Gassi, më 1650, në raportin e Fra Gjaqintos dhe si Fassi dhe Gasi, më 1671, në raportin e Pjetro Stefano Gasparit.
Gashi ishte një fis mysliman, armiku tradicional i Shalës katolike. Pjesëtarët e këtij fisi përbëjnë një komunitet që është i vetëdijshëm për lidhjet e përbashkëta të gjakut, të historisë dhe të një stërgjyshi nga ana mashkullore. Ai përbëhet nga dy bajraqe: Gashi i qendërzuar në Koçanaj dhe Shipshani i qendërzuar në Kasaj. Gashianët e konsideronin veten kushërinj të Krasniqes, meqë të dy palët e kishin prejardhjen nga perëndimi.

Sa i përket statistikave të popullatës, Princi Nikolla i Vasojeviqëve, në “Një raport i shkurtër mbi fiset e Shqipërsië së veriut, veçanërisht të Malësisë së Pavarur“, më 1841, për popullatën e Gashit, jep këto shënime: 4000 banorë, prej të cilëve 1000 ishin burra të armatosur.37

Joahn Georg von Hani, i cili udhëtoi nëpër këtë rajon, në verën e vitit 1863, konstatoi se Gashi përbëhej prej 500 shtëpive, të cilat ishin të ndara në bajraqe: në Shipshaj dhe në Bardhaj.38 Më 1858, ai kishte vënë re edhe praninë e Gashianëve në rajonin e Leskovcit në jug të Serbisë:

“Te përzier me fisin e Krasniqes në rajonin e Leskocit janë edhe degët e fiseve të Sopit, Berishës dhe Gashit. Gash ka edhe në rajonin e Masuricës, shumica prej të cilëve i takojnë fisit të Krasniqes. Në qarkun e Leskocit, gashianët banojnë në gjashtë fshatra, por nuk kanë marrëdhënie me fiset e tyre në Prishtinë dhe në Vranje. Kryetari i fisit të tyre, dikur, ka qenë Latif Aga, i njohur në tërë vendin për trimërinë e tij. Tani atë e ka zëvendësuar i biri i tij më i madh, Reshit Aga, vëllai i të cilit, Emini, është komandant i një garnizoni me pesë ushtarë, në burgun e garnizonit në Lebanë“.

Në vitin 1908, besohej se Gashi kishte një popullatë rreth 4000 banorë, prej të cileve 800 burra të armatosur dhe 800 shtëpi.40
Në regjistrimin e parë dhe të besueshëm të popullatës në Shqipëri, më 1918, nën administratën Austro-Hungareze, statistika për popullatën e fisit të Gashit, është si vijon: 591 shtëpi me gjithsej 3628 banorë. Ky fis përfshin vendbanimet dhe rrethinat e Babinës, Begajt, Berbatit (Shkëlzen), Buçinit, Gegajt, Kernajës, Kovaçit, Mejhanës, Papajt dhe Tropojës.41
Gashi është një mbiemër shumë i përhapur, veçanërisht në Kosovë, ku ka vendbanime të gashëve në Prishtinë dhe rreth e rrotuU Prishtinës (veçanërisht në Mramor), rreth Gjilanit, Klinës dhe Ferizajt.

Legjendat për fisin, stërgjyshërit dhe historia

Baron Nopça, i cili bëri gjurmime mbi prejardhjen e fisit Gashi, më 1907, erdhi në përfundimin se gashianët në fillim kishin qenë kushëri me Toplanën:

“Stërgjyshi i fisit të Toplanës, emrin e të cilit nuk e di, ishte vëllai më i vogël i Can Gabetit, stërgjyshit të parë të fisit Shllaku. Can Gabeti kishte jetuar para 14 ose 15 brezash. Ai kishte dhe një vëlla tjetër të quajtur Gjergj Gabeti, i cili ishte stërgjyshi i fisit të Mëgullës. Vëllai i katërt, emrin e të cilit nuk e di, ishte stërgjyshi i parë i fisit të Gashit. Të katër vëllezërit dikur kishin jetuar në rajonin e Shllakut, ku i kishin ndarë pronat. Pas ndarjes së pronave,stërgjyshërit e Gashit dhe të Toplanës shkuan në drejtim të lindjes. Gashi u vendos në rajonin e Sermës, midis lumenjve Nikaj dhe Leshnica. (…) Vendosja e Gashit në Sermë kishte qenë e shkurtër, sepse, rreth vitit 1660, Gashi u shpërngul prej atij rajoni në territorin e sotshëm. Imzot Mjeda më tha se ekzistonte një dorëshkrim i vjetër, por që kishte humbur. Në të bëhej fjalë për disa ngjarje të harruara. Në atë dorëshkrim përshkruhej se si katolikët e Gashit i kishin vrarë dy hoxhallarë.

Me atë rast fisi u rrethua nga trupat e Begolli Beut të Pejës, i cili i kishte detyruar malësorët që të hiqnin dorë nga feja e tyre dhe të vendoseshin në një rajon të ri ku jetonte një popullatë e quajtur “Anas”. Sipas një legjende tjetër, Gashi është shpërngulur nga rajoni i Toplanës aty kah viti 1600. Gjenealogjia e Toplanës përfshin 13 breza. Mërgimi i hershëm i Gashit dhe Toplanës nga Shllaku duhet të ketë ndodhur aty nga viti 1524 apo edhe më herët, si pasojë e luftës së parë turke në Shqipëri“.

Sido që të jetë, mendohet se Gashi ka qenë fisi i parë në rajonin e Tropojës, para ardhjes së fisit Krasniqi. Referencat historike tregojnë se Gashi ka pasur edhe një stërgjysh tjetër i cili quhej Leka, i biri Petër Spanit, i cili jetonte në ngulimin e Selimajt në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë.43 Frang Bardhi, peshkopi i Sapës dhe i Sardës, në raportin e vitit 1636, vuri re praninë e tyre:

“Me të kaluar lumin e Dritit, ne e vizituam fshatin e quajtur Krastenigje (Krasniqja). Nga ky fshat ne e kaluam lumin Valbona dhe e vizituam një fshat tjetër të quajtur Gash, ku na pritën shumë mirë. Ky fshat është goxha i madh, ka 97 shtëpi me 866 frymë të krishterësh. Qendra e këtij fshati ishte Selimaj. Bajraktari i fisit të Gashit quhej Pjetër Spani, i cili dikur kishte qenë sundimtari i Pulatit.

Një pjesë tjetër e fisit të Gashit ishte fshati Bardhë, i cili në shekullin e shtatëmbëdhjetë u nda nga fisi i Kuçit në Mal të Zi, i cili atëherë kishte qenë shqipfolës, kurse tani është sllavishtfolës. Pasardhësit e tyre janë myslimanë dhe mund ta identifikojnë zanafillën e tyre duke u kthyer në të 13 ose të 14 breza. Ata u vendosën në fshatin Gosturan, në brigjet më të larta të lumit Tropoja, diku ndërmjet viteve 1600 dhe 1650.45

Bajraku Shipshan i fisit të Gashit, sipas legjendës, thuhet se është themeluar në shekullin e shtatëmbëdhjetë nga një jevg, i cili ishte martuar me të bijën e kreut të fisit të Gashit dhe ishte vendosur së bashku me të në Shipshan. Ky toponim së pari është regjistruar në regjistrin osman të vitit 1485 si fshat i 42 shtëpive.

Pazari kryesor për fisin e Gashit ishte Gjakova në të cilin arrinin duke kaluar nëpër Qafën e Morinës, e cila gjendet në territorin e tyre. Ata tradicionalisht takohen me fqinjët e tyre, Krasniqen, te Vorret e Shalës, që ndodhen në një kreshtë në mes të lumenjve Valbona dhe Tropoja.

Fisi Gashi, në hierarkinë e fiseve, konsiderohet si një fis i mençur apo i urtë, ashtu si thotë edhe ijala popullore: Menja e Gashit, syni i Krasniqes, inati i Berishës, trimnia e Kelmenit, dredhia e Shaljanit, gjarpnia e Thaçit./ KultPlus.com

Koka

Poezi nga Shani Pnishi, nga libri në shtyp “Këtu dhe Atje”.

Me mijëra qindra eshtra
e kushedi sa fije nervash
që përcjellin gjakun si gypa
të ndryshkur e të kthjellur.

Një fabrikë e tërë
mendimesh e ëndrrash të parealizuara
me muskuj që e mbajnë mbi qafë
me flokë që e ruajnë nga shiu
me veshë anash

që mund të dëgjojë, dhe mund të mos dëgjojë…

Truri vlon brenda
si gjella në tenxhere.

E vogël sa për ta thyer qafën
e madhe sa për ta rrokullisur botën.

Sytë,
që nuk e shohin njëri-tjetrin
por që shohin e shohin përtej.

Koka, kokë më!

Një nga ishujt më të populluar në botë, ku as policia nuk nevojitet

Kur e sheh nga larg, është e vështirë të kuptosh se çfarë është në të vërtetë.

Ishulli i Santa Kruzit, në arkipelagun San Bernando të Kolumbisë, është një nga vendet më të populluara në botë.

Por ndryshe nga ishujt e tjerë, ky nuk është vend për turistë, pasi s’do të kishin ku të rrinin.

Të vetmit turistë vijnë nga një ishull pranë, ku ka hotele. Ata nisen me motoskaf për një vizitë kureshtare që zgjat pak orë.

Shtëpitë plot ngjyra janë ndërtuar prej shumë kohësh e janë trashëguar brenda familjeve, dhe në ishull nuk ka asnjë banor që nuk ka lindur aty.

Ishulli është pothuajse sa dy fusha futbolli, dhe mban rreth 1200 banorë. Megjithatë, Juve Nal, një nga banorët që ka jetuar gjithë jetën aty, thotë që në fakt janë rreth 900 banorë. “Mërzitemi kur mediat thonë gjithnjë që jemi më të mbipopulluar se ç’jemi realisht”, thotë ai, dhe shpjegon që nuk do ta ndërronte jetën në atë ishull me asgjë në botë.

“Këtu nuk ka krime”, thotë ai. “Nuk kemi polici, nuk kemi pasur ndonjëherë dhe nuk ua kemi nevojën”.

Banorët jetojnë në rreth 115 shtëpi, dhe toka për të ndërtuar të tjera ka mbaruar. Juve Nal pranon që janë të shqetësuar për të ardhmen, pasi ndërtesat nuk mund t’i bëjnë më të larta, dhe zgjerim tjetër nuk kanë. Megjithatë, ai thotë se jeta në ishull është shumë e bukur.

“Ku ka vend tjetër në botë ku nuk nevojitet policia? Unë zgjohem çdo ditë nën tingujt e dallgëve dhe kam pamje nga deti. S’do të doja të jetoja në asnjë vend tjetër”, thotë ai.

Edhe autoritetet kolumbiane janë të shqetësuara për të ardhmen e ishullit, por shqetësimi i tyre vjen nga rritja e nivelit të detit. Por banorët nuk duan t’i dëgjojnë këto shqetësime.

Alehandro Alzate, menaxheri i hotelit Punta Faro në ishullin fqinj thotë se përmbytjet janë shtuar dhe banorët nuk duan të dëgjojnë për problemet që i presin, pasi do t’u duhej të mendonin për t’u shpërngulur, dhe ajo është gjëja e fundit që duan pasi jetë si në Santa Kruz nuk mund të gjejnë në asnjë vend tjetër./ KultPlus.com

Vdiq në moshën 81 vjeçare Senatori amerikan John McCain

Senatori republikan John McCain, një nga politikanët amerikanë më të përkushtuar së pari për çlirimin e Kosovës dhe më pas për pavarësimin dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, ka vdekur të shtunën i rrethuar nga familja e tij.

Lajmi për vdekjen e tij në moshën 81-vjeçare është bërë i ditur nga zyra e tij përmes një deklarate të shkurtër. Ai është diagnostikuar me tumor agresiv të trurit në korrik të 2017-ës dhe ishte duke marrë trajtim mjekësor, shkruan BBC, transmeton Koha.net.

Familja e tij ka njoftuar se McCain, i cili u larguar nga Washingtoni në dhjetor, ka vendosur të ndalë trajtimin këtë premte.

Meghan, vajza e McCainit, tha se detyra e jetës së saj tani do të ishte “për të jetuar sipas shembullit të tij, pritjeve të tij dhe dashurisë së tij”.

“Ditët dhe vitet që do të vijnë nuk do të jenë të njëjtë pa babanë tim – por do të jenë ditë të mira, të mbushura me jetë dhe dashuri, për shkak të shembullit që ai e ka jetuar për ne”, ka shkruar Meghan në Twitter.

Senatori dhe kandidati presidencial republikan i vitit 2008 u diagnostikua pasi mjekët zbuluan tumorin e tij gjatë operacionit për të hequr një mpiksje gjaku mbi syrin e tij të majtë në muajin korrik të vitit të kaluar.

Biri dhe nipi i admiralëve të marinës, McCain ishte një pilot luftarak gjatë Luftës së Vietnamit, përcjell Koha.net. Kur aeroplani i tij u rrëzua, ai ka kaluar më shumë se pesë vjetë si i burgosuri i luftës.

Derisa ishte në paraburgim, ai ka vujatur shumë tortura të cilat e kanë lënë atë me disa pasoja të përhershme.

Ngushëllimet filluan të shprehet nga njerëz të ndryshëm për McCainin sapo është njoftuar lajmi për vdekjen e tij.

“Ngushëllimet më të thella dhe respekti shkon te famijla e Senatorit John McCain. Zemrat dhe lutjtet tona janë me ju!”, ka shkruar në Twitter Presidenti Donald Trump, të cilin McCain e kritikonte ashpër.

“Amerika dhe Liria kanë humbur një nga kampionët e saj më të mëdhenj… dhe unë kam humbur një nga shokët e mi më të mirë dhe mentorin tim”, është shprehur Senatorja republikane Lindsey Graham në Twitter./ KultPlus.com

Babai i Radios

Më 26 gusht të vitit 1873 lindi fizikani amerikan Lee De Forest, i njohur si “Babai i Radios”.

Trioda që ai shpiku në vitin 1906, njihet si arritja më e rëndësishme në fushën e elektronikës deri në atë kohë.

Aftësia e madhe e triodës për të kapur dhe amplifikuar sinjalet e radios, si dhe për të gjeneruar sasi të kontrolluara energjie, u bë bazë për zhvillimin e shpejtë të elektronikës dhe industrisë së komunikacionit.

De Forest shpiku gjithashtu komponentët elektronikë që ishin me rëndësi kritike në zhvillimin e telefonave, transmetuesve me valë të shkurtra, fonografëve, filmave me zë dhe më pas të radarëve dhe televizorit, shkruan koha.net./ KultPlus.com

Sot 108-vjetori i lindjes së Nënë Terezës

Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë është lindur më 26 gusht 1910 në Shkup.

Ajo tërë jetën e saj ia kushtoi çështjes së bamirësisë, duke i ndihmuar familjet e varfra dhe personat e sëmurë.

Nëna Terezë ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Për vlerat e saja jetësore, Nëna Terezë nga Kisha e Shenjt në Vatikan u shpall Shën Tereza. Ipeshvia e Kosovës ka njoftuar se me rastin e ditëlindjes së Shën Nënë Terezës, nisin “Ditët e Nënë Terezës”, që tradicionalisht mbahen nga sot dhe vazhdojnë deri më 5 shtator, në ditën e festës së saj.

Ipeshkvia thotë se sivjet është një përvjetor i rëndësishmi, pasi përkujtohet 90-vjetori i nisjes së saj në Kalkuta të Indisë.

“Me rastin 90-vjetorit të nisjes së Shën Nënë Tereza (1910-1997) në Indi dhe 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit”, thuhet në njoftimin e Ipeshkvinë e Kosovës, e cila të dielën në mbrëmje organizon akademi kulturore dhe ekspozitë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu sipas fondeve të Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut: ekspozitë me dokumente”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Mother Teresa smiles in this undated file photo from Italy. Mother Teresa is a step closer to being confirmed to sainthood by Pope John Paul after a committee at the Vatican recently confirmed she had ‘heroic virtues’ of Christian faith, and also approved a miracle attributed to the Nobel prize-winning nun. REUTERS/Str/Files

Dua Lipa thyen rekord, paralajmëron diçka të re së shpejti

Dua Lipa, është shpallur artistja femër e para dhe e vetmja në histori si më e dëgjuar në shërbimin e njohur digjital të muzikës, Spotify.

4 këngë nga Dua Lipa kanë arritur mbi 500 milionë dëgjime në këtë shërbim digjital të muzikës.

Ky lajm e ka gëzuar edhe Dua Lipën e cila ka njoftuar se së shpejti do të sjellë diçka të re. / KultPlus.com

Përmeti, perla e turizmit historik, kulturor dhe e kulinarisë

Përmeti ka qenë gjithnjë një qytet i këndshëm për t’u vizituar, por së fundmi me investimet e reja të qeverisë shqiptare, gjithnjë e më shumë turistë po kthejnë sytë nga kjo zonë e vendit, e pasur në tradita historike, kulturore dhe kulinarie.

Programi i investimeve për zhvillimin e integruar urban të Beratit dhe Përmetit, dy qytete në juglindje të Shqipërisë, që karakterizohen nga vlera të veçanta të trashëgimisë kombëtare, bukurisë natyrore dhe turistike ka nisur të detajohet.

Qeveria synon që në periudhën afatgjatë të fuqizojë ekonomitë lokale drejt orientimit të zhvillimit të turizmit kulturor dhe natyror, vlera specifike që karakterizojnë këtë dy qytete.

Mbi 80,000 banorë të Beratit dhe Përmetit do të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga këto investime, të cilat do t’u shërbejnë gjithashtu edhe turistëve.

Vetëm gjatë 2017-ës rreth 100,000 turistë vizituan këto dy qytete dhe pritet që numri të rritet gjatë viteve që vijnë.

Investimet planifikohen në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore.

Fotot flasin vetë për bukurinë e zonës dhe atraksionet që presin vizitorët. /a.t.a/ KultPlus.com

Sa kemi mall s’ka deti valë, o moj e bukura Arbëri…

Kjo këngë nga Vaçe Zela është xhiruar nga RTSH në Institutin e Arteve, e shndërruar në një studio të televizionit, për programin e Vitit të Ri. Ky regjistrim u improvizua e mbeti një nga regjistrimet më dinjitoze të të pakrahasueshmes Vaçe Zela, nën regjinë e Mevlan Shanajt dhe Vera Grabockës.

Në breg pulëbardhat çajnë fluturim
si kënga jonë plot mall.
Këndojmë nga larg me dashuri,
moj Arbëri.

Të parët tanë me brengë të lanë,
sa kohë më nuk të panë?
por sot si lule më je ti,
moj Shqipëri.

(refreni)
Valët e detit shkumojnë plot dallgë,
bashkë me shokët në breg kemi dalë.
Sa kemi mall s’ka deti valë,
o moj e bukura Arbëri.
Shikojmë nga larg, mendojmë për ty,
o moj e bukur Shqipëri.

Këtej ne degë, ti rrënjë matanë,
N`mes deti me stuhi.
Shkuan kaq mote e degët s’u thanë,
moj Arbëri!

Kjo kënga jonë, për ty përherë
na djeg si zjarr në gji.
Tek zjarri yt ne jemi përjetë,
moj Shqipëri!

(refreni)
Valët e detit shkumojnë plot dallgë,
bashkë me shokët në breg kemi dalë.
Sa kemi mall s’ka deti valë,
o moj e bukura Arbëri.
Shikojmë nga larg, mendojmë për ty,
o moj e bukur Shqipëri./ KultPlus.com

Mitrovica e Jugut mbështet idenë e kreatores Flutura Dedinja

Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka dhe drejtori i Drejtorisë për Financa, Shukri Gashi kanë biseduar me përfaqësuesen e “UNI BB”, Sh.p.k., Flutura Dedinja, dizajnere e modës, për mundësinë e realizimit të një projekti për ofrimin e shërbimeve profesionale-kurse për rrobaqepësi.

Duke folur për projektin, Dedinja tregoi për përvoja tashmë të realizuara në komuna tjera, ku janë realizuar projekte të këtilla me shumë sukses. Ajo tha se oferta parasheh që në Mitrovicë të organizohet një kurs i tillë, në të cilin do të përfshiheshin 15 deri 20 gra, të moshave të ndryshme.

Sipas saj, kursi do të zgjas gjashtë muaj dhe për realizimin e saj kërkohet edhe mbështetja materiale e Komunës, si dhe sigurimi i një hapësira të mjaftueshme për mbajtjen e ligjëratave.

“Në bazë të përvojave të deritashme, mund të them se kandidatet që kanë përfunduar këtë kurs, e të cilat në përfundim të tij certifikohen, kanë pas sukses në punësim të menjëhershëm. Besoj se kjo do të ndodhë edhe me kandidatet e Mitrovicës”, tha Dedinja.

Nënkryetari Mujka dhe drejtori Gashi,thanë se ideja është e mirë dhe e qëlluar, andaj premtuan se Komuna do të shqyrtoj gjithanshëm ofertën dhe mundësitë e saj, në mënyrë që të sigurohen mjetet dhe hapësira, pasi që ia vlen të mbështeten projektet e këtilla që aftësojnë kandidatë për punësim, apo zgjidhjen e problemeve të punësimit./ KultPlus.com

Koloneli Costa me origjinë shqiptare drejtor i Muzeut të Spiunazhit

Koloneli Chris Costa ka marrë drejtimin e Muzeut Ndërkombëtar të Spiunazhit në Uashington pas një karriere të gjatë si oficer zbulimi në radhët e ushtrisë. Ai ushqen një respekt të veçantë për kolegët e zbulimit dhe një dashuri të madhe për Shqipërinë nga e ka prejardhjen familja e tij.

Koloneli Chris Costa sapo ka përmbyllur një karrierë mbi 30 vjeçare në strukturat e zbulimit të ushtrisë dhe më pas si asistentë special i presidentit dhe drejtor për antiterrorizëm në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Administratën Tramp.

Tranzicioni nga jeta si ushtarak në strukturat e zbulimit tek roli i drejtuesit në një prej institucioneve kulturore të Uashingtonit, nuk ishte i lehtë tregon koloneli.

“Ishte e vështirë në fillim mirëpo më vonë u shndërrua në një mundësi fantastike për të rrëfyer historinë time në mënyrë të përgjegjshme, për tu angazhuar në dialog me publikun dhe për t’i treguar familjes sime se çfarë kisha bërë gjatë karrierës”, tregoi ai për zeriamerikes.com

Ai e quan një dhuratë të mirëpritur ofertën për këtë post ku ai ka mundësin që të informojë publikun për kontributin që ofrojnë kolegët të cilët punojnë në fshehtësi të plotë, pa mirënjohjen dhe pa dijeninë e kombit të cilit i shërbejnë. Koloneli Costa, është brezi i tretë i një familje imigrantësh nga Shqipëria./ KultPlus.com