Peter Pan Quartet nesër vjen në Gjakovë

Në prag të përfundimit të programit për vitin e dytë në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë, kjo fundjavë është e mbushur me ngjarje, ku ndër to spikat koncerti muzikor me Peter Pan Quartet nga Tirana.

Të shtunën, me fillim prej orës 21:00,njoftohet se bendi Punk-Folk nga Tirana do të vijë në Gjakovë për të performuar para publikut vendas. Ata në vitin 2017 nxorën dhe albumin e tyre të parë që mbledh ketë eksperiencë disavjeçare me titull “Asnjë Kënge Dashurie”.

Tekstet flasin kryesisht për problemet social-politike të shoqërisë, me nota sarkazmi bashkangjitur tingujve ballkanik.

“Mezi po presim për natën e të shtunës, me sigurinë që djemtë nga Peter Pan Quartet do të ofrojnë një shfaqje të veçantë në Parkun Kulturor. Ata njihen për origjinalitetin e tyre dhe mënyrën se si përmes muzikës trajtojnë tema të ndryshme sociale, duke gërshetuar argëtimin për masat me edukimin”, thotë Arbër Lleshi, pjesë e ekipit organizues.

Ndërkohë, e premtja dhe e diela në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” i takojnë filmave të metrazhit të shkurtër. Së pari, të premten shfaqen tre nga filmat më të mirë vendor të metrazhit të shkurtër të realizuar së fundmi. “Ajo”, “Një Muaj” dhe “Gardhi” janë titujt e filmave të përzgjedhur, kurse të dielën java përfundon me një program special. Regjisorët e rinj, pjesë “Future is Here” nga Dokufest, të cilët realizuan filmat e shkurtër gjatë këtij viti, do të shfaqin krijimet e tyre para dashamirëve të talenteve që po zhvillohen në vend.

Ngjarjet e këtij viti në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë përkrahen nga projekti “Culture for Change” (BE) i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Instituti Goethe, si dhe Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit bashkë me Drejtorinë Komunale në Gjakovë për Rini Kulturë dhe Sport. Filmat po shfaqen në partneritet me Dokufest dhe Qendrën Kinematografike të Kosovës./ KultPlus.com