“Nuk kam as ar as argjend”, kërkesa e Nënë Terezës për të vizituar Shqipërinë komuniste

Fondi Arkivor Online i ministrisë së Jashtme me rastin se shenjtërimit të Nënë Terezës ka publikuar dokumentet, shkresa dhe letra të shenjtores shqiptare e cila ka kërkuar të vizitojë varret e nënës dhe motrës së saj që preheshin në atdhe.

Nënë Tereza nuk u lejua nga regjimi të merrte pjesë në ceremonitë e tyre mortore, por prej 1985 në Shqipëri nisi të kishte disi ndryshime. Sipas dokumenteve të kohës, kërkesa e parë u përcoll në ambasadën shqiptare në Romë, nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëresh.

Në dokument bie në sy përgjigja e saj në intervistën e dhënë për gazetaren e televizionit shtetëror shqiptar pyetjes lidhur me përshtypjet nga vizita e saj e parë në Shqipëri, ku rëndom dëgjoheshin vetëm vlerësime pozitive, Nënë Tereza do përgjigjej “ Nuk kam ditur më parë ç’ka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj një krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje”. Pas largimit nga Shqiperia Nënë Tereza iu drejtua me një letër presidentit Alia për të lejuar hapjen e një shtëpie në Tiranë për Misionaret e saj të Bamirësisë. Përgjigja vonoi gjatë.

Vizitat e Misionareve të Nene Terezës që prisnin në Romë, por edhe të vetë Nënë Terezës vazhduan në ambasadën shqiptare në Romë edhe në muajt në vijim për të marrë një përgjigje nga pala shqiptare, përcjellë KultPlus.

Pas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Haver Perez De Kuelar në Shqipëri në maj 1990 dhe ngjarjeve të korrikut në 1990, në tetor 1990 Alia përgjigjet se së shpejti do kishte një përgjigje pozitive për vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri. Po në tetor 1990, në Tiranë kopshtit të fëmijëve që u vizitua nga Nënë Tereza gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri i vihet emri i nobelistes per paqe “Kopshti Nënë Tereza”. Në këtë periudhë pati zhvillime të reja politike në Shqipëri dhe po flitej zyrtarisht për lirinë e praktimit të besimit dhe për veprimtarinë e institucioneve fetare. Këto rrethana lehtësonin edhe hapjen e Misionit të Nënë Terezës në Shqipëri. Përgjigjia nga shteti shqiptar vjen në nëntor 1990 sipas të cilës Nënë Tereza ishte e mirepritur për një vizitë të dyte në Shqipëri, ndërsa për aktivitetin e Motrave të saj Misionare të Bamirësisë në Shqipëri duhej të ndryshonte në fillim legjislacioni ekzistues shqiptar që të lejonte këtë veprimtari. Vizita e dyte u zhvillua 1-5 dhjetor 1990.

Shtëpitë e Misionit të Bamirësisë së Nënë Terezës në Shqipëri do të fillonin aktivitetin e tyre në mars 1991 në Tiranë e në Shkodër./ topchannel

Kur Aleksandër Gjokës i kërkohet të këndojë “live” (VIDEO)

Aleksandër Gjoka është një nga figurat kyçe të muzikës shqiptare, një zë i rrallë i cili i ka dhënë përjetësinë secilës këngë që e ka kënduar, shkruan KultPlus.

I natyrshëm në skenë, pa shumë lëvizje e veç me zë, ai arrin ta marrë publikun me vete. Në skenat ku është ngjitur publiku e ka përcjellë gjithnjë në këndim.

Në emisionin “Top show”, atij i ishte kërkuar që për kënaqësinë dhe nostalgjinë e publikut të këndojë “live”, ndërsa ai më shaka është përgjigjur “Ti dyshon se unë nuk këndojë live”, ndërsa me duart e ngritura lart fillon të këndojë një nga këngët e tij epike “Dashurisë së shkuar”, duke i mahnitur të gjithë të pranishmit, që e përcjellin me duartrokitje. / KultPlus.com

Poezia e mahnitshme e Nënë Terezës për gratë

Puna e saj e palodhur në mes të viktimave të varfërisë në Indi e ka bërë një nga personat më të famshëm në botë dhe një nga më të njohurat e të gjitha kohërave, duke bërë që të fitonte çmimin “Nobel”për Paqen në vitin 1979. Është shenjtëruar nga papa Giovanni Paolo II në 19 tetor 2003 dhe është quajtur shenjtore në 4 shtator të vitit 2016 nga papa Francesco. Lindi në 26 gusht 1910 në Shkup në një familje me prindër shqiptarë me origjinë nga Kosova.

Poezia që do të lexoni më poshtë, është një nga më të bukurat ndër gjithë poezitë e saj.

“Femrat”

Ki gjithmonë parasysh se lëkura krijon rrudha,

flokët bëhen të bardhë,

ditët shndërrohen në vite…

Por ato që janë të rëndësishme, nuk ndryshojnë:

forca jote dhe bindja jote nuk kanë moshë.

Shpirti yt është ngjitës për çdo rrjetë merimangash.

Pas çdo vendi mbërritjeje është një vend nisjeje.

Pas çdo suksesi ka një tjetër zhgënjim.

Për aq sa të jesh e gjallë, ndjehu e gjallë.

Nëse të mungon ajo që bëje, kthehu dhe bëje.

Mos jeto me fotot e zverdhura…

këmbëngul, edhe nëse të gjithë presin të largohesh.

Mos e lër të ndryshket hekurin brenda teje.

Vepro në mënyrë që në vend të mëshirës, të tjerët të të tregojnë respekt.

Kur për shkak të viteve nuk mund të vraposh, ec shpejt.

Kur nuk mund të ecësh shpejt, ec ngadalë.

Kur nuk mund të ecësh dot, përdor bastun.

Por mos u ndal asnjëherë!

Së shpejti fillon edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec

Javën tjetër, duke filluar nga data 15 deri më 17 shtator 2018, Rahoveci do të jetë nikoqir i edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, që organizohet nga Fondi për Edukim Kulturor dhe Trashëgimi, shkruan KultPlus.

Edhe ky edicion synon të sjellë emrat e shquar të letërsisë botërore nga Japonia e deri në SHBA, nga Evropa në Azi.
Sipas Drejtorit të Festivali, Fahredin Shehu, do të ketë lexime të poezive nga poetë, performancë poetike nga poetja japoneze Yuki Nagae. Po ashtu do të bëhët edhe promovimi i Antologjisë Ballkanike e edituar nga Shehu dhe botuar nga Inner Child Press LTD. International, në SHBA, si dhe promovimi i opusit letrar të poetit nga Shqipëria, Xhevahir Spahiu.

Shehu zbuloi se poeti amerikan Andreë Singer, bartës i projektit Traffika Europa me seli në Paris, do ta bëj dokumentimin e festivalit dhe Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec e fut në rrjetin e Festivaleve dhe ngjarjeve kulturore të Evropës. Aktivitetet e Festivalit do të transmetohen live në Traffika Europa Radio si dhe në Radio Aktiv në Rahovec.

Festivali po përkrahet nga Ministria e kulturës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe donatorëve zemërgjerë nga Rahoveci, të cilët e kuptojnë rëndësinë e festivalit dhe diplomacisë publike në interes të ngritjes së imazhit të Kosovës në botë./ KultPlus.com

Arti i të mbijetuarve të Holokaustit shfaqet në një ish-kamp nazist

Punime artistike të të mbijetuarve të Holokaustit do të shfaqen në ish-kampin nazist të Sachsenhausen.

Ato pasqyrojnë jetën e Holokaustit në kampet e përqëndrimit.

Ekspozita do të përfshijë 140 piktura, printime dhe vizatime të krijuara nga ish-të burgosurit e kampeve të përqendrimit në Sachsenhausen dhe Oranienburg pranë Berlinit.

Artistët janë nga Holanda, Austria, Republika Çeke dhe Polonia.

‘’Disa nga veprat u krijuan brenda kampeve, ndërsa të tjerë u krijuan pas luftës. Ekspozita do të përfshijë informacion rreth artistëve përmes animacioneve kompjuterike’’, theksoi organizatori Axel Drecoll.

Ai shtoi se ekspozita është një “simbiozë unike e persekutimit nazist, arteve të bukura dhe biografive të artistëve”./ata

Prodhohet monedha nga floriri më e madhja në botë

Australia fabrikoi një monedhë floriri të ndërthurur me diamante të rralla ngjyrë rozë që kap vlerën e 2,48 milionë dollarëve australianë (1,5 milionë euro) për t’iu përgjigjur “babëzisë” gjithnjë në rritje të super të pasurve për koleksionin e sendeve të luksit.

Ky thesar, ku pasqyrohet ndër të tjera një anije e vjetër me vela duke lundruar mbi valë, një kërkues floriri, disa kangurë dhe një baobab australian do të shitet për çmimin më të lartë të ofruar.

Kjo është monedha më vlerën më të madhe të realizuar ndonjëherë në Australi, që do të përfundojë në duart e një blerësi nga Azia ose Lindja e Mesme./ KultPlus.com

Kontributi arbëresh për pavarësinë dhe bashkimin e Italisë

Faqe nga historia dhe jeta e diasporës shqiptare

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Pjesëmarrja aktive e diasporës shqiptare dhe kontributi i saj në lëvizjet nacionale, që u zhvilluan në Europë në shekullin e XIX, përbën një fenomen historik me rendësi të veçantë, që e bën popullin shqiptar të krenohet. Kjo u demonstrua, së pari, në Revolucionin grek të vitit 1821 e më pas në luftën për pavarësinë e Rumanisë, por akoma më fuqishëm në epopenë për çlirimin dhe bashkimin e Italisë. Arbëreshët shkruan me gjak një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së lavdishme të Risorxhimentos italiane. Të mërguar nga Shqipëria, pas epopesë skënderbejane të shek. XV, ata gjetën strehë në Italinë mike, duke u shpërndarë në vijë të drejtë prej 1000 km nga Abrucio në Sicili. Atdheu i Dantes dhe i Galileut, i Mikelanxhelos dhe i Garibaldit, u bë atdheu i tyre i dytë.

Prania e veprimtaria e arbëreshëve në jetën dhe historinë e Italisë mesjetare janë të njohura, veçanërisht në Republikën e Venedikut dhe Mbretërinë e bashkuar të Napolit. Por roli i tyre në hapësirat italike mori përmasa kombëtare dhe hyri me nder në historinë moderne me ngjarjet madhore të shek. XIX. Do të ishin idetë e shenjta të lirisë, të Çlirimit nga robëria dhe tirania, ato që zgjuan ndërgjegjen qytetare arbëreshe dhe i bënë të ngrihen në këmbë e të hidhen në luftë krah vëllezërve italianë, duke manifestuar virtytet e tyre të njohura, shpirtin liridashës, trimërinë dhe krenarinë, besnikërinë dhe dinjitetin njerëzor.

Aktivizimi i arbëreshëve në Risorxhimenton italiane, nis nga fillimet e saj, në fundin e shek. XVIII, zhvillohet me lëvizjen karbunare, merr zjarr me idetë republikane të Maxinit, shpërthen me kryengritjet e viteve 1844-1848, për t’u kurorëzuar në luftën çlirimtare Garibaldine të vitit 1860, që çoi në pavarësinë dhe bashkimin e Italisë. Ata u bënë pjesë e ngjarjeve të rëndësishme politike dhe qëndruan në radhët e para të betejave të përgjakshme, hynë nëpër komitetet e fshehta dhe mbushën radhët e çetave, u burgosën e u persekutuan, u pushkatuan dhe u varën me thirrjen “Rroftë liria, rroftë Italia”.

Le të kujtojmë se, qysh në prag të Rigorxhimentos, ata u përfshinë në luftën kundër tiranisë Burbone, duke kontribuar në shpalljen e Republikës së Napolit në vitin 1799. Në qeverinë e saj, jo rastësisht do të zgjidheshin dhe arbëreshët Paskuale Bafa dhe Xhuzepe Albanezi. Kjo ngjarje, siç pohojnë historianët, hodhi farën e luftës për bashkimin e Italisë dhe, pavarësisht se dështoi, ngjalli shpresën për një atdhe të lirë nga robëria e tirania. Në këtë betejë të parë derdhi gjakun e dha jetën edhe eruditi dhe intelektuali i shquar arbëresh Paskuale Bafa.

Duhet të presim vitet 40 të shekullit XIX që lëvizja e Rigorxhimentos të kalojë nga aksionet politike në aksionet luftarake. Në 1844 ndodhi zbarkimi heroik i vëllezërve Bindiera në brigjet e Kalabrisë, ku do të përfshiheshin dhe 18 luftëtarë arbëreshë. Ishte ky një akt frymëzues, që pati jehonë në mbarë Italinë dhe përgatiti popullin për betejat e reja që e prisnin.

Dhe këto beteja erdhën me revolucionin e vitit 1848, kur Napoli, Palermoja dhe Kozenca u kthyen në sheshe lufte kundër tiranisë Burbone dhe tronditën Italinë e copëzuar. Revolucioni do të zhvillohej në Sicili dhe Kalabri, treva këto ku gjendeshin ngulimet arbëreshe. Ai do të niste në Sicili, ku arbëreshët, siç dëshmojnë dokumentet, do të ishin nga të parët që mbështetën dhe luftuan në radhët e tij. Të gjithë katundet arbëreshe u hodhën në kryengritje, duke filluar nga intelektualët e tyre, si filologu DH.Kamarda e poeti G.Dara (I riu) e deri te fshatarët e thjeshtë të Pianës, Palac Adrianos, Mexojuzës etj. Por vendin e nderit do ta zinte Piana degli Albanese, një ngulim arbëresh, afër Palermos, me tradita patriotike dhe kulturore. Aty do të ngrihej menjëherë një komitet revolucionar dhe do të dilnin rreth 600 vullnetarë, të cilët shkuan në Palermo dhe u bashkuan me kryengritësit në luftë kundër tiranisë monarkiste. Figura arbëreshe në këto ngjarje do të bëhej revolucionari i vjetër arbëresh i lëvizjes karbunare dhe pasues i devotshëm i Maxinit, Xhorxhio Piadeskalci, kapiten i Gardës kombëtare. Por një rol të rëndësishëm do të luante dhe arbëreshi tjetër Francesko Krispi, që më vonë u bë figurë protagoniste në lëvizjen garibaldine. Një vatër e nxehtë e revolucionit të vitit 1848 do të bëhej diaspora arbëreshe e Kalabrisë, e cila u rendit në radhët e para të luftës kundër latifondistëve dhe për shpalljen e Republikës. U formua në Kozencë Komiteti i shpëtimit publik në përbërje të të cilit ishte dhe filozofi dhe poeti arbëresh Domeniko Mauro. Ndërkaq, u organizua një repart arbëresh prej 500 vullnetarësh nën komandën e Xhovani Paçes, për të vijuar me kontingjente të tjera luftëtarësh nga katundet arbëreshe të komanduara nga Domeniko Damisi. Kështu, nën udhëheqjen e Mauros, Poçes dhe Damasit, arbëreshët morën pjesë në beteja deri në shpalljen e Kushtetutës. Më në fund, pas shumë luftimesh e sakrificash, u krijua Parlamenti i mbretërisë Kushtetuese të Napolit, ku u zgjodhën deputetë dhe arbëreshët Guljelmo Toçi, Domeniko Mauro, Domeniko Damisi, Muço Paço etj. Por kjo pranverë ëndrrash dhe shpresash liridashëse qe e shkurtër. Ajo nuk vonoi dhe u shtyp mizorisht me gjak. Reaksioni Burbon dhe feudal u hakmorën egërsisht ndaj kryengritësve me ekzekutime, gjyqe, persekutime, ku padyshim e pësuan dhe luftëtarët arbëreshë. Poeti arbëresh Vincenco Stratiko do t’i ngrinte një himn heroizmit të bashkatdhetarëve të tij në odën epike “shqiptare”.

Megjithëse triumfuan reaksioni dhe revanshizmi, lufta për kauzën e lirisë nuk u shua. Ajo do të vazhdonte në akte të tjera revolucionare përmes komiteteve të fshehta, përbetimeve, çetave nëpër male, aksioneve luftarake, ku do të bënin pjesë dhe arbëreshët. Në analet e kësaj rezistence, mbeti i paharruar atentati i të riut arbëresh Axhisilao Milano, i cili, në dhjetor të vitit 1856, gjatë kalimit në revistë të rojës së nderit të mbretit Ferdinand II në Kampo di Marte, do të godiste me bajonetë mbi të. Por, megjithëse nuk ia arriti qëllimit, pasi mbreti mbrohej nga një parzmore, akti i Milanos bëri jehonë të madhe dhe hyri në histori. Këtë gjest të guximshëm ai e pagoi me jetë, sepse pas shumë torturash, kur e çuan para trekëmbëshit, atentatori trim do të thërriste “Rroftë liria e popujve! Rroftë Italia!”

Në vitin 1859 nisi lufta e dytë për çlirimin dhe bashkimin e Italisë. Kësaj here doli në skenën e historisë Xhuzepe Garibaldi, udhëheqësi legjendar i luftërave për liri të popujve të robëruar. Ai erdhi në Itali pas një përvoje të pasur luftarake dhe u vu në shërbim të shtetit të Piemontit për të përgatitur fushatën kundër pushtuesve austriakë. Garibaldi, i kthyer tanimë në një figurë simbol, do të ngjallte shpresat e italianëve për çlirim e bashkim dhe qindra patriotë do të viheshin nën urdhrat e tij. Kështu heroi legjendë përgatitej për luftën e madhe që e priste. Sipas strategjisë së tij, kjo do të ishte një luftë globale, që do të përfshinte gjithë Italinë e copëzuar. Për këtë, ai filloi të përgatitet duke ideuar një fushatë ushtarake, që do të niste me zbarkimin e një ekspedite në brigjet e Sicilisë. Në projektimin dhe realizimin e kësaj ndërmarrjeje të madhe historike do të luanin një rol të rëndësishëm revolucionari italian Roselino Pilo dhe ai arbëresh Françesko Krispi. Bile do të qenë këta, që do t’i propozonin udhëheqësit zbarkimin në Sicili, duke punuar për përgatitjen e terrenit të luftës së ardhshme. Kësisoj, pas përgatitjeve të fshehta e të menduara mirë, më 4 prill 1860 shpërtheu në Palermo kryengritja mbarë popullore e organizuar dhe udhëhequr nga Rozelino Pilo dhe Françesko Krispi. Edhe kësaj here Piana arbëreshe, u bë një nga bazat e kryengritjes, duke çuar në vijën e parë të luftës 400 burra. Në Piana bile do të vinte vetë Rozelino Pilo, i shoqëruar nga arbëreshi Antonio Guxeta dhe do t’u njoftonte pianezëve besnikë se së shpejti do të zbarkonte në brigjet e Sicilisë ekspedita e Garibaldit. Në këto kushte, pa humbur kohë, u krijua Komiteti i fshehtë i Pianës me në krye Françesko Petën dhe një repart luftëtarësh në komandën e Pietro Piedelskalci u nis drejt Palermos dhe u bë pjesë e kryengritjes. Ata luftuan në betejën e Monrealit, ku ranë heroikisht krah njëri-tjetrit duke thirrur “Rroftë Italia” italiani Rozelino Pilo dhe arbëreshi Pietro Piedeskalci. Në kronikën e kohës është regjistruar dhe një fakt tjetër kuptimplotë: vajza arbëreshe nga Piana, Xhovana Peta, do të shkonte në Palermo me flamurin italian fshehur në gji dhe do ta pas fitores së kryengritjes në qiellin e lirë të kryeqendrës së Siçilisë.

Por, ndërsa lufta vazhdonte, ekspedita nën drejtimin e Garibaldit, e përbërë prej 1000 vullnetarësh, që hyri në histori me togfjalëshin “Të njëmijtët”, u nis nga Xhenova, me dy anije në drejtim të Sicilisë. Në të bënin pjesë dhe 10 arbëreshë, ku dallohen emrat e Françesko Krispit me të shoqen, Domeniko Mauro e Domeniko Damisi. Mbas disa ditësh udhëtimi, ekspedita zbarkoi në Marsala dhe nisi rrugën luftarake për çlirimin e Sicilisë, duke kaluar nga një betejë e përgjakshme në tjetrën e duke i shtuar radhët e saj me vullnetarë që vraponin nga të gjitha anët. Brenda një kohe të shkurtër ata arritën në 4000 vetë.

Piana arbëreshe, e ngritur në këmbë, do të priste krahëhapur më 24 maj vetë Xhuzepe Garibaldi, që arriti me luftëtarët e tij, me udhërrëfyesin arbëresh Nino Petën. Këtu ai bujti në shtëpinë arbëreshe dhe përgatiti planin për çlirimin përfundimtar të Palermos. Kjo do të ishte beteja më e madhe e Garibaldit, që vazhdoi tri ditë dhe që Frederik Engelsi do ta përshëndeste e do ta cilësonte “ndërmarrjen më të mahnitshme të shekullit tonë.”

Fitorja historike e kryengritjes së Palermos do të kurorëzohej me formimin e qeverisë revolucionare të Sicilisë nga Garibaldi, ku u përfshi si ministër i brendshëm dhe Françesko Krispi. Më vonë, në kujtimet e tij, Garibaldi do të shkruante: “E vlerësova Krispin si sicilian të ndershëm dhe me aftësi të mëdha, i cili më ndihmoi jashtë mase…”

Pas çlirimit të Sicilisë, Garibaldi i udhëhoqi luftëtarët e tij drejt kontinentit Apenin përkundër pengesave të principatave italiane dhe Europës konservatore dhe armiqësisë të pushtuesve austriakë. Ai ishte i vendosur dhe i vetëdijshëm se detyrën historike që kish marrë përsipër do ta quante të kryer vetëm pasi të çlironte dhe bashkonte gjithë Italinë. Kështu, do të vazhdonte rrugën e luftës, nga një betejë në tjetrën, duke u hedhur nga Mesina në Vila San Xhovani drejt Kalabrisë. “Bashkimi i Italisë,-do të shkruante ato ditë Françesko Krispi,- është aspirata hyjnore e 26 milionë italianëve.”

Në Kalabri, Garibaldi dhe trimat e tij u pritën me hare dhe shpresa të mëdha nga populli i shtypur dhe i nëpërkëmbur nga robëria dhe tirania shekullore. Katundet arbëreshe do të ishin të parat që do të rendin t’i vinin në ndihmë forcave çlirimtare “Të njëmijtëve”. Ato ngritën menjëherë regjimentin e tyre nën komandën e udhëheqësit të sprovuar Xhuzepe Paçe. Entuziazmi i arbëreshëve ishte i jashtëzakonshëm: kish ardhur shpëtimtari i tyre, Skënderbeu i ri; me këtë emër do ta pagëzonin Xhuzepe Garibaldin, siç do ta quanin dhe Ante dhe Patriark i lirisë. Poeti Luixhi Skutari do t’i këndonte Garibaldit me vargjet: “Të duam më shumë se sytë/ Do të vijmë me ty edhe në ferr të luftojmë, qoftë dhe me djallin.” Ka mbetur e regjistruar në analet e asaj kohe pritja madhështore që i bënë gratë arbëreshe të katundit Spixana Albanese, duke kënduar këngë për heroin në gjuhën shqipe. Por akoma më i rëndësishëm është fakti i pjesëmarrjes vullnetare të arbëreshëve në radhët e ushtrisë së Garibaldit. Vetëm në tre ditë u bashkuan me të 1300 luftëtarë. Në kujtimet e tij Garibaldi shënon se në luftën për çlirimin e Napolit morën pjesë dhe gra arbëreshe, nga të cilat do të dallonte vajza 18-vjeçare Paskualina Toskareli, i ati i së cilës kish rënë dëshmor në revolucionin e vitit 1848.

Gjatë hyrjes triumfale të Garibaldit në Napoli, ai do të kishte në krah dhe komandantët trima arbëreshë Xhovani Paçen, Vinçenco Stratigoi e të tjerë, ku u prit me brohoritje dhe marshe revolucionare nga populli. Festonte Napoli, po festonin dhe arbëreshët duke kënduar e thirrur: “Rroftë Garibaldi. Rroftë Italia e lirë.” Në atë ditë historike Garibaldi do të formonte qeverinë revolucionare, ku, si gjithmonë, do të përfshinte dhe arbëreshët Françesko Krispi, Paskuale Skura dhe Luixhi Gura, për meritat e në kauzën e madhe të lirisë së Italisë.

Pas çlirimit të Napolit, Garibaldi, në krye të luftëtarëve të tij, vijon marshimin mbi Romë duke sfiduar hapur pengesat dhe kundërshtimet e forcave konservatore e separatiste. Në betejën e madhe të Volturnos, ku qenë të pranishëm, në pozicione kundërshtare si Garibaldi dhe mbreti Françesko i Napolit, do të luftonin në radhët e para edhe arbëreshët nën komandën e Xhovani Paçes. Pas betejës, siç del nga kujtimet e tij, Garibaldi do t’i thoshte Paçes: “Këta arbëreshët e tu janë luanë.” E jo vetëm kaq, por në këto ditë të zjarrta, i prekur thellë nga ç’po ndodhte me trimat e tij, do të bënte deklaratën e famshme: “Arbëreshët janë heronj. Ata janë dalluar në të gjitha betejat kundër tiranisë.” Një vlerësim të lartë do të bënte dhe për Kolegjin arbëresh të Shën Adrianit, që nxori nga gjiri i tij disa nga figurat e dalluara të revolucionit italian, duke dhënë 12.000 dukate për zgjerimin dhe meremetimin e kolegjit si shpërblim “për shërbimet e shquara që arbëreshët trima e zemërmëdhenj i kanë dhënë çështjes sonë kombëtare.” Po kaq kuptimplotë ishte dhe pensioni që i lidhi familjes së Axhesilao Milanos për aktin e tij heroik.

Siç dihet, me betejën e Kasertos më 2 tetor 1860 mori fund fushata e lavdishme e Garibaldit, që hodhi themelet e pavarësisë dhe bashkimit të Italisë. S’ka dyshim se bilanci i kontributit arbëresh në këtë ngjarje të madhe historike për fatin e Italisë është i padiskutueshëm dhe i admirueshëm. Këta pasardhës të Skënderbeut jo vetëm nderuan emrin e tij dhe të atdheut të origjinës, por treguan me prova dashurinë dhe besnikërinë e tyre proverbiale ndaj popullit dhe tokës mikpritëse. “Gjatë Risorgimentos,-shkruan historian Cezaro Lambrozo,-arbëreshët e Italisë dhanë luftëtarë trima, derdhën gjak, bënë sakrifica të panumërta, manifestuan virtyte të larta, u treguan qytetarë të denjë të atdheut të tyre të dytë.”

Disa vjet më vonë, më 1866, Garibaldi do të shprehte mirënjohjen e admirimin e tij të thellë ndaj gjithë asaj çka bënë arbëreshët për kauzën e Italisë së lirë e të bashkuar në një letër drejtuar Dora d’Istrias: “Çështja e shqiptarëve është çështja ime. Sigurisht që unë do të isha i lumtur që të përdorja gjithçka që më mbetet nga jeta ime në favor të këtij populli trim.”

Rilindja shqiptare do të shihte te Rigorxhimentoja italiane një shembull frymëzues për çlirim kombëtar të Shqipërisë së robëruar. Liderët e saj do të shpreheshin me fjalët më të mira për epopenë garibaldine. Poetët do të thurnin vargje entuziaste, siç do t’i përcillte dhe pasqyronte me entuziazëm ngjarjet dhe në faqet e tij. Falë kontributit arbëresh gjatë Rigorxhimentos miqësia shqiptare-italiane do të vlerësoheshin dhe faqe të reja mirëkuptimi dhe vëllazërimi. Në shtetin e ri italian, ku arbëreshët do të nderoheshin duke u zgjedhur deputetë dhe në poste të larta, deri edhe kryeministër, siç qe rasti i Françesko Krispit, lëvizja jonë kombëtare do të gjente mbështetje në luftën e saj për çlirim, që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë në 1912./ KultPlus.com

DailyMail: Tirana në mesin e 10 vendeve që mund të vizitohen me pak para

Po mendoni një vend për të vizituar, por jeni lodhur nga vendet ku shkoni zakonisht? Ndoshta është koha të mendosh jashtë “kornize”.

Kështu nis artikulli i Daily Mail, i cili rendit 10 vende që ia vlejnë të vizitohen, por ku më kryesorja është kursimi nga udhëtimi që nuk do ju zhgënjejë.

Shikoni listën tonë për udhëtimet me buxhet më të mirë, mund të mos jenë në listën tuaj të vendeve që shumica e njerëzve preferon, por ia vlen që t’i eksploroni, shkruan DailyMail. Më tej prestigjiozja britanike vë në dukje për lexuesit e saj se ata do të habiten nga sa do të kursejnë duke udhëtuar në këto destinacione.

Mes 10 vendeve në listën e DailyMail është edhe Tirana.

“Një tjetër destinacion ndoshta më pak i mundshëm për fundjavën, kryeqyteti i Shqipërisë i përshtatet atyre me një dell aventure. Duke vizituar muzetë historike dhe duke ecur përgjatë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” me ndërtesat e epokës komuniste, rekomandohet një udhëtim në Bunk’Art. Ky është një art bashkëkohor dhe muze i historisë moderne i vendosur në një ish-bunker të Luftës së Ftohtë. Në sheshin Skënderbeu në qendër do të gjeni edhe shtëpinë e operas”, shkruan DailyMail për Tiranën.

Veç Tiranës aty janë edhe Dole në Francë, Kosice në Sllovaki, Aarhus në Danimarkë, Varshava në Poloni, Rovaniem në Holandë, Lviv në Ukrainë, Bari në Itali, Bourgas në Bullgari dhe Izmiri në Turqi./ KultPlus.com

Lamtumirë vendet e mija

Poezi nga Gjergj Fishta.

Lamtumire vëndet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë
Gjëmon Deti ushton duhija
Lkundet varka vale mbi vale.

Kah njaj Diell që asht tuj flakrue
Andej fill un tash do t’veta
Lamtumir atdhe i bekue
Lamtumirë për sa të jetë jeta!

Neser Nadja kur mbi ne,
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e di sa Ujë e Dhe,
Mue prej teje ka me me më nda?

Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
Ska me më fol kush ma mue t’shkeretit

Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera Dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…

Vëndin tëm ma skam me pa…

Ka me prit pra motër zeza
Me i pru nanës në shpi ndonjë re,
Po, kushedi, i vllau atëhera,
Ku asht kah kalbet për nan dhe…

Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e shqiptarisë,
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!

Lamtumire ju mriza e stane!
Lamtumire ju “shkurre e mreta”!
Lamtumire ju o armt e t’parve
Lamtumire për sa t’jetë jeta.

“Na kanë bërë të besojmë se martesa është domosdoshmëri…”

John Lennon

“Na kanë bërë të besojmë se dashuria, ajo e vërteta gjendet vetëm një herë në jetë dhe në përgjithësi para moshës 30 vjeç, nuk na kanë thënë që dashuria nuk ka kohë e nuk mbërrin në një moment preciz.

Na kanë bërë të besojmë se secili prej nesh është gjysma e një portokalli e se jeta ka kuptim vetëm kur arrijmë të gjejmë gjysmën tjetër. Nuk na kanë thënë se kemi lindur Të Plotë e që asnjë në jetën tonë nuk meriton të mbajë mbi supe përgjegjësinë për të kompletuar atë që na mungon: rritemi me veten. Nëse jemi në shoqëri të mirë është thjesht më e këndshme.

Na kanë bërë të besojmë në një formulë të quajtur “dy në një”, dy njerëz që mendojnë njësoj, që veprojnë njësoj e që vetëm kjo mund të funksiononte. Nuk na kanë thënë se vetëm duke qenë individ me personalitetin tënd, të lejon të kesh një marrëdhënie të shëndetshme.

Na kanë bërë të besojmë se martesa është domosdoshmëri e se dëshirat jashtë saj duhen shtypur. Që ekziston një formulë e vetme për lumturinë, e njëjta për të gjithë ata që dalin jashtë kësaj janë të dënuar të margjinalizohen.

Nuk na kanë thënë se këto formula nuk funksionojnë dhe e tjetërsojnë njeriun. Nuk na kanë thënë se askush nuk do na i tregonte të gjitha këto. Secili nga ne do ti zbulojë vetë. Dhe kështu kur të duash vetveten, do jesh po aq i lumtur e do mund të duash dikë tjetër”./ KultPlus.com

“Katër i Radës” erdhi si përkujtim tragjedie dhe përpjekje muzikore për të çliruar universin njerëzor (FOTO)

Gili Hoxhaj

Tragjedia tronditëse në ujërat e Adriatikut, e ndodhur para më shumë se dy dekadash, erdhi mbrëmë si një kambanë dhimbjeje e përkujtimi në Teatrin “Oda”. Kjo operë pranë publikut të Prishtinës, solli një imazh që as sot botës nuk i është shqitur nga sytë. Familje që lundrojnë për një “strehë” të sigurt, e përfundojnë duke mos u gjetur kurrë, ose duke mos dalë nga atje të gjallë. Një anije e stërmbushur me shqiptarë, në mars të vitit 1997, fundoset në brigjet italiane, ku u godit nga një anije italiane, duke lënë klithmat e përpjekjeve për të shpëtuar.

Si homazh i viktimave të Otrantos, në një kontekst të ngjashëm në brigjet italiane, mbrëmë në Prishtinë erdhi opera “Katër i Radës. Il naufragio” (Fundosja e anijes). Një vepër e porositur nga Bienalja e Venecias, realizuar nga Qendra e Prodhimit Teatror Koreja, Itali, me muzikë të Admir Shkurtajt, me libret nga Alessandro Leogrande, autor i romanit-reportazh me të njëjtin titull, e me regji të Salvatore Tramcere.

Pas udhëtimit nëpër shumë vende evropiane, mbrëmë erdhi për të parën herë në kryeqytetin e Kosovës.

Salla në Teatrin “Oda” ishte mbushur në të dy anët. Posa publiku zë vend në ulëse, dritat zbehen ngadalë. Në njërën anë është e ulur orkestra që ecën nën drejtimin e Admir Shkurtaj, që sjellë një eksperiencë të re për publikun, kur bashkohet me zërat e sopranove e aktorëve. Derisa salla nis të errësohet, ndriçimi bie vetëm mbi partiturat e instrumentistëve, kur duart e dirigjentit ngritën për të parën herë, dritat fillojnë të zbresin. Zhurma që nis e vjen nga ana tjetër përballë orkestrës, bën që publiku ta kthejë shpejtë shikimin atje, në kërkim të zërave e hapave që vijnë. Dritat e zbehta u zbulojnë vetëm pak fytyrën e personazheve. Muzika vjen e përcillet me zërat e tyre, duke plotësuar njëra-tjetrën, e duke u takuar me dramaticitetin që ngjarja shtjellon në vete. Në mesin e atyre që qëndrojnë mbi anijen që po fundoset, dominojnë gratë, me duart e mbushura plot, disa prej të cilave kokën e kanë të mbështjellur me shami. Foshnjat që i shtrëngojnë pas vetes, ndonjëherë u rrëshqasin nga duart, rrobat të cilat i mbajnë mbi supe i kanë të mbështjellura me peshqir e çarçafë.

Ata janë gjithnjë e më pranë rrezikut që u kanoset, ecin në orientimin të papërcaktuar, të zhytur në frikë, ankth dhe errësirë ata shkelin në çdo skutë të anijes dhe jashtë saj, herë si në përhumbje fillojnë të qeshin e këndojnë. Mes kësaj loje atyre u bashkohen kori polifonik tradicional shqiptar, duke sjellë një gërshetim të veçantë të muzikës bashkëkohore me atë tradicionale, duke e bërë tragjedinë edhe më të pranishme, e duke e veshur skenën me zymtësinë e saj.

Kur anija fillon të zbrazet, nënat vendosin fëmijët në anije, e i shtrëngojnë lehtë për herë të fundit, derisa i përcjellin zërat e korit polifonik tradicional shqiptar me këngën “Dallgë deti”. Kur kori largohen nga rrethi i krijuar, në duar mbajnë nga një lule, të cilat i vendosin pranë trupave të foshnjave, të cilët janë të vetmit që i mbanë anija që për një natë, duke u lëkundur ecin me klithma në kërkim të shpëtimit, të përzierë më zëra grash, burrash e të fëmijëve.

Afër perdes së bardhë, ku gjendeshin ata që përcaktonin minutat e fundit të anijes së mbushur me familjet shqiptare, fillojnë e ngrihen rroba me po këtë ngjyrë, përveç një xhakete ngjyrë të kuqe që fillon e pikon ujin në dysheme derisa ngrihet lart, dhe e merr gjithë dritën e sallës. Pas kësaj, të pranishmit do të ngrihen në këmbë, për duartrokitje të gjata, duke i bërë artistët të kthehen nga të dy anët për t’u përkulur nën falënderim.

Dirigjenti i orkestrës Admir Shkurtaj tha se ndihet shumë i gëzuar që mbrëmë erdhi në Kosovë, për t’u prezantuar me një nga punët e tij më të rëndësishme. Ai tha se tragjedia nuk mund të risjellët por ndërtimi muzikor mund t’i shpërfaq emocionet e forta të saj.

“E veçanta e kësaj opere është se mbledhim gjithnjë reagimet e njëjta të publikut dhe gjithmonë me emocione të njëjta. Kjo do të thotë se kur gjuha takon ato telat e brendshëm, atje ndihemi të gjithë të barabartë dhe kjo është dëshmi e kësaj pune. Historia e përhershme është shumë e thjeshtë, ndërtimi muzikor dhe skenik i historisë është diçka më e komplikuar, tragjedia është tragjedi dhe s’mund ta barazosh dhe ta risjellësh atë. Pra është një histori e vërtetë dhe një histori muzikore që krijohet paralelisht asaj të vërtetës”, u shpreh Shkurtaj për KultPlus.

Regjisori Salvatore Tramcare tha se prezantimi i kësaj shfaqje në Prishtinë është shumë i rëndësishëm për të, pasi që vijnë nga një vend i afërt siç është Apulia dhe i kanë ndjekur histori të ngjashme. Për KultPlus, ai u shpreh se përmes artit duhet shpërfaqur kujtesën tonë si thirrje për humanizëm.

“E rëndësishmja është t’i kujtojmë këto histori sepse ato mund të kthehen. Mendoj që arti duhet të reflektojë këtë kujtesë, qoftë përmes muzikës, poezisë, këngëve. Duhet të jemi human, pavarësisht politikës”, shprehet Tracmare për KultPlus.

Pas suksesit dhe çmimeve që ka fituar gjatë dy viteve, që nga dita e premierës, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës, opera u shfaq premierë për Shqipërinë, në skenën e Teatrit “Migjeni”, në Shkodër. Pas premierës së mbrëmshme në Prishtinë, më pas do të udhëtojë për në Tiranë, në skenën e re të Amfiteatrit në kodrat e Liqenit./ KultPlus.com

Edukimi me frikë ka rezultat rebelimin

Shkruan Shpat Komoni.

Shoqëri me kultura të ndryshme, të gjithë dëshirojnë fëmijë me ardhmëri të mirë. Çdo prind dëshiron që fëmija e tij të jetë i dobishëm për familjen, shoqërinë dhe vendin. Vlerat i përkufizojnë njerëzit andaj ka llojllojshmëri vlerash në vende të ndryshme të botës. Fëmijët gjatë edukimit, dallojnë sipas vendit dhe kulturës.

Shoqëria shqiptare edukatën, besimin e krijon në bazë të frikës/ndëshkimit, andaj kur bëhen imun ndaj frikës, ata rebelohen, shpërfillin ligjin dhe natyrën.

Kemi hasur shpesh duke dëgjuar prindërit teksa i thonë fëmijëve të tyre “mos e le kafshatën e fundit të bukës se të han qeni”. Kjo formë e presionit, e bazuar në frikën ka rezultate fatale në ndërtimin e karakterit të njeriut.

Në bazë të frikës kemi dëgjuar prindër që edukojnë fëmijët e tyre duke iu thënë që “ rri urtë në lokal sepse të vjen arusha”, ose “rri urtë se axha vjen të rreh”, etj. Kështu ndërtojmë urrejtjen edhe ndaj kafshëve dhe njerëzve të tjerë.

Në shkollë notat pesa i marrin nga frika ndaj prindërve, jo nga nevoja për dituri. Por mos të harrojmë se Albert Einstein thotë që “Edukata është ajo që mbetet pasi harrohet ç’është mësuar në shkollë.”

Frikën e kemi të theksuar edhe në religjion, ku njerëzit rriten me frikën ndaj Zotit, Luciferit, Dreqit, shpirtrave etj. Pa vullnetin e lirë të mendjes, fuqisë së dashurisë dhe fakteve.

Në esen për edukimin, Faik Konica thotë që: “Edukimi është shkencë, shkenca e parimeve më të përgjithshme për zhvillimin e plotë të mendimit njerëzor.” Konica vazhdon duke thënë që: “Qartësia apo paqartësia, saktësia apo pasaktësia e ideve dhe e mendimeve, qëndrimi ndaj veprimeve të jetës varën shpesh nga metoda e mirë apo e keqe e të menduarit, ose thjesht, nga mungesa e çdo lloj metode. Edukimi, me një fjalë, s’është gjë tjetër veçse si t’i mësohet fëmijës të veprojë në jetë vetëm pasi të mendojë, të mendojë vetëm pasi të arsyetojë dhe të arsyetojë vetëm , metodikisht dhe nëpërmjet një metode të mirë, domethënë shkencore.”

Në rastet kur rrisim një frikacak, kemi rritur një rebel. Nën frikën e kafshëve për të ngrënë ushqim, ne nuk i duam kafshët kur rritemi dhe i vrasim. Nën frikën e ndëshkimit, kemi si rezultat grupet terroriste islamike. Nën frikën e humbjes, rezultat kemi mos-arritjet.

Gjërat që ne mendojmë që duhet bërë të tjerët, në këtë rast fëmijët, nuk duhet edukuar përmes frikës, por ka shumë forma të cilat mund t’i aplikojmë.

Nëse dëshironi që fëmija juaj të jetë i suksesshëm, mbajeni afër gjersa arrini sukseset tuaja.
Nëse dëshironi që fëmija juaj të pëlqejë kafshët, përkëdheli ato dhe mbajeni fëmijën afër tyre.
Nëse dëshironi që fëmija juaj të lexojë, lexoni vet dhe mbajeni fëmijën afër.
Nëse dëshironi që fëmija juaj të respektoj të tjerët, respektoni ju dhe mbajeni fëmijën afër.
Nëse dëshironi që fëmijët t’i edukoni, ju jeni shembull i tyre sepse fëmijët imitojnë.
/ KultPlus.com

Rreth 750 milionë njerëz në botë nuk dinë shkrim-lexim

Edhe pse numri i personave që shkruajnë e lexojnë është rritur ndjeshëm në 50 vitet e fundit, në mbarë botën ndodhen ende 750 milionë njerëz, dy të tretat e të cilëve janë gra, që ende nuk dinë të shkruajnë e lexojnë.

Sipas të dhënave të Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), gjatë 50 viteve të fundit shkalla e shkrim-leximit në mbarë botën është rritur ndjeshëm, sidomos në popullatën me moshë të re. Megjithatë, UNESCO ka tërhequr vëmendjen se 750 milionë njerëz në botë ende nuk e kanë këtë formim.

Teksa vihet theksi se gratë përbëjnë dy të tretat e personave që nuk dinë shkrim-lexim, bëhet e ditur se 45 përqind e personave që nuk dinë shkrim-lexim jetojnë në Azinë Jugore, 27 përqind në Afrikën Sub-Sahariane, 10 përqind në Azinë Lindore dhe Juglindore, 9 përqind në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore dhe 4 përqind në Amerikën Latine dhe Karaibe, shkruan Anadolu Agency (AA).

Rritje në normat e shkrim-leximit

Sipas Institutit Statistikor të UNESCO-s, rritja më e madhe në normat e shkrim-leximit në vitet e fundit është arritur në Azinë Lindore dhe Jugore dhe Afrikën Veriore dhe Perëndimore, ku shkrim-leximi është shumë prapa.

Në Azinë Jugore, shkalla e shkrim-leximit për periudhën 1990-2016 u rrit nga 46 për qind në 72 për qind, ndërsa në Afrikën e Veriut dhe Azinë Perëndimore u rrit nga 64 për qind në 81 përqind.

Kjo normë është rritur nga 82 përqind në 96 përqind në Azinë Lindore dhe Juglindore dhe nga 52 përqind në 65 përqind në Afrikën Sub-Sahariane. Ndërkohë shkalla e shkrim-leximit u rrit nga 85 për qind në 94 për qind edhe në Amerikën Latine.

Në disa vende niveli i shkrim-leximit nuk është në nivelin e dëshiruar

Me rritjen e mundësive arsimore sot më shumë të rinj janë në gjendje të lexojnë dhe të shkruajnë.

Instituti Statistikor i UNESCO-s ka theksuar se shkalla e shkrim-leximit në mesin e të rinjve është rritur nga 83 për qind në 91 për qind dhe se numri i të rinjve analfabetë, i cili ishte 170 milionë në vitin 1996, është ulur në 102 milionë në vitin 2016.

Sipas UNESCO-s, 50 vjet më parë, teksa një e katërta e të rinjve 15-24 vjeç nuk dinin shkrim e lexim, theksohet se sot kjo shifër është më pak se 10 përqind e kësaj grupmoshe. Përkundër kësaj, shkalla e shkrim-leximit në mesin e të rinjve në disa vende, veçanërisht në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore, ende nuk është në nivelin e dëshiruar.

Pothuajse të gjithë të rriturit në Azinë Qendrore dhe Lindore, në Evropë dhe Amerikën e Veriut dinë të shkrujnë dhe lexojnë. Krahas këtyre rajoneve, shkrim-leximi i të rinjve në Amerikën Latine dhe në Karaibe është gjithashtu i avancuar.

Në disa vende afrikane, shkalla e leximit në popullsinë e moshës së re është më pak se 50 për qind. Ky problem zakonisht është për shkak të mungesës së shkollimit dhe disa problemeve arsimore. Pavarsisht se në vende të tilla si Malavi dhe Zambia, e drejta për arsim është siguruar për të gjithë, niveli i shkrim leximit ende vazhdon të jetë në nivele të ulëta. Besohet se kjo situatë është shkaktuar nga problemet në lidhje me cilësinë e arsimit dhe marrëdhënien e vendosur me arsimin.

Numri i femrave që lexojnë dhe shkruajnë është më i pakët

Vlen të përmendet se numri i shkrim-leximit te femrave në botë është më i ulët se ai i meshkujve. Sipas të dhënave të viteve të fundit, gratë e reja përbëjnë 59 për qind të njerëzve që nuk dinë shkrim-lexim.

Teksa është i pakët dallimi i shkrim-leximit mes meshkujve dhe femrave në Azinë Qendrore dhe Lindore, Europë, Amerikën e Veriut, Amerikën Latine dhe Karaibet theksohet në Afrikën e Veriut, Azinë Perëndimore dhe Jugore si dhe Afrikën Subsahariane, dallimi në normat e shkrim-leximit midis gjinive është më i madh.

Megjithëse në gjysmën e fundit të shekullit të kaluar ka pasur një progres të konsiderueshëm në botë, numri i shkrim-leximit të femrave nga 5 vende në njërin prej tyre është ende nën numrin e shkrim-leximit të meshkujve. Kjo konsiderohet si një problem i rëndësishëm që duhet të kapërcehet si në aspektin e mundësisë së barazisë ashtu edhe nga ajo e problemeve me të cilat përballen gratë në botën e sotme.

Dita Botërore e shkrim leximit

UNESCO në vitin 1967 vendosi që 8 shtatori të festohet si Dita Botërore e shkrim leximit. Në Ditën Botërore të shkrim leximit, që festohet çdo vit më 8 shtator, organizohen aktivitete të ndryshme për të theksuar rëndësinë e shkrim-leximit të individëve dhe shoqërive dhe për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet që lidhen me këtë temë.

Në vitin 2018, përveç tërheqjes së vëmendjes ndaj mungesës së punësimit të fokusuar në aftësi, pavarësisht nga përparimi i arritur në shkrim-lexim, Dita Botërore e shkrim leximit do të festohet në temën e “shkrim leximi dhe zhvillimi i talenteve”, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës dhe të punës veçanërisht për të rinjtë./ KultPlus.com

Janaq dhe Milton Manaqi, pionierët e parë të filmit në trevat e Ballkanit

Arti nuk njeh kufij territoresh e shtetesh, ai u shërben të gjithë popujve. Aq më tepër kjo vlen për vendet ballkanike ku ka një përzierje kombësish, besimesh dhe kulturash që i japin njëra tjetrës dhe nuk mund t’i ndash dot. E tillë është edhe historia e dy vëllezërve Manaqi, fotograf dhe kineastë, që vepruan në një territor mes tre shteteve, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë.

Sa shqiptar janë Manaqët!?…
Është folur që Manaqët janë me origjinë shqiptare, por nuk ka dalë ndonjë dokument që të provojë origjinën e tyre. E vetmja gjë që i afron ata pranë kësaj hipoteze, është gjuha shqipe, dialekti jugor, që e flisnin bukur dhe rrjedhshëm jo vetëm dy vëllezërit, por edhe të gjithë pjesëtarët e familjes së tyre. Pavarësisht se flisnin shqip, kjo nuk do të thotë se ata ishin shqiptarë, pasi popullsitë e kombeve të ndryshme që jetojnë në të njëjtin territor flasin gjuhën e njëri-tjetrit. Por ata që janë marrë me studimin e veprimtarisë së fotografëve të shquar, japin edhe dëshmi të tjera: si ajo që të gjithë dokumentarët e realizuara nga Manaqët në Maqedoni me kamerën 300, kanë për protagonistë njerëz të veshur më kostume as greke dhe as maqedonase, por vetëm shqiptare ose dëshmia e intelektualit të njohur shqiptar, Irfan Tërshana, i cili në një intervistë të dhënë për Televizionin Publik Shqiptar, ka thënë se ka takuar vëllezërit Manaqi në Manastir në vitin 1935, pasi donte të dinte se a ishin ata që i kishin fotografuar të atin në Kongresin e Dibrës. Tërshana dëshmon se Milto Manaqi, jo vetëm që ia siguroi këtë fotografi, por i kishte shtuar: “Unë jam shqiptar dhe nuk mund të marrë para për patriotët”. Vazhdon edhe sot e kësaj dite të kombëtarizohet përkatësia e tyre midis tre vendeve, Greqisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Edhe dy studiuesit tanë, megjithëse kanë prova dhe bindjen që Manaqët janë shqiptarë, tregohen të rezervuar për të dhënë një definicion. Ata ia kanë lënë kohës, kolegëve të vendeve fqinje, me besimin se një ditë do të dalë e vërteta e origjinës së mjeshtërve të mëdhenj fotografë me përmasa ballkanike. Studimet më të fundit për origjinën dhe identitetin e tyre peshon në anën shqiptare, gjë që të dy vëllezërit e kanë pohuar më se një herë.

Kush janë Manaqët
Vëllezërit Janaqi e Milton (Miltiadh) Manaqi u lindën: i pari në vitin 1878 dhe, i dyti, më 9 shtator të vitit 1882, në fshatin e vogël Avdela, që ndodhet midis trekëndëshit të përbërë nga qytetet e Konicës, Grebenesë, e Meçovës, rreth 15 km në jug të Samarinës. Historia e tyre drejt kinemasë nis fillimisht me pasionin ndaj fotografisë. Miltiadh (Milto) Manaqi futet në gjimnazin e Janinës dhe më pas do të punojë në laboratorin fotografik, që i kishte hapur vëllai Janaq në Janinë, në vitin 1897. Shpirti i tij poetik do të bënte atë një nga fotografët më të njohur të kohës. Kur, një përfaqësues i njohur i asaj kohe i shoqërisë angleze “Çarls Urban Company” u duk në Shqipëri, që në vitin 1903, ai do të ndalonte në studion e vëllezërve Manaqi, që do të bëheshin udhërrëfyesit e tij në rrethinat e Manastirit. Shoqërimi i këtij kineasti të huaj do të ndikonte shumë në të ardhmen e vëllezërve Manaqi, pasi prej këtij kineasti ata do të mësonin përdorimin e kamerës.

Në maj të vitit 1905, vëllezërit Manaqi zhvendosin laboratorin e tyre nga Janina në Manastir. Në fund të vitit 1904, Manaqët blen nga një shoqëri angleze një kamerë kinematografike, “Bioskop kamera nr. 300”, të cilën Miltua filloi ta përdorte në fillim të vitit 1905 dhe me të cilën më pas xhiroi edhe kronikën e parë kinematografike duke i bërë kështu vëllezërit Manaqi si kineastët e parë në Ballkan.

Filmi i parë i vëllezërve Manaqi, që quhet “Tjerrëset” është prodhuar në vitin 1906. Ai ka në qendër gratë e fshatit të tyre të lindjes, sidomos gjyshen dhe të ëmën, të cilat janë të veshura me kostume popullore shqiptare. Dhjetëra dokumentare të bëra në Maqedoni, të cilat nxjerrin në pah kostumet e filmuara nga “Kamera 300”, nuk janë maqedonase, por shqiptare, gjë e cila nuk është pohuar deri më sot.

Atje zhvilluan një veprimtari të gjerë në fushën e kinematografisë dhe të kulturës në përgjithësi. Më vonë vëllezërit Milto dhe Janaq Manaqi u morën me veprimtari pedagogjike dhe studime, duke u bërë kështu nga intelektualët më të njohur të kohës. Janaq Manaqi edhe pas edhe pas internimit për veprimtari patriotike në Bullgari (1916-1917), vazhdoi sërish profesionin fotografit në Plovdiv të Bullgarisë. Në vitin 1906 Milto Manaqi mori pjesë në konkursin ndërkombëtar të fotografisë artistike, që u zhvillua në Bukuresht, Rumani dhe u nderua me Medaljen e Artë për fotografinë “Gruaja nga Klisura me foshnjën”.

Avdela, dashuria dhe dobësia e Manaqëve
Vendlindja e Manaqëve është Adela, një fshat ndërmjet Kolonjës, Grebenesë e Meçovës, treva këto që populloheshin kryesisht nga shqiptarë, të cilët jetonin në harmoni të plotë me grekët dhe arumunët, por që u la jashtë territorit shqiptar pas vendosjes së kufijve në vitin 1913. Sot ky fshat është i boshatisur, ku njerëzit kthehen vetëm në muajt e verës. Pranë një çezme janë statujat në bronz të vëllezërve Manaqi. Në lagjen ku janë lindur, një tabelë tregon pronat e tyre të paprekura, ca livadhe në rrëzë të pyllit. Sipas asaj që duket, baza e jetës në këto anë prej shekujsh ka qenë blegtoria. Peizazhet përreth janë me një bukuri tronditëse. Pyjet shekullore, kope të mëdha që shtegtojnë për kullota. Mjafton të shohim fotot e rralla e të vjetra të Manaqëve për ta përfytyruar deri në detaje jetën e kësaj zone. Edhe filmi i parë i vëllezërve Manaqi, që quhet “Tjerrëset”, i prodhuar në vitin 1906, ka në qendër gratë e fshatit të tyre të lindjes. Në këtë prodhim ata kanë filmuar gjyshen e tyre të vjetër dhe të ëmën, të cilat janë të veshura me kostume popullore shqiptare.

Mes shqiptarëve, për shqiptarët
Në dokumentarin e realizuar bukur dhe profesionalisht të Petrit Rukës, ajo që bie në sy është se vëllezërit Manaqi, pavarësisht trevave të gjera dhe mikpritëse ballkanike, kanë preferuar dhe janë ndjerë mirë në ato vende që janë banuar me shqiptarë. Janaqi shkollohet dhe merr zanat, mësues vizatimi dhe hap studion fotografike në Janinë. Janina ishte një qytet ku ishin bashkuar tërë racat e Ballkanit, grekë, shqiptarë, arumunë, çifutë, evgjitë në një harmoni absolute. Janina kishte qenë qendër e vilajeti dhe çerdhe e madhe e dijes, por edhe me një ndikim etno-kulturor shqiptar. Shtrohet pyetja! Përse Manaqët nuk u vendosën në qytete të mëdha si Selaniku ose Athina?…Sepse ata kanë zgjedhur qytetet ku dominojnë shqiptarët, ku nisën dhe bitisën jetën dhe punën e tyre. Ata kishin miqësi me figura të shquara shqiptare si me shkrimtarët Haki Stërmilli dhe Migjenin, si dhe shoqëri të ngushtë me shqiptarët Kosta Çomo, Mihal dhe Athanas Pema, Mihal Zega etj. Veç kinemasë së tyre të çelur në Manastir me emrin Kino “Manaqi”, ata çelën edhe kinema të tjera si në Ohër, Veleshtë, Prilep etj.


Kronikanë të ngjarjeve historike më në zë të kohës

Vëllezërve Manaqi u takoi të vepronin në një periudhë historike me ngjarje të mëdha. E kishin filluar duke xhiruar shembjen e një perandorie, siç ishte perandoria osmane. Kishin filmuar rilindjen e Shqipërisë “tek bënte shkronjat e saja të gjuhës së lashtë pellazgjike dhe Kongresin e Dibrës një vit më vonë, 1909. Këto dëshmojnë se vëllezërit Manaqi kanë qenë njerëz të brendshëm e të besuar dhe të interesuar për fiksimin e këtyre ngjarjeve të figurave historike. Në 1911 filmojnë sulltanin turk, Mehmet Rashidi V në Manastir. Ishin të zakonshme për ta kronikat nga luftërat dhe dasmat, nga paradat dhe tubimet. Ruhen filmime të tyre në arkivat filmike të Rumanisë e Bullgarisë, vende ku udhëtuan deri në fund të Luftës së Parë Botërore.

Me kamerën “…300” u fiksuan shumë ngjarje që u zhvilluan në këto troje në fillim të shekullit të 20-të, si dhe ato që kanë të bëjnë me historinë e popullit tonë. Një dokument i rëndësishëm filmik dhe me vlera të jashtëzakonshme për historinë e popullit tonë, është padyshim xhirimi në fillim nga vëllezërit Manaqi i Kongresit të Manastirit, që zhvilloi punimet nga 14-22 nëntor 1908, i cili hodhi bazat e një alfabeti unik shqiptar. Në këtë kronik kinematografike, të filmuar nga vëllezërit Manaqi, jepen figurat më madhore të kulturës shqiptare të asaj kohe, patriotët dhe revolucionarët demokratë që shkrinë jetën e tyre për mëmëdhenë. Filmi përfshin parakalimin festiv të patriotëve shqiptarë me rastin e kongresit, i cili mbetet një nga kongreset tona historike. Shumë fotografi që vazhdojnë të ruhen në arkivat tona si të Gjergj Fishtës, Mihail Gramenos, Bajram (Bajo) Topullit, Ndre Mjedës etj, mbajnë firmën e vëllezërve Manaqi. Një pasqyrim i plotë dhe me detaje i vëllezërve Manaqi është edhe Kongresit të Dibrës më 1909. Milto Manaqi gjatë mbajtjes së Kuvendit të Dibrës punonte në Dibër. Me aparatin dhe kamerën e tij Milto Manaqi fiksoi Akademinë Ushtarake të Manastirit, djegien nga andartët grekë të fshatrave shqiptarë, midis tyre edhe fshatin tij, Avdelën. Në arkiva kanë mbetur pamje nga Korça, Erseka, Leskoviku, Këlcyra, Negovani, Konica, Mecova, Pogradeci etj.

Një vend nderi më i gjerë dhe më i mirë se deri sot
Një vit para vdekjes së Milto Manaqit, arkivi i tyre u mor prej shtetit dhe u arkivua në Kinotekën Maqedone, ku ruhen mbi 17 mijë negativë dhe qindra mijë metër film. Në fondin vëllezërve Manaqi, të shpërndara dhe të grumbulluara në muzeume të ndryshme në Maqedoni janë edhe qindra fotografi të identifikuara, por edhe ende të paidentifikuara që presin studime të mëtejshme. Meqenëse veprimtaria e tyre shtrihet në tre shtete, për njohjen më të mirë të vlerave të fotografive të vëllezërve Manaqi, duhet një bashkëpunim shkencor e artistik ndërshtetëror. Bashkëqytetarët e tyre ballkanas, të bien në një mendje, të “harmonizojnë apo rregullojnë hapin” dhe të botojnë një album serioz e të plotë të veprës së tyre. Festivali i filmit “Manaqi”, i organizuar nga institucionet e larta të kulturës maqedonase, është një aktivitet i mirë, por, fatkeqësisht i kufizuar, pa një marrëveshje ndërinstitucionale me shtetet fqinj ku kanë vepruar vëllezërit Manaqi. Për këtë, më e udhës do të ishte krijimi i një komisioni të përzier me specialistë nga vendet që “i mbulon” krijimtaria e tyre.

Me veprimtarinë e tyre, në fushën e fotografisë, vëllezërve Manaqi, ju përket një vend nderi edhe më i gjerë, edhe më i mirë se deri sot.

Mirënjohje dy studiuesve tanë me emër, Abaz Hoxha dhe Petrit Ruka
Kanë shkruar edhe shumë të tjerë, por ata që i janë futur me themel dhe tepër seriozisht ndriçimit të jetës dhe veprës së vëllezërve Manaqi, pionierëve të parë të filmit në Ballkan, janë, studiuesi dhe kritiku i filmit shqiptar, Abaz Hoxha dhe skenaristi i mirënjohur, Petrit Ruka. I pari që s’ka lënë vend ku ata kanë vepruar pa shkelur, dokument, film e foto pa kaluar nëpër duar, dhe, i dyti, me një dokumentar, që, edhe pse gjysmëorësh, të çon në një udhëtim të këndshëm historik dhe artistik, duke prezantuar gjithë veprimtarinë profesionale, por, mbi të gjitha, patriotike të dy vëllezërve në fjalë. Ndërsa Abazi i ka quajtur vëllezërit Manaqi “Lymierët e Ballkanit”, Petriti, i ka quajtur “Homerët e filmit ballkanik”, asnjë nga këto cilësime nuk e përjashton njëri-tjetrin, përkundrazi, ato të çojnë në një të përbashkët të pamohueshme, se ata qenë të parët që sollën në Ballkan filmin dokumentar dhe artistik dhe hapën të parët studio filmike dhe kinema, shkruan Gazeta Dita./ KultPlus.com

Fenomeni Kadare: Faktorët që ndihmuan në liberalizimin e kulturës dhe artit në vitet 1959-1973

Shkruan Llambi Blido

Bashkëpunimi dhe ndikimi reciprok mes letërsisë dhe artit të një vendi nuk është ndonjë dukuri e re dhe e panjohur. Emil Zola dhe impresionistët në Francë, Dante Aligheri dhe Gustav Dore sikurse dhe miqësia e ngushtë e Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit me Vangjush Mion e Kristaq Sotirin në Shqipëri. Përbën shembull ky shoqërim i letërsisë me pikturën dhe fotografinë artistike në atë periudhë të vështirë të historisë sonë.

Në fund të viteve ’50-të -fillim të viteve ’60-të e në vazhdim miqtë më të afërt të shkrimtarit Ismail Kadare ndofta nuk qenë kaq shkrimtarët, sa piktorët. Vilson Kilica, Danish Jukniu, Ksenofon Dilo siç duket, e admironin shkrimtarin dhe e ndjenin natyrshëm si një protagonist të rëndësishëm të modernitetit, pikërisht në atë drejtim për të cilin aspironin edhe ata si të rinj që ishin. Nga Kosova, Muslim Mulliqi sa zbriste në Tiranë, nuk i niste takimet e tij me Abdurrahim Buzën dhe Vilson Kilicën, por me vizitën në shtëpinë e shkrimtarit, ku ishte një mysafir i mirëpritur.

Krijimtaria novatore e Kadaresë qe vënë vetiu në qendër të vëmendjes së lexuesit të gjerë dhe posaçërisht të lexuesit intelektual. Ajo qe veçanërisht e pëlqyer dhe e dashur edhe për brezin e artistëve të porsakthyer nga shkollat e huaja të artit, të frymëzuar edhe ata nga ide të reja dhe progresive për mjedisin tonë. Përveç kësaj, në betejën e kuptueshme mes brezave që nuk mund të shmangej, atëherë, këta të rinj e kishin ndjerë Kadarenë në anën e tyre, një aleat të sigurt dhe tepër të rëndësishëm. Ndërsa ne, një brez artistësh që mbaruam studimet e larta pak më vonë dhe që përbënim sigurisht një prurje më vete, në të njëjtin drejtim emancipues e modernizues ishim që të gjithë ”kadareanë”.

Më 1967, përgatitej për ribotim romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” pas suksesit të tij të bujshëm. Në atë kohë duke ndjekur botimet tona të letërsisë kisha krijuar përshtypjen se praktika që ilustrimi vizual i takonte vetëm letërsisë për fëmijë qe një gabim, prandaj i propozova Kadaresë nëpërmjet Elenës, të cilën e kishim kolege në redaksinë tonë, që botimi i ri i romanit të tij të suksesshëm të shoqërohej me ilustrime nga një piktor me aftësinë e duhur. Për këtë kisha menduar si të përshtatshëm piktorin dhe mikun tim të asaj kohe, Naxhi Bakalli. Me Naxhiun e pata biseduar paraprakisht dhe pata marrë miratimin e tij. Bakalli zotëronte një vizatim të fuqishëm dhe ilustrimet që ai realizoi për veprën e Kadaresë qenë për mua një ngjarje e vërtetë në historinë e artit shqiptar të ilustrimeve. Për fat të keq në redaksinë e ilustrimeve të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” të asaj kohe, shkrimtari ndeshi për këto vizatime në një barrikadë të pakapërcyeshme. Pamundësia për të aprovuar edhe një realizim kaq cilësor dhe që nuk kishte asgjë të tepërt dhe të papranueshme nga ana artistike, më habiti, sidomos sepse nga të njëjtat institucione të artit tonë sapo qenë vlerësuar dhe konsideruar një sukses i grafikës shqiptare, ilustrimet shumë më tepër ekspresioniste të veprës së Migjenit, me tipare dukshëm më të ekzagjeruara nga pikëpamja e censurës.

Nuk na takon neve të arteve vizive të bëjmë analizën dhe vlerësimin e saktë të letërsisë së Kadaresë, por mund ndofta të themi se çfarë na tërhiqte si lexues te vepra e tij. Para së gjithash ndjenja e realizmit e dhënë nga një këndvështrim krejt i ri me figuracion të pasur dhe shpesh të papritur, përherë me elegancë – pa rënë kurrë në vulgaritet, banalitet. Letërsia e tij ishte për ne përherë interesante, si nga forma ashtu edhe nga shija në të gjithë elementët e saj. Për ne si lexues dhe njerëz të artit kjo ka gjithmonë rëndësi.

Ismail Kadareja, me sa e kam përjetuar unë atë periudhë, është ndodhur në çdo rast në krah të të rinjve të talentuar të letërsisë pa shfaqur asnjëherë nënvleftësim apo xhelozi. Ai përkrahu që në fillim Faik Ballancën në të gjitha përpjekjet e shkrimtarit të ri. Kadareja e vlerësoi atë për talentin dhe origjinalitetin dhe u ndodh në krah të tij edhe kur tipare të caktuara të krijimtarisë jetëshkurtër të Ballancës u bënë objekt diskutimesh.

Kadareja u shfaq gjithashtu që në fillim në përkrahje të Bilal Xhaferrit një talent tjetër i ri që i bëri përshtypje në shkrimet e para. Ndihma e shkrimtarit të njohur qe e përnjëhershme dhe konkrete, prandaj të gjithëve na ka çuditur kundërvënia e papritur dhe e pavend e Bilal Xhaferrit në diskutimin e njohur tashmë për lexuesin rreth romanit “Dasma”.

Dihej nga të gjithë si u shkruan këto vepra që ishin fryt i imponuar i një fushate vulgare të dërgimit të një numri shkrimtarësh e artistësh në qendra prodhimi në pika të ndryshme të Shqipërisë, me detyrën që të ktheheshin që andej me nga një vepër letrare, muzikore apo të arteve vizive, ku të pasqyrohej jeta dhe puna e atij kantieri ndërtimi a prodhimi. Dhe ishte e qartë që vepra të këtilla, të bëra me urdhër e me fushatë, nuk kishin se si të hynin në krijimet më të mira të asnjë autori sado i aftë e më përvojë të qe ai. Është fakt që disa nga këta autorë nuk arritën të bëjnë asgjë.

Kadareja ka qenë me ne brezin e artistëve të rinj të gjysmës së dytë të viteve’60-të edhe kur mes miqve të tij artistë shfaqej ndonjë shenjë tendencioziteti klanor, dukuri kjo kaq tipike në Shqipërinë tonë. Kështu i mbaj mend unë raportet e letërsisë më të përparuar të kohës dhe artit në përpjekjet që bënte ai për zhvillime të mëtejshme dhe emancipim modern./ KulPlus.com

Kala Festival, nisin përgatitjet për edicionin e dytë në Dhërmi

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi shprehet se starton për të dytin vit në Shqipëri, Kala Festival.

“Pas një viti parë të suksesshëm në Shqipëri, Kala Festival është gati për një edicion të dytë shqiptar”, shprehet Klosi.

Eventi do të zhvillohet në Dhërmi nga data 12 deri në 19 qershor.

“Duke vlerësuar maksimalisht plazhet, ushqimin dhe mikpritjen, organizatorët e Kala Festival kanë filluar përgatitjet për një javë argëtim dhe muzikë nga data 12 deri në 19 qershor 2019 në Dhërmi”, shprehet ministri./ KultPlus.com

Të bëhem ti

Poezi nga Medina Pasoma.

Më lejo të fli në buzëqeshjet e tua
Të këndoj me qerpikun e syrit tënd
Të hyp natën në katet e mendimeve tua
Dhe t’a ndriçoj qytetin me dritën e fytyrës sate
T’a shoh veç njëherë veten me vështrimin tënd
Mjegullën e kësaj jete t’a largoj me shiun tënd
Etjen e ekzistencës t’a ndez me praninë tënde
T’i godas malet me ngrysjen e vetullave tua
T’a njoh jetën përmes detit të dhimbjes tënde
Me harmoninë e veshit tënd t’i dëgjoj meloditë e botës
T’i mbush fletët me mallëngjimet e tua
T’a qetësoj shpirtin me valët e prehjes tënde
Të bërtas me uraganin e brendisë sate
Dhe t’më lagen sytë me vetminë e netëve tua
Nga e qeshura jote t’më gjallërohet jeta
Le t’a kërkoj aromën çdokund, si i sëmuri shërimin
E kur të kërkoj shtegtim, arratisje t’më jenë krahët e tu
T’i prek shpendët me duart e tua dhe me prekje t’i fal fluturim
Portat e botës le t’më hapen me trokitjet e tua
Dhe rrugët t’më ndërtohen me hapin tënd
Të jem vrasëse e ndarjeve me fundet e tua
Dhe me fillimet e tua të bëhem sinonim përjetësie
Le të shkrihet uni im nga zjarri i dëshirës sime
Dëshira për të qenë ti, le t’na bëjë një.

Expressen.se: Të kalosh pushime të mrekullueshme në bregdetin shqiptar

Durrësi, zona bregdetare më e madhe në Shqipëri është duke u rritur paralelisht me Tiranën dhe këtu gati çdo centimetër i plazhit kilometrik është i mbushur me çadra shumëngjyrëshe.

Dy shezlone bashkë me një çadër kushtojnë vetëm 22 krona suedeze (2 euro) bashkë me të ngrohtin, detin pak të thellë dhe të bukur. Këtu përballesh më shumë me kulturën shqiptare të të pushuarit se sa me natyrën e vendit.

Turma miqësore, familje të mëdha, shitës ambulantë dhe kështu me radhë, shkruan gazeta suedeze “expressen.se” në një reportazh që ia dedikon pjesës turistike të Shqipërisë.

Në qendër të qytetit gjenden disa lagja të vjetra të rinovuara shumë këndshëm si dhe një amfiteatër i madh romak i ndërtuar për lojërat me gladiatorë, ndërsa në anë të detit pranë qendrës ka shumë klube të modës, restorante të mirë dhe plazhe të vogla ose hapësira luksoze për t’u larë me çmime të ulëta.

Vazhduam rrugën drejt jugut përgjatë bregdetit pas disa ditësh pushimesh me ndalesa për të notuar. Përveç Vlorës dhe Sarandës, të gjitha zonat e tjera bregdetare janë ende të vogla dhe të këndshme si dhe është shumë e lehtë të gjesh dhoma çift në hotele luksoze për 300-450 krona suedeze (28-45 euro).

Shqipëria është një vend malor dhe i gjelbër dhe shpeshherë malet bien mbi det, që i bën disa zona bregdetare të ashpra ku mund të shijosh një pamje të jashtëzakonshme.

Në jug të malit të Llogorasë fillon ajo që quhet Riviera Shqiptare. Dhërmiu që është zona bregdetare më e madhe e fshatit me të njëjtin emër dhe që ndodhet edhe në hartat turistike suedeze, bashkë me të gjitha zonat e tjera bregdetare në veri të Sarandës ofrojnë akomodim të mirë dhe gatim të shkëlqyer.

Saranda është vizituar nga turistët e huaj shumë herët dhe vazhdon të ketë një rritje të numrit të tyre. Ujërat e këndshme në jug të qytetit tani janë të mbushura me turistë. Megjithatë, kushdo ka qenë më parë mund të dallojë se cilësia e ujit është përmirësuar bashkë me turistët, pasi 15 vite më parë viheshin re më shumë mbeturina nëpër plazhet e Shqipërisë.

Përveç plazheve të Sarandës dhe Durrësit, që ndodhen në hartat turistike suedeze, gjendet edhe një zonë tjetër shumë e gjerë në bregun shqiptar, që ia vlen të vizitohet. Këto plazhe fillojnë në qytetin modern dhe në zhvillim të Vlorës, si dhe më pas vazhdojnë disa kilometra në jug përgjatë një gjiri të bukur ku mund të zgjedhësh mes hoteleve të vogla që kanë plazhin e tyre ose plazheve të mëdha që ofrojnë një variacion më të lartë akomodimi dhe restorantesh.

Këto plazhe përfundojnë përreth qytetit të vogël të Orikumit në jug të Vlorës, ku atmosfera në bregdet është më e qetë dhe hotelet së bashku me restorantet shërbejnë produkte deti shumë të shijshme me çmime të lira që prej 30 vitesh nuk i gjendeshin në Mesdhe.

Sigurisht, shumica e shqiptarëve janë të varfër, por risitë, restaurimet dhe godinat e reja po shtohen gjithnjë e më shumë. Vendi i duhur për të kaluar pushime të mrekullueshme me çmime të ulëta, por nxitoni sepse Shqipëria po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një destinacion bregdetar po aq popullor sa Kroacia./ KultPlus.com

Galeria e mbyllur ku ruhen tre shekuj traditë

Mysafirët e pjesëmarrësit e konferencave shkencore të Institutit Albanologjik të Prishtinës shpesh në ambientet e këtij institucioni ftohen që të shohin diçka të prekshme sa i përket trashëgimisë kulturore të Kosovës e përtej saj.

Sidomos etnologët nuk kalojnë andejpari pa hyrë në sallën ku janë të ekspozuara eksponate të tekstilit e të drurit, shkruan sot Koha Ditore.

Ekspozita që ka nisur të plotësohet qysh nga rithemelimi i Institutit më 1967 qëndron e mbyllur për publikun.

Mirëmbajtja është muhabet më vete. Por ajo është goxha e pasur me ato që prezantohen pavarësisht se i ka mbuluar pluhuri, u mungojnë legjendat e edhe sistemimi i mirëfilltë. Por krejt këtyre do të duhej t’u printe një konservim e restaurim, gjë që nuk është bërë as në Muzeun Etnologjik të Kosovës./ KultPlus.com

Babait s’ka kush t’i flasë

Poezi e shkruar nga Ndriçim Ademaj.

Eja, të bëjmë një copë udhë
nga rrudha ime e parë
tek rrudha jote e fundit…

Mjaft ke pritur trenat
që nuk kaluan kurrë nga shtëpia e vjetër
ngritur mbi fotografitë tua të fëmijërisë,
para shtëpisë nuk ka më as binarë
njerëzit tanë i kanë vjedhur, i kanë shitur për hekur…

Është fillimi i muajit
dhe nuk më bëhet vonë për nesër,
në të s’ëmës borxhet që na e zinin frymën
në fund të secilit muaj…

Ti nuk shkove në luftë
e unë mendoja se i frigoheshe vdekjes,
shumë nga ata nuk u kthyen më kurrë,
disa nuk e zunë më kurrë luftën në gojë,
të tjerët na e gërditën luftën,

më mirë që nuk shkove, plaku im,
ti ishe një fëmijë i vrarë në trupin e një burri
që mbështolli me krahët e tij gjithë fjalët e botës…

Kjo ështe një letër për ty
që s’po i shihet fundi, si lisave të prerë në mjegull
klithmë e pafundme
si gjithçka që kam nisur në jetë
dhe s’e kam çuar deri në fund,
edhe unë do të doja të isha doktor, më beso
por ja që jam i sëmurë
dhe ti këtë nuk do ta dish kurrë…

Nuk mbaj mend përqafimin tënd të parë,
vrapin tonë të parë,
as herën e parë kur t’i kam lagur farmerkat
shuplakën e parë, jo se jo
krejt çka më kujtohet janë sytë e tu fëmijërorë
që fshiheshin mbas vetullave të trasha
të një burri,
sytë e mbushur që iknin skutave të dhomës,
shikime që kacavirren për murin e shtrembër të shtëpisë
si fotografi të varura keq…

Eja, plaku im,
të bëjmë një copë udhë
nga vaji im i parë
tek dënesa jote e fundit…

Ty po të lënë sytë
dhe unë nuk të dukem më si njeri
që nuk bën për asgjë,
gjithë fjalët e rënda, nxjerrë pa dashur
ti m’i ke blerë shtrenjtë
me monedhat e fundit
të rrogës tënde të vogël…

Edhe po të takohemi një mijë herë
në korridoret e kësaj bote të rreme
ti kurrë s’do të jesh fëmijë në sytë e tu
e unë kurrë s’do të jem burrë në sytë e mi…

Eja i dashuri im,
të bëjmë një copë udhë
nga rrudha ime e parë tek rrudha jote e fundit,

nëna do të jetë duke na pritur
me kokën mbështetur në kolltukun e vjetër
dhe ne të dy do të zihemi prapë
nëse gjella ka sa duhet kripë,
fytas do të shkojmë
në këto pak ditë që na kanë mbetur
pse kaq pak dallojmë nga njëri-tjetri…

Disa arsye përse nuk iki nga Shqipëria

Shkruan: Mentor Kikia

Kam lexuar këto ditë opinione të njerëzve të ndryshëm, lidhur me arsyet për të ikur e për të mos ikur nga Shqipëria.

Unë nuk kam në plan të iki, për disa arsye:

E para, s’kam ku të shkoj dhe nuk ma mban t’ia nis nga larja e pjatave tani!

E dyta, po ku gjen vend tjetër si ky në Botë: Këtu, të gjithë jemi gazetarë. Të gjithë kemi nga një portal. Të gjithë jemi analistë. Të gjithë jemi specialistë ndërtimi.

Të gjithë jemi historianë.

Të gjithë politikanë. Të gjithë merremi me llafe. Të gjithë japim mend. Të gjithë shajmë njëri-tjetrin. Të gjithë ankohemi, e të gjithë brohorasim. Të gjithë bërtasim e askush nuk proteston.

Këtu, njëri punon e 3 komentojnë punën e atij që punon. Këtu të bëjnë hero pa bërë asnjë heroizëm, dhe të bëjnë palaço pa i bërë keq askujt.

Këtu duan të punojnë të gjithë në shtet sepse ka 145 ditë pushim në vit. Vetëm këtu mund ta kesh rrogën 400 Euro në muaj, e mund të shpenzosh 500 Ero në muaj.

Vetëm këtu dëgjon dikë të thotë se jam keq, jam pa punë, dhe flet me telefon 1000 Euro, dhe nget makinë 20 mijë Euro.

Vetëm këtu hipin në autobus në derën ku shkruhet “Dalje”, e zbresim aty ku shkruhet “Hyrje”.

Vetëm këtu protestohet për çmimin e lartë të tarifës së rrugës, dhe pas protestës, çmimi bëhët edhe më i lartë.

Vetëm këtu qytetet ndërtohen në invers: Në fillim bëhen pallatet, pastaj shemben muret për të hapur rrugët, pastaj asfaltohen, dhe në fund hapen kanalizimet.

Vetëm këtu bën më parë pallatin dhe pastaj merr lejen e ndërtimit.

Vetëm këtu merr leje për park lojrash dhe bën fabrikë.

Vetëm këtu e bëjmë shtëpinë pranë pusit të naftës dhe pastaj bërtasin: Largojeni pusin.

Vetëm këtu ndërtojmë shtëpitë në shtratin e lumit dhe kur përmbytemi, bërtasim: Ku është qeveria.

Vetëm këtu ankohen se s’kanë lekë për bukë, e në kafene zihen se kush do të paguajë.

Vetëm këtu halli më i madh pasi je operuar është se sa lekë do ti japësh doktorrit, pasi mund ti duken pak.

Vetëm këtu fshatari hedh në kanal prodhimet se s’ka ku ti shesë dhe qeveria e ndihmon të prodhojë edhe më shumë.

E çdo të bëj në një vend tjetër ku ka rregull, qetësi, korrektesë, pak kafene e shumë zyra, pak lloqe e shumë punë. Ky vend është kryeqyteti europian i gallatave.

Madje për këtë, mendoj se duhet duket promovuar një brand turistik.

“Mirësevini në kryeqytetin e gallatave”!

“Të shkruash është njësoj si të bësh dashuri. Në fillim e bën për ndjenjën…”

Disa thënie të shkruara nga autorja e njohur Virginia Woolf dhe të përkthyera nga Rudina Dahri.

“Për pjesën më të madhe të historisë, ‘anonim’ ka qenë gjithnjë një grua”.

“Nuk mund të gjesh paqe, duke shmangur jetën”.

“Përse vallë gratë janë kaq … të interesuara për burrat, sesa vetë burrat janë të interesuara për gratë”

“Mbyllini bibliotekat, nëse doni, por nuk ka derë, as çelës, as shul, që mund të bllokojë lirinë e mendjes”

“Të shkruash është njësoj si të bësh dashuri. Në fillim e bën për ndjenjën, më pas e bën për mikun dhe në fund e bën për para”

“Si grua që jam, nuk kam atdhe. Si grua, nuk dëshiroj të kem atdhe. Si grua, atdheu im është gjithë bota”

“Sytë e të tjerëve janë burgu ynë; mendimet e tyre janë kafazi ynë”

“Librat janë pasqyra e shpirtit”

“Asgjë më e trashë se tehu i thikës nuk e ndan më mirë lumturinë nga melankolia”.

“Kam humbur shumë miq, disa kanë vdekur … të tjerët i kam humbur nga paaftësia për të kapërcyer rrugën”.

“Të gjitha ekstremet e të ndjerit janë të lidhura me marrëzinë”

“U nisa të shkruaj për vdekjen, veçse jeta më mori me vete, si gjithnjë”.

“Të adhuroj, por kam neveri për martesën. Urrej vetëkënaqësinë e saj, sigurinë, kompromisin e saj dhe mendimin se ti do ndërhysh në punën time, duke më vënë gardhe; pra, cila është përgjigjia jote?”

“Të rritesh do të humbësh disa iluzione, me qëllim që të kërkosh të tjera”.

“Ta shohësh jetën në sy, gjithmonë, ta shohësh jetën në sy dhe të njohësh për atë që është … në fund, ta duash atë për atë që është dhe më pas ta lësh mënjanë”.

“Shpesh në ditët me shi, nis të numëroj; çfarë kam lexuar dhe çfarë jo”.

“Në të vërtetë nuk më pëlqen natyra njerëzore, nëse nuk sheqeroset me art”.

“Pikërisht në plogështinë tonë, në ëndrrat tona, e vërteta nganjëherë e gjen rrugën mbi sipërfaqe”.

“The Culture Trip” sugjeron 7 muzetë më të mirë që duhen vizituar në Shqipëri

Përkundër madhësisë së vogël që ka ky vend, Shqipëria, ka shumë për të ofruar për vizitorët, shkruan The Culture Trip. Nëse mendoni që ta vizitoni Shqipërinë mos e humbni mundësinë për të vizituar edhe muzetë që ka ky vend.

BunkArt është radhitur së pari dukë treguar se nuk duhet humbur këtë muze të ndërtuar brenda bunkerit të ndërtuar në kohën e Enver Hoxhës.

Pastaj është BunkArt2, i cili gjendet në qendër të Tiranës dhe është lehtë i qasshëm me këmbë dhe është më i vogël se BunkArt. BunkArt 2 ju dedikohet historive të viktimave të regjimit të komunizmit dhe e kthen vëmendjen të aktivitetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë komunizmit. Në hyrje, lexohen emrat e atyre që u dënuan nga regjimi.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, i cili gjendet ne Shkodër, qytetin më të rëndësishëm në veri të Shqipërisë, pret koleksionet më të mira të fotografisë në Shqipëri. Hapur në 2016, muzeu shfaq punën mbresëlënëse të familjes Marubi, duke filluar me Pietro Marubbi, një piktor italian dhe fotograf, i cili u arratis nga Italia për arsye politike në shekullin e XIX dhe emigroi në Shkodër, ku themeloi studimin e parë të fotove në vend. Koleksioni përfshin fotografinë e parë të realizuara në Shqipëri nga Marubi në 1858.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Qyteti i lashtë i Krujës dihet të jetë shtëpia e heroit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Gjatë shekullit të XV, Skënderbeu e bëri Krujë një bastion të rezistencës kundër përparimit të Perandorisë Osmane. Çdo gjë në Krujë lidhet me udhëheqësin kombëtar: statuja e madhe që ndodhet në hyrje të qytetit të vjetër, suveniret që shiten në tregun e lashtë e të bukur si dhe Muzeu Kombëtar i Skënderbeut.

Muzeu Historik Kombëtar. Nëse planifikoni të vizitoni Tiranën, ju nuk mund të humbisni muzeun më të madh në Shqipëri, Muzeun Historik Kombëtar. Ju mund ta gjeni atë lehtë, sepse është i vendosur në sheshin qendror të Skënderbeut dhe ka një mozaik me ngjyrë të mrekullueshme që paraqet fazat më të rëndësishme të historisë shqiptare. Muzeu tregon historinë e vendit nga paleolitik të sundimin komunist. Theksojmë këtu një ekspozitë të mrekullueshme të ikonave nga Onufri dhe kopja e shpatës së Skënderbeut që e përdori për të luftuar kundër osmanëve.

Muzeu Kombëtar i Arsimit. Korça konsiderohet nga shqiptarët si kryeqyteti kulturor i vendit për shkak të rëndësisë kulturore të saj. Qyteti është shtëpia e shkollës së parë në gjuhën shqipe, e cila zyrtarisht u hap më 7 mars 1887, nën Perandorinë Osmane. Muzeu Kombëtar i Arsimit ndodhet brenda ndërtesës që njihet si “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”./ KultPlus.com

Zbulohen tre varre me artefakte të shtrenjta në Kretë

Tre varre të lashta janë gjetur gjatë një ekspedite arkeologjike në Sitia të Kretës Verilindore.

Varret mendohet se i përkasin periudhës 2800-1700 para Krishtit. Në varrin e parë u gjet një armë e përdorur në Petras dhe një shpatë e shkurtër prej bronzi.

Ndërsa varri i dytë, sipas arkeologëve, mendohet se i përket një gruaje. Në të u gjetën një numër i madh rruazash ari të punuara me mjeshtëri shumë të lartë si dhe rruaza prej argjendi dhe kristali, të cilat mendohen se kanë qenë të qepura mbi një veshje.

Pak më tutje, është gjetur një varr i tretë që përbëhej nga pllaka të cilat krijonin një strukturë në formë kutie. Arkeologët kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një varr fëmijësh nën 10 vjeç dhe se aty u gjetën dy rrathë ari./ dita