Me përkrenaren e Skënderbeut në kokë, Dafina Zeqiri uron festen e flamurit (FOTO)

Secili mundohet që në mënyrë sa më kreative të urojë festën e flamurit, por janë artistët ata të cilët gjithmonë ja dalin më mirë, shkruan KultPlus.

Kësaj radhë këngëtarja Dafina Zeqiri ka uruar festën e flamurit me disa fotografi të veçanta.

Me përkrenaren e Skënderbeut në kokë, Dafina duket tejet bukur në këto fotografi artistike të realizuara nga fotografi Arton Humolli.

Kjo nuk është hera e parë që Dafina realizon foto kaq të bukura dhe shumë artistike për festen e flamurit.

Një set mjaft të bukur fotografik e pati realizuar edhe me fotografin e njohur Fadil Berisha para disa viteve. /KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/Bqu_lFgB54C/

Lediana Sula realizon një punim të veçantë, 36 mijë gozhdë për flamurin kombëtar

Lediana Sula, është 22 vjeçarja fierake e cila ka kryer këtë punim fantastik të flamurit tonë kombëtar duke bashkuar plot 36.000 gozhdë. Përmasat e këtij punimi janë 70x50cm dhe artistes i janë dashur plot 3 muaj për ta realizuar.

“Punimi më me dashuri që kam punuar ndonjëherë, pasi i dedikohet pikërisht flamurit më të bukur në botë”, thotë Lediana në faqen e saj në facebook. Pasi e kemi pyetur nëse ky punim është në shitje, artistja ka thënë, “pse jo”, kështuqë nëse jeni të interesuar, mund ta pyesni në faqen e saj në facebook për detaje. /KultPlus.com

“Streha mes reve” realizoi sot premierën botërore në Tallin Film Fest

Sapo ka përfunduar me sukses premiera botërore e filmit “Streha mes reve” e regjisorit Robert Budina, shkruan KultPlus.

Premiera botërore e këtij filmi është bërë në kuadër të festivalit “Tallinn Black Nights Film Festival”, ky filmi ëdhe është në konkurrim zyrtar në këtë edicion të 22-të të festivalit.

I përzgjedhur për seksionin zyrtar, filmi spikati për skenat e realizmit magjik të xhiruara në natyrën e mrekullueshme të Valbonës, lojën e jashtëzakonshme të aktorit protagonist Arben Bajraktari në rolin e Besnikut, skenarin origjinal dhe temën e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.

Në rolet kryesore interpretojnë aktorët si Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili dhe Virus Shala.

Filmi rrëfen, historinë e Besnikut një bariu, besimtar i devotshëm mysliman, i cili zbulon që xhamia e vjetër e fshatit të vogël ku ai jeton, në Veri të Shqipërisë mes Alpesh, ka qenë dikur kishë.

Ky zbulim hap debate të zjarrta në komunitetet e ndryshme fetare që jetojnë aty. Besniku është pjesë e një familjeje anëtarët e së cilës kanë besime të ndryshme dhe bashkëjetojnë në paqe me njëri tjetrin, deri ditën që Fadili babai ish komunist i familjes vdes, dhe atyre u duhet të ndajnë shtëpinë e vjetër në fshat mes tyre. Këtë vendim e bën të vështirë, amaneti që babai ish komunist ka lënë.

Në rininë e tij Besniku ra në dashuri me një vajzë nga një familje e persekutuar dhe Fadili duke qenë komunist i thekur nuk e lejoi të birin të realizonte ëndrrën e tij. Kjo i shkaktoi Besnikut një traumë që koha nuk e shëroi. Fadili e vuajti gjithë jetën kompleksin për traumën që i shkaktoi të birit, të cilën u përpoq ta shlyente me amanetin që la në fund të jetës. Amaneti i babait, do t’ia vështirësojë Besnikut përpjekjen për të mbajtur së bashku familjen dhe komunitetet me besime të ndryshme fetare në fshat, dhe do ta bëjë të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij./ KultPlus.com

Disenjatorja Erza Avdiu sjellë koleksionin e saj të parë “Double Trouble” (FOTO)

Jeta Zymberi

Qysh në fëmijëri secili ka ëndrrat e tij, disa prej tyre më kohë zbehen e gjithmonë një prej tyre vetëm sa vjen e theksohet më shumë, kështu duke të bërë ta kuptosh që ajo ëndërr një ditë do të bëhet ndoshta profesioni yt, shkruan KultPlus.

Kështu pak a shumë gjithçka nisi edhe për disenjatoren e re Erza Avdiu e cila qysh në moshën 10 vjeçare ka filluar të skicojë pa reshtur, gjithmonë me ëndrrën që një ditë të ketë linjën e saj të rrobave.

“Si e vogël kam prerë dhe qepur rrobat e mia deri arrija të krijoja atë që doja. Çdo gjë që di e kam mësuar dhe praktikuar e vetme, kam qenë dhe vazhdoj të jem person qe mëson vetëm, prandaj nuk kam vijuar asnjëherë ndonjë kurs në këtë lëmi”, ka treguar Erza për KultPlus,e cila tashmë vijon shkollimin në shkollën e mesme “Don Bosko” në vitin e fundit dhe pretendimet e saj janë që të vazhdojë studimet në Universitetin e Modës në Milano.

Por kohëve të fundit numri i dizajnerëve në vendin tonë është rritur dukshëm, andaj edhe depërtimi është më i vështirë, por Erza nuk e sheh të tillë, për të është diçka sfiduese dhe e bukur.

“Të mundohesh të hysh në një treg që veçse ka shumë emra s’është aspak e lehtë ditëve të sotme, por kjo e bën më të bukur akoma sepse atëherë suksesi ka më shumë vlerë dhe mua më pëlqen të ndjejë pak konkurrencë, se më bën të nxjerr më të mirën time. Moto kam frazën “The future is handmade” apo “E ardhmja është punëdore” çdo gjë që mbanë e ardhmja varet
nga puna ime”, ka treguar tutje ajo.

Punëtore, ambicioze dhe kreative, këto janë armët e forta të Erzës si dizajnere e me të cilat ajo pretendon të futet fuqishëm në treg.

“E urrej të zakonshmen, mundohem të sjell diçka sa më të veçante dhe artistike por gjithmonë në hapë me trendin”, ka thënë Erza.

Brendi që ajo sjellë quhet “Erzhè”, ky është emri artistik me të cilin ajo na prezantohet.

Për të nisur karrierën e saj si dizajnere, Erza ka vendosur të sjellë dizajne të një natyre më të butë dhe me ngjyra të freskëta.

“Dua të bëj një femër të ndihet e veçantë dhe e sigurt nën dizajnet e mia, ideja është të krijojë diçka unike që të bën të ecësh kokëlartë dhe pa frikë se do rastisësh të ketë edhe dikush po të njëjtën veshje, mund të bëj diçka të ngjashme për dikë tjetër që i përket të njëjtës linjë por asnjëherë dy veshje të njëjta. “Konfidenca” është aksesori më i bukur i një femre dhe këtë dua të nxjerrë në pah”, ka theksuar disenjatorja Avdiu për KultPlus.

Koleksionin e sapo sjellë, ajo e ka filluar me disa dizajne si fustan të gjatë, fustan të shkurtër dhe pantallona. Këto dizajne sipas Erzës veçohen sepse secila ka vetëm dy ngjyra, një nga brenda dhe një jashtë.

Koleksioni titullohet “Double Trouble” pasi që ngjyrat janë dyshe dhe materialet janë të qepura në mënyre të dyanshme.

“Kam përdorur vetëm material sateni pasi që hynë në top 3 materialet më “luksoze” dhe të përdorura në botë, ndërsa ngjyrat janë harmonike dhe shumë dominante, ngjyrë ulliri dhe e verdhë e shkëlqyeshme është një ndër kombinimet e mia të preferuara”, ka treguar disenjatorja tutje.

Veshjet e këtij koleksion Erza ka vendosur t’i prezantojë vetë, duke i pasur format fizike përfekte dhe një bukuri të rrallë, gjithçka është shkrirë në mënyrë përfekte.

“Nuk ka qenë në planet e mija që të filloja një karrierë si modele asnjëherë. Por doja që të isha unë ajo që prezantoja atë që kam krijuar vetë, është ndjenjë e papërshkrueshme të sjellësh në jetë një skicë e sidomos të jesh po ajo që e prezanton atë”, është shprehur Erza rreth ndjenjës së të qenit edhe modele e kreacioneve të veta.

Por ky koleksion është vetëm një pikë e vogël në oqean për Erzën, pasi që për të ky është vetëm fillimi, duke pasur krahë edhe moshën e re, ajo pa hezitim premton që do të sjellë shumë në botën e modës.

Krejt për fund Erza ka treguar për KultPlus se tashmë ka filluar përgatitjet për koleksionin e radhës vjeshtë/dimër i cili pritet të lansohet shumë shpejt.

Fotografitë e koleksionit janë realizuar nga fotografja Fioralba Kryemadhi. /KultPlus.com

Në Prizren sot është zbuluar mozaiku i Skënderbeut

Alberina Haxhijaj

Qendrës së Prizrenit sot i është shtuar një mozaik i ri i cili paraqet imazhin e Skënderbeut. Ky mozaik i realizuar nga Besart Gashi ka për qëllim që të kthej vëmendjen qytetarëve -të cilët do të kalojnë nga pjesa ku është vendosur mozaiku- të një figurë e shquar për kombin shqiptarë.

Realizimi i kësaj pikturë, para të cilës dhjetëra qytetarë ndaluan sot dhe realizuan edhe fotografi në nderim të Gjergj Kastriotit Skënderbe, e bënë shumë krenar realizuesin e saj, Besart Gashin.

“Për mua është nder e krenari që kam pas fatin që për herë të parë për qytetin e Prizrenit ta punoj një figurë për heroin tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, është shprehur Gashi për KultPlus.

Mozaiku është punuar me një konstruksion metali dhe me një lloj druri që është rezistues ndaj kushteve atmosferike. Në brendi të mozaikut janë të vendosur edhe dritat për ndriçim të cilat do e bëjnë të identifikueshme këtë vepër edhe gjatë natës. Dimensionet në të cilat është punuar ky mozaik janë 3m × 4m.

“Ideja për realizimin e këtij mozaiku me lindi pasi që më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare të Kastriotëve. Për mua si artist më ka motivuar që po në këtë datë 28 Nëntor 2018 mbas 575 viteve të punoj një vepër arti për këtë hero kombëtar pasi që ky vit edhe është shënuar si viti jubilar i Skënderbeut”, ka treguar Gashi për KultPlus.

Kjo vepër artistike nuk është e vetmja që Gashi e ka realizuar. Ai u bë i njohur edhe për portretin e Adem Jasharit të cilin e realizoi me 200 mijë gëzhoja fishekësh. Këtë mozaik ai e përfundoi më 5 mars për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për realizimin e kësaj vepre, Besart Gashi, është ndihmuar nga mërgimtarët të cilët jetojnë dhe veprojnë në Amerikë./KultPlus.com

Gazeta franceze në vitin 1912: Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë, pritet të vijë Isa Boletini

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Le Gaulois”, ka botuar, të premten e 29 nëntorit 1912, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë

Romë, 28 nëntor.

Na shkruajnë nga Vlora, me datë 28, se Ismail Qemal beu, i cili, sapo ka mbërritur në këtë qytet, ka vizituar konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

Njoftojnë se sot kuvendi i delegatëve shqiptarë do të shpallë në Vlorë pavarësinë dhe neutralitetin e Shqipërisë dhe do të formojë një qeveri të përkohshme.

Do të ngrihet flamuri shqiptar. Një komision do t’u dërgohet sa më shpejt të jetë e mundur qeverive evropiane, duke filluar me Italinë, për t’u kërkuar atyre njohjen e Shqipërisë.

Delegatët shqiptarë që kanë mbërritur deri më tani janë gjithsej 80. Priten të vijnë të tjerë, përfshirë Isa Boletinin, me forca të armatosura.

Thuhet se Ismail Qemal beu, në bisedimet e tij me konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë, ka deklaruar se pavarësia e Shqipërisë bazohet në parimet e integritetit territorial dhe neutralitetit, dhe se Shqipëria ka besim në dashamirësinë e të gjitha fuqive dhe në mbështetjen e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-gaulois-1912-shpallja-e-menjehershme-e-pavaresise-se-shqiperise-pritet-te-vije-isa-boletini/.

Katedralja “Nënë Tereza” vishet me ngjyrat e flamurit kombëtar

Sonte Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë ka marrë një pamje shumë të veçantë për nderë të festës së 28 Nëntorit.

Në muret e katedrales është duke reflektuar flamuri kombëtar, shqiponja dykrenare po ngjallë më shumë ndjenjat e patriotizmit tek qytetarët që po kalojnë andej. Fotografi është postuar në faqen zyrtare të Katedrales me ç’ rast përmes kësaj fotografi kanë uruar festën e 28 Nëntorit.

28 Nëntori ndryshe njihet edhe si Dita e flamurit. Kjo ditë është një ditë e veçantë për shqiptarët në mbarë botën (jo vetëm në Shqipëri) sepse në këtë datë të vitit 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili në Vlorë./KultPlus.com

‘A ka një kujtim të më ngrohë në këto ditë për mua?’

Shumë këngë të grupit Jericho tashmë janë reflektim i ngjarjeve të përditshme që përplasen me të kaluarën. E tillë është edhe kënga “Nëntori i ftohtë”, që çdo nëntor vjen si rikujtim i historisë, si reflektim i përditshmërisë në kërkim të forcës për të kënduar apo për të ngjallur shpirtin me këtë melodi që depërton thellë.

Muzika e Jericho-s është një shkrirje midis rock, alternative, elektronikë dhe muzikës tradicionale etnike shqiptare, karakteristikë për rajonin e Kosovës dhe Shqipërinë e veriut.

KultPlus sot ju sjellë këngën “Nëntori i ftohtë”, me videoklip e tekst.

A ka një kujtim të më ngrohë në këto ditë për mua?
A ka ndonjë udhë e si burrë ta kthej kokën t’shikoj?
A ka një kujtim, të na jep një kuptim, a s’më thua?
A më tregoni, ku ta gjej forcën sot të këndoj?

Akoma të freskët e kam at shikim të përbuzjes
Akoma të freskët të ftohtin e dhimbjes në asht
Akoma të freskëta edhe gjurmët që këmbët i lanë rrugës
Syri më mbeti i ngrirë në shtëpinë që më kurrë nuk e pash

REF:
Nëntori i ftohtë
Më ndjek dhe sot
Nëntori i ftohtë
Jehon në mot

Kaluam një shekull në ecje por prap u rrëzuam
Kaluam një shekull por prap s’mund të qëndrojmë në këmbë
Kaluam një shekull mësim, e si asgjë s’mësuam?
O i paditur, syri i pangopur një popull e shembë

Sa gjatë do të shkojë derisa ne ta duam vetveten
Sa gjatë do të shkojë derisa fatin vet ta ndryshojmë
Sa gjatë do të shkojë derisa tjetrit t’ia cmojmë jetën
A më tregoni, ku ta gjejmë forcen sot të kendojmë

REF:
Nëntori i ftohtë
Më ndjek dhe sot
Nëntori i ftohtë
Nëntor…

Më shanë e më ranë, i pabesë do të bëhesh më thanë
Më zhveshën e veshën, as vehten s’e njoh më kush jam

Vellon që ma kanë qepur, sa krenar sot e mbaj
Vallës që ia kanë hedhur, sikur një nuse sa bukur hapin që e mbaj

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”

Faik Konica njihet jo vetëm si një nga publicistët më të mirë, po edhe si njeriu që në të gjitha mënyrat e mundshme tregoi realitetin në të cilin ndodhej Shqipëria, shkruan KultPlus.

Shumica e vështrimeve të tij, akoma vazhdojnë të jenë të qëndrueshme, dhe vlerësohet të jetë një ndër figurat që ka njohur më së miri kombin e tij.

KultPlus sot ju sjellë një nga thëniet e tij.

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”./KultPlus.com

28 Nëntori, festë në Parlamentin e qytetit të New York-ut

Shqiptarët që jetojnë në qytetin e New York-ut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festuan festën e 28 Nëntorit në Parlamentin e qytetit.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj, për këtë festim tha se ishte një nder dhe privilegj për të festuar pavarësinë shqiptare, ai po ashtu e falënderoi kryetarin dhe të gjithë antarët e Dhomës e së Këshilli së New York-ut.

“Urime për të gjithë shqiptarët që festojnë këtë ditë të rëndësishme në historinë, trashëgiminë, kulturën dhe kontributet që shqiptarët amerikanë kanë bërë këtij qyteti të mirë”, u shpreh Gjonaj nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

Aty performuan disa valltarë për të pranishmit vallet shqiptare.I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe ushtari i Marinsave Amerikane, Mark Kepi, i cili në rrjetin social Twitter ndau disa momente nga ky manifestim, shkruan RTKLive.com

Ai nëpërmjet kësaj uroi festën e Pavarësisë së Shqipërisë. “Sot Parlamenti i qytetit të Nju Jorkut ishte kuq e zi. Gëzuar pavarësinë Shqipëria jonë e dashur”, ishin fjalët që tha ai në postimin e tij në Twitter./KultPlus.com

Sulaj: Kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit Gjergj Kastriot Skënderbeut

Është një ndër veprat më të bukura që portretizon heroin e madh kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, dhe këtë vepër, vetë autori Agim Sulaj e mban shumë për zemër, shkruan KultPlus.

Edhe pse jo më pronë e tij, por e koleksionuar brenda Tiranës, për këtë vepër që ishte ekspozuar vite më parë në një ekspozitë të hapur në Tiranë, pikërisht me dedikim për Gjergj Kastriot Skënderbeun, Sulaj ka treguar për emocionet që i ka dhënë kjo vepër, përgjatë realizimit.

“Kam punuar gati një muaj mbi këtë portret, çdo ditë, dhe kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit tonë të përjetshëm”, ka thënë Sulaj për KultPlus. Ai ka shpjeguar se ky portret është punuar në vaj./KultPlus.com

Momenti i zbulimit të bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut në Maschito, Itali

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, mori pjesë sot në ceremoninë festive të 28 Nëntorit në komunitetin arbëresh në qytetin Maschito, në Itali.

Gjatë kësaj vizite Ministri është shoqëruar nge kreu i bashkisë së Maschitos, Rossana Musacchio Adorisio. Programi i veçantë i përgatitur për këtë eveniment përmbante këngë dhe interpretime të ndryshme të komunitetit arbëresh.

Ministri i Shtetit për Diasporën në fjalën e tij përshëndetëse theksoi edhe një herë rëndësinë e të qenit të bashkuar nëpërmjet gjuhës dhe traditave shqiptare. “Jemi shumë, të shpërndarë nëpër botë, kudo, në Australi, Amerikë, Alaskë, Ukrainë, etj dhe është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë ti mësojmë brezit të ri gjuhën shqipe, kulturën dhe traditat e vendit tonë”, tha Ministri.

Ndërsa kryebashkiakja e Maschitos theksoi edhe një herë krenarinë e këtij komunitetit për origjinën e tij shqiptare dhe lidhjen e fortë që ruajnë me figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Aktiviteti më i rëndësishëm i kësaj vizite ishte inaugurimi i bustit të “Gjergj Kastriot Skënderbeut”, krijim i skulptorit shqiptar Vladimir Llakaj dhuruar komunitetit të Maschitos nga Ministri i Shtetit për Diasporën.

Busti i vendosur në sheshin “San Francesco” do të jetë gjithmonë një shenjë krenarie për prejardhjen e këtij komunitetit. / KultPlus.com

Një tjetër shqiptare pushton top listat botërore të muzikës

Këngëtarja shqiptare Ava Max emri i vërtetë i të cilës është Amanda Koçi ka pushtuar të gjitha top listat botërore muzikore me këngën e saj Sweet but Psycho.

24-vjeçarja e lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por me prindër nga Saranda aktualisht ndodhet në vendin e parë në Gjermani, Norvegji, Suedi, Finlandë, Danimarkë dhe sapo është renditur në vendin e parë ne I Tunes në Britaninë e Madhe.

Ndërkohë është duke u ngjitur me shumë sukses në top Listën Australiane, Kanadeze dhe atë Amerikane shkruan.

Kantautorja Ava Max është shprehur e surprizuar për mediat angleze duke nënvizuar se talentin e ka të trashëguar nga mamaja e saj shqiptare e cila ka qenë këngëtare operistike.

24-vjeçarja e cila është pjesë e shtëpisë diskografike Warner njësoj si Rita Ora, Bebe Rexha dhe Dua Lipa është tashmë duke punuar për të publikuar sa më shpejt albumin e saj të parë./KultPlus.com

Fëmijët nga Lodzhi i Polonisë këndojnë Himnin Kombëtar shqiptar (VIDEO)

Kori i Fëmijëve të Qytetit Lodz në Poloni, në një video shihen duke performuar Himnin Kombëtar të shqiptarëve.

Meqë jo vetëm shqiptarët e festojnë këtë festë, urimet dhe festimet kanë ardhur prej tërë kontinentit evropian.

Sot, në këtë 28 nëntor, shqiptarët festojnë 106 vjetorin e Shqipërisë shtet.

28 Nëntori ndryshe njihet edhe si Dita e flamurit. Kjo ditë është një ditë e veçantë për shqiptarët në mbarë botën (jo vetëm në Shqipëri) sepse në këtë datë të vitit 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili në Vlorë.

Lodzh (polonisht: Łódź) është qyteti i tretë më i madh në Poloni, ndodhet në qendër të Polonisë dhe rreth 135 kilometra në jugperëndim të Varshavës. Pasi Polonia u bë me pavarësi, Lodzh arriti të bëhej si qyteti më i madh dhe një nga qendrat industriale në Evropë. / KultPlus.com

Era dhe Nora Istrefi: Krenarë kudo që jemi

Këngëtarja Era Istrefi është duke qëndruar këto ditë në Greqi ku është takuar edhe me motrën e saj, këngëtaren Nora Istrefi.

Dy këngëtaret nuk kanë harruar që gjatë kësaj ditë të festojnë edhe për 28 nëntor. Ato kanë shpërndarë një fotografi së bashku ku shihen duke mbajtur plisin në kokë dhe duke krijuar figurën e shqiponjës me duart e tyre.

Era Istrefi e cila e ka shpërndarë këtë fotografi në Instagram ka shkruar “Krenarë ku’do që jemi”./ KultPlus.com

Ermonela Jaho: Nuk mund ta duash atdheun pa dashur bashkatdhetarët

Sopranoja e njohur Ermonela Jaho përmes një postimi në Facebook iu ka uruar të gjithë shqiptarëve festën e 28 nëntorit.

Ajo përmes këtij postimi është shprehur se patriotizmi është dashuria për atdheun të cilin nuk mund ta duam nëse nuk i duam edhe bashkatdhetarët.

“Patriotizmi është dashuria për atdheun, por nuk mundesh të duash atdheun pa dashur bashkatdhetarët. Nuk do të merremi vesh gjithmonë, por duhet të mbështesim njëri-tjetrin, të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe të ndërtojmë ura drejt diferencave tona për të përndjekur të mirën e përbashkët… “, ka shkruar sopranoja Ermonela Jaho në postimin e saj./ KultPlus.com

Dua Lipa me një video ku bën shqiponjën uron ditën e flamurit shqiptar (VIDEO)

Si sot, 106 vjet më parë Shqipëria e shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane.

Ishte 28 nëntori i vitit 1912 kur në Vlorë, Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi në shenjë të krijimit të shtetit shqiptar.

E duke nisur nga kjo në Kosovë dhe Shqipëri qytetet janë dekoruar me simbole shqiptare teksa kanë ardhur edhe urimet e para për këtë festë të personaliteteve të njohura.
https://www.instagram.com/p/BqulUZ3Bufe/
Në mesin e tyre janë edhe yjet shqiptare të botës së muzikës, kinematografisë dhe artit.

Padyshim që këtë ditë të shënuar nuk e ka harruar edhe Dua Lipa, e cila ka përzgjedhur disa imazhe të bukura të mbështjell me flamurin kuqezi.
https://www.instagram.com/p/BqulUZ3Bufe/
“Urime dita e flamurit. Me shumë dashuri. Urime pavarësinë Shqipëria”, ka shkruar ndër të tjerash në llogarinë personale në Instagram, Lipa, teksa shfaqet në krah të të dashurit, Isaac Carew.

Ndryshe, 23-vjeçarja është duke punuar në projekte të reja muzikore që do t’i sjell në albumin e dytë muzikor. /KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/BqulUZ3Bufe/

“Kjo ditë është njëra ndër ditët më të bardha, ndër ditët më të kuqe të historisë sonë të vrullshme”

Pavarësia e Shqipnisë

“Gjithmonë e kemi ndier në veten tonë këtë Ditë të bardhë, kemi jetuar me të, me gjakun e saj të kuq, që qe i ndrydhur fort ndër zemrat tona, si në zemrën e Plakut mjekërbardhë që e zbardhëlloi më 1912. O, po si të mos e ndjejmë këtë Ditë që është njëra ndër ditët më të bardha, ndër ditët më të kuqe të historisë sonë të vrullshme plot e përplot shtrëngata e pak më pak me bardhësi të këndshme.

Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës.

Zinë e lëngatës së një populli e ndiejnë më së miri dhe më së shumti bijtë më të mirë të tij. Ata shkrumohen sa s’ka më. Mundohen që ta zhdukin atë dhe të sjellin fatbardhësinë e ëndërruar. Të ngrenë tempullin e lirisë në mesin e Atdheut – vendit të shenjtë, vendit që është simbol i njeriut në mbarë jetën dhe lavdinë. Ata bëjnë çdo gjë. Digjen si qiriri. E me atë dritë që del nga trungu i tyre i djegur shndrisin tokën e rituar me gjak ndër shekuj. Shumë ka pasur gjaku ynë kësi bijsh, të ndershëm, madhështorë dhe burrërorë. Vargu i tyre ndër faqet e së kaluarës sonë është i gjatë sa të gjithë ne. Më i gjatë është vargu i lavdive dhe trimërive të tyre të paskajshme.

Viti 1912. Zgjedha otomane zë të hiqet. Këtë e bëjnë ata që me shekuj ndjejnë peshën e saj, peshën e saj të ndyrë shkombëtarizuese, vëllavrasëse dhe copëtuese. Edhe toka e mëmëdheut është e zgjuar. S’duron më këmbën e ndyrë poshtëruese që fikte njomësinë pa lindur fare. Bota dëgjon për këtë. Ballkani ushton. Trimat ende në të gjitha anët.

Kudo dëgjohet kushtrimi: pavarësi dhe liri kombëtare. Zemrat e ndryra nxjerrin zërin më të fuqishëm. Kulçedra anadollake iku njëherë e përgjithmonë pas pesë shekujsh. Gjithkush e priti lirinë dhe qetësinë. Të jetojë me shpirt të vet në trungun e vet, meqë e dinin fare mirë se ç’është kjo, ç’sjell për ringjalljen e një gjaku të vjetër që me mija e mija vite rrodhi nëpër damarët e Ballkanit të lavdishëm. Ikën anadollakët.

Mirë e hetuan këtë ata që ishin mësuar me harbutëritë e kësaj dore. Nuk pritën. U ranë grusht hundëve. I plandosën për tokë dhe simbolin e gjakut tonë – Flamurin e ruajtur me shekuj në gji e çdo vend të tokës së dashur e ngritën lart. E ngritën atë ditë vjeshte. Atë ditë të bardhë e të artë. Në kalendarin e historisë kombëtare hyri ajo ditë. U shënua: 28 Nëntor1912. U shënua edhe emri i atij që e ngriti: – Ismail Qemali. U shënua edhe vendi: – Vlora legjendare. Vatra e kuqe e Arbërit që qe i zënë për atë truall si rrapat shekullorë buzë Adriatikut. U habit Ballkani. U habit Evropa. U habitën të gjithë, kur pas pesë shekujsh, nga epoka e Skënderbeut në qiellin shqiptar u ngrit simboli i gjakut – Flamuri.

Mirë që u mashtruan të gjithë. Mirë që nuk kujtuan se nuk kemi asgjë, se kulçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve. E shpurëm më tej dhe do ta shpiem gjersa të gjallërojmë mbi tokën tonë të dashur.

I pari që e shpuri në vend porosinë e stërgjyshërve, ai që e ngriti atë që e mbanin lart ndër duar dhe mbi koka e që marshonin përpara me të, qe njëri ndër bijtë më të mirënjohur të kombit tonë – Ismail Qemali, Plaku mjekërbardhë. E ngriti Ai, e mbajtëm ne dhe do ta mbajmë ngaherë dhe do të ecim përpara në histori.

E mbajtëm në zemra, në shpirt. E kemi edhe në dorë. Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë.”

Marrë nga gazeta e asaj kohe studentore („Bota e re“) , Prishtinë, 28.XI.1968

Kush e fiton festivalin ‘Kënga Magjike 2018’? (VIDEO)

Festivali ‘Kënga Magjike’ muajin dhjetor do të mbajë edicionin e tij të radhës.

Tanimë i kemi të ditura disa prej këngëve që konkurrojnë në festivalin e njohur të muzikës shqipe. Prezantimi i këngëve po ndodhë çdo të diele në TV Klan.

Edhepse herët të flitet, disa këngë kanë marrë vëmendje dhe kanë pushtuar toplistat muzikore.
Stresi më këngën “Të du mom” ka arritur tanimë 2 milionë klikime në Youtube, për dy javë të lansimit dhe mbetet një prej këngëve më të dëgjuara të festivalit, ende pa nisur netët gjysmëfinale

Kënga “Vuj” e Ronela Hajatit e ka kthyer fuqishëm këngëtaren në festival. Ronela, e njohur për pjesëmarrjet e saj në Këngën Magjike disa herë, është kthyer me një tekst të veçantë dhe një melodi të krijuar nga Threedots. Edhe kjo këngë qëndron mirë me klikime, shkruan KultPlus.

Fifi dhe MC Kresha kanë bashkuar forcat për një melodi që nuk lë shumë vend për koment. Fifi rikthehet në festival pas baladës së vitit të kaluar, kësaj radhe me emrin e njohur të repit shqiptar – MC Kresha, për këngën “Psikopatja jote”.

KANITA – e njohur si vajza që ka dalë prej emisioneve për zbulimin e talenteve, këtë edicion vjen në festival me këngën “S’jemi ne”, dhe është shndërruar menjëherë në një prej këngëve favorite për të fituar festivalin. Kanita, e re në moshë, premton shumë me këtë krijim dhe ka hyrë në listë kësisoj me emrat e mëdhenj të muzikës shqipe që kanë marrë pjesë në Këngën Magjike. Ajo ka bashkëpunuar me Lindon Berishën dhe me Boban Apostolov për këngën e saj.

Në Muzeun Marubi ndodhet fotoja më e qartë e Deklaratës së Pavarësisë

Një nga fotot më të bukura të Deklaratës së Pavarësisë, ndodhet në Muzeun e Fotografisë Marubi.

E fotografuar nga Kel Marubi në 25 vjetorin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike, vjen në ditët tonë falë objektivit të kujdesshëm të fotografit, i cili është njohur edhe për veprimtarinë e tij patriotike. Kel Marubi e konsideronte këtë foto si të shenjtë për vetë vlerën që ka për shqiptarët./ KultPlus.com

Udha e flamurit, drama kushtuar Pavarësisë

Në 1982, Teatri Popullor ngjiti në skenë dramën “Udha e flamurit”, kushtuar shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912.

Autorë: Ruzhdi Pulaha dhe Mirosh Markaj, regjia: Pirro Mani, skenografia: Shaban Hysa, muzika: Sokol Shupo, interpretim: Edmond Budina (në rolin e Ismail Qemalit), Ahmet Pasha, Zef Bushati, Gjon Karma, Violeta Manushi, Besa Imami, Marika Kallamata, Shkëlqim Basha, Sulejman Pitarka, Margarita Xhepa, Ndriçim Xhepa, Mërkur Bozgo etj.

Vepra u prit mirë nga publiku. Imazhet nga kjo dramë kanë mbetur në këto foto bardh e zi./ KultPlus.com

Mëmëdheu

Poezi nga Andon Z. Çajupi.

Mëmëdhe quhet toka
ku më ka rënur koka,
ku kam dashur mëme e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasur shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshet ku kanë qenë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpresë,
ku kam dëshirë të vdes.

‘Ti je atdhetar edhe kur nuk valëvit flamurin në ditën e shënuar’

Nga Lavdie Dobi Banushi

Ti je atdhetar edhe kur nuk je aty ku dëshiron te jesh, në tëndin atdhe.

Ti je atdhetar edhe kur nuk valëvit flamurin në ditën e shënuar.

Ti je atdhetar edhe kur feston me mendje, dëshirë e zemër.

Ti je atdhetar edhe kur këndon nën zë himnin kuq e zi, edhe kur nuk formon me duar shqiponjën me dy krerë.

Ti mbetesh atdhetar edhe kur emigron, se atdhetarizmi nuk është koncept hapësire e kohe, por tepër më shumë.

Ti je atdhetar edhe kur pohon fortazi : ” jam shqiptar”.

Mbetesh po aq atdhetar edhe kur medaljet që merr, ja dedikon dikujt përtej vetëvetes.

Mbetesh atdhetar edhe kur flet katër gjuhë të huaja, por shqipja të identifikon kush je.

Je po aq atdhetar edhe kur vendos ta quash foshnjen jo me një emër ilir.

Je po aq atdhetar edhe kur proteston pa dhunë.

Mbetesh atdhetar edhe kur nuk ja merr valles në shesh, edhe kur nuk ke çifteli varur ne mur, edhe kur nuk ulesh të hash në sofër.

Je atdhetar edhe kur nuk i përket asnjë grupimi politik a oragnizate. Edhe kur nuk ndjek rite, e festa.

Atdhetarizmi është shumë më tepër se kaq. Atdhetarizmi jemi secili prej nesh, jemi shembuj atdhetarizmi, jemi atdhedashës në mënyrën tonë.

‘Sot është dita kur horrat strehohen nën flamur’

Nga Ergys Mërtiri

106 vjet më parë ne u shfaqëm, për herë të parë në historinë e kombeve, si një entitet sovran. Kjo ditë është shpërblimi i një sakrifice të jashtëzakonshme që patriotët shqiptarë bënë në një gjysëm shekulli, për t’i dhënë jetë një projekti, pa të cilin ne nuk do ishim sot këtu.

E filluam jetën si komb duke na gjymtuar që ditën e parë. Konferenca e Londrës vendosi që gjymtyret tona t’iu shpërndahet fqinjëve si llokma me të cilat ata shpresuan të blejnë qetësinë, për të mos patur telashe në rajon. Por ende pas 100 vjetësh, barqet e tyre nuk janë ngopur dhe qetësia nuk është vendosur, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të mbijetojnë të përgjysmuar.

Shteti që arritëm të krijojmë ishte i gjymtuar, ashtu si dhe fati ynë, që na rezervoi shumë makthe gjatë kësaj rruge njëshekullore, gjysmën e së cilës e kaluam në një diktaturë të tmerrshme. E mrekullueshme është që, pas 100 vjetësh, arritëm të shpëtojmë nga duart e kasapëve Kosovën, ndonëse ajo, ashtu si edhe ne, vazhdon të përballet me një mijë halle, e ndonëse nuk na lenë të jetojmë në një shtëpi.

Nëse ka gjë që kemi arritur të mësojmë në këta 100 vjet është aftësia për të mbijetuar. Kemi mësuar të mbijetojmë nga pushtimet, luftërat e brendshme, dhuna dhe terrori komunist, e tashmë edhe nga hajdutët dhe zagarët që na qeverisin. Tashmë kjo po na kthehet në një problem sepse, duke ushtruar artin e te mbijetuarit, nuk dijmë më të jetojmë. Nuk dijmë të çohemi dhe t’ua copotojmë surratin politikanëve që tallen me fatet e këtij populli, që shesin troje e kufinj, që bëjnë pazare me interesat e vendit, që zaptojnë prona e resurse dhe thithin djersën apo gjakun e njerëzve.

Sot do të shohim që shumë prej atyre që e kanë përçudnuar keq e më keq këtë vend, do të tundin flamurin e hipokrizisë me shqiponjën dy krenare që valëvitet në gjakun e poshtërsive që i janë bërë e po i bëhen këtij kombi. Sot do të shohim horrat më të fëlliqur të gëzojnë e festojnë paturpësisht nën strehën e nacionalizmit, duke pozuar me simbolet e kombit si pasardhës të Ismail Qemalit. Ironia nuk na ka munguar kurrë. Kemi parë ti vendosen mbi krye asaj shqiponje edhe sëpatat kafshërore të fashizmit, edhe ylli i terrorit komunist dhe thonjtë e paprerë në gishtat e zgjatura mbi gjoks të Edi Ramës, mund t’i shtojnë disa nota komike, por nuk ia ndryshojnë aspak cinizmin.

Uroj që foshnja që lindi, sakate, në 1912, të fillojë të shërohet, të mësohet të ecë me këmbët e veta dhe të mësojë t’ua thyejë turinjtë atyre që guxojnë të tallen më me të!