Të panjohurat e atyre që i njohim të gjithë

Historia ka tendencën që në disa raste t’i fshehtë faktet famëkeqe të njerëzve që janë kthyer në heronj. Por gjithnjë dalin në dritë fakte që kanë tendencën të japin të dhëna dhe jo të glorifikojnë. Disa prej këtyre, siç është Hitleri, nuk konsiderohen si heronj, por faktet e dala në dritë janë më shumë skandaloze duke pasur parasysh mënyrën e tyre të të drejtuarit.

Adolf Hitleri kryente evazion fiskal

Studimet e fundit që kanë lidhje me Hitlerin kanë zbuluar se kur ai u bë Kancelar i Gjermanisë, në vitin 1934 kishte shmangur taksat me një vlerë prej rreth 6.3 milionë dollarësh me vlerën e sotme. Fatmirësisht për të, atij iu falën taksat që kishte për të paguar, kur u zgjodh kancelar.
Mendohet se ai kishte rreth 1.2 milionë marka vetëm me shitjet e “Mein Kampf” dhe ka shmangur 600 mijë marka nga taksat. Zyrtarët që i falën taksat e papaguara “u shpërblyen” me një çlirim prej dy mijë taksash në muaj.

Winston Churchill ishte racist

Winston Churchill vlerësohet me nota të lartë për aftësitë e tij si burrë shteti dhe orator. Nuk ka dyshime se aftësitë e tij të shkruajturit të fjalimeve janë një shkallë më lart se ato të gjithë shkruesve modernë të fjalimeve. Por ajo që shumë njerëz nuk dinë është se ai kishte dhe një anë të errët. Mënyra më e mirë për ta ilustruar këtë janë fjalët e tij: “Unë nuk e pranoj se është bërë padrejtësi ndaj indianëve të kuq të Amerikës, apo njerëzve me ngjyrë të Australisë…nga fakti se një racë më e fortë dhe superiore ka marrë vendin e tyre”, – Churchil në Komisionin Mbretëror të Palestinës, 1937.

Gandhi ishte i fiksuar me seksin

Teksa plakej Gandhi u bë gjithnjë e më i fiksuar me seksin, deri në pikën që pas mungesës së dhunës, ai ishte subjekti i tij i preferuar për të diskutuar. Ai flinte shpesh me gra të reja. Një prej këtyre ishte bashkëshortja 16-vjeçare e stërnipit të tij, Kanu Gandhi. Kur ai donte të ndante shtratin e tij me mbesën e tij 19-vjeçare ai i shkruajti babait të saj dhe i tha se ai donte “të rregullonte qëndrimin e saj gjatë gjumit”.

George Washington ia hodhi me zgjuarsi kongresit për t’i paguar shuma të mëdha parash

Kur u zgjodh president ai refuzoi rrogën që do të kishte qenë rreth një mijë dollarë në muaj duke u shprehur: “Zotërinj, unë dua të siguroj Kongresin se unë s’e kam parë këtë punë si fitimprurëse, ndaj s’dua të përfitoj prej saj. Unë do të mbaj një llogari të shpenzimeve të mia dhe shpresoj se ato të rimbursohen, kjo është ajo çfarë kërkoj”, u shpreh ai. Më pas shpenzimet filluan dhe për tetë vjet, në vend që të paguhej gjithsej 12 mijë dollarë, ai u pagua 449,261 dollarë.

Martin Luteri ishte anti-semit

Martin Luteri, i cili nisi reformimin protestant shpeshherë është konsideruar si hero se doli kundër teprimeve të Kishës Katolike të kohës, por ajo çfarë shumë njerëz nuk dinë është se ai ishte anti-hebre dhe nuk e mbante sekret. Në vitin 1543 ai shkruajti “Mbi hebrejtë dhe gënjeshtrat e tyre”, ku thoshte se hebrejtë duheshin privuar nga paratë, të drejtat civile, mësimet fetare dhe arsimimi dhe se duhej të detyroheshin të punonin në terren, ose të largoheshin nga Gjermania.

Thomas Jefferson predikonte kundër faktit që të bardhët të kishin fëmijë me të zinjtë

Jefferson është shprehur “përzierja e të bardhëve me të zinjtë prodhon një degradim, me të cilin asnjë njeri që do vendin e vet dhe karakterin njerëzor nuk mund të pajtohet”. Ndërkohë që predikonte këto ai kishte disa fëmijë me skllaven e tij Sally Hemings, e cila ishte gjysmë-motra e paligjshme e gruas së tij. Ndërkohë edhe pse Jefferson e mohoi, kohët e fundit është provuar nga testi i ADN-së se ai ishte babai i të paktën një prej fëmijëve të Hemings.

Albert Einstein flirtonte gjatë gjithë kohës

Einstein është mbase mendja më e madhe e shekullit të 20-të. Shumë njerëz e dinë se ai kishte pasion për violinën, por ajo që shumë s’dinë është se ai i ka tradhtuar të dyja bashkëshortet e tyre në mënyrë të vazhdueshme. Pasi u nda me gruan e parë për shkak të tradhtisë, ai u martua me kushërirën e tij Elsa. Shumë shpejt ai filloi të kishte një marrëdhënie me sekretaren e tij Betty Neumann. Dhe Betty s’ishte as e para e as e fundit gjatë martesës së tij.

Elvis Presley ishte i fiksuar me James Dean

Elvis Presley ka pasur disa cilësi maniako-obsesive përgjatë gjithë jetës së tij, të cilat e kanë ndihmuar dhe vështirësuar jetën e tij personale dhe publike. Një nga fushat në të cilat Elvis donte të shkëlqente ishte aktrimi. Ai donte të ishte James Dean-i i ardhshëm dhe si rezultat ishte fiksuar me aktorin. Elvis i dinte të gjitha fjalët e skenarit të filmit “Rebel without a cause”, ku kishte interpretuar Dean dhe Natalie Wood.

Zëvendëspresidenti Andrew Johnson e bëri betimin presidencial krejtësisht i dehur

Andrew Johnson ishte zëvendëspresident, kur Lincoln ishte në detyrë. Atij si pëlqente aristokracia, për të cilën ai mendonte se ishte atje në kurriz të punës së të varfërve. Si pasojë ai shkoi për të bërë betimin krejtësisht i dehur dhe të gjithë mund të ndjenin aromën e alkoolit që kundërmonte. Ai u kujtoi të gjithëve në Kongres se ato ishin aty në sajë të “plebenjve”.

Papa Pius IX rrëmbeu një fëmijë hebre dhe e rriti si katolik

Më 23 qershor 1858 në Bolonja, policia shkoi në shtëpinë e një çifti hebre, Salomone dhe Marianna Padovani Mortara për të marrë një prej tetë fëmijëve të tyre. Policia mori gjashtë vjeçarin Edgardo pasi kishte urdhër nga Selia e Shenjtë, të autorizuar nga Papa Pius IX. Zyrtarët e kishës kishin dëgjuar se shërbëtorja 14-vjeçare e familjes e kishte pagëzuar Edgardo-n kur ai kishte qenë sëmurë sepse kishte frike se ai do vdiste dhe shkonte në ferr. Ai u rrit nga Papa Pius IX dhe u bë prift. /KultPlus.com

Gazetarja e BBC-së një javë para se të vritej bëri apel për të ndihmuar refugjatët nga Kosova (VIDEO)

Nga Arben Rugova

Ajo meriton ta nderojmë!

Sot, derisa po luaja me fëmijët në Gërmi, mu kujtua Jill Dando, ish gazetarja e BBC-së, e cila u vra me një plumb në kokë përpara derës së shtëpisë së saj në Londër, më 26 prill të vitit 1999. Meqë janë të vegjël, nuk u fola për atë që po mendoja, dhe iu ktheva lojës duke i thënë vetvetes se duhet t’ia kushtoj një status.

Më kishte bërë shumë përshtypje apeli i saj, me shpirt, për të ndihmuar refugjatët që po deportoheshin dhunshëm nga Kosova prej forcave ushtarake policore serbe.

U vra një javë pas këtij apeli.

Për vrasjen u dënua ish i dashuri i saj, por pas tetë vjetësh, Barry George u lirua si i pafajshëm.

Prej fillimit të hetimeve, Scotland Yard si pistë dyshimi për vrasjen e gazetares Dando kishte edhe shërbimin sekret serb (jugosllav).

Disa media britanike, duke u thirrur në burime të policisë, asokohe shkruanin se për këtë vrasje i dyshuar është edhe krimineli serb, Zhelko Razhnjatoviq – Arkan.

Tre ditë para vrasjes, aeroplanët britanikë bombarduan Radio Televizionin e Serbisë.

Një ditë pas vrasjes, një person anonim i telefonoi BBC-së dhe me theks sllav kishte pohuar se është vrasësi i gazetares Dando në shenjë hakmarrje për bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë.

Policisë britanike i munguan provat…
Dhe ndoshta kurrë nuk do ta marrim vesh se kush ishte dorasi që la të vdekur prezantuesen që bëri britanikët të mbledhin disa milionë funta për të ndihmuar shqiptarët që po iknin nga Kosova.

Për mua, ish-gazetarja Dando është heroina e luftës për lirinë e Kosovës.

Uroj që ose presidenti i Republikës t’i ndajë medalje post-mortum; ose Komuna e Prishtinës ta emërojë një rrugë me emrin e saj.

Ajo meriton ta nderojmë!

Fjalë të urta dhe këshilla për martesë nga Paolo Mantegazza

“Qytetërimi modern po i përgatit gruas mundësinë e shtrenjtë për të jetuar beqare dhe e lumtur.”

“Martesa nuk është vetëm çështje dashurie, higjene, ekonomie, bukurie, ndjenje dhe përputhje mendimesh. Ajo nuk është as përmbushje e thjeshtë dhe e pastër e një dëshire të zjarrtë e as një marrëveshje tregtare, por një harmoni e duhur e shumë gjërave të ndryshme.”

“Të martohesh për të shpëtuar nderin, gjithnjë nëse ka mbetur diçka për të cilën ajo bëhet garant, shpesh është mëse e nevojshme, por gjithmonë ajo është e tmerrshme.”

“Të marrësh një grua për arsye higjene është njësoj sikur të mbytesh për të shuar etjen.”

“Të martohesh për inatin e të tjerëve do të thotë të vrasësh veten për tu hakmarrë ndaj një armiku.”

“Të marrësh për grua një vajzë të bukur do të thotë të blesh shumë shtrenjtë një pëllëmbë tokë nga e cila të mund të sodisësh një qiell që i përket të gjithëve.”

“Para se të vendosësh që të hedhësh hapin e rëndësishëm të martesës duhet të bësh një meditim të gjatë para pasqyrës, por më të gjatë para kuletës.”

“Para se të matni fuqitë tuaja , paramendoni gjithmonë se bashkëshortja juaj e ardhshme do të jetë gruaja më e virtytshme në botë, por duhet njëherësh të bindni veten të pranoni se ajo mund të jetë më e përdala e të dëlirave.”

“Nëse një vajzë hamendëson se po bën heroizëm duke pranuar të martohet me një burrë antipatik për të lumturuar prindërit propozues të kësaj lidhjeje, ajo gënjen veten më shumë se është e bindur ndaj prindërve. Nuk ka pushtet atëror e as urim nëne që mund të zërë vendin e dashurisë dhe shumë prej këtyre heroinave përfundojnë duke tradhtuar.”

“Nuk është për tu befasuar se martesa të suksesshme janë të rralla, sepse për realizimin e kësaj sipërmarrje jete, duhen përbërës të shumtë dhe të veçantë që nevojiten si mundësuesit e një martese të përsosur, dhe t’i bashkosh të gjitha, ndoshta nuk do të mjaftojë vetëm zotësia, por edhe fati.”

“Përputhja e karaktereve, e domosdoshme në në lidhje bashkëshortore, dhe jo vetëm, nuk do të thotë njësi dhe ngjashmëri, por harmoni gjërash, të cilat, po t’i vësh afër njëra-tjetrës ato binden logjikës matematikore të mbledhjes jo zbritjes, ata duhet të krijojnë një marrëdhënie harmonie melodike dhe kurrsesi jo një stonaturë.”

“Mos i zini besë asnjëherë një kandidateje për grua, e cila dëshiron të njihet me tërë të kaluarën tënde duke ju betuar se ajo ju dashuron gjithsesi. Të jesh i sinqertë dhe i çiltër nuk do të thotë se është e duhura t’i servirësh në tryezë një miku baltën e këpucëve tuaja. Fundja kush nuk ka aq baltë në shollën e këpucëve të moralit, aq sa të nis një lidhje me një damkë dyshimi.”

“Për të lidhur jetën me një grua, apo një grua me një burrë është pothuajse e kotë të kërkosh këshilla nga të tjerët, për të bërë dritë që të shohësh mirë se ku e hedh hapin në këtë terren sa të panjohur aq dhe të vështirë. Nëse je kokëfortë do t’i bindesh vetvetes për të bërë të kundërtat e këtyre udhëzimeve, nëse je aq i kujdesshëm dhe racional dhe priresh të jesh një dëgjues i vëmendshëm, mes PO-ve dhe JO-ve mundë të humbasësh edhe atë pak vullnet që të ka mbetur për të hedhur këtë hap”. /KultPlus.com

– Paolo Mantegazza

Puna e tri projekteve muzikore nga Erëmira Çitaku vjen përmes koncertit “Trekandshi”

“Trekandshi” është iniciativë artistike përmes së cilës përzgjidhet puna e tri projekteve muzikore të zhvilluara nga Erëmira Çitaku. “Trekandshi” parasheh krijimin e një realiteti audio-teatral e muzikor përmes efekteve elektronike, natyrës origjinale të flautës, zërit, instrumenteve të ndryshme dhe teksteve të përzgjedhura. Qëllimi kryesor i projektit është inkuadrimi i teknologjisë së re muzikore në veprat e apostrofuara duke i kombinuar ato me elemente tradicionale, minimaliste por edhe jashtë saj.

Vepra “Hypercreation” si pjesë e parë e kësaj përmbledhjeje nga plani estetik mëton të na teleportojë në një hapësirë mjaft simuluese. Përmes një loje nocionale e cila konkretizohet nëpërmjet artit vizuel, muzikës dhe hologramit, ajo shpërfaq gjendjen e brendshme të dilemës mes realitetit dhe imagjinares, e kjo, mund të shihet si frika nga humbja e realitetit. Pjesët tjera titullohen “Hyperfaith”dhe “HyperLove”, në të cilën përmes lojës me maska artistja rikuptimëson ballafaqimin e brendshëm dhe të jashtëm mbi konceptimin e dashurisë. A është reale apo imagjinare dashuria? Përgjigjja e Erëmirës është e thjeshtë, ajo është Hyperreale.

Pjesa e dytë është përzgjedhje nga projekti “Etno muzikë e re” dhe zhvillimi i materialit komunikon me melosin etno shqiptar, përdorimin e instrumenteve si çiftelia por edhe okarina. Kjo përmbledhje quhet “Eletno” dhe përmban përpunimin e këngës “Hajredin Pasha” si dhe “Ohooja” dhe “Ritmaza”.

Më tutje duke u bazuar në besimin e komunikimit ndërnjerëzor në raport mes muzikës dhe gjuhës, konstituon pjesa e fundit e albumit të përmbledhur me emrin Trekandshi i cili përfshin gjithashtu materialet e përpunuara nga projekti “Shtëpia e Qenies”; frymëzuar nga filozofi gjerman Martin Heidegger, i cili thotë se “Gjuha është shtëpia e qenies”. Kjo e intrigoi artisten që ta bëj një ndërtim muzikor duke e ri-formuluar titullimin e mësipërm dhe nga kjo doli konstatimi që “Muzika është shtëpia e qenies”. Bredhje me tingull, matematik, gjuhë, kaos dhe në fund heshtje që paraqiten në pjesët “Ëith us”, “Being” dhe “Ready to”.

Një kontribut të veçantë në muzikë kanë dhënë Liburn Jupolli, Luan Durmishi, Dren Suldashi, audio mix dhe master Dritero Nikqi e Alban Telaku, video Lum Çitaku, 3D modelim Lisian Bajri, Hologram Arvan Berisha, maska Njomëza Luci, zhvillim të konceptit Labinot Kelmendi, aktrim Dren Suldashi e Erleta Morina, fotografi Enisa Kasemi dhe Shenoll Zehri, dizajn Ylber Cërvadiku, kostume Flutura Dedinja – Galeria e Fakultetit të Arteve – Klubi M – Technomarket

Në koncert do të interpretojnë: Erëmira Çitaku – flaut, za, çifteli, okarinë, efekte, Liburn Jupolli – sint & elektronikë, Luan Durmishi – vokal & efekte, Dren Suldashi – kitarë & efekte.
Koncerti mbahet më datë 27 shtator, në ora 20:30 në Kino Armata.

Koncerti përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /KultPlus.com

“Kur…”

Poezi nga Leonard Cohen.

Kur heshtja duket aq e zhurmshme
dhe ti ndjen se vetëm je
ki besim dhe kthehu tek unë
të premtoj aty më ke.

Kur maja të duket e lartë
dhe zbritja është i vetmi kthim
zgjati duart dhe thirrmë
për ty jam gjer në amëshim.

Kur dyert janë mbyllur
dhe ti ndjen trishtim
unë do të të kthej buzëqeshjen
do të bëj të ndjesh gëzim.

Kur të kesh humbur çdo fuqi
dhe të jesh duke rënë
unë do të të ngre dhe jap shpresë
Të ndihmoj të qëndrosh në këmbë.

Dhe kur më në fund të vijë dita
që i lumtur buzë detit të ecësh
kur unë të ndjehem vetëm
shpresoj që ti të më presësh.

Por deri sa ajo ditë të vijë
dhe deri sa ti dritën të gjesh
dëgjoje zemrën, beso në mua
përjetë këtu do më kesh! / KultPlus.com

Albumi “Phoenix” i Rita Orës renditet i pari në iTunes në listën e albumeve premtuese

Këngëtarja shqiptare me famë botërore është gati të shënojë një prej sukseseve të saj më të mëdha këtë vit.

Ora ka konfirmuar se më 23 nëntor do të nxjerrë në shitje albumin e saj të dytë “Phoenix”, brenda të cilit do të sjellë shumë këngë të reja.

Njëra ndër këngët e albumit me titull “Let you love me” është publikuar vetëm pak ditë më parë edhe me klip, dhe është pritur shumë mirë nga publiku.

Albumi “Phoenix” është ende i pa publikuar komplet, por tashmë dihet se pjesë e tij do të jenë këngët e njohura të këngëtares si “Anywhere”, “Lonely Together” (feat. Avicii), dhe “Your Song”.

Dhe ende pa u publikuar i plotë, ky album ka ngjallur interesim nga fansat, dhe si i tillë renditet i pari në listën e albumeve ende të pa lansuara në tregun botëror online, iTunes.

Këtë gjë e ka bërë të ditur vet këngëtarja, e cila është shprehur e lumtur për këtë sukses.

Ajo ka publikuar një fotografi për fansat në InstaStory, duke treguar suksesin që tashmë “Phoenix” ka arritur të shënojë si një album premtues.

Është përfolur se brenda këtij albumi do të jetë edhe një duet gjigant me reperin me famë botërore, Eminem, megjithatë Rita ka thënë se nuk do ta zbulojë deri në datën e publikimit të albumit. / KultPlus.com

Beyonce sjellë prapaskenat e turit të saj me Jay-Z (VIDEO)

Njëri ndër çiftet më me nam në skenën muzikore Beyonce dhe Jay-Z janë duke e mbajtur turneun e tyre “On The Run II Tour”.

Beyonce në Instagram ka postuar një video në të cilën shihen ata në prapaskenë përgjatë këtij turneu, transmeton Koha.net.
https://www.instagram.com/p/Bn7ndEelJIM/?taken-by=beyonce
Dyshja e famshme kishte nisur turneun në qershor në Britani të Madhe, dhe tani kanë vetëm edhe pesë shou të tjerë për t’i dhënë fund këtij turneu, shkruan Billboard.

Çifti ka fituar shumë të madhe parash nga ky turne deri më tani, shifrat që arrijnë mbi 150 milionë dollarë.

“On The Run II Tour” përfundon më 4 tetor në Seattle./KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BoDiILQlX2Z/?taken-by=beyonce

Dua Lipa përkrah Selena Gomez (FOTO)

Dua Lipa së fundmi është paraqitur në një fotografi ku shihet në mesin e yjeve më të njohura botërore, shkruan KultPlus.

Përderisa sot qarkulloi gjatë tërë ditës fotografia ku Lipa shihet përkrahë aktores Jessica Alba, Jennifer Lopez dhe Sofia Vergara, tashmë KultPlus ju sjellë një tjetër fotografi ku Lipa shihet përkrahë këngëtares dhe aktores së njohur botërore Selena Gomez dhe Raquelle Stevens. /KultPlus.com

Aktori Afrim Muçaj me gjashtë role kryesore këtë vit

Aktori kosovar Afrim Muçaj është ndër aktorët më të angazhuar gjatë këtij viti. Ai sapo ka përfunduar xhirimet e dy filmave të metrazhit të gjatë, ka nisur realizimin e filmit të tretë, përderisa dy produksione të tjera janë në pritje të nisjes së xhirimeve, ku Muçaj është në mesin e roleve kryesore të këtyre prodhimeve të reja filmike.

Xhirimet për realizimin e filmit “Bolero në vilën e pleqve” kanë nisur në Tiranë dhe lokacione të tjera në Shqipëri. Një ekip i madh artistësh janë bërë bashkë për të realizuar “ëndrrën” e regjisorit të njohur Spartak Pecani, i cili ka shkruar edhe skenarin e tij. Filmi, është duke u realizuar në cooproduksion mes dy shtëpive filmike, Kosovës dhe Shqipërisë, mbështetur nga QKK-të përkatëse. Në këtë film, Afrim Muçaj luan përballë një kaste të mirënjohur aktorësh shqiptarë, siç është Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Gixhari, Olta Daku, Ledion Zoi, etj.

Muaj më parë, aktori Muçaj ka qenë pjesë e dy projekteve të tjera filmike. Ai ka luajtur njërin ndër 4 rolet kryesore në filmin “Cirku fluturues” të regjisorit të mirënjohur kosovar Fatos Berisha. Menjëherë pas përfundimit të xhirimeve të “Cirkut…”, Muçaj ka kaluar në sheshin tjetër të xhirimit, atë të regjisorit turk Emre Konuk, i cili kishte nisur realizimin e filmit “Shpata prej druri”, një rrëfim nga Kosova, i mbushur me emocione.

Afrim Muçaj ka thënë se është fatlum që nuk do të mund të pushoj këtë vit. Në muajin nëntor, ai do të jetë në një kastë me aktorin e njohur kosovar Arben Bajraktaraj për të realizuar filmin “Furgoni”, një produksion ky, shqiptaro-francez, nën regjinë e Erenik Beqirit.

Filmi tjetër që pritet të nis xhirimet këtë vit është edhe “I tretuni’ nga Arben Thaçi, një cooproduksion maqedono-kosovar, ku Afrimi sërish do të luaj njërin ndër rolet më me ndikim të tij. Mund të thuhet lirisht se 2018-ta për aktorin Muçaj, është vit shumë i suksesshëm, por të gjithë ata që e njohin e din se ky vit ishte edhe i trishtueshëm. Vdekja e regjisorit, profesorit dhe mikut të tij, Bekim Lumit, ka qenë goditje e madhe jo vetëm për të, por për të gjithë ekipin e aktorëve të shfaqjes “Arturo Ui”, të cilën e prodhoi regjisori Lumi, gjatë kohës sa përballej me sëmundjen e tij shkatërruese. Përmes personazhit të Ernesto Romas, që e kishte realizuar Afrimi në këtë shfaqje, i’u dha lamtumira e fundit maestros së teatrit kosovar Bekim Lumit, gjatë ceremonisë komemorative të tij. “Arturo Ui” vazhdon të shfaqet në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

“Sikur të isha djalë”

Qeh erdhën krushqit për me më marrë. Kur vdes kush e përcjellin me karroca deri ke Vorri i Bamit, por edhe kur martohet ndokush e përcjellin me karroca deri në shtëpin e dhandrit. Mos asht martesa sinonim i vdekjes?

Për mu edhe për shumë të tjera asht ma e hidhët se vdekja, pse martohemi me njerës të panjoftun e të padashunuem prej nesh.

Qielli asht i vranët. Re të zeza e kanë mbulue. Pika shiu nisën me ramë nga naltë. A thue se edhe Qielli merr pjesë në hidhnimin t’em e po qan? Kush e din. Grat e gocat që janë futë në kthinën t’eme më thrresin të cohem e të shkoj ke … ai njeriu i huej.

Oh un e shkreta! Më dridhen të gjitha gjymtyrët e shtatit dhe po m’errësohen syt.

-Hajde ma! – thot nji grue.
-Hajde se po presin burrat në rrugë – thot nji tjetër.

Oh sa bukur e sa mirë do t’u përgjigjesha këtyne thirrjeve, po të mos i kisha dhanë besë Shpendit, se do të rroj derisa të më korri vetë drapni i vdekjes. Oh se c’mësim do t’i epsa skotës mashkullore që tregton në korriz të femnës së ngratë. Ah un e mjera që s’jam në gjendje me bamë kurrgja për t’i përgjigjë zemrës së shitueme.

-Hajde Dije ma! – Kjo asht Hallë Hatixheja që po më thrret.
-Po- gjegja përvajshëm.

Lotët që burojnë nga gurrat e zemrës e të shpirtit shpërthyen e nisën me u shprazë nga syt. Lamtumirë o u kujtimet e mija të pastërta të foshnjëris. Lamtumirë ti o jetë e dlirë e vajzënis. Lamtumirë o ju andrrat e lumnis s’eme. Lamtumirë ti o frymë e shenjtë e nanës s’eme që tash sigurisht endesh në këtë kthinë, ku më mojte, më përkunde e më përkëdhele. Lamtumirë ti o Shpendi em i shtrenjtë. Lamtumirë edhe ti moj zemër që po të vorrosin për së gjalli. Po më ngrenë me pahir. / KultPlus.com

“Sikur të isha djalë” – Haki Stërmilli

A do të ketë një bashkëpunim mes Rita Orës dhe Eminem?

Rita Ora ka zënë së fundmi faqet e mediave kryesore për shkak të zhvillimeve në karrierën e saj. Këngëtarja me origjinë shqiptare ka njoftuar se albumi më i ri, i quajtur “Phoenix”, do të hidhet në treg më 23 nëntor.

Por, gjatë intervistës që dha për “Capital Fm”, Rita nuk ka mohuar lajmet se në këtë album ka bashkëpunuar edhe me Eminem, por ka theksuar se bëhet fjalë për një reper shumë të madh. E pyetur nëse ky reper ka publikuar së fundmi një album të ri (Killshot), Rita i është shmangur përgjigjes.

“Nuk do të them asgjë për momentin”.

Ndërkohë, ka dy ditë që Rita ka publikuar edhe këngën e re të titulluar “Let You Love Me” e cila po pritet mirë nga fansat e Ritës.

Një tjetër zhvillim pozitiv për këngëtaren shqiptaro-britanike është edhe fitorja në festivalin muzikor “PopJustice Twenty Quid”. /KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?time_continue=11&v=zttIyzuK6Ak

Në Rumani “gjejnë” Michael Jacksonin, çmendet juria (VIDEO)

Konkursi muzikor “The Voice” në Rumani ka zbuluar një talent të vërtetë. Bogdan Ioan i ka mahnitur anëtarët e jurisë gjatë audicioneve të fshehta me interpretimin e “Këngës së Tokës” nga Michael Jackson.

Të habitur nga ngjashmëria e jashtëzakonshme me zërin e mbretit të popit, ata janë kthyer të gjithë që në sekondat e para të këngës.

“Nëse Michael Jackson do të ishte gjallë dhe do ta kishte dëgjuar këtë interpretim, ai me siguri do të mbetej i mahnitur si ne të katërt”, ka thënë njëri prej anëtarëve të jurisë.

Bogdan Ioan është diplomuar në arkitekturë dhe nuk ka studiuar kurrë në ndonjë degë që ka lidhje me muzikën.

Ai ka lindur në Konstancë dhe kënduar në mënyrë amatore që në moshën 16-vjeçare. / KultPlus.com

Hyjnesha në Fron

Poezi e shkruar nga Qëndresa Prapashtica.

Kush me t’a thy zinxhirin e dorës
qe të lidhë me vuajtjet e tua
trashëguese
prej baballarëve që menduan se ishin Zot
dhe nënave që menduan se ishin krijuar nga ky Zot

kush me t’a thy zinxhirin e ndjenjave
qe të janë mbjellë në fyt
qe sa kohë si hije e fshehur në harresë
por ti s’përtypesh dot
nga komplimentet e gërrditshme që t’i japin edhe sot
s’po kthjellesh
nga ata që flejnë mbi ty
dhe ato pranë teje

më e dashura ime
e njejta me mua,
hyjneshë në fron

për shkak të zgjimit tand
kjo botë quhet andërr…

Elbenita Kajtazi do të këndojë në njërën nga shtëpitë operistike më prestigjioze në botë

Sopranoja nga Kosova, Elbenita Kajtazi po shkelë tashmë skenat më të njohura operistike ndërsa së fundmi ka njoftuar se do të këndojë në një ndër shtëpitë operistike më prestigjioze në botë, në “The Glyndenbourne Opera House” në Angli, shkruan KultPlus.

Elbenita Kajtazi tutje ka njoftuar se do të këndojë e përformojë rolin kryesor, Adina nga opera Donizettit “L’elisir D’amore” dhe meqenëse performanca e saj do të mbahet në vitin 2020, ajo nuk ka dashur të zbulojë informacione të tjera.

“Përshëndetje miq të dashur , jam e stërlumtur t’iu informoj se tash së fundi kam nënshkruar një kontratë në të cilën më është ofruar të këndoj në një ndër shtëpitë operistike më prestigjoze në botë “The Glyndenbourne Opera House” në Angli. Do të këndoj e performoj rolin kryesor Adina nga opera e mrekullueshme e Donizettit “L’elisir D’amore”. Do të performoj në vitin 2020 në muajin qershor dhe korrik andaj është pak herët për informacione të tjera. Shumë e lumtur t’i kthehem rrugës time me lajme kaq të mira për mua dhe njerëzit të cilët i dua e janë gjithmonë pranë meje dhe të cilët gjithnjë i falemnderoj për mbështetjen dhe dashurinë”, shkruhet në postimin e sopranos Elbenita Kajtazi.

Pasi ka falënderuar të gjithë për përkrahjen ajo ka ndarë edhe një porosi motivuese për të gjithë.
“Një gjë të fundit: Kurrë mos hiqni dorë nga ëndërrat, ka gjithmonë një rrugë për ti bërë realitet!”, ka shkruar Kajtazi./ KultPlus.com

Dua Lipa bën shqiponjën në tapetin e kuq në Las Vegas (FOTO)

Dua Lipa këto ditë është paraqitur në tapetin e kuq të iHeartRadio Music Festival Daytime Stage në Las Vegas në Nevada, shkruan KultPlus.

Dua Lipa e cila asnjëherë nuk ndalet se promovuar vendin prej nga vjen, edhe atje së bashku me fanset e saj ka bërë simbolin kombëtar, shqiponjën.

Dua Lipa, këngëtarja e hitit të saj “New Rules”, këtë verë ka mbajtur për të dytën herë koncert në Prishtinë. Ajo ka qëndruar për disa ditë në Prishtinë në kuadër të Festivalit Ndërkombërtar “Sunny Hill”, i organizuar nga babai i saj Dukagjin Lipa.

Ajo së fundmi ka publikuar edhe këngën më të re “Eletricity”, kjo këngë erdhi si bashkëpunim mes këngëtares nga Kosova dhe Silk City, Diplo dhe Mark Ronson / KultPlus.com

Kur Fehmi Lladrovci ishte pyetur nga gazetarja e BBC: A jeni të gatshëm të vdisni për Kosovën?

Një ndër intervistat e dhëna për BBC të komandantit të UÇK-së, Fehmi Lladrovci, ka mbetur në kujtesën e shumë qytetarëve të vendit.

Lladrovci ishte pyetur nëse është i gatshëm të vdes për Kosovën, e kësaj pyetje i ishte përgjigjur si nje hero, e entuziazmi i reflektohej tek sytë.

Me një buzëqeshje karakteristike, do t’i përgjigjej: “Me gjithë dëshirë. Ky do të ishte nderi më i madh për mua”.

Deklarimit të gazetarit të huaj se për serbët ju jeni terrorist, Fehmiu, si për flakë të pushkës, do t’ia kthejë:

“Mirë, le të argumentojnë serbët vetëm një akt të terrorizmit të ushtruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ndërsa ne mund t’i numërojmë mijëra raste të terrorit të bërë nga falangat serbe mbi popullatën e pambrojtur shqiptare. Le të tregojnë ata vetëm një njeri të pafajshëm , i cili është vrarë nga UÇK-ja, një njeri të paarmatosur, një fëmijë apo një grua, kudoqofshin ata në territorin e Kosovës. Armët nuk i kemi marrë në dorë për të luftuar kundër popullatës serbe që jeton në Kosovë. I morëm kundër regjimit serb dhe kundër forcave policore dhe ushtarake serbe që janë në Kosovë”.

Ata që e ndoqën këtë intervistë tashmë e kishin të qartë platformën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas zënies së Grykës së Llapushnikut, Fehmi Lladrovci depërton në rajonin e Rahovecit, me qëllim të ushtrimit të ndikimit në mobilizimin e radhëve të UÇK-së. /Periskopi/

22 artistë të huaj vendosin rezidencën e artit në Nivicë

22 artistë dhe aktorë nga Spanja, Italia, Rumania dhe Turqia kanë vendosur rezidencën e tyre të artit në fshatin Nivicë në Malet e Kurveleshit.

Kjo është hera e parë që grupe artistësh të huaj vizitojnë komunitete kaq të thella malore në Shqipëri, ndaj kjo ngjarje kulturore vlerësohet me një impakt të madh për këtë zonë.

Në një prononcim për ATSH-në, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare theksoi se “ky eveniment bëhet me mbështetjen e Projektit Kulturor Europian”.

“Përmes organizimit të këtyre evenimenteve ne synojmë krijimin e produktit turistik mes zonave malore dhe atyre bregdetare”, tha Tare.

Për rreth 1 javë, artistët e huaj po jetojnë në shtëpitë e banorëve të Nivicës, duke mbledhur legjenda dhe rrëfenja, të cilat më pas i inkorporojnë në interpretimin e tyre.

Tare solli si shembull trupën e Teatrit “Astragali” të Leces, e cila në performancën e djeshme të titulluar “Rrënojat rrethore të Borges”, përfshiu edhe legjendat lokale nga banorët e Nivicës.

Tare tha se “projekti do të vazhdojë edhe vitin tjetër me të njëjtin koncept, duke synuar që këto aktivitete të shtrihen gjatë gjithë sezonit, madje edhe me teatër shëtitës nga një komunitet në një tjetër, përmes rrugëve antike”.

Teatri “Astragali” i Leces, një grup artistësh nga Kostanca me pjesë të poetit romak Ovidit dhe Universiteti i Madridit me një teatër-valle me maska, po interpretojnë këtë javë në sheshin e restauruar të fshatit Nivicë./ ata

“Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi…”

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni.

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.

e mbi ta n’ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë. e mjerimi mirfilli ndien tradhti.
mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin –
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

mjerimi s’ka fat. por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.
nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq
tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s’e don, por vetëm mallkon.
vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,
atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.

mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh
në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.

mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s’ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë,
mund që t’len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.
kështu nën kambët’randë t’zotit t’egërsuem –
thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.

dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.
mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle.
e gota e turbull, gota satanike
tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.

mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t’bajnë t’çmendesh,
që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafësh.

mjerimi s’don mshirë. por don vetëm të drejt!
mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.

“Ajo ishte lumturia e shtëpisë sime dhe tani do të ndriçojë shtëpinë tënde”, fjalimi i një babai në dasmën e të bijës

Mendova se do të filloja fjalimin tim duke tu drejtuar si familja “e re” e vajzës sime, por unë mendoj se do të ishte e papërshtatshme sepse tani që ajo është e martuar me ty, ti je “familja” për të.

Më beso, unë nuk e kam problem një gjë të tillë. Unë, në të vërtetë, dëshiroj që vajza ime të të ketë “ty” si përparësinë e saj tani. Është koha që ne të spostohemi në një karrige më larg në jetën e saj. Ne si prindër do ta pranojmë me kënaqësi, por me siguri do të kërkojmë një gjë:

Të lutemi ta mbash gjithnjë të lumtur!

Unë jam më se i sigurt se ti do ta bësh atë shumë të lumtur. Ajo ndoshta do të jetë më e lumtur sesa dikur ishte këtu me ne, por si të gjithë etërit, më mundon lumturia e vajzës sime, prandaj të them pa pushim – mbaje atë të lumtur!

Ajo kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një barrë për mua. Ajo është në fakt arsyeja pse frymëzohem dhe buzëqesh. Unë jam duke e martuar, sepse kjo është ajo që kërkon ligji i natyrës.
Unë jam i pafuqishëm mbi ligjet e natyrës dhe për këtë arsye po e dërgoj atë në shtëpinë tënde. Ajo ishte lumturia e shtëpisë sime dhe tani do të ndriçojë shtëpinë tënde. Unë po ta jap gjithë botën time. Të lutem sigurohu që ajo të mbetet e bukur.

Unë po të dorëzoj princeshën time! Të lutem sigurohu që ajo të mbetet si një mbretëreshë. Unë e kam rritur atë me djersën dhe gjakun tim dhe tani ajo është mrekullisht e përsosur. Për të gjithë kujdesin, dashurinë, bukurinë dhe ngrohtësinë që vajza ime do të sjellë në jetën tënde, dua vetëm që lumturia e saj të kthehet – të lutem ta mbash të lumtur!

Nëse herë pas here ndihet e sëmurë, kujdesu me dashuri për të! Është ilaçi që funksionon më së miri për të.

Nuk ka problem nëse nuk e shoh për muaj të tërë. Nuk më intereson nëse nuk mund të flas me të ditë për ditë. Motivi im i vetëm në jetë ka qenë lumturia e vajzës sime që tani është në duart e tua. Të lutem, mbaje të lumtur!

I nderuar dhëndër, këto fjalë mund të mos kenë shumë rëndësi për ty tani, por nëse do të jesh me fat e të bëhesh baba i një vajze një ditë, do t’i vlerësosh më mirë kur do të dallosh që çdo rrahje e zemrës tënde, ulëret e thotë – “të lutem bëje e mbaje vajzën time të lumtur”!

Nëna e Donjeta Pajazitit: Kur e kam gjetur të vdekur më është dukur sikur e kam gjetur të gjallë

Si çdo ditë tjetër edhe më 9 nëntor të vitit 2015, Donjeta Pajazitaj ishte bërë gati që të niset për në punë. Me të dalë nga dera e oborrit, ajo u zhduk.

Familjarët nuk kishin asnjë informacion për te deri në momentin kur pas gjashtë javësh ishin njoftuar se ishte gjetur e vrarë. Nëna e Donjetës, Lumnija, thotë se ka kaluar nëpër fazën më të rëndë të jetës së saj.

“Kur e kam gjetur të vdekur më është dukur sikur e kam gjetur të gjallë, veçse më është hequr derti i saj se nuk është në dorë të hasmëve. E kam ditur në atë moment që është zhdukur se ajo në dorë të një personi të keq është, sepse ajo nuk ka pasur shanse kurrë të mungojë një natë apo një orë pa u lajmëruar”, tha Lumnije Pajazitaj për Radio Evropa e Lirë.

Pak ditë pas gjetjes së trupit të Donjetës, në fund të vitit 2015, si i dyshuar kryesor për vrasjen ishte arrestuar N.P, kushëri i familjes Pajazitaj.

Për nënën e Donjetës, Lumnijen ishte shumë e vështirë që të rrinte në të njëjtën sallë të gjykatës me të dyshuarin për vrasjen e vajzës së saj.

Pas më shumë se dy vjetësh, i akuzuari N.P u lirua në mungesë provash nga Gjykata Themelore në Pejë. Lumnija nuk pajtohet me procesin gjyqësor dhe mbetet me shpresën se drejtësia do të vihet një ditë.

“Ai gjykim ka qenë katastrofë. Të gjitha faktet, sidomos për këtë kanë qenë dhe e shpallën të pafajshëm. Tash unë nuk mund të them, me sy nuk e kam parë, por njeriun fajtor me e shpallë të pafajshëm, kjo është katastrofë. E çfarë kanë bërë e tek kanë bërë, ata e dinë”, tha Lumnije Pajazitaj derisa rrëfen kohën sa u zhvillua procesi gjyqësor.

Në mars të këtij viti, Gjykata Themelore në Pejë e shpalli të pafajshëm të akuzuarin kryesor për vrasjen e Donjetës, ndërkohë që rasti u dërgua në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.

Ditë më parë, Rrjeti i Grave të Kosovës organizoi aksion protestues para Gjykatës së Apelit për këtë rast, duke kërkuar drejtësi për rastin e Donjetës.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës është kritike ndaj sistemit të drejtësisë. Ajo thotë se duhet të vazhdohen hetimet deri në momentin që vrasësi i Donjeta Pajazitajt të marrë dënim meritor.

“Kemi dështim të hetuesisë në këtë rast, Prokurorisë, që të gjendet fillimisht vrasësi i saj, pasi që ky që ka qenë i dyshuari kryesor është shpallur i pafajshëm. E ne, sivjet kemi kërkuar nga Prokuroria që të vazhdojnë me hetime, të gjendet vrasësi apo në rast se ky është i dyshuari kryesor, atëherë të marrë dënimin e merituar”, tha Berisha për Radio Evropa e Lirë.

Donjeta Pajazitaj u gjet e vdekur në bjeshkët e Strellcit në komunën e Deçanit, në dhjetor të vitit 2015.

Në aktakuzë, Prokuroria pretendonte se i akuzuari, N.P e kishte ndaluar veturën dhe marrë me vete Donjetën në kohën kur ajo ishte duke shkuar në punë.

Më tej sipas aktakuzës, i akuzuari e kishte dërguar Donjetën në bjeshkë, ku e kishte qëlluar viktimën me dy plumba në kokë.

Ky rasti tani është në Gjykatën e Apelit në Prishtinë ku pritet që të vërtetohet vendimi i shkallës së parë, apo kthimi në rigjykim.

Kur ushtria serbe sulmoi bibliotekën në Bosnjë, Aida Buturović u përpoq të shpëtonte librat në të

Aida Buturović ishte një nga studentet më të mira në degën e Letërsisë në Universitetin e Sarajevës. Sipas kolegëve të saj, ajo flliste pesë gjuhë dhe e donte kulturën dhe librat, librat si ata që ndodheshin në bibliotekën e Sarajevës. Ishin 3 milionë libra si dhe qindra dokumente origjinale nga koha e Perandorisë Osmane dhe monarkisë austro-hungareze. Ishin dëshmi e historisë qindravjeçare të Bosnjes dhe të identitetit të një shoqërie multikulturore.

Serbët e dinin mirë këtë, dhe në prill të vitit 1992 filluan të rrethonin qytetin. Disa muaj më vonë, në gusht të të njëjtit vit, ushtria serbe nën komandën e Radovan Karaxhiçit dhe gjeneralit Ratko Mlladiç kishte nën shënjestër ndërtesën e bibliotekës, “Vijećnica”.

Aida ishte atje. Sepse punonte te ajo biblioteke, sepse i donte librat. Sepse nuk mendonte se ishte e drejtë që të prekeshin librat. Duhej bërë diçka. Kur bombat filluan të shkatërronin bibliotëkën, Aida nuk mendoi për asnjë çast që të largohej por vrapoi për të shpëtuar librat, për të shpëtuar historinë e Bosnjës.

Ndërkohë që të gjithë po largoheshin, ndërkohë që zjarret po bëheshin gjithnjë e më të fuqishëm, Aida arriti të merrte disa prej tyre, pastaj akoma disa të tjerë, duke u munduar që të shpëtonte sa më shumë që të ishte e mundur.

Pastaj erdhi shpërthimi përfundimtar që i morri jetën Aidës dhe shkatërroi 3 milionë libra. Ishte nata mes 25 dhe 26 gushtit 1992.
Biblioteka Kombëtare në Sarajevë u dogj 3 ditë me radhë, ditë në të cilat mbi Sarajevë fluturonin “zogj të zinj”, shkruante atëherë shkrimtari Valerijan Zujo: “Janë fletët e djegura nga libri i madh për ngritjen dhe rënien e Bosnjes dhe Sarajevës”.

Burimi: Fotografitë që kanë bërë historinë

Pianistja shqiptare që jep mësim në shkollën prestigjioze të muzikës në Itali

Gratë shqiptare po njihen gjithnjë e më shumë në botë për talentin e tyre ndërsa pianistja e famshme në Itali, Laura Sopoqoti jep mësim në një nga shkollat shtetërore më prestigjioze të muzikës.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Laura ka rrëfyer jetën artistike në Itali, ndërsa ka shpjeguar raportin e ngushtë që mban ende me vendin e saj, edhe pse prej shumë vitesh jeton në shtetin italian.

“Unë ndihem shumë mirë në Itali por nuk e harroj asnjëherë që jam shqiptare. Por, kur je në një shtet të huaj, duhet të kuptojmë që nuk jemi në vendin tonë”.

E ardhur nga një familje muzikantësh nga Fieri, Sopiqoti ka pasur fatin që e ka filluar pianon që në moshën 5 vjeçare me një mësuese hungareze. Ajo ka qenë nxënësja e Maria Rafaelit, së cilës i dedikon edhe arritjet e saj. Pas shumë vitesh me jetë të pasur artistike në Fier si soliste me Orkestrën Simfonike, në 1994 falë Ambasadës Italiane në Tiranë dhe bashkëshortes së ambasadorit ju dha mundësia për të studiuar në Brindisi. Kjo përkonte edhe me bursën e studimit që ajo kishte fituar në Ohaio në SHBA, me një kasetë të thjeshtë që mësuesja e saj dhe babai kishin regjistruar dhe dërguar në Ohaio. Laura preferoi të studionte në Itali, për shkak edhe të afërsisë dhe dashamirësisë ndaj popullit italian.

Në vitet e para, sipas Laurës, Italianëve u bënte përshtypje fakti se ajo kishte diplomë me të gjitha 10 dhe kjo dukej gati-gati e pavërtetë për ta.

Talenti i saj dhe pasioni për muzikën dhe pianon është trashëguar edhe tek vajza e saj, sot 17 vjeç.

“Nuk kam dashur me patjetër që ajo të bëhet muzikante por ajo vetë ka pasur dëshirë të madhe. Kujtoj që kur unë bëja mësim shihja tek ajo dëshirë të madhe për pianon dhe kur i lija detyra të vogla ajo edhe pse shumë e vogël i përsëriste 10 herë dhe duhet t’ia kujtoje të largohej nga piano për të bërë gjëra të tjera”.

“Në Itali, ishin vitet e vështirë ku shqiptarët iknim me tragete. Në qytetin ku jetoj nuk kishte shumë shqiptarë dhe për ata vetë fakti që unë kisha një diplomë të konservatorit me shumë 10, i dukej sikur ishin të pavërteta. Nuk e dinin dhe nuk e kuptonin që në kohën e komunizmit në në Shqipëri nuk bënim 10 punë keq , por bënim vetëm 1 shumë mirë”.

Prej shumë vitesh Laura jep mësim në shkollën 8-vjeçare shtetërore “Montesori Mascagni”, në Katania dhe bashkëshorti i saj është Italian. Për vendin e saj, Shqipërinë, pianistja e famshme në Itali ka thënë se nëse do të duhet kontributi i saj, ajo është e gatshme ta japë.

Intervista e plotë:

Si nisi rrugëtimi juaj znj. Sopiqoti?

Unë vij nga një familje muzikantesh. Kam pasur fatin e madh që e kam filluar pianon që në moshën 5 vjeçare me një mësuese hungareze. Kam qenë nxënësja e Maria Rafaelit që në moshë të vogël dhe arritjet e mia ja dedikoj edhe mësueses sime të nderuar. Kam studiuar për 12 vjet në shkollën artistike “Jakov Xoxa” ne Fier. Më pas kam konkurruar në Akademinë e Lartë të Arteve në Tiranë ku kam vazhduar studimet me profesorin e nderuar Robert Radoja që ka vazhduar punën e mësueses sime . Kam qenë me shumë fat që kam studiuar me këta dy pianist. Pas mbarimit të studimeve jam kthyer për të punuar në Liceun Artistik “Jakov Xoxa” ne Fier. Kam punuar për 5 vite në klasën e me nxënësit e mësueses sime. Kjo për mua ka qenë nder. Në 1994 falë Ambasadës Italiane në Tiranë dhe bashkëshortes së ambasadorit që ishte artdashëse shumë e madhe, pas disa koncerteve mu dha mundësia të shkoja në Brindisi për të shkëmbyer eksperience. Më pas jam njohur me bashkëshortin Italian dhe jam transferuar Katania. Në Brindisi kam kaluar dy vite dhe ky qytet i vogël ka njerëz me zemër të madhe. Gjithmonë i ka mirëpritur Shqiptarët dhe atje kam realizuar shumë koncerte .

Ju keni një vajzë të rritur që ka ndjekur edhe ajo gjurmët tuaja artistike. Sa keni ndikuar në zgjedhjen e saj për artin?

Vajza jonë ka filluar pianon që ne moshën 4-vjeçare dhe sapo ka mbushur 17 vjeç. Është diplomuar për piano me vlerësimet shkëlqyeshëm ne Konservatorin Vincenzo Bellini në Palermo. Nuk kam dashur me patjetër që ajo të bëhet muzikante por ajo vetë ka pasur dëshirë të madhe. Kujtoj që kur unë bëja mësim shihja tek ajo dëshirë të madhe për pianon dhe kur i lija detyra të vogla ajo edhe pse shumë e vogël i përsëriste 10 herë dhe duhet t’ia kujtoje të largohej nga piano për të bërë gjëra të tjera. Vajza ka studiuar me mua që në moshën 4 vjeçare deri kur u bë 7 vjeç . Është diplomuar me profesoreshën Donatella Solima që vjen nga një familje e madhe muzikantesh. Ka studiuar edhe me Epifanio Comis dhe me pianisten ruse Violetta Egorova. Vazhdon te perfeksionohet me pianisten argentina Nora Doallo në Zvicër.

Sa e rëndësishme është të japësh kontributin tuaj si Shqiptare në Itali dhe si e ndjeni veten atje?

Unë ndihem shumë mirë në Itali por nuk e harroj asnjëherë që jam shqiptare. Por, kur je në një shtet të huaj, duhet të kuptojmë që nuk jemi në vendin tonë. Kam 24 vite që jam në Itali por akoma nuk e kam kaluar fazën që të them “ jam e huaj “.

Cili ka qenë momenti kur ke kuptuar që jeta jote artistike ka mbërritur në një pikë të rëndësishme, nëse mund të themi si “piku” i karrierës tënde?

Unë jam ndjerë shumë rëndësishme edhe në vendin tim. Por, mund të them është fakti që punoj si mësuese pianiste në shkollë shtetërore. Këtu në Itali është shumë e vështirë që të punësohesh në shkollë shtetërore. Në Itali është shumë e vështirë të hysh në një shkollë shtetërore. Është një hap i rëndësishëm. Sa i përket jetës artistike, në fakt mua nuk më mungonte asgjë në Shqipëri. Unë kam ikur në periudhën e vështirë në 1994 por nuk më kanë munguar dhe kujtoj gjithmonë koncertet në Fier si soliste me Orkestrën Simfonike. Nuk kam ikur në Itali për të gjetur një jetë më të mirë, por ishte periudhë e tillë. Faleminderit edhe ambasadës Italiane që më ofroi asokohe, këtë mundësi. Në të njëjtën kohë, unë kisha fituar një bursë studimi në Ohaio në SHBA, me një kasetë të thjeshtë që mësuesja ime dhe babai kishin regjistruar dhe dërguar në Ohaio, kështu edhe fitova të drejtën e studimit atje. Ka qenë në të njëjtën kohë me Italinë. Unë preferova Italinë pasi ishte shumë afër familjes time, gjuhën e kishim mësuar, me popullin Italian ishim shumë afër. E kujtoj gjithmonë edhe pas 2 viteve që unë isha martuar në Itali, Konservatori në Ohaio me dërgonte kërkesën që të shkoja për të studiuar atje. Në Itali, ishin vitet e vështirë ku shqiptarët iknim me tragete. Në qytetin ku jetoj nuk kishte shumë shqiptarë dhe për ata vetë fakti që unë kisha një diplomë të konservatorit me shumë 10, i dukej sikur ishin të pavërteta. Nuk e dinin dhe nuk e kuptonin që në kohën e komunizmit në në Shqipëri nuk bënim 10 punë keq, por bënim vetëm 1 shumë mirë. Fillimi ishte i vështirë. Gjërat kanë ndryshuar, unë arrita të jap piano në shkollën Shtetërore Italiane. Kjo për mua është një arritje e madhe .

Keni menduar të përfshiheni në strukturat e veçanta që po krijohen në diasporë, falë ministrisë së Diasporës së krijuar, si një zë i veçantë i sukseseve dhe arritjeve te emigranteve shqiptar ne bote?

Jo, nuk kam menduar. Unë jam shumë e thjeshtë dhe nuk e kam menduar. Por, po të duhet mund te jap kontributin tim. Unë jam shumë e kënaqur kur nxënësit e prindërit në fund të vitit shkollorë më thonë: nuk është e rëndësishme të jesh mësuese por ti transmetosh më së miri dijet. Kjo është kënaqësi për mua. Të jesh mësuese duhet të bësh me pasion punën, përndryshe nuk e bën dot. Nxënësit më shkruajtën në fund të vitit shkollorë: “ Nuk ka fjalë për të treguar mirënjohjen ndaj teje për gjithçka që ti bën nëpërmjet mësimdhënies. Te jesh mësuese do të thotë të jesh një shembull dhe ju për ne keni qenë plotësisht “.

Sa të tërhequr dhe sa dëshirë kanë nxënësit Italianë ndaj artit ?

Në Itali nxënësit studiojnë edhe artin por jo të gjithë në Itali bëhen pianistë . Por , muzika është një pjesë e jetës së tyre . Pasi përfundova edhe masterin për Muzikoterapi në Itali , kuptova sa rëndësi ka studimi i muzikës për formimin e fëmijëve edhe përpara se të lindin. Pra ,që kur nenat janë shtatzëna. Kam mbrojtur tezen e masterit me notën 10 jo vetëm për vete por edhe për të treguar qe 10 nuk merret vetëm në konservatorin e Tiranës por edhe në Universitetet e Italisë . Dëshiroja të merrja 10 në tezën e rëndësishme “Musikoterapia dhe Autizmi”.

Masterin e kam përfunduar në Universitetin “ Ca Foscari në Venecia. Zgjodha një tezë të vështirë pasi kjo bën pjesë në karakterin tonë si Shqiptare, që të punojmë në atë që është më e vështirë . E përshkruaj si një eksperiencë shumë të bukur.

Cili është mesazhi që do u jepje të rinjve dhe çfarë do u sugjeroje shkollave shqiptare që merren me artin por jo vetëm?

Ajo që dua të them si fillim është se në Shqipëri kemi shkolla shumë të mira dhe nuk na mungon asgjë. Kemi mësues të përgatitur. Dëgjoj pianistë shumë të mirë shqiptarë që studiojnë dhe fitojnë konkurse. Mesazhi që doja të ndaja me të rinjtë është: Vazhdoni rrugën e artit , punoni me këmbëngulje sepse asgjë nuk është e thjeshtë. /ata

Dua Lipa përkrah Jennifer Lopez e Jessica Albes (FOTO)

Dua Lipa së fundmi është paraqitur në një fotografi ku shihet në mesin e yjeve më të njohura botërore, shkruan KultPlus.

Është aktorja Jessica Alba ajo që ka publikuar këtë fotografi të përbashkët ku shihet së bashku me yllin nga Kosova, Dua Lipën, Jennifer Lopez dhe Sofia Vergara.

“Një performancë e mrekullueshme @jlo #vegas”, ka shkruar Alba./ KultPlus.com

View this post on Instagram

Awesome show 👑 @jlo #vegas 🔥🔥🔥

A post shared by Jessica Alba (@jessicaalba) on