Deputetja uron në shqip në parlamentin kanadez

Një ngjarje e bukur është shënuar në parlamentin kanadez.

Në seancën e së mërkurës, deputetja Julie Dabrusin ka mbajtur një fjalim në parlamentin kanadez për nder të 28 nëntorit, duke i uruar shqiptarët në gjuhën shqip. Ajo është ndalur shkurt edhe në historinë e kësaj dite për shqiptarët, shkruan ata.

“Sot është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë”, – tha deputetja Dabrusin duke shtuar se “pas 5 shekujsh nën pushtimin e Perandorisë Osmane, Shqipëria shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912. Në këtë ditë, shqiptarët ngritën flamurin në Vlorë, ditë e cila prej atëherë njihet si “Dita e Flamurit”, në fund ka uruar shqiptarët në gjuhën shqipe “Gëzuar Festën e Pavarësisë!”

Stallone tërhiqet nga Roky Balboa pas 40 vitesh

Sylvester Stallone tërhiqet dhe nuk do të interpretojë më Rocky Balboa. Këtë herë s’ka më kthim, pas 40 vjetësh dhe tetë filma.

Përmes një video të publikuar në faqen e tij në “Instagram”, aktori 72-vjeçar komunikoi se nuk do ta interpretojë më personazhin, për t’i lënë hapësirë gjeneratës së re, mishëruar nga Adonis Johnson, heroi i sagës “Creed”.

“Edhe pse me zemër të thyer, duhet të them se gjithçka ka një fund. Por, Rocky nuk do të vdesë kurrë, sepse do të jetojë bashkë me ju”.

“Tërhiqem sot sepse historia ime është treguar, një botë e re hapet për publikun me këtë gjeneratë”, -tha Stallone gjatë videos, e regjistruar në një plazh gjatë xhirimeve të “Creed II”, film i cili doli në kinematë amerikane më 21 nëntor.

Prej vitit 1976, aktori e ka interpretuar personazhin tetë herë, roli që e bëri të njohur dhe i ka dhënë disa nominime për “Oscar”./ KultPlus.com

Kompozitori kosovar Besim Baftiu drejt Sanremos

Kompozitori gjilanas ka arrit të sfidojë 2500 aplikantë që kanë synuar të jenë pjesë e Sanremos, përkatësisht në kategorinë Giovani, dhe pikërisht kënga e tij ka arritë të futet në pesëshen e kësaj gare, shkruan KultPlus.

Besim Baftiu ka treguar për KultPlus se fillimisht këtë garë e kanë synuar 2500 aplikantë, për tu selektuar më pas në pesë kompozime, në mesin e të cilave është edhe kënga e Besim Baftiut, e cila këndohet nga këngëtari Roberto Saita, një artist zvicerano-italian me këngën “Niwrad”.

“Kategoria Giovani në kuadër të Sanremos është kategori që i dedikohet artistëve të rinj, për ata që nuk kanë marë pjesë në këtë festival dhe i nënshtrohen kësaj gare”, ka thënë Baftiu, i cili ka shpjeguar se është producent, kompozitor, orkestrues dhe mix e mastering i këngës.

Baftiu ka thënë se gara e fundit është prej 20 deri më 21 dhjetor. Arritja e një suksesi të tillë deri në këtë fazë, është me shumë rëndësi për kompozitorin gjilanas, i cili që nga mosha e vogël i është dedikuar muzikës. /KultPlus.com

Pishman s’jam

Poezi e shkruar nga Taulant Osmani.

Nuk ishte errët kur ikëm,
por as dritë jo,
në fakt ikëm në kohë pa kohë,

Pishman s’jam,
a i idhnuem po.

I idhnuem jam,
se rrugët që dikur i shtruam bashkë,
i zhduke,
ashtu tinëzisht,
pa guxim.
Kaq trimni pate,
kështu je ti.

Dhimbje s’kam,
po as gëzim jo.

A ishim aq t’kqi,
sa krijuam ura dikur,
që sot të ngrinim mur?!
Jo, s’ishim,
por u bëmë.
Nji gja,
pishman për kohën s’jam,
ama kohë nuk fal.

Sonte hapet “Java e Filmit Izraelit” në Prishtinë

Bashkësia Hebreje-Bet Israel Kosova në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit në Beograd sjellë “Javën e Filmit Izraelit në Prishtinë”, në Kino ABC, shkruan KultPlus.

Më 29 nëntor me fillim nga ora 19:00, në Kino ABC është hapja zyrtare e festivalit me shfaqjen e filmit “Saving Neta”, me regji të Nir Bergman.

Më 30 nëntor me fillim nga ora 15:00 vjen dokumentari i regjisorit Ido Haar “Presenting Princess Shaw”. E më 1 dhjetor me fillim nga ora 15:00 shfaqet filmi i regjisorit Maha Haj “Personal Affairs” ndërsa në terminin e orës 22:00 shfaqet premiera e filmit “Hunter Killer”./ KultPlus.com

‘Hijet e Bardha’ më 1 dhjetor në Galerinë Qahili

Ekspozita ‘Hijet e Bardha – Poezi’ do të hapet me 1 dhjetor 2018, duke filluar nga ora 20:00, në Galerinë Qahili. Pjesëmarrës në edicionin e katërt do të jenë 70 shkrimtarë nga rajoni, ku do të prezantohen mbi 100 poezi.

‘Hijet e Bardha’, Festa e Shkrimtarëve këtë vit festat e fundvitit do t’i festojë me poezi, të cilat do të ekspozohen në një format jo të zakontë për poezitë.

‘Hijet e Bardha’ këtë vit do të jap një çmim i cili do të përzgjidhet nga vet publiku. Votimi do të bëhet në hapësirë të Galerisë Qahili, dhe do të fillojë nga momenti i hapjes së ekspozitës. Poezia më e pëlqyer nga publiku do të tregohet në mbyllje të ekspozitës, me 19 dhjetor 2018, ku do të shpërblehet me një pikturë të fondit të Galerisë Qahili dhe tri libra nga ETEA.

‘Hijet e Bardha’ janë një metaforë për ta përshkruar artin si diçka të dëlirë, të pastër dhe madhështor. Vet hija është gjigante, është një iluzion që nuk është asnjëherë e njëjtë. Edhe pse ‘Hijet e Bardha’ nuk i shohim ato janë gjithkund. Mu për këtë arsye veprat e artit përmbajnë një sharmë dhe e mahnitin publikun.

Këtë edicion Galeria Qahili e organizoi në bashkëpunim me organizatën ETEA.

Ky edicion mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Birra Shok Shoqe, Pronto si dhe 2B Studio. / KultPlus.com

Sonte nis edicioni i dytë i “Prishtina International Theater Festival – PITF 2018”

Në Teatrin AAB “Faruk Begolli’’, sonte nis “Prishtina International Theater Festival – PITF 2018”, festival ky që mbart me vete një program garues të përbërë prej 7 shfaqjeve teatrore që vijnë nga Italia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova.

Përveç programit garues, do të jepet premierë në natën finale shfaqja “Bretkosa”, një prodhim i Teatrit AAB “Faruk Begolli”, shfaqje kjo që është jashtë programit garues.

Festivali do të zgjasë 8 ditë, prej datës 29 nëntor deri më 6 dhjetor dhe pritet të ketë audiencë mjaft të madhe.

Festivali PITF synon të na afrojë me botën, të promovojë vlerat tona dhe mbi të gjitha t’i mundësojë publikut kosovar të njihet me rrjedhat bashkëkohore në lëminë e artit, në këtë kohë kur vazhdojmë të mbetemi të izoluar.

Hapja solemne e PITF 2018 bëhet në orën 18:30, kurse në orën 19:00 do të shfaqet ‘’Gratë’’ nga Maqedonia, një produksion i Teatrit Kombëtar Shqiptar në Shkup./ KultPlus.com

Nishani

Poezi nga Sali Bashota

Kjo botë e ka nishanin e vet
Të njomur me tamblin e syrit
Të larë me ujin e pavdekshëm
Të tharë me gjethet e luleve
Ky është nishani i fatit thonë
Kur e këpusin nga dega e trupit
Secili sipas pulsit të vet
Me pa si zgjohen ndjenjat
Duke hyrë në rrethinat e shpirtit
Loja e gishtërinjve si ndizet në vetvete
Ky është nishani i fatit thonë
Kur e kapin me dorë si zogun e lagur
Deri sa të zgjohet thellësia e prekjes
Kur e shtrëngojnë me tehun e sythit
Që të bëhet më i bukur se dhembja ime
Kjo botë e ka nishanin e vet
Me pa durimin si dridhet nga fundosja./KultPlus.com

Njëri “humbës” dhe tjetri “fitimtar”, por të dy pranojnë 29 Nëntorin

Më poshtë mund të lexohet çlirimi i Shqipërisë, parë nga dy këndvështrime nga dy dëshmimtarë okularë: At Zef Pllumi dhe historiani Kristo Frashëri.

I pari sodit nga dritaret e Kuvendit të Françeskanëve, tjetri është partizan i thjeshtë.

I pari bën një përshkrim përbuzës, i dyti futet triumfator në qytet.

Njëri humbës e tjetri fitimtar – siç do thoshte kryeministri Rama.

Tabloja e partizanit është krejt e kundërt me atë të priftit françeskan.

Por që të dy pranojnë se “29 Nandori”, 29 Nëntori është ditë e çlirimit të vendit.

Zef Pllumi shkruan për ditën e çlirimit të Shkodrës në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue” cituar nga DITA:

“28 Nandori 1944 qe nji ditë e ftohtë, e zymtë… Mbas atyne bumbullimave që shpallën largimin përfundimtar të gjermanëve, nuk fjeti mà kurrkush n’atë natë të gjatë. Në Kuvendin Françeskan, ku jetojshem, zotnonte parandjenja se me atë çast se Oksidenti po largohej prej nesh me një hap shumshekullor…”(f-18) Më 29 Nandor gdhini ditë e zymtë dhe e ftohtë, në orën 10.30–11 nëpër rrugët kryesore të qytetit hyni brigada partizane e prime prej Major Gjin Markut… Ushtrija partizane e veshun me gjithnduer uniformash të huaja, paraqitej si një ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë. Shka bante mà shumë përshtypje ishin partizanet. Çfarë nanash mund ishin ato femna me pushkë në krah? Populli i strehoi, i ushqeu dhe u mbush me parazit” (fq.19-20)”

Kristo Frashëri në librin e tij “Jeta e një historiani” cituar nga DITA shkruan:

“Nuk mund të harrojmë kurrë ato çaste, kur duke kaluar nëpër rrugët e qytetit, qytetarë burra e gra e fëmijë na përshëndesnin si çlirimtarët. Entuziazmin e tyre e dëshmojnë dy fotografi të shkrepura në çastin e hyrjes së partizanëve në Shkodër, në mëngjesin e 29 Nëntorit 1944.” (F.163)./ KultPlus.com

Portreti me fishekë i Adem Jasharit, në restaurim

Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt mbetet një nga vendet më të vizituara në festat kombëtare, e veçmas edhe më 28 Nëntor kur shënohet edhe ditëlindja e komandantit legjendar.

Por vizitorët e së mërkurës aty nuk e kanë pasur mundësinë ta shohin portretin e Jasharit prej 25 merash katrorë të punuar me fishekë nga Besart Gashi. Vepra që ishte inauguruar në mars të këtij viti, është dëmtuar. Të martën është larguar krejtësisht nga Kompleksi.

Drejtori i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale, Bislim Zogaj, ka thënë se me kërkesën e autorit është dërguar në shtëpinë e tij për t’u rregulluar.

“Ka qenë i vendosur në një vend jo fort të përshtatshëm. Pasi është dëmtuar pa qëllim, portreti është zhvendosur te autori për t’u rregulluar. Do të kthehet prapë dhe do të vendoset në një tjetër vend”, ka thënë ai. Sipas Zogajt, deri pas një viti, vizitorët do ta gjejnë Kompleksin të konservuar e puna për ta rregulluar tërësisht do të vazhdojë ende./ KultPlus.com

Isopolifonia në UNESCO, përkujtohet në Gjirokastër 13-vjetori i pranimit

Në përvjetorin e 13-të të pranimit të isopolifonisë në UNESCO mjeshtra të këngës popullore u kujtuan në një ceremoni të rrallë të isopolifonisë në Gjirokastër.

Shtëpia mesjetare e Zekatëve mirëpriti grupet polifonike të qytetit dhe krahinave përreth.

Bashkia e qytetit vlerësoi me tituj nderi Xhevat Avdallin pas vdekjes një prej zërave më përfaqësues të isopolifonisë shqiptare.

Koço Vasili drejtuesi i Ansamblit “Lunxhëria” për 40 vjet, Lefter Kondo drejtues i Ansamblit të Dropullit dhe këngëtarja Juli Çenko morën tituj nderi për kontributin e çmuar në ruajtjen, grumbullimin dhe përcjelljen e traditës së këtyre krahinave. Isopolifonia ashtu si edhe muzika qytetare janë përballur përgjatë dekadave të fundit me vështirësitë e vijimësisë dhe përcjelljes tek të rinjtë.

Kostumet që shoqërojnë këtë traditë të kënduar janë duke u dëmtuar dhe duke humbur shumë elementë me kalimin e kohës. Përfaqësuesit e Ansambleve popullore kanë bërë vazhdimisht apel për mbështetjen e përcjelljes në mënyrë autentike të kësaj trashëgimie./ KultPlus.com

Fillon ‘Java e Filmit Izraelit’ në Kosovë, synon rritjen e bashkëpunimit kulturor në mes të dyja vendeve

Jeta Zymberi

“Java e Filmit Izraelit” ka nisur sonte rrugëtimin për të shpalosur para publikut kosovar filma të njohur nga Izraeli. Kjo ngjarje tradicionale e cila po organizohet për herë të 11-të me radhë është si një përmbushje e nevojës për mirëkuptim në mes të shoqërive në mënyrë që të ketë më shumë njohje midis njerëzve dhe kulturave.E filmi është njëri nga dimensionet që ndihmon që të arrihet ky qëllim. Në këtë rast këmbimin kulturor me Izraelin po e mundëson Bashkësia Hebreje – Bet Israel Kosova në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit në Beograd, shkruan KultPlus.

Në ambientet e Kinemasë ABC njerëzit kishin filluar të vinin e të zinin vendet e tyre ku me një pritje të ngrohtë nga organizatorët gjithçka dukej si fillim i mbarë.

Pasi sallën e kinemasë e zunë njerëzit, aty erdhi edhe kryeministri i Kosovës – Ramush Haradinaj, dhe zëvendësministri Behxhet Pacollli, por edhe këtë vit me ardhjen e saj kishte nderuar këtë manifestim kulturor mysafirja speciale Ambasadorja e Izraelit në Beograd Alona Fisher Kamm.

Në hapjen zyrtare të festivalit, fillimisht fjalën e mori Kryetari i Bashkësisë Hebreje- Bet Israel, Ruzhdi Shkodra i cili e tregoi edhe qëllimin kryesor të këtij organizimi.
“Për të 11-tën herë me radhë po e organizojmë “Javën e Filmit të Izraelit në Kosovë”. Ky organizim bëhet për të vetmin qëllim, për të rritur bashkëpunimin kulturor në mes të dyja vendeve. Edhe ne kemi arritur një herë të organizojmë javën e filmit të Kosovës në Izrael në saje të ndihmës së ish ministrit të jashtëm, Enver Hoxha. Kjo ka ndodhur pikërisht në Jerusalem, ku atje është prezantuar me filmin “Njeriu prej dheu” regjisori ynë Enver Petrovci para një publiku të madh”, ka thënë në fjalën e tij Shkodra, i cili tutje falënderoi të pranishmit që e nderuan këtë ngjarje me ardhjen e tyre.

Tutje fjala iu dha kryeministri të vendit – Ramush Hardinajt i cili vlerësoi marrëdhëniet e Kosovës me Izraelit dhe tha se historikisht kosovarët kanë ndihmuar shumë popullin e Izraelit, në Luftën e Dytë Botërore dhe në të tjera skenare të errëta në historinë jo shumë të largët.

Ambasadorja e Izraelit në Beograd, Alona Fisher Kamm, e cila këtë organizim e hapë për të tretën herë, u shpreh e lumtur që tashmë është bërë traditë të takohen këtu
“Është hera e tretë për mua që e hap këtë organizim, dhe po shoh fytyra që i njoh, e kjo do të thotë se kemi krijuar traditë me këtë organizim. Me anë të këtij festivali po paraqesim aspekte të ndryshme të jetës dhe kulturës së Izraelit, në Kosovë, para audiencës kosovare. Shpresoj që me kalimin e kohës do të forcojmë marrëdhëniet Kosovë-Izrael dhe se mund të bëjmë më shumë në ekonomi, kulturë e në fushat tjera”, është shprehur ambasadorja e cila tutje tregoi se kishte dëgjuar edhe për Besën – ndjenjën e mikpritjes shqiptare, andaj sipas saj ka ardhur koha që të reflektohet mbi solidaritetin në përgjithësi.

Fisher Kamm tutje foli më shumë rreth tre filmave që do të shfaqen gjatë “Javës së Filmit Izraelit” në Kosovë e kështu për ta lënë publikun që vetë ta shijojë e vlerësojë filmin “Saving Neta”, me regji të Nir Bergman i cili ishte përzgjedhur të shfaqej sonte në hapje të “Javës së Filmit Izraelit”.

Ky film i cili përcjellte humor, dramë, dashuri dhe shpresë, tregon historinë e katër grave jeta e të cilave ndryshon sapo takojnë një burrë me emrin Neta ku fillon një marrëdhënie familjare në jetën moderne.
Filmi është një prodhim i vitit 2016, fitues i shumë çmimeve, dhe me aktorë kryesorë: Rotem Abuhab, Emma Alfi Aharon dhe Naama Arlaky.
“Java e Filmit Izraelit” vazhdon deri me datë 1 dhjetor. Më 30 nëntor me fillim nga ora 15:00 vjen dokumentari i regjisorit Ido Haar “Presenting Princess Shaw”. E më 1 dhjetor me fillim nga ora 15:00 shfaqet filmi i regjisorit Maha Haj “Personal Affairs” ndërsa në terminin e orës 22:00 shfaqet premiera e filmit “Hunter Killer”. / KultPlus.com

Çfarë ka ndodhur më 29 Nëntor 1912

Më 29 nëntor 1912, Ismail Qemal bej Vlora, me cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, formuloi notën e parë diplomatike drejtuar përfaqësuesve të Rusisë, Asutrisë dhe Italisë në Vlorë, me të cilën i njoftoj për shpalljen e pavarësisë se Shqipërisë dhe kërkonte vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me qeverinë e re kombëtare.

Në të njëjtën ditë ai iu drejtua me telegrame qeverive ballkanike duke u bërë të ditur shpalljen e pavarësisë dhe dëshirën e popullit shqiptar për të jetuar në paqe dhe miqësi me të gjitha vendet fqinje. Këto ishin hapat e parë të diplomacisë shqiptare që u rilind bashk me shtetin e ri shqiptar pas pesë shekujsh robërie./ KultPlus.com

“Bohemian Rhapsody”, historia e Freddie Mercuryt dhe bendit “Queen”

Mbërrin në kinema historia e bendit të famshëm “Queen” dhe Freddie Mercuryt, “Bohemian Rhapsody”.

Filmi i regjisorit Bryan Singer (“The Suspects Usual”, “X Men”) është tregimi realist i viteve të mëparshme të Queenit në koncertin Live Aid në korrik të vitit 1985, performancë që krijoi grupin historik. Në rolin e Mercuryt interpreton Ramy Malek (fitues i një Emmy për serinë “Mr. Robot”).

Një projekt, që zgjati dhjetë vjet për të parë dritën, mes ndalimit dhe vazhdimit, ndryshime të protagonistëve, ndryshime të regjisë dhe vështirësive të prodhimit.

Vështirësi të kuptueshme, sepse çështja që duhet trajtuar nuk ishte më e thjeshta: një ikonë absolute e rrokut si Freddie Mercury, personalitet aq i madh sa kompleks, që duhej realizuar në mënyrën më të mirë.

Edhe pse baza e projektit është vetë Queen, ose më saktë ajo që mbetet sot: Brian May dhe Roger Taylor.

Përfundimisht, zgjedhja e protagonistit ra tek Maleku. “E dija se Queen ishte një mit dhe Freddie ishte një ikonë dhe hero për shumë njerëz, por nuk e kuptoja plotësisht se sa e rëndësishme ishte për kaq shumë njerëz në të gjithë botën”, thotë ai.

“Unë kam qenë gjithmonë një tifoz i grupit dhe Freddiet, por vetëm kur fillova të studioja për rolin kuptova se ata filluan në fillim të viteve ’70, kur ata kishin flokë të gjata, thonj të lyer dhe visheshin rroba provokuese – shpjegon ai – mendoj se shumë njerëz e identifikojnë Freddie-n me imazhin e viteve të fundit, me flokë të shkurtër, mustaqe. Ishte e pabesueshme për të zbuluar të gjitha versionet e tij ashti si edhe anën më të ëmbël të tij”./atsh

Epshi, shtypja e tij dhe debatet e dobëta shqiptare vijnë përmes ‘At Sergit’ në Prishtinë

Arbër Selmani

Dashuria e çmend njeriun. Ose ndoshta çmendia e bën njeriun më të dashur. Në këtë raport, di ndonjëherë të trokasë Zoti. E Zoti është mizor, xheloz, dhe i pakujdesshëm me fëmijët e tij. Mizoria dhe Zoti shumë herë në histori, dhe në jetërat e disa njerëzve, kanë ecur si dy shoqe të ngushta.

Skenari i tillë e ka goditur jetën e Stefan Kasatskit. Një burrë i dashuruar në Maria Korotkovën, në pallatin e Carit, e kupton se dashuria e jetës së tij po shkon me një burrë tjetër. Dhe me kë se, me askë tjetër por vetë Car Nikolasit. Stefani ndërron kahje të jetës. Izolohet në vetminë e Kishës Ortodokse Ruse dhe shndërrohet në murg. Një murg i mirë, i dënuar të mos ketë më asnjë epsh seksual. Vijnë e shkojnë provokimet që epshi i tij të zgjohet nga gjumi, por ai duhet t`ia ndalojë vetes epshin seksual. Seks. Seks. Seks. Seks. Rrëfimtari e tmerron At Sergin, pra dikur Stefanin, derisa i thotë këto fjalë.
“At Sergi”, është pak a shumë përthekimi i tillë i shfaqjes që erdhi mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Njëjtë siç erdhi feja, religjioni, seksi, dashuria, epshi, prerja e gishtit të murgut, nëna histerike e tij që nuk i falet Zotit kurrë, gruaja në karrocë e cila prej Zotit në këmbim morri veç ëndrrën dhe jo këmbët për të ecur, erdhi mbrëmë në Prishtinë edhe debati i vakët shqiptar televiziv me figurat marioneta që nuk kanë asnjë fjalë e argument kur marrin kohë televizive të panevojshme.

Fatos Berisha, regjisori i shfaqjes ‘At Sergi’, emri kryefjalë në shfaqje, tregon më shumë për KultPlus rreth këtij prezantimi.
“Sonte e sollëm shfaqjen për herë të 13-të, pas 12-të herave në Shqipëri. Është një shfaqje e cila përmban një kohë asnjëanëse, pra nuk ndodhë në shekullin e 19-të, dhe prandaj mund të jetë edhe koha e sotme. Këtu ishte reagimi tjetër sidomos tek pjesa e debateve e inkuadruar në shfaqje, dhe pikërisht kjo ishte ajo që unë dëshiroja” tregon Fatosi.

Në mes të tregimit mbi At Sergin, djaloshin plot epsh që duhet ta shtypë veten dhe organin e tij gjenital me çdo kusht drejt fjetjes kur sheh gra e femra të bukura rreth vetes, tash në epitetin e Atit, disa debate televizive e sjellin religjionin në këtë kohë moderne. Një tip Blendi Fevziu që nuk dëgjon çka i thonë të ftuarit në studio, nën hundë lëshon zëra të çuditshëm, kërkon nga regjia të reagojë kur të ftuarit flasin kotësira, derisa dëgjohen lutjet edhe të Islamit edhe të Krishterimit. Mysafirja e tretë është epike dhe i detyron të tjerët ta mbyllin gojën. Ajo e sjellë pasazhin e Saganit, “Pale Blue Dot”.

“Çdo fëmijë, çdo çift i dashurum, çdo nënë, çdo baba, çdo zbulues e shkencëtar, çdo mëkatar e shenjëtor, çdo superstar, çdo politikan i korruptuar – të gjithë kanë jetuar këtu, në një gotë pluhuri të pezulluar në rreze dielli”.

“Sot është koha e debateve, koha kur religjioni është bërë ‘televised’, dhe është kthyer në një reality shoë. Sot ke më shumë teatër në televizion sesa në teatër e në film, dhe prandaj këto elemente janë futur në shfaqje. Në anën tjetër, shfaqja merret edhe me seksualitetin, sado që teksti i Tolstoit është i vështirë dhe disi ‘i rrezikshëm’ në kuptimin e zanatit” tregon tutje Fatos Berisha për KultPlus.

Tregimi “At Sergi” është shkruar nga Tolstoi në mes të viteve 1890-1898 ndërsa u publikua për herë të parë në vitin 1911. Fatosi me ekipin e tij e solli në Shqipëri, ndërsa mbrëmë edhe në Kosovë, për të tentuar pjesëmarrjen edhe në festivale jashtë vendit. Që tregimi i At Sergit dhe feja e aktualiteti ndër shqiptarë ta shohin botën përtej mendjeve shqiptare.

Igli Zarka, Rovena Lule, Lulzim Zeqja, Egla Ceno, Besmir Bitraku, Julinda Emiri, Valmir Krasniqi dhe Arta Lahu, shoqëruar në instrument nga Gjergj Kaçinari, për më shumë se 60 minuta sollën në skenë ‘At Sergin’ jo të lehtë. Një shfaqje që veç e thjeshtë dhe lineare nuk është.

“Për mua ishte kënaqësi të luaja në shfaqje, në një rol aspak të lehtë. Sidomos puna me regjisorin Fatos Berisha dhe emocionet që morra sot këtu në Kosovë janë tepër motivuese për mua si një aktore e re” tregon Arta Lahu, aktore në shfaqje.
Kthehemi te “At Sergi”. Makovkina, një grua që dëshiron të mëkatojë por bota i rrotullohet, bën që me provokimet e saj ta shtyjë Atin drejt një akti të tmerrshëm, prerjes së gishtit. Makovkina nuk do të jetë më asnjëherë e njëjta grua.

Valmir Krasniqi, aktor në shfaqje, tregon se shfaqja kudo që do të shkojë, do të kuptohet se është shfaqje për njeriun dhe ndjenjat.
“Është shfaqje që flet për njeriun dhe çoje në fund të botës, ajo do të kuptohet sepse flet për epshin, ndjenjat, e çdo njeri përbëhet prej ndjenjave. Unë e kam pasë një paramendim ndryshe për bashkëpunimin tonë me aktorët në Shqipëri por jam befasuar për procesin e punës dhe se sa mirë ka ecë gjithçka. Jam i lumtur që mesazhi ka shku te spektatori” tregon Valmir Krasniqi.
Shfaqja, tekstin e së cilës e ka përshtatur për skenë Shpëtim Selmani, erdhi me produksion të Kozeta Kurtit, ndërsa para Kosovës u shfaq në Shqipëri, në Teatrin Eksperimental të Tiranës dhe në “arTurbina”. / KultPlus.com

Greci, vendi i parë ku u vendosën arbëreshët

Greci i Italisë konsiderohet vendi i parë në të cilin u vendosën arbëreshët.

Ky vend ka lidhje direkte me historinë e Skënderbeut, i cili kishte ardhur me ushtarët e tij me ftesë të Princit të Napolit të cilit po i rrezikohej humbja e fronit, bën të ditur emisioni “Express” i KTV-së. Dhe pas fitores me ndihmën e Skënderbeut, Ferdinandi i Parë si shenjë falënderimi, i fali këtë tokë.

Megjithatë, Gjergj Kastrioti kthehet në Arbëri, për shkak të rrezikut nga Perandoria Osmane, por disa ushtarë mbetën aty dhe u martuan me gratë vendase, duke filluar kështu komunitetin e parë arbëresh në Itali.

Por, tani ky vend ballafaqohet me sfida të shumta, sidomos me fenomenin e braktisjes nga të rinjtë.

Alketa Ramaj, burrat, piktura dhe paraja në art erdhën sonte në kryeqytet

Arbër Selmani

Ajo është një artiste e veçantë e cila shpesh ka besuar në superioritetin e gjinisë mashkullore. Nuk e ka të qartë pse ka ndodhur diçka e tillë, por megjithatë fakti se është rritur në një shoqëri si ajo shqiptare e arsyeton deri diku këtë mendim. Ajo e ka krahasuar veten me meshkujt, si në ambientin shoqëror, si në shkollë, si në ambientin e kulturës. Më vonë e kuptoi se kjo nuk qëndron.

Fituese e dy çmimeve të rëndësishme artistike në Shqipëri, Çmimit Ardhje dhe Çmimit Onufri, Alketa Ramaj sonte erdhi në Galerinë Motrat në Prishtinë për të treguar më shumë mbi artin e saj, në një bisedë artistike simpatike ku u shpalos jeta e saj, karriera, planet por edhe mendimet e saj mbi artin në Kosovë e Shqipëri.

Në moderimin e gazetarit Vullnet Krasniqi, Ramaj foli për transformimin e saj artistik, për artin si mënyrë mbijetese por edhe për artin dhe ekonominë.
“Unë veproj gjithmonë sipas intuitës, nuk merrem drejtpërdrejt me një aktivitet social. Mua më duhet një element i papërcaktuar që të filloj ta thurë një ide. Përgjithësisht më duhet kohë që ta mbaroj një vepër dhe më shumë kohë që edhe ta ndjej” tregoi Alketa Ramaj.

Alketa ka lindur në Përmet, ndërsa është diplomuar në vitin 2006 në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Si artiste pamore, ajo ka zgjedhur instalacionin i cili deri vonë ka qenë një medium ku ajo ka shprehur tërë inspirimin e saj. Më vonë, syri kaloi edhe kah piktura.

Puna të cilën ajo e veçon nga bagazhi i saj artistik, e të cilën madje do ta vinte edhe në kontekstin e sotëm dhe do të donte ta përthekonte me realitetin shqiptar është ‘Untitled’ e vitit 2013-të. Në këtë video, një burrë fle gjatë gjithë kohës.

“Ajo video për mua është më e kompletuar. Është konceptuale dhe është intime, dhe ka ardhur si rezultat i një imazhi” tregon Alketa.

Alketa ekspozitën e saj të parë personale e pati hapur në Kosovë, në vitin 2014-të, ndërsa shumë shpejt do të kthehet më një ekspozitë tjetër personale, po në Prishtinë.

Në këtë bisedë artistike, diku mes pyetjeve të publikut dhe Alketës e cila e qetë përgjigjet në secilën pyetje, ajo flet edhe për faktin se si instalacionet si formë shprehëse artistike kërkojnë më shumë para dhe buxhet, prandaj në një moment ka provuar edhe pikturën sado që nuk ka qenë fusha e saj e preferuar gjatë studimeve.
“Në një mënyrë mund ta quaj njëfarë pamjaftueshmërie e shprehjes vetëm me instalacione. Kësisoj, krejt e natyrshme edhe piktura, e pasforcuar, gjestuale, një mënyrë tjetër e shprehjes. Më pas këtu u lidh edhe jeta ime, kushtet e mia të të jetuarit si nënë dhe në një ambient më të ngushtë” tregon tutje Alketa.

Pjesëmarrjet e saj artistike numërojnë: Bienal de Curitiba ’17 (Curitiba, Brazil); Galerie Heike Strelow (Frankfurt/Main, Germany); Viennacontemporary, (Vienna, Austria) ; 3rd Edition of Project Biennial of Contemporary “Art D-0 ARK Underground, Atomic Shelter”, (Konjic, BIH) ; Bienal del Fin del Mundo, Mar Del Plata, (Valparaiso, Chili); Fondazione Museo Pino Pascali (Bari, Italy); ISCP, international studio & curatorial program (New York, USA); Stacion, Center for Contemporary Art (Prishtina, Kosovo); La Fenice Gallery (Venice, Italy) etc.
Alketa ishte një tjetër artiste në vazhdën e bisedave artistike që Galeria Motrat po i organizon me artistë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, kjo për të shpalosur më shumë nga puna e këtyre artistëve por edhe për të nxjerrë nga ta mendime mbi artin, respektivisht jetën. / KultPlus.com

Dollia

Poezi nga Hasan Dajaku.

Nata qiellin kishte qëndisur
Me yj shkëndijë.
Qiejve të viteve vetëtin
Kujtimet si yj.

Në yjët e kujtimeve
Si hark i kuq
Vetëtin kujtimi i shqipeve
Dhe qiellin skuq.

I kuq qielli i kujtimit,
Kuq si tokë.
Gjithë këtë kuqëlim kish marrë
Në gjak heronjsh.

Dh, tek ngrisnin dollinë,
Gjyshërit e heshtur,
Plagët e tyre mu si diej
N’gjoks u kanë mbetur.

Dhe ja, po hyjnë në valle
Radhë e radhë:
Gjyshërit e Lidhjes Shqiptare
Vrullin zjarr!

“Gjyshërit e Kosovës” – Hasan Dajaku

Disenjatorja e syzeve Laura Imami uron 28 Nëntorin me syzet Kuq e Zi

Laura Imami tashmë brendin e saj e ka shndërruar si një brend shumë prestigjioz sa i përket syzeve, pasi që, syzet e saj tashmë i kanë blerë edhe shumë yje botërore, shkruan KultPlus.

Disenjatorja Imami e cila jeton në Londër, sonte ka prezantuar një dizajn të syzeve të realizuara me ngjyrat e flamurit kombëtare, kuq e zi, ku me këtë foto ajo ka uruar festën gjithë shqiptarëve. / KultPlus.com

Jashari tregon kush ishte i pari që shtiu drejt forcave serbe

Shumë forca serbe kishin rrethuar lagjen e Jasharëve në Prekaz në mars të vitit 1998. Bekimi, nipi i heroit kombëtar, Adem Jashari, shpjegon në Rubikon të KTV-së se përveç rrethimit që i kishin bërë tërësisht lagjes, gjatë ditës, deri në orën 12, kishte pasur hapësirë që të dalin nga shtëpia.

Jasharët kishin vendosur, secili, i madh e i vogël të mos dilnin nga aty.

Ai tregon se ndonëse shumë të ri në moshë, vëllai i tij, Besimi dhe djali i dytë i Ademit, Fitimi, kishin qenë të parët që kishin hapur zjarrin në drejtim të serbëve.

“Nuk ka qenë e mundur të ndihmohet më shumë sepse sipas informacioneve, një natë më herët kanë ardhur mbi 15 mijë forca paramilitare dhe nga këta 15 mijë, 5 mijë e kishin rrethuar vetëm lagjen tonë, Jashari, kurse 10 mijë tjerë e kanë nxënë grykën e Llaushës dhe të gjitha pikat që të çojnë në Prekaz, luftë ka pas gjithandej por për të ardhur për t’i ndihmuar Adem Jasharit, për të ardhur për të vdekur po, por diçka më shumë jo… Kushërinjtë tregojnë se ditën e enjte, ditën e parë, deri në ora 12 ditës kanë mundur të dalin, i themi ne përpjetë lagjen, drejt Prekazit të Epërm por familja jonë nuk ka dashur të lëvizë askush. Bashkimi tregon që vëllai im, Besimi dhe djali Ademit i dyti, Fitimi, kanë qenë të parët që kanë shkrepur pushkën, kanë vënë zjarr”, ka treguar Bekim Jashari.

Bekim Jashari tregon çka kishte folur me Hamzën pak ditë para sulmit nga serbët

Bekim Jashari në vazhdim të rrëfimit të tij ka kujtuar edhe bisedën telefonike që pati me babanë e tij, Hamëz Jashari, pak ditë para sulmit të forcave serbe ndaj familjes së tyre, në fillim të marsit 1998.

Ai ka treguar se kishin biseduar pak ditë pas sulmeve në Likoshan e Qirez, në fund të muajit shkurt. Në Rubikon të KTV-së, Bekim Jashari ka thënë se babai i tij, Hamza i kishte thënë se lufta e tyre s’ka kthim prapa dhe e gjithë bota do të marrë vesh për ta.

“Kur ka ndodh sulmi në Likoshan dhe Qirez, dy ditë pas atij sulmi kam folur me babën tim, Hamzën në telefon gjysmë ore, ishte mërzitur shumë, kishte parë masakër të madhe. E pyeta se çka i keni hallet bre babush, babush i kam thënë, gjyshit i kemi thënë babë, e atij babush, secili fëmijë. I thashë çka i keni hallet bre babë, më tha, tutna shpejt ka me ndodh. Më tha ‘a të kujtohet kur tregonim çka ka thënë Tahir Meha… që kur të vdes unë, kanë për të shkruar shtatë gazeta. Eh, tha kur të ndodh te na, ka me marrë vesh krejt bota, kthim prapa nuk ka’”, ka rrëfyer Bekim Jashari.

“Dhimbja ishte shumë e madhe po ata kanë shkuar me vetëdije, nuk ka ndodhur rastësisht, me një fjalë, kanë ra kurban për këtë vend, apo siç është ajo thënia, dikush duhet të nis vallen që të bashkëngjiten tjerët”, ka shtuar ai.

Rrëfimi i Bekim Jasharit: Gjyshi i kishte lutur gratë e fëmijët të largoheshin nga shtëpia

Për Adem Jasharin, luftën dhe flijimin që ai bëri, kishte ndër vite opinione nga më të ndryshme. Madje pati kritika pse fëmijët dhe gratë nuk ishin larguar nga shtëpia në Prekaz, që të shpëtonin nga sulmet e Serbisë.

Në ditëlindjen e tij, nipi i Adem Jasharit, Bekimi, tash kryetar i Skenderajt, shpalosi rrëfimin ekskluziv në Rubikon të KTV-së.

Duke kujtuar ditët kur në atë zonë veçse shpërtheu lufta, Jashari përmend faktin se pse të paktën asnjë nga fëmijët nuk u larguan përkohësisht.

“Nuk ka dashur asnjë fëmijë që të largohet nga shtëpia. Ka fakte e njerëz të gjallë, disa vdiqën pas luftës, që ishin shokë të gjyshit Shaban, nga Llapi, Dukagjini, Anamorava, që kanë shkuar me gjyshin. Ata vetë kanë treguar se si ato ditë, pas 22 janarit, që kanë shkuar te fëmijët e te gratë, dhe u kanë thënë të largohen. Gjyshi vetë ka shkuar me ta dhe është munduar që t’ua bëjë sa më joshëse duke u thënë se atje ka lodra e është më mirë”, ka thënë Bekim Jashari./KultPlus.com

Granit Xhaka dhe Capital T bëhen bashkë për të uruar 28 Nëntorin

Futbollisti njohur shqiptar, Granit Xhaka dhe reperi Capital T, kanë pozuar së bashku me rastin e 28 Nëntorit.

Në profilet e tyre në rrjetet sociale, dy protagonistët e kanë publikuar fotografinë e njëjtë për të shprehur urimin e tyre.

“Urime Ditën e Flamurit gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, në çdo cep të botës. Të shpërndarë, por të bashkuar rreth një Flamuri, Gjuhe dhe të një Gjaku!”, shkruan në përshkrimin e tyre.

Rita Ora uron 28 Nëntorin me një video të veçantë (VIDEO)

Artistja shqiptare e cila po bën nam në botë, Rita Ora, asnjëherë nuk harron të uroj shqiptarët për festa e ditë të shënuara.

Kështu veproi edhe sot për 28 nëntor në këtë ditë të shënuar për gjithë shqiptarët.

Ajo ka përzgjedhur një video nga koncerti i saj i fundit në Kosovë të cilin e mbajti për 10 vjetorin e Pavarësisë, për të uruar në shqip festën e flamurit.

“Urime 28 Nëntori, klikoni ne link për të shikuar disa nga momentet e mia më të mrekullueshme”, ka shkruar Rita në insta story. /KultPlus.com