Historia e Hyrë Eminit, dëshmores nga Ferizaj

Hyrë Emini ka lindur në Ferizaj, në një familje me traditë të pasur kombëtare, e ardhur më herët nga fshati Maçitevë e Therandës.

Si mijëra familje të tjera shqiptare, edhe familja e Hyrës, në vitin 1958 kishte marrë rrugën e shpërnguljes së dhunshme për në Turqi. Mirëpo, për arsye të ndryshme, pas arritjes në Maqedoni, ajo nuk arrin të vazhdoj më tej dhe atje qëndron deri pas rënies së xhelatit antishqiptar serb, Rankoviq, kur kthehet në Kosovë dhe vendoset në fshatin Neredime të Ferizajt. Më vonë, kjo familje vendoset në qytetin e Ferizajt.

Shkollimin fillore, Hyra e kreu në qytetin e lindjes, sikurse edhe shkollën e mesme-Gjimnazin. Gjatë shkollimit të mesëm, ishte shpallur nxënësja më e dalluar në Ferizaj. Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, regjistrohet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku po ashtu ishte studente me sukses të dalluar. Në fakultet, Hyra njohu dhe krijoi lidhje të ngushta me shumë studentë, ndër të cilët edhe me pjesëtarët e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nait Hasani e Hyrie Veliu. Si organizatore e manifestimit të fundit, në fillim të vitit 1994, ajo arrestohet nga sigurimi shtetëror serb i Ferizajt dhe dënohet për kundërvajtje, me dy muaj burg. Një pjesë të këtij dënimi e vuan në shtëpinë ndëshkuese të në Lipjanit, kurse pjesën tjetër, në burgun e Pozharecit, në Serbi.

Në fillim të viteve ’90, Hyra ishte angazhuar edhe në kuadrin e Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mirëpo me kohë ishte tërhequr nga kjo organizatë, pasi ishte bindur në shterpësinë dhe kotësinë e politikës së pacifizmit nënshtrues që po udhëhiqej nga LDK-ja.

Duke qenë tashmë vazhdimisht nën vëzhgimin e sigurimit shtetëror serbe, Hyra detyrohet t’i ndërpres studimet në Universitetin e Prishtinës, për t’i vazhduar në atë të Tiranës. Mirëpo, edhe në Tiranë Hyra nuk i kishte vënë studimet në plan të parë. Këto studime ajo do t’i përfundoj vetëm pasi të mbaronte lufta e armatosur në Kosovë, ku mori pjesë në frontet e saj.
Më 29 Korrik të vitit 2001 në Tanushë të Gostivarit ra dëshmore.

Burimi: @albanian.women

Unë dua të jem ti

Rainer Maria Rilke

Unë dua të ëndërroj ëndrra të qeta
Dhe me shkëlqimin e tyre të stolis si me dredhëza odën time në pritje.
Unë dua të marr me vete bekimin e duarve të tua në duart e mia dhe në flokët e mi në natën time

Nuk dua t’u flas njerëzve
Që jehonën e fjalëve të tua
(që dridhet si një kumbim mbi të miat dhe ua pasuron tingullin)
Të mos e humb dhe nuk dua ta shoh më diellin e mbrëmjes në asnjë dritë
Për të ndezur në zjarrin e syve të tu mijëra viktima zëpake…

Unë dua të lindem në ty
Si lutja e fëmijëve në mëngjesin e zëshëm e brohoritës
Si raketa mes yjeve më të vetmuar
Unë dua të jem ti.

Gjermanishtja kërkohet si gjuhë e dytë e huaj në Gjimnazin e Pejës

Nxënësit e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, por edhe prindërit e tyre kanë ngritur shqetësimet për mungesën e mësimit të gjuhës gjermane, e cila nuk figuron si gjuhë e dytë e huaj e as që mbulon të gjitha paralelet e kësaj shkolle.

Gjimnazistët e kontaktuar nga “Koha Ditore” e shohin më të nevojshme mësimin e gjuhës gjermane sesa atë frënge.

“Gjuha gjermane për ne sot po duhet më shumë sesa ajo frënge, sepse me gjuhë gjermane ke mundësi më të mëdha edhe për të studiuar jashtë, si në Gjermani apo Austri, por edhe për punë”, flasin disa nxënës për gjuhën që me më dëshirë e kishin mësuar.

Për këtë çështje prindërit edhe kanë mbajtur takim këtë muaj në shkollë për të shikuar mundësinë e përgjigjes pozitive të shkollës në kërkesat e tyre, që fëmijët të mësojnë gjuhën gjermane e jo gjuhën frënge, e cila si lëndë është gjuhë e dytë e huaj në gjimnaz, pas gjuhës angleze. / KultPlus.com

‘Gravité’ nga shqiptari Angelin Preljocaj mahnitë audiencën në Francë

Artisti dhe koreografi shqiptar me famë në Francë, Angelin Preljocaj, ka realizuar kësisoj premierën botërore të projektit të tij më të ri.

Në kuadër të edicionit të 18-të të Bienales së Vallëzimit në Lion të Francës, “Gravite” ka ardhur e formësuar nga dora e Preljocajt.

Baleti “Gravite” reflekton mbi raportin mes trupave dhe gravitetit, duke vënë në pikëpyetje fuqinë e trupit për lëvizje. Pas shfaqjes në Bienalen e Vallëzimit në Lion, baleti do të jetë nga data 3-6 tetor edhe në Grand Theatre de Provence, shkruan KultPlus.

Në skenë, 12 vallëtarë testojnë limitet me trupin e tyre.

“Këta vallëtarë duan të kërcejnë aq shumë saqë kemi krijuar ‘pika’ të reja të gravitetit. Është një përzierje mes vallëzimit bashkëkohor dhe klasik” tregon Preljocaj.

Preljocaj ka inskenuar edhe punë të tjera në Francë dhe gëzon famë në këtë shtet. Mes baleteve tjera janë edhe “Siddharta”, “Un funambule”, “The Rite of Spring”. / KultPlus.com

Shfaqjet nga Kosova, pjesë e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit në Tiranë

Shfaqja “Kaligula” me regji të Kushtrim Koliqit do të jetë pjesë e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit në Tiranë.

Shfaqja vjen me datë 24 shtator në kuadër të këtij festivali që këtë vit është një prej ngjarjeve kryesore të teatrit në Shqipëri.

Melihate Qena, Ard Islami, Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Armend Baloku dhe Allmir Suhodolli janë pjesë e shfaqjes e cila konsiderohet si drama më e fuqishme e Kamysë e cila në qendër të saj ka Perandorin romak që udhëhoqi Romën e që njihet në histori për çmenduritë dhe mizoritë e tij.

Në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, i cili fillon nesër mbrëma, do të vijnë shfaqje të ndyshme nga teatro të ndryshme shqiptare, nga Fieri, Shkodra, Tirana, Prishtina, Elbasani e qytete tjera.
“Kaligula” do të shfaqet me 24 shtator, në ora 18:00 në Sallën e Universitetit të Arteve, shkruan KultPlus.

Me datë 28 shtator në festival vjen edhe shfaqja “Ata që ikin”, nga Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren. “Ata që ikin” vjen me regji nga Kushtrim Bekteshi.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë gjithsej 12 aktorë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli.

Drama trajton fatet e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë, nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Poshtë e gjeni në tërësi programin e këtij edicioni, që përfundon me 30 shtator. / KultPlus.com

Urime dita e parë e vjeshtës!

Në hemisferën veriore të planetit Tokë, sot në orën 4:29 të mëngjesit ka nisur dita e parë e stinës së vjeshtës.

Vjeshta do të zgjasë 89 ditë, deri në 3 minuta pas mesnatës së 22 dhjetorit, kur edhe fillon stina e dimrit.

Moti në Kosovë sot është kryesisht me diell, ku temperaturat maksimale arrin deri në 29 gradë Celsius.

Në momentin kur vjeshta shtriu sundimin në hemisferën veriore të Tokës, në atë jugore fillon pranvera.

Vjeshta nis në momentin kur Dielli, në rrugëtimin e tij gjatë vitit pret ekuatorin qiellor dhe niset në hemisferën qiellore jugore. Atë ditë Dielli lind saktësisht në lindje, ndërsa perëndon saktësisht në perëndim, disa dhe nata janë të barabarta dhe zgjasin nga 12 orë. Kjo ditë quhet sanatadita vjeshtore ose ekuivoku vjeshtor. Në gjysmësferën jugore të Tokës nis pranvera.

Profesionalisht dhe saktësisht, ardhja e vjeshtës përkufizohet se moment kur qendra e diskut të Diellit arrin në deklinacionin zero, ndërsa rektalizimi i Diellit është rreth 12 orë. / KultPlus.com

Doli numri i dytë i revistës “Jeta e re”

(Nesër, në shitje)

Posa ka dalë numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re”, i dyti me radhë për këtë vit.

Ky numër fillon me Adem Demaçin, shkrimtarin dhe veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare, i cili vdiq më 26 korrik 2018 në Prishtinë. Në shenjë kujtimi e nderimi, ky autor, në një hapësirë prej pesëdhjetë faqesh, është prezantuar me tregimet “Kur Zoti harron”, “Mestani”, “Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vet” dhe me një sërë fragmentesh të zgjedhura nga vepra “Dashuria kuantike e Filanit”, për të përfunduar me tekstet “Adem Demaçi shkrimtar” të Agim Vincës dhe “Adem Demaçi, mjeshtër i rrëfimit” të Shefkije Islamajt.

Në rubrikën Ligjëratë, do të ketë ligjëratë të matematikanit dhe shkrimtarit të njohur argjentinas Guillermo Martinez me titullin “Borhesi dhe Matematika”.

Rubrika e prozës nis me shkrimtaren dhe gazetaren shumë të njohur kolumbiane, Laura Restrepo. Ajo vjen në këtë numër të revistës me tregimin “Aromë trëndafilash të padukshëm”, kurse Samuel Beket me prozën shumë interesante “Rondo”. Rubrika vazhdon me tregimin “Gjëja pa emër” të nobelistit Vidiadhar Naipaul, i cili ka vdekur para pak kohësh, për të vazhduar me prozat “Prishtina” të Mehmet Krajës dhe “I çliruar shtrëngate” të Bajram Sefajt.

Rubrika e poezisë nis me një cikël poezish të Idea Valerimos, poete, eseiste dhe kritike e njohur uruguajane, për të vazhduar me poetin Yehuda Amishaj, që konsiderohet poeti më i përkthyer hebre pas mbretit David, me poetin Amir Barakan, njërin ndër poetët më të njohur afrikano-amerikanë, si dhe me poetët tanë, Shaip Beqirin, Arif Kutleshin, Agim Hysenin dhe Sevdail Zejnullahun.

Në rubrikën Dossier vjen poetja e njohur italiane Alda Merini. Rubrika nis me një cikël poezish të kësaj autoreje, vazhdon me një pjesë nga Ditari i saj me titullin “E vërteta tjetër”, së cilës i prin një parathënie e Giorgio Manganellit, pastaj me një intervistë me titullin “Vetë jeta është një poemë”, për të përfunduar me vështrimin “Çarja e pandreqshme e gjuhës” të Ambrogio Borsanit.

Në rubrikën e kritikës janë prezantuar një sërë autorësh tanë dhe të huaj. Rubrika nis me tekstin “Vdekja e autorit” të William H. Gass-it, shkrimtarit, kritikut dhe filozofit të njohur amerikan, vazhdon me shkrimin “Për leximin e librave të vjetër” të William Fazlitt, shkrimtarit, piktorit dhe kritikut me të famshëm anglez të kohës. Prej autorëve tanë është për t’u veçuar teksti studimor për At Zef Pllumin “Frati i pashallarëve” i poetit, kritikut dhe i studiuesit Kujtim M. Shala. Rubrika vazhdon me shkrimet “At Gjergj Fishta dhe Millosh Gjergj Nikolla” të Anton Gojçajt dhe “Dritarja dhe dera- dy konotacione semiotike në rrëfimin e Franc Kafkës” të Elmie Novit.

Kësaj radhe me nga një recension janë paraqitur autorët e rinj: Veron Dobroshi, Fatbardhë Hasi, Elda Elezkurtaj, Valire Jasiqi dhe Fjolla Gashi.

Përkthyesit që kontribuuan në këtë numër janë: Bajram Karabolli, Gëzim Aliu, Alket Çani, Arben Idrizi, Erion Karabolli, Alfred Beka, Fadil Bajraj, Arta Hallaqi, Qerim Ondozi dhe Rrahime Gashi./KultPlus.com

Nesër mbahen “Takimet e Don Mikel Tarabulluzit 2018” në Stubëll të Vitisë

Për të 29 herë me radhë organizohen takimet kulturore, letrare dhe shkencore “Takimet e Don Mikel Tarabulluzit 2018”, që do të mbahen në Stubëll të Vitisë, të shtunën, më 22.09. 2018.

Në akademinë shkencore, do trajtohet figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në 550 vjetorin e kalimit në amshim. Në këtë akademi do të marrin pjesë studiues me kumtesat e tyre, si: Prof. dr. Jahja Drançollit, Dr. Antonio Belushit, Prof. dr. Lucia Nadinit (Itali), Dr. Muzafer Bislimit (Shkup), Dr. Mark Palnikaj (Tiranë), Prof. dr. Erenestina Halili – Gjergjit (Tiranë).
Në këtë përvjetor do bëhet dhe përurimi i bustit të Skënderbeut, vepër e Prof. Agron Bytyqit.
Në kuadër të akademisë, me rastin e 170 vjetorit të kthimit në atdhe të martirëve të Malit të Zi të Shkupit – Martirët e Karadakut, të internuar të Muhaliq të Turqisë (1846-1848),vjen historia e tyre, sa tronditëse, po aq madhështore, përmes kumtesës së studiueses së mirënjohur franceze, Dr. Odette Marquet.

Në fakt, për këtë përvjetor bëhet botimi i një vepre të veçantë të kësaj studiueseje për historinë në fjalë, me titull: “Persekutimi i shqiptarëve të Malit të Zi të Shkupit (Stubëll, Binçë, Vërnakollë dhe Terziaj) në shekullin XIX sipas burimeve franceze”. Janë një sërë dokumentesh në gjuhën frënge (të përkthyera dhe në gjuhën shqipe) që prezantohen në këtë libër. Autorja, së shpejti, del dhe me botimin e një vepre tjetër në gjuhën frënge, për këtë dramë të historisë së popullit tonë.
Krijuesit nga trevat shqiptare, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Orën e Madhe Letrare, e cila ka karakter garues.
Këngë, kushtuar Skënderbeut-Kryezotit të Arbërisë, vijnë përmes zërit kumbues të yllit të muzikës shqiptare, Shkurte Fejza, ndërkaq ansambli “Albafolk” nga Gjilani, do përformojë disa valle arbëreshe, shkruan drita.info

Programi i plotë:
08:00: Nisja nga Prishtina (autobusi për të interesuar niset nga Katedralja)
09-09:00: Pritja e mysafirëve
09:35-09:50: Moment meditimi – reflektimi (Don Dominik Qerimi)
10:00: Fjalimet përshëndetëse
10:10: TRIBUNA SHKENCORE (për vitin jubilar 550-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut)
Ligjëruesit:
Prof. dr. Jahja Drançolli, Prishtinë
Dr. Antonio Belushi, Itali
Dr. Lucia Nadin, Itali
Dr. Mark Palnikaj, Tiranë
Prof. dr. Muzafer Bislimi, Shkup
Dr. Odette Marquet, Franë
11:00: Ora e madhe letrare
12:05: Ndarja e çmimit “Agim Ramadani”
12:15: Program argëtues (Shkurte Fejza dhe “Albafolk” Gjilanë)
13:00: Përurimi i bustit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut te Sheshi i Martirëve
13:00: Dreka (restorant “Jozefi”)./ KultPlus.com

Nesër në Prishtinë dilet me biçikletë

Nesër do të shënohet Dita Ndërkombëtare pa Makina, e cila synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre.

Për të shënuar këtë ditë, nesër në ora 12:00, qytetarët do takohen tek sheshi “Ibrahim Rugova”, për të lëvizur më pas me biçikleta nëpër kryeqytet.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që të shmangen mjetet transportuese të cilat emetojnë lëndë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtje të mjedisit.

Vitin e kaluar Ministria e Mjedisit dhe organizata jo qeveritare “Let’s Do It Kosova” organizuan disa aktivitete në kuadër të kësaj dite. Po ashtu në disa pjesë të qyteti u ndalu edhe qarkullimi i makinave për t’u mundësuar kalimin biçiklistëve./ KultPlus.com

Adriana Sedaj me ekspozitën “Ku po shkon” prezantohet në galerinë Shën Salvator në Austri

Artistja Adriana Sedaj ka disa ditë që ka hapur ekspozitën e saj “Ku po shkon” në galerinë Shën Salvator në Austri.

Ajo përmes kësaj ekspozitë ka sjellë të publiku një temë e cila siç shprehet i shqetëson shumë vende në botë duke përfshirë edhe Kosovën. Në qendër të punimeve të saj është ndalimi i abuzimeve seksuale dhe respektimi i të drejtave të grave por jo vetëm këto.

“Duke dashur të prek temën e abuzimeve por dhe të shfaq kundërshtinë time prej artisti, zgjodha pikërisht vagjinën si semiologji, mes të cilës dua të protestoi kundër abuzueseve dhe mendësive që dominojnë në vendet dhe shoqëritë agresive, për t’ mos thënë primitive”, shprehet ajo.

Për artisten dashuria, femra dhe vagjina, janë trinomi që e fisnikëron një shoqëri, janë shtrati ku rritet e merr frymë njeriu dhe shtohet. Prandaj sipas saj abuzimi me to përbën vrasjen e shoqërisë dhe zhvillimit të saj.

“Protestoj për shenjtërinë e saj dhe kundër abuzimit që i bëhet, duke e dhunuar, fatkeqësisht shpesh e në emër të dashurisë. Jeta është me dashtë pa dhunë, pa abuzim, pa kushtëzim. Jeta është lule, bimë, e saj është edhe vagjina, që duhet dashtë, që fal frymë e zgjim”cilëson ajo.

Ekspozita “Quo vadis”apo shqip “Ku po shkon” nga Adriana Sedaj do të qëndrojë e hapur deri më 12 tetor./ KultPlus.com

Soneti i vjeshtës

Nga Sharl Bodler.

I dashuri im i çuditshëm, ç’meritë kam për ty në k’të jetë”
Sytë e tu të qartë si kristal, sikur më shohin e më thonë:
-Bëmë të magjepsem e hesht! Zemra ime që ti po ngacmon,
Përveç ndjesisë së një kafshe antike plot sinqeritet.

Në duart e tua e përkundur dhe e ftuar në të ëmblin gjumë,
Nga sekreti i saj i skëterrshëm, asgjë s’ka për të treguar,
As legjendën tënde të zezë, në gërma zjarri s’ka për ta shkruar,
Oh, se unë pasionin e urrej e shpirti më dhëmb aq shumë!

Le të duhemi ëmbëlsisht. Dashuria, një rojtare e drobitur,
Në mes të errësirës, në pusi, tendos harkun e saj fatal.
Po unë ia njoh mirë veglat e të vjetrit arsenal.

Krimin, tmerrin dhe marrëzinë! – O margaritë e nemitur!
Pse, njësoj si unë, një diell vjeshtak nuk je vallë ti,
Margarita ime e akullt, e imja e panjollosura bardhësi./ KultPlus.com

Prezantohet libri i fotografit gjerman mbi arkitekturën e Tiranës

Fotografi gjerman Jonas von Lenthe prezantoi së bashku me arkitektin Simon Battisti dhe Ledian Bregasin, librin e tij të fundit “Responding to Particular Needs at a Precise Moment”, të libraria “28 Nëntori” në Tiranë.

Libri paraqet fotografi me arkitektura të veçanta banesash në Tiranë. Me “Responding to Particular Needs at a Precise Moment” fotografi Jonas von Lenthe hedh vështrimin e tij mbi arkitekturën e kryeqytetit shqiptar, Tiranës.

Ai fotografon qëndra të mëdha banimi të perudhës postsocialiste të cilat banorët i kanë përvetësuar nëpërmjet zgjerimit të ballkoneve dhe ndryshimeve të fasadave, si dhe ndërtesat e reja të cilat nuk duket se orientohen nga paradigma e planifikimit kombëtar.

Fotot e tij plotësohen dhe kontekstualizohen nga materiale fotografike të arkivit nga vitet 1950 dhe 1960 dhe intervista me arkitektët Simon Battisti, Ledian Bregasi dhe Dritan Mico. Me rastin e këtij aktiviteti, u publikua një përkthim në gjuhën shqipe i tri intervistave të përfshira në libër. Një instalacion i librit do të qëndrojë i shfaqur deri në dt. 23 shtator në librarinë “28 Nëntori”./a.t.a/ KultPlus.com

Dritëro Agolli për Naim Frashërin: Ty pluhurin e shenjtë askush s’ta shkelë

Poezia “Pluhuri yt” nga Dritëro Agolli.

Baltë e pluhur të bëhem,
Të më shkel këmbë e saj. –Naim Frashëri

Ty pluhurin e shenjtë askush s’ta shkelë,
As këmbë e saj, as këmbë e Shqipërisë
E kush e shkel, kur dhe një kokërr meli
Ky pluhur e bleron mes gjithësisë?/ KultPlus.com

Kumbaro takon ekspertë nga “Europa Nostra”, bashkëpunime dhe projekte të përbashkëta

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Drejtoresha e Institutit të Monumenteve, Arta Dollani pritën në një takim pune misionin e ekspertëve të Europa Nostra-s, përfaqësuar nga Anëtari i Bordit, Paolo Vitti dhe Peter Bond dhe Lourdes Llorens Abando, ekspertë teknikë nga Banka Europiane e Investimit.

Pas vizitës në terren, në kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit, Vitti u shpreh i mrekulluar për vlerat arkitektonike dhe artistike që përcjellin këto monumente të kulturës, frymëzuar nga trashëgimia e kultit bizantin, duke i cilësuar “ Thesare Unike” në rajon e më gjerë. Misioni u shpreh entuziast dhe sugjeroi përgatitjen e dosjes që këto kisha të vlerësohen me statusin e mbrojtjes si trashëgimi botërore nga UNESCO.

“Trashëgimia Kulturore nuk është luks, por potencial për zhvillim ekonomik. Qeveria shqiptare prej pesë vitesh ka kthyer fort vëmendjen ndaj trashëgimisë kulturore. Programet si “100 Fshatrat”, apo “Rrugët e Besimit”, nuk janë vetëm sensibilizim ndaj pasurive kulturore, natyrore dhe shpirtërore të Shqipërisë, por një itinerar i pasur i këtyre thesareve që presin të zbulohen për të komunikuar kulturalisht por edhe për të gjeneruar ekonomi lokale”, u shpreh Kumbaro gjatë takimit.
Misioni vlerësoi maksimalisht punën e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve në mirëmbajtjen, restaurimin dhe vëmendjen e treguar ndaj këtyre monumenteve dhe u shpreh i gatshëm të “krijojmë urat e nevojshme të komunikimit dhe bashkëpunimit në nivel institucional”.

Misioni i Europa Nostras u njoh me strategjinë e programit të Trashëgimisë Kulturore, ligjin e ri për “Trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, projektet e monumenteve që janë në proces restaurimi, ose pritet të fillojnë përmes partneriteve me donatorë privatë, apo komunitetet fetare.

Në takim u shkëmbyen mendime rreth bashkëpunimit në të ardhmen duke ngritur grupe të përbashkëta ekspertësh në vlerësim, ekspertizë apo zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në ndihmesë të restauratorëve, ikonografëve, teknikave të restaurimit, etj./ ma.me/ KultPlus.com

Guerilla Art Festival, me murale në Filharmoni, Ulpianë dhe Qendër të Studentëve

Qendra për Zhvillimin e Artit (Q’art) filloi edicionin e 4-të të Guerilla Art Festival (GAF), me qëllim pasurimin e hapësirave publike me vepra artistike – murale – si dhe ndikim pozitiv në turizmin kulturor, shkruan KultPlus.

Diçka që filloi si studim në vitin 2014, GAF sot nis vitin e katër të të trajtimit të zonave publike me vepra arti si një reagim ndaj degradimit urban të qyteteve në Kosovë. Në kuadër të këtij edicioni, hapësirat e përzgjedhura së bashku me komunitetin po trajtohen nga artistë të njohur ndërkombëtar që kanë fituar disa shpërblime me renome në fushën e artit. GAF çdo vitë po arrin ta pasurojë qytetin me vepra artistike si dhe të stimulojë një zhvillim inovativ në sektorin e kultures dhe industrisë kreative.

Lokacionet e përzgjedhura përfshijnë objektet: Filharmonia e Kosovës me artistin Holandez Simian Switch, Qendra e Studentëve me artistin Indonesian Wild Drawing dhe një banesë kolektive në lokalitetin Ulpiana për tu punuar nga artisti Zviceran CRBZ.
Qendra për Zhvillimin e Artit-Q’art gjithashtu organizon edhe festivalin ndërkombëtar Meeting of Styles Kosova.

Këtë edicion përkrahës kryesor i GAF është projekti i BE-së “Culture4Change” pastaj ambasada holandeze dhe zyra zvicerane për bashkëpunim./ KultPlus.com

Poeti Beat Brechbuhl- laureat i çmimit “Naim Frashëri”

Festivali Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” do t’i mbledhë edhe sivjet në Tetovë poetët më të njohur nga vendi, rajoni dhe bota, në aktivitetet tradicionale 5-ditore që zgjasin nga 8-22 tetor.

Sivjet, fituesi i çmimit, Naim Frashëri, është poeti zviceran, Beat Brechbuhl, i cili ka një bagazh të madh veprash letrare, që përfshijnë poezi, romane, tregime, si dhe libra për fëmijë. Veprat e tij janë botuar në disa gjuhë të botës., shkruan al.mrt.com.mk

“Juria e përbërë nga prof. dr. Ymer Ciraku, Ndue Uka dhe Isak Sherifi lauerat të këtij edicioni kanë shpallur poetin e njohur zviceran, Beat Brechbuhl”, theksoi drejtori i festivalit, Shaip Emeurllahi

“Dhënia e çmimit të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, për poetin nga Zvicra, Beat Brechbuhl, është vlerësim për krijimtarinë e çmuar të tij e po ashtu është vlerësim dhe nderim për rolin e çmuar të krijimtarisë letrare e cila ka meritë të kapërcimit të kufijve gjuhësorë dhe nacionalë, duke ndërtuar ura komunikimi shpirtëror mes popujve”, theksoi kryetari i jurisë, Ymer Ciraku.

Edicioni i 22-të i festivalit “Ditët e Naimit” sivjet mbështetet edhe nga Ministra e Kulturës dhe nga Komuna e Tetovës./ KultPlus.com

“KUMT” premiera e re e Ansamblit “SHOTA”

Viti 2018 ishte shpallur si Vit mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Për nder të 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” sjellë premierën e re “KUMT”.

‘KUMT’ është koreodramë e punuar nga koreografi i mirënjohur shqiptar, Gjergj Prevazi, i cili ka bërë gjithashtu edhe regjinë e kësaj shfaqjeje, nën udhëheqjen artistike të Ylber Asllanajt. Muzika është realizuar nga Valton Beqiri, ndërsa kostumografia nga Vesa Kraja.

Premiera e kësaj shfaqjeje do të mbahet më datë 26 shtator 2018, në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me fillim nga ora 20:00.

Kujtojmë që ‘SHOTA’, më herët në këtë vit pati edhe një premierë tjetër, më saktësisht koreodramën ‘Lulet e Marsit’ , të autorit Xhemali Berisha, e cila u realizua për nderë të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij./ KultPlus.com

Peter Pan Quartet nesër vjen në Gjakovë

Në prag të përfundimit të programit për vitin e dytë në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë, kjo fundjavë është e mbushur me ngjarje, ku ndër to spikat koncerti muzikor me Peter Pan Quartet nga Tirana.

Të shtunën, me fillim prej orës 21:00,njoftohet se bendi Punk-Folk nga Tirana do të vijë në Gjakovë për të performuar para publikut vendas. Ata në vitin 2017 nxorën dhe albumin e tyre të parë që mbledh ketë eksperiencë disavjeçare me titull “Asnjë Kënge Dashurie”.

Tekstet flasin kryesisht për problemet social-politike të shoqërisë, me nota sarkazmi bashkangjitur tingujve ballkanik.

“Mezi po presim për natën e të shtunës, me sigurinë që djemtë nga Peter Pan Quartet do të ofrojnë një shfaqje të veçantë në Parkun Kulturor. Ata njihen për origjinalitetin e tyre dhe mënyrën se si përmes muzikës trajtojnë tema të ndryshme sociale, duke gërshetuar argëtimin për masat me edukimin”, thotë Arbër Lleshi, pjesë e ekipit organizues.

Ndërkohë, e premtja dhe e diela në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” i takojnë filmave të metrazhit të shkurtër. Së pari, të premten shfaqen tre nga filmat më të mirë vendor të metrazhit të shkurtër të realizuar së fundmi. “Ajo”, “Një Muaj” dhe “Gardhi” janë titujt e filmave të përzgjedhur, kurse të dielën java përfundon me një program special. Regjisorët e rinj, pjesë “Future is Here” nga Dokufest, të cilët realizuan filmat e shkurtër gjatë këtij viti, do të shfaqin krijimet e tyre para dashamirëve të talenteve që po zhvillohen në vend.

Ngjarjet e këtij viti në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë përkrahen nga projekti “Culture for Change” (BE) i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Instituti Goethe, si dhe Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit bashkë me Drejtorinë Komunale në Gjakovë për Rini Kulturë dhe Sport. Filmat po shfaqen në partneritet me Dokufest dhe Qendrën Kinematografike të Kosovës./ KultPlus.com

Akademia Evropiane e Filmit, edhe me tre anëtarë nga Kosova

Regjisori Ismet Sijarina, drejtoresha e fotografisë Sevdije Kastrati dhe producenti e aktori i njohur Fatmir Spahiu janë tre anëtarët e rinjë nga Kosova që kanë marrë ftesë nga Akademia Evropiane e Filmit të jenë pjesë e saj.

Kjo ftesë vjen pas suksesit të filmit “Nëntor i Ftohtë“ i cili do të shfaqet premierë botërore javën që vjen në festivalin e famshëm të filmit në San Sebastian në Spanjë.

“Në rrafshin personal dhe profesional anëtarësimi në EFA është një arritje e madhe. Është nderë të jesh pjesë e elitës kinematografike evropiane. E falenderoj Qendren Kinematografike të Kosovës, për nominimin që më ka bërë.”- u shpreh regjisori Sijarina.

Ndërsa aktori Spahiu tha që: “Kjo ftesë është shpërblim për punën dhe sfidat që kanë profesionet tona, jamë shumë i lumtur dhe ndjehem i privilegjuar.“

Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themeluese si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.

Ceremonia e Çmimeve Evropiane të Filmit sivjet do të mbahet në Sevilla (Andalusia) të Spanjës në dhjetor të këtijë viti. EFA ka mbi 3,500 anëtarë nga mbarë evropa, ku prej tyre Kosova ka 25 anëtarë. / KultPlus.com

Nënshkruhet memorandumi për zhvillimin arkivor dhe digjitalizimin e dokumenteve

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot në takim Kryeshefin e Agjencisë Shtetërore të Arkivave Ramë Manaj.

Në këtë takim, Gashi dhe Manaj kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare për projektin “Mbështetja për zhvillimin e veprimtarisë arkivore dhe ngritja e kuadri profesional arkivor”. Memorandumi do të zbatohet gjatë vitit 2018, projekt për të cilin MKRS do të investojë me vlerë financiare prej 8 mijë euro.

Qëllim i këtij memorandumi është krijimi i dokumenteve elektronike dhe aplikimi i normave bashkëkohore për zhvillimin e mëtutjeshme të veprimtarisë arkivore. Po ashtu, ky projekt do të mbështetë ngritjen dhe aftësimin e kuadrit profesional arkivor të angazhuar në Agjencinë Shtetërore të Arkivave por edhe të kuadrit arkivor në arkivat ndër komunale. Ku aktivitet gjithsesi ka mbështetje të plotë ne Ligjin për Arkivin Shtetëror dhe Standardet Ndërkombëtare te Arkivistikës.

Gashi, thuhet në komunikatë, ka vlerësuar se me nënshkrimin e këtij memorandumi kemi vazhduar më tutje mbështetjen për institucionin më të rëndësishëm të ruajtjes dhe mbrojtjes së dokumenteve shtetërore të cilat i mbesin si histori gjeneratave që vijnë.

Ndërkaq kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave, Manaj, e falënderoi ministrin për përkrahjen që ai po jep për institucionin që ai udhëheq dhe vënien e tij ndër prioritetet e ministrisë.

Nëna e një djali autik, letër kryeministrit Rama: O, si nuk kam një grusht të fortë t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë

Nëna e një fëmije me nevoja të veçanta letër kryeministrit : Deklaruat librat falas për fëmijët me nevoja të veçanta, unë ia bleva me lekët e mia!

“Më thanë nuk i takon!”

Letër e hapur

I nderuar zoti Kryeministër! Po të shkruaj një letër për të bërë publike me ju dhe gjithë shqiptarët kalvarin e madh të vuajtjeve dhe përpjekjeve të një nëne shqiptare, të një familjeje shqiptare, me fëmijë me nevoja të veçanta.

Unë jam nëna e një fëmije autik. Po të tregoj për CV-në time, ndoshta do të më duartrokasësh. Po të të tregoj për vështirësitë që kam hasur këtu në Tiranë me djalin tim me punën dhe jetën, ndoshta do të qash.

Kam punuar mësuese më pas pedagoge e jam autore e katër librave si dhe kam kryer një specializim për psikologji.

“Ndoshta nuk është koha e CV-ve! Kështu thuhet gjithandej. Është koha e ‘miqve’!

Gjithçka funksionon me mik, para dhe ‘përdorje’.

Kur më diagnostifikuan djalin me autizëm infantil, më duhej të vendosesha në Tiranë për të trajtuar me terapi tim bir. I lashë të gjitha.

Ika ,me dhimbjen mëmësore, por me shpresë në zemër.

Ama me dhimbje…Me dhimbjen që ndieja si do e rrisja fëmijën tim autik në mes të kësaj shoqërisë sonë të vrazhdë e të brishtë.

Ishte viti 2009, kur u vendosa në Tiranë. Një ditë të hëne trokita në zyrën arsimore të Tiranës. U takova me sekretaren, me shpresën e madhe se do më mundësonte një takim me drejtoreshën e asaj kohe. Me shpresën e madhe se funksionojnë ligje si bota e zhvilluar, por edhe me shpresë se njeriu në raste të tilla është edhe human. Fytyrën nuk ia mbaj mend, por pozicionin pompoz, thonjtë e gjatë dhe cigaren në duart e saj i kam fiksuar dhe sidomos frazën përmbyllëse të bisedës.

“-Për mendimin tim rri atje ku je!”

Iknin ditët dhe punoja me tim bir me shpresën se e nesërmja do të ishte më mirë. Shpresë njeriu në këtë Mëmëdheun tonë të përbashkët që s’u bë kurrë një vend i hairit .

Të paktën shpresa ishte ilaç!

Për çudi, as miqtë, as njerëzit, as shtetin në të tilla raste nuk i ke. Ikin …përveç familjes.

E kështu me ndërrimin e pushteteve më prezantuan një mik në politikë. Dhe mikut në fakt, nuk kisha se çfarë i jepja përveç CV-së dhe aftësisë sime. Po ai më tha: “Nuk pyet njeri për CV! Mbaj mend, teksa hipa valixhet në makinë, hipa edhe ca ëndrra që në ato momente trishtimi më mbushën shpirtin me dritë. Por duke u përballur me të vërtetën, po kuptoja që isha në një vend mes betonit, zhurmës dhe egërsisë. Më kaploi një dëshpërim i madh. Po krahët e mi ishin prej ajri. Metropoli më shfaqej si xhungël. Jepnin shfaqje dhelprat, ujqërit dhe gjarpërinjtë. Më pas i shoqëronin lepujt. Shumë lepuj. Po unë kisha mall për zogjtë … Ata nuk ishin askund. Ose i kishin ndryshuar, ose i kishin vrarë. Ishte dhe është panorama e shoqërisë sonë.

E kështu fillova të punoja në një firmë italiane. E bëja për djalin tim! Çdo nënë shqiptare do e bënte. Nuk ka asgjë të punosh për të jetuar. Puna është nder. Por e kisha aq eksperiencë 8 vjet si mësuese ku mund të punoja në profilin tim. Më pas me aftësitë e mia punova pedagoge në një universitet privat. E kështu pasuan botimet e librave të mi dhe im bir shkonte në shkollë. Kur iu shoh ju, që bëni udhëtime, foto dhe qeveritarët tuaj e të gjithë deputetët që kanë prona, pasuri marramendëse sikur ua ka sjellë llamba e Aladinit, më vjen ndër mend vargu i Migjenit:

” 0, si nuk kam një grusht të fortë

t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë”

Pak kohë më parë kam fituar një projekt në Top Channel për fëmijët me nevoja të veçanta që kanë talente, për t’i mbështetur dhe promovuar. Do e bëj me shumë dëshirë për të treguar mbështetjen dhe mirësinë time kundrejt kësaj kategorie. I nderuar kryeministër!

Je një artist i mirë, por si kryeministër mund të bësh më shumë për shtresat në nevojë. Dyfishoje pagesën e paaftësisë, se nuk del as për pije freskuese, veshje e jo më për t’i çuar në kurse. Punësoji nënat që kanë fëmijë me specifika të veçanta. Hap një qendër me dy tre disiplina (art e sport ) se nuk i lëmë dot fëmijët tanë rrugëve ku zien pasiguria dhe pisllëqet. Nuk i lëmë dot, as në lagje se i përbuzin. Nëna e një djali autik, letër kryeministrit Rama: 0, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë
Ju jeni artist! Unë di që artistët kanë shpirt të bukur. Bëj diçka të mirë të mbahesh mend, se librat ia bleva me lekët e mia. Edhe pse është me nevoja të veçanta më thanë: Nuk i takon!”

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës mban akademi për Adem Demaçin

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka mbajtur sot akademi letrare për veprimtarin e shquar Adem Demaçi.

Biblioteka kombëtare “Pjetër Bogdani” ishte vendtakimi i shumë shkrimtarëve dhe personaliteteve të shquara kosovare për të kujtuar e nderuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Demaçi.

Shyqri Galica, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, hapi akademinë me një minutë heshtje për të vazhduar më pas me një jetë përshkrim të shkurtër për ikonën e rezistencës kombëtare. Galica përshkroi me fjalë të mëdha heroizmin, atdhedashurinë, urtësinë, guximin dhe sakrificën e shkrimtarit, tashmë të ndjerë, Demaçi.

akademi kishte edhe karakter garues, pasi që u zgjodh punimi/poezia më e mirë kushtuar “Mandeles shqiptar”. Me këtë rast, autorët e 30 poezive më të mira lexuan punimet/poezitë e tyre, të cilat konkurruan për punimin më të mirë. / KultPlus.com

Fjala e poetit Lulzim Tafa me rastin e marrjes së çmimit ‘Mihai Eminescu’

Poshtë është fjala e poetit Lulzim Tafa me rastin e marrjes së Çmimit Ndërkombetar në Festivalin e Poezisë “Mihai Eminescu” në Rumani.

E nderuara Juri e Festvalit,
të dashur kolegë,
poetë e lexues të poezisë,
zonja e zotërinj!

E pranoj këtë çmim, duke qenë i nderuar me vendimin e kësaj Jurie të respektuar që këtë çmim të ndaj për mua. Poezi kam filluar të shkruaj si fëmijë, jam rritur me poezinë dhe po plakem me të. Unë gjithmonë i kam qendruar besnik poezisë. Në jetë kam bërë edhe punë të tjera, qoftë si profesor, por edhe punë menagjeriale çfarë është edhe pozita e Rektorit, por edhe aktivitete të fushës së të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së kafshëve, por, duhet ta theksoj se edhe kur kam vepruar në fusha të tjera, unë gjithë jetën time kam frymuar si poet. Jam ndier poet dhe vazhdoj të jetoj si i tillë.

Ky çmim më bënë nderë mua dhe letërsisë që i takoj. Unë i takoj letërsisë së Kosovës, letërsisë shqipe të Kosovës. Administratorët e festivalit më thanë se unë këtu do të jem nën logon Shqipërisë, edhe kjo më bënë nderë, sepse letërisa shqipe është një dhe unë i takoj asaj letërsie. Vendi prej nga vij unë, pra Kosova, ka shumë poetë të mirë të cilët, po ashtu, me krijimtarinë e tyre janë të njohur për lexuesin në Evropë e më gjerë. Unë si fëmije e mësova misionin që ka një poet, pra jo vetëm për të bashkuar fjalë që kurrë më përpara nuk kanë qenë bashkë njëra me tjetërn, por edhe për t’i thënë gjërat bukur, njësoj si kur shkruan për dashurinë, gëzimin e jetën, njesoj si kur shkruan për trishtimin e vdekjen, e rëndësishme që ajo të thuhet bukur . Unë gjithmonë bëjë përpjekje që ta bëjë këtë, prandaj e vlerësoj shumë këtë çmim. Ky çmim më jep më shumë siguri.

Gjatë krijimtarisë sime më shumë se tridhjetë vjeçare, kam marr edhe çmime të tjera, madje çmimin e fundit e kam marr nga komuniteti malazez, një komunitet pakicë që jeton i respektuar në vendin tim, në motivacionin e çmimit të tyre, që e mbanë po ashtu emrin e njërit prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë së Malit të Zi, përveç motivit letrar ata kishin futur edhe angazhimin tim për paqe dhe afirmim të të drejtave të pakicave, dhe kjo më gëzoj, po aq sa edhe motivacion për letërsi.
Vendi im para pak vitesh ka dalë nga një luftë e përgjakshme. Unë edhe atëherë kam qenë poet, kam shkruar për lirinë dhe paqen. Një ditë një konvoj militarësh erdhën dhe dogjën shtëpinë time, edhe pse unë nuk isha luftëtar, unë isha poet. Ma dogjën biblotekën, librat, dorëshkrimet, fotografitë, kujtimet. Secili prej jush e di çdo të thotë për një poet t’i digjen dorëshkrimet, t’i digjen librat. Unë shkruaja për lirinë, ata që m’i dogjën librat një ditë ikën nga vendi im, ndërsa unë vazhdova të shkruaj përseri për lirinë dhe paqen. Këtë e bëj edhe sot.
Fatkeqësisht shumë shkrimtarë të ballkanit në kohën e luftës u bënë krah i politikës. Në vend që të punonin për paqe ata i fryenin zjarrit të luftës. Ndodhi që një poet nga Ballkani të gjykohet dhe dënohet për krime kundër njerzimit në një Gjykatë Ndërkombëtare. U Gjykua dhe u dënua sepse ra në kundërshtim me vlerat e njerëzimit, në kundërshtim edhe me vlerat që ka letërsia.

Unë sot krijoj dhe punoj për të promovuar këto vlera qoftë si poet, qoftë edhe si një jurist, loboj që të kemi ligje më të mira që mbrojnë dhe avancojnë jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të kafshëve dhe të gjitha krijesave të Zotit në planetin tonë, edhe pse kjo në Ballkan nuk është e lehtë. Shpeshherë edhe jam paragjykuar.

Pse është i rëndësishmë ky çmim për mua ?

E para sepse e ndanë një juri kaq kompetente, e dyta sepse më jepët në njërin prej festivaleve më të rëndësishme që mbahen në kontinenentin tonë, pastaj sepse e mban emrin e Mihajl Emineskut, kolosit të madh jo vetëm të letërsisë rumune, por edhe të letërsisë botërore, ngase është e vërtetë se ne u takojmë letërsive që përfaqësojmë, por vlerat që përfaqëson letërsia janë universale. Ky festival ka shume vlera.
Ju Faleminderit

Lulzim Tafa